• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2021

ROMAN PA KOHË APO PËR GJITHË KOHËRAT?

January 26, 2021 by dgreca

NGA NDUE LAZRI/

-Rreth romanit “15 ditë prilli” të Anisa Markarian/

– E ruaj akoma në kujtesë, siç e kam edhe të fiksuar në fotografi atë ditë kur ajo erdhi në Shkodër. Ashtu përpara publikut me një tufë të bukur lulesh në duar, me buzëqeshjen e zgjuar e sytë tejet të mençur nën një palë syze elegante. Dukej e sapodalë nga sekuencat e filmit “Në çdo stinë”, aq i dashur për publikun dhe që e kishte bërë të suksesshme në fushën e kinematografisë atë studenten e talentuar e të zellshme të mjekësisë, yllin e ri të kinemasë shqiptare, Anisa Markarian. Bëhej promovimi i filmit në kinema “Republika në Shkodër”, e cila ishte mbushur plot me dëshirën për ta përshëndetur e duartrokitur mysafiren e bukur. Me këtë imazh në kokë ndalem në librarinë e aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, për të blerë pikërisht librin e ri të shkrimtares Anisa Markarian, romanin “15 ditë prilli”, për të cilin kisha lexuar fjalë të mira nga miq e kolegë të mi. Libri më bëri shoqëri gjatë udhëtimit me avion dhe kur zbrita në Bolonjë kisha arritur thuajse në gjysmë të tij, ndonëse ishte voluminoz me gati 400 faqe. Të nesërmen e kisha mbaruar së lexuari. Zakonisht kështu më ndodh me librat e bukur që më tërheqin shumë. Më kujtohet që librin “Dënimi i Paganinit” e kisha blerë në Bulqizë gjatë një shërbimi në Dibër nga gazeta “Bashkimi” dhe e kisha mbaruar brenda natës në hotel turizmin e Peshkopisë. Ka kaluar një vit që kur e kam lexuar librin. Menjëherë pas leximit, i pata shkruar Anisës në një mesazh: “Për shembjen e diktaturave është shkruar shumë, është shkruar mirë nga autorë të zotë, është shkruar keq nga autorë më pak të zotë ose mediokër. Ti ke shkruar shumë mirë sepse nuk je ndalur në kronologji ngjarjesh historike, por ke bërë një gjë më universale, gati jashtë kohës dhe hapësirës, me një stil që varion sipas situatave dhe u rri atyre a pennello siç thonë italianët kur diçka rri në mënyrë perfekte. Po kështu a pennello u rrinë personazhet situatave. Ke krijuar disa karaktere të forta e të veçanta, ku Ida Raez të bën për vete, ta dashurosh e gati ta ndjekësh hap pas hapi, Vlad Krela të bën ta adhurosh për talentin e guximin e tij, por edhe ta godasësh për ndonjë hezitim a vonesë të tij, Teo të krijon një pështjellim ndjenjash por të është gjithnjë e më simpatik e befasues në evolucionin e tij, Bulëza e ëmbël të bën ta ëndërrosh, Jargësi të ngjall krupë e neveri. Të gjitha këto sensacione falë stilit e portretizimit që u ke bërë ti. Tablloja e pazarit, sa e vërtetë aq surrealiste më bëri të ndihem si në skenat e filmit “Dom sa vjeshanje” të Kusturicës”. Pas këtij mesazhi herë pas here më ka ngacmuar idea për të hedhur përshtypjet e mia në një shkrim. Por asnjë herë nuk e gjeja veten aq të lirë sa të ulesha e të shkruaja me nge e me atë dëshirën që na frymëzon një gotë verë e mirë kur ulemi në tavolinë. E nëse tani pas një viti ulem e shkruaj, tregon se mbresat e librit të Anisës më kanë mbetur thellë në kujtesë e do vazhdojnë për shumë kohë. Përshtypja e parë pasi e mbylla librin ishte: Në këtë libër janë pena e shkrimtares dhe syri i artistes kinematografike, që e bëjnë letërsinë e autores të lëvizshme e të rrëshqitshme si karreli i operatorit gjatë xhirimit të një filmi. Lexuesi ecën përmes rreshtash, por me mendje ndodhet në skena të gjalla, midis personazheve dhe e përjeton në mënyrë dinamike çdo ngjarje e episod. Duket sikur autorja, me një ritëm felinian, e ka vendosur posaçërisht gjithë romanin në 15 ditë për ta bërë lexuesin të rendë bashkë me të atyre skenave sa reale, aq edhe surreale e absurde si në filmat e Kusturicës e herë-herë ta ulë ritmin e të shijojë më me nge ato skena të ngrohta dashurie që do të donin dorën e një artisti si Almodovar. 15 ditë prilli. Por është një prill i papërkufizuar në kohë dhe pa përcaktuar amfiteatrin e ngjarjeve se ku ndodhin. Mbase autorja këtë ia lë lexuesit, apo mbase ka synim të caktuar për t’u dhënë ngjarjeve një diapazon më të gjerë, ndërkontinental e gjithëkohor. Sepse Anisa Markarian synon letërsinë e madhe e vështron larg në kohë e në hapësirë. Këtë e kemi parë edhe në tregimet që ajo boton herë pas here.Në romanin e saj është periudha e lulëzimit, dekadencës dhe rrëzimit të regjimit totalitar. Tek shikon figurën sa butaforike, aq edhe djallëzore e kriminale të diktatorit me emrin “I përndrituri”, lexuesi mund ta çojë mendimin tek ish diktatori shqiptar, po aq sa mund ta çojë edhe lexuesi rumun, rus, kinez e të tjerë tek ish diktatorët e mëdhenj, por edhe lexuesit e vendeve e kohërave të tjera tek ish diktatorët e përgjakshëm përgjatë historisë botërore. Sepse pak a shumë lulëzimi, dekadenca e rënia e diktaturave ka patur të njejtën skemë gjithandej e gjithëherë. Autorja përshkruan përmes episodesh e ngjarjesh dramatike nënshtrimin e masës deri në ekzaltim e hyjnizim të figurës së diktatorit dhe shpurës së tij servile, bën sarkazëm me folklorizmin e përzgjedhjes së titujve e dhuratave për ditëlindjen e diktatorit dhe zgjon shpresën me rënien dhe shkatërrimin e regjimit totalitar. Por në mënyrë indirekte ajo përcjell artistikisht mesazhin e madh që nuk mjafton ta rrëzosh diktaturën, por duhet edhe ta denoncosh e dënosh veprimtarinë e saj kriminale, përndryshe ajo mund të ringrihet nga hiri i vetvetes duke përfituar nga amullia e njerëzve që mendojnë se regjimi mbaron me rrëzimin e tij, siç po ndodh aktualisht në shumë vende ku regjimet totalitare u rrëzuan, por janë zëvendësuar nga diktatorë të rinj që e mendojnë pushtetin e tyre të përjetshëm. Përshtypja e dytë ishte ajo e realizimit dhe ravijëzimit të personazheve dhe të ambienteve ku i vendos ngjarjet, çka autorja e bën me një mjeshtëri të spikatur artistike. Heroina e romanit është Ida Raez. Për një çast lexuesi, duke parë se ajo është një studente në mjekësi e që ka edhe prirje artistike, mund të mendojë se autorja ka vendosur në qendër të romanit veten e saj. Por sa më shumë thellohesh në lexim dhe e ndjek këtë heroinë sa rebele e kryeneçe, aq delikate, të brishtë, humane e të ndjeshme në momente e rrethana të caktuara, bindesh se autorja ka arritur të realizojë një figurë më të madhe e më përgjithësuese se vetja e saj. Mbase Anisa do të donte të ishte një Ida Raez, ose mbase do të jetë, por interpretuese e saj, në një film të mundshëm artistik mbi motivet e këtij romani. E me siguri do të dilte një film me përmasa e pretendime të mëdha artistike. Ose të marrim figurën e shkrimtarit Vlad Krela, që autorja e ka jo vetëm si një personazh të rëndësishëm të jetës e të kulturës së vendit ku zhvillohen ngjarjet, por edhe si një mjet artistik përmes veprave të të cilit ajo sjell si të thuash vizionin e fazave të lulëzimit, dekadencës dhe rënies së regjimit totalitar. I vendosur në atë ambient shkrimtarësh dhe artistësh ku pabesia ndaj njëri-tjetrit është injektuar nga regjimi, Vlad Krela të kujton disi Ismail Kadarenë, po aq sa të kujton edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj në vendet e regjimeve totalitare. Mendoj se realizimi i personazheve të tilla me përmasa që dalin tej caqeve të një romani, është një nga vlerat e dukshme të librit të Anisa Markarian. Edhe linja aq e bukur dhe e brishtë midis Teos dhe Bulëzës, përshkrimi i skenave e ambienteve në Kosheren e heronjve apo tunelet e Malit të Urthit, e turmave në demonstratën e madhe, janë të tilla që vetëm një penë mjeshtërore dhe një fantazi tejet e pasur mund t’i sillte me atë kolorit emocional e tronditës, siç i ka sjellë Anisa. Kosherja e heronjve është laboratori i sajimit të heronjve të ditës. Kujtoni heroin pozitiv në letërsinë e realizmit socialist apo heronj si Lei Feni kinez që mblidhte gozhdë e vidha apo Fuat Çela që i binte dhjetës në tabelën e qitjes edhe pse ishte pa sy. Kurse tunelet e Malit të Urthit janë qelitë e moskthimit, përtej tyre ekziston asgjëja, apo moskundi siç thotë në roman shkrimtari Vlad Krela. Imagjinojini në sekuencat e një filmi këto ambiente absurde me heronjtë e tyre tragjikomikë apo tragjikë. Përshtypja e tretë është që Anisa Markarian, me stilin e saj elitar, nuk i drejtohet vetëm lexuesit elitë, por gjithë auditorit letërsidashës, sepse, si tema e trajtuar, ashtu edhe mesazhet që ajo përcjell, janë për një auditor shumë të gjerë, auditor të cilin ajo e ka fituar në vite me talentin e saj, me personalitetin njerëzor si mjeke, si artiste, si femër e me atë thjeshtësi që na bën ta ndjejmë si njërën nga ne, si banoren e portës përbri, por që ka forcën ta ndriçojë rrugicën me buzëqeshjen dhe dritën që i buron nga brenda. Romani “15 ditë prilli” është një roman i fuqishëm, modern, i pasur artistikisht e në aspektin gjuhësor, aspekt në të cilin Anisa i ngjan një amvise të mirë që di të nxjerrë në pah edhe vlerën e mjeteve më të thjeshta të lëna mënjanë nga kujtesa e përgjithshme. E u jep atyre një shkëlqim të ri, jo artificial, por duke i bërë pjesë organike të gjuhës së romanit, duke e bërë atë më të këndshëm, më tërheqës e më intrigues në duart e lexuesit. Mbase autorja do më quajë pak të vonuar në këtë shkrimin tim. Por mendoj se nuk është kurrë vonë të shkruash mbresat për një libër që e mbart brenda teje në ato raftet e veprave të përzgjedhura, ashtu siç nuk je kurrë i vonuar të marrësh nga kantina një shishe verë të vjetër, ta hapësh me delikatesë dhe ta shijosh me miq që ia dinë vlerën.

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 dite prilli, Anisa Makarian, Nue Lazri

SHKODRËS IA KANË BLLOKUAR RRUGËT E FRYMËARRJES

January 26, 2021 by dgreca

QYTETI E QARKU I SHKODRËS I KANË RRUGËT E FRYMËMARRJES TË BLLOKUEME!/

NGA FILIP GURAZIU- Qyteti, e në përgjithësi nji vendbanim, asht vendi ku jeta e shoqnisë njerëzore ndërthuret organikisht me mjedisin jo organik ( ndërtesa, rrugë, ura etj). Në kët kuptim ” qyteti” merr nji trajtë të dyzueme; si objekt i shkencave shoqnore  mundet me u trajtue edhe si ” qenie e gjallë”, kurse në fushën e shkencave të tjera trajtimi asht  ndryshe.

Si çdo qenie e gjallë që lenë, zhvillohet, plaket  e vdes edhe ” qyteti” i trajtuem si ma nalt, ka të njajtin fat. Shumë qytete që  njihen si qytete të lulëzuem në periudha të caktueme të historisë, si rezultat i ” sëmundjeve “kronike të frymëmarrjes” të lidhuna ngusht me zhvillimet gjeo-politike të kohës, sot janë vetem gërmadha për hulumtime arkeologjike. Në rastin e qyteteve, ” frymëmarrja” identifikohet prej ” hapsinave jetike” të nevojshme  me zhvillue aktivitetin ekonomik e kulturor. Këto hapsina frymëdhanëse-jetike në varësi prej vend ndodhjes së tyne mund të jenë të jashtme ose të mbrendshme.  Mungesa e frymëmarrjes që vjen prej jashtë asht fatale për qytetin, kurse frymëmarrja e mbrendëshme i jep qytetit agoni. Kur kombinohen të dyja, qyteti vdes e asgjasohet.

    Të dhanat e fiilimit të shekullit XIX-të e radhisin Shkodrën ndër qytetet ma të zhvillueme të Perandorisë Turke në Ballkan. Rreth portit lumor të qytetit funksiononte nji qender tregtare me 2500 dyqane e magazina që për qarkullimin e mallnave u dallonte në tregtinë ballkanike. Në atë periudhë Shkodra numëronte rreth 40.000 banorë në nji kohë që Athina e Beogradi së bashku kishin vetëm 27.000 ! Ky zhvillim i dedikohej  kryesisht” frymëmarrjes prej jashtë” që vinte kryesisht  prej pozicionit të veçantë gjeografik ku shtrihet qyteti; pranë autostradave të lashtësisë; rrugëve ujore prej detit Adriatik, lumi Buna e Liqeni i Shkodrës si dhe   kalimit të detyrueshëm të rrugëve tokësore që lidhin Europen me thellësinë e Ballkanit, si prej prendimit në lindje  ashtu prej e veriut në jug.

     Zhvillimet  gjeopolitike  gjatë gjysës së dytë të  shekullit të kaluem, fatkeqësisht damtuen interesat ekonomike të qytetit. Hekurudha Nish-Shkup-Selanik ndikoi  për spostimin e tregtisë tradicionale prej Shkodrës drejt lindjes, por dami ma i madh i erdhi qytetit prej krijimit të shteteve të rij në Ballkan, në kurriz të tokave me shumic  shqiptarë autokton (në kuadrin e perandorisë Turke). Kufijt e ri politikë, ngushtuen teper tregjet tradicionale ( frymëmarrjen ekonomike) me pasojë izolimin ekonomik të Shkodrës, dukuni që për arsye ideologjike u thellue ma tepër gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

    Duket se shprehja e famëshme e Galileo-s e thanë nën trysninë e inkuizicionit fetar ” E pra…,   rrotullohet” ( bota), nuk lidhet me Shkodrën e veriun shqiptar, sepse  deri sot që po shkruej këto rreshta, megjithëse kane kalue gadi 30 vjetë prej vetëshembjes se komunizmit asgja  thelbësore për zhvillimet  strategjike  në lidhje me shbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes së qytetit e Qarkut të Shkodrës nuk shihet. Asgja nuk lëvizë, asgja “nuk rrotullohet”!

Po të ishte organizue  nji pytësor i thjeshtë, me vetem nji pyetje  drejtue   institucioneve përgjegjësëe ( qëndrore e vendore) për  zhvillimet e ardhme strategjike në Qarkun Shkodër si:  ” Cila  asht strategjia e zhvillimit për rritjen e mirëqenies së popullsisë së Qarkut Shkoder që jep shpresë për jetesë dinjitoze të familjeve të reja?, simbas bindjes time, pytesori kishte me mbetë pa përgjigje !  Jo se nuk duen me dhanë përgjigje, por nuk duen me e  gjetë përgjigjen ! Arsyen e mosgjetjes e dijnë ata!

    Nuk don shumë mend me e kuptue se  elementët bazë, kryesorë  që  munden me  shbllokue ” rrugët e jashtme të frymëmarrjes” së qyteti e Qarkut të Shkodrës me pasojë  risjelljen e optimizmit për jetesë dinjitoze të  brezit të ri në vendin amë janë ” dy “:

    a. Pozicioni gjeografik mbi të cilin shtrihet qarku i Shkodrës  merr vlera strategjike të veçanta për zhvillimin e ekonomisë së  Shqipnisë veri prendimore e ma gjanë,  për faktin se në ultësinën mbi, rreth e poshtë Shkodrës parashikohet zbritja drejt jugut për në Greqi  e dy autostradave trans-europiane që bashkohen në Podgoricë; ajo ” Adriatiko-Joniane” dhe ” Beograd – Podgoricë”. “Pruemja” njerëzore e materiale e këtyne dy autostradave trans-europiane, që detyrimisht duhet të kalojnë rreth e pranë qytetit të Shkodrës, natyrisht që i jep zonës ” frymëmarrje jetike” për zhvillimet në perespektivë. Projektimi me ” vullnet të mirë” e zgjuersi  i “gjurmës” ku  ka me kalue  kjo autostrade , detyrë e institucioneve qendrore në konsultim me vendorët  ka me qenë vendimtare për të ardhmen ekonomike të nji popullsie prej 260.000 banorësh.

    Universiteti U-Polis (urbanizim e arkitekturë) – Tiranë, i cili realizoi para pesë vjetëve detyrën qeveritare per “strategjinë e zhvillimit afat gjatë të Qarkut të Shkodrës”, me të drejtë, gjurmën ku do të kalojë autostrada, e përcaktoi në anën lindore e afer qytetit të Shkodrës, gja që u votue unanimisht prej Këshilit të Bashkisë  Shkodër, por këtu fillon e çfaqet njeni prej absurditeteve ma të çuditëshme në Shqipninë demokratile. Qeveria Shqiptare, qe e pati dhanë detyrën si dhe  financimin për studimin e strategjisë  zhvillimore afat  gjatë të Qarkut Shkodër dhe e pati aprovue atë studim, në praktikë i del kundër ! Sot qeveria e majtë  në pushtet  po ban çmos me bindë palen malazeze që autostrada “Adriatiko-Joniane” të futet në territorin shqiptar në Velipojë e jo në zonën e mbi Shkodrës. Kujtojmë se për kët çeshtje edhe qeveria e djathtë (e para 2013-tës) ishte për variantin e kalimit të autostrafës nëpër  Velipojë. Çdo kush lehtësisht e kupton se përpjekja e qeverisë Shqiptare ( e kundërt me studimin e ma sipërm ) që kërkon me e kalue autostraden në Velipojë drejt Tiranës  tue anashkalue  Shkodrën asht teper negative dhe e damshme për të ardhmen ekonomike drejt rritjes së mirëqenies së popullsisë së  Qarkut  Shkodër sepse i  “bllokon arterien e jashtme të frymëmarrjes”. Shumë i çuditëshëm dhe i pakuptueshëm mbetet “gjumi letargjik” i intitucioneve drejtuese vendore si dhe i shoqatave të shoqnisë civile që veprojnë në Shkodër; as edhe nji herë nuk e kanë çue zanin e tyne  kundër këtij varianti të qeverisë qendrore që denon randë ekonominë Shkodrane. Kjo në shërbim të mbrojtjes  të së drejtës primare të jetës së nji populli :” rritjen e mirëqenies se jetesës në vendin amë”                                                     

    b. Element tjeter( bazë) për strategjinë e zhvillimit të veriut të Shqipnisë, konsiderohet edhe sistemimi i bashkësisë ujore egzistues ( liqeni i Shkodrës, lumejt Buna,Drini, Kiri e Moraça-MN ), në të cilin element kryesor asht sistemimi i lumit të Bunës, si arter i jetës në historinë mijavjeçare të rajonit; i vetmi lum i lundrueshëm në pjesën lindore të Adriatikut  me gjatësi 42 Km e nji ndër lumejt ma të randësishëm të Mesdheut i cili bashkon detin Adriatik me liqenin e Shkodrës, ma i madhi i Europës jugore.

    Me iniciativen e Bashkisë së Shkodrës  në Shtator 1996 pati qenë realizue nji bashkëpunim me shumë vlerë, për projektimin e sistemimit të lumit Buna, me Istitutin ARNI-Boreto (RE)-IT ( Azienda Regionale per la Navigazione Interna – e lumit  Po). Simbas projekt-idesë së realizueme prej Institutit italian ARNI, nën drejtimin e Ing. Dalla Luna, nji ndër ekspertët ma në za  në botë në fushën e sistemimit të lumejve, rezultonte se sistemimi i shtratit të lumit Buna nuk ofron vetëm lundrimin e anijeve detare-lumore të klasës së V-të, me kapacitet 2000 Ton e me thellësi zhytje vetëm 3m., por edhe përmirësime kolosale në fushën mjedisore tue hapë rrugët e rritjes së mirëqenies për popullsinë e zonës. * Krijohen kushte reale për shërimin mjedisor – ekologjik të liqenit të Shkodrës ( kujtojmë  se specie të rralla të ekologjisë mesdhetare rrezikojnë të zhduken si  psh. blini etj. si efekt i fillimit të kënetizimit të liqenit)  *Parandalohen përmbytjet e zonës, që sidomos vjetët e fundit kanë qenë të shpeshta tue shkaktue dame të mëdhaja popullsisë. * Mbrohen fushat pjellore të bregut të Bunës prej grryemjeve erozionale, dukuni shumë alarmante e vjetëve të fundit. * Zhvillohet transporti ujor, tue i dhanë nxitje aktiviteteve ekonomike të mundshme për zonën; industria e çimentos, tregtia e mineraleve, e inerteve, aktiviteti i prodhimit të parafabrikateve prej betoni me dimensione shumë të mëdhaja, përpunimi i landës drusore si dhe implementimi i ekonomisë se ” Plepi kulturës” etj.

* Zhvillohet turizmi, edhe në mugesën e infrastrukturës toksore , tue ringjallë sektorin e shërbimeve, atë të prodhimeve të freskëta bujqësore e artizanatin me aq tradita për qytetin e Shkodrës. * Krijohen mundësi  reale për ndërtimin, organizimin e funksionimin e porteve turistike  per ankorimin e anijeve private  me tonazh të vogel  në lumin Buna ( gjatë periudhës dimnore), aktivitet ekonomik me shumë interes për zonën etj.

    Sa ma sipër don me thanë  zhvillim e rritje të mirëqenies jo vetem për Qarkun  Shkodër, por edhe ma gjanë, për veriun shqiptar me pasojë  frenimin e largimit të shqiptarëve prej vendit amë.     Fatkeqësisht projekt-idea e masipërme e cila përveç vlerave shkencore të ofrueme siguronte edhe  financimin e duhun për realizimin e projektit nuk pati qenë përfillë prej pushtetit të asaj kohe. 

    Historikisht, prej mija vjetësh Shkodra ka funksionue si qytet-port lumor me lidhje, nëpërmjet Bunës, me Adriatikun  dhe  liqenin e Shkodrës. Edhe në strategjinë e zhvillimit afat gjatë shënohet  qartë se  nji ndër elementët me vlerë për ekonominë e Shkodrës do të jetë “Shkodra-Port lumor” , por  përsëri në praktikë ndodhë e kundërta. Me fondet qeveritare, simbas nji projekti të realizuem prej specialistave në qender,  restaurohet ma së miri në shërbim të  turizmit lagja e Shirokës buzë liqenit të Shkodrës, por…, prapë por…, nuk parashikohet e nuk ndërtohet porti liqenor i Shirokës -Shkodrës! Si mundet me qenë në shërbim të turizmit nji qender turistike buzë liqenit, pa pasë portin turistik të sajë ? A mundemi me e  justifikue këtë lloj mungese në projekt me  fjalen ” lapsus” të projektuesave? Natyrisht që jo!  Simbas mendimit tim,  e verteta qëndron te mungesa e vullnetit në qender për me  trajtue me dashamirësi e korrektësi planin strategjik të investimeve për Qarkun Shkodër, të cilin po ata e paten aprovue në vjetin 2016 si dhe te indiferentizmi, për mos me thane “mungesën vizionare” të pushtetit vendor në Shkodër.

    E kuptoj se Shkodra nuk asht Shqipnia , por veç as Tirana nuk asht Shqipnia e kështu, as Vlona, Saranda etj. nuk janë Shqipnia! Ne veriorëve na bahet ” zemra mal” kur kuptojmë investimet strategjike pro zhvillimit e rritjes se mirëqenies në  jug të Shqipnisë, se Shqipnia asht e të tanëve. Gëzohemi se Vlona u lidh me kryeqytetin me autostradë, se Vlona u ba me ” lungo mare” madhështore e me tangenziale drejt jugut, se në Vlonë pritet të ndërtohet aeroporti ndërkombëtar si dhe porti i ri.  Po kështu gëzohemi që Saranda po ndërlidhet me nji rrugë të re bashkëkohore më Gjinokastren , që në Sarandë po ndërtohet nji ” lungo mare” e re cilësore , porti i ri turistik etj. I lumtë qeverisë shqiptare për të gjitha këto investime me vlerë, por për hir të së vertetës, krahas kënaqësisë që ndijmë, përjetojmë edhe ndjejën e diskriminimit,  sepse edhe veriu asht Shqipni, sepse edhe Shkodra ka nevojë për invesitime strategjike si ato që ma nalt i përshkruem.   

   Qeveritarë, mos i trajtoni shqiptarët; ” ky i imi e ky tjetri i njerkës” në bazë të kritereve politike.  Qarku i Shkodrës i ka të nevojshme e të domosdoshme dy ndëryhymje strategjike për të arëdhmen e jetesës së  brezave të rij : autostraden Adriatiko-Joniane me shtrimje në lindje të qytetit dhe sistemimin e shtrati të lumit Buna. “Zoti e ka krijue natyrën në shërbim të njeriut, asht vullneti e inteligjenca njerëzore, e sidomos dashamirësia, që së bashku duhet të gjejnë rrugët optimale për me e shfrytëzue”

      Urojmë e shpresojmë që mesazhi i artikullit mos të mbesin në ” veshë të shurdhuem”. Ndoshta situatat e reja u kan vue edhe ” veshë të rij” politikanëve e qeveritarëve tue i krijue ma shumë ndjeshmëni për realizimin e projekteve  që kanë si objektiv  përmirësimin e së  ardhmes të  nji popullsie relativisht të madhe e njikohësisht shumë të vorfën ai ajo e veriut Shqiptar!

Filed Under: Politike Tagged With: Filip Guraziu, Shkodra e bllokueme

LEKA ZOGU PER KOMUNIZMIN DHE…

January 26, 2021 by dgreca

Rrëfimi i rrallë i Leka Zogut i për komunizmin në Shqipëri, kinezët e kuq, Bashkimin Sovjetik dhe agjentin sekret Kim Philby/

Nga Aurenc Bebja/

“Freedom’s Facts” ka botuar, me 16 gusht 1968, në faqen n°3, rrëfimin e Leka Zogut I mbi të ardhmen e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Mbreti Leka I i Shqiptarëve, i cili e ndjek vendin e tij nga Madridi, raporton se Kinezët e Kuq kanë tani rreth 6.000 persona në Shqipëri – 5500 civilë dhe 500 ushtarakë.

Meqenëse Shqipëria nuk ka kufij as me Bashkimin Sovjetik dhe as me Kinën e Kuqe, Mbreti Leka është i bindur që mund të hiqet nga kontrolli Komunist relativisht me lehtësi.

Mbreti Leka beson se fitimi i lirisë për Shqipërinë do të rinovonte besimin e njerëzve të zënë rob, se ata gjithashtu mund të shkëputen nga sundimi komunist dhe të fillojë kështu një efekt domino drejt pavarësisë në të gjithë Evropën Lindore dhe tek kombet jo-ruse që tani gjenden në Bashkimin Sovjetik.

Një përpjekje e hershme në vitet 1950 për të çliruar Shqipërinë u tentua nga mjeshtri spiun, Kim Philby. Sikur përpjekja të kishte sukses, historia e 15 viteve të fundit do të kishte qenë shumë më paqësore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Leka Zogu

“BIJTE E SHQIPES” VLERESON BISNESMENET – HERONJ TE PANDEMISE

January 26, 2021 by dgreca

Nga:Tajar Domi/

Vecanёrisht nё periudhat e vёshtira , dalin nё dukje njerёzit me vlerat e tyre. E kёta mund tё jenё jo vetёm emra udhёheqёsish apo bisnsmenёsh tё mёdhenj, por edhe njerёz tё zakonshёm qё japin nga vetja dashuri e kontribut pёr tё tjerёt. Mё kujtohen disa vargje tё shumё viteve mё parё, qё dikush i recitonte nё njё program televiziv: “Heroizmi o shokё, i ka rrёnjёt nё popull, ju kёrkoni heronj, ato i keni rrotull“. Megjithatё sa herё qё fjala bie pёr heronjtё, na del pёrpara imazhi i tyre fizik i fuqishёm si dhe pёrballja me armikun e rёnia e tyre nё kёtё luftё nё mbrojtje tё atdheut. Vec kёtyre jemi mёsuar tё shohim apo tё njohim edhe njё grup tjetёr heronjsh, ata tё punёs, qё ishin mbi tё tjerёt me volumin, cilёsinё e organizimin e saj duke i sjellё shoqёrisё njё produkt mё tё lartё me shembullin e tyre. Ndёrsa sot, kёtu nё Amerikё, unё (dhe si unё besoj edhe tё tjerёt) kemi hasur fjalёn “hero” nё shumё raste, ndoshta edhe pёr ndodhi tё “vogla” pёr rreth nesh, shpesh duke e dёgjuar nё biseda tё ndryshme apo nё ekrane televizive.

Kёtё fjalё e dёgjojmё tё pёrdoret si vlerёsim gojor pёr persona tё ndryshёm tё pёrfshirё nё njё aksion shpёtimi pёr hirё tё detyrёs (shprehja: ata ishin heronj), e dёgjojmё nga fёmijtё qё jo rrallё i simbolizojnё prindёrit e tyre me heronjtё pёr punёn e gjithanshme tё tyre (shprehja: ata janё heronj pёr mua), apo veprimi i dikujt nё njё ngjarje e situatё duke mbrojtur jetёn e tjetrit (shprehja: ai u tregua hero)…etj. Nё kёtё mёnyrё ne i vecojmё, i respektojmё e i vlerёsojmё kёto njerёz pёr atё cfarё bёjnё, dhe nё dallim nga ne tё tjerёt, ata e bejnё edhe pёr tё tjerёt. Dhe kёta u evidentuan edhe gjatё kёtij  viti pandemic, duke pёrfshirё stafet shёndetsore nё spitalet e ndryshme si nё tё gjithё botёn edhe kёtu nё Filadelfia e Nju Xhersi, punonjёsit e plolicisё  qё u bёnё barrikadё ndaj atyre qё shkelnin ligjin a rregullat mbi pandeminё, dhe tё dy kёto grupe shpёtuan shumё jetё njerёzore me angazhimin e tyre. Por nuk ishin vetёm kёta. Pati pёrvec njerёzve tё punёsuar nё kёto dy sektor jetёsor, (midis tyre edhe shumё shqiptar), edhe njё grup jo i vogёl biznesesh qё u vunё nё shёrbim tё njerёzve nё nevojё. Edhe kёtu, shqiptarёt u panё me dashuri e me vlerёsim tё jashtёzakonshёm nga popullsia amerikane.

Po kush ishin shqiptarёt me tё cilёt u ndjemё krenarё:

Kemi shkruar edhe mё parё pёr emra konkret mjekёsh, infermjeresh, farmacistёsh, inxhinierёsh e tё tjerё shqiptare qё nёpёrmjet qёndrimit tё tyre nё pozicionet e punёs, dhanё kontributin sё bashku me mijёra tё punёsuar tё tjerё nё kёta sektor. Nё qendёr tё kёtij shkrimi sot, janё perfaqёsuesit e tre bisneseve tё restaurantёve  bashke me stafet e punёs tё tyre, qё ushtrojnё aktivitetin  nё Filadelfia e Nju Xhersi. Konkretisht: Alex A. Daku qё zotёron “Amici Restaurant“, Astrit Shini dhe vёllezёrit Jashar e Hekuran Daku qё zotёrojnё “Il Fiore Restaurant“, si dhe vёllezёrit Gani e Bujar Daku dhe Mefail Kupa me grup restaurantet “La Fontana“, pёr tё cilёt Shoqata “Bijte e Shqipes”  njoftoi vendimin pёr dhёnien e Certifikatave tё Mirёnjohjes me motivacionin e mёposhtёm : “PЁR KONTRIBUTIN E MADH QЁ DHANЁ DUKE DHURUAR SHPRESЁ E USHQIM FALAS TEK NJERЁZIT NЁ NEVOJЁ , TEK PERSONELI SHЁNDETESOR I SPITALEVE DHE EFEKTIVAT E POLICISЁ QЁ ISHIN NЁ VIJЁN E PARЁ TЁ MBROJTJES SЁ JETЁS , GJATЁ PERIUDHЁS SЁ PANDEMISЁ COVID -19 TЁ VITIT 2020 “. Grupe nga kryesia e kёsaj shoqate nёn drejtimin kryetarit z. Bujar Gjoka sё bashku me zoterinjtё Dritan Matraku, Llazar Vero, Tajar Domi, Haki Collaku, Mexhit Koboci, Bujar Velia e anetari i shoqatёs Hysё Hasa, i shpёrndanё kёto vlerёsime drejt pёr sё drejti nё adresat e kёtyre restauranteve. Nё bisedat me to, e ndjemё mё afёr situatёn e atyre ditёve, vecanёrisht tё muajve tё parё tё pandemisё, kohё gjatё sё cilёs, thuajse tё gjithё ne mundoheshim tё mbyllnim edhe vrimat e celsit nё shtёpitё tona pёr tu mbrojtur nga armiku i padukshёm. Ndёrsa kёta bashkatdhetar sё bashku me punonjёsit e tyre qёndronin me derёn hapur (sipas rregullave tё njoftuara nga autoritetet shtetёrore) nё shёrbim tё tё tjerёve. Duke sfiduar rrezikun edhe tё jetёs, ata nё grup u gjenden nё shёrbim tё njerёzve. Tek shikonim fotot dhe videot e shpёrndara nё FB  prej tyre, por edhe nga shoqata “Bijte e Shqipes”, tek kujtonim edhe shkrimet e intervistat e bёra nga kanale tё ndryshme televizive  si Zeri i Amerikes, TVSH, Top Channel, Klan etj, mendonim me vete duke e thёnё edhe me zё tё lartё: Kёta janё heronjtё tanё nё Filadelfia, qё na bёjnё tё gjithёve krenar. Nёnё Tereza shqiptare na mёson qё tё mos presim pёr tё bёrё gjёra tё mёdha, por le tё nisim me tё voglat. Tё dhurosh ёshtё dashuri , shpirt gjёrёsi , mbrojte jete, dhёnie shprese, ёshtё moral, ёshtё tё shijosh jetёn. Bashkatdhetarёt tanё tё restauranteve tё mёsipёrme e ndjenё kёtё. Prandaj gjatё atyre muajve, ne njoftimet e pёrditёshme u bёhej thirrje njerёzve nё nevojё tё mos rrinё me barkun bosh nё shpi, por tё afrohen nё sportelet tona ku do t’ju shёrbehet supё e bukё falas, ose njoftoni qё t’ua sjellim nё shpi . Ata tregojnё, se u afruan njё numёr i konsiderueshёm, qё ndoshta nuk e kishim imagjinuar mё parё. Alexi, Bujari e Hekurani, duke kujtuar moton e fushatёs sё tyre “Tё ndihmojmё ata qё kanё nevojё”, i rremben dёshira qё ky motiv tё jetё pёrgjithmonё. Nuk ka qenё e lehtё, por ishin ditё tё vёshtira, edhe pse para nesh ishte zgjedhja pёr ta mbyllur bisnesin, sic vepruan shumica. Por duke menduar pёr vete, mendonim edhe pёr punonjёsit, familjet e tё cilёve do tё ndodheshin ndoshta pёrballё vёshtёrsive. E biseduam me to, pёr mё tё mirёn, e pёr t’ju ardhё nё ndihmё tё tjerёve. Shpenzuam energji, kohё e me rrezikun e padukshёm mbi kokё. “Ju keni shpenzuar edhe sasi tё konsiderueshme financiare gjatё kёsaj fushate “- nderhyn z. B.Gjoka nё bashkebisedimin me Alexin. Jo, nuk ёshtё e vertetё. Shumica e asaj qё dhuruam na u kthye shumё shpejt, thotё Alexi. Nё shtator, kur filloi rihapja e lokaleve, ata qё na frekuentonin para pandemisё, filluan tё vinin e po na falenderonin nga zemra pёr ndihmat qё kishim shpёrndarё nё njerёz tё vecantё e institucione. Njё pjesё e tyre, nё shenjё mirёnjohje ndaj nesh, vazhdon Alexi, filluan tё linin cheqe me shuma jo tё vogla, kёshtu qё ato qё ne dhuruam po na vijnё mbrapsh.Si pёr tё konfirmuar fjalёn e urtё tё popullit, “hidhe nё det se tё del nё tokё”, na erdhi nё ndihmё vendimi i qeverisё amerikane dhe i shtetit tё Nju Xhersit pёr tё ndihmuar financiarisht bisneset, midis tyre edhe ato tё nivelit tonё. Kёshtu thotё Hekurani, duke falёnderuar edhe punёn e stafit tё tij tё atyre ditёve si dhe shoqatёn Bijte e Shqipes pёr pasqyrimin me detaje tё asaj pune e angazhimi tё jashtёzakonshm qё nuk do tё harrohet kollaj. 

Me Bujarin, u takuam nё njёrin nga restaurantet e “Daku Group” nё Atlantik City. Ai ёshtё ndёr tre tё parёt qё u arratisёn nga vendlindja nё vitin 1989, nё moshёn 17 vjecare, dhe brenda pak muajsh u ndodhen nё vendin e ёndrrave, nё Amerikё. Puna e pasioni i pёrditshёm pёr rritjen e bisnesit, kanё cuar qё sot familja e tij sё bashku me tё vёllait, Ganiut, tё zotёrojnё njё rrjet bisnesesh kёtu nё Filadelfia e nё Nju Xhersi. Duke marrё certifikatёn e Mirёnjohjes, Bujari vlerёson sё pari angazhimin intelektual e atdhetar tё antarёve tё kryesisё sё shoqatёs pёr veprimtaritё dhe shkollёn shqipe qё po funksionon online, dhe sё dyti pёr mirёnjohjen qё kam nё dorё e cila nuk ёshtё e vetmja prej jush. Me mund e djersё e kemi arritur kёtё qё kemi, faleminderit zotit- thotё Bujari. Nё grupin tonё kishim me vete edhe veprimtarin e palodhur tё komunitetit shqiptar z. Enver Parllaku, i cili po menaxhon se bashku me djalin e tij Arjanin, restaurantin La Fontana Della Cita nё qendёr tё Filadelfias. Ky restaurant ёshtё bёrё njё vend i pёrhershёm pritje, bashkimi, ndihme e punёsimi  pёr shqiptarёt e veprimtaritё e shoqatёs  vecanёrisht pёr mbledhje fondesh.

Do tё kontribojmё edhe mё tepёr nё tё ardhmen, sepse prej kohesh  shoqata Bijte e Shqipes ёshtё bёrё njё emёr i njohur e me punёn e transparencёn financiare po i bashkon mё shumё shqiptarёt. 

Bashkatdhetarёt e mёsipёrm janё ata bisnesmenё qё me punёn e angazhimin e tyre nё ditёt e vёshtira tё pandemise, ndihmuan tё tjerёt dhe na benё krenar tё gjithёve ne. Ata janё njё shembull pёr tu ndjekur edhe nga bisnese tё tjera tё shumta shqiptare kёtu. Dhe ata janё nga e njёjta zone prej sё cilёs kanё ardhur, nga Kalaja e Dodes. Sigurisht origjina flet shumё nё kёtё drejtim. Sё bashku me tё tjerё persona e familje tё kёsaj zone qё banojnё e zotёrojnё bisnese kёtu nё Filadelfia, si Qazim Kupa, Kalosh Kupa, Shpetim Daku, Nuri Kupa, Gezim Kupa, Mefail Kupa, Jakup Domi, Ismet Ajvazi , Hamit Kupa etj, e kanё vendosur veten ndёr tё parёt nё kontributet financiare tё dhuruara pёr shoqatёn Bijte e Shqipes e shkollёn shqipe, pёr raste fatkeqёsish tё bashkatdhetarёve e ndihmё pёr tёrmetin nё Shqiperi.

Nё respekt tё vendlindjes tё kёtyre heronjve tё periudhёs sё pandemisё covid-19, por edhe tё tё tjerёve qё cituam mё lartё, do t’ju njohim shkurt me zonёn e Kalase se Dodes dhe tё vecantat e saj: Ajo shtrihet nё zonёn verilindore tё Shqiperise, rrёzё malit tё Korabit. Qe nga viti 1952 pesё fshatrat e saj janё pjesё administrative e Dibres, ndёrsa para kёtij viti dhe historikisht kanё qenё pjesё e Lumёs. Lartesitё e bjeshkёve tё bukura tё Korabit, ju kanё dhёnё kёtyre banorёve pёrvec detyrimin pёr tё qenё punёtor e tё aftё pёr tё pёrballuar vёshtёrsitё e jetёs tё familjeve, edhe krenarinё e tyre pёr tё qenё bashkё e nё ndihmё tё njёri tjetrit. Atdhetar dhe luftёtar pёr kombin, kanё qenё e janё banoret e Kalase se Dodes. Deshmori i parё i betejes nё luftёn e Kolesnjanit ku serbёt lanё 12 mijё tё vrarё, ishte Ibrahim Zeqiri i Radomirёs. Dy herё shtёpitё e tyre janё djegur nga serbёt, ndёrsa shumё banorё janё vrarё e prerё nё pabesi, sic ky armik shekullor ka bёrё vazhdimisht mbi shqiptarёt. Por ato nuk i lёshuan kurrё trojet. Eshte popull qe i pёlqen jo vetёm liria nё gjithanshmёrinё e saj, por edhe vetё qeverisja. Nё periudhёn e komunizmit, pёrjashtuar raste tё vecanta, vizitor nё shtepinё e njё komunisti apo punonjёsi shteti, ishte edhe njё kulak apo pa triskё fronti, si dhe anasjelltas. Kjo dёshmonte bashkimin, c’ka e detyronte shtetin e asaj kohe te ishte mё i matur nё ekstremet e tij. Burrat kane punuar fort, nё kёrkim tё parasё nё cdo cep tё Shqiperisё, me qёllim qё familja tё mos vuante nga mungesat pёr tё jetuar. Dhe ja kanё arritur qёllimit. Kёshtu veprojnё shqiptarёt dhe e gjithe bota sot, nё kёrkim tё punёs e fitimit tё  parasё, pёr njё jetё mё tё mirё. Familja nё Kala tё Dodes, ka jetuar mirё nё cdo kohё , falё punёs tё burrave e respektit ndaj grave. 

Miku im nga Fieri kёtu nё Filadelfia, z. Llazar Vero, nё festimin e ditёlindjes time para disa vitesh, u drejtohet tё pranishmёve: “Kam bredhur nё tё gjithё Shqiperinё si gazetar por dy herё nё jetёn time, kam fjetur si mbret, njё natё nё Voskopojё dhe herёn tjetёr nё Kala tё Dodes. Dhoma e gjumit e vecantё, e shtruar me qilim e sixhade, krevati shkёlqente me bardhёsinё e carcafёve e jorganin prej atlasi…”. Ndёrsa mёsuesi nga  Dukati i Vlores , z. Ismet Kutelaj, i cili punoi nё njёrёn nga shkollat e zonёs pёr gjashtё vite nё vitet ’80 , shkruan kёshtu nё njё mesazh nё FB pёr kёta banorё: “Janё njerёz tё zgjuar. Janё trima e patriotё. Janё tё kurbetit e sakrificёs. Janё njё popull shumё mikpritёs. Janё shumё punetor, sa qё anglezi kur shkojnё emigrantё pёr tё kёrkuar punё, i pyet: Je nga Kalaja e Dodes? Jane pastёrtor e tё respektueshёm. Janё tё besёs, tё fjalёs e tё kuvendit. Qendrojne lartё … Une flas njё realitet tё jetuar nga afёr, kam ndenjur nё vatёr tё zjarrit”.

Brezi i te rinjve tё pas ’90 -ёs i kesaj zone, kudo qё janё nё bote, janё nё pararojё tё punёs. Kёshtu janё edhe ata kёtu nё Filadelfia. Janё duke shkolluar fёmijtё e tyre nё universitetet mё tё njohura tё Amerikes. Por pёrvec punёs, me sa duket ata kanё trashёguar edhe cilёsitё e mёsipёrme tё para ardhёsve, vlerat njerёzore e humane qё ata kanё manifestuar nё vite e shekuj. Prandaj, ndoshta kjo trashegimi i bёri heronjtё tanё tё pandemisё covid-19  nё Filadelfia , tё ishin vetёm ata me origjinё nga Kalaja e Dodes. Nё fund tё kёtij shkrimi po sjell  edhe disa vargje tё kёngёs sё mёposhtme :

Kudo shkojn’ djemt’ e Kalase Dodes,

N’Amerike apo n’Europe,

Dinё respektin si ta bёjnё, 

E vendlindjen ta nderojnё. 

JU LUMTE!

Filadelfia , me 25 Janar 2021

Filed Under: Featured Tagged With: bijte e shqipes, Heronjt e Pandemise

Kuint: Kosova në 14 Shkurt 2021 – zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore

January 26, 2021 by dgreca

-Deklaratë e dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në Kosovë: Ambasadorët e shteteve të Kuintit takuan kryetarën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet tona të monitorimit të zgjedhjeve…/

PRISHTINË, 25 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në Kosovë dërgoi këtë deklaratë:

DEKLARATË NGA SHEFAT E MISIONEVE TË FRANCËS, GJERMANSË, ITALISË, MBRETËRISË SË BASHKUAR DHE SHTETEVE TË BASHKUARA 

Më 25 janar, ambasadorët e shteteve të Kuintit takuan kryetarën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të shprehur përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt, dhe për ta njoftuar mbi planet tona të monitorimit të zgjedhjeve. Derisa pandemia ka krijuar sfida shtesë, jemi të sigurtë në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës t’i zbatojnë rekomandimet e bëra në raportin e Misionit Zgjedhor të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 6 tetorit 2019. 

E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike. Procedurat parazgjedhore, përfshirë certifikimin e kandidatëve, janë ende në proces. Në këtë moment, ne besojmë se populli i Kosovës meriton qetësi dhe pjekuri nga të gjitha anët. Është e rëndësishme që vendimet ligjore të respektohen dhe rrugët e apelimit të ndiqen pa ndërhyrje. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative. 

I ftojmë të gjitha partitë dhe kandidatët që të përfshihen në një garë të ndershme në të gjithë Kosovën, duke respektuar masat anti-COVID-19 gjatë gjithë fushatës. Derisa shqyrtojnë pëzgjedhjen e tyre, populli i Kosovës meriton të dëgjojë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues. 

Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën. 

STATEMENT FROM THE HEADS OF MISSION OF FRANCE, GERMANY, ITALY, THE UNITED KINGDOM, AND THE UNITED STATES  

On January 25, the Quint Ambassadors met with the Chairwoman of the Central Election Commission (CEC) to express our continued commitment to free, fair, safe, and peaceful elections on February 14, and to share our election monitoring plans. While the pandemic has created additional challenges, we are confident of CEC’s capability to oversee the elections. We continue to call on Kosovo’s authorities to implement the recommendations made in the European Union Election Mission’s report on the October 6, 2019 elections. 

We stressed that the CEC must ensure the electoral process is transparent and free from political interference. Pre-electoral procedures, including the certification of candidates, are still in progress. At this moment, we believe that the people of Kosovo deserve calm and maturity from all sides. It is important that legal decisions are respected, and avenues for appeal are pursued without interference. We urge everyone to refrain from inflammatory and speculative personal attacks. 

We encourage all parties and candidates to engage in a fair competition across Kosovo, while abiding by COVID-19 measures throughout the campaign. As they weigh up their choices, the people of Kosovo deserve to hear detailed policy proposals from their politicians, with arguments made in a spirit of informed debate. To ensure a successful election, it is also up to the people of Kosovo to turn out to vote and to do so safely, also following all COVID-19 measures. Our governments are committed to continuing our support for efforts to build a secure, prosperous, democratic Kosovo for all citizens, and to working closely with any government that is formed through free elections in accordance with the constitution. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Quinti, zgjedhjet ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT