• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

KUJTESA- Si u realizua kthimi i Familjes Mbretërore shqiptare në Atdhe

June 27, 2020 by dgreca

-me rastin e 18 vjetorit – 28 qershor 2002-/

*Nga Ekrem Spahiu/

Megjithëse diktatura komuniste ra si regjim në pranverë tëvitit 1991 dhe në Shqipërinisi të ngrihej një sistem demokratik, Familja Mbretërore shqiptare ende nuk lejohej të kthehej nëatdhe nga pushtetarët e kohës. Asokohe politika gjente justifikim në absurditetin e mbajtjes në fuqi të vendimit të udhëheqjes komuniste në Kongresin e Përmetit, të 24 majit 1944, ku i “… ndalohej Mbretit Zog dhe Familjes Mbretërore kthimi në Shqipëri”. Por arsyeja e vërtetë dihej se cila ishte… Familja Mbretërore, personaliteti i Mbretit Leka, mund të ndryshonte shumë gjëra në skenën politike, madje mund ta përmbyste statusquo-në e dakordësuar. Droja ndaj këtij faktori madhor politik ishte e prekshme,qoftë në artikulimet publike të politikës së kohës, qoftë në frymën e përgjithshme që sundonte e kontrollonte median. Në fillimvitet ’90-tënuk u lejua madje as veprimtaria politike e Partisë sëLegalitetit në atdhe. Aprovimii PLL-së u bë rreth 15 muaj mbas lejimit të partive politike në vend.

Sot, në distancën e kaq shumë viteve, kthimi i Familjes Mbretërore shqiptare, mund të duket si njëproces i natyrshëm, e pa ndonjë ngarkesë të posaçme, por siç do ta shtjellojmë më poshtë, nuk ka qenë aspak e lehtë. Ky kthim u bë i mundur si rezultat i kombinimit tënjë përpjekjeje madhore të faktorit mbretëror/legalist në Shqipëri, ndërhyrjes së miqve ndërkombëtarë të Mbretit Leka e gjithashtu edhe rrethanave të brendshme, që luajtën një rol gati vendimtar në një pikë të caktuar.

***

Mbreti Leka, – qëishte larguar foshnje dy ditësh nga Shqipëria, më 7 prill 1939 nga pushtimi fashist dhe qëgjithë jetën e tij ia kishte kushtuar atdheut e kombit, -me rënien e diktaturës,donte sa më parë të kthehej në Shqipëri, pore kishte të pamundur për shkak të koniukturave të kohës. Por Ai nuk mund të rrinte duarkryq e tëpristepërshumë vite.Nëkoordinimdhe me mbështetjenga faktorëtë rëndësishëm ndërkombëtarë, të interesuar edhe për të testuar demokracinë në Shqipëri,Mbreti Leka vendos qënë momentin mëtë përshtatshëm thjesht të vijëdhevizitojë Shqipërinë.

Rast i volitshëm u konsiderua 50-vjetori jubilar i krijimit të O.K.L.L, (Organizata Kombëtare e Lëvizjes së Legalitetit) në kongresin e Zall-Herrit. Më 21 nëntor 1993 bëheshin 50 vjet nga kjo ngjarje e rëndësishme për lëvizjen mbretërore në Shqipëri.Kjodatë ukonsiderua si oportune qëMbreti Leka të kthehejnë atdhe për herë të parë që prej largimit në 7 prill 1939.

Kështu, më 19 nëntor 1993, rreth orës 16:00, menjë avion të posaçëm, mbërrin në Rinas Mbreti Leka, i shoqëruar nga stafi ivet, shqiptarë dhe të huaj.Pas kryerjes sëprocedurave të hyrjes në aeroport, niset drejt Tiranës dhe akomodohet në suitën 214 të Hotel “Dajti”.

Lajmi i mbërritjes së Mbretit në Tiranë u përhap si rrufe në gjithë vendin.Mijërambretërorë, nga të katër anët, udhëtojnë për gjithë natën dhe, në orët e para të mëngjesit, ishin para Hotel “Dajti”, përgjatë bulevardit e deri te Pallati i Kongreseve. Këtu, në sallën e madhe të kësaj ndërtese, në ora 10:00, do të kremtohej 50 vjetori i O.K.L.L. por në thelb do të realizohej takimi i ëndërruar me Mbretin Leka.

Të alarmuar nga interesimi i jashtëzakonshëm i mbretërorëve për t’u takuar me Mbretin,pas mesnate, rreth orës 03:00, funksionarë të lartë të SHIK-ut dhe Policisë së Shtetit, shkojnë në Hotel “Dajti” dhe kërkojnë kthiminnë Rinas dhe largimin e Mbretitnga Shqipëria, për shkak të “problemeve” me “dokumentete udhëtimit dhe armatimeve personale”.

Për të evituar ndonjë përplasje të mundshme mes mbretërorëve dhe policisë, Mbreti Leka respekton “kërkesën” e zyrtarëve të shtetit dhe,në ora 08.30, del nga hoteli, niset për në Rinas dhe largohet nga atdheu, pa mbushur 18 orë.Ky ishte largimi i dytë traumatik pas atij të7 prillit 1939.

***

Vjen viti 1997. Në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, partitë politike, në marrëveshjen e 9 marsit 1997,për të përfituar nga kredibiliteti që kishte Mbreti nga jugu në veri të vendit (socialistët nuk mund të shkonin në veri, ndërsa demokratët nuk mund të shkonin në jug),lejuan “kthimin e Mbretit Leka I në atdhe”, madje edhe “zhvillimin e referendumit për formën e regjimit”.Mbreti mbërriti në  Shqipëri për herë të dytë më 12 prill 1997, duke përdorur po ato dokumente udhëtimi si në 1993.

Referendumi do të zhvillohej më 29 qershor 1997,në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare. Mbreti zhvilloi një fushatë shumë dinjitoze në mbarë vendin dhe fitoi referendumin me votën e shqiptarëve.  Politika e kohës, e befasuar nga rezultati surprizë, urdhëronte KQZ-në, të mos shpallte fitoren e Monarkisë dhe tëzgjaste procesin e numërimit, deri sa të manipulonte votat pro Republikës. Përballë këtij manipulimi të hapur, mbështetësit e Mbretit që votuan pro Monarkisë, vërshuan në një tubim-protestenë sheshin “Skënderbej” dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar shpalljen e rezultatit. Policia ndërhyri me armë për të shpërndarë protestuesit, duke vrarë njërin prej tyre dhe plagosur shumë të tjerë. Prokuroriaurdhërohettë nisë hetimet, duke e akuzuar Mbretin Leka “Për organizim e grumbullim të manifestimit të paligjshëm për rrëzimin e rendit kushtetues dhe armëmbajtje pa leje”.

Mbreti Leka, për të evituar konfliktet e provokacionet, fiks pas tre muajshdetyrohet të largohetpërsëri nga atdheu më 12 korrik 1997, me premtimin se ishte i gatshëm të kthehej në momentin që do ta kërkonte populli shqiptar.

***

Një nga prioritetet kryesore të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, ka qenëkthimi i Familjes Mbretërore në atdhe.Momentii parë, shumë i rëndësishëm, i këtij procesi, ishte hartimi dhe firmosja e njërezolutenë 04.06.1998 nga kryetarët e të gjitha partive (tëdjathta dhe qendrës së djathtë) opozitare parlamentare dhe joparlamentare, ku ndër të tjera kërkojnë: “…i bëjmë thirrje Mbretit Leka I për t’u kthyer në atdhe, pasi edhe procesi gjyqësor i  ngritur ndaj tij është një farsë politike e koalicionit të majtë”.

Ndërkohë vjen dhe momenti më i mirë për ta realizuar kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe. Në vitet 2001-2005, Partia “Lëvizja e Legalitetit” ishte në pikun e fuqisë së saj politike dhe me njëkredibilitet të madh në elektorat, jo thjeshtë seishte parti parlamentare, por edhe për shkak të qendrimeve të mbajtura dhe kompaktësisë sëgrupitparlamentar. Shkurt, PLL ishte faktor real në politikën shqiptare.

Me nismën e grupitparlamentartëPLL, në pranverën e vitit 2002, filloi përgatitja e infrastrukturës së duhur institucionale për kthimin e Familjes Mbretërore në atdhe. Pas një lobimi të fuqishëm me drejtuesit e partive parlamentare, u arrit një marrëveshje politike kukryetarët e 9 grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, më 17 qershor 2002, firmosën një dokument të përbashkët, kundër të tjera shkruhej: ”Duke respektuar Familjen Mbretërore Shqiptare, jemi të bindur se respektojmë themelimin e shtetit modern shqiptar nga Mbreti Zog I. Me kthimin e Familjes Mbretërore nëatdhe, merr fund një padrejtësi e shkaktuar nga pushtimi fashist dhe diktatura komuniste”.

Deklarata e grupeve parlamentare u shoqërua me kërkesën e 74 deputetëve firmëtarë (nga 140 që kishte Kuvendi), ku kërkohej: “Ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të mbështetur në vlerësimin që kemi për historinë e Shtetit Shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike, si dhe në zhvillimet e sotme demokratike, paraqesim kërkesën tonë që Nëna Mbretëreshë Geraldina dhe Familja Mbretërore Shqiptare të vijnë e të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri”.

Pse duhej firma e 74 deputetëve?

Partia Socialiste kishte mazhorancën dhe drejtonte Qeverinëdhe Kuvendin, ndërsa opozita kishte gjithsej 53 deputetë. Mbreti Leka vazhdonte tëishte nën akuzë për ngjarjen e 3 korrikut 1997 dhe vazhdonte procesi farsë i seancave gjyqësore. Në këto kushte pasigurie, për të shmangur votimin në Parlament ku mund të kishte rrjedhje votash, me shumë negocime u arrit të merren 74 firma = 52.9% të numrit të deputetëve të Kuvendit, duke e bërë të panevojshëm një votim formal.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, në cilësinë time si ish-deputet e kryetar grupi, por edhe si ish-kryetar i PLL, gjej rastin të rifalenderoj të gjithë deputetët firmëtarë për atë akt politik e patriotik, poredhe njerëzor njëherësh.

Pas kësaj arritjeje të madhe politike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” me gjithë strukturat e saj, filloi organizimin dhe përgatitjet për një pritje dinjitoze të Familjes Mbretërore. Më 28 qershor 2002, ditë e premte, që në orët e para të mëngjesit kishin ardhur në Tiranë me mijëra legalistë dhe qytetarë të ndryshëm nga të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe trevat shqitare. Nisja e organizuar për në Rinas u bë nga sheshi “Nënë Tereza”. Në aeroportin“Nënë Tereza”, atmosfera ishte e jashtëzakonshme – festë kombëtare.  Me flamuj kombëtarë dhe të Legalitetit, me pankarta në duar, me kostume të larmishme kombëtare, nën muzikën e orkestrës frymore dhe asaj popullore,me këngë e valle, të pranishmit festonin dhe i uronin mirëseardhjen Familjes Mbretërore në atdhe.

Në ora 11.15, ulet në Rinas avioni “Boeing727” i kompanisë “Million Air”, qëtransportoi nga aeroporti “Lanceria” i Johanesburgut, Familjen MbretëroreShqiptare të përbërë nga: Nëna Mbretëreshë Geraldinë, Mbreti Leka I, Mbretëresha Suzan, Princi trashëgimtar i kurorës Leka II dhe Kontesha Virxhinia (motra e Nënës Mbretëreshë Geraldinë).

Mbreti Leka, sapo zbriti në Rinas u shpreh për mediat e shumta: “Dua të falënderoj popullin shqiptar, shtetin shqiptar që na dha këtë rast me u kthye në atdheun tonë”.

Karvani i gjatë i makinave të simpatizantëve të mbretërisë shoqëroinga aeroporti “Nënë Tereza” e deri në Tiranë,pjesëtarët e Familjes Mbretërore, që përshëndeteshinnga qytetarët e shumtë të vendosur përgjatëgjithërrugës. Ekzaltimi arriti kulmin kur Familja Mbretërore mbërriti në Vilën Nr. 4dhe pjesëtarët e familjes zbritën nga makinat për t’u akomoduar në këtë rezidencë, që ishte fill pas Hotel “Rogner”, 100 metra larg selisë së qeverisë shqiptare dhe njëndër më modernet ndërtesa në kryeqytet.

Kështu, pas 63 vitesh mërgimi të detyruar nëpër vende të ndryshme të botës, Familja Mbretërore shqiptare u kthye përfundimisht në atdhe me të gjitha nderimet e duhura, ashtu sikurse e meritonte, jo thjeshtë për kontributet e jashtëzakonshe që kishte dhënë për shtetin dhe kombin shqiptar,por edhe për të ardhmen e shqiptarëve.

* ish deputet & ish kryetar i PLL-së

Filed Under: Politike Tagged With: 18 vjet, Ekrem Spahiu, Kthimi i Familjes Mbreterore, shqiperi

Amerika, dritë udhëheqëse e Kosovës drejt NATO-s

June 27, 2020 by dgreca

-Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla: Përkrahja Amerikane për avancimin e integrimit të Kosovës në NATO është thelbësore. Takim me Përfaqësuesen e Përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO,  Kay Bailey Hutchinson/

BRUKSEL, 27 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dritë udhëheqëse e Kosovës drejt integrimit në NATO, tha Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, në takimin me Përfaqësuesen e Përhershme të ShBA-ve në NATO, znj.Kay Bailey Hutchinson.
“Ishte nder i veçantë për mua të takoj Ambasadoren Hutchinson. Shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në të gjitha proceset për Kosovën si dhe përkrahjen e vazhdueshme për avancimin dhe modernizimin e Ushtrisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s”, tha Kryediplomatja e Kosovës.
Në këtë takim shumë të përzemërt, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se Kosova është e gatshme për të ecur përpara drejt integrimit të plotë në NATO, dhe se ky rrugëtim do ta bëhet me punë, angazhim e koordinim të plotë me aleatin e saj të përhershëm – ShBA-të.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sipas Ministres Haradinaj-Stublla, do të thotë më shumë paqe, siguri dhe mbrojtje kolektive për të gjithë familjen e madhe euro-atlantike, thekson njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dërguar sot Gazetës DIELLI – korrespondentit në Kosovë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bruksel, Kosova-Amerika, Meliza Haradinaj-Stublla

Rifillon telenovela”Elseid”

June 27, 2020 by dgreca

Dielli-Sport-

Nga Albano Kolonjari- Seria A.Merkato. Rifillon telenovela “Elseid”-Shalke 04 dhe Roma “SMS” Hysajt. Perfaqesusesi ligjor i mbrojtesit te Kombetares Shqiptare Elseid Hysaj,  Mario Giuffredi, thote se:”Pronari i Napolit Aurelio De Laurentis dhe tekniku Gennaro Gattuso kane ne plan te mbajne Hysaj tek Napoli”.Por pavaresisht nga kjo mesohet se ekipi gjerman i Shalke 04 i eshte rikthyer planit per te bere per vete mbrojtesin shqiptar. Gjermanet nuk kane bere nje sezon te mire kete vit, por kane ne plan qe sezonin e ardhshem te pretendojne per te luajtur ne Kupat e Europes. Sipas ghanasoccernet.com, kontrata e Hysajt me Napolin perfundon ne vitin 2021 dhe Shalke 04 eshte vene ne “ndjekje” te mbrojtesit te majte napolitan. Pavarisht paraqitjes me luhatje ne sezonin 2019-2020, Elseid Hysaj, ka qene deshire e disa klubeve si Roma, Atletiko e Madritit etj, por napolitanet nuk jane nxituar. Nga njera ane ata ende nuk kane rinovuar me mbrojtesin e Kombetares Shqiptare dhe nga ana tjeter nuk e kane nxjerre ate ne shitje. Hysaj fitoi pak dite me pare Kupen e Italise me Napolin duke qene ne fushen e lojes. Sipas agjentit te lojtarit Giffredi situata e Hysaj tek Napoli ka ndryshuar pas fitimit te Kupes se Italise. “Kemi nje grup fantastik dhe nuk kemi pse te nxitohemi”, mesohet te kete thene tekniku Gattuso, i cili  i ka dhene Hysajt me shume hapsire dhe besim. Nga ana tjeter Roma eshte duke vezhguar nga afer portierin kolumbian  David Ospina dhe  mbrojtesin shqiptar Elseid Hysaj qe sipas Calciomercato.com pritet te lene Napolin kete vere. “Romanet” duan te perfitojne nga fakti qe te dy lojtaret kane deshire te vazhdojne te luajne ne Seria A. Persa i perket Hysajt, verdhekuqte duan te prefitojne nga “krisja” qe Hysaj ka patur me napolitanet dhe ta sjellin 26 vjecarin ne Kryeqytetin Italian Rome. 

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Elseid Hysaj, rifillon telenovela

PDK: KOSOVA LUFTOI PER LIRI, SERBIA ISHTE AGRESORI

June 27, 2020 by dgreca

-PDK mobilizon strukturat e veta në mbështetje të pastërtisë së luftës çlirimtare, Kosova do të dalë edhe më e fortë-

-Kjo sfidë nuk do të lejohet as ta ndalë, as ta ndajë, as ta dobësojë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Orientimi euroatlantik i Kosovës dhe miqësia e përhershme me SHBA-në, do të mbesin prioritetet e përhershme të shtetit tonë dhe angazhimi i përditshëm i PDK-së-

Prishtinë, 27 qershor 2020 – Partia Demokratike e Kosovës, sot, ka mbajtur takimet me Kryesinë, Grupin e saj Parlamentar dhe kryetarët e degëve.  Publikimi i paprecedent i pretendimeve për aktakuzë për dy nga themeluesit e UÇK-së, dy personalitetet kryesore të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kryetarit të partisë, Kadri Veseli dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi, është veprim kundërthënës. 

Veprimi i tillë është shumë negativ dhe shqetësues për mungesën e paanësisë së domosdoshme dhe abuzim i pushtetit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon. 

PDK është e bindur se populli shqiptar ka qenë në anën e duhur të historisë, se lufta e popullit tonë e udhëhequr nga UÇK-ja ka qenë e drejtë, e pastër dhe një luftë mbrojtëse çlirimtare, prandaj edhe fitoi zemrat e gjithë botës perëndimore që u bashkuan në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi. 

Nuk mund dhe nuk do të lejohet të ndryshohet historia. Serbia ka qenë agresore dhe kryese e krimeve makabre dhe gjenocidit në Kosovë. 

Ky është një moment vendimtar për të siguruar një mbështetje gjithëpërfshirëse në realizim të nismës së Kryetarit Veseli për riaktivizimin dhe intensifikimin e përpjekjeve të Kosovës për drejtësinë tranzicionale, forcimin e memories kolektive dhe gjetjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të kriminelëve që kanë masakruar civilët shqiptarë.  

Kjo sfidë nuk do të lejohet as ta ndalë, as ta ndajë, as ta dobësojë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Orientimi euroatlantik i Kosovës dhe miqësia e përhershme me SHBA-në, do të mbesin prioritetet e përhershme të shtetit tonë dhe angazhimi i përditshëm i PDK-së. 

Ne ju bëjmë thirrje strukturave drejtuese të partisë, anëtarësisë, qytetarëve dhe të gjitha partive politike që të shfaqin maturi dhe solidaritet, në mënyrë që së bashku ta mbrojmë luftën tonë të drejtë dhe interesin e shtetit tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, liria, PDK

“Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë”…

June 27, 2020 by dgreca

– Imzot Vinçenc Prennushi (1885-1949)-

Nga Don Pal Tunaj*/

“Brenda njeriut të dritës/

ka aq shumë dritë,/

sa më e shndrit edhe botën mbarë.”/

(Shën Simoni, Teologu i Ri)/

Madhështia dhe dinjiteti i një bariu të Kishës, hetohet më së thelli përmes kurorëzimit të dëshmisë së jetës së tij. Martirizimi është kurora e dëshmisë. Besnikëria e pranimit të dhuratës së jetës, shkëlqen dhe shfaqët në plotësinë e dritës së saj në mbarim. Dhurata e jetës përsoset duke e ruajtur me besnikëri deri në fund dhe duke e dorëzuar të pa cenuar në vdekje. Martirizimi shfaqë dritën e dhuratës gjatë aktit të dhurimit. “Nuk është e mundur të jesh bari i mirë, nëse nuk je një gjë e vetme me Krishtin dhe gjymtyrë e tij nëpërmjet dashurisë. Dashuria është detyra e parë e bariut të mirë, prandaj thotë: “Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele” (Gjn 10,11). Në fakt ka ndryshim ndërmjet bariut të mirë dhe të keqit: bariu i mirë ka si qëllim të mirën e grigjës, ndërsa i keqi të mirën e vet. Nga rojet e deleve nuk kërkohet që, për t’u gjykuar si të mirë, të vënë në rrezik jetën e vet për të shpëtuar grigjën. Por, meqë shpëtimi i grigjës shpirtërore ka më shumë peshë se jeta trupore e bariut, kur kërcënon rreziku i grigjës, çdo bari shpirtëror duhet të përballojë flinë e jetës trupore”[1].

Dëshmia dhe martirizimi i Imzot Vinçenc Prennushit, është kurora e lavdishme në Kishën tonë.

Vinçenc Prennushi, lindi në Shkodër, më 4 shtator të vitit 1885, dhe vdiq në Durrës i persekutuar nga regjimi i kohës, më 19 mars të vitit 1949. Dashuria e tij për Jezu Krishtin, filloi që në vatrën e familjes, e cila shquhej për përkushtimin ndaj besimit. Jeta e tij do të përsoset në shërbim të dashurisë, sidomos duke ndjekur mësimet e virtyteve të Serafikut nga Asizi. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit, ku iu kushtua urdhrit françeskan. Studimet për teologji e filozofi i kreu në Tirol të Austrisë. Më 25 mars 1908, u shugurua meshtar i Urdhrit Françeskan, duke marrë emrin Át Vinçenc. Në vitin 1936 zgjidhet Ipeshkëv i Sapës, dhe në vitin 1940 u emërua Ipeshkëv i dioqezës së Durrësit, deri në vdekje të vitit 1949.

Imzot Vinçenc Prennushi, përpos misionit nën zhgunin e fratit e pastaj të ipeshkvit, njihet edhe si poet, përkthyes dhe folklorist. Bashkë me shumë sivëllezërit e tij të tjerë të vrarë nga regjimi komunist, do të shpallet i lumë, më 5 nëntor 2016.

Kur flasim për Imzot Vinçencin, mendja menjëherë shkon tek njeriu që kishte një erudicion të gjerë, dhe krijimtaria e tij e shumanshëm. Ishte i pajisur me dije e kulturë të madhe dhe mbi të gjitha, shquhej për zellin dhe misionin që kishte për Ungjillin e Jezu Krishtit.

Në gjysmën e dytë e shek. XX, në Shqipëri filloi një periudhë e salvimeve. Korifeu i kësaj periudhe gjatë salvimeve, ishte edhe prelati i kishës katolike në Shqipëri, Imzot Vinçenc Prennushi. Martirizimi i tij do bëhet jehonë, jo vetëm për Kishën, por edhe për gjithë botën, siç u shpreh edhe Papa Gjoni Palli II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! I dimë të gjithë ngjarjet e trishtueshme që të është dashur të përballosh, veçanërisht në 25 vjetët e fundit. Vite të një mundimi të vërtetë, pasojat e secilit, koha me vështirësi do të arrijë t’i fshijë dhe që Evropa dhe gjithë bota nuk duhet t’i harrojnë”[2].

Nga koha kur pushteti komunist, filloi salvimet ndaj Klerit dhe Kishës, në rrugë dhe sheshe, dëgjoheshin rënkimet. Burgimet, vrasjet, torturat dhe zëri i vajtimeve, solli një atmosferë trishtimi. Gjithandej murmurisje. Tragjedia e masakrave filloi. Arrestimet ndaj meshtarëve, vrasjet pa gjyqe dhe frika e nënshtroi mbarë Shqipërinë. Në këtë periudhë, shfaqet figura e prelatit të madh, martiri i cili do të vulosë historinë e Kishës sonë me gjak.

“Do të vdesësh martir i fesë”

Nëse duam të përmbledhim jetën e imzot Vinçenc Prennushit, do të mjaftonte të kujtojmë takimin e tij me mistiken Teresa Neumann, në vitin 1928. Ajo ia zbulon ardhmërinë e jetës dhe apostullatit të tij. Gjatë takimit iu drejtua më këto fjalë V. Prennushit: “Do të jesh ipeshkëv dhe, sapo të mbushësh trembëdhjetë vjet të episkopatit tënd, do të vdesësh martir i fesë”[3].

Nga ky takim, fillon një jetë e re për Imzot Vinçencin. Rreth misionit që e priste, thoshte: “Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë, por nuk arrij ta mendoj se në çfarë situatash”[4]. Shërbimin meshtarak dhe ipeshkëvor i tij ishte i drejtuar kah martirizimi: “Në vendin ku u hodh Adami mëkatar, atje do t’i sjellim trofetë tanë të fitores, pasi ta kemi hedhur për tokë atë që më parë na pati gënjyer. Do t’i dhurojmë Zotit, si dhuratë të madhe, fenë tonë të panjollosur, virtytin e mendjes se pacenuar dhe lavdinë e shkëlqyeshme të devotshmërisë sonë. (…) Do të ulemi pranë tij, ku ai të ulet për të gjykuar. Do të bëhemi bashkë-trashëgimtarë të Krishtit dhe do të jemi të ngjashëm me engjëj. Do ta kemi gëzimin të kemi në pronë mbretërinë qiellore bashkë me patriarkët me apostujt dhe me profetët. (…) Le të bjerë sa të dojë mbi të krishterët stuhia e përndjekjes. Ata nuk frikësohen, sepse e shohin mbi vete qiellin e hapur. Le t’i kërcënojë sa të dojë antikrishti, por Krishti vetë i mbron ata. Sa lumturi, sa gëzim të dalësh nga kjo botë në ngazëllim, të dalësh lavdishëm nëpërmjet hidhërimeve dhe ngushtimeve, t’i mbyllësh sytë që më parë shikonin njerëzit dhe botën dhe t’i hapësh menjëherë për të parë Hyjin, për të parë Krishtin! Sa i shpejtë duket ky kalim në lumturi! Në një çast shkëputesh nga toka për t’u vendosur në mbretërinë e qiellit”[5].

Jeta e tij ishte e shënuar me shumë vuajtje, si ato personale, por edhe të besimtarëve, që Kisha ia kishte besuar t’i printe si Bariu i mirë. I rënduar nga persekutimet dhe pushkatimet e klerikëve dhe laikëve, sheh se si: “Kisha është porsi një anije e madhe që e çan detin e botës. Kur dallgët e vështirësive të ndryshme e përplasin, nuk duhet të braktiset por të udhëhiqet”[6].

Shkrimet të cilat mund t’i hasim rreth biografisë së tij, sikur ato të Imzot Nigrisit, i cili e përshkruan si frikacak, duke u strehuar si i pa zë në vilën e tij, e dëshmojnë të kundërtën. Kur pushteti komunist-ateist, filloi të shtrinte pushtetin e tij në Shqipëri, ai deklaron me shpirtin e trishtuar: “tani po kalojmë nga shiu në breshër”[7]. Zëri i tij si bari i Kishës, nuk ishte frika për vetveten, por për grigjën që i ishte besuar ta ruante, ta udhëhiqte e ta ushqente. “Nuk kemi qenë të pazë, nuk jemi spektatorë të pafjalë, nuk jemi rrogëtarë që ikin para ujkut, por barinj të zellshëm dhe të kujdesshëm për grigjën e Krishtit. Të mëdhenjve dhe të vegjëlve, të pasurve dhe të varfërve, ua shpallim planin e Hyjit. Ua shpallim të gjitha shtresave shoqërore dhe të gjitha moshave, derisa Zoti do të na japë forcë, në kohë të volitshme dhe të pavolitshme”[8].

Nga parashikimi mbi jetën dhe martirizimin e tij, Imzot V. Prennushi do të mundohet të njësohet më sakrificën e Jezu Krishtit, sa herë që kremtonte misterin e Eukaristisë: “Cili është ky kelk? Është kelku i mundimit të hidhët dhe shërues; kelk të cilin i sëmuri nuk do të guxonte as ta prekte me dorë; po të mos e kishte pirë vetë mjeku më parë. Ai vetë është ky kelk, e njohim këtë kelk në fjalët e Krishtit i cili thotë: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh” (Mt 26,39)”[9].

Pas vrasjes së patër Shtjefën Gjeçovit, si Ministër Provincial, tha: “Zoti, pas kësaj flije të re misionare, do ta drejtojë me dashamirësi vështrimin e vet nga kjo tokë, e vështirë për t’u punuar, por edhe premtuese. E pastaj, nëse Zoti do të dojë prej nesh fli të reja, do të përpiqemi, më ndihmën hyjnore, të mos kthehemi prapa, dhe besnik ndaj mandatit, do ta ruajmë edhe në të ardhmen, qoftë edhe çmimin e gjakut e të jetës, traditën e çmueshme dhe të dashur të Fesë së Krishtit”[10]. Pas katër vjetësh, përsëri sa i përket martirizimit, do të shkruante: “Nëse Zoti kërkon fli të reja në këtë Fushën tonë misionare, do të themi gjithmonë: u bëftë Vullnesa e Zotit”[11].

Kjo dëshmi feje shfaqet në aradhen e martirëve e bashkëvëllezërve të tij, që i paraprinë në amshim, sikur patër Luigj Pali, i vrarë në vitin 1913, patër Shtjefën Gjeçovi, më 1929. Pra “martirët e shenjtë e kanë ndjekur atë deri në derdhjen e gjakut, derisa i kanë përngjarë në mundimin e tij. E kanë ndjekur martirët, por jo vetëm ata. Dhe vërtetë, pasi ata kaluan, nuk u ndërpre ura; as nuk u tha burimi, pasi ata pinë. Kopshti i bukur i Zotit, o vëllezër, ka jo vetëm trëndafila martirësh, por edhe zambakë virgjërash, dredhëza të atyre që jetojnë në martesë, lule vjollca të të vejave. Asnjë kategori personash nuk duhet të dyshojë në thirrjen e vet: Krishti ka vuajtur për të gjithë”[12].

“Me të bâ dritë syt mbi dhé”

Kalvari i mundimeve që karakterizon martirizimin e tij është i madh. Ishte i sëmurë dhe pos punëve të renda fizike, rendonin mbi të edhe poshtërimet, peshat e trungjeve që i ngarkonin mbi supe, që i përngjanin Kryqit të Krishtit. Dëshmia e Arshi Pipës, që bashkë vuajti në burg me V. Prennushin, rrëfen mizorinë e tmerrshme të vuajtjeve në burgje.

Përshkrim vjen nga dora e atij që kujdesej dhe merrte pjesë në agoninë e kalimit të Imzot Prennushit në Amshim.“Nji ditë prunë ndër né për pak kohë don Jul Bonati, famullitarin e Vlonës. E bijshin nga Burgu i Vlonës për ta strehuen’azilin e të çmendunve të Durrësit. Don Jul Bonatin e kisha njoftë qysh kur kisha qenë student në Firence; ai përpiqej asokohe me shtypë përkthimin e vet italisht të “Lahutës së Malsís”. Nisëm kuvend. I kallzova se njeriu qi po gulshonte në shtrat ishte Imzot Prendushi. Atëherë Don Bonati, i cili memzi mbahej në kambë nga smundja dhe pleqnija e shtyme, u ngrejt dhe gaditue u zvarnisë ju qas Imzotit; bani me i puthë dorën por Imzoti, sado qin’ankthin e gulshimit, nuk e la dhe tërhoqi dorën. Atëherë Don Bonati i kërkoi bekimin, dhe Imzoti, me nji përpjekje të fundme, i vuni dorën mbi supe. Mandej u plandos mbi shtroje. Nuk vdiq atëherë, por disa ditë mâ vonë. Ndër ato ditë hoqi mâ shumë se kurr. Tmerri ishte nata. Der në mesnatë kishte dritë elektriku, der atëherë vuejtja ishte mâ e durueshme. Por t’u fikmen drita, n’errsinën qi mbytte dhomën, vuejtja e tij rritej, acarohej. Ishte a thue se mungesa e dritës i mungonte frymën. Gulshimi bâhej atëherë i mënershëm, si rënkimi i nji të plagosuni, i cili, në vend qi të shkonte tuerá, vinte tue u shtue, dern’ulurimë. I bâhej, si më rrëfente, a thue se çapoj të hekurt ja mbërthejshinkrahnorin, tue ja shtrydhë zemrën gjithnjimâ keq, tue ja shklye. N’ktë kohë njeriu nuk mund të flentemâ në dhomë. Ngriheshim me radhë dhe i fërkofshim kambët – kështu i dukej se diçka lehtësohej, mbajshim të pafikun zjarmin në votër: kandil nuk kishim dhe drita e flakes ndihmonte shumë me ja fashitë vuejtjen. Prandej qysh në mbramje kujdeseshim me grumbullue në votër mjaft drû. Ishte dimën, dhoma ngrohej me anë të votrës, prandej ishte parashikue nji sasi druni për zjarm. Por, kjo sasi nuk mjaftonte për me mbajtëzjarmin gjithë natën dhe na duhej, me mënyra të ndryshme, me bindë rojet qit’urdhënojshinshërbyest e spitalit për me na prû sa mâ shumë drû.Por ndodhte shpesh qi nuk mund të kishim drû sa duhej. Dhe kur fikeshin xhixhat e fundme dhe errësina peshonte në dhomë, ngriheshim prej shtratit, herë njeni herë tjetri, dhe i rrijshim të smundit te kryet, tue i folë (të folunit ja davaritte disi travajën), tue i dhanë zemër, tue e gënjye se do të bijshindrû të tjera ose se nata ishte në të sosun. Nji natë të tillë më tha copa copa: “Tash po kuptoj fjalët e Goethes: “Mehr Licht!”Ajo dritë, së cilës i kishte thirrë në pikë të mortjes Poeti nuk ishte sigurisht, drita qi shohin syt tanë shqisorë. Dhe ktê Imzoti e dinte mirë. Por, cili njeri nuk pau në dritën e ambël të qiellit symbolin e jetës? “Me të bâ dritë syt mbi dhé” – thotë populli ynë, me nji shprehje epërsisht poetike, për me cilësue jetën. (…) Imzot Prendushi u ndá kso jete nji natë të frorit 1948. Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ja mbylla syt, syt e lodhun, të shterrun, qi aq shumë kishin rektue për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrime, të paqueme mbas aq mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mue më bâjshin syt e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqrimta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti qi në grahmat e dhimbës fyzike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj, kur dhimba të prâjë, si ujt prej lymit qi e pat trazue. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksín e shpirtit. Por âsht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale”[13].

Martiri i qëndron besnik dashurisë së Hyjit përmes vuajtjes dhe vdekjes. “E pra, akuzuesit dhe të akuzuarit, a thua nuk jemi të gjithë nga e njëjta baltë dhe nga i njëjti brum? Athua nuk do të dalim të gjithë para gjyqit të Krishtit? E me çfarë ndërgjegjeje do të paraqitemi para tij? Ndoshta kanë enë frika dhe druajtja që i shtynë ata njerëz të linin pas dore urdhërimet e Hyjit. Por çfarë domethënie ka ajo druajtje? Shpirti i së keqes a thua shkaktari i së cilës së keqe nuk ishte? Dhe kështu më mbajtën si armik të tërë bashkësisë së Kishës dhe kundërshtar të tyre. Por “vullneti i Hyjit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetës” (1Tim 2,4). Atëherë, pra, nëpërmjet ndërmjetësisë së Shën Pjetrit le t’i forcojë zemrat në fenë e drejtë, le t’i bëjë të qëndrueshëm kundër çdo heretiku apo armiku të Kishës sonë. Le t’i japë fuqi së paku bariut i cili tani i qeverisë ata. Në mënyrë që pa lëshuar pe në asnjë pikë as edhe në më të voglën dhe pa u lakuar në asnjë pjesë, qoftë edhe ato dytësoret, ta ruajmë të plotë fenë e pohuar me shkrim para Hyjit dhe engjëjve të shenjtë, dhe që, për këtë arsye, Zotit dhe shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Vetë Zoti më siguri do të ketë kujdes për trupin tim të shkretë si t’i pëlqejë atij të sillet me të, ose duke më lënë mes vuajtjeve të vazhdueshme ose duke më dhuruar edhe ndonjë ngushëllim të vogël”.[14]

E gjithë kjo histori feje e Imzot Vinçencit, mbështetet në fjalët e Shën Çiprianit ipeshkëv dhe martir, i cili rreth martirëve, tha: “Ngjeshini ijët me të vërtetën dhe vishni drejtësinë në vend të pancirës, mbathni këmbët me zellin e kumtimit të Ungjillit të paqes! në çdo gjë mbani në dorë shqytin e fesë: me zellin e kumtimit të Ungjillit të fesë: me të do të mund t’i fikni shigjetat e zjarrta të të Keqit! Merrni përkrenaren e shëlbimit dhe shpatën e Shpirtit Shenjt, domethënë Fjalën e Hyjit” (Ef 6,14-17). T’i marrim këto armë, të pajisemi me këto mburoja shpirtërore dhe qiellore që t’mund t’i bëjmë ballë dhe t’i largojmë sulmet e djallit në ditën e së keqes. Të rivishemi me mburojën e drejtësisë, në mënyrë që gjoksi ynë të jetë i mbrojtur kundër goditjeve të armikut. Këmbët tona le të mbathen dhe le të pajisemi me mësimin ungjillor. Duke filluar kështu të shkelim dhe të shtypim gjarprin, nuk do të kafshohemi dhe nuk do të mposhtemi nga ai. Ta mbajmë me vendosmëri mburojën e fesë, në mënyrë që kundër saj të shuhet çdo rrufe e zjarrtë që armiku e përplas kundër nesh. Le ta marrim si mburojë të kokës edhe helmetën shpirtërore, që t’i ruajmë veshët tanë nga dëgjimi i fjalëve vdekjeprurëse, sytë tanë nga figurat e urryeshme. Le të jetë i mbrojtur balli ynë që të ruajmë shenjën e Hyjit, goja jonë për të dëshmuar në mënyrë të virtytshme Zotin tonë Jezu Krishtin”[15].

Në shpirtin e vet intononte Himnin e Kryqit, të atij Kryqi që e mbante me aq dinjitet në parzmën e trupit të tij, si bari i Kishës e që përshkon mbarë gjithësinë:

“O Kryq, ti pajtimi i kozmosit

Ti kufiri i largësive të botës,

Ti lartësia e Qiellit

Dhe thellësia e tokës.

Ti vargoi lidhës i krijimit,

Ti largësia e krejt së dukshmës

Dhe gjërsia e ekumenës.”[16]

“Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi”

Nuk ishte vetëm puna fizike ajo që e rëndonte në ditët e burgimit, më të tmerrshme ishin dhimbjet që i sprovonte sidomos gjatë natës.

Në librin e parë të Shkrimit të Shenjtë, lexojmë: “Terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujërat. Hyji tha: le të bëhet drita, dhe drita u bë. Hyji pa se drita ishte gjë e mirë dhe e ndau dritën prej territ” (Zan 1,2-4). Imzot Vinçenci e kërkonte Dritën për të zotëruar zemrën e njeriut, dritën në të cilën e drejtoi popullin e Zotit më predikimet dhe mësimet e tij, sepse “kush i sundon njerëzit me drejtësi, kush sundon më frikën e Hyjit, është si drita e agimit” (2 Sam 23,3-4). Në netët plot dhimbje me siguri i shqiptonte edhe fjalët e psalmistit “le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrë sate” (Ps 4,7), dhe “dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: ato le të më prijnë, le të më përcjellin në malin tënd të shenjtë, në Tënden tënde” (Ps 43,3). Kërkonte dritën që është Jezu Krishti. Fjala e tij është “drita për të drejtin” (Ps 97,11). Dëshironte të jetë i përshkuar më Dritën që është vet Hyji, Drita e cila është jetë, sepse “Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi” (Gjn 1, 4-5).

Imzot Vinçenci kërkonte dritën. Dritën që shndriti njerëzimin si lajmi i gëzueshëm i lindjes së Jezu Krishtit i para lajmëruar nga Isaia profet: “populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita” (Is 9,1). Më dritën e fesë dëshironte të shndrit edhe vetë persekutorët. Dritën të cilën ai e ka pranuar si dhuratë të fesë dëshiron po më atë dritë ti shndritë errësirat e të keqes. Dritën depërtuese: “Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell” (Mt 5, 14-16).

I sëmur, i molisur nga punët e rënda, i torturuar, nuk e kishin lodhur aq, sa e mundonte mungesa të jetë mes popullit të vet. Tani, populli dhe Kisha e tij kufizohet në një dhomë prej tridhjetë metra katrorë, përplot më besimtare të rinj që Zoti ia ka dorëzuar dhe në skutat e burgut: “prej errësirës le të shndrisë drita!”(2 Kor 4,6). Duke kërkuar Dritën, të cilën errësira nuk e pushtoj, i mbajtur në tortura si Jezusi të cilit ia flijoi jetën, ai nuk e sheh këtë vend si izolim, por si një mundësi dëshmie: “O burg i lumtur, i nderuar nga prania juaj! O burg i lumtur, që nis drejt qiellit njerëzit e Zotit! O errësira, më të shkëlqyera se dielli e më të shndritshme se drita e kësaj bote, ku tani janë ngritur tempujt e Hyjit dhe gjymtyrët tuaja janë shenjtëruar nga dëshmitë hyjnore”[17].

“Unë jam hardhia ju jeni shermendet”

Imzot Vinçenci ishte i thirrur të punonte në vreshtin e Zotit. Kisha është fryti edhe i hardhisë. Nga kokrra e rrushit nxirret vëra. Martirizimi është “shtrydhësi” prej nga Kisha nxjerr verën e shenjtërisë. Shën Augustini duke kundruar misterin e Kishës, ofron një thellësi teologjike të rrallë të simbolit të verës dhe shtrydhësit. Rreth saj thoshte: “Vila e parë e rrushit e shtrydhur në presë është Krishti. Kur vila shtrydhet rrjedhë vera. Nëse nuk pëson këtë ‘shtrydhje,’ajo qëndron si e shterpë, nuk nxjerr asgjë nga vetvetja. Nëse mendon të mos vuash nga kurrfarë persekutimi, nuk ke filluar ende të jesh i krishterë. E ku qëndron atëherë fjala e apostullit: “Të gjithë ata që duan të jetojnë plotësinë në Jezu Krishtin, do të vuajnë persekutime? Kur fillohet të jetosh në plotësinë e Krishtit, duhet të hysh në shtrydhës. Përgatitu për fermentim që mos të jesh i thatë dhe që nga fermentimi do mos rrjedh asgjë”[18].

Imazhi i vreshtit në traditën Biblike, paraqet jetën e popullit të Hyjit: “Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E thuri, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin” (Is 5, 1-2).

Jezusi dhuron një pamje edhe të thellë, kur thotë: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë fryt. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të jap fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen” (Gjn 15, 1-6).

Vjelja është e dhimbshme. Pa dhembjen e shtrydhjes dhe shkeljes, nuk jepet fryti për të cilin jemi mbjellur.

Imzot Vinçenci, si martir hyri në shtrydhës dhe u fermentua për Krishtin dhe Kishën e tij. Martirizimi është fryt i një procesi të fesë. Lind nga thirrja e Zotit. Martirizimi i Imzot Vinçencit është modeli i shenjtërisë, në shekullin më të errët në të cilin ka jetuar Kisha në Shqipëri dhe në mbarë botën. Figura e martire e Imzot Vinçenc Prennushit, kërkon nderimin dhe dashurinë: “populli i krishterë e kremton përkujtimin e martirëve me një kremtim të devotshëm, qoftë për t’u bashkuar me meritat e tyre dhe për të marrë ndihmë prej lutjeve të tyre. (…) Ne, pra, i nderojmë martirët me atë kult dashurie dhe bashkimi me të cilin edhe në këtë jetë i nderojmë njerëzit e shenjtë të Hyjit, zemra e të cilëve ne e ndiejmë se janë të gatshme për martirizim për shkak të së vërtetës së Ungjillit. Por, martirëve që janë fitimtarë në jetën e lumtur, pasi që i kanë kaluar të gjitha provat, ua ngrisim lavdinë tonë më të përshpirtshëm”[19].

Martirët janë shenjë e pranishmërisë së Hyjit në jetën tonë. Ata janë dëshmitarët më të përkryer të dashurisë së Hyjit dhe kurora e lumturive në botë. Nga gjaku i martirëve do të lulëzojë Kisha jonë: “Historia e Shqipërisë shkëlqen me emrat e martirëve që morën pjesë në një mënyrë të veçantë në kryqëzimin dhe ringjalljen e Krishtit. Është Krishti që ka vuajtur në Martirët e vet, në Ipeshkvijtë dhe në Meshtarët, në Rregulltarët dhe Rregulltarët e në personat e shuguruar, dhe në të gjithë ata që në tokën tuaj, kaluan një përvojë vdekjeje tronditëse, që shkroi me dhimbje historinë e kohëve të fundit”[20].

Gjaku i martirëve dhe vuajtja e çdo besimtari është rimëkëmbja e Kishës sonë: “O e lumtura Kisha jonë, që Hyji vazhdon të ndriçojë dhe të nderojë me aq dinjitet, Kisha jonë që edhe në kohet tona është bërë e shkëlqyer nga gjaku i lavdishëm i martirëve! Më parë ishte e dëlirë në veprat e vëllezërve, tani u bë krejtësisht e bardhë më gjakun e martirëve. Mes luleve të saj nuk mungojnë as zambakët as trëndafilat. Çdonjëri prej nesh le të aspirojë drejt nderit të lartë dhe të dyfishtë, duke u përpjekur të ketë së paku kurorën e veprave, ose atë krejtësisht të pastër të martirizimit”[21].

Imzot Vinçenci e ndriçoi Kishën me dëshminë e tij. Ai i qëndroi besnik mandatit apostolik, pa e fshehur frikën e vdekjes, por që nuk i braktis delet e veta, as vathën që është vetë Kisha.

Dëshmia e vdekjes së tij është e përshkruar me trishtim e dhimbje: “Ipeshkvi Prennushi u arrestua në selinë e Durrësit, u gjykua pasi i’u nënshtrua torturave dhe u dënua me njëzet vjet burg dhe punë të detyruar. Në fund, në burgun e Tiranës, e detyronin të merrte pjesë – i zhveshur – në disa gjimnastika e vrapime. Meqenëse nuk mundi ta bënte këtë prej moshës dhe peshës së tij, e goditën me shuplaka e me shkopinj në çdo pjesë të trupit, derisa e kthyen në kufomë. Për ta marrë kufomën e tij u angazhua don Marku: mezi e mori lejen për këtë gjë. Kur mundi të hynte në burg e gjeti kufomën të hedhur mbi një tryezë të ngushtë, me kokën e gjoksin nga njëra anë dhe këmbët nga ana tjetër, të varura, në gjendje rrëqethëse”[22].

Papa Françesku në vizitën e tij apostolike në Shqipëri më 21 shtator 2014, ndër të tjera kujtoi së si shqiponjat fluturojnë lartë duke mos e harruar folenë. Martirët janë si shqiponja që nuk e harrojnë folenë – Kishën, në të cilën u rilindën për të fluturuar lartë, lartë deri në Mbretërinë e Qiellit.

I lumi imzot Vinçenc Prennushi: lutu për ne!/*drita.info(E dergoi per Gazeten Dielli-autori)

———————————————–

[1] Shën Tomë Akuini, Shtjellime mbi Gjonin, në Liturgjia e Orëve, IV, Tiranë–Shkodër-Prishtinë, 2006, f. 113.

[2] Gjon Pali II, Fjala e Atit të shenjtë në aeroportin e Rinasit, në D. Xhuxha, Papa në Shqipëri, Drita, Prizren, 1995, f.17.

[3] Atë Leonardo Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushim, me shokë martirë, Arqipeshkvia metropolitane Shkodër-Pult, 2016, v. I,  f. 38.

[4] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, f. 38-39.

[5] Shën Cipriani, Drejtuar Fortunatit, në Liturgjia e orëve, IV, f. 1345-46.

[6] Shën Bonifaci, Letrat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1606.

[7] Di Pinto, Imzot VinçencPrennushi, f. 30.

[8] Shën Bonifaci, Letrat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1607.

[9] Shën Augostini, Nga Ligjëratat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1744.

[10] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, f. 38.

[11] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, f. 41.

[12] Shën Augostini, Fjalimet, në Liturgjia e orëve, IV, f. 1143.

[13] Shih. Arshi Pipa, Kujtim mbi Vinçenc Prennushin, Tiranë, Shkurt 1947. ID., “Fali o Zot, nuk dinë çka bajnë. Monsinjor Vinçenc Prennushi in memoriam”, Tiranë, 28 shkurt 1995.

[14] Shën Martini I, Papë, Letrat, në Liturgjia e Orëve, f. 1478:

[15] Shën Çipriani,  Letra, në Liturgjia e Orëve, II, f. 1475.

[16] P. Kola, Kryqi. Shenja e papërmbysur e fitorës së përkryer, Fjala Hyjnore – Misioni Katolik Shqiptar në Austri, Prishtinë – Vjenë, 2011, f. 26.

[17] Shën Çipriani, Nga Letrat, në Liturgjia e orëve, II, f. 1712.

[18] Shën Augostini, Enarr. In Ps. 55, 3.4, në Opere di Sant’ Agostino, Città Nuova, Roma 1968.

[19] Shën Augostini,  Traktati kundër Faustit, në Litrugjia e Orëve, I, f. 1019.

[20] Gjon Pali II, Pretku i Atit të shenjtë gjatë Meshës në Katedralen e Shkodrës, f. 26-27.

[21] Shën Çipriani, Letrat, në Liturgjia e Orëve, IV, fq.1157.

[22] Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi, fq. 49-50.

Filed Under: Politike Tagged With: Don Pal Tunaj, Imzot Vincenc Prenushi, martir

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT