• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË GREQI

October 28, 2020 by dgreca

Lefteri Metkaj, mësuese e gjuhës shqipe në diasporën e Greqisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Greqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me mësuesen Lefteri Metkaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MESAZH KOMBETAR: “GJUHA SHQIPE NA THËRRET” 

Gjuha jonë e ëmbël shqipe, është gjuha që na ndez krenarinë të gjithëve,por sidomos më shumë ne mësimdhënësve të gjuhës shqipe në diasporë.  Sot kam për të gjithë këtë mesazh, për t’a sjellë më afër të nesërmen e gjuhës sonë amtare. Gjuha amtare është identiteti më i spikatur i një kombi dhe të mësuarit e gjuhës amtare nuk është vetëm një proçes arsimimi ,por është edhe më shumë, është vlerë e kulturës dhe e traditës kombëtare. Populli ynë thotë: “Gjuha ruhet aty ku shkruhet!” Pikërisht për këtë dua të falenderoj punën e gazetarit Sokol Paja, i cili reflekton me përvojën e tij, opinionin e gjerë shqiptar, duke i dhënë edhe më shumë përparësi, mësimit shqip në diasporë.Gjithashtu përshëndes me nderim nga Athina e me mirënjohje përgëzoj për punën e tyre atdhetare  gjithë bashkatdhetarët e mi, anëtarët e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” në New York, aty ku ka zemrën gjithë shqiptaria, pranë VATRES SUAJ. Ju nderoj pa kufi për veprimtaritë kombëtare qe zhvilloni, ju patriotë që i shtoni nderin kombit. Ju falenderoj nga zemra ju  që jeni dhe investitorë të shtypit tuaj Gazeta “Dielli”, e cila shpërndan fjalën shqip, aty ku ka bukurinë fjala shqip. Ajo ecën me rrezet diell  që shpërndan shqip Gazeta “Dielli”, e na percjell shqip zërin e vëllezërve shqiptarë në Amerikë, në Atdhe dhe në mbarë mërgatën e diasporës shqiptare.

SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI SHQIP NË GREQI

Në Greqi egziston Shoqata me karakter jopërfitues me titull, ” LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË GREQI”. Selia e shoqatës ndodhet në qytetin e Athinës, por shoqata ka shtrirjen e saj në gjithë Greqinë. Shoqata e mësuesve emigrante në Greqi ka qëllimet e saj të cilat janë: Ruajtja e identitetit kombëtar, mësimi i gjuhës shqipe në të folur e të shkruar, njohja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, e traditave, njohja e teritotit gjeografik, e historise dhe e simboleve kombëtare të Shqipërisë. Për të arritur suksesin e këtyre qëllimeve vlen për t’u përmendur se puna jonë për mësimin e  gjuhës shqipe bazohet tërësisht mbi baza vullnetare dhe gjithçka sigurohet nga vetë mësuesit , si nxënësit ashtu dhe ambientin. Nxënësit që marrin pjesë janë të moshave tē ndryshme që variojnë nga mosha nga 6 deri në 16, por   here – here ka edhe me te rritur, mbi 20 vjeç. Koha e mësimit është dy orë dhe mesimi zhvillohet çdo të shtunë ose të dielë nga ora 11.00 – 13.00 , por dhe në mbasdite sipas kushteve të përcaktuara nga bashkëpunimi i këshillit te prindërve dhe mësueses së klasës.

NË CILAT QYTETE ORGANIZOHET, PREJ SA KOHËSH, ÇFARË KURRIKULE MËSIMORE PËRDORNI.

Fillesat e para  të mësimit shqip në Greqi faktojnë me kronika të shumta aty në fillim të vitit 1998 nga Shoqata ‘SHQIPTARËT E SELANIKUT” ku drejtohej nga mësuesja e gjuhës shqipe znj. Mimoza Bejkollari Dako, e cila më 7 Mars të vitit 2001, përpjekjet e saj i kurorëzoi me çeljen e MËSONJËTORES SË PARË SHQIPE NË SELANIK. Ajo ditë shënoi për herë të parë mësimin shqip në Greqi. Nismës së saj iu bashkuan dhe shumë mësues të tjerë. U çelën dhjetëra shkolla të tilla paralele, u shtua me qindra numri i  nxënësve shqiptarë. Ishte entusiazëm i madh për mërgatën e shqiptarëve të Greqisë. Në këtë fillim të vitit të ri shkollor 2020 – 2021 e përshëndes me mirënjohje mësuesen vizionare, atdhetaren znj. Mimoza Bejkollari Dako, po ashtu vlerësoj kompetencat e saj intelektuale,tashmë të dallueshme. Për të, ne mësuesit vullnetarë në Greqi jemi krenarë ,e cila u përballua me rrethana tejet të vështira dhe na çeli udhën e A.B.C- së. Kjo udhë e hapur përshkroi koordinata dhe çeli të tjera shkolla në qytete e ishuj ku banojnë bashkatdhetarët tane si në : Athinë  (Omonia, Kukaqi, Kato Patisia, Rendi), Volos,  Patra, Lamia, Korintho, Kretë, Arta, Kallabaka, Janica, Dhomoko, Elefsina, Madra, Luca, Artemisë, Spatha, Rafina, Elehokori. Si dhe në ishujt: Salamina, Tinos, Siros. Në Greqi afërsisht për 20 vite mësuesit vullnetarë kanë investuar  vetë librat, fletoret, bazën materiale didaktike që duhen për  të zhvilluar mësimin shqip, po ashtu dhe për veshjet festive në veprimtaritë me karakter artistik ,kulturor e kombëtar. Sivjet është viti i dytë shkollor që tekstet shkollore dhe jashtëshkollore na vijne nga Qëndra Botuese e Diasporës, Tiranë. Këto tekste shkollore janë të miratuara nga Ministria e Arsimit, janë programe didaktike për shkollat në Atdhe, por çdo mësues për klasën e tij, harton planin tematik – mësimor vjetor, sipas standarteve të kompetencave kyçe gjuhësore ,i cili duhet të bëjë planifikimin, dhe të realizojë 36 tema mësimore në lëndën e Abetares dhe të Gjuhës Shqipe.

NUMRI I KLASAVE , MËSUESVE, BASHKËPUNËTORËT.

Me sakrifica të shumta mësuesit atdhetarë morën përsipër një detyrë të vështirë në një mjedis jo shumë miqësor. Morën përsipër që mësimin ta bëjnë si vullnetarë, të vazhdonim traditën e rilindasve tanë dhe shëmbullin e të madhes, Nënës Terezë. Ende dhe sot shteti ynë nuk  i ka mbështetur mësuesit vullnetarë, moralisht, financiarisht dhe ligjërisht. Të kesh mësues vullnetarë për 20 vite dhe të mos i mbështetësh kjo është, mos o Zot! Këto vetëm në shtetin tonë ndodhin. Shteti ynë ne mësuesve na ka lënë një barrë të rëndë mbi supë. Vetë ne mësuesit vullnetarë jemi investitorë të mësimit shqip në Greqi. Mësuesi i cili zhvillon mësimin e gjuhës shqipe në mënyrë vullnetare është atdhetar, por kur ai shkon dhe punon dhe një punë të dytë që të mos futë dorën në buxhetin e familjes së tij, është HERO! Këta mësues heronjë kanë çelur dhe mbajnë hapur 46 klasa të mësimit shqip në Greqi. Numri i mësuesëve shtohet  vazhdimisht ,por mësimdhënësit aktivë së bashku me mësuesit rezervë janë afërsisht 60 mësimdhënës. Bashkëpunetorët më të mirë të mësimit shqip në Greqi mbeten Ministria e Diasporës dhe ajo e Arsimit  të shtetit të Kosovës. Rezultati i këtij bashkëpunimi është realizimi i Seminarit vjetor në Greqi dhe atij mbarëkombëtarë, konkurset e dijes, ekskursionet të njohim historinë dhe trojet shqiptare, kampet verore ku u jepnin mundësinë fëmijeve të njiheshin me shumë nxënës që jetojnë në Kosovë e në diasporë, të cilët mësojnë edhe ata gjuhën shqipe. Po ashtu dhe trajnimin e vazhdueshëm të mësuesëve në koordinimin dhe bashkëpunimin e përvojave  të mësimdhënësve, në hartimin e programeve,në funksion të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË GREQI.

Intelekti, talenti dhe dora e artë punëtore e shqiptarëve ka hyrë pothuajse në çdo strukturë institucionale shtetërorë greke. Për të hyrë në këta sektorë shtetërorë ,për të patur një punë, një rol, një funksion  si politikan,si artist, si sportist , si mjek apo si një punëtor i thjeshtë, një pjesë e shqiptarëve nga shkaku i ksenofobisë ndërruan fenë dhe identitetin. Kjo plagë e rëndë vazhdon ende dhe tani që kanë kaluar mbi 25 vite emigracion dhe tashmë nuk janë më ato pengesa të pakapërcyeshme dhe ky fenomen ndodh vetëm ne, komunitetin shqiptar, ku me dashje ose të imponuar nga kushtet bëjmë këto ndryshime të pa justifikueshme. Ndërsa jemi diaspora më e re, 30 vite, ndërruam kombim, fenë dhe si pasojë dhe kulturën. Janë shumë të dhimbshme këto dukuri që po ndodhin me ne shqiptarët e diasporës më të re , ne kemi rrënjët tona ,identitetin tonë , duam të përparojmë të integrohemi në vendet ku banojmë, POR JO TË ASIMILOHEMI. Shqiptarët duhet të kuptojnë se puna e ndershme, sjellja korrekte qytetare ,arsimimi ,respektimi i ligjeve të shtetit helen bënë diferencën për të qënë i pranueshëm e për të patur rol në shoqërinë greke. Brezi i dytë i shqiptarëve në Greqi është ajo pjesë që dominon me sukses në shoqërinë vendase. Të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë janë studentët më të suksesshëm në universitete dhe nxënës të shkëlqyer në sistemin mësimor grek . Kanë patur gjithmonë rolin e Flamurtarëve në festa kombëtare, ku kanë nderuar veten, shokët, mësuesit e shkollave ku studiojnë , familjet  e tyre , por dhe ne si komunitet shqiptarë ne Greqi. Megjithëse ngërçit të ksenofobisë ka shumë fakte që shqiptarët kanë integruar me dinjitet deri në instancat më të larta shtetërore të cilët kanë ndikuan të vendosin ura , baza të forta të reciprocitetit ,të komunikimit qytetar dhe të miqesisë së mirë shqiptaro – greke.

SI PRITET NË GREQI MËSIMI I SHQIPES, SI REAGON SHOQERIA ATJE

“Mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve për të shkruar fjalët e shqipes”…Keto fjalë tha mësuesi PETRO NINI LUARASI dhe mbeti ne historine e mesimit shqip mësuesi i përjetshëm, mbeti mesuesi MONUMENT I SHKRONJËPËRHAPJES. Mërgata e Greqisë mbart shumë dashuri për gjuhën shqipe, per identitetin dhe ruajtjen e traditave shqiptare. I përkushtohet me kaq vlera dhe me kaq rendësi gjuhës së bukur shqipe. Por kësaj mërgate i mungon organizimi i mirë që është dobësia më themelore e mërgatës. Kur u kërkon bashkatdhetarëve ndihmë për gjuhën shqipe të gatshëm janë ,kur i fton për aktivitete përsëri nuk ngurojnë të marrin pjesë ,të investojnë. Por nuk mjafton vetëm patriotizmi ,duhet sensibilizim total në komunitet që prindërit të sjellin fëmijët të mësojnë shqip. Po të bëjmë një qëmtim të kujdesshëm nga jeta e historisë së mësimit shqip, dje dhe sot ,vëmë re se mërgata ka qënë më mirë e organizuar dje për mësimin shqip, ka patur një pjesëmarrje më të madhe nxënësish ,me shtrirje më të gjërë të kurseve të gjuhës shqipe në teritorin grek, me interesim më të madh të prindërve dhe të komunitetit. Pra mungon organizimi në komunitet jo dëshira. Vite të shkuara ka qenë më i mire interesimi për ruajtjen e  identitetit kombëtar. Mungojnë organizime të mirëfillta për mësimin e gjuhës shqipe.Të gjitha shoqatat , organizatat në programin e tyre të parën temë duhet të kenë çështjen e mësimit shqip. Po nuk kanë realizuar në programin e tyre çështjen e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe të identitetin kombëtar atëhere nuk ka realizuar çështjen më madhore. Bashkërisht i gjithë komuniteti ynë ,shoqata e organizata, intelektualë, individë bisnesmenë atdhetarë ,të gjithë jemi përgjegjës për ecurinë jo të mirë që egziston në ruajtjen e identitetit kombëtar e të mësimit të gjuhës shqipe. Më parë përgjegjësia për organizimet dhe bashkëpunimet e mirëfillta me shoqatat, të sensibilizojë komunitetin, të nxisë këtë veprimtari më gjërë duhet ta bëjë Shoqata e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Ndaj ne mësuesve na bie pëgjegjësia profesionale dhe humane, na shtohet si detyrë të bashkëpunojmë me shoqatat e të sigurojmë nga prindërit pjesëmarrjen, të na sjellin femijet e t’u mësojnë gjuhën shqipe falas. Mungojnë programe bashkëpunimi me shoqata dhe organizata ,dhe ato kurse ku mësohet shqip janë hapur me iniciativa individuale të mësuesve vullnetarë . Praktikat e deritanishme nuk janë aspak të favorshme ,numri i nxënësve që marrin pjesë në mësimin shqip është jashtëzakonisht i ulët në krahasim me numrin e fëmijëve shqiptarë në Greqi. Problemi është , çfarë bëjmë ne sot për Gjuhën Shqipe? E shohim këtë veprimtari shumë rallë në mërgatë, shohim që nuk ka nxitje për artin e gjuhës shqipe, për fjalën e shkruar shqip që të shkojë bukurisht në një brez më të ri, të rritur larg Atdheut. Pra duhet një sensibilizim më tërheqës që të depërtojë në mërgatë ,të tërheqë më tepër vëmëndje. Mësimi i gjuhës shqipe meriton vëmendje të veçantë sidomos sot, sepse ne shqiptarët kemi shumë probleme me qëndrimin ndaj gjuhës sonë. Popujt evropiane , anglezët, francezët, gjermanët..po ua mësojnë gjuhën e tyre popujve të tjerë që nuk janë anglezë, francezë, gjermanë…Kurse ne, s’po arrijmë që t’ia mësojmë gjuhën tonë as vetes sonë! Ky padyshim është një nga turpet që na rëndon ne ,brezit të sotëm të shqiptarëve dhe shtetit tonë. I rëndon e do t’i rëndojë më shumë fëmijëve që sapo kanë lindur dhe te ata që ende s’kanë lindur.Nuk po përmend emra ,por të gjithëve mund të na kujtohen disa nga personalitetet me famë botërore që e kanë deklaruar se janë shqiptarë. Ata krenohen që janë shqiptarë, ngrenë lart dhe Flamurin Kuq e Zi ,e puthin atë, por që për faj të prinderve nuk flasin shqip ,gjuhën shqipe nuk e dinë.Ç’fajë kanë ata që prindërit  nuk morrën përgjegjësitë e tyre që fëmijëve t’u mësonin gjuhën e tyre kombëtare ? Eshtë puna e mirë dhe e vetme që duhet të bëjmë që fëmijët në Greqi të rriten dhe të edukohen me vlera kombëtare. Pikërisht në rrugën me vlera kombetare që na e patën hapur aq ndritshëm Frashëllinjtë, Mjeda, Noli, Fishta të cilët na mësojnë ende mënyrën si të duam gjuhën  tonë, si të veprojmë për pasurimin e saj ,na mësojne si të ndjejmë dashurinë dhe pasurinë e pafund të gjuhës që flasim, NE !!!

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Bashkatdhetarë të mërgatës shqiptare në USA! Nga zemra iu falenderoj për gjithçka që bëni për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Aty, “VATRA” juaj në Amerikë në çdo periudhë historike kombëtare ka qënë zemra e shqiptarisë, ka qëne vatra e ndërgjegjësimit kombëtar për shqiptarët kudo në botë . “VATRA” me zërin e saj të fuqishëm ka qënë Motoja e Shqiptarëve: TA DUAM KOMBIN AQ SA TA NDRYSHOJMË ATË. Këta shqiptarë atdhetarë larg Atdheut patën armë të fortë dashurinë për kombin ,dashurinë për gjuhën amtare, për flamurin. Mos të harrojmë më pas dhe mërgimtarët politikë ,vështirësitë e tyre si pasojë e persekutimit në Shqipëri për shkak të bindjeve të tyre politike antikomuniste dhe kombëtariste, ata deshën dhe luftuan  për një Shqipëri demokratike ,të lirë e pluraliste. Ata braktisën gjithçka për të shpëtuar jetën ,nderin dhe dinjitetin  e tyre ,por ata nuk i braktisën asnjëherë aty në Amerikën e largët ,gjuhën amtare, kulturën, traditat dhe fisnikërinë shqiptare, bindjet dhe vlerat morale të mbartura brez pas brezi, si dhe besimin se një ditë historia do t’u jepte të drejtë. Diasporën shqiptare në Amerikë dëshiroj t’a shoh më të avancuar se në periudhën e Nolit e të Konicës ,ashtu si dhe më pas, ku shumë atdhetarë të cilët aty në mergatën e amerikës mbajtën një peshë të madhe në dobi të çështjes kombëtare për rrëzimin e diktaturës komuniste. Po ashtu të mos harrojmë diasporën shqiptare në SHBA të cilët ndikuan në qëndrimin e Qeverisë Amerikane dhe të opinionit botërorë për çështjen e spastrimit etnik Serb ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.Mbrojtja e trojeve etnike dhe identiteti kombëtar për këta patriotë ishte çështja e qëllimit më madhore. Këta atdhetarë patën një ndikim të fuqishëm patriotik dhe intelektual në opinionin e realitetit shqiptar. Uroj që kjo vatër shekullore shqiptare të vazhdojë traditën, të mbajë lidhjet me çdo trevë të Shqiperisë, Kosovës, Presheves, Maqedonise, Malit  te Zi. Sot aty duhet të kemi më shumë shqiptarë që të jenë patriotë si klasiket, Noli, Konica , Musineja, Mit’hat Frashëri. S’më duket e ndershme sot të mburremi shpesh me rilindasit e me personalitete të diasporës së hershme. Vërtet i nderojmë dhe i kemi imazh për të vazhduar në breza traditën identitare shqiptare. Ne krenohemi me veprat e tyre, por ato i kanë arritur ata vetë si shqiptarë me dashurinë për Atdheun, me zellin e punës për Kombin. Por më shumë e pranueshme është të krenohemi ne, me veprat tona për Kombin. Ç’bëjmë ne, për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar? A kemi arritur ne të ruajmë një gjuhë të bukur e me fuqi shprehëse që të përjetojmë ende pathosin atdhetar të Naimit, Pashko Vasës, Migjenit, Fishtës, Asllanit, Agollit, Rugovës, Podrimjes, Arapit. A kemi punuar ne, për edukimin e identitetit kombëtar shqiptar? Fëmijèt tanë kanë turp të thonë: Jemi shqiptar! Pra kemi shumë-shumë për të bërë. Dua të shtoj diçka reale. Diaspora shqiptare asnjeherë nuk e ka kursyer kohën,mundin, paranë kur e ka lyp nevoja. Mërgata e Greqisë ka bashkëpunuar me mërgatën e SHBA-së, e ka ftuar në veprimtarinë kombëtare me rastin e 550- vjetorit të amshimit të Heroit tonë Kombëtar, GJ.K.SKENDERBEU. Trupa e Teatrit Kombëtare në Amerikë me Drejtor Z.Xhevat Limani, ka luajtur në Athinë ,Dramën Poetike,GJ.K.SKENDERBEU. Ky bashkëpunim ishte një takim vëllazëror, nje bekim ndjenjash, një ngushëllim i mrekullueshëm kombëtar. Pra, çdo secili prej nesh me punën e tij është një ambasador i mirë i Atdheut, për çështjen shqiptare dhe integritetin në vendet ku jetojmë. Pavarësisht punës sime si infermiere pranë një spitali shtetëror në Athinë, të ardhmen e jetët sime përsëri e shoh pranë fëmijëve shqiptarë në Greqi duke iu mësuar gjuhën tonë të bukur dhe duke promovuar vlerat e kombit në komunitet. Kam zgjedhur këtë mënyrë si më e mira punë vullnetare për të sfiduar asimilimin e fëmijëve shqiptarë në shtetin Grek të cilët “goditen”përditë nga gjuha vendase.Dëshiroj që fëmijët  tanë kudo në diasporë t’i shoh në konkurencën greke, evropiane, botërore, të bëhen më shumë mjekë, akademikë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë dhe sportistë të suksesshëm. Kjo intervistë le të jetë një shpresë, një pikë e vogël ç’malljeje në largësinë e madhe të mërgimit, se malli për vendlindjen dhe bashkëkombësit është mall fisnik që nuk tretet, e s’paska ilaç t’a lehtësojë. Bashkimi yne dhe punët për kombin janë ilaçi më i mirë për të lehtësuar shpirtin larg, MËMËDHEUT! Të dashur bashkëkombës, punë të mbarë ju uroj dhe shumë më shumë dashuri , bashkëpunime, veprimtari atdhetare që na vëllazërojmë paçim. Të gjithë në diasporë të jemi tè pandarë për gjuhën ,për identitetin, të punojmë për ta përparuar e për ta bërë zonjë gjuhën tonë, flamuri ynë të ketë nderin qe na la babai i kombit ,Ismail Qemal Vlora, Isa Boletini, Hasan Prishtina. Rroftë Flamuri yne kombëtar! Rroftë Shqiptaria! Përqafime dhe urime nga Athina. 

Filed Under: Featured Tagged With: Greqi, Lefteri metkaj, Shkolla shqipe, Sokol Paja

“ÇËSHTJA E DETIT” NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË HAGËS

October 28, 2020 by dgreca

Kujdes nga grekët edhe kur ju sjellin dhurata!-

Analizë nga Rafael Floqi-DIELLI-

Rama pasi vizitoi Ankaranë, shkoi në  Athinë i mëshoi faktit që “çështja e detit” mund të zgjidhet në një gjykatë ndërkombëtare dhe këtë ide e kishte ndarë edhe me homologun grek. Por pse u hodh kjo ide , kur pak kokë më për ai fliste për bisedime, pastaj me bisedime të dështuara me qeverinë e Tsipras ?Nuk janë të qarta arsyet dhe rrethanat, që e detyruan kryeministrin shqiptar të dalë në 16 shtator 2020 me një ide të vjetër greke dhe t’ia servirte opinionit shqiptar si ide të tij diplomatike.

Deti Jon. Sipas shqipes pellazgjike, do të thotë “deti i jonë”. Kuptimi i qartë. Emri Jon vjen nga gjuha greke Ἰόνιον (πέλαγος) thotë Wikipedia. Etimologjia e saj është e panjohur. Për grekët e panjohur, për shqiptarët jo. Shkrimtarët e lashtë grekë, veçanërisht Eskili, e lidhën atë me mitin e Io-s. Në greqishten e lashtë mbiemri Ionios (Ἰόνιος) u përdor si epitet për detin sepse Io notoi përmes tij.E vështirë për t’u pranuar. Por sot na thonë se në këtë det Greqia ka të drejtë të marrë dhe ujërat dhe na shtyjnë në tokë. Ç’po ndodh kështu?

Kur shtetet legalizuan fushën detare në shekullin e 20-të, marrëdhënia midis shteteve dhe hapësira detare ndryshoi. Që nga kthesa e mijëvjeçarit, prirje të caktuara globale kanë amplifikuar më tej rolin e oqeaneve në çështjet ndërkombëtare. Kjo ka çuar në një përqendrim të ri në hapësirën detare, si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e shteteve brenda kësaj fushe, të përvijuara përmes konceptit të një ‘kufiri’ në det. Cili, në thelb, është një kufi detar? Pse shtetet përfundojnë duke i kundërshtuar ato? Ndoshta më e rëndësishme, si veprojnë shtetet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla dhe si mund ta kuptojmë më mirë zhvillimin e parimeve ligjore dhe politike që mbështesin përpjekje të tilla?

Kjo shtron pyetjen: Cili, në thelb, është një kufi detar dhe pse shtetet përfundimisht i kundërshtojnë ato? Ndoshta më e rëndësishme, si veprojnë shtetet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla dhe si mund ta kuptojmë më mirë zhvillimin e parimeve ligjore dhe politike që mbështesin përpjekje të tilla në dritën e delimitimit të Detit Jon?

Pse po mburret tani Greqia?

Greqia po mburret. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka reaguar disa ditë më parë sërish përsa i përket dakordimit së arritur me Shqipërinë për ta çuar në Hagë çështjen e kufijve detarë. Gjatë një fjalimi nga foltorja e parlamentit, teksa fliste për arritjet e tij dhe kritikonte kreun e SYRIZA-s, Aleksis Cipras, Mitsotakis është ndalur për një moment tek çështja e detit. Sipas kreut të qeverisë greke, Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Jon pasi kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e saj, dhe as nuk diskutohet dhe as nuk kushtëzohet. Vendi aktualisht ka një marrëveshje të nënshkruar për demarkacionin gjeografik me Italinë. Është e vështirë të negociohet marrëveshja e pjesshme e demarkacionit me Egjiptin. Dhe ka një marrëveshje në parim me Shqipërinë për të referuar çështjen e EEZ në Hagë pasi Greqia ka zgjeruar ujërat e saj territoriale’’, tha Mitsotakis .

Këtë tezë e riktheksoi dhe Ministri Dendias në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ku thuhej: ”Ne kemi demarkuar shelfin tonë kontinental dhe Zonat tona Ekskluzive Ekonomike, së pari me Italinë, me Egjiptin dhe më pas me Shqipërinë, ku së fundmi kemi rënë dakord për t’ia referuar çështjen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pas përfundimit të procesit të shtrirjes së ujërave territoriale të të dy vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar të Detit.  Për sa kohë ka vullnet, besoj se procesi nuk do të jetë problem. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të jetë e dobishme për të dy vendet. Janë pra, të gjitha arsyet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dy palët gjatë vizitës sime të fundit, dhe për të forcuar agjendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në këtë drejtim”, është shprehur Dendias, sipas raportit të faqes zyrtare e Ministrisë së Jashtme greke, mfa.gr.

Pse dhe si lindi ideja e Gjykatës së Hagës ?

Rama pasi vizitoi Ankaranë, në  Athinë i mëshoi faktit që çështja mund të zgjidhet në një gjykatë ndërkombëtare dhe këtë ide e kishte ndarë edhe me homologun grek. Por pse u hodh kjo ide, kur pak kokë më për ai fliste për bisedime, pastaj me bisedime të dështuara me qeverinë e Tsipras ?

 A ka pasur një tekst marrëveshje që i është porositur, apo grekët i kanë paraqitur para një ridiskutim të marrëveshjes së vjetër, siç duket. Vetë fakti i pranisë së motrës të kryeministrit Micotaqis, Dora Bakojanis, tregonte se pala greke e kishte një plan gati. A ishte Rama i papërgatitur për këtë? Vetë fakti se Rama para kësaj bisede takoi presidentin Turk Erdogan, në kokën që Turqia e Greqia po vringëllojnë flotat në Egje. A ka marrë ai këshillën turke? Apo kjo kërkesë për Gjykatën Ndërkombëtare është një shtyrje në kohë e zgjidhjes dhe e hedhjes së patates të nxehtë në dyert e Gjykatës para zgjedhjeve, ndërkohë në Shqipëri, nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese dhe grupi negociator që zhvilloi bisedime me palën greke për rreth dy vjet, tani nuk funksionon më. “Grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin që kur ishin  zgjedhur në grupin negociator, ” bëri me dije kohët e fundit Rama para takimit.

Mos marrëveshjet  për delimitimin e kufirit zgjidhen nga Gjykata Ndërkombëtare e Detit me Qendër në Hamburg, Gjykata e Hagës ose nga një pale e tretë. ndërmjetësuese. 

Kundërshtitë mes palëve duket se janë shfaqur kur nisën negociatat për një marrëveshje lidhur me ndarjen e hapësirave detare në Detin Jon, në vitin 2018, që u pezulluan në verën e 2019-ës.  Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, të humbura nga ish-kryeministri Cipras dhe të fituara nga kryeministri aktual Mitsotaqis, në korrik 2019, duket se e zhvendosën Marrëveshjen e Detit me Shqipërinë në një nga prioritetet e Greqisë, që në vitin e parë të mandatit qeverisës Mitsotakis.

Për çfarë delitimimi te kufijve detarë bëhet fjalë ?

Te dyja palët ranë dakord në Tiranë se do të jetë Gjykata Ndërkombëtare, për të cilën Rama pret të jetë “e drejtë dhe objektive.”  Por problemi që nuk thuhet haptas është se për çfarë delitimimi të kufijve detarë bëhet fjalë. Konventa e Montego Bay-t dhe Ligji Ndërkombëtar i Detit i njeh të drejtën çdo vendi për të shtrirë ujërat e tij territoriale në 12 milje detare. Por cilat janë këtu implikimet e kësaj kërkese të re greke për t’u zgjeruar në 12 milje nga 6 milje detare të mëparshmet qoftë edhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 

Mekanizmi i vendosur nga Konventa e Montegos Bay-t parashikon katër mënyra alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve: Gjykata Ndërkombëtare për Ligjin e Detit, ( me qendër në Hamburg ) Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, një gjykatë arbitrazhi e konstituuar në përputhje me Aneksin VII të Konventës dhe një arbitrazh të veçantë gjykata e konstituuar në përputhje me Aneksin VIII të Konventës.

 “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me siguri nuk e ka lexuar librin tim, reagonte pak kohë më parë  gazetari dhe diplomati Shaban Murati “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë greke apo shqiptare?”, i vetmi libër që trajton bisedimet diplomatike detare 2008-2018 midis dy vendeve, ndaj nuk do të dilte në 16 shtator 2020, pas darkës së ngushtë me kryeministrin grek, me pretendimin e madh se “Unë kam një ide shumë të thjeshtë, ne mund ta zgjidhim çështjen më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare”. Nuk do të dilte me apoteozën tipike ballkaniko-bizantine “unë kam idenë”; në librin për çështjen e detit botuar në mars 2018 trajtohet alternativa e gjykatës ndërkombëtare, e propozuar diplomacisë shqiptare nga diplomacia greke si zgjidhje.”

Mirë librin dhe dosjen zyrtare të bisedimeve nuk i ka lexuar Rama, as e ka lexuar dhe as dëgjuar se në 16 shtator përpara kryeministrit shqiptar në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Athinë nga revista britanike “The Economist” ish-ministrja e jashtme greke Dora Bakojanis duke folur për marrëveshjen e detit deklaroi “t’i drejtohemi gjykatës ndërkombëtare për këtë çështje”. Bakojanis, që ishte firmëtarja e marrëveshjes së zezë të detit të vitit 2009 midis dy vendeve, nuk tha që është “idea ime”, sepse ajo e din që, është ide e vjetër diplomatike greke.

Autogoli i Ramës

Shihni djallëzinë greke: I thotë Shqipërisë për ta çuar në gjykatë ndërkombëtare, por vetë Bakojanis si ministre e jashtme dhe gjithë qeveritë greke që nga 2009 e deri tani nuk e kanë dërguar në gjykatë ndërkombëtare marrëveshjen e detit të anuluar me të drejtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Nuk e dërgon Athina, sepse nuk ka çështje për t’u dërguar. Greqia nuk ka dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen e caktimit të zonave ekonomike detare me Italinë, ku bisedimet zgjatën 43 vjet. Nuk ka dërguar çështjen e kufijve detarë dhe të zonave ekonomike ekskluzive me Turqinë, që ka nisur bisedimet që në 1973, pra 47 vjet më parë.

Dhe me dinakërinë diplomatike greke ia hodhën kurthin e gjykatës ndërkombëtare qeverisë shqiptare. Athina e nxiti diplomacinë dhe qeverinë shqiptare dhe Rama bëri autogolin e madh të gjykatës ndërkombëtare, autogol që tani e shpall me krenari se ta gjuajë personalisht vetë kryeministri i Shqipërisë.

Berisha : “Unë shtroj pyetjen se përse Rama e refuzoi gjykatën, që sot e ka pranuar?

Nga ana tjetër, për të mbrojtur marrëveshjen  e bllokuara nga Gjykata Kushtetuese ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në emisionin Rubikon se pas tetë vitesh, Edi Rama është shprehur se për ndarjen e detit me Greqinë mund të shkohet në gjykatë ndërkombëtare, ashtu siç ishte lënë parimisht nga qeveria e Berishës përpara se të largohej nga pushteti. Berisha tha se Rama nuk shkoi gjatë këtyre tetë viteve pasi gjykata do të provonte se marrëveshja e vitit 2009 ishte optimale.  “Unë shtroj pyetjen se përse Rama e refuzoi gjykatën, se sot e ka pranuar? Por pavarësisht insinuatave dhe motivit të Berishës pyetja qëndron.

“Kishte vetëm një arsye: se gjykata do pranojë që marrëveshja është optimale. Ai kishte frikë se marrëveshja ishte optimale. Ai kishte një mundësi të artë që të faktonte se Sali Berisha shkeli interesat kombëtare, prandaj kishte frikë të shkonte në gjykatë”, shtoi Berisha.

Tani Shqipëria shkon në gjykatë në Hagë, dhe në zonën ku distanca mes brigjeve është 18 km, Shqipëria merrte 12, Greqia merrte 6. Tani në gjykatë, Greqia do marrë 9 dhe Shqipëria 9,” tha Berisha.

Greqia nuk ka shpallur ndonjë konflikt për kufijtë detarë me Shqipërinë

Nuk janë të qarta arsyet dhe rrethanat, që e detyruan kryeministrin shqiptar të dalë në 16 shtator 2020 me një ide të vjetër greke dhe t’ia servirte opinionit shqiptar si ide të tij diplomatike. Përse nuk duhet Shqipëria t’i drejtohet një gjykate ndërkombëtare për të ashtuquajturën çështje e detit me Greqinë, se është një çështje e paqenë. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka konflikt me Greqinë për detin, sepse t’i drejtohesh Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të thotë që ekziston një konflikt aktual për kufijtë territorialë detarë. Kufijtë detarë të Shqipërisë janë të përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht dhe nuk japin asnjë shkas për rihapjen e çështjes në një gjykatë ndërkombëtare.

Greqia nuk ka shpallur ndonjë konflikt për kufijtë detarë me Shqipërinë. Nëse Athina do të kishte pasur baza juridike për pretendimet e saj ndaj kufijve detarë nuk do të kishte pritur 80 vjet, por do t’u ishte drejtuar me kohë gjykatave ndërkombëtare. Greqia i ka duart e lidhura nga aktet ndërkombëtare për kufijtë e Shqipërisë me të. Këtë e pranoi edhe ministri i jashtëm grek Kocias në vitin 2018, kur u kujtoi kolegëve të tij të qeverisë se ka një akt ndërkombëtar të delimitimit përfundimtar të kufijve grekë me Shqipërinë të fuqive të mëdha në Paris në vitit 1926.

Pse ngutet Rama për ta çuar çështjen në Hagë?

Çfarë mendon qeveria e sotme shqiptare se duhet të çojë në gjykatën ndërkombëtare, që ta ndërmarrë këtë hap juridik: Marrëveshjen e anuluar të detit, çështjen e kufijve detarë kufijve, që janë të padiskutueshëm dhe nuk mund të bëhen objekt tratativash, apo çështjen e zonave ekonomike ekskluzive për të cilat nuk ka konflikt? Nuk dihet pse ka një ngutje nga qeveria shqiptare për ta dërguar çështjen e detit në një gjykatë ndërkombëtare. Është një ngutje që të kujton nxitimin me të cilin qeveritë shqiptare në 2008 dhe në 2018 negociuan marrëveshjen e detit me Greqinë, shkruan Shaban Murati. Kufijtë detarë dhe tokësorë të Shqipërisë me Greqinë janë përcaktuar me kohë me një Traktat Ndërkombëtar me emrin Protokolli i Firences në 1925 dhe vulosur nga fuqitë e mëdha me “Aktin përfundimtar të delimitimit të kufijve të Shqipërisë” të 30 korrikut 1926 në Paris, të pranuar dhe të firmosur edhe nga qeveritë e Greqisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë.”.

Vendimin e Shqipërisë dhe Greqisë që çështja e diskutueshme e përcaktimit të kufijve detarë t’i besohet një mekanizmi ndërkombëtar si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, është për Profesorin shqiptar të së Drejtës ndërkombëtare Xhezair Zaganjori, i cili ka qenë dhe relatori i çështjes së marrëveshjes së detit më Greqinë në vitin 2009, në Gjykatën Kushtetuese, e sheh si të nxituar se “është shumë shpejt për të nisur një procedurë të tillë”.

Nuk shkohet në Hagë pa pasur pikat e mosmarrëveshjes

Mirëpo shkohet në Hagë, por pse  gjithë ky sekret ku janëçështjet ku s’bihet dakord?  “Këtë  kërkon në fakt edhe vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pra Gjykata e Hagës. Ajo duhet të ketë marrëveshjen mes palëve për gjykimin e konfliktit, ku të përcaktohen qartësisht pozicionet e palëve si dhe pyetjet konkrete të cilave ajo duhet t’i kthejë përgjigje. Përndryshe – nënvizon Profesor Zaganjori –ndaj Gjykata nuk ka se si ta pranojë kërkesën e tyre. Ajo nuk është dhe nuk mund të jetë një instrument për të shkarkuar ngarkesat politike e “patriotike” apo konfliktet e brendshme ose të jashtme të palëve”.

P.sh. mosmarrëveshja mes Kroacisë dhe Sllovenisë për ndarjen e hapësirave detare në Gjirin e Piranit, ku dërgimi çështjes në një gjykatë arbitrazhi “është dashur të kalojë fillimisht përmes miratimit respektivisht me referendum në Slloveni dhe në Parlament, në rastin e Kroacisë, sepse sovrani duhet ta dijë se përse bëhet fjalë. Cilat janë pretendimet konkrete të palëve dhe ku e përse lind mosmarrëveshja apo konflikti mes tyre që shtron nevojën për të shkuar në një mekanizëm ndërkombëtar”

Përse në Gjykatën e Hagës dhe jo në Tribunalin Ndërkombëtar për Ligjin e Detit?

Këtu lind një pyetje tjetër përse në Gjykatën e Hagës dhe jo në Tribunalin Ndërkombëtar për Ligjin e Detit i krijuar në 1994 është një organ i pavarur gjyqësor i themeluar nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit për të gjykuar mosmarrëveshjet që dalin nga interpretimi dhe zbatimi i Konventës. Konventa krijon një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse për të rregulluar të gjithë hapësirën oqeanike, përdorimet dhe burimet e tij. Ai përmban, ndër të tjera, dispozita në lidhje me detin territorial, zonën fqinje, shelfin kontinental, zonën ekskluzive ekonomike dhe detin e hapur.

 Marrëdhënia midis Gjykatës Ndërkombëtare të Gjyqit dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Krijuar Rishtas për Ligjin e Detit në Hamburg, sipas Carl-August Fleischhauer, është plotësimi i fundit në grupin e institucioneve gjyqësore ndërkombëtare. Krijimi i tij pasoi hyrjen në fuqi të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit (UNCLOS) në nëntor 1994 dhe u zhvillua në përputhje me Aneksin V1 të Konventës. Roli dhe funksionet e tij janë të përshkruara në Pjesën XV të Konventës me titull “Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve” dhe në Pjesën XI me titull “Zona” që term, në përputhje me Nenin 1 të Konventës, do të thotë shtrati i detit dhe fundi i oqeanit dhe nëntoka. e tij, përtej kufijve të juridiksionit kombëtar ,pasi regjimi legal i caktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike, përcaktohet në pjesën e V të UNCLOS.

Tribunali, por tashmë në Ligjin e Konferencës së Detit kur u hartua Konventa -, nëse krijimi i një organi të posaçëm juridiksioni ishte i garantuar për ligjin e mosmarrëveshjeve në det.  Në pjesën e XV- të e Konventës përcakton një sistem gjithëpërfshirës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e Konventës. Sidoqoftë, nëse palët në një mosmarrëveshje nuk arrijnë një zgjidhje me mjete paqësore të zgjedhjes së tyre, ata janë të detyruar të përdorin procedurat e detyrueshme të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që përfshijnë vendime të detyrueshme, subjekt i kufizimeve dhe përjashtimeve të përfshira në Konventë.

Marrëveshjetmëtëçlirëta dhe mëtë lira se gjykatat

Parimet që udhëheqin vizatimin e kufijve detarë janë një gjë, mënyra sesi shtetet zgjidhin mosmarrëveshjet për kufijtë detarë është diçka më ndryshe. Duke iu kthyer mënyrës sesi – praktikisht – shtetet arrijnë të bien dakord mbi mosmarrëveshjet kufitare, shtetet mund të bien dakord për një zgjidhje të ndërsjellë pas negociatave bilaterale; ose pasi të jenë përpjekur të negociojnë me mirëbesim, ata mund të paraqesin çështjen për gjykim në GJND ose një gjykatë tjetër ndërkombëtare si ITLOS (Tribunali Ndërkombëtar për Ligjin e Detit); ose ata mund të përdorin arbitrim të palëve të treta si Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit (PCA).

Sidoqoftë, për shkak të nevojës për kompromis, mosmarrëveshjet zakonisht zgjidhen përmes negociatave dypalëshe pa përdorimin e gjykatave ndërkombëtare. Pasiguria për sa i përket rezultatit të gjykimit ndërkombëtar dhe arbitrazhit nuk i frymëzon shtetet të sjellin çështje para gjykatave dhe gjykatave. Zgjidhja e një mosmarrëveshje dypalëshe i lë shtetet me mundësinë e një zgjidhjeje krijuese që nuk kufizohet nga rregullat ndërkombëtare të zbatuara nga gjykatat dhe tribunalet. Për më tepër, çështjet gjyqësore janë të kushtueshme dhe në fushën detare, procesi shpesh kërkon shumë të dhëna shkencore, duke e bërë të shtrenjtë për shtetet të ndjekin aktivisht caktimin e kufijve.

Si pasojë, më shumë se 90% e kufijve detarë janë vendosur përmes negociatave bilaterale [72], f. 131], ku shtetet janë të lira të zgjedhin cilado qasje që preferojnë kur përcaktojnë hapësirën detare. Sidoqoftë, studimet tregojnë se megjithëse shtetet zgjedhin negociatat bilaterale për të shmangur prangat e gjykimit / arbitrazhit ndërkombëtar, ata prapë mbështeten dhe kryesisht u përmbahen parimeve ligjore siç përcaktohen në vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Shqipëria s’ka arsye dhe bazë juridike, diplomatike, politike dhe historike t’i drejtohet vetë Gjykatës

Shqipëria nuk ka asnjë arsye dhe bazë juridike, diplomatike, politike dhe historike t’i drejtohet vetë Gjykatës ndërkombëtare të Hagës. Për Shqipërinë kufijtë kanë ekzistuar dhe ekzistojnë dhe do të përbënte një akt të rëndë të shkeljes së sovranitetit dhe të integritetit territorial çdo kërkesë e qeverisë shqiptare për arbitrazh ndërkombëtar të kufijve tanë.

Nëse bëhet fjalë këtu për kufijtë detarë, “Dërgimi nga Shqipëria në gjykatën ndërkombëtare të marrëveshjes së vdekur të detit do të krijonte precedentin e rrezikshëm të përpjekjeve të Greqisë për revalorizimin e marrëveshjes së rrezikshme antikombëtare, të zhvleftësuar në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, si i ashtuquajturi “Protokoll i Korfuzit” i vitit 1914, i cili nuk ratifikua kurrë as nga parlamenti i Shqipërisë dhe as nga qeveria e kryeministrit Turhan Pasha, por nuk u ratifikua kurrë as nga parlamenti i Greqisë. Një nga fatkeqësitë më të mëdha kombëtare është sëmundja e diplomacisë shqiptare të tranzicionit që gjithmonë ka paraqitur si të sajat tezat dhe qëndrimet e interesave greke.” shkruan Shaban Murati.

Duke parë më tej pyetjen se kush mund të paraqitet si palë para GJND-së dhe para Tribunalit për Ligjin e Detit – kompetenca e tyre ratione personae – situata është e drejtpërdrejtë për sa i përket GJND-së: Neni 34 i Statutit thotë “Vetëm Shtetet mund të jenë palë … para Gjykatës “, ndërsa nenet 96 të Kartës dhe 65 të Statutit bëjnë të qartë se Opinionet Këshillëdhënëse mund të kërkohen nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit, si dhe nga” Organet e tjera të OKB-së dhe agjencitë e specializuara, të cilat në çdo kohë mund të autorizohen nga Asambleja e Përgjithshme, … “(neni 96 paragrafi 2 i Kartës).  Pra aktorët që marrin pjesë në Gjykatën e Hagës janë më të gjerë nuk bëhet fjalë vetëm për shtetet por edhe është lidhur me Opinionet Këshillëdhënëse për organe të caktuara të Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të specializuara, ndërsa Tribunali i Detit është më specifik ka dhoma që shqyrton dispozita në lidhje me detin territorial, zonën fqinje, shelfin kontinental, zonën ekskluzive ekonomike dhe detin e hapur.

Në raport me Shqipërinë Greqia nga ana e saj ka më shumë përvojë në këtë çështje pasi ka bërë të gjitha këto marrëveshje detare si me Italinë, Egjiptin. Një shembull nga historia mungesa e përvojës e çoi Shqipërinë që nuk ishte anëtare e OKB-së të penalizohej pa të drejtë për Incidentin e Korfuzit.

Rama në siklet. Haga si Eureka

Por pse Kryeministri shqiptar njoftoi se palët kanë rënë dakord që çështja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë të zgjidhet nga një tribunal ndërkombëtar dhe bashkëbiseduesi i tij grek e mbështeti këtë duke përmendur gjykatën e Hagës?

“Në stilin e tij të njohur, sidomos në rastet kur nuk është i sigurt se si do të pritet në publik vendimi që ka marrë, Edi Rama përdori ironinë, duke paralajmëruar fundin e patriotëve folklorikë që nuk mund ti fryjnë më propagandës se Greqia po na rrëmben tokën ose detin.Dhe në fakt, në pamje të parë duket se është kështu.”, shkruante Andi Bushati tek Lapsi.com

Vendimi që kufirin tonë detar, Zonat Ekonomike Ekskluzive dhe shelfin kontinental ti vendosë një arbitër ndërkombëtar, i drejtë dhe i paanshëm, parimisht nuk e kundërshton dot askush. Teorikisht kjo i jep fund sharjeve primitive me tradhtarë që shesin kufij për interesat e tyre personale.Përpara se të gëzohemi që gjetëm zgjidhjen më të mirë, ne kemi nevojë për transparencë dhe për të kuptuar atë që ka ndodhur.Ne duhet të dimë se cilat janë pikat e kontestit. Të gjithë e dinë se qeveria e rilindjes u angazhua në një proces të gjatë, të udhëhequr nga ish shefat e diplomacisë Bushati dhe Kocias, për të gjetur një zgjidhje. Por sot askush nuk është i qartë se përse këto bisedime, që u paralajmëruan se qenë para fundit, u braktisën papritmas. Ku qëndrojnë mosmarrëveshjet? A janë ato vetëm për rolin dhe peshën e ishujve në delitimimin e kufijve.

Përse ndryshoi mendjen Rama ?

A mos vallë se kështu i interesonte Athinës, apo një mbrojtje për Ramën për të mos u etiketuar ‘tradhtar’.  Po përse Athina do të ishte më e interesuar për këtë version?

Arsyet mund të jenë disa. Së pari, kur filluan bisedimet mes qeverisë së rilindjes dhe asaj të Sirizës, qasjet e dy vendeve ishin të ndryshme. Greqia donte një zgjidhje të shpejtë vetëm për përcaktimin e kufirit detar. Kjo qasje e saj pati dalë në dritën e diellit edhe nga dokumentet e Wikileaks-it që dëshmonin se që në marrëveshjen Berisha-Karamanlis, pala shqiptare ishte udhëhequr vetëm prej synimeve të Athinës.Nga ana e saj Tirana zyrtare qe më e interesuar për një paketë, në grup pra që bashkë me detin ti jepej drejtim edhe çështjes çame, gjendjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe asaj që u përmend disi pa angazhim konkret abrogimit të ligjit të luftës.Athina ka avantazhin se ajo zgjidh vetëm atë për të cilën është më e interesuar,  dhe shtyn në kalendat greke shqetësimet tona si Ligji i Luftës , Çështja Çame dhe problemet e emigrantëve.

Vija e mesit apo barazvleshmëria dhe ishujt ?

Duke e çuar konfliktin, një çështje teknike që vërtitet rreth shkëmbit Barketa dhe ishujve të pabanuar grekë në gjykatën e Hagës, Por në thelb sipas së drejtës të detit kemi injorim të parimit të equity (barazvleshmërisë) , por nëpërmjet parimit të ekuidistancës (vijës së mesit). Por efektin më të madh, që e bën të domosdoshëm parimin e eqyity, e kanë ishujt, prandaj kanë shumë rëndësi përmasat e ishujve, është i banueshëm apo jo. Prandaj ndahen në ishuj të banuar, në të pabanuar dhe në masa shkëmbore , të cilave nuk mund t’i japësh efekt, si kontinentit, siç ka ndodhur në rastin tepër flagrant me Barketën në rastin tonë me Greqinë.Ku elementi historiko gjeografik dhe tradicional kanë më shumë peshë se barazdistanca.

Ekuidistanca përfshin një kufi që korrespondon me vijën mesatare në një distancë të barabartë (baraspeshë) në çdo pikë nga vija bregdetare e secilit shtet. Disa studiues kanë marrë qëndrimin se kjo ishte kodifikuar sipas Nenit 6 të Konventës së Gjenevës të vitit 1958 mbi Shelfin Kontinental (Konventa e Gjenevës), e cila i drejton shtetet të zgjidhin pretendimet e mbivendosura duke iu referuar parimit të barazisë  thekson, me Konventën e Gjenevës, shtetet ‘synonin të kishin baraspeshë të zbatuar si parim themelor, për tu devijuar vetëm në rastin e rrethanave të veçanta’.

Sidoqoftë, e drejta ndërkombëtare nuk është një grup rregullash statike, por më tepër një proces që evoluon me kohën  Vëmendja e dhënë ndaj rrethanave ‘përkatëse’ ose ‘speciale’ çoi në interpretime të ndryshme midis shteteve. Përveç gjatësisë së bregdetit dhe variablave të tjerë gjeografikë, interesave të sigurisë dhe vendndodhjes së burimeve natyrore, ndonjëherë iu është dhënë peshë në disa vendime të gjykatave ndërkombëtare. Ky është quajtur equity  ‘barazi’, si një parim i ndryshëm nga ‘ekuidistanca’.

Kështu, barazia fitoi rëndësi në caktimin e mosmarrëveshjeve në fushën detare [57]. Në veçanti, Rastet e Shelfit Kontinental të Detit të Veriut midis Danimarkës, Gjermanisë Perëndimore dhe Hollandës nga 1969 ngritën parimin e barazisë dhe barazisë së rezistencës kundër njëri-tjetrit [58]. Danimarka dhe Hollanda argumentuan për përdorimin e ekuidistancës, ndërsa Gjermania Perëndimore argumentoi për një share pjesë të drejtë dhe të barabartë ’të zonës së diskutuar. Duke përshkruar qasjen e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kufijtë detarë në përgjithësi, Gjykata vendosi që caktimi i kufijve duhet të ‘kryhet në përputhje me parimet e barabarta… duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse’

Në varësi me distancat zgjidhet se cili parim përzgjidhet, i vijës së mesme apo equity apo (Ibarazsvleshmërisë)  P.sh. Greqia me Italinë kanë dhe një marrëveshje tjetër për ndarjen e Shelfit kontinental. Bile e kanë këtë marrëveshje para së të hynte në fuqi Konventa e Tretë mbi të Drejtën e Detit, dhe në këtë marrëveshja të dy vendet kanë zbatuar parimin e equity, sepse ishujve Othonoi dhe Ericusa, në funksion të parimit të equity i kanë dhënë efekt pjesor. Megjithatë është një marrëveshje model, e cila në radhë të parë shpreh dhe vullnetin politik për të bashkëpunuar dhe shfrytëzuar bashkërisht Zonën Ekonomike Ekskluzive, aq më tepër që në këtë zonë kanë dhe një projekt shumë të madh të furnizimit me gaz në Mesdheun Lindor.

Haga shmang impasin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese Shqiptare

Një nga arsyet e nxori prestigjiozja “Kathimerini” e cilëson sukses  kur shkruan se dërgimi në Hagë i kësaj çështje është diçka që pala greke e dëshironte “në mënyrë që të anashkalonte humnerën e kushtetutshmërisë që është ngritur në Shqipëri dhe që prej vitit 2009, që ishte justifikimi i vendosur i Tiranës për të shmangur debatin”.

Zoti Zaganjori , relatori i çështjes në Gjykatën Kushtetuese në një intervistënëZërin e Amerikësështë i mendimit se “duhet bërë e qartë ku qëndron problemi dhe ku dallojnë palët në qëndrimet e tyre, dhe vetëmnëse nuk ka rrugë tjetër, ky interpretim i ndryshëm i Konventës, me marrëveshje mes palëve i paraqitet Gjykatës. Nga ana tjetër – nënvizon Profesor Zaganjori – duhet ditur se për cilën hapësirë detare bëhet fjalë”, pasi sipas tij “është e diskutueshme çështja e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive, por jo edhe ajo e ujërave territoriale në zonën e Kanalit të Korfuzit. Për këtë çështje – thekson ai – besoj se flitet qartësisht edhe në vendimin 60 faqesh tëGjykatës Kushtetuese”

Marrëveshja me Tiranën si presion për bisedime me Ankaranë

Sidoqoftë, qëllimi i aktual i qeverisë Greke nuk është të vonojë dialogun me Shqipërinë për çështjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive. ( Shih Greqia gjithnjë i referohet, Zonës ekonomike ekskluzive, duke synuar dy drejtime: Nga njëra anë, të përfundojë së shpejti konsultimet me Tiranën dhe të nënshkruajë marrëveshjen përkatëse, në konteksti i zgjidhjes më të shquar ka të bëjë me të drejtat sovrane të Greqisë. Dhe nga ana tjetër, sepse në një kohë kur Turqia po provokon me ligjin ndërkombëtar, Athina dëshiron të dërgojë mesazhin në Ankara se ajo po diskuton dhe po arrin në marrëveshje me vendet fqinje, bazuar në Ligjin e Kartës së Kombeve të Bashkuara të Detit.

Greqia nga ana e saj thotë se në vitet e fundit, Turqia është përpjekur të ushtrojë ndikim në Ballkan – dhe në Shqipëri – dhe si pasojë, ndryshimet kronike të Greqisë dhe problemet me vendet fqinje i shërbyen politikës turke.

Gjithashtu nuk duhet harruar që në fillim të verës, Admirali Turk i pensionuar Cihat Yaycı, i ashtuquajturi organizatori i “Atdheut Blu”, kishte pohuar në një intervistë se Turqia ishte ajo që kishte “torpeduar” Marrëveshjen e Athinës me Tiranën më 2009 për shënjimin e zonave detare. Me fjalë të tjera, Yaycı zbuloi në thelb se Turqia ndërhyri, duke paralajmëruar shqiptarët se Greqia po i mashtronte, çka çoi në rezultatin që marrëveshja të anulohej.

Bazuar në marrëveshjen e vitit 2009. Greqia dhe Shqipëria kishin nënshkruar një marrëveshje mbi caktimin e zonave detare në Prill 2009, me Ministren e Jashtme Dora Bakojanis dhe Kryeministrin Kostas Karamanlis. Nënshkrimet u vunë, por në verën e të njëjtit vit marrëveshja u anulua. Opozita e atëhershme shqiptare, për ironi të partisë së Edi Ramës, e kishte dërguar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku përfundimisht u anulua.

Greqia, baza për bisedimet e reja ishte marrëveshja e vitit 2009

Një nga arsyet Pse Rama zgjodhi Gjykatën e Hagës është se , grekët i kishin kërkuar si bazë diskutimi marrëveshjen e 2009 të anatemuar nga Rama. Shtypi grek klima tani është krejtësisht e ndryshme.Vlerësohet se bisedimet midis të dy palëve mund të zgjasin pak kohë, por tani ato nuk do të fillojnë nga e para pasi baza për bisedimet e reja është Marrëveshja e vitit 2009.

Greqia siç duket kohët e fundit edhe për te fituar kapital politik mbi Ankaranë, po përpiqet të zgjidhe çështjet me fqinjët.

“Tani, pas Maqedonisë së Veriut, Italisë dhe Egjiptit, kemi Shqipërinë. Vetëm disa  ditë më parë, gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Grek në Tiranë, patëm një mundësi tjetër për të konfirmuar politikën tonë të zgjidhjes paqësore, e cila po merr karakteristikat e një strategjie kombëtare. Greqia dhe Shqipëria kanë njoftuar në këtë moment jashtëzakonisht kritik, se ata do të apelojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për caktimin e kufijve të Zonës Ekonomike Ekskluzive së tyre. Shkruante pardje në gazetën Ekathimerini, një komentator, Tom Eliot, që citonte edhe një thënie të Hoolbrukut,aso kohe zëvendës sekretar shteti për Evropën,në komentin e tij me titull “Hollbruku dhe Greqia sot”.

Hollbruku- Grekëve : “ Ju keni probleme me të gjithë fqinjët”

“Unë nuk i kujtoj fjalët e tij saktë, por ai më tha diçka përgjatë këtyre vijave të: “Unë ju dëgjoj të flisni për rolin e Greqisë, por shoh se ajo ka probleme me çdo vend rreth kufijve të saj. Dhe mos më fol për Turqinë, gjë që unë e kuptoj, sepse nuk është vetëm Turqia. Ju gjithashtu keni mosmarrëveshjen për emrin me Shkupin, ku unë duhej të ndërhyja. Ju keni probleme me Shqipërinë ku më kërkuat të ndërhyja edhe për lirimin e pesë drejtuesve të organizatës Omonia. Dhe unë e bëra. Puna është që ju keni probleme me të gjithë. ”Pra, a mund të ndodhte që të tjerët të mos ishin problemi? Edhe sikur të besonim se kishim të drejtë, në sytë e një diplomati të lartë amerikan i cili ishte përgjegjës për rajonin tonë, ne ishim pjesë e problemit.”

Dhe Hollbruku edhe sot që s’është gjallë ka pasur të drejtë. Por sido që të jetë shqiptarët nuk kanë si duartrokasin Ramën për këtë zgjidhje ndërkombëtare, as për ironitë me kundërshtarët e tij “patriotë folklorikë” për bisedimet për ndarjen e Detit pasi historia na ka mësuar fatin tragjik të ‘Shqipërisë Londineze” kur bëhet fjala për zgjidhje nga ndërkombëtarët.

“Timeo Danaos et dona ferentes ” shkruante tek Eneida (II, 49),  Virgjili qysh në vitin 29  para Krishtit  që në shqip, do të thotë “Kujdes nga grekët edhe kur ju sjellin dhurata “.Ndaj edhe e pse e ka shfaqur si një ide të tij, ka një veprim të ngjashëm me të atyre trojaneve që jo vetëm i hapen portat, por i hoqën fare, sipas zbulimeve te fundit arkeologjike, për të futur brenda “Kaline Trojës “ dhe thënia e kryeministrit Rama se” Unë kam një ide shumë të thjeshtë, ne mund ta zgjidhim çështjen më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare”, ka po atë mendjelehtësi për të cilën i paralajmëroi trojanët, Kasandra. Dhe ne që paralajmërojmë të keqen, natyrisht s’jemi “patriotë folklorikë’ , sidoqoftë mund të paralajmërojmë të keqen që të mos ndodhë.

Filed Under: Opinion Tagged With: ÇËSHTJA E DETIT, Ne Gjykaten e HAGËS, Rafael Floqi

LIRIA E FESË, PËRPARËSI E RËNDËSISHME E POLITIKËS SË JASHTME TË SHTETEVE TË BASHKUARA

October 27, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- 27 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë Fetare për vitin 2020. Ka mbetur vetëm një javë deri në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020 në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që vlen të theksohet se avancimi i lirive në përgjithësi dhe në veçanti i lirisë fetare, në nivel ndërkombëtar, duhet të jetë një prioritet mbi partiak.  Administrata e ardhëshme, cilado qoftë ajo, duhet të vazhdojë t’i japë përparësi lirisë fetare anë e mbanë botës. Status quo-ja për shumë komunitete fetare të pambrojtura, në të gjithë botën, është një krizë që nuk duhet të tolerohet, thekson në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare, Instituti (Amerikan) për Lirinë e Fesë.

Historikisht, megjithëse me disa ndryshime në politikën e tyre, përfshir sukseset dhe dështimet në mbrojtje të lirisë së fesë gjatë viteve e dekadave – administratat amerikane të njëpasnjëshme kanë  mbrojtur due kanë avancuar lirinë e fesë, si pjesë të pandarë të politikës së jashtme amerikane.

Edhe Administrata aktuale, nepërmjet një deklarate të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Michael Pompeo u angazhua dje se liria e fesë, “Do të mbetet gjithmonë -një përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA”.

“Njëzet e dy vjet më parë si sot, Shtetet e Bashkuara miratuan Aktin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare të vitit 1998”, tha Kryediplomati amerikan në deklaratën e tij me këtë rast,  “Duke ripohuar angazhimin tonë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën themelore të lirisë fetare për të gjithë njerëzit, kudo që ndodhen. Si pikënisje nga vizioni i themeluesve të Amerikës, qeveria jonë e kuptoi që një individ, pavarësisht nga feja apo bindjet e tij, duhet të jetë i lirë të organizojë jetën e tij, në përputhje me ndërgjegjen e tij.  Liria fetare dhe temat e tjera të dinjitetit njerëzor janë – dhe do të mbesin gjithmonë – një përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA-ve.”  

Në deklaratën e tij, Z. Pompeo përmend shkeljet aktuale sot të lirisë fetare në botë, duke venë në dukje, tre vende, dhunueset më të egera të lirisë fetare në botë, sipas tij –“Republika Popullore e Kinës, Irani dhe Korea e Veriut”, duke veçuar Kinën si dhunuesen më të egër të lirisë fetare, e cila thotë, Z. Pompeo,  “Ka kërkuar të zhdukë të gjitha format e fetare si dhe besimet që nuk përputhen me doktrinën e Partisë Komuniste Kineze”.

Lëvizjea globale për lirinë fetare është tani një realitet përfundon Z. Pompeo, “Një realitet plot diversitete rajonale, kulturore dhe politike – duke dëshmuar kështu për një të vërtetë universale, pa mëdyshje, se çdo person, kudo, ka të drejtë të besojë ose të mos besojë, të ndryshojë bindjet e besimit të tij, të deklarojë fenë e tij dhe ta përhapë atë ndër të tjerë.  Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë Fetare, Shtetet e Bashkuara janë krenare që promovojnë dhe mbrojnë lirinë fetare kudo, shkruan në deklaratën e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Lirisë Fetare 2020, Kryediplomati amerikan, Michael Pompeo.

 Ndërsa në një deklaratë për median, Administratori në Detyrë i USAID-it, Z.  John Barsa  tha se “Qeveria e SHBA ka caktuar 27 Tetorin si Dita Ndërkombëtare e Lirisë Fetare në përkujtim të nënshkrimit historik të Aktit Ndërkombëtar të Lirisë Fetare (IRFA) në vitin 1998. Mbrojtja dhe promovimi i kësaj lirie themelore, në të gjithë botën, ka qenë parimi kryesor i diplomacisë amerikane dhe ndihmesës së jashtme, që prej atij viti.”  Drejtori në Detyrë i USAID-t tha se megjithëse është shënuar përparim, mbetet shumë për tu bërë në këtë fushë, pasi në dhjetë vjetët e fundit janë shënuar shkelje të rënda të lirisë fetare në një numër vendesh të botës dhe pothuaj kundër të gjitha feve, pa dallim.  Si përfundim, shtoi ai, “Presidenti Trump dhe Zevëndës presidenti Pence e kanë bërë përparimin dhe mbrojtjen e lirisë fetare në të gjithë botën, një përparësi të politikës së jashtme Amerikane.  Kjo është me të vërtetë liria e parë e Amerikës dhe USAID është krenar që luan një rol jetësor në ruajtjen e saj në të gjithë botën”, ka përfunduar Administratori në detyrë i USAID-it, Z. John Barsa.

Mbrojtja e lirisë  fetare në botë është mbrojtur gjithmonë nga Shtetet e Bashkuara, por është thekësuar më shumë sidomos që nga viti 1998 kur Presidenti demokrat Bill Klinton nënshkroi ligjin “International Religious Freedom Act” (IRFA) në vitin 1998.  Mbrojtjen e lirisë fetare në politikën e jashtme e vazhdoi edhe Presidenti republikan Xhorxh W Bush, duke u përqendruar në qeveritë që dhunonin këtë të drejtë dhe duke marrë masa për të përmirësuar gjendjen e lirisë fetare në ato vende.  Edhe Presidenti demokrat Barak Obama nënshkroi disa dispozita diplomatike për të bërë më të fortë ligjin e vitit 1998, të nënshkruar nga Presidenti Klinton.

Ndërkaq, Administrata Trump qershorin që kaloi nënshkroi në urdhër ekzekutiv për avancimin e Lirisë Fetare në nivel Ndërkombëtar, në të cilën është thenë se, “Liria fetare për të gjithë popujt anë e mbanë botës, është një përparësi e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe se Shtetet e Bashkuara do të respektojnë dhe do të promovojnë lirinë fetare, me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion.”

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë 2020, Instituti Amerikan për Lirinë e Fesë, mbështet promovimin e lirisë fetare nga administratat republikane dhe demokrate — tashti dhe në të ardhmen — duke thënë se, “Liria fetare në nivel ndërkombëtar duhet të jetë një përparësi për të dy partitë kryesore politike amerikane, jo vetëm për mbrojtjen e një numri të caktuar njerëzish që pësojnë persekutimin fetar sot, por edhe për stabilitetin e atyre shoqërive ku po ndodhin persekutimet, pasi promovimi i lirisë  fetare është gjithashtu edhe në favor të sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

Filed Under: Analiza Tagged With: amerikane, Frank shkreli, Liria e Fese, Perparsi, Politika e Jshtme

FALENDERIM ZONJES MERKEL, KANCELARES SE REPUBLIKES GJERMANE

October 27, 2020 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika-

Para disa ditësh Zonja Merkel deklaroi botërisht se Europa i ka një borxh shtetit shqiptar të cilin e krijoi te cunguar. Ky është i vetmi shtet në Europë që rrethohet nga të gjitha anët me banorë që flasin të njëjtën gjuhë. Duhet krijuar shteti kombëtar shqiptar, ku të bashkohen territoret shqipfolëse…

Kjo deklaratë e Zonjës Merkel tërthorazi i thotë Z. Putin se diplomacia rusomadhe ka qenë shkaktarja qe nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar më 1912-1913 kur presionet e Rusisë Cariste detyruan Fuqitë e Mëdha të Europës të krijonin një shtet të cunguar shqiptar duke i dhënë Serbisë territore që nuk banoheshin prej serbesh, por prej shqiptarësh e maqedonobullgarësh. Pra, Z. Putin duhet të kuptojë se dhe Rusia i ka borxh Shqipërisë mosrealizimin e shtetit kombëtar shqiptar që 110 vjet më parë. Dhe si udhëheqës i Rusisë, shkaktares së kësaj vonese, ai duhet ta këshillojë deri në detyrim qeverinë e Serbisë që të mos bëjë më përpjekje për ta shtyrë shlyerjen e këtij borxhi ndaj popullit dhe shtetit shqiptar, fqinjit të tij.

Ndërkohë, deklarata e Zonjës Merkel kuptohet se u tërheq vëmendjen pushtetarëve të Shqipërisë e të Kosovës dhe drejtuesve të partive politike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi që të krijojnë një strategji të përbashkët për të ecur drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, ku të përfshihen gjithë territoret ku flitet gjuha shqipe.

Mjaft humbët kohë zotërinj politikanë e partiakë me luftë interesash personale duke e maskuar me luftën partiake, se në Shqipëri nuk ka parti vërtet atdhetare që t’ju luftojnë juve. Punoni për realizimin e këtij plani strategjik, sepse e nesërmja e afërt nuk do t’ju falë e do t’ju dënojë si tradhëtarë.

Edhe për krijuesit shqiptarë kjo deklaratë nënkuptohet se është një thirrje për t’u larguar nga nostalgjia komuniste dhe nga shërbimi i maskuar ndaj partisë politike në pushtet. Qartësohuni se komunizmi dhe enverizmi ishin armiq të nacionalizmit dhe u përpoqën ta përjetësonin coptimin e popullit shqiptar në disa shtete.

Filed Under: Komente Tagged With: falenderim, Kancelares Merkel, Thanas L Gjika

Xajë Sahit Jashari, Dëshmori i Lirisë*

October 27, 2020 by dgreca

Dëshmori i kombit Xajë Sahit Jashari rrjedh nga një familje përparimtare, bujare e atdhetare në të cilën kultivohen ndjenjat e trimërisë, guximit patriotizmit e atdhedashurisë. Në këtë familje shkollarësh e intelektualësh, më 19 qershor 1955, në fshatin Strofc të komunës së Vushtrrisë u lind dëshmori i kombit Xajë Jashari. Si familje brez pas brezi gjithmonë ishte në lëvizjen dhe në luftën për lirinë gjithëshqiptare.
Atdhedashuria dhe ideali i lirisë e bashkimit kombëtar babin e Xajës, Sahitin e mobilizuan ushtarakisht vullnetarisht në brigadat shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa axha Demiri luftoi deri në përjetësi kundër pushtuesve – hordhive çetnike.
Xajë Jashari shkollimin fillor e kreu në shkollën “Liria” në Gurëkuq (ish-Gllavotin), ndërsa të mesmen, gjimnazin në Vushtrri. Studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën e BAT-it. Përpos aktiviteteve mësimore ai merrej edhe me aktivitete tjera e sidomos me ato sportive. Kështu në vitet e 70-ta themeloi dhe udhëhoqi klubin e futbollit “Besa“ të Strofcit. Përpos prirjes për sport dhe përkushtimit rreth tij ai u mor edhe me gazetarinë sportive. Ishte gazetar – korrespondent në rubrikën e sportit në gazetën “Rilindja”.
Në vitin 1978 Xaja punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP) ku punoi deri më 5 korrik 1990 kur u mbyll dhunshëm ky institucion informativ nga ana e okupatorit serb. Në RTP ishte shumë i respektuar nga shokët dhe punoi me sukses me teknologjinë më të përparuar të telekomunikimit-marrjes dhe shpërndarjes së informacioneve.
Veprimtarinë atdhetare Xaja e kishte nisur herët që nga koha e demonstratave të vitit 1981, ku ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave në Prishtinë. Përpos pjesëmarrjes në demonstrate ai bashkë me disa shok ishte edhe dhurues vullnetar i gjakut për shokët e plagosur në demonstrata.
Ishte i martuar me Ajmane Krasniqin nga fshati Trimor (ish-Zhilivodë) dhe kishin pesë fëmijë tre djem e dy vajza.
Xaja merrej edhe me krijimtari letrare e sidomos krijonte poezi të cilat si shumë krijuesve të tjerë në luftën e fundit iu dogjën bashkë me bibliotekën e tij të pasur me rastin e djegies së shtëpisë nga ana e pjesëtarëve të okupatorit serb.
Xajë Jashari edhe në vitin 1998 rikthehet në protesta-demonstrata dhe në organizimin e tyre për mbrojtjen e Kosovës dhe të rrugës së saj drejt realizimit të vullnetit të popullit.
Duke e ndier gjithnjë e më shumë se vetëm me luftë të armatosur mund të dëbohet okupatori nga trojet tona e të realizohej ideali i lirisë në vitin 1991 kishte siguruar një armë personale, një pushkë automatike dhe 500 fishekë. Ajo pushkë më vonë u bë pushkë e ushtarit-luftëtarit të UÇK-së, e dëshmorit të kombit Xajë Jasharit, që jehoi fuqishëm bashkë me pushkët e mijëra ushtarëve tjerë të lirisë anekënd Kosovës. Pushka e Xajës jehoi deri në momentet e fundit kur ai iu bashkua mijëra dëshmorëve të kombit që luftuan për lirinë që ne sot e gëzojmë, ndërsa ata fituan përjetësinë.
Pushkën, Xaja ia la amanet vëllait të madh, Behxhetit, që ai ta vazhdoi luftën kundër okupatorit deri në fund, deri në çlirimin e Kosovës.
Fillimi i organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i luftës në Kosovë, Xajën si edhe shumë të tjerë i gjeti të gatshëm për sakrificën që po kërkohej për Kosovën e për lirinë e saj. Meqë kushëriri i tij, dëshmor i kombit, Jashar Jashari ishe ndër të parët çlirimtarë të cilët menjëherë pas Epopesë së Prekazit e të komandantit legjendar Adem Jashari u kthye në Kosovë dhe filloi aktivitetin të cilit menjëherë iu bashkua Xaja.
Dëshmori i kombit, Xajë Jashari nga prilli i vitit 1998 ishte aktivizuar në radhët e UÇK-së. Ishte pjesëtar i njësitit të parë gueril, që operonte në fshatrat e Ortakollit e më gjerë. Nga fundi i majit 1998 ai emërohet zëvendëskomandant i njësitit gueril “Duraku” të udhëhequr nga komandant Jashar Jashari me nofkën – Duraku.
Ata filluan aktivitetin e përbashkët në rrugën për çlirim dhe tani të gjitha detyrat i zbatonin me përpikëri dhe kështu ata vinin duke e zgjeruar aktivitetin e tyre sa më shumë dhe duke aktivizuar edhe njerëz tjerë si të fshatit dhe rrethit më të gjerë. Jashari dhe Xaja punonin pa u ndalur në shtrirjen dhe zgjerimin e formacioneve të UÇK-së në trevën e Artakollit. Kështu në fshatin Trimor (ish-Zhilivodë) të Vushtrrisë u vendos shtabi vendor i UÇK-së për Artakoll, ku Jashari ishte komandant, ndërsa Xaja zëvendëskomandant. Ata këtu shpërndanë edhe armë për luftëtarët e lirisë . Ndërsa për këta luftëtarë ishte qendra stërvitore në fshatin Trimor. Zgjerimi i aktiviteteve vazhdoi edhe në fshatrat tjera përfshirë këtu edhe fshatin e lindjes së Xajës, Strofcin.
Pas organizimit të UÇK-së në Strofc dhe fshatrave përreth, pozicionet e UÇK-së u shtrin përgjatë vijës së frontit që përfshinte fshatrat rrëzë Qyqavicës, Mirashit, Gurakuqit, Lajthishtës, Hamidisë, Bardhit të Madh dhe Hades. Ndërsa forcat serbe ishin të përqendruara në fshatrat serbe, Prelluzhë e Plemetin. Ato tani nuk kishin mundësi të depërtojnë në këto anë por vetëm me granatime nga largësia, sepse ushtarët trima të UÇK-së ishin të pozicionuar dhe nuk lejonin depërtimin e tyre në këto pjesë. Në mesin e këtyre ushtarëve ishte edhe dëshmori i kombit Xajë Jashari.
Xaja ka qenë i angazhuar si zëvendëskomandant në njësitin e UÇK-së që ka vepruar në fshatin Strofc dhe në fshatrat përreth. Ndër luftëtarët me të cilët kishte bashkëpunim më të ngushtë kanë qenë komandanti Jashar Z. Jashari, Januz Z. Jashari, Rrahim Tahiri, Sejdi Selimi, Avni Klinaku etj.
Ka marrë pjesë në shumë luftime të cilat i ka zhvilluar Brigada 142 e UÇK-së të ZOSH.
Edhe në riorganizimet e mëvonshme Xaja prapë do të jetë në detyrën e zëvendëskomandantit, ku ishte shumë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë luftëtarët e lirisë dhe qytetarët e tjerë. Xaja gëzonte respekt tek populli, eprorët dhe ushtarët e UÇK-së që bashkërisht ishin të përkushtuar e të bashkuar rreth idealit më madhor të lirisë së atdheut, të gatshëm për çdo sakrificë e flijim.
Në luftën që po zgjerohej përditë e më shumë Xaja ishte pjesëmarrës në aksionin e 11 qershorit 1998 i njohur si aksioni i Hamidisë, ku me atë rast u vranë katër policë serbë, u shkatërrua një pizguaer dhe në bazë të gjurmëve të lëna nëpër livadhet e Hamidisë në këtë aksion janë plagosur edhe disa serbë të tjerë.
Ai mori pjesë në luftimet ballëpërballë që u zhvilluan kundër pjesëtarëve të okupatorit serb në luftimet e njohura si “Ofensiva e Shtatorit” e cila u zhvillua prej 22 deri më 25 shtator 1998. Gjatë zhvillimeve të luftës nga vija e parë e frontit, përpos luftës që bënte jepte edhe informacione për zhvillimet e luftës për mediat dhe gazetarët që raportonin për zhvillimet e luftës i shërbente me informata të sakta dhe të dorës së parë nga fronti i luftës në këto anë. Kështu ai u bë edhe një zë i së vërtetës, së drejtës dhe madhështisë së luftës së UÇK-së .
Në mbrëmjen e 27 tetorit të vitit 1998 kalon në përjetësi, ndërsa të nesërmen varroset me nderime të larta ushtarake në fshatin e lindjes në Strofc, rrëzë malit Qyqavicë. Radiotelevizioni Shqiptar duke dhënë lajmin aq shumë të dhembshëm dhe krenar për Xajën thoshte: ”Xajë Jashari kolegu ynë për shumë vite ishte i shkëlqyeshëm në Radiotelevizionin e Prishtinës, u bë shembull në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në luftën për liri. Ishte kjo lavdi e madhe e gjithë kombit për dëshmorin Xajë Jashari ”.
Familjes së dëshmorit Xajë Sahit Jashari i ka dhënë mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. (M. K.)

  • Marre nga Radio Kosova e lire- Xaje Jashari, dëshmori I Lirisë së Kosovës, vëlla I Behlul Jasharit,  korrespondentit të Gazetës”DIELLI” në Kosovë.

Filed Under: Histori Tagged With: Deshmor i kosoves, Xajë Sahit Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT