• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

Pavarësia e Kosovës po kërcënohet…

November 10, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/ Nuk kam ndërmend të shkruaj qoftë dhe një paragraf për lotët që derdha, ose çfarë trishtimi më dha kur pashë sot nga ekrani im në New York vëllezërit shqiptarë të Kosovës në bankën e të akuzuarve në gjyqin special të Hagës, sepse ne se je shqiptar patjetër që ke ndjerë trishtim dhe dhimbje, dhimbje gjer në asht nga gjyqi i turpit të shekullit 21. 

Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS

Une dua t’ju drejtohem bashkëkombasve të mi, shteteve dhe dy parlamenteve të Kosoves dhe të Shqipërisë për t’i drejtuar notë proteste Hagës dhe OKB-së që lejojnë këtë gjyq maskaradë kundër luftëtarëve të UÇK-së.  Dënimin kapital me çdo kusht që duan gjyqtarët për këta luftëtarë trima si për Presidentin e Kosovës, Hashim Thacin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Salih Mustafa, ish-eprori i lartë i UÇK-së është se pas dënimit të tyre duan ta nxjerrin UÇK-në si organizatë terroriste.  

Gjykata speciala me seli në Hagë duan ta paraqesin luftën me Serbinë se ka qenë luftë fetare midis katolikëve dhe myslymanëve dhe jo luftë për të mbrojtur tokën tonë si autokton që kur ka lindur njerëzimi.  

Lojërat e ndyra të serbit dhe të grekut i ka ndjerë shekull pas shekulli mbi kurriz populli shqiptar.  

Sot F/B dhe gjithë rrjetet sociale, mediat duhet të zjenin nga protestat me shkrim dhe me gojë, kundër këtij gjyqi të paprecedent që ka ndërmend të dënojë vëllezërit tanë, për rrjedhoje dhe Kosovën.  

Diaspora shqiptare, shoqatat atdhetare duhet të ngrihen në këmbë për poshtërimin dhe mohimin e vlerave atdhetare që i bën kjo gjykatë speciale në Hagë, UÇK-së.  

Kjo gjykatë speciale qe ka të punësuar një ekip prej 170 personash dhe harxhon 44 milionë euro në vit duhet të nxirret jashtë lojës së ndyrë dhe ato 44 milionë euro t’i jepen dëmshpërblim nënave që rritën dhe po rrisin femijët jetima në fshatra dhe qytete të tëra.  

Nuk ka shqiptar dhe bir shqiptari të mos tronditet dhe krenohet, kur dëgjoi z.Hashim Thaci para trupit gjykues duke thënë se: “Deklaroj se jam i pafajshëm”, ndërsa z.Krasniqi tha:  “unë jam shqiptar as katolik as mysliman. Akuza juaj është fyese për mua edhe për vendin tim.

Pavarësia e Kosovës po kërcënohet dhe po vihet në rrezik.  Këtë lojë të drejtuar nga lobi serb dhe bashkëpunëtorët e tyre përfshi dhe tradhtarë të Kombit i duhet dhënë fund njëherë e përgjithmonë, pasi Kosova është e pavarur dhe askush s’ka të drejtë ta gjykojë dhe terrorizojë. 

11 Nëntor, 2020

New York 

Filed Under: Komente Tagged With: Haga, Keze Kozeta Zylo, ne Rrezik

Më 9 Nëntor u largua nga kjo jetë Rachel Koen Cikuli…

November 10, 2020 by dgreca

….ose Pediatrja Ëngjëll, që të paktën postum meriton një nderim shtetëror  /

Nga Elida Buçpapaj-

Më 9 nëntor u nda nga jeta Rashel Cikuli, një nga pediatret më të shquara në Shqipëri, e cila, në disa dekada, me dashuri e ndërgjegje të lartë, e vuri jetën dhe profesionin në shërbimin e fëmijëve.

Familja e Rachel Cikulit ishte edhe mike e familjes sime. Dhe ishte fat i madh që në kohë të vështira të kishe miq të tillë të mrekullueshëm.

Im atë, kur isha e vogël dhe kisha probleme me bajame më kishte çuar shpesh tek teta Rachel për të më vizituar. Kur lindi djali ynë i parë Prizreni, për çdo shqetësim shëndetësor, im atë do ta çonte tek Teta Rachel, edhe pse asaj kohe kishte dalë në pension. Gjithmonë e papërtuar, gjithmonë si Ëngjëll Mbrojtës për fëmijët shqiptarë.

Në karrierën e saj si mjeke Rachel Cikuli ka kaluar me mijra e mijë pacientë të vegjël, ndaj të cilëve tregonte përkushtim e dashuri të jashtëzakonshme.

Rachel Cikuli lindi ne 6 Mars 1926 ne Plovdiv te Bullgarisë. Ajo ishte me prejardhje hebreje. Aty mbaron Kolegjin Francez dhe vazhdon studimet e larta për Mjekësi si studente e shkelqyer. Ne Fakultet u njoh me Zisa Cikulin, studentin shqiptar që studionte dhe ai në të njëjtin kurs për Mjekësi. Fati i bashkoi, ata u dashuruan, patën të njëjtat ideale, që te jepnin sa më shumë në fushën e mjekësisë.

Pas studimeve, Zisa dhe Rachel erdhën në Shqipëri. Rachel ishte një vajzë e re që vinte në nga një vend tjetër, nga Bullgaria. Në Shqipëri e kishte sjellë dashuria dhe ajo e deshi fort Shqipërinë sepse aty krijoi familjen dhe bashkë me bashkëshortin e saj ndërtoi jetën.

Në gusht të vitit 1950, Zisa bashke me Rashel filluan punën në qytetin e Korçës. Rashel nuk e pati të lehtë në fillim. Ajo ishte mësuar ndryshe. Vinte nga një familje e ngritur intelektualësh, por nuk u ankua kurrë.

Në Korçë punoi në Sanatorium, në Shërbimin e Pneumo-Fizioatrisë për gati 3 vjet. Shumë shpejt fitoi zemrën e pacientëve që i trajtonte me aq kujdes e dashuri. Ra në sy për korrektësi, saktësi dhe punë të palodhur.

Viti 1953 ishte i rëndësishëm për çiftin Cikuli. Ata transferohen në Tiranë ku Rashel ngarkohet me një detyrë në Ministrinë e Shëndetësisë, në sektorin Nëna dhe Fëmija.

Ishin vite të vështira, duhej përpjekje e palodhur për organizim në shëndetësi. Ajo iu përvesh punës me mish e me shpirt dhe ia doli.

Rashel dallohej për inteligjencë, për thjeshtësi, këmbëngulje, të qenit e drejtpërdrejtë: çfarë kishte ta thoshte hapur dhe si e tillë fitoi zemrat e shumë nënave. Shumë kurajoze, e papërtuar dhe, me gjithë ngarkesat e mëdha, kishte kohe të merrej dhe me studime. Po të ecje me të rrugëve të Tiranës, dëgjoje gjithnjë dikë që ndalonte t’i thoshte: Doktoreshë, më ke shpëtuar fëmijën, nuk ta harroj kurrë! Këto fjalë ajo i dëgjonte shpesh dhe, me modestinë e saj, vazhdonte punën e pediatres me përkushtim. Kurrë nuk u tremb nga vështirësitë, punonte edhe në terren, i njihte shumë mirë fshatrat e Tiranës, hallet e njerëzve dhe mundohej, me sa kishte mundësi, që t’i zgjidhte ato.

U dallua dhe si drejtuese institucionesh ne Spitalin pediatrik si dhe Polikliniken e Lagjes 9.

Megjithese shume e zene me punet e klinikës, ajo mundohej te plotesonte dhe deshirat e 3 femijve te saj Maksimit, Emës dhe Suzit. Kur kthehej pas nje nate roje, femijet i luteshin te shplodhej, ata e kuptonin rraskapitjen e saj, por Rashel ishte shume e dhene edhe pas familjes. Ajo jetoi si nje bashkeshorte, nje nene, nje gjyshe dhe stergjyshe e lumtur qe ne jete gezoi tre femije, tre niper, dy mbesa dhe 6 sterniper e stërmbesa te cileve u fali veç miresi e dashuri.

Edhe pas daljes ne pension, nuk rreshti duke ndihmuar banoret e qytetit të Tiranës. Sa here kishin nevoje ata e dinin se Rashel nuk refuzonte kurre dhe se dera e saj ish e hapur gjithnje per te vizituar femijet.

Rashel meriton te merret si shembull per te gjithe brezat e rinj, ajo ishte një grua e gjithanshme, lexonte letërsi, ndiqte te rejat e shkences, kishte një kulturë të gjërë, por mbi të gjitha ishte njeri që i kushtoi jetën profesionit.

Per meritat e saj te veçanta ajo do te kujtohet nga shume e shume njerez te thjeshte qe i ka dashur e ndihmuar aq shumë.

Rachel Cikuli meritonte që të nderohej nga shteti shqiptar, nga Shqipëria që ajo e zgjodhi për të jetuar dhe e deshi shumë sepse në Shqipëri i rriti fëmijët, nipat, mbesat dhe stërnipat e stërmbesat. Kishin mundësi të jetonin në SHBA, Bullgari apo Izrael, por Rachel Coen Zikuli bashkë me familjen zgjodhën Shqipërinë si vendin e zemrës, megjithë sistemin dhe vështirësitë.

Rachel Cikuli u la trashëgim familjes një librin me kujtimet e saj të titulluar “Një histori e pambaruar”, që do të thotë se historinë e treguar prej saj do ta vazhdojnë ta tregojnë trashëgimtarët e familjes Cikuli-Coen brez pas brezi…

Në faqet e këtij libri unë lexoj me sy të përlotur medikamentin e lumturisë të kësaj familje të mrekullueshme: “Jeta jonë ka kaluar relativisht e qetë, jo se nuk kemi patur edhe divergjenca, por kemi zbatuar parimet që kishim caktuar përpara se të merrnim vendimin të bashkohemi: se jeta jonë do të bazohej në sinqeritetin, besnikërinë dhe dashurinë për punën dhe familjen. Mendoj se këto parime nuk i kemi shkelur dhe mosmarrëveshjet i kemi zgjidhur me tolerancë në biseda të qeta, pavarësisht nga dallimet në kombësinë, fenë dhe zakonet e ndryshme. Këto parime na kanë udhëhequr sidomos në kohën e monizmit, kur shumë familje, në veçanti ato me martesë të përzierë nuk i rezistuan situatës dhe u ndanë.”

Mjekët Zisa dhe Rachel Cikuli janë prindërit e Maks Cikulit, personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare që u nda papritur nga jeta, pikëllim që e përjetoi shumë thellë Rachel Cikuli.

Rachel Cikuli u largua nga Bullgaria në moshën 24 vjeç dhe në Shqipëri jetoi plot 70 vjet. Shqipërisë i fali gjithçka, jetën, ëndërrat, energjitë, këtu ndërtoi jetën, këtu vuajti, këtu u lumturua duke parë sukseset e fëmijëve, pastaj lindjen e nipave, mbesave deri të sternipave e stërmbesave.

Në librin e saj të kujtimeve lexoj: “Jam hebreje, bijë e shtegtarëve të mjerë të përndjekur nëpër botë. Kam lindur në Bullgari, ku jam rritur dhe ku kam studjuar, kur paraardhësit e mi kanë jetuar shekuj me rradhë. Erdha në Shqipëri, e martuar me Zisa Cikulin nga Korça. Mësova gjuhën dhe traditat, të cilat i përvetësova. Në Shqipëri punova si mjeke për më shumë se 30 vjet. Me Zisën patëm tre fëmijë, që punojnë e jetojnë në vendin e tyre.”…Dhe më tutje Rechel vijon: “Në “Kujtimet” jam munduar të përshkruaj shkurt ambientin që më ka rrethuar, zhvillimet politiko-shoqërore në etapat e ndryshme të jetës sime. Si konkluzion, dua të shpreh mendimin se nuk janë njerëzit e thjeshtë fajtorë për ndjenjën dhe vuajtjen time si “e Huaj”, përkundrazi janë pikërisht ata që e kanë lehtësuar me sjelljen dhe respektin e tyre këtë peshë diskriminuese që ka rënë mbi shpatullat e mia, njëlloj si mbi shumë njerëz të tjerë. Për vete jam shumë e qartë se fajin kryesor e mban rendi politiko-shoqëror si dhe njerëzit që kanë drejtuar vendet ku kam jetuar….” Dhe në rreshtat përmbyllës shkruan: “Mund të dukem shumë optimiste, por uroj dhe shpresoj që në të ardhmen do të vijë dita kur asnjë njeri nuk do ta ndjejë veten “të Huaj”, por kudo që do të zgjedhë të jetojë, do të ndihet si “Qytetar i Botës së lirë dhe të Qytetëruar”. Kjo është zgjidhja e një padrejtësie universale që Albert Camus e ka shtjelluar në mënyrën më të jashtëzakonshme dhe të përkryer tek vepra “I huaji”. Ky është amaneti i Rachel Coen Cikuli, i kësaj mjekeje dhe vajze hebreje që ra në dashuri me një mjek djalosh nga Korça dhe vendosi ta ndërtojë jetën dhe në Shqipëri dhe të jetojë deri sa dha frymën e fundit. Rachel Coen Cikuli e kishte gjetur se mjeti më i mirë për t’i shëruar plagët e veta dhe për të shëruar plagët e të tjerëve ishte dashuria, prandaj ajo si mjeke dhe si njeri dha dashuri pafund dhe dashuria iu kthye e shumëfishuar me dashuri nga pacientët e vegjël si dhe nga prindërit dhe të gjithë ata që e njohën.

A meriton Rachel Coen Cikuli të nderohet nga shteti shqiptar për punën, përkushtimin dhe gjithçka që i dha Shqipërisë dhe shqiptarëve?
Patjetër që po!
Të paktën, postum!

Mjekët dhe bashkëshortët Zisa dhe Rachel Cikuli

Kur ishin mjekë të rinj Rachel dhe Zisa Cikuli

Rachel Coen Zikuli

Këtu janë çifti Cikuli me mikun e tyre, tim atë, poetin Vehbi Skënderi. Miqësia e tyre e pastër nisi prej rinisë të herëshme deri në fundin e jetës.

Filed Under: Sociale Tagged With: Elida Buçpapaj, Maksi Cikuli, Rachel Koen Cikuli, Zisa Zikuli

PARCELA KOMBËTARE E KUJTESËS- SOLIDARIZOHU!

November 10, 2020 by dgreca

Solidarizohu për ngritjen e Parcelës Kombëtare të Kujtesës në përjetësimin e 4500 të pushkatuarve që u zhdukën dhe kufomat diktatura enveriste….

NJOFTIM NGA UNIONI MBARËKOMBËTAR I TË BURGOSURËVE DHE TË  PËRNDJEKURËVE POLITIKË TË SHQIPËRISË

Kam nderin të ju njoftoi se Unioni Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe të Përndjekurëve Politikë të Shqipërisë ka marrë vendimin për të ndërtuar Parcelën Kombëtare të Kujtesës në Tiranë. Në nderim të 4500 shqiptarëve të vrarë nga diktatura enveriste, e cila iu ka zhdukur dhe kufomat e tyre. Ka 30 vite që kërkojmë eshtërat e të zhdukurve por, fatkeqësisht, një pjese të madhe të tyre i kanë marrë lumejtë, si fëmijtë e vegjël në kampin famëkeq të Tepelenës, apo zalli i Kirit në Shkodër. Qindëra të tjerë i ka baltos këneta e Vloçishtit dhe Bedenit, qindëra të tjerë janë zhdukur nën humnerat e galerive të Spaçit e të Qafës Barit e Bulqizës, ndërsa dhjetra të tjerë janë zhdukur në vijën kufitare të Shqipërisë.

Nisur nga zhdukja e tyre — për të i nderuar dhe mos me i harruar kurrë –vendosëm që në Kryeqytetin tonë Tiranë, të ndërtojmë Parcelën Kombëtare të Kujtesës me emrat e tyre, ashtuqë martirët të nderohen e të përkujtohen një lloj si hebrejtë në Berlin që u zhduken nga nazizmi. Ju jemi drejtuar personaliteteve të larta shqiptare kudo që janë të solidarizohen me vendimin tone për të detyruar organet shtetërore që të caktojnë një vedn në Tiranë, për Parcelën Kombëtare të Kujtesës, në nderim dhe kujtim të përjetëshëm të 4500 shqiptarëve të vrarë nga diktatura enveriste.

Me inisiativën dhe vendimin tonë kanë shprehur solidaritetin e tyre Shkrimtari i madh Ismail Kadareja me Elenën, ikona e antikomunizmit ish i burgosuri politik në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, Aktivist i të drejtave e lirive të njeriut, dhe mbrojtsi i çeshtjes shqiptare në Ballkan, Prof. Sami Repishti, ish Drejtori i Zërit të Amerikës dhe ish-Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Fran Shkreli, Poetet e shquar Elida & Skender Buçpapa,Prof. Bujar Kapexhiu, Nderi i Kombit, Rektori i UET, Prof. Selami Xhepa, ish Presidentët e Republikës së Shqipërisë, Zotërinjtë Bamir Topi, Bujar Nishani e Sali Berisha, Institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe shumë të tjerë që po i kontaktojmë. Ju lutemi dhe presim edhe solidarizimin tuaj me këtë nismë sa fisnike dhe humane, aq edhe atdhetare. Bëhu dhe ti kontribues me solidarizimin tënd në nderim dhe kujtim të shqiptarëve martirë, të cilëve ua zhduku madje edhe kufomat e tyre diktatura komuniste enveriste. Jemi në pritje të solidarizimit tuaj me nismën tonë, për të përkujtuar përjetësisht me një parcellë në kryeqytetin e shqiptarëve, në Tiranë, 4500 shqiptarët e vrarë nga diktatura enveriste. Jemi në pritje të përgjigjes suaj!

Ju mund ta dërgoni solidarizimin tuaj në adresën elektronike besimndregjoni@yahoo.com

Me shumë respekt e dashamirsi,

Besim Ndregjoni

Aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

President i Unionit Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe i të Përndjekurëve Politikë të Shqipërisë.

Filed Under: Komente Tagged With: 4500 te pushkatuar nga diktatura komuniste, Besim Ndregjoni, Parclea e Kujteses

KOSOVA NË PËRBALLJE ME PANDEMINË GLOBALE COVID-19

November 10, 2020 by dgreca

Dr. Blerim Myftiu, neurolog, asistent profesor ne degën e Neuropsikiatrisë Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, Klinika e Neurologjisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, rrëfen Kosovën në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, mjeku Myftiu analizon mjekësinë në Kosovë dhe shprehet se numri i diagnozave të çrregullimit të ankthit, të çrregullimit të stresit posttraumatik dhe i depresionit ka shënuar rritje gjatë kësaj periudhe.  Me Dr. Blerim Myftiun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

KOSOVA NË PËRBALLJE ME PANDEMINË GLOBALE

Kosova po kalon në një situatë të rënduar sa i përket pandemisë së koronavirusit të ri (SARS-CoV-2). Sikur që numri i të të infektuarve dhe i të të shtrirëve në spitale në mbarë rajonin dhe Evropën është në rritje, ashtu edhe në Kosovë shifrat janë duke u rritur. Krahasuar me muajt e parë të pandemisë ku raportoheshin deri në 250 raste të reja të infektimeve në ditë, tani kjo shifër ka arritur në mbi 600 dhe nuk do të ishte befasi po qe se arrin edhe numra katërshifrorë. Kjo rritje e numrave mund të arsyetohet deri diku me shtimin e numrit të testeve (nga rreth 400 që bëheshin në mars e prill tani në mbi 1600), por kjo nuk është i vetmi aryetim. Ka ditë që çdo i treti i testuar del pozitiv. Pra gjithsesi kemi rritje absolute të numrit. Apo thënë ndryshe, po të bënim shumë shumë teste, do të kishim edhe numër më të madh. Gradualisht me këtë, dalëngadalë po shënohet edhe rritja e pacientëve të shtrirë nëpër spitale rajonale dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë. Tanimë kapaciteti i Klinikave Infektive dhe të asaj të Sëmundjeve të Mushkërive është mbushur, prandaj nga mesi i kësaj jave edhe pjesë të Klinikës Interne kanë filluar të mbuhen apo të destinohen për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Kosova nuk ka numër të madh të shtretërve të Kujdesit Intensiv. Përkundër paraqitjeve të mëhershme mediale të zyrtarëve shtetërorë se janë siguruar me dhjetëra respiratorë, realiteti në terren gjatë valës së parë ka qenë ndryshe. Ngase për funksionalizimin e respiratorëve na duhet furnizimi i tyre me kapacitet të mjaftuehëm të oksigjenit, si edhe nevojitet një numër i caktuar i anesteziologëve që do të operojnë me këto aparatura. Uroj të gabohem, por duket e afërt dita kur pacientët në nevojë për intubim apo ventilim mekanik nuk do të kenë një respirator apo një mjek të trajnuar që ta bëjnë këtë. Sa u përket masave të Qeverisë, ajo e jona po tregohet më e përmbajtur në imponimin e ndonjë mase të shprehur kufizuese në drejtim të mbylljes apo imponimit të kufizimit të lëvizjes. Kufizimi i punës së restoranteve dhe të qendrave tregtare deri në 21 më duket se është masë më tepër kozmetike dhe e padobishme, ngase nuk shoh ndonjë dallim në punën e tyre deri në 21 apo 24. Së fundmi Qeveria gjatë vikendit e ka ndalur punën plotësisht të restoranteve dhe qendrave tregtare. Megjithatë, autoritetet shtetërore janë treguar të paaftë që bizneset me frekuencë të lartë takimesh dhe njerëzish, siç janë restorantet, baret, qendrat tregtare t’i edukojnë, qoftë edhe me gjoba, që të tregojnë kujdes për masat sanitare, higjienike dhe numrin e përgjithshëm të vizitorëve. 

ÇRREGULLIMIT TË STRESIT POSTTRAUMATIK DHE I DEPRESIONIT KA SHËNUAR RRITJE

Ekzistojnë raportimet kudo në botë që dy fenomene kanë shënuar rritje gjatë mbylljes së imponuar të pandemisë. Fenomeni i parë ka qenë rritja e dhunës në familje dhe numri më i madh i raportimeve të dhunës sidomos ndaj grave në stacionet policore dhe institucionet tjera përkatëse. Nga ana tjetër, po ashtu në bazë të raporteve të shteteve më të zhvilluara, numri i diagnozave të çrregullimit të ankthit, të çrregullimit të stresit posttraumatik dhe i depresionit ka shënuar rritje. Kësisoj edhe përshkrimi i barnave antidepresive dhe anksiolitike ka shënuar shtim gjatë periudhës së pandemisë.

PANDEMIA GLOBALE DHE PROBLEMET NEUROLOGJIKE

Rreth 35 shtetër të Klinikës së Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shërbyer gjatë korrikut dhe gushtit si njëra prej reparteve ku janë trajtuar pacientët me Covid-19. Ajo ka qenë një periudhë ku në mënyrë alternative gjysma e neurologëve të Klinikës u ka shërbyer këtyre pacientëve, derisa kapaciteti i shërbimit për sëmundjet neurologjike është përgjysmuar. Gjatë asaj periudhe intensive të punës me pacientët neurologjikë dhe me Covid-19, po ende edhe tani, shohim që infeksioni me koronavirusin e ri po shoqërohet me disa probleme neurologjike. Çrregullimi i vetëdijes, koma, humbja e orientimit, dobësimi i komunikimit, pastaj infarktet apo gjakderdhjet akute trunore janë zakonisht simptomat neurologjike nga të cilat pacientët me Covid-19 po vuajnë. Për shkak të problemeve mushkërore dhe metabolike, shumë çrregullime të tilla janë të dukshme. Por nga ana tjetër, edhe rastet që në shikim të parë janë raste “të pastra” neurologjike (p.sh. me infarkt në tru) që në paraqitje apo brenda disa ditësh shprehin simptoma infektive të cilat na bëjnë të dyshojmë për Covid-19 dhe pas testimit del që janë të infektuar, duke na shtyrë të mendojmë nëse vallë manifestimi neurologjik ka qenë në të vërtetë i nxitur nga infeksioni i cili ka qenë i heshtur apo në prapaskenë. Rehabilitimi nga komplikimet neurologjike të Covid-19 po paraqitet i vështirë. Këtë e tregojnë edhe raportimet ndërkombëtare të cilat tregojnë që pacientët me çrregullime njohëse apo intelektuale, ata që bëhen për respirator dhe asistim në frymëmarrje, kanë më pak mundësi që të rehabilitohen apo ta rikthejnë gjendjen e tyre neurologjike apo njohëse para infektimit. Dua të cek këtu që pacientët neurologjikë, si edhe të gjithë të tjerët, kanë vuajtur nga një dozë e moskujdesit të paqëllimshëm gjatë pandemisë. Duke qenë se fokusi i sistemit shëndetësor dhe i punëtorëve të tij ka qenë i orientuar nga pacientët me Covid-19, shumë ambulanca specialistike dhe shërbime elektive nuk kanë funksionuar diku 4-5 muaj në tërësi gjatë vitit 2020. Pas adaptimit në rrethanat e reja, që prej shtatorit si Klinikë e Neurologjisë duam të tregohemi të vendosur që përkundër të gjitha sfidave, pacientëve neurologjikë të vazhdojmë t’u ofrojmë shërbimin bazik të kujdesit. E kam fjalën këtu sidomos për aktivizimin e Qendrës së Sëmundjeve Cerebrovaskulare për trajtimin e infarktit trunor dhe projektin tjetër kombëtar të vlerësimit dhe të trajtimit të pacientëve me sklerozë multiple.

 FRIKË EKZISTENCIALE NË PRISHTINË

Ekziston një qetësi e përgjithshme në Prishtinë. Në kohën e represionit më të madh serb në vitet 1997-1999, dhe sidomos kur afrohej por dihej saktë fushata ajrore çlirimtare e NATO-s, ekzistonte një atmosferë heshtjeje dhe zymtësie ku jeta të dukej se rridhte shumë ngadalë, ku dendësia e njerëzve në sheshe e rrugë ishte shumë e ulët, kurse pas errësimit vështirë dalloje dikë jashtë. Tani nuk është se nuk sheh njerëz nëpër rrugë apo se ekziston një frikë ekzistenciale, por është një mungesë e përgjithshme e shijes apo e gjallërisë së mësuar. Shërbimet tash për tash funksionojnë, restorantet sikur që ceka në fillim po punojnë me orar të kufizuar. Shkollat në varësi të numrit të nxënësve apo të mësimdhënësve të infektuar varirojnë nga mësimi fizik deri te ai online. Jeta vazhdon me një ritëm më ndryshe.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Si rrallëherë, po ballafaqohemi me një problem universal. Tashmë jemi mësuar me idenë e zgjatjes së pandemisë edhe së paku disa vite. Kemi një program vaksine i cili nuk është i sigurt nëse do të rezultojë me një vaksinim efektiv. Prandaj, gjatë kësaj kohe, përveç kujdesit për shëndetin, mbajtjes së maskës, shmangies së takimeve dhe të tollovive të panevojshme, nuk duket se kemi diçka më tepër në dorë, si njerëz të zakonshëm të kësaj bote.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Sokol Paja

KORTEZH NËN PANDEMINË IDEOLOGJIKE

November 10, 2020 by dgreca

– Botohet në Rumani romani “Funerali i pafundmë” i shkrimtarit Visar Zhiti –

Kohë pandemia, madje e rikthimit të saj, të Covid-19, kështu duket, a s’kishte ende, por kjo nuk e ndalon dot daljen e librave, përkundrazi, edhe si kundërshti e gjendjes… Ndërsa romani „Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit duket se është dhe një metaforë e fuqishme kundër pandemive ideologjike, çdo diktature, qe edhe ato duket sikur rikthehen, nese nuk kanë ikur plotësisht. Me mesazhe të tilla është përcjellë dhe botimi i dytë në Rumani i këtij romani të çuditshëm, i pa ngjashëm me asnjë vepër tjetër, i cilësuar si roman postkafkian”…Sapo doli, tani nga Shtëpia Botuese „A”, me përkthim të përplotësuar të studiuesit dhe estetit Dr. Luan Topçiu. Pas suksesit të botimit të parë, me jehonë në median kulturore dhe televizive në Rumani, që më pas ky roman do të botohej dhe në Itali) botimi i dytë në Rumani sërish, ka marrë dhe nga shqetësimet e tanishme, që na lanë diktaturat e perandorisë komuniste, që vçanërisht në Shqipëri, por dhe në Rumani i pësuan më rëndë. Botimi i ri është luksoz, i pajisur me një prezantim nga përkthyesi dhe një pasthënie nga shkrimtari rumun Liviu Lungu, që po i sjellim të përkthyera nga Dr. Luan Topçiu. Ky është libri i katërt nga Visar Zhiti që botohet në Rumani.

  Përgatiti „F”.

MARRSHIMI I VERBËR I SHUMICËS

Nga Dr. Luan Topçiu

Romani „Funerali i pafundmë” është një udhëtim absurd i kortezhit terratisës pa një vendmbërritje, një sfidë e vazhdueshme e durimit sfilitës njerëzor në ballafaqimin me realitetin e brendshëm shpirtëror. Është një marshim funerali rraskapitës, një makth në të cilin mbartin dhe përjetojnë njerëzit, të drejtuar nga forca shtypëse, ndodhitë ilustrojnë absurditetin e situatës, herë me tone shpotitëse, herë deri në skaje karikaturale, herë me tragjizëm, por dhe me një lirizëm të pamunguar. Romani popullohet jo nga karaktere, por nga personazhet-maska, personazhet zëra ose thjesht personazhet hije të paforma që krijojnë kortezhin e pafund. Funerali është torturë e ngadaltë shumëvjeçare, gjë e shton dramacitetin, dhe jo rroposje e beftë. Ky kortezh i pandemive ideologjike shkon paralelisht me pandeminë COVID-19. Është marshimi i shumicës drejt një varri të nevojshëm, duke mbajtur një arkëmort enigmatik që nuk mbërrin në asnjë destinacion. Një javë më parë se sa të shuhet nga jeta, poeti i madh rumun Cezar Ivanescu lexoi dorëshkrimin e këtij romani, duke e përshkruar shkrimtarin Visar Zhiti si “një shkrimtar origjinal me forcë të madhe dhe dramatizëm të rrallë”.

GRIJA E TMERRIT…

Nga Dr. Liviu Lungu,

Anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve te Rumanisë

“Funerali i pafundmë” i Visar Zhiti, përbën një tekst me vlerë të madhe letrare. Përmes një gjetjeje krejt origjinale, arrin t’i induktoje lexuesit hidhërimin, grinë dhe tmerrin e një intelektuali në fundin e mijëvjeçarit të dytë, nga një qenie inteligjente dhe e kultivuar, me shpirt të hapur, tek e fundit, duke jetuar (mbijetuar) në kohën e diktaturës „të çdo lloji”, diktatura me të gjitha shfaqjet e saj: me pamjen e opresionit, absurditetit, qesharakes, perspektivave të errëta, duke marshuar drejt qëllimeve me tregues të vagët, vdekje, ideale pa bazamente… Teksti, relativisht i shkurtër, duket që buron që diku përtej ballinës së parë dhe rrjedh nën pragun e faqes së fundit: kujtime, memento, metaforë me referime historike të qarta, historia e drejtuar dhe përmes metaforash, rrëfime me thekse tragji-komike dhe, vende-vende, cinike, grotesk, që dëshmon thellësi dhe frymë fine vëzhgimi, seri obsedante me ndodhi nga të cilat bien në sy disa, përsosmërisht të integruara, nga një lirikë e shkëlqyer… Për lexuesin e një hapësire gjeografike dhe historike të ngjashme me atë ku zhvillohet marshi i pafundëm funeral, romani shfaqet si një tekst që kuptohet më lehtë dhe asimilohet më shpejt. Por teksti dëshmon të njëjtat cilësi (si çdo letërsi e madhe) dhe lëçitje nga një lexues të tjetër të çfarëdolloji, ky fakt i detyrohet talentit letrar të pakapërcyeshëm të Visar Zhitit si dhe përvojave të tij si intelektual inteligjent dhe të kthjellët, pjesëmarrës në „kortezh”… „Funerali i pafundmë” është një roman që e kam lexuar me interes dhe kënaqësi dhe e them me zemër të hapur se në Rumani sigurisht që do të ketë jehonën e merituar. Dhe i lejoj vetes të besoj se botimi i këtij romani në Rumani do të jetë vetëm një hap për një popullarizim më të gjërë, që „Funerali i pafundmë” e meriton plotësisht!                     

LIBRI AKTUAL  I DIKTATURAVE QË PËRSËRITEN

(nga pasthënia e Dr. Liviu Lungu)

Visar Zhiti i takon asaj race të personaliteteve, të cilat e imponojnë veten natyrshëm, kësisoj, pa sforco, pa tamtame, me një fjalë të drejtpeshuar, nëse është e nevojshme, me një gjest, me një vështrim, me një shaka të stërhollë. Vepra e Visar Zhitit, bën pjesë ndër ato krijimet më të rëndësishmet të rezistencës anti-diktatoriale dhe anti-false-demokratike, shkrimtari imponohet po aq natyrshëm, përmes drejtpeshimit dhe qartësisë së fjalës së shkruar, pa “Inteligjencë të huajtur”, pa shpërthime, pa goditje të kota. Por si artikulimi ashtu edhe shkrimi janë të dyja jashtëzakonisht të mprehta, dhe nganjëherë të domosdoshme, si shprehje e fuqive të pazakonta të vëzhgimit dhe analizës; cilësi e lindur, e lëmuar falë përvojës për kaq shumë viteve, nga më tragjiket. Derisa të kaloni tek biografia e autorit, pothuajse arrini të njihni, përmes vargut dhe frazës, epopenë e disidentit. Unë këmbëngul në diçka që më duket e jashtëzakonshme: Vepra e Zhitit dhe vetë autori janë vendosur larg, shumë larg çdo qëndrimi dhe ligjërimi (copëza ligjërimesh) hakmarrës, të paktën me mungesë urrejtjeje. V. Zhiti është i lindur për të mos manifestuar ndjenja rudimentare-primitive. Zhiti, ai vetë, dhe poezitë e tij dhe proza e tij nuk kanë pikë urrejtjeje; është karakteristikë e personazheve të mëdhenj, të heronjve të vërtetë, të atyre që jetojnë shumë më dendësisht thellësitë dhe ëndrrat. (…) Por krijimtaria e Visar Zhitit, poetit dhe prozatorit, është shumë, shumë më e gjerë sesa nënkuptohet duke e thjeshtuar vetëm në “letërsinë e protestës”. Edhe më përfaqësuese, sipas meje, është poezia e dashurisë tek Visar Zhiti. Unë guxoj të them se, në thelb, Zhiti është një krijues lirik/ erotik, një fakt i lehtë për t’u identifikuar edhe në romanin “Funeral i pafundëm”, edhe nëse toni dominues i të gjithë tekstit është ai i një afresku shoqëror të amplitudës së pashembullt dhe duke mënjanuar çdo kompromis. Dhe, nëse në temat e “anti-diktaturës”, “anti-gënjeshtrës” dhe “anti-hipokrizisë” Zhiti, vazhdimisht i kujdesshëm, thellë në embrion, megjithëse ai njeh sensin e masës, i pa rrëmbyer nga pasioni ose i nxitur nga ndonjë pasion armiqësor rudimentar, në vargje dashurie dhe në fragmentet lirike të prozës është aq i thellë dhe aq i përkushtuar. Në veprën e Visar Zhitit ekziston diçka e ndershme (“lojë e ndershme”), diçka besnike ndaj vetvetes, ndaj veprave të tij, ndaj mjedisit qoftë ai dhe armiqësor dhe ballë lëçitësit. Çfarë kundërshtari këmbëngulës, në praninë e tij dhe në vepër, mund të ketë çdo regjim i absurdit (diktatura personale, diktatura e të paktëve dhe sidomos të zgjedhurve, pra e të vetë-zgjedhurve …)? “Funerali i pafundëm” është shembulli më i plotë i atyre që përmenda më sipër. Libri “Funeral i pafundëm” i marrë, në tërësi, po, është një metaforë. Metaforike janë gjithashtu mjaft nga episodet e tij. Dhe është gjithashtu një krijim simbolist. Por pasuria e jashtëzakonshme e momenteve që e kompozojnë atë, e konjukturave, e temave të ngritura në hijen e temës qendrore (prapa dhe nën hijen e arkëmortit) e nxjerrin romanin nga çdo kategori e inkuadruar në konceptimet teorike rutinë. Libri nuk ka protagonistë. Në të vërtetë nuk ka karaktere. Nuk është e nevojshme; masa e pjesëmarrësve nuk duhet të ketë as fytyrë dhe as maskë. Masa amorfe e njerëzve çojnë në rrugën e fundit … Kë? Çfarë? Një gri e errët është sovrane në kortezh. Fizionomitë janë të rralla, shfaqen në mënyrë sporadike, më shumë në rigresione dhe të sapo skicuara. Heshtja është gjithashtu e fortë, motër binjake ndaj murmuritjes dhe zhurmës së ritmit që shkaktohet ose jo. Ka edhe zhurma, varësisht nga rrethanat, por tingujt e vërtetë vijnë edhe nga kujtimet. Dhe nga historitë e pëshpëritura, qofshin ato të shprehuara dhe me zë të lartë. 

Libri rendit në kolonë një univers, universin e thatë, të butë, të helmuar të varrosjes së atij që nuk ka jetuar. Dhe marshimi i shoqëruesve të arkëmortit, me të gjitha kanunet e kaq shumë viteve, duket, në disa vende, si marshim i të vdekurve të pa kallur në dhe. Drama e popullsive të disa vendeve, drama e gjysmës së globit, drama e të gjithëve, me sa duket, paraqitet me veçoritë e territorit shqiptar. Aty ku, me siguri, morën format më mizore e më dramatike të shekullit. Por rrëfimi i Visar Zhitit është gjithashtu një pikëçuditje shumë e fortë. Një paralajmërim “anti-diktaturë”, “anti-fals”, “anti-hipokrizi” …Dhe kush mund të jetë më i besueshëm se një kundërshtar i tillë këmbëngulës, në prani dhe në vepër, të çdo regjimi absurd (diktatura personale, diktatura e të paktëve dhe veçanërisht e zgjedhurve, domethënë e vetë-zgjedhurve …)? Për sa kohë kërcënimi i përsëritjes së diktaturave më të urryera njerëzore është i mundshëm, ky libër mbetet aktual gjithmonë! “

Përktheu nga origjinali : Dr. Luan Topçiu

KANË THËNË PËR ROMANIN  «FUNERALI I PAFUNDMË» 

Romani “Funerali i pafundme” është prozë ndryshe. Në momente të ngre temperaturën gjatë leximit, ngjashëm me faqet e prozës së Orvellit, kur ben fjalë për torturat ndaj kundershtarëve politike… Pse gjithe ky trishtim, sikur të paskesh qenë paluar nëpër shekuj, e për t’u shpaluar pastaj në faqet e romanit “Funerali i pafundme”?

Ali Aliu

 Studiues, kritik arti, Prishtinë

Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, “Funerali i Pafundmë” është një arritje jo e vogël për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Dr Gëzim Alpion                          

Universiteti i Birminghamit, Angli

Visar Zhiti ndërton një mozaik marramendës, ku duket se janë vënë të gjitha me ngjyrat e ndjenjave : dhëmbja dhe ironia, seksi dhe ëndrra, vuajtja dhe bukuria, gjëmimet e luftrave në Ballkan dhe fantazmat, realja e përzier me jorealen duke u bërë më reale, përditshmëria e shpërndarë nëpër kohë, me një dënduri dhe harmoni që e arrijnë vetëm mjeshtrit.

  Elio Miracco

Kritik arti, përkthyes arbëresh, Itali.

Funerali surreal që përshkruan Zhiti përballon temën më shumë se aktuale të konfliktit  Vetvete – Ego që dominon shoqërinë e sotme postmoderne, temën e domosdoshmërisë së shembjes së skemave të konsoliduara antropologjike që i japin njeriut të sotëm disa  përsigurime, por jo siguri të vërtetë (që vetëm fitohet e nuk dhurohet) në të jetuarit, temën e konflikteve që sjell konfuzioni konceptual mbi nevojat dhe sentimentet në dëm të këtyre të fundit. 

Dr. Marko Solomom-Shkencëtar hebre

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij…

Robert Elsie

   Kritik arti, albanalog kanadezo-gjerman 

Filed Under: Opinion Tagged With: KORTEZH, ne Rumani, NËN PANDEMINË IDEOLOGJIKE, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT