Nga Elida Buçpapaj-
Nuk është fake fotoja e Rexhep Erdogan me qylaf imami!
Perendimi ka mbetur i shtangur kur presidenti aktual i Turqisë me mikrofon si një lider fetar ka filluar të recitojë pjesë nga Kurani në Kishën e Shën Sofisë që e ka kthyer sa hap e mbyll sytë, me një të rënë të lapsit në xhami, duke përmbysur atë çka kishte vendosur Presidenti i Turqisë moderne Qemal Ataturk!
Turqia është Republikë laike, çka do të thotë se feja duhet të jetë e shkëputur nga shteti!
Kisha e Shën Sofisë prej 1935 është një monument historik dhe muzeum i trashëgimisë kulturore i mbrojtur nga UNESCO.
Me moshë mbi 1500 vjeçare Shën Sofia është dëshmitare e rrëzimeve dhe ngadhnjimeve të perandorive, e asaj që ka ndodhur nëpër shekuj.
E ndërtuar në Kostandinopojë (Stambolli i sotshëm) nga Perandori romak i Bizantit me prejardhje ilire, Justiniani I, nga 537 deri në 1453 ishte katedrale kristiane, në fillim katolike pastaj ortodokse. Kthehet në xhami nga 29 maji 1453 deri në fund të vitit 1931.
Më 1935, presidenti i parë turk dhe themeluesi i Republikës së Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, e shndërroi ndërtesën në një muze si simbol i paqes, harmonisë dhe tolerancës fetare.
Gjatë kësaj periudhe, përdorimi i kompleksit si një vend adhurimi ishte rreptësisht i ndaluar.
Kisha e Shën Sofisë për 85 vjet ishte një atraksion turistik, si profili i Turqisë laike.
Papa Vojtila ishte i pari Papë që kishte hyrë në Kishën e Shën Sofisë më 2001.
Në 2006 gjatë vizitës së tij në Turqi, do ta vizitonte Shën Sofinë edhe Papa Benedikti XVI.
Pak para vizitës së tij, qeveria turke vendosi që në kompleksin e muzeumit të ishte një dhomëz si vend lutjeje për të gjitha fetë.
Papa Benedikti XVI në respekt të traditave zbathi këpucët kur hyri në Shën Sofi. Ai shoqërohej nga Myftiu i Madh, i cili duke iu referuar shtypit të kohës, i lutet Atit të shenjtë të ndaleshin një moment për të medituar, ndërsa Shenjtëria e tij raportohet t’i jetë drejtuar Myftiut të Madh duke i thënë: “Kjo vizitë do të na ndihmojë ne të gjithëve për të gjetur rrugën e paqes në të mirë të gjithë njerëzimit.”
Por rrjedha e ngjarjeve është devijuar dramatikisht dhe muzeu simbol i harmonisë fetare, krijuar prej Qemal Ataturkut para 85 vitesh, rikthehet në xhami, sikur në kohën e Perandorisë otomane që mori fund së ekzistuari një shekull më parë për t’i lënë vendin Turqisë moderne.
Presidenti turk si përfaqësues i unitetit kombëtar do të duhej të respektonte vullnetin e Ataturkut. Sepse nuk mundet ta kthejë rrotën e historisë të Turqisë mbrapsht. E megjithatë ai po përpiqet dhe më 10 korrikun e vitit 2020, me një dekret dekret presidencial pas 85 vjetësh e kthen rishtas Shën Sofinë në xhami!
Një veprim padiskutueshëm arbitrar që do ta ngrinte nga varri Qemal Ataturkun!
Përpara një skene surreale, ku presidenti i Turqisë laike me qylaf imami këndon syre të Kuranit në publik, çdokush ka të drejtë të pyesë: quo vadis Turqia, shtet europian dhe vend anëtar i NATO-s ?!