• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2021

DIALOGU ME ARMIKUN-SHTETIN KRIMINAL SERB

June 14, 2021 by dgreca

-Shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër, aq të shkurtër sa që xhelatët e tyre i thërrasin miq pas një kohe të shkurtër- Leo Freundlich

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ */

         E zgjodha këtë thënie të publicistit dhe politikanit të njohur austriak me prejardhje hebreje, autorit të  dokumentit për krimet serbe të quajtur “Golgota shqiptare”, jo për ta vërtetuar “budallallekun kombëtarë”, por për t’ia treguar vlerat njerëzore të kombit shqiptar botës demokratike. Vlera të cilat i mungojnë kombit serb. Hegjemonizmi, shovenizmi, johumaniteti dhe armiqësia agresive serbe është e hapët dhe plotësisht e dokumentuar. Planet e tyre për çfarosjen e popullit shqiptar dhe grabitjen e tokave shqiptare datojnë që nga Naçertanja e Grashaninit ( 1884 ) dhe memorandumi i Vasa Çubriloviqit “Zhdukja e shqiptarve”( 1937).  Faktet tmerruese dëshmojnë për vrasjet sistematike të popullsisë civile dhe shpërnguljen me dhunë të qindramijërave shqiptarëve në Turqi dhe vende të tjera të botës. Gjithë kjo përpjekje kulmoi me gjenocidin serb ndaj shqiptarve në vitin 1999. 

          Pas të gjitha këtyre mizorive serbe, shtrohet pyetja, si mund të bisedohet në mënyrë të barabartë me një armik kaq të ulët dhe kaq të rrezikshëm ?! Me një shtet katil të udhëhequr nga politikanë që nuk dallojnë fare nga krimineli i luftës Millosheviq, të cilët nuk janë penduar por janë të dëshpëruar pse nuk ia arritën qëllimit ta zhdukin popullin shqiptar. Qeveria shoveniste serbe e thotë haptas dhe pa kurrëfarë dileme. SERBIA NUK E NJEH KURRË PAVARËSINË E KOSOVËS. Kjo është e vetmja deklaratë e tyre e sinqertë. Të gjitha të tjerat, për kinse gatishmërinë e tyre për dialog, janë gënjeshtra dhe propagandë me qëllim të manipulimit të bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj qëllimet e ulëta serbe duhen ekspozuar.

         Realisht dhe drejtësisht, përderisa pala serbe sillet si armike, duhet edhe të trajtohet si armike. Me te nuk do të duhej biseduar fare, derisa ta pranojë fajin, të kërkojë falje për gjenocid, t’i dorëzojë kriminelët e luftës t’i kthejë të pagjeturit e fshehur dhe t’i paguaj dëmet e luftës. Por, dialogun e kërkon dhe e pret bota demokratike të cilit Qeverisja e Republikës së Kosovës nuk mund t’i iki. Megjithatë, ai duhet të jetë real dhe i bazuar në fakte, jo për t’ja bërë qejfin dhe shërbyer interesave të bashkësisë ndërkombëtare, jo për ta gjymtuar shtetin e Kosovës dhe zgjeruar shtetin serb, jo për interesa personale karrieriste, jo me përulje dhe nënshtrim siç e bëri qeverisja e gjerëtanishme në krye me Thaçin dhe Mustafën. Disa parime dhe interesa qenësore, njerëzore dhe shtetërore nuk bënë dhe nuk mund të shkelen. Përndryshe, dialogu e humbë kuptimin dhe nuk na duhet fare. 

         SERBIA MUND DHE DUHET TË MUNDET VETEM ME ZOR. Me forcën e argumenteve, drejtësisë dhe të së vërtetës. Të gjitha këto janë në anën tonë. Veçse  duhet përgaditje, përkushtim, dituri, mençuri, sinqeritet, trimëri dhe diplomaci për ta fituar këtë betejë shumë të vështirë. Bota demokratike të ballafaqohet me parime dhe vlera të cilat vetë i kultivon dhe i predikon pandalë, të cilat nuk mund t’i nënçmon, mohon dhe nuk mund t’i shkelë haptas. Suksesi mund të arrihet me veprim  paralel në dy drejtime, FORCIMI I SHTETIT DHE DIALOGU. 

          Ndërtimi dhe forcimi i shtetit të bëhet pavarësisht nga rrjedha e bisedimeve duke u bazuar në mundësinë reale që dialogu me Serbinë do të zgjasë pakufi. Duhet luftimi i pakompromis i korrupsionit, nepotizmit dhe familjarizmit ekstrem. Angazhimi i kuadrove të shkolluara profesionale në bazë të aftësive. Përmirësimi dhe forcimi i të gjitha institucioneve shtetërore dhe ngritja e shërbimeve shëndetësore dhe sociale. Zhvillimi ekonomik i orientuar nga Shqipëria dhe vendet e tjera mike, si dhe ato të cilat nuk tregojnë armiqësi të hapur ndaj shtetit të Kosovës. Forcimi i ligjit dhe sigurisë. Lehtësimi dhe thjeshtësimi i rregullave dhe ligjeve për investime të jashtme. Këto e forcojnë pozicionin e Kosovës në dialog.

         Nuk ka dialog dhe bisedime të suksesshme pa angazhimin  e drejtpërdrejt dhe rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Populli shqiptar e don dhe i beson Amerikës si vendi më i drejt dhe më demokratik në botë. Interesat strategjike të kombit amerikan, shumicës së shteteve evropiane dhe kombit shqiptar përputhen plotësisht. Amerika është i vetmi vend që mund ta bllokojë Rusinë. Për të siguruar përkrahjen e vazhdueshme për çështjen tone të drejtë, me Amerikën duhet  komunikuar dhe bashkëpunuar në mënyrë të përherëshme nëpërmjet  marëdhënieve zyrtare shtetërore, por paralelisht edhe me veprime lobiste në Kongresin amerikan. Shteti amerikan nuk bënë të kundërshtohet, por zyrtarët eventual pro-serb siç ishte ambasadori Grenell, mund të ballafaqohen dhe neutralizohen nëpërmjet kongresit amerikan me fakte dhe argumenta. Marrëveshja e tij për kinse “normalizim të marrëdhënieve ekonomike” midis agresorit dhe viktimës, ishte iluzion për interesa të kampanjës zgjedhore amerikane.

         Nuk ka forcë në botë, që mund t’ja imponojë zgjidhjen e konfliktit me Serbinë popullit të Kosovës në dëm të tij, pa dëshirën e tij. Një ndër gabimet më të mëdha historike në konfrontim me Serbinë është se populli shqiptar ka rezistuar gjithmonë në mbrojtje, si përgjigje ndaj terrorit të organizuar serb, pa plan dhe pa strategji. Tashti janë pjekur të gjitha kushtet që të kalohet në sulm të përhershëm, duke filluar nga dialogu. Me strategji të përgaditur mirë duke bërë kompromise në gjëra më të vogla e më pak të rëndësishme dhe duke ngulur këmbë në çështje të mëdha, ekzistenciale.  

-Integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës nuk mund të negociohet nga askush dhe me askend. Dhe: PIKË. PERIOD. TAÇKA.  ( për ta kuptuar të gjitha palët)

-Kërkesat serbe për asociacione të komunave të pastërta etnike brenda shtetit të Kosovës janë pa kurrëfarë baze dhe kundër vlerave multi-etnike amerikane dhe evropiane. Ato e nënkuptojnë kthimin e Serbisë në Kosovë dhe shkatërrimin e shtetit. Nuk bënë as të diskutohen. PIKË. PERIOD. TAÇKA.

-Serbia e ka humbur luftën dhe duhet të dënohet si agresore, të denazifikohet dhe shërohet nga  sëmundja e urrejtjes dhe iluzioneve për dominim.

-Bisha e tërbuar serbe duhet të ulet në bisht. Të konfrontohet me krimet dhe masakrat ç’njerëzore, në mënyra të ndryshme dhe të përhershme, përfshirë edhe dialogun, deri sa të bëhet e mundur padia ndërkombëtare për gjenocid. Duhet kërkuar hulumtimin e rolit të presidentit Vuçiq dhe të disa politikanëve të tjerë serb në krimet serbe. Atyre iu duhet bërë presion për tu deklaruar në përkrahje ose denoncim të krimeve të Milosheviqit, Karaxhiqit dhe Mladiqit.

– Shpresoj se Evropa është lodhur me përkdheljen e Serbisë me të cilën e ka kaluar çdo kufi.  Nëse dëshiron deri në vuajtje ta tërhjekë ate nga taborri ruso-kinez, gjë që është shumë e vështirë, mund t’i ofrojë  asaj diçka tjetër, jo tokat shqiptare.

-Me Serbinë mund të bisedohet vetëm për çështje ndërshtetërore, kurrsesi për punët e brendshme të shtetit të Kosovës.

-Brengat dhe të drejtat e pakicës serbe të Kosovës duhet të adresohen në mënyrë të përhershme duke biseduar me përfaqësuesit e tyre nga Kosova në prezencë ndërkombëtare (jo të Rusisë), kurrsesi nga Serbia. Nëse mediatorët insistojnë që këto të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, mund të bëhet vetëm dhe vetëm me përfshirjen në mënyrë të barabartë të shqiptarëve që jetojnë në tokat etnike të okupuara nga Serbia. Këtu vjen në shprehje reciprociteti dhe nuk ka tjetër.

– Reciprociteti ekonomik e ka rëndësinë më të madhe në rast të dështimit të bisedimeve dhe mund të bëhet kurdo, nuk i kalon koha. Kritikat e opozitës për mospërmbushjen e premtimit për reciprocitet si dhe pagesën e rrymës minoritetit serb nga qeveria Kurti, duhet injoruar. Pagesa e rrymës mund të përdoret në bisedime për t’ju treguar mediatorëve se serbët kanë të drejta më të mëdha se ju takojnë, më shumë se çdo minoritet tjetër në botë.

– Nuk ka nevojë as kurrëfarë arsye për të siguruar ekstraterritorialitet për objektet fetare ortodokse dhe monumentet kulturore. Ato janë pjesë e pasurisë kombëtare dhe shtetërore të Kosovës. Janë ruajtur dhe mbrojtur nga populli shqiptar gjatë gjithë historisë. Për këto ka fakte. Duhet kërkuar të formohet komision i përbashkët me historianë dhe shkenctarë ndërkombëtar që njëherë e përgjithmonë t’i mbyllet goja Serbisë për kinse Kosovën si “djep të civilizimit serb dhe pjesë të Serbisë”. Rëndësi ka që përfundimisht të dokumentohet dhe pranohet zyrtarisht e vërteta historike se, siç e thotë më së miri patrioti Bardhyl Mahmuti, KOSOVA ËSHTË DJEPI I BARBARISË DHE I GJENOCIDIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE.

         Këto nuk janë gjëra të lehta. Janë detyrë, së pari e qeverisjes aktuale të Kosovës, por edhe e të gjithë të tjerëve, opozitës, gazetarve, shkrimtarve, historianve, lobistëve dhe organizatave të ndryshme në të gjitha Trojet etnike dhe diasporë. Qeveria Kurti i ka filluar mirë përgaditjet për dialog, me uljen e Serbisë aty ku duhet, në karrigen e agresorit, në Kombe të bashkuara dhe në takime rajonale.  Konsultimet me opozitën dhe figurat e rëndësishme me përvojë janë të nevojshme. Kontributi varet prej tyre, por është mirë ta dijnë se e kanë detyrë kombëtare për të ndihmuar. Opozita duhet të jetë pjesë e dialogut, por të dërgojë kuadro të reja dhe të afta, kurrsesi ata që me bisedime gati e shkatërruan shtetin.

         Populli i Republikës së Dardanisë i votoi me shumicë znj. Vjosa Osmani- Presidente dhe, Z. Albin Kurti-Kryeminister, për shumë arsye. Dy ishin pika kryesore, luftimi i korrupsionit dhe i armikut serb. Nga ata pritet fitimi i dialogut me Serbinë, si dhe shpëtimi dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës. Nëse dështojnë në cilëndo prej tyre ata do ta humbin përkrahjen e popullit. Kritikat parimore të opozitës dhe kundërshtarëve politik është mirë të konsiderohen, të analizohen dhe të iu jepet përgjigje adekuate. Sharjet, fyerjet, ofendimet dhe kritikat joparimore është më së miri dhe më lehti të injorohen plotësisht.

        Grumbullimi i opozitës së Republikës së Kosovës në “oborrin” e kryeministrit të sapozgjedhur (me dallavere) të Shqipërisë, Edi Rama, është i çuditëshëm dhe tregon shenja të këqija. Veprimet e tij të gjerëtanishme ishin haptazi anti-kombëtare, nënshtrim i tij i plotë dhe i turpshëm ndaj  shovinistit Vuçiq dhe interesave serbe. Nëse vazhdon kështu ai do të përfundoi në “Murin e Turpit” të historisë shqiptare. Bashkë me te edhe një pjesë e opozitës së Kosovës. Inkurajon këndshëm mosprezenca e liderit të ri, të mënçur dhe largëpamës të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku. Nga ana tjetër, ishte dëshpëruese pjesëmarrja e luftarit të vërtetë të lirisë, gjeneralit të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Arësyeja e vërtetë nuk dihet, por ai nuk e ka vendin të shoqërohet me tipa si Rama, Mustafa dhe Veliu. 

         Kërcënimet e shovenistëve serb me luftë, janë të zbrazëta, naive dhe qesharake. Me hyrjen e forcave të NATO-s luftat në Evropën Juglindore kanë përfunduar përgjithmonë. Është më reale të pritet vazhdimi i aktivitetit armiqësor serb me  metoda të ndryshme, duke shfrytëzuar objektet fetare dhe kërkesat e minoritetit serb, përfshirë edhe trazirat eventuale nga bandat e infiltruara brenda tij në disa pjesë të Kosovës. Por, kombi shqiptar duhet të jetë i përgaditur, gjithmonë gati për tu mbrojtur me forcë nëse guxon ta sulmojë Serbia. UÇK-ja e heroit Adem Jashari dhe etja për liri nuk shuhen kurrë në zemrat, shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve.      

           E vërteta është se nëse populli i Dardanisë dhe Trojeve të tjera shqiptare, organizohet dhe reagojnë si komb, është më i fortë se Serbia. E ka përkrahjen e pafund dhe parezervë të mërgatës patriotike, shumë të fuqishme. Punë e madhe fort nëse Republiken e Kosovës nuk e njeh Serbia. Vetëm në kohën më të re, për dy dekada që nga viti 1981, Kosova ka qëndruar, ekzistuar dhe mbijetuar terrorin institucional serb. Për dy dekada të tjera, që nga çlirimi dhe fitorja e luftës kundër regjimit serb në vitin 1999, ka vazhduar jetën pa njohje nga Serbia, edhe pse me qeverisje të pahajrit, përveç kohës së Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Me qeverisje të hajrit Kosova mund të ecë në rrugën e vet të lavdishme, pa njohje nga Serbia, për sa të ekzistojë bota.

         Reagimi si komb e nënkupton edhe angazhimin e të gjithëve në drejtim të bashkimit kombëtarë i cili ishte dhe është dëshirë dhe ideal i patriotëve më të mëdhenj të kombit. Është nevojë dhe e drejtë legjitime e çdo kombi, sidomos e popullit shqiptar të ndarë padrejtësisht në 6 shtete. Këte e di fare mirë Evropa dhe Amerika. Shqiptarët nuk kanë nevojë të kërkojnë ndryshim të kufijve me forcë, gjë që nuk e përkrahë bota demokratike. Bashkimi kombëtar mund të arrihet gradualisht, në mënyrë paqësore, duke hequr barrierat shtetërore, me lëvizje të lirë dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet. 

Ky nuk mund të krahasohet kurrë me projektin e errët serb për “Serbi të madhe” duke vrarë e masakruar qindra-mijëra njerëz me qëllim të grabitjes së tokave të tyre.

         Kombi shqiptar është komb i lashtë me traditë dhe vlera të larta njerëzore, i papërkulur dhe i pathyeshëm. 

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alickaj, dialogu, Dialogu me Serbine

Kreshnik Radoniqi kryesues i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

June 14, 2021 by dgreca

Kosovë – Kreshnik Radoniqi kryesues i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve/

PRISHTINË, 14 Qershor 2021-Gazeta DIELLI/ Zyra e Presidentes – Departamenti i informimit dhe komunikimit me publikun dërgoi sot këtë komunikatë:Presidentja emëron gjyqtarin Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas lirimit nga detyra të Valdete Dakës

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, z. Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas ndërprerjes së mandatit të kryesueses së deritanishme të KQZ-së znj. Valdete Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë.

Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së. Presidentja Osmani vlerëson se veprimet e kryesueses së KQZ-së nuk duhet të jenë shkak për humbjen e besimit qytetar ndaj institucionit, në veçanti pasi sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale.

Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, Presidentja ka nxjerrë vendimin për lirimin nga detyra të znj. Valdete Daka, duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike.

z. Kreshnik Radoniqi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Gjyqtari Radoniqi, në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA. Provimin e jurisprudencës e përfundoi me 2007.

 z.Radoniqi cilësohet si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendim-marrje. Emërimi i gjyqtarit z. Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të siguroj që integritet i KQZ nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësoj mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani i ka uruar punë të mbarë z. Radoniqi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të KQZ-së dhe funksionimit të tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet për zgjedhje.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, Kreshnik Radoniqi

Një urra për fuqizimin e kultit të individit

June 14, 2021 by dgreca

Opinion Nga Ilir Levonja/

Fitoret e tipit me mbi 80%, nuk vinë nga zgjedhjet, por nga votimet. Se ku është diferenca mes zgjedhjeve dhe votimeve, kujtoni ato të kohës që bëheshin me saze. Këtë bëri edhe dje grupi rreth Lulzim Bashës të ashtuqujtur Partia Demokratike. Ndaj ata që iu gëzuan më shumë kësaj fitore ishin qeveria, fanatikët brenda PD-ës që çdo zë ndryshe e trajtuan si armik të klasës, popullit dhe pa dyshim të liderit a kultit të tij të individit. Fal internetit shumë drejtues qarqesh postonin me krenari se në zonat e tyre votimi kishte përfunduar me mbi 95% pro liderit aktual. Ata që e konsiderojnë këtë një fitore të thellë nuk kanë bërë asgjë tjetër vetëm sa kanë firmosur opozitarizmin e përjetshëm. Kanë çimentuar kultin e individit dhe kanë brejtur më shumë të djathtën apo Partinë Demokratike. Dhe nuk janë të rastësishëm, pasi janë pikërisht ata me të cilët Lulzim Basha humbi zgjedhjet e përgjithëshme. Nderi e donte që jo vetëm Lulzim Basha, por edhe grupi rreth tij, deri sa i humbën zgjedhjet duhet të hapnin krahun. Nuk e bën, ndaj edhe këto dy javë ne pamë një luftë të ashpër brenda familjes si me përjashtime, bllokim listash, sms për mos pjesmarrje, një ligësi dhe trysni karshi çdo anëtari, presione a trysni që kurrë nuk ndodhi në zgjedhjet e përgjithëshme. Ishte një shanc i madh edhe për vendin, mbase ai elektorati gri, shqiptarët nuk do dëgjonin më broçkullat e dështimit në lidhje me gjoja korrupsionin e Berishës, Bashës. Mbi vilat e gjirit të Lalzit etj. Mbi pasuritë e Ilir Metës dhe varfërinë e epike të pushtetarëve të majtë. Por nuk ndodhi… Kjo makineri do rizgjohet rishtas. Po ashtu edhe sytë nga krahu djathtas do ngopen me denoncimet dixhitale të Sali Berishës, denoncime që nuk sjellin asnjë dobi tjetër, vetëm pushtetin e Edi Ramës. Madje çdo protestë civile do mbetet po aq pa përkrahje nga opozita, për faktin e thjeshtë, emrat fitues nuk ngjisin. Nuk u afrohen dot…, janë të pabesueshëm, të konsumuar dhe të kompromentueshëm.  Sado deklarate bombë të bëj Sali Berisha, është një oxhak i fikur. Kjo për arsyen më miturake, atë të kohës. Koha është një hon gjigand dhe lum kush e kupton këtë. Ata që rrojnë me kujtimet janë robër të saj, jo misionarë të vetvetes dhe vendit ku jetojnë. Nëse sot e djathta do kishte bërë zgjedhje normale, do kishte pa asnjë diskutim një lidership të ri. Por nuk e bëri. Dhe kjo ka një shpjegim të vetëm. Sot e djathta nuk i shërben më ineteresave të qytetarëve, por të disa emrave brenda saj. Interesave të tyre familjare, bizneseve. Ashtu si qeveria komçesioneve dhe oligarkëve. Një dualitet i turpshëm që po e vdes atë vend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Kulti i individit, Urraaaa

MARJAN CUBI NË MES TË AMERIKËS DHE KOSOVËS

June 14, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/ Të dielën më 13 Qershor 2021 në orën 4 pm në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Hartsdale, New York u shfaq dokumentari televiziv “Marjan Cubi në mes të Amerikës dhe Kosovës” i realizuar nga gazetari i shquar i Radio Televizionit Shqiptar Ilir Buçpapaj. Me dhjetëra pjesëmarrrës miq, familjarë, autoritetet më të larta të Vatrës, famullitari i Kishës Dom Pjetër Popaj, gazetarë, studiues, patriotë, veprimtarë e bashkëpunëtorë të Marjan Cubit, nderuan veprimtarinë e lartë patriotike, politike, fetare dhe humanitare të Marjan Cubit dhe familjes së tij. Një dokumentar i gjërë me mbi 2 orë, i realizuar mjeshtrisht nga gazetari Ilir Buçpapaj, përfshin veprimtarinë e Marjan Cubit që nga fëmijëria e tij e deri në ditët e sotme. Në këtë dokumentar u shqaf portreti shumë dimensional i patriotit Marjan Cubi, familjes së tij dhe kontributi i çmuar në Diasporën shqiptare, kontributin e vyer për Kosovën, Shqipërinë dhe kudo ku lakohej interesi kombëtar e çështja kombëtare shqiptare. Veprimtaria në nderim të Marjan Cubit u hap nga djali i Marjanit, Ilir Cubi një patriot veprimtar që e ka shoqëruar Marjanin dhe mbështetur në të gjitha angazhimet dhe vendimmarrjet e tij. Për kontributin e Marjan Cubit si një personalitet fetar foli famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj i cili ndër të tjera tha: “Marjan Cubi është një personalitet atdhetar dhe fetar i jashtëzakonshëm. Ai na bën krenar të gjithëve. Ky dokumentar na gëzon sepse ne përpiqemi të vlerësojmë në një fare mënyre veprimtarinë e jashtëzakonshme që do të mbetet përherë si model dhe respekt ndaj asaj që Marjani na ka dhuruar si model i një patrioti e fetari tepër të përkushtuar. Veprimtaria e tij është një model i veçantë për brezat që vijnë. Në çdo sipërmarrje Marjani ka shkëlqyer, ka dalluar për shpirtin e tij, ndershmërinë dhe përkushtimin si për fe dhe atdhe. Mirënjohje të pakufishme Marjanit për angazhimin fetar dhe detyrat që i ka realizuar me sukses në Kishën tonë. Marjani ishte gjithmonë një njeri shumë i rëndësishëm në Famullinë tonë. Këmbëngulja dhe ndershmëria e Marjanit e kanë bërë një njeri të suksesshëm dhe veprimtar të shquar” cilësoi Dom Pjetër Popaj. Për veprimtarinë patriotike, politike dhe vatrane të Marjan Cubit foli kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i cili ndër të tjera u shpreh: “Jam i lumtur që marr pjesë në këtë promovim shumë emocionues për një njeri me integritet e personalitet të lartë si Marjan Cubi. E njoh prej më shumë se tash 3 dekada Marjanin. Ju garantoj me bindje absolute se është e vështirë të gjesh një njeri kaq patriot, kaq të ndershëm e kaq veprimtar të palodhur në mesin tonë si Marjan Cubi. Ai ka qenë në çdo kohë në krye të demonstratave nga Uashingtoni në New York e deri në Ohajo. Marjan Cubi ishte në krye të demostratave në dobi të çështjes kombëtare sa herë që interesi kombëtar e çështja kombëtare e kërkonte. Presidenti historik i Kosovës Doktor Ibrahim Rugova kishte respekt e vlerësim të veçantë për Marjan Cubin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dobi të interesit kombëtar. Kemi udhëtuar 34 vite së bashku në krye të çështjes kombëtare. Marjani ka qenë kreu i LDK ku së bashku me Agim Rexhajn jemi përpjekur për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Jam i lumtur që e njoh, që e kam mik dhe bashkëpunëtor. Ky është dokumentar i shkëlqyer” përfundoi vlerësimet e tij për Marjan Cubin, kryetari i Vatrës z.Berisha. Gazetari i shquar i Radio Televizionit Shqiptar Ilir Buçpapaj u ndal te kontributi  i Marjan Cubit në çështjen e Kosovës, demostratat në Amerikë për çështjen e Kosovës, rivarrimin e eshtrave të Konicës,  vendosjen e gurëthemelit të Katedrales në Prishtinë, aktivitetin fetar e mbi të gjitha shpirtin shqiptar të Marjan Cubit si një patriot i flaktë e njeri fisnik i Kosovës kreshnike. Z.Buçpapaj e cilësoi Marjan Cubin si një “maratonamak” i çështjes kombëtare, kur për kontributin dhe vlerat e tij, brezat do i jenë mirënjohës. Dokumentari televiziv “Marjan Cubi në mes të Amerikës dhe Kosovës” u hap me fëmijërinë e mundimshme të Marjan Cubit në fshatin e tij të lindjes në Drenoc të Klinës,  shkollimin, shërbimin ushtarak dhe nisma për të njohur vlerat e kombit shqiptar. Një vit jetoi në Libi si emigrant për të punuar e mbajtur familjen. Libia ishte një vuajtje e madhe për Marjanin. Në Austri ditët e muajt ishin plot ëndrra për Marjan Cubin ku në Muzeun e Vjenës pa shpatën e përkrenaren e Skënderbeut e shumë libra të rilindësve të  shquar që e frymëzuan. Më 1974 shkeli në Amerikë në New York ku Manhatani ishte një madhështi, kujton në rrëfimin e tij në dokumentar Marjan Cubi. Kisha dhe besimi në Zot e shtynë gjithmonë përpara Marjanin si një njeri i pastër i drejtë dhe i ndershëm. Sapo erdhi në New York u angazhua me kishën Zoja e Shkodrës ku ishte Kryetar i Këshillit të Kishës ndersa sot është drejtor i Qëndrës Nënë Tereza. Marjani ka dhënë ndihmesë në zhvillimin dhe ruajtjen e traditave kulturore kombëtare. Më 1975 njihet me bashkëshorten Dilën dhe martohen më 28 shkurt 1976. Marjan Cubi merr pjesë rregullisht në demostratat shqiptare me dhjetëra e mijëra shqiptarë në USA për interesat kombëtare të lirisë dhe paqes në Kosovë. Hyrja e NATO-s në Kosovë për ta çliruar nga okupatori serb ishte një moment i madh krenarie e lavdie sipas Marjan Cubit i cili bashkë me miq e shokë, Marjani dha një kontribut të madh me takimet në Capitol Hill e Shtëpinë e Bardhë me kongresmenë e Senatorë. Marjani ishte pjesë e delegacionit të Vatrës në Uashington në shtator të vitit 2020 gjatë bisedimeve Kosovë – Serbi. Marjan Cubi ndalet te vlerësimi i veçantë për doktor Rugovën si arkitekt i shtetit modern dhe pararendës i lirisë e Pavarësisë së Kosovës. Ai tha për Rugovën se ishte një politikan i pazëvendëdësueshëm që luftoi për Kosovën. Dokumentari na njeh me faktin se Marjan Cubi ishte pjesë e delegacionit shqiptar që priti Papa Gjon Pali në Vatikan dhe homazhet për Nënë Terezën kur u largua nga jeta dhe kur u lumturua nga Vatikani. Marjan Cubi mblodhi fonde për kishën Katolike në Prishtinë, kishën Zoja e Shkodrës në New York ku janë mbledhur mbi 2 milion dollarë nga komuniteti shqiptar. Marjan Cubi ishte në Tiranë kur Papa Francesku shpalli të lumtur 38 Martirë të Kishës Katolike. Marjan Cubi dhe familja e tij dha kontributin për ndërtimin e Katedrales së Shën Pali e Shën Pjetrit në Tivar. Një vend të rëndësishëm në dokumentar zë jeta familjare e Marjani Cubit, detaje nga familja e tij e mrekullueshme ku tregohet imtësisht organizimi tradicional i dasmave tipike shqiptare, martesat e fëmijëve të Marjan Cubit, marrëdhënia e veçantë me nipat e mbesat etj. Në dokumentar flasin miq e bashkëpunëtorë prej vitesh të Marjan Cubit. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj deklaroi se Marjan Cubi ishte një besnik dhe përkrahës i madh i Rugovës. “Ishte mik i tij dhe zbatues i filozofisë Rugoviane. Marjani ka kontribuar dhe për UÇK. Marjan Cubi është patriot dhe atdhetar i shquar” – cilësoi z.Rexhaj. Imzot Dom Lush Gjergji deklaroi në dokumentar se Marjan Cubi ka qenë shumë i përkushtuar për çështjen fetare dhe kombëtare ku me miqtë e tij amerikanë ka sensibilizuar për kauzën kombëtare. Një besimtar dhe veprimtar i angazhuar me mish e me shpirt në çdo rast dhe nevojë” – tha Imzot Gjergji. Editori i Diellit Dalip Greca e vlerësoi në këtë mënyrë Marjan Cubin: “Marjani ishte njeriu më i gjetur për të administruar në Vatër si arkëtar. Njeri patriot, i angazhuar dhe shumë punëtor. Marjani ka shpirtin bujar për ta mbajtur gjallë Vatrën. Një njeri i nderuar dhe i respektuar në komunitet” cilësoi z.Greca. Ish kryetari i Vatrës Dritan Mishto vlerëson në dokumentar se: “Marjan Cubi ka një aftësi të rradhë për të ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me bashkëpunëtorët. Ka bërë një menaxhim perfekt të detyrave. Ai ka vënë në dispozicion të Vatrës të gjitha energjitë e tij. Marjani është korrekt, dashamirës, i ndershëm, i papërtuar i paqtë dhe i mençur” shprehet z.Mishto. Përveç të tjerash në dokumentar shfaqet edhe Lek Musolli, Mikel Gojani e shumë miq e shokë të vyer të Marjan Cubit teksa e vlerësojnë dhe çmojnë lart figurën e dimensionin patriotik e njerëzor të Marjan Cubit dhe kontributin e tij e të familjes për Kishën, Kosovën, Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në tërësi. Në dokumentar paraqitet gjithashtu edhe publicistika e Marjan Cubit me karakter fetar dhe atdhetar. Në fund të dokumentarit përshëndetën djali i Marjanit Iliri ku shprehu vlerësime e nderime për pjesëmarrrësit, nipi i Marjanit e familjarë e miq të tij. Një moment shumë i rëndësishëm i kësaj feste për Marjan Cubin ishte vlerësimi me Certefikatë Mirënjohje për “Atdhedashurinë e kontributin e spikatur në lartësimin e vlerave të kombit tonë” prej Shoqatës Shqiptaro-Amerikanë “Skenderbej Inc” të cilën ia dorëzoi kryetari z.Mark Qehaja. Në fund të takimit festiv familja Cubi shtroi një cocktail vëllazëror që i dha mbrëmjes nota patriotike, respekti, vëllazërie, miqësie të veçantë e vlerësimi të madh për Marjan Cubin dhe Familjen e tij.

Ilir Cubi, djali i Marjanit, ka hap promovimin.
Dom Pjeter Popaj, Famullitari i Kishes “Zoja e Shkodres” pershendet para shfaqjes se dokumentarit.
Kryetari i Vatres z. Elmi Berisha, foli rreth veprimtarise se Marjan cubit.
Marjan Cubi me familjen Mrnacaj.
Marjan Cubi me Kryetaret e Vatres Arshi Pipa dhe Agim Karagjozi.
Prijesi historik Dr. Ibrahim Rugova.
Presidenti i Nderit Agim Rexhaj duke fole per veprimtarine e Marjan Cubit ne LDK dhe Vater.
Dom Lush Gjergji: Marjani eshte nga ata veprimatre qe ka luftuar per bashkimin e kokave para se te luftojme per bashkimin e Tokave shqiptare.
Duke ndjeke folesit.
Iliri me Familjen.
Editori me zonjen Fisnike Mrije Mrnacaj.
Kryetari i Shoqates Shqiptaro-Amerikane”Skenderbej” duke i dhuruar “Mirenjohje” veprimtarit Marjan Cubi.

  

Filed Under: Featured Tagged With: DHE KOSOVËS, Marjan Cubi, NË MES, Sokol Paja, TË AMERIKËS

VATRA- KURORË NË MONUMENTIN E VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË WASHINGTON

June 14, 2021 by dgreca

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “ VATRA” me qendër në Nju Jork edhe sivjet morri pjesë në Ceremoninë e rëndësishme vjetore Vendosjes së Kurorave në monumentin kushtuar Viktimave të Komunizmit në Uashington DC, organizuar nga Fondacioni Amerikan për Viktimave të Komunizmit./

Ceremonia vjetore mbahet çdo të premte të dytë të Qershorit dhe mbledh përfaqësues diplomatikë, përfaqësues të organizatave të ndryshme të diasporave të vendeve të robëruara nga ideologjia komuniste dhe individe te ndryshem qe perfaqesojne familjet e tyre te persekutuara nga komunizmi..

Sivjet kjo ceremoni u krye në kushte moti të vështirë, mes rregullave t efforts per pjesmarrje dhe u transmetua virtualisht për të interesuarit.

Të gjithë partnerët e eventit u përfaqësuan nga individë brenda organizatës për shkak të rregullave të vendosura nga qeveria vendore e Uashingtonit me përjashtim të disa ambasadorëve që morrën pjesë personalisht.

Z. Elmi Berisha , presidenti aktual i VATRËS, në emër te Federatës u kujdes për të siguruar vazhdimësinë e bashkëpunimit në nivel institucional me Fondacionin e Viktimave te Komunizmit dhe Z. Marjan Cubi u përkujdes per ceshtjen financiare lidhur me porosinë e kurorës me zambakë të bardhë në emër të Federatës pan shqiptare “VATRA”

Ndërkohë disa vende të Europës Lindore si shtetet balltike kishin porositur kurora nëpërmjet ambasadave por dhe vetë ambasadorët morrën pjesë.

Ambasada e Shqipërisë në DC gjithashtu kishte dërguat një kurorë me trëndafila të kuq , kurorë që u vendos e para për shkak të rendit alfabetik.

Familja e Nikolin Kurtit, e Cezar Ndreut , familja Mrnaçaj, familja Kalaja nga Zemlaku i Korces , familja Staravecka dhe Z. Pellumb Lamaj janë familje dhe individë shqiptare që marrin pjesë çdo vit në këtë Ceremoni dhe sivjet këto familje u përfaqësuan dhe në emrër të tyre u bënë homazhe nga pjesëmarrësit në person. Po ashtu edhe keshilli Shqiptaro Amerikan, perfaqesuar nga Z. haxhi Dauti, morri pjese si gjithnje ne ceremoni.

Fondacioni i Memorialit të Viktimave të Komunizmit është një organizatë jofitimprurëse arsimore, kërkimore shkencore pro të drejtave të njeriut, kushtuar përkujtimit të më shumë se 100 milion viktimave të komunizmit në të gjithë botën dhe i dedikohet kujdesit për lirinë e atyre që ende jetojnë nën regjimet totalitare. Kjo organizatë ka mandat nga congres Amerikan eheeshte ne procesin e filmaitt eprogramit shqiptar per te studjuar historiene krimeve te komunizmit ne Shqiperi. VATRA me qender ne Nju Jork eshte partneri kryesor ne kete bashkepunim dinjitoz.

***.

Dear Merita,

Thank you for your participation in VOC’s 14th annual Roll Call of Nations Ceremony. We are honored that you chose to join us to mark this important commemoration on behalf of your family and VATRA.

Please find attached photos of your wreaths from the event.

If you were not able to watch live online, you can view the event recording here.

We look forward to gathering fully in person next year for the 15th annual ceremony and hope you will join us then.

Thank you, again!

Best,

Ashlee

Avatar/LogoAshlee DavisDirector of Public Affairs 
Victims of Communism Memorial FoundationPhone: (202) 629-9500Website: victimsofcommunism.orgAddress: 300 New Jersey Avenue NW, Suite 900 Washington, D.C. 20001

Filed Under: Featured Tagged With: kurore, Vatra, viktimat e Komunizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT