• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

“Çmendet Inter”, 30 milion Euro per Shqiptarin Marash Kumbulla

June 28, 2020 by dgreca

Dielli-Sport Seria A. Merkato/ITALI/

“Çmendet Inter”, 30 milion Euro per mbrojtesin Kumbulla

Nga Albano Kolonjari/

Vetem pak ore pasi Lacio dhe Verona kane rene dakort per transferimin e mbrojtesit shqiptar Marash Kumbulla drejt bardhekalterteve, Inter ka “tronditur” mareveshjen e arritur. Gazetari Italian Nicolo Schira ka shkruajtur ne Twiter se:Inter ka afruar 30 milion Euro per qendermbrojtesin e Verones Kumbulla”. Inter ishte nje nga klubet qe kerkonte sherbimet e qendermbrojtesit Kumbulla qe cilesohet nje nga talentet e rinj qe luan ne Itali. Sipas Inter, Verona duhet te rishikoje edhe nje here ofertat e ardhura dhe te rifilloje serisht negociatat per mbrotjetesin e Kombetares Shqiptare. Nderkohe qe gazetari Schira thote se:”Lacio i afroi Verones 18 milion euro dhe dy futbolliste. Kjo oferte eshte konsideruar e vogel nga drejtuesit e Verones. Inter ka afruan 30 milion euro per ta patur te vetin qendermbrojtesin”.

Loja eshte rihapur serisht. Ku do te luaje Kumbulla sezonin e ardheshem? Kete sezon ai ka bere nje paraqitje te shkeqyer tek Verona duke luajtur 1761 minuta dhe shenuar nje gol , duke terhequr vemendjen e shume klubeve europiane. 

Filed Under: Sport Tagged With: 30 milion, albano kolonjari, Interi, per Kulmbullen

Gjokoviq, kundër shqiptarëve dhe Kosovës

June 28, 2020 by dgreca

Novak Gjokoviq në krah të kishës ortodokse serbe kundër shqiptarëve dhe Kosovës/

Apel organizatës ndërkombëtare të sportit të Tenisit,që ndaj sportistit serb Novak Gjokoviq të marrë masat e duhura sipas rregullave të njohura të sportit në frymën dhe rregullat sportive,që mos të merret dhe mos të bëhet viktimë e kishës ortodokse serbe në Beograd,që tash e një shekull ka orkestruar dhe sajuar lloj-lloj skenarësh për shfarosjen deri në shkallë të gjenocidit(1998-1999)kundër popullit shqiptar dhe për tokën e djegur të Kosovës.

Nga Skënder Karaçica-Çikago/ Dielli

Sportisti i njohur serb i lojës së tenisit,Novak Gjokoviq,në dritën e festës së Vidovdanit,ishte në krah të kishës ortodokse serbe në Beograd dhe me Patrikun Pavël,që është i njohur me skenarët e tij historik kundër popullit shqiptar dhe për njëfarë ,,zemra e Serbisë,, (siç!),ka provokuar shqiptarët dhe Kosovën  me diskurin e tij shovenist,që,në historinë e sportit është i pa pranueshëm në botën e qytetëruar.

Nuk është hera e parë që tesnisti serb i mbushur në shpirt me trajtat e njohura shoveniste deri në pambarim me skenarët e njohur shekullor të kishës ortodokse serbe në Beograd,që kanë irituar popullin dhe rininë serbe me mitet e rrejshme për tokën (shqiptare)të Kosovës për njëfarë ,,djepi dhe zemra e Serbisë,,ku u bë edhe më e keqja në Ballkan,lufta e përgjakur ndaj popujve jo serb dhe shqiptarëve në kohën e regjimit fashist të Sllobodan Millosheviçit në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

Tenisti serb Novak Gjokoviq ka harruar se në fushat e këtij sporti finsik,qindra tifozë të kësaj loje në mbarë botën i kanë duartrokitur,por nuk e kanë dijtur se ai ka kaluar nga fusha e tenisit dhe me afshet shoveniste urren dhe fyen deri në pafundësi popullin e lashtë shqiptar dhe për të nxitur trajtat shekullore shoveniste për shfarosje deri në substancët të shqiptarëve dhe për tokën e djegur të Kosovës.

I bëjmë thirrje organizatës ndërkombëtare të sportit të Tenisit,që ndaj sportistit serb Novak Gjokoviq të marrë masat e duhura sipas rregullave të njohura të sportit në frymën dhe rregullat sportive,që mos të merret dhe mos të bëhet viktimë e kishës ortodokse serbe në Beograd,që tash e një shekull ka orkestruar dhe sajuar lloj-lloj skenarësh për shfarosjen deri në shkallë të gjenocidit(1998-1999)kundër popullit shqiptar dhe për tokën e djegur të Kosovës.

Kjo nuk i ka hije sportit të tenisit me sjelljet e sportistit si Novak Gjokoviq,i cili në krah të Patrikut Pavël në Beograd dhe në frymën e kishës ortodokse serbe,e përbalt fushën dhe lojën e tenisit që,për sportdashësit në mbarë botën ka nis mesazhin më të keq për vitin 2020!

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjokoviq, kundër shqiptarëve dhe Kosovës, Skender Karacica

NË KOSOVË PARA 31 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË

June 28, 2020 by dgreca

Gazimestani – Kosovë (foto nga media serbe)…

-Manifestime serbe në ditën e Vidovdanit – në 631 vjetorin e Betejës së Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur/

-Para 31 viteve, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, u binte daulleve të luftës…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Gazetari Behlul Jashari në kohë lufte në Kosovë i ndaluar nga forcat serbe  në Prishtinë – kontrollohet (pamje nga një xhirim televiziv i asaj kohe.

PRISHTINË, 28 Qershor 2020/ Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia festojnë Vidovdanin,  të mbledhur sot në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu 631 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Edhe me manifestime tjera, në çdo 28 qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur.

Para 31 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, edhe Kosovën, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

 “Ne ishim të guximshëm e dinjitozë. Tani, gjashtë shekuj më vonë, ne sërish jemi në betejë. Nuk janë këto beteja të armatosura, por ato nuk mund të përjashtohen”, thoshte Milosheviç në fushën e Kosovës në Gazimestan.

E “betejat” e Milosheviçit kundër Kosovës – shqiptarëve ishin të nisura. Po para 31 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Edhe gjatë viteve të tjera, në ditën e Vidovdanit në Kosovë grupe ekstremiste të serbëve kanë manifestuar edhe provokacione, në forma të ndryshme. Është parë edhe se numri i pjesëmarrëve në manifestime të tilla me provokime është më i paktë nga viti në vit…

Media lokale serbe njofton se këtë vit shkaku i pandemisë numri i të ardhurve në manifestimet e Vidovdanit është më i vogël dhe me masa mbrojtëse….

Filed Under: Politike Tagged With: 31 vite, Behlul Jashari, Daulle Lufte, Sebet

ROBERT ELSIE – I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE

June 28, 2020 by dgreca

Shkruan: Thanas L. Gjika*/

            Më 29 qershor 2020 mbushen 70 vjet nga lindja e albanologut të shquar kanadezo-gjerman Robert Eksie, prandaj po i ribotoj këto kujtime që hartova me rastin e vdekjes së tij në tetor 2017, duke i shoqëruar dhe me disa vlerësime që më dërguan disa miq të mij e simpatizantë të të ndjerit.

            Gjatë vizitës së tij të parë

            Njohja ime me Robert Elsi-n ndodhi gjatë vitit 1978. Ai kishte ardhur pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku punoja, më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë…

            Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë pa asnjë theks (aksent) të huaj, prandaj nuk mund ta dalloja se cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t’i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. Kur e pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, sërbishten, etj. Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet.

            Më shprehu dëshirën se po t’i jepej një bursë mund të bëhej nja dy vjet student në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në Seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës.

            Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike. Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij.

            Mbante veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t’i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t’i bojatiste. 

            Një ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:

            – A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?

            Ai m’u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë, pasi mbaruam maturën, me kursimet që kishim mbledhur, blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën tonë. Gjashtë ditë kur shkuam dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, platacione me grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë…

            Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele. Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i hanim pa i gatuar”.

            Mua nuk m’u durua dhe e pyeta: – Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?

            – Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.

            Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.

            Kur shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t’i merrte me vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur punonte në Bibliotekën Kombëtare. 

            Kishte një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Mu kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të tëra me gërmat a, A, b, B dhe c, C që kishim mësuar deri atëhere…  

            Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterat, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë.

            Duke pirë kafe një ditë e pyeta:

            – Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë.

            Roberti, më sqaroi:

            – “Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit e kanë vështirë të gjejnë tema studimi. Një histori e plotë e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën europiane.

            Letërsia shqipe, është letërsi e pasur, shtoi ai. Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë e merren me pikturë.

            Kosova zjen, prandaj atje lulëzon poezia”.

            Gjatë vizitave të mëvonshme

            Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërisht ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.

            Ndoshta ishte mars -prill i vitit 1979, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba teqeje i cili gjatë kërcimitritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të tillë. Fatosi i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjirokastër kur ishte 14 ose 15-vjeçar.

            Kur zbritëm në Fushë Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të ndalonim tek ish-Teqeja e bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej kohësh ajo ishte kthyer në ambjent të një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur pjesë përbërëse e murit, kurse pjesa tjetër ishte e rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë jepeshin të dhëna në arabisht për atë teqe.

            Roberti u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. E fotografoi. Pastaj mblodhi copat që ishin për tokë, i afroi, i sistemoi sipas shkrimit dhe e fotografoi dhe atë pjesë.

            Pastaj tha se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, studimet që kishte kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as planet për të ardhmen.

            Të nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek ish-Teqeja e Kryegjyshatës Botërore. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zog i Parë u interesua dhe i solli nga Stambolli eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më të shquara të Bektashizmit. Në kopshtin e këtij institucioni u varrosën eshtrat e poetit kombëtar. Mirëpo ky institucion, pas vitit 1967 u kthye në azil për pleq, kurse Kryegjyshin Botëror, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashi ndodhej në anën lindore të Tiranës mbi vargun e kodrave të Malit Dajt. Jo larg saj në vitet 1970-të u ndërtuan Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.

            Shkuam atje, takuam drejtoreshën e azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit, me rastin e 50-vjetorit të vjekjes së tij, u shpërngulën dhe ishin rivarrosur anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH. Kurse më 1978 me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u krijua vorreza treshe e vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri te kodra e liqenit artificial.

            Më 1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar, Varri i Naimit te Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Fancesko Jakomonit, mesa duket për të marrë me të mirë Kryegjyshin Dedej, i cili nuk e kishte pranuar pushtimin italian. Duke u gdhirë 28 nëntori i vitit 1941 ky kryegjysh u vra nga njerëz të panjohur, pas takimit me Jakomonin, kur kishte kundërshtuar firmosjen e një deklarate pro pushtimit fashist.

            Varri ishte vërtet madhështor, por më vonë qeveria komuniste ia kishte dëmtuar madhështinë. Kur shkuam ne ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Duke u kthyer në Tiranë më tha:

            – Ky varr nuk e ka vendin këtu. Duhej të ishte te oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.

            Mirëpo të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, as ish-kryetari i parë, Dhimitër Shuteriqi njeri me kulturë; dhe as Dritëro Agolli, kryetari aktual i kësaj lidhjeje, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri origjinal i Naimit, por nuk besoj se kishin bërë ndonjë vizitë atje. Madje, as në tetor të vitit 1990, kur Instituti ynë organizoi një konferencë shkencore kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së Naimit me pjesëmarrje edhe të disa studiuesve nga bota, nuk u mendua dhe as u dërgua kush tek asnjëri nga tre Varret e Naimit me një tufë lulesh. Ndaj të tillë veprimeve për shprehje respekti, njerëzit që krijonin kulturën e re socialiste, ishin indiferentë.

            Sot, indiferenca e tyre e asaj kohe, më kujton faktin se si po këta njerëz të letrave dhe studiuesit e letërsisë shqiptare, nuk shpunë në Librazhd një tufë me lule gjatë viteve të tranzicionit te memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, dy poetëve martirë të diktaturës komuniste dhe as te varri i Havzi Nelajt, poetit të varrur në Kukës…

            Ciganët, janë analfabetë dhe në Shqipëri, si në gjithë Europën.

            Gjatë një vizite tjetër Roberti kërkoi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Takoi dhe bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati interes për prof. Jup Kastratin, bibliograf i mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t’u kthyer, më kërkoi ta shpija tek ish-Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967 ishte kthyer në pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri dhe bëri disa foto.

            Gjatë kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup ciganesh pranë çadrave të tyre.

Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë Europën, tha Roberti.

            Duke dashur t’i mburresha, i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e             detyrueshme për gjithë fëmijët dhe ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.                   

– Në Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.

            Roberti shtoi:

– Nuk beson? Po deshe shkojmë t’i pyesim.

            I thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu afruam një grupi me vjaza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam edhe më dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe tha:

– Po ku di unë të lexoj.

– Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gatii bërtita.

– Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet dhe as vëllezërit e mij, as mamaja e as babi nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.

            Më e pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të afrohej e të lexonte fjalët PARTI – POPULL – ENVER, që ishin shkruar me shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.

            – Mos ngul këmbë, më tha Roberti, ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet, nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.

            Unë punoj vetëm disa ditë në muaj

                Kisha vënë re se Roberti nuk ishte i pasur, se bënte një jetë modeste, por kuptohet, dallonte shumë nga jeta tepër e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetën.

            – Unë jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë. Lexoj e shkruaj ç’ të dua. Eshtë një komshie plakë e cila më afrohet e më bën nga njëherë muhabet.

            Për të më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:

            – Unë nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, por për të sigurar të ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet 1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe qindra marka për udhëtimet.

            Pra ky studiues ishte krejt i pavarrur, i pavarrur në zgjedhjen e temave të studimit, i pavarrur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për ne punonjësit e instututeve shkencorë shtetërorë, të cilëve temat e studimit dhe të ardhurat ekonomike na i caktonte drejtoria e institutit.

             Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen të mbekullueshme

            Gjatë vitit 1992 Roberti erdhi dy hetë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi: – Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.

            Kuptova se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman.

            I thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar shumë ekonomikisht dhe po të hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen. Për ta përforcuar mendimin shtova:

            – “Bëri mirë Isamail Kadareja që iku.”

            – “Mos u ngut”, më tha, “rri, sepse në Gjermani mendohet që Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mbrekullueshme”. Pastaj shtoi, “Për Ismailin, mendohet se ikja e tij është pjesë e planit të Ramiz Alisë. U dërgua jashtë si i arratisur, që ta kërkoni ju pas rëzimit të diktaturës dhe të vijë si udhëheqës për të shpëtuar Ramizin e klanin Hoxha”.

            – “Nuk mund ta besoj që Isamili të pranojë të kthehet në Shqipëri për t’u marrë me politikë. Ai shyqyr që shpëtoi nga imponimet e politikës”. Roberti nuk kundërshtoi.

            Në Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta dënonin krimin komunist dhe do t’i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si gjernmanët. Kështu që 20 vjet tranzicion sipas tyre ishin të mjaftueshëm për të krijuar shtetin ligjor dhe shoqërinë demokratike…

            Pas dy vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer në një kazan plehrash.

            Në nëntor të vitit 1992 u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza e saj me gegërishten.

            Gruaja ime, Julia, më tha që t’i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert Elsi-n. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën dhe djalin tonë dhe me nënën time. Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.

            Kur ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, si nuk foli fare!”  

            Robert Elsi ishte ateist

            Në vitin 1992 në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën dhe fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të ditës së shtunë, besim që nëna jonë e kishte përqafuar që në vitet 1935-1936. Ajo filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që oranizoheshin në salla të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im i madh dhe unë që jetonim në Tiranë filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja. Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të shpejtë tek ne pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. E shtuna ishte shpallur ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë në ato salla predikimi. 

            Një të shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi, takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi mori vesh se unë vija të shtunave dhe dëgjoja predikimet fetare, më tha:

            – “Mos i merr seriozisht predikimet fetare, se mund të të shpëlajnë trutë dhe nuk do çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime jam ateist, por po të më duhej të përqafoja një besim fetar, do të pëlqeja Budizmin”, e mbylli ai bisedën.

            History of Albanian Literature / Histori e letërsisë shqiptare

            Në vitin 1995 Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli veprën e tij anglisht në dy vëllime, botim i COLUMBIA UNIVERSITY PRESS, USA.

            Mu bë shumë qejfi, kur autori më dhuroi një kopje të saj. Unë sa kisha mbaruar së studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse po përgatitesha për t’u larguar nga Shqipëria, sepse kisha fituar lotarinë amerikane për Green Card.

            Vepra më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohëve dhe të të gjitha teritorreve, me fotografitë e shumta, shumë prej të cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë që kësaj dhurate t’i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja lëndën, m’u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova në revistën shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numëri 2 i vitit 1995, ku u caktua të botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut 1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.

            Lidhjet me Robertin i vijova edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë – Pejë 1997.

            Pasi e falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në nivel të mirë po më pengonte për t’u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m’u përgjigj me të qeshur:

            – “Mos u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a vonë pasanikë”.

            Herë pas here këmbenim e-mail, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova Robertin në Tiranë gjatë vizitës që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po ecnim në rrugë pranë shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli para papritur. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante dedikimin për t’ia dhuruar mikut tonë.

            Të gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane e deshin dhe e respektonin shumë këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994 i pata dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez Alia e Bajlozi, vepër e artistit Genc Tirana.

            Duke dashur të bëja shaka, i thashë Iliazit:

            – Iliaz, ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk ka mundësi t’i lexojë.

            Roberti nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” MEDAUR Tiranë 20107, 500 fq. të cilin ia kisha dërguar një vit më parë duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, që unë e kisha trajtuar me shumë argumente në atë studim.

            – “Me të vërtet kohën e kam shumë të pakët”, e mori fjalën Roberti. “Nga librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t’i botoj dot gjithë ato studime që synoj të hartoj”.

            Letrën e fundit ia dërgova me i-mel më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM . Iu luta që të shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se unë bashkë me vajzën e profesorit, mendonim të mblidhnim kujtime prej atyre që e kishin njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të shkencës shqiptare.

            Roberti m’u përgjigj po atë ditë në ora 11:16 (ora e Amerikës 5:16 AM e datës 1 mars). Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë i zënë me projete të ndryshme dhe konkretisht profesor Çabejn e kishte takuar vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryhej me sukses dhe sugjeronte që të përkthehej dhe në anglisht…

* * *

            Po i mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve shkencore të saj, sepse kam vënë re se këtë albanolog të shquar, që botoi 60 libra ku na solli aq shumë materiale të panjohur dhe studime të shumtë e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar Tiranë 2008, vol. I, nuk është trajtuar si zë më vcete jeta dhe ndihmesa e këtij albanologu të shquar. Kam frikë se kjo akademi nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri krahas eshtrave të tij dhe gjithë bibliotekën e tij, fondin e letrave, fotografive dhe të materialeve e shkrimeve të tij të pabotuara…

            Mezi pres të shkoj në Shqipëri e të vendos një tufë lulesh te varri i këtij studiuesi të huaj, i cili me jetën dhe veprën tij u shqua për saktësi, urtësi, punë të madhe dhe dashuri ndaj popullit tonë.

            I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit Robert Elsie!  

Disa vleresime për këtë shkrim që m’u dërguan prej miqve të mij që e lexuan:

Ruben Avxhiu:

Shume interesante profesor,
Te fala, Rubeni

Kolec Topalli:  

Te faleminderit. Edhe une e kam takuar disa here, por vetem vitet e fundit dhe vetem ne Kosove. Kolec Topalli

Ilir Ikonomi:

Thanas, e lexova me shume kenaqesi. Mesova gjera qe nuk i dija edhe pse e kam njohur Robertin. Te lumte.

Iliri

Ilia Karanxha

I shtrenjtë Thanas !

Mbi të gjitha të uroj shëndet e gjithë të mirat si për ty po ashtu edhe Julisë ! Faleminderit për shkrimin dedikuar Robert Elsit të cilin e lexova me një endje e interes të veçantë. Ishte shkrojtur shumë bukur e ndërkohë mësova shumë aspekte nga jeta dhe vepra e tij. Në shtjellimin e kujdesshëm që i ke bërë figurës së tij bie në sy thjeshtësia, mënçuria dhe aftësia për të kuptuar botën shqiptare në epokën komuniste dhe paskomuniste. Sidoqoftë një shkrim me vlerë për njohjen e këtij albanologu të shquar e në të njëjtën kohë një omazh serioz për figurën e Tij. Mbarë populli shqiptar dhe bota intelkektuale, që e kanë vlerësuar gjithmonë për prodhimtarinë e pasur në fushën e albanollogjisë, e ndjeu humbjen e tij ndërsa institucionet tona kulturore shkencore ose nuk lëvizin fare ose lëvizin si kermilli e shpesh shkel e shko dhe sa për sy e faqe.

Unë vazhdoj punën për Beçikemin por me ca vështirësi se nuk është kollaj të gjenden përkthyes të latinishtes. Sidoqoftë jam në proçedurat e fundit të pregatitjese së veprës.
Edhe një herë shëndet e gjithë të mirat,

Ilia

Sadri Fetiu:

Pershendetje, Thanas i dashur,

te falenderoj per keto kujtime shume njerezore per nje njeri qe punoi me plot perkushtim per kulturen shqiptare. Roberti u prehte ne paqen e perjeteshme! Ai do te jetoje gjithmone ne kujtesen e shqiptareve. Nje shkrimtar i madh malazias ka thene: “I lumi ai qe jeton gjithmone, ai ka pase se per cka me le!”…

Te fala te perzemerta ty dhe Julies

Sadriu dhe Fetija

Rexhep Qosja:

I dashuri Thanas,

uroj te jeni mire me gjithe familjen tuaj dhe uroj te jeni mire me shendet e me suskese ne krijimtarine shkencore. Ju falemnderit per kujtimet kushtuar Robert Elsit qe m’i derguat. Prej ketyre kujtimeve te pasura me te dhena, me gjykime e vleresime te rendesishme mesova shume per albanologun e madh dhe mikun e madh te popullit shqiptar Robert Elsin.

Me keto kujtime ju me mire se askush tjeter i dolet borxhit atij.

Me perzemersi te perkushtuar,

Rexhep Qosja

* Shenim i autorit:Këto kujtime u hartuan me rastin e vdekjes së albanologut në tetor 2017. Po i ribotojmë me rastin e 70-vjetorit të lindjes bashkë me disa vlerësime lexuesish.

Filed Under: ESSE Tagged With: mik i dashur, Robert Elsie, Thanas L Gjika

Përkujtesë – 27 Qershor, Dita e Gjenocidit ndaj popullsisë Çame

June 27, 2020 by dgreca

MASAKRAT GREKE NË ÇAMËRI DHE NDERKOMBETARET

-Masakra greke ndaj çamëve është e njohur edhe nga amerikanët: Sipas kreut të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Jozef Xhejkobs(Joseph Jacobs) :” në Vjeshtën e vitit 1944 dhe në muajët e parë të vitit 1945, autoritet në Greqinë veriperëndimore, kryen me egërsi dhe brutalitet dëbimin e rreth 25 mijë çamëve nga shtëpitë e tyre…

– Deputeti i Parlamentit anglez z. Hutchinson, kishte denoncuar masakrat greke në Çamëri dhe kishte takuar refugjatët çamë në Shqipëri. Ai kërkoi Komision Ndërkombëtar për mbrojtjen e çamëve.

– Shoqata Çamëria në SHBA i kërkoi Imzot Nolit që t’i përfaqësonte në Londër për të kërkuar bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Noli ia delegoi Misionin Dervish Dumës-

Nga Dalip GRECA *

Shqipëria vazhdon të fshihet si struci përballë Greqisë për çështjen Çame. Në 30 vite demokraci askush prej ministrave të Jashtëm, askush prej kryeminsitrave, Ministrave, Kryetarët e Partive kryesore, nuk kanë arritur ta artikulojnë qoftë dhe në mënyrë diplomatike kërkesën për të drejtën njerëzore elementare, të pronës, të shtëpisë, të varreve, pa lë që të guxojnë të kërkojnë hapur njohjen e gjenocidit të ushtruar nga Forcat e Lidhjes Kombëtare Greke ndaj popullsisë së pambrojtur. Askush nuk mund ta mbulojë e ta fshëhë një masakër të përgjakur që nën tymin dhe flakën e Luftës së Dytë Botërore, vrau, përdhunoi, përzuri me dhunë mijëra shqiptarë çamë nga trojet e tyre. Fatkeqsisht masakrat e grekëve, sipas studiueses Miranda Vickers , patën edhe e mbështetjen dhe autorizimin e britanikëve ( Miranda Vickers” The Cham Issue- Where to Now”, botuar nga Defence Academy of the United Kingdom, Jannuary, 2007, dhe sjelle ne gjuhen shqipe nga Xhevdet Shehu). Citoj: Kolonel Kris Udhauz (Chris Woodhouse), shef i Misionit Ushatark Britanik në Greqi, njoftonte:”I inkurajuar nga Misioni aleat që kryesoja, Zerva i shpërnguli çamët nga shtëpitë e tyre.”


Masakra më e përgjakur ishte ajo që ndodhi me 27 qershor 1944 në qarkun e Paramithisë, kur forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke(EDES) të gjeneral Zervës hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë çamë, burra gra dhe fëmijë. Të nesërmen një tjetër batalion i forcave zerviste u sul në Pargë dhe vrau 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944, një tjetër masakër u bë në Spatar, ku përveç reprezaljeve, grabitjeve e shkatërrimeve, u vranë 157 vetë, gratë e reja dhe vajzat u përdhunuan, bashkë me burrat që ishin gjallë, u syrgjynosën në brigjet e Egjeut. Sipas statistikave, gjatë sulmeve mbi qytete e fshatra në vitet 1944-45, u vranë 2771 shqiptarë çamë dhe u përzunë dhunshëm 28 mijë çamë, që u vendosën në Vlorë, Durrës, Tiranë, Lushnjë etj.


Masakra është e njohur edhe nga amerikanët: Sipas kreut të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Jozef Xhejkobs(Joseph Jacobs) :” në Vjeshtën e vitit 1944 dhe në muajët e parë të vitit 1945, autoritet në Greqinë veriperëndimore, kryen me egërsi dhe brutalitet dëbimin e rreth 25 mijë çamëve nga shtëpitë e tyre.Ata u përzunë matanë kufirit pasi u ishin grabitur tokat dhe pronat e tyre.Qindra meshkuj çamë të moshës 15 deri në 70 vjeç, u internuan në ishujt e detit Egje.102 xhami u dogjën.( M.V. F 13).
Me 17 Tetor 1945, komuniteti çam i përzënë barbarisht nga trojet e shtëpitë e veta, kërkonte ndihmën e Shqiptarëve të Amerikës.
Në një letër drejtuar shqiptarëve të Amerikës, firmosur nga Këshilli Antifashist Çam, kryetar Vehip Demi dhe sekretar Dervish Dojaka, pasi denoconin masakrat greke, pasi përshkruanin Shën Bartolomeun e masakrimeve greke për më shumë se 22 mijë shqiptarë, kërkonin: Në emër të foshnjëve të mjeruara, në emër të grave të lebetitura nga tmerri dhe të mbetura pa burra, në emër të një popullate të martirizuar prej shovenëve katilë grekë, ne emër të Zotit, dëgjojeni zërin tonë për një ndihmë të menjëhershme dhe të shpejtë prej jush, vëllezër shqiptarë të Amerikës(Dielli tetor 1945). Me 12 Dhjetor 1945, Dielli botonte në Faqe të parë shkrimin”Çamët masakrohen nga monarko-fashistët grekë. Çamët kërkojën mbrojtje ndërkombëtare.
Bashkëpunëtori i Dielli dhe një nga miqtë e Vatrës, Dervish Duma, raportonte nga Londra se gazeta Daily Mail botonte një shkrim special nga Tirana prej korrespondentit të saj special Alexander Clifford, që shkruante “25 mijë çamë, muhaxhirët europianë në gjendje më mizerabël, kërkojnë përsëri të kthehen në shtëpitë e tyre në Çamëri, në Veri-Perëndim të Greqisë.Ata thonë se nuk guxojnë të kthehen pa mbrojtje ndërkombëtare.Të gjithë këta muhaxhirë janë muhamendanë nga feja, shqiptarë nga gjuha, subjekte (shtetsi) greke.
Korrespondenti shkruante:Në qershorin e vitit të kaluar u sulmuan prej ushtrisë greke monarko-fashiste të Gjeneralit Zerva, një shumicë e madhe u masakruan. Të tmerruar i tërë grupi kapërceu kufirin e Shqipërisë. Disa prej tyre u kthyen në Greqi vjet në Mars, por përsëri u goditën prej grekëve. Shumica e refugjatëve janë gra, fëmijë të vegjël e pleq.Gjendja e tyre këtë Dimër do të jetë shumë e tmerrshme.
***
Shoqëria Çamëria në SHBA, me 26 Shtator 1945, mbajti një mbledhje të posaçme, ku një komision u ngarkua me detyrën që të shkonte në Boston dhe të takonte Imzot Nolin dhe t’i propozonte atij që të përfaqësonte Çamërinë pranë Konferencës së Londrës për t’i kërkuar bashkimin e Çamërisë me shtetin shqiptar.
Me 10 tetor 1945 Komisioni urdhëroi të mbahej një mbledhje tjetër, nën kryesimin e Hysni R.Sejko dhe reporter të takimit R. I. Didani. Kjo mbledhje pati dy qëllime 1- Kryetari z. Hajredin Çeço të jepte hollsitë për udhëtimin e tij dhe të sekretarit pranë Imzot Nolit dhe 2-Zgjidhjen e një komisioni të posaçëm për organizimin e një fushate që synonte të ndihmonte financiarisht refugjatët çamë. Mbledhja vendosi: nëse Imzot Noli për shkak të ngarkesës nuk do ta pranonte Misionin, ishte i lutur që të ngarkonte një person të aftë që mund ta kryente misionin. Dhe kështu ndodhi; Noli propozoi patriotin Dervish Duma që ishte në Londër për të ndërmjetësuar për kërkesën e shoqërisë Çamëria.
Siç i shkruante gazetës Dielli të 19 dhjetorit 1945, z. Dervish Duma, deputeti i Parlamentit anglez z. Hutchinson, kishte denoncuar masakrat greke në Çamëri. Deputeti laburist kishte shkuar edhe në Shqipëri,ku ishte takuar me popullsinë çame të shpërngulur.
Gazeta londineze News Chronicle botoi deklaratën e deputetit me 11 dhjetor 1945 nën titullin” Grekët vranë 2500 shqiptarë dhe shpërngulën me maskra 25 mijë”. Deputeti anglez nga zona Rusholm të Machesterit kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte i revoltuar nga barbarizmat greke ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Ai paralajmëronte se në sesionin e Parlamentit do të kërkonte me forcë e zë të lartë ngritjen e një Komisioni Ndërkombëtar për përkujdesjen dhe mbrojtjen e refugjatëve shqiptarë, të cilët u zbuan forcërisht prej vatrave të tyre.
Përse i sollëm këto kronika? Thjesht për të treguar se çështja çame egziston, askush s’mund ta mohojë.

*Dielli-arkiv


Filed Under: Ekonomi Tagged With: 27 Qershori, dalip greca, Maskrat ndaj Camerise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT