• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

BISEDE ME Z. MARTIN VULAJ, ISH-DREJTOR I KKSHA

July 10, 2020 by dgreca

Vulaj: Europa e ka manifestuar tendencën pro serbe si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Tërheqja e amerikanëve nga njëra anë dhe arsyetimi me aktakuzat ndaj UÇK-së në anën tjetër, mund t’i shërbejnë europianëve si mbulesë për t’i mundësuar Serbisë hyrjen drejt Evropës…

Nga Rafaela Prifti/

-Shkrimin tuaj të publikuar para pak kohe me titull “Rreziqet Përpara”, ju e hapni me fjalët: Kosovës po i kanoset një ciklon i vërtetë politik. A mund ta përshkruani këtë ciklon si e shikoni ju? A e kemi përjetuar diçka të tillë më parë në historinë tonë?

-Kushtet e këtij cikloni konsistojnë në tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të
acaruara nga mbarëvajtja e procesit dhe rrëshqitjen e Kosovës në duart e një Europe tradicionalisht pro serbe, këto të dyja të kombinuara me ngritjen e aktakuzave ndaj UÇK-së çka iu dhuron europianëve edhe një mbulesë morale.
Europa e ka manifestuar tendencën pro serbe si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Tërheqja e amerikanëve nga njëra anë dhe arsyetimi me aktakuzat ndaj UÇK-së në anën tjetër, mund t’i shërbejnë europianëve si mbulesë për t’i mundësuar Serbisë hyrjen drejt Evropës dhe njëherit shansin për t’u arsyetuar përse po i pengojnë shqiptarët të ecin përpara. Në këtë rast ata e lënë Kosovën në një geto politike dhe i përdorin shqiptarët për të amortizuar influencën e Turqisë në Evropë. Unë nuk pretendoj se kjo do të ngjasë por në këto momente, shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të përqiqen ta parandalojnë këtë variant që është realisht krejt i mundshëm. Për sa i takon rasteve të ngjashme në histori, mund të
përmend konferencën e Berlinit kur Serbia, Mali i Zi dhe Greqia ngritën
pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, dhe pa pjesëmarrje të njëmendtë nga pala shqiptare, gjysma e trojeve u copëtuan. Sot aktakuzat kundër UÇK-së dhe luftërat e brendshme politike midis shqiptarëve e kanë dobësuar procesin negociator nga niveli ku duhej të ishte dhe kanë amplifikuar mundësinë që fati i Kosovës të vendoset nga Fuqitë e Mëdha pa pjesëmarrjen e plotë të shqiptarëve.

-Duke dhënë përshkrimin e ciklonit apo shtrëngatës, a keni synuar të jepni një sinjal alarmi të cilin nuk e kanë ndjerë sa duhet politikanët, apo diaspora? Apo të dyja këto bashkë?

– Po!  Kemi arritur në një pikë kritike, ku duhet të sigurojmë pjesëmarrjen e
vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara si edhe hartimin e një strategjie të
njësuar kombëtare. Përndyshe rrezikojmë që çështja e Kosovës të lihet pas dore pafundësisht në rastin më të mirë ose të ketë pasoja të padëshirueshme në rastin më të keq.

-Pak ditë përpara takimit midis Ambasadorit Grenell dhe disa përfaqësuesve të komunitetit në fund të muajit qershor, ju ripublikuat një artikull shkruar nga ju për rolin e diasporës, i botuar për herë të parë në 2013. Aty shtuat një koment se duhet të jesh pjesëtar në proces që të arrish të ndikosh mbi procesin. Kur unë ju pyeta nëse diaspora duhet të jetë pjesëtare në bisedimet që do të mbaheshin në Uashington në fund të qershorit, ju thatë se “deri tani nuk ka luajtur rol konstruktiv.” A jeni i këtij mendimi sot?
 
– Diaspora ka dhënë kontribut gjatë gjithë historisë por tradicionalisht ka mbajtur qëndrim konservativ ose ekstrem. Kështu ndodhi edhe para pak kohe me kritikën e ashpër ndaj procesit negociator dhe administratës. Shumë individë janë pozicionuar madje pa pasur asnjë komunikim me administratën dhe pa pasur njohuri për vetë procesin. Nuk mendoj se kjo ka sjell dobi. Megjithatë, dëshiroj që diaspora të jetë pjesëtare në proces qoftë edhe për ta kuptuar më mirë realitetin e procesit dhe prej andej t’ia transmetoj këtë mbarë diasporës sonë. Për këtë, diaspora do duhej të informohet më mirë dhe ta vendosë pozicionin e vet nisur nga ky informacion dhe jo nga paniku dhe manipulimet.

-A ka pasur reagime për shkrimin tuaj? Çfarë ju kanë thënë politikanët, aktivitstët e bashkësisë?  
– Reagimet kanë qenë pozitive dhe këndvështrimi im i paraqitur aty është
vlerësuar. Kam biseduar me disa politikanë jashtë për ta përforcuar pikën
kryesore. Koncepti ka fituar përkrahje por druaj se interesat partiake do
vazhdojnë të dominojnë mbi ato kombëtare.
-Qeveria e Kosovës krijoi Këshillin e Ekspertëve muajin e kaluar për të cilin
kriktikët thonë se është një shtesë tjetër burokratike. A e shihni se mund të
angazhohet në proces? Për bisedimet Kosovë Serbi, një nga rekomandime tuaja është krijimi i një Ekipi Unik Negociator? Si do të dukej ky ekip?

– Këshilli i Ekspertëve kryen funksione konsultuese dhe u krijua nga zyra e
Kryeministrit për t’i dhënë mundësi të përftojë nga përvoja dhe ekspertiza në fusha të ndryshme. Ky organizëm nuk ka kompetenca vendim-marrje. Unë sugjerova krijimin e një ekipi negociator që përfaqëson partitë e mëdha shqiptare në parlament, dhe ku secili përfaqësues është pjesëmarrës në vendim- marrje. Krijimi i këtij organizmi sjell stabilitet politik pa zgjerim të qeverisë.
Në këtë moment maxhoranca qeveritare (61 nga 120 vota) është e brishtë dhe delikate ndaj presioneve. Pjesëmarrja e partive politike në ekipin negociator efektvisht e zgjeron qeverinë duke shangur makinacionet politike për ta rrëzuar atë, dekretimin e VV si fituese e zgjedhjeve të fundit për të krijuar qeverinë e re, pritjen për tu përmbushur afatin kohor sipas Kushtetutës dhe kalimi i kompetencave tek partia tjetër për të krijuar qeverinë. Shumë humbje kohe kur nuk kemi kohë për të humbur, Përfshirja e opozitës me të drejtë vendim-marrje në ekipin negociator krijon stabilitetin e nevojshëm politik për të çuar përpara dhe njëherit rrit besimin dhe kredibilitetin e procesit në sytë e popullit.

-Ambasadori amerikan Frank Wisner, ish emisari i bisedimeve për statusin e Kosovës, e ka cilësuar situatën e krijuar si krizë politike dhe kushtetuese? Cili është komenti juaj?

– Mendoj se është krizë politike dhe jo konstitucionale. Deklarata shokuese
nga ana e Prokurorit Special praktikisht e ka lënë anash Presidentin dhe më së paku është bërë pengesë për bisedimet. Megjithëse nuk janë paraqitur formalisht aktakuzat, nuk ka shumë gjasa që bashkësia ndërkombëtare të ulet në bisedime me Presidentin derisa çështja të qartësohet dhe ndërsa maxhoranca e qeverisë është shumë e pakët. E gjitha kjo krijon paqëndrueshmëri politike që duhet të tejkalohet për t’i hapur rrugën Kosovës të ecë përpara. Gjithsesi, nuk është krizë kushtetuese.

-Ambasadorët amerikanë Frank Wisner and Nicholas Burns kanë shprehur
kundërshti për sa i takon mbajtjes së bisedimeve në Shtetet e Bashkuara duke argumentuar se kjo e thellon ndarjen midis Europës dhe Amerikës. Si mendoni ju?

– Z. Wisner and z. Burns janë diplomatë me shumë përvojë dhe besoj se e shikojnë këtë çështje nga një këndvështrim tradicional diplomatik. Faktet kane tregua” se midis Evropës dhe Amerikës ekziston ndarje e thellë për procesin e paqes në Kosovë. Shpallja e Prokurorit Special (i cili e pranoi se synonte të ndikonte tek bisedimet) mund të shihet si manifestim i dallimeve mes tyre. E vërteta është se Evropa e ka pasur në dorë këtë çështje qysh nga mbarimi i luftës në 1999.
Pas 8 viteve pa rezultat, ishte Amerika që doli përpara dhe e shpalli Kosovën të pavarur. Përsëri Evropa kryesonte në procesin e “dialogut” që nga viti 2011 pa hapa të dukshme përparimi. Edhe pasi Kosova i përmbushi të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, Evropa nuk e mbajti fjalën as për atë. Në mënyrë konsistente Evropa është treguar e pazonja kur vjen fjala te zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe për ta mundësuar atë të ecë përpara drejt të ardhmes evropiane, Prandaj, pa pasur Amerika vendin drejtues ky proces nuk shkon askund.

-Z. Harry Bajraktari ka bërë thirrje për ta shpërndarë Gjykatën Speciale të Kosovës duke e quajtur humje kohe, burimesh dhe për ndërhyrje në procesin politik? Ç’mendim keni ju?
 
– Harry Bajraktari është aktivist, protagonist dhe investues në Kosovë. Ai
është një nga njerëzit më të rëndësishëm të bashkësisë sonë për çështjen e
Kosovës dhe shumë të tjera. Thirrja e tij është shfaqje e acarimit me
mënyrën sesi e ka trajtuar bashkësia ndërkombëtare çështjen e Kosovës dhe reflektim i padrejtësisë së papranueshme me të cilën shihet dhe trajtohet Kosova. Mendo për një moment se kur të paraqiten aktakuzat nga Gjykata Speciale, numri i kosovarëve të akuzuar për krime lufte është shumë më i madh sesa i serbëve. Kjo është e paimagjinueshme dhe e paarsyetueshme!
Shqiptarët duhet të bëhen bashkë dhe të hartojnë një strategji kombëtare për këtë situatë dhe për të dalë prej saj. Evropa gjthmonë i ka favorizuar serbët ndërsa i ka parë shqiptarët me skepticizëm. Ne mund të gjendemi në një situatë ku europianët e kanë gjetur justifikimin për tu dhënë dorën serbëve dhe shqiptarët t’i lënë në një geto politike për t’i pasur si mburojë ndaj influences së Turqisë në Evropë. Prandaj mendoj se shqiptarët duhet t’i mbajnë parasysh të gjitha variantet e mundshme por mos të nguten.
Shqiptarët duhet t’i kuptojnë mirë pasojat që mund të sjellë çdo hap që hedhin përpara se të marrin një vendim dhe mbi të gjitha, të mos e rrezikojnë marrëdhënien me Amerikën. Nëse ka një rrugëzgjidhje, ajo kalon nga Uashingtoni.

-Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit do mbajnë takim të kryesuar nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ambasadori Grenell ka publikuar këtë deklaratë: Jemi të kënaqur që Evropianët do organizojne takim me 10 korrik per bisedime te metejshme me Kosoven dhe Serbine. Çfare prisni ju nga takimi zoti Vulaj?

– Fakti qe takimi po mbahet ne nivelin e Makronit dhe Markel eshte diçka pozitive por historia e Evropes me Kosoven me ben te ndihem skeptik. Besoj se per te rikthyer besimin tek procesi dhe per te arritur sukses, duhen realizuar kater pika:

1. Miratimi i liberalizimit te vizave. Çeshtja e vizave nuk eshte e lidhur me dialogun por do jepte nje sinjal te qarte se Evropa ka marre drejtim serioz dhe te koordinuar.

2. Nderrimi i synimit te dialogut nga “normalizimi i marredhenieve” ne “njohje dypaleshe”. Kjo do harmonizonte pozitat e Evropes dhe Amerikes ashtu si paraqitet ne dy letrat e Presidentit Trump drejtuar presidenteve te Kosoves dhe Serbise. Me kete sigurohet edhe mundesia qe Kosova te arrije shtetesine e vet dhe te mund te integrohet ne NATO dhe OKB dhe eventualisht ne BE. Me formatin e tanishem kjo nuk eshte e qarte. Ne fakt, ka mundesi qe formati aktual te mundesoje Serbine qe te plotesoje artikullin 35 te kerkesave te BE dhe t’i jape dore Serbise te ece perpara dhe potencialisht te lere Kosoven aty ku eshte sot.

3. Evropa duhet të kerkoje nga 5 vendet anetare te BE-se qe nuk e njohin Kosoven qe t’i japin siguri se ato do ta njohin ose, se, te pakten, do te abstenojne nga procesi, qe te mos te behen pengese siç kane qene deri me sot edhe per çeshtjen e vizave.

4. BE duhet te jape nje program per bisedimet, ku paraqiten çfare pritet nga takimet ne momentin kur fillojne dhe te shmangen sorrollatjet e panumerta qe kane ndodhur me proceset e kaluara europiane.

Mendoj se te kater pikat jane shume te realizueshme dhe do te siguronin jo vetem besim tek procesi por edhe suksesin e tij. Pa u ndermarre keto veprime, kam ndjenjen se do hyjme edhe nje here ne rruge pa drejtim ku nuk ka as rezultate te qarta dhe as afate kohore. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Martin Vulaj, Rafaela Prifti

Shëndet

July 10, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Njeriu i ngjan atij që ka humbur në pyll. Ndjen uri e rraskapitje dhe ulet rrëzë një peme. Vetmia e tij lehtësohet nga iluzionet. Për shkak të dobësisë trupore e të mendjes imagjinata e rrethon, ndërsa beson se çfarë sheh është realiteti. Kur shëndeti na lë, ne kërkojmë mbrojtje nga një shoqëri e ngjashme ëndërrash zgjuar dhe kuptojmë se kurrë nuk jemi vetëm, si në mot të ftohtë, kur Dielli duket se bëhet dy, por vetëm pjesa që ngroh është e vërtetë.
E keqja është larg nga të qenit vetëm.
Pafajësia dhe dobia e Natyrës – dielli, era, shiu, vera, dimri – janë shëndet dhe një gëzim të tillë njeriu e përballon, sepse e gjithë natyra preket, shkëlqimi i diellit venitet, erërat psherëtijnë njerëzishëm, retë bien lotë, pyjet derdhin gjethet dhe një perde zie bie në mes të verës.
Cila është pilula që e mban njeriun mirë, të qetë, të kënaqur? Mjekësia natyrale, e cila ka mbajtur veten gjithnjë të re, ka mbijetuar aq shumë herë, duke u ushqyer me barëra të skaduar dhe ajër të mëngjesit.
Një shkop rreth të cilit një gjarpër, përdoret si simbol i mjekësisë. Sipas mitologjisë, ati i mjekësisë ishte Aesculapius, që kishte dy bija Higjenën perëndeshë e shëndetit; dhe Panaceian perëndeshë e shërimit ose pacientit. Por ishte Hebe a Juventas, bija e Zotit – mbajtësja e kupës prej së cilës Perënditë kishin besim të pinin barërat a barnat për t’u rinuar – e vetmja zonjë plotësisht e shëndetshme që shëtiste globin, dhe kudo që ndalej ishte pranvera.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Shëndet

KOSOVA, TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA NË DIALOGUN ME SERBINË

July 10, 2020 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti  dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në konferencë virtuale – Samitin e Parisit organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel/

-Fjalimi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën virtuale të Samitit të Parisit/

PRISHTINË, 10 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur sot në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, sot nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili dje takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 Korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, sipas njoftimeve të fundit ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 Korrik.“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.

FJALIMI I PLOTË I KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, AVDULLAH HOTI SOT NË KONFERENCËN VIRTUALE TË SAMITIT TË PARISIT:

Samiti i Parisit

10 korrik 2020

(nëpërmjet video-konferencës)

I nderuar President Macron,

E nderuar Kancelare Merkel,

I nderuar Përfaqësues i Lartë Borrel,

I nderuar Përfaqësues i Posaçëm i BE-së Lajcak,

I nderuar President i Serbisë Vuçiq,


Me kënaqësinë më të madhe e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë samit të dalluar, i cili tregon angazhimin e Bashkimit Evropian, si dhe të vendeve tuaja përkatëse, për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

Ky integrim mund të bëhet vetëm përmes promovimit të demokracisë, fuqizimit të sundimit të ligjit, si dhe vendosjes së paqes së qëndrueshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet vendeve tona në të gjitha rrafshet.

Më lejoni të theksoj që Republika e Kosovës mbetet fuqishëm e angazhuar ndaj fuqizimit të institucioneve demokratike të saj dhe sigurimit të rrugës së integrimit të saj në BE.

Mbështetja dhe sigurimi i pavarësisë së institucioneve të sundimit të ligjit qëndron në krye të angazhimit të qeverisë sime. Ndihma dhe këshillat e BE-së dhe të EULEX-it për institucionet tona vlerësohet gjerësisht.

Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë zbatimin e duhur të kritereve që janë të rëndësishme për të siguruar besimin e plotë të vendeve të BE-së ndaj angazhimit tonë për të avancuar sundimin e ligjit. Pikërisht në këtë drejtim edhe ju kërkojmë mirësisht që ta shqyrtoni kërkesën tonë për liberalizimin e vizave. Ne do të punojmë fuqishëm për të çuar përpara statusin e vendit tonë në integrimin në BE si kandidat potencial.

Kosova, krahas vendeve të tjera të rajonit, është goditur rëndë nga pandemia Covid-19. Më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë popullit të Kosovës për ta përballuar këtë situatë emergjente përmes institucioneve të BE-së, si dhe drejtpërdrejt përmes qeverive tuaja.

Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta përmbajtur përhapjen e virusit, si dhe për ta mbështetur ekonominë përmes një liste gjithëpërfshirëse të masave të rimëkëmbjes ekonomike.

Në këtë drejtim, mirëpresim nismën e BE-së për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor përmes projekteve të përbashkëta të mëdha, të cilat ndihmojnë në kapërcimin e krizës ekonomike dhe sigurimin e lidhjeve më të mira dhe më të ngushta ekonomike ndërmjet vendeve të këtij rajoni.

Z. President, zonja kancelare, z. Borell,

Në përputhje me përkushtimit të fuqishëm të vendit tim për paqe rajonale dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë përmes bashkëpunimit rajonal, ne sot kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe bashkëpunim të ngushtë me fqinjët tanë të parë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, si dhe në një gamë të gjerë partneritetesh rajonale.

Për Kosovën, marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë vazhdojnë të mbeten një çështje shqetësuese.

Ne kemi filluar procesin e dialogut në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Brukselit. Ne kemi arritur një numër marrëveshjesh. Ato marrëveshje që janë zbatuar kanë përmirësuar jetën e njerëzve në të dyja vendet.

Që nga fillimi i dialogut në vitin 2011, Serbia vazhdimisht ka ndërmarrë fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ka lobuar kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga shtetet e tjera. Këto praktika të dëmshme dëmtuan procesin e normalizimit të marrëdhënieve tona si dy shtete të pavarura.

Gjatë zhvillimit të dialogut, Serbia nuk ka treguar synime të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Përkundrazi, ajo e ka zgjatur procesin për të “blerë kohë” dhe për të vazhduar fushatat e saj kundër sovranitetit të Kosovës.

Praktika të tilla të ndjekura nga Serbia e kanë shtyrën Kosovën që të reagojë, siç ishte rasti i vendimit të qeverisë së mëparshme për vendosjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe.

Megjithatë, ne mbetemi të përkushtuar për një proces paqësor të normalizimit të marrëdhënieve tona, i cili mund të arrihet vetëm nëse Kosova dhe Serbia respektojnë shtetësinë e njëra-tjetrës.

Që nga fillimi, qeveria e porsazgjedhur e Kosovës është treguar përnjëmend vullnetmirë duke hequr të gjitha barrierat tarifore ndaj mallrave nga Serbia, para së gjithash për t’i dhënë një shans dialogut dhe për të arritur një marrëveshje përfundimtare detyruese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të përfundojë më njohje të ndërsjellë zyrtare ndërmjet dy vendeve.

Ne besojmë se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut. Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi si palë të barabarta.

Por, ne besojmë fuqimisht se dialogu duhet të ketë një afat kohor të qartë dhe një kornizë të vlerave dhe parimeve themelore që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Ne besojmë se suksesi i këtij procesi thelbësor duhet të udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:

1.      Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, meqenëse është premisa kryesore që qëndron në themel të Republikës së Kosovës dhe mbi të cilën ajo mbështetet fuqishëm. Çdo shkelje e këtij parimi bie ndesh me parimet dhe vlerat themelore të BE-së. Prandaj edhe është e papranueshme.

2.      Organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës nuk mund të preket, pasi që ai garanton funksionimin demokratik të autoriteteve, barazinë në përfaqësim dhe mishëron parimin e shtetit qytetar, jo të organizuar sipas linjave etnike. Prandaj, ndërhyrja në karakterin unitar të Republikës së Kosovës do të ishte mënyra më e lehtë për të çfunksionalizuar shtetin e Kosovës dhe për ta bërë atë të paqëndrueshme. Kjo nuk mund të ndodhë.

3.      Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, pasi që kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë legjitimitet një marrëveshjeje të tillë.

Objektivat

Bazuar në këto parime, Kosova do të angazhohet në dialog me objektiva të qarta mbi të cilat duhet të arrihet Marrëveshja:

1.      Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi Marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe për t’ua shtruar të dyja vendeve rrugën drejt integrimit në BE.

2.      Rezultati i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë gjithashtu detyrimi i BE-së për ta përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së.

3.      Anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

4.      Angazhimi për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi ynë dhe apeli ynë gjatë këtij procesi.

5.      Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmet e luftës, të vrarët, janë çështje që na shqetësojnë më së shumti në këtë proces. Nuk mund të ketë normalizim pa vënë drejtësinë në vend.

Në bazë të këtyre parimeve dhe objektivave, Republika e Kosovës është e gatshme të jetë partnere konstruktive dhe bashkëpunuese në dialogun për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.Ju faleminderit për vëmendjen!

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeministri Hoti, TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA NË DIALOGUN ME SERBINË

Doli nga shtypi libri “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire”.

July 10, 2020 by dgreca

Doli nga shtypi libri “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire, me parathënie nga Dr. Shan Zefi.
Bashkautorë: Av.Alfred Duka, Nikolin Kurti dhe Nikolle Loka; redaktore Marie Loka, korrektor letrar Gjergj Loka, Art Design Valbona Cako Petanaj, botim i shtëpisë botuese “Emal” nën kujdesin e botuesit të mirënjohur Astrit Muça.
Libri ka 344 referenca, nga të cilat burime të Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar; Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dosjes gjyqësore të Shtjefën Kurtit, fondit personal të familjes Kurti,140 librave dhe periodikëve, si dhe 16 dëshmive të mbledhura gjatë procesit të lumturimit të Tij nga Selia e Shenjtë.
Libri ka 490 faqe….

Filed Under: Kulture Tagged With: Dëshmitar i Kishës Martire, I Lumi Dom Shtjefën Kurti

Takimi i Brukselit Hoti-Vuçiq, javën e ardhshme

July 10, 2020 by dgreca

HOTI: Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë të barabartë… Por, ne fuqishëm besojmë se procesi i dialogut duhet të ketë një afat të qartë kohor dhe një kornizë të vlerave dhe parimeve themelore që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën evropiane të të dyja vendeve….Serbia nuk ka shfaqur synime të vërteta për normalizimin e marrëdhënieve./

VUCIC: “Pala shqiptare doli me kërkesa që i shënuam me kujdes. Ata kërkojnë ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, njohje të ndërsjellë, anëtarësim në Kombet e Bashkuara, që vendet e tjera të Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën dhe pastaj do të merreshin me të zhdukurit dhe çështjen e dëmeve. Nëse ky është thelbi, atëherë gjithçka është e pakuptimtë”, tha Vuçiq për Televizionin Pink të Serbisë…

Samiti i paralajmëruar për një kohë të gjatë nga Franca dhe Gjermania me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u zhvillua virtualisht të premten dhe kjo shënon vazhdimin e dialogut të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili u ndërpre në fund të vitit 2018.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se edhe takimi i 12 korrikut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, do të zhvillohet përmes një video-konference, kurse takimi Hoti-Vuçiq pritet të ndodhë më 16 korrik.

Hoti: Dialogu me afate të qarta kohore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në këtë samit tha se dialogu nuk ka alternativë, por shtoi se ky proces duhet të ketë afate të qarta kohore.

“Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë të barabartë”, tha Hoti.

“Por, ne fuqishëm besojmë se procesi i dialogut duhet të ketë një afat të qartë kohor dhe një kornizë të vlerave dhe parimeve themelore që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën evropiane të të dyja vendeve”, shtoi Hoti.

Kryeministri i Kosovës tha se gjatë procesit të dialogut, Serbia nuk ka shfaqur synime të vërteta për normalizimin e marrëdhënieve.

“E kundërta, ka prolonguar procesin për të ‘blerë kohë’ dhe për të vazhduar fushatën kundër sovranitetit të Kosovës”, tha Hoti, duke shtuar se veprime të tilla të Serbisë kanë çuar që autoritetet e Kosovës të ndërmarrin masa, siç ishte edhe vendimi i Qeverisë së kaluar të Kosovës për të vendosur taksë 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

Hoti tha se procesi i dialogut, në mënyrë që të jetë i suksesshëm duhet të udhëhiqet nga parime që sipas Hotit janë: Integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket, marrëveshja me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës si modaliteti i vetëm që do t’i jepte legjitimitet një marrëveshjeje të tillë.

Sipas Hotit, bazuar në këto parime, marrëveshja finale duhet të rezultojë me njohje reciproke dhe nëse kjo nuk ndodh, marrëveshja si e tillë, sipas kryeministrit kosovar nuk do të kishte sukses.

Sipas Hotit, personat e pagjetur dhe viktimat e çfarëdo forme të dhunës, dëmet e luftës dhe viktimat, janë shqetësimi kryesor i Kosovës në këtë proces, andaj ai shtoi se pa pasur drejtësi për viktimat nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve.

Hoti po ashtu përmendi që marrëveshja finale duhet të kontribuojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Bazuar në këto parime dhe objektiva, Republika e Kosovës është e gatshme të jetë një partnere konstruktive dhe bashkëpunuese në dialogun për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme”, konkuldoi Hoti.

Vuçiq: Kërkesat e Kosovës, të pakuptimta

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se video-samiti ka qenë i vështirë dhe se Serbia është e vetmja me qëndrime të ndryshme.

“Pala shqiptare doli me kërkesa që i shënuam me kujdes. Ata kërkojnë ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, njohje të ndërsjellë, anëtarësim në Kombet e Bashkuara, që vendet e tjera të Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën dhe pastaj do të merreshin me të zhdukurit dhe çështjen e dëmeve. Nëse ky është thelbi, atëherë gjithçka është e pakuptimtë”, tha Vuçiq për Televizionin Pink të Serbisë.

Ai tha se është i gatshëm të flasë për përmirësimin e marrëdhënieve, por nuk do të ketë bisedime për pranim të ultimatumeve.

“I jam mirënjohës përkushtimit evropian për zgjidhjen e problemit dhe ne jemi të gatshëm për bisedime. Ne presim që dialogu të vazhdojë të enjten, por padyshim që do të kemi shumë punë dhe detyra të vështira”, tha Vuçiq.

“Do të jemi të ekspozuar ndaj pritjeve të mëdha të partnerëve evropianë dhe do të kthehemi prapa në vend të darkës së nesërme. Kemi një video-konferencë të dielën dhe më pas vazhdimin e dialogut”, tha ai.

Duke folur për pozicionin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel, Vuçiq nënvizoi se këta janë udhëheqës të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ata e kuptojnë pozicionin tonë. Merkel dhe Macron janë politikanë me përvojë dhe ata e dinë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Ne nuk ishim të ekspozuar ndaj presionit nga këta të dy dhe unë u përpoqa t’i përgjigjesha ultimatumeve në një mënyrë të guximshme. Unë mendoj se Macron dhe Merkel e kuptuan këtë. Në çdo rast, ne duhet të mësojmë të flasim me ata që nuk jetojnë në realitet”, u tha Vuçiq gazetarëve në Paris.

Edhe në një deklaratë të përbashkët të Gjermanisë dhe Francës është konfirmuar shtyrja e dialogut për javën e ardhshme.

Deklarata që u lëshua pas video-samitit, thotë se palët do të bisedojnë në mënyrë virtuale të dielën, ndërsa ballë për ballë do të takohen në Bruksel më 16 korrik.

“Presidenti Macron dhe kancelarja Merkel i kanë inkurajuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Hoti, të bëjnë përparim thelbësor në dialog gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në deklaratën e përbashkët franko-gjermane.

Krahas kërkesës për përparim në dialog, Merkel dhe Macron kanë shprehur gatishmërinë për të mbajtur një samit tjetër më vonë gjatë procesit të dialogut.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por gjithashtu ka një rëndësi të madhe për perspektivën e të dy vendeve për t’u anëtarësuar në BE”, thuhet në deklaratë.

Kosova dhe Serbia po përpiqen të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, siç tha ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak gjatë një vizite në Prishtinë, duhet të jetë e qëndrueshme, e pranueshme për rajonin dhe BE-në, por që do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Ne samitin virtual marrën pjesë presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borell dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak. Kosovën e përfaqëson kryeministri Avdullah Hoti kurse Serbinë, presidenti Aleksandar Vuçiq.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikë të demokratizimit nga Berlini, pret që samiti nën përkujdesjen e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, të premten, do të sqarojë qëllimin dhe kornizën e dialogut, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Sipas tij, korniza fillestare dhe parimet e dialogut politik të viteve 2012 – 2013, i cili në mënyrë të qartë ndërlidhte perspektivën e Serbisë dhe anëtarësimin e saj në BE, me pranimin e realitetit për humbjen e Kosovës, heqjes dorë nga bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, “tashmë kanë humbur më krizën shumëvjeçare”.

“Do të duhej të vinte deri te një lloj i rivendosjes (të dialogut), gjë që shpresoj se do të ndodhë të premten në Paris. Kjo kërkon pozicion të qartë politik nga ana e të dy kryetarëve, gjegjësisht të presidentit Macron dhe të zonjës Merkel, se cili është qëllimi i dialogut dhe cila është korniza brenda së cilës bisedohet. Kjo duhet t’i bëhet me dije në mënyrë të qartë presidentit (Aleksandar) Vuçiq në Beograd dhe pastaj kjo duhet të jetë kornizë, përmes së cilës do të bisedonin përfaqësuesit e BE-së, zoti Borrel dhe zoti Lajçak”, thotë Weber.

Ndryshe, këtë javë, presidenti francez Macron priti Hotin dhe Vuçiqin veçmas në Paris, dhe një nga temat e bisedimeve në këto takime, ishte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për media nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, është thënë se kryeministri Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Është thënë se Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Vuçiq ka thënë këtë javë se Serbia pret një “verë të vështirë dhe vjeshtë” për çështjen e Kosovës.

“Askush nuk dëshiron të na japë asgjë, ata do të na bëjnë presion për të humbur. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për unitet”, u shpreh Vuçiq.

Në këto ngjarje, megjithatë nuk do të marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kundër së cilit tashmë është paraqitur një aktakuzë për krime lufte në Prokurorinë në Hagë. Gjykatësi i procedurës paraprake ka gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën, nga dita kur është ngritur në prill.

Lidhur me aktakuzë, Prokuroria e Specializuar njoftoi më 24 qershor, kur Thaçi u nis për në Uashington, ku duhej të zhvillohej një takim midis Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e të dërguarit special të presidentit amerikan Richard Grenell. Në gjysmën e rrugës, Thaçi anuloi udhëtimin drejt SHBA-së dhe më pas edhe takimi në Shtëpinë e Bardhë u anulua.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së u ndërpre në nëntor 2018, pasi Qeveria e Ramush Haradinaj vendosi taksën prej 100 për qind për mallra të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Taksa u shfuqizua më pas, dhe qeveria e Avdullah Hotit hoqi masat e reciprocitetit të paraqitura nga ish-qeveria e Albin Kurtit, me qëllim të vazhdimit të dialogut.

Përndryshe, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron organizuan një takim të liderëve të rajonit në Berlin në fund të prillit 2018, dhe më pas njoftuan për një takim të ri midis Kosovës dhe Serbisë në Paris më 1 korrik, i cili kurrë nuk u zhvillua. Beogradi zyrtar kushtëzoi vazhdimin e dialogut në Bruksel me heqjen e taksës, ndërsa kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk hoqi dorë nga qëndrimi që taksat do të mbeten në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.(Kortezi:Radio Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Hoti-Vuciq, Jave e ardhshme, Takimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT