• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2021

SH.B.A:“Biden-Harris Victory”: nji hap drejt “ …a more perfect union!”

January 28, 2021 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, PhD. /

Ridgefield, CT.”Ne, Populli i Shteteve të Bashkueme, me Qellim të formimit të nji Unioni ma të persosun”(theksi im)…. lexohet në fjalinë e parë të Preambulës së Kushtetutës Amerikane të shkrueme ma shumë se dyqind vjet ma parë. 

      Tue interpretue këte shprehje, Zonja Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqsuesve të SH.B.A-s shkroi, me 2 korrik 2017: 

     “Themeluesët (e shtetit tonë) e kuptuen se Kushtetuta do të ishte ma shumë se nji strukturë ligjore. Kushtetuta do të ishte shprehja  themelore e aspiratave tona si popull dhe si shtet….nepërmes kuadrit (kushtetues) çdo brezëni  Amerikane punon të jemi sa ma afër ”…nji unioni ma të persosun”. (Theksi im!) Fitorja e ekipit “Biden-Harris Victory” ashtë nji hap përpara drejt qellimit: nji unioni (bashkim shtetesh) ma të përsosun!

    Ky besim i patundshëm për ma shumë se dy shekuj, u thye me datën 6 janar 2021 nga nji turmë pa tru dhe rrebelë pa kauzë, e nxitun nga askush tjetër por vetë Presidenti i Amerikës, Donald J.Trump, Jr. i mundun keqas në votimet e fundit dhe tani jashtë Shtëpisë së Bardhë. Shtypi amerikan doli me tituj të mëdhej: TRUMP INCITES MOB.(Trumpi nxitë rrebelët) Ai bani thirrje: 

    “Na do të shkojmë (në Capitol Building) dhe unë do të jemë atje bashkë me ju, na do të ecim deri atje në Capitol Building dhe do të duertrokisim senatorët guximtarë dhe deputetët , e zonjat, dhe ka mundësi që na nuk do të duertrokisim për shumë kohë për disa prej tyne….. Sepse ju nuk do të merrni në duert tueja atdheun tuej me dobësi. Ju duhet të tregoni forcë. Na jemi tue kerkue që Kongresi të baj atë që ashtë e drejtë, dhe vetëm  zgjedhsit e zgjedhun ligjërisht, të zgjedhun ligjërisht…..Na do të luftojmë. Na do të luftojmë deri në fund. Sepse në se ju nuk luftoni ju nuk do të keni nji atdhe përsëri. Shkoni në Capitol, dhe luftoni pa frikë deri në fund; përndryshe do të mbeteni pa atdhe”. Presidenti Trump me gjithë premtimin e dhanun nuk doli nga Shtëpia e Bardhe….!(Theksi im) Turma pa tru u nis dhe lojalistët e ish-Presidentit u drejtuen kah Capitoli. 

   Reagimi i popullit amerikan ka qenë i shpejtë dhe pa rezerva: ata hodhën poshtë “gënjeshtren e madhe” që lëshoi ish Presidenti rebel për vjedhjen e votave; prodhimi i imagjinatës tij të smurë krijoi huti në fillim, por vendosmëni në udhëheqje. Zonja Pelosi, u shpreh:

     ”Presidenti i Shteteve të Bashkueme ka nxitë kryengritjen, Kjo lëvizje ashtë rebelim i armatosun kundër vendit tonë të perbashkët. Ai duhet të largohet. Ai ashtë nji gënjeshtar, dhe nji rrezik edhe sot për këte komb që na të gjithë e duem. I them këto fjalë me dhimbje në zemër”. Me këte deklaratë ajo kërkoi fillimin e procesit për “impeachment”(akt paditës) dhe denimin e ish Presidentit Trump për herën e dytë.

   Nji mendje e ndritun, filozofi amerikan, Timothy Snyder, autor i nji analize magjistrale të botueme ne The NYT Magazine të datës 17 janar 2021,  shkruen:

   “ …Kur Presidenti Trump foli para ndjekësve të tij me 6 janar (2021) dhe kërkoi nga ata me marshue drejt Capitolit të Shteteve të Bashkueme, ai veproi ashtu si ka ba gjithëmonë. Ai nuk e shikoi demokracinë elektorale seriozisht, as pranoi legjitimitetin e versionit (demokratik) amerikan. Këtu ashtë baza e mendimit politik të Donald Trump. Mospranimi ose mosrespektimi i sistemit demokratik, nxitën atë në formimin e nji sistemi të imagjinuem nga ai”. Këtu del personaliteti i tij si narsicist ekstrem, gënjeshtar patologjik, i uritun për pasuni dhe hakmarrës…. 

    Nga ana politike, kryetari republikan i Senatit, Mitch McConnell  deklaroi para Senatit: “ Turma e pa tru u drejtue nga gënjeshtra,…. {Rrebelët) u provokuen nga Presidenti dhe nga personalitete tjera të fuqishme. Këta u përpoqën me shfrytëzue frikën e dhunën që synojshin me parandalue procedurën specifike të degës së parë (Dhomës) të Qeverisë Federale, që ata nuk e duen….” 

     Amerikanët kanë durue shumë me përkrahjen e tyne për “shpirtin e Amerikës”. Por beteja “për shpirtin e këtij kombi” vazhdon, dhe miljonët e Amerikës sot presin që Administrata e re Biden-Harris dhe Kongresi 117-të t’I jap fund njiherë e përgjithëmonë aventurave të  rrezikshme!

   E gjitha kjo katrahurë vetëm për nji “gënjeshtër të madhe”!

   Cila ishte “gënjeshtra e madhe?” Ish Presidenti Trump refuzoi me pranue rezultatet e zgjedhjeve presidenciale te 3 nandorit 2020 menjiherë mbasi Komisioni Qendror i zgjedhjeve njoftoi se ish N/Presidenti Biden kishte fitue  7 miljonë plus vota ma shumë se kundërshtari i tij Trump. “Na kemi fitue”, deklaroi Trump publikisht, “dhe pala tjetër ka mashtrue dhe manipulue. Prandej unë nuk pranoi.” 

    Reklamimi i Trump-it nuk ka asnji fakt që e justifikon. Ashtë thjesht gënjeshtër!

    E gjithë kjo pa asnji fakt konkret, as dokument. Votimet e nandorit  2020 konsiderohen nga ekspertët si ma të rregulltat dhe ma të besueshmet që njihen në Amerikë. Rezultatet u aprovuen nga të gjitha Dhomat e Perfaqsuesve dhe Senatet e 50 shteteve amerikane. Trumpi insistoj në rinumrimin e votave në disa shtete. Edhe kjo kerkesë u pranue dhe rezultatet nuk treguen nji ndryshim. Ma shumë se 90 ankesa janë paraqitë para Gjykatave Federale Amerikane, dhe asnji prej tyne nuk ashtë pranue. Edhe Gjykata Supreme e Amerikës hodhi poshtë kërkesen republikane me formulen “without merit” (pa merita). 

    Trump vendosi me përdorue forcen. Demonstratorë të  bindun planifikuen akte terroriste. U vendos që Governatorja e shtetit Michigan, dhe ai i shtetit Virginia, të “grabiten” të izolohen në nji pyll, dhe të ekzekutohen ”nga populli” nji trajtim qe na kujton ish diktatorin italian Mussolini i ekzekutuem me kokë poshtë, dhe ish udhëheqsin rumun Çaushesku dhe zonjën e tij dhe përfundimin e tyne tragjik. Për fat të mirë FBI zbuloi komplotet dhe arrestoi nji numër aktivistësh “trumpistë”. Kjo nuk e pengoi ish-Presidentin me luftue pa kuartier dhe me kerkue mos-certifikimin e fitores së ish N/Presidentit Biden.

     Mbetej edhe akti i fundit: certifikimi i votimeve nga Dhoma e Perfaqsuesve me 6 kallndor. Këtu ndërhyni ish-Presidenti i mundun dhe tentoi “nji grusht shteti” që do të shpërndante Kongresin, dhe, ashtu si flitet, të formohej nji grup i zgjedhun që të deklaronte fitoren dhe marrjen në dorë të pushtetit. Në këte moment ata do të bajshin thirrje Trump-it dhe do ta deklarojshin ate si presidenti legjitim i SHBA-s.

   E gjithë bota ka deshmue pamjet e frikshme të sulmuesve në Capitol Hill. Shumë janë shqetësue dhe me të drejtë. E pabesueshmja ngjau dhe tashti asht nji fakt i pamohueshëm. Demokracia amerikane pësoi nji sulm të papritun për të parën herë në historinë e këtij vendi. Për afër tri orë, “rrebelët” u sollën nepër zyra të Kongresit, tue shkatërrue dyert, dritaret dhe dokumente. Në orën 6:30 të mbramjes Policia dhe ndihma e ardhun dëbuen të gjithë agresorët, pastruen mjediset e damtueme dhe në orën 8:00 të mbramjes, Dhoma e Përfaqsuesve Amerikanë filloj punën e saj në rregull të plotë e simbas programit, dhe përfundoi me certifikimin final  të zgjedhjeve elektorale të 3 nandorit 2020, si dhe deklaroi kandidatin demokrat Joseph R. Biden, Jr. si Presidenti i ardhëm i Amerikës. Mbas këtij “incidenti të urrejtëshëm’ demokracia amerikane tregoi forcën e saj, dhe fitoi përfundimisht.

   Ajo që tërhoqi vrejtjen e veshguesve  kanë qenë dy episode:
e para, N/Presidenti M.Pence, refuzoi urdhnin e Presidentit Trump, me gënjye tue tregue numrin falso të  votimit që do të justifikojshin ”fitoren” e Trumpit. “Kushtetuta kërkon nga unë vetëm numrimin e votave dhe deklarimin publik të numërimit. Asgja tjetër” tha ai Me këte gjest, N/Presidenti Pence  dermoi shpresën e fundit të ish Presidentit për nji “fitore”. Për këte ai u denue nga “rrebelët” dhe u kercënue me vdekje. Dhe, 

e dyta, dhetë republikanë votuen kundër Trumpit. Ishte “thyemja” e parë e“fortesës Trump”!  

    Në nji situatë të këtillë, kryetarja e Dhomës së Përfaqsuesve, Nancy Pelosi, deklaroi se Dhoma planifikonte me demaskue veprimtarinë e Trumpit dhe me kerkue nga Kongresi denimin për herë të dytë (Impeachment)  të fajtorit. Nji akt i këtill nuk do të lejonte ate me kandidue për presidencë ma vonë- nji andërr që ai sot ushqen!.

   Nji sulm kundër Capitolit në Washington, D.C kaloi edhe imagjinatat  ma të ndezuna të nji udhëheqsi, dhe na kujton revolucionet e tetorit 1917, djegjen e Reichstagut me 1933 dhe aktet tjera barbare që kryejnë rrebelët e pakontrollueshëm në raste të këtilla. Kjo klasë injorantësh dhe qellimzezë sulmoi “Katedralen e Demokracisë” me shpresë se me dhunë do të fitonte barbarizmi që i cilëson në perpjekje me mohue fitoren e marrun nga votimet e lira. Demokracia triumfoi!

   Fajtorët pësuen denimin e duhun, u arrestuen dhe do të dalin para gjykatave amerikane. Frymëzuesi i tyne, megalomaniaku Trump do te kalojë në harresë si nji i çmendun që kishte zanë nji vend të pamerituem, dhe nxitës i trazimeve që tronditen opinionin publik, tue shkelë betimin e dhanun solemnisht me mbrojtë dhe mbështetë Kushtetutën. Fatkeqsisht nji oficer policie u vra nga demonstruesët,, dhe katër tjerë vdiqën në rrethana  akoma të pasqarueme.

 * * *

    Të gjitha “kauzët e humbuna” kuptojnë se jeta e tyne mbahet gjallë me gënjeshtra, të mëdha  e të vogla, gënjeshtra që mbështeten nga bindja se kerkohet nji narrativë që mobilizon masat e popujve me veprue me nji politikë dhune, dhe në emën të nji ideologjie. Pak kombe në botë mund të deshmojnë për këte gjykim ma mirë e ma plotësisht se shqiptarët që mbijetuen fashizmin italian, nazismin gjerman, shkombëtarizimin jugosllav, sovietizimin  rus e infiltrimin e maoistëve kinez në ekonominë tonë. Gënjeshtra, gënjeshtra, të vogla e të mëdha….

    Ç’ashtë “trumpizmi” në formën që dëshmuem ne? Argumente për vjedhjen e votave,                                                                           dhe nji fiksion i elaboruem  që lufton me krijue nji “realitet” që nuk ekziston , “an alternative reality”, dhe me mohue “të vertetën” që vritet pa mëshirë sepse “ e parandësi”, dhe e zevendsueme me mendimin e “udhëheqsit të pagabueshëm dhe të padiskutueshëm”. 

     Nji atmosferë ku qytetet e mëdha paraqiten si qendra të korruptueme plot me “zezakë” dhe jo të “bardhë”, që manipulohen nga “elita të bardha”; ku Barak Obama quhet si “nji huej”, nji lëvizje socialiste cakton taksat për ju, e ju nenshtron qeverive të mëdha e të fuqishme, media liberale me shkatërrue familjet dhe vlerat konservative, universitete dhe shkolla që mësojnë për të rinjte nji histori që urren Ameriken, anmiqsi kundrejt  të bardhëve që kercënojnë vizionin e veçante të kombit (i njohun si “exceptionalism”)…dhe çdo tjetër version urrejtje.”Trumpizmi ashtë koshient për ate që urren: liberalizmin, emigrantët, nderhymjet në ngjarjet e jashtëme, e sidomos pluralizmin etnik dhe racor etj.  Asht pergatitja për nji atmosferë “nihilizmi konspirativ” që zakonisht përbuzë arsyen dhe frikësohet nga “ndryshimet” që imponon koha! 

    Sot, Trumpi humbi, por ai dhe rrethi i tij do  të gjejnë mënyra me mbajt prezencën e tyne në Partinë Republikanë,ose me formue nji Parti politike të re, me përgatitë nji shumicë për nji fitore të ardhme: “nacionalizmin kristian”(sic!) dhe klasën e bardhë e të pakënaqun. Andre Higgins i referohet Ambasadorit gjenial amerikan në Moskë, George Kennan, kur shkruen për”…paralajmërimin e fuqisë së madhe që kanë forcat e mshehuna me gënjeshtra të mëdha. Bashkimi Sovjetik (në 1944) ishte nji rast i këtill që ka provue se”… ekzistojnë disa çfaqje shqetësuese në lidhje me qeniet njerëzore”. Sukseset e propagandës sovjetike në vitet e mbas L2B e konfirmon këte gjykim. 

     Unë e kam perjetue në Shqipëri në vitet 1945-46. Ashtë e frikëshme me deshmue shumë individë që bien  viktimë e “kerkesave”  e me besue praktikisht çdo gja, sidomos gënjeshtrën.  Ska randësi që nuk ashtë e vertetë ajo që kerkohet. Për ata që e besojnë gënjeshtra bahet e vertetë: fiton vlerën dhe të gjithë pushtetin që ka ‘e verteta”. Përvoja e Ambasadorit Kennan në Bashkimin Sovietik u çfaq këto vite në Amerikë, nji vend ku  dhjetra miljonë qytetarë “besojnë” të “vertetën e trillueme” nga Trumpi : Kandidati Biden ka humbë votimet në nandor 2020, e se  ai inaugurohet President në mënyrë të  pa ligjshme ….“gënjeshtra e madhe”!  

“Populli nuk dëshiron gënjeshtra; por gënjeshtari do të gjej gjithmonë persona që i lejojnë vehtes me u gënjye” (Macchiavelli, Il Principe) Presidenti i Sllovenisë, J.Jansa, uroi Presidentin Trump për fitore. “Ashtë krejtësisht e qartë që populli amerikan ka zgjedhë  Z. Trump” tha ai, dhe ankohet që “ aktet mohohen nga shtypi kryesor!” (sic!). Peter Kreko i The NYTimes, korrespondent në Budapest, e shef i nji grupi hetimor, shkruen se këto gënjeshtra janë rezultati i “tribal mind-set” që shikon çdo përpjekje si nji ballafaqim në mes të së mirës dhe të së keqes të ngulituna në traditën tribalistike. Kështu përpjekja politike merr  formën e nji lufte dhe kërkon mbështetje pa kondita për udhëheqsin/bajraktarin e grupit tribal. Në se ju flisni kundër  keni “tradhëtue”.                                                                                                                                                                    

   Ajo që ban këte situatë nji gjendje të rrezikëshme nuk ashtë vetëm se tribalizimi ashtë i papajtueshëm me pluralizmin politik dhe politikën demokratike; por “ tribalizmi ashtë nji formë natyrore e politikës. Demokcacia ashtë nji deviacion!”(P.Kreko) “Dobia” e nji gënjeshtre të madhe u provue gjatë shekullit 20 me sloganin se jahudinjwt janë përgjegjës për të gjitha të kqiat dhe dominojnë të gjithë botën. Rezultati i kësaj gënjeshtre monstruoze u vulos për jetë me turp nga krematoret hitleriane dhe gulagët sovjetikë në Siberinë e akulltë- nji turp i përherëshëm dhe I pashlyeshëm për të gjithë njerëzimin!

    Sot, vendi i jonë duhet të ngrihet nji shkallë ma nalt në udhëtimin tonë për nji union (bashkim shtetesh) ma të persosun!  Republika e Shteteve të Bashkueme të Amerikës duhet të ngrihet përsëri në piedestalin e nderit që meriton, dhe të rifitojë admirimin e botës  ashtu si e meriton. Ky ashtë misioni  historik i çiftit Biden-Harris. Nji hap i madh drejt “…nji unioni ma të përsosun”!

   “Barka e demokracisë amerikane u sulmue nga vetë Presidenti Trump. Ajo nuk u tund! Por ky akt vandal na kujton se jemi në nji gjendje ku aksionet me parandalue “sulme” të këtilla kerkojnë gjeste të forta e kuptimplote, dhe sidomos ide të reja, sisteme mendimi të reja. Sot, na duhet të rikujtojmë “kontratën sociale” në mes të  popullit e qeverisë dhe të angazhohemi për idenë e nji atdheu të bashkuem tue i dhanë fund ndasisë së thellë që krijoi presidenti i deshtuem, dhe të mendojmë se sa të lidhun jemi njeni me tjetrin, me kuptue se afrimi në mes nesh ashtë nji domosdoshmeni objektive”. (T. Snyder, Yale U.)

Me 21 janar, Joseph Biden deklaroi publikisht denimin e “supremacisë së bardhë në SHBA” dhe kaloi ne histori si presidenti i parë! Hapi i parë drejt bashkimit kombëtar ashtë ndershmënia!

    “Ajo që ngjau në Capitol Hill mbas disfatës së Trumpit ka qenë nji lajm I keq per ‘populistët’ e Europës” shkruen intelektuali francez Dominique Moisi, i Institutit Montaigne. “Tregon dy gjana: Në se zgjidhni  ‘populistët’  ata nuk largohen lehtësisht, dhe në se nuk i zgjidhni shikoni se çka janë në gjendje me ba tue mobilizue pakënaqsinë popullore”. Udhëheqsit e lëvizjes populiste njeni mbas tjetrit  u distancuen tue mos u shprehë në favor: Marine le Pen, Francë, Matteo Salvini, Itali, Gert Wildert e Thierry Baudet, Holandë, Presidenti Duda, Poloni, Viktor Orban, Hungari, Erdogan, Turki, nuk gjetën guxim me përkrahë  rebelin pa kauzë, Donald Trump.     

   Prof. Snyder  formulon tezën se periudha mbas shkeljes së vertetës ashtë pre-fashizëm, nji hap që siguron ardhjen e fashizmit në formën e tij ma të plotë….Kur heqim dorë nga e verteta na i japim të drejtën atyne që me pasuni ose me karizma krijojnë nji spektakël në vendin e së vertetës” Nji fenomen të këtill e kemi përjetue edhe në Shqipërinë tonë me fashizmin, e sidomos me komunizmin- manifestime të mëdha e të zhurmëshme me mbulue”gënjeshtrën e madhe” qeveritare. Na humbim aftësinë me dallue fiktiven që na ofrohet. Trump nuk ka vision përveç glorifikimit personal. Trumpi  ka imitue udhëheqsit fashistë e pro-fashistë tue predikue fjalën e tij si “të verteta” absolute. Terminologjia e perdorun ashtë shpesh herë e huazueme nga ata. Shprehja “fake news” ashtë naziste “Lugenpress”, Gazetarët janë “armiqt e popullit” ashte frazë hitleriane me heshtë shtypin e lirë etj . Ne nji atmosferë të këtill, ish Presidenti e ndiente vehten të fortë me quejtë të gjithë kundërshtarët “gënjeshtarë”. Hannah Arendt e quen këte fenomen “fabrikim i faktualitetit” . 

   Mbi politikën e jashtëme: Presidenti Biden besohet se do të hjedhë posht parullën “Åmerica first” si nji manifestim superioriteti që ofendon të gjithë kombet e botës, e damshme, dhe që na kujton parullën hitleriane “Deutschland uber alles”. Biden premtoi se do të fillojë bisedimet me Iranin, do të firmojë marrëveshjen pesëvjeçare me Rusinë  të Traktatit të Armatimeve, të forcojë lidhjet me NATOn-n, dhe të tërheq kërcënimet bajate të ish presidentit, si dhe do të anulojë direktiven raciste për ndalimin e emigracionit nga gjashtë vende myslimane….në kërkim të nji bote ma paqësore!.  Njikohësisht, Presidenti Biden do të ndeshkoj Rusinë për përpjekjet e saj me influencue zgjedhjet amerikane në 2016 dhe përsëri në 2020, si dhe me forcue bashkëpunimin me vendet e botës në luftë kundër virusit Covid 19 që ban sot kerdinë në botë.  Ai ashtë koshient i përpjekjeve ruse me krijue trazime ne zonën e Ballkanit, natyrisht me ndihmen e Serbisë. Në qershorin e kaluem kur u fol për nji marrëveshje serbo-kosovare, i pyetun për Kosovën ai tha: 

  “Nji zgjidhje komprehensive që sjellë njohjen reciproke, ruen sovranitetin dhe integritetin territorial të dy shteteve, dhe forcimin e institucioneve demokratike ashtë esenciale për Kosovën e Serbinë që të ecin përpara. Kjo kërkon bashkëpunimin transatlantik“(Illyria N.Y) 10 korrik 2020, që nënkupton SHBA. Shqiptarët kanë nji mik të madh në SHBA.

    Ashte përshtypja e përgjithëshme se Presidenti Josep R. Biden Jr.do të jetë individi i privilegjuem të kryesojë përpjekjet tona per nji hap cilësor drejt nji unioni ma të përsosun. Kjo përshtypje merret edhe nga përmbajtja e fjalimit tij inaugural me 21 janar 2021.  Citojmë:

   “Kjo ashtë nji ditë demokracie, nji ditë historike, nji ditë e shpresës”. Ai falënderoi të gjithë para-ardhësit- dhe Zotin “që bani të mundun nji tranzicion paqësor të pushtetit,” dhe premtoi se “andrra drejtësi për të gjithë nuk do të vonohet ma tej sidomos sot me kercënimin e ekstremizmit politik, supremacisë së të bardhëve,  terrorit domestik që na duhet të ballafaqojmë e do të shkatërrojmë”. Ai  numroi momentet historikë që lejuen avancimin e kauzes së barazisë sociale:. 

     Sot,”ndigjoni bindjen time: mosmarrëveshjet nuk duhen kthye në ndasi. Dhe unë u betohem se do të jemë presidenti i të gjithë amerikanëve. Dhe do të lufotj me ngulm si për ata që votuen për mue dhe ata që nuk votuen për mue….Shen Åugustini,shenjt i Kishës sime shkruen se nji popull ashtë nji masë njerëzish e percaktueme ngsa objektet e përbashkëta të dashunisë tyne… Ashtu si thonte edhe nana ime kuptoni të tjeret tue veshë kpucet e tyne,” në se dëshirojmë me tregue pak tolerancë dhe përvujtëni.

  Kemi nevojë për fuqi me përballue vështirësitë e nji dimni të errët” me smundje e vorfëni.

Të dashtun qytetarë amerikanë: e mbylli sot këte fjalë ashtu si e fillova. Jap besën se gjithëmonë do të jemë në nivelin tuej. Do të mbroj Kushtetutën, dhe do të mbroj demokracinë tonë. Unë do të mbroj Amerikën. Unë do të jap gjithë vehten time në sherbim për ju, dhe me ndihmen jo të pushtetit që kam por të mundësive që krijohen. Jo interesin personal, por për të mirën publike….Zoti e bekoftë Amerikën, dhe ushtarët tonë. Falemnderit  Amerikë!” deklaroi ai.

    Joseph R. Biden, Jr ashtë presidenti i dytë katolik (mbas J.F.Kennedy) ne 245 vjet, i devotshëm, dhe i frymëzuem nga mësimet e marruna në familje dhe shoqëni katolike. 

Filed Under: Politike Tagged With: Biden-Harris, Sami Repishti PhD

ZËRI UNIVERSAL KUNDËR TOTALITARIZMIT–ISMAIL KADARE

January 28, 2021 by dgreca

ME RASTIN E 85-VJETORIT TË LINDJES/

ZËRI UNIVERSAL KUNDËR TOTALITARIZMIT – ISMAIL KADARE/

“Si çdo shkrimtar i madh, Eskili ishte i ndërgjegjshëm se, në krahasim me një  zyrtar –  të mesëm apo të lartë – që përfaqësonte shtetin, ai ishte një princ, dhe jo vetëm i artit, por i gjithë kombit të vet. Si i tillë, ai qëndronte më lartë se çdo burrë shteti dhe se fati i Greqisë i rëndonte atij mbi supe më shumë se ç’i rëndonte ndoshta krejt mekanizmit të shtetit grek.-Ismail Kadare/

ISMAIL KADARE (28 janar 1936-) – Shkrimtar gjenial, i njohur në përmasa botërore, i përkthyer në 45 gjuhë të botës. Lindi në Gjirokastër. Studioi gjuhën dhe letërsinë në Universitetin e Tiranës. Para vitit 1960 studio letërsinë edhe në Institutin Gorki në Moskë. I martuar me shkrimtaren Elena Kadare (1943- ), e para grua në Shqipëri që botoi një roman të plotë – “Një lindje e vështirë”, Tiranë, 1970.Kanë dy vajza – Gresën dhe Besianën. Në fund të vitit 1990, bashkë me familjen u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Paris. Lidhjet me atdheun nuk i ndërpreu kurrë. Është një ndër shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit XX.

*   *   *

Kadareja nuk ka qenë as shkrimtar oborri, as eksponent i regjimit dhe as konformist. Përkundrazi, ai ka qenë disident i heshtur. Kudo në veprat e tij, regjimin diktatorial e sulmon në formën e alegorive. Vepra e tij duhet të vlerësohet nga një pikëpamje tërësisht letrare, pra me kritere estetike. Fuqia e realizmit socialist ishe e pamjaftueshme përpara një talenti, siç ishte Kadare. Kadare krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Veprat e tij janë pasqyrim i peripecive të jetës politike shqiptare. Ai është zëri universal kundër totalitarizmit.

Për krijimtarinë e vet letrare Kadareja është shpërblyer me çmime letrare ndërkombëtare prestigjioze dhemedekorime,në shumë vende të botës: në Francë, në Britani të Madhe, në Spanjë, në Itali, në Austri, në Izrael, në ShBA etj. Është vlerësuar lart dhe është dekoruar edhe në Kosovë.

Çmimet dhe titujt më prestigjioz me të cilët është dekoruar Kadareja:

            –  Prix Mondial Cino Del Duca, Francë 1992;

– Në vitin 1996 Kadareja u shpall anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës;

– Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”;

– Çmimi Bokacio, Itali 1997;

– Herder Prize, Austri 1998;

– Ovid Prize, Rumani 2003;

– Man Brooker International Prize, Britani e Madhe, 2005; kandidatë për këtë çmim ishin edhe nobelisti gjerman Gynter Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), nobelisti kolumbian, i famshmi Gabriel Garsia Markez (Marquez, 1927-2014), nobelisti japonez Kenzaburo Oe (1935-) i lauruar me Çmimin Nobel më 1994.

-Çmimi Princ of Asturias Awards për artet, Spanjë 2009; ishin 31 kandidatë nga 25 vende të botës;

– Çmimi Lerici Pea, Itali 2010;

— Çmimi i Jerusalemit që në qarqet letrare botërore njihet si pararendës i Nobelit për letërsi, Izrael, 2015;

– Në vitin 2017 u nderua me titullin prestigjioz Komandant i Legjionit të Nderit, titull ky që e rendit Kadarenë në mesin e 250 personaliteteve më të shquara të botës;

– Çmimi “Nomino” në qytetin Udino të Italisë, 2018;

– Çmimi ndërkombëtar për letërsi Neustadt, i njohur si Nobeli amerikan, Oklahoma, ShBA, 16 tetor 2019;

– Më 31.12.2019 Presidenti i Francës Emanyel Makron ia jep titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit;

– Çmimi Pak Kyongui, Korea e Jugut, 2019 (në mesin e 350 anëtarëve); etj.

*   *   *

Veprat – Ka shkruar poezi, tregime, ese dhe romane. Ka shkruar edhe sprova, studime letrare, kritika, përshtypje udhëtimesh. Është edhe autor përkthimesh. Më 1961, bashkë me Dritëro Agollin (1931-2017) dhe me Fatos Arapin (1930- )solli risi në poezinë shqipe: F. Arapi me përmbledhjen Shtigje poetike, Tiranë 1962, D. Agolli me përmbledhjen poetike Hapat e mia në asfalt, Tiranë 1961 dhe Kadareja me përmbledhjen Shekulli im, Tiranë 1961. Që të tre, realizuan qëllime estetike, të ndryshme prej poetëve paraardhës.

            Vëllimet poetike të Kadaresë: Frymëzime djaloshare (1954), Ëndërrime (1957), Ëndërr industriale (1960), Shekulli im (1961), poemat epiko-lirike Poemë e blinduar (1962), Përse mendohen këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Shqipëria dhe tri Romat; vëllimet Motive me diell (1968), Koha (1976). Në një përmbledhje me titull Pa formë është qielli janë përfshirë 100 poezitë dhe poemat e Kadaresë.

Në pjesën më të madhe të poezive të tij, përdori vargun e lirë. Në poezinë intime, poeti flet me të dashurën që është larg tij.

Në poezinë e Kadaresë mbizotëron miti i së kaluarës. Poeti evokon lavdinë e dikurshme. Poezia e tij është thuajse përherë optimiste, sidomos tema e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë. Poezia e tij hyjnizon historinë kombëtare, qëndresën epike të shqiptarëve, tokën e të parëve, gjuhën shqipe. Himnizon qëndresën në motin e madh – në epokën e Gjergj Kastriotit. Himnizon periudhën e humanizmit evropian. Në poezinë Balada e zhvarrimit flet për fatin e shqiptarëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Shqiptarët, popull vazhdimisht në rrudhje. 

PROZA

Romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Tiranë 1963 flet për një gjeneral të një vendi të huaj, të shoqëruar nga prifti, i cili vjen në Shqipëri, në fushëbetejat e saj, për t’i mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë. Këta ushtarë kishin ardhur në Shqipëri për ta pushtuar atë dhe për ta nënshtruar, por aty kishin gjetur vdekjen.

Më1965, në revistën Nëntori u botua romani i shkurtër Përbindëshi. Vepra ra viktimë e censurës staliniste. Libri u ribotua pas një çerek shekulli në Prizren 1990 dhe Tiranë 1991. Përbindëshi në fjalë nuk ishte veçse kali i Trojës para portave të Ilionit, por këtu – përbindësh në përthyerjen e kohës. Për kritikën zyrtare, romani mund të kishte aludime politike.   

Vitet 1966-1969 janë vite të “Revolucionit Kulturor”.  Vepra Lëkura e daulles (1967) u botua në revistën “Nëntori”, për të dalë si libër më vete me titullin Dasma. Romani Dasma, Tiranë 1968, me vlera artistike të kufizuara, trajton temën e emancipimit të femrës.

Në vitet ‘70, Kadareja i kthehet prozës historike. 

            Romani Kështjella, Tiranë1970 është vepër e qëndresës historike të shqiptarëve, përmendore e heroizmit kombëtar. Kadareja i kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Kemi rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej 70.000 vetash. Ngjarja zhvillohet në shek. XV, në epokën e Gjergj Kastriotit. Autori pasqyron rrethimin nga turqit të një kështjelle mesjetare shqiptare, që simbolizon Shqipërinë në fushatat e Perandorisë Osmane për ta nënshtruar atë. Shqipëria shihet me sytë e një të huaji – pashait turk. Vepra drejtohet kundër pushtuesve të huaj. Kemi qëndresën e arbërve të shekullit XV. Kështjella simbolizon qëndresën, rrethimin ose ngujimin (izolimin). Ky roman të kujton romanin Il deserto dei Tatari, Milano 1940 (Shkretëtira e tatarëve) të romancierit, tregimtarit dhe dramaturgut italian Dino Buxati (Dino Buzzati, mbiemri paraprak Buzzati-Traverso, 1906-1972).  

            Më 1967 doli vepra Qyteti jugut. Më vonë, Qyteti i jugut shërbeu si bazë për lindjen e romanit Kronikë në gur, Tiranë1971 me 18 kapituj dhe një epilog. Në të flitet për Gjirokastrën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1975 u botua në Tiranë romani Nëntori i një kryeqyteti. Këtu bëhet fjalë për luftën e partizanëve kundër pushtimit gjerman në Tiranë më 1944.  

Romani Dimri i vetmisë së madhe, Tiranë 1973, flet për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Është vepër me përmasa historike e politike. Është një analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës totalitare. Pas një rishikimi të autorit, në vitin 1977 doli në Tiranë me titullin Dimri i madh.     

Dimri i vetmisë së madhe duhej të ishte libri i dytë i triptikut “Koha e grindjes”, një sagë bashkëkohore mbi tre acarimet e Shqipërisë: me Jugosllavinë, më pas me Bashkimin Sovjetik, e së fundmi me maoizmin kinez. Libri i parë, grindja me jugosllavët, nuk u shkrua kurrë. Pjesa përmbyllëse e diptikut Koha e grindjes, d.m.th.libri i tretë Koncert në fund të dimrit, i shkruar në vitet 1980-1981, ia doli ta shohë dritën e botimit vetëm pas shtatë vitesh. Kritika zyrtare e cilësoi romanin si vepër antisocialiste që satirizonte komunizmin shqiptar dhe atë botëror.Romani u botua më 1988, pak para rënies së komunizmit.

Romani i parë Qyteti pa reklama është shkruar në Moskë, në vjeshtë të vitit 1959, kur autori ishte 23 vjeç.

Romani Muzgu i perëndive të stepës (1978) është vepër bashkëkohore me elemente autobiografike, si Kronikë në gur. Autori flet për jetën studentore të vet si student në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, pak pas prishjes së raporteve ndërmjet Tiranës dhe Moskës. Kemi një histori dashurie të Kadaresë me një vajzë ruse. Kemi dhe një kapitull për shkrimtarin disident Boris Pasternak (1890-1960), autor i romanit Doktor Zhivago (1958).Në vitin 1958, në Perëndim iu dha Paternkut çmimi “Nobel”, por pas një fushate të egër që u ndërmor kundër tij në BRSS, ai refuzoi ta pranonte.  

Romani Daullet e shiut denoncon izolimin e zgjedhur vullnetarisht. Ka qenë titulli fillestar i romanit Rrethimi.Për herë të parë është botuar në vitin 1970.

Në romanin Ura me tri harqe, Tiranë 1978autori u kthehet fillesave mitike të historisë së Shqipërisë. I jep jetë një legjende shqiptare dhe ballkanike – murimit. Legjenda e murimit të një qenieje njerëzore në themelet e një ure apo të një kështjelle është e përhapur në letërsinë gojore shqiptare. P. sh. legjenda e kështjellës së Rozafës. Autori na jep një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar. Balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për murimin në kështjellë.

            Novela Komisioni i festës (1977 )është një tjetër histori ballkanike. Jemi në Shqipërinë e shekullit XIX, të mbërthyer në darët e Perandorisë Osmane. Më 1830 Mehmed Reshid pasha vjen në Manastir për të shpallur një amnisti për fiset kryengritëse. Gjatë kremtimit të këtij akti, trupat e tij masakruan 500 krerë me familjet e tyre, duke zhdukur kësisoj të gjithë krerët e Shqipërisë së jugut.

Romanet Muzgu i perëndive të stepës dhe Kamarja e turpit, si dhe novela Komisioni i festës janë shkruar në vitet 1972-1976.

Romani Pashallëqet e mëdha (1978) flet për pashallëkun e Ali pashë Tepelenës (1741-1822), Luanit të Janinës. Ky e krijoi shtetin e tij autonom në Shqipërinë e jugut dhe mbajti marrëdhënie diplomatike me Napoleonindhe Perëndimin. Kryengritja e tij u shua nga Porta e Lartë. Në janar 1822, Ali pasha u kap dhe u ekzekutua duke ia prerë edhe kokën në një ishull në liqenin e Janinës ku ishte ngujuar. Kokën e çoi në Stamboll korrieri i mbretëror Tunxh Hatai për t’u ekspozuar për publikun në kamaren e turpit. Në disa botime në gjuhë të huaja, romani mban titullin Kamarja e turpit.

            Shumë tregime dhe romane të shkurtra të Kadaresë janë botuar në tri përmbledhje: Emblema e dikurshme, Tiranë1977, Gjakftohtësia, Tiranë1980dhe Koha e shkrimeve,Tiranë1986. Dy vëllimet e fundit qenë thellësisht jokonformiste.

            Breznia e Hankonatëve (1977) është roman i shkurtër me 78 episode. Autori vë në dukje zellin, paragjykimet, konfliktet dhe rivalitetet e vogla, arritjet dhe dështimet e kësaj familjeje, duke e ndjekur nga brezi në brez gjatë një periudhe prej dy shekujsh. Është një rrëfim i gjatë, saga e një familjeje të vjetër të Gjirokastrës, shkruar në formë kronike, traditë kjo në kulturën shqiptare që nis me “Rrethimin e Shkodrës” të historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512) të shkruar në gjuhën latine.   

Në romanin Kush e solli Doruntinën? (1979) autori zhytet në të kaluarën legjendare të Shqipërisë, në një legjendë. Para nesh kemi historinë e Kostandinit dhe të së motrës Doruntinës. Një grua plakë ka nëntë djem e një vajzë. Tetë nga djemtë i kanë vdekur. Nëna nguron ta martojë larg të bijën. Kostandini ndërkaq ia jep fjalën se do t’ia sjellë të bijën sa herë të dëshirojë e ëma. Kostandini vdes. Nëna digjet nga malli për të bijën. Mallkon të birin e vdekur që nuk e mbajti fjalën, besën. Ndonëse i vdekur, për ta mbajtur fjalën, besën, Kostandini çohet nga varri dhe niset në Boheminë e largët për te motra. Në një natë tetori të mjegullt, Doruntina mbërrin tek e ëma. Por ajo tanimë ishte në agoni. Papritmas, Zonja mëmë dhe e bija Doruntina, vdesin. Kostandini rikthehet për ta trazuar shpirtin e të gjallëve. Kush vërtet ishte personi që e solli Doruntinën?! Me çështjen merret kapiten Stresi, nëpunës i ulët në Shqipërinë mesjetare.  Kjo të kujton romanin e teoricienit, kritikut dhe romancierit italian Umberto Eko (1932-2016) Il nome della rosa(Emri i trëndafilit, 1980).

            Romani Prilli i thyer (1978) u botua në vëllimin Gjakftohtësia. Ka ngjashmëri me Kush e solli Doruntinën? Subjekti fillon me një vrasje. Ngjarja zhvillohet në vitet 1930. Gjorg Berisha ka kryer atë që ka kërkuar babai i tij – të vërë nderin në vend duke vrarë vrasësin e të vëllait nga fisi i Kryeqyqes. Kemi të bëjmë me gjakmarrjen të parashikuar me të drejtën zakonore shqiptare – Kanunin e Lekë Dukagjinit. Gjakmarrja kishte fshirë nga faqja e dheut familje të tëra. Gjorgu ndoqi kanunin, duke u bërë edhe vetë viktimë e radhës. E vranë në lule të moshës, në mes të prillit, në muajin e pranverës, muaj i jetës. Prilli i thyerështë ekranizuar tri herë në versione kinematografike të ndryshme. I fundmi, i titulluar “Përtej diellit”,është realizuar nën regjinë e regjisorit brazilian Uolltër Sales (Walter Moreira Salles Jr., 1956- ).

*   *   *

            Shënim: Kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, e bëri studiuesi i kulturës shqiptare, i cili la gjurmë në fushën e arkeologjisë, Shtjefën Konstatin Gjeçov-Kryeziu (1874-1929). Gjeçovi ishte i pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike dhe më shkencore. Në vendbanime të caktuara të Shqipërisë së veriut, përfshirë Laçin rrëzë malësisë së Kurbinit, Gomsiqen në lindje të Shkodrës, Thethin, në cepin verior dhe Rubikun në rrethin e Mirditës – mes fisesh malësore – Gjeçovi mblodhi material për letërsinë gojore, kanunin fisnor, lëndë arkeologjike, si dhe objekte të kulturës popullore.  Kanuni i Lekë Dukagjinit u botua në Shkodër, në vitin 1933, d.m.th. pas vdekjes së Gjeçovit.

*   *   *

            Romani Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Tiranë 1981 është botuar edhe si Pallati i ëndrrave. Është konsideruar si kryevepër e Kadaresë. Këtu e kemi botën e Franc Kafkës (1883-1924)dhe të romanit “1984”të Xhorxh Oruellit (George Orwell, 1903-1950). Personazh i romanit është Mark Alemi. Ky caktohet me punë në Tabir Saraj që ndodhet në Stamboll. Kjo zyrë shtetërore e Perandorisë Osmane merret me studimin e ëndrrave. Detyrë e Mark Alemit është të interpretojë ëndrratpër t’u dhënë mundësi autoriteteve osmane të mbysin që në embrion çdo rebelim kundër Perandorisë. Nëpërmjet kësaj vepre autori demaskon edhe regjimet totalitare.

            Romani Krushqit janë të ngrirëu botua më 1986 në Koha e shkrimeve. Flet për ngjarjet dhe kryengritjen shqiptare në Kosovë në mars dhe prill të vitit 1981. Kërkesa e shqiptarëve për statusin e republikës brenda Federatës jugosllave u ndesh me vendosjen e shtetrrethimit nga Beogradi. Sipas legjendës, ora e mitologjisë shqiptare i ngrin krushqit para se të arrijnë, në mënyrë që të parandalohet ajo që nuk duhet të ndodhë. Janë dy ditë nga jeta e Teuta Shkrelit, kirurge në një spital të Prishtinës gjatë ngjarjeve të përgjakshme të sipërthëna. Serbët ëndërrojnë kohën e Aleksandër Rankoviqit (1909-1983), i cili është personifikim i gjenocidit serb mbi shqiptarët.  

            Edheromani Viti i mbrapshtë u botua në librin Koha e shkrimeve. Flitet për vitin 1914, vit i rrëmujshëm dhe vendimtar në luftën e shtetit shqiptar të sapolindur, për të mbetur gjallë. Është viti kur mbi qiellin e Ballkanit kaloi kometa e Hale-Bopit. Në Shqipëri mbretëronte rrëmuja dhe jo princi gjerman Vilhelm Vid (1876-1945). Qeveria e Turhan Pashës kontrollonte vetëm një pjesë të territorit të vendit. Ndër shqiptarë kishte përplasje interesash. Po kështu edhe midis francezëve, britanikëve dhe holandezëve. Shtetet fqinje ndërkaq, kishin aspirata ekspansioniste. Forcat greke, serbe dhe malazeze e kishin shkelur vendin. Pas gjashtë muajve princi largohet nga Shqipëria.

            Tregimi Sjellësi i fatkeqësisë – Islamo nox (1984) – Sulltani kishte urdhëruar që të gjitha femrat e Perandorisë Osmane të mbuloheshin me perçe. Rrobaqepëse nga dhjetë qytete turke përgatitën gjysmëmilioni perçe për motrat kokëforta evropiane. Perçet u ngarkuan në mushkat e Haxhi Miletit dhe prej Stambolli morën rrugën për në Shqipëri.

            Romani Koncert në fund të dimrit, Tiranë 1988ka mjaft paralele me romanin Dimri i madh. Kemi një kronikë 700 faqesh. Është një vështrim grotesk mbi shkëputjen e Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Personazhet Besnik Struga, Skënder Bermema dhe Marku tani janë 17 vjet më të mëdhenj se në kohën e prishjes së Shqipërisë me sovjetikët. Si në veprat e tjera, edhe në këtë roman autori përdor gjerësisht simbole.

            Në romanin Dosja H dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton nisen për në malet e Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë ekzistimin e një lidhjeje të mundshme ndërmjet poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara me lahutë nga malësorët shqiptarë. Nënprefekti i zonës ua qep prapa agjentin sekret Dullë Baxhanë për t’i vëzhguar. Popullata vendase dyshon mos të ardhurit nga jashtë janë spiunë? E bastisin selinë e tyre në Hanin e Rrashtbuallit. Pajisjen e tyre, me zërin e incizuar të fshatarëve, e shkatërrojnë. Misioni i tyre në Shqipëri merr fund. Romani në fjalë është një satirë. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1930. Autori u jep një goditje anësore edhe prirjeve izolacioniste të autoriteteve të pasluftës.       

            Me studimin letrar Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë 1971, princi i kombit – Kadare, kërkon të zbulojë rrënjët e legjendave dhe të poezisë popullore që aq shumë e kanë tërhequr në prozën e vet.

            Studimi më i shkurtër Mbi eposin e kreshnikëve (1979) heton prejardhjen e ciklit kryesor të eposit heroik shqiptar që njihet me emrin Këngë kreshnikësh apo cikli i Mujit dhe Halilit. Shtatqin vjet do t’i djeg kullat, i kanoset armikut, heroi kreshnik i eposit shqiptar. 

            Në monografinë Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990,Kadare flet për babanë e tragjedisë antike greke, Eskilin (rreth 525-456 para erës sonë), i cili ka shkruar 80 pjesë. Prej tyre kanë shpëtuar vetëm shtatë.

Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991është një sprovë për Migjenin (1911-1938) i cili me skicat në prozë dhe me përmbledhjen poetike Vargjet e lira, Tiranë 1936 dhe 1944, i dha fund romantizmit në letrat shqiptare. Në këtë monografi Kadareja shkruan: “Ka diktatura të tmerrshme e djallëzisht të përsosura ku profesioni i shkrimtarit është një mallkim i vërtetë”. Në këtë sprovë Kadareja përfshiu edhe një trajtim të gjerë “të autorëve reaksionarë” të lënë në heshtje nga kritika letrare zyrtare.

 Ftesë në studio, Tiranë 1990 është botimi i fundit i Kadaresë para largimit për në Francë në vjeshtë të vitit 1990. Libri përmban 32 poezi si dhe përkthime poezish nga greqishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rumanishtja dhe rusishtja. Libri përmban edhe refleksione për letërsinë e artet si dhe për ngjarjet aktuale. Autori lanë edhe ca llogari të vjetra me shkrimtarë rivalë.

Dy muaj para rënies së pushtetit monist, me gruan Eelenën si dhe me dy vajzat, Kadareja iku nga Tirana dhe kërkoi strehim politik në Francë. Motivet e largimit Kadareja i shpjegoi në të përditshmen parisiene Le Monde.

Nga një dhjetor në tjetrin,Paris, shkurt 1991 është një kronikë që mbulon periudhën nga dhjetori 1989 deri në dhjetor 1990. Libri ka edhe tone sarkastike. Në frëngjisht, libri doli me titullin Printemps albanais, Paris 1991 (Pranvera shqiptare).Vepra është vazhdim i librit Ftesë në studio. Vala e parë e emigrimeve nëpërmjet ambasadave gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë, në korrik të vitit 1990 shkakton panik në aristokracinë e kuqe. Kadare botoi edhe letërkëmbimin me presidentin Ramiz Alia në maj 1990.

Pesha e kryqit, Paris 1991 është vepra e dytë e Kadaresë e botuar në mërgim. Mendohet si vazhdim i librit Ftesë në studio. Të dyja veprat u botuan në një vëllim të vetëm prej 558 faqesh në frëngjishte. Nga një dhjetor në tjetrin, Ftesë në studiodhe Pesha e kryqit formojnë një lloj trilogjie politiko-letrare.Pesha e kryqit zbulon ankthin e Kadaresë gjatë viteve të pushtetit diktatorial. Është autobiografia e një romancieri nën regjimin stalinisti cili boton vepra pa qenë i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të Byrosë Politike. Në këtë libër, autori flet për vuajtjet e veta nën regjimin komunist, por jo edhe për agoninë më konkrete të shumë shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë. Mbase kjo, nuk ka qenë qëllimi i veprës.

Romani Piramida është një alegoripolitike e historike. Gjysma është shkruar në Shqipëri dhe gjysma tjetër në Francë. U botua pjesë-pjesë si tregim në gazetën Rilindja demokratike në janar 1991. Në Paris autori e zgjeroi në roman 17 kapitujsh. Së pari, më 1992, doli në frëngjisht, i përkthyer nga Jusuf Vrioni (2016-2001; është i biri i Iljaz bej Vrionit). Është një rrëfim marramendës i idesë dhe i ndërtimit të piramidës së Keopsit në Egjiptin e lashtë, por edhe i pushtetit politik absolut, e madje i marrëzisë njerëzore.

“Arkeologu i diktaturës, Kadareja zbërthen hieroglifet e tmerrit që tiranët e të gjitha ngjyrave kanë damkosur në trupin e viktimave të tyre” – thotë zhurnalisti letrar Andre Klavel (André Clavel, 1946-2019).           

            Romani Pasardhësi (2006) është shkruar në Paris. Kadareja sjell në kujtesë enigmën e 13 dhjetorit, vdekjen misterioze në dhomën e gjumit të pasardhësit të diktatorit komunist. Në trupin e pasardhësit u gjend një plumb në zemër. Vajza e Agamenonitdhe Pasardhësi përbëjnë një  diptik.  

Tregimi Leximi i Hamletit si dhe dy novelat “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”; tregimi Ditë kafenesh është botuar si libër më vete në Amerikë;

Qorrfermani për shkak të subjektit delikat, mbeti i pabotuar;

            Hija, Vajza e Agamemnonit, Nata me hënë janë shkruar në vitet 1984-1986 në Tiranë;

            Romani Spiritus është shkruar në Francë në vitet 1995-1996. Në të trajtohen njgarje që u përkasin dy kohëve: përpara dhe pas komunizmit;

Romani Lulet e ftohta të marsit është shkruar në Francë në vitet 1998-2000. Është një nga veprat e rralla të autorit, subjekti i së cilës bazohet tërësisht në ngjarjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Është vepra më e pikëlluar e Kadaresë, gati një requiem. Autori del hapur përballë realitetit shqiptar, i zymtë dhe pesimist, për një tokë që e braktisën perënditë. Marsi nuk është veçse i ftohtë. Të ftohta janë dhe lulet.

 Novela Tri këngë zie për Kosovën është shkruar dhe është botuar në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë.

Në Çlirimi i Serbisë prej Kosovës Kadare flet për ndarjen midis shqiptarëve dhe serbëve, për shtrembërimin e historisë nga serbët, për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte pavarësinë e Kosovës.  

Dy romanet e shkurtra Shkaba dhe Çështje të marrëzisë; Shkaba është shkruar në verën e vitit 1995 në Deauville të Normandisë.

Romani Aktori i njohur më parë me titullin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”;

Kadareja është i pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit e saj – babanë e tragjedisë antike Eskilin (Eleuzinë, Atikë, 525-/524 – Gela, Sicili, 456/455 para K.) dhe babanë e tragjedisë moderne Uilljëm Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616). Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike.     

            Tre romanet e fundit Aksidenti i shkruar në vitet 2003-2004, u botua në frëngjisht nga shtëpia botuese Fayard; Darka e gabuar, Tiranë 2008 dhe E penguara shkruar në vitet 2008-2009;

            Sprovat Dantja i pashmangshëm, Hamleti, princi i vështirë dhe Don Kishoti në Ballkan janë shkruar dhe janë botuar pas rënies së komunizmit.

            Ra ky mort e u pamë (1999) është një ditar për Kosovën; sprovat Kushëriri i engjëjve dhe Arti si mëkat; Legjenda e legjendave; Sorkadhet e trembura, një synops i gjerë për tjetër art; dy dialogë të Kadaresë: me revistën “Hylli i Dritës” dhe E vërteta që del nga qilarët me publicistin dhe shkrimtarin francez Stefan Kurtua (Stéphane Courtois, 1947- ) botuar në Odile Jacob si pasthënie e botimit frëngjisht të librit të Prof. Shaban Sinanit; sprova Identiteti europian i shqiptarëve.

Drama Stinë e mërzitshme në Olimp është e vetmja pjesë teatrale e Kadaresë. Autori rindërton trilogjinë e famshme të Eskilit, prej së cilës, pas humbjes së pjesës së parë dhe të tretë, ka mbetur vetëm pjesa e mesme “Prometheu i lidhur”.

Vepra e Kadaresë – princit të kombit – vazhdimisht ka qenë në listën e kandidatëve për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë shqiptare.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Featured Tagged With: Ismail Kadare, KUNDËR TOTALITARIZMIT, ZËRI UNIVERSAL

REFORMA ZGJEDHORE OBLIGIM NDAJ QYTETARËVE

January 28, 2021 by dgreca

Këshilli për reformën zgjedhore në Mal të Zi  ka obligim profesional që më së fundi  të realizoj në praktikë premtimet e dhëna qytetarëve për të ndryshuar ligjin zgjedhor, duke dëshmuar vullnetin politik në mes pozitës dhe opozitës, për ndryshime cilësore sipas standartëve demokratike evropiane për mjediset multinacionale dhe multikulturore për të  aplikuar listat e hapura duke respektuar vullnetin e qytetarëve për të zgjedhur  të preferuarit e tyre që duhet të jetë çështje  parësore në këtë reformë zgjedhore/

Shkruan: Nail  Draga /

Ndër obligimet e shumta  nga Qeveria e re, është edhe angazhimi për reformën zgjedhore, çështje e cila ka ngecur  tash disa vite, duke mbetur vetëm dëshirë  pa ndonjë angazhim konkret  në këtë drejtim, pa konsenzus nga shumica dhe pakica parlamentare.

Por, formimi i këtij këshilli kohë më parë  në kuadër të Parlamentit, dëshmon se shumica e re parlamentare kësaj çështje do ti qaset seriozisht, e jo si shumica e mëhershme e cila kishte deklarime  të rastit, por konkretisht  nuk ka realizuar asgjë. Duke marrë parasysh se në këtë vit në Mal të Zi do të mbahen edhe zgjedhje lokale në disa komuna, do të ishte e udhës të punohet sa më parë në këtë drejtim, duke ofruar zgjidhje të pranueshme dhe në favor të qytetarëve në këtë mjedis.

Sindromi i mosbesimit 

Bëhet më dije se Këshilli për reformën zgjedhore, duhet deri më 30 qershor të këtij viti të përgatisë ligjet dhe aktet tjera për të siguruar kushtet për zgjedhje të lira dhe të pranueshme. Por, duke marrë parasysh se ekziston sindormi i mosbesimit në mes shumicës parlamentare e opozitës aktuale, është e udhës të filloj dialogu, në mes palëve pjesëmarrëse. Dhe një dialog I tillë mund të realizohet, nëse ekziston vullneti politik  për reformen zgjedhore, sepse sipas ligjit  nevoitën dy të tretat e shumicës së deputetëve për përkrahje të ndryshimeve që për momentin duket së është mision i pamundur.

Por, duke marrë parasysh se në lidhje me këtë çështje ka punuar  këshilli në përbërjen e kaluar, nga shumica e mëhershme parlamentare, duke përgatitur anën normative, andaj nuk duhet edhe shumë punë për të prezantuar kornizën bazë te ndryshimeve për ligjin zgjedhor.

Në sajë të rrethanave shoqërore në këtë mjedis duke ditur animozitetin në mes shumicës dhe opozitën parlamentare, nëse nuk arrihet kompromisi, do të ishte e udhës të kërkohet ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, për të ndikuar në arritjen e miratimit të ligjit zgjedhor.

Kompromisi i domosdoshëm

Në mjediset me demokraci të pakonsoliduar mos miratimi i një ligji të tillë është dëshmi se subjektet politike kësaj çështje nuk iu janë qasur në mënyrë serioze, sepse në rend të parë kanë dominuar interesat partiake dhe jo të qytetarëve në Mal të Zi. Përiudha e kaluar nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vitin 2016, e dëshmon një konstatim të tillë, sepse ndryshimi në ligjin për reformën zgjedhore, meriton një qasje dhe trajtim të përgjithshëm, e jo të jetë angazhim dhe interes i vetëm disa partive politike.

Por, në periudhën e kaluar parlamentare e në veçanti në dy vitet e fundit në Mal të Zi në praktikë kishim një krizë politike e prezantuar me frymen kleronacionaliste, me përmasa të neofashizmit që ishte  nën ombrelen kishtare të ortodoksizmit serb. Një dukuri e tillë u verejt me rastin me rastin e vendimit të opozitës për të bojkotuar parlamentin, ndërsa më vonë kulmoi me rastin e miratimit  të ligjit të lirive fetare(dhjetor 2019), duke qenë katalizator destabilizues në skenën politike në Mal të Zi. Dhe nga një situatë e tillë, nuk ka pasur mundësi reale të miratohen ndryshimet në ligjin zgjedhor, andaj në zgjedhjet parlamentare(30 gusht 2020) është shkuar me ligjin ekzistues.


Kush do ti përfaqësojë shqiptarët?

Në këtë Këshill i cili përbëhet prej 14 antarëve, që janë nga 7 prej pozitës dhe opozitës, nuk kemi informacion se në këtë përbërje do të jetë  ndonjë shqiptar. Fjala është për përfaqësues autentik të shqiptarëve i cili ka legjitimitetitn të flasë në emër të tyre. Dhe jo vetëm kaq, sepse duhet të trajtohen  kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor, që do të jetë në favor të shqiptarëve dhe popujve tjerë pakicë në Mal të Zi. Duke marrë parasysh se në ndryshimin e ligjit zgjedhor në vitin 2011, si pozita dhe opozita ishin bashkë, duke iu mohuar shqiptarëve të drejtat e arritura, një qendrim i tillë nuk përjashtohet edhe tani, sepse kur janë në pyetje shqiptarët ata janë  së bashku.

Në këtë aspekt shqiptarët do të ishte e udhës të jenë unik në kërkesat e tyre, sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale, partiake apo të klanëve të ndryshme në lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve si popull autokton në Mal të Zi. Andaj në këtë aspekt ka rëndësi të madhe për ne shqiptarët  përfaqësimi dhe prezantimi i kërkesave tona sipas standardëve  ndërkombëtare, për mjediset multinacionale dhe multikulturore sikurse është në praktikë Mali I Zi.

Mungon harmonizimi i ligjit me kushtetutën  

Qytetarët e Malit të Zi nuk  mund të realizojnë të drejtën zgjedhore sipas  kushtetutës, sepse nuk kanë mundësi të zgjedhin në mënyrë të drejpërdrejtë përfaqësuesit e tyre. Zgjedhësit në Mal të Zi i japin  legjitimitet Kuvendit, ndërsa ai përbëhet në kundërshtim me nenin 83 të Kushtetutës, dhe si i tillë është kundërkushtetues, sepse  nuk paraqet vullnetin e zgjedhësve. Pikërisht në lidhje me këtë çështje nevoitet harmonizimi i ligjit zgjedhor me Kushtetutën e Malit të Zi, me qellim të respektimit të drejtës së zgjedhësve. Dhe një zgjidhje e tillë mund të realizohet përmes  listave të hapura, ku qytetarët të votojnë kandidatët sipas preferencave të tyre.

Listat e hapura në favor të demokracisë

Në  Mal të Zi nga miratimi i pluralizmit vazhdohet me praktikën e listave partiake, ku  liderët e  partive,  vendosin renditjen definitive të listave zgjedhore, ku fillimisht vendosin vetën, e më pas bashkëpunëtorët më të afërt. Është pikërisht renditja e tillë e cila  iu pamundëson  qytetarëve të vendosin sipas vullnetit të tyre.

Ndonëse deri më tash në këtë aspekt ka pasur deklarime të rastit, e ate si zakonisht në fushatat zgjedhore, por, konkretisht nuk është bërë asgjë, sepse si pozita dhe opozita në këtë aspekt kanë pasur konsenzus të plotë. Nga një  hezitim të tillë del qartë se ata i frigohen listave të hapura, duke manipuluar elektoratin votues për qellime të tyre personale, apo klanëve të ndryshme duke iu servirur listen partiake e cila nuk  shpreh vullnetin e qytetarëve por të partive politike.

E  drejta e mohuar e qytetarëve

Nuk ka dilemë së tretmani i tillë ndaj qytetarëve, dëshmon nënçmimin  e tyre duke i trajtuar si të  pa dënjë, përkatësisht  vetëm si votues apo shërbëtorë. Andaj ka ardhur koha  që të punohet për ndryshime, duke iu mundësuar qytetarëve të drejten e tyre të mohuar, si kudo në botën demokratike. Nëse do të ketë vullnet politik për të miratuar ndryshimet në ligjin zgjedhor, atëherë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ekzistojnë të gjitha gjasat që të votohet me lista të hapura që do të jetë në favor të demokracisë parlamentare të standardëve evropiane.

Opinioni i gjerë e ka të qartë se nëse dëshirohet që premtimi për reformën zgjedhore të realizohet në praktikë, duhet të eliminohen interesat politike, të cilat deri me tash kanë qenë pengesa kryesore në mos miratimin  e një ligji të tillë.

Andaj i mbetet shumicës  aktuale parlamentare që në fokusin e veprimtarisë së tyre në këtë drejtim të angazhohën seriozisht për një kornizë të re zgjedhore, e jo për interesa të tyre politike, duke eliminuar paragjykimet, dukuri kjo e njohur vite me radhë në Mal të Zi si nga pozita dhe opozita, që është në kundërshtimin me interesat e qytetarëve.

 (Janar  2021)  

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, reforma zgjedhore

LE TË RESPEKTOJMË TRADITËN:WELCOME MR.PRESIDENT!

January 28, 2021 by dgreca

NGA DALIP GRECA/Urimi i mirëseardhjes ka qenë traditë shekullore e Diellit(1909) dhe Vatrës (1912). Përmes letrave të urimit të kryetarëve të Vatrës dhe editorialeve të Diellit u është uruar mirëseardhja në Shtëpinë e Bardhë presidentëve të zgjedhur, pavarësisht se cila parti i kandidon.Federata Panshqiptare e Amerikës“VATRA”dhe Gazeta DIELLI, në të shkuarën, përgjatë fushatave, nuk mbanin anë të njerës apo tjetrës parti politike, por përpiqeshin që t’i mbështesnin të dy kandidatët me qëllim që dyert e Washingtonit,ku gatuhet politika botërore, të mbeten të hapura për çështjen shqiptare.Kur lindi Dielli më 1909(por edhe kur lindi Vatra më 1912), president i shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte zgjedhur 52 vjeçari William Howard Taf i Partisë Republikane, i 27-ti në radhë, që ulej në karrigen presidenciale të Shtëpisë së Bardhë.Dielli shkroi mirë për presidentin dhe Vatra kur u regjistrua në shtet e informoi presidentin për lindjen e institucionit kombëtar të Shqiptarëve në SHBA.Pasardhësi i republikanit Taf, presidenti i 28-të i SHBA, 58 vjeçari Woodrow Wilson,i kandiduar nga Partia Demokrate, padyshim mbetet një nga ikonat e shqiptarëve dhe mbrojtës i pavarësisë së humbur të shqiptarëve, ku Vatra ka meritën se ishte ndërlidhsja me presidentin që qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për dy mandate,1913-1921. Vatra dhe të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës dhe e kanë e treguar ndër vite vlerësimin për figurën ikonë presidenciale Woodrow Wilson. Ishte kryetari i Vatrës Faik Konica që më 1924 i kërkoi Parlamentit shqiptar që t’i vinte emrin e presidentit amerikan Woodrow Wilson portit detar të Shëngjinit në Lezhë, në shenjë nderimi.Këtë e saktëson një kronikë e gazetës Diellit e shtatorit 1930, që e mbart lajmin, ndërkohë që lajmin e përcolli dhe shtypi amerikan që në momentin kur ndodhi ngjarja. Revista amerikane TIMES kishte botuar me 5 gusht 1924 lajmin.Citoj :“Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq.Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri Woodrow Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”.Është e natyrshme që emri i presidentit amerikan Wilson ishte bërë shume i dashur për Kombin shqiptar.Shqiptarët e kanë cilësuar presidentin Wilson si shpëtuesin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.” Merita për këtë i takon Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Vendimtar për ndërhyrjen e Vatrës ishte Komiteti i miqëve amerikanë të Shqipërisë,I krijuar nga Vatra, por në mënyrë të veçantë kontributi i drejtëpërdrejtë i Fan S Nolit dhe Kristo Dakos e Sevasti Qiriazit.Imzot Noli e takoi presidentin amerikan gjatë kremtimeve të festës së 4 korrikut 1918. Me kredencialet e Vatrës, Noli ishte pjesë e peligrinazhit historik që presidenti Wilson organizoi me 4 korrik 1918 në Mount Vernon, vendvarrimi i presidentit të Parë të Amerikës, George Washington. Në peligrinazh merrnin pjesë përfaqësues të Kombeve të ndryshme në SHBA.“Vatra” dërgoi Nolin,bashkëthemeluesin e saj,udhëheqësin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA, për të përfaqësuar Shqipërinë.Duket se Noli ia doli që t’i përcillte presidentit mesazhin lutës për shpëtimin e Shqipërisë.Raporti i tij menjëherë pas takimit iu dha shpresë vatranëve, kryetarit të Vatrës Kolë Tromara dhe të gjithë shqiptarëve. Noli kumtoi menjëherë pas takimit:“Udhëtimi im këtu triumfoi.Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha.”…Marrdhënie shumë të mira ka shënuar Vatra me presidentin e 40-të të Amerikës, republikanin Ronald Regan, me të cilin ka letërkëmbim, me presidentët Bush, babë e bir, si dhe me presidentin demokrat Clinton. Gjatë presidencës së demokratit Obama, nuk pati ndonjë shkëlqim të marrdhënieve, ndërsa gjatë presidencës të republikanit Donald Trump, një pjesë e shqiptarëve të Amerikës, por edhe degë të Vatrës, si në Michigan dhe New York,Florida, u bënë mbështetës për një mandat të dytë të tij. Madje për të parën herë studiot e televizioneve të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, zhurmuan fort.Disa nga shqiptarët në SHBA i dhanë mbështetje të fuqishme presidentit Trump qoftë për filozofinë dhe premtimet e sloganin e tij elektoral“make America great again-again”, por edhe platforma dhe premtimet për zgjidhjen e çështjes së ngrirë të Kosovës në marrdhëniet me Serbinë, jepnin shpresa.Gjithësesi fushata ka mbaruar.Në shtëpinë e Bartdhë është ulur presidenti i 46-të i Amerikës, fatmirsisht mbështetës i çështjes shqiptare dhe shumë i njohur për mbështetjen e Kosovës.Le t’i jemi mirënjohës përsa ka bërë dhe le të shpresojmë se gjatë mandatit të tij Kosova do të dale prej gjendjes së ngrirë.Presidenti Biden u inagurua të mërkurën me 20 janar 2021 si presidenti i 46-të i SHBA.Ai u ul në karrigen e presidentit në moshën 78 vjeçare, më i vjetri në historinë presidenciale.Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë përballë sfidave të shumta; Atij i duhet të fitojë betejën me koronavirusin,të mbajë premtimet për vaksinën kundër COVID-19, të përballet me papunsinë, të ringrejë ekonominë e rrëzuar nga pandemia, por mbi të gjithë do t’i duhet që të gjejë vaksinën për të shëruar Amerikën nga virusi i egër i ndarjeve dhe përçarjeve të thella, nga pabarazia në rritje, plagët e racizmit etj. Në fjalimin e inaugurimit me 20 Janar premtoi se do të jetë president i të gjithë amerikanëve, por arritja e unitetit, siç e pohoi ai vetë, do të jetë tepër e vështirë, në mos i pamundur. Ai u përpoq që të hynte në zemrat e amerikanëve, madje dhe të kundërshtarëve politik, tek u tha:”Peshomëni mua dhe zemrën time. Nëse akoma nuk jeni dakord, ashtu qoftë! Kjo është demokracia. Kjo është Amerika.E drejta për të kundërshtuar paqësisht brenda kuadrit të republikës sonë është mbase forca më e madhe e këtij Kombi.Megjithatë më dëgjoni qartë: Mosmarrëveshja nuk duhet të çojë në përçarje!”Ai kërkoi më tepër respekt dhe dinjitet ndaj palëve:Çdo mosmarrëveshje nuk duhet të jetë shkak për luftë totale. Ne mund ta trajtojmë njeri-tjetrin me dinjitet dhe respekt.Ne mund të bashkojmë forcat,të ndalojmë britmat dhe të ulim temperaturën…Pa unitet nuk ka paqe, vetëm hidhërime, tërbim. Pa progres, vetëm zemërim rraskapitës…”Vatra dëshiron ta shohë z. Biden president të gjithë amerikanëve,ashtu siç ai premtoi. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Elmi Berisha, në vijim të traditës vatrane 109 vjeçare, i ka dërguar letrën e urimit presidentit. Ai ka vlerësuar kontributin e veçantë të z. Joseph Biden për shqiptarët,veçanërisht për Kosovën.Z. Berisha ka shprehur besimin se edhe në të ardhmen, gjatë mandatit të Tij, Presidenti Biden dhe administrata që drejton, do të forcojnë marrëdhëniet midis vendeve tona,do të avancojnë proceset Euro-Atlantike, Integrimin Europian, finalizimin e njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës me kufijtë ekzistues, do të arrijnë ç’rrënjosjen e korrupsionit dhe rindërtimin e institucioneve të qëndrushme demokratike etj….Le të respektojmë traditën vatrane: Welcome Mr. President!· Editorial i Gazetës Dielli, Janar 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, WELCOME MR.PRESIDENT

“ KONKURS” PËR GËNJESHTRËN MË TË MIRË

January 28, 2021 by dgreca

                NGA ASLLAN  BUSHATI/ Një mbrëmje, në klubin e gjuetisë së qytetit, ishin mbledhur disa gjahtarë dhe pasi kishin  rrukullisur disa gota raki, filluan të tregonin  me zë të lartë “bëmat” e tyre në gjahun e sezonit. Nja dy tavolina më tutje u kishin dhënë “zjarr” ligjëratave disa peshkatarë për “trimëritë” e tyre në det e në breg. Nga fundi i sallës, disa djem të rinj, duke bërë potere  nuk lanë bjonde e brune të qytetit pa përmendur. Në një kënd pa shumë drita, ishin ca hajdutë profesionistë që po flisnin me zë të ulët  për punët e tyre. Kurse në një cep, nga shiheshin të gjithë “pijetarët” po pinin  e mbanin shënime disa disa politikanë.

Rastësisht këtë pamje të kubit gjuetisë e pikasën: një gazetar, një arkiolog dhe një studiues. Duke biseduar me njeri tjetrin thanë: more a do të ishte mirë të bënim një konkurs se kush tregon gënjeshtrën më të mirë? Të tre ranë dakort se ishte një ide e bukur dhe zbavitëse. Ashtu bënë, nxorrën afishet, caktuan kohën e vendin dhe konkursi filloi, por për çudi hajdutët dhe politikanët nuk erdhën. Pa marrë parasyshë këtë fakt, dhe  duke parë se pjesmarrja e profesioneve të tjera ishte e bollshme, juria filloi nga dëgjesat e konkurentve.

I pari foli për anijet kozmike, alienët, yjet, galaktikat etj. Një tjetër tregoi për nëndetset, faunën nënujore, mbrekullitë  e padukëshme  nën uji etj. Dikush për zoqt, dikush për peshqit, dikush për pyjet,  egërsirat … dikush ..dikush…Në fund mbeti njeri pa folur dhe tha: unë s’kam çfarë të them se u thanë të gjitha. Por juria nguli këmbë se duhet të thoshte diçka dhe ai për të mos patur qefmbetje më në fund tha: “unë kam 26 vjet martuar dhe nuk kam bërë asnjë herë dhe për asgjë sherr me gruan”.

Juria u mblodh dhe pas shumë diskutimesh mërriti në përfundimin se gënjeshtra më e mirë ishte ajo që tregoi konkuruesi i fundit.

Këtë ndodhi e kishin marrë vesh disa ndërkombëtar në Tiranë (zyrtarë, biznesmenë, bankierë,turistë, avanturierë etj) dhe thanë: more sikur edhe ne ta organizonim një konkurs të tillë me politikanët shqiptarë? Njeri tha ide e mirë, tjetri tha kjo nuk shkon, tjetri tha ta bëjmë  për shqiptarët në rajon,  kurse i fundit tha mirë se po e bëjmë, po ku ti gjejmë konkuruesit se as këto në Tiranë, as ato në Prishtinë pa le më ato në Tetovë-Shkup nuk vijnë. Ai më sarhoshi tha: unë mendoj të  pyesim diasporën shqiptare për politikanët e vendlindjes së tyre. Ashtu u bë dhe filoi mbledhja e të dhënave  të konkursit.

Njeri emigrant nga Greqia tha: Sali Berisha është njësh. Ai i projektoi vetë  piramidat financiare në 1996 për përfitime personale. Ai shpërndau armët në 1997, ai vrau bashkpuntorët e tij, ai bëri grusht shtetit, ai i fali detin Greqisë. Një tjetër ja priti: ik ore tutje se Aleksandër Meksi e ka pohuar me gojën e tij gënjeshtrën se asnjë qeveri në botë nuk mund ti realizojë gjithë premtimet elektorale. Kështu kur realizohen shumica  quhet punë e mbaruar.Gënjeshtër  meksiane 24 karadëshe.

Tjetri tha Fatos Nano ishte gënjeshtar më i mirë, se ai i bëte bashkë socializmin e kapitalizmin, Enver Hoxhën e Maon Ce Dunin, raki rrushi e kumbulle, ato që i thoshte sot ,nuk i mbante mend të nesërmen. Shkurt  rrumpalla gjëja më e mirë shtetrore shqiptare.

Një zëçierrë nga Italia tha: ju parafolës qenkeni kot. Ilir Meta është kapedan në këtë fushë. Ai i ka provuar të tëra si: deputet, ministër, Zv.Kreyeministër, Kryeministër, Kryeparlamentar, President… nuk e di për më tutje. Në gjithë këtë rrugë ka provuar, shijuar, hëngër e kafshuar pak më mirë  se të tjerët.

Një shqiptaro- amerikan nga Peja tha: ore ju të Shqipërisë qenkeni prapa botës. A keni dëgjuar ju për Hashim Thaçin me shokë? Ata janë flamurtarë dhe më të mirët për këtë konkurs. Një miku im nga Gjakova duke qësëndisur ate nga Peja tha: ore mos bëj hajgare se ju pejanët e dini mirë se Isa Mustafa me djelmëni është kalemxhiu më specialist në Dardani. Ai është ujk që edhe në se kopenë të gjithë e han, nuk len as namë e as nishan.

Një antar i Shoqatës Dibra nga Stetenajllendi i NY tha: hajde ore mik hadje, se  s’keni parë ju Ali Bej Ahmeti e Mendu Bej Thaçi, që të marrin gjak në vetull pa dalë fitimtarë të konkursit.

Një shqiptaro- amerikan nga Michigani tha: Vazhdoni e merruni  ju me xhaketa të vjetra politike që s’kanë asnjë shans me fitu konkursin e shpallur. A keni dëgjuar ju për Edi Ramën, (Skënderbeun e ditëve tona), që e njeh gjithë bota pale më shqiptaria e erdogania.

Shëndetsi falas, arsim për kë do e si ma do, hashash të shkatërruar në përmasat 99.98 përqind, korrupsion zero e shërbim shtetror shembullor. Asnjë të inkriminuar në qeveri, parlament e në institucionet vendore. Asnjë dështim në ekonomi, asnjë rritje taksash, asnjë dështim në diplomaci.

Një emigrant shqiptarë nga Zvicra tha; ai i Michiganit mirë e ka, por ka harruar të shtojë se Edi Rama ka shokë të shkëlqyer në rrugtimin e tij si: Tahiri, Xhafa, Ahmetaj, Balla, Gjiknuri,etj që janë shembulli i ndershmërisë  e të pa përfolur për asgjë negative.

Organizatorët si  për shumë të tjerë,  kërkuan edhe mendimin tim. Unë pa asnjë hezitim, madje pa u menduar fare,  votën time ia dhashë Kryeministrit tonë shumë të nderuar Zotit Edi Rama.

Filed Under: Fejton Tagged With: asllan Bushati, Konkurs

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT