• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP: NUK KEMI LIDHJE ME KOALICIONET ORIENTALE

October 29, 2020 by dgreca



ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP
A LEGALLY REGISTERED GROUP OF DONALD J. TRUMP FOR PRESIDENT INC.
US PRESIDENTIAL ELECTIONS 2020
Michigan më 28 Tetor 2020
 
            SQARIM
 
Ne anëtarët e këtij grupimi në ombrellën e Albanian Americans for Trump, sqarojmë opinionin publik shqiptar në Amerikë dhe më gjerë në lidhje me përfshirjen e komunitetit shqiptar në listë me vendet e arabe apo të tjera Orientale, sa më poshtë vijon:
 
Solidarizohemi me ju në këtë shqetësim të përbashkët. Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe janë një popull i civilizuar Evropian, ndër më të vjetrit në rajon.
 
Personi në i listuar në reklamë, z. Gjevalin Gegaj, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë anëtar i grupimit tonë. Ky person ka vepruar në mënyrë personale, të padrejtë dhe të pandershme duke u nënshkruar në grupimin e Koalicionit të Lindjes së Mesme si përfaqësues i komunitetit shqiptar. Grupimi yne i dënon këto veprime.
 
Ky incident nuk është spontan apo i rastësishëm, pasi z. Gegaj edhe më parë ka kryer akte të till ate dyzuara mbas shpinës së komunitetit tonë, here me Trump dhe herë kundër tij. Këto akte kanë dëmtuar fushatën për fitoren e Trump, kanë përçarë komunitetin shqiptar këtu dhe kanë dëmtuar imazhin tonë si komunitet i nderuar, solid dhe model per paqe të përhershme midis shqiptarëvë të të gjitha besimeve.
 
Ne i respektojmë aktivitetet e të gjitha koalicioneve, qofshin këto arabe apo të tjera në këtë fushatë me një qëllim të përbashkët, fitoren e Presidentit Trump, për sa kohë nuk abuzohet me dinjitetin dhe integritetin tonë si shqiptar.
 
Albanians Americans for Trump në bashkëpunim me institucione të tjera shoqërore dhe të kultit, po e ndjekim zyrtarisht këtë çështje, dhe shumë shpejt do të kemi një përgjigje të përbashkët.
 

Filed Under: Politike Tagged With: ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP, sqarim, Valentin Lumaj

“VAJET E PRANVERËS MASHTRUESE” …

October 28, 2020 by dgreca

–ROMAN I SHKRIMTARES SE NJOHUR BAJAME HOXHA – ÇELIKU–

Pergatiti Fritz RADOVANI–

Një vajzë 11 vjeçare Arixhofka, ka fillue “Universitetin” në disa fakultete të njohuna… 

Nder dokumenta Ajo ruen emnin Bajame Hoxha-Çeliku, emen që atëherë njihej nga pak kush.., ose, ma mirë me thanë vetem nga shoqnia e Saj në barakat e atjeshme…

Gjithkah e rrethueme nder tela me ferra… Një ferr’ i vertetë – Shqipnia komuniste!

Mija e mija metra tel me ferra nder sa e sa qytete e fshatra që rrethonin Shqiptarët! 

Të vjetrit kanë thanë dikur: “Vetë jeta asht shkollë !”, këte verteton Arixhofka sot!

Nen rrezet e Gazetës “Dielli” lexova nga poetja Bajame një poezi per At Fishten… 

Nuk ishte aspak emen i panjoftun! Portreti i Bajames kur e perfundova së lexuemi poezinë mu duk sikur shkelqente ma fort! Mbas një jete të mnershme,  buzqeshte!.. 

Mu kujtue një roman me 580 faqe që ka shkrue e nderuemja Bajame e që titullohet “VAJET E PRANVERES MASHTRUESE”, që miqësisht ia kerkova e, Ajo ma dergoi. Më tregoi se romani ka karakter historik dhe se Emnat besoj ke me i njohë… Ishte pikrisht ato ditë kur unë botova një artikull dhe ku shenova në fund: “Me 15 Maji 1945 (EH) ka nenshkrue interrnimin e këtyne fëmijve nen moshen 14 vjeç: Klorja, Lajdja, Katrina, Zefi, Mojsi, Leka, Elena, Bibjani, Nikolla, Klara,  Isabella, Tonini… Vetem të familjes Mirakaj… Po në gjithë Shqipninë sa bahen?!..” Dhe, pikrisht kjo Arixhofka më shkruen: “Të gjithë ato emna i njoh!”… Me të vertetë u topita randë!  

Shumë shpejtë më dergoi edhe romanin e Saj, me një parathanje të z. Qazim Shehu. 

Kujtoj vite perpara kur pata lexue romanin “Rrethimi i Shkodres 1913” nga Don Ndoc Nikaj, pra, romanin e parë në letersinë shqipe, aty shkruhej: “…nji nder lagjet ma të shkatrrueme nga gjylet e malazezëve asht kenë ajo e Badrave në Shkoder…”, dhe, me vite të tana s’ më hiqej nga mendja shkatrrimi i rrugës ku jetojshe unë në Shkoder. 

Po Arixhofka e vogel që as nuk besoj se e din “pse?”, e filloi e vazhdoi gjithë jeten per ma shumë se 32 vjetë nder kampet e mnershme komuniste t’ interrnimit, tue fillue si fëmijë, vajzë e re, nuse e nanë e nderueme, vetëm pse i kishin zhdukë baben…  

Kam lexue edhe ndigjue shumë ngjarje të trishtueshme, madje edhe të mnershme të atyne kampeve shfarosëse, kam pa edhe kampe pune të detyrueshme të Kavajës dhe të Rinasit, kur po ndertohej aeroporti, kam lexue kuriozitete dhe kam pasë rasen me njoftë një Nanë, që më ka tregue sesi në kampin e interrnimit të Vlonës, “nga ora 10 e natës, policët i merrnin vajzën.., dhe ia kthenin nga ora 3 ose 4 e mengjezit…”. një nga tmerret ma të mëdhaja që kanë kalue disa Nana të Nderueme Shqiptare… E kjo ma e mnershmja ngjarje per një Nanë.., i rrezikonte rrezikzezat per çdo minut! Kudo ku Ato venin kamben kercnoheshin nga barbarët vrastarë dhe antinjerzorë, deri aty sa shumë nga ata fatzeza shifnin me sy edhe shfarosjet e burrave dhe trashigimtarve të tyne, pa ma të voglin faj ose të pakten një fyemje, që ndryhej në zemrat e tyne…

Romani fillon me pershkrimet fëminore dhe dalngadalë Arixhofka tue u rritë dhe, në mbrendinë e rrethinave të atyne kampeve interrnimi tue ndryshue gjithshka… Pa e kuptue fillon me ndryshue edhe jeta, gja që të duket krejt normale nga pershkrimet aq me mjeshtri të Autores, që e pasunon shkrimin me aq shumë epitete dhe figura letrare sa lexuesi harron se asht tue vazhdue me ecë i rrethuem në tela me ferra. 

Shkrimtaria e njeh aq mirë gjuhen shqipe dhe pasuninë e saj në letersi, sa asnjëherë nuk mërrinë me u ndalue dhe me u kujtue si asht e mujtun me e perdorë dialektin e Jugut aq korrekt një vajzë e re e rrethueme me mirditore, tepelenase, gjinokastrite apo kelmendase e tropojane… Të sjellun me polici nga të gjitha viset e Shqipnisë. 

Po deshte me njoh aftësinë e Arixhofkës në zhvillimin psikologjik nder rrethanat ku po rritej Ajo, lexo me kujdes dialogun e bisedave të saja në shoqni, në punë dhe me polic të cilët, janë të kudondodhun dhe si rriçnat gjakpise nder ata vende torture. 

Autoria e romanit, asht e paisun me një kujtesë të mbinatyrshme, e ruejtun aq shumë nder ato vuejtje me një freski emnash, mbiemnash, ngjarjesh, vendesh e skutash, me aq kujdes sa njeriu tue lexue fillon e dyshon per mbajtje ditari sekret… E shpesh, rri e mendon, si mundet me u rikujtue ajo jetë e mbytun në vuejtje edhe me data e stinë? 

Në liber gjithshka lidhet me psikologjinë e krahinave, ku nepermjet bisedave të bame  me shoqe Autoria, nxjerrë në dritë inteligjencen dhe karakterin e paster të shoqeve të veta dhe e zberthen ate të lidhun me edukaten familjare e traditen krahinore. 

Atyperaty, përballet me policin ose agjentin e sigurimit të shtetit, ku nepermjet gojës së flliqtë të tij, zbulon mbrendinë e shpirtit barbar që mendon e punon gjithshka si e si me dermue dhe me shnderue karakterin e Atyne viktimave të pafajshme. Dialogu i tyne me t’ interrnuemit ka vetem një qellim: “Në se gabon dishka, e presin prangat!” 

Në dukje e pabesueshme, po me djallzinë e tyne, gjithshka i sherben diktaturës… 

Me shumë mjeshtri Autoria ka realizue bisedat provokuese të atyne agjentave me të gjitha moshat e vuejtësve, per qellimin e tyne djallzor: “Me rekrutue moshat e reja e deri tek pleqtë që po mbyllnin vitet e fundit të jetës në dishprim të plotë, pa as ma të voglen shpresë me pa para vdekjes vetem një ditë veten të Lirë!” E, perballë barbarve në rrugen perpjetë kodres Kalvarit, asht Nana… Mbretnesha e vuejtjeve të jetës… Ajo, edhe pse me shkarpa e zhele të veshuna per trup, ecë e ecë tue i rrigue lotja… Rri e mendon per burrin e arratisun, djalin e burgosun, vllaun në hetuesi dhe vajzen që e mundon me vajzninë e saj pa asnjë shpresë me krijue Familjen e Shpresës e t’ Besës! 

Lodhet e shpesh rrzohet si Krishti nën Kryq, po  moralin e ka të hekurt, asht Bijë Fisit dhe nuk ia turpnon kush Asaj prakun e Derës, as Sofren e Atyne Stajanicave që nder shekuj kanë nderue kullat e të Parve të tyne, kur me besë lidhne Kunoren Shejte! 

Shkrimtarja jonë njeh traditat e zakonet e krahinave, po mbi të gjitha në moralin e Saj nuk gjindet një shkendi sado e errtë fanatizmi. Bajamja e vogel e derisa u martue kje modeli i Vajzës.., e i Grues ma të Nderueme prej të gjitha Besimeve n’ ata kampe.  Ndersa në romanin e Saj shperthen dashnija e brumosun me sinqeritet dhe pasterti shembullore, kryesisht per brezat e reja, ku mungesat janë të mëdhaja. Sot asht pak e vështirë me gjetë një roman të këtij modeli ku, gjithshka thuret me moral brilant! 

Po, fatmirsisht Bajame Hoxha-Çeliku e ka realizue një Kryeveper të tillë, me guxim të pakrahasueshem, me pasterti mendimi e Shpirti të brumosun nder vuejtje, po mbi të gjitha romanin e ngriti dëshira e madhe për Lirinë e Atdheut dhe morali i paster i Shqiptarve që vuejtën, po asnjëherë nuk kerkuene me u njollosë as shkarpash me gjakun e tiranve dhe barbarve komunistë, që i nxine jeten Prindve të tyne, Këtyne vetë dhe pasuesve trashigimtarë që janë shpernda nepër Botë per një kafshatë bukë!

E, nëse ndokush kerkon me dijtë Historinë e Kampeve t’ Interrnimit nga komunistët barbar dhe të pabesë po, mbi të gjitha vrastarë e gjakbasa plaçkitës, merrni e lexoni romanin e Bajame Hoxhës, Aty asht Historia e plotë e vuejtjeve të Shqiptarve! Romani “VAJET E PRANVERËS MASHTRUESE” asht Kryeveper e Letersisë Shqipe  moderne të Shekullit XXI. Aty n’ se e keni harrue asht edhe komunizmi gjakatar me tiparet e veta të pabesa dhe vrastare! Historia shkruhet vetem si e ka shkrue Bajamja. 

E tue shikue foton e Saj gjithnjë tue buzqeshë, njeriu shikon një zemer të hapun, që shperthen edhe në vargje plot knaqësi e pasterti Shpirtnore. Vargu i Saj asht një nga shperthimet poetike plot ambelsi, i kandshem, i qetë e plot nektar të mbledhun nder livadhe.., aty ku kosa e barbarit merrte jetë njerzish të pafaj e të paster si biluri, t’ asaj Rinije aq të dashtun e të paster Shpirtnisht, bash si ata prroje e lumej që nder ata tmerre vetem i shperlanin Shpirtin asaj rinije plot vuejtje, vorfni dhe etje t’ pashueme nga urrejtja e vllavrasja e pashoqe, por sot.., asht Ai brez që vetem di me falë! Vargu i Bajames asht një Himn i vertetë i Atij Flamuri, ku Gjaku i Rinisë Shqiptare ka shlye pergjithmonë yllin pesë cepash të vrasjeve terroriste të bolshevizmit skllavnues…

Jo m’ kot Bajamja i këndon sot “Hyllit të Dritës”, popullit të Saj… Shqiptarisë!   

Një cilësi e Burrneshave tona, kur tek portaria i shkonte gjaksi…Po, edhe nuk harron!

Tek libri i Arixhofkës, sejcili ka me kerkue vetveten.., “bash ashtu si e ka falë Zoti!”

Shqiptarët tue kalue nder duer librat e Saj, do t’a kuptojnë mbrendinë e tyne, faktet e ngjarjet që koha do ti vendosin shpejtë me thesaret tjera në fjalorin enciklopedik! 

Arixhofkës, i uroj jetë të gjatë dhe prodhimtari të shkelqyeshme, per edukimin e një Rinije Atdhetare Shqiptare ashtu si asht edhe Ajo vetë, trashiguesit dhe romani i Saj! 

                                                                                    Me shumë respekt per Arixhofken:

         Melbourne, 25 Tetor 2020.                                            Fritz RADOVANI

Filed Under: ESSE Tagged With: BAJAME HOXHA - ÇELIKU, Fritz Radovanai, Vajet e Pranveres Mashtruse

Greva e grave dhe Çak Norris

October 28, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Greva e grave të naftëtarëve, është një nga ato raste që do mbahet mend në Shqipëri. Kjo për faktin se e filluan burrat dhe po e mbyllin gratë e tyre. Një vendimarrje që të kujton folklorin, por ja që është një realitet i prekshëm. Një këmbim ushtarësh nga fronti. Një lloj vendosmërie për t’u admiruar. Nga ana tjetër për të kuptuar se sa unik është suporti familjar. Përballë është një administratë shteti kaq shumë e kalbur, sa kujton se do mbylli dështimin me show Delta Forcë a Çak Norrisi kur shpëtonte robërit në Lindjen e Mesme a Vitnamin e largët. Unë gjithmonë i jam drejtuar shoqërisë në kuptmin e përkrahjes. Por vë re se sytë e saj i rrëmben sa Çak Norrisi i filmave të viteve 80-të, aq edhe krijimi i forcave të reja politike. Dhe ky vit pandemik ka prodhuar një bum syresh. Por me tone të dallueshme nga opozita. Zakonisht forcat e reja lindin nga pushteti, sot në Shqipëri po lindin nga opozitarizmi. Dukej normale ca vite më parë dalja e Libras së Ben Blushit. Në fund të fundit me atë që ka çelsat do merresh, me atë që lëviz binanë, lëvron fondet, devijon vendin në vend që ta drejtojë atë. Nuk mund të merresh me të mundurin. Dhe sado ta anatemojnë Blushin, bëri atë që është  më se normale në demokraci. I tha zeusit që po vepron gabim, shpalli një program paralel, humbi dhe u largua. Sot forcat që po krijohen, po merren me spiunët brenda llojit, me korin e të indinjuarve se sa me devizën për të përmisuar jetën e shqiptarëve. Shkurt karvanit prej 136 partive, shqiptarëve që po firohen ditë më ditë, u duhen edhe nja katër a pesë parti të reja. Dhe është kjo arsyeja që Çak Norrisi shqiptar, laj e thaj me një avion Airalbania, zbret shkallët si triumfator a shpëtimtar i robërve. Në fakt shqiptarët duhet ta shtyjnë një orë e më parë nga maja e shkallëve ku del e ekspozohet, pasi sot vuajnë tërësisht probleme të tilla me pikëpyetje pa përgjigje? Përse ikin shqiptarët në Siri? Përse shteti e ka humbur kontrollin në raport me institucionet fetare? Përse shteti nuk kontrollon dot burimet financiare të tyre? Përse shqiptarët e dërrmuar nga tërmeti, nga pamundësia e financimit, nga mos pasja e banesave normale, kanë më shumë minare e kryqe për banorë, se sa shtëpi a prona. Ashtu sikur kishin më shumë bunkerë dikur? Por jemi ke gratë në grevë urie. Si nuk ju vjen ndoht të dëgjoni broçkulla studio mbi shpëtimtarin Çak Norris. Dhe nuk kuvendoni në një emision për gratë e naftëtarëve. Mendoni të ishit vet në pozitat e tyre. Janë disa familje që kanë muaj që vuajnë po njësoj si pengjet në Siri. Pengje janë edhe ato, pengje nga punëdhënësi dhe shteti amë. Shteti që është edhe aksioner. Shteti i një shallvarexhiu që zihet studiove. Kudo dominojnë replikat mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Hori e tërë. Kush ka të drejtë? Kudo skenat e atij lajthaj-it shqiptar, Lasgushit. Kudo gallofi që nuk beson se e shohin, edhe pse është 2 metra. Nuk janë problemet tuaja, nuk është ekonomia juaj, nuk janë xhepat tuaj. Rindërtimi a besimi juaj. Janë regresi, vdekja e butë. Problemet tuaja janë ato gra ballshiote ngujuar për të drejtën e familjes së tyre, punën e pa paguar.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Çak Norris, Greva e grave, Ilir Levonja

TEPELENA- NJË JETË NË DIKTATURË(2)

October 28, 2020 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

TEPELENA DHE TMERRET E SAJ TË PËRBINDËSHME/

Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njerit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrënqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.

Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e  demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag të markës shqiptare. Tepelena ka aqë shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme ( besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numuruar. 

Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz- nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brëndëshme, familjet  e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv… Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri. 

Mbaj mënd sesi natën e Vitit të Ri 1951, sëbashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do t’a hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye sëbashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhëtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit”festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave…

Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lendet e lisit, goricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjenike të tmerrshme, mungesën e banjove të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm. gjërësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditëshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.

Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrënqeth  kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “ Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për t’a larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic m’a hapi derën e birucës dhe un rifitova “lirinë”.

Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshëm, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzetekatër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ja kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes. 

Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marredhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa ( në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “ vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “ armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do t’a priste një kob të tillë?  Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvaitianeve të përdhunuara nga idhtarët e Sadam Hysejnit.

Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte  përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë…. Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.

Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore… Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rrjeshti me shoqet për në mal…

Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lotë rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim,  por urdhëri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga un. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna… Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysëmshekulli.   

“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmërira, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me t’ëmën, kur shprehet:” Do të ve një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde…”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua verë para strategëve “të lavdishëm”  t’asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithshka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aqë mirë kollosi Dostojevski, duke parahikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, NJE JETE NE DIKTATURE 2

EKZISTENCA E KOSOVËS DHE ZGJEDHJET AMERIKANE

October 28, 2020 by dgreca

SHKRUAN: MA. AGIM ALIÇKAJ /

         Dëshiroj ta filloj këtë shkrim me vargjet e këngës së patriotit dhe këngëtarit folklorik legjendar Dervish Shaqa “ Pej qat sene që o kon Hyrrjeti, ksej Kosove kurrë s’ju da gazepi”. 

         Dardania e lashtë ilire, Kosova e jonë e dashur dhe e shtrenjtë po vuan dhe rënkon. Pret dhe kërkon nga bijtë e bijat më të mirë të saj ta ndihmojnë dhe shpëtojnë nga shkatërrimi. I mallkon bijtë dhe bijat e saj të këqinj, politikanët e këqinj të Kosovës të cilët vazhdojnë ta lëndojnë, vazhdojnë ta rrjepin, të gatshëm edhe ta shesin për interesa të tyre të sëmura personale. Si është e mundur që populli i lashtë pellazgo-iliro-shqiptar, më i vjetri në Ballkan, me traditë dhe vlera të larta njerëzore, me mirësi dhe virtyte të thella, të katandiset në një gjendje kaq të mjerueshme?!

         Serbia një shtrigë e vjeter, simbol i urrejtjes, pamëshirës, grykësisë, shpirtëvogëlsisë dhe vlerave jocivilizuese, e përkrahur nga Rusia, vazhdon pandalë veprimet armiqësore ndaj Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Jo vetëm që nuk pendohet për krimet monstruoze, por gënjen, beson dhe propagandon se ajo është viktima. Si është e mundur që një shtet kaq primitiv dhe barbar të tolerohet dhe të përkëdhelet nga shtetet e civilizuara demokratike?!

         Evropa si gjithmonë, e përçarë, e pavendosur dhe e paaftë për ta zgjidhë konfliktin e Kosovës me Serbinë, Gjermania, Britania dhe disa shtete të tjera të drejta mund ta përkrahin, por nuk mund t’i detyrojnë shtetet pro-serbe ta njohin Kosovën.

         Amerika, vendi i demokracisë, drejtësisë dhe ruajtjes së rendit botërorë, është  shpresa e vetme e forcimit, ngritjes, shpëtimit dhe ekzistencës së Kosovës. Duhet punuar shumë ta mbajmë dhe ta avancojmë miqësinë e popullit shqiptar me popullin amerikan. Dashuria dhe respekti për Amerikën janë të sinqerta. Interesat afatgjate strategjike i kemi të përbashkëta. Moskuptimet dhe pengesat eventuale me zyrtarë të ndryshëm janë të natyrshme dhe nuk bën të na dëshprojnë, as të na dekurajojnë. Si në çdo shtet tjetër, edhe në Amerikë zyrtarët e përkohshëm mund të kenë interesa të përkohëshme. Dëgjueshmëria dhe nënshtrimi i plotë dhe pakushte ndaj kërkesave të tyre, kur ato janë haptas kundër interesave të Kosovës, siç ishte rasti me Ambasdorin Grenell, janë të panevojshme, poshtëruese dhe plotësisht të gabuara. Këtë po e bëjnë politikanët e korruptuar, dembela dhe karrieristë të sëmurë për pushtet. Paraqiten si “pro-amerikanë” me qëllim të mashtrimit të popullit në interes të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. Amerika nuk ka kohë as interes për t’i kryer punët tona. Ne duhet t’i bëjmë vetë shtetet tona dhe përkrahja nuk do të mungojë. Në rast mospajtimi, nuk është mirë që zyrtarët amerikan të konfrontohen në mënyrë publike. Ata duhet ballafaquar me fakte dhe argumente, me respekt dhe në mënyrë diplomatike. Kritikat e hapura, edhe nëse janë të drejta, nuk janë frytëdhënëse. Këto kritika, në mbrojtje të interesave të Kosovës, duhet dhe mund t’i bëjnë votuesit shqiptaro-amerikanë të angazhuar në organizata të ndryshme në Amerikë, përfshirë ato partiake dhe lobiste.

         Deri me 3 Nëntor Amerika është e preokupuar plotësisht me zgjedhjet e përgjithëshme dhe çdo gjë është në funksion të tyre. Kandidatët për President dhe Kongres, kanë nevojë për vota dhe përkrahje financiare. Ata po mundohen të sigurojnë vota dhe përkrahje kudo që është e mundur dhe  në këtë moment nuk ju intereson asgjë tjetër. Këtë po e dëshmon aktiviteti i Ambasadorit Grenell, i cili po bën ç’mos të sigurojë vota edhe nga serbët edhe nga shqiptarët. Marrëveshja e 4 shtatorit, përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli, ishte 100% në funksion dhe për interesa të kampanjës zgjedhore të Presidentit Trump. Arsyeja pse ai po e favorizon Serbinë është e thjeshtë dhe e qartë. Shovenistët serb i qiten vijat e kuqe duke ja bërë të ditur se nuk lejojnë kurrësesi të kalohen. Interesat shtetërore për ta janë të shenjta. Përfaqësuesit e Kosovës nuk paten vija të kuqe po vetëm të gjelbërta. Ata u treguan të gatshëm edhe ta shesin vendin e tyre për interesa personale.

         Serbo-amerikanët dhe shteti serb janë shumë të organizuar dhe të orientuar në përkrahje të kandidatit Trump. Ata shpresojnë dhe besojnë se Trump do t’i ndihmojë në arritjen e qëllimeve të tyre për shkatërrimin e Republikës së Kosovës. Besoj dhe shpresoj se do të dëshperohen keq, edhe nëse fiton ai, sepse në mandatin e dytë eventual, Trump nuk do të ketë nevojë më as për serbo-amerikanët, as për shqiptaro-amerikanët. Ai do të sheh interesin e Amerikës, “America first”. Qëllimi dhe interesi serb është i ulët, i padrejtë dhe kundër interesave strategjike amerikane. Kërkesat e tyre jan anti-njerëzore dhe të parealizueshme. Natyrisht, kjo varet edhe nga aftësia për veprim e lidershipit  të Kosovës, si dhe veprimeve lobiste në Washington.

         Situata me mërgatën shqiptare dhe shtetet tona është krejt ndryshe. Ne jemi të paorganizuar dhe nuk kemi strategji veprimi të përbashkët kombëtar. Politikanët shqiptar nuk i respektojnë shtetet e tyre. Forca e jonë qëndron në çështjen tonë të drejtë. Puna e jonë në Amerikë duhet të bëhet në dy drejtime, me të dy kandidatët për president dhe me të dyja partitë. Nuk është mirë ta shajmë njëri- tjetrin për përkrahje të njërit apo tjetrit kandidat. Më mirë  është të koncentrohemi në atë që vota jonë të ketë rëndësi. Shembull për këtë është veprimi profesional i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane të udhëhequr nga Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Liga e mposhti me turp Serbinë në Amerikë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nëse fiton Trump, ata të cilët e kan përkrahur dhe votuar, nuk bën të përulen për dukje dhe lavdata, por kanë obligim dhe përgjegjësi të kërkojnë nga Administrata e tij përkrahje për pavarësinë e Kosovës dhe çështjen shqiptare. Të tjerët, duhet të veprojnë dhe ushtrojnë presion në të nëpërmjet Kongresit Amerikan. E njejta gjë vlen edhe nëse fiton Biden. Meqë ai me dekada ka qenë përkrahës shumë i zëshëm dhe konsekuent i i Kosovës dhe e njeh shumë më mirë situatën në Ballkan, puna me administratën e tij logjikisht duhet të jetë më e lehtë. Sidoqoftë rezultati i favorshëm dhe fitorja përfundimtare varet nga ne.

         Marrëveshja e Rambujesë ishte shumë e keqe për Kosovën. Pala kosovare nuk kishte rrugë tjetër pos ta nënshkruante sepse populli ishte i robëruar dhe në vuajtje të tmerrshme. Na ndihmoj fati që krimineli Milloshevic, i tërbuar nga urrejtja për shqiptarët, nuk pranoi ta nënshkruante, përndryshe Kosova do të mbetej përgjithmonë pjesë autonome  serbe. Marrëveshja e Presidentit Ahtisaari ishte po ashtu e keqe por pranimi i saj ishte e vetmja mënyrë për të arritur deri te njohja e pavarësisë nga Amerika, shtetet demokratike evropiane dhe botërore. Me te u bënë kompromise  shumë të dhimbëshme dhe më të mëdha të mundëshme. Nuk ka vend as mundësi as nevojë për kompromise shtesë ndaj Serbisë. Marrëveshja e Ambasadorit Grenell për kinse “normalizim ekonomik” është e favorëshme për Serbinë dhe nuk ka asgjë të mirë për Kosovën. Nuk mund të realizohet bashkëpunim ekonomik midis kriminelit i cili vazhdon të jetë kriminel dhe viktimës. Pritet të shuhet, sapo të përfundojnë zgjedhjet amerikane pa marrë parasyshë kush i fiton ato.  Kosova nuk bënë të pranojë  asnjë marrëveshje e cila e cënon pavarësinë, integritetin teritorial dhe sovranitetin e shtetit. Askush nuk ka të drejtë të nënshkruaj marrëveshje pa pëlqimin e popullit shumicë të Kosovës dhe nuk ka forcë në botë që mund ta detyron ate për ta pranuar kthimin e Serbisë në Kosovë. Më mirë është të mos ketë marrëveshje fare.

         Populli i Kosovës është i lodhur nga gënjeshtrat, mashtrimet dhe dështimet, si dhe shumë i zemëruar nga veprimet e fundit jodemokratike të klasës së korruptuar politike. Vetëm zgjedhjet e lira mund ta qetësojnë, të krijojnë legjitimitet të vërtetë në qeverisje dhe ta shpëtojnë Republikën e Kosovës nga shkatërrimi. Besimi dhe shpresa është se populli shqiptar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri do të votojë për ndryshime. Me dy shtete të forta demokratike, popull shtetformues në Maqedoninë Veriore dhe të drejta të plota nacionale dhe njerëzore në Serbi, Mal të Zi dhe Greçi, e ardhmja e popullit shqiptar të bashkuar në kuadër të Evropës së bashkuar është e sigurt.
*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës.

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, DHE ZGJEDHJET AMERIKANE, EKZISTENCA E KOSOVËS

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT