• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

Histori civilizimi

March 4, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/Njerëzit mund të jenë 1.8 milion vjet të vjetër. Por ne dimë se 500,000 vjet më parë ata gatuanin mishin në zjarr.
Rrënojat më të vjetra që janë zbuluar datojnë 10 mijë vjet pes., ose afërsisht 12 mijë vjet më parë, në Gobekli Tepe, në Turqinë moderne. Ka figurina të gdhendura dhe piktura shpellash edhe më të vjetra.
10,000 pes: Bujqësia u zbulua në Lindjen e Mesme. 
8,000 pes: Bujqësia u shfaq në Kinë. 
7,000 pes: Bujqësia mbërriti në Evropë. 
6000 pes: Qytetet më të hershme ishin Jericho dhe Catal Huyuk. 
3,000 pes: Qytetërimet e para komplekse u krijuan në Luginën Indus, Sumer, dhe Egjipt.
1,200 pes: Fundi i epokës së bronzit.
323 pes: Aleksandri i Madh vdiq.  
Periudha helenistike merr hov; kultura dhe fuqia helene zgjerohen deri në Lindjen e Mesme. 
229 pes: Fillojnë Lufrat Ilire – Romake.  
27 pes: Krijohet Perandoria Romake. 
476 : Bie Perandoria Romake Perëndimore. 
1453: Merr fund Perandoria Romake Lindore.
1480: Shteti i Arbërit bie plotësisht nën pushtimi Osman. 
1776: Revolucioni Amerikan. 
1940: Lufta e Dytë Botërore. 
1948: Fillon Lufta e Ftohtë. 
1989: Diktatura komuniste bie. 
2019: Shpërthen Pandemia Kovid. 
2021: Jeta vazhdon e pa sigurt me maska. 
Pra, fillimisht historianët mendonin se viti 3,000 pes vërtet shënonte fillimin e Qytetërimit. Pastaj u zbulua Gobekli Tepe dhe gjithçka ndryshoi. Gobekli, ndërtuar rreth vitit 10,000 pes – është më shumë se 3 herë më e vjetër se civilizimi më i vjetër. Struktura në Gobekli Tepe ishte po aq e vjetër për Sumerianët dhe Egjiptianët e parë sa është për ne sot.
Nga Sumeria antike deri tani është më pak se gjysma e historisë. Çfarë ndodhi nga viti 10,000 pes – 3,000 pes? Historianët nuk kanë asnjë fjalë për të thënë. Për më tepër, çfarë ndodhi nga viti 500,000 deri 10,000 pes? Përsëri, asnjë ide. Mund të ketë pasur civilizime të përparuara, luftëra masive, teknologji të reja – nuk dimë gjë. Mund të ketë pasur epoka të shumta bronzi. Kjo është kohë e mjaftueshme që Njerëzimi të arrijë standardet e sotme dhe pastaj të bjerë përsëri në jetën primitive. Njerëzit kanë qenë aq të përparuar sa jemi ne sot (ose më të përparuar) dhe pas një kolapsi të madh janë kthyer në gjendje primitive. Ky është super spekulim (nuk ka asnjë provë) dhe super e pamundur. Historia është studim i përvojës njerëzore, dhe një pjesë e mirë e saj ka qenë fatkeqësisht brutale. Nga e gjithë kjo periudhë, njeriu di vetëm 1 përqind, ndërsa 99 përqind e saj mbetet e panjohur. 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Histori civiliximi

Prishtina të mos i dëgjojë “fjalët e botës”!

March 4, 2021 by dgreca

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi Hyseni/

Prishtina të mos i dëgjojë “fjalët e botës” …Sepse vendosja e  ambasadës së Kosovës në Izrael, është çështje  e Izraelit, jo e Prishtinës, as e Beogradit e as Stambollës. Prandaj, në këtë çështje as politika e as diplomacia e Kosovës nuk kanë pse t’i japin llogari askujt, e, as pse të shterohen duke polemizuar me askë , se ku do ta vendosin misionin e vet diplomatik dhe konsullor në Izrael, mbase kjo çështje i përket vetëm Tel-Avivit, askujt tjetër.

 

-Shprehur me fjalorin e përditshëm, nëse ndonjëri shkon dikund mysafir, nuk mund të kërkojë nga zoti i shtëpisë, se në cilën dhomë do të  kuvendojë apo do të flejë, sepse për atë vendos i zoti i shtëpisë, JO MYSAFIRI !

Kështu qëndron çështja edhe me procedurën juridike të së drejtës ndërkombëtare me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

  Thank you ex-President Donald Trump !

Pikësëpari, politika dhe diplomacia zyrtare e Kosovës, duhet ta falënderojë ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që ia arriti ta bindë Izraelin për njohjen e Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008). Kjo njohje ndërkombëtare është meritë direkte historike dhe diplomatike e Donald Trump-it. –Faleminderit z.President Donald Trump. -Populli i Kosovës nuk do ta harrojë këtë shpërblim të madh për afrimin e dy popujve (herbrenjve dhe shqiptarëve), të cilët historikisht e kanë një simetri tragjike të mbijetesës nga gjenocidet e huaja, gjatë vijimësisë së tyre shumëshekullore. 

 

           Ne jemi të nderuar me njohjen  e Izraelit 

-Shpresojmë se, kështu si Izraeli, së shpejti edhe Vatikani do ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës.

Sipas së drejtës ndërkombëtare,  njohja reciproke e dy shteteve bëhet duke u bazuar në pëliqimin e ndërsjellë të tyre.

Prandaj, për Kosovën është e rëndësishme njohja historike nga ana e  Izraelit, jo  vendosja fiziko-teknike e misionit diplomatik (amabasadës) në Tel Aviv apo në Jerusalem. Kjo është çështje e brendshme e shtetit të Izraelit, se në cilin qytet të tij, do të vendosë Ambasadën e Kosovës, apo ndonjë  ambasadë të ndonjë shteti tjetër.

Madje, shteti dërgues (sending state) nuk është ai që merr vendim se në cilën pjesë të territorit të një vendi pritës (receiving state) dëshiron të vendosë misionin e vet diplomatik a konsullor, por për këtë çështje vendos shteti pritës (receiving state) në përputhje me Konventën e Vjenës së Marrëdhënieve Diplomatike (1961, Neni 21.1.).

Këtë e theksova me qëllim që të mos krijohen nebuloza dhe politizim i panevojshëm lidhur me çështjen  e vendosjes së misionit diplomamtik (Ambasadës) së Kosovës në Izrael (në Tel-Aviv apo në Jerusalem), sepse kjo është e drejtë e ligjshme dhe sovrane vetëm e Qeverisë së Izraelit, jo e Kosovës dhe, e asnjë shteti tjetër, ngaqë është në përputhje të plotë me rregullat, me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare.  

Parimisht, sipas së drejtës diplomatike dhe konsullore, asnjë shtet dërgues (sending state) nuk ka të drejtë t’i kërkojë, apo t’i diktojë shtetit pritës (receiving State) lokacionin  se ku do ta vendoste ambasadën apo konsullatën e tij, sepse kjo çështje e jurisdiksionit territorial  i përket vetëm shtetit pritës.

Prandaj, me këtë çështje nuk ka pse të merret e as pse të humbasë koha politika dhe diplomacia e Republikës së Kosovës, mbase për vendosjen e ambasadës së saj qoftë në Tel-Aviv apo në Jerusalem vendos vetëm qeveria e shtetit të Izraelit, askush tjetër, sepse këto dy qytete janë nën jurisdiksionin territorial, administrativ, shtetëror, sovran dhe të pavarur të Izraelit.

Në këtë kontekst, çdo politizim i vendosjes së misionit diplomatik të Kosovës në Izrael, është përzierje direkte në çështje të brendshme të Izraelit dhe të Kosovës. Mirëpo, politika dhe diplomacia e Kosovës, nuk duhet të bien viktima të asnjë ultimatumi dhe, të asnjë diktati të huaj kërcënues  se  ku duhet ta vendosin ambasadën e tyre në Izrael, sepse kjo është çështje e brendshme e  qeverisë së Izraelit, jo e qeverisë së Kosovës, as e qeverisë së Ankarasë, as qeverisë së Palestinës e as e qeverisë së Serbisë etj. Palestina  nuk ka asnjë të drejtë të përzihet në çështje të Kosovës, kur është fjala për njohjen nga Izraeli, sepse kjo është vetëm  çështje e marrëveshjes së arritur mes Uashingtonit,  Prishtinës dhe Tel Avivit (4 shtator 2020).  Për më tepër, Kosova nuk iu përzie  Palestinës, kur e njohu Serbinë gjenocidale (1912-1999), mbase ishte çështje e Palestinës, jo e Kosovës. Kështu thotë edhe e drejta ndërkombëtare, si dhe Karta e Kombeve të Bashkaura, që rreptësisht ndalojnë përzierjen e shteteve në çështje të brendshme të shteteve të tjera.

 Së fundi, një këshillë për ata që po duan të  ndërlikohen në procesin e njohjes reciproke të Izraleit dhe të Kosovës, me qëllim të politizimit të tij, duke i dhënë dimensione paragjykuese religjioze,  duhet ta kuptojnë të vërtetën se Kosova nuk është kurrfarë shteti islamik, por është shtet demokratik sekular me Kushtetutë (15 qershor 2008). Ndaj, nuk ka kurrfarë obligimi moral , as ligjor e as kushtetues ndaj asnjë vendi islamik në botë. Mirëpo, nëse ndonjëri prej shteteve islamike, do ta njihte Kosovën, sigurisht se Kosova do ta pranonte me kënaqësi një njohje të tillë eventuale, ashtu sikurse në rastin e Republikës Islmaike të Afganistanit, e cila ishte ndër shtetet e para, që e njohu Kosovën, më 18 shkurt 2008. 

Të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën  (mbi 100 sosh) dhe ato që nuk e kanë njohur, duhet ta dine se Kosova është e gatshme dhe e hapur për bashkëpunim dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të mira miqësore, ekonomike, politike, diplomatike, tregtare e kulturore etj. Për më tepër, Kosova është shtet proamerikan dhe me orientim të qartë civilizues demokratik  dhe paqësor evropianoperëndimor.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Prishtina, Prof.Dr.Mehdi Hyseni, Telavivi

Heshtja ndihmon shtypësin, asnjëherë viktimën

March 4, 2021 by dgreca

-Mbi librin e Visar Zhitit “Kartela të realizmit të dënuar”/

Minella Aleksi/Të dëshmosh me shkrim pavarësisht nëse je një vajzë e vogël e fshehur në papafingon e një shtëpie apo je një institucion si “Amnesty international” që shkruan letra në emër të të burgosurve politikë, fuqia e tregimit të ndodhive dhe e kontekstit historik të kohës kur ndodhën, është ajo që zakonisht trondit dhe që shkakton ndryshime. Libri “Kartela të realizmit të dënuar” i shkrimtarit Visar Zhiti identifikon dhe analizon argumenta, reflekton e godet fortë, drejtë në ndërgjegjen e lexuesit, si një kujtesë e zymtë, keqardhëse për vlerat e humbura historike kombëtare, për koston e rëndë njerëzore të inteligjencës shqiptare, raportin me të vërtetën gjatë dhe pas regjimit komunist. 

Përmban një bilanc tragjik të atyre që u quajtën “armik”, në një kohë që fjala “armik” nuk kishte një përcaktim të saktë, por përfaqësonte një diapazon abuziv akuzash të pa limit, të imponuara me dhunën e ligjit nga pushteti komunist. “Armik” mund të ishte kundërshtari politik, mund të ishte një gazetar, intelektualë “borgjezë”, artistë, profesorë, shkrimtar, muzikant, poet, shkencëtarë, ish pronar. Klasa dhe arsimi ishin shpesh kriteret kryesore për tu identifikuar si armik. Lexon tekstin dhe imagjinata të sjell përpara syve akuzatorët shqiptarë të stilit sovjetik, atyre të cilëve Partia u jepte porosinë: “Pyetjet e para duhet të jenë; cila është klasa e tij, cila është origjina, arsimi dhe edukimi i tij. Këto janë pyetjet që përcaktojnë fatin e të akuzuarit”. Instikti i shkrimtarit e ka motivuar autorin Visar Zhiti, ish i dënuar i ndërgjegjes që të trajtojë në një libër “konfliktin shoqëror post komunist, konflikt  për të cilin tre vite më parë, më 2017, dy studjues, Grigore Pop-Eleches (Princeton Univ.) dhe Joshua Tucker (Nevv York Univ.),  kishin botuar studimin e tyre me titull “Hija e komunizmit”. “Kartela të realizmit të dënuar” vjen si, apo përbën anën tjetër të medaljes e cila si një e vetme ndihmon për të kuptuar dhe thelluar arsyetimin mbi ecuritë post komuniste. Përgjatë tranzicionit shoqëria u ndesh me aspekte të dhimbëshme të karakterit kulturor të cilat përfshijnë qëndrime, besime, njohuri të ngulitura gjatë periudhës komuniste e që si kulturë shoqërore dhe kulturë politike shqiptare përbënin një “geto” të mjerimit shoqëror shqiptar. Analizohet fenomeni shoqëror në disa këndvështrime, e shtyn lexuesin drejt shtegut të meditimeve dhe gjykimeve individuale. Një libër që ngre më shumë pyetje sesa përgjigje të lehta.

P.sh., nuk mund të evitohet një pyetje: Përse ndodhën krimet mbi njerëz që kishin sakrifikuar dhe e kishin pasuruar kulturën shqiptare, çfarë krusje fatale pësoi shoqëria, tek e fundit ç’është kjo “dhimbje” e pashërueshme, përse atëhere, dhe akoma sot pas 30 vjetësh, kategoria e të persekutuarve politikë nuk u mirëseardhë në shoqërinë shqiptare?. Përse kur “armiku” i partisë binte në burg, siç bihet në një humnerë, edhe pse njerëzit ishin të vetëdijshëm për sa evazivë ishte termi “armik i partisë dhe i popullit” prapëseprapë, për fat të keq automatikisht te një pjesë e mirë e popullatës,  krijohej një ndjenjë urrejtjeje ndaj këtij “armiku”, e barazvlefshme në valencë me urrejtjen armiqësore që mbartëte etiketimi armik, sipas diktatorit dhe Partisë?. Nuk vihej në diskutim se për fajin që i ishte kundërvënë normave të partisë i dënuari jo vetëm konsiderohej armik, por familjarët dhe të afërmit e tij, në gjëndje ankthi dhe paniku bëlbëzonim me njëri tjetrin; mirë për vete që nuk mendoi por na mori në qafë edhe ne të tjerëve. Para rënies në burg këta intelektualë e artistë ishin të vlerësuar për punën që bënin, nderoheshin me “Çmim Republike”, “Hero i punës”, “Urdhëri Naim Frashëri”, etj., ndërsa pas pak ditësh ata ishin “leprozët” të cilëve njerëzit u qëndronin sa më larg. Kreu i komunistëve shqiptarë vrau mbështetësit e tij më besnikë sepse ata nuk arritën të kuptonin se revolucioni nuk kërkonte më revolucionarë, por shërbëtorë të bindur.
 
Kjo psikozë frike, ankthi, pasigurie, tmerri, paranoje dhe realiteti i përndjekjeve, keqkuptime dhe kontradikta klasore, ishte si një re e plumbtë mbi kokat e shqiptarëve. Parulla e ditës ishte: O me ne o me armikun.  Disa njerëz kishin keqardhje, dhimbje njerëzore, ndërsa shumë më shumë se këta ishin të tjerët, turma e indoktrinuar, ata që e mbajtën gjallë urrejtjen ndaj tyre. Edhe kur para vitit 1990 këta “armiq” dilnin nga burgu, te një pjesë e mirë e turmës së njerëzve vazhdonte të përjetohej urretja ndaj “armikut të partisë”. Koha vërtetoi se sa më e madhe injoranca aq më i thellë indoktrinimi. Për fat të keq nuk u arrit të shmangej urrejtja që vazhdoi edhe në post komunizëm.  Përse? Indoktrinimi komunist si strukturë edukate familjare dhe shoqërore nuk “pastrohet” me dekret, ashtu si me dekret mund të shpallet pluralizmi politik. Sa më i thellë indoktrinimi- injoranca, aq më tepër kërkon kohë emancipimi, çrrënjosja, dezintoksikimi ideologjik shtresë pas shtrese. Aksioma “Sapo të mësoni të lexoni, do të jeni përgjithmonë të lirë”, çuditërisht nuk e bën të lirë turmën. Si fara e mirë që mbillet në tokë kripore.

Lenini, udhëheqsi i bolshevikëve, ideatori i revolucionit të tetorit, deklaronte dhe u përmbahej dy parimeve shumë të rëndësishme të ideologjisë së pushtetit komunist: “Na jepni fëmijën për tetë vjet dhe ai do të jetë një bolshevik përgjithmonë”. Dhe parimi i dytë: “Ateizmi është pjesa e natyrshme dhe e pandashme e komunizmit”. Në librin “Kartela të realizmit të dënuar” dëshmohen pasojat shkatërruese të këtyre parimeve leniniste në shoqërinë shqiptare. Në vitin 1967, i cilësuar prej ish të dënuarit të ndërgjegjes Spartak Ngjela si viti “i hordhive të revolucionit kulturor”, u manifestuan qartësisht në shoqërinë shqiptare dy mësimet leniniste. Prej tridhjetë vjetësh shqiptarët në shumicë nën udhëheqjen e Partisë komuniste e kishin përqafuar bolshevizmin dhe e përjetonin përditë në formën e tij më të egër. Shkalla e indoktrinimit bolshevik ishte aq solide sa turmat e revolucionarizuara ateiste u gjëndën të gatëshme që menjëherë, pa asnjë hezitim, me thirrjen e Partisë u turrën dhe shkatërruan kultet fetare. Sa herë e mendoj atë periudhë aq më me vend më duket shprehja: “Një njeri i ndriçuar merr vendimet e tij; injorantët shkojnë me turmën”. Partia i përcaktonte artistët e intelektualët armiq, turma i urrente si të tillë. Njëlloj si në Gjermani, Hitleri u vinte hebrenjve Yllin e Davidit në gjoks, turma tru shpëlarë i masakronte në mënyrë të përbindëshme. Raporti midis misionarve predikues (priftërinj e hoxhallarë) dhe pushtetit komunist ishte një raport toksik që e kishte manifestuar shijen e helmët që në ditët e para të pushtetit të diktaturës komuniste, sidomos me çfarosjen në bllok të klerikëve katolik. Eksperienca bolshevike dëshmon se në shoqëritë komuniste shkalla e “shpirtit revolucionarizues proletar komunist” e pranishme në një individ të veçantë ose në të gjithë kombin është drejtpërdrejt proporcionale me shkallën e devijimit nga Feja. 

“Fryma e zjarrtë revolucionarizuese” si një infeksion shpirtëror, zë dhe e dëbon nga zemra e nga mendja e njeriut të thjeshtë shpirtin e besimit, dashurinë dhe dhëmbshurinë, i kundërvihet efektit amortizues që e ushqen dhe e çfaq feja. 

Ndodh ajo që edhe njerëzit më të ndershëm të cilët i përkushtohen idesë për t'i shërbyer “ shtetit të klasës punëtore” nën ideologjinë bolshevike e që janë gati të rrezikojnë vdekjen duke luftuar për idealet e komunizmit, pashmangshëm do të duhet dhe pranojnë në zemrat e tyre frymën e urrejtjes, bëhen të pamëshirshëm, të gatshëm për të zbuluar armikun brenda familjes, për të kërkuar armiq të brendshëm dhe të jashtëm, për të derdhur “gjakun në emër të interesave të Partisë”. 
U zhduk kisha dhe feja por turma ka nevojë për Kishën. I dorëzohet Kishës, Xhamisë, Teqesë, etj.. Turma s’ka vizion, nuk gjeneron ide, do udhëheqës. Turma i shkatërroi kishat e xhamitë nën udhëheqjen e Partisë. Individualitetet janë ata që e kapërcejnë Kishën, janë bartësit e ideve dhe vizioneve reformuese që shikojnë në thellësi të horizonteve. Rasti i Martin Lutherit brenda fesë është ilustrimi më i qartë. 

Në shoqërinë komuniste që përpiqet të standartizojë të menduarit, individualiteti nënçmohet. “Zilia” për pasurinë e të tjerëve, për qëndrimin vlerësues të individit në shoqëri, për suksesin dhe talentet e të tjerëve, etj., në masat revolucionare me vetëdijen e paqartë të tyre ngrihet në rangun e një virtyti. “Frika e krahasimit” si tipar njerëzor ka shërbyer gjithmonë si karburant i xhelozisë. Ka një pasazh në libër ku zilia, cinizmi dhe xhelozia përmblidhen në mënyrën se si shprehet një shkrimtari i njohur pas lirimit të të burgosurve politikë: “Tani erdhën këta që të na zëvendësojnë”. 

Në librin “Kartela të realizmit të dënuar” lexuesi njihet me listën e gjatë të intelektualëve dhe të artistëve të burgosur e të zhdukur gjatë regjimit komunist. Të vjen në mend thënia e historianit të njohur britanik Martin Gilbert, biografi zyrtar i VVinston Churchill kur thoshte: “Hitleri dhe Çurçilli i para shkruan fundet e tyre, të katastrofës dhe të triumfit. Në fillim të L2B Hitleri grumbulloi mëndjet më inteligjente të Gjermanisë dhe i zhduku në kampet e çfarosjes, ndërsa Çurçilli grumbulloi mëndjet më inteligjente të Anglisë dhe i vuri që të punonin për dekodimin e makinës “Enigma”. Njëlloj në Shqipëri. Diktatori E. Hoxha grumbulloi të arsimuarit dhe i mbylli nëpër burgje, ndërsa mjelëset dhe mekanikët i vuri në udhëheqje të turmave. Me fillimin e Tranzicionit shqiptar “Realizmi i dënuar” ishte e pamundur që të çlirohej. Lidershipi i Partisë që erdhi në pushtet e në vazhdim ishte dhe mbeti një strukturë partiake që zbatoi besnikërisht metoda që në dukje ishin demokratike por ne thelb bolshevike. Të kujtonte thënien e politikanit gjermanolindor VValter Ulbricht: “Duhet të duken demokratike, por ne duhet të kemi gjithëçka në duart tona”.

Mendoj se raporti Pushtet “demokratik “ / ish të dënuar politik ishte i intoksikuar me urrejtje deri në atë masë sa ish të burgosurit politikë nuk e gjetën asnjëherë veten realisht dhe natyrshëm të njehsuar në radhët e PDsë dhe as si përfaqësues të së Djathtës politike në të. Paradoksalisht më mendje hapur ndaj të dënuarve të ndërgjegjes qoftë në mbështetjen institucionale financiare ashtu edhe moralisht u tregua forca tjetër politike, PS, nga e cila pritej më pak. Roli përcaktues i udhëheqsit të turmës!!

 Kategoria e ish të burgosurve politikë u urryen kur u burgosën,  urreheshin pas daljes nga burgu dhe në post komunizëm institucionalisht u mbajt e gjallë mungesa e dëshirës për rikonsiderimin e tyre në shoqëri. Shërbimi sekret shtetëror pas viteve 90tëishte një shëmbëlltyrë e shëmtuar e policisë sekrete të E. Hoxhës. Në mënyrën më djallëzore imazhi i kategorisë së të burgosurve të ndërgjegjes u kompromentua dhe u dëmtua rëndë me të gjitha format shantazhuese, dezinformuese, shpifëse, diskredituese etiketuese si bashkëpunëtorë, përzierje të qëllimshme me ish të burgosurit ordinerë, etj, etj. Jo pa qëllim shprehja” i rekrutuar nga sigurimi” i nënkuptonte të gjithë si spiunë të Sigurimit pa u marrë në analizë elementi bazë i rekrutimit, “Tortura”. George Orvvell nënvizon se: “përballë dhimbjes në tortura nuk ka heronj”. Pas rënies së diktaturës, në liri është e lehtë të flasësh dhe të akuzosh. Umberto Echo vinte në dukje:“Nën tortura ju jeni si nën sundimin e atyre ilaçeve që prodhojnë vizione. Gjithçka që keni dëgjuar të tregohet, gjithçka që keni lexuar kthehet në mendjen tuaj, sikur të transportoheni, jo drejt parajsës, por drejt ferrit. Nën tortura ju thoni jo vetëm atë që dëshiron inkuizitori, por edhe atë që imagjinoni se mund ta kënaqë atë, sepse midis jush dhe tij krijohet një lidhje vërtet djallëzore” . Çfarë e bën lexuesin që të ndjekë leximin me interes dhe hap pas hapi të filloj që të identifikohet me mëndjen e autorit që e konceptoi dhe e kompozoi këtë libër. Subjekti i shkruar me stil, e drejton vëmëndjen e lexuesit në mënyrë të qëndrueshme. Dhe gjatë leximit ndjen sikur bashkëbisedon me mëndjet e holla të atyre individualiteteve të kohës së kaluar. Sikur edhe vetëm për këtë pasurim shpirtëror të lexuesit ia vlen që të lexohet. Gjuha figurative e kuptueshme, zgjedhja e fjalëve që përputhen me tonin dhe rëndësinë e subjektit të marrë në interpretim, struktura e fjalive të shkurtëra, teknika përshkruese, herë herë alegoria dhe ironia dramatike si shprehje e nënshtresës me deduksione filozofike, në tërësi shija e mirë artistike, krijojnë përmes tekstit “zërin autentik” të autorit, riafirmojnë stilin si vulën e origjinalitetit të tij. Stil letrar që e ka ngritur performancën artistike në nivelin admirues të një krijimi artistik të mirëfilltë që, “hyn” në mëndjen e lexuesit, e zgjeron vetëdijen e tij, e bën të kuptojë konfliktin shoqëror që e ka motivuar autorin. Mendoj se teksti është projektuar dhe inxhinjeruar si një mënyrë edukimi që stimulon te lexuesi vet studimin. Nëse e kaluara ishte një pengesë dhe një barrë, njohja e së kaluarës është emancipimi më i sigurtë. Me këtë libër shkrimtari vendos përballë lexuesit një pasqyrë. Lexuesi shikon në pasqyrë atë çka tashmë ai ka dhe ndjen brenda vetes së vet. Turma mund ta refuzojë e ta thyej pasqyrën. Shkrimtari i drejtohet pjesës së përgjegjëshme të shoqërisë, njerëzve të dijes, të kulturës dhe arteve. I drejtohet Individualiteteve jo Turmës. Jetojmë në sistem demokratik për të cilin Të Diturit na tërheqin vëmendjen se demokracia është një besim patetik në mençurinë kolektive të injorancës individuale. Autori nuk synon që “Ishët” të zëvendësojnë  apo që “të fitojnë” mbi krijimtarinë egzistuese të arteve dhe të kulturës në diktaturë. Qartësisht, vjen me vullnetin që të ftojë lexuesit për të konsideruar “realizmin e dënuar” në një hapsirë shoqërore të vëmendjes dhe eksplorimit reciprok. Ai e ka kapërcyer post komunizmin komunist duke e sfiduar atë, duke refuzuar të heqë dorë nga njerëzorja dhe e vërteta. Dëshmia e  tij për “Realizmin e dënuar”, ka thyer brenda tij mbytjen e dëshpërimit mbi të, duke  mbetur vet  njerëzor. Libri “Kartela të realizmit të dënuar” i shkrimtarit Visar Zhiti është një kujtesë kurajoze e artistit qytetar, protestë e qëndrueshme kundër indiferencës, jo thjesht e bukur por domethënëse në këndvështrimin etik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kartela e realizmit te denuar, Minella Aleksi, Visar Zhiti

Projekti amerikan: Marrëveshja epilog ka njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë

March 4, 2021 by dgreca

SONY DSC

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Pa i mbushur një muaj prej se mori pushtetin, presidenti i SHBA Biden shpalosi në mënyrë të qartë e konkret qendrimin që ka adminstrata e tij karshi dialogut Kosovë- Serbi. Ç’është e vërteta, presidenti amerikan shfrytëzoi rastin që duke ia uruar Vuqiçit  ditën e shtetësisë serbe, t’ia bënë me dije se, pos tjerash, marrëveshja gjithëpërfshrëse e arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të këtë epilogun e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Ky qendrim tash e tutje do të jetë i palekundur nga aleati ynë i përhershëm dhe kësisoj del përtej kornizës së deritashme të Bashkimit Evropian dhe të ndërmjetësuesit të këtij unioni, që mbështetëshin në një platformë shtërp që nuk do të mund të sjellte farë rezultati për shumë vite, gjë e cila më së shumti i konvenon Serbisë, sepse ajo në këtë mënyrë duke prolonguar me qëllim ndonjë rezultat eventual, ajo po vjel mjete bukur të mëdha financiare nga BE dhe institucione tjera financiare në emër të saj se ajo është për dialog dhe për arritje të një marrëveshje kompromisi me Kosovën. Pra, Bashkimi Evropian si ndërmjetëues i këtij dialogu niset nga parimet se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vedeve duhet të arrihet nga vetë palët gjatë dialogut të  të dyja delegaconeve.

                                          Serbia akoma e uritur për tokat shqiptare

Udhëheqja dhe populli serb janë të vetëdijshëm se e kanë humbur përgjithmonë Kosovën, mirëpo duke u nisur nga një politik gllabëruese që ka bërë me shekuj në dëm të trojeve etnike shqiptare, edhe kësaj radhe po mundohen që të përfitojnë diçka që nuk u takon. Vuqiç dhe regjimi i tij, por edhe BE e ndërmjetësuesi Lajçak sa e sa herë po e përserisin se duhet të arrihet një marrëveshje kompromisi, që në këtë rast i bie që të favorizohet pala serbe, e cila po kërkon me ngulm që të formohet asosacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive, që do të thotë cenim  i integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Se BE është për një kompromis- marrëveshjeje u konstatua edhe në deklaratën e fundit të zëdhënësit të këtij institucioni, Peter Stano, i cili ndër të tjera tha se: “ Në fund, Beogradi e Prishtina do të gjejnë kompromisin e nevojshëm.” Derisa Stano përmend edhe qendrimin se marrëveshja e arritur do të jetë ligjërisht e obligueshme, jo vetëm tash por asnjëherë në të kaluarën nuk është thënë se Serbia duhet ta pranoj shtetësinë e Kosovës. Ky qendrim i padefinuar karshi shtetësisë së Kosovës, dorën në zemër vetëm sa po e dëmton rëndë vendin tonë dhe po transmeton sinjale të këqija në disa shtete të botës, që në disa raste edhe kanë tërhjekur njohjet.Në fakt, ky qendrim neutral vetëm sa po e trimëron Serbinë që të shton apetitet e saj, në mënyrë që në fund të fitoj atë që e ka synuar nga fillimi i dialogut. Pavarësisht se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, kjo nuk është arsye për të vepruar kaq padrejtësisht ndaj vendit tonë, aq më tepër kur kihet parasysh fakti se shtetësia jonë njihet nga mbi 110 shtete të botës.  

Me të drejt shtrohet edhe pyetja tjetër se çfarë kompromisi të dhimbshëm duhet të bëj Kosova, që e ka përmend në disa raste Vuqië e Lajçak? Po a ka më të dhimbshme se sa vrasja e masakrimi i rreth 15 mijë shqiptarëve nga policia, ushtia e paramilitarët serb, po a ka më të dhimbshme se shkatërrimi i mbi 200 mijë shtëpive nga sodateska shoveniste serbe, po a ka më të shimbshme se dëbimi i rreth një milonë shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore, po a ka më të dhimbshme se dhunimi i rreth 20 mijë grave e vajzave shqiptare, po a ka ma tmerr e dhëmbshuri djegëja e kufomave të vrara nga fashistët serb, po a ka më të dhimbshme se sa vrasja e masakrimi i rreth 300 mijë shqiptarëve nga rajoni i Toplicës e rrethit të Nishit dhe dëbimi i të gjithë të tjerëve nga ato troje shqiptare. Dhe athua prapë shqiptarët duhet të bëjnë kompromis dhe të falin toka të tjera vetëm se kështu po don Serbia dhe disa aleat të saj. Jo, kjo nuk duhet të ndodh kurrë, sepse dhimbja është e madhe nga plagët e freskta që i ka shkatuar regjimi i Miloshviqit dhe krajlat tjerë antishqiptar në të kaluarën. Se nuk do të ndodh një gjë e tillë e tmerrshme na jep besim e shpresë letra e presidentit amerikan dërguar homolugut të tij serb, që është edhe një sinjal i qartë edhe për Bashkimin Evropian se SHBA përkrah dhe qendron pas një marrëveshjeje që epilog ka njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, pa u cenuar asnjë pëllëmb tokë e vendit tonë.

                Pjesëmarrës i gjencidit serb mbi shqiptarët ishte edhe presidenti aktual Vuçiq

Në krye të shtetit serb është Aleksandër Vuçiq, i cili ishte pjesë e qeverisë gjenocidale serbe, ndaj edhe është e kuptueshme se do ta qet “ kokën në cung” e nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ai mendon e lufton me gjithë forcën që të vazhdoj politikën antishqiptare që ia ka lënë amanet Milosheviqi dhe, po ashtu, Shesheli, një antishqiptar i përbetuar. Është e pakuptueshme dhe shumë simptomatike se si është e mundur që me deklarata provokuese, që dëmtojnë rëndë vazhdimin e dialogut Serbi- Kosovë në asnjë rast nuk reagojnë  zyrarët e Bashkimit Evropian, ndërkaq po të bëjnë një gjë t tillë liderët tanë shqiptar, po të njëjtën ditë ka me dalë zëdhënësi e ka me e “ dënue” mendimin dhe synimin e tyre rreth një zgjidhjeje tjetërfare që ata mendojnë se është e drejt. Shembulli më i freskët është deklarata e Kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj, i cili theksoi pos tjerash se “ nëse nuk përfundon dialogu me njohje reciproke dhe Kosova vazhdon të mbetët e izoluar, atëherë do të shpallet referendum për t’u përcaktuar populli për bashkim me Shqipërinë.” Reagimi i Stano ishte i mënjëhershëm dhe goxha i ashpër, ndërkaq, kur zyrtarët serb theksojnë në vazhdimësi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe kur provokojë me mobilizim të ushtrisë serbe dhe blerje të armatimit modern, këtu mbretëron heshtje thuase asgjë nuk po ndodh.

Taktikat serbe se kinse e përkrahin dialogun?!

Presidenti serb Vuçiq përherë deklarohet se është i gatshëm për dialog dhe arritje të një marrëveshjeje, por kjo, në fakt, është një taktikë e tij e kahmotshe vetëm e vetëm që të përfitojnë nga fondet evropiane e ndërkombëtare mjete të mëdha financiare, ashtu siç po ndodh në të vërtetë. Vuqiçit dhe udhëheqjes aktuale serbe shumë m[ë tepër iu konvenon një status quo se sa të arrihet një marrëveshje përfundimtare, epilogu i së cilës do të ishte njohja reciproke. Për këtë epilog, kuptohet, nuk është i gatshëm të nënshkruaj presiodenti aktual serb, sepse dora e tij kriminale në shumë pjesë të ish- Jugosllavisë nuk ia lejon shpirtërisht ta bëj një gjë të tillë, dëshiron që këtë ta bëj tjetërkush, t’ia lë “ këmbët e ariut” dikujt tjetër.

Në deklaratën e tij të fundit pas takimit që pati me Lajçak, ndërmjetësuesin e BE-së, ndër të tjera tha se kurrë nuk do njoh shtetin e Kosovës dhe se për këtë arsye ai më nuk ka nevojë të shaj e të bërtas për këtë gjë. Bile ishte nervoz që Lajçak kishte pernmedur emrin Kosovë. Për me sha e me përdorë fjalor rrugaçësh Vuqiç dhe të tjerët që qendrojnë në poste të rëndësishme si dhe në institucione, bile edhe akademike, kush nuk mund t’ua kalon, për këtë iu njej e tërë bota. Të mos flasim për rrena e shpihje, që janë pjesë përbërëse e politikës serbe me shekuj. 

Filed Under: Analiza Tagged With: marreveshja, Projekti amerikan, Xhavit Çitaku

Kosovë, mos humb kohë… Thuaj “PO” ftesës së kryeministrit Netanjahu!

March 3, 2021 by dgreca

      DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA/

VATRA: KOSOVA NUK KA KOHË PËR HUMBUR PËR HAPJEN E AMBASADËS NË JERUZALEM/

Kosova nuk ka rrugë tjetër përveçse ta hapë sa më parë ambasadën pranë asaj Amerikane në Jeruzalem…./

New York, 3 Mars 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” po i ndjek me vëmendje dhe shqetësim presionet që po i bëhen kandidatit fitues  për Kryeministër të Kosovës z. Albin Kurti. Urimi dhe Thirrja e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu: Të pres në Izrael për të inauguruar Ambasadën në Jeruzalem; përballë kundërshtimeve të ashpra të Turqisë, Palestinës,si dhe të Lidhjes Arabe, apo dhe të Bashkimit Europian, nuk kanë pse e konfuzojnë as ta frikësojnë Kosovën, qeverinë e pritshme të saj, institucionet shtetërore apo klasën politike!

Shteti i ri Kosovës nuk ka më kohë të eksperimentojë tërheqjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Washington nën kujdesin e Presidentit amerikan Donald Trump dhe të nënshkrimit të marrdhënieve diplomatike me Izraelin me 1 Shkurt 2021.

          Bashkimi Europian ka pasë mjaftushëm kohë për ta ndihmuar Kosovën në integrimin e saj, por ka zgjedhur izolimin e shtetit të ri, duke mos e lejuar as të udhëtojnë në Europë qytetarët e Kosovës, siç ka bërë me agresorin e Kosovës, Serbinë- e  përkëdhelura e Brukselit.

              “VATRA” e mirëkupton Kurtin në lëvizjet e  tij për të fituar kohë për t’u përballur me presionin e BE-së, por vonesa nuk është në favor të tij dhe qeverisë së pritshme, as të qytetarëve të Kosovës. Ishte pozitive deklarata e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës Kurti  se “… vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”, ndërsa deklarata e 1 marsit 2021 gjatë takimit me ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar, se :”.. do ta shqyrtoj çështjen se në cilin qytet do të vendoset Ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem…”, krijon dyshime e mëdyshje.Vendime të tilla, natyrisht që duan kohë për t’u peshuar, por dita e mirë duket që në mëngjes. Washingtoni ka kërkuar qartazi që ambasada duhet hapur në Jeruzalem. Atje është edhe ambasada e Shteteve të Bashkaura të Amerikës. Administrata e re amerikane e dha “vizën” dhe fondet për qëndrimin e ambasadës amerikane në Jeruzalem. Kaq mjafton.

  Në dilemën të dëgjojë Amerikën , që i kërkon ta hapë ambasadën në Jeruzalem, përballë Europës kërcënuse: Jo në Jeruzalem, por në Tel Aviv!- Kosova duhet ta peshojë me balancën e prakticitetit dhe diplomacisë se kujt do t’i thotë ”PO” dhe kujt’JO”, por logjika dhe praktika diplomatike ndërkombëtare e shkarkon Kurtin nga përgjegjësia e PO-së sepse vendimin e kanë marrë paraardhësit e tij dhe së dyti- vendin se ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael i takon shtetit pritës dhe jo Kosovës.

Kosovë, mos humb kohë! Thuaj “PO” ftesës së kryeministrit Netanjahu!

Për Krysinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës

KRYETARI

ELMI BERISHA

New York, 03/03/2021

Filed Under: Politike Tagged With: ambasada e Kosoves, ambasada ne Jeruzalem, Deklarate e vatres, Elmi Berisha, Jeruzalem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT