• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2021

SHKOLLA SHQIPE, RIKTHIM NË VATËR

January 11, 2021 by dgreca

NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE”CHILDREN OF THE EAGLE” RIKTHEHEN NË VATËR/

Mjediset e Vatrës të Dielën e 10 Janarit 2021 u rihapën sërish për nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” nën drejtimin e Drita Gjongecaj. Për shkak të Pandemisë, mësimet që patën filluar këtu që në shtator 2020, ishin ndërprerë nën nëntor për pak kohë për t’u zhvilluar online. Të Dielën mësimi nisi sërish fizikisht dhe do të vazhdojë për cdo të Dielë, duke filluar nga ora 2.00 pm.

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” përherë ka qenë e lidhur më Vatrën, edhe kur nuk zhvilloheshin mësimet këtu, mësueset dhe nxënësit e kanë vizituar Vatrën për t’u njohur me historinë e Vatrës, gazetës Dielli dhe shqiptarëve të Amerikës prej më shumë se një shekulli.

Kujtojmë se po në Vatër është organizuar edhe Seminari i shkollave shqipe.

Shënim: Fotografitë janë marër nga arkivi I Diellit.

Filed Under: Histori Tagged With: ”CHILDREN OF THE EAGLE”, Drita Gjongecaj

ZGJEDHJET E 14 SHKURTIT 2021- REGJISTRIMI I VOTUESVE JASHTË KOSOVËS

January 11, 2021 by dgreca


Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka,  me gazetarin Behlul Jashari, tani korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI/

-Njoftim nga mbledhja e KQZ-së: Periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë/

 PRISHTINË, 11 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ *

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike të cilat do të çertifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Sipas KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 934 mijë e 831 euro, pra 0.5 euro për votues të regjistruar. Vendimi i KQZ-së mbështetet në të dhënat e listës jopërfundimtare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 1 milion e 869 mijë e 662 votues.

Në vazhdim të mbledhjes, u njoftua se periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar, në orën 18:00, sipas kohës në Kosovë.

Po ashtu, lidhur me këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim.

Sipas vendimit të KQZ-së:

I.                    Prej një e-mail adrese, aplikuesi mund të aplikojë për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër;

II.                 Në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari;

III.               KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit;

IV.               Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet;

 QEVERIA KA NDARË MJETE SHTESË PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME

PRISHTINË, 11 Janar 2021-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Kryeministrit Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike, mbledhjen e 56-të me radhë,  në të cilën ka miratuar ndarjen e mjeteve shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me 14 shkurt 2021.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për alokim të parakohshëm në të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej  165 mijë e 850 euro.

Kjo ndarje bëhet sipas kërkesës së datës 08 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa mjetet e ndara do të merren nga kategoria buxhetore e Shpenzimeve të Paparashikuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Ligjin e Buxhetit për vitin 2021, ka të ndara në programin e zgjedhjeve shumën prej 8 milionë e 51 mijë e 575 euro, të cilat mund të përdoren për përmbushjen e këtij obligimi. Në përputhje me këtë vendim, puna jashtë orarit të rregullt për punonjësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kalkulohet dhe paguhet sipas legjislacionit në fuqi, nga ndarjet aktuale buxhetore në kategorinë paga dhe shtesa.

*Foto –Arkiv- gjatë një interviste: Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka,  me gazetarin Behlul Jashari, tani korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI

Filed Under: Politike Tagged With: Kosove, Zgjedhjet e 14 Shkurtit

Diaspora dhe Zgjedhjet në Kosovë

January 11, 2021 by dgreca

– Diaspora do të votojë nga 2 deri më 12 shkurt-

Shqiptarët e Kosovës jashtë vendit do të votojnë për herë të dytë në zgjedhjet në Kosovë. Për zgjedhjet e 14 shkurtit, votimi me postë prej tyre është parashikuar të bëhet nga 2 deri në 12 shkurt.

Ndërkohë regjistrimet për qytetarët e Kosovës jashtë vendit do të bëhen nga data 13 janar deri më orën 18.00 të 21 janarit.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani shpërndau legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt.

Në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se Qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës sepse Qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.(Kortezi-Gazeta Diaspora Shqiptare)

Filed Under: Kronike Tagged With: diaspora, zgjedhjet ne Kosove

KUJTESA-Imzot Mark Sopi (1938-2006)

January 11, 2021 by dgreca

– në përvjetorin e 15-të të vdekjes-11 Janar 2006-11 Janar 2021-/

Nga Don Lush Gjergji/

Jeta dhe vepra/

Imzot Mark Sopi, lindi në Binçë më 26 shkurt 1938. Pas shkollës fillore në Viti, gjimnazit klasik në Pazin të Kroacisë, studimet filozofike dhe teologjike i kishte filluar në Zagreb dhe përfunduar në Romë.Shugurohet meshtar në Romë, më 29 qershor 1968.  Don Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës dhe Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pati thënë në mënyrë profetike:“Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj i famullisë dhe së fundi i familjes… Ndero të parët dhe ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia dhe historia…”.        

Pesë vitet e para të meshtarisë ishte famullitar në Ferizaj dhe sekretar i Imzot Nikë Prelës. Gjatë viteve 1974-1991 famullitar në Zllkakuqan, me shërbime të palodhshme në çdo kuptim dhe drejtim: baritor, bamirës, organizativ, ndërtimor, për objektet kishtare, përgatitjen për themelimin e dy famullive të reje, të Klinës dhe të Budisalcit, në pajtimet e gjaqeve…

Ishte edhe intelektual i mirëfilltë dhe punëtor i palodhshëm nëpër revista të ndryshme, sidomos “DRITA” e Ferizajt dhe “Vëgim drite” të Durrësit. Si fryt i kësaj pune ka dhuruar këto botime: “Baca Kolë dhe famullitari”(1995), “Martirët e Karadakut”(1996),” Koncilet ekumenike” (2000) dhe “Shën Luçia”  (2003).

Papa Gjon Pali II. e emëroi ipeshkëv të Kosovës më 23 nëntor 1995, pas shërbimit katërvjeçar në Durrës, dhe më vonë e shuguroi në Vatikan më 6 janar 1996. Udhëheqjen e Ipeshkvisë e mori në Prizren, më 18 shkurt 1996, me plot flijim, kujdes dhe përkushtim, e udhëhoqi deri në ndërrimin e jetës, më 11 janar 2006.

Tiparet vepruese dhe dalluese

 Nga jeta dhe profili i tij ka shumë tipare vepruese dhe dalluese, unë do t’i theksoj vetëm disa.

Parimor dhe guximtar në çdo rrethanë të jetës dhe të veprimit, para, gjatë dhe pas Luftës së vitit 1999. Ishte Bariu i Mirë i grigjës së besuar, jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, sidomos atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombëtarët, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e përbashkët, për t’i ngushëlluar të pikëlluari dhe ndihmuar të varfëritë, për të qenë aty ku njerëzit tanë vuajnë, ishin të goditur dhe kërcënuar.

Me qëndrime të qarta dhe largpamëse, me zemër të madhe dhe bujare për të varfër dhe nëpërkëmbur. Gjithnjë në kërkim për shërbimin e Zotit, Kishës sonë, në çështje shoqërore, kulturore, arsimore, sidomos në mishërimin e jetës dhe të veprës së Nënës Tereze në traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë.

Ëndrra e tij jetësore ishte ndërtimi i Shenjtërores – Katedrales së Nënës Tereze në Prishtinë, si fanar në detin tonë të trazuar, si dhe zgjidhja fatlume e çështjes së Kosovës.

Posaçërisht, dua të theksoj aftësitë e tija për komunikim me të gjithë, me përfaqësues të huaj në Kosovë apo gjetiu, për paraqitjen dhe mbrojtjen e çështjes sonë madhore dhe për të mirën e përbashkët.

Me një fjalë, Imzot Mark Sopi ishte njeri urëlidhes mes skajshmërive, veprues në çdo kënd dhe vend, flijues për të mirën e të gjithëve, me gjakftohtësi dhe me urti, me fe të gjallë, shpresë të ngultë dhe dashuri flijuese dhe dhuruese për Zotin, për Kishën, për popullin Shqiptar, për të gjithë.

Imzot Mark Sopi fill pas rrënimit të diktaturës në Shqipëri, së bashku me Mons. Damjan Kurti, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer këtë Kishë dhe Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurinë flijuese dhe dhuruese.

Testamenti shpirtëror i Imzot Mark Sopit

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” ( Gjn 11, 25-26).

Jezusi na pyet edhe ne sot, siç e pyeti dikur Martën: “A e beson ti këtë?”. “Po, Zotëri! Unë besoj se Ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhej të vijë në botë!” (Gjn 11, 26-27).

I vdekuri jeton dhe flet, për ne që besojmë në Zotin, në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtin, në jetën e pasosur. Pra, Imzot Mark Sopi është i gjallë ndër ne, jo vetëm në  mendje dhe në kujtime, por para së gjithash në Zotin, në pritje të ngjalljes së trupit dhe në jetën e pasosur.

Kjo është zanafilla e fesë së krishterë,  Kishës Katolike, Imzot Mark Sopit, feja jonë që na ka mbledhur rreth Sofrës së Krishtit  në dhjetëvjetorin e kalimit të tij në amshim. Është rast i mirë që edhe ne të forcohemi në fe, të ngjallemi në shpresë dhe të ndizemi në dashuri, për Zotin, për Kishën, për njëri-tjetrin, t’i zgjojmë ndjenat e nderimit dhe të falënderimit ndaj Kishës dhe barinjve të saj që na kanë udhëhequr në rrugën e shëlbimit.

Në këtë shtyllë Imzot Mark Sopi e ka ndërtuar jetën  tokësore dhe veprimtarinë e tij baritore, në personin e Jezu Krishtit, të mishëruar, të vdekur dhe të ngjallur, si burim i pashtershëm feje dhe dashurie, si mundësi konkrete për dëshminë e krishterë.

Pa këtë lidhje dhe trinom  Jezu Krishti – Kisha – Populli Shqiptar, ne s’mund ta kuptojmë, shpjegojmë dhe zbërthejmë jetën dhe veprimtarinë e Imzot Mark Sopit ndër ne, me ne dhe për ne,  rrezikojmë ta cungojmë apo edhe të japim  interpretime të njëanshme dhe të gabuara për të.

Imzot Mark Sopi ka jetuar dhe vepruar për Krishtin e ngjallur,  ka besuar, predikuar dhe dëshmuar gjithnjë ngjarjen kulmore të ngjalljes së tij, si fitore jona,  është frymëzuar dhe flijuar për Atë. Krishti i ngjallur  është shpërblim  më i madh i tij në amshim.

Njësia e dytë e jetës dhe veprës së tij ishte pa dyshim Kisha katolike, si “Mësuese dhe Nënë”, të cilën ai e ka dashur dhe shërbye me tërë qenien e tij njerëzore dhe të krishterë. Pra, Krishti dhe Kisha  ishin dy binaret e jetës, të cilat ai kurrë nuk i ndau dhe harroi, por me mendje dhe me zemër i pranoi dhe përqafoi duke i shërbye deri te ofshama e fundit të kësaj jete.

Shpesh thoshte kështu: “Tash Kisha jonë e stërlashtë dhe martire, ka gjasa të lulëzojë, pas dimrit kaq të rëndë dhe të gjatë shekullor. Ne duhet t’i rrimë gati “arës së Zotit”, ta përgatisim dhe mbjellim sa më mirë. Zoti do të bëjë të rriten të korrat…”.

Sot mund të themi se pati të drejtë. Frytet e para të kësaj “pranvere” shihen dhe hetohen dukshëm kudo ndër ne.

Kishte njohuri, nderim dhe admirim, dashuri të madhe për paraardhësit tanë, “Martirët e Karadakut”, që i kishte studiuar nëpërmjet dokumenteve të arkivit “Propaganda Fide” në Romë,  si model i jetës  dhe dëshmisë së krishterë.

Ishte i lidhur qenësisht me Popullin tonë Shqiptar në të mira dhe të vështira, gjithnjë në shërbim dhe flijim të të gjithëve, pa dallime dhe përjashtime. E Lumja Nëna Tereze ishte hallka dhe unaza që i lidhte këtë trinom, Krishtin, Kishën, Popullin Shqiptar, gjithnjë nën ndikimit e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

Imzot Mark Sopi Nënën Tereze e pati takuar në Romë gjatë studimeve, dhe që nga ajo kohë lidhja kurrë nuk ishte ndërprerë. Atë  e ka pasur si model të përsosur të jetës së kushtuar, si fryt të Kishës tonë martire, dhe si përfaqësuese të denjë të Kishës dhe Popullit Shqiptar në botë, tash edhe në amshim. Në vizitat e saja nëpër Kosovë dhe në Shqipëri, ishte së bashku me Nënën Tereze, duke e  pranuar dhe përcjellë,  po ashtu edhe këtu në famullinë e Zllakuqanit. Ishte shumë i gëzuar dhe i lumtur në pjesëmarrjen e lumturimit të saj në Romë, më 19 tetor 2003, edhe pse kishte disa halle shëndetësore.

Jo rastësisht dha shpirt në Prishtinë, gjatë një bisedimi në Komunë rreth ndërtimit të Katedrales dhe Shenjtërores së saj, më 11 janar 2006. Pra, dëshira, testamenti i fundit i Imzot Mark Sopit, ishte i ndërlidhur me Nënën Tereze, ndërtimin e Kishës dhe Katedrales me emrin e saj, me jetën dhe porosinë e saj për ne dhe për botën.

Tash, shpresoj dhe uroj, që së bashku ta shijojnë amshimin e lumtur në parajsë dhe të luten e të ndërmjetësojnë për ne, për Kishën dhe Popullin tonë./Kortezi- drita.info

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 vjet nga Vdekja, don Lush Gjergji, Imzot Mark Sopi

JOE BIDEN-DY VIZITAT NË KOSOVËN E PAVARUR…

January 11, 2021 by dgreca

-…AMERIKA, GJITHMONË PËRKRAHJE…/

-Kosova pret që miku i madh Joe Biden ta vizitojë tashmë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas dy vizitave si Nënpresident në Maj 2009 dhe në Gusht 2016, në të cilat solli mesazhe të fuqishme përkrahëse: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm” dhe “Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”…

Gazeta DIELLI-Speciale nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

????????????????????????????????????

PRISHTINË, 10 Janar 2021/ Kosova pret që miku i madh Joe Biden ta vizitojë tashmë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e uron për zgjedhjen edhe duke përkujtuar dy vizitat si Nënpresident, të parën pak më shumë se një vit pas shpalljes së Pavarësisë.

Në 20 maj 2009 raportoja se,  Kosova pret në festë Zëvendëspresidentin Amerikan, Joseph Biden në vizitën e nesërme të vlerësuar historike nga institucionet e vendit dhe populli, ndërkohë që përgatitjet për mikpritjen e mirëpritjen e madhe shihen kudo në Prishtinë , kryeqytetin e shtetit më të ri në botë.
Më tej, mes tjerash, theksoja se, në orët e pasditës së sotme, derisa punëtorët komunal të kryeqytetit kishin përfunduar punët në stolisjen e shesheve dhe rrugëve me flamuj të SHBA-ve dhe të Kosovës dhe në vendosjen në bilborda të fotografive të mëdha të Zëvendësprsidentit Amerikan Biden bashkë me përshendetjet e mirëseardhjes.
Ndërsa , në ditën e vizitës, në 21 Maj 2009 raportoja:

21 MAJ 2009 – ZËVENDËSPRESIDENTI AMERIKAN BIDEN NË VIZITËN E PARË NË PRISHTINË: NJOHJA E PAVARËSISISË SË KOSOVËS PËRBËN PROCES TË PAKTHYESHËM


Zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden sot në Prishtinë në takim me drejtuesit më të lartë të vendit ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së se pavarësia e Kosovës përbën proces të pakthyeshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm. Kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai pas takimit me Presidentin Fatmir Sejdiu e Kryeministrin Hashim Thaçi.

“Së dyti, një Kosovë e tërë dhe e bashkuar është kusht minimal, për aq sa i përket qëndrimit të SHBA-ve. Një Kosovë e Bashkuar dhe e pandarë është absolutisht kusht esencial dhe themelor”, theksoi Biden.

“Gjëja e tretë që dua ta potencoj është se mendoj se qeveria ka arritur një progres të konsiderueshëm gjatë vitit të parë. Progresi që qeveria e ka arritur brenda një viti është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se një element qenësor i suksesit të vazhdueshëm të qeverisë dhe i faktit që kjo qeveri është përqafuar nga bota është natyra vërtetë shumetnike e kësaj shoqërie, e këtij vendi dhe e kësaj qeverie”, tha Biden.

“Dhe unë jam i bindur se përkushtimi për këtë është i vërtetë dhe njëmend i përhershëm. Për aq sa të ekzistoj ky përkushtim, do të ekzistojë edhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, vijoi ai.

“Gjatë udhëtimit tim në Bosnjë, Serbi dhe tani në Kosovë, unë kam thënë se ky është një rast historik. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve evropiane kanë ëndërruar një Evropë të tërë, të bashkuar, të lirë dhe në paqe. E vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze – ndonëse më herët thashë paqe – e vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze apo tërësie është që, për herë të parë në historinë e tij, Ballkani të ketë rast të jetë tërësisht i integruar në BE. Kjo është mundësia që ne e kemi tani, ky është qëllimi i SHBA-ve, ky është qëllimi i këtyre liderëve dhe ky është qëllimi i – kujtoj unë – pothuaj të gjithë liderëve të rajonit. Kur kjo të ndodhë, ëndrra që ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhet realitet”, theksoi Zëvendëspresidenti Bajden.

Në vizitën e parë në Kosovë pas shpallljes së pavarësisë Biden tha se për të kjo ishte një ditë vërtetë e mrekullueshme.

“Bazuar në përvojën tonë, kur një vend është demokratik dhe kur është i bashkuar me vendet e tjera demokratike, të gjitha gjërat që e kanë pllakosur atë vend në të kaluarën tejkalohen dhe ofrohet një mundësi më e mirë për një të ardhme më të ndritshme, kështu që unë jam optimist. Jam optimist dhe edhe njëherë dua ta falënderoj qeverinë për mikpritjen dhe dua t’ju tregoj se sa kisha kënaqësinë të kthehesha në një Kosovë që po ndërtohet dhe zhvillohet. Pash njerëz nëpër rrugë që po buzëqeshin. Gjersa po fluturoja për në aeroport, pashë çati të shtëpive të tjera, të reja; pashë përparim, pashë se njerëzit po ecnin para. Për mua kjo është një ditë vërtetë e mrekullueshme, që pata rastin të kthehem. Dhe unë u jam shumë mirënjohës, jo vetëm qeverisë, por edhe tërë popullit të Kosovës”, përfundoi Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Biden.

Ndërsa, që në fillim të fjalës së tij, Zëvendëspresidenti Biden falënderoi për nderimin e tij nga Presidenti Sejdiu me Medaljen e Artë të Lirisë, duke e quajtur këtë si një nga nderet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë, raportoja, mes tjerash…

***

Në Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare në Kosovë të NATO-s së prirë nga Amerika në 12 Qershorin e vitit 1999, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.

Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:

“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 Qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.

22 Maj 2009: KOSOVË – AMBASADA E SHBA: BIDEN, I PREKUR NGA TË SHPREHURIT MASIV TË DASHURISË DHE RESPEKTIT

Në 22 Maj 2009 raportoja: Ambasada Amerikane në Prishtinë falënderon popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrojhtë dhe zemërgjerë për Nënkryetarin SHBA-ve, Joseph Biden, gjatë vizitës në Kosovë, duke theksuar ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit.

“Ambasada e SHBA-ve dëshiron të falënderojë popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrohtë dhe zemërgjerë që ia ofruan Nënkryetarit Biden me 21 Maj. Gjersa Nënkryetari nuk pati mundësi të takohet personalisht me gjithë ata mijëra njerëz që shfaqën entuziazmin e tyre duke u rreshtuar pranë rrugëve të Kosovës, ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit”, thekson deklarata e kumtuar nga Ambasada Amerikane.

“Kërkojmë falje për çdo vështirësi të shkaktuar nga mbyllja e rrugëve dhe masave tjera të nevojshme që ishin të lidhura me vizitën”, shtohet në kumtesë.

JOE BIDEN NË VIZITËN E DYTË, 17 GUSHT 2016: KOSOVA DO TË KETË GJITHMONË PËRKRAHJEN E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Në vizitën e dytë në Kosovë Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrti në mbrëmjen e 16 Gushtit 2016, i pritur në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore, me nderimet më të larta e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Presidenti i Republikës Hashim Thaçi ka pritur në Aeroport Nënpresidentin Joe Biden dhe familjen e tij, siç është shprehur, për t’iu uruar përzemërsisht mirëseardhjen miqve të përjetshëm të Kosovës. “Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur Presidenti i Kosovës.

“Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE”, ka theksuar Thaçi duke shprehur falënderim.

Në pritjen në Aeroport të Nënpresidentit Amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituse e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medale olimpike të Kosovës shtet. 

Në Prishtinë, në 17 Gusht 2016, Nënpresidenti Amerikan Biden zhvilloi takime dypalëshe me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa.

“Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”, deklaroi  në konferencë për shtyp pas takimeve Nënpresidenti Amerikan Joe Biden.

“Kosova ka shënuar progres dhe ka marrë njohje më të mëdha globale. Jeni në një pozitë ku bota po ju njeh po ashtu jeni duke bërë përpara nën emrin tuaj dhe duke garuar me flamurin tuaj”, tha Nënpresidenti Amerikan Biden në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Kosovar Thaçi.

“SHBA do të qëndrojë përkrah Kosovës sepse ne besojme tek ajo. SHBA ka dhënë 2 miliardë dollarë ndihma dhe do vazhdojmë të ndihmojmë më tej Kosovën”, theksoi, mes tjerash, Nënpresidenti Amerikan Joe Biden.

Po në 17 Gusht 2016, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, Nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden ishin për vizitë afër Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” për të marrë pjesë në cermoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III.

Për këtë, në 17 Gusht 2016 në raportimin në Gazetën DIELLI  theksoja:

NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN

Në Kosovë, emrin e Beau Biden, djalit të ndjerë  të Nënpresidentit Amerikan Joe Biden e mori sot rruga 35 kilometërshe që lidh dy qytete, Ferizajn e Gjilanin.“Ky është një moment i ëmbël, por edhe i hidhur, pasi po këtu në këtë vend isha me Beau para disa viteve”, tha nënpresidenti amerikan dhe shprehu falënderimet e tij dhe gjithë familjes Biden,  në fjalën e mbajtur në ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës dhe drejtuesit e komunave.

Beau Biden ka ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015. Beau Biden, ka punuar në Kosovë në vitin 1998-99 pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSCE).Beau Biden ishte edhe Prokuror i Përgjithshëm në Delaware ndërsa për një kohë kishte shërbyer edhe me Forcat Amerikane në Irak.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Dielli, Dy vizitat e Joe Biden

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT