• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

VIRUSI, VAKSINAT, ZGJEDHJET: ÇFARË PO NDODH NË GJERMANI?

March 13, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU – Përktheu Eugjen Merlika/Era ka ndryshuar. Gabimet rendore të kryera nga qeveria gjermane në mbarështimin e pandemisë kanë çmontuar siguritë e hershme mbi efektshmërinë dhe sipëraninë e Gjermanisë. Gjatë një debati televiziv javën e shkuar me një grup analistësh, u fol për dështim të shtetit, pasojë e kushteve çrregulluese në të cilët kanë rënë drejtuesit e Vendit, qeveria dhe parlamenti.

            Angela Merkel, e pajisur me forcën e formimit të saj shkencor, është më shumë e prirur të dëgjojë mendimin e ekspertëve, e ndoshta kupton më mirë hollësitë e këshillave që i jepen. Por edhe ajo nuk është e paprekur nga paniku, siç ndodh tek të gjithë politikanët kur gjënden nën trysni. Javën që shkoi u detyrua të kthehej mbrapsht. Këshilltarët e saj më të besuar donin që qeveria t’I përmbahej cakut të paracaktuar të 35 infektimeve çdo 100.000 banorë, si parakusht për t’I dhënë fund lockdown-it. Merkeli adaptoi një pozitë kompromisi, duke e ngritur cakun në 100 infektime, aktualisht më shumë se sa mesatarja kombëtare që vërtitet rreth 60. Kjo do t’u lejojë disa guvernatorëve të heqin shtrëngesat, nëse do t’a quajnë me vend, megjithë vonesat në vaksinimet. Në këtë fund jave vetëm gjashtë përqind e gjermanëve janë vaksinuar, kundrejt 40 përqind të anglezëve.

            Nuk habit fakti që në Mbretërinë e Bashkuar simpatitë politike janë zhvendosur vendosmërisht në drejtimin e kundërt. Hulumtimi i fundit YouGov i jep 13 pikë më shumë konservatorëve mbi laburistët. Në fund të janarit – jo shumë kohë më parë –  e majta ishte 4 pikë përpara. Edhe këtu fatet janë ndryshuar. Por ndoshta mund të jenë të përmbysura. Këto zhvendosje masive politike duhet të na shtyjnë në përsiatje. Anglezët kanë vendosur se qeveria e tyre është duke bërë një punë të mirë, e ndërmjet tyre ka edhe shumë që kanë votuar kundër Brexit-it. Gjermanët kanë vendosur se qeveria e tyre ka gabuar gjithshka në fushatën e vaksinave. Ndërmjet tyre ka edhe shumë mbështetës të CDU-së. Vaksinat do të jenë të gatëshme, me pak durim. Pritet që nga prilli e tutje vaksinat do të shtohen në të gjithë Bashkimin Evropian. Nëse gjithshka shkon mirë, nga fundi i verës mund të arrihet një imunitet i parë e i pjesëshëm i tufës. Madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me shërbimin e saj shëndetësor kombëtar, janë dashur tre muaj deri sa ingranazhet të fillonin të punonin me regjim të plotë. Të vaksinohet një popullsi e tërë përfaqëson një sipërmarrje prapavije me të vërtetë titanike, sidomos n’ata Vende, si Gjermania që kanë një sistem shëndetësor të shqëndralizuar.

            Sondazhet gjermanë kanë filluar të regjistrojnë kritikat e para për mbarështimin e krizës që nga nëntori i shkuar. Në janar, kur qëndrimi filloi të ndryshojë hulumtimet për zgjedhjet politike jepnin  një shumicë të pastër CDU/CSU-së. Ata numura sot janë në rënie. Këtë të djelë janë zhvilluar dy votime  të rëndësishme vendore në Baden – Würtenberg   dhe në Renania – Palatinato. Hulumtime e fundit zbulojnë një rënie të miratimeve për CDU-në. Nëse mbahen të qëndrueshme, këto shifra do të jenë zhgënjyese, por jo katastrofike. Nuk është ende shumë e qartë se çfarë efekti mund të kenë mbi Armin Laschet, udhëheqësi i ri i CDU-së dhe dëshirës së tij për t’u bërë kandidati i partisë së tij për kolltukun e kançelarit. Nëse përfundimet zgjedhore të kësaj fund jave nuk do të jenë në dobi të CDU-së, fati mund t’i buzëqeshë Marcus Söder-it, kryeministrit bavarez e kryetar i CSU-së, duke i siguruar trashëgiminë e Angela Merkel-it. Kush e di se shortet e CDU-së do të përmbysen përsëri sapo programi i vaksinave të marrë revanin e tij? A do të jenë të gatshëm votuesit të falin gabimet e qeverisë apo do të mbeten të bindur se gjëndja e saj është tashmë e dështuar? Kur programet e vaksinave do të kenë arritur masën kritike, qytetarët  do të qetësohen nga fundi i krizës e mund të jenë të tunduar të harrojnë të shkuarën. Megjithatë në këtë pikë do të mund të mateshin gabimet e qeverisë mbi baza statistike, duke numëruar të vdekurit. Prandaj edhe se don t’i kthejë kurrizin një viti dramatik, nuk është e qartë plotësisht nëse gjindja dëshëron të zgjedhë të njëjtët politikanë. Simbas mendimit tim, kriza pandemike do të ketë rrjedhime të gjata edhe në fushën politike.

            Analistët politikë gjermanë kanë shpikur një term të dobishëm, edhe se të vagët, Wechselstimmung, për të treguar ndiesinë e përgjithëshme që përhapet në një Vend mbi veprën e keqe të qeverisë së tij, të binjakëzuar me shpresën që një qeveri e re do të sjellë ndryshime ndjellamira. Për herë të parë nga zgjedhja e Angela Merkel në  2005, kam përshtypjen se kjo gjëndje shpirtërore po vërshon sot në Gjermani. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 e djathta kishte mbetur mjaft e zhgënjyer nga politika e saj për refugjatët, por qendra e kishte mbështetur. Sot qendra dhe e djathta janë të dyja të pakënaqura, dhe e majta as nuk e çon nëpër mënd që të formojë një koalicion me të.

            Është e çuditëshme të gjindemi sot në muajin e tretë të 2021, e duke kthyer shikimin mbrapa, të kujtojmë kohët e bukura të shkuara, kur kançelarja gjermane ishte universalisht e admiruar për drejtimin e saj në atdhe e jashtë tij, për numurat e infektimeve e të viktimave të Covid 19 të cilat ishin më t’ulta nga gjithë Vendet e tjera evropiane. Kjo ndoshta vlen të na kujtojë që Gjermania nuk është aq e ndryshme: është vetëm që shmangia nga përceptimi i vetvetes dhe i së vërtetës është pak i tepruar. E që të jetë një paralajmërim se sa rrënuese mund të jetë ndeshja me ngjarje të paparishikueshme.

            “Corriere della Sera”, 9 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Wolegang Munchau

Përfaqësuesit tanë..!

March 13, 2021 by dgreca

Nga Nebil Çika * /

Dua të bëj një sqarim për të gjithë: Qëndrimi im kritik ndaj perfaqesimim te pa mjaftueshëm tonin nga PD, është në përmbushje të detyrës si përfaqësues i zgjedhur nga të perndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë Midis nesh ka pasur gjithnjë disa të kënaqur nga ajo që na ka dhënë PD ,pjesa më e madhe e të cilëve kanë përfituar personalisht prej sajë. Me bëhet shumë qejfi që midis nesh ka të kënaqur edhe tani ,pasi qëllimi im është që të perndjekurit politikë të jenë të gjithë të kënaqur e të mos ankohen për mungesën e përfaqësimit, pranisë me votat tona në PD8,grupin parlamentar dhe qeverinë e sajë persekutorë komunistë e pinjollë të tyre . Kam kërkuar dhe kërkoj që që PD ti japin të përndjekurve politikë antikomuniste aq sa i japim ne e asajë. Kur flas për të perndjekur nuk kam para sysh ata qe kane pasur apo kanë një shans karriere e punësimi apo interesa të tjerë në PD por për qindra mijë nga ne që nuk i kanë apo nuk duan këto mundësi por që kërkojnë,liri demokraci dhe veçanërisht drejtësi, për krimet komuniste mbi shtresën tonë dhe shumicën e shqiptarëve. Që duan të zbardhen ,hetohen e dënohen krimet komuniste . Që duan të gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre të zhdukur nga komunistët. 8Që duan tu kthehen pronat e grabitur . Që duan të dekomunistizohet vendi e të rishikohet e të shkruhet drejtë historia etj. Kur flas përpërfaqësim politik ,nuk kam parasysh përfaqësues tanë gjenetike që nuk guxojnë të thonë qoftë edhe një fjalë për të përndjekurit dhe kauzen e hallet tona në se nuk marrin urdhër apo leje nga partia dhe shefi i sajë. Dua përfaqsues politikë ,që midis partisë dhe familjeve të tyre pjesë e shtresës sonë të zgjedhin ne . Prandaj jam i pa kënaqur nga ajo që PD na dha si përfaqësim politik. Nga përvoja 30 vjeçare e dimë mirë që po nuk i vendosën vete nuk janë tanët politikisht. Se midis neshdhe partisë shumica e tyre do të zgjedhin partinë. Ka pasur raste kur ata kanë votuar për xhelatët e sigurimit të shtetit,madje hetuese që u kishim torturuar e dënuar baballarët e tyre, për interesa të PD dhe qeverisë së sajë. Ka pasur përfaqsues tanë gjenetike në poste drejtues në nivel të lartë të shtetit që kanë ermtuar drejtorë në institucionet e tyre ish shefa të sigurimit të shtetit e kanë votuar si antarë të gjykatës kushtetuese atje persekutimet tanë. Më shumë se me masën ,numrin e tyre, jam i pakënaqur nga mënyra e përzgjedhjes së njëanshëme të tyre . Personalisht kam pasë mundësi pafund të përfitoj nga PD shumë .Me shume se shumë të perndjekur në se nuk do të isha identifikuar publikisht si pjesë e kësaj shtrese. Por nuk e kam dashur kurrë këtë !!! I jam përkushtuar kauzës sonë antikomuniste se nuk mund të shkel mbi gjakun e njerzve të mi. Nuk më eshte dashur kurre pushteti politik per te plotesuar veten . Me ka mjaftuar pushteti moral dhe fati i madh e përgjegjësia e rëndë të jem përfaqsues i zgjedhur i shtresës, familjeve e qytetarëve me fisnike të Shqipërisë: të perndjekurve politikë antikomunistë ! Kam besuar e besoj se ne të perndjekurit antikomunistë kemi në dispozicion vetëm një alternativë e mundësi:Të fitojmë të gjithë bashkë, atë që na takon ,veç e veç jemi të humbur të gjithë. Prandaj do t’iu lutesha shumë atyre nga ne,që kanë zgjedhur të jenë “derra të kënaqur “e që kanë vendosur në mos të jenë me ne ,në luftën tonë për të drejta themelore dhe dinjitin njerëzor, të na lënë të qetë në hallin tonë ,neve që kemi zgjedhur te jemi “sokratë të përvuajtur “që ,të fiksuar tek drejtësia njerzore e të frymzuar nga ajo hyjnore ,nuk kënaqemi dot më kockat lëmoshë te politikes, përfshi edhe ato të PD -së * Kryetar i Shoqatës Antikomunistë e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Nebil Çika, Përfaqësuesit tanë

DIASPORA

March 13, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Diaspora – koloni në mërgim e vendit. Fuqia e saj është pjesë e fuqisë së vendit ku bën pjesë. Të parët që krijuan diasporën e tyre ishin hebrenjët e Babilonisë dhe Egjiptit, të cilët u kthyen në tokën e premtuar dhe hodhën themelet e shtetit të tyre. 
Diaspora shqiptare në botë luajti rol kyç në krijimin e shtetit të parë shqiptar, edhe pse idea e shtetit të pavarur mes vendasve u konkretizua e fundit në Ballkan. Aq të përgjumur ishin shqiptarët në atdhe sa ende jetonin me ëndrrën e perandorisë osmane; makthi vazhdon herë pas here.
Në shenjë mirënjohje, Diaspora ka pasur vendet e saj në çdo Kuvend, edhe Kryeministër, me përjashtim të Kuvendit Popullor komunist socialist që filloi punimet më 1946 dhe vazhdon me sesione edhe sot. Është meritë e Perëndimit që Shqipëria nuk ka burgje politike dhe gëzon liri humanitare. Por të mos harrohet se kjo është meritë edhe e diasporës në Perëndimin ku ajo bën pjesë. Dhe kaq. Sepse vendi u hap përjashtë, por kurrë nuk doli nga izolimi përbrenda dhe vazhdon të vërtitet në një vorbull që s’ka fund; hijet dhe gjurmët e diktaturës sundojnë. 
Zgjedhjet po afrojnë, partitë caktojnë kandidatët e tyre. Askush nuk flet për Diasporën e jo pastaj për të votuar dhe patur kandidatët e saj. Për 75 vjet, Shqipëria është treguar armiqsore, mohuese, përçarëse, përçmuese, plangprishëse ndaj Diasporës për të cilën me mburrje thotë se e ka shtënë në dorë. Gjithnjë mendon se sa më i vogël të jetë vendi, sa më pak njerëz të ketë, aq më lehtë është për ta kontrolluar e qeverisur – si një biznes a sipërmarrje që refuzon të rritet e të begatojë. Narcisizëm pa kufij udhëheqësish të mbyllur, pa asnjë ndjenjë kombtarizmi, me parti që veprojnë si banda gangsterësh, po shkatërron veten, gjithë popullin dhe vendin. 

Filed Under: Mergata Tagged With: Astrit Lulushi, diaspora

Presidenti Meta përfshihet në përplasjet me Policinë Bashkiake

March 12, 2021 by dgreca

Nga Armand Mero*/

Tirane, 12 Mars 2021-Në Shqipëri përplasjet sot mes policisë Bashkiake dhe përfaqësuesve të Frymës së Re Demokratike për lirimin e zyrave të kësaj force politike, përfshinë dhe presidentin Ilir Meta. Kreu i Shtetit ndërhyri duke urdhëruar punonjësit e Bashkisë që të dalin jashtë, ndërsa foli për një përpjekje nga ana e pushtetit, për të dhunuar forcat opozitare që synojnë të konkurrojnë në zgjedhje . Fryma e Re Demokratike, e cila ka qenë në aleancë me socialistët në pushtet, konkurron tani në zgjedhjet e 25 Prillit në koalicion me Partinë Demokratike.

Punonjësit e Policisë Bashkiake u shfaqën sot në zyrat e Frymës së Re Demokratike (FRD), për të marrë në zotërim mjediset që i janë dhënë me qera kësaj force politike e që sipas Bashkisë, tanimë duhet të liroheshin.

Pasi ka debatuar me punonjësit e Policisë Bashkiake, kryetari i FRD, Sali Shehu, i ka telefonuar Presidentit Ilir Meta, i cili ka mbërritur brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë që të dy kanë hyrë brenda, aty ka nisur përplasja mes palëve, në të cilën është përfshirë dhe vetë kreu i Shtetit, duke urdhëruar me zë të lartë që punonjësit e Bashkisë të dilnin menjëherë jashtë e duke i kërcënuar se “do t’ju çoj në burg me duart e mija”. 

Një situatë e tensionuar mbizotëroi për disa minuta me rradhë. Më pas presidenti Meta duke komunikuar më gazetarët tha se veprimet e Bashkisë, kishin sipas tij synim “për të dhunuar fizikisht, por për të dhunuar dhe psikologjikisht çdo forcë opozitare e cila synon të konkurrojë në kushte të barabarta në zgjedhje, duke keqpërdorur Bashkinë “bandë”. Kjo është padyshim tepër irrituese dhe është një paralajmërim për të gjithë qytetarët shqiptarë, për përpjekjet mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë, mi një proces zgjedhor me garanci dhe integritet”

Presidenti Meta përdori sërish tone të forta ndaj punonjësve të policisë: “Po i paralajmëroj dhe një herë të gjithë policët, Bashkiakë dhe të Policisë së shtetit, që të mos përfundoni si policët e Mubarakut, nën këpucët e popullit shqiptar”, u shpreh ai.

Fryma e Re Demokratike ka qenë në aleancë me socialistët në pushtet. Një prej nënkryetarëve aktualë të Bashkisë është përfaqësues i kësaj force politike. Por FRD së fundmi ju bashkua koalicionit opozitar për zgjedhjet e 25 Prillit. Një vendim që duket se ka krijuar përpasje të brendshme dhe që çoi në dorëheqjen e kryetarit të saj, ish presidentit Bamir Topi.

Bashkia pretendon se Fryma e Re Demokratike, qëndronte në zyra, përtej afatit, që prej tre vitesh dhe se kërkesën për lirimin e mjediseve të dhëna me qera prej saj, ja ka dërguar dhe shumë forcave të tjera politike. Përfaqësuesit e FRD treguan sot se shkresa dërguar atyre ishte pa vulë, pa numër protokolli dhe pa emrin e titullarit që kishte lëshuar urdhërin.

Duke folur për disa media vendase kryebashkiaku Erion Veliaj, përdori tone denigruese ndaj Kreut të Shtetit, ndërsa tha se rruga normale nuk është ajo e dhunës, por e ankimit në institucione, përfshirë dhe gjykatat.

Për situatën e krijuar reaguan dhe forcat e tjera opozitare. “Hakmarrja është tipari më dallues I Edi Ramës në këto 8 vite. Pa diskutim që kjo është dhunë ndaj opozitës dhe mendimit të lirë. Por kjo nuk na tremb e as na shkurajon se dhuna ka qenë e vetmja alternativë që ajo ka patur për shqiptarët, ndërsa alternative jonë është ajo e ndryshimit”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha, pasi vizitoi zyrat e FRD, I shoqëruar dhe nga përfaqësues të partive të tjera aleate të opozitës.

*Kortezi- Zeri i Amerikes

Filed Under: Kronike Tagged With: Armand Mero, Perplasja c, Policia Bashkiake, Presidenti Meta

A L I D A

March 12, 2021 by dgreca

NGA DINE DINE(NASUFI)

(Vijim)

Sapo hymë brënda,gjëmuan duartrokitjet,si të kishte ardhur sekretari i pare i partisë së Rrethit.Aroma e guzhinës së varfër socialiste të çponte hundët,ato hundë që një aromë të tillë e provonin vetëm një herë në vit,në vitin e Ri…Me siguri,meqë isha disi i turpshëm dhe i pa mësuar fort me kësi gjërash,duhet të isha bërë flakë i kuq,sepse po më digjte e gjithë fytyra e djersët po më shkonin çurk.Ndërkohë ndjehesha si i ftuari më i preferuar,gjë që vërehej në fytyrat e tyre të qeshura.Në pesë a gjashtë tavolina shumë prej tyre ishin ngritur në këmbë,në gatishmëri të më jepnin ndihmën e çastit që të rehatohesha.Tre a katër të tjerë më sistemuan në tavolinën që ish rezervuar për mua.S`më mbetej tjetër veçse të hidhja fizarmonikën në krahë e t`ia nisja.Dhe ashtu bëra.Së pari,si stërvitje bëra ca harpezhe e më pas,dy-tre here provova shkallën kromatike.Kur e kujtoj më duket si një gjë e tepërt e bajate,por atë kohë, kisha dëshirë të lija përshtypjen e një garipi profesionist ,edhe pse kjo binte ndesh me natyrën time të turpshme.Sapo dëgjuan tingujt e një foksi,salla u mbush plot vallzues.Pavarësisht ritmit të muzikës,ata hidheshin e përdridheshin secili në hesap të vet dhe dukeshin aq të kënaqur saqë,edhe pse e zgjata pak si shumë, asnjë çift nuk u ul në tavolinë edhe pse u ishte servirur birrë e meze në `të.Ndërkohë,në tavolinën time kishin shërbyer njësoj dhe më lutnin që të haja.Unë, për fat atë natë isha zhdëpur me fasule korçe që na i sillte një kushëri nga Qatromi vit për vit.Megjithatë,me këmbënguljen e tyre e ngrita një dolli duke ju uruar të gjithëve festën.Papritur,më zunë sytë Alidën që,e ngritur në këmbë po më përshëndeste bashkë me të tjerët,U detyrova të nxjerr shaminë në çast sepse po më shkonin djersët çurk.Sa i lumtur do të isha ta ftoja për një vallzim,ta ndjeja prekjen e saj,aromën e saj dehëse,ta afroja pranë trupit e ti pëshpërisja diçka të ëmbël në vesh! Sa i lumtur isha!E njerëzit pyesin se ç`është lumturia!..I dashur Dine,s`ka lumturi të përjetshme,harroje,ka vetëm çaste të tilla.”Carpe diem”,thonë latinët.Ai që di ta kapë atë çast e ta shijojë është i lumtur,të tjerat janë gënjeshtra!

         Teksa përshëndesnim me gotat nga larg,mëndja më thoshte se edhe ajo po mendonte të njëjtën gjë!..Për fat të keq ,a të mirë nuk kishte njeri që të më zëvëndësonte qoftë edhe pesë minuta,që të vallzoja me Alidën.Ndoshta ishte më mirë kështu,sepse mund të binim në sy!……Njerëzve që sillnin pjata me meze në shënjë mirënjohje,u lutesha të mos e bënin një gjë të tillë se isha i tejngopur.Shoqëruesi im Rustemi, ndërkohë që po merrej me ambalazhimin e një sasie mishi të pjekur,më detyroi të heshtja sepse do të ma sillte në shtëpi.

         Pasi i kisha bërë telef me ca fokse e rrumba të shpejta,e ndrrova ritmin e po i bija një valsi të thjeshtë,por që më pëlqente shumë.Më duket se ishte një vals që e këndonin Luan Zhegu e Liljana Kondakçi Ishte diçka romantike që i përshtatej situates me Alidën,por kur ngre sytë dhe i hedh një vështrim sallës,shoh që edhe ato dy-tre çifte që ishin ngritur të vallzonin po ndjeheshin ngushtë,sepse nuk dinin edhe aq mirë!..E ndrrova muzikën menjëherë,e meqë repertorin e kisha shumë të varfër,i këputa ca harpezhe,gjë  që e bëja me lehtësi,duke ruajtur ritmin që u pëlqente aq shumë,e duke luajtur herë në tonalitete maxhore e herë minore.Ritmin e kërcenin secili çift për hesapin e vet.Edhe pse djersët u shkonin çurk,jo vetëm nga muzika,por edhe nga mungesa e ajrit të kondicionuar të cilit as emrin nuk ia dinim në atë kohë,ata më shihnin me admirim,sikur të isha një hero.Sigurisht edhe birra,që servirej jo pa kursim dhe me kriklla,bënte efektin e vet e pihej mjaft nën ndikimin e mishit që ishte shumë tundues sepse haej rrallë!.

         Festat socialiste,zakonisht bëheshin me muzikë popullore dhe,për të mos pasur keqkuptime u këshillova me Rustemin dhe mora nja dy a tre valle resht.U sajua një si potpuri popullore.Kur tingëlluan notat e para të “pogonishtes”u ngritën pothuaj të gjithë,dhe u krijuan aq shumë rrathë sa lëviznin me vështirësi.Nuk isha i stërvitur me vallet popullore dhe mu desh që “pogonishten”ta përsërisja disa herë.Kjo bëri efekt pozitiv,pasi të gjithë e kërcenin profesionalisht.Shqiptari mësohet lehtë me të thjeshtën…..Edhe pse vëndi nuk ishte i mjaftueshëm,asnjeri nuk u shkëput nga rrathët që ti lejonte të tjerët të vërtiteshin lirisht.Kështu vazhdoi gjer afër mëngjesit.

         Të nesërmen, edhe pse isha disi i lodhur,u ngrita më heret se zakonisht.Çdo çast përfytyroja Alidën,ashtu të heshtur,të qetë,me sytë që i shndrisnin nga kaltërsia,e bëhesha me krahë.Atë ditë nëna kish thirrur për drekë kushërinjtë e nja dy shokë të mi që i kisha më për zëmër,pasi mishi që zakonisht na mungonte,atë ditë ishte me bollëk…Nuk isha terjaqi alkooli,por atë ditë ndjehesha aq i lumtur sa e kapërceva cakun,apo si të të them,ndoshta e kapërceva cakun për të qënë i lumtur.Të gjithë pinë më tepër se zakonisht e u bënë çakërqejf.Ngritëm dolli për mishin e shijshëm,për turshitë e patëllxhaneve,specat e mbushura me gjizë,hudhrat,qepët e…jo vetëm këto;u ngrit dolli edhe për “Partinë e shokun Enver”që në kësi rastesh na e bën të mundur ta festojmë me “bollëk” pa na u dridhur qerpiku fare!….Njëri nga shokët,Beko i thërrisnim shkurt,propozoi një dolli për fizarmonikën,pasi vetëm ajo na mblodhi atë të diel e jo partia e p…. i s`ëmës.Unë desha të ngrija një dolli për Alidën dhe isha bërë aq në qejf,sa desh e shqiptova edhe emrin e saj,por instinktivisht ndryshova mëndje:”të ngremë një dolli për të bukurën”,kaq thashë.

         …..Ndoshta u zgjata pak si tepër me të pirat e dollitë që u ngritën atë ditë,por ç`dokush duhet ta dijë se në atë kohë,të harroje hallet e problemet qoftë edhe për disa çaste,ishte diçka e rrallë,ndaj kujtohen me një farë nostalgjie…..

         Atë pasdreke,pasi bëra një gjumë të rëndë,ndoshta nga rakia,kur u ngrita sapo kish filluar të errej.”Pa të dal njëherë –mendova me vete-mbase jam me fat dhe shoh Alidën”.Meqë ishte e diel, mund të gjente ndonjë shkak për të hyrë në dyqanin e vetëm që kishim në sektor.Isha mbështetur tek njëra nga shtyllat e qëndrës së emulacionit,kështu që mund të vështroja nga të katër anët.Ishte në të errur e sipër kur,pa pritur pashë Alidën që delte nga zyrat e sektorit me një djalë!Pasi u afrova pak e njoha!Ishte burrë i martuar,emrin s`ia kujtoj pasi kanë kaluar shumë vite,por mbaj mënd që përflitej si një donzhuan i madh,që i bënte gjërat fët e fët,pa rënë shumë në sy,e syri s`i bënte tërt.Gjëja e pare që më përshkoi trurin ishte,se ç`kërkonte në zyrë të dielën?!..Ishte ditë pushimi,e të gjitha zyrat ishin mbyllur!Ndërrova rrugë dhe ika i tronditur,e me bisht ndër shalë, ndërsa mëndja më shkonte vetëm për keq!E urreja atë burrë maskara,për të cilin kisha dëgjuar,por që sot e pashë me syt`e mi!Shaja atë, por edhe veten time njëkohësisht:”Ç`të duhej ty idiot të delje,deshe të shihje bukuroshen tënde ë?!S`të pritej  ë?Ja ku e pe dhe të duhet të rrish si guhak,se nuk ke ç`far ti bësh tjetër!Pastaj,ai e ka të justifikuar;punon në një zyrë me `të.Edhe biografinë e ka të mirë!Jo si tënden sterrë!Atë e shohin të gjithë e s`thonë gjë!Ama po të të shohin ty, do të të thërresin menjëherë e s`do të lënë gur pa lëvizur.Kërkon ti prishësh biografinë ti i deklasuar?!Hajt se ta rregullojmë ne!Ç`të duhet ty or budalla!Pak vajza ke nga ato që e kanë biografinë si ti,të zezë sterrë!Ç`të kruhet prapanica or tu mbylltë,ç`të kruhet me ato që nuk ti mban dot  kurrizi?!.

         Dihet që në dashuri,rivalitetet janë të pa pranueshme.Edhe pak krenar nga natyra,të them të drejtën, nuk po e gëlltisja dot.Atë natë nuk mbylla sy nga marazi aq sa,sinqerisht ta them,pa hezituar fare,vendosa të heq dorë përfundimisht.Dhe, të them të drejtën s`di pse,por kur e vendosa këtë u ndjeva disi i lehtësuar.Nja një orë para se të zbardhej dita më kish marrë gjumi.Kur u zgjova,s`di si të them,ndjenja e krenarisë më thoshte që ta injoroja krejtësisht.Ndjehesha aq i poshtëruar sa nuk kisha dëshirë as ta shihja e as të më shihte.Për nja dhjetë ditë bëra ç`mos që të mos çfaqesha në ato vënde ku mund të shiheshim rastësisht dhe ia arrita qëllimit.Po do ti që,edhe pse më ndodhën gjithë këto, që të mos shtirem,nuk di po  fytyra e saj më delte përsëri parasysh!Duket se virusin e kisha të fshehur diku brënda e s`më linte të qetë.Por të më besosh,isha shumë më i qetë se atë natë që e pashë të delte nga zyra me atë horrin,që edhe sot kur e kujtoj më ngjall neveri e urrejtje.Jo për ndonjë gjë,por kur e gjykoj me gjakftohtësi më duket një gjë e ulët që një burrë i martuar e me tre fëmijë mashtron një vajzë tetëmbëdhjetë vjeçe!Ndoshta nuk gjykoj drejt edhe nga një fare xhelozie që pata ato çaste kur e pashë me `të,xhelozi që la shënja thellë nënvetëdijes time atë kohë….. …….Kaluan edhe ca ditë,kur një natë më çojnë fjalë të paraqitesha në zyrë.”Me siguri pë të shkruajtur ndonjë parrullë”,mendova dhe nuk e zgjata,pasi më kish marrë uria dhe e kisha darken gati.Sapo hyra në zyrë sekretari i partisë dhe ai i rinisë bashkë,më njoftuan se pas nja dy-tre javësh,me rastin e përfundimit të korrjeve rinia e sektorit do të jepte një çfaqje dhe unë duhet të jepja ndihmesën time,qoftë me fizarmonikë apo edhe me skeçet që do të luheshin me atë rast.

        Me që ra fjala-shtoi sekretari i partisë –sonte kemi një mbrëmje vallzimi në orën gjashtë.Po deshe mos u vono shumë se po të presim! Pa e zgjatur,hëngra bukë shpejt e shpejt,u ndërrova dhe po nxitoja sikur dikush më kishte vënë revolen prapa kokës.Po ecja aq shpejt sa mu duk se po më merrej fryma,pasi kisha edhe fizarmonikën në krahë.Ndala një çast dhe ndërsa bëja sikur rregulloja fizarmonikën,mendoja:”Përse u bëra kaq xheloz,përse e ul veten përpara një shëmtaraqi?!Përse e bëra kaq të madhe kur,ndoshta kishin pasur ndonjë punë në zyrë”? Të dashuruarit hasin në vështirësi për mbajtjen e premtimeve ndaj vetes.Megjithatë,fakti që ai ishte një mashtrues zëmrash përsëri nuk më linte të qetë!Vetëm një gjë më kujtohet mirë:qysh kur u afrova pranë vëndit ku do të bëhej mbrëmja,mezi prisja që të shihja Alidën;sikur isha tjetër njeri,e jo unë që kisha marrë vendime të rëndësishme dhjetë ditë më parë!

         Sapo hyra brënda e pyes sekretarin e rinisë se për ç`farë bëhej kjo mbrëmje.Jo se më interesonte;thjeshtë për të thënë diçka,që të mos dukesha si një tuhaf që s`di gjë tjetër,veçse të luajë gishtat në fizarmonikë.Sekretari i rinisë ma tha,por unë s`e mbaj mënd se kanë kaluar më se pesë dekada!Ti e di se sa shumë ”festa” apo fushata kishim ne,pambarim;festa korrjesh,mbjelljesh,plugimesh,shirjesh(që të mos them shtirjesh),grumbullimesh,dorëzimesh…U ula në vëndin që më kishin caktuar dhe fizarmonikën e vendosa në karrigen pranë,pasi shumica e të rinjve ishin duke biseduar me njeri tjetrin.Dukeshin shumë të gëzuar!..

        Kur më panë,ca erdhën e më dhanë dorën,të tjerët u ulën nëpër vëndet e tyre dhe prisnin të fillonte muzika që të argëtoheshin.S`kishin kaluar as pesë minuta e mua më dukeshin si pesëdhjetë,pasi s`kisha mundur të shihja Alidën pa rënë në sy.”Të mos ketë ardhur”,mendoja me një fare trishtimi!Gjithçka mund të ndodhte,por si mund të argëtoja të tjerët,për disa orë rresht,pa prezencën e saj?Duke vënë instrumentin në krahë,i pushtuar nga ndjenja të zymta,ngrita kokën dhe për çudi,mu përballë meje vura re Alidën që vështronte me ata sy të bukur,që dukeshin krejt të pa fajshëm!…Uli sytë në shënjë përshëndetje,ndërsa unë duke e përmbajtur ngazëllimin tim,që të mos bërtisja si Arkimedi “eureka”,po shtiresha sikur i gjithë preokupimi ishte në tastjerë.Jo vetëm kaq; bëra edhe ca shtirje të tjera,që dukeshin aq të natyrshme sa më dukej se të gjithë po e hanin sapunin për djathë,edhe pse asnjë s`dinte për historinë e lidhjes time me Alidën.

         Thonë,që të shtirurit është prirje e  grave.Jam dakord në një farë mase,por po të them se tek një burrë i dashuruar,të shtirurit është pothuajse i papërfillshëm në krahasim me vullnetin,i cili  arrin ta bëjë dashurinë e tij të pa kuptueshme prej të tjerëve….Ndërsa i bija fizarmonikës e kisha të vështirë të bëja dy gjëra në të njëjtën kohë:edhe të mendoja si do të sillesha me Alidën,edhe të luaja muzikë.Ti e kupton besoj,se kur nuk je profesionist,duhet të kesh mëndjen tek tastjera që të mos ngatërrohesh se bën figurë të keqe!

         Këtu e ndërpreva pak Qaniun.- Me sa më ke spjeguar-i thashë, kam përshtypjen se ” i biem njësoj”,bile ca episode janë aq të ngjashëm sa,nganjëherë, më duket sikur jemi sozia e njëri tjetrit,prandaj s`ka nevojë të më bësh asnjë lloj sugjerimi.

        Qaniu pohoi me një buzëqeshje të lehtë e më pas vazhdoi i inkurajuar :- Nuk dija si të veproja;të sillesha ftohtë,ta injoroja njësoj sikur nuk ekzistonte, apo të tregohesha aq i përzëmërt sa të kujtonte se isha gati të flijoja edhe jetën?!…Tek e shihja vjedhurazi,jo vetëm sytë e bukur por edhe ca fije të spërdredhura flokësh, që here pas here i binin mbi ballë i jepnin një hijeshi,që ishte tepër tunduese për të mos e përfillur.Ndjehesha aq i dobët atë çast,sa krejt natyrshëm po i nënshtrohesha zëmrës, që mua më dukej sikur më shtynte me forcë  të mos ia ndaja sytë.Dhe ashtu bëra; edhe pse ruhesha të mos bija fort në sy,sidomos në sytë e një tjetre që më shihte në mënyrë mjaft provokuese dhe mesa mbaj mënd,bënte ç`mos pë të më tërhequr vëmëndjen.Nuk ishte dhe aq e bukur por flitej se ishte  “qejflleshë” e madhe.Pas nja dy orësh s`kisha asnjë dyshim se, meqë ishte rasti,po bënte ç`mos që të flirtonte me një të deklasuar,sepse disa herë ,në kohën kur bënim ndonjë pushim, erdhi pranë karriges e më llomotiti lloj lloj broçkullash për të cilat s`isha fare i interesuar,por shtiresha sikur po më lumturonte me praninë e saj pranë meje.Por, ajo gjëja më e pakëndshme që më befasoi jo pak,ishte kur në një çast,ashtu si krejt rastësisht më tha se do të bënte ç`mos që të më ftonin në dasmën e Alidës!Mu duk se po më sillej salla vërdallë dhe nuk isha i sigurtë në i dëgjova mirë apo më bënë veshët.Ajo më hoqi çdo dyshim sepse pa e pyetur fare më tregoi ca hollësi që s`linin vënd për hamëndësime………Kur e mora veten disi dhe e pyeta për dasmën më tha se do ta bënin për nja gjashtë muaj.Edhe pse në fakt qe si një lloj shoku  që më tronditi,me Lilin(kështu e kish emrin më duket) u solla përsosurisht,ose më mire u shtira përsosurisht,sepse ajo më vizitoi edhe dy herë të tjera dhe biseda vazhdoi aq natyrshëm,sikur ajo që më tregoi kishte qënë thjeshtë një kuriozitet që s`më bënte aq shumë përshtypje.Lili siç duket, e ndjente për detyrë të më rrinte afër sepse,siç mora vesh pak më vonë,ajo kish ca ditë që ishte emëruar sekretare rinie për sektorin.Sa i përket Alidës nuk dija ç`të mendoja,më ish bërë mëndja dhallë.Ndërsa bëja një pushim të vogël, me kokën të varur mbi fizarmonikë,ndjehesha aq i hutuar sa s`më bëhej të besoja se ishte e fejuar e së shpejti do të martohej!Ç`ishte kjo kështu që,nga njëra anë priste ditën e dasmës, e nga ana tjetër kishte filluar një flërt  të ri!..Femrat janë të pa parashikueshme!Këto e shumë të tjera,mendoja me kokën të varur,ndërsa s`kisha asnjë dëshirë të bëja muzikë.N`ato çaste kisha vetëm një dëshirë:të hidhja fizarmonikën në krah e të zhdukesha pa përshëndetur asnjë!…Vetëdija më thosh se një sjellje e tillë ishte një mungesë edukate e më këshillonte, në heshtje, të vazhdoja e ti bija muzikës,sikur s`kish ndodhur asgjë.Megjithse kokën e mbaja mënjanë,gjoja,për të mos parë Alidën,përsëri,kisha një lloj ankthi që më shtynte e më detyronte të mos e humbisja nga sytë.Një ndjesi e brëndshme më thoshte se,në fund të fundit ajo tani thjesht më dashuronte mua; përse duhej ta mohoja apo më keq ta përbuzja?!.

         Me këto mendime,kthej kokën e shikoj drejt saj.Ajo po më vështronte në një mënyrë sikur deshte të më thoshte diçka,mirëpo dukej sikur ishte e pa gojë,e me shikimin e syve donte të shprehte diçka që vërtetë e mundonte shumë.Mbase ndjente ,pse jo,edhe një fare xhelozie për Lilin që po më frekuentonte herë pas here.Mbase Lili edhe mund të më kishte thënë diçka që asaj t`i prishte punë…..Nga femrat mund të pritet gjithçka,e ato e dinë më mire këtë gjë!Kisha dëshirë që Alida të mos dyshonte për gjëra të tilla,sepse nuk isha i atij rrangu që të tundohesha nga ç`do femër që mund të më dilte para.Së dyti nuk kisha aq sy tërheqës e ekspresivë,që të mund të shprehja atë që s`kisha mundësi ta bëja me gojë.Megjithatë,pas pak çastesh hezitimi ne u shikuam në sy aq shpesh,sa për këtë shkodranët kanë një shprehje që më vjen zor ta them sepse është disi banale….

        Që një i deklasuar,apo më mirë një armik të guxonte ti hidhte sytë një vajze me biografi të mirë ishte një lloj blasfemie.Në raste të tilla duhej të bëje kujdes,sepse “diktatura e proletariatit”mund të hakmerrej pa mëshirë.E të mendoje se kishe edhe familje!I merrje në qafë që të gjithë!Sidoqoftë,kur bie në dashuri,të errësohen sytë.Dashuria vret para se të mendojë,madje ajo s`mendon fare!……E di pse ta them këtë?Sepse,të paktën për nja dhjetë ditë që s`munda ta shihja Alidën,pasi që nga ajo mbrëmje u zhduk papritur,edhe pse tanimë e dija që ishte e fejuar e së shpejti do të martohej,ç`do ditë bëja të pamundurën që,të paktën, ta shihja me sy.Më ishin lodhur sytë duke bërë roje,që kur të delte nga shtëpia ose nga zyra,të mund t`i hidhja një shikim pasi më kish marrë malli.Madje erdhi një moment që isha i bindur se na kishin kuptuar…Po të ishte në shtëpi,me siguri do të ma zinte syri,pasi ç`do natë kaloja përbri shtëpisë së saj,kur shkonim për provat e estradës.Ishin ditët e fundit të provave,kur pyes njërin prej tyre se pse nuk merrte pjesë Alida.Ti nuk e merr me mend sa u lehtësova,kur ai më tha se prindërit e kishin çuar për pushime tek një tezja e saj,e këto dy ditë do të kthehej.Për tre –katër ditë do të jepnim çfaqjen,kur një natë një nga antarët e rinisë më lajmëron që të paraqitem në sallën e provave.Më priti Lili e cila,me fjalë të matura e të kujdesshme më tregoi se dikush kishte raportuar te sekretari i partisë së Rrethit se ne ishim miqësuar aq shumë me ty ,sa kishim harruar edhe “luftën e klasave” e tjera,dhe dyshonin që atë e kish bërë një ish sekretar rinie për hakmarrje.Pas Lilit ,në sallë  erdhi pothuajse e gjithë rinia duke më shprehur keqardhje dhe më njoftuan se sapo kishin folur me sekretarin e partisë së sektorit, dhe ai i kish siguruar se të nesërmen do të shkonte vetë në qytet e do ta zgjidhte pozitivisht këtë çështje.

         Në fakt nuk ishte një punë argëtuese.Kur kthehesha i lodhur nga puna,e më duhej patjetër të shkoja,ishte thjesht një pjesë e humbur kohe,kështu që duke qënë i vetëdijshëm se nuk më kishin zbritur nga ndonjë  pozitë,por po më hiqej një angari,bëra ç`mos që t`i bindja që edhe sikur të mos zgjidhej ai problem ne do të ishim si më parë. I dhamë dorën njëri tjetrit përzëmërsisht,me bindjen se për dy tre ditë do të shiheshim prapë e gjithçka do të shkonte si në ujë!.

         Kur hapa derën,ç`të shihje,errësirë dynjaja!Mu deshën katër a pesë minuta për tu ambjentuar.Sapo kalova urën e vockël për kalimtarë që të nxirte në një rrugë sekondare,me vështirësi vura re një siluetë mu përballë meje!S`po u besoja syve!O zot!Alida qëndronte pa folur!Po më merrej fryma!S`dija ç`ti thosha,por ama atë çast si asnjëherë tjetër e ndjeja në gjithë qënien time se kisha rënë në dashuri!Do të kisha bërë më të mirën,sikur të kisha tentuar ta puthja me pasion,pasi dashuria nuk ka nevojë për shumë fjalë.S`di pse më mungonte guximi,ndoshta kisha ndjesinë e gabuar se duke bërë ashtu,hidhja baltë mbi dashurinë e vërtetë!..Gjepura!Njeriu, kur dashuron dyshon për gjithçka.S`di sa kohë ndenjëm pa folur.Duke dashur të sigurohesha ,s`di për të satën herë,se më donte,pa e marrë veten mire ende e pyeta:

        – “Më do shumë ti Alida”?!.Po të pyes për të fundit herë,pasi nuk e di nëse do të gjejmë kohë e ndonjë vënd të sigurtë që të bisedojmë për gjithçka.Nuk kemi shumë kohë! Mu duk sikur pohoi me kokë.Që të sigurohesha e pyeta edhe një here.Bëri përsëri një lëvizje dhe ktheu kokën mënjanë.Nuk po merrja vesh çfarë po ndodhte, kur mu bë sikur dëgjova një dënesë të lehtë!Për tu siguruar i vura njërën dorë në faqe,pastaj tjetrën.Të dyja pëllëmbët  mu njomën!.Atëherë pa e zgjatur e përqafova me të dy duart ,duke e afruar pranë vetes,ndërsa ajo dëneste me kokën të mbështetur mbi supin tim!S`di sa ndenjëm në krahët e njeri tjetrit!Fill pas këtij veprimi i vura pëllëmbët në faqet e saj e fillova t`ia puthja, duke iu lutur që të qetësohej e bile të ndjehej e lumtur,sepse asgjë në botë s`do të mund të na ndalonte që të bënim atë që kishim për zëmër.Tani,pas kaqë dekadash kur i kujtoj ca gjëra më duket vetja si budalla!Në vend që të vendosnim se ku do të takoheshim e të bisedonim përfundimisht se si do të vepronim në të ardhmen,unë flisja për broçkulla dashurie.Them broçkulla sepse rrethanat ishin kaq të komplikuara saqë kërkonin një zgjidhje aty për aty,s`kishte kohë për zvarritje.S`ka “hiq e mos e këput” në një dashuri të sinqertë! Mirëpo ishte në natyrën time që t`i zvarrisja gjërat pa fund.Them kështu, sepse nuk doja t`ia dija as për xhelozira dhe as për faktin që ishte e fejuar.Mendoja vetëm e vetëm si t`a  bëja timen…

         Ndërsa mendoja ç`do çast, si të gjeja një rast për ta takuar që t`ju jepja fund njëher` e mire atyre zvarritjeve të mallkuara,pas nja dy ditësh troket dera.Ishte mësuese Nderimja.Kishte ardhur edhe herë të tjera tek ne.Ajo luante mëndsh pas qëndismave.Nëna,që ishte mjeshtre i kishte bërë shpesh punime të tilla Nderimes,po tani ajo kish mësuar ti bënte  vetë.Meqë ishte nga një fshat i Korçës,kur vinte, gjithë kohën llafoste me nënën.Pinin ndonjë kafe turke,madje shikonin edhe filxhanët nganjëherë…..Ishin me biografi të mirë po duket, askush nuk dyshonte për ndonjë gjë,sepse ç`është e vërteta nuk kish ndonjë hijeshi që të të bënte t`i shkoje pas. (Vijon)

Filed Under: LETERSI Tagged With: A L I D A, Dine Dine, viiimi 2

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT