• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2021

NORD STREAM 2 DHE PESHA E HISTORISË

February 15, 2021 by dgreca

Nga PAOLO VALENTINO-PERKTHEU EUGJEN MERLIKA/Historia vërshon në krizën me Rusinë, të  shkaktuar nga rasti Navalny. Por këtë rradhë është rrahje mendimesh në fushën perëndimore. Qeveria e Ukrainës ka sulmuar ashpër presidentin e Republikës federale Frank – Walter Steinmeier. Objekt i kundërshtisë është Nord Stream 2, gaz-sjellësi ruso – gjerman në rrugë përfundimi nën Detin Balltik, që SHBA dhe shumica e Vëndeve të BE duan t’a ndalojnë si hakmarrje kundër Kremlinit, por që Berlini nuk ka ndërmënd t’a braktisë duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një vepër ekonomike të ndarë nga tema e të drejtave njerëzore.

            Simbas Steinmeier-it, një nga arsyet për të cilat Nord Stream 2 duhet përfunduar është edhe borxhi historik i Gjermanisë kundrejt Rusisë, për shkak të mizorive të kryera nga nazistët gjatë luftës së Dytë botërore: “Më 22 qershor do të jetë përvjetori i 80 i mësymjes gjermane ndaj BRSS, që i kushtoi atij Vendi më shumë se 20 milionë të vdekur. Kjo nuk përligj asnjë veprim të keq politik të kryer sot në Rusi, por ne nuk duhet të humbasim kurrë nga vështrimi kuadrin e historisë”.  

            Fjalët e Steinmeier-it janë pritur me tërbim në Kiev, që me hyrjen në veprim të gaz-sjellësit, mund të humbasë deri në 1,5 miliard euro në vit nga “taksat e kalimit” që arkëton sot nga tubat ruse që përshkojnë truallin e tij. “Habi dhe zëmërim” ka shprehur ambasadori ukrainas në Berlin, simbas të cilit Nord Stream 2 është një projekt gjeopolitik i Putinit dhe “është cinike të nxirren në bisedë krimet naziste dhe t’i vishen viktimat vetëm Rusisë”. 

            Në të vërtetë, Steinmeier-i ka folur vetëm për viktimat e BRSS, në të cilin Ukraina ishte njëra nga republikat. Tashmë që Kievi të jetë kundër Nord Stream 2 është e kuptueshme dhe e ligjësueshme, edhe se Angela Merkel ka vepruar në mënyrë që Moska të japë siguri për furnizimet. Por nuk ka dyshim që motivacioni i presidentit gjerman është i fuqishëm e po aq i ligjëruar.

“Corriere della Sera”, 12 shkurt 2021       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Paolo Valentino

RAKETAT RUSE DHE STUDENTËT KËRCËNOJNË REXHEP ERDOGANIN

February 15, 2021 by dgreca

Nga FRANCO VENTURINI-PERKTHEU: EUGJEN MERLIKA/Raketat ruse kërcënojnë Rexhep Taip Erdoganin. Nuk do të deshim të ishim keqkuptuar: edhe se kundërshtarë në Libi. Rusia dhe Turqia kanë marrëdhënie shumë të mira. Raketat në fjalë, shumë të rrezikëshmet kundëajroret S – 400, janë blerë nga Ankaraja me përpikmëri të dorëzuara nga Moska. Por efekti I tyre, më parë se të jenë rrjeshtuar, ka qënë shpërthyes.

            SHBA të Trump-it e kanë përjashtuar Turqinë nga zhvillimi i bombarduesve gjuajtës F 35(të porositura edhe nga Italia), aeroplanët që pjesërisht Ankaraja i kishte paguar nuk janë dorëzuar, e tani Erdogani druan se Bideni do t’a përforcojë ndëshkimin. Aq më tepër se turqit po trajtojnë me Moskën të tjera blerje, pa çarë kokën se janë antarë të NATO-s dhe as papërputhshmërinë e hamendësuar mes S-400 dhe armatimeve të Aleancës Atlantike.

            Erdogani, duke e parë punën pisk, ka kërkuar mirëkuptim n’Evropë, duke ndërprerë  menjëherë polemikat e madje dhe sharjet e shkëmbyera me Parisin kohët e fundit. Të dërguarit turq nuk kanë lënë pa i u kujtuar bashkëbiseduesve të tyre (kjo gjë intereson edhe Italinë) që tre milion të ikurish sirianë dhe afganë, janë “mikpritur” në Turqi në shkëmbim të financimeve bujare. Porta mund të hapet… Por evropianët nuk janë joshur duke i kujtuar Erdoganit veprime konkrete të pajtimit.

            E si të mos mjaftonte, i forti i Turqisë duhet të bëjë hesapet tani  edhe me trazirat në frontin e brëndshëm. Gjithshka filloi kur një korier politik është emëruar rektor i Universitetit të çmuar Bogazici. Demostratave të studentëve policia i u përgjigj me qindra ndalime, dhe nja njëzet djemsh e vajzash janë vënë nën hetim me padinë “pjesëmarrje në manifestime të paligjëshme dhe qëndresë kundër arrestimit”. Kërshëri, akuzat janë të njëjta me ato të sanksionuara në Rusi kundër demostruesve pro-Navalny. Nga ana tjetër raketat S-400 nuk janë lidhja e vetme ndërmjet Putinit dhe Erdoganit.

            “Corriere della sera”, 12 shkurt 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Franco Venturini

KËSHTU E GJETËM SHQIPËRINË E ENVER HOXHËS ….

February 15, 2021 by dgreca

….DHE TË RAMIZ ALISË, 30-VJET MË PARË/

KRONIKE ME FOTO/

NGA FRANK SHKRELI/

Ishte fillimi i dekadës së ndryshimve të 1990-ës. Vetëm disa javë na ndajnë nga 30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, pas një ndërprerjeje prej gjysëm shekulli. Besoj se Ambasada e SHBA-ave në Tiranë e shënon çdo vit datën e rivendosjes së marrëdhënieve midis Washingtonit dhe Tiranës, më 15 mars, 1991, ashtu siç e kujtojnë shumë shqiptaro-amerikanë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave, si një ngjarje historike dhe një ditë, që më në fund bëri të mundur bashkimin eventual të mijëra familjeve shqiptare të arratisura ose të dëbuara nga atdheu prej regjimit komunist enverist, që sundoi Shqipërinë me dorë hekuri prej pothuaj gjysëm shekulli. Unë dhe disa shqiptaro-amerikanë të tjerë ishim ftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) të merrnim pjesë në ceremoninë historike të 15 marsit 1991, për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, pas një ndërprejeje prej gjysëm shekulli.


“Kujtim nga vizita e e Delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri, Mars/Prill 1991″

Për më tepër, unë kam patur nderin dhe privilegjin të isha edhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara, i cili disa ditë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në Washington midis dy vendeve tona, u nisëm për në Shqipëri për të ndërmarrë masat e para për hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë dhe njëherazi për të marrë pjesë në zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri.

I kujtoj ato ditë si ndër më shpresëdhënëset për komunitetin shqiptaro-amerikan se më në fund diçka po ndryshonte në atdheun e të parëve tanë. Ishte e vështirë ta merrnim me mendë, por Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë, Muhamet Kapllani dhe dy përfaqësues të opozitës së re demokratike të posa formuar në Shqipëri, Sali Berisha dhe Gramos Pashko ishin të pranishëm në Departamentin e Shtetit, për të nënshkruar memorandumin për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të ndërprera aq brutalisht nga Enver Hoxha, pothuaj 50 vite më heret. Në komunitetin shqiptaro-amerikan, në atë kohë, në raste festash ose takimesh të ndryshme gjatë sundimit komunist, njerzit përshëndeteshin duke uruar njërin tjetrin, “Në Shqipërinë e lirë!”

“Antarët e delegacionit të DASH (autori i pari nga e majta) ditën e parë në Tiranë, ballë për ballë me yllin e kuq, simbolin e komunizmit, dhe ndërtesa e Ambasadës Amerikane, që në atë kohe okupohej nga legata italiane.”

Nënshkrimi i memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Ëashingtonit dhe Tiranës zyrtare nga Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Rejmond G.H. Saitc dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, (më 15 mars 1991) ishte prova më e mirë se dëshira e madhe e shqiptaro-amerikanëve, për një “Shqipëri të Lirë”, më fund dukej se po realizohej. Diplomati amerikan, Seitc në fjalën e tij me atë rast pasqyroi pritjet e gjata dhe shpresat e komunitetit shqiptaro-amerikan të shekullit të kaluar, duke theksuar se, “Marrëdhëniet midis vendeve tona fillojnë me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Udrou Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këtë dhomë, të cilët nuk e harruan atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”. Fatkeqësisht, kontaktet për shumë shqiptarë të Amerikës me nënën Shqipëri ishin vetëm në kujtimet, në mendjen dhe në shpresat e tyre, si dhe në besimin në Zot se një ditë, do të ndodhte ndryshimi i madh, se do të vinte dita e do të ribashkoheshin me familjet dhe të afërmit e tyre në Shqipëri. Hapi i parë i realizimit të kësaj dëshire u hodh, pikërisht 30-vjet më parë, më 15 mars 1991.

“Rrugët bosh të Tiranës – ku ishin shqiptarët?”

Në të kaluarën, unë kam reflektuar në disa shkrime të mia tepër modeste dhe nepërmjet disa intervistave mbi rivendosjen e marrëdhënive diplomatike midis dy vendeve tona dhe mbi rëndesinë e tyre për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar. Prandaj nuk dua të përsëris ato që kam thenë më përpara, në përvjetore të tjera të kësaj date historike, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.  Por, kësaj radhe deshta vetëm që të kujtoj këtë datë në kuadër dhe në pritje të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri – një datë tepër e rëndësishme në jetën time profesionale — për mua edhe si indidvid dhe për shumë bashkombas shqiptaro-amerikanë që gjatë dekadave kemi patur fatin të sigurojmë strehim politik në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Kësaj rradhe po ndaj me lexuesit vetëm disa foto të përzgjedhura nga vizita e delegacionit të parë të DASH në Shqipëri në mars/prill 1991, për të kapur sadopak atmosferën dhe rrethanat në të cilat, me kolegët e nderuar të Departamentit Amerikan të Shtetit, e gjetëm Shqipërinë komuniste, 30-vjet më parë.


“Bregu i Vlorës dukej i vetmuar dhe plazhet ishn bosh –por vigjilenca ushtarake kundër armiqëve të jashtëm ishte në kulmin e saj – mitralozat e drejtuar kah qielli në gatishmëri të plotë.”

“Ishte gjithashtu kohë zgjedhjesh në Shqipëri – zgjedhjet e para pluraliste, të cilat i fitoi Partia (Komuniste) e Punës me aleatët e saj, zgjedhje të cilat delegacioni amerikan (ndryshe nga evropianët) nuk i konsideroi si të lira dhe të drejta.”

“Një nga qendrat e votimit në periferi të Tiranës.”

“Shënjat e para se po frynte një erë e re lirie fetare – mesha katolike në Shkodër”

“Katedrala Katolike e Shkodrës dhe Xhamia e Plumbit”


“Një kafene në Shkodër – ndër lokalet e para private në mars/prill 1991”


“Një grup të rinjsh në Shkodër na pritën me buzëqeshje dhe na ofruan këtë foto si kujtim të vizitës tonë në Shkodër – me buzëqeshjen e tyre pasqyronin një rini plot shpresë për të ardhmen, sot 30-vjet më vonë ndoshta një rini e zhgënjyer nga politikat e këtyre viteve.”

“Në Romë, një ditë pas largimit të delegacionit nga Shqipëria – në udhtim e sipër për në Washington – duke reflektuar se si e gjetëm dhe si mund të bëhej Shqipëria post-komuniste – një pyetje të cilës 30-vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ende nuk ia kemi përgjigjen e duhur.”

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Shqiperine e Enver Hohes, Si e gjetem

SOT DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 112 VJEÇ

February 15, 2021 by dgreca

NGA DALIP GRECA*/

Përvjetorët e gazetës Dielli shënojnë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Vatrën e vatranët, por edhe për komunitetin dhe vendlindjen. Përvjetorët e mëdhenj të gazetës kanë lënë pas ngjarje të mëdha. Kështu psh përvjetori i 50-të  i Diellit lindi Fondin e Studentëve të Vatrës(që vazhdon edhe sot); përvjetori i 60-të bashkoi në SHBA për të parën herë shqiptarët e mërgatës së vjetër arbëreshe të Italisë me Shqiptarët e Amerikës; përvjetori i 100-të rilindi Diellin, që aksidentalisht ishte shuar për 2 vite e gjysëm…

      Kur Dielli mbushte Motin e parë të botimit, editori i dytë i Diellit, Faik Bej Konitza, shkruante:”Me këtë numër, 22 Tetor 1910- DIELLI mbushi Motin e parë të botimit… Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjëherë, rri mbi gur dhe hedh sytë pas. Është një çlodhje, një kurajo për të shkuar përpara, kur sheh se sa eci dhe kur mendon se ku do të shkojë…”  …

Me At Arthur Liolinin ne Kishen e Shengjergjit ne Boston me rastin e 110 vetorit te Diellit.

Natyrisht, Konica, nuk e mendoi se Dielli do ta kalonte një shekull Jetë!

Ndërsa Editori i parë i gazetës, ai që e pagëzoi Diellin, me emrin e bukur ndriçues-,ai që hartoi programin Kombëtar, të  botuar në numrin e parë, Fan S. Noli, që pati fatin ta shoh Diellin-burrë të rritur, tek festohej 50 vjetori i gazetës, Uronte:”Urojmë me gjithë zemër që DIELLI,gazetë e parë në Gjuhën Shqipe, që u botua e përditshme, të arrijë të festonjë dhe 100 vjeçarin.”

Ne 110 vjetorin e gazetes”Dielli”. Gazetari Frank Shkreli hap konferencen shkencore.

Dielli e kaloi 100 vjeçarin dhe ka hyrë në dekadën e dytë të vjeçarit të dytë të jetës së vet dhe vatranët nuk do ta lejonë që të shuhet ky qiri Kombëtar i ndezur në kohë errësire për Kombin dhe Lusim Zoti të arrijë 200 vjetorin.

Konference shkencore kushtuar 110 vjetorit te Diellit.

Po ku qëndron Misteri i jetës shekullore, 109 Vite VATRA dhe 112 vite –Dielli?

Kësaj pyetjeje janë përpjekë që t’i japin përgjigje analistë, studiues, gazetarë, historianë. Duket se konkluzioni logjik i ish Editor i Diellit Peter Prifti (1958-59), janë më të pranuarat. Së pari, Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë, por si një Institucion, si një Monument historik. Së dyti, edhe Vatra, edhe Dielli, lidhen me dy figura eminente të Historisë Kombëtare, Noli dhe Konica.

Së treti, semantika kuptimore e VATRËS dhe DIELLIT, janë magjike. Emri i Federatës të sjell menjëherë në mendje imazhin e ngrohtë të Vatrës dhe oxhakut, që shpërndajnë ngrohtësi, por dhe mikpritje, bujari karakteristike shqiptare. Po edhe –DIELLI-, është një fjalë që na tërheq si me magnet, sepse”Diell” do të thotë Dritë,energji e pasosur,Jetë e Gjallëri. 

Vatra dhe Dielli janë emra të goditur, që i kanë tërhequr fort shqiptarët nga fillimi i Shekullit 20 e deri tash në shekullin e 21.

Juristi i njohur, nje nga zerat e fuqishem te diaspores shqiptare ne kohe te veshtira, Juristi erudite, atdhetari I sprovuar Hasan Dosti, ne 60 vjetorin e Gazetes Dielli, per Diellin dhe Vatren, u shpreh: “Vatra” dhe “Dielli”, janë shprehje simbolike këto. Na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”. Ndersa gazetari i pare i Vatres, editori i Diellit refat Gurarzezi Diellin dhe Vatren i ka cilesuar si”Institute Kombetare”.

Conference Shkencore me rastin e 110 vetorit te Diellit.

***

Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, DIELLI, mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 112 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një çmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja. Dielli konkuroi me Editorialin e shkruar nga editori i asaj kohe, Qerim Panariti, nje nga dishepujt e Nolit. 

Në maj të vitit 2017 gazeta Dielli u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë me dekoratën” Nder i Kombit”.

            ***

        Dielli, ishte me fat sepse u udhëhoq nga pena të talentuara, shkrimtarë e gazetarë të njohur, (po perdor renditjen kohore)duke nisë me Fan S Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Kristo Floqi,Loni Kristo, Andrea D. Elia,Bahri Omari, Aqile Tasi, Andon Frasheri,Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Petër Tiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj,pak kohë punoi si ndihmës editor edhe poeti e shkrimtari Çam Bilal Xhaferri, Xhevat Kalljaxhiu, Dr.Eduard Liçaj, Din Derti, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa dhe prej 12 vitesh kam nderin që ta Editoj  unë Gazetën-Ikonë


***
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditën e Lindjes. 

” Dielli” lindi në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federoheshin në Vatër (procesi i bashkimit nisi që në dhjetor 1911-dita zyrtare e themelimit të Vatrës është 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë, ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën Kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën në Shkodër sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Shoqëria Besa-Besë mori vendimin për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Dielli u shkak që të vinte drejt Amerikës nga Europa edhe Faik Konica, për t’u vënë në krye të taborrit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës së bashku me Fan Nolin që kishte mbërritë tre vjet para tij.Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
Gazeta ka për kumbarë Fan S. Nolin që e pagëzoi me emrin e bukur “Dielli” ndërkohë që emri i Vatrës duket se ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922).
Dielli ishte shkolla e parë e shqiptarëve të Amerikës për të mësuar shkrim e këndim, ndërkohë që u bë Abetarja për mësimin e Atdhetarizmit. Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit faktikisht ishte Fan Noli, por editor faktik i emëruar prej Shoqërisë Besa-Besë ishte Faik Konica. Emrin e Nolit si editor nuk e gjejmë në numrat e parë të gazetës. E vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Edhe në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:”Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull.”
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në Historinë e Vatrës se ”Kur doli nga “Inverna” ish veshur me kostum Kombëtar dhe i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s’desh t’i hiqte dhe i lutej Fan Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe veshi rroba të vendit. Më 22 të tetorit Konica mori në dorë drejtimin e Diellit.”

DIELLI DHE PROGRAMI KOMBËTAR

Dielli u bë ungjilli i shqiptarëve të Amerikës, të cilët të mbledhur fillimisht rreth Besa-Besën, e më pas rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara, kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës. Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetësisë dhe natyrisht të gazetarisë shqiptare.
Dielli ka meritën historike se shtroi para shqiptarëve programin Kombëtar, i cili paraqet edhe kthjelltësinë Kombëtare dhe orientimin kombëtar të atyre që e hartuan atë program. Ka dy mendime për autorin e programit, një pjesë mbrojnë idenë se e shkroi Noli, një pjese këmbëngulin se sitli është i Konicës, balanca anon nga i pari. Në programin Kombëtar të Diellit kërkohej njohja e Kombësisë shqiptare prej qeverisë turke; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, Arsim Kombëtar në shqip, kërkohej zhvillim ekonomik, ndërtim rrugësh, kërkohej përcaktimi i kufijëve kombëtar që të përfshinin Vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit dhe këmbëngulej fort për qeverisje të vendit prej shqiptarëve përmes një Parlamenti Kombëtar.Programi i Diellit kërkonte lirinë dhe të drejtat e Kombësisë shqiptare prej guvernës turke, por pa u ndarë nga Perandoria,duke patur të përbashkët veç ushtrinë, punët e luftës dhe punët e jashtme.
Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi”Dielli dhe Flamuri”. Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën, por ai nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis në Sain Louis.

NOLI, KONICA DHE EDITORËT E TJERË QË DREJTUAN DIELLIN

Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij informativ, ironik e sarkastik; dhe më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues, por dhe plot elegancë të Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit, Bahri Omarit, Rafat Gurrazezit, Qerim Panaritit, Nelo Drizarit, Xhevat Kallajxhiut, ish drejtorit të gazetës Demokratia e Gjirokastrës, Athanas Gegës etj. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”ustai i gjuhës shqipe” sillte me vete shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmin të mëtejshëm të Diellit.
Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor 1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që merreshin me Diellin ”Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen” pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të ngushtësisht, duke u rikthyer edhe si editor i gazetes rilindase.Historia vijon.

Mirenjohje per te gjithe Editoret e Gazetes Dielli!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dielli 112 vjeç

Itali- Nisma për të shpëtuar nga mbyllja shkollën në Shkodër

February 14, 2021 by dgreca

Në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës shkolla 9-vjeçare “Cor Jesu”, ndërtuar në 1999-n prej arqipeshkvit Angelo Massafra, lufton për mbijetesë sepse kostot e funksionimit të saj (rreth 70.000 euro në vit) tejkalojnë të ardhurat. Ky institut ofron arsim për fëmijët nga cikli parashkollor deri tek fundi i ciklit 9-vjeçar.

Fondacioni shqiptar “Bridge For the Future” dhe Shoqata “Integra” (Itali), të drejtuar nga zonja Klodiana Çuka, kanë adoptuar Shkollën “Cor Jesu” në tentativën për të ndihmuar Motrat Apostulle të Zemrës së Shenjtë të Jezusit.

Prej një viti tashmë është ndërmarrë një nismë për të shpëtuar shkollën e cila pas shumë vitesh mbyllje negative të buxhetit, rrezikon mbylljen përfundimtare, duke lënë 231 fëmijë në shtëpi, midis kopshtit, fillores dhe shkollës së mesme.

E ndodhur në periferi të Shkodrës, lagjja “Mark Lula” është ndër më të varfrat e qarkut dhe varfëria është e përhapur edhe tek fëmijët e institucionit edukues.

Shkolla “Cor Jesu”, ( fillore dhe e mesme) është hapur në vitin 1999 dhe ndodhet në një zonë periferike shumë të varfër të qytetit në Shkodër. Jo të gjitha familjet janë në gjendje të paguajnë tarifat e shkollës megjithatë mësuesit i mirëpresin të gjithë fëmijët që dëshirojnë të studiojnë, dhe u sigurojnë një nivel të lartë arsimimi” tha për “Diaspora Shqiptare” Çuka.

Ajo në bashkëpunim me fondacionin shqiptar “The bridge for the future”  ka vendosur të ndihmojë një shkollë në Shkodër e cila rrezikon të mbyllë dyert, duke lënë në rrugë 231 fëmijë.

Këto ditë Fondacioni dhe “Integra” po shpërndajnë një apel, shfaqur fillimisht në kanalet e komunikimit të dy organizatave, për të ndihmuar financiarisht shkollën në mënyrë që cikli edukues i fëmijëve që e ndjekin të mos ndërpritet. Apeli u drejtohet gjithë atyre që mund të ndihmojnë përmes dhurimeve të drejtpërdrejta monetare e materiale në shkollë ose përmes një derdhjeje monetare në këto adresa bankare:

Shqipëri – APOSTULLET E ZEMRËS SË SHENJTË TË JEZUSIT

Lagja Mark Lula SHKODËR – SHQIPËRI

IBAN: 39 208511830000039835931801

SË IFT: USALALTRSH1

INTESA SANPAOLO BANK

Itali: – Associazione Integra

IBAN: IT83D0501804000000011390473SËIFT: CCRTIT2184O

BANCA ETICA – FILIALE DI BARI

(Kortezi-Gazeta e Diaspores)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Nisma, shkoder, shpetimi I Shkolles

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT