• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

RËNDËSIA E VËRTETË E KATËR KORRIKUT PËR AMERIKANËT DHE PËR BOTËN….

July 3, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Çdo vit me 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) festojnë Ditën e Pavarësisë.  Sivjet, 4 Korriku shënon 245-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së SHBA nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë e tyre nga qeverisja britanike.  Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është njëri ndër dokumentet – ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë – që përcaktoi jo vetëm fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, nga mbreti ose pushteti cilido qoftë ai dhe si të tilla, ato mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas deshirës e qejfit të qeverisë, regjimit, despotit ose mbretit, pasi sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.  Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat, personit dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vet Krijuesi.  Në frazën ndoshta më të famëshme tani të nxjerrë nga teksti i Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se, ”Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta, se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë.”

Mesazhi kryesor i kësaj dite — si për Amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës –është se këto mund të jenë fjalët më të rëndësishme në historinë e njerëzimit – se Perëndia dhe natyra dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti – jo vetëm amerikanëve por të gjithë njerëzëve kudo, ua ka falur këto të drejta themelore dhe të pamohueshme për të gjithë njerëzit kudo në botë.  Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t’u shërbyer njerëzve duke mbrojtur të drejtat e tyre natyrore dhe duke I zbatuar ato në mbështetje të qytetarëve.

Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 245 vjetë më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni të këtij kontinenti praktikohej skllavëria, ndërsa gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë. Ndërkohë, fatkeqësisht, indiano-amerikanët vendas u detyruan nga kolonët e ri të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë këtij vendi.  

Por ç’prej nënshkrimit të këtij akti dramatik para pothuaj dy shekuj e gjysëm më parë, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, por prapseparapë ekziston vetdija se mbetet shumë për t’u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Përëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo të shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit.

Liria, që sot konsiderohet në pjesën më të madhe të botës si e drejtë e  e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore si një e drejtë e pamohueshme më 4 Korrik 1776, me shpalljen e Pavarësisë së Shteve të Bashkuara.  Ideja se njerëzit duhet të gëzojnë këto të drejta të pamohueshme, të akorduara nga Përendia dhe jo nga ndonjë pushtet i kësaj bote, ose mbret a diktator i vet shpallur, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e ”qytetëruar”, madje edhe sot Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë në shumë pjesë të botës, nga diktatorë e regjime shtypëse por edhe nga individë, të cilët mendojnë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që ata i rregullojnë sipas dëshirës dhe vullnetit të vet.  Ata i urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të dalur nga Shpallja e Pavarësisë së Amerikës, më 4 Korrik 1776, për faktin se është e drejta e çdo populli kudo e në çdo vend të ndryshojë regjimin ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër që do të mbrojë këto të drejta e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anë e mbanë botës. Ky është një mesazh edhe për Shqiupolrisë due prël Kosovën due për të gjithë shqipotarët kudo — në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëshpënieve shqiptaro-amerikane.   Ky pra është edhe mesazhi i kësaj dite amerikane edhe për popujt kudo të cilët vlerësojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët!  Për të siguruar se këto të drejta do të ishin gur-themeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat garantojnë liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit, si edhe shtesa të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshëme nga  shteti dhe qeveritë autoritare.  Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të Pavarësisë Amerikane, ka thënë se “Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të kufizuar të drejtat e popullit por është një instrument i popullit për të kufizuar veprimtarinë e qeverisë, për ndryshe, ajo do të dominonte jetën dhe të drejtat tona”.

Është me vend që këto vlera e të drejta të pamohueshme të njeriut të festohen sot në në këtë përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, por është gjithashtu e arsyeshme që këjo ngjarje historike të kujtohet edhe nga popujt anë e mbanë botës, pasi këto parime të mishëruara në Shpalljen e Pavarësisë Amerikane, pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë vendeve dhe çka është më e rendësishme janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.   Le të jetë pra edhe ky 4 Korrik një festim i garancisë së të drejtave të njeriut, jo vetëm për çdo shtetas amerikan kudo, por të kujtohet gjithashtu edhe nga mbarë bota që beson në këto vlera të lirsë, demokracisë dhe pavarësisë, e cila nga këjo ditë e shënuar patriotike amerikane mund të mësojë se sipas Mark Twain, ”Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë vetëm kur ajo e meriton të mbështetet”.

As në këtë prëvjetor të Pavraësisë së saj, Amerika nuk është një shtet as qeverei e përsosur! Si e tillë, megjithë të metat dhe mos-kënaqësitë që shprehen nga koha në koha – edhe sot 245 vjetë pas Shpalljes së Pavarësisë së sajë, Amerika mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anë e mbanë botës.  Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës due në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.

Frank Shkreli

       Kambana e Lirisë në qytetin Filadelfia të shtetit Pensilvania

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korriku, Frank shkreli

KIM PRANON “AKSIDENT I RËNDË” NË LUFTËN KUNDËR COVIDIT DHE SPASTRON BYRONË POLITIKE

July 3, 2021 by dgreca

Nga GUIDO SANTEVECCHI-“Corriere della Sera”, 1 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika/

Në Korenë e Veriut ka ndodhur “një aksident I rëndë” në betejën kundër coronavirusit, i shkaktuar nga “pazotësia dhe papërgjegjshmëria” e disa funksionarëve të shkallës së lartë. E ka thënë Kim Jong-un në një mbledhje të zgjeruar të Byrosë politike, që duhet të ketë qënë dramatike, duke mbajtur parasysh fjalët e Marshallit, që ka paditur drejtues “kronikisht përtacë” të cilët nuk kanë zbatuar udhëzimet shëndetësore dhe kanë shkaktuar “një krizë të madhe” për sigurinë e Vendit e të popullit. Në mbledhjen e piskamës janë shkarkuar disa antarë të Politbyrosë, sekretarë të komitetit qëndror e funksionarë, rrëfen agjensia shtetërore e lajmeve Kcna. “Duhet një revolucion në mbarështimin e personelit”, ka lajmëruar kreu I regjimit.

Nuk është komunikuar asnjë imtësi sa i përket “aksidentit të rëndë” në parandalimin e pandemisë. Koreja e Veriut ka vulosur kufirin e saj që nga fundi i janarit 2020, për të shmangur infektimin nga Kina. Në një vit e gjysmë nuk ka komunikuar asnjë rast të Covid-19, por prej muajsh Kimi flet për pasoja ekonomike shkatërrimtare në territorin e saj nga mbyllja: Kina ishte e vetmja rrugëdalje për regjimin e Phenianit dhe bllokimi i valës së mallrave i ka dhënë një goditje shumë të fortë furnizimit me prodhime të nevojës së parë.

Ka shkuar keq edhe vjelja e prodhimeve bujqësore, për shkak të tajfuneve e më pas të thatësirës dhe gjëndja ushqimore është “e nderë”, ka pranuar Kimi disa javë më parë.

Simbas disa analistëve seria e pranimit të vështirësive ekonomike, bujqësore dhe tani shëndetësore, të shkaktuara nga rrethanat e mbrapshta apo gabimet e vartësve, ndjek një fill logjik në strategjinë e Kimit. Synimi do t’ishte përgatitja e terrenit për një kërkesë ndihme nga agjensitë humanitare ndërkombëtare. Por bëhet fjalë vetëm për hamëndje, sepse lajmet mbi gjëndjen në Korenë e Veriut janë vetëm ato që regjimi dëshëron të japë: përfshirë dhe pamjet e fundit që tregojnë një Kim Jong-un të dobësuar dhe një emision shtetëror televiziv që i ka dhënë zë shqetësimeve të gjindes për shëndetin e Marshallit të Respektuar.

“Corriere della Sera”, 1 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika-Guido Santevecchi-Pushteti kinez, Kim pronon Aksidentin

ANGELA MERKEL : E MBIVLERËSUAR GJATË, SOT NË RËNIE

July 3, 2021 by dgreca

EP plenary session – Debate with German Chancellor Angela MERKEL, on the Future of Europe

Nga WOLFGANG MÜNCHAU-Perktheu: EUGJEN MERLIKA/

Angela Merkel është një kafshë politike e një kalibri tepër të lartë, por nuk ka qënë kurrë një aktor strategjik, veçse në rrethin e pozitës së saj. Për këtë arsye aq më absurde duket  njohja e udhëheqësisë së botës perëndimore që i është veshur javën e shkuar. Angela Merkel nuk u zbulua as në lartësinë e udhëheqëses së Bashkimit evropian, kur dështoi mjerisht në përpjekjen për të bindur të tjerët kryetarë shtetesh për të rifilluar nismat diplomatike të nivelit të lartë me Vladimir Putinin. 

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron nuk e fshehën zemërimin e tyre përpara Biden-it, që i ka kapërcyer në rifillimin e bashkëbisedimit me Putinin. Si djemka në parkun e lodrave, nuk donin të mbeteshin mënjanë. Nuk menduan as për një çast se çfarë ndikimi do të kishte ky veprim mbi shtetet e Balltikut, në veçanti.

Toomas Hendrik Ilves, ish president i Estonisë, e ka paditur Angela Merkelin se i trajtonte bashkëqytetarët e tij si “popujt e ulët të vendeve të lindjes”. Gustav Gressel, i Këshillit evropian për politikën e jashtëme, shkruan se Angela Merkel, në vetëm 24 orë, arriti të fshijë të gjithë trashëgminë e saj politike. Simbas mendimit tim vetiak, është shumë më keq. Ajo që ndodhi ka ndihmuar për të zbuluar të metat e një politikaneje jo strategjike. Nuk bëhet fjalë megjithatë për një prishje me të kaluarën, vetëm se në këtë rast dukuria është bërë e njohur nga më të shumtit.

Vështirësitë në të cilat përpëlitet politika e jashtëme gjermane e këtyre ditëve janë pasoja të drejtpërdrejta të vendimeve të marra nga Angela Merkel shumë kohë më parë. Në 2011, kundërveproi ndaj aksidentit bërthamor të Fukushimës duke i hequr spinën energjisë bërthamore gjermane. Ai vendim fatal përfundoi rrënues në shumë vështrime. Gjermania përfundoi në vartësi mbizotëruese nga gazi e nafta ruse dhe nga Nord Stream 2. Kjo gjë, nga ana tjetër, në shtetet e Balltikut, në Poloni e n’Ukrainë, ka lindur ndiesinë se janë tradhëtuar. Duke vazhduar në këtë drejtim, Angela Merkel arriti të plasaritë edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, të cilave i u gjet një shërim vetëm në ditët e fundit. 

Në kohën e krizës financiare të përgjithëshme, më 2008, Angela Merkel ka këmbëngulur që secili antar i Bashkimit evropian duhej të merrej vetëm me bankat e tij. Më 2012 është shprehur krejtësisht kundër eurobondëve. Atë vit, euro qe në prag të fundosjes së tij, sikur mos t’ishte ndërhyrja e Mario Draghit. Me shpërthimin e pandemisë, ajo qe e shtrënguar të pranonte Recovery fund – një ndërhyrje që jashtë kufijve gjermanë shpesh gabimisht ndërpretohet si hapi i parë drejt bashkimit tatimor.

Personalisht, nuk kam shumë simpati për Gerhard Schröder, para-ardhësin e saj, dhe as për bllokun e tij të reformave, që i kisha kritikuar atëherë si të dëmshme për bashkëjetesën e zonës euro. Por duhet të pranojmë që Schröder-i ka bërë atë që e ka quajtur të drejtë. E dinte shumë mirë se ato reforma do të shkaktonin rënien e tij e kështu ndodhi.

Angela Merkel nuk ka bërë kurrë një gjë të tillë. Vendimi i saj për t’i hapur kufijtë refugjatëve nuk ka qënë një zgjedhje strategjike, por thjesht një kundërveprim i thjeshtë i rrëmbyeshëm. Nuk u këshillua as me bashkëpuntorët e koalicionit, as me shtetet e tjera antare të Bashkimit evropian. Gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve të kaluara si kancelare, nuk ka kërkuar kurrë një ballafaqim strategjik as është përpjekur kurrë të gjejë shumica aty ku nuk kishte. Synimi i vetëm i Angela Merkel-it ka qënë vetëm Angela Merkel.

Ajo që do të mbetet prej saj në Bashkimin evropian do të jetë vetëdija se autonomia strategjike është kërkuar, por pa sukses. As Merkel dhe as Macron nuk kanë qënë në gjëndje të japin një drejtim strategjik. Nëse shohim në grupin e mundshëm të pasuesve të tyre, nuk shoh ndryshime në horizont. Suksesi i ardhshëm i Bashkimit do të varet kryesisht ngase Evropa do të dijë të lirohet nga iluzioni i një drejtimi franko – gjerman. Çfarëdo bashkëbisedimi mbi autonominë strategjike duhet të zerë fill nga formulimi i një strategjie, dhe jo nga se kush është ulur në kolltuk apo në divan, siç ndodh sot.

Java e shkuar u mbyll me zhgënjimin evropian për të satën herë në lidhje me idenë e një vote të shumicës në politikën e jashtëme. Po të kishim patur një votë të shumicës, shumica e 20 shteteve do të kishte fituar mbi 7 vënde, për më tepër të përmasave të vogla, që kishin ngritur problemin. Vëndet baltike do të mbten të kapur tek vetoja sepse e dijnë mirë se çfarë ndodh përndryshe.

Epoka e Angela Merkel-it ka përkuar me periudhën industriale të vonë, tashmë në perëndim. Kur të jetë përfunduar, gjindja do të bëjë mjaft pyetje të padëshirueshme që asnjëri nuk ka menduar t’i drejtojë gjatë atyre viteve: përse një vend i pasur si Gjermania nuk ka investuar masivisht në teknologjitë e reja? Përse kancelaria nguroi shumë për të hedhur themele të shëndosha për zonën euro? Përse ka hyrë në allishverishe me Putinin duke i nënështruar Vendin e saj burimeve natyrore të Rusisë? Përse ka nënëshkruar obiektivat për pakësimin e emisioneve të dëmshme nëse më vonë nuk ka treguar asnjë synim t’i sendërtojë?

Prej mjaft kohësh kam arritur në përfundimin se Angela Merkel është drejtuesja politike më e mbivlerësuar e kohëve tona. Javën e shkuar do të kenë qënë shumë që e kanë kuptuar.

“Corriere della Sera”, 29 qershor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Angela Merkel, Eugjen Merlika, Renia

LETËRSIA SHQIPE DHE TRANZICIONI

July 3, 2021 by dgreca

Departamenti i letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizon në datat 5, 8, 9 dhe 12 korrik 2021 aktivitetin: “Letërsia shqipe dhe tranzicioni. Diskurs kulturor” në bashkëpunim me Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës; Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”; Biblioteka “Marin Barleti”, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”. Aktiviteti ka në fokus nxitjen e një diskutimi kulturor dhe shkencor përmbi letërsinë shqipe dhe artet tjera gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri. Takimi i parë mbahet ditën e hënë, më 5 korrik, ora 11.00 në Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, në Shkodër dhe moderohet nga prof.as.dr. Valbona Karakaçi, anëtare e departamentit të letërsisë. Në këtë takim paraqesin tezat e tyre për tranzicionin në letërsi dhe në antropologji, studiuesit: Arben Prendi, përmes studimit “Fatos Kongoli” dhe Albert P.Nikolla përmes studimit “Njeriu i ri shqiptar”. Në këtë aktivitet janë të përfshirë edhe studentët: Elsaida Zhejani, Deada Smajlaj, Klevisa Bardeli, Laura Kasteri në vitin e dytë të programit të studimit Bachelor në Gjuhë-Letërsi. Takimi i dytë mbahet ditën e enjte, më 8 korrik, në orën 11.00 tek Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në këtë takim, përmes veprës eseistike të shkrimtarit Ridvan Dibra “Për romanin dhe romanet” do të diskutohen edhe disa çështje që kanë të bëjnë me letërsinë dhe pozitën e shkrimtarit në kulturën e tranzicionit. Në takimin e tretë, që mbahet ditën e premte, më 9 korrik, ora 11.00 në bibliotekën “Marin Barleti” organizohet një diskutim për rolin e botuesve dhe pozitën e tyre në periudhën e tranzicionit, sfidat dhe realitetet me të cilat përballen ata për të sjellë te publiku botime cilësore jo vetëm nga paraqitja fizike por edhe nga nveli estetik e kulturor. Pjesë e diskutimit do të jenë prof.as.dr Ag Apolloni botues i Bard Books, Prishtinë dhe Frano Kulli “Gjergji Fishta” Lezhë. Takimi i katërt mbahet ditën e hënë, më 12 korrik, ora 11.00 në bashkëpunim me Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” dhe ka në qendër veprën studimore “arti bashkëkohor shqiptar” -kundrime estetike 1991-2011 të studiuesit Stefan Çapaliku. Përmes diskutimeve nga autori i veprës dhe moderatori i takimit, do të sillen disa analiza dhe interpretime interesante mbi teatrin, muzikën, kinemanë, pikturën dhe arkitekturën shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.(S P)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fatos Kongoli, Letersia e Tranzicionit

Djajtë e Kuq, ëndra shuhet në Mynih, Itali Brilante…

July 3, 2021 by dgreca

Përgatiti Albano Kolonjari/

Italia rezervoi nj vend në gjysmëfinalet e Euro 2020 me një fitore madhështore 2-1 ndaj Belgjikës në një përballje të kalibrit të lartë në Mynih. “Djemtë” e  Roberto Mancini tani do të takojnë Spanjën në Wembley, të martën në mbrëmje. Italianët realizuan  fitore 13-të radhazi.  Gjithashtu ata janë të pamposhtur në 32 ndeshje. Italianët shënuan në fillim të ndeshjes, po goli u anullua nga VAR, për pozicion jashtë loje. Azurrët gjatë gjysëm  ores së parë rrëmbyen mesfushën dhe iniciativa e tyre u shpërblye me golin e bukur të realizuar nga Nicolo Barella. 0-1 për Italinë.  Italia dyfishoi epërsinë e saj në 44 minutë kur Lorenzo Insigne dërgoi një goditje mjaft të mrekullueshme, dhe sfera e rrumbullakët ishte e pa arritshme nga portieri Thibaut Courtois. 

Belgjika dukej se ishte në “vdekje klinike”, por iu dha një litar shpëtimi në fundin e pjesën e pjesës së parë, kur Giovanni Di Lorenzo bëri faull ndaj Jeremy Doku. Gjyqtari jep penallti.  Romelu Lukaku realizoi dhe shënoi golin e tij të katërt në turne. 1-2

Kevin de Bruyne, i cili kishte qenë një dyshim për shkak të një  dëmtimi para ndeshjes, u përpoq të frymëzonte skuadrën së bashku me Doku që luajti shkëlqyeshëm, por Djajtë e Kuq nuk mundën të zhbllokonin italianët. 

 Kjo ishte humbjen e tyre të dytë në 28 ndeshjet e fundit.

Brezi i artë i Roberto Martinez tani do të duhet të kthehen në shtëpi.  Ndërsa italianët vazhdojnë të bëjnë përshtypje me paraqitjen e tyre mreselenese.  

Ylli i Ndeshjes: Lorenzo Insigne (Itali)

“Ai shënoi golin vendimtar, luajti me pasime brilante dhe tregoi inteligjencë dhe teknikë të nivelit të lartë.”

Willi Ruttensteiner, Vëzhgues Teknik i UEFA-s.

Alyssa Saliou, reporteri i  Belgjikës

Belgjika tregoi karakter dhe forcë, por Italia provoi se puna e palodhur në ekip mund të bëjnë që cilësinë individuale të mos duken në fushën e lojës. Djajtë e Kuq mund të jenë krenarë për mënyrën se si kanë luajtur në këtë turne. Aventura belge përfundon këtu, por për Italinë u desh një përpjekje heroike për t’i xjerrë ata jashtë turneut.

Paolo Menicucci, reporteri i Italisë.

Ata kishin nevojë të dilnin përtej kufijve të tyre për të mposhtur një ekip si Belgjika, dhe Azzurri bëri pikërisht këtë. Ishte një performancë e shkëlqyeshme kolektive: nga portieri Donnarumma te qendërmbrojtësit veteran Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini dhe nga dirigjenti i orkestrës Jorginho te golashënuesit Barella dhe Insigne. Dhe mbi të gjitha zgjuarsia e Mancinit, për të marrë nga skuadra e tij, mbi 100% të mundësive përballë një skuadre me shumë yje. 

Roberto Mancini, trajner i Italisë: “Unë nuk mendoj se kemi vuajtur shumë në çdo moment të lojës. Për të mposhtur një ekip si Belgjika, na duhej një paraqitje e shkëlqyer nga të gjithë lojtaret  dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi sot.”

Lorenzo Insigne, sulmues i Italisë: “Unë mendoj se ekipi ynë luajti një lojë të jashtëzakonshme sonte. Unë gjithmonë e provoj atë goditje, në ndeshje dhe në stërvitje. Jam i lumtur që hyri brenda. Ishte një gol i shkëlqyeshëm, por e përsëris, ne të gjithë fituam së bashku sonte.

Kevin De Bruyne, mesfushor i Belgjikës: “Unë mendoj se kemi provuar gjithçka për të fituar këtë ndeshje. Ata shënuan një gol fantastik. Goli  i parë i italianëve u shënua pas një gabim nga ana jonë. Ata e kishin topin më shumë në zotërim dhe kjo gjë që është turp për një skuadër si e jona. Të eleminohesh është gjithmonë një zhgënjim “.

Statistikat kryesore

*-Italia ka vendosur një rekord të ri për fitoret në Kampionatin Evropian UEFA, përfshirë edhe kualifikimet.  Kjo ishte fitorja e tyre e 15-të radhazi duke i kaluar kundërshtarët e mëparshëm Belgjikën (14, 21/03/19 – 27/06/21) dhe Gjermaninë (14, 03 / 09/10 – 22/06/12).

*-Nicolò Barella shënoi golin e tij të gjashtë me Kombëtaren e Italisë. Italia ka fituar të gjashtë ndeshjet në të cilat ai ka shënuar.

*-Tre nga pesë disfatat e fundit të Belgjikës në turnet finale të EURO-s  kanë ardhur nga Italia.

*-Italia ka fituar 13 ndeshjet e fundit ndërkombëtare (F36 A2) dhe është e pamposhtur në 32 ndërkombëtaret e fundit (W27 D5); disfata e tyre e fundit ishte në shtator 2018 (vs Portugalia).

*-Seria e fitoreve të Italisë për pesë ndeshje në EURO 2020 është sekuenca e tyre më e mirë e fitoreve radhazi në finale dhe është e barabartë me rekordin e vendosur nga Franca (1984), Hollanda (1988 në 1992) dhe Republika Çeke (2000 në 2004).

*-Italia ka shënuar 11 gola deri më tani në EURO 2020 – Kjo është hera e parë që ata kanë arritur shifra të dyfishta në një EURO të vetme.

*-Lukaku shënoi golin e tij të gjashtë në EURO; asnjë lojtar tjetër i Belgjikës nuk ka shënuar më shumë se dy.

*-Belgjika ka pësuar dy ose më shumë gola në nëntë ndeshje të turneut përfundimtar të EURO-s, dhe përfundoi duke humbur të gjitha ato lojëra.

*-Belgjika ka humbur vetëm dy nga 28 ndeshjet e fundit ndërkombëtare (W23 D3 L2). Ata ishin të pamposhtur në 13 ndeshjet e tyre më të fundit ndërkombëtarë (W11 D2) duke shkuar në këtë lojë.

*-Italia tani ka fituar katër dhe ka barazuar një nga pesë ndeshjet e mëparshme kundër Belgjikës në turne të mëdha ndërkombëtare finale.

*-Italia ka shënuar golin e parë në secilën nga pesë ndeshjet e fundit ndërkombëtare kundër Belgjikës; 

*-Italia nuk ka pësuar më shumë se një gol në asnjë nga 35 ndeshjet e fundit ndërkombëtare.

Rreshtimet:

Belgjikë: Courtois; Alderweireld, Vermaelen, Vertonghen; Meunier (Chadli 69, Praet 73), Witsel, Tielemans (Mertens 69), T. Hazard; De Bruyne, Lukaku, Doku

Itali: Donnarumma; Di Lorenzo, Bonucci, Chiellini, Spinazzola (Emerson 79); Barella, Jorginho, Verratti (Cristante 74); Chiesa (Tolói 90 + 1), Immobile (Belotti 74), Insigne (Berardi 79)…

Filed Under: Featured Tagged With: albano kolonjari, Italia brillante, Italia-brilante

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT