• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

Menaxhimi i Qendrës historike dhe Kalasë së Prizrenit

December 18, 2020 by dgreca

-Prezantohen planet e menaxhimit të Qendrës historike dhe Kalasë së Prizrenit, mirënjohje për Ambasadën e Amerikës dhe misionin e OSBE-së në Kosovë që po përkrahin vazhdimisht projektet/

PRIZREN, 17 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI/ Ministrja Kosovare e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka bërë prezantimin e planeve të menaxhimit të Qendrës historike në Prizren dhe Kalasë së Prizrenit.

Me këtë rast Ministrja Vlora Dumoshi tha se Muzeu Kombëtar i Kosovës edhe në këtë kohë pandemie mbetet nga institucionet që po na bën bashkë për aktivitete të ndryshme.

“Sot jemi së bashku për të miratuar dy planet e para të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Kalanë e Prizrenit.” tha ministrja Dumoshi.

“E veçantë e këtij procesi është gjithëpërfshirja dhe transparenca e bartësve të këtyre proceseve që të dyja të hartuara nga organizatat jo qeveritare më përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore Organizata Ec më ndryshe dhe Organizata e CHëB Kosova të kombinuara e mbështetura edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucionet varëse të saj. Pavarësisht sfidave kanë bërë një punë të shkëlqyer” – tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu ministrja Dumoshi shprehu mirënjohje edhe për Ambasadën e Amerikës në Kosovë dhe misionin e OSBE-së në Kosovë të e cilat po përkrahin vazhdimisht projektet e MKRS-së.

“Qendra historike e Prizrenit vazhdon të mbetet prioritet i Qeverisë. Është hartuar projekti për ndërtesën e ish-burgut në Prizren dhe jemi në procedurë përfundimtare për disa projekte në Prizren. Ne do të angazhohemi edhe në finalizimin e memorandumit për ndërtimin e muzeut të filigranit,” tha ministrja ndër të tjerash ministrja Dumoshi.

 Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me këtë rast tha është gjithmonë kënaqësi pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive të organizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Sot është ngjarje e veçantë meqë me anë të këtyre dy planeve ë menaxhimit, atij të Qendrës historike të Prizrenit dhe atij të Kalasë së Prizrenit po mundësohet ruajtja e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm” – tha Kryeministri.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Qendra e Prizrenit

KOSOVE- SERBIA BLLOKON LINJAT TRASMETUSE TE ENERGJISE

December 17, 2020 by dgreca

Kuçi: Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë duke bllokuar linjat transmetuese/

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Blerim Kuçi ka thënë të enjten se Serbia po shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke bllokuar linjat transmetuese për Kosovën.

Ai i ka bërë këto komente në një takim të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, që këtë herë është mbajtur në kryesimin e Malit të Zi, pas pavarësimit energjetik të Kosovës.

“Përderisa po flasim për integrim regjional të tregut të energjisë, vendit tim i janë bllokuar nga Serbia, si palë nënshkruese e këtij Traktati, 60% të kapaciteteve transmetuese ndërkufitare. Kjo në parim zhvlerëson edhe vetë Traktatin”, ka deklaruar Kuçi.

Sipas tij këto veprime janë të patolerueshme dhe duhet të sanksionohen nga Bashkimi Evropian.

Nga dita e hënë (14 dhjetor), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.

Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor.

Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 29 shtator.

Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it, menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova i ka importuar nga ky shtet.

Këta megavatë të bllokuar nga Serbia, pastaj, janë zëvendësuar me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

Njohësit e fushës së energjisë në Kosovë kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ky pavarësim i sistemit energjetik të Kosovës ka elemente pozitive, por nuk përfshin zbatimin e marrëveshjes për pjesën e veriut të Kosovës dhe të sigurimit që ajo pjesë të integrohet në tregun energjetik të Kosovës.

Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë elektrike, edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia.

Megjithatë, qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet” i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale.

Filed Under: Analiza Tagged With: bllokon, Kuçi, Serbia

Ambasadorja Çitaku kthehet në Uashington

December 17, 2020 by dgreca

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj*/

Vlora Çitaku është rikthyer sërish në Uashington në detyrën e saj si ambasadore e Kosovës në SHBA, pavarësisht se para më shumë se dy muajsh, presidenti Hashim Thaҫi kishte nënshkruar dekretin për tërheqjen e saj nga ky post.

Madje, ajo kishte organizuar edhe takime lamtumirëse në Uashington dhe ishte kthyer në Prishtinë, por është detyruar të kthehet sërish në Uashington, pasi partnerët e koalicionit qeveritar nuk kanë vendosur ende se kush do ta zëvendësojë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës konfirmoi për REL se në Uashington është ende në detyrë ambasadorja Çitaku, e cila do ta përfaqësojë Kosovën deri në emërimin e ambasadorit të ri, siç është përcaktuar në dekretin e tërheqjes së saj të nënshkruar nga presidenti.

Bazuar në dekretin e presidentit, ajo mbetet në këtë detyrë derisa të emërohet ambasadori i ri, por në rast se e njëjtja nuk mund ta ushtrojë më këtë post, atëherë duhet të emërohet një ‘i ngarkuar me punë’ (Charge D’Affairs). Sipas të dhënave zyrtare, në Ambasadën e Kosovës në Uashington është vetëm një diplomat.

Pos Uashingtonit, edhe Brukseli, Londra e Tokio kanë mbetur qe shumë kohë me ushtrues detyre pasi Kosova nuk i ka emëruar ende ambasadorët e rinj pas skadimit të mandatit të diplomatëve të kaluar.

Në Ministrinë e Jashtme thonë se “janë në përfundim të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj” dhe se i gjithë procesi po zhvillohet konform procedurave të parapara ligjore.

“Ministrja znj. Meliza Haradinaj-Stublla garanton një proces të drejtë, transparent, në respektim të plotë të procedurave ligjore dhe kushtetuese. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, secili vendim i saj do të merret në konsultim të plotë me kryeministrin e vendit, ashtu siç e parasheh ligji dhe Kushtetuta”, tha për Radion Evropa e Lirë, këshilltari politik i ministres së Jashtme, Bul Salihu.

Sidoqoftë, Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë qeveritarë, se procesi ka ngecur dhe se vështirë që mund të ketë “emërime gjatë këtij viti”.

“Papërgjegjësia e qeverive” 

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi, vlerëson se shteti duhet të jetë më serioz në trajtimin sa më dinjitoz të shteteve mike.

“Kjo është papërgjegjësia më e madhe e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht e cilës qeveri, që vende të tilla si Londra, Brukseli të mbahen me të ngarkuar me punë për një kohë të gjatë”, vlerëson Gashi.

Ai, madje, thotë se këto veprime po sjellin pasoja, duke iu referuar rastit të Japonisë. 

“Ne e kemi mbajtur Japoninë, një mike të Kosovës, për më shumë se një vit me të ngarkuar me punë. Pikërisht kjo neglizhencë, apo nënçmimi ka ndikuar që Japonia të abstenojë në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare. Ky është rezultat i dështimit të qeverisë sonë që të mbajë marrëdhënie të mira”, vlerëson profesor Gashi.

“Të evitohet degradimi i diplomacisë” 

Ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, thotë se në këtë fazë të ndërrimit të administratës amerikane, do të ishte e nevojshme që ky proces të ishte përmbyllur.

“Bëhet fjalë për pozitën kyçe në diplomacinë e Kosovës dhe është nevojë urgjente që të kemi ambasadorin tonë në Uashington, ku do të kemi një administratë re, pasi ambasadori duhet të vërë kontakt dhe të fillojë punën me këtë administratë që po vjen, si në aspektin biltateral, por edhe për punën e diplomatit në kuptim më të gjerë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson nevojën që ambasadori i ri në SHBA të jetë apolitik.

“Të qenët partiak kufizon veprimtarinë e një ambasadori, sepse rezervohet gjithmonë më shumë për liderin e partisë së tij së cilës i përket sesa Ministrinë e Jashtme. Kështu që, mendoj se është e rëndësishme që të jetë jopartiak dhe të jetë i përgatitur profesionalisht”, shton Spahiu.

Profesori Ibrahim Gashi druan se brishtësia e koalicionit qeverisës do të prodhojë përfaqësim dinjitoz për Kosovën. 

“Nuk jam shumë optimist duke parë ngecjet e kohëve të fundit në Ministrinë e Jashtme, që ndoshta është si pasojë e disonancës ndërmjet kolicionit qeveritar. Jam skeptik dhe frikësohem se edhe në rastin konkret, të emërimit të një ambasadori të duhur në Uashington, uroj të mos ndodh, por mund të ketë emërime jo të qëlluara dhe në njëfarë mënyre degradim të nivelit të përfaqësimit, sa i përket profilit të diplomatit që mund të shkojë atje”, vlerëson Gashi duke shtuar se:

“Duhet të vazhdojë tradita e përfaqësimit të mirë në Uashington dhe të mendohet përtej interesave partiake”.

Por, në MPJD insistojnë se Kosova ka përfaqësim adekuat:

“Aktualisht, nuk ka asnjë boshllëk në përfaqësimin e Kosovës në këto shtete. Në Uashington, Bruksel, Londër dhe vendet tjera janë diplomatët tanë, po ashtu, të ngarkuarit me punë, edhe disa me gradë karriere prej Ambasadori, të cilët po kryejnë të gjitha detyrat e parapara”.

Në tetor të këtij viti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, kishte raportuar në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, ku pati premtuar se do të ketë vendime së shpejti për emërimin e ambasadorëve të rinj.

Një nga emërimet që pati shkaktuar bujë ishte edhe ai i Astrit Zemajt, vëllait të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, në ushtrimin e funksionit të ambasadorit në Bruksel, pas skadimit të mandatit të Bernard Nikajt. Zemaj kishte titull ambasador, dhe ishte emëruar në këtë pozitë për vendet anëtare, edhe pse Kosova ligjërisht nuk mund të akreditojë ambasador në BE, për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare të Unionit.

Emërimi i diplomatëve 

Procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq. Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka hapur misione diplomatike në të gjitha kontinentet.

Sidoqoftë, Ministria e Jashtme ka qenë shpesh cak i kritikave të shumta, pas raportimeve për emërime në poste diplomatike të familjarëve të personave të angazhuar në politikë.

*Kortezi-Evropa e Lire

Filed Under: Analiza Tagged With: ambassador Volra Çitaku, Shkumbin Ahmetxhekaj

Politika e Republikës së Maqedonisë Veriore nëpër labirinte

December 17, 2020 by dgreca

Shkruan:Kasam Hasani-Kryeprokuror I Prokurorisë së Lartë
në Shkup, në pension/

Marrëveshjet e Republikës së Maqedonisë Veriore për shtetformimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e subjektivitetit të saj
kalojnë nëpër labirinta më shumë të panjohura dhe të pathëna. 

Elita politike në Maqedoni meriton lëvdata për angazhimin e madh
 në lidhje me shtetformimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin
e subjektivitetit ndërkombëtar të Maqedonisë. 

Shqiptarët e Maqedonisë me pjesëmarrje 30% në strukturën e përgjithshme të popullsisë, asnjëherë dhe me asnjë veprim nuk e kanë penguar shtetformimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e Maqedonisë,
 si shtet unitar. Ata, në çdo fazë e kanë përkrahur elitën politike maqedonase për shtetformimin, shtetndërtimin
dhe konsolidimin ndërkombëtar të Maqedonisë. 


Fqinjët, Greqia, Bullgaria dhe Serbia, Maqedonisë gjithnjë i kanë paraqitur pengesa në shtetformimin,  shtetndërtimin, dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, kurse Shqipëria dhe Kosova nuk kanë kurrfarë pretendimesh dhe nuk i kontestojnë asgjë
 Republikës së Maqedonisë. 

Si çdo shtet, edhe Maqedonia ka historikun e vet për shtetformimin, shtetndëritimin, dhe konsolidimin e subjektivitetit shtetëror me specifika të veçanta. Tre elementet që merren parasysh kur flitet për historikun e një shteti, janë: territori, popullsia, dhe pushteti. Këto elemente kryesore, Maqedonia gjithmonë i ka pasur kontestuese, nga shumë faktorë, e sidomos nga fqinjët: Greqia, Bullgaria, por edhe nga Serbia. 

Me përfundimin e Luftërave Ballkanike, Serbia okupoi territorin e Maqedonisë së sotshme, si dhe disa territore të Bullgarisë. 

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Maqedonia, si pjesë e Serbisë hyn në kuadër të bashkësisë mbretërore Serbo-Kroate-Sllovene (SKS), pa kurrfarë identiteti apo subjektiviteti, dhe mbetet në kuadër të kësaj bashkësie deri në Luftën e Dytë Botërore. 

Gjatë luftës nacional çlirimtare në Jugosllavi, në 1944-1945, udhëheqësia e partisë komuniste në Maqedoni ka qenë e përkrahur nga udhëheqës komunist të Serbisë, të cilët kanë ardhur në Maqedoni me qëllim të organizimit dhe mëkëmbjes së Partisë Komuniste dhe përgatitjes së komunisteve për kryengritje – luftë. 

Pas përfundimit të luftës nacional çlirimtare, respektivisht Luftës së Dytë Botërore, Maqedonia bëhet njëhsi e Jugosllavisë Federative dhe emërtohet si Republika Popullore e Maqedonisë, si njëhsi e barabartë federale me pesë Republikat tjera, që gjithashtu ishin në përbërje të Federatës Jugosllave. 

Në kuadër të Federatës Jugosllave, Maqedonia ka qenë në aleance (vazale) me Serbinë, që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në politikat e Maqedonisë dhe shumë çështje politike janë përgatitur ose porositur nga Beogradi, respektivisht Serbia. Ndër këto çështje, dy kanë qenë kryesore: 1. Pushteti i Maqedonisë  të vazhdojë avazin e vjetër të Serbisë lidhur me shfarosjen, dëbimin, asimilimin dhe përbuzjen e shqiptarëve në Maqedoni; 2. Pushteti i Maqedonisë të krijojë urrejtje permanente ndaj popullatës bullgare dhe gjithçkaje që është në lidhje me historinë, kulturën, gjuhën dhe shtetin bullgar. 

Republika Popullore e Maqedonisë këto urdhëresa, porosi, dhe kërkesa te Serbisë i ka zbatuar me përpikmëri. Kështu për shembull, Maqedonia ndërmori masa që shqiptaret, por edhe popullata tjetër myslimane me të madhe të shpërngulen për në Turqi gjatë periudhës 1953 -1959.  Shkupi u bë qendër administrative ku rregullohej dokumentacioni (vestikat) për shpërnguljen për në Turqi, dhe atë jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por edhe ata të Kosovës, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, popullatës myslimane nga Sanxhaku, etj.

Në territorin e Maqedonisë, kanë banuar tradicionalisht shqiptare të konfesionit mysliman me shumicë, por edhe të konfesionit ortodoks, kurse shumë pak të konfesionit katolik, si dhe popullatë sllave: bullgarë dhe serb. Shqiptarët kanë jetuar në pjesën perëndimore ku ka pasur edhe pjesëtarë me prejardhje serbe apo bullgare, kurse në pjesën lindore kanë dominuar popullata sllave, bullgare. 

 Deri në vitin 1945, popullata me prejardhje sllave haptas janë deklaruar si bullgare apo serb, varësisht nga përkatësia e tyre. Pas vitit 1945 popullata që u gjind në territorin e Maqedonisë, thuajse krejtësisht u regjistrua si popullate maqedonase. Mirëpo, vlen të përmendet edhe pjesa jugperëndimore e banuar me shqiptarë ortodoks, si fshatrat e Rekës së Gostivarit, Galiçniku, vendbanime të komunës së Dibrës, madje edhe në Shkup, dhe vendbanime tjera të Komunës së Kërçovës, etj., që gjatë viteve janë detyruan të asimilohen, dhe të deklarohen si popullatë maqedonase. Kjo popullatë u asimilua për shkak të privilegjeve dhe benificioneve të ndryshme që pushteti u ofronte këtyre, duke u nisur nga ajo se ata janë të konfesionit ortodoks sikurse edhe maqedonasit. Privilegjet kanë qenë nga më të ndryshmet, si: punësimi dhe avancimi në vende pune, shkollimi, marrja e bursave, dhënia e banesave shtetërore në shfrytëzim, etj. Për asimilimin e shqiptareve ortodoks ndikim negativ kanë pasur edhe shqiptarët e konfesionit mysliman që nuk i kanë përkrahur shqiptarët ortodoks në asnjë aspekt. Përveç se i kanë llogaritur si “shkije”, “kaur”, nuk kanë pranuar as të lidhin marrëdhënie martesore me njeri tjetrin, ngase nuk kanë bërë dallim midis fesë dhe kombit, por janë nisur nga ajo se shqiptarë janë vetëm myslimanët. 

Shqiptarët nuk kanë pasur dhe nuk kanë mundur t’i realizojnë as të drejtat dhe liritë elementare në Maqedoni, si p.sh: nuk kanë pasur të drejtë të përdorin gjuhën e tyre amtare në institucione shtetërore, nuk kanë mundur të shfrytëzojnë flamurin dhe simbolet tjera kombëtare, nuk kanë pasur shkolla në gjuhën shqipe, përveç të arsimit fillor, por në disa vendbanime p.sh. në disa fshatra të Velesit, fëmijët deri vonë janë shkolluar në gjuhën maqedonase, kurse fëmijët e dy fshatrave të territorit të Shkupit detyrohen të shkollohen edhe sot në Kosovë, duke kaluar çdo dite kufirin shtetëror, për shkak të mos ndërtimit të shkollës në ato fshatra. 

Gjatë dhe pas luftës nacional çlirimtare, janë vrarë dhe zhdukur me mijëra shqiptare në vendbanime të ndryshme në Maqedoni nga ana e pushtetit, me motivacion të rrejshëm se kanë qenë bashkëpunëtorë të okupatorit, se do të ishin të rrezikshëm dhe të dëmshëm për sistemin e ri politik, etj. Këto vrasje janë realizuar pa mbajtur gjykim apo dënim. Kjo metodë e vrasjes dhe zhdukjes së shqiptarëve është kopjuar nga Serbia,  e cila në projekte të përgatitura nga institucionet përkatëse ka paraparë që lufta dhe periudha e pasluftës të shfrytëzohen si pretekst për vrasjen e pakicave. Shqiptarët e Maqedonisë u janë nënshtruar të gjitha torturave të organeve të sigurisë si p.sh: Aksioni i grumbullimit të armëve nga shqiptarët, dërgimi i shqiptarëve nëpër fronte të ndryshme si “Rasti i Tivarit”, “Fronti i Sremit”, etj., në të cilët shqiptarët janë dërguar nga ana e pushtetit gjoja në luftë, me qëllim që të vriten e të mos mbeten gjurmë, por vetëm të regjistrohen si “të rënë në luftë-front”.

Pas përfundimit të luftës nacional çlirimtare, shqiptarët e Maqedonisë, nga ana e pushtetit janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë. Ata kanë qenë të përbuzur dhe nënçmuar duke përdorur edhe gjuhën e urrejtjes. Kjo urrejtje ka qenë në vazhdimësi, kurse kulminacioni i  kësaj e ka ardhur në shprehje me rastin e botimit të Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave të Maqedonisë ku shqiptarët trajtohen si egërsira, se janë ardhacakë, të pa emancipuar, të papastër, etj. Për këto arsye kanë reaguar edhe shumë institucione e intelektual shqiptar, e për shkak të këtyre reagimeve u vendos që Enciklopedia të asgjësohet dhe të punohet në enciklopedi të re, gjë e cila nuk ndodhi dhe i tërë botimi u shit.  

Sa i përket çështjes bullgare, Republika Popullore e Maqedonisë gjithashtu nën ndikimin e Serbisë ka filluar propagandën se në Maqedoni nuk jeton asnjë bullgar. Pushteti i ka ndaluar që të deklarohen si të tillë, dhe se populli maqedonas nuk ka kurrfarë lidhje me historinë, gjuhën, dhe kulturën bullgare, etj. Përdorimi i nocionit “bullgar” në kuptim të kombit, në Maqedoni është trajtuar si fyerje ose shpifje, dhe është trajtuar si  kundërvajtje ose vepër penale. Përkundrazi nëse dikush deklarohej si serb, është konsideruar si krenari dhe ata maqedonas janë privilegjuar nga ana e pushtetit dhe shpeshherë janë rekrutuar dhe avancuar për detyra dhe funksione të ndryshëm në institucionet Federative. Në evidencat statistikore të strukturës së popullatës është fshirë grafi “bullgar”, kurse nëpër institucione dhe arkiva shtetërorë është shlyer ose asgjësuar dokumentacioni me përmbajtje bullgare, gjë të cilën së fundi e kanë pranuar edhe ish-udhëheqës dhe funksionarë të Republikës së Maqedonisë. Për më tepër, Bullgaria gjithnjë ka potencuar të dhënat historike për shtetin bullgar, popullatën bullgare në Maqedoni, mosekzistimin e kombit maqedonas dhe gjuhës maqedone, dhe se të gjithë këtë e ka bërë Serbia për shkak të okupimit të më hershëm të territorit të Maqedonisë. Është zhvilluar teza se në Maqedoni asnjëherë nuk ka pasur bullgarë dhe se në atë territor çdo herë ka jetuar popullatë me kombësi maqedonase. Pra, bullgarët, ngjashëm sikurse shqiptarët ortodoks në Maqedoni, u “avulluan”, respektivisht u asimiluan në Maqedoni. Për këto arsye Bullgaria dhe Jugosllavia Federative gjithnjë kanë pasur marrëdhënie të tendosura diplomatike. 

Gjatë vitit 1963 në Jugosllavinë Federative bëhen ndryshime kushtetuese dhe Republika e Maqedonisë me Kushtetutën e saj Republikane, emërtohet si Republika Socialiste e Maqedonisë. Mirëpo, sa u përket politikave lidhur çështjen bullgare, mbeten të njëjta pavarësisht emërtimit të ri. Politika e njëjtë urrejtëse dhe diskriminuese vazhdoi me tutje edhe ndaj shqiptarëve. Të gjitha masat represive shtetërore që ndërmerreshin nga Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë, në të njëjtën mënyre janë aplikuar edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni si : krijimi i “paraleleve të përziera nëpër shkolla”, me qëllim që mësimi të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedone, e jo edhe në atë shqipe; prishja e rrethojave (mureve) me lartësi mbi 110cm që pushteti i konsideronte “mbrojtëse për shqiptarët në rast konflikti”; ndalimi i përdorimit të gjuhës shqipe në emërtimin e toponimeve, si: Shkupi të emërtohej vetëm si Skopje, e jo edhe Shkup; Dibra, vetëm si Debar; Manastiri, vetëm Bitolla; Likova, vetëm Lipkovo, etj., gjë që ka vlejtur edhe për vendbanimet, arat, livadhet, malet, etj, p.sh. Dobrovoda, e jo edhe Ujëmirë; Gornja livada, e jo edhe livadhi i epërm, etj.; bëhet diferencimi politik i shqiptarëve për shkaqe “nacionaliste”, “separatiste” dhe “irredentiste”; largimi nga puna e shqiptareve; burgosja e shqiptareve, etj. 

Mirëpo, në fund të viteve të 80-ta, shqiptarët në Maqedoni vetëorganizuan ndryshime në arsim, duke hapur shkolla të arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në disa qytete,  të financuara nga ana e vet popullatës shqiptare dhe ndihmës së diasporës shqiptare. Këto shkolla pas disa vitesh, kanë hyrë në financimin shtetëror, kurse kërkesa për hapjen e një shkolle të mesme për shkollimin e të rinjve në gjuhën shqipe për: territorin e Prespës, vendbanimeve shqiptare në Krushevë dhe Prilep, janë realizuar shumë vonë. Kurse qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe, Manastiri, edhe sot e kësaj dite nuk ka as edhe një paralele të shkollës së mesme në gjuhën shqipe. Kjo mënyrë e vetëorganizimit dhe vetëfinancimit në arsim, u zbatua edhe me rastin e themelimit, organizimit, dhe veprimit të Universitetit të Tetovës në vitet e 90-ta, për të cilat, nuk ka pasur vetëm burgosje, por edhe është derdhur gjak për këto ndryshime. Sa u përket te drejtave dhe lirive të tjera, dhe realizimit të tyre për shqiptarët, nuk ka pasur ndryshime. Duke u ballafaquar me këto pengesa, shqiptarët e Maqedonisë ishin të detyruar që të shkollohen në gjuhën shqipe në Kosovë, ose në gjuhën maqedone në Maqedoni, apo në gjuhën serbo-kroate në Republikat tjera të Jugosllavisë Federative. 

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë Socialiste Federative, u mundësua që republikat si njëhsi federale të mund të pavarësohen në kuadër të kufinjëve egzistues administrativ të Federatës Jugosllave, sipas principit “uti posiddetis juris” (ta posedosh ashtu siç e ke), që u vendos në Komisionin e Badinterit. Në bazë të këtij principi edhe Maqedonia shpalli pavarësinë e saj në vitin 1991, pas mbajtjes së referendumit gjithë popullor (të bojkotuar nga popullata shqiptare), duke u emëruar Republika e Maqedonisë. Në referendum qytetarët duhej t’i përgjigjeshin pyetjes se a “A jeni për pavarësi të Republikës së Maqedonisë si shtet, me mundësi që më vonë ajo t’i bashkëngjitet ndonjë subjekti tjetër?”. Subjekti tjetër megjithëse nuk ishte i emërtuar, për maqedonasit dhe Serbinë nënkuptonte Serbinë. Pasi populli u deklarua me shumicë për pavarësi të Maqedonisë, për pjesën e dytë të pyetjes së referendumit, asnjëherë nuk u deklaruan. Kështu Maqedonia me mençuri dhe dinakëri u nda nga Serbia pa asnjë therrë në këmbë, kurse Serbia mbeti edhe pa Maqedoninë-Vardarska Banovinën, siç e quante Serbia. Serbia edhe pse e pranoi shpalljen e pavarësisë te Maqedonisë si shtet të pavarur, ajo nuk mundi të “pajtohej”, që Maqedonia të jetë “krejtësisht e pavarur”. Ajo la një vegës duke kërkuar që Kisha Ortodokse Maqedonase të mos jetë e pavarur, por si kishë ortodokse të veprojë nën ombrellën e Kishës Ortodokse Serbe, kontest që realisht nuk është fetar, por shtetëror me ndikim të madh edhe nga ana e Kishës Ortodokse Ruse, njëlloj si në Malin e Zi.

 Gjithashtu, vlen të përmendet edhe fakti se derisa Maqedonia kishte statusin e Republikës Popullore, e më vonë atë të Republikës Socialiste, sipas mjeteve të atëhershme të informimit thuhej se në Serbi jetonin afër 30 mijë maqedonas, kryesisht në Beograd, por edhe në qendra tjera, sidomos në qytete dhe vendbanime të Vojvodinës. Pas pavarësisë së Maqedonisë për këtë çështje nuk është folur dhe mbetet enigmë se çka ndodhi me këtë popullatë, nëse jetojnë ende në Serbi dhe kanë statusin e minoritetit si maqedonas, apo janë të regjistruar si serb, apo eventualisht janë kthyer në Maqedoni. 

Pas ngjarjeve të vitit 2001 në Maqedoni, të cilat u emërtuan si ”kryengritje”, “luftë”, “konflikt”, etj. e cila ishte e armatosur mes shqiptarëve dhe pushtetit në Maqedoni, me ç‘rast u rrënuan vendbanime në zonën e Shkupit, Likovës, dhe Tetovës, si dhe u vranë dhe plagosen një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë. Për të ndërprerë këtë konflikt u desh që të intervenojë edhe faktori ndërkombëtar me pjesëmarrjen e Fuqive të Mëdha, respektivisht, përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së. Për ndërprerjen e konfliktit u desh që të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë, dhe të përfshihen kërkesat e shqiptarëve të cekura në të ashtuquajturën e Marrëveshjen e Ohrit. Ndër kërkesat kryesore të parapara në këtë marrëveshje, kanë qenë: përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare, si dhe realizimi i të drejtave dhe lirive të tjera të shqiptarëve si pakicë mazhoritare në Maqedoni, me çka do të ndryshonte pozita e shqiptarëve në Maqedoni. 

Në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe atyre ligjore në Republikën e Maqedonisë, dukshëm filloi përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në këtë shtet. Ajo vërehej posaçërisht në hapjen dhe financimin e shkollave të mesme në gjuhën shqipe, legalizimin e Universitetit të Tetovës, hapjes së Universitetit të Evropës Juglindore, hapja e Universitetit Nënë Tereza, përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në organe dhe institucione shtetërore, përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, si dhe në fusha tjera. Mirëpo, edhe pse detyrimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit duheshin zbatuar në afat prej 4 vitesh, ato nuk janë zbatuar në tërësi as deri sot. 

Disa nga këto obligime nuk janë zbatuar edhe për shkak të zbriturave juridike në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse. Kështu për shembull, Kushtetuta parasheh se gjuhë zyrtare është “gjuha që e flasin më shumë se 20% e popullatës në Maqedoni”, kurse nuk e përcakton gjuhën shqipe si zyrtare, por kjo duhet të nënkuptohet me interpretim logjik të dispozitës Kushtetuese. Është e nevojshme që në Kushtetutë të figurojë nocioni “gjuha shqipe”, me çka ky nocion do të bëhet kategori kushtetuese. Përveç kësaj rregullimi juridik i kësaj çështje pamundësohet me ligjet përkatëse, sidomos me ligjet procedurale, që parashohin udhëheqjen e procedurave përkatëse (gjyqësore, administrative, etj.) në gjuhën Maqedone. Këto ligje miratohen me 2/3 e votave të deputetëve, sikurse edhe miratimi i Kushtetutës dhe ndryshimet e saj. 

Gjithashtu, qasje jo të drejtë ndaj shqiptarëve në Kushtetutë ka edhe në rangimin e shqiptarëve si pakicë, duke mos e dalluar atë si pakicë mazhoritare, pavarësisht diferencës së lartë të përqindjes në strukturën e popullatës në Maqedoni. 

Avancimi i përdorimit te gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, pas Marrëveshjes së Ohrit, është bërë në mënyrë graduale. Kështu p.sh., përdorimi i saj në Parlament, është bërë duke ndryshuar  Rregulloren e Punës së Kuvendit në periudha të caktuara kohore. Fillimisht është lejuar përdorimi i gjuhës shqipe vetëm nga kryetari i grupit parlamentar të shqiptarëve. Më vonë, në gjuhën shqipe ka mundur të drejtohet edhe deputeti, por vetëm në mbledhje plenare, por jo edhe në komisione dhe këshilla të parlamentit. Kryetari shqiptar i këshillit apo komisionit, këtë të drejtë e ka fituar më vonë. Në të njëjtën mënyrë graduale, është zbatuar përdorimi i gjuhës shqipe edhe në punën dhe funksionimin e Qeverise dhe anëtareve të saj. Mospërdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare ka ardhur në shprehje edhe në përgatitjen e materialeve dhe akteve të ndryshme nga fushëveprimi i Parlamentit dhe Qeverisë, të cilët janë përgatitur dhe shpallur vetëm në gjuhën maqedone. 

Orvatje për rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është bërë edhe me miratimin e Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni. Por, edhe me këtë Ligj nuk rregullohet në tërësi çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, ngase me këtë Ligj rregullohet përdorimi zyrtar edhe i gjuhëve të pakicave tjera, kurse me ligj të veçantë rregullohet përdorimi i gjuhës maqedone. Për këto shkaqe opozita maqedonase ka ushtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë se dispozitave te këtij Ligji, pranë Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni. Vlen të cekim se përdorimi zyrtar i barabartë i gjuhës shqipe dhe asaj serbo-kroate në Kosovë është rregulluar me ligj qysh në vitin 1970, me të cilin ligj serbëve u sigurohej përdorimi i barabartë i gjuhës së tyre edhe pse ishin 11% në strukturën e përgjithshme të popullatës në Kosovë. Moszbatimi i dispozitave të këtij ligji sanksionohej si vepër penale, për të cilën parashihej dënim me burg me kohëzgjatje deri në 1 vit. Në Maqedoni edhe pas 50 vitesh nuk sigurohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe atë për popullatë që në strukturën e përgjithshme ka pjesëmarrje prej 30%. 

Sa i përket përdorimit të Flamurit kombëtar, si dhe atij shtetëror, në Maqedoni, kjo çështje është e rregulluar me ligj të veçantë. Mirëpo, përdorimi i flamujve e veçanërisht të atij kombëtar, në praktikë bëhet në kundërshtim me dispozitat e ligjit, ku nuk reagojnë as organet shtetërore ashtu që ky flamur vendoset vend e pa vend. Ndodh që flamuri i vendosur të valojë disa javë e muaj të tërë e askush të mos reagojë, me çka humbet edhe rëndësia e flamurit si simbol kombëtar. 

Në vitin 2011, në Maqedoni u organizua regjistrimi i popullsisë. Mirëpo, ky regjistrim u ndërpre pas punës intensive, disa mujore. U shpenzuan mjaft mjete financiare për këtë qëllim, sipas mjeteve të informimit publik, janë harxhuar rreth 2,5 milion Euro. Regjistrimi papritmas u ndërpre, e shkaku i kësaj zyrtarisht asnjëherë nuk u komunikua, por në opinion dhe mjete të informimit thuhej se regjistrimi është ndërprerë për shkak se në Maqedoninë Lindore një numër i madh i popullsisë u deklaruan se i përkasin kombësisë bullgare. Gjithashtu thuhej se regjistrimi është ndërprerë, me ndikim të disa funksionareve shtetëror. Opinioni është njoftuar përmes mjeteve të informimit se kishte filluar procedurë penale kundër disa funksionareve shtetërorë, për dëmtimin e buxhetit. Duhet theksuar gjithashtu, se për ndërprerje të këtij regjistrimi, në Parlamentin e Maqedonisë u aprovua ligj i veçantë, në të cilin përveç të tjerash, shprehimisht është paraparë që materiali i regjistrimit të pakryer të asgjësohet-digjet. 

Në periudha të ndryshme, qindra, mijëra maqedonas kanë fituar shtetësinë e Republikës së Bullgarisë, ndër të cilët ka edhe shumë funksionarë të lartë, deputetë, ministra, zëvendësministra,  drejtorë të ndërmarrjeve, etj. 

Duke qenë se Greqia gjithnjë ia kontestonte emrin, territorin, historinë, simbolet shtetërore, etj., Maqedonia nuk mundi të regjistrohej në OKB me këtë emër, por vetëm me fusnotën FYROM (ish Republika Maqedone e Jugosllavisë). Për zgjidhjen e këtij kontesti mes Greqisë dhe Maqedonisë, janë  caktuar edhe përfaqësues të lartë ndërkombëtar të OKB-së dhe BE-së, ku përpos angazhimit të tyre, ky kontest nuk u zgjidh për plot 27 vite. Elita politike në Maqedoni edhe më tutje bënte orvatje për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë. Kështu, u organizua edhe referendum gjithë popullor për çështjen e emrit të Maqedonisë. Kështu, në bazë të marrëveshjes së arritur midis kësaj Republike dhe Greqisë, Maqedonia u pajtua që të ndryshoje emrin e autostradës në Maqedoni, emrin e aeroportit ndërkombëtar në Shkup, të tërheqë dhe ndryshojë disa përmendore me figura nga antikiteti, si dhe çështje të tjera qe iu imponuan nga Greqia. E gjithë kjo u arrit në bazë të Marrëveshjes së Prespës, të lidhur mes Greqisë dhe Maqedonisë në vitin 2019. Në fund Maqedonia në bazë të kësaj marrëveshje u detyrua të ndërrojë edhe emrin dhe të emërohet si Republika e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse opozita greke deklaronte se është kundër marrëveshjes, për shkak se e konsideron termin “Maqedoni” vetëm si nocion me domethënie gjeografike. Mirëpo, me ardhjen në pushtet të kësaj opozite pas disa muajsh, ajo në tërësi pranoi zbatimin e Marrëveshjes. Opozita në Maqedoni, partia politike VMRO DPMNE, në mënyrë permanente ka qenë dhe është kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kërcënon se nëse vjen në pushtet, përveç të tjerash Maqedonisë do t’ia kthejë emrin e mëhershëm, pa prapashtesën “E VERIUT”, duke u thirrur në parregullsitë e referendumit të vitit 2018. Mirëpo ky mbetet një kërcënim i pabazë, duke pasur parasysh parimin “pacta sunt servanta”, si dhe konventat per marrëveshje ndërkombëtare, që nënkuptojnë se marrëveshjet janë të obligueshme dhe duhen zbatuar. Benefit i kësaj marrëveshje për Maqedoninë ishte anëtarësimi i saj në asosacionin ndërkombëtar më të fuqishëm ushtarak, NATO-në, në vitin 2019.

Sfidë tjetër e Maqedonisë në pranimin në Organizata Ndërkombëtare, respektivisht në BE, paraqesin edhe mosmarrëveshjet me Bullgarinë. Ajo vazhdimisht e kundërshton dhe pengon anëtarësimin e Maqedonisë ne BE, për shkak të mosmarrëveshjeve tradicionale të cekura edhe më lartë, lidhur me faktin se Bullgaria konsideron se popullata e Maqedonisë është popullatë me prejardhje bullgare, se gjuha maqedone është vetëm dialekt i asaj bullgare, se  heronjtë, shkrimtarët dhe dijetarët që Maqedonia i paraqet si maqedonas, realisht janë bullgarë, se territori i Maqedonisë ka qenë territor bullgar që pa të drejtë pas Luftës së Parë Botërore i është dhënë Serbisë, dhe se e gjithë kjo  është pjellë e Serbisë. 

Për zgjidhjen e çështjeve kontestuese mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, zhvillohen negociata me qellim të arritjes së një marrëveshjeje. Për lidhjen e kësaj marrëveshjeje, Maqedonia ka përkrahje edhe nga komuniteti ndërkombëtar, respektivisht SHBA, e cila ka kërkuar nga BE, që kjo e fundit të insistojë dhe ndikojë te Bullgaria për arritjen e kompromisit mes dy vendeve. Kjo marrëveshje do të ishte një hap drejt pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Opozita maqedonase gjithashtu kundërshton lidhjen edhe të kësaj marrëveshjeje.

Nga e gjithë kjo, mund te konstatojmë se konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar te Republikës se Maqedonisë se Veriut, është i varur nga lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare përkatëse. Kjo imponon amandamentime Kushtetuese. Partitë politike shqiptare ne Maqedoni, këto amandamentime duhet t’i shfrytëzojnë edhe per rregullimin e garantimit te te drejtave dhe lirive te shqiptareve ne Maqedoni. Anëtarësimi i Maqedonisë ne organizata dhe institucione ndërkombëtare nuk do te thotë edhe garancinë për realizimin e te drejtave te qytetareve te shtetit anëtar. Prandaj duhet te veprohet tani, se dikur do te jete vone dhe e kotë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Kasam Hasani, labyrinth, Politika e Republikes se Maqedonise se Veriut

Dr.Vjosa Osmani: SHQIPËRIA ËSHTË ËNDRRA JONË E PËRBASHKËT

December 17, 2020 by dgreca

TIRANË, 17 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI/Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, dr.Vjosa Osmani, sot – 17 Dhjetor 2020, në Kuvendin e Shqipërisë: Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!/

FJALIMI I U.D. PRESIDENTES SË KOSOVËS VJOSA OSMANI NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Meta!

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Ruçi!

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të këtij kuvendi, përfaqësues të medieve;

Fort të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Jam tepër e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, t’u drejtohem përfaqësuesve të zgjedhur, e nëpërmjet tyre, bashkëkombësve të mi gjithandej botës!  

Është kënaqësi e veçantë që si përfaqësuese e popullit të Kosovës të mund ta bëj këtë në shtetin e shqiptarëve, këtij kombi të lashtë, i cili i ka dhënë aq shumë kulturës e qytetërimit perëndimor.

Është, pra, nder i madh për mua t’ju drejtohem dhe t’ju flas sikur i flet njeriu familjes së vet, me të cilën ka ndarë aq histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, por së cilës i ka dhuruar dhe nga e cila ka marrë aq shumë dashuri.

Shqipëria është jo vetëm atdheu i bashkëvëllezërve e bashkëmotrave tona, por edhe ëndrra jonë e përbashkët. Ajo është kujtesa jonë historike, vatra në të cilën ne ëndërronim të jetonim, të cilën fatkeqësisht shumë prej nesh e takoi së pari vetëm në acarin e ftohtë të luftës. E, megjithatë ajo u bë vatra jonë, shtëpia e zemërbujarëve shqiptarë, të cilët na mbajtën gjallë ne, por edhe shpresën e përbashkët për liri. Ne ju jemi mirënjohës përjetë!

Të dashur qytetarë!

Sot, kur unë gjendem para jush, hapësira kulturore shqiptare po funksionon, lidhjet shpirtërore, për shkak të rrënjëve etnike, po thellohen dhe komunikimi ynë po na ofron më shumë me njëri-tjetrin. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, janë shndërruar në faktor stabiliteti e paqeje. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës dhe duke dhënë e marrë me njëra tjetrën në procesin e integrimeve europiane, duke e njohur dhe respektuar njëra-tjetrën.

Por, sot, kur unë jam para jush duhet ta kujtojmë të kaluarën tonë të përbashkët, mundin e sakrificën e brezave për këtë ditë. Duhet të kujtojmë se këtu na solli sakrifica e një populli të tërë, përkushtimi për lirinë, gjaku i derdhur i mbi 13.000 të vrarëve, shumica nga ta gra, pleq e fëmijë, nga të cilët mbi 1.600 ende të pagjetur dhe i mbi 1.133 fëmijëve, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, emrat e të cilëve qëndrojnë në themelet e pavarësisë sonë. Prandaj, sot e këtu, sikur kurdoherë, do të flas me këtë zë dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, sikur është gjithë historia jonë kombëtare, të mbahet në mend e të rikujtohet. Sepse, duke e rikujtuar atë, ne ia njohim vlerën dhe bëhemi më të urtë në vendimet tona.

Të dashura deputete e deputetë!

Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah.

Këtë rrugëtim ne e bëmë bashkë me miqtë tanë të shumtë, të cilëve do t’u jemi përjetësisht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit.

Të dashur qytetarë!

Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, si e para grua në këtë detyrë, dhe si Presidente në detyrë e Republikës, unë dua t’i thërras sidomos të rinjtë e vendeve tona, e sidomos vajzat e gratë e këtij vendi që të ndjekin synimet e tyre dhe të besojnë se ëndrrat mund të jetësohen: të mos dorëzohen para asnjë sfide dhe të këmbëngulin në vlerat e tyre. Një ditë ato do të jenë aty ku duan dhe ku e meritojnë, në majat më të larta të profesioneve të tyre, të politikës e të bizneseve. Sepse sikurse çdo shtet tjetër, edhe Kosova e Shqipëria do të kenë sukses vetëm atëherë kur të shfrytëzojnë edhe potencialin e 50% të popullatës së tyre, që e përbëjnë gratë.  Të rinjtë tanë, në Kosovë dhe në Shqipëri, janë kapitali ynë më i çmuar. Ata janë ambasadorët tanë në botë, me të cilët po krenohemi çdo ditë e më shumë. Andaj, është obligim i yni që çdo gjë që bëjmë sot, ta bëjmë në mënyrë të tillë që atyre t’u garantojmë një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese.

Prandaj, ftoj përfaqësuesit politikë, ata që sot janë në këtë dhomë, sikur edhe ata që janë jashtë saj, që ta kultivojnë këtë besim. Si të përzgjedhur të popullit ata duhet të kujdesen që vullneti i tyre të realizohet, që Shqipëria të jetë vend i qytetarëve të saj, që dallimet në pikëpamje politike, kulturore a religjioze të jenë shtysë për kohezion nacional, që diversiteti i mendimeve të jetë thelbi i sjelljes për vlerat e përbashkëta, që qëndrimet e ndryshme, edhe në këtë kuvend, ta nxisin kultivimin e mëtejmë të frymës së demokracisë. Është thelbësore që institucionet tona dhe politikbërësit të studiojnë dhe vlerësojnë mesazhin që u dërgohet nga qytetarët dhe të jenë të përgjegjshëm ndaj mendimeve dhe dëshirave të njerëzve tanë.

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë të Shqipërisë sonë!

Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës.

Prandaj edhe i kam bërë thirrje këtij Kuvendi të nderuar që t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb, sepse vetëm atëherë kur i bashkojmë zërat tanë, ata do të dëgjohen edhe përtej Kosovës e përtej Shqipërisë,

REZOLUTA

Askush në trojet shqiptarët nuk duhet ta ketë preokupim se si ta shpëtojë fytyrën e Serbisë, sepse fytyra e vërtetë e saj është dëshmuar me politikën gjenocidale që ka ndjekur ndaj nesh.

Por, zonja e zotërinj, motra e vëllezër, që të kumbojë ky zë çdo kund, ne duhet t’i bashkojmë zërat e përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë. Që çdo përfaqësues shqiptar, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni e tani edhe zëri kumbues i Shaip Kamberit në kuvendin e Serbisë, të kërkojë drejtësi për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, drejtësi për motrat tonë që u dhunuan nga serbët si krim lufte, drejtësi për nënat që akoma kërkojnë bijtë e bijat e tyre që të kenë një vend ku të derdhin lotët e ku të vendosin lule, sepse Kosovës nuk mund t’i kërkojë askush më që të jep akoma më shumë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj. Kosova ka dhënë mbi 1.000 fëmijë, shpirtra të njomë, të cilët sot do të mund të ishin këtu ku jemi ne, në këtë sallë ku merren vendimet për të ardhmen e shteteve tona, sikur Serbia mos t’ua këpuste jetën qysh në fillim.

E kemi detyrë kombëtare, e mbi të gjitha detyrë morale, që përderisa punojmë për hapjen e një kapitulli të ri, për gjithë rajonin tonë, fillimisht të lexojmë, të kuptojmë, e të mësojmë mirë, kapitullin që akoma qëndron para nesh. Ky kapitull na mëson se duhet t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra që nuk kursejnë asgjë për njëra tjetrën. Ky kapitull po ashtu na mëson se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ne duhet t’i bashkojmë forcat si Kosovë e Shqipëri, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, gjuhën anti-shqiptare, dhe përpjekjet për të fshehur krimet. T’i bashkojmë forcat që mos të lejojmë që e vërteta të përmbyset para syve tanë. Sepse ekziston vetëm dhe vetëm një e vërtetë, që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e ajo është që Serbia kreu gjenocid në Kosovë, kurse Kosova e mbrojti pragun e shtëpisë së vet.

Ky kapitull po ashtu na mëson, se rinia briliante shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, e çdo kund  tjetër, e mërgata jonë e jashtëzakonshme, janë potenciali ynë më i madh.

Detyra jonë është të punojmë, që ata vendin e tyre ta shohin si vend që nuk e meriton braktisjen, por si vend që e meriton gjithë kontributin e dashurinë e tyre. Prandaj të punojmë bashkë të gjithë, që si dy shtete sovrane, me dy flamuj por me nje shpirt që nuk ka mundur askush t’a mposhtë ndonjëherë, të dëshmojmë par botës mbarë, se ne, ilirët e lashtë e evropianët më të rinj, populli më paqedashës, me pro-evropian e më pro-amerikan në botë, mund dhe do t’ia dalë. T’i kthejmë dallimet tona në forcë për të shtyer shtetet tona përpara. Kosova nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimeve evropiane, vendosja e çfarëdo barriere komunikimi në mes të dy vendeve tona është kundrejt frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë në Shqipëri ashtu siç deshën të parët tanë, siç duam ne dhe siç do të duan fëmijët tanë! Eruditi jonë i madh, Konica e përmbledhë më së miri këtë në një tekst të korrikut të vitit 1898 në revistën “Abania”.

“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”, kishte thënë Konica.

Prandaj, ju ftoj që të punojmë që edhe flamuri i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran, për të cilin u bë luftë e drejtë çlirimtare, të valojë në Kombet e Bashkuara e në NATO, krahas atij të Shqipërisë, e të ecim me hapa të sigurtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Bashkëkombas të dashur,

Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë, dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra mijëra familjeve shqiptare. Por, le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur.

Në fund, më lejoni t’ju falënderoj sërish për mikpritjen, në shtëpinë tonë të përbashkët dhe t’ju ritheksoj, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës gjithë dashurinë që ndiejmë për Shqipërinë, për motrat e vëllezërit shqiptarë dhe gatishmërinë tonë që me vullnet e me punë t’i çojmë përpara dy shtetet tona.

 Ju faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, endrra Jone e perbashket, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT