• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

Vehbi Skënderi dhe bija e tij e poezisë…

May 24, 2021 by dgreca

NGA VISAR ZHITI/

Kohët e fundit është botuar në Tiranë vepra “Kartela të Realizmit të Dënuar” me autor Visar Zhitin, nga botuesi “Uegen”, nën kujdesin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhevair Lleshi. 

       Kjo sprovë e gjerë letrare, rezultat i një pune shumë vjeçare, na sjell “letërsinë tjetër”, kur zyrtarisht  ushtrohej Realizmi Socialist, me shkrimtarë të paguar nga shteti diktatorial, i cili i konsideronte dhe i trajtonte ata si oficerë të vetin, ndërkohë shkrimtarët kundërshtarë, ata që nuk e donin socrealizmin apo nuk e ushtruan, etj, u komplotuan me heshtje e margjinim, por një pjesë dhe u internuan, u burgosën apo u pushkatuan. U dënuan dhe veprat e tyre, madje dhe lexuesi.

       Këtë gjëmë sjell dhe libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”, letërsinë tjetë, që sipas Visar Zhitit solli ato që mungonin, të vërtetat dhe moralin e letërsisë. Vepra ka patur jehonë në media brenda dhe jashtë vendit, në diasporë dhe vazhdon të kërkohet nga lexuesi.

Lexuesit po i sjellim disa faqe nga libri “Kartela të Realizmit të Dënuar” i Visar Zhitit kushtuar Vehbi Skënderit, Elida dhe Skënder Buçpapajt. Ndodh jo shpesh që Zoti i bën bashkë në një familje poetët. Kujtojmë se Vehbi Skënderi është babai i Elidës  dhe vjehrri i Skënder Buçpapajt.

NJË KARTELË NGA MESI:

Vehbi Skënderi 

dhe bija e tij e poezisë…

 …s’po dukej më në faqet e gazetave, as në vitrinat e librarive emri i poetit Vehbi Skenderi. E kanë ndaluar… Ku i kishin çuar, në ç’internim?

Ishte poeti që më jepte kurajo, kur trokisja redaksive për botim e më prapsin.

…bir i një familjeje të një kleriku të njohur nga Korça, nga fshati Strelcë, ku dhe lindi në maj të vitin 1927 dhe aty kreu dhe shkollën fillore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrëmbeu me forcë ushtria greke dhe e dërgoi në front, të punonte për rrugët.

Ikën në Tiranë dhe studion në “Medresenë e Lartë” nga vitet 1941-1943, por i ndërpret dhe del malit partizan, të luftojë me armë në dorë pushtuesin. Plagoset dy herë. Dhe shkruante. Boton  së pari në gazetën “Bashkimi” historinë tronditëse të një çami.

Mbas luftës i kthehet gazetarisë, punon në revistën “Miqësia” e më pas në “Hosteni” dhe kalon në “Ylli” dhe me propozim të poetit Lasgush Poradeci, në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në vitin 1953 nxjerr librin  “Këngët e para”. Më pas “Vjersha”.

Përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, diplomohet për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe boton librat “Fletë nga ditari im” (1964), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), vjersha, poema, antologji, etj. Ndërkaq është bërë redaktor i poezisë në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”, kur ka filluar përplasjet ideore me regjimin, madje dhe hapur, kur me një grup intelektualësh të njohur si profesor Selman Riza, kolonel Dilaver Radëshi, historiani Zija Shkodra, etj. përgatisin një “Brigadë shtypi”, por partia do e cilësonte si veprimtari armiqësore, nacionaliste, ngrinin çështjen e Kosovës, duke e parë atë si pjesë të robëruar të atdheut dhe kështu nisin kundër tyre senanca gjyqesh absurde dhe të ankthshme. Dënohet grupi dhe me burgje.

Poeti Vehbi Skënderi shpallet “i ndaluar”, hiqet nga Partia dhe e dëbojnë nga Tirana, e dërgojnë larg të punojë si punëtor krahu në digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kalojnë 5 vjet dhe “puna korrektuese” vazhdon, në kantiere të tjera.

Viti 1973 do të jetë fatal për letrat shqipe. Pleniumi IV i Partisë dënoi liberalizmin në art, “ndikimet e huaja revizioniste dhe borgjeze”, atë pakëz pranverë shqiptarë, që u tha shpejt. U dënuan autorë dhe vepra dhe u ridënuan të dënuar. Vehbi Skënderin e internojnë, e dërgojnë familjarisht në një fshat pas Malit të Dajtit. Do të donte të vriste veten, por kishte gruan dhe vajzën e tij të vetme, që po ndjehet jetime me babanë gjallë, se kishin filluar ta shihnin shtrembër e me dyshime dhe atë, si me “biografi të keqe”.

Pas 10 vjetësh përndjekje Vehbi Skënderi mundi të kthehet në Tiranë, i plakur befas duke punuar në Kombinatin Poligrafik fillimisht si hamall..

Vajza, Elida Skënderi, do të ishte një nxënëse e shkëlqyer, e donte poezinë dhe po shkruante si i ati. Por ajo s’mund të botonte si ata të rinj e të reja “me biografi të keqe”, që madje ndodhte të shaheshin dhe rrugëve nga militantët e gjimnazeve, të edukuar me frymën e re të luftës së klasave.

Mbaron shkollën e mesme dhe bën gati librin e saj të parë me poezi “Vij”. Jo libri që s’mund të botohej, por nuk e lejuan as të vazhdojë universitetin, por e derguan të punojë punëtore në fabrikën e pllakave dhe në Varrezën e Sharrës. Megjithatë shkruante prapë dhe mësonte gjuhë të huaja në kujdesin e babait dhe të gjuhëtarit, përkthyesit të shkëlqyer, mistikut Petro Zheji.

Mbas vdekjes së dikatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Elidës i jepet e drejta të japë provime në shkollën e lartë, pa u shkëpur nga puna, në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi kishte dhënë me shkrim një dëshmi se “kishte talent” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.

Elida kryen universitetin brenda tre vjetëve. Babai i saj, poeti i ndaluar Vehbi Skënderi, merr disa poezi, jo të vetat, por të së bijës tani dhe shkon në gazetën “Drita”, kërkon që të botohen. Aty ishte redaktor poeti, tashmë i njohur, Skënder Buçpapaj. Vinte nga bjeshkët e Tropojës, i gjatë dhe i heshtur si ato, se ç’kishte dhe ai në biografi, thoshin, por në “vitet e liberalizmit” e lejuan të studiojë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku dhe e njoha, unë sapo e mbarova dhe më dërguan mësues fshatrave të Kukësit e ai sapo e filloi.  Prapë me një letër nga Kryetari Dritëro Agolli, Skënder Buçpapaj çohet të kryejë studimet në kryeqytet, në Tiranë, kur kishte botuar ndërkaq librin e parë me poezi, “Zogu i bjeshkës”, 1973, i pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.

Poeti Skenderi Buçpapaj do të botonte ciklin e parë me poezi të Elidës, madje dhe përkthime të saj, poezi nga Carl Sundberg etj. dhe do të bëhej bashkëshorti i saj.

Duhej të binte komunizmi, që poetja Elida Buçpapaj të botonte librin e parë me poezi në vitin 1994, ndërkohë do të jetë dhe reporterja e parë si gazetare e “Zërit të Amerikës”.

Pasi emërohet drejtor i Radio-televizionit shqiptar, Skënder Buçpapaj dërgohet si diplomat në Zvicër dhe aty mbeten familjarisht përgjithmonë.

Poeti Vehbi Skënderi rinohet me poezinë e tij, nxjerr përmbledhjet “Hënë e vjedhur” në vitin 2000 dhe “Zvicra, Shqipëria ime” në 2004 “Mirëmëngjes, Shqipëri” në 2009.

Në qershor të 2011 mbyll sytë përgjithmon:në Zvicrën e bukur.

E bija e tij, poetja Elida, do të vazhdonte me poezinë, nxjerr 6 libra, 2 me publicistikë, ndërsa poeti Skënder Buçpapaj do të nxirrte vëllimin poetik “Frikë nga atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, së fundmi librin me poezi “Imgur”

Ata prej vitesh drejtojnë në Zvicër revistën kulturore elektronike “Voal.ch”…

https://www.voal.ch/kartela-nga-realizmi-i-denuar-nga-visar-zhiti/embed/#?secret=qBbIKPrkTI

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR, Skënder Buçpapaj, VEHBI SKËNDERI

NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN — GULAGU SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANË

May 24, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

–Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  

–Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të Partisë Demkoratike të Shqipërisë:  u shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. 

Në trojet shqiptare dhe mëtej po zhvillohet stërvitja ushtarake historike e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një ngjarje kjo që duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur ç’prej themelimit të saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na jep shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt për burrat dhe gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga shumë vende, nga të dy anët e oqeanit. 

I kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance ushtarake, me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në dispozicion.   Aleanca NATO mbetet pra instrumenti kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili me veprimtarainë e tij ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e përbashkëta demokratike, të lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.

Po cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që duhej të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike.  Për 30-vjet tranzicion Shqipëria, përfshir zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike, përfshir entet ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë shqiptarë.  Për shkeljen dhe mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë shqiptare të tre dekadave të kaluara, mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut të enteve të ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s, vazhdon të mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të korruptuara në botë.  

Megjithëkëtë, diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë sikurë këta na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga baballarët e Kombit amerikan.  Jo, more jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët as me Xhefersonin as me demokracinë.  Për 30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të cilës janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.  Politika shqiptare aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh Kadilli), në opozitë, u shpreh ditët e fundit, se ai do t’a ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve?  E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur gjatë tre dekadave të fundit, po korrë tani. Në prak të greminës, politikisht, ekonomikisht, ndërkohë që presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij vendi drejtësi. Jeni mbi një kapërcyell — të distancoheni nga komunizmi kini frikë, por as nuk kini bindjen morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqsues të partisë në pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e fundit, e që lënë të nënkuptohet se distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta pushtetarë, megjithë praninë e anijeve të NATO-s në Durrës. 

Kryeministri aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish regjimin dictatorial, ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të tjera, se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të zgjedhur në Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja.  Në këtë ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë për të vendosur njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,  hegjemonizmin enveristo-stalinist — historik dhe kulturor — mbi Kombin shqiptar nga pothuaj të njëjtit “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë histori.  Çfarë tragji-komedi!  Ndërkaq, ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po merrnin foto nga platformat e anijeve të NATO-s në Durrës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me autoritetet e larta ushtarake amerikane — në mes të Tiranës, aty përball Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato ditë, për të disatën here, “Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin – një memorial ky që përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e reagoni.  Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e shkuar, të nderuar diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku jetoni e punoni edhe ju. Nëqoftse nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por kjo e shkuar komuniste po bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të vendit, për ditë e më shumë.  Ndoshta ju nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në Shqipëri, por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni ndaj këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat ekziston NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një shqiptaro-amerikan i thjesht dhe u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në radhët e të paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të jetë vonë.

Edhe kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet post-komunizëm.  Fatkeqësisht, votuesit shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra më e mire se tjetra: një, Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe Partinë Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron, të pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri?  Po cili është ndryshimi midis jush?  Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore, se këtë po promovojnë edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë — një parti-shtet me një udhëheqës të përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth tij dhe duartrokisni.  Rroftë demokracia alla-shqiptarçe! 

E buono per Albania! 

Sido që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të klasës politike shqiptare — Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate e denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike shqiptare — të sotëme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të NATO-s.  Si një taksapagues amerikan, unë do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, të jenë gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje – megjithëse tepër e rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të jenë pranë saj edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të përbashkëta demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e shoqërisë dhe distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se kuadrot e nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e kaluara komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s me të cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje nuk u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po zhvillon stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.  Në këtë 48-vjetor të Revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës se çfarë përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende të persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit – tmerin e Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Komunizmi, NATO

DR. ANA KONDAKÇIU- SFIDAT E ANESTEZISË GJATË PANDEMISË COVID

May 24, 2021 by dgreca

Dr. Anida Kondakçiu, mjeke Anesteziste në Romë, Itali në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rrëfen më hollësisht rolin dhe punën e anestezistë-reanimatorëve në pacientët covid, stresin e shtuar që i shoqëroi kryesisht këta profesionistë shëndetësore gjatë pandemisë, përballjën dhe menaxhimin e fluksit  të shtuar të pacientëve në nevojë për trajtim intensiv dhe situatën sot në Itali.                                                                                                                                                              

NDIKIMI I PANDEMISË NË PUNËN E ANESTEZISTËVE

Anestezisti është një nder punonjësit shëndetësor më të rrezikuar ndaj një ekspozimi të mundshëm ndaj virusit Sars-CoV2. Kjo, së pari, sepse anestezisti në punën e tij të përditshme kryen, duke qëndruar tek koka e pacientit, proçedura me rrezik të lartë të shpërndarjes së spërklave të sekrecioneve, sepse janë proçedura që kanë të bëjnë me manipulimin  e menaxhimin e rrugëve dhe aparatit të frymëmarrjes që janë dhe “stacioni i pare” ku virusi hyn në trup, shumohet dhe vazhdon depërtimin drejt mushkërive. Për këtë arsye, gjatë kësaj pandemie, duke qënë se çdo pacient që mbërrinte në sallë operatore për operacion të programuar apo urgjent mund të ishte një mbartës i virusit, na u desh që përveç mbajtjes të mjeteve të mbrojtjes personale, të krijonim e vinim në praktikë protokolle të posaçme të punës gjatë anestezisë totale dhe të preferonim, aty ku ishte e mundur, zgjidhje të tjera anestesiologjike (të ndryshme nga anestezia totale), për t’ju shmangur një infektimi të mundshëm. Së dyti, anestezist-reanimatori është një nder figurat mjekësore më të përfshira gjatë kësaj pandemie, në trajtimin e pacientëve Covid në gjendje të rëndë me rrezik për jetën për shkak të vështirësisë në frymëmarrje, kur dhënia e oksigjenit me mjetet e zakonshme është e pamjaftueshme. Në një pjesë të këtyre rasteve anestezisti kryen intubimin e pacientit, pra vendosjen e një tubi plastik në trake duke qëndruar, gjatë kësaj proçedure, pranë rrugëve të frymëmarrjes e duke u ekspozuar ndaj një ngarkese të madhe virale. Gjatë valës së dytë të pandemisë (fund Tetori-Nëntor 2020), spitalet u “pushtuan” nga pacientë me vështirësi në frymëmarrje që u dynden drejt urgjencës dhe zunë me ritme të shpejta, brenda pak ditëve, rreth 70-80% të ambjenteve të urgjencës, të burimeve të oksigjenit, të aparateve të suportit të frymëmarrjes dhe duke ngushtuar hapësirën për të gjitha kategoritë e tjera të pacientëve. Të shumta  kanë qënë thirrjet për ndërhyrjen e anestezist-reanimatorit  në rastet e rënda Covid-19, ndaj puna e anestezistëve gjatë pandemisë është shumëfishuar. Për të përshpejtuar trasferimin e pacientëve, ne anestezistëve na është dashur të bëjmë edhe shoqërimin në ambulancë të pacientëve të intubuar prej spitalit tonë drejt spitaleve me terapi intensive Covid. Mund të themi që pandemia jo vetëm ka ndryshuar praktikat e punës së përditshme por na ka marrë dhe një pjesë të kohës së lirë për përditësimin e të dhënave të reja dhe studimit e skemave të trajtimit që kanë qënë në ndryshim të vazhdueshëm, për shkak të përballjes me një sëmundje të re e të panjohur. 

STRESI I SHTUAR GJATË PANDEMISË  KRYESISHT RAPORTUAR NGA ANESTEZISTËT

 Anestezist-Reanimatori është mësuar të përballet në punën e përditshme me një ngarkesë të madhe stresi. Gjithsesi fillimin e pandemisë, pritjen e mbërritjes së “dallgës” së parë në Romë, e kemi përjetuar me një gjendje ankthi sepse lajmet prej Veriut të Italisë tregonin për gjendje të jashtëzakonshme që po përjetohej në urgjencat e spitaleve aty. Falë masave të marra nga qeveria italiane dhe “lockdown”-it kjo “valë e pare” në Romë mbërriti më e “zbutur” , numri i pacientëve dhe i rasteve të rënda ishin relativisht të ulëta krahasuar me gjendjen në Veri të Italisë. Kjo na ndihmoi të kishim një përballje graduale me këtë virus dhe sëmundjen që shkakton tek njeriu, Covid-19. “Dallga  e dyte” në fund të Tetorit dhe gjatë Nëntorit na gjeti më të përgatitur e më të qetë nga ana psikologjike, gjithsesi kaloi çdo parashikim e pritshmëri. Ishte një prurje e madhe pacientësh, kryesisht të moshuar por nuk mungonin dhe moshat e mesme e të reja, që mbërrinin në urgjencë, për vështirësi në frymëmarrje e nevojë për një burim oksigjeni apo aparat ndihmues të frymëmarrjes. Shkaku kryesor i stresit gjatë kësaj vale ka qënë përballja me një ngarkesë të madhe e të vazhdueshme pune dhe pafuqia për të ofruar gjithë asistencën e nevojshme mjekësore e infermieristike  edhe për shkak të mungesës së personelit të kualifikuar, që, për shkak të infektimit, vendosej në izolim. Strukturat shëndetësore të çdo niveli që papritur u gjendën përballë një emergjence shëndetësore në shkallë botërore, kanë përjetuar vështirësi të panumërta që nga sigurimi i maskave e mjeteve të gjera të mbrojtjes individuale deri në riorganizimin e të gjitha aktiviteteve spitalore, mbulimin me personel shëndetësor të të gjitha shërbimeve që liheshin zbuluar prej personelit të infektuar, krijimin e shpejtë brenda strukturës të ambjenteve të izoluara për pacientët Covid-19, krijimin e protokolleve të posaçme të zhvendosjes së pacienteve Covid-19 brenda struktures etj. Pra vetë struktura shëndetësore ka përjetuar nivel të lartë stresi. Në këto kushte, përpjekja për mirëmenaxhimin e stresit ka qënë më shumë individuale si postime këshilluese e udhëzues të OBSH që tërhiqnin vëmendjen për rëndesinë e kujdesit ndaj vetës e mënyren në përballjen me stresin gjatë pandemisë, kanë qënë një ndihmë e madhe. I tillë ka qënë edhe një udhëzues i publikuar në faqen zyrtare të OBSH-së, drejtuar figurave profesionale në vijen e parë të luftës Covid-19, por që do ti shërbente gjithkujt sepse të gjithë pa perjashtim kanë përjetuar stres e vështirësi gjatë kësaj pandemie. Për këtë arsye, me kolegë të ASMAI-it (Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali) e disa bashkëpuntorëve të tjerë vendosëm t’a sillnim këtë udhëzues në  shqip. Shumë e rëndësishme për mua, për përballimin e stresit gjatë pandemisë, ka qënë shmangia e stresit të shkaktuar nga  edicionet e shumta të lajmeve, nga politizimi i  pandemisë, nga dalja në mediat televizive e rrjetet sociale të figurave jo profesionale, që shpesh, për të tërhequr më shumë audiencë, janë bërë burim keqinformimi për popullatën. 

 MENAXHIMI I FLUKSIT  TË SHTUAR TË PACIENTËVE NË NEVOJË PËR TRAJTIM INTENSIV                                                                                                                                                                     

Marrja e masave, që nga mbajtja e detyrueshme e maskave, respektimi i distancës fizike e sociale, mbyllja e shkollave, mbyllja e aktiviteteve të punes, kufizimi i lëvizjeve midis krahinave apo midis shteteve, deri tek “lock-down”, pra kufizimi i daljes nga banesa, ka ardhur për një arsye thelbësore: përhapja e këtij virusi ishte aq e shpejtë sa shkaktoi prekjen e njëkohshme të shumë personave dhe Sistemi i Shërbimit Shëndetësor e kishte të pamundur garantimin e  kurave të nevojshme një numri kaq të madh pacientësh me Covid-19 që iu drejtuan spitaleve. Në vështirësi, deri në pamundësi të dhënies së të gjitha kurave të nevojshme të gjithë pacientëve, u gjenden të gjitha sistemet shëndetësore, përfshi dhe ato më të organizuarat e vendeve të zhvilluara në mbarë botën.  Në pikun e valës së pandemisë, urgjencat e spitaleve kanë përjetuar skena të ngjashme me ato të një maxi-emergjence, që është një situatë kur numri i personave që do të kishin nevojë për kura, përfshi edhe kurat intensive në pacientë në rrezik për jetën, është aq i madh sa i tejkalon mundesitë e dhënies së ndihmës shëndetësore nga ana e strukturave të shërbimit shëndetësor brenda dhe jashtë spitalor. Në këto kushte emergjence me përmasa masive, bëhet e domosdoshme përzgjedhja e pacientëve dhe bëhet prioritare dhënia e kurave intensive (që kërkojnë vënien në dispozicion të më shumë materialeve dhe aparateve e më shumë kohë pune dhe mbingarkesë për personelin shëndetësor), në radhë të parë pacientëve në gjendje të rëndë, por që kanë më shumë shanse për të mbijetuar. Ka një grup pacientësh në gjendje të rëndë e të konsideruar me shumë pak shanse për të mbijetuar, për shkak të kombinimit të disa faktorëve: si format e rënda Covid-19 në pacientë me disa sëmundje të rënda shoqëruese si tumoret në fazën e fundit, pacientë me dëmtim të rëndë kronik të funksionit të zemrës apo mushkërive, në të cilët hapat e parë të kures kundrejt Covid-19 nuk kanë dhënë asnjë rezultat përmirësimi. Në këtë grup pacientësh ndërhyrja mjekësore është përpjekur të marrë formën e trajtimit paliativ të pacientit në ditët e fundit të jetës, trajtimi i dhimbjes, kufizimi i procedureve ku pacienti vuan, si p.sh. marrja e shpeshtë e gjakut arterioz apo venoz, dhe merr përparësi garantimi i një fundjete dinjitoze e pa vuajtje. A kemi qënë në gjendje të ofrojmë më të mirën për pacientët në këtë pandemi? E vërteta është se nuk kanë munguar momente kur të gjitha burimet e oksigjenit ishin të zëna, kur të gjithë aparatet e suportit të frymëmarrjes kanë qënë të zënë, kur aparatet elektorike të domosdoshme për dhenien e medikamenteve në mënyrë të vazhdueshme (pompat e injeksioneve) ishin të pamjaftueshme, kur numri i personelit shëndetësor të kualifikuar e me eksperience në urgjencë për shkak të infektimit me virusin Sars-CoV2 ishte i kufizuar dhe, të gjitha këto, kanë shkaktuar, në menyrë të paevitueshme, vonesa në kura, vonesa në fillimin e kurave intensive, uljen e cilësisë së asistencës sanitare, mbingarkesë fizike e psikologjike të personelit, që mund të përkthehet si përfundim në përjetim diskomforti nga ana e pacientëve e të personelit, në uljen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, në kufizimin e suksesit në rezultate dhe në uljen e numrin e jetëve që mund të ishin shpetuar. Ishte perjetimi brenda spitaleve i skenareve të tillë të pamundësisë së dhënies së të gjithë kurave të nevojshme pacientëve, që detyroi figurat profesionale të dilnin kudo në media e në rrjetet sociale me thirrje drejtuar popullit si :”Na ndihmoni!” “Mbrohuni!”, “Ju, që mund të zgjidhni, rrini në shtepi!”, “Vetëm me ndihmën tuaj, mund t’ia dalim!” 

 SITUATA NË ITALI DHE RAJONET ME TË KUQE 

Italia sot jeton një gjendje të kontrolluar të pandemisë, numri i shtrimeve në spitale dhe në repartet e terapite intesive është në ulje graduale e megjithatë, si pasojë e dramës së përjetuar në fillim të pandemisë, çlirimi nga masat shtreënguese po bëhet me ritme të ngadalta. Italia përveç masave të detyrueshme në të gjthë territorin, ka zgjedhur menaxhimin nëpërmjet ndarjes së prefekturave në zona me ngjyra, aktualisht të kuqe, portokalli, të verdhë, në bazë të numrit të rasteve të reja të infektimit, numrit të shtrimeve në spitale e në repartet e terapisë intensive. “Ngjyrimi” i prefekturave, që është një proces në ndryshim të vazhdueshëm sipas shifrave që pasqyrojnë situatën e përhapjes së virusit, sjell shtim apo lirim të kufizimeve për banoret dhe për aktivitetet. 

SHQIPTARËT NË QYTETIN E ROMËS

Shqiptarët, tashmë plotësisht të përshtatur me jetesën këtu në Itali, përjetojnë të njëjten situatë e të njëjtat probleme që përjeton sot gjithë populli italian. Me bashkëatdhetarët që njoh dhe takoj më shpesh këtu ku jetoj, na lidh sidomos profesioni. Me një pjesë të tyre, kemi mundur së fundmi të krijojmë Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë ASMAI këtu në Itali, që ndër arsyet e krijimit ka patur dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me mjekët në Shqipëri. Shqetësimi ynë kryesor ka qënë përballja e sistemit të brishtë shëndetësor në Shqipëri me këtë pandemi që gjunjëzoi sistemet shëndetësore disa herë më të forta kudo në botë. Kemi ndjekur me shumë vëmendje e interes punën e mjekëve në Shqipëri në luftën me Covid-19 dhe jemi përpjekur t’ju vijmë sadopak në ndihmë, para se gjithash nëpërmjet mirëkuptimit të vështirësive të tyre dhe nëpërmjet përcjelljes së informacioneve rreth menaxhimit dhe trajtimit të pacientëve Covid-19, nisur nga përvojat e mjekëve në Itali. 

 NDRYSHIMI I JETËS DHE SJELLJEVE TË NJERËZVE NGA COVID

 Pandemia ka qënë sfide e madhe shoqërore dhe ekonomike për të gjithë. Ka prekur dy elementë të rëndësishëm të bashkëjetesës njerëzore: kontaktin fizik dhe  komunikimin. Na ka ndarë fizikisht me të afërmit e miqtë, por na ka mbyllur dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Përjetimi i lajmeve të përditshme për jetët e humbura për shkak të Covid dhe frika për shëndetin dhe jetën tonë e  të dashurve tanë na ka ndrydhur. Të moshuarit janë ndier më të vetmuar. Pandemia ka kushtëzuar të përditshmen tonë si në familje dhe në jetën shoqërore duke na kufizuar lirinë, qoftë dhe në kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Mendoj se Covid-19, na ka bërë të kuptojmë cilat janë përparësitë në jetën tonë e na ka shtyrë drejt një riekuilibrimi të vlerave në jetën  e secilit prej nesh.

 MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA

Në pritje për tu vaksinuar, kujdesuni për mirëqënien tuaj. Pavarësisht kufizimeve, nuk mungojnë aktivitetet që ju mund të kryeni në kushtet e pandemisë. Shfrytëzoni këtë kohë të lirë që ju është mundësuar për shkak të Covid-19, për të qëndruar me familjen tuaj, në vende te hapura e në ajër të pastër. Jetë e shëndet për të gjithë ju!   

 KUSH ËSHTË DR. ANIDA KONDAKÇIU

Anida Kondakçiu është diplomuar në 2000 në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë, pas një viti e gjysmë pune si mjeke familje, në 2002 shkon në Itali me një vizë studimi, për njohjen e diplomës në Fakultetin e Mjekësisë të Universitet “La Sapienza” në Romë. Diplomohet në Mjekësi në Tetor 2003. Kryen një master 1-vjeçar në Mjekësi Urgjence pranë Universitetit “La Sapienza” në Rome dhe disa kurse të ndërhyrjes së shpejtë mjekësore e fillon punon si mjeke jashtëspitalore, duke ofruar asistencë mjekësore kryesisht në aktivitete e gara sportive  dhe në ambulancë. Specializohet në vitet 2011-2016 në degën  “Anestezi, Reanimacion, Terapi Intensive e të Dhimbjes” pranë spitalit “Tor Vergata” në Romë e prej 2016 ushtron profesionin e anestezistes. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Ana Kondakçiu, Sokol Paja

Guxon Shala: Bota e Filmit dhe Televizionit

May 24, 2021 by dgreca

Intervistoi: E.B., Nju Jork/

Moderatori dhe gazetari Guxon Shala ka lindur në Prishtinë në 1997. Ka mbaruar studimet universitare në Kolegjin AAB dega “Gazetari” në vitin 2008. Ka pasion aktrimin dhe njihet për rolin e tij në serialin e njohur “Schengen Visa” (2018). Guxon Shala ka patur një karrierë të suksesshme në TV dhe media kombëtare të Kosovës. Që nga viti 2017 ai është moderatori dhe gazetari i emisionit më të shikuar në Kosovë “Një kafe me Labin” (1KL). 

Na tregoni më tepër për lidhjen tuaj me aktrimin gjatë viteve në shkollën e mesme.

Guxon Shala:
Lidhja ime me aktrimin ka qënë qysh në shkollë fillore sepse aty kam marrë pjesë në shfaqje të ndryshme të shkollës. Gjithmonë me ka pëlqyer jeta e një aktori. Gjatë shkollës së mesme përveç aktrimit kam shkruar tekste për këngë e po ashtu kam kënduar.

Performanca juaj në serialin “Viza Shenge” ishte mjaft me sukses. Cili ishte roli që luajtët në këtë serial? 


Guxon Shala: Po ka qënë një prej serialeve më të shikuara komedi në Kosovë dhe ka qenë bukur të jesh pjesë e një seriali. Zhanri komendi është prej zhanrave më të vështira. Po në këtë kohë unë isha edhe gazetar në një emison dhe ftesën që ma ka dërguar pikërisht regjisori, e kam pranuar më plot kënaqësi. Aty kam luajtur një rol si aplikues në amabasadë dhe ka qenë një prej episodeve më të klikuara në youtube, ku ka arritur gjysëm miloni klikime, vetëm brenda 24 orëve.


Çfarë të tërheq më shumë në aktrim?

Guxon Shala: Të jesh pjesë e botë se kinemasë nënkupton që jo vetëm të jesh përsonalitet i “thellë” por gjithashtu të kuptosh se njerëzit e mëdhenj në film nuk mund të jenë njerëz të vegjël në realitet.

Na tregoni për fillimet e tua si gazetar. Çfarë ju motivoi për t’a ndjekur atë si profesion?

Guxon Shala: Fillimet e mia si gazetar kanë qenë të vështira sepse të fillosh punën në një tëlevizon është padyshim mund dhe sacrificë e madhe. Më kujtohet dita e parë kur kam shkuar për të filluar punën si gazetar në telivizon, fjala ime e parë ka qënë kjo: Edhe nëse nuk keni nevojë për një gazetar dua vetëm të futem në televizon çka do qoftë do të bëj. Kështu fillova  punën në KTV, ku qëndrova afro 2 vite e gjysëm si gazetar i show bizzit. Pastaj fillova në televizone të tjera dhe për të përfunduar, këtu ku jam sot, ku kam pasur dëshirë gjithmonë në emisonin Show më të shikuar në vend 1KL “Një kafe me Labin”.  

Motivimi për tu bërë gazetar ka qënë vetë fakti që dua të jem pjesë e botës televizive. Të jesh gazetar do të thotë që jesh i palodhur, kurreshtar, të besueshëm pavarësisht presioneve, me ndjenja, kurajozë dhe realistë.

Gjatë përvojës tuaj si gazetar dhe moderator, cilat janë këshillat e tua për të ftuarit në emission?

Guxon Shala: Parimi im është që mysafiri gjithmonë duhet të respketohet dhe ta kesh kohën e saktë për të sepse herën tjetër kur ta ftosh mundet mos ta kesh më.

Si e përcakton suksesin? 

Guxon Shala: Ta bësh punën që ti e do dhe ke ëndërruar për të dhe mos mendosh për rrogen që do ta marrësh në fund të muajit.

Këshilla më e mirë që keni marrë.

Guxon Shala: Bëje më të mirën që mundesh. Puno shumë sepse një ditë do të arrish aty ku ti dëshiron.

Çfarë konsideron si arritje në jetë?

Guxon Shala: Po të flas për arritje në jëtë, kam shumë hapa për të bërë, por njëra prej arritjeve në jetë është puna që e bëjë tani.

Çfarë të pëlqen më shumë nga progarami “Një Kafe me Labin”?

Guxon Shala: E kam shikuar prej që kur kam qënë fëmijë dhe gjithmonë i kam thënë vetës dhe familjes që një ditë do te jem në këtë emison dhe ja ku jam. Kënaqësia më e madhe që punoj në një emison, që ka mbi 18 vite karrierë dhe po ashtu me një përson që unë e quaj vëlla, që ka mbi 20 vite karrierë si moderator dhe gazetar, Labinot Gashi, që është i vetmi që m’i ka hapur dyert për të realizuar ëndrrën që kam pasur qysh në fëmijëri.

Këshilla juaj për rininë që kanë synime dhe ambicie.

Guxon Shala: Punë, punë dhe vetëm punë, mos të ndalen asnjëherë me ëndërrat e tyre ku do që janë. Duhen të punojnë ditë dhe natë që një ditë ta shohin rezultatin sa hapa në jëtë i kanë bërë.

Filed Under: Kulture Tagged With: E.B, Gun Shala

24 MAJI 1992, DITA KUR DR. IBRAHIM RUGOVA U ZGJODH PRESIDENT I PARË DHE HISTORIK I KOSOVËS

May 24, 2021 by dgreca

-Me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ketë një sërë aktivitetesh./

-Para 29 viteve, e diela e 24 Majit 1992 ishte dita kur Republika e Kosovës e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumit të 26-30 Shtatorit 1991 mbajti zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind dhe Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë dhe historik/

-Para ditës së zgjedhjeve, Dr. Ibrahim Rugova kandidat i vetëm për President të Kosovës paraqiste Programin:  Kosova republikë e pavarur e neutrale, shtet i hapur dhe i lirë në këtë rajon dhe në Evropë/

-Zgjedhjet në Kosovë të para 29 viteve u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut: Ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit…Këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën/

-Raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë,  për të cilën para 27 viteve kam zhvilluar intervistën e parë ekskluzive me Presidentin historik Rugova, ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”/

-4 Mars 2002 – Ibrahim Rugova i rizgjedhur President në Kosovën e lirë: Të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë… Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 23 Maj 2021/ Para 29 viteve Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, i pari dhe historik, në zgjdhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.

Një ditë para votimit, në 23 Maj 1992, gazeta e rezistencës  “Bujku” në ballinë me mbititullin “Programi i Dr. Ibrahim Rugovës, kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës” dhe kryetitullin “Kosova – Shtet i Lirë dhe i Pavarur” shkruante:

“Në konferencën e djeshme për shtyp të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i vetmi kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës, në pika të shkurtëra, paraqiti para gazetarëve programin e vet si kandidat për kryetar të Republikës së Kosovës.

Si kryetar i Republikës së Kosovës, tha dr. Ibrahim Rugova, do të përpiqem ta zbatoj programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive politike shqiptare në Kosovë, do të përpiqem të zbatoj edhe programin e të gjitha partive të tjera politike në Kosovë si dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, që Kosova të jetë republikë e pavarur e neutrale dhe që të vendosim institucionet demokratike dhe pushtetin demokratik në Kosovë, punë kjo që do të shkojë në të mirë të shumicës shqiptare, të serbëve, të myslimanëve dhe të turqve dhe që Kosova të jetë shtet i hapur dhe i lirë në këtë rajon dhe në Evropë.

Këto zgjedhje, tha Rugova, i çmoj edhe si një hap para në politikën dhe rezistencën tonë paqësore për të realizuar të drejtat tona demokratike.”

Kryetitull tjetër i gazetës në ballinë ishte “Përgatitjet për zgjedhje u kryen me sukses”, ku në raportimin nga konferenca për shtyp e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Kosovës theksohej: “Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të votojnë nëpër vendvotimet e tyre nesër, prej orës shtatë deri në orën 19. – Janë përgatitur mbi 900 mijë fletëvotime për deputetë dhe po aq për kryetar të Republikës së Kosovës në tri gjuhë. – Zgjedhjet do t’i vëzhgojnë si dhe përcjellin delegacione të shumta nga bota, si dhe gazetarë të shumtë të redaksive dhe agjencive botërore”.

Një nga paralajmërimet në ballinë të gazetës kishte mbititullin “Telegram i dr. Sali Berishës dërguar Butros Galit”, titullin “OKB duhet të parandalojë sulmin e mundshëm në Kosovë” dhe nëntitullin “Vëzhguesit dhe forcat e OKB-së në Kosovë do të përcillnin edhe zhvillimin e zgjedhjeve dhe në përgjithësi do t’i shërbenin çëshjtjes së sigurimit të paqes, për të cilën ju personalisht angazhoheni, shkruan pos tjerash presidenti shqiptar”. Në atë kohë Butros Gali ishte Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork, SHBA.

Zgjedhjet presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në Kosovë ishin zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.

Në Kosovë 24 Maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 29 viteve  të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike  angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 Maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 Majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.

 “Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.

Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se zgjedhjet e 24 Majit 1992 janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:

“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë. 
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke. 
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme. 
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind. 
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament. 
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës  96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës  7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane  7 deputetë, Kandidatët e Pavarur  2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez. 
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës. 
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konfiskoi një pjesë të materialit zgjedhor. 
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës. 
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota. 
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve. 
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.

Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 Majit 1992 në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se,  gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë. 
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.

Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën. 
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan, që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.

“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.

Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.

Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.

Po para 29 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare  që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë.  Raportoja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Bujku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Zyra e telexit – e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, që e kam zhvilluar para 27 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidentin Rugova e kam pyetur edhe për Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri 30 Shtator 1991 e që u pasua me zgjedhjet e para presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992. Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo:

“Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.”

Zgjedhjet e dyta presidenciale e parlamentare Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 Mars 1998.

Pas luftës së përfunduar në Qershor 1999, Kosova ka mbajtur 8 palë zgjedhje parlamentare, 5 prej tyre pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete anëtare të OKB-së. Kosova e lirë gjatë  22 viteve ka mbajtur edhe 6 palë zgjedhje lokale, gjysmën prej tyre si shtet i pavarur 13 vjet.

ARKIV – FJALA E PRESIDENTIT RUGOVA NË 4 MARS 2002, I RIZGJEDHUR NGA KUVENDI I ZGJEDHJEVE TË PARA PARLAMENTARE TË KOSOVËS SË LIRË:

Ibrahim Rugova: Të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë

Prishtinë, 4 mars 2002 (QIK) – Presidenti i posazgjedhur i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, lexoi një fjalim para gazetarëve që përcillnin punimet e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdim po japim në tërësi fjalën e Presidentit Rugova.


Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.


Poashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit dmeokratik në Kosovë.

Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.


Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit ë Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia dhe të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurtë për të gjithë.


Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.


Poashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.


Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe të TMK-së në punën e tyre.


Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.


Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar.

Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.
 

Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.


Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.


Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.


Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.


Me këtë rast dëshiroj të falenderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.


Poashtu, falenderojmë Komisionerin për politikë të jashtme dhe siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.


Në mënyrë të veçantë falenderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

Falenderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z.H.Thaçin, kryetarin e AAK-së, z.R.Haradinaj dhe prof.Mark Krasniqin.


Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dinë dhe janë të aftë të udhëheqin me veten dhe me vendin e tyre.


Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.


Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.

Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.


Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre.

Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.


Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.


Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.


Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.

***.

Me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ketë një sërë aktivitetesh.

Agjenda mediale e Presidentes Osmani për nesër (24 maj 2021)

Me rastin e shënimit të 24 majit – Ditës së Presidentit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ketë një sërë aktivitetesh.

Në orën 09:00, Presidentja Osmani së bashku me ish-Presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga vendosin lule tek shtatorja e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

Vendi: Sheshi “Ibrahim Rugova”; 

Në orën 11:00, Presidentja Osmani merr pjesë në hapjen solemne të “Javës së Bibliotekës”.

Vendi: Biblioteka Kombëtare; 

Në orën 13:00, Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentët Sejdiu, Pacolli dhe Jahjaga vizitojnë Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Filed Under: Opinion Tagged With: 24 Maji, Bell Jashari, Dr. Rugova President

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT