• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

Mos e vrit veten motër!

November 8, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

1) Njëra nga gratë e grevës në Ballsh, tentoi të presë damarët. Mos e vrit veten motër. Jetën ta ka dhënë Zoti dhe duaje. Ju plotësuat burrat. Ndërkohë u kërkuat grave të kuvendit një solidarizim. Ndofta i kujtoni si vetja. Por nuk janë të tilla. Janë lodra duarsh. Dhe me duart bëhen shumë gjëra. Janë të përdoruara si makinat. Ndërkohë edhe shoqërisë. Edhe ajo ishte apatike. Një lloj mendësie sociale e jona që na ka lidhur pas hurit. A një emri. Dhe kjo na ka kërrusur. Shumë kanë frikë. Sepse pushteti tek ne është dhunë psiqike. Të ikën buka e gojës. Shumë as që duan t’ia dinë edhe pse nesër mund të ndërroni vendet. Ne kujtohemi për njëri tjetrin veçse në hall. Nuk e keni vënë re, kur ikën tjetri kujtojmë ta duam. Duam një fantazmë, duam një krijesë që kaloi gardhin e nuk do na kthehet më. U ka ardhur shpirti në majë të hundës. Nuk keni faj. Megjithëse punoni ( me një fjalë burrat tuaj) në një minierë ari të zi, jeni më të varfër se vet varfëria. Mos e vrit veten grua, se të presin në shtëpi. Lufta ka vërtetë viktima por ka edhe triumfator. Radhitu tek kjo anë e mbarë.

2) Sot qeveriu nuk ka pak që njoftoi se ju e hapët krahun. Parimi i tij ishte që nuk ka bisedime pa ndaluar grevën. Nuk e di nëse është i drejtë vendimi juaj. Koha do e tregojë. Megjithatë ai është i lumtur dhe zakonisht lumturia e njëshave është pak mjalt në krye, se më tutje kavanozi ka vetëm farmak. Unë uroj me shpirt të merrni ato që u takojnë, punën e pa paguar prej dy vitesh. Dhe jo vetëm kaq, por dinjitetin e punëtorit të arit të zi. Të punëtorit perëndimor, me të gjitha tagret e duhura, si vjetërsia e siguracioni. Madje të jeni vendimarrës në fatet e uzinës. Puna nuk bëhet me harabela, por me frymën tuaj. Për më tepër që aty përreth jetoni, aty gëzoheni, martoheni e trashëgoheni. A janë këto të arritshme. Absolutisht që po. Mjafton të zhduket kanceri i ekonomisë sonë, informaliteti. Mjafton që uzina juaj të mos jetë laborator në pastrimin e valutës, me ato transaksionet e firmave fantazmë që mbijnë sot e zhduken nesër. Ujku është i lumtur dhe deklaroi lumturisht se do vi tek ju nesër. Por shikoni se çfarë mendje kishte dikur për grevën, protestën dhe qeverinë. Janë nga koha kur ishte një opozitar.

3) ”Sali Berisha del dhe thotë sikur të ishte duke i dhënë popullit një lajm të mirë, nuk ka draft, nuk ka marrëveshje, nuk ka zgjidhje, nuk ka gjë në tavolinën time. Po atëherë çfarë bën zotrote në atë tavolinë në rast se nuk ke zgjidhje për këtë krizë që po e rrënon ekonominë , për këtë krizë që po rrënon demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë? Çfarë bën zotrote në atë tavolinë kur nuk je në gjendje të bësh detyrën minimale? Dhe detyra jote minimale është ti japësh zgjidhje kësaj krize e cila i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të shkuara.” 

4) Këto janë fjalët e Edi Ramës. Ose ca syresh. Nga ato lëçitjet e tia në majin e 2010-ës. Atë kohë ai ishte opozitar. I donte grevistët, i donte protestuesit. Bënte grevë urie për kutitë e votimit. Një grevë që do mbahet mend për formën beduine. Që i bashkangjitej strategjive radikale të bojkotit, thirrjeve për rrëzimin me dhunë të qeverisë, grevë urie nga militantët a funksionarë që kishin braktisur Kuvendin. Një grevë ku ai vet nuk u bë pjesë sikur edhe një orë. Dhe që sipas kabllograve nga Wikileaks, rezultoi që e bënte për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, izoluar qeverinë, për rrjedhoj edhe anëtarësimin në Europë. Të gjitha këto me paratë e fondacionit Shoqëria e hapur apo siç e njohin shqiptarët, fondacioni Soros. Prandaj kijini parasysh se me kë do flisni.

5) Sa të vërteta janë këto, e pohon vet Rama kur thotë, ”ka prej tyre që arrin të thonë se protesta jonë dëmton demokracinë dhe integrimin. Këta janë përgjithësisht një pakicë e cila vetë jeton më mirë se shqiptarët, ata që sot s’kanë asnjë rrugë tjetër përveçse të protestojnë.”  Edi Rama, muaji maj 2010. Por kur erdhi në pushtet, protestat e opozitës i cilësoi si shkaktaret kryesore që po dëmtonin imazhin dhe integrimin e vendit. Sot siç e dini Shqipëria që ishte tek dera e zyrës së integrimit, e kanë nxjerrë nga radha fare.

6) Ka edhe kësi pohime: ”Sot kam pasur një diskutim me një qytetar i cili më tha, se si plotë të tjerë, ishte dakord me çka ne kërkojmë, ishte plotësisht dakord se kutitë duhet të hapen, ishte plotësisht dakord se transparenca duhet të jetë parimi i funksionimit të institucioneve shtetërore, të parlamentit, të qeverisë e kështu me radhë. Ishte plotësisht dakord se liria e medias duhet garantuar, por nuk ishte dakord me formën e protestës sonë dhe as me grevën e urisë. Atij qytetari dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai u them, në rast se jeni dakord me gjithçka që ne kërkojmë, por nuk jeni dakord me formën se si ne protestojmë, atëherë protestoni në formën tuaj, por mos rrini duke bërë sehir, mos rrini duarkryq, mos rrini larg.”

I tha Edi këto, jo unë. I drejtohej shoqërisë civile. Unë vetëm se po i kujtoj. Dhe kur i kujtoj, ramistët më ngërdheshen.

7) Sa për dijeninë tuaj, ky Edi Rama në kohën e grevave, protestave, për karriken e tij, jo për ekonominë tuaj, jo për fatin e Shqipërisë në Europë, bojkotoi rreth shtaqind e ca ditë Kuvendin. E kam thënë gjithmonë po si opinionist modest që jam nuk para m’i marrin seriozisht llogaritë. Shtaqind e ca ditë bojkot, plot dy vjet, por rroga nuk iu ndërpre asnjë kuvendari të rilindjes. Nuk ja ndërpreu Jozefina. Kokërr më kokërr pa qënë në punë. Kurse ju, burrat tuaj punonin e nuk paguheshin. Ec e gjeje tani. Ec e uluni të bisedoni me ujkun. Babain e absurdit, të informalitetit, të propogandës. Atij që shëmb teatro dhe kthen në muzeume shtëpitë me gjethe, ose strofkullën e spiunëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mos e vrit veten, Moter

FITON AMERIKA!

November 8, 2020 by dgreca

-“Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq”, siguroi amerikanët Presidenti i zgjedhur Joe Biden, në një fjalim drejtuar Kombit të Shtunën me 7 nëntor 2020.

Nga Frank Shkreli/

Ja, më në fund edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara u mbajtën.  Votat u numëruan, ish-Zëvendës Presidenti Joe Biden i Partisë Demokrate u shpall fitues i zgjedhjeve, ndërkohë që Presidenti Donald Trump ende konteston në gjykata numërimin e votave, në disa shtete të Amerikës.  Megjithë këto kundërshtime dhe disa sfidave ligjore – të cilat nuk janë të parat – dhe besoj as do të jenë të fundit në historinë e zgjedhjeve në Amerikë – me 20 Janar, 2021 transferimi i pushtetit do të ndodh ashtu si gjithmonë dhe sipas Kushtetutës, pikërisht siç ka ndodhur për më shumë se dy shekuj më parë.  Një ceremoni, vërtetë unike në botë, por që ne, këtu në Amerikë, e konsiderojmë krejt normale, pas një fushate politike dhe debatesh shpesh të ashpra, për të zgjedhur kandidatin që mendohet se do të jetë më i mirë për Amerikën, në katër vitet në vijim.  

Pa dashur të largohem shumë nga tema e këtij shkrimi të shkurtër e modest, do dëshiroja që me këtë rast të transferimit të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, t’i këshilloja – nëqoftse më lejohet — udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, që të frenohen nga deklarata të papërgjegjëshme, siç ka ndodhur herë të tjera, në lidhje me njërin apo tjetrin kandidat për president të Amerikës.  Amerika nuk është as Trumpi as Biden, por është populli amerikan, i cili, për mirë ose për keq, i voton ata me një shumicë votash.  Ashtu siç kam shkruar edhe katër vite më parë  — marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan janë tepër të rëndësishme për tu përgojuar me paragjykime ndaj njërit ose tjetrit kandidat të veçant për president. 

Duhej të ishte e qartë tanimë se marrëdhëniet midis dy popujve tanë duhet të zhvillohen bazuar në miqësinë dhe mbështetjen historike të Amerikës për Kombin shqiptar, si dhe në vlerat dhe interesat e përbashkëta aktuale dhe jo në paragjykime mbi njërin ose tjetrin kandidat, bazuar në konsiderata ideologjike. Në fund të fundit, duhet të respektohet vendimi i votës së shumicës së amerikanëve, pasi ata janë zgjedhësit të cilët votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe për të ardhmen e tyre.  Marrëdhëniet e shqiptarëve në Ballkan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë due nuk duhet të jenë të lidhura me ndonjë udhëheqës të veçant amerikan ose shqiptar, por janë të lidhura, përjetësisht, midis dy popujve tanë dhe si të tilla duhet të trajtohen, me përgjegjësi kombëtare, si nga Tirana ashtu dhe nga Prishtina zyrtare.  Vura re debatet e nxehta, sidomos në studiot e Tiranës – sikur Shqipëria nuk ka probleme tët jera – në lidhje me zgjedhjet në Amerikë.  Pyetja kryesorja ishte ç’bëri Trumpi për Shqipërinë dhe çdo bejë Bideni për Shqipërinë???  Askush nuk bëri  pyetjen se si shqiptarët duhej të punonin së bashku me Amerikën — aleatin e tyre të fortë – në mbështetje të lirisë, demokracisë due sigurisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë. 

Nuk ka dyshim se shpeshëherë demokracia mund të duket si një sistem një vazhdimisht në rrëmujë. Uinston Çurçilli ka thenë se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha të tjerave”.  Nuk ka dyshim, se zgjedhjet e këtij viti këtu në Amerikë provuan, se siç ka thenë edhe Çurçilli, ndoshta për disa, demokracia nuk është një shembull i mirë qeverisjeje. Por, kur konsideron alternativat e tjera, sistemi demokratik – megjithëse jo i përsosur – mbetet, mbi të gjithë të tjerët,  ende sistemi në të cilin triumfojnë dinjiteti dhe të drejtat bazë të njeriut.  Gjatë katër viteve të kaluara, Shtetet e Bashkuara dhe bota u përballen me sfida të mëdha, përfshirë pandeminë Covid-19 dhe jam i bindur se edhe katër vitet e ardhëshme, nuk do të jenë të lehta as për Amerikën dhe as për botën, ndonëse do të përballen me problemet e pazgjidhura aktuale, por edhe me sfida të reja. Zgjedhjet kanë pasoja, zgjedhjet sjellin ndryshime.  Ndryshimet në qeverisje, jo vetëm që janë pozitive por edhe të doemosdoshme. Nuk duhet të kemi frikë as të shqetësohemi nga ndryshimet, sado të dhimbshme qofshin ato për mbështetsit e njërës apo tjetrës palë.  “Ndryshimi është ligj i jetës. Dhe ata të cilët shikojnë vetëm të kaluarën dhe të tashmen, kanë gjasa të humbasin të ardhmen”, ka thënë ish-presidenti amerikan, Xhon Kenedi.

Atyre të cilët, gjatë katër viteve të fundit, kanë parashikuar dhe që ndoshta edhe dëshirojnë fundin e Amerikës dhe të demokracisë si sistem qeverisjeje në SHBA, u them qetësohuni, mos u shqetësoni! Megjithë fushatën e ashpër për president midis dy palëve dhe megjithë sfidat aktuale të brendëshme dhe ndërkombëtare, si dhe problemet me të cilat do përballet, në të ardhmen, Amerika, “Amerikanët, ashtu si edhe në të kaluarën, kanë kapacitetet të bëjnë gjithçka që duhet bërë për të ruajtur këtë bastion (Amerikën) të fundit dhe të madh të lirisë”, është shprehur dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan. Ndërsa, fjalët e një tjetri president të Amerikës, Xhon Kenedi, në inaugurimin e tij, pikërisht 60-vjet më parë, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë amerikane, ende tingëllojnë aktuale për shumë amerikanë, e të cilat gjithnjë pasqyrojnë përkushtimin e këtij vendi në mbështetje dhe mbrojtje të lirisë, jo vetëm në këtë vend, por kudo. “Le ta dijë çdo komb, nëse na dëshiron të mirën apo të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do mbajmë cilëndo barrë të rëndë, do përballemi me çdo vështirësi, do mbështesim çdo mik dhe do kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Në zgjedhjet e këtij viti, ashtu si edhe në të kaluarën, votuesit amerikanë përpiqen që, ndërgjegjëshmërisht, të hedhin votën e tyre duke pasur parsysh të metat dhe problemet e këtij vendi, por duke qenë, njëkohësisht, edhe krenarë për vlerat dhe demokracinë e këtij vendi, si dhe mundësitë që ofron demokracia e vërtetë, duke qenë të vetdijshëm se me votën e tyre të lirë, pa marrë parasysh se cili kandidat fiton – më në fund fiton, Amerika.  

Megjithë ndarjet aktuale politike që, tani për tani, mund të duken të thella në politikën amerikane dhe si rrjedhim edhe në radhët e publikut amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë dhe përvojën historike që politika amerikane dhe amerikanët në përgjithësi -në dialog dhe bashkpunim me njëri tjetrin – t’i kapërcejnë ndasitë me sukses dhe si gjithmonë në interes të Amerikës.  “Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq”, siguroi mbrëmë amerikanët Presidenti i zgjedhur Joe Biden, në një fjalim drejtuar Kombit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Fiton Amerika, Frank shkreli

Amerika, dhe ekuacion i vështirë, i zgjedhjeve,

November 8, 2020 by dgreca

Shkruan: Alfons Grishaj/

Ëndrra e të gjithë të shtypurve në botë ka qenë dhe është  Amerika.  Modeli i demokracisë dhe i kapitalizmit ku paguhet djersa dhe rritet oportuniteti. Çdonjeri ka mundësinë të ndriçojë dhe përparojë, veçanërisht të lindurit në këtë vend. Ata mund të bëhen milionerë, Kongresmenë,  Senatorë, biles dhe Presidentë, siç u bë  Obama etj. 

Por, çfarë po ndodh tani? Konglomerati i dobët po fiton terren. Raportet  e demokracisë amerikane po dobësohen  deri në atë shkallë sa krijuesit e USA, baballarët e Kombit të diskutohen të  denjë apo të padenjë. 

Ballafaqimi i Amerikës me një “kulturë” tjetër… atë të botës se tretë është më i dhimbshmi. Ky shtet gjigand…, ku pasqyrohet në mënyrë perfekte regresi dhe progresi, e drejta dhe detyra, pasuria dhe varfëria, shteti ligjor dhe demokracia, dëshira dhe vullneti, oportuniteti dhe dekandenca,  ekzistencializmi dhe imperializmi, novacioni dhe politika, lakuriqësia dhe ekscentrizmi etj…, nuk është ballafaquar ndonjëherë me fenomenin e vjedhjes së votës në mënyrë masive, siç theksova më lart, fenomen i përhapur në botën e tretë. Në Michigan ndriti një softwere ku ndryshoi njëherësh 6000 mijë vota në favor të Biden dhe po ky softwere është përdorur  në 47 County të tjerë  në Michigan. Ky softwere a thua është përdorur dhe në shtetet e tjera të Amerikës? Një fenomen tjetër i pangjarë më parë, pala demokrate maskon dritaret dhe nuk lejon oponentët të marrin pjesë në numërimin e votave. Këto fenomene kanë ndodhur dhe ndodhin ende në botën e tretë dhe fatkeqësisht dhe në Shqipërinë tonë, por nuk e kisha menduar asnjëherë se do e përjetoja një dramë të tillë në Amerikë. 

Brezat patriotë që e ndritën Partinë Demokratike të Amerikës po shuhen. JF Kennedy (Demokrat) dhe vëllai i tij Bob Kennedy,  akuzuan lëvizjen sindikale të Xhimmi Hoffa (president i (IBT), si komuniste, duke e burgosur Xhimin. Çifti Rosenberg u vu në karrige si agjentë të komunizmit… 

Tani  lëvizja “Antifa” shkatërron…,  demokratët pranojnë para prej komunistëve kinezë etj. dhe  askush nuk i vë në karrige elektrike. Financojnë Iranin (gjoja në bazë të marrveshjes…) askush nuk i quan tradhëtarë. Udhëheqësit e PD flasin për Socializëm dhe flamuri amerikan shkelet nga laskarë me bluza të Çhe Guevara-s, dhe  askush nuk i thotë gjë, biles, media liberale i bën jehonë… Osana!  Ndryshe me Trump , ku që nga dita që erdhi në pushtet e deri më sot, çfarë nuk u sajua nga media e majtë, teori  konspirative deri në tradhëti. 

Partia Demokratike që njihej si luftëtare e klasës së mesme dhe të varfër, e lirisë dhe të drejtave të njeriut ka vdekur. Tani është një parti tjetër… globaliste, e cila nuk e ka për asgjë që ta rreshtojë Amerikën në listën inferiore të shkollës globale, ku njeriu do të kontrollohet nga  çobanët e klanit, mbase nesër… dhe me një chip në qafë, shpatull apo gjetkë… alarm i dhënë dhe nga Arqipeshkëvi  Carlo MariaVigano …

   Kurse Republikanët, me ardhjen e Trump, pësuan një ndryshim thelbësor: kjo parti ndërroi vendet me PD-në  e Amerikës, pra PR u bë më e afërt me klasën e mesme dhe të varfërit duke përfshirë dhe pakicat legjitime. Nacionalizmi amerikan u bë imperativ çka ndryshoi dhe prishi rregullat e ngurta të diplomacisë botërore. Tasi magjik i globalizmit (praktikë e Obamës dhe klanit të tij)  pothuajse u boshatis. Zoti u riftua në tryezat e çdo besimi, duke fituar lavdinë e vet. Familja u vendos në plan të parë, duke denoncuar foshnjet e vrara nga frymëzimi liberal se nënat mund të bëjnë çdo gjë me barkun e vet, duke harruar se ato u lindën po nga nënat dhe jo nga makina e propagandës së djallit. Ekonomia u rrit në mënyrë galopante. Amerikanët (përveç pederave të klasës liberale, Sorosianëve, klasës tradicionale demokrate që ende nuk e kuptojnë shkarjen e partisë tyre,  Bushëve e rrushëve),  ishin të lumtur deri në momentin e Kovid 19, një virus i zgjuar që ndëshkon pamëshirë. Faji i Kovid  iu faturua Presidentit Trump, si i paaftë për t’a vënë situatën nën kontroll. Një turp i paparë! Në të gjithë botën Kovid 19, bëri atë që bëri dhe në Amerikë. Sipas statistikave në Amerikë, ndërrojnë jetë mbi 200, 000 mijë persona nga flu season  dhe  askush nuk e bën të madhe, pse duhet pompuar Kovid 19 kaq shumë, kur e keqja e një virusi më të rrezikshëm do t’i trokasë botës… dhe mbase do  fshijë nga faqja e dheut një të tretën e popullsisë në botë?! Spanish flu vrau mbi 50 milionë njërëz dhe askush nuk u gjykua, sepse  “shuplaka e Zotit” nuk gjykohet! Në raste të tilla, njerëzit  pa karakter, dhe nëse nuk ka faj dhe fajtorë… e ndërtojnë atë! Natyrën dhe Zotin e bëjnë njeri dhe sëmundjen produkt të qëllimit. 

Fitorja  i “buzëqeshi” (me forcën e manipulimit , but not yet!)  Biden, dhe ky një mik i shqiptarëve, por i tjetërsuar…, mbase nga mosha, mbase nga etja për t’u bërë President, mbase nga klani global? Pas kësaj (qofsha i gabuar në parashikimin tim), Amerika dhe amerikanët do të pësojnë një goditje të gjithanshme: gazi dhe nafta do të rritet në 4-6 dollarë. Ushqimet do bëhen më të shtrenjta, bursat do të pësojnë rënie, dollari amerikan do të zhvleftësohet, politika do të pësojë një impakt, mbase dhe inferior. Mbase Dardania  dhe udhëheqësit e saj do lundrojnë në ujëra të turbullta. Përkrahja ndaj kauzës do  fillojë të zbehet. Shqipëria si gjithnjë do mbijetojë  falë shpirtit luftarak dhe oportunizmit klasik, por bota dhe Amerika nuk do jenë kurrë më të njëjtë! Realiteti dhe zhgënjimi do e zhvleftësojë shpejt entuziazmin frenetik.

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, amerika, dhe ekuacion i vështirë, i zgjedhjeve

Dr. Zef Mulaj:Mrekullia në kafaz…

November 7, 2020 by dgreca

Mrekullia në kafaz – Miracolo in gabbia është libri më i fundit me poezi nga Zef Mulaj në italisht, libri i tij i 13-të dhe i 5-ti në italisht. Libri sapo ka dalë nga shtëpia botuese Simple Macerata, në Itali, poezi Haiku.

Përpjekja e fundit nga shkrimtari italo-shqiptar titullohet “Mrekullia në kafaz”.
Një përmbledhje poezish për të folur për shkencën dhe artin, por edhe për momentin e vështirë që po përjetojmë për shkak të Covid. “Mrekulli në një kafaz” është vepra e fundit e Zef Mulaj një poet dhe shkrimtar i italo-shqiptar, i përkthyer edhe jashtë vendit. Ndër të tjera, ai është një Doktor i Shkencave Farmaceutike, një ekspert ndërkombëtar në bimët medicinale, një konsulent shkencor në toksikologjinë kimike forenzike dhe një anëtar i prestigjozës “Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencës dhe Arteve” në New York.

“Ky është libri im i 13-të me poezi, i pesti në italisht – shpjegon Mulaj -. Përbëhet nga 420 haiku, kompozime të shkurtra që luajnë me shumë interpretime që lexuesi mund të japë. E gjitha filloi gjatë Covid, dhe në fakt tema kryesore është këmbëngulja për të luftua te keqen. Kafazi është rihapur sot, duke shpërndarë fara të helmuara të quajtura Covid, një armik i fshehur. Njerzit janë të detyruar të reflektojnë, të shtyrë nga frika, e cila është zbulimi i dobësisë së tyre. Por kjo është gjithashtu një ftesë për të luftuar kundër një bote prej guri dhe gjaku dhe për të gjetur guximin për të fituar luftën, ndoshta me ndihmën e një buzëqeshjeje, një puthjeje ose një gjeste dashurie, duke perdorur fjalët tona me sinqeritet, ditët tona. Në shpresën e kthimit për të besuar në mrekulli.(Dardania)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Zef Mulaj, Mrekullia ne Kafaz

JOE BIDEN: DO TË JEM PRESIDENT I TË GJITHË AMERIKANËVE

November 7, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Amerika feston dhe proteston. Feston kampi demokrat, proteston ai republikan. Në Time Square demokratët kanë ngritur flamujt e fitores e po brohorasin, ndërsa në Michigan e shtete të tjerë, republikanët protestojnë duke i konsideruara zgjedhjet të manipuluara. Numrimi i votave po shkon drejt fundit, por beteja ende vazhdon. Mendoj se beteja ligjore do të jetë pa ndikim në ndryshimin e verdiktit të votave të amerikanëve. Tashmë Joe Biden është Presidenti i 46-te I zgjedhur i amerikanëve,që që do të akomodohet në Shtëpinë e Bardhë me 20 Janar 2021, ndërkohë që Kamila Harris regjistron rekordin historik të një zv/presidenteje me ngjyrë.

       Lajmin e fitores së Biden e zyrtarizoi së pari agjensia prestigjioze Associated Press(e cila e kishte parashikuar fitoren)  dhe më pas NBC News, CNN, por edhe konservatori në anën e republikanëve, Fox News TV, i cili evidentoi krahas publikimit të lajmit”JOE BIDEN, PRESIDENTI I 46-të”, edhe faktin se ky rrjet e kishte parashikuar fitoren e Joe Biden. Gjithësesi të gjithë televizionet amerikane CNN, NBC, CBS, ABC, FOX NEWS, por edhe agjensit e pavarura prestigjioze, perfshire Reuters  dhe Associated Press, e kanë konfirmuar vërtetësinë e lajmit, por presidenti Trump deklaroi se presidentin nuk e shpall media, por vota reale (Jo ajo e manipuluar).

      Presidenti Tump dhe ekipi i tij duket se nuk do ta pranojnë lehtë humbjen dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Ata janë përgatitë për betejë të gjatë ligjore. Vetë presidenti Trump shkroi se zgjedhjet i ka fituar Ai.

Nga ana e tij Biden pasi deklaroi fitoren tha se do të bashkojë amerikanët dhe do të shërojë plagët e Amerikës.Ai shkroi në Tweeter:”Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve – pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë…”

Joe Biden ka marrë urimet e para nga kampi i vet si nga: Presidenti Klinton, ish presidenti Obama, por duket se edhe evropianët mezi kanë pritur: I pari uroi Presidenti i Parlamentit Europian  David Sassoli,  presidenti Francez Macron, kryeministri Britanik Boris Johnson, e pas tij krerët e Këshillit Europian, Kryeministri i Kanadase, Ministri i Jashtem i Gjermanise, dhe të tjerë liderë rajonal nga Ballkani, si Presidentja, njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, Kryeministri Avdulla Hoti,kryetari i Opozitës në Shqipëri Lulzim Basha, ish lideri historik Dr. Sali Berisha, Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti e të tjerë(nuk kemi të dhëna nëse kanë uruar ende kinezët apo JO?).

KUSH ËSHTË JOE BIDEN?

Presidenti Joe Biden me 20 nëntor do të mbush 78 vjec, ndërsa me 20 Janar kur të bëjë betimin, do të regjistroi rekordin e presidentit më të vjetër në marrjen e detyrës.

Biden ka shërbyer për rreth gjysmë shekulli në Ëashington, ndër të cilat 36 vjet i takojnë karrierës së tij si Senator( 3 herë kryetar i Komitetit të Senatit për Marrdhëniet me Jashtë), dhe 8 vjet nënpresident nën administratën e Presidentit Barak Obama.Këtë jetëgjatësi në karrierë politike dhe shtetërore, kundërshtari i tij, Presidenti Trump, u përpoq t’ia kthente në bumerang, duke I përsëritë në cdo debat si dhe gjatë të gjithë fushatës:Këto premtime që po merr përse nuk i realizove për 47 vjet Joe?

Por duket se demokratët i kishin bërë mirë llogaritë dhe e kishin ngritur strategjinë në kurthin e së cilës ra vetë presidenti dhe ekipi i tij i fushatës. Asaj që ia kishte frikën presidenti, votës me postë, ndodhi, pikërisht ajo llojë vote e ndëshkoi!

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Joe Biden, President i 46

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT