• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2021

ITALIA DHE G20 PËR TË VAKSINUAR GJITHË BOTËN

February 21, 2021 by dgreca

Nga DANILO TAINO/*

Bëhet fjalë për të vaksinuar botën: “askush nuk është i sigurtë deri sa të gjithë nuk janë të sigurtë”, është fjalia e përsëritur vazhdimisht. A mund të ketë Italia dhe qeveria Draghi një rol në nisjen e fushatës së imunizimit global të bllokuar në këtë çast? Në datën 17 shkurt ishin vënë në punë 188,35 milionë doza vaksinash në botë (burimi, Ourwoldindata.org). Prej tyre 56 milionë në Shtetet e Bashkuara, 24 milionë në BE, 18 milionë në Mbretërinë e Bashkuar, shtatë milionë në Izrael, 40 milionë në Kinë (më 9 shkurt).

            Në pjesën tjetër të Vendeve, pak më shumë se 40 milionë gjithësej, e në shumë prej atyre më të varfër perspektiva e një vaksinimi është tepër e largët. Është e dukëshme që për të drejtuar një fushatë globale duhen mobilizuar Vendet më të pasura, mbasi të kenë vënë në vijë rrugën për imunizimin e qytetarëve të tyre. Ka një sërë nismash të prirura për të mbështetur zotimin e Organizata  Botërore e Shëndetësisë ka krijuar Covax, një aleancë bashkëpunuese për të vaksinuar gjthë të rriturit e planetit. Ajo që mungon është ndihmesa konkrete për të mbushur zbrazësitë që në shumë pjesë të botës janë dhe pengojnë që fushata të fillojë.   

            Bëhet fjalë për të shtuar prodhimin nëpërmjet lejeve, të organizohen zinxhirët e furnizimit shpesh të ngatërruar për karakteristikat e vaksinave, të krijohet prapavija për mbarështimin, të gjinden teknikët që janë t’aftë të bëjnë gjithë këto. E të vihen në dispozicion fondet për këtë sipërmarrje të rëndësishme. Vetëm ekonomitë më të pasura, ato të G20 kanë muskujt dhe arkat për të mbështetur një bashkëpunim botëror të këtij lloji.

            Mirë: Italia ka këtë vit kryesinë e G20-ës, ka një qeveri të re të drejtuar nga një kryeministër me një autoritet absolut ndërkombëtar. Ka mundësinë të nxisë e të drejtojë njëzet ekonomitë më të fuqishme drejt një përpjekjeje të përbashkët të domosdoshme për të gjithë. Dhe duhet t’a fillojë duke futur në lojë aleatin më të fortë, atë Joe Biden që duhet të rifitojë për Shtetet e Bashkuara prestigjin historik të drejtimit në mbarështimin e krizave, të humbur në 2020 për shkak të America First. Kështu dhe Italia do të rigjejë kuptimin e vetvetes.

          * “Corriere della Sera”, 20 shkurt 2021         

Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Danilo Taino, Italia-G 20, Vaksinimi

PËRPARËSIA E BISEDIMEVE PRISHTINË–BEOGRAD

February 21, 2021 by dgreca

“Në krizat politike njeriu i ndershëm është i çoroditur, jo aq për

të kryer detyrën e tij, se sa për të kuptuar se cila është ajo.”

BONALD (1754 – 1840), shkrimtar politik francez/

SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA/

            Më 14 shkurt 2021 u zhvilluan në Kosovë zgjedhjet e parakohëshme kuvendore. Fushata zgjedhore u zhvillua në një periudhë të shkurtër prej 12 ditësh, e kushtëzuar nga pandemia, që nuk lejonte grumbullime të mëdha njerëzish. Votimet u kryen brënda një dite e përfundimet u shpallën të nesërmen. Nuk pati ankimime për parregullsi e humbësit pranuan përfundimin duke uruar fituesit.

            I gjithë ky kuadër meriton një përgëzim të sinqertë, sepse dëshmon për një pjekuri të institucioneve, por edhe të qytetarëve të Kosovës. Është një dëshmi e qartë e një niveli të zbatimit dhe respektimit të parimeve të jetës demokratike në një shoqëri të formuar. Aq më shumë bëhet i detyrueshëm ky përgëzim nga ana e qytetarëve shqiptarë të cilët, prej një të katërt qindvjeti, janë të pranishëm në republikën e tyre në veprimtari zgjedhore, gjithmonë të vëna në diskutim si pasojë e parregullsive, të panjohura nga humbësit, që kurdoherë padisin fituesit për vjedhje votash e përfundime që zgjasin me ditë të tëra të bëhen të njohura. Kultura institucionale dhe qytetare e banorëve të Kosovës, e cila shpreh ndryshimin nga praktikat zgjedhore të Shqipërisë, i kushtohet jo vetëm mirërritjes qytetare të këtyre të fundit por edhe një nderimi për dukurinë themelore të një demokracie, që është ngulitur atje edhe nga organizmat ndërkombëtare, të cilët në 23 vitet e fundit kanë bashkëshoqëruar zhvillimin e Kosovës në rrugën demokratike.

            Një tjetër risi e atyre votimeve të ditës së Shën Valentinit qe përfundimi i qartë të cilin zgjedhësit e Kosovës, në pothuaj se gjysmën e tyre, i dhanë votat një partie, Vetëvendosjes. Edhe në këtë përfundim zgjedhor, mendoj se arsyet në bazë të tij janë dy: e para, dëshira e pamohueshme e popullsisë, sidomos e pjesës së saj më të re në moshë, për një ndryshim cilësor që duhet të japë shpresë për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilët përballohet Vendi i tyre, dhe e dyta zhgënjimi i pjesës më të madhe të zgjedhësve nga sistemi i ngritur në këmbë nga klasa politike e ish UÇK-së e cila, në përfytyresën e përgjithëshme njëjtësohet me korrupsionin e të tjera mangësi të jetës politike.

            Kosova e brezit të saj të pasluftës ka vendosur t’i besojë fatet e saj një partie që kishte dalë në skenën politike shumë vite më parë, si një kundërpërgjigje e një pjese të shoqërisë, kryesisht e të rinjve, ndaj mbizotërimit të organizmave ndërkombëtare, përfaqësuese t’atyre Vendeve e atyre organeve shumëpalëshe  të demokracive perëndimore që liruan Kosovën nga terrori sërb, nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në pranverën e verën 1999, duke i hapur rrugën pavarësisë së saj të mëtejshme. Gjatë gjithë këtyre viteve Vetëvendosja, “partia e majtë nacionaliste”, siç e kanë përkufizuar këto ditë shumë media evropiane, ka bërë rrugën e saj që përkon me atë të kryetarit të saj, z. Albin Kurtit, një gazetar që i është kushtuar politikës.

            Nga “foshnjëria politike” e viteve të para, kur fuste bombat tymëse në Kuvendin e Prishtinës nëpërmjet femrave deputete, sot ajo ka mbërritur në një pjekuri, të cilën pritet t’a verë në zbatim në drejtimin e Shtetit, tani që populli i ka besuar në mënyrë bindëse detyrën e qeverisjes. A do të jetë në gjëndje dyshja politike Kurti – Osmani  t’i kthejnë shpresën e besimin qytetarëve të zhgënjyer të Kosovës, duke bërë të mundur “vetëvendosjen” e pritshmërisë së tyre për një shoqëri të pastër moralisht e të begatëshme në nivelin e jetesës, në gjirin e një kontinenti të cilin shumica e tyre duan t’a kenë si shtëpinë e tyre? Pyetja i ngjet një mali të lartë e përgjigja bën t’i dridhen duart edhe një burri shteti me përvojë gjysëm shekullore, sepse të vështirësive të skajshme janë problemet me të cilët sot ballafaqohet Kosova e shkëputur nga dheu amë 108 vite më parë.

            Por kryeministri i mundshëm është ndjellamirë e pohon se “Dëshirojmë t’a nxjerrim Kosovën nga kriza e shumë viteve dhe t’a vendosim në binarët e progresit”. Arritja e këtij  synimi duhet të jetë dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo në botë e urimi i njëzëshëm i tyre duhet të shoqërojë, në ditët e ardhëshme, nisjen e asaj sipërmarrjeje. Sot, sikurse pothuaj gjithë Vendet e tjera të botës, Kosova përballet me krizën shumë-planëshme të pandemisë që ka vënë në vështirësi shëndetin e popullsisë dhe financat e shteteve. Synimi i Qeverisë së re për të vaksinuar rreth 60 % të popullsisë shkon në drejtimin e duhur e kërkon një organizim të mirë të punës, si përsa i përket kontratave për të siguruar vaksinat ashtu edhe kushteve praktike të mbarëvajtjes së proçesit vetë.

            Është pohenik mendimi për të bashkëpunuar me Vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, por bashkëpunimi duhet të jetë i frytshëm edhe me autoritetet kontinentale, që duhet të venë në planet e tyre vaksinimin e Vendeve të Ballkanit perëndimor, edhe se ata nuk janë ende antarë të mirëfilltë zyrtarë të Bashkësisë. Është detyrë morale e BE, madje edhe nevojë e tij që të marrë përgjegjësinë shëndetësore të Vendeve të kontinentit, ndërmjet tyre edhe të Kosovës në këtë gjëndje pandemie. Nëse nuk e ka bërë sa e si duhet deri tani, për vështirësitë e tij të furnizimit e të organizimit, mbetet një domosdoshmëri  për t’ardhmen e afërt. Qëndrimi i ditëve të fundit i presidentit francez, mbi furnizimin me vaksina të Vendeve të varfëra, duke caktuar një sasi prej 5% të rezervave të tyre atyre, sigurisht do të mbajë parasysh edhe nevojat e Ballkanit. Këtij qëndrimi i bëri jehonë edhe mbledhja e nivelit të lartë të G7 që vendosi të verë në dispozicion të vaksinave për Vendet e varfëra 7,5 miliard dollarë. Kryetarët e shteteve e qeverive të shtatë Vendeve më të industrializuara të botës u shprehën njëzëri mbi nevojën për të paraqitur një front të bashkuar “e për të  vepruar në mënyrë të tillë që vaksinat t’u shkojnë të gjithë atyre që kanë nevojë kudo qofshin në botë”   wndrimi i bëri jehonë Qwq

Marrëdhëniet e Kosovës me botën, në larminë e tyre të detyrueshme, janë një tjetër vështrim i politikës kosovare në përmasat e saj normale. “Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër…” është shprehur ditët e fundit kryetari i Vetëvendosjes, z. Albin Kurti, që, me gjasë, mund të jetë kryeministri i ri i Kosovës. “Gjuha kocka s’ka por kocka thyen” thotë një fjalë e urtë shqiptare. Është e vërtetë që Kosova ka marrëdhënie të mira me SHBA, por ajo mbetet një Vend evropian e megjithë vështirësitë që has tani me mos njohjen e saj nga pesë Vende të BE, ajo duhet të synojë për sot e për t’ardhmen të jetë pjesë e tij. Duke i cilësuar si dy partnerë të kategorive të ndryshme SHBA dhe BE, të cilët punojnë me të njëjtin synim për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Sërbinë, nuk i shërbehet sa e si duhet interesave të Kosovës dhe as miqësive me të tjerët. Marrëdhëniet Kosovë – Sërbi përbëjnë një problem për diplomacitë evropiane dhe amerikane, mbasi një normalizim  mes tyre, lejon një gjëndje më pak kundështuese në rajonin e Ballkanit, i cili ka qënë gjithmonë “fuçia e barutit” e Evropës.

            Nëse Kosova, siç u tha më sipër, ka më shumë vështirësi me qëndrimet filoserbe të një pjese t’Evropës, mund të mbajë rezervat e saj në drejtim të tyre, por nuk është mirë të bëjë haptas shkallëzimin e parapëlqimeve të saj. Diplomacia ka ligjet e saj dhe i bën vetë shkallëzimet simbas rëndësisë e rolit të secilit shtet. Përvoja e vitit të shkuar e vetë Kurtit me të dërguarin e presidentit Trump, Grenell, duhet t’i ketë dhënë atij mësimet e duhura, ashtu sikurse duhet t’i ketë marrë edhe prej shkarkimit të zëvendësit të tij n’atë kohë, për një mendim të shprehur në kundërshtim me opinionin e atij vetë. Kosova gjindet në mes të një vorbulle situatash pa dashjen e vet, prandaj duhet të jetë shumë e kujdesëshme në deklarata lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, qofshin këta kundërshtarë si Sërbia apo miq si SHBA dhe BE. Nëse vitin që shkoi pati ndonjë mospërputhje mes politikave evropiane e amerikane në lidhje me Ballkanin, këtë vit duken se ujrat janë qetësuar, me gjasë, qëndrimet janë afruar shumë. Mendoj se kjo gjëndje shkon në dobi të çështjes së Kosovës.

            “Politika nuk është një shkencë, si e përfytyrojnë mjaft nga zotërinjtë profesorë, por një art” Kështu shprehej “kancelari i hekurt”, Otto von Bismark, në Raihshtagun gjerman më 15 mars 1884. Nëse është kështu atë art duhet t’a venë në zbatim më shumë të vegjëlit se të mëdhenjtë. Kosova ka të drejtën nga ana e saj, por asaj i kërkohet nga BE dhe SHBA të orvatet të gjejë një marrëveshje me Sërbinë, e cila ka pohuar disa herë se nuk do t’a njohë pavarësinë e saj. Këtu duhet të punojë diplomacia për të bindur të tjerët, në këtë rast aktorët e jashtëm të interesuar, se reciprociteti është rruga m’e mirë për të arritur përfundiimin e dëshëruar. Por për të bindur duhet biseduar në takime dypalëshe e shumëpalëshe duke shtjelluar argumentat. Por z. Albin Kurti ditët e fundit deklaroi se “Dialogu me Sërbinë nuk është prioritet”.

Mund të jetë ashtu për të dhe është e kuptueshme, kur drejtuesit sërbë e përjashtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, por ajo shprehje tingëllon si beleg për kancelaritë e SHBA dhe BE që ngulin këmbë për t’a patur. Në këtë vështrim ajo dalje përbën një veprim të pamatur, të panevojshëm , madje shumë të dëmshëm. Politika në këtë rast nuk ka as paraqitjen e largët të artit që përftonte kancelari prusian, ndërsa me një qëndrim të mënçur në kërkesat e me përunjësinë e duhur mund të arrihet një rezultat i dëshiruar.

Qeveria e ardhëshme e Kosovës nuk duhet të lerë asnjë rast për t’i dhënë shkas kundërshtarëve të saj të çdo lloji t’i mëshojnë tezës se shteti i saj nuk e do marrëveshjen, se gjen çdo mënyrë për t’a hedhur poshtë atë, e sa të tjera profka për të cilat diplomacia sërbe është e një shkalle sipërore për të tjetërsuar të vërtetën e për t’a hedhur atë në tregun e politikës ndërkombëtare, duke fituar pikë të dobishme për të. Pjesëmarrja n’ata bisedime, të cilët porositen e përkrahen fuqimisht nga BE dhe SHBA është një kusht i domosdoshëm për t’arritur atë marrëveshje të dobishme për Kosovën, që do t’i bënte të mundur asaj sendërtimin e të gjithë projekteve të zhvillimit, në një botë që ende luhatet, në një pjesë të mirë të saj, t’i njohë asaj të drejtat e saj të pakundërshtueshme. Në lidhje me ata bisedime është për t’u përshëndetur e përkrahur qëndrimi i fundit i presidentit të SHBA, që flet për njohjen e ndërsjelltë të dy Vendeve.

N’ata bisedime, përsa i përket opinionit publik ndërkombëtar, që është një faktor tejet i rëndësishëm, deklaratat e fundit të presidentit sërb, Vuçiç e kryetarit të parlamentit Daçiç, mbi vendosmërinë e tyre për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, janë armët më të fuqishme që ata, dashje pa dashje i japin palës kosovare. Ata dëshmojnë se Sërbia nuk ka asnjë farë sinqeriteti në marrëdhëniet e saj me Kosovën, se për të kjo e fundit mbetet “stara Serbia” e përrallave të tyre, se ata duan të këthejnë mbrapa historinë e njëzet viteve të fundit, të shkruar nga vullneti i botës perëndimore për të ndëshkuar genocidin e krimin shtetëror sërb në fund shekullin e shkuar, se ata nuk e duan paqen në Ballkan, e cila kalon nëpërmjet marrëveshjes mes sërbëve e shqiptarëve e bindjes së tyre për të respektuar të drejtat e dy kombeve e për të hapur një epokë të re në historinë e Ballkanit.

Kërkimi i këtij synimi është domosdoshmëri historike për të dy Vendet e prandaj edhe partnerët perëndimorë të shqiptarëve mundohen të ndikojnë me politikën e tyre në arritjen e qëllimit. Por kjo bie ndesh me një tezë të përsëritur ditët e fundit nga kryetari i Vetëvendosjes: “Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës nuk do të ketë as marrëveshje me Sërbinë”. Është një tezë që nuk mund të kundërshtohet si koncept, por që në gjëndjen e sotme bie ndesh me domosdoshmërinë e shpejtimit të proçesit, mbasi e shtyn atë në kalendat greke, sepse kohët e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik janë vështirësisht të parashikueshme. Madje ato mbeten si funksion i ndryshueshëm i vetë normalizimit të gjëndjes së Kosovës.

Mendoj se të gjithë përsiatjet që mund të ftillohen rreth çështjes sërbo – shqiptare vërtiten rreth domosdoshmërisë së bisedimeve të cilët kanë një mbështetje të fuqishme në drejtësinë e argumentave shqiptare, që duhen mbrojtur me aftësi diplomatike e besimin se koha punon për ne. Ata mund të jenë në rrezik dështimi, por jo për mungesën tonë, por për hipokrizinë mashtruese të qëndrimit sërb. Ne do t’a fitojmë këtë betejë me vërtetësinë dhe efektshmërinë e argumentave tona, deri sa ata të bindin fuqitë perëndimore se zgjidhja e vetme e problemit është në njohjen e së drejtës së Kosovës për të patur shtetin e saj të pavarur, ashtu sikurse u sanksionua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vite më parë. Atëherë Perëndimi në tërësinë mendimit të sinkronizuar amerikano – evropian do të trysnojë Beogradin për të pranuar atë përfundim.

Shpresojmë se Qeveria e re e Prishtinës do të zotohet në këtë detyrë të rëndësishme, duke vazhduar punën e qeverive të mëparëshme, duke korigjuar ndonjë qëndrim jo fort të drejtë, por jo duke filluar çdo gjë nga e para. Proçeset e rëndësishëm politikë si ky, nuk kanë nevojë për revolucione, por për qëndrime të drejtpeshuara, largpamëse e të mënçura.

Filed Under: Politike Tagged With: Bisedimet, Eugjen Merlika

Në vend të in memoriam-it!- Giuseppe Cacozza

February 21, 2021 by dgreca

KËNGËTARI ZEF (PINO) KAKOCA NGADO QË SHKON LË PAS ZËRIN E TIJ TË ËMBËL/(1957-2021)

Shkruan: Dr. Bexhet ASANI*

Profesor Zef Kakoca (Giuseppe Cacozza) është i njohur edhe me emrin artistik si Pino Cacozza, u lind më 27 shtator 1957 në Shën Mitër, katund arbëresh i Kalabrisë në Itali, tek i njëjti vend ku u lind, jetoi dhe veproi poeti i madh Jeronim De Rada.

Bëri studimet klasike te Kolegji i Shën Adrianit dhe mori llauren në Gjuhë dhe Letërsi të Huaj në vitin 1980 tek Universiteti i Kalabrisë me profesorin Francesco Solano (poeti Dushko Vetmo) me një tezë mbi veprën e shkrimtarit F. S. Noli.

Punon si profesor i gjuhës franceze në Rossano, qytet ku banon. Prof. Zef Kakoca është linguist, letrar, shkrimtar, poet, aktor dhe kantautor i Arbërisë. Si autor, kompozitor dhe këngëtar fitoi gjashtë hërë Festivalin e Këngës Arbëreshe (në të cilin ka qenë drejtor artistik për katër vjet), herë të tjera ka marrë vendin e dytë ose të tretë dhe shumë herë çmimin e kritikës kushtuar ideatorit të festivalit “Giuseppe D’Amico”.

Ndër performancat artistike përmendojmë recitalet muziko-teatrale “De Rada dhe Milosao” me Grupin Artistik Zjarri i Ri, “Rrënjat e Arbërisë” (Le radici dell’ Arbëria), “Udhëtimet e Arbërisë” (I percorsi dell’ Arbëria) dhe “Omazh De Radës”, në gjithë të cilët është autor dhe interpretues. Bëri aktivitete kulturore, artistike, këngëtare e teatrale në të gjitha komunitetet arbëreshe, në Shqipëri (Festivali i Gjirokastrës që në vitin 1978, Festivali i Këngës së RTSH në 1992), në Kosovë (Prishtinë), në Maqedoni (Shkup, Tetovë dhe Strugë), në Mal të Zi (Ulqin).

Nga publiku dhe nga kritika është konsideruar personaliteti më i njohur dhe përfaqësues i këngës poetike arbëreshe, rapsodi i traditave dhe historisë arbërore.

Ka qenë ideatori i Festivalit të Fëmijevet arbëreshë në vitin 1985.

Eshtë President i Shoqatës “Arbitalia”, e para gazetë arbëreshe on line (www.arbitalia.it).

Në vitin 2009, në Napoli mori “Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Kreativitetin”, mirënjohie që i jipet çdo vit personaliteteve që me vepren e tyre kanë punuar për paqen në vendet e arees mesdhetare, me këtë motivacjon: “Sepse ka dhënë shprehje shpirtit kollektif të popullit arbëresh. Në të madhën prodhim poezie dhe kënge bëri për të mbijetuar me invencjon dhe gust legjende kujtimet i një komuniteti që u ka shtuar me kombin italian pa humbur idenditetin dhe traditën historike dhe gjuhësore. Duke preferuar teatrin e sheshit, në recitalet e tij shtron vargjet dhe muziken eksaltimit të gjithë një popull, ringjall rrënjët, forcon ndjenjën dhe sjell uditorin në rrethin e valles korale me të cilën mbyll gjithmon shfaqen.”

Në vitin 2010, si përfaqësues i letërsisë arbëreshe, merr pjesë në Festivalin “Mbrëmjet e poezisë strugane” (Struga Poetry Evenings) në Maqedoni, ku mban me sukses recitalin e tij “Rrënjat e arbërisë”. Në këtë recital me muzikë arbëreshe Pino Kakoca te hotel “Drini” në qytetin piktoresk të Strugës, me recitimet, këngët dhe zërin e tij melodik mahniti qindra poetesha e poetë nga mbarë bota.

Është anëtar i Komitetit Shkencor për Vlerësimin e Komunitetevet Arbëreshë në Zyrën Rajonale e Shkollës në Kalabri (Ministria e Arsimit). Ka qenë anëtar i Komitetit Shkencor i Institutit Rregjonale të Kalabrisë për Komunitetin Arbëresh. Është president i Shoqatës “Arbëreshë” në Corigliano-Rossano. Drejton kollanen e librit digjital “Le Perle di Arber” dhe ka botuar 11 libra e-book (www.arberia.info).

Në vitin 2015 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani në rastin e vizitës së tij në komunitetet arbëreshe, me një ceremoni madhështore në sallën e Këshillit Komunal të Shën Mitrit e dekoron me Titullin “Naim Frashëri” me këtë motivacion: “Për vlerat dhe kontributin si shkrimtar dhe kompozitor në dobi të bashkëkombasve të tij të përtejdetit, duke mbajtur gjallë një traditë të madhe të letërsisë dhe kulturës arbëreshe në përgjithësi, kur kohët moderne ushtrojnë trysni ndaj këtyre lloj kulturave të shkëputura nga areali i tyre, siç është ajo arbëreshe”.

Profesor Pino Kakoca që në vitin 2015 është ambasador i kulturës arbëreshe në botë.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimëtareve të Kosovës. Në muajin korrik të vitit 2017 doli romani i parë i tij “La Terra di Yll” (Dheu i Yllit), Ferrari Editore. Ka gati për botim romanin e tij të dytë “Il Tempo della Besa” (Moti i Besës), Ferrari Editore.

Në një shkrim të shkurtër është vështirë të përmblidhet tërë veprimataria letrare – artistike e profesor Zef Kakocës.

GJUHA MËMË

Sa bukur është kur fjet arbërisht,

thue mëmë, thue at, thue biri im,

zëmra këndon e, vazhdimisht,

vala çë del të sjell paq’ e gëzim.

Kur je bashkë bular të mban,

kur je vet nga trëmbja të mbron,

të mbjedh e të puthen kur qan

e kur ule të shtyn e të shton.

Është Gjuha e Mëmës, i pari mall,

tingulli i fatit çë të përsjell,

çë kur u leve e njera çë rri,

fuqia çë gjen, ylli ndër ball,

drita e agimit çë të pjell,

melodia e trurit, dashuri. Quant’è bello parlare albanese,

dici mamma, dici padre, dici figlio,

il cuore canta e, continuamente,

l’onda che esce ti porta pace e gioia.

Quando sei insieme fiero ti tiene,

quando sei solo ti protegge,

quando piangi ti accoglie e ti bacia

e quando siedi ti sospinge e ti unisce.

È la Lingua della Madre, primo amore,

il suono del fato che t’accompagna,

da quando sei nato e fino al tuo stare,

la forza che trovi, la stella in fronte,

la luce dell’alba che ti partorisce,

la melodia della mente, amore.

Pino Cacozza, 21 shkurt/febbraio 2014

NËNË TEREZES

Kolënder e vogël ti je,

motra ime e freskët,

te goja e tharët e njeriut

i bjerrë te lugadhi i gjellës.

Kur të pash atje te Tryeza

u llargova nga turpja.

Ti, arbëreshe si u?

Pikës ujë tek oqeani botëror,

më shuajte krenarinë.

Fryma e gjuhës illire,

çë na bashkon mallin e vjeter,

më dha fuqi.

Ti, arbëreshe si u!

Gurëz e vogël, e bardhë,

nuse e varfërisë,

u bëre Gjigante e Historisë.

Dhe u, odise pa fund,

të bëra hymn dhe mit i ri,

te hapet e trupit tim.

Pino Cacozza, 20 gusht 2016

A MADRE TERESA

Piccolo confetto tu sei,

sorella mia fresca,

nella gola secca dell’uomo

perso sul campo di battaglia della vita.

Quando ti ho vista sull’Altare

mi sono allontanato dalla vergogna.

Tu, albanese come me?

Goccia d’acqua nell’oceano mondiale,

hai spento la mia superbia.

Il soffio della lingua illirica,

che unisce la nostra antica nostalgia,

mi ha dato forza.

Tu, albanese come me!

Piccola pietra, bianca,

sposa della povertà,

sei diventata Gigante della Storia.

Ed io, odisseo senza fine,

ti ho reso inno e mito nuovo,

nei passi del mio corpo.

Pino Cacozza, 20 agosto 2016

*(Marrë nga libri më i ri “Zjarri arbëror i pashuar” i dr. Bexhet Asanit)

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Bexhet Asani, La pas zerine embel...., Zef(Pino) Kakoca

PANDEMIA COVID-19: FUNDI PO AFROHET

February 20, 2021 by dgreca

Shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Teksa i afrohemi një vjetorit të shpërthimit të Covid-19 këtu dhe në të gjithë globin, një pyetje mbetet po aq e rëndësishme si sot dhe për muaj me radhë: “kur do të kthehet jeta në “normalitet” ? Kjo është pyetja që unë i kam bërë vetes dhe më është bërë edhe nga të tjerët, që kur shpërtheu pandemia Covid-19. Për pjesën më të madhe të vitit 2020, përgjigjja e kësaj pyetje ishte e paqartë: Jeta do të kthehet në “normalitet” kur të arrijmë imunitetin e tufës – kur të paktën 65 deri në 70 përqind e popullsisë është imune ndaj Korona Virusit. Askush nuk mund të jepte një parashikim të qartë se kur do të ndodhte kjo. Në një kohë kur është e vështirë të sugjerosh një periudhë specifike kur normaliteti do të kthehet, një skenar i veçantë po shfaqet në horizont. Skenari “i mirë”: imuniteti i tufës arrihet deri në verë, kryesisht përmes vaksinimeve. Për të pranuar një të vërtetë të dhimbshme, nuk ka asnjë rezultat “të mirë” në një pandemi që tashmë ka vrarë më shumë se 490,000 Amerikanë dhe më shumë se 2.5 milion njerëz në mbarë botën. Trendet në shifrat e fundit në Shtetet e Bashkuara (SH.B.A.)  tregojnë një ulje prej 75 përqind të niveleve të infeksioneve nga kulmi i të gjitha infeksioneve ditore të më shumë se 300,000 rasteve më 8 janar 2021. Në këtë shkrim, unë përshkruaj pesë arsye pse pandemia do të përfundojë gjatë muajve të ardhshëm të verës – të paktën në SH.B.A  ku unë jam më i njohur me zhvillimet aktuale rreth pandemisë globale.

PESË ARSYE PSE PANDEMIA DO TË PËRFUNDOJË GJATË VERËS

Së pari, vaksinimet po përshpejtohen. Që nga dat 20 shkurt, më shumë se 60 milion amerikanë kanë marrë të vaksinën kundër Covid-19. Kjo përfaqëson 17.8 doza të administruara për çdo 100 njerëz. Shkalla e vaksinimit do të vazhdojë të përshpejtohet, pasi Moderna dhe Pfizer janë zotuar të sigurojnë edhe 200 milion doza shtesë përtej planeve të tyre origjinale, dhe ndërsa shtetet bëhen gjithnjë e më të sofistikuara në logjistikën e tyre dhe shtrirjen në planet e tyre që të vaksinojnë sa më shumë njerëz, sa më shpejt të jetë e mundur.

Së dyti, vaksinat e reja janë duke u rishikuar dhe do të jenë në dispozicion në javët e ardhshme. Johnson & Johnson, Novavax dhe AstraZeneca po prodhojnë vaksina konvencionale, të cilat shpërndahen më lehtë sesa vaksinat ekzistuese të bazuara në mARN nga Moderna dhe Phizer. Së bashku, këto kompani farmaceutike janë zotuar të sigurojnë qindra miliona doza vaksinash në botë, duke sugjeruar se do të kemi doza të mjaftueshme për të vaksinuar çdo të rritur në SH.B.A. deri në verën e vitit 2021.
 
Së treti, e vërteta e zymtë është se më shumë njerëz po fitojnë imunitet natyror nga infeksionet e koronavirusit. Deri më tani më shumë se 28 milion Amerikanë kanë testuar pozitivisht për virusin, dhe ekspertët e shëndetit publik besojnë se shumë herë më shumë janë infektuar pa një test konfirmues dhe shpesh herë pa simptoma. Ndërsa nuk është saktësisht e përcaktuar se sa do të zgjasë imuniteti i tyre, e mira është që ata janë një popullsi në rritje me të paktën një nivel mbrojtjeje. Duke shtuar të gjithë këta faktorë, ne tashmë mund të kemi 1/3 e popullsisë amerikane me imunitet natyror (përmes infeksionit) ose të fituar (përmes vaksinës) ndaj këtij virusi.

Së katërti, edhe nëse variante të reja të koronavirusit provojnë se janë në gjendje të infektojnë pacientët e vaksinuar, vaksinat tona ekzistuese ende duket se parandalojnë Covid-19 të kthehet vdekjeprurës. Sipas të dhënave shkencore, edhe pse vaksinat mund të mos parandalojnë infeksionet në të gjithë njerëzit, është treguar se ato do të parandalojnë raste të rënda dhe vdekje nga Covid-19.

Më në fund, pranvera po vjen, dhe përvoja e vitit 2020 sugjeron që infeksionet e koronavirusit do të bien kur moti të ngrohet. Brenda pesë-gjashtë javëve, moti do të përmirësohet në pjesë të mëdha të vendit. Njerëzit do të jenë në gjendje të mblidhen përsëri jashtë, duke zvogëluar tundimin e tubimeve të brendshme më të rrezikshme. Ky efekt sezonal, kur kombinohet me rritjen e normave të vaksinimit, do të bëjë që infeksionet të bien. Kjo, nga ana tjetër, do të zvogëlojë nivelet e zënies së spitaleve, të cilat do të ndihmojnë ofruesit tanë të kujdesit shëndetësor të ofrojnë kujdes me cilësi të lartë për çdo pacient, duke ulur më tej shkallën e vdekjeve.

Globalisht, pandemia nuk ka të ngjarë të përfundojë aq papritur, por më ngadalë, vend për vend, rajon për rajon, pasi secili shtet rrit kontrollin e tij mbi Covid-19 dhe e shtyn virusin drejt niveleve të eliminimit. Kombet e zhvilluara do ta arrijnë këtë përmes vaksinave (duke përfshirë ridizenjimin dhe rishpërndarjen e tyre të vazhdueshme) dhe trajtime më të mira mjekësore. Vendet më pak të zhvilluara dhe më të varfra do të përpiqen të arrijnë hapat dhe do të përballen me valë të përsëritura dhe ndezje deri sa të marrin mbështetjen e kërkuar për një kontroll të mirë. Mjerisht, kjo është historia e shëndetit global: probleme që menaxhohen fillimisht dhe më pas harrohen shpejt.
 
 
NJË MBROJTJE KOLEKTIVE

Vaksinimet mbrojnë nga Covid-19 brenda disa javësh nga marrja e të dhënave. Por nëse vetëm disa njerëz në një komunitet vaksinohen, virusi mund të vazhdojë të përhapet pa kontroll. Ndërsa më shumë njerëz marrin vaksinën, grupe njerëzish fillojnë të ndërtojnë një mbrojtje kolektive kundër virusit. Pasi një pjesë e caktuar e një popullate të jetë bërë imune ndaj një virusi, një shpërthim do të ndalojë të rritet në mënyrë eksponenciale. Mund të vazhdojë të ketë raste të reja, por çdo rast i ri do të ketë më pak të ngjarë të fillojë një zinxhir të madh infeksionesh. Koncepti njihet si imunitet i tufës. Shkencëtarët e përkufizojnë atë si pikë kur shpërthimet e reja nuk mund të mbështeten më. Për shembull, edhe nëse ka një tufë rastesh në një komunitet të pavaksinuar, imuniteti i tufës e parandalon atë të valojë në të gjithë vendin.

Para vaksinimit, proteinat me gjemba në sipërfaqen e koronavirusëve kapen në qelizat njerëzore, i rrëmbejnë ato, i përdorin ato si fabrika për t’u replikuar dhe më pas i lënë të vdesin. Tani, pas vaksinimit, kur armiqtë me gjemba pushtojnë mushkëritë, ato kapërcejnë qelizat tona, pa mundur të kapen. Ato janë shënuar për shkatërrim, së shpejti do të rrethohen dhe eliminohen nga antitrupat tanë që janë iniciuar nga vaksina. Megjithëse disa mund të shpëtojnë përmes rrugëve të frymëmarrjes, ata përballen me të njëjtën mbrojtje në shënjestrën e tyre të ardhshme. Kjo do të shënonte fundin e virusit-fundin e pandemisë së koronavirusit. Dhe kështu do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, ndërsa shohim një dritë në fund të një tuneli të gjatë dhe të errët, ne vazhdojmë të mbajmë maska ​​dhe të shmangim mbledhjet e mëdha, dhe numrat Covid-19 bien në mënyrë të qëndrueshme pas një serie valësh në fillim të këtij viti. Përfundimisht, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz zhvillojnë imunitet përmes ekspozimit dhe vaksinimit, dhe sa më e rëndësishme, trajtimet bëhen më efektive, Covid-19 mund të tërhiqet në tufën e sëmundjeve të zakonshme, një ftohje e thjeshtë sezonale e zakonshme dhe e padëmshme, që shumë e marrim çdo dimër.

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, dr. Pashko Camaj, Fundi po afrohet

A MOVING TRIBUTE

February 20, 2021 by dgreca

MTA Citywide Memorial in Honor of Workers Lost to COVID-19/

by Rafaela Prifti/

The death toll of COVID-19 pandemic is nearing half a million in the US. The grieving for the loved ones is made harder under ongoing restrictive measures. The outdoor memorials and candlelight vigils help to alleviate the sorrow. In New York, the MTA, the underground transportation system that keeps New Yonkers such as this one moving, opened its own memorial to honor the essential workers who were hard hit by COVID-19. 

Throughout the subway system, portraits of MTA workers lost to the pandemic were on view through the first week of February. Director of the MTA Arts & Design department and a visual artist, Sandra Bloodworth initiated the project in collaboration with Cheryl Hageman and Victoria Statsenko. The data released by the MTA New York City transit confirms that 140 members of their workforce have passed away from COVID-19. The train operators and conductors have been affected at the highest rate. The in-memoriam slideshow consists of portraits of the deceased employees on displays at 107 subway stations in all five boroughs on screens where we are used to see maps and service changes, integrated with a newly commissioned poem, “Travels Far,” by the Poet Laureate Tracy K. Smith and a nine-minute video, with audio by composer Christopher Thompson, at three times a day. The MTA officials said that it is important for the 55,000 employees to see the memorial as well — and know that they and their families are appreciated. One of the first employees who died last March, Peter Petrassi was a subway conductor and operations associate. In response to the first lives lost to the pandemic, the MTA launched a new unit to help liaise with their families. The team invited families from all MTA departments to submit portraits of the deceased employees. They are set against backdrops of MTA colors. Mostly New York City Transit workers who make up the majority of the portraits, some Long Island Rail Road and Metro North employees. 

The agency head said that while coworkers and colleagues are still unable to gather in a physical space, they did not want to wait any more to pay respects in a special memorial. In the future, MTA will have a permanent memorial and in-person service. 

The creative way to honor and celebrate the lives lost to COVID-19 serves as a touching reminder of the sacrifices of the essential workers whose work cannot be done from home. The memorial allows us to grieve with a deeper appreciation for the MTA employees who continue to keep the city moving. 

The artwork stays up for a few weeks. Yet the riders carry the memorial in their ever-lasting motion on buses and trains.

Filed Under: Opinion Tagged With: Memorial in Honor, MTA Citywide, of Workers Lost to COVID-19, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT