• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

A ndikon moti i ngrohtë në koronavirus?

July 15, 2020 by dgreca

Studimet kanë treguar se rrezet e diellit mund të çaktivizojnë virusin në sipërfaqe dhe në ajër, pasi virusi dobësohet shumë më shpejt në temperatura të ngrohta sesa në temperaturat e ftohta…

Shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik **

Kjo javë shënoi katër muaj nga fillimi i përhapjes së pandemisë Covid-19 në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa rajonet e goditura fillimisht, siç janë shtetet verilindore të vendit, janë në mes të rikthimit në njëfarë normaliteti, rritja e numrit të rasteve të reja në shtetet jugore dhe jugperëndimore, është një kujtesë që Covid-19 paraqet kërcënim te vazhduashëm për shëndetin tonë. Ndërsa ngritja e fundit është për shkak të një kombinimi të faktorëve që përfshijnë transmetimin më të lehtë të viruseve dhe ngritjen ne testime, shpresohej se kushtet e verës mund të ndihmojnë në ngadalsimin e transmetimit të koronavirusit. Studimet kanë treguar se rrezet e diellit mund të çaktivizojnë virusin në sipërfaqe dhe në ajër, pasi virusi dobësohet shumë më shpejt në temperatura të ngrohta sesa në temperaturat e ftohta. Viruse të tjerë, përfshirë ketu dhe llojet e koronavirusëve, që kanë qarkulluar në botë më pare, kanë tendencë të kulmojnë në muajt më të ftohtë dhe të zbuten në muajt e verës, sikurse është rasti me viruse që shkaktojnë ftohje apo grip të zakonshëm sezonal. Behet pyetja, pse po shohim që numrat janë në rritje, sidomos në rajone të ngrohta (Arizona, Florida, Texas, California, etj.)? 

Këtu, po jap disa shpjegime të mundshme. Bazuar në studimet paraprake, janë tre arsye kryesore për rritjen e numrave. Ato kanë të bëjnë me nivelet e ulëta aktuale të imunitetit të popullatës, lehtësinë e transmetimit te ketij virusi dhe ma ne fund, sjelljen tonë.

Së pari, imuniteti ndaj Covid-19 në popullatë është akoma jashtëzakonisht i ulët, duke i dhënë viruseve mundësinë e përhapjes. Sipas vleresimëve, vetëm  rreth 10-15 përqind e popullsisë amerikane është konfirmuar pozitive për Covid-19.  Për shkak të të dhënave të kufizuara të disponueshme për këtë virus, pra Covid-19, studiuesit u bazuan ne modele me viruse që kan qarkulluar më parë, duke përfshirë dy koronaviruse që dihen se shkaktojnë ftohje të zakonshme. Studiuesit zbuluan se ndryshimet sezonale në klimë u bënë një faktor i rëndësishëm në kufizimin e përhapjes së viruseve vetëm pasi një pjesë e madhe e popullsisë ishte imune ndaj virusit. Duket se, të paktën tani, mungesa e imunitetit të popullatës tejkalon çdo efekt që një klimë e ngrohtë perndryshe mund të ketë në infeksionet virale. 

Së dyti, studimet kanë treguar që rrezet e diellit dhe nxehtësia mund të çaktivizojnë virusin në sipërfaqet e kontaminuara relativisht shpejt. Sidoqoftë, kemi mësuar se mënyra kryesore e transmetimit për Covid-19 nuk është përmes prekjes së sipërfaqeve të ndotura. Përkundrazi, piklat qe dalin kur dikush kollitet, teshtin apo madje dhe flet, është mënyra kryesore e transmetimit. Për të shtuar shqetësimet, disa studime kanë sugjeruar që koronavirusi gjithashtu mund të transmetohet përmes aerosoleve, ose piklave të minuskulave që qendrojnë në ajër më gjatë se pikat e mëdha. Ky lloj transmetimi ka mundësi të ndodhë në hapësira të brendshme të ajrosur dobët që në përgjithësi nuk marrin shumë dritë dielli. 

E treta dhe më e rëndësishmja, kur bëhet fjalë për këtë virus, sjellja njerëzore. Ajo zëvendëson faktorët e mëparshme. Virusi ka tendencë të përhapet më së miri gjatë kontaktëve të afërta, person-me-person për periudha të zgjatura, veçanërisht në hapësira të mbushura me njerëz dhe zona me ajër të dobët dhe në vendet ku njerëzit flasin me zë të lartë, duke bërtitur, apo edhe duke kënduar. Një gjë që ne priremi të bëjmë gjatë motit të nxehtë është të futemi brenda hapësirave me ajër të kondicionuar dhe të ftohur, duke e bërë atë shumë më të lehtë për përhapjen e virusit.

Pra, ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë dy faktorët e parë, për të kufizuar transmetimin, duhet të përpiqemi të shmangim kalimin e periudhave të zgjatura kohore në vende të tilla. Nëse kemi nevojë për të hyrë në këto vende, perdorimi i mbulesave të fytyrës dhe maskave; mbajtja e një distancë të mirë, dhe praktikimi i higjenës së duarve janë akoma mënyra efektive për të mbrojtur nga infeksionet. Mbi te gjitha, distanca fizike do të mbetet arma jonë më e mirë gjatë verës, për të ngadalësuar ose parandaluar përhapjen e Covid-19. Pra, vazhdoni me mbulesat e fytyres ose maskat dhe nëse është e mundur, mbani distance 2 ose më shumë metra!

** Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. Pashko Camaj, Koronavirusi, Moti ngrohte

ACAR…

July 15, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi


Më të lashtë se toka nuk ka, ose kështu duket. Pa tokën ne nuk do të ishim. Të fshehtat që ajo mbulon nxitIn imagjinatën. Toka nuk është thjesht fragment i historisë së vdekur, por shtresë mbi shtresë ajo përmban fletët e një libri – poezia i ngjan gjetheve të pemës, që paraprijnë lulet dhe frutat – jo tokë fosile, por një tokë e gjallë; ku jeta shtazore dhe bimore është thjesht në varësi të saj. Dhe jo vetëm ajo, por edhe institucionet e ngritura mbi të janë plastike, si balta në duart e poçarit; grykat që zgjatohen e ngushtohen i ngjajnë manipulimeve dhe mashtrimeve – fati i tyre varet nga poçari. Metalet mund të shkrihen dhe të derdhen në gjithfarë formash, por kurrë nuk do të jenë më të bukura sesa në format e krijuara me dheun e shkrifët.Vetëm njeriu është aq fodull sa të thotë se është i pavarur, dhe toka qesh duke i hapur udhën të kalojë pa u ndjerë. Kur njeriu mbyll sytë ai nuk e di se mbyll çdo rrugë përpara vetes, duke lënë të vetmen dalje, që është kthimi prapa në dhe, ku ka gjithë përjetësinë të lexojë fletë pafund të historisë së tokës, por atëherë është vonë.Nga ana tjetër, që nga kohërat më të lashta, jo vetëm në këto brigje, por në çdo kodër dhe fushë, në çdo shpellë e zgavër, acari del nga toka si një i përgjumur i përtërirë dhe kërkon detin me valë, ose migron në klima të tjera në re. Dhe shkrirja me retë e buta është më e pranueshme se sesa goditja dërmuese me çekiç – apo rëndimi me dhe – njëra e tret, tjetra e thyen acarin në copa.

Filed Under: ESSE Tagged With: Acar, Astrit Lulushi

JO, JO, NUK HARROHET ÇAMËRIA!

July 15, 2020 by dgreca

SALI BOLLATI — ÇAM SHQIPTARO-AMERIKAN, I MBIJETUAR I GJENOCIDIT GREK TË 1944-  JO, JO, NUK HARROHET ÇAMËRIA!/

                                                 Nga Frank Shkreli/ Lexoje-https://gazetadielli.com/jo-jo-nuk-harrohet-cameria/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgÇdo vit në Qershor, Çamët kudo që gjënden në botë, përfshirë komunitetin çam në Shtetet e Bashkuara, kujtojnë viktimat e masakrës së vitit 1944, kur forcat e gjeneralit famëkeq grek, Zervës kanë ekzekutuar barbarisht mijëra shqiptarë përfshirë gra, pleq e fëmijë nga qyteti i Paramithisë në Çamëri. Kjo masakër njihet si njëra prej masakrave më të mëdha dhe më çnjerëzore të Luftës së dytë Botërore, kur forcat terroriste greke të gjeneralit Zerva, brenda një nate, vranë e prenë një numër të madh shqiptarësh çam të atij qyteti.  Shifrat, në të vërtetë, janë tronditëse!  Sipas burimeve, brenda dy ditësh, janë masakruar dhe vrarë qindra njerëz të pafajshëm, kryesisht, gra, fëmijë e pleq.  Pas këtyre vrasjeve në qytetin e Paramithisë çame, shovinistët grekë vazhduan spastrimin etnik nepër fshatra dhe qytete të tjera të krahinës së Çamërisë shqiptare.  Sipas burimeve të besueshme, deri në mars të vitit 1945 janë vrarë rreth 2900 çamë, vetem e vetëm, se ishin shqiptarë.  Ndërsa të dëbuar nga shtëpitë e tyre, rrugëve, nga uria dhe sëmundjet mund të kenë vdekur rreth 4000 çamë dhe afër 40.000 të tjerë janë përzenë me një dhunë të egër, të paparë etnik-spastruese duke i dëbuar çamët nga shtëpitë dhe trojet e tyre mijëra vjecare.  Të uritur e të rraskapitur ata kanë arritur, më në fund, të hynin në Shqiperi.  Përfundimi tragjik ishte se për afërsisht 1/5 e popullësisë shqiptare e besimit mysliman çam u çfaros, ndërsa shqiptarëve çamë të besimit të krishter, ju ndalua kategorikisht përdorimi i gjuhës amtare. 

Nëse historia do ta cilësojë këtë tragjedi si një masakër të çamëve të pafajshëm, si një gjenocid, masakër a po diçka tjetër, kjo mbetet në duart e historianëve të vërtetë dhe të paanshëm evropianë dhe shqiptarë.  Por ajo që vihet re, nga viti në vit, përsa i përket kësaj tragjedie të vërtetë njerëzore të çamëve nga forcat greke, është vazhdimësia e hipokrizisë dhe mohimit nga ana e shtetit grek  se asgjë e veçant nuk ka ndodhur, se gjoja një masakër e tillë nuk ka ndodhur në Çamëri.  Por të çuditë edhe heshtja konveniente dhe vazhdueshme e autoriteteve shqiptare, nga viti në vit, për të kujtuar zyrtarisht këtë tragjedi, në një mënyrë ose në një tjetër — duke vazhduar në kështu politikën mohuese të regjimit komunist të Enver Hoxhës që nuk e përmendi tragjedinë çame për 45 vjet ashtu siç nuk përmendej as masakra e Tivarit, e mijëra shqiptarëve nga Kosova nga UDB-ja jugosllave me dijeninë dhe me ndihmën e Sigurimit të Shtetit shqiptar . Ndërkohë, autoritetet shqiptare këto 30-vjet post-komunizëm kanë mundësuar dhe lejuar ndërtimin e monumenteve në tokën shqiptare, kushtuar, “heronjve turq” të rënë në vendin e tyre, në mbrojtje të diktatorit Erdogan, ose varrezat greke dhe monumente të tjera në jug, ndërkohë që në veri të Shqipërisë gjithashtu vihet re prania e simboleve të ndryshme serbo-malazeze,ndërkohë që anë e mbanë trojeve shqiptare po fshihen gjurmët iliro-arbërore.  Tragjedia çame, si dhe i masakrat e tjera, siç është ajo e Tivarit, ndonëse janë larg vëmendjes së autoriteteve zyrtare shqiptare në  –Tiranë dhe në Prishtinë –dhe të “zbuluesve” të rinjë të të pazbulurave — ato mbahen mend dhe kujtohen në mendjen e popullit dhe të dëshmitarëve të gjallë, si krime kundër njerëzimit, sepse të tilla janë.  Prandaj, si krime kundër njerëzimit, ato nuk mund të harrohen dhe të konsiderohen, thjeshtë, vetëm si “padrejtësi historike”, kundër shqiptarëve. 

Fatkeqësisht, edhe sivjet kaloi edhe një përvjetor tjetër i masakrës së Çamërisë, pa u kujtuar siç duhet dhe pa u dënuar si një masakër dhe krim kundër njerëzimit.  Kjo tragjedi nuk harrohet kurrë nga një i mbijetuar i asaj masakre, miku im i shtrenjtë, mbijetuesi i asaj tragjedie, Z. Sali Bollati, ose “Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerikan, i Mbijetuar i Genocidit grek të 1944”, siç preferon të nënshkruaj mesazhet elektronike që më dërgon nga hera në herë.  Çdo vit, në një mënyrë ose në një tjetër, komuniteti çam në Shtetet e Bashkuara shënon, modestësisht, këtë përvjetor tragjik duke kujtuar viktimat e asaj tragjedie.  Unë jam shpesh në kontakt me Z. Sali, pasi kemi mjaft përputhje mendimesh mbi shumë gjëra që lidhen me historinë dhe fatin e Kombit tonë.  Para disa ditësh prej tij mora një letër që, Z. Sali i kishte dërguar Hirësisë së Tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, Kishë e cila është pasuese e Kishës së Fan Nolit, për pjesën jugore të kontinentit amerikan –me komunitete kishtare të veta në Argjentinë, Brazil, Kili dhe Uruguaj.

Si një i mbijetuar dhe dëshmitar i gjenocidit grek të 1944, në letrën e tij Z. Bollati falënderon Hirësinë e Tij Aleksandër, për Meshën dhe ceremoninë fetare me të cilën Hirësia eTij kujtoi më 27 Qershor, 2020, Martirët e Çamërisë Shqiptare të masakruar e vrarë me 1944 në Paramithi e të cilët kanë mbetur pa varre në Trojet Etnike Shqiptare.  Në mesazhin e tij falënderues drejtuar udhëheqsit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, Z. Bollati kujton ato ditë të vështira për shqiptarët e Çamërisë nga një përspektivë personale duke kujtuar emërat e më të afërmve të tij që janë masakruar nga forcat greke: “Në Ditën e fillimit të masakrave dhe vrasjeve të Shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët bizantinë grekë -27 Qershor 1944”, shkruan Bollati, “isha vetëm 7 vjecar, në vendlindjen time në Paramithinë Shqiptare.  Mbas masakrave dhe vrasjeve të gjyshit tim 82 vjecar, Imam Muharem Bollatit, gjyshes 72 vjeçare Ruhije Bollati, Babait 52 vjeç, Ibrahim Bollati, Nenës 36-vjeçare Betula Bollati, vëllait 13 vjeçar Ferhat Bollatit.  Vëllai tjetër 5 vjeçar Faruk Bollati vdiq në burgun kamp-përqendrimi së bashku me motrën 2- vjeçare Makbule Bollati.  Unë së bashku me motrën tjetër 9 vjeçare, Qerime Bollati;falë Zotit mbijetuam mbas 6 muajve në burgun e Paramithisë.  Ushtarët anglezë na transportuan tek Nëna Shqipëri.  Po ju rrëfej se të njëjtat masakrime e vrasje i vuajtëm bashkë me mbi 600 shqiptarë të pafajshëm çamë Paramithiotë dhe me mbi 2900 çamë shqiptarë të tjerë.  Ndërsa mbi 40.000 të tjerë u pritëm nga vëllezërit tanë në Shqiperinë Nanë”, i shkruan Sali Bollati, Hirësisë së tij Aleksandrit, udhëheqësit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, ndërkohë që e falkënderon, përzemërsisht, Kryepeshkopin për ceremoninë fetare që zhvilloi më 27 të qershorit 2020, në kujtim të viktimave të pafajshme të masakrës së Çamërisë të vitit 1944, në kujtim të atyre që ai cilëson si, “Tmerret që nuk harrohen” ka shkruar Z. Bollati.

Megjithëse ishte fëmij 7-vjeçar dhe ndonëse kanë kaluar 76 vjetë, Sali Bollati nuk e harron kurrë masakrën e Çamërisë, atë akt mizor, antinjerëzor shovinist ndaj njerëzëve, krejtësisht, të pafajshëm, kryesisht pleq e femijë”, kujton ai, duke nënvijuar falënderimet e tij më të thella për Peshkopin Aleksandër — të cilin e quan një “Pishtar të Shqiptarizmës së vërtetë” dhe “Përfaqsues i denjë i të nderuarit të madh Fan Nolit” — “Për veprën e tij të mishërimit të shpirtërave shqiptarë të Çamërisë Martire”, në ceremoninë e organizuar prej peshkopit, në kujtim të përvjetorit të masakrës së Çamërisë më 27 të qershorit që kaloi.

Fatkeqësisht, përvjetori i masakrës së shqiptarëve në Çamëri, përkoi sivjet me një fushatë denigruese që për pothuaj dy javë tani ka pre-okupuar opinionin publik shqiptar ndaj dy shkrimtarëve të mëdhej të Kombit Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, si rezultat i një studimi, që shumë analistë dhe komentues, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e konsiderojnë si shpifës.  Në vend që historianët dhe studiuesit dhe pretenduesit tanë shqiptarë që gërmojnë nga një arkiv ndërkombëtar në tjetrin për të “zbuluar” të bëmat dhe të pa bëmat –gjoja “tradhëtitë” dhe “bashkpunimin” e këtyre burrave të dalluar për kontributet shumë të çmueshme kombëtare, – do të kryenin një detyrë më të ndershme dhe më patriotikte po të angazhoheshin për zbardhjen e këtyre historive tragjike të Kombit shqiptar, siç janë, ndër të tjera, masakra e Çamërisë dhe masakra e Tivarit.  A nuk do të ishte më mirë që në përvjetorin e masakrës së Çamërisë – në vend që të këthehet kujtesa e regjimit të Enver Hoxhës dhe metodave të tija të zbulimit, me këto gjueti shtrigash ndaj ish-kundërshtarëve të tij politikë –studiuesit tanë të nderuar të ndërmerrnin studime apo punime– të jepnin një kontribut të vërtetë në historinë e Kombit duke realizuar, vërtetë, punime shkencore mbi këto masakra.  Si për shembull, të dilnin me një studim serioz, bazuar në burime të besueshme historike, vendase, rajonale dhe ndërkombëtare, mbi faktet historike të masakrës të shtatorit 1944, në Çamëri, në vend që të denigrojnë Martin Camajn dhe Ernest Koliqin, apostullit të përhapjes së mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare. 

Ka qenë shtatori i vitit 1941, kur — me një vendim të Ministrisë së Arsimit, në atë kohë, kur ministër i saj ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, u dërguan në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare ku flitej shqip, në Maqedoni e në Mal të Zi,  si dhe në Çamëri.  Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e tija në hapjen e shkollave shqipe dhe në realizimin e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare, që deri atëherë shtypej egërsisht nga okupatorët e trojeve arbërore.  

Frutat e atij akti, pothuaj 80-vjet më parë, janë sot të qarta, për të gjithë ata që duan të shohin: Kosova e lirë, shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 120 shtete dhe shpresojmë siç thonte dikur Dr. Ibrahim Rugova, në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara.  Janë dëshirat e shfaqura të qindra mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, një ringjallje e një krenarie kombëtare dhe të identitetit kombëtar, shpresojmë për shekuj të shekujve.  Pasi jemi duke kujtuar Çamërinë martire, nga ato që dimë, konstatohet se me urdhër të Ernest Koliqit në Çamëri janë hapur në atë kohë, shkollat shqipe në rrethin e Filatit, Gumenicës, Margëlliqit e Paramithisë.  Por do të donim të dinim edhe më shumë për këto shkolla dhe sidomos edhe për kontributin e misionarëve të parë të përhapjes së kulturës dhe të gjuhës arbërore, të cilët u dërguan në Çamëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, nga ky “poliagjenti” dhe “kolaboracionisti” Ernest Koliqi.  

Unë jam i sigurt se, me këtë rast, edhe miku i imi nderuar, Z. Sali Bollati-Çam Shqiptaro-Amerikan, i Mbijetuar i Gjenocidit grek të 1944, do të ishte shumë më i kënaqur nëqoftse dikush do të jepte një një kontribut të tillë historik dhe kombëtar, pikërisht, në këtë përvjetor të masakrës së Çamërisë, në vend që të denigrojnë, me metoda enveriste, dy nga personalitet e njohura të Kombit.  Kjo do të ishte mënyra më e ndershme dhe më njerëzore për të kujtuar viktimat e pafajshme të krimeve greke në Çamëri, në këtë përvjetor të masakrimit të shqiptarëve çamë, por dhe në çdo përvjetor tjetër në të ardhmen. 

Sali Bollati i mbijetuari i masakrës çame në paradën vjetore të shqiptaro-amerikanëve në Manhatan të Nju Njorkut

Sali Bollati nga Çamëria me Frank Shkrelin nga Malësia, në Kuvendin e qytetit të Nju Jorkut, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, Nëntor, 2019.  Kështu i duam të gjithë shqiptarët, kudo dhe pa dallim:Të bashkuar, në gëzime dhe në hidhërime, për një të ardhme të përbashkët kombëtare, më të ndritur!

Më poshtë një urim dhe mesazh tepër domethënës i Kryepeshkopit Aleksandër i Shqiptarëve, udhëheqsit shpirtëror të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, me rastin e Ditës së Pashkëve drejtuar të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës dhe pa dallim feje a krahine: 

Krishti u Ngjall!  Me zemër ju uroj Gëzuar Pashkët, Vllëzër dhe Motra dhe Miqtë  e mi Shqiptarë Ortodoksë dhe të gjithë atyre që e festojnë ketë ditë, kudo që gjindën, e për shumë vjet! Urime e paqë bekim dhe dashuri në familjet tuaja.

Përfitoj nga rasti për të përshëndetur me dashuri të gjithë Myslimanët, Bektashianët, Agnostikët, Ateistët dhe të Krishterët, Vëllezërit e mi të gjakut: Urimet më të mira për të gjithë ju! Paqë, lumturi e begati gjithmonë! Rofshin të gjithë Shqiptarët në të gjithë botën, pa dallim Feje! ️Në Lavdinë e Kombit tonë Shqiptar, përgjithmonë! ️Rroftë Shqipëria Etnike! I Lirisë se Ilirisë. Autoktonus!  Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

Kryepeshkop +Aleksander i Shqiptarëve, Bir i Shqiponjës! (Marrë nga portali i Kryepeshkopit)

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Jo Jo, nuk harrohet Cameria, Sali bollati

FLET PËR DIELLIN DEPUTETJA E LDK:KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19-

July 15, 2020 by dgreca

Rrezarta Krasniqi, Deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, Anëtare e Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin e Kosovës në betejën ndaj Covid-19 dhe masat e jashtëzakonshme që po merr qeveria në përballimin me sukses të situatës. Me deputeten Rrezarta Krasniqi bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

KOSOVA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Pandemia e cila ka prekur gjithë botën Covid-19 ka lënë pasoja të mëdha, si në ekonomi ashtu edhe në shoqëri. Tek ne aktualisht gjendja me virusin korona është nën kontroll dhe po menaxhohet mirë nga institucionet e vendit, me gjithë shtimin e rasteve të infektimit nga ky virus përgjatë javëve të fundit që ka arritur në total 5,118 të infektuar, prej tyre 2,370 persona tashmë janë shëruar, ndërsa fatkeqësisht 108 deri më tani kanë vdekur si pasojë e Covid-19.

MASAT QË PO MERR QEVERIA E KOSOVËS

Me rritjen e numrit të infektuarve me virusin Covid-19, Qeveria e Republikës Kosovës në bashkëpunim edhe me Kuvendin e Kosovës dhe organet lokale, tashmë kanë marrë një serë masash kufizuese, për të ndaluar përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19, duke nisur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në qytetet me numër të madh të infektuarve si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Vushtrri, Fushë Kosova, Mitrovica Jugore dhe Mitrovica Veriore, prej 21:00 deri në 5:00, pastaj kufizimin e lëvizjes në nivel vendi për personat mbi moshen 65 vjeçare, të cilët kanë liri të lëvizjhes vetëm në dy orare, 05:00 – 10:00 dhe nga 18:00 – 21:00, bartja e maskave dhe mjeteve tjera mbrojtëse është bërë obligative, janë mbyllur çerdhet dhe parqet, janë ndaluar tubimet në më tepër se pesë persona, është pezulluar puna e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve si dhe janë pezulluar ceremonitë fetare. Këto janë disa prej atyre vendimeve që së fundmi organet drejtuese të vendit i kanë marrë me qëllim të ndalimit të përhapjes së virusit.

HAPJA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE

Qeveria e Republikës Kosovës në koordinim të vazhdueshëm me këshillin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 po e përcjell gjendjen në nivel vendi dhe deri më tani siç e ceka edhe më herë, situata është nën kontrollë dhe e menaxhueshme. Për rihapjen e çerdheve, shkollave dhe universiteteve, sigurisht se do të merren për bazë edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe do të vendoset po ashtu edhe në bazë të situatës epidemiologjike. Pra është ende herët të thuhet se çka do të ndodh, dhe nuk mund të jap një përgjigje hipotetike.

RIMËKËMBJA EKONOMIKE NË KOSOVË

Ekonomia e vendit ka ndjerë dëme të mëdha përgjatë këtyre katër muajve të përballjes me pandeminë Covid-19. Ende nuk është bërë një kalkulim total për të parë dëmet, por llogaritur edhe nga kryerja e obligimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, vërehet se ka një rënie të konsiderueshme te të hyrave, që nënkupton dhe dëmtim i bizneseve dhe ekonomisë së vendit. Marrë parasysh situatën reale në vendin tonë dhe duke ditur se virusi vazhdon të jetë i pranishëm, Qeveria e Kosovës ka hartuar një pako të Rimëkëmbjes, e cila do të ndikojë direkt në forcimin e ekonomisë dhe bazuar në vlerësimet e ekspertëve financiar, Kosova do të arrijë ta rimarrë vetën brenda këtij viti në aspektin ekonomik. Një prej veprimeve të rëndësishme në këtë drejtim nga ana e institucioneve është edhe ai i lejimit të tërheqjes së kurismeve pensionale nga Trusti, në vlerë prej 10%, vendim ky që është pritur mjaft mirë nga qytetarët dhe pritet të hy në fuqi brenda pak ditësh. Po ashtu është planifikuar edhe ndarja e granteve dhe subvencioneve të ndryshme, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë

KOSOVA DHE GJYKATA SPECIALE

Të gjithë qytetarët e vendit janë krenarë me atë çfarë ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dihet qartë roli i UÇK-së në luftën me Serbinë, pra ka qenë për të ruajtur vendin, pragun e shtëpisë. Ne besojmë në pastërtinë e UÇK-së.

MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA

Shqiptarët janë populli më fisnikë dhe bujarë. Ne kemi ditur të ruajmë identitetin tonë dhe duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në këtë drejtim. Kur jemi të bashkuar, jemi më të fuqishëm. Shqiptarët duhet ruajtur dashurinë mes vete si dhe respektin për atëdheun dhe para ardhësit tanë, që bën aq shumë sakrificë për të ruajtur identiteton tonë, prej shqiptari. Për fund me lejoni të shpreh falenderime ndaj gjithë diasporës shqiptare në mbarë botën, për angazhimet dhe kontributin e tyre. Ju faleminderit.

Filed Under: Featured Tagged With: Deputetja, Kosova COVID-19, Rezarta Krsaniqi, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË JAPONI DHE BETEJA E SHTETIT AZIATIK NDAJ COVID-19

July 15, 2020 by dgreca

Erjol Muharrem, inxhinjer në Tokio, Japoni, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, shtetin Japonez në betejën ndaj Covid-19. Me Erjol Muharrem bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

JAPONIA NË BETEJËN PËRBALLË COVID-19

Në fakt të them të drejtën Japonia ishte një nga vendet që mori masa shumë me vonesë ndërkohe që e gjithë bota po mbyllej disa javë përpara se shteti japonez të merrte masa për gjendjen që tashme ishte e qartë një rrezik për te gjithë. Edhe pse Japonia ndodhet afër Koresë dhe Kinës që arritën shumë shifra të larta infektimi, në fillim të infektuarit ishin në anijen Diamond Princess, edhe tani që flasim Japonia ka nivelin më të ulët të infektuarave dhe vdekjet të shkaktuara nga virusi covid se çdo vend tjetër i zhvilluar si Britania e Madhe apo dhe Amerika. Shifrat në Japoni tregojnë për një raport 40 herë më pak se USA dhe 70 herë më pak se UK. Japonia është një nga vendet që ka shumë fatkeqësi natyrore rregullisht nga tërmete tsunami, përmbytje etje dhe gjithmonë ka patur shumë dëme ekonomike dhe njerëzore por gjithmonë ka qenë në gjëndje të përballoje dhe të jetë gati në raste të tilla. Për sa i përket gjendjes se virusit si të gjithë ishin të pa përgatitur dhe disa masa në fillim ishin amatoreske si shpërndarja e 2 maskave për familje që u bë dhe nam për kryeministrin Abe që u quajt ABE MASK. Pavarësisht gabimeve qeveria japoneze premtoi të ndihmojë familjet duke dhënë 100,000 yen ekuivalent rreth 1000 dollarë për çdo njeri gjithashtu duke përgatitur paketa ndihmuese për bizneset. Dhe një nga arsyet pse Japonia nuk mundi të vepronte menjëherë është sepse shteti nuk mund të mbyllë popullin brenda me detyrim siç bënë shumë vende në botë për shkak të një ligji pas luftës së dytë botërore lidhur me të drejtat e njeriut. Por edhe si shteti  mikpritës i lojërave olimpike, për qeverinë ishte vendim shumë i vështirë për ti anuluar këtë vit.

SHIFRAT SPECIFIKE NË JAPONI

Arsyeja pse Japonia ka një nivel të ulët infektimi është sepse njerëzit këtu kanë një kulturë lidhur me përdorimin e maskave por dhe prekja fizike përqafime apo takime. Përdorimi i maskave kryesisht në Japoni përdoret nga njerëzit që janë të sëmurë që mos infektojë të afërmit apo dhe bashkëpunëtorët në zyrë flasim përpara se të ndodhte shpërthimi i COVID19. Shumë kompani po marrin masa për të mos lejuar shpërndarjen e virusit si përgatitje e alkoolit në çdo hyrje të biznesit apo dyqan, matja e temperaturës dhe maskat edhe pse duken masa të thjeshtë besoj ndihmon në uljen e rrezikun e infektimit të popullatës prej Covid-19. Deri më tani nuk ka ndonjë lajm zyrtar për sa i përket ndonjë metode specifike për të luftuar virusin në Japoni, e vetmja mënyre që tani shoh është që njerëzit të jenë më sensibilizues dhe të kujdesshëm në maksimum. Rreth vështirësisë se pse Bota po has vështirësi në gjentjen e vaksinës për virusin mund të aludoj se mund të ndoshta dikush ka planifikuar dhe të mbikëqyrë deri ku njeriu mund të shkojë, kë komb do zërë paniku më shumë ose vaksina ekziston por dikush po përfiton nga kjo situatë. Përveç një beteje mjeksore, do thoja se po bëhet ehd enjë gara për para. Japonia gjithmonë ka përballuar vështirësi të mëdha dhe situata në të cilën ndodhemi është një nga ato situata që jam i sigurtë që çdo gjë do rregullohet dhe e ardhmja e Japonisë do jetë e sigurtë. Bota do ta marrë shumë shpejt veten.

SHQIPTARËT DHE MODELI JAPONEZ I LUFTËS NDAJ COVID-19

Modeli i Japonisë për të luftuar virusin nuk është një model që mund të kopjohet besoj, sepse është në kulturën dhe traditën e japonezëve të sensibilizohen dhe të respektojnë ligjet apo dhe njëri-tjetrin. Gjithashtu disa kompani përfshirë dhe kompaninë ku jam unë ka filluar një model me staf të reduktuar dhe prerje rroge prej 10% në rastet kur nuk shkojnë personeli në punë. Për momenti nuk ka vende specifike për të bërë testin e virusit përveç spitaleve dhe aeroporteve në pikat hyrëse dhe dalëse të shtetit. Fatmirësisht nuk kam dëgjuar për personat shqiptarë që jetojnë në Tokio të jenë infektuar apo të kemi pasur humbje jete. Është një lajm i mirë për shqiptarët e paktë që jetojnë e punojnë në Japoni. Me keqardhje them se dhe Ambasada nuk ka bërë asgjë në lidhje me ndonjë mesazh sensibilizimi apo ndonjë ndihmë specifike në lidhje me komunitetin tonë. Aktiviteti diplomatik ka qenë i vakët.

MESAZH SENSIBILIZUES PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Diaspora në Amerikë ka qenë gjithmonë model frymëzimi për shqiptarët në shtetet e tjera. Dielli dhe Vatra janë institucione shqiptarie të kristaltë. Sot gjendemi globalisht në situatë të vështirë. Uroj të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, jetojnë, punojnë e studjojnë jahstë vëndit që ta kalojnë pa probleme këtë situatë të jahstëzakonshme. Ne jemi mësuar me vuajtje e vëhstirësi si komb. Do tja dalim. Për të gjithë shqiptarët ku do që jeni besoj që ne kemi kaluar shumë vështirësi në vendin tonë Shqipëri por gjithmonë kemi zjarr dhe fuqi në zemrat tona për të qenë të suksesshëm dhe për të përballuar çdo vështirësi. Pas këti jmomenti na pret një e ardhme më e mirë. Kjo është një nga ato situata ku jemi të gjithë në vështirësi dhe duhet të respektojmë dhe të jemi më të mirëkuptueshëm dhe më të dashur kundrejt të tjerëve. Ju uroj të gjithëve shëndet dhe mos u dorëzoni, do e kalojmë te gjithë s’bashku këtë vështirësi. Me kujdes dhe sakrificë do ta kalojmë këtë të keqe kërcënuese. Zoti  i bekoftë shqiptarët kudo gjenden.

Filed Under: Featured Tagged With: Erjol Muharrem, Japoni, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT