• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

LAZER STANI PER DIELLIN: KOLIQI DHE CAMAJ, MAJA TË LETËRSISË SHQIPE

July 27, 2020 by dgreca

Shkrimtari Lazër Stani komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit ku shprehet se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga sigurimi i shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të trajtohen si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Me Lazër Stanin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

BALTË MBI ERNEST KOLIQIN DHE MARTIN CAMAJN. PSE PIKËRISHT SOT KY DEBAT?

Nuk mund të them se është debat. Në këtë rast nuk ke se për çfarë të debatosh. Në këtë rast vetëm mund të refuzosh me përbuzje, riciklimin e akuzave të hartuara nga Sigurimi i Shtetit Komunist që synonte të denigrojë dhe të defaktorizojë dy prej personaliteteve kulturore më të rëndësishëm shqiptarë në shekullin e shkuar. Eshtë një praktikë e njohur kjo e përdorur nga shërbimet sekrete Lindore, ndaj personaliteteve kulturore disidentë, që nuk pajtoheshin me regjimet e dhunshme të instaluara në këto vende. Vlerësimi për Ernest Koliqin, Martin Camajn, por edhe Arshi Pipën, Petro Markon e ndonjë shkrimtar tjetër nuk mund të bëhet duke përdorur trillimet e Sigurimit të Shtetit ndaj tyre. Vepra e tyre letrare është dëshmia më e mirë e personalitetit të tyre letrar të padiskutueshëm, por edhe dëshmi e atdhedashurisë, e lidhjes se tyre shpirtërore me kombin dhe gjuhën shqipe. Joseph Brodsky shkruan se “për shkrimtarin ekziston vetëm një lloj patriotizmi, qendrimi i tij ndaj gjuhës.” Nëse i shohim në këtë kontekst, unë nuk di patriotë më të mëdhenj se Koliqin dhe Camajn. Të dy kanë shkruar një shqipe të mrekullueshme. Nëse e lexon krijimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve, gjen një lidhje shpirtërore të fuqishme me gjuhën, arketipin, shpirtin dhe identitetin shqiptar, të pandotur nga rrjedhat e historisë. Vetëm një njeri që e do shumë vendin e vet, gjuhën e vet, kombin e vet, mund të shkruajë një letërsi të tillë. Në Shqipëri nuk kemi shumë gjëra për të cilat mund të krenohesh, por emrat e këtyre dy shkrimtarëve, gjithmonë më kanë bërë të ndjehem krenar për vendlindjen time, vendin tim. 

PSE SULMOHEN SHKRIMTARËT KUNDËRSHTARË TË REGJIMIT? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT KOMUNIST?

Në librin tim të fundit “”Rugë pa krye” në njërën nga esetë kam shkruar ndër të tjera: “Dosjet e policisë sekrete, dosjet e sigurimit të shtetit patën tmerruar njerëzit për dekada me radhë. Njeriu në këto dosje gjymtohej, shtrembërohej, tjetërsohej, ngarkohej me një mijë e një të zeza, faje e krime të pabëra kurrë, deri sa një ditë ky njeri i dosjes e çonte njeriun e vërtetë në bankën e të akuzuarve, e shndërronte në viktimë të ndëshkimeve dhe dënimeve të padrejta”. Pikërisht kjo ka ndodhur, dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit kërkojnë të çojnë edhe tani pas tridhjetë vjetësh, në bankën e të akuzuarve dy prej personaliteteve më të shquar të kulturës shqiptare, dy maja të ndritshme të letrave shqipe. Duket se “studimi” i prezantuar me dokumente të manipuluar dhe raporte të shkruara nga Sigurimi” është vetëm vazhdim i punës së nisur shumë vite më parë për të goditur këto personalitete, që me emrin dhe veprën e tyre i bënin hije shkëlqimit të rremë të diktaturës. Unë mendoj se dokumentet dhe dosjet e përpiluara nga Sigurimi i Shtetit, ky aparat monstruoz dhe kriminal, nuk mund të merren si dokumente historike. Sigurimit nuk i ka interesuar kurrë e vërteta, po vetëm goditja, eleminimi, asgjesimi e diskreditimi i atyre që ai i konsideronte si kundërshtarë politikë të regjimit. Dosjet e përpiluara prej tij janë të mbushura me shpifje, intriga, shtrembërime, falsifikime e manipulime të së vërtetës. Ato dosje vetëm se dëshmojnë se sa kriminal, monstruoz dhe antinjerëzor ishte regjimi në të cilin kemi jetuar; një ferr për njeriun dhe një parajsë për të ligun, kriminelin, të pashpirtin, intrigantin, manipulatorin, gjithfarë lloj monstrash që për fat të keq toka jonë i ka prodhuar me shumicë. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Koliqi dhe Camaj janë individualitete krejt të veçantë të letrave shqipe, vijnë si zë autentik i shpirtit shqiptar, të pandotur e të papërçudnuar nga masakra që iu bë kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet. Eshtë kjo arsyeja ndoshta që ata urrehen nga bartësit ende aktivë të ideologjisë së diktaturës.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË?

Shoqërinë e dëmton sigurisht. Akte të tilla poshtëruese i bëjnë njerëzit të demotivohen, të ndjehen të zhgënjyer në vendin e tyre. A këta jemi ne? Nëse jemi kështu, e meritojmë këtë fat që kemi, ndaj hajt të ikim nga sytë këmbët, të shpëtojë kush mund të shpëtojë, në mos veten, të paktën fëmijët. Ndërsa për shkencën është vështirë të flitet. Ajo qëndron përtej këtyre banaliteteve.

ÇDO TË THOTË TË SULMOHEN MITET LETRARE TË NJË KOMBI?

Historia jonë është e mbushur me barbarizma të tilla. Eshtë përçmuar letërsia e vjetër shqipe dhe krijuesit e saj, autorët e Rilindjes, Faik Konica dhe Gjergj Fishta, At Anton Arapi dhe Ernest Koliqi e shumë e shumë shkrimtarë të tjerë. Komunizmi si filozofi në ADN-në e vet ka urrejtjen, sepse është i mbështetur mbi urrejtjen klasore dhe konfliktin që lind midis klasave të një shoqërie për shkak të kësaj urrejtjeje. Kjo ka sjellë shumë shkatërrime në vendin tonë, Shqipërinë. Dhe që për fat të keq është ende e pranishme, si sindromë, si lëngatë, që bren vlerat dhe virtutet e kombit. Një komb matet me njerëzit e tij të shquar, shkruante Ernesto Sabato. Nëse ne si komb i asgjesojmë njerëzit tanë më të shquar, e në mes tyre edhe Koliqin e Camajn, atëherë me çfarë do të matemi, me partizanin e vogël Velo? Megjithatë, në fund dua të shtoj se letërsia e mirë është superiore, është e paasgjesueshme. Të tillë janë edhe Koliqi e Camaj si autorë të një letërsie të tillë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Koliqi-Cama-Maja e letersise, lazer Stani, Sokol Paja

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT-BAJAME HOXHA – ÇELIKU

July 27, 2020 by dgreca

DASHURIA/

Dot më s’do takohemi, sa më mungon ngushëllimi,     

Timbri yt i ëmbël mungon s’kam më lot gëzimi.

Ëndrrën, flakën e ndezur, ndjenjat s’i mori dot era,

Do t’më shkrijnë ajsbergun kur të vijë pranvera. 

Ah, kjo dashuri që asgjë s’e tret tani sa shndërrohet,

Nëpër pritje të gjata në dhimbje e lëngatë!

E ndjej shpirtin tim të thyet, të griset të pendohet,

Jo, asnjëherë s’gabuam e s’ramë në mëkat!

Dielli kur fshihet reve, rrufeve kur zbret ngatërruar,

Rrufeshëm më ndez shpresën eh, ditën e lënduar!

Mos vallë është shenjti që zbret ylberit ngazëlluar?

Mos vallë je ti, ai yll që po më ndrin vezulluar? 

E di, sonte s’do mbyll sy, do bëj me qindra pyetje,

Nxitur nga e papërsëritshmja ndjenja qiellore.

Atij buzagazit tënd të dëlirë do t’i hap çdo dritore.

Që të më josh luhatjen e brishtë shpirtërore.

Thellësisht më mungon e s’do takohemi përjetësisht,

Ky shpirt si duron, më thuaj, kam shumë frikë!

Orët e ftohta, nga dashuria që më përthith tërësisht,

Ngrohen, digjen, pastaj pres agimin t’më ndrit! 

Ah, sot

Sot nuk i shkula sytë nga gjelbërimi

I fushave ngazëlluese të vendit tim.

Sa dukej malli, vuajtja dhe pikëllimi, 

I viteve ku s’ndihej gëzimi im!

Të gjitha vuajtjet, kujtimet janë shtjellë,

Lëndinave, pranverave të praruara.

Rinia faqendezur paska humbur thellë,

Tek vitet tona të dashuruara!

E ndjeva me zemër pasionin përsëri,

Ah, sa  hyjnor shpërthimi rinisë!

Kthjellë e shoh qiellin, yjet po ndrinë,

Zot im, dhuroji paqe vendit tim!

FILIZAT E DASHIRISË

Të adhurova marrëzisht

Përmes belbëzimeve,

Përmes pasionit tënd të furishëm.

Dhe të dashurova fuqishëm.

Por, s’vonoi erdhën shirat me ujë të tërbuar

Përtej çdo caku,

Përtej çdo prove,

Përtej çdo dhimbje.

E megjithatë,

Filizat e dashurisë 

Lulëzuan ndër ne,

Po me atë forcë,

Po me atë pasion,

Po me atë siguri.

Lulëzuan filizat 

Përjetësisht,

Lulëzuan

Tek të dy!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: BAJAME HOXHA - ÇELIKU, cikel poetik, dashuria

SHUHET ARBËRESHI REGIS PHILBIN – LEGJENDA E TELEVIZIONIT AMERIKAN

July 26, 2020 by dgreca

Nga Mal BERISHA-

Regis Philbin, një legjendë e televizionit amerikan, ka ndërruar jetë dy ditë më parë. Emri i tij është shumë i njohur, jo vetëm në televizionin amerikan por edhe në botë, pasi karriera e tij e gjatë përbën një shkollë më vete për të gjithë televizionet e vendeve demokratike, perëndimore.

Vdekja e tij, natyrshëm ka prekur ndjenjat e miliona fansave të tij, anë e mbanë  botës. Për ne shqiptarët emri i tij ka një rëndësi tejet të veçantë. Ai është i biri i një nëne arbëreshe nga fshati Greci i Italisë, e cila quhej Filomena Boscia dhe ishte një emigrante italiane nga Campania. Përkatësinë e tij arbëreshe nga e ëma ai e ka deklaruar shumë herë në televizionin amerikan. Ai e vuri emrin e tij në median amerikane në vitin 1999, kur shqiptarëve nga të gjitha trojet tona arbnore iu bashkuan edhe arbëreshët e Italisë, sidomos ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar çlirimin e Kosovës. Regis Philbin në atë kohë, demonstroi mbështetjen për Kosovën pasi e dinte mirë se emri i tij i madh ndikonte tek opinioni amerikan. Në një nga emisionet e tij të asaj kohe, në një intervistë me kompozitoren Kara DioGuardi, ai deklaroi se ishte lindur nga një nënë arbëreshe madje shqiptoi edhe fjalët shqipe që ia kishte mësuar e ëma në fëmijëri.

Ky personalitet i madh amerikan me gjak arbëresh e ka një degë të rrënjeve të tij nga fshati arbëresh Greci. Ai fshat është i njohur për bashkësinë arbëreshe si dhe për figurat që ka nxjerrë. Ndër to shquhen ish Kongresmeni amerikan, Joseph DioGuardi, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara si dhe e bija, Kara DioGuardi, një kompozitore bashkëkohore shumë e njohur në atë vend. Më parë nga ai fshat kishte dalë edhe Leonardo De Martino. 

Regis  Philbin ka lindur më 25 Gusht 1931 në New York dhe është një ndër personalitetet më të shquara të medias amerikane. Ai ishte aktor, këngëtar, mjeshtër i bisedave dhe shfaqjeve televizive. 

Philbin  njihet si punëtori më i madh i show biznesit në Amerikë dhe mban edhe rekordin e Rregjistrimeve të Gines Botërore, si njeriu që ka kaluar më shumë kohë përpara kamerave televizive në transmetim të drejpërdrejtë në historinë e televizionit. Deri në vitin 2010 ai kishte qëndruar 16100 orë në transmetim.

Philbin ka studjuar në Universitetin Notre Dame dhe ka shërbyer në ushtrinë amerikane. Ai ka filluar të shfaqet në televizionin amerikan në vitin 1950 në programin “Show i Natës Vonë”. Pasi provoi, eksperimentoi dhe performoi një numër programesh, të gjitha më të shikuarat në Amerikë, ai erdhi tek emisioni i drejpërdrejtë “Regis & Kathie” dhe më pas “Regis & Kelly”. Ai ka drejtuar versionin amerikan të emisionit: “Kush dëshiron të bëhet milioner?”,  “Fjalë-kalimi – një milion dollarësh” dhe sezonin e parë të emisionit “America Got Talent”.  

Priit Vesilind, një ndër autorët më të njohur të revistës “The National Geographic Magazine”, e ka vizituar Grecin dhe i ka kushtuar një artikull të posaçëm historisë së atij fshati në atë revistë, në vitin 2000. Ai  tregon edhe se si është ruajtur tradita gjuhësore dhe kombëtare shqiptare aty. Ai shënon se ka zona të tëra në  Sicili, Kalabri, Kampania dhe Puglia që banohen nga arbëreshët. Gjatë shekujve, thotë ai, arbëreshët kontribuan në jetën italiane me një Papë, tre kardinalë si dhe kryeministrin e burreshtetasin Francesco Crispi. Ata e ruajtën kulturën shqiptare gjatë sundimit otoman dhe studiuesit e tyre ishin ndër të paret që e shkruan Gjuhën Shqipe. Nga Italia arbëreshët u shpërndane anë e mbanë botës. Këtu Priit Vesilind tregon edhe historinë e familjes së ish kongresmenit Joseph DioGuardi dhe lidhjet e tij me fshatin e babait të tij Greci, emigrant në Bronx të New Yorkut. DioGuardi udhëton atje dhe mëson për “Gjakun e Shprishur”. 

  Me interes është të shihet sesi Martin Camaj në një shkrim rreth vizitës së tij në fshatin Greci në vitin 1961  shprehet:

“Përpara se të lëvizja për në Monaco, gjatë ditëve të para të Janarit të vitit 1961, në murin e dhomës së apartamentit tim të vjetër, në periferi të Romës, kisha një hartë të fshatrave shqiptaro-italiane. Unë kisha vendosur t’ja dedikoja një pjesë të jetës time studimit të gjuhës dhe zakoneve të arbëreshëve. Sytë e mi shpesh ndalonin në një emër në hartë, një vend i izoluar diku në pjesën verilindore, me emër Greci.  Mblodha informacion për të nga bibloteka të ndryshme dhe zbulova se At Leonardo de Martino, një prift françeskan dhe shkrimtar i njohur, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në Shqipërinë e veriut si mësues, e sidomos mësues i poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta, ishte nga Greci. 

Më lejoni të shpreh diçka për vlerën atdhetare shpirtërore të atij fshati. Greci është unik në botë dhe në fakt në asnjë fshat nuk flitet ekzaktësisht siç flitet në Greci.  Greci është një fshat shqiptar dhe unë jam Shqiptar po ashtu.”Martin Camaj, Ph.D”.

Mendohet se të ardhurit e çuditshëm arbëreshë të kohës pas Skënderbeut, banorët vendas italianë i morën për grekë. Kështu ata i vunë fshatit emrin Greci, por që në fakt nuk ka asnjë lidhje me Greqinë.

Artistë të mëdhenj amerikanë e kanë deklaruar origjinën e tyre arbëreshe siç është rasti i Roberto de Niros.  Në fakt vdekja e Regis Philbin, përbën një ndër humbjet e mëdha dhe dëshminë e rradhës së lidhjes së diasporës italiane në Amerikë me arbëreshët e Italisë, pas humbjes së emrave të tillë të mëdhenj, si sopranoja Licia Albanese, e cila vdiq në vitin 2014, në moshën 105 vjeçare.

Mal Berisha 

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, SHUHET ARBËRESHI REGIS PHILBIN

KU PO SHKON TURQIA MODERNE E QEMAL ATATURKUT-VEND ANETAR I NATO-s?

July 26, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj-

Nuk është fake fotoja e Rexhep Erdogan me qylaf imami!

Perendimi ka mbetur i shtangur kur presidenti aktual i Turqisë me mikrofon si një lider fetar ka filluar të recitojë pjesë nga Kurani në Kishën e Shën Sofisë që e ka kthyer sa hap e mbyll sytë, me një të rënë të lapsit në xhami, duke përmbysur atë çka kishte vendosur Presidenti i Turqisë moderne Qemal Ataturk!

Turqia është Republikë laike, çka do të thotë se feja duhet të jetë e shkëputur nga shteti!

Kisha e Shën Sofisë prej 1935 është një monument historik dhe muzeum i trashëgimisë kulturore i mbrojtur nga UNESCO.

Me moshë mbi 1500 vjeçare Shën Sofia është dëshmitare e rrëzimeve dhe ngadhnjimeve të perandorive, e asaj që ka ndodhur nëpër shekuj.

E ndërtuar në Kostandinopojë (Stambolli i sotshëm) nga Perandori romak i Bizantit me prejardhje ilire, Justiniani I,  nga 537 deri në 1453 ishte katedrale kristiane, në fillim katolike pastaj ortodokse. Kthehet në xhami nga 29 maji 1453 deri në fund të vitit 1931.

Më 1935, presidenti i parë turk dhe themeluesi i Republikës së Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, e shndërroi ndërtesën në një muze si simbol i paqes, harmonisë dhe tolerancës fetare.

Gjatë kësaj periudhe, përdorimi i kompleksit si një vend adhurimi ishte rreptësisht i ndaluar.

Kisha e Shën Sofisë për 85 vjet ishte një atraksion turistik, si profili i Turqisë laike.

Papa Vojtila ishte i pari Papë që kishte hyrë në Kishën e Shën Sofisë më 2001.

Në 2006 gjatë vizitës së tij në Turqi, do ta vizitonte Shën Sofinë edhe Papa Benedikti XVI.

Pak para vizitës së tij, qeveria turke vendosi që në kompleksin e muzeumit të ishte një dhomëz si vend lutjeje për të gjitha fetë.

Papa Benedikti XVI në respekt të traditave zbathi këpucët kur hyri në Shën Sofi. Ai shoqërohej nga Myftiu i Madh, i cili duke iu referuar shtypit të kohës, i lutet Atit të shenjtë të ndaleshin një moment për të medituar, ndërsa Shenjtëria e tij raportohet t’i jetë drejtuar Myftiut të Madh duke i thënë:  “Kjo vizitë do të na ndihmojë ne të gjithëve për të gjetur rrugën e paqes në të mirë të gjithë njerëzimit.”

Por rrjedha e ngjarjeve është devijuar dramatikisht dhe muzeu simbol i harmonisë fetare, krijuar prej Qemal Ataturkut para 85 vitesh, rikthehet në xhami, sikur në kohën e Perandorisë otomane që mori fund së ekzistuari një shekull më parë për t’i lënë vendin Turqisë moderne.

Presidenti turk si përfaqësues i unitetit kombëtar do të duhej të respektonte vullnetin e Ataturkut. Sepse nuk mundet ta kthejë rrotën e historisë të Turqisë mbrapsht. E megjithatë ai po përpiqet dhe më 10 korrikun e vitit 2020, me një dekret dekret presidencial pas 85 vjetësh e kthen rishtas Shën Sofinë në xhami!

Një veprim padiskutueshëm arbitrar që do ta ngrinte nga varri Qemal Ataturkun!

Përpara një skene surreale, ku presidenti i Turqisë laike me qylaf imami këndon syre të Kuranit në publik, çdokush ka të drejtë të pyesë: quo vadis Turqia, shtet europian dhe vend anëtar i NATO-s ?!

Filed Under: Histori Tagged With: Elida Buçpapaj, Kisha e Shën Sofisë, Mustafa Kemal Ataturk, Turqia NATO, Xhami

PSE SHQIPËTARËT QUHEN ARNAUTË NGA TURQIT ?..

July 26, 2020 by dgreca

NGA QATIP MARA-NEW YORK/- Këtë pyetje e bëri drejtori drejtorisë arsimore i qytetit Bursa,ish kryeqyteti parë i perandorisë osmane,të cilën do ta sqarojë në vazhdim  e këtij shkrimi .Në fillim të muajit maj 2008 më caktuan  të shkoja me një grup arsimor për të vizituar institicionet arsimore-kulturore në Stamboll e në qytetin Bursa,ish kryeqyteti e parë i perandorisë osmane. Ishte hera e parë që do shkoja në Turqi.Kur u nis avioni nga Rinasi  më shoqëroi një ndjesi e hijes të zymtë e ish perandorisë gjakatare që e robëroi 5 shekuj atdheun tonë të dashur duke e lënë jo vetëm në varfëri të skajshme ,por me egërsi ndaloi mësimin e gjuhës shqipe. Kur avioni po ulej në aeroportin e Stambollit na pritën përfaqësues të arsimit. Si shoqërues kishim drejtuesit e kolegjit “Turgut Ozal”  Tiranë. Ishim 10 mësues sipas profileve të lëndëve mësimore. Na sistemuan në një hotel komod duke na prezantuar programin e vizitave që do bënim në institucionet arsimore kulturore të Stambollit. Strehimin,ushqimin e udhëtimin i kishim falas nga kolegji turk “Turgut Ozal” . 

Takimin e parë e bëmë drejtorinë arsimore të Stambollit. Na priti në zyrën e tij drejtori drejtorisë arsimore të Stambollit. Ai pasi na përshëndeti me shumë dashamirësi , na pyeti se sa nxënës kishte Tirana dhe sa e kishte personelin drejtori arsimore Tiranë. Kur përkëthyesja e grupit tonë që kishte mbaruar universitetin në Ankara për informatikë,i tregoi  se Tirana kishte 29 mijë nxënës  dhe dretoria arsimore Tiranë kishte personelin me 30 punonjës,ai qeshi, dhe vazhdoi duke thënë se Stambolli kishte 2 milonë nxënës e drejtoria arsimore kishte 60 punonjës. Intelektualët e Stambollit ishin arsimuar në kolegjet  angleze dhe drejtonin me përvojën angleze.

C:\Users\HP\Downloads\10911294_1412200059091874_3038464990863116573_o.jpg

                            Në  hyrje të muzeut të  Kostandinopojës

Vizituam muzeun e Konstandinopojës, i cili ishte madhështorë me mjedise shumë të bukura. Kishte vizitorë nga gjithë bota, të cilët me grupet e tyre rreshtoheshin duke patur në krye të grupit një orientues që me duar lartë mbante një objekt që të mos ngatërroheshin me grupet e tjera.Një biletë për hyrje në muzeun e Konstandinopojës ishte 10 dollarë, çdo ditë ishin me mijëra vizitorë. Kornizat e stendave të muzeut ndriçonin me metal floriri me objekte të shumta për çdo periudhë të historisë së perandorisë osmae. Në ato zbukurime ishte djersa e gjaku i shqiptarëve që u shfrytëzuan egërsisht nga perandoria osmane.Pamjet nga kodra ku ishin dhomat e strehimit të Sulltanve ishin mahnitëse për vizitorët e shumë. Atje meditova jo për komoditetin e bukurinë,por për urdhërat që Sulltanët kishin firmosur për të shtypur me egërsi kryengritjet shqiptare kundër robërisë turke.  . Me emocione vizituam dhomën muze të Rilindnasit të Madh Sami Frashëri. Ciceroni muzeut na tregoi librat e Sami Frashërit, të cilën ata e konsideronin turk e jo shqiptar.Aty u pezmatova që na kanë përvetsuar pasurinë e Kombit Shqiptar të madhin Sami Frashëri. Pas vizitës së lodhshme në muzeun e Kostadinopojës u relaksuam në hotelin turistik modern ku dyert e dhomave ishin elektronike pa dorza, që hapeshin me karton elektronik. Me kartonin elektronik që hapeshin dyertë e dhomave ndizeshin edhe dritat e dhomave. Pasi u sistemuam në hotel shkuam në një restorant buzë detit, ku ushqimin e zgjidhnim sipas dëshirës. Vizituam institucione të arsimit e kulturës, në të cilat u zhvilluan seminaret e përvojës së arsimit, ku duke diskutuar edhe servirej ushqimi mëgjesit. Shërbimi ushqimit në mëngjes bëhej me pjata të vogla por të shumta, me vezë, mjaltë ,kos apo qumësht. Personeli që na shërbente ishte me shumë kulturë, na jepnin dhurata të ndryshme. Në të gjitha institucionet e shtetit kishte disiplinë të lartë për punën, ku të gjithë nëpunësit kishin studjuar në Angli. Nëpunësit komunikonin me zë të ulët, ishin serioz në lëvizjet e tyre. Kur shkuam për të vizituar xhaminë Blu, kishte shumë vizitorë, por personali shërbimit sa mësoi se ne ishim shqiptarë na lejuam të futeshim në brendësi të dhomave duke bërë fotografi. Kudo që shkonim gjenim një pritje miqësore. 

C:\Users\HP\Documents\644532_153064984862193_2091801172_n.jpg

                     Në xhaminë Blu  Stamboll

Xhamia e Sulltan Ahmedit (Turqisht: Sultanahmet Camii) i njohur ndryshe si Xhamia e kaltërt ose Xhamia Blu, është një prej xhamive më të njohura dhe më të vizituara në Stamboll.Është ndërtuar nga viti 1609 deri në vitin 1616 gjatë sundimit së Ahmedit të I, sulltani i Perandorisë Osmane.

 Arkitekti i xhamisë është shqiptari Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiunga Elbasani.

Pas vizituam Stambollin u nisëm me makina për të shkuar në qytetin e Bursës.
Udhëtuam një pjesë të rrugës me anije në ngushticën e detit Marmara , pastaj përsëri udhëtuam me makina. Kur mbritëm në qytetin Bursa kishte filluar mbrëmja. U sistemuam për strehim e ushqim në shtëpinë e mësuesit, e cila ishte një godinë e madhe shumëkatëshe me ashensor që merrnin deri 30 vetë. Koridoret ishin shumë të gjëra që të vrapoje për gjimnastikën e mëgjesit. Restorantet brenda shtëpisë së mësuesit ishin të sistemuara bukur dhe ushqimi ishte me cilësi të mirë Pasi vendosëm  në dhomat e fjetjes çantat e valixhet u ngjitëm në një kodër mbi qytetin e Bursës,ku shikohej gjithë qyteti i Bursës, i cili kishte një hapsirë shtrirje të gjerë e të gjatë.. Aty në majën e kësaj kodre ishin tre varret e Sulltanëve osman. 

Osmanllinjtë janë pasardhës të turqve oguzë. Këta u shpërngulën si tribu nga Azia Qendrore dhe u vendosën në Anadoll në fund të shek. XI, pas disfatës së rëndë ushtarake që turqit selxhukë i shkaktuan Perandorisë Bizantine (1071), së cilës i morën pjesën më të madhe të zotërimeve që kishin në Azinë e Vogël. Ndërkohë shteti i selxhukëve u shpërbë në shumë principata të vogla pas disfatës ushtarake që i shkaktuan mongolët (1243). I biri i Ertogrullit, Osmani I (1258-1326), e zgjeroi zotërimin atëror dhe e ktheu në një shtet të pavarur me emrin Emirati Osman, që u bë bërthama e Perandorisë Osmane.  Osmani I mori titullin e sulltanit dhe nënshtetasit e tij u quajtën turq-osmanllinj. Principata Osmane, e themeluar në vitin 1299, fillimisht u zgjerua në drejtim të Marmaras dhe Eskishehirit. Pas vdekjes së Osman Beut, qyteti  Bursa i cili ishte qyteti më i madh i asaj kohe në zonën e Marmarasë, u ngadhënjye nga ana e të birit të tij, Orhan Beut. Babai i tij sipas testamentit u varros nën kubenë e argjendtë në qytetin e ri të ngadhënjyer të Bursas. Ndërkohë që ky qytet mori statusin e kryeqytetit principata forcoi edhe strukturimin shtetëror. Sulltan Orhani fuqizoi organizimin e brendshëm të Perandorisë Osmane. Ai preu një monedhë të veçantë për shtetin e tij dhe rreth vitit 1330 krijoi ushtrinë e përhershme elite, korpusin e jeniçerëve (jeniçer – ushtar i ri). Krahas spahinjve dhe jeniçerëve, Perandoria Osmane kishte edhe repartet ushtarake të akënxhinjve (akën – sulm), që ishin kalorës, të cilët zakonisht grumbulloheshin kur ndërmerreshin fushata pushtuese.I biri i Orhanit, sulltan Murati I (1362-1389), vuri nën pushtetin e tij rajone të tëra të Ballkanit. Në mes të viteve 60 ai pushtoi Adrianopojën, të cilën e bëri kryeqytet të Perandorisë dhe e ripagëzoi me emrin Edrene. 

  Zhvendosja e kryeqytetit nga Azia (Bursa) në Evropë (Adrianopojë – Edrene) dhe krijimi për herë të parë këtu dhe jo në Anadoll i bejlerbejllëkut (Ejalet i Rumelisë), dëshmojnë se që në kohën e sulltan Muratit I, Ballkani po merrte më shumë peshë në jetën e Perandorisë Osmane se Anadolli. 

 Ndërkohë që në njërën anë vazhdonin ngadhënjimet në Evropë, në anën tjetër bizantinët shtrëngoheshin në Stamboll dhe rrethin e tij. Rrethimi i Stambollit, i cili brenda një kohe të shkurtër u kthye në shtet qytet, nga ana e Sulltan Yidirim Bayazitit, mbeti në gjysmë me ardhjen e Timurit në Anadoll me një ushtri të madhe. Ushtria Osmane, e cila u përplas me ushtrinë e Timurit në Ankara, pësoi humbje, ndërsa sulltani u kap rob. Me rimbledhjen e forcave nga ana e Sulltan Mehmet Çelebiut mori fund edhe periudha e stagnimit. Sulltan Mehmeti i 2-të, që ishte nipi i Çelebiut, në vitin 1453 rrethoi Stambollin dhe arriti të përfundoj punën e filluar nga ana e gjyshit të tij. Pas ngadhënjimit të Stambollit nga ana e Sulltan Mehmetit, që më vonë do të njihet me nofkën Ngadhënjimtari, Shteti Osmanë, u shndërrua në Perandorinë Osmane. Sulltanët Osmanë, vetën e tyre e shihnin si vazhdim i Romës dhe përdornin edhe titullin e Cezarit. Kryeqyteti u transferua në Stamboll prej ku perandoria u administrua deri në shpërbërjen e saj në vitin 1922. 

Kur mbritëm në kodrën dominuese mbi qytetin Bursa pamë kubenë e argjendtë të  varreve  Sulltanve të parë. Në kohën që ciceroni na fliste  për jetën e sulltanve Osman, po na shoqëronte perëndimi diellit. Në muzgun e mbrëmjes u larguam për në shtëpinë e MËSUESIT, ku pas një ditë të lodhshme darkuam u relaksuam me një gjumë të qetë.Në mëngjes u organizua një takim në zyrën e drejtorisë arsimore të Bursës. Na priti drejtori i drejtorisë arsimore me personelin e specialistëve sipas lëndëve mësimore.Në fillim të takimit drejtori bëri përshëndetjet miqësore dhe na pyeti pse na quanin arnautë ne shqiptarëve. Si mësues historie më caktuan mua që të përgjigjesha. Argumnetova atë kisha njohuri. Drejtori i drejtorisë arsimore buzëqeshi dhe filloi të tregoi historinë e përcaktimit të shqiptarëve me emrin arnautë. Ai tregoi,se fjala arnautë e ka prejardhjen nga arabishtja e turqishtja, është një fjalë me një kuptim simbolik trimërie.Ai theksoi se  fjala arnautë do të thotë –

“ Luftëtarë trim që niset në luftë e nuk kthehet i gjallë pa fitore.”.

Në ato momente që po e dëgjoja që vlerësonte trimërinë e shqiptarëve, mendova se drejtori do kishte origjinë shqiptare. Ai vazhdoi të argumentonte se shqipëtarët ishin luftëtar të guximshëm në të gjitha betejat  që kishte bërë perandoria osmane që u shtri në tre kontinente. . Pra shqiptarët ,turqit i quanin bashkëthemelues të perandorisë turke. Nëpër dyqane kur shkuam shitëset, kur mësonin se ishim shqiptarë -arnautë çoheshin me respekte në këmbë duke na buzëqeshur dhe jepnin dhurata simbolike të miqësisë.

Pas takimit në drejtorinë arsimore ,na nisën me makina në një rrugë malore që ishte shumë e gjatë, kur mbritëm aty, pamë ndërtesa dykatëshe me qerpiçë, të cilat ishin lagjet e fiseve osmane që më vonë krijuan perandorinë Osmane.Vizituam dhomën muze të fiseve osmane duke bërë fotografi. 

C:\Users\HP\Documents\12527_153060168196008_1728540865_n.jpg

                                Në muzeun ku kanë banuar fiset e para Osmane

Në krye të lagjeve të fiseve osmane ishte një rrapë shumëshekullor,ku të gjithë fiksuam fotografi kolektive. Atje ishte vend malor me pyje  me vlera turistike

C:\Users\HP\Downloads\10501736_1412199939091886_1568412791276673963_n.jpg

                  Me grupin arsimor të drejtorisë arsimore Tiranë

Në mbrëmje kur u kthyem në qytetin e Bursës vizituam një qendër kulturore ku ishin grumbulluar qindra shqiptarë të emigruar në vite. Ata  na pritën me lotë në sy. Së bashku me ta në atë mbrëmje kënduam këngë shqiptare , u argëtuam deri në orët e vona të natës. U ndamë me vëllezërit shqiptarë me shumë përmallim e dhimbje.
Vetëm në qytetin e Bursës ishin rreth një milionë shqiptarë emigrantë. U larguam nga Bursa me mbresat më të mira. Mbritëm përsëri në Stamboll ku vizituam shkollat profesionale, të cilat ishin në periferi të Stambollit të grupuara në shumë godina.Në klasën që bëhej mësim pamë punimet e nxënësve,të cilat ishin prodhime të ndryshme të punës me dorë që bënin nxënësit.. Pasi vizituam disa televizone shkuam në një universitet ku studjonin shumë shqiptarë. Aty mësuam se librat shkollorë në Turqi jepeshin falas, kishte një trajtim të veçantë për mësuesit, të cilët paguheshin me paga të larta dhe u garantohej burse falas për fëmijët e tyre.

 U largova nga Stambolli  me avion duke medituar me pezmatim që ne shqiptarët u kemi shërbyer të tjerëve dhe shtëpinë tonë të përjetshme Atdheun tone të shtrenjtë ,Shqipërinë e bukur nga Zoti nuk e zhvilluam  që të ishte ashtu si ëndërronte i Madhi Naim Frashëri. Të shpresojmë te brezi ri që ta bëjnë Shqipërinë më të mire se sa Evropa.

Qatip Mara

Nju Jork 23 korrik 2020 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arnautet, Qatip Mara, Turqit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT