• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

Annabel Li-Edgar Allan Poe

July 21, 2020 by dgreca

(Shqipërim nga Astrit Lulushi)-

Shumë e shumë vite më parë,/
Në një mbretëri buzë detit,
Jetonte një vajzë,/
Të cilën mund ta njihni/
Me emrin Anabel Li;/
Ajo jetonte vetëm me një mendim/
Të më donte e të dashurohej nga unë./

Ne, ajo dhe unë, ishim fëmijë,
Në këtë vend buzë detit;
Por duheshim me një dashuri
Që ishte më shumë se dashuri –
Unë dhe Annabel Lee;
Me një dashuri në krahët e ëngjëjve
Që shihnin me lakmi atë dhe mua.

Dhe kjo ishte arsyeja që,
Pas një farë kohe,
Në këtë mbretëri buzë detit,
Një erë fryu nga një re, që e ftohu
Annabelën time të bukur;
Kështu, të afërmit e saj erdhën
Dhe e morrën e çuan larg meje,
Për ta futur në një varr
Në këtë vend buzë detit.

Engjëjt, gjysmë të lumtur në parajsë,
Fluturuan me zili për atë dhe mua –
Po! – kjo ishte arsyeja
(siç e dinë të gjithë njerëzit,
Në këtë mbretëri buzë detit)
Që era doli nga reja natën,
Për të ftohur dhe vrarë Annabelën.

Por dashuria jonë ishte më e fortë
Se e atyre që ishin më të vjetër –
Shumë më të mençur se ne –
Dhe as engjëjt lart në parajsë,
As demonët poshtë në det,
S’mund ta ndajnë kurrë shpirtin tim
Nga shpirti i të bukurës Annabelë.

Sepse Hëna kurrë nuk del
Të lëshojë rreze
Pa më sjellë ëndrra
Nga e bukura
Annabel Li.
——
Edgar Allan Poe ((1809 – 1849)

“Annabel Lee” është poema e fundit e plotë e shkrimtarit Edgar Allan Poe. Si shumë nga poemat e Poe-së, ajo eksploron temën e vdekjes së një gruaje të bukur. Poeti, i cili u dashurua me Annabel Lee kur ishin të vegjël, ka një dashuri aq të fortë për ‘të sa edhe engjëjt janë ziliqarë. Ai ruan dashurinë për ‘të edhe pas vdekjes së saj. Ka pasur debate se kush, nëse ndokush, ishte frymëzimi për “Annabel Lee”. Megjithëse janë sugjeruar shumë gra, gruaja e Poe-s, Virginia Eliza Clemm Poe është një nga kandidatet më të besueshme. Shkruar në 1849, poezia nuk u botua deri pak kohë pas vdekjes së Poe-s në të njëjtin vit.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Annabel Lee Edgar Allan Poe, Astrit Lulushi

Të ndahet e ardhmja politike e personave nga e ardhmja e Kosovës

July 21, 2020 by dgreca

Nga Ekrem Spahiu*

Është një vlerë e spikatur e shqiptarëve të cilët, në çështje kombëtare, janë shumë të ndjeshëm. Në këtë kuadër, unë, si shumica e bashkëkombësve, kudo ku ndodhen, jemi të shqetësuar që e ardhmja politike e Kosovës, prej 21 vjetësh nga çlirimi dhe prej 12 vjetësh nga pavarësimi, mbahet peng edhe nga vetë politikanët e saj. 

Ka më shumë se një shekull që bota e qytetëruar ka institucionalizuar, gjithnjë e më ashpër, dënimin e krimeve të luftës edhe pas luftës. Gjyqi i Nyrembergut është një rast klasik për të ilustruar se edhe në një luftë botërore ku nuk mbetet shtet e njeri pa u përfshirë dhe ku është shumë e vështirë të ndash shkakun e krimit nga ekzekutori i krimit, përsëri njerëzimi gjen instrumente për ta realizuar dënimin ndaj tyre. 

Po aq klasik ishte dënimi i Milloshevicit dhe kriminelëve të tjerë nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit të kryera gjatë spastrimit etnik në Kosovë, Bosnjë e në hapësira të tjera të ish Jugosllavisë gjatë shpërbërjes së saj. Në këtë rast nuk ishte luftë botërore dhe rrjedhimisht, identifikimi i autorëve të krimeve ishte më i lehtë. Sigurisht që kjo është një çështje ende e paezauruar, prandaj është në dinjitetin kombëtar të politikanëve të Kosovës të bëjnë detyrën e të mos rreshtin që ky proces të shkojë deri në fund.     

Kosova u përfshi në këtë luftë me një specifikë krejt unike. Është e njohur dhe e pranuar botërisht që ndaj saj u krye spastrim etnik masiv. Ky krim ndodhi pikërisht në fundshekullin e njëzetë kur njerëzimi ishte dhe është shumë më i ndjeshëm. Prandaj, bota e qytetëruar, jo thjeshtë NATO, e ndëshkuan me luftë atë krim kundër njerëzimit. Ishte për herë të parë në histori që një luftë u ndërmor për arsye morale, jo për motive pushtimi siç ka qenë historikisht motivi i luftrave. FARK-u dhe UÇK-ja ishin pjesë e këtij misioni, së pari sepse duhet të vetëmbrohej si krah i armatosur i popullit dhe së dyti sepse ky moral ishte në të njëjtën vijë me moralin e njerëzimit e të kombeve të qytetëruara, të cilat përfaqësoheshin nga NATO. 

Ishte luftë dhe, në luftë, përveçse zgjidhen çështje të mëdha, përveçse i shërbehet një morali të madh sikurse ishte morali i FARK-ut dhe UÇK-së, mundet që mjegulla pas saj të jetë shfrytëzuar edhe për çështje të tjera, edhe për moral tjetër. Gjykata e Posaçme, e krijuar enkas për dënimin e këtyre rasteve edhe në Kosovë, një gjykatë e pranuar dhe e mbështetur nga pothuajse nga të gjitha partitë politike të Kosovës dhe e votuar me shumicë të cilësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka pikërisht këtë qëllim. 

Ky është një rast unik që i bën nder Kosovës, popullit të saj dhe vetë klasës politike të saj. Këtij procesi i janë nënshtruar tashmë shumë politikanë e luftëtarë. Në këtë proces, që po e quajmë “veting” ligjor ndërkombëtar, është përfshirë tashmë edhe Hashim Thaçi – kontributor dhe drejtues në atë luftë dhe po ashtu, udhëheqës për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës, aktualisht President i saj. Ashtu sikurse edhe Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe mbi 200 ish pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Ajo që krijon dyshime për shkelje morali dhe ligjesh ndërkombëtare të luftës në këtë proces janë vrasjet pas mbarimit të luftës. Në një raport, Amnesty International në vitin 2009 thuhej se rreth 800 vrasje kanë ndodhur gjatë një vale të zgjatur dhune ndaj pakicave etnike, por edhe ndaj anëtarëve të LDK-së në kohën kur pas largimit të forcave serbe, Kosova u vendos nën administrim të OKB-së. Shumica e personave që thuhet se u rrëmbyen dhe u zhdukën nga ish pjesëtarët e UÇK-së gjatë viteve 1998-2000 ishin serbë, romë ose shqiptarë të Kosovës të etiketuar si bashkëpunëtorë të Serbisë. “Anëtarët e Lidhjes Demokratike (LDK) u vranë gjithashtu nga luftëtarët e UÇK-së të cilët e konsideronin doktrinën pa dhunë të LDK-së të barasvlershme me bashkëpunimin (me okupuesin)” – thotë një përfaqësues në misionin e OKB-së në Kosovë në vitet 2000-2004. 

Të gjitha mbeten për t’u vërtetuar dhe me siguri kjo është për të mirën e besueshmërisë kombëtare e ndërkombëtare të politikanëve në Kosovë. Por këtu ka domosdoshmërisht nevojë urgjente për të bërë një dallim që është më shumë se moral: krimet me prapavijë politike. Prej vitesh ka patur një refren akuzash e kundër akuzash për vrasje të tilla në Kosovë. LDK-ja ka akuzuar në vazhdimësi PDK-në dhe Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), një strukturë e afërt me PDK-në, se qëndron pas vrasjeve të anëtarëve të saj. Ndërkohë, këto pretendime janë mohuar nga PDK-ja dhe ish shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli. Ish-kreu i LDK-së dhe ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se gjatë dhe pas luftës, anëtarët e partisë që ai përfaqësonte u bënë objekt hakmarrjeje për shkak të qëndrimit politik. 

Akuza të tilla janë bërë, për shembull, në vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit – Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë në ekzil, në një atentat më 21 shtator 1998 në mes të kryeqytetit shqiptar në Tiranë. Më 11 janar 1999 në Prishtinë ështe vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij. Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës dhe i Degës së LDK-së në Klinë. Ish Presidenti Rugova është shprehur se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000. Në tetor të vitit 2001 është vrarë gazetari Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku – të dy truproja të ish Presidentit Rugova. Më 17 janar 2002, është vrarë deputeti i LDK Smajl Hajdaraj. Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i Komunës së Therandës dhe i Degës së LDK-së në këtë Komunë. Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit. Më 8 maj 2000 vritet përpara shtëpisë së tij në rrethana misterioze, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë, komandant Drini – Ekrem Rexha. 

Pas luftës ka të dhëna të besueshme se ka patur tentativa për atentat edhe ndaj vetë ish Presidentit Rugova. Po ashtu, ka qenë tentuar të vriteshin Ismet Arifi më 3 nëntor 1999, Nezir Gara më 25 shtator 1999, Gani Geci më 19 tetor 2001, e të tjerë. Vetëm gjatë vitit 2000 u shpëtuan atentateve për vrasje tre zyrtarë të LDK-së: Ish-deputeti Adem Salihaj, Kryetar i Podujevës Agim Veliu dhe Ejup Visoka. 

E vërteta është se politikanët e Kosovës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të SHBA kanë meritë që Kosovën e kanë sjellë në një moment vendimtar që lidhet me njohjen e plotë ndërkombëtare. Dhe sigurisht që ky proces do të vijojë sepse është një politikë konstante dhe një interes gjeopolitik që kjo njohje të ndodhë. Procesin nuk e ndërpret thirrja që Gjykata e Posaçme i ka bërë Presidentit të saj, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, apo që do mund t’iu bëjë edhe të tjerëve, për të sqaruar nëse këta janë të përfshirë, kanë mbështetur, kanë dijeni apo nuk kanë vepruar ndaj krimeve të luftës, veçanërisht atyre të kryera pas luftës. 

Thirrja që kjo gjykatë iu ka bërë apo do t’iu bëjë politikanëve apo drejtuesve e pjestarëve të UÇK-së për të dëshmuar për krime lufte nuk është aspak aludim për të barazuar UÇK-në me këto krime. Sigurisht që politika serbe do kishte interes dhe madje e ka nxitur procesin në këtë kahje, por nuk është politika serbe që e mbyll procesin. Këtë proces e mbyll Europa demokratike, drejtësia e së cilës do t’i shkojë deri në fund morisë së krimeve të pambyllura, shumë herë më të rënda në numër dhe në egërsi, të kryera nga makina shtetërore serbe dhe organizatat paramilitare të paguara prej saj. 

Ajo që iu takon politikanëve të Kosovës është t’i dëshmojnë popullit shqiptar të Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar pastërtinë e tyre në tre dimensione: dimensionin ligjor, dimensionin moral dhe dimensionin kombëtar. Por, në dallim nga dyshimet për krime të tjera, të cilat krejt natyrshëm do të zgjidhen e duhet të zgjidhen përmes dimensionit ligjor, dyshimet për krime me motive politike duhet të zgjidhen edhe përmes dimensionit moral e kombëtar, në kuptimin që të zbardhen, me qëllim që të mos mbajnë peng të ardhmen politike të Kosovës. 

Duhet kuptuar njëherë e mirë se është krim më vete që e ardhmja politike e disa personave, kushdoqofshin ata, të mbajë peng të ardhmen politike të Kosovës.   

*ish deputet & kryetar i PLL

Filed Under: Featured Tagged With: e personave, Ekrem Spahiu, nga ardhmja e Kosoves, Te ndahet e ardhmja

PRIMO SHLLAKU MBI DEBATIN RRETH MARTIN CAMAJT DHE ERNEST KOLIQIT

July 21, 2020 by dgreca

Primo Shllaku komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit dhe shprehet se regjimi komunist shqiptar shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Me Primo Shllakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

PSE SOT DEBATI MBI FIGURËN E CAMAJT DHE KOLIQIT?

Koha e hapjes së këtij debati mbetet edhe ajo për t’u diskutue dhe për t’u hamendësue sepse metodat e plasjes së skandaleve politike të bujshme kanë qenë veçanti e kulturës “bizantine” të socializmit real shqiptar. Pra gjendej një kohë kur njerëzit e kishin mendjen tek pushimet dhe impakti do të ishte ma i vogël dhe qëllimtarët do ta kalonin ma me pak kosto “klasën”. Asht shum e vështirë të thuhet me saktësi nëse kjo kohë pa kohë e plasjes së kësaj shashke tymçe ishte nji përpjekje për matje pulsi, nji “paradhanie” për nji veprim të akademisë, apo edhe ndoshta nji “tekë” e nji njeriu që merret me arkiva sepse e ka hobby dhe i pëlqen të gjendet në mesin e fërkimeve ma të ashpra dhe të një shitstorm-i tue dëshmue edhe njifarë prirjeje të kjartë prej mazokisti. Mohimi i qëllimeve të mirëfillta studimore dhe hjedhja e temës me interpretime dhe aksiologji shpesh të pabaza dhe të paplota për të ndërtue silogjizma solide, na ka lanë të gjithëve para nji pyetje që nuk na detyron ta amnistojmë këtë hapës së kutisë së Pandorës me argumenta naivë dhe përbuzës e mospërfillës. Lidhja me një anëtar të ri të Akademisë shqiptare, e cila i mundësoi botimin tek faqja e tij “Peizazhe të fjalës” dhe pastaj replika ime e shpejtë dhe kërkimi i skjarimeve tek Akademia, më duket se i bashkuan pikat e daljeve dhe na dhanë një drejtëz që nuk premton kohë të kthjellët.

PSE SULMOHEN DHE BALTOSEN KUNDËRSHTARËT E REGJIMIT KOMUNIST? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT?

Unë nuk mendoj se asht baltosje. Baltosja asht diçka që të len gjallë dhe ti edhe mund të lahesh. Goditja ka qenë nën bel dhe asgjasuese. Tue u nisë nga ndjeshmënitë e tradicionale të alergjisë që në shoqninë shqiptare ngjall fjala “spiun”, raportet e Auron Tares kanë qenë asgjasuese në qëllimin e tyne final. Fjala “spiun” në nji mjedis të mbushun me “spiunë” të të gjithë llojeve e të të gjithë kohnave, për paradoks asht e mbetet sot e gjithë ditën nji sinonim i pushkatimit moral, por edhe fizik. Prsonalisht më duket se dikujt ose disave, mbase edhe ndonjë institucioni, i interesonte që dikush, ashtu “si për lojë” të hidhte një gur në ujë dhe aty të shkaktohej një cunami me Koliqin e Camajn si viktima të sigurta. Meqë ne shqiptarët kemi adoptue në vendin tonë prej plot 30 vjetësh një sistem demokratik të tipit europian liberal, në pikëpamje të pozicionimit ideologjik si fashizmi ashtu edhe komunizmi shihen si ekstreme që edhe empirikisht kanë tregue se janë kundër lirisë, kundër të drejtave të njeriut, pro konflikteve dhe luftës si mjet për zgjidhjen e kontradiktave etj. Pra që të dy ato skaje sollën ndër ne regjime që populli i damkos me shprehjen “mos ardhshin ma”. Pra nga pozitat e realiteteve juridike, ligjore e morale na dënojmë të gjitha praktikat e këtynë dy përvojave që shoqnia shqiptare i kaloi mbi kurriz. Po të ishte i frymëzuem demokratikisht hapësi shqiptar i kutisë së Pandorës mendoj se kjo do të ndodhte në nji paketë me të gjithë ata shkrimtarë dhe njerëz të formimit shpirtnor që kanë lanë gjurmë në të dy regjimet. Marrja vetëm me këta të dy e sidomos me Camajn që ka mbi kurriz nji Klavar mbijetese në tre katër vende ku jetoi si mërgimtar, mendoj se ka erë shqetësimesh që vijnë mbas njilloj tronditje e trandjeje hierarkish, kur ardhja e të dyve mbas nji heshtje që i bante ata të paqenë, por edhe mbaj nji fundosjeje tektonike të produktit letrar zyrtar që njifet si “letërsi e realizmit socialit”, provokoi nji bum kureshtjeje dhe mahnitjeje para vetë imanencës së veprës së tyne. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Në vitet ’30 na duket se letërsia shiptare doli nga angazhimi i saj etnocentrik dhe po orientohej drejt letërsisë bashkëkohore europiane. Me Migjenin si i shenjuem prej ekspresionizmit dhe estetikave të tij, bahet bashkë edhe Koliqi e pak ma vonë edhe Kuteli që përdorën me sukses teknikat psikanalitike në shestimet e tyne letrare dhe në zbërthimin e personazheve të tyne. Kjo metodë avangardiste e Europës së atëhershme përdorej gjërësisht nga Cvajgu, Andre Zhidi, Strindbergu, Pirandelo etj. Pra na duket se lajmi i mirë ishte se në atë periudhe letrat shqipe e braktisën romantizmin anakronik që lidhej me vonesat e zhvillimeve tona kombëtare dhe shtetnore dhe letërsia e jonë po vehej për hap me letërsinë e kryesinës europiane. Kurse Camaj asht diçka tjetër. Për shkakun se ai u zhvillue si letrar mbas fillimit të viteve ’50, arti poetik dhe letrar në përgjithësi asht edhe ma i avancuem. Poezia e tij asht nji poezi esencialiste dhe në dukje mjaft e ngjashme me hermetizmin italian. Por unë nuk mendoj se ajo asht hermetike në kuptimin e hermetizmit italian. Ndoshta teknikat i ka, por ajo mbetet nji poezi e qenies njerëzore dhe shoqnore në rrethana të zakonshme dhe kritike. Pra tek Camaj kemi të bajmë pothuejse kudo me të zakonshmen kritike, gja që i jep asaj nji ngarkesë të madhe emocionale dhe kudo zbulon magjinë e thanies përgjysëm të vegimeve dhe të depozitave të kujtesës. Shuemja e kujtesës tek Camaj dhe përpjekja për ta rigjallnue e për ta konservue atë përmes aktit letrar estetik, i jep poetit pamjen e trishtë të nji vorri të pazakontë ku vorroset kujtesa e vendlindjes, përkatësisht e atdheut. Poezia e tij asht kriza e madhe ekzistenciale e tij me nanën e vet dhe ma vonë me mëmëdheun e vet. Në hapësirën midis këtyne dy elementave homogjenë ndehet pjesa ma delikate dhe ma artprodhuese e ekzistencës së tij.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË? 

Asnji hapje arkivash dhe asnji dalje në dritë e të vërtetave nuk e damton shoqninë. Shoqnia jonë ka marrë me vete dhe mbi vete të gjithë barrën e mëkatit që u prodhue nga regjimi komunist. Ka mendime që thonë se asnji pushtue i huej nuk do t’ia bante nji populli tjetër atë që i bani komunizmi shqiptar shoqnisë së tij. Në planin moral – sepse ai na ka mbetë me diskutue tashti – regjimi komunist shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Ai synoi dhe në nji masë të madhe ia arriti që të moralisht të mos lente njeri në kambë. Na kemi nevojë për nji filozofi të re kombëtare që ta shëndoshë atmosferën mbi bazën e nji ngritjeje substanciale të mirëqenies dhe forcimit të pavarësisë së individit. Na kemi nevojë t’i çojmë ma larg kufijtë  pranimit shoqnor e qytetar dhe jo të bajmë operacione selektive që synojnë zgjatjen sa të jetë e mundun të raporteve hegjemioniste, të cilat pengojnë dhe sabotojnë kthimin e ekuilibrave mbrendakombëtarë. Mitet janë aty për t’u sulmue dhe substancat e forta janë prapë aty për t’u qëndrue sulmeve. Por unë nuk mendoj se Koliqi e Camaj patën kohën dhe kushtet e mjaftueshme për të arritë në nivele mitesh. Ata nuk i mitizoi askush. Madje u futën gati-gati si fshehtazi ne fushën e vëmendjes së lexuesit shqiptar, nuk patën asnji ceremonial ardhjeje e nuk gjetën asnji horizont pritjeje. Ata erdhën si “të rinj” gati-gati si autorë që po shfaqeshin në premierë, në nji kohë që kishin ma se katër herë dhjetëvjeçarë si debutim letrar. Pra mahnitjen dhe admirimin e fituem me anë të tekstit e të mos e marrim si mitifikim. Katër pesë libra janë shkrue për Camajn, po aq edhe për Koliqin. Mitifikue janë Kadareja, Agolli, Arapi etj, por miti i tyne natyral i ngritun nga aparati shtetnor i shtetit komunist ra bashkë me konsideratat e tij për veten. Këtë fat e pësuen edhe emnat e masipërm të cilët pritet vërtet të çmitizohen, të reduktohen në vlerat e tynë esenciale pa asnji atribut mesianik ose teokratik të tyne. Akademia e Shkencave duhet t’u prijë punëve shkencore dhe t’i koordinojë ato me detyrën e studimit të rreptë dhe serioz. Në kushte të tilla hapja e botimi i faksimileve të Tares do të mbetej nji ngjarje që pakkush do ta merrte vesh. Por kur Akademia hesht ose jep përgjigje me tekste si letra bakalli, atëherë fenomeni Tare arrin ta shqetësojë atë pjesë të opinionit publik, i cili e shef këtë institucion në bisht të punëve, madje edhe me produkte shpesh të kontestueshme për periudha të gjata që nuk kanë sjellë asnji harmonizim me dijet që nuk prodhohen detyrimisht mbrenda mureve të Akademisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Camaj & Koliqi, Debati, Primo Shllaku

Ligësia e helmtë

July 21, 2020 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ-Sa herë që recitoj Invictus, më mbushet zemra me forcë dhe krenari. Gurët e kundërshtarëve  më  duken prej pambuku dhe fanitja e  siluetave më ngjan si thëngjinjë të fikur në rrënojat e kasolleve prehistorike. Lukunia e tyre  fiket si fidane në tokën  e djegur që nuk prodhon më frute. Pezizhka, tjerrë prej  merimange që dikur mbillte vdekje,  nuk mund të bëhet dot më qefin i lirisë së fituar. Megjithatë ata nuk kanë vdekur, vegjetojnë birave e hijeve.Luajnë me momentin e fituar dhe mundohen për të përbaltuar çdo kundërshtar, deri tek ikonat e kulturës dhe lirisë.

            Dekadenca e marksizmit solli  përmbysjen e komunizmit dhe koha  vërtetoi diferencën e të qënit komunist si aksident (si në rastin e publicistit Gani Vila, i cili është bërë një shembull patriotizmi me emisionet e tija plot sens kombëtar) dhe komunistit  real e  injorant, i cili  dhe pas përmbysjes komunizmit nuk ndryshoi mendësi. Helmi i tyre vazhdon, me forma inferiore,  letra prapa shpine, shpifje, sajime teorish konspirative, si në rastin e një oficeri të PP-së që shkarravit në katramah  me bojë të zezë portretet  e kolosëve të letrave shqipe si Camaj, Koliqi etj.

            Shqetësimi i miqve të mi Romeo Gurakuqi, Dalip Greca, Visar Zhiti, Frank Shkreli etj.rizgjon revoltën shpirtërore të arsyes kundër helmit të trashëguar. Historianë eminentë si Gurakuqi parashtruan forcën e argumentit dhe disiplinën e shkencës historike përballë diletantizmit denigrues kundër inkompetencës dhe plastikës provokuese të improvizuar keq nga gazetarucë  gjoja “investigues”, të cilët  kanë dëshirë të stisin teori konspirative pa asnjë qasje të tillë. Bashkëpunëtori im Dalip Greca  (Bleta punëtore e gazetarisë dhe e Vatrës), në mënyrë të shkëlqyer sjell figurën reale të Martin Camaj, përpjekjet e tij për Katedrën e Shqipes (kur komunistët bënin aleanca me armiqtë shekullorë), dhe  me fakte degradon përçudnuesit e historisë.

            Po a mundet që insufiçenca intelektuale të zbehë personalitetin e titanëve të letrave të kombit? Jo! I çfarëdo shkalle që të jetë manipulimi  qëllimi është i dukshëm sepse bart me vete erën e mykur të zyrave që simbolet kombëtare i zëvendësuan me emblemat e krimit çnjerëzor dhe stemat e tipit drapër çekan.

            Mendime të ndryshme do të ketë! Siç ka dhe shije të ndryshme estetike.Por në rastin Camaj-Koliqi, nuk është fjala as për mendimin ndryshe as për dallime estetike.Teoritë konspirative janë mjete lufte dhe përdoren gjithmonë në mënyrë të qëllimshme.Me anë të tyre, synohet asgjësimi moral i personaliteteve me ndikim të lartë në shoqëri. Tek ne, komunizmi i përdorte në dy kohë: para dhe pas asgjësimit fizik të kundërshtarëve. Camaj dhe Koliqi nuk u eleminuan fizikisht nga Sigurimi edhe pse dihet se ka pasur tentativa në këtë drejtim.Çka bëhet sot ndaj tyre, s’është tjetër veçse një zhvarrim, nxjerrje eshtrash mbi tokë, profanim.

            Një herë e një kohë, gjatë një vizite tek shtëpia e mikut tim, Poetit Frederik Rreshpja, gjatë bisedës  m’u drejtua: “E shikove fytyrën që hyri dhe të dha dorën? Është  im vëlla…, komunist  i betuar,  injorant  i neveritshëm, një nga shpifësit që më kalbi në burg!” Ai e lexoi  mimikën time të habitur dhe nuk priti përgjigje, por vazhdoi, – “Do t’i shërbeja edhe Pinoçetit… vetëm të zhdukja këtë farë të keqe!”

            Po të trokasësh në qindra  dyer shqiptare, tragjedi si të Frederikut  do  dëgjosh me shumicë. Lotët dhe gjakun e tyre deri më sot  askush nuk i pagoi. Dhe  daullet e djallit  vazhdojnë të bien. Portalet e gazetat e kasnecëve rozë u bëjnë jehonë, duke na sjellë në  kujtesë kordonet e detashmentëve të kuq.

            Aspak nuk ka pse habitet kush me lutjet e patriotëve që kërkonin aleancë perëndimore për rrëzimin e këlyshve ideologjikë të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, sepse rrezikun dhe lehjet e tyre po i dëgjojmë dhe tani si jehonë e trishtë e  shkuarës në të tashmën.

            Patriotët tanë nuk bënë kurrë  aleanca në dëm të interesave kombëtare, por përkundrazi vunë në dispozicion edhe atë pjesë të vetes që duhet mbajtur për vete vetëm e vetëm që të mund t`i shërbenin sadopak vendit të tyre, pikërisht në periudha kur fatet e popujve të vegjël varen nga raportet apo ekuilibrat e fuqive globale. Aq më tepër Camaj, apoliciteti i të cilit është vërtetuar si qëndrim jo vetëm në vepër por edhe në jetë. Pa harruar që këto figura nuk u kursyen kur patën mundësi t’u hiqnin litarin nga fyti bashkatdhetarëve, ndërsa kriminelët e kuq nuk e bënë këtë as për familjarët e vet. Dhe këtu s’është nevoja të përcaktojmë se cila është njerëzore dhe cila jo.

            Do isha kurioz të dija sikur të ishin gjallë “luftëtarët” anti-imperialistë, si do ta gjykonin tani Shqipërinë në NATO, OSCE ( Organizatë që është ngritur kundër komunizmit), e organizma të tjera ndërkombëtare? Në këto organizma kolosët tanë dëshironin ta fusnin Shqipërinë prej kohësh, sepse e dinin se në ombrellën mbrojtëse të tyre armiqtë tanë shekullorë nuk do të mund të derdhnin shiun e kuq komunist. E pra nuk ka kaluar aq kohë sa të harrohet gjëma që iu bë Shqipërisë nga ata që u lidhën në aleanca antishqiptare. Nuk harrohen refrenet e “Bashkim – vëllazërimit”, idhujtarizmit stalinist dhe aleancës së çeliktë me Kinën, ndërsa çështja kombëtare shqiptare ishte zëvendësuar nga slloganet internacionalizmit proletar.

            Një fakt tjetër që nuk duhet harruar.Në luftën e dytë botërore humbën jetën rreth 60 milionë njerëz dhe s`ka dyshim që nazifashizmi është përgjegjës për këtë, por se çfarë ka qenë komunizmi kërkohet të harrohet.E si mund të ndodhë kjo, kur në këtë periudhë, që duhej të mbizotëronte paqja sociale dhe prosperiteti u martirizuan   mbi 100 milionë shpirtra.Stalini, Mao Zedong dhe Titoja zinin vendin e parë për ekzekutimin e miliona frymëve.Pikërisht këta monstra ishin aleatë por dhe model për Enver Hoxha, i cili bëri të njëjtën gjë me popullin e vet. Tani trashëguesit  e partisë së tij janë  Ramëzezët … Tarot e Larukët e shtypshkronjës së kuqe.

            Sot kur ripërtëritja e aleancave me Serbinë dhe Rusinë duken sheshit një tradhëti e lartë, gjenden njerëz që përhapin hije dyshimi duke ngritur “pikëpyetje shqetësuese”mbi jetën dhe veprën e korifejve të letrave tona. Shumë syresh paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë (jo keq për nivelin e pagave në Shqipëri) për të bërë tjetër punë, e jo për të parashtruar “hipoteza” apo për të përhapur “dyshime”. Këto i bënte dikur Sigurimi i Shtetit.E natyrisht i bën dhe sot.

            Asnjëherë nuk më ka pëlqyer t`i trajtoj disa tema nën prizmin e armiqësisë dhe jam munduar t’i evitoj deri në sacrificë, por lufta për të vërtetën duhet të mbetet e hapur, duke përdoruar arsyen e ftohtë shkencore, por dhe reagimin si pasojë e shkakut joproduktiv të kundërshtarit. Nëse dikush e sheh debatin brenda një shoqërie sipas teorive darviniste dhe marksiste, atëherë duhet ta kuptojmë që jemi në një “luftë për ekzistencë intelektuale”. Penat e mprehta intelektuale dhe patriotike nuk kanë pse të heshtin sepse kanë për çfarë të shkruajnë, kanë çfarë të mbrojnë, kanë për çfarë të krenohen.Koha dhe e vërteta është në anën e duhur. Misioni i intelektualëve patriotë  nuk është vetëm të kundërshtojë teoritë e luftës instiktive Marksiste-Darviniste, por dhe të gjejnë shtigje për të dalë nga impakti  i farës së keqe që ka pllakosur atdheun.

            Horaci, Senator dhe poeti më i shquar i antikitetit roman, thoshte:

“Littera scripta manent.”- Fjalët e shkruara  mbesin.

Filed Under: Emigracion Tagged With: alfons Grishaj, Ligësia e helmtë

VATRA- Ambassador Kim, we urge you to initiate an investigation to the process of the destruction of the Charles Telford Erickson building in Golem…

July 20, 2020 by dgreca

New York ,July 20, 2020

The Honorable Yuri Kim

Ambassador of the United States of America

Tirana Albania

-Ambassador Kim, we urge you to initiate an investigation to the process of the destruction of the Charles Telford Erickson building in Golem, Kavaja. Doing this will bring some light over the reasons of such government vandalistic act aa it will also will ease our souls…

Dear Ambasador Kim,

On behalf of the Pan-Albanian Federation of America, VATRA-The Hearth, We are prompted to write this letter to share with you our concern and protest about the demolition of the former National College of Agricultural building, in Golem, Kavaja, Albania. This building, initially called the Albanian-American Institute Charles Telford Erickson, and later serving as an agricultural school, was built in 1925 and funded by the government of the United States of America.

To the Pan-Albanian federation Vatra and all pro-American Albanians, this building was a milestone of the bright relationship between Albania and the USA. We consider the act of its demolition as alegal, moral and constitutional crime.

This building has signifiedthe long history of the great efforts ofits founder,Charles Telford Erickson, who dedicated his life for Albania’s prosperity and educational endeavors. Erikson believed that Albanians, in order to succeed as a country and particularly as a democratic country, had to be educated.Erikson went to Albania as a missionary and found himself working  for the betterment of the Albanian nation as an educator, a politician, a diplomat, engineer, geologist,  a historian, a philosopher, and inspired the nation as if he, himself, was a native-Albanian patriot. Therefore, leaving a legacy as one of the most beloved man of Albania. After leaving Albania, Erickson did not forget about the Albanians. Rather as he traveled the world he continued preaching the plight of the Albanian people. 

Ambassador Kim, the destruction of this building addedanother sad day for cultural heritage of the country, as well as democratic governance and the rule of law. Along with this building, a symbol of American heritage inside Albania has collapsed. We believe that this act committed by the government is in violation of every law and order as it was done in complete silence withoutpublic attention. The secrecy behind it was in attempt to hind the interests of the corrupted construction companies that closely work with the government. We, publicly accuse the prime minister, Edi Rama, who continuously has been abusing his power by undertaking acts of in the destruction of Albanian cultural treasures.

Ambassador Kim, this is no longer about the demolition of Charles Telford Erickson building, but the actual undermining of democracy and freedom. Albania is gradually falling into a new camouflaged dictatorship regime. Rama and his cabinet represent for the most part, previous Communist Party descendants, who isolated Albania for 50 years. Prime Minister’ Rama in

accordance with his lineages, has been using vulgar language toward the US President Trump. I bring to your attention his characterization during the 2016 election when he stated:“Donald

Trump is really the shame of our civilization…I pray to God so that the American people would not elect him as president. Because if this were to happen, it would cause a great harm to the United States and it would be a serious threat to the US-Albanian relations.”

Ambassador Kim, we urge you to initiate an investigation to the process of the destruction of the Charles Telford Erickson building in Golem, Kavaja. Doing this will bring some light over the reasons of such government vandalistic act aa it will also will ease our souls.

Ambassador Kim, we remain grateful to you and your staff for your hard work toward the democratic process in Albania. At the same time, we would be happy to see some actions into clarifying the demolition act of Charles Telford Erickson building.

Respectfully,

Pan-Albanian Federation Vatra

Filed Under: Histori Tagged With: ambasador Kim, Charles Telford Erickson building in Golem, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT