• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

BOB DOLE NË KOSOVË- PRISHTINA ME 3 SHTATORE TË 3 PERSONALITEVE AMERIKANE

August 30, 2020 by dgreca

KRYEQYTETI I KOSOVËS ME SHTATORE TË TRE PERSONALITETEVE AMERIKANE: CLINTON, ALBRIGHT DHE PREJ SOT DOLE-

-Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole u përurua sot në Prishtinë në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

-Gjatë ceremonisë, Senatori Amerikan Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve/

-Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Elmi Berisha dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari folën në ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e Senatorit Amerikan Bob Dole/

-Kryeministri Hoti: Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-ve që e kanë vizituar Prishtinën dhe Presidentin historik Ibrahim Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës-


-Ministrja Haradinaj Stublla zbulon pllakën përkujtimore për të kujtuar vizitën në Kosovë të senatorëve amerikanë më 29 gusht 1990, ditën kur bota nuk heshti më ndaj shkeljeve e krimeve të regjimit serb…

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI 

PRISHTINË, 30 Gusht  2020/ Në Prishtinë sot u përurua shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 Vendimi për ndërtimin e shtatores për një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës ishte marrë më 22 Korrik  2019 me rastin e ditëlindjes së Senatorit Dole.

Kjo është shtatorja e tretë e personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Në Prishtinë në 1 Nëtor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij, ndërsa  në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë u bë edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj. Clinton mori pjesë në të dy përurimet, ndërsa Albright në përurimin e bustit të saj.

Gjatë veprimtarive të ditës së sotme në sheshin qendror të Prishtinës nga kaloi para 30 viteve delegacioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbulimin e pllakës përkujtimore e bëri Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës  Meliza Haradinaj-Stublla.

Poashtu në Shesh, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  hapi ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit Amerikan që kishte mbërritur në Kosovë në 29 Gusht të vitit 1990.

KRYEMINISTRI HOTI: SENATORI DOLE-SHEMBULL I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR PËR VENDIN NË LUFTË DHE NË PAQE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, mori sot pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të Senatorit Amerikan Bob Dole, në lagjen Dardania të Prishtinës.

Kryeministri Hoti duke folur për figurën e senatorit Dole, theksoi se ai është një person që po të lexosh CV-në e tij, punën e tij, pa dyshim që impresionohesh. Kryeministri Hoti u shpreh i bindur që secili nga ne e merr si simbol dhe shembull të përkushtimit se si duhet të ketë një politikan, një atdhetar për vendin e vet në luftë dhe në paqe.

 “Unë jam i bindur që ky bust këtu të jetë vend ku edhe gjeneratat e ardhshme do të mësojnë për historinë e tij, historinë e ndërtimit të miqësive në mes të dy popujve tanë dhe do të inspirohen për kontributin dhe dedikimin që duhet të kemi secili nga ne për vendin tonë”, tha Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti veçoi se Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-ve që e kanë vizituar Prishtinën dhe Presidentin historik Ibrahim Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vërtet është nder i veçantë për mua që sot së bashku e zbulojmë këtë bust. Le të mbetet ky vend, kjo simbolikë e nderit e miqësisë së përhershme e popullit të Kosovës me popullin e SHBA-së”, përfundoi Kryeministri Hoti, theksohet në komunikatën e dërguar nga Qeveria e Kosovës.

ODA AMERIKANE DHE QEVERIA E KOSOVËS INAUGUROJNË BUSTIN E SENATORIT BOB DOLE

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë  në komunikatën e dërguar thekson se në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës mbajtën sot ceremoninë e zbulimit të bustit të mikut të shqiptarëve, Senatorit Amerikan Bob Dole, në shenjë mirënjohje për punën e tij të palodhshme dhe rolin e tij në pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
Gjatë kësaj ceremonie, Senatori Amerikan Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi se është nder i veçantë për Odën Amerikane të jetë pjesë e këtij aktiviteti mirënjohës për punën dhe kontributin e Senatorit Bob Dole, i cili është një hero i veçantë në Kosovë. Ai tha se jehona e vizitës së Senatori Dole dhe gjashtë senatorëve të tjerë tridhjetë vite më parë në Kosovë i dha drejtim tjetër rrugëtimit të Kosovës drejt çlirimit, pavarësisë, dhe hapjes së mundësive për ndërtimin e një shteti demokratik.
“Busti është edhe rikujtim i përgjegjësisë për ne dhe gjeneratat pas nesh për të kujtuar dhe shprehur mirënjohjen tonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre të vazhdueshëm në procesin e krijimit dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës”, theksoi Zeka.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesia e tij Philip Kosnett, theksoi se ndihet i privilegjuar të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje historike. Derisa falënderoi ata që e kanë bërë të mundur këtë ditë, Ambasadori Kosnett tha se me vendosjen e kësaj shtatoreje po shënohet edhe jeta e një heroi amerikan dhe një miku të Kosovës. Ai gjithashtu potencoi se Bob Dole ka qenë prijës për promovimin e kauzës së lirisë nëpër tërë botën, dhe se vizita e Senatorit Dole para tridhjetë vitesh u hapi sytë bashkësisë ndërkombëtare për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë.
“Sot po e kremtojmë jetën e një prijësi, guximi dhe përkushtimi personal i të cilit për kauzën e lirisë ka frymëzuar aq gjatë popullin e Shteteve të Bashkuara, të Kosovës dhe miqve nëpër botë’’, tha Ambasadori Kosnett.
Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Elmi Berisha dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari folën në këtë ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e Senatorit Amerikan Bob Dole.

Përveç Odës Ekonomike Amerikane dhe Qeverisë së Kosovës, në ndërtimin e bustit kontribuan edhe kompanitë kosovare KIVO, Tregtia, Meridian Corporation, ELKOS, Devolli Corporation, Mabetex, Emona, Al-Petrol, NLB Banka, Al Trade Center dhe Klinika Amerikane.

MINISTRJA HARADINAJ STUBLLA ZBULON PLLAKËN PËRKUJTIMORE PËR VIZITËN NË KOSOVË TË SENATORËVE AMERIKANË MË 29 GUSHT 1990

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, të dielën, në qendër të Prishtinës, zbuloi pllakën përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të parë të dërguar nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministrja e Jashtme tha se kjo pllakë do të jetë kujtesa jonë kolektive e ditës kur bota nuk heshti më.
“Me 29 gusht 1990, delegacioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga senatori Bob Dole vizitoi Kosovën për herë të parë. Kjo vizitë u organizua në kohën e heqjes së njëanshme te statusit të njësisë federale të Kosovës brenda Jugosllavisë, dhe imponimit të politikave diskriminuese ndaj popullatës etnike shqiptare në Kosovë nga Serbia”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.
Qëllimi i kësaj vizite, sipas kryediplomates së Kosovës, ishte mbledhja e informatave të drejtpërdrejta në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut që kryheshin në mënyrë sistematike kundër popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi serb.
“Dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës dolën në rrugë për të mirëpritur senatorët e ShBA-ve dhe u mblodhën rreth kësaj ndërtese, ku delegacioni zhvillonte takimet. Policia serbe përdori forcë brutale për të shpërndarë këtë tubim të qetë dhe kremtues të qytetarëve”.
“Pas përfundimit të vizitës, senatori  Dole bëri deklaratën historike: Liria po vjen, demokracia po vjen! Dhe që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës”, tha Ministrja Hardinaj Stublla, duke kujtuar se diaspora shqiptaro-amerikane, udhëhequr nga veprimtari Xhim Xhema, kishte rol vendimtar në realizimin e kësaj vizitë historike.
Vizita e senatorëve Bob Dole, John W. Warner, Jake Garn, Don Nickles, Alfonse M. D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack e vulosi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, deri te çlirimi, pavarësimi dhe shtetndërtimi i Kosovës, thekson komunikata e dërguar nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.

HAPET EKSPOZITA E HAZIR REKËS, SHPALOSEN FOTOGRAFI TË DELEGACIONIT TË SENATIT AMERIKAN NË KOSOVË PARA 30 VITEVE

Sot në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë u hap zyrtarisht ekspozita e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit Amerikan, që ndodhi në gusht të vitit 1990.

Këto foto para publikut po paraqiteshin për herë të parë dhe për fotografin Reka kjo do të thoshte shumë, ai falenderoi të pranishmit për vizitën dhe e shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën. “Për të gjithë ju që nuk keni qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, sot keni rastin të shihni se çfarë ndodhi para 30 viteve”, deklaroi ai para të pranishmëve.

Ekspozita e fotografit Reka, do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës.

KultPlus shkruan se, pandemia ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke respektuar masat AntiCovid, kështu ndodhi edhe me ekspozitën e Rekës e cila zuri vend në ambient të jashtëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Albright, Behlul Jashari, Prishtina, Shtatorja

Botime të reja- “At Shtjefën Gjeçovi shkencëtar e atdhetar”

August 30, 2020 by dgreca

NJË LIBËR ME VLERË QË VË NË PAH KONTRIBUTIN SHUMËDIMENSIONAL TË SHTJEFËN GJEÇOVIT-

“At Shtjefën Gjeçovi shkencëtar e atdhetar”, Zym-Prizren, 2020– Përgatiti dhe redaktoi Nue Oroshi–

Libri ”At Shtjefën Gjeçovi shkëncëtar e atdhetar”, është një tjetër kontribut i Gjeçovologëve, i vënies në pah të kontributeve të Gjeçovit, në të gjitha fushat ku ai la gjurmë gjatë 54 viteve të jetës së tij, e cila i ndërpre dhunshëm më 14 tetor 1929

Shkruan: Besim Muhadri

Besim Muhadri ne VATER-

Sapo ka dalë nga shtypi libri ”At Shtjefën Gjeçovi shkëncëtar e atdhetar”, i cili është një libër i hartuar nga kumtesat e lexuara në Sesionin e IV shkencor, të mbajtur në Zym të Hasit, më 30 nëntor 2019, që iu kishtuar 90-vjetorit të shkuarjes në amshim të këtij kolosi të dijes e të kulturës sonë. I paraprirë nga fjala hyrëse e redaktorit dhe përgatitësit të librit, Nue Oroshi, libri përbëhet nga 29 kumtesa, në të cilat “shoshitet” mirë kontributi i Atë Shtjefnit, pothuajse në të gjitha lëmitë ku ai la gjurmë themeluese. Frrok Kristaj në kumtesën e tij “At Shtjefën Gjeçovi mësues i shkollës shqipe”, flet për kontributin e Gjeçovit dhënë shkollës shqipe dhe arsimit tonë kombëtar ku ai la vulën e themelimit. Me hapjen e 11 shkollave shqipe, Gjeçovi përveç që dha kontribut të jashtëzakonshëm, ai mbeti edhe hero. Madje edhe vrasja e tij nga regjimi serb, mund të ndërlidhet me aktivitetin e tij në hapjen e shkollave shqipe kudo që punoi. Në studimin e Kristajt Gjeçovin, përveç si mësues, e shohim edhe si hartues tekstesh mësimore, themelues bibliotekash shkollore, koleksionist etj. etj.

Kumtesa e Nue Oroshit “Bashkëpunimi i At Shtjefën Gjeçovit me studuiesen gjermane Marie Amelie Frein Von Godin në botimin në gjuhën gjermane të Kanunit të Lekë Dukagjinit” hedh dritë mbi një aspekt më pak të njohur deri më tani, siç është bashkëpunimi i Gjeçovit me studiuesen gjermane Marie Ammelie  Frein Godiun, e cila kulturës dhe historisë shqiptare nga vitet 1912-1956, të botuara në revistat më prestigjioze, siç tregon autori i shkrimit, i ka dhënë mbi njëzet vepra. Ky bashkëpunim i Gjeçovit ka të bëjë me njohjen dhe studimin e kulturës sonë ndër qarqet e studiuesve gjermanë, prandaj në këtë kontekst, vjen edhe përkthimi në gjermanisht i Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Përkthimit të Kanunit në gjermanisht ( i bërë në vitet tridhjetë) i vjen radha e botimit  në në vitin 1953, përkatësisht në numrin 56, 57 dhe 58 të revistës “Zetschrift fur vergleichende Rechtswissenschaft einschlieslisch der ethnologischen Rechtsforschung”, që ishte botim i Shtëpisë Botuese “Ferdinant Enke Verlag Stuttgard”, prej faqes 1-46, me titull “Das Albanische Gewohnheitsrech” Marie Amelie Frein von Godin nga Munihu. Oroshi, po ashtu, njofton se autorja në fjalë, përveç kësaj  dhe shkrimeve të tjera, në vitin 1951 kishte botuar edhe një studim mbi jetën dhe veprën e Gjeçovit.

Studimi i radhës, pas Oroshit, është ai i Nexhat Çoçajt, i cili na ofron të dhëna në lidhje me aktivitetin kombëtar të Gjeçovit në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, që sipas studiuesit ishte edhe njëri ndër shkaqet më të mundshme i  kurdisjes e më pas edhe i vrasjes së tij nga ana e pushtuesit serb.

Kumtesa e Kastriot Markut “At Shtjefën Gjeçovi në Laç të Kurbinit”, ka të bëjë me kontributin e Gjeçovit në hapjen e shkollës shqipe, bibliotekës së shkollës, organizimin e muzeut të fshatit e shumë e shumë aktiviteteve të tjera kombëtare e arsimore, në fillimet e tij si meshëtar.

Kumtesa e Ndue Kajtazit “Pse u vra Gjeçovi”, mëton të tregojë arsyet, por edhe rrethanat e vrasjes së këtij atdhetari të shquar. Ndërsa ai citon edhe shumë studiues e bashkëkohës të Gjeçovit në lidhje me martirizimin e tij, që mbi të gjitha ishte çështja shqiptare, që e bën këtë një nga personalitetet e dashura dhe martir i shqiptarzimës.

Të njëjtin mesazh ka edhe kumtesa e Besim Morinës me titull “At Shtjëfen Gjeçovi, meshëtari ynë i cili deri në frymën e fundit mbeti besnik i binomit për fe e atdhe”. Ndërkaq kumtesa e Tomë Mrijjat “Në Zllakuqan at Shtjefën Gjeçovi O.F. M gjeti etjen për dije dhe vatrën e ngrohtë kombëtare”, tregon përmasën e përkushtimit të Gjeçovit në fushën e përhapjes së dijes e të atdhetarisë.

Leonora Laçi me studimin “Veprimtaria e at Shtjefën Gjeçovit në Gomsiqe”, sjell kontributin e Gjeçovit në Gosmiqe, që është edhe vendi ku ai shërbeu për një kohë më të gjatë dhe ku zhvilloi një veprimtari të shumashme si mësues, folklorist, etgnograf, arkeolog, historian e shkrimtar.

Enver Sulaj në kumtesën e tij shpalos përmasën e rolit  dhe kontributit të Gjeçovit në ndriçimin e vrasjes së Luigj Palajt (1913), një tjetër martiri, ështrat e të cilit ai i zhvarrosi dhe i solli në Zym të Hasit më 1928.

Fatmir Minguli na sjell disa refleksione të reja mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, që kanë të bëjnë me botimin e tij, por edhe me ribotimin dhe përkthimin e tij në gjuhë të shumta të botës, si në gjermanisht, qoftë nga Merie Amelie (në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar) e  më pas edhe nga Robet Elsie (2001) dhe së fundi nga Bardhec Berisha dhe Prend Buzhala (2016). Po ashtu ai na njofton edhe me përkthime në gjuhë të tjera, si në spanjisht nga Dr. Erisa Ajazi, që në  titullin “El kanun de Lekë Dukagjini” u botua në vitin 2016 nga Botime EDEA, Tiranë.

Po ashtu autori në fjalë tregon për botimin anglisht në Nju Jork në vitin 1989 nga Gjonleka Pulishing dhe në përkthim të Leonard Fox. Minguli flet edhe për botime të tjera të Kanunit,e veçanërishtr për botimin e Botimeve Françaskene të variantit të përgatitur që nga viti 1944 nga At Bedekt Dema dhe Dr. Edmid Tedskini, që u realizua në vitin 2018.

Prend Buzhala në kumtesën e tij flet për antropologjinë dhe etosin nacional të Kuvendit dhe Pleqnisë në vëprën, por edhe në konceptin e Gjeçovit. Ndërkaq, Besim Muhadri, shpërfaq kontributin e studiuesit italian Xhuzepe Kastaleti në lidhje me studimet për Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur e të kodifikuar nga Gjeçovi.

Xhemal Meçi kumtesën e tij e ka titulluar  “Atë Shtjefën Gjeçovi Kryeziu për “Kanu vigajsh” në të drejtën kanunore popullore shqiptare”,  kurse studiuesi Mark Palnikaj në kumtesën e tij i bën një vështrim kritike veprës së Gjeçovit “Kanuni i Lekë Dukagjinit”; Zog Çoçaj elaboron veprimtarinë kombëtare, fetare dhe arsimore të Gjeçovit në Zym të Hasit, ku edhe u vra.

Studiuesi Isuf B. Bajrami në kumtesën e tij përqëndrohet te kontributi i Gjeçovit në fushën e ilumizmit dhe atdhetarizmit, të cilat sipas tij ishin dhe mbeten tipare qenësore të jetës por edhe veprës dhe veprimtarisë së Gjeçovit, ndërtkaq, Rezehana Hysa, te shumëdimensionaliteti i figurës së Gjeçovit.

Nikollë Loka, fokusohet te raportet dhe bashkëpunimi i Gjeçovit, me krerët e lëvizjeve kombëtare dhe politike të kohës, në këtë rast në Mirditë me, princin mirditor, Preng Bibë Dodën. Autori, në kumtesën e tij, përveç të tjerash, flet edhe për respektin e ndërsjellë që kishin Gjeçovi dhe Prengë Bibdoda, me të cilin, përveç respektit, Gjeçovi kishte kundërshtime dhe mospajtime. Autori në punimin e tij na sjell edhe letërkëmbimin e Gjeçovit me princin e Mirditës Preng Bibë Dodën, që është mjaft me rëndësi për të njohur edhe këtë dimension të Gjeçovit.

Pal Canaj flet për Besën si vlerë autentike të etnopsikologjisë shqiptare: Si normë e hershme etike, si normë e kodifikuar në Kanun, si refleksion i bashkëkohësisë etj.

Mikel Gojani shpërfaq kontributin arsimor të Gjeçovit, në veçanti si themelues i shkollës shqipe në Zllakuqan, që nga viti i largët 1897, ku ai si 23 vjeçar kishte ardhur për të shërbyer si famullitar. Gojani flet për kontributin e Gjeçovit në ngritjen e vetëdijës kombëtare tek popullata e atëhershme, edhe pse shumë i ri, por tepër i formuar si në aspektin kombëtar, ashtu edhe human e intelektual.

Kristinë Oroshi në kumtesën e saj prezanton disa refleksione në lidhje me librin e Don Viktor Sopit “Gjeçovi-tradita dhe qyterërimi shqiptar”, ndërsa Rovena Vata për librin e Nexhat Çoçajt, “Të pathënat për Gjeçovin”, i promovuar në ditën e mbajtjes së sesionit shkencor në 90-vjetorin e vdekjes së Gjeçovit. Sipas studiueses Vata, Nexhat sjell të dhëna interesante për jetën dhe veprimtarinë e Gjeçovit, duke e ilustruar dhe ofruar shumë fakte shkencore, po edhe nga arkiva e kujtesës popullore, që e bëjnë këtë libër më interesant dhe tepër të veçantë.

Në kumtesën “At Shtjefën Gjeçovi famullitar dhe mësues i gjuhës shqipe”, Zeqir Kadriu flet për veprimtarinë kulturore dhe edukative të Shtjefën Gjeçovit në kolegjet françeskane. Kurse kumtesa e Murat Ajvazit, është një kontribut i autorit në ndriçimin e rolit dhe kontributit të Gjeçovit në parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi si dhe të bashkëpunimit të Gjeçovit me shqiptarët e besimit islam në lidhje me këtë shqetësim kombëtar të kohës.

Ndue Dedaj, sjell një analizë të monografisë së Tonin Alisë  në lidhje me ndriçimin e rrënjëve historike të të parëve të tij, rrugëtimi nëpër gjenealogjinë e të parëve të vet, i cili do ta shpie natyrshëm te Gjeçovi, si njëri ndër bijtë e devotshëm të kësaj dere në zë në Pukë dhe në mbarë Shqipërinë e Veriut.

Tonin Alia në këtë libër na prezantohet edhe me vështrimin rreth librit të Gjeçovit “Agimi i Gjytenisë”, kurse Lekë Mrijaj në kumtesën e tij flet për kontributin e lugdrinasve për ndriçimin e  veprës së At Shtjefën Gjeçovit.

Libri “At Shtjefën Gjeçovi shkencëtar e atdhetar”, i përgatitur nga Nue Oroshi përmbyllet me shkrimin e Namik Selmanit “Mesha e pambaruar për Shtjefën Gjeçovin”, që është një ese për figurën madhore të Shtjefnit por edhe të Luigj Palajt, ku ai shpërfaq disa ekspresione në lidhje me këto dy figura markante të atdhetarisë e të meshëtarisë shqipe në Kosovë, të cilët u martirizuan për “Atme e fe”.

Padyshim se libri At Shtjefën Gjeçovi shkencëtar e atdhetar është një kontribut i rëndësishëm i studiuesve të shumë, të cilët me kumtesat e tyre mëtojnë të shpalosindisa nga kontributet e pamohueshme të këtij kolosi të dijes, kulturës e të atdhetarisë. Me këtë libër, puna dhe kontributi i Gjeçovit sa vjen e bëhet më i ndritur dhe më e rrëfyeshme, por që mbetet për të bërë ende në ndriçimin e gjithë punës dhe veprimtarsië së tij të gjithanshme,derisa vepra të shumta të tij ende presin të shohin dritën e botimit.

Filed Under: Histori Tagged With: at Shtjefen Gjecovi, atdhetar, BEsim Muhadri, Nue Oroshi

Roli parapolitik i kishës serbe dhe zgjedhjet në Mal të Zi

August 30, 2020 by dgreca

Nga Akri Çip-

Sot, në 30 gusht, Mali i Zi do të organizojë zgjedhjet e pesta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006. Për shkak të një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, rëndësia e këtyre zgjedhjeve ka tërhequr interes të madh në rajon dhe më gjerë. Përpara rreziqeve të theksuara për stabilitetin e Malit të Zi dhe për kërcënimet që mund të lindin nga mungesa e këtij stabiliteti, Shqipëria duhet të ketë një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve atje.

Kësaj radhe, zgjedhjet në Mal të Zi po mbahen në një kohë kur ka tensione të shtuara ndërmjet qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe. Kjo e fundit, në kundërshtimin e saj ndaj Ligjit për Liritë Fetare të qeverisë aktuale ka kaluar në një sërë qëndrimesh destabilizuese dhe një ofensivë të mirëfilltë politike. Një sërë protestash disa mujore kanë kapluar vendin, nën orientimin dhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të klerit. 

Presidenti Gjukanoviç është në përmbyllje të dekadës së tretë në pushtet, por alternativa politike inekzistente ka sjellë një situatë të komplikuar për demokratizimin e vendit dhe për rotacionin politik. Nësë shumë votues malazezë, duke përfshirë edhe votues të Gjukanoviç dhe të partisë së tij, janë kritikë me qeverisjen, nivelin e korrupsionit dhe me shtetin e kapur, nga ana tjetër përballen me një opozitë malazeze të dominuar nga ndjenjat pro-serbe që vë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit. E ka theksuar jo pak këtë gjë kryeministri aktual Dusko Markovic, i cili i ka etiketuar si kërcënim për pavarësinë e vendit mbajtësit e flamujve serbë në protestat e këtyre muajve.

Në këto kondita erdhi dhe mbështetja e hapur publike e kryeministrit Rama për presidentin Gjukanoviç dhe partinë e tij. Kryeministri shqiptar theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme për fqinjin tonë dhe ofroi një mbështetje bujare ndaj presidentit malazez, pavarësisht se emri tij nuk është në fletën e votimit këtë fundjavë. Por, teksa konteksti aktual nuk lë dyshime për faktin se cili rezultat zgjedhor në Mal të Zi i shërben stabilitetit të vendit dhe të rajonit, vetë shprehja e kësaj mbështetjeje lë vend për pikëpyetje dhe mbart në vetvete elementin e të panevojshmes.

Pavarësisht mesazhit të Kryeministrit Rama, efekti elektoral i kësaj mbështetjeje është thuajse inekzistent. Pak kush mund të besojë se videoja e shkurtër e kryeministrit shqiptar do të lëvizë qoftë edhe një votë të vetme në shportën e socialdemokratëve të Gjukanoviç. Por, nga ana tjetër, ekziston rreziku real që ajo të përdoret në mënyrë eksplicite nga opozita dhe qarqet pro-serbe për të ndezur bazën e tyre dhe për të mbështetur teoritë konspirative për një pakt të Gjukanoviç me shqiptarët për të shtypur minoritetin serb në Mal të Zi.

Institute dhe organizata të ndryshme rajonale të lidhura me Beogradin u fryjnë këtyre pikëpamjeve. Për shembull, Instituti Ndërkombëtar për Studimet për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme (IFIMES), me qendër në Slloveni dhe me një orientim të qartë pro-serb, përfshin në gati çdo publikim të saj për rajonin një parashikim konspirativ se Milo Gjukanoviç do të paraqitet së shpejti në cilësinë e dëshmitarit të palës mbrojtëse në gjyqin në Hagë (ende të pakonfirmuar) të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Më shumë se sa të ndihmojë, qasja e kryeministrit Rama mund të ketë efektin negativ të përdorimit të saj nga forcat e errëta pro-serbe dhe pro-ruse të politikës dhe parapolitikës në Mal të Zi që propagandojnë teori të tilla. Maksimizimi i impaktit pozitiv në zgjedhjet në fjalë do të kishte qënë ndihma dhe ndërmjetësimi i Shqipërisë zyrtare për të mundësuar bashkimin e faktorëve politikë shqiptarë në Mal të Zi në një koalicion të vetëm. Pati një përpjekje për t’u vlerësuar të komunitetit shqiptar në Amerikë për të bindur të gjithë spektrin politik në Mal të Zi që të futet në zgjedhje me një listë të përbashkët. Për fat të keq, kjo nuk u arrit. Ndoshta një qasje më aktive e përfaqësuesve zyrtarë të Shqipërisë mund të kishte arritur një rezultat pozitiv.

Faktori shqiptar në Mal të Zi mbetet kyç për stabilitetin dhe orientimin pro-perëndimor të vendit. Që nga referendumi mbi pavarësinë e Malit të Zi, ku vota e shqiptarëve lëvizi gjilpërën drejt po-së, dhe në të gjitha zhvillimet në vijim, vota shqiptare ka qënë garante dhe përcaktuese për të gjitha proceset themeltare të Malit të Zi.

Pikërisht për këtë arsye, partitë opozitare në Mal të Zi kanë gati një muaj që përpiqen të demonizojnë votën shqiptare. Liderët opozitarë kanë sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë muajit të fundit votuesit malazezë me origjinë shqiptare që jetojnë në emigrim dhe që janë rikthyer atje në prag të zgjedhjeve për të dhënë votën e tyre.

Në këtë kontekst, nuk duhet harruar dhe historia e rishtë e Malit të Zi. Gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare u parandalua një grusht shteti, ku indiciet të çonin tek dy oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit si orkestrues të planit. Zgjedhjet e vitit 2016 ishin kyç për futjen e Malit të Zi në NATO, teksa ftesa zyrtare ishte lëshuar nga aleanca në dhjetor të vitit 2015 dhe zgjedhjet parlamentare shërbyen si një referendum jozyrtar për anëtarësimin. Tentativa për ta destabilizuar Malin e Zi dështoi dhe anëtarësimi në NATO u zyrtarizua në qershor të vitit 2017.

Protestat e organizuara nga kisha dhe partitë pro-serbe kanë vazhduar edhe këtë javë, në prag të zgjedhjeve. Sloganet e tyre kanë variuar nga sulmet ad hominem ndaj presidentit dhe qeverisë, deri në ato me tone etno-nacionaliste duke përfshirë thirrjet “Kosova është Serbi”.

Ndryshe nga demonstratat e lindura natyrshëm në Bjellorusi kundrejt regjimit të President Aleksandër Lukashenko, protestat malazeze janë të organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe në bashkëpunim me segmente politike pro-serbe dhe pro-ruse. Ndryshe nga kërkesat për demokratizim në Bjellorusi, zgjedhjet e së dielës në Mal të Zi mbartin në vetvete elementet e sfidave gjeopolitike dhe përplasjet për orientimin gjeostrategjik të vendit.

Shqipëria duhet të jetë vigjilente.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa, Kisha sebe, M Zi, Zgjedjet

Studiuesi : Faik Konica, babai i kritikës dhe eseistikës

August 30, 2020 by dgreca

Behar Gjoka: Kritikat e Konicës për shqipëtarët realiste, portretizoi vendin në sytë e botës, t’i pranohet emri Bej-

Intervistoi: Eneida Jaçaj-

Faik Konica është një personalitet ndërshekullor, me një veprimtari shumë të larmishme në letërsine shqiptare. Ajo që duhet theksuar akoma më shumë është se Konica ishte një aktivist i çështjes kombëtare shqiptare, i cili luftoi me penën e tij për një Shqipëri moderne e demokratike, por edhe loboi në sallonet e huaja për pavarësinë dhe zhvillimin e vendit. Konica, një personalitet me një dimension të gjerë kulturor, gjithashtu me penën e tij, i shkundi shqiptarët nga gjumi apatik, u përpoq t’i çlironte dhe nga mendësia e ngushtë dhe mentaliteti anadollak, duke i ftuar të bëheshin më të përgjegjshëm për çështjen kombëtare dhe të përqafonin kulturën perëndimore. Shkrimtari dhe njëherësh studiues i letërsisë shqipe, Behar Gjoka, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, sjell në perceptimin e tij figurën e Faik Konicës. Si njohës i mirë i letërsise shqipe, studiuesi Behar Gjoka e vlerëson Konicën si një personalitet shumëplanesh, me një individualitet unik në letërsinë tonë shqipe. Shkrimtari Gjoka vlerëson se Konica është babai i kritikës dhe eseistikës, ndërsa në aspektin artistik, ai futi prozën në shina moderne. Kritikat e Konicës për popullin shqiptar janë shumë të përdorura në veprat e tij, të cilat kanë ngjallur edhe debate mes intelektualëve. Por, në gjykimin e studiuesit Gjoka, këto kritika janë realiste edhe për ditët e sotme, pasi në atë kohë synonin të zgjonin popullin dhe të merrnin në dorë frenat për një Shqipëri të denjë dhe të pavarur. Këto kritika vlerëson Gjoka, ishin me vend sepse populli shqiptar nuk duhej të ishte vegël në dorë të interesave të pushtuesve të huaj, por të hapnin sytë për të luftuar në çlirimin dhe demokratizimin e vendit. Studiuesi Gjoka pohon se Konica e portretizoi Shqipërinë në sytë e botës, pavarësisht kritikave në veprat e tij, që ishin sigurisht me qëllim të mirë. Gjoka i bën një kërkesë qeverisë shqiptare, që t’i pranojë emrin Bej shkrimtarit, ndërsa shtoi se ka ende vepra të tij të pabotuara.

-Faik Konica është një personalitet ndërshekullor, të cilin e njohim jo vetëm si shkrimtar, publicist, kritik letrar, eseist, por edhe si mbrojtës i çeshtjes kombëtare shqiptare. Ju si studiues z.Gjoka, si do ta perkufizonit për lexuesin, figuren e Faik Konices?

Konica është personalitet shumëplanësh dhe një individualitet unik, i historisë dhe letërsisë shqipe, një figurë kontraverse, ku gjallonte njëherit rilindasi dhe moderni, i cili me revistën Albania, sidomos botimin në tre variantet e shqipes, shtroi shinat e lavrimit të saj në bashkëlidhje dhe diversitet.

-Çfarë të reje solli Konica me veprat e tij, në letërsine shqiptare?

“Të rejat” e sugjeruara dikur nga Konica, tashmë janë kthyer në model ligjërimi të visareve të shqipes. Konica, pamëdyshje që çeli hullitë e lavrimit të kritikës dhe eseistikës letrare, si dhe e ndërfuti prozën shqipe në shtratin e shtjellave të lavrimit modern.

– Çfarë vendi zë sot në letërsinë shqiptare Konica, dhe cila do te ishte vepra që do ta dallonte në gjithë krijimtarine e tij?

 Të mos harrojmë, ai dikur thirrej Faik Bej Konica, ende në Shqipëri nuk i kemi pranuar emrin bej, ndonëse ka vendin e vetë të merituar, jo se e pranojnë akademikët apo mësimdhënësit, po se lexuesit e kërkojnë për mendimet dhe format e laryshisë shprehëse, në të gjitha lamitë shkrimore. Konica është figurë tërësore dhe komplekse, por në rrafsh subjektiv, pra si parapëlqim imi, në krye qëndron teksti në prozë“Dr. Gjilpëra”

-Krijimtaria e tij letrare është shumë e gjerë. Në cilin zhanër të letërsisë shqipe do ta vendosnit më së shumti Konicën?

 Gjerësia, do parë në situatën e larmisë shkrimore, të kreatives dhe metateksteve verifikuese, do të thoja që për nevojat e letërsisë shqipe, do të mbetet si përvijues i linjave të kritikës letrare dhe eseistikës, kurse për fuqinë artistike, proza e tij. Për mua si lëvrues i prozës.

– Konica, si një intelektual i shumëditur, si një enciklopedi, një erudit, i cili luftoi mendësine e ngushtë orientale të prapambetjes dhe përqafoi idetë iluministe të botës moderne europiane, ka një veprimtari të gjerë në letërsi, por edhe tepër aktiv për çeshtjen kombëtare në proceset demokratike të vendit. A ka një urë lidhëse midis letërsise dhe përpjekjeve të tij për çeshtjen kombëtare shqiptare?

Konica është shembulli, ku shkrimtari dhe intelektuali bashkëjetojnë,  gjë që ndërkaq është tipike për letërsinë shqipe. Duke qenë njohës i vlerave dhe mungesave të shqiptarëve, si dhe duke qenë “pjesëtar” i salloneve europiane dhe amerikane, si pak të tjerë, ndjeu ritmin e vonuar të kombit dhe shoqërisë shqiptare, dhe prandaj si pak të tjerë, krahas vlerave, vuri në spikamën e penës së tij, përmes ironisë dhe sarkazmës, dobësitë jo të pakta që ende vijojmë me i pasë në shqipotë, madje edhe në shekullin e njëzet e një.

-Në veprat e tij, Konica përdor një gjuhë shumë të ashpër për shqiptarët: Shqiptaret jane kafshe, armiq të vetvetes. Sot e kësaj dite, ne vijojme të shajme njeri-tjetrin (ksenocentrizem), nuk jemi pozitive, ndoshta një kulturë e trashëguar kjo nga e kaluara. Si e shihni gjuhën e Konicës me nota shumë kritike ndaj popullit shqiptar?

Thëniet dhe përcaktimet, e bëra ngahera nga Konica, pavarësisht “vellosë së ashpër”mua më duken më tepër realiste…Ende jemi një popull romantik, ëndrrimtar, që ka vlerë, po kur ujku po të kafshon e ti “ëndërron” se je në ëndërr… Mungesa e sensit kritik, të vetëdijes sonë, trima mbas beteje, e mentar pas kuvendi, ka nxjerrë në pah sensin kritik dhe realist të Konicës, në lidhje me bashkëkombasit, pavarësisht dozave të ngarkuar sarkastike.

-Kritikat e Konicës ndaj popullit shqiptar, nuk janë pritur mirë edhe nga një sërë intelektualë e studiues, duke e cilësuar ate inatcor, egoist, një person që mendon që i di te gjitha, se vendi nuk ka nevojë për inatçorë, por për mesues dhe edukatorë si Fan Noli. Si i shihni kritikat ndaj Konicës?

Konica ka thënë mendimin e vetë, në shumicën e herës të vërtetë, por vazhdimisht e ka trazuar mendimin shqiptar, që shpesh fanitet si një kënetë me lule, që kanë pak aromë. Konicës mundet t’i vësh epitete sa të duash, ndoënse mendimet e tij, prekin plagët e kënetës shqiptare. Mos të harrojmë, Konica ka qenë mësuesi dhe udhërrëfyesi i Nolit, pavarësisht shtigjeve të ndryshme dhe ndarjes së tyre.  Kur të çlirohemi nga beteja në mes vegjëlisë, që i përkon Nolit dhe bejlerëve, ku gjellin Konica, do të zbulojmë vatra të tjera, te secili shkrimtar, por në mënyrë të veçantë mendimtarinë polemizuese të Konicës.

– Konica, jetën e tij e kaloi jashtë vendit, nga Franca ku u shkollua, shkon në Angli, e pastaj u instalua ne Amerikë, por nuk i ndërpreu marrëdhëniet me vendin e tij. Çfarë të reje solli ai në mendimin dhe kulturën shqiptare, por edhe anasjelltas, pasi ai ka patur marrëdhënie me personalitete të huaja të asaj kohe. Si e ka prezantuar ai Shqipërinë në sytë e të huajve?

Duke jetuar jashtë, Konica thelloi njohjen me botën dhe në të gjitha rastet e paraqiti Shqipërinë në sytë e tyre si vend i jashtëzakonshëm, madje gati krejt ndryshe nga kritikat e ashpra që hidhte mbi shqiptarët, me jo pak mungesa. Ai në shaqërinë mendjembyllur shqiptare solli të menduarit kritik, që bën të mundur daljen nga shpërgjumja, por pati njohje të shumta dhe bëri vlerësime për kulturën perëndimore. Konica ishte sqimatar në portretizimin e Shqipërisë para të huajve, përgjithësisht e ruajti ekulibrin në komunikim me të huajt, për atë që përfaqësonte atdheu dhe kombi shqiptar.

-A është vlerësuar sa duhet figura e Konicës nga shteti shqiptar?

Edhe Konica kaloi nëpër kalvarin e pohimit, dënimit dhe të rikthimit, dhe për secilën situatë, shteti shqiptar, monarkia e bëri ambasador, diktatura e ndaloi, kurse demokracia, aq e brishtë shqiptare, e riktheu, së paku si emër, ndonëse Konica i përket kulturës, letërsisë, një përmase më përtej përkohësisë së secilës formë shtetërore.

-A ka ende vepra të pabotuara nga krijimtaria e Konicës?

Përgjigje: Fakti që Fotaq Andrea para disa vitesh zbuloi në Francë dy tekste romanesh, në frëngjisht të Konicës, ose letra të autorit në SHBA, tregon se përmasat e Konicës janë shumë më tepër, nga sa njohim, mbase letërkiëmbimi i autorit, mbetet ende në hije.

Filed Under: Interviste Tagged With: Behar Gjoka, Eneida Jaçaj, Faik Konica, Kritika

Marrëveshja e Detit me Greqinë, djalli tek detajet

August 30, 2020 by dgreca

Analizë nga Rafael Floqi-

Greqia po rritet” ndërsa zgjeron sovranitetin në 12 milje në detin Jon deklaroi të mërkurën kryeministri grek QiriakosMicotakis. Vetëm Shqipëria dhe Italia ndajnë detin Jon me Greqinë. Duhet të jesh naiv të besosh se Greqia do të zgjerohet në hapësirën detare në drejtim të Italisë, me të cilën tashmë e ka arritur marrëveshjen e Detit. Atëherë duhet thënë se Micotaqis i referohet Shqipërisë, ndaj dhe vjen tani në Tiranë edhe ministri i Jashtëm grek, NikosDendias. Madje ishte po ky Dendias, që e quante Ramën grek nga gjyshja.

“Greqia po rritet” ndërsa zgjeron sovranitetin në 12 milje në detin Jon deklaroi të mërkurën kryeministri grek QiriakosMicotaqis, bën të ditur https://greece.greekreporter.com/ sipas së cilit vendi do t’i zgjerojë ujërat e tij territoriale nga 6 në 12 milje detare në Detin Jon, ndërsa për kryeministrin shqiptar Edi Rama, ky lajm nuk përbën shqetësim pasi është në bazë të Ligjit Ndërkombëtar të Detit. 

“Greqia po rritet,” tha Micotaqis dhe shtoi se një projekt-ligj do të paraqitet në parlamentin grek, i cili do të specifikonte se ujërat territoriale të vendit qysh nga ishujt më të vegjël të veriut të Jonit në Cape Tainaro në Peloponez do të shtrihen në 12 milje detare.  Micotaqis-i theksoi se shtrirja e sovranitetit grek në perëndim është “e drejta jonë e padiskutueshme sovrane, në përputhje me nenin 3-të të Konventës për Ligjin e Detit”.  Greqia po rritet, por në kurriz të kujt po rritet? Në kurriz të Italisë nuk mundet pasi ka nënshkruar marrëveshje me të, atëherë i bien në kurriz të Shqipërisë, por kjo gjë nuk  përbën shqetësim për kryeministrin tonë “patriot” facebook -u.

Marrëveshje të re Shqipëri-Greqi për Detin? Çfarë fsheh Rama ?

“Shtrirja që tha kryeministri grek është krejtësisht korrekte, përgjigjet Rama, është vendimtarja e tyre, nuk ka lidhje çfarë thotë Shqipëria. Shqipëria nuk ka ça të thotë dhe s’ka pse të thotë. Pjesa tjetër është poshtërsi nga fillimi deri në fund e atyre që e bëjnë”, me këtë akuzë sulmoi ai politikisht opozitën.

“Qeveria jonë dhe qeveria greke nuk kanë biseduar asnjëherë dhe nuk kanë këmbyer asnjë opinion për këtë çështje, qyshse në krye të punëve në Greqi ka ardhur zoti Micotaqis. Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për të ashtuquajturin delimitim të ujërave mes Shqipërisë e Greqisë, i kemi zhvilluar me qeverinë e mëparshme greke dhe marrëveshja nuk është arritur të mbyllet, pavarësisht progresit të konsiderueshëm nga pika zero ku jemi rinisur pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese”, reagoi Rama në Facebook.

Ligji Ndërkombëtar i Detit përcakton që deri në 12 milje detare (22 kilometra; 14 milje) nga bregu, shteti bregdetar është i lirë të përcaktojë ligjet, të rregullojë përdorimin e ujërave dhe nëndetit dhe të përdorë çdo burim. Anijeve u jepet e drejta e kalimit “të pafajshëm” njësoj si nëpër ujërat territoriale. Termi “kalimi i pafajshëm” përcaktohet nga konventa, si kalimi nëpër ujëra në një mënyrë të shpejtë dhe të vazhdueshme, e cila nuk është “paragjykuese për paqen, rendin e mirë ose sigurinë” e shtetit bregdetar. Peshkimi, ndotja, përdorimi i armëve dhe spiunimi nuk janë akte “të pafajshëm”, madje dhe nëndetëseve dhe mjeteve të tjera nënujore u kërkohet të lundrojnë në sipërfaqe dhe të tregojnë flamurin e tyre. Këtë thotë e drejta ndërkombëtarë. Po pse ky vendim grek, pikërisht tani ku acarimi greko turk ka arritur kulmin ? Por siç u pa dhe nga konflikti turko-grek problem nuk janë ujërat deti por shelfi kontinental dhe burimet e naftës e të gazit në të. Pse po nxitohet tani Greqia kur ka pritur të paktën 30 vjet nga Konventa e MontanaBay?

Ndërsa Micotaqis-i u tha deputetëve se: “Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale perëndimore në dymbëdhjetë milje detare nga gjashtë.” Masa e planifikuar nuk ndikon në rajonin e Egjeut në brigjet lindore dhe jugore të Greqisë. Por pse qenka kaq e lehtë në Perëndim dhe, si qysh?  Ndërsa në jug e Lindje e Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm nga Athina në lindje të Greqisë do të ishte një “casusbelli” – ose shkak për luftë.Si ka mundësi që një veprim që është në të Drejtën Ndërkombëtare i drejtë në Perëndim, është shkak për luftë në Lindje?

Ç’thotë Konventa e MontegoBay-it?

Është e  vërtetë që Ligji i Detit lejon shtrirjen e ujërave territoriale me 12 milje, por pse qeveritarët shqiptarë dhe Kryeministri Rama përpiqen të fshehin ekzistencën e një marrëveshje të re? Pse flitet për një të drejtë suigeneris, duke fshehur anën tjetër, sesi do veprohet me detin e brendshëm, për shembull me Kanalin e Korfuzit. Dhe sa pjesë të shelfit kontinental që i takon Shqipërisë, përfiton Greqia nga kjo manovër? Në vendimin që trajton çështjen e zgjerimit me 12 milje është përmendur edhe me nr.86 në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Aty jepet një propozim, që nëse dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë këtë mund ta bëjë Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit, por si përfundim saktësohet edhe një herë e drejta e një shteti për t’u zgjeruar me 12 milje ekziston. Një zyrtar i diplomacisë së Ramës, njëkohësisht anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë, Glevin Dervishi, i biri i një ish ambasadori në Greqi, ka deklaruar gjithashtu, në mënyrë të papërgjegjshme se “Zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon, nuk ka asgjë e re për Shqipërinë”. Edhe ky, ‘ekspert’, si Micotaqisi dhe si Rama, nuk thotë asgjë lidhur me kontestin kryesor shqiptaro-grek në delitiminin e kufijve. Çështjen e ishujve grekë, të banuar dhe të pabanuar, përballë dheut kontinental të Shqipërisë që ndërhyjnë në hapësirën e territorit detar shqiptar.

Në rastin e Ujërave të Brendshme dhe Detit Territorial përsërisim se sovraniteti i shtetit bregdetar është i plotë dhe shtrihet edhe mbi hapësirën ajrore si dhe shtratin e detit dhe nëntokën e tij, deri në 12 milje detare.

Vija e mesit dhe ishujt e pabanuar

Është e qartë se Gjykata Kushtetuese me 2010 nuk lë asnjë hapësirë për dyzime apo nuk ka asnjë nënkuptim. Duke iu referuar Konventës së MontegoBay, edhe Gjykata Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e parë me arsyetimin se favorizonte grekët në caktimin e kufijve, e ka zhbërë totalisht debatin për zgjerimin e Greqisë me 12 milje. “Atëherë përse shitet një çështje e tillë si fitore në Greqi? Një zgjerim i Greqisë,një shpjegim mund të jetë manovra e politikanëve grekë për ta shuar debatin e brendshëm për marrëveshjen, pasi vetë deklarata e “zgjerimit të kufijve me 12 milje” mjafton për të bërë të heshtë çdo zë kundër. Por nuk përjashtohet as tentativa për ta devijuar debatin nga “problemi” kryesor që evidentoi Gjykata Kushtetuese në 2010. Harta e paraqitur  ku 12 milje detare i janë bashkëngjitur pa marrëveshje vijës së delimitimit detar në kanalin e Korfuzit, “sipas vijës së mesit”, është rrëzuar që në vitin 2010”, pyet koloneli në pension MyslimPashaj.

Ka kritikë, të cilët flasin për një marrëveshje tashmë të përfunduar. Këtë përshtypje ta jep gjithashtu deklarata e kryeministrit të Greqisë. Ka të tjerë, të cilët thonë se projekti i 12 miljeve det për Greqinë qëështë i gatshëm për firmë. Të gjitha këto hamendje, nëse do ishin të tilla, vetëm sa i vërtetoi kryeministri i Rama me statusin e tij në Facebook.

Dhe në këtë rast, na del një Edi Ramë me dy fytyra. Rama opozitar, i cili denoncoi marrëveshjen e qeverisë së demokratëve për vënien e kufirit detar në largësinë e 6 miljeve. Ndërsa sot një Ramë tjetër në pushtet, i cili nuk e ka problem që t’i japë vendit fqinj edhe gjashtë milje të tjera, pra gjithsej 12 milje det, madje dhe pa marrëveshje.

“Deklarata e kryeministrit Grek nuk ka lidhje me marrëveshjen me Shqipërinë. Thekson Edi Rama dhe shton se është marrëzi pasi deklarata plus 6 milje nuk është shtrirje drejt Shqipërisë por është një shtrirje mbi bazën e konventës ndërkombëtare. Askush nuk pyet tjetrin kur ushtron këtë të drejtë. Është një e drejtë që Shqipëria e ka zbatuar në vitin 1990″.

Koloneli i njohur MyslimPashaj, që denoncoi marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar Shqipëri-Greqi në vitin 2009, e cila më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ka reaguar për debatin e nisur në ditët e fundit në një intervistë për gazetën “Panorama.al”, Pashaj tregon se përse një dëshirë e tillë greke mund të cenojë ujërat territoriale të Shqipërisë. Ai thotë se për ndarjen e kufirit siç u bë në vitin 2009, por edhe tani, në përcaktimin e 12 miljeve nuk duhet të merren mikroishujt shkëmborë të pabanuar. Duke marrë si shembull shkëmbin e Barketës, shumë i diskutuar edhe në vitin 2009, Pashaj thotë se ai nuk mund të merret si pikë për të filluar matjen e 12 miljeve detare që kërkon Athina zyrtare.

Në fjalinë e parë të nenit 15 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit shkruhet:

“Kur brigjet e dy shteteve janë të kundërta ose ngjitur me njëra-tjetrën, asnjëri nga të dy shtetet nuk ka të drejtë, duke mos arritur marrëveshjen midis tyre në të kundërt, të zgjasë detin e tij territorial përtej vijës mesatare, çdo pikë e së cilës është e barabartë nga pikat më të afërta në pikat bazë nga të cilat matet gjerësia e deteve territoriale të secilit prej dy Shteteve. Dispozita e mësipërme nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme për shkak të titullit historik ose rrethanave të tjera të veçanta për të kufizuar detet territoriale të dy shteteve në një mënyrë që është në ndryshim prej tyre.”.

Nënjë rast analog në Ballkan kjo mosmarrëveshje është në qendër te diskutimeve me Kroacisë dhe SllovenisëpërDetin e Perinit. Ndërsa Kroacia pretendon se kufiri duhet të jetë një distancë e barabartë nga secili breg. Pretendimet sllovene bazohen në të njëjtin artikull. Sidoqoftë, ajo favorizon fjalinë e dytë, e cila përcakton se pretendimet historike ose rrethana të tjera të pazakonta e zëvendësojnë rregullin e barazisë.

Ligji i Detit gjithashtu përcakton se ujërat ndërkombëtare fillojnë 12 milje detare (22 km; 14 mi) nga bregu i vendit. Konventa thotë se një shtet bregdetar ka një të drejtë ekskluzive për të menaxhuar të gjitha burimet natyrore në një bandë deri në 200 milje detare (370 km; 230 mi) nga bregu i saj (një “zonë ekskluzive ekonomike”.

Sipas kërkesave të barazisë,siç rezulton nga nenet 74 dhe 83 të Konventës për Ligjin e Detit “ishujt e pabanuar dhe pa jetë ekonomike në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojnë në asgjësimin e hapësirave detare që i përkasin brigjeve kryesore tokësore të shteteve bregdetare”.

Si Greqia avitet merr mesin e Ngushticëssë Otrantos

Për shembull, Shqipëria ka përballë një ishull thuajse të pabanuar si Othonoi, i cili nëse merr fuqi të plotë për ujërat territoriale duke i zgjeruar ato në 12 milje rrezikon, nga një anë, mbivendosjen në verilindje me ujërat territorialë shqiptarë, dhe, nga ana tjetër, me zgjerim në drejtim të Italisë, ndikon negativisht në zonën ekskluzive ekonomike që i takon Shqipërisë në veri të Detit Jon, duke i dhënë Greqisë edhe qasje në Kanalin e Otrantos, që deri sot ka qenë i trajtuar midis Shqipërisë dhe Italisë. “Duhet sqaruar publikisht dhe zyrtarisht, ndër të tjera, se cila është vija bazë e drejtë e bregdetit shqiptar me të cilën ka hyrë në negociata pala shqiptare dhe cili është statusi i gjirit të Sarandës në këto negociata, që mos të përfundojmë sërish duke humbur territor si në marrëveshjen e vitit 2009”, pyeste në një artikull Lëvizja Vetëvendosje.

Ndarja “sipas vijës së mesit”, e përzgjedhur qorrazi herën e parë nga shqiptarët, lejoi “pushtimin” në kufirin e 22,22 km nga ishulli Othonoi, pa marrë parasysh rrethanat gjeografike. Othonoi (Greqisht: Οθωνοί, oseOthoni, Italisht: Fanò) është një ishull i vogël Grek në Detin Jon, që ndodhet në veriperëndim të Korfuzit, dhe është pika më perëndimore e Greqisë. Othonoi është më i madhi i Ishujve të Diapontias  është pjesë e komunës së Korfuzit, nga e cila është një njësi bashkiake prej 10.078 km2 me 392 banorë.

Unë i kam bërë zë opinionit shqiptar thotëkol. Pashaj “nëse di gjë ai, se kujt shteti i përket Cektina shkëmbore e Pleshtit (Barketës) tanimë të njohur, Greqisë apo Shqipërisë? Askush nuk përgjigjet”.  Pra elementi historik që përmendet në Konventë nuk është me vend këtu. Ndërsa kryeministri ynë u shpreh se “Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujërat territoriale shqiptare”. Mjafton kjo fjali për të kuptuar falsitetin dhe mashtrimin e zotit Rama.

Nëse Greqia nuk gllabëron ujërat territoriale shqiptare të Jonit, cilat ujëra të gllabëron ajo, të Italisë?

Sepse vetëm Shqipëria dhe Italia ndajnë detin Jon me Greqinë. Duhet të jesh naiv të besosh se Greqia do të zgjerohet në hapësirën detare në drejtim të Italisë, me të cilën tashmë e ka mbyllur marrëveshjen e Detit. Atëherë duhet thënë se Micotaqis i referohet Shqipërisë ndaj dhe vjen tani në Tiranë ministri i Jashtëm grek, NikosDendias. Çfarë na e fsheh Rama? Madje ishte po ky Dendias, që e quante Ramën grek nga gjyshja?

As Rama, asnjë në hierarkinë e shtetit nuk e tha një fjalë për të sqaruar negociatën, por një diplomat i ri i cili tha prerazi se nuk ka negociatë! Madje dhe Turqia e pat paralajmëruar Shqipërinë për arsye që duhet të mos pranojë marrëveshjen, pasi grekët gënjejnë. Si është e mundur?! Për shembull z. Cakaj të na thoshte se në bisedime është pranuar “Vija e Mesme” apo “EquitableSolution”, po efekti i ishujve dhe cektinave detare pse s’përmendet?

Ndërkohë deklarata e Micotaqis thotë shumë në këtë drejtim. Vendosmëria dhe bindja e tij është se kufiri detar grek do të shtrihet 12 milje në detin Jon dhe njëkohësisht, na bën me dije se Shqipëria nuk do të ketë as dy milje det në jug të vendit.

Ish kryeministri Zoti Berisha,  i cili qe hartues i ligjit të parë të bllokuar nga Gjykata Kushtetuese thotë në Facebook se me “zgjerimin nga 6 në 12 milje të kufirit detar nga Greqia, Shqipëria humbet vetëm në territor, pothuaj aq sa pushton det kalimi nga 6 në 12 milje. Për ata të cilët duan të dinë të vërtetën, Shqipëria e cila ta zëmë në një distance 18 km midis dy vendeve do të kishte të vetat 12 milje, tani do të ketë vetëm 9 milje dhe kjo humbje vazhdon gjer në distancën 12 milje. Në tërësi, po të kemi parasysh hapësirën e kufizuar të saj në detin Jon, Shqipëria humbet qindra e qindra km nga territori i saj aktual detar. Ky vendim – thekson më tej zoti Berisha – nuk ka asnjë implikim për zonat si Kanali i Korfuzit në vendet ku distanca është 12 milje e më pak. Kjo sepse në këtë rast, secili vend do marrë nga 6 milje ose barabarësisht më pak”.

Ndërkaq Edi Rama flet, por nuk sqaron, nuk jep përgjigje për thelbin e debatit, thjesht hedh akuza kundër opozitës dhe kritikëve të tij, sikur të ishin këta që bisedojnë me Athinën e jo vetë kryeministri shqiptar, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme! Të mos tregosh diçka apo të fshehësh diçka me qëllim është njësoj si të gënjesh.

Gjeopolitika në fund të fundit është studimi i ekuilibrit midis opsioneve dhe kufizimeve. Gjeografia e një vendi përcakton në një pjesë të madhe se çfarë dobësish përballen dhe çfarë mjetesh ke në dorë si vend. Vërtet Shqipëria nuk mund të pengojë Greqinë të shpallë shtrirjen e saj në Detin Jon në 12 milje, si e drejtë ndërkombëtare, por mundet dhe duhet ta pengojëatëtëfitojënë kurriz të kombit tonë,duke përdorur vetë Konventën dhe ligin 15 të saj.  Dhe gjeografia e vendit tonë na ndihmon nëkëtë drejtim. Boll na kanë marrë toka vendet fqinjë. Deti duhet të ndarë me drejtësi.  Pasi në ndodhtë ndryshe, qoftë dhe nga padija apo mendjemadhësia  s’do ketë det ta lajë tradhtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafael Floqi, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT