• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

Më pak i varur

November 12, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Pse vetëvrasja quhet e paligjshme? – ishte pyetja që iu bë Sokratit. Mos u shqetëso – u përgjigjigj ai – do të vijë dita kur gjërat e këqija të jenë të mira, dhe kur vdekja të bëhet rruga e vetme. Kur njeriu është më mirë i vdekur, duhet të presë dorën e tjetrit, sepse nuk lejohet të jetë bamirësi i vetes. Idea që pëshpëritet është se njeriu është një i burgosur që nuk ka të drejtë të hapi derën për të ikur; Zoti, a dikushi, është roja dhe njeriu është zotërim i tij. Mendo, nëse një nga zotërimet tuaja, një lopë ose një gomar a mushkë, për shembull, do të dilte nga rruga kundër dëshirës suaj, a nuk do të zemëroheshit? Do t’a mallkonit, do t’a godisnit, dhe një vend për varrim do t’i mohonit. Kështu ndodhi me qindra mijëra njerëz në kohën e diktaturës.
Shteti që njohim është si një magazinier. Njerëzit e magazinuar përbëjnë shqetësim pafund, për shkak të kërkesës së thjeshtë për ushqim, mjekim e të gjitha nevojat, dhe mosplotësimi i tyre e pengon njeriun në kërkimin e qenies së vërtetë; e mbushin plot dashuri, frikë dhe fantazi të të gjitha llojeve, mashtrime pafund, dhe në fakt, siç thonë, marrin fuqinë e të menduarit. Nga vijnë luftërat, dhe fraksionet përveç se nga dashuria për para, dhe paratë duhet të gjenden për hir e në shërbim të trupit. Për shkak të të gjitha këtyre pengesave njeriu nuk ka kohë t’i jepet mendimit. Dhe e fundit dhe më e keqja nga të gjitha – edhe nëse është në kohë të lirë dhe e tradhton veten me disa spekulime – trupi a pushteti gjithnjë depërton, me rregulla, dekrete e ligji, duke shkaktuar trazira dhe konfuzione sa që e pengon të shohë të vërtetën. Është vërtetuar nga përvoja se nëse do të kishim mendime të pastra për ndonjë gjë, duhet të shkëputeshim nga trupi – shpirti vetë duhet t’i shohë gjërat në vetvete – pastaj njeriu do të arrijë mençurinë që dëshiron dhe për të cilën thotë se është i dashuruar. Në këtë jetë të tanishme, mendoj, ne e bëjmë qasjen më të afërt të dijes kur kemi marrëdhënie ose bashkim sa më pak të mundshme me trupin dhe nuk jemi të njësuar me natyrën trupore, por e mbajmë veten të pastër deri në orën kur dyert hapen dhe na jepet liria. Dhe kështu, duke hequr qafe marrëzinë e trupit a shtetit, ne do të jemi të pastër dhe do të flasim me të pastrit dhe do të njohim nga vetja dritën e pastër, e cila nuk është tjetër përveç drita e së vërtetës. Papastërtitë nuk lejohen. Këto janë llojet e fjalëve, të cilat dashamirët e vërtetë të dijes mund t’i thonë njëri-tjetrit dhe të mendojnë se si të varen më pak nga pushteti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Më pak i varur

Xhorxhia,rinumërim të plotë të votave

November 11, 2020 by dgreca

hteti i Xhorxhias do të rinumërojë me dorë të gjitha fletët e votimit të hedhura në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, tha të mërkurën zyrtari i lartë i zgjedhjeve i këtij shteti, një detyrë me përmasa të mëdha që duhet të përfundojë deri më 20 nëntor.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden siguroi më shumë se sa 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, duke fituar Pensilvaninë të shtunën, pas katër ditëve të tensionuara të numërimit, që u vonuan për shkak të rritjes së votave me postë.

Nëse merr edhe Xhorxhian, kjo vetëm sa do ta shtonte diferencën e fitores së zotit Biden.

Presidenti republikan Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka thënë – pa cituar prova – se votimi u shoqërua me mashtrime.

Numërimi i votave në Xhorxhia e vë zotin Biden përpara Presidentit Trump me vetëm 14,101 vota nga rreth 5 milion në të gjithë shtetin dhe me diferencën aq të vogël, nevojitet një rinumërim, tha në një konferencë shtypi sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.

Brad Raffensperger/

“Në fakt duhet të bësh një rinumërim të plotë me dorë të të gjitha votave, sepse diferenca është shumë e vogël,” tha ai.” Ne duam që kjo të fillojë para se të mbarojë java”.

“Njerëzit do të punojnë shumë jashtë orarit javët e ardhshme”, tha ai.

Një studim i grupit jo-partiak Fair Vote zbuloi se nga 31 rinumërime në të gjithë vendin midis viteve 2000 dhe 2019, rezultati ka ndryshuar në vetëm tre prej tyre. Më shpesh, ka qenë fituesi që ka dalë me pak më shumë vota.

Mesatarisht, rinumërimet e kanë ndryshuar rezultatin me 0,024%, një diferencë shumë më e vogël sesa do t’i duhej Presidentit Trump, thuhet në studim.

Zoti Biden aktualisht është përpara Presidentit Trump në Xhorxhia me 49.5% ndaj 49.2%.

Dy senatorët e Xhorxhias, David Perdue dhe Kelly Loeffler, të dy republikanët të hënën i bënë thirrje zotit Raffensperger, i cili është gjithashtu republikan, të japë dorëheqjen për mënyrën se si i menaxhoi zgjedhjet.Por në deklaratën e tyre nuk paraqiteshin prova për mashtrime.(Kortezi VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Brad Raffensperger, rinumerim te votave, Xhorxhia

“ZANAT KANË ME TË ZANUE…”

November 11, 2020 by dgreca

Ese nga PIRRO LOLI/

Nuk mbaj mend në ç’ përrallë a mësim shkolle i kam ndeshur për herë të parë, por që në fillim,  më ka shoqëruar enigma e çuditshme se pse këto bukuroshe kanë qenë  edhe të rrezikshme nëse kontakton me to, ose nëse kërkon të këndosh si ato. Nga klasa në klasë e nga libri në libër, unë do t’i plotësoja njohuritë për to, do pyesja e do debatoja edhe me profesorët e mi Eqrem Çabej, Shaban Demiraj,  Zihni Sako etj. e gjithmonë me vështirësi, do t’i kuptoja herë si hyjni, herë si xhinde, herë zana, herë muza, herë sirena, shtojzavalle(shtoju , o Zot vallet) etj, të gjitha të njohura në mitologjinë ballkanike në Iliadën homerike dhe në eposet tona, balada, këngë, përralla etj. Në thelb shprehin dëshirën e shumimit, të zërit, valles, bukurisë së madhe e të vazhdueshme. Të gjitha janë të gjinisë femërore, vasha të bukura, “Miss-nudo”, prej drite, tingulli e aromash që këndojnë e vallëzojnë deri në magjepsje.                                                            

Zanat jetojnë, këndojnë e vallëzojnë larg syrit të njeriut, lartësive olimpike që në fillesa, pranë burimeve të Hipekronit, në Helikonin e pyllëzuar, në pllajat e malit të Pindit dhe gjithandej bjeshkëve të malësive tona, atje ku bari dhe gjethja prekin majëmalet e dëborta, atje ku hëna ulet e i lan pllajat e burimet me lëngun e saj të argjendtë…

Norbert Jokli thotë se: “Zana” rrjedh prej latinishtes “Diana”, por mua më bind më tepër prof. Çabej, që te “Zana” shikon burimin za – zë- zëri, prej nga merr edhe emrin. Kuptimi pagan i tyre  si zë, është shumë i lashtë. (Kujto se tempulli i muzave [Zanave] “Museioni”, është ndërtuar në vitin 200 para Krishtit dhe, para se të shkatërrohej nga arabët, u bë fidanishtja më e madhe artistike e botës antike).

Ato pa dyshim janë produkte shpirtërore çastesh të rralla, gjendje të veçanta, ku shpirti i njeriut dëshiron të dëgjojë zërat magjikë të natyrës e, befas, duke dashur t’i ketë  brenda rrethit të njohurive të veta, i ka krijuar (përfytyruar) si vasha hyjnore, orë e zana ogurmira… U ka bërë edhe statuja e muzeume atyre të bukurave, por edhe me huqe të rënda e me ligjet e çuditshme të mosprekjes së Bukurisë  (me B të madhe); atje, caktuar pranë hyjnisë, por gjithsesi zëra të natyrës, reflekse jehonash, zëra mistike të paimitueshëm, melodi ere, shushurimë krojesh e dallgësh, këngët e shiut e të gjethes, drithërimat e barit, zilet dhe këmborët; krejt këngët e tokës e të detit që prej paganizmit të lashtë, erdhën deri te njeriu modern i cili filloi të imitojë sadopak nëpër vegla, kallama, bilbila, fyej curle, çifteli, lira e deri te  veglat e sotme elektronike e orkestra moderne së bashku me shenjat e tyre (grafinë) në pentagram, imazhi i parë i të cilit ka qenë hedhja e “yllit” në pentagram (një pikë në vijë apo fushë). Sepse çdo yll nga pozicioni që ka, jep edhe  tinguj të ndryshëm. Grekët e lashtë ngriheshin nga gjumi dhe dëgjonin muzikë yjesh). Pentagrami me notat dhe kodet e veta me kombinacionet e pafundme, është shenja më e kompletuar simbolike në të gjithë artet, që e bën muzikën mbretëreshën e padiskutueshme të çdo krijimtarie artistike.

  *   *   * 

Zanat, fillimisht i ka lindur natyra, më pas i ka shpirtëzuar njeriu  duke i perceptuar si qenie çudibërëse.

Njeriu rron nga natyra e që në foshnjërinë e vet e ka thirrur atë për ndihmë për  ushqim e veshje, mbrojtje, por dhe si burim bukurie. Njeriu artist, me shpirtin e tij është magjepsur me hapat e erës, puhizat e plepit, ngjyrën e luleve, këngën e bletës, shushurimën e shiut, këngën e zogut, simfoninë e flogjeve të borës, jehonat…E , ndoshta artisti dëshironte t’i sintetizonte këto bukuri të shpërndara në qenie të veçanta. Njeriu artist i ngriti bukuritë e natyrës në lartësi  të pa prekshme, të pakapshme. Ky krijim misterioz flet për praninë e  një ndjenje hyjnore, të një zëri mistik. Sepse dhe piktori më i talentuar shtanget përpara gurgullimës shkumëbardhë të lumit a përroit që zbret nga mali, sepse , kur pranverat shtojnë qilimat në bjeshkë  a në livadh, pamjet janë më të bukura se qilimat më të bukur persianë….Sepse dhe muzikanti më i talentuar nuk e hedh dot në pentagram gëzimin e bletës kur puth lulen dhe i thith polenin e ëmbël. E natyra këtu trupëzohet, këtu lëviz e ndryshon pa pushim pamjesh e zërash e gjithnjë me një harmoni e simetri të përsosur. “ Natyra arrin tek e përsosura – thotë Emerson – pa asnjë tronditje e kërcënim dhe shton me ironi – se panjat dhe bredhat janë ende të pakomprometuar… e kur të ndërgjegjesohen si njeriu edhe ato do shajnë, do grinden dhe do mashtrojnë.”

Këtyre krijesave njeriu dhe natyra u japin formën sipas përfytyrimeve të veçanta. (Homeri i përfytyron sirenat si qenie me fytyrë, qafë e gjoks të brishtë femre, me këmbë zogu dhe bisht peshku, duke e perceptuar thelbin e tyre edhe më mistiko-magjik se aedët paganë pararendës). Me formën e përlindjes ato largohen, animizohen e tentojnë të bëhen pjesë e thellësive të detit dhe lartësive të qiellit.

Ngurosja ose tjetërsimi i  njeriut në shpend, kafshë, gur, pemë etj, është dëshirë fantastike e lashtë thellësive pagane, e njohur krejt në folklorin e gadishullit. Epika iliro greke është e mbushur me shembuj të tillë.( Dionisi i ktheu në shpendë të tria vajzat e mbretit Mineos, Erosi e shndërroi Peristerin në  Pëllumb, bashkëshortja e mbretit të Tebës u kthye në pllakë mermeri, se Hyu Apolon i shigjetoi të dymbëdhjetë fëmijët, Circia i ktheu shokët e Odisesë në derra, vetë Zeusi u tjetërsua në mjellmë që të zotëronte bukuroshen Lida etj… 

  *   *   * 

Zanat shpesh zbrezin lartësive  dhe  motërzohen edhe në imazhet e femrave të zakonëshme si  vajtojsa, që qajnë bukur, (“sirena vajtore”, “muzat e vajit”). Tek ne njihen këto si vajtosa të Durrësit, Antigonesë, Apolonisë, Vlorës, Shkodrës, Ulqinit dhe quhen edhe “vajzat e virgjëra të natës”, apo stihitë e vdekjes. 

(… I kam takuar një herë “stihitë e vdekjes”; ti mund t’i quash ç’të duash, orë a vajtojca, muza a sirena. I pashë ballë për ballë. Me Sadik Bejkon, isha në Gjirokastër, te “Sheshi i Çerçizit”. Gjirokastrën e kish pllakosur zia. Para tri ditësh kish vdekur Ai. Në shtëpinë e tij “muze”, përballë një fotografie të zmadhuar të udhëheqësit, grahën mijëra njerëz. Te “sheshi” merrnin kthesën autobusët e njerëzit, sapo zbrisnin, fillonin të qarat me lot e bot e ofshama. Nga kalaja trembeshin sorra e pëllumba të egër e fluturonin të çakërdisur nëpër çati.  Ulërima erdhi në këmbë e u fut në shesh, si një projektor i llahtarshëm kobi. Ishin dymbëdhjetë gra në ballë të turmës. . Veshur krejt në zi. Ishin rreshtuar poshtë te “postblloku” i qytetit. Dikush, ndonjë regjisor dërguar nga Homeri,  u kishte folur dy fjalë për atë vdekje “të madhe”  dhe i kishte nisur për në qendër të skenës, ku luhej tragjedia. Rreshtimi u bë te sheshi në fund, te shtëpia e Sokratit. Njëra, kryeulur, leshralëshuar, do rrinte në krye, pas saj tri të tjera mbërthyer krah për krah. Ecnin me një hap dhe lëviznin vetëm kokat majtas e djathtas, leshralëshuar dhe  qanin me zë, me lot e me bot dhe sytë i kishin të përgjakur nga dhimbja. Pas tyre vinte një treshe tjetër, treshja e isos; ato kumbonin me një “uu..” dhe “o…” të stërzgjatur sipas fjalëve që thoshte treshja e parë. O Zot, çfarë zëri, çfarë ulërime, çfarë dhembje që nxirrnin ato nga gjoksi duke e shpërndarë atë “Uu” e atë “Oo” nëpër rrugë! Treshja e fundit kthente gjëmën e dukej se trashte zërin ose gjakun e zi që përsëritej si jehonë e derdhej ritmikisht. Nga Dunavati e Palortoja dridheshin rrasat e gurta të shtëpive e  kadërdhëmët rënkonin nën këmbët e gjëmës… Tri të tjerat më pas artikulonin fjalë e rrokje të ndryshme, ritmikisht përsëritnin fjalët e fundit të marrëses së fillimit, por ato nën atë ritëm të çuditshëm qëllonin me këmbë tokën e gurtë, me krahë, bënin lëvizje kaotike, kapnin gishtat, i mbërthenin, bënin sikur i thyenin e, aty-këtu gërricnin faqet e gushën me thonj. Kjo ishte treshja e përgjakshme. Vilarë të hollë gjaku kishin nëpër faqe e në nofull. Ulërima çau rrugët përmes, dritaret ngrinë e qyteti dridhej e zemra i tundej  në bark brenda. Korbat mbi kala si copa shamish të zeza sa ngriheshin në ajër binin krahëkëputur,  ogurzeza e pafrymë.

– Skenë antike – tha Sadiku.

– Nga  ç’tragjedi  janë këputur?- thashë unë

– Kështu ishin edhe ato që qanë Akilin, – tha Sadiku.

– Ata qanë mbi të shtatëmbëdhjetë ditë e net, – thashë unë, – pa shpallur zi kombëtare…Këto janë kooperativiste nga Labëria…, atë të parën e njoh, ia merrte këngës në festival, është një mjelëse  e rendimenteve të larta në “Bulo”. 

Sadiku bëri buzën ne gaz, por unë vura re se ai qe zverdhur, sikur i dridhej buza e orë e çast thithte cigaren… Kishim frikë se diçka do ndodhte.

Dhe me hapin e gjëmës u nisëm pas tyre, për ta parë tragjedinë e lashtë sa më afër të vdekurit. Vajtojcat tona na u përgjasuan me Erinitë, me ato zanat e zeza të Hadit, të bukurat e vdekjes, me flokë gjarpërinjsh e sy të zjarrtë, që hakmerren ndaj atyre që dëmtojnë seksin femër..)

  *   *   *

Folklori ynë i ka ulur zanat e muzat më në tokë, i ka anthopozuar  si femra për të kënduar e për të qarë (Vajtimi i Ajkunës), ose aq të njohurat, këngë e vaje në Labëri e në Malësitë e Veriut.) Vdekja është dhembje me ndjeshmëri të lartë dhe njeriu ndien nevojën të shprehet me zë, këngë, ofshama, britma, gjeste e lot; në disa zona, në vajet tona “këndojnë” vajtojcat, por diku, qajnë edhe burrat. Sidoqoftë, në këto raste kemi uljen e Zanës nga trojet mistike të së bukurës së padukshme në trajtat tokës dhe të  njeriut. 

Unë e kam fjalën për të bukurat lart, ato enigmat e mbuluara me mister, zanat me zërin së sipërmi, ku hyjnia ka pjesën e vet. Për zanat, zana. 

Pushteti i tyre është zëri melodioz dhe, si çdo pushtet, ato imponohen edhe në “sanksione” apeluese për ata që i shohin e i dëgjojnë. Ato nuk pranojnë asnjë sfidë. Diku thashë që janë të gjitha të gjinisë femërore ndoshta, prandaj pushteti i tyre është kaq zemërak; ndoshta kjo lidhet me shpërbërjen e matriarkatit e ajo, femra që humbi pushtetin,  mbajti vetëm dy elemente bazale, atë të lindjes dhe atë të bukurisë. Dy pushtete këto që nuk kapërcejnë dot te mashkulli; është ofshama shpirtërore, shpërthimet e ndjenjave të skajshme, që japin lot e kënaqësi të veçantë, por edhe të rrezikshme në profecinë e tyre fataliste e vrastare për atë që guxon t’i sfidojë. (kujto sa vrastare qenë sirenat tek “Odiseja” e Homerit). Ishulli i tyre i luleve (“Anthemoezes”në greqisht) ku jetonin ato, ishte mbushur me varre, lule dhe kocka. Zanat a sirenat ato këngë e melodi që çmendën Odisenë me atë kënaqësi magjike, por edhe mashtrim e kurth për ta çuar në Had. Të vret bukuria, të vrasin vajet e sirenat me këngë; të vret poezia, e panjohura, e padëgjuara, misteriozja. Edhe shpellat e guvat e gjelbëruara, ku jetojnë zanat në bjeshkët tona, “krejt rrethuar janë  me bregore kockash e kafkash”.

Dhe dihet: Gjeto Muji, kreshniku i eposit tonë, e dinte rrezikun: ato kthenin në gur ose kallkan të gjithë kalimtarët që i shohin ose kalojnë pranë tyre duke kënduar. U tha dasmorëve Muji: “Kur në bjeshkë keni me dalë,/ mos bani as za e as piskamë,/ se zanat kanë me u zanue…”. (Kujto porosinë e Circes tek Odiseja). Dasmorët e kreshnikët e harruan porosinë dhe Zanat i zanuan të pabindurit (Vini re foljen “zanoj”,nga “Zanw”,  “me zanue”– rrënja është zë, za; veprim ndëshkimor me zë). Krushqit i gurëzuan dhe nusen e Mujit e morën robinjë. Më vonë Muji dhëndër, mbetur pa nuse, mësoi se forca e orëve qëndronte te një pëllumb, e vetëm pasi e kapi dhe e vrau atë, çliroi krushqit dhe nusen e tij. E ajo lwnga e madhe “Vajtimi i Ajkunws…Wshtw vrarw djali i Mujit, Omeri e/Drita a dale e drite s’po ban,/ka le dielli e nuk po nxeh :.. ça ka ba Gjeto Basho Muji ;Djalin n’dhe Muji e ka shti…/…nana e djalit po e pyet ;- Mujo, djalin ç’ma ka gjete ?N’Lugjet t’Verdha, a thue ka mbete ?/Qyqe vetëm rrugën paska marre,kane zane vend yjt’ vajin me e ndie !…Kur ka dale nder Lugjet t’Verdha,atëherë nana hanen ka mallkue :

– T’u shkimte (shoftë) drita ty, o mori hane,qe s’ma çove atë natë nji fjalë,n’Lugje t’Verdha, shpejt më dalë/bashkë me hy n’nji varr me djalë ! Kur ka shkue te varri i djalit,/ka pa ahin treqind vjeç,ahi ishte rrema-rrema,/nji ma t’bukrin mbi varr po e shtin/Mire po pshtetet për degë t’ahit…pikon loti mbi varr te djalit/Kane lanë kangen zogjtë e malit,kane lanë kangen me veshtrue !…more i miri i nanes-o ?/Amanet, o more bir,/dil nji here ksi burgut t’erret, /fol me nanen që t’ka rrite/s’m’ke lanë kurrë kaq shume me prite !

More Omer i nanes-o ;/A thue gjokun me ta prue ?/Dil nji here për me lodrue/bjer nder gurra me u freskue/kërko majat bashke me zana/se ty varrin ta ruen nana,mori i miri i nanes-o !

***

Por, ndërsa meloditë afroheshin gjithnjë e më shumë te veshi i njeriut, ai, përfytyrimi fillestar i tyre, zana, si vashë, shtyhej tutje pranë lartësive misterioze, diku në të fshehtat e natyrës, më afër qiellit, deri te perëndesha e tyre, Artemida, ajo virgjëresha bukuroshe e pyjeve, krojeve, gjahut të sorkadheve, këngëve e valleve, por, gjithsesi,  e paparë nga syri i njeriut, sepse… 

Sepse imazhet nuk flasin dhe asnjë i gjallë nuk e ka parë fytyrën e tyre,  me përjashtim të fantazisë së  poetëve. 

(Ju kujtohet Aktioni, gjahtari i mitologjisë, i sorkadheve, i privilegjuari i Apolonit, që, mjerani ai, pa dashur, pa me sy Artemidën me zanat e veta përreth, që po lahej lakuriq në buzë të lumit, e ajo, virgjëresha bukuroshe, e ktheu Aktionin në sorkadhe e qentë e tij të gjahut sa ndjenë erën e sorkadhes, e copëtuan të zotin e tyre.)

***

Një natë në ëndërr, kur isha shtruar në spital pas një operacioni të vështirë në zë, takova poetin e madh,  Gjergj Fishtën. I kisha dërguar unë  një e-mail dhe i kërkoja takim urgjent për… Ai erdhi. S’e kisha takuar ndonjëherë kaq afër. Ishte burrë i bardhë, vetullshkruar dhe i qeshur, me sytw mbushur me dritw, ekzemplar i një race të bukur e të lashtë iliriane. I putha dorën me ndrojtje e ai u fut menjëherë në bisedë.

-Ju keni pasë do vrejtje për muzat e mia?

-Po, Atë, më tepër për zanat tona.

-Rrnofsh, o bir! Po të nij, pa hë!

-Më ndje Atë, – fillova unë, por ju në poemat e tuaja u keni dhënë zanave funksione që nuk i kanë; zanat ose muzat si frymëzim poetik i të gjithë poetëve të Ballkanit që nga Homeri, te ju, zhvendosen nga sferat qiellore të së bukurës në tokë dhe thirren për armë, duele, therori e ato, nga fluide siç janë nëpër këngët e vallet tona,  bëhen luftëtare “e luftojnë gryk për gryk e flak për flak”.

-S’i kam thirrë unë, o bir, – tha poeti,  – por kombi, atdheu im.

-… Më falni Atë, por ky kombi ynë kaq i mallkuar paska qenë sa as ato, zanat e qiellit nuk e bënë  dot ..(!)

Pashë që poeti u ngrys dhe nuk i pëlqeu mendimi im, por ashtu siç qe, poet, prift e filozof, ma liroi litarin e fjalës.

-Po ti fol, o bir! E kombi ynë ka nevojë me na nigju…

-Poeti nuk mund të identifikohet me zanat e aq më pak me zanat luftëtare… me emra e mbiemra, nga ik-x fshat a y-psylon zonë  me  vajzat dhe gratë e malësive tona; zanat janë produkte qiellore. Ju thoni vetw:“Gruaja grua e Zana zanë”.

-Të qiellës jemi të tanë, o bir. Pse `a keq me kenë dhe ushtar dhe kangtar?! Dhe më iku krahëbardhë si zanë…e m’u duk se u bashkua me një kor bilbilash a simfoni bjeshkësh.

-Këto zana luftëtare, – vazhdoja unë në vetmi, – s’na kanë dhënë fitore. Kombi ynë i copëtuar…

-…

-Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, – vazhdova monologun, – këto zana na u bënë partizane, vëlla e motër me shqaun… e u bënë luftëtare, dashnore  dhe spiune, e pse jo,  vrastare dhe shoq me shoq…

-…

-E më vonë zanat u katandisën kooperativiste, zetoriste e zboriste…

-…

Vonë e kuptova që po flisja me vete. Kishte akoma natë dhe ëndrra vazhdonte. Nata qe e thellë dhe një hënë  e plotë e përndriste dheun me një dritë të argjendë. Gjergj Fishta, ai poeti e personaliteti i madh i shqiptarizmës,  po fliste para një  grupi varzash të bukura e u thosh ca vargje melodike. Ngrita veshët e dëgjova: “… u prijnë valleve tue ndritë hana” e “jehojnë male e zalle n’ato kangë e n’ato valle”… “tue m’u la, tue m’u flladitë, herë n’për hanë e herë n’për dritë”.

Dhe për çudinë time fillova të bëja portretin e tyre me fjalët e Fishtës. Them për çudinë time, se unë që nuk shquhem për përmendësh, në ëndërr m’u kujtuan të tëra vargjet e mësuara që para tridhjetë vjetësh për portretin e Zanave (!)

“Ardhë shtatit si breshana/Rreze dielli dora e llana/Ftyra shtru n’flet t’drandofillit/Shartue zanin n’za t’bilbilit/Diçka borë e diçka brymë/

Si ai qielli më fërfëllimë…”.

… E befas m’u fundos poeti. Nuk e pashë e mbështolli një re e bardhë a diku e rrëmbeu një dallgë lumi…Pastaj, andej nga qe zhdukur ai, m’u bë një vajzë bjonde. Lakuriq. Zanë. E bukura e dheut. Një fjollë e trashë flokësh i nisej në ballë, palosej pas koke, bëhej komb në qafë e si një gërshet i trashë gjysmë i shpërbërë, i kalonte mbi gjinj, i varej poshtë e i arrinte deri te seksi. Këmbët e holla i kishin në një guaskë deti e  lart, trupi i bardhë me kokën pak anash…M’u shfaq portreti i Afërditës së Milosit (varianti grek i perëndeshës)… M’u afrua. Priste fjalën time. Ose këngën. Ose zërin. E tha një çast:

 -Ç’do prej meje, o vëlla? 

– Atë që humba, – desha t’i thosha. (Kisha një javë  që isha operuar nga laringu dhe dergjesha në një krevat spitali)….

 Në çast u tremba nga një hije që m’u hodh me shpejtësi e më pllakosi trupin krahëhapur për të më mbrojtur.

 –Mos!, – bërtiti, – mos! – Ishte nëna, ajo në-në-za ime. – Mos i hap sytë, mos i fol – bërtiste, – mos dëgjo! Ajo kërkon të të marrë…Ajo është zanë, zanë e do me të zanue.. 

 Desha të flisja, t’i thosha se kjo bukuroshe s’ka ç’do  vdekjen time, por s’kisha zë e, kur  po përmendesha, Ylli i mëngjesit më ra në sy e më zgjoi,

E njihja atë yll.. Ishte ajo zana përmbi zana, Afër –dita jonë…Ose Ylli i mëngjesit…

  *   *   *

Mesazhi kalon brezash i pashkruar, si erë e si jehonë: 

 O njeri, mos e prek botën e misterit, mos e sfido shpirtin suprem të bukurisë; në katin e sipërm të artit, ku banon ajo, nuk shkohet me opinga me baltë; nëse të takon diçka nga festa në altar, mos harro të ulësh kokën e të veshësh sandale të mëndafshta.., 

se “zanat kanë me të zanue…”.

                                                                                           lolipiro1945@gmail.com     

Filed Under: ESSE Tagged With: Pirro Loli, ZANAT

Selimi deklarohet i pafajshëm, aktakuzën e quan të padrejtë

November 11, 2020 by dgreca

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që është konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet që të deklarohet nëse ndihet i pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Selimi gjatë një fjale të mbajtur gjatë kësaj paraqitjeje tha se aktakuza ndaj tij “është e padrejtë”.

“E pash aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë. Ishte një aktakuzë e rëndë, voluminoze, por mbi të gjitha shumë e padrejtë. E pasaktë dhe e padrejtë ndaj meje, por e padrejtë edhe ndaj luftës së popullit tim dhe shteti prej nga vi unë”, tha Selimi.

Sipas Selimit, në fund të këtij procesi do të binden të gjithë se “as unë e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”.

“Unë jam veç një çlimitar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin (Wesley) Clark, me NATO-n”, tha Selimi.

Ai tha se shpreson që ky proces gjyqësor të ketë për qëllim sjelljen e drejtësisë dhe së vërtetës.

Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Sekretari i Gjykatës lexoi dhejtë pikat e aktakuzës dhe tha se ekziston dyshimi i bazuar se Selimi mban përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre krimeve.

Mbrojtja kërkon lirimin e Selimit, thotë se s’ka indikacione se ai do t’i ikë drejtësisë

Avokati Robert Kaarls, që përfaqësoi Selimin në këtë paraqitje, tha se në ditët në vijim do të bëjnë kërkesë për lirimin e përkohshëm, duke argumentuar se nuk ka indikacione se Selimi paraqet rrezik të arratisjes.

“Dua të theksoj se klienti im ka bashkëpunuar edhe më herët (v.j. me Dhomat e Specializuara). Javën që kaloi ai u kontaktua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ai u dorëzua vetë. Këto janë indikacione se nuk ka rrezik të arratisjes. Nuk ka asnjë indikacion që do të ndikojë te dëshmitarët ose do të asgjësojë provat”, tha Kaarls.

“Për sa i përket atij, nuk ka asnjë lloj arsye për të besuar se zoti Selimi – nuk e di se çfarë kanë bërë të tjerët e çfarë do të bëjnë në të ardhmen etj, për të tjerët nuk e dimë – por, nuk ka asnjë indikacion do të ndikojë në prova, apo do të bëjë diçka të tillë”, shtoi avokati Kaarls.

Avokati i Selimit pritet të jetë David Young, por ai për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk qe i pranishëm në këtë paraqitje.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou propozoi që më 18 nëntor të mbahet konferenca statusore, por pala mbrojtëse argumentoi se një gjë e tillë të mbahet sa më vonë gjatë këtij muaji, pasi siç tha avokati Kaarls, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pasur kohë të përgatitet, ndërkaq mbrojtja jo.

Më 4 nëntor, Selimi, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.

Selimi ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Ata po ashtu gjenden në paraburgim në Hagë.

Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, gjatë paraqitjeve të tyre të para pranë Dhomave të Specializuara më herët gjatë kësaj jave, janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Selimit, Thaçit, Veselit e Krasniqit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer “nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Po ashtu përmendet edhe një rast, ku pretendohet se ka pasur një qendër të ndalimit në afërsi të Kleçkës, ku thuhet se Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Dhomat e Specializuara po ashtu kanë konfirmuar një aktakuzë për krime lufte ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafës. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj veprave që rëndojnë ndaj tij.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, si të dyshuar gjenden edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Filed Under: Featured Tagged With: i pafajshem, Rexhep Selimi

Application for Biberaj Family Scholarship is open

November 11, 2020 by dgreca

The competitive Biberaj Family Scholarship includes tuition and fees, housing and board at RIT Kosovo (A.U.K) campus and one semester of studies in United States, granted over four years. There will be 10 available scholarships for students from Kosova, Tropoja, Plava & Guci, Presheva and Tetova & Shkup enrolling in Academic year starting fall 2021. 
Learn More and Apply
ligibility
The scholarship application is open to anyone who meets the following requirements:        
 Is of an Albanian descent from one of the following regions: rural parts of Kosova, Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova, and Shkup, or is from one of the minority groups of Kosova.Completes the freshman admission requirements at RIT Kosovo (A.U.K) – see: Admission InformationAble to demonstrate an outstanding academic record and achievements.Have completed a High School Degree by the time of scholarship award.Been active in extra-curricular activities.Completed a High School Degree by the time of scholarship award.Able to demonstrate financial need.Proficient in spoken and written English and able to demonstrate strong mathematical skills (The application, selection process, and interview are all conducted in English).
Preference will be given to women and to those pursuing studies in STEM and Journalism Concentrations. 
As requirements of the Biberaj Family Scholarship, each student will spend one month each summer between each academic year, working to support community service in their home region, and each student will be required to complete a Capstone project by the end of their fourth year. Additionally, each student will spend one academic semester studying in the U.S. To maintain his or her scholarship, each student will need to maintain a superior grade point average.
 

The Biberaj Family Scholarship is made possible through the generous donation pledge of $1.16 mil by The Biberaj Foundation Inc. and participation of RIT Kosovo (A.U.K) and American University in Kosovo Foundation Inc. to provide 40 full undergraduate scholarship awards for freshmen students with strong academic records and demonstrating financial need.
The Biberaj Foundation Inc, founded as a not-for-profit in 2017, provides educational opportunities for qualified students of Albanian descent, living in the Balkans, to receive scholarship assistance for study in undergraduate and graduate programs leading to a degree at United States colleges and universities.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Application, for Biberaj Family, Scholarship

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT