• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

SI E SULMONIN KRISHTLINDJEN KOMUNISTËT SHQIPTARË NË SHTYPIN ATEIST?

December 24, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI/

Regjimi politik që qeverisi Shqipërinë 1945-1990 ishte totalitarizëm stalinist. Komunistët shqiptar nuk pranonin asnjë ideologji tjetër përveç marksizëm-leninizmit. Ateizmi shtetëror u kthye në ideologji zyrtare e funksionimit të shtetit monist. Propaganda antifetare e komunistëve shqiptarë në shtypin ateist, me qëllim që ta justifikonte para njerëzve vrasjen e klerikëve, shkatërrimin e institucioneve fetare dhe ndalimin e fesë me ligj, ushtroi për afro 50 vjet një propagandë agresive në të gjitha dritaret e shtypit, radios e televizionit. Komunistët e akuzonin fenë në Shqipëri si veprimtari antikombëtare, antishkencore, fenë si instrument të politikave të huaja në Shqipëri, fenë si një pengesë të zhvillimit të rendit të ri komunist, feja si zakon i keq dhe i dëmshëm për shoqërinë, feja si ideologji reaksionare, feja si pengesë për çelikosjen dhe unitetin popull-parti. Totalitarizmi është regjim politik ku ka vetëm një parti të vetme politike që kontrollon, menaxhon dhe orkestron totalitetin e aktiviteteve të shoqërisë komuniste. Partia është gjithçka. Partia është drita dhe oksigjeni i skellvërve të shtypur. Me qëllim frikësimin e popullit dhe mbajtjen në nështrim e kontroll, regjimi komunist në Shqipëri përdori vrasjet, arrestimet, burgosjet, përndjekjet, shkatërrimet, torturat fizike dhe psikologjike që përgjatë 45- viteve të diktaturës ishin nga më të pashembulltat në Shqipëri dhe më gjërë. Feja u sulmua pa pushim me fushata në media dhe veprime fizike të shkatërrimit të bazës institucionale, ideologjike, klerikale  dhe spirituale. Feja binte ndesh me frymen totalitare dhe ideologjinë Marksiste-Leniniste dhe komunistët e shpallën të ndaluar. Kundër fesë, klerikëve dhe institucioneve për afro 50 vjet, regjimi komunist instaloi një makineri dhune, turture, frike e shkatërrimi, një aparat të tërë shtetëror, media, organizata partie, ndërmarrje, qëndra pune, shtëpi kulture, lëvizje studentësh, bashkime profesionale, koperativa fshati etj me qëllimin e vetëm zhdukjen përfundimtare të çdo elementi fetar në Shqipërinë pa zot. Një aspekt shumë i rëndësishëm i goditjes së klerit ishte sulmi ndaj festave fetare, riteve, por edhe bazës mbi të cilën ndërtohej një fe e caktuar. Në rastin e besimit katolik, Krtishtilindja është festa e dytë fetare më e rëndësishme e këtij besimi pas Pashkëve. Propagandistët komunistë në shtypin e shkruar ateist deklaronin: “Krishti s’ka ekzistuar kurrë dhe Krishtlindjet janë një legjendë, janë një mashtrim”, me këtë deklaratë propagandistike Jovan Vujoshi në shkrimin “Legjenda e Krishtit dhe Krishtlindjet”, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 22 dhjetor 1965 në numrin 101, në faqen 3, deklaron se klerikëve fetarë sipas J. Vujoshit u intereson që ta mbajnë sa më gjatë të gjallë këtë legjendë të “Krishtlindjes” që nuk ishte asgjë tjetër sipas komunistit Vojushi, veçse një mashtrim nga ku klerikët katolikë u shërbenin klasave shfrytëzuese me qëllim që të dërrmonin edhe më shumë klasat e shtypura. Në shkrimin ateist thuhet: “Shkenca thotë se nuk ka ekzistuar ndonji Krisht në botë, për këtë ajo niset nga faktet historike dhe nga mungesa e vërtetësisë në vetë shkrimet e ndryshme fetare” pasi sipas shkrimit propagandistik, në kohën që bëhet fjalë s’ka ekzistuar Krishti pasi ka pasur shumë historianë e shkrimtarë të cilët me siguri do kishin dokumentuar diçka rreth kësaj figure siç mendohet kaq të rëndësishme për katolikët – arsyeton komunisti Vojushi. Mbajtja e gjallë e ritit fetar të Krishtlindjes dhe kthimi i saj në një legjendë sipas propagandistit komunist Vojushi, ndihmoi edhe më shumë në nënshtrimin e besimtarëve, në shtypjen e tyre, zhytjen e tyre në iluzionin se feja është shpëtim në botën tjetër. Shkenca sipas propagandistit ateist Vojushi e ka treguar dhe e ka vërtetuar shkencërisht se s’ka ekzistuar Krishti, se s’ekziston bota e përtejme dhe se lumturia gjendet e duhet gëzuar në tokën komuniste. Lumturia sipas propagandistit komunist të kohës Vojushi, vinte me revolucion, nga marrja e pushtetit  gjoja shfrytëzuesve e shtypësve fetarë, lumturia në këtë botë vinte me punë për ndërtimin e socializmit. Duke goditur festat kryesore apo ngjarjet më të rëndësishme të një feje të caktuar, komunistët synonin nëpërmjet mediave ti mbushnin mendjen njerëzve se feja ishte diçka jo e vërtetë, e pa bazuar shkencërisht dhe ishte një legjendë mashtruese. Sistemi komunist që sundoi Shqipërinë për afro 50 vjet, në themel të ndërtimit të shtetit totalitar kishte si qëllim eleminimin e kundërshtarëve, eleminimin e fesë dhe një propagandë ekstreme në media duke manipuluar masat sipas nevojave të pushtetit me qëllim mbajtjen të shtypur e të nënshtruar të popullit shqiptar.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Krishtlindjet, Sokol Paja, Sulmi Komunist

“BIRI I ARMIKUT”

December 24, 2020 by dgreca

Rreth romanit “Filius Hostis ovverro il figflio del nemico” të Shpend Sollaku Noè-së./

Shkruan Visar Zhiti/

   Romani i një shoku të fëminisë ndoshta si lexues të emocionon më shumë, se, perveç rrëfimit dhe kumteve, të vijnë dhe zëra të brendshëm dhe imazhe të pafshirshme nga qyteti i perbashkët, nga lagjja e njëjtë, nga e shkuara që na përndjek, që të duket se përshfaqen në librin, që të ka ardhur nga larg, në kohë dhe hapësirë dhe mall.

   Shkrimtari Shpend Sollaku Noé ka nxjerrë romanin e radhës, me një titull tronditës, të përmbledhur shqip “Biri i armikut“. Vepra serish është shkruar me italishten e bukur dhe kumbuese, gjuhë e vendit ku është botuar romani dhe tashmë prej dekadash jeton autori i njohur. 

   Por ai mbetet bashkqytetari im, shoku i fëminisë, më i vogël se unë, me të cilin na ndante një gardh me shtëpinë e tij në Lushnjë, por ama ishte dhe një deriçkë që na bashkonte, pa çelës, e hapnim per t’u takuar prindërit apo ne, fëmijët, per t’i dhënë ndonjë gjë njeri-tjetrit, nga ç’ishin bërë në bahçet tona. Para shtëpisë së Shpendit ishte çezma ku mbushnim ujë, ndërsa te pusi im futnim shtëmbën për ta ftohur, por dhe shishen e rakisë prindërit. Fëminia jonë mbaroi shumë shpejt a s’patëm fare fëmini, “bij armiqsh”, s’na lejohej…

Kur mbushëm moshat, unë atë të burgut e Shpendi të ushtarit, se s’duhej të shkonte në shkolle të lartë, atë e degdisën në ishullin e vetëm militar të atdheut, i rrethuar jo me tela me gjëmba, por me det, me shkulmet që ngriheshin bashkë në alarmet e rrezikshme…

Ndodhi kësisoj gjenden në roman, braktisje, dyshime, mënjanim klasor, qëndresë, ëndrra, diktaturë…

   Kur dola nga burgu, Shpendi tashmë e gjeta poet, kish nxjerrë librin me poezi, me titullin surrealist “Mëzat e kaltër”. Bashkë e me poetë të tjerë të Lushnjës, shokët tanë, u përfshimë në protestat e para kunder diktaturës, madje u bëmë themeltarë në partitë e para opozitare. Shpendi rrëmbehej për mirë, guxonte, kërkonte më shumë dhe u zhgënjye me të parët dhe nuk priti të vinte Europa në Shqipëri, por si mijëra shqiptarë të tjerë shkoi vetë në Europē, mërgoi në Itali dhe krahas punëve të ndryshme, bëri dhe atë të shkrimtarit. Poema dhe romane. Dhe në gjuhën e vendit. E kam thënë dhe më parë, forcë per të komunikuar si shkrimtar më gjërë, me gjuhën danteske të atij ferri aq poetik për të treguar ferrin e vendit të tij.

   Këtë mision ka dhe vepra e tij më e fundit, e porsadalë, me jehonë e që e lexoj me atë ëndje si në bisedat e fëminisë. 

Ajo dera e dikurshme që na bashkonte, jo vetëm që nuk u mbyll, por sikur u bë më qiellore, 

derë prej ere…

Visar Zhiti 

(Marre prej Murit “Miq me Visarin., 24.12.2020)

Shënim:  Eshtë një drithërimë shpirti çdo komunkim me ty, Visar Zhiti. Edhe ai më i thjeshti; qoftë edhe një mail, qoftë edhe një mesazh i shkurtër telegrafik. Aq më tepër kur pena jote gjeniale merret me mua, me një libër timin, aq më tepër nëse e mban ngrohtë atë libër me  mirësinë tënde. Vetëm zemra mund ta shprehë mirënjohjen ndaj teje, i dashur Visar. Po ta nis, është tashmë mbi kokën tënde. Si mburojë e papërshkueshme. 

Shpend Sollaku Noé

Filed Under: ESSE Tagged With: Biri i Armikut, Shpend Sollaku Noe', Visar Zhiti

KRISHTLINDJA I PERKET EDHE KRISHTERIMIT, EDHE ISLAMIT…

December 23, 2020 by dgreca

Krishtlindja i përket edhe krishterimit, edhe islamit, prandaj dritësojeni Kosovën e gjithandej trojet shqiptare 

Të krishterët shqiptarë dhe islamë takohen qenësisht dhe jetësisht në shkronjën Gj: jemi të një gjaku! Përpiqemi në shkronjën SH: jemi shqiptarë. Me rrënjën e kësaj fjale kemi emrin e pakufishëm gramatikisht: Shqiptaria, shprehje e shumëpërfolur dhe kurrë e kuptuar sa duhet.

Shkruan: Don Prend Kola-Toronto-Kanada*/

Bibla ka vargje të shumta shprehjesh dhe urimesh për Krijesën, duke e lartësuar atë pa masë, ndërsa pikërisht në fillim bën të ditur që Zoti krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet (Libri i Zanafillës). Edhe në traditën islame flitet për njohjen e Hyjit përmes krijesës, krijimit. Në Surenë II lexojmë rreth krijimit dhe njohjes së Hyjit: “Kahdo që të kthehemi, atje është anë e Hyjit”. Mistikët islamë, sidomos ata të sufizmit, kanë vëzhguar dhe hetuar po ashtu pranishmërinë e fytyrës së Hyjit në gjurmët e krijesës. A. S. Kiriani thoshte: “Bukurinë Tënde e sodisim në krijesat, si në një pasqyrë të mahnitshme”. Edhe judaizmi, edhe islami, edhe krishterimi, e sodisin njeriun porsi krijesën ndaj të cilës duhet të kemi nderim, sepse vetë urdhëri i pestë Mos vrit, në rrasëzën e Moisiut, i dhënë nga Zoti, bën të ditur se sa shumë Hyji e ka për zemër njeriun, ndërsa mençuria teologjike sufiste ka vërejtur në krijesën të quajtur NJERI Bukurinë e Krijuesit; e ka parë hijeshinë e Perëndisë në vëllaun e motrën njeri. 

Kur’ani fillon me shkronjen B: bismil – lahi al Rrahmani al Rrahim. Bibla fillon po ashtu me shkronjen B: Bereshit. Që të dyja fjalët tregojnë fillimin. Që të dyja këto besime kanë zanafillën te Hyj Krijues. Por çka na dallon? Të themi kalimthi dhe pa hyrë në spekullime teologjike as të krishtera, as islame, as judaike, sepse ato na çojnë në përplasje. Islami para së gjithash është pranim, akceptim i Kur’anit dhe jo ndjekje, shëmbëllim i Muhamedit. Krishterimi, përkundrazi, para së gjithash, është shëmbëllim i Krishtit, i Birit të Hyjit. Të krishterët thonë: Fjala u bë njeri në Jezu Krishtin dhe erdhi të banojë ndër ne dhe tanimë është i pranishëm në kremtimin liturgjik të Meshës. Fjala e mishëruar është për të krishterin fjalë e pandërmjetme e Hyjit, ndërsa Bibla fjalë e ndërmjetësueme. Përkundrazi, në Islam, Kur’ani, si libër, është fjala e pandërmjetësueme e Hyjit. Islamët e bazojnë besimin e vet në Kur’an, ndërsa të krishterët në personin e Krishtit për të cilin flet Bibla. 

Pa ndjekur rreshtin alfabetik të shkronjave, nga B: bismil – lahi al Rrahmani al Rrahim dhe Bereshit, kthehemi në shkronjën A, me të cilën fillon fjala më e shenjtë islame: Allah, dhe emërtimi më i përditshëm për Hyjin në gjuhën hebraike: Adonai, që kanë kuptimin: Zot, Hyj, Perëndi. Këtu po shtojmë dhe fjalën tonë shqipe, Atë, Ati ynë, me të cilën përditë i krishteri shqiptar, e thërret Zotin. Në shkronjën A bashkohemi më së miri nën krahët e Krijuesit dhe njohim së bashku një Zot të vetëm, një Atë, një Krijues. Islamët, të krishterët dhe judenjtë veçanërishti i bashkon përsëri një emër tjetër që fillon me A. Nëse A-së ia shtojmë një H, do të fitojmë AH, një britmë që del me shpirt për të shprehur një ndjenjë habie pas ndonjë harrese ose për të shprehur një ndenjë gëzimi pas vetëdijesimit tonë. Prandaj, përmes A-së na lidh Abrahami (Ibrahimi), Ati ynë i fesë. Kjo nuk guxon të tretet në harresë dhe nga kjo e vërtetë e përbashkët dhe e pranueshme nga të gjitha palët duhet të përshkohemi gjithmonë me ndenjë gëzimi, duke ditur që dikur motit, tashmë kryehershëm, kishim dhe kemi një zanafillë. 

Po çka i bashkon të krishterët shqiptarë dhe islamë? Ne takohemi qenësisht dhe jetësisht në shkronjën Gj: jemi të një gjaku! Përpiqemi në shkronjën SH: jemi shqiptarë. Me rrënjën e kësaj fjale kemi emrin e pakufishëm gramatikisht: Shqiptaria, shprehje e shumëpërfolur dhe kurrë e kuptuar sa duhet. Shqiptari, – a,  ndërgjegjja kombëtare si popull shqiptar dhe dashuria për atdheun tonë. «Feja e shqiptarit është shqiptaria» u përdor gjatë në kuptimin se duhet të bëhemi ateistë që mos të kemi përqarje fetare, se feja po dashka të zhduket dhe populli ynë më pastaj do të ketë rehati. Kjo shprehje rrënon mitin shqiptar të tolerancës dhe harmonisë fetare. Gjaku dhe kombi, shqiptaria si ndjenjë kombëtare na bashkojnë në rrënjët tona dhe nuk duhet të tretet Zoti në harresë. 

Alfabeti ynë i begatshëm ka shkronjën T, me të cilën fillon fjala shumë e përfolur dhe e përsëritur TOLERANCË. Shkronja T, na lidh tanimë veçanërisht dhe përmes saj dallohemi nga shumë kombe e grupe etnike që njohin beteja dhe luftime, qoftë dhe sporadike për shkak të besimit. Toleranca do të thotë durim i tjetrit, por durim fetar mund të ketë një besimtar i rryer dhe i rexhur në fenë e vet në një Zot të vetëm nga i cili pret Amshimin dhe lutet për tjetrin që të arrijë po ashtu, ose një ateist për të cilin fetë, por edhe beotkuptimet e tjera nuk çojnë shumë peshë në të gjallët e tij. Toleranca fetare, më shumë se sa durim i thjeshtë, është dhimbje shpirti, kullim i brendshëm gjaku për besimtarin e bindur në fenë që i përket, sepse bindja se feja ime është e verteta dhe që përtej saj nuk ka tjertër, të nxitë edhe në mënyrën më qëllimmirë dhe pozitive për t’u bërë misionar i fesë, për ta përhapur atë gjithandej botës, për t’i ndihmuar tjetrit vëlla, e tjetrës motër që të gjejë të vërtetën. Prandaj këtu shpesh, qoftë me qëllimin më të mirë, qoftë me lajthitje fillojnë radikalizmat dhe përbuzjet e tjerit, emërtimet se tjeri s’ka fe, se beson rrejshëm dhe kot, prandaj duhet ta shpëtoj, t`ia ofroj fenë time “të vërtetë“ qoftë edhe me dhunë, dhe nëse nuk e pranon, ta vras, e ta shpëtoj që mos të besojë më tutje rrejshëm. Por toleranca jonë shqiptare nënkupton diçka ndryshe, islami shqiptar dhe krishterimi do të duhej më parë të mendonin: konvertimet e ndërsjella janë të lejueshme, ato mund të ndodhin, le të ndoshin! për hir të vetë dinjitetit të personit në zgjedhje të besimit, për hir të paqes në kombin që i përksim. Jo rrallë, Kisha katolike ndër shqiptarë u ka bërë ballë akuzave të qarqeve të ndryshme të cilat për t’i aneksuar trojet tona e kanë paraqitur Shqipërinë dhe shqiptarët si të rrezikshëm për shkak të fesë islame. Lufta e fundit rugoviane dhe e UÇK-së është dëshmia më e fresket dhe përkrahja jetike që Kisha jonë katolike i ka bërë besimit islamë ndër shqiptarë. 

Tani, që mos të lëndonim besimtarët në përgjithësi, mund të shtronim pyetjen se çka na bashkon si besimtarë? Kush është besimtari. Kjo fjalë do të duhej të ishte sinomim për fjalët: i mirë, i drejtë, i mëshirshëm, i butë, i urtë, dorëdhënës, por edhe atdhetar, e të tjera. Sot fjala besimtar është shndërruar në fjalët: i rrezikshëm, i zorshëm, i pakuptimtë, rrënues, shkatërrues. Ateistët, filozofët dhe mendimtarët e tjerë shqiptarë i bashkon universalizmi botëror, humanizmi, pikëpamjet politike dhe shoqërore, disa sish dikur dhe ndoshta dhe tani pjesërisht, mund t’i ketë bashkuar iternacionalja komuniste, ideologjia e proletariatit që doli eskstrem kundër njeriut dhe shkaktoi të keqen më të madhe në historinë njerëzore. Po besimtarët islamë dhe të krishterë në çka bashkohen dhe ku gjejnë pikësynimin? Ata pikësëpari dhe gjithmonë duhet t’i bashkojë besimi. Synimi i besimtarit islam është xheneti, parajsa, po ashtu edhe për të krishterin. Besimtarët gjenden së bashku, qoftë edhe me dallime, në ushtrimin e lutjes: lutja kanonike e besimtarit islam është qëndrimi para Hyjit dhe shtrirja para tij. Të krishterët po ashtu gjunjëzohen, ngriten dhe përkulen në kremtimin e Meshës.  

Besimtari islam dhe i krishterë takohen në besimin e tyre në qenësinë e të dyja besimeve: besimi në një Zot! Pastaj në engjëj, në nderimin ndaj Mejremes (Marisë) dhe në veçanti, në respektin ndaj Isait (Jezusit). Kur’ani e nderon dhe lartëson Jezusin, duke i dhënë tituj dhe duke i ngjitur emra të shumtë. Studiues të shumtë bëjnë të ditur që emri në orient nuk është tingull dhe tym, por koncentrati dhe identiteti i emërbartësit. Isai në Kur’an: përmendet rreth 25 herë, dhe ndër këto përmendjeje 16 herë si “I Biri i Marisë” (Īsā ibn Maryam). Jezusi në Kuran është “Fjala e Hyjit” (kalima minAllāh), “Shpirt nga Hyji” (rūh min Allâh). Jezusi është njeri “i ndershëm”(sālih) dhe “i bekuar”(mubārak), i zgjedhur nga Perëndia si “profet”(nabī) dhe “I dërguari”(rasūl), i cili me vete sjell një shpallje. Ai është besimtar shembull dhe shembullor (mathal) dhe “shërbëtor i Perëndisë” (abdAllāh). Në Medinë, Jezusi do të emërohet me emrin e vërtetë, me emrin e vet (personal): Jezusi Krisht (Jezu Krishti ose Jezus Krishti). Përfundimisht në suretë mediniane, në suretë që kanë prejardhjen nga Medina, Kur‘ani e quan Jezusin “Mesia”(al-masīh). Jezusi në Kuran (në suretë: 3,45; 4,157.171; 5,17.72.75; 9.31) tetë herë quhet: “Mesia Jezus, Biri i Marisë” (al-masīh Īsā ibn Marya). Për Jezusin flet dhe një literaturë tjetër e bollshme letrare dhe mistike islame, nga del që, Jezusi, veçanërisht këndshëm, përmendet si biri i Marisë. Këto përshkrime janë në të vërtetë të bukura, poetike dhe vargje mistike. Një ndër to, thotë: Tha Jezusi biri i Marisë: Lum ai që gjuhën e vet e vë në peshtaf, i mjafton shtëpia e vet dhe vajton mëkatet e veta (Ibn Al-Mubârak, † 797, në Kitab al-zubd, 40-1, n. 124). 

Vetë Maria zë një vend të veçantë në Kur’an dhe është në përgjithësi i vetmi personazh femër që, duke u përmendur, gëzon nder në Ku’ran.  

Pra, sa shumë na bashkon Bibla dhe Kur‘ani, prandaj Krishlindjen dhe Pashkët duhet t’i kremtojë bashkë! Na mbetet të respektojmë e të nderojmë edhe shpjegimet teologjike përkatëse, por mbi gjithçka kemi nevojë ta shtojmë besimin tonë në Zotin, të rrisim me dashurinë tonë dinjitetin dhe madhështinë që ka Njeriu si krijesë e Hyjit, t’i mësojmë të gjithë njerëzit, të gjithë e në tërësi shqiptarët ta besojnë emrin e Hyjit Perëndi dhe vetëm atij tij t`i përkulen në krenari për kombin dhe popullin që i përkasim. 

*Shkrimi u dergua enkas per redaksine e Diellit. Faleminderit Don Prend Kola! 

dhjetor, 2020 

Toronto, CA 

Filed Under: Featured Tagged With: Don Prend Kola, Krrishtlindja

PRESIDENTI RUGOVA PARA 15 VITESH…

December 23, 2020 by dgreca

PAVARËSIA E KOSOVËS, E PADISKUTUESHME DHE OBJEKTIVI KRYESOR/

-“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës… Pavarësia është e padiskutueshme”, deklaronte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova para 15  vitesh, në 23 Dhjetorin 2005, në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës/

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/

-Sot shënon 31 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2020/ Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 15 vitesh Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.

“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.

Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.


Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…

Lidhja Demoratike e Kosovës shënon sot 31 vjetorin, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Ishte koha kur po para 31 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugovau zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 116 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, Para 15 Vitesh, Presidenti Rugova

VITI I MBRAPSHTË QË LAMË PAS DHE URIMI PËR VITIN E RI

December 23, 2020 by dgreca

NGA DR. RUKI KONDA/

Viti 2020 u prit me gezim nga kushdo, por shume shpejt u përballëm me gjënë e panjohur dhe pothuaj absurde të COVID-19. Shume  gjera ndryshuan në jetët tona natyrisht për keq, si mbyllja totale e paparë më pare, ku çdo gjë ra në një heshtje që të ngjallte pasiguri sikur ndali gjithcka, maska, distancimi nga njerëzit, etj, etj…gjëra  të panjohura për të gjithë . Njerëzit  vetë krijuan ngjarje online, artistet dhanë aq shumë për të motivuar njerzit, për të ringjallur shpresa, për të jetuar jetën ashtu si të vjen, njerezit shpalosen talentet në fusha te ndryshme, mjekesia u përball me situata të panjohura si kurrë më parë.Në prizmin personal e familjar në kete situatë pati dhe gezime si dasma e djalit tim të madh Gazmend me Katie të cilët të vendosur të dy për mos e shtyrë dasmen e realizuan dhe u gezuam shumë , në prizmin shoqeror gezim te madh kam pasur duke ndjekur suksesin e yllin tone shqiptaro kanadez Ana Golja me filmin “ The Cuban”.

Ana Golja, producente dhe aktore e këtij filmi korri një sukses të pa parë, ky film në kohe rekord i kaloi pritshmeritë dhe i hapi kufijtë e mbyllur, u nderua dhe u nominua me plot çmime ku se fundi dhe me çmimin e filmit më të mire të vitit 2020 ndër dhjetë të tille. Nuk është  rastesi që kjo vajzë e talentuar e ka nisur karrierën e filmit që kur ishte femije dhe talenti i saj është  zhvilluar  me hapa shumë të shpejtë e kjo falë talentit, punës, vullnetit, perkushtimit të saj, por mbi të gjitha Ana mbart virtyte të çmuara të një  vajze model të brezit të saj , thjeshtesia dhe modestia e saj e lartesojne deri në madheshti. E njoh Anen për më shume se një dekade, e rritur në një familje me virtyte të larta, por edhe e angazhuar në aktivitetet në komunitet që e vogel edhe pse aq e angazhuar në filma ajo kurrë nuk u tha jo angazhimeve me pjesemsrrje direkte në moderim të dhjetra aktiviteteve të muajit të trashegimise kulturore shqiptare në Parlament e në shume aktivitete te tjera te SHBSHK dhe mbare komunitetetit. Për Anen kam aq shume shumë të dhënë, por në këtë prag festash po shkruaj   këto  rreshta në respekt të figures se saj , si perfaqesuese shume e denje e ketij breza të ri, të suksesit madhor që ka arritur me mbeshtetje absolute të familjes së saj e sidomos nënës  së saj Ardiana Golja që është  dhe mentore e saj . Dy vjet më pare me ftese të Dives Inva Mula ajo mori pjesë në festivalin e 57 të kenges në RTSH krahas gjigandit të skenes Viktor Zhusti ku shfaqi gjithë  talentin, elegancen , profesionalizmin, thjeshtesine e me të drejte u cilesua si imazhi I ri I festivalit e dikush në shkrim e quajti si fituesja e ketij festivali, për fat këto kujtime na i risolli në memorje fb e që është bukur kur vijne në kujtese këto  gjera kaq të bukura . Ndermjet këtij shkrimi të thjeshte duke dhënë modelin e suksesit të Ana Goles në kohe pandemie ju uroj të gjitheve nje vit te mbare e të shendetshem për vitin 2021, suksese të gjitheve shqiptareve kudo ku jane.

 Gezuar VITI I RI 2021!

Gezuar KRISHTLINJEN!

Filed Under: Featured Tagged With: Ana Golja, Dr. Ruki Konda, Urimi per Vitin e Ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT