• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

KANINA – QYTET I THRONIT

November 26, 2021 by s p

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

Besnik Imeri

Në këtë trinom të rëndësishëm, Aulon-Orik-Kionin (Kanina), bën pjesë edhe kalaja e Kaninës. Gj.Karaiskaj për të na informon: “Kalaja e Kaninës ndodhet në gjirin e Vlorës mbi një kodër me lartësi 380 m…Muret rrethuese përfshijnë një sipërfaqe 3,5 ha dhe kanë një gjatësi të përgjithshme prej 1 km. Ashtu si në Shkodër, kalaja ndahet nga mure tërthore në tri pjesë…Ajo e fillon jetën e saj që nga koha antike. Më vonë në shek. e VI, kalaja rindërtohet nga Justiniani dhe përmendet në listën e Prokopit me emërin Kionin. Në fillim të shek. XI, Kanina ishte një qytet dhe qëndër peshkopate dhe luajti një rol të rëndësishëm në luftërat normano-bizantine. Në shek. XII-XIII, kthehet në një qëndër ushtarake të dorës së parë, duke shërbyer si plasdarm për depërtimin e anzhuinëve në thellësitë e tokave shqiptare. Në vitin 1530 kalaja rindërtohet nga sulltan Sulejmani, ndërsa ndërtimet e fundit të shek. XVII-XIX i përkasin përpjekjeve të feudalëve shqiptarë të Vlorës për të rimëkëmbur këtë fortifikim.”

       Në lidhje me hershmërinë e këtyre fortifikimeve   Neritan Ceka pohon se, faza protoqytetare, shek. VII-V p.e.sonë,  është dokumentuar në Kaninë, Treport, Mavrovë (Olympe), etj. Në Treport vendbanimi protoqytetar përfshinte vetëm majën e kodrës rreth një të katërtën e qytetit të ardhshëm. Në Kaninë ai shtrihej në pjesën më të lartë midis dy majave në një sipërfaqe rreth 1,7 ha. Në Mavrovë shtrirja është e kufizuar në pjesën më të lartë me një sipërfaqe rreth 0,5 ha…Faza protoqytetare shfaqet arkeologjikisht me një dëndësim të dukurive që kanë filluar të paktën që nga bronzi i mesëm…Gjatë shekujve VII-V p.e.sonë…masa kryesore e vendbanimeve si Kanina, Treport, Mavrova (Olympe), etj, përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit… 

       Nga ky përshkrim mund të arrijmë në këto përfundime: së pari, fortifikimi i Kaninës, si të gjitha fortifikimet pellazgjike, fillimisht ka pasur një akropol, që për Kaninën ishte 1,7 ha; së dyti, ka një fakt interesant dhe të paspjegueshëm deri tani, të gjitha fortifikimet të dyshuara si ndërtime pellazgjike, akropoli i tyre fillimisht është ndërtuar mbi dy maja. Të tilla janë Olympe, Amantia, Selo, Treni, Samobari, etj…; së treti, dyshimet e shprehuara më lart për  dukuri që nga pikëpamja arkeologjike kanë filluar që nga koha e bronzit, si dhe ajo që në vendbanimet si Kanina  përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit, janë në të mirë të tezës se këto vendbanime të fortifikuara i kanë fillesat e tyre ne kohën e bronzit, që është koha e luzmimit të pellazgëve.

        Në lidhje me kronologjinë e kalasë të  Kaninës nga mjaft autorë pohohet, se ajo mund të jetë fortifikim shumë më i hershëm nga shek.V p.e.s., kohë që u  shkatërua nga apolloniatët. Por, siç e kemi thënë në mjaft raste në këtë studim, legjendat janë një e vërtetë historike e ardhur që nga mugëtirat e kohrave të stërlashta. Një mësim të tillë na e jep edhe arkeologu italian Ugolini: “Edhe legjendat e lashta, të mbledhura herë nga poetë e herë edhe nga historianë të epokës klasike, sjellin një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë…”  

        Një nga këto legjenda, që padyshim, sjell një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë, është ajo  që flet për zanafillën e fortifikimit të Kaninës dhe Amanties, të cilën, e  tregon arkeologu S.Anamali: 

“Një version tjetër të legjendës e ka lënë Pausania, në veprën e tij përshkrimi i Helladës. Ai tregon se në Olimpia, pranë vendit të quajtur Hipodam, gjendej një monument skulpturor, i punuar nga skulptori Lykio dhe kushtuar  Zeusit nga apolloniatët. Sipas kushtimit të kumtuar prej tij, monumenti ishte ngritur nga apolloniatët, pas fitores së tyre kundër abantëve, me një të dhjetën e plaçkës së marrë në qytetin e tyre Thronion. Më tej Pausania shkruan se Thronioni ishte një qytet i krahinës së Abantisë dhe se kjo e fundit u përkiste thesprotëve. Qyteti u ngrit nga abantët e Eubesë së bashku me lokrët e Thronionit; pas udhëtimit në det dhe vendosjes së tyre pranë maleve Keraune. Thronionin e shkatëruan, mbasi e pushtuan apolloniatët, duke i dëbuar prej andej abantët (Pausania, Descriptio Graeciae, V, 22, ed Teubner, Leipzig-1870). Kjo ngjarje është datuar në gjysmën e parë të shek. V p.e.s…

        Dëshmia e Pausanias për ex-voton e Apollonisë nuk mund të vihet në dyshim, aq më tepër, sepse në gërmimet e bëra në Olimpia (Greqi) janë zbuluar mbeturinat e monumentit të ngritur nga apolloniatët, dhe, të parë dhe të përshkruar nga Pausania…Emrin e qytetit Thronion, për herë të parë dhe të fundit, e gjejmë vetëm tek Pausania…Nëqoftëse pranojmë ekzistencën e qytetit Thronion në Ilirinë e Jugut duhen dëshmi arkeologjike për ta provuar, por ato, tani për tani, mungojnë. Nuk mund ta lidhim Thronionin me Amantinë e vonshme por duhet ta kërkojmë më afër maleve Keraune, më afër detit dhe qytetit Orik. Si vend më i mundshëm për një lokalizim të Thronionit, është kalaja e Kaninës, në muret mesjetare të së cilës janë parë gjurmë ndërtimi antik.”

        Llogjika e ngjarjeve, gjithmonë sipas legjendës, kur abantët dhe lokrët  pas luftës së Trojës u vendosën pranë maleve Keraune, të çon në atë, që ata fillimisht janë vendosur në një vend afër bregut të detit dhe nuk janë futur në thellësi, pasi mund të ndodheshin para të papriturave të pakëndëshme. Kujtojmë këtu danajtë, të cilët kur shkuan në Argos, fillimisht qëndruan në breg të detit, për deri sa morën lejen për t’u vendosur në tokë. 

        Nisur nga fakti, se ujrat e detit, në atë që sot njihet si territor i qytetit të Vlorës, deri në prag të shekullit të XX, ndodheshin në të gjithë ultësirën bregdetare deri tek vendi, që nga vlonjatët e hershëm quhet “Bishti i kalldrëmit”, në rrëzë të kodrave të Kaninës; atëhere “miqtë nga Troja” këtu kanë zbarkuar aty, dhe, pasi kanë marrë leje nga vendasit, fillimisht janë vendosur në majën e kodrës së Kaninës, si një vend strategjik ku mund të mbroheshin kollaj.

        Nuk përjashtohet mundësia, që para abantëve dhe lokrianëve, në Kaninën e sotme, vendasit të kishin ngritur një fortifikim, dhe, emigrantët ta kenë marrë atë me luftë. Më vonë, me siguri, pasi janë fuqizuar, lokrët kanë qëndruar në Kaninë, duke i vendosur emrin e qytetit të tyre prej nga vinin, Thronion; ndërsa abantët kanë hyrë në thellësi të prapatokës së Kerauneve, dhe, janë vendosur në kreshtën e fshatit Plloçë duke themeluar aty qytetin, të cilit i vendosën emrin e etnisë së tyre: qyteti i Abantëve, ose Abantias, që nga vendasit, siç do ta shpjegojmë më pas, u quajt  Amantia.

        Pier Kabana është i mendimit se Thronioni nuk ka qënë në Kaninën e sotme por në Triport. Ndjekim arësyetimin e tij: “Ekzistenca e një vendi të ashtuquajtur Thronion dëshmohet nga mbishkrimi i Olimpes (Gigime I, 2,303), i cili është kopjuar në vend nga Pausania (V, 22, 2-4) dhe që dëshmon fitoren e apolloniatëve “në kufijtë e Abantidës” dhe plaçkën e luftës së marrë në Thronion në mes të shek. V p.e.s. Thronion mund të ndodhet në sitin e Triportit, në veriperëndim të Vlorës dhe jo në dy sitet e tjera arkeologjike të kësaj zone: Olympia dhe Amantia antike. Ky lokalizimi Thronionit i korespondon më mirë të dhënave të Pausanias, i cili e vendos këtë…përballë maleve Akrokeraune…Fitorja e apolloniatëve në Thronion…i lejoi qytetit të madh të shtrinte chora-n e tij në luginën e poshtëme të Shushicës, përveç luginës së poshtëme të  Aoosit, si dhe të kontrollonte më mirë Nimfeun dhe minierat e bitumit përreth Selenicës.”

        Nëqoftëse ndjekim fillin e mendimit të Kaban-as, si mundet që apolloniatët që nga Triporti të kontrollonin luginën e poshtëme të Shushicës, madje dhe Nimfeun, Selenicën e sotme?!! Nga ky pozicion, jo vetëm që ishin shumë larg këtij territori, por e kishin dhe shumë vështirë, pasi sistemi i kodrave i detyronte, që për të dalë nga Triporti në Nymfe duhej t’u binin rreth e qark atyre, duke dalë në breg të Vjosës nga ana e perëndimit, ndërkohë që amantët nuk e kishin të vështirët a kontrollonin pjesën fundore të kësaj lugine. Ndërsa, duke qënë Kanina-Thronioni, gjithë lugina e poshtëmë e Shushicës deri në Selenicë, ishte nën kontrollin e saj, ndërkohë, që u bënte presion amantëve në se ata do të tentonin të kalonin luginën në drejtim të Nimfeut, pasi u binin prapa shpine. Prandaj mendimi i shfaqur nga arkeologët Anamali dhe Ceka, se Kanina ka qënë Thronioni, është shumë afër së vërtetës.

         Në antikitetin e vonë, Kanina me emrin Kionin, ka qënë pjesë e rëndësishme e  një qëndre peshkopale, gjurmët e së cilës pasqyrohen nga zbulimi i një  mozaiku paleokristian në rrafshinën poshtë saj, toponimit të një fshati, i cili edhe ai është poshtë saj, dhe ruan sot e kësaj dite emrin, në akcentin vendas, Qishbardhë, Kisha e Bardhë; si dhe mbetjet e një manastiri ortodoks në shpatin e malit përkundrejt Kaninës, i cili ka qënë quajtur Manastiri i Kllogjerit.

        Kalaja e Kaninës, bën pjesë në ato fortifikime, të cilat e kanë luajtur këtë funksion në mënyrë të pandërprerë të paktën për 25 shekuj. Në themelet e trakteve të veçanta të mureve të saj ka gurë pellazgjikë. Por ajo ka vazhduar si fortifikim kaon, pjesë e sistemit të kalave të amantinëve, më vonë me pushtimin romak dhe bizantin u ka shërbyer këtyre pushtuesve. Si fortifikim ajo bën pjesë në kalatë e rindërtuara nga Justiniani i Madh në shek. e VI të erës sonë.  Në shekullin e XII, rreth vitit 1080-1081, për ca kohë, ajo ra nën sundimin e normanëve, në shekullin e XIII, duke filluar nga viti 1204, dhe deri pas mesit të shek.XIV ka qënë pjesë e Despotatit  të Epirit me  Ëngjëll dhe Teodor Dukë Komnenin dhe pasardhësëve të tyre, më pas ka kaluar në duar të anzhuinëve, muzakajve, balshajve, venecianëve, u pushtua prej turqve rreth vitit 1417, por, pas vitit 1430, për ca kohë ka qënë në dorë të Gjergj Arianitit, Gjon Kastriotit, sulltan Mehmet Fatihut, dhe më vonë, fillim shekullin e XVI, me ardhjen e sulltanit të madhërishëm, Sulejmanit, ra përfundimisht nën sundimin osman. “Gjatë kësaj periudhe u bënë rindërtime në këtë kala. Deri në shek. e XVII mbi një nga portat e kësaj kalaje, sipas dëshmisë së Çelebiut, lexohej mbishkrimi”Sulltan Sulejmani e meremetoi” Më pas mbeti një fortifikim turk deri në vitin 1912. Më 1915 ra nën pushtimin italian dhe më 1920 u çlirua prej luftëtarëve të Luftës së Vlorës duke përzënë prej andej garnizonin italian.

Besnik Imeri    

(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri

TE PERQAFOSH JETEN

November 26, 2021 by s p

Julia Gjika

Në kujtim të viktimave nga aksidenti në Bullgari ku ndruan jetën përmes flakëve në autobuzin që kthehej nga Turqia, 46 persona mes tyre edhe fëmijë. Qofshin të Parajsës!

Ne lindëm dhe do të jemi këtu,

për aq kohë sa të plotësohet ajo

që është shkruar në ballin tonë.

Me lotin e parë përqafuam jetën,

mund të jetonim vetëm një stinë,

mund të jetonim disa orë, ose vetëm një ditë.

Ndoshta shumë vite, më shumë se njëqind.

Ka nëntëdhjet e nëntë të rrojtura,

vuajtje ka, mundimi është i gjatë.

S’ka rëndësi, jeta më perqafoi mua edhe ty.

Në ujra të pastra lëshuam barkat e shpresës,

në thellësi oqeanesh u zhytëm,

pafundësinë zbuluam, një botë tjetër.

Vallzuam me jetën. Muzika e saj na ngriti lart.

Asnjë nuk është në gjëndje të numurojë,

kokrizat e rërës në shkretëtirën e Saharës!

Të deklarojë sa frymë nuk erdhën në këtë botë,

dhe jeta t’u jepej dhuratë!

Ky shekull që jetojmë, paska hyrë ters,

Njeriu, është bërë një e keqe e madhe, për dreq!

pa nisur të bëlbëzojë foshnja, krimi e vret!

Në këtë shekull të XXI njeriu nxiton, për ku?

Më mirë mos kishim lindur në këtë shekull!

Për të mos takuar njeriun të shndruar në djall

lakmine e tij te mos e kishim pare, fëmijë jetime duke qarë,

trupa që digjen së gjalli në aksidente, apo ne luftra,

gra që lindin rrugëve të botës si ne Avganistan

Ligjin e bëjnë bijtë e djallit!

Dhimbje në palcë, kur gruas i djegin fytyrën,

në tokë bien qiejt!

Dhimbje në kockë, ligjit nuk i dihet ngjyra.

Zhurmon hapur korrupsioni,

urrejtja, krimi, varfëria!

Hëna flet mes ftohtësirash :

Korrjet, s’paskan “stinë”!

Kjo jetë e pagjumë për njerëzimin,

sjell pamje të papara, ku verbohet drita.

Xhelatë, shëtisin të lirë, ngado

vrasin jetën nga primitivja kazmë, lopatë, apo thike!

Ditët vijnë të c’veshura nga mirësitë,

jetën e vret plumbi, hanxhari, shkopinjtë,

lahen hesape pa e njohur vdekjen si rit!

“Ti budalla gjakatar”! artikulon Ripper, rosaku australian.

Bota e ka humbur fillin, banditi zgjohet me urrejtje në sy

dhe një thikë të fshehur në brez a nën mëngë.

Bota u bë pengu i lakmise, ndërsa varfëria

ulëret për fatin gërmadhë në sytë e saj.

Të vërtetat fshihen, shpirti e ka lënë trupin

trupi të zit e ullirit heq, hesht kur duhet te ulerase!

“Une ju kam bere dhe une do t’ju perkrah – thote Zoti

qe kur lindet u mbajtet tek une.

U kujdesa qekur ishit ne bark te nenes,

fshehur ne hijen e dores sime u kam

kur te ecni neper zjarre, nuk do te digjeni,

mjere lakmitaret, me bollekun qe kane e nuk u ngopen

si nje re e dendur jane mekatet e tyre

shenjterine time perbuzin”.

Le të bien rrufetë, le ta shuajnë këtë farë,

që ngrys e gdhihet jetën për të vrarë!

11/25/2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Julia Gjika

UDHËTIM NË DY KOHË

November 26, 2021 by s p

Përshkrim

Nga arkivi i gazetarit

Abdurahim Ashiku

Pas ngeli Zogu i Zi me zhurmën e makinerive të ndërtimit, me renë e pluhurit dhe makinat e vogla e të mëdha që kërcejnë nëpër gropa në dhimbjen e një bote në transformim. Kjo nyje është prezantimi i parë me kryeqytetin, është ajo që sheh kur hyn dhe ajo që ndjen kur ikën. Kur e kalon këtë nyje, si lart po ashtu poshtë ndjen të renë, atë që është transformuar dhe atë që është në transformim, ndjen qendrën e kryeqytetit, Parkun Rinia, Lanën nën një gjelbrim të ripërtrirë. Ndjen Rrugën e Durrësit deri në lidhje me autostradën në një hapsirë që rrallë kryeqytete të botës moderne e kanë..

Mikrobusi i djalit të një mikut tim, Rexhep Manit, një njeri që gruas sime i bëri përshtypje të veçantë për kulturën e komunikimit me njerëzit, hyn në urën mbi lumin e Tiranës tek ish fabrika e tullave. Ura është e ngushtë, dy makina mund të kalojnë mbi të me kujdes, me vështirësi. Ura lidh dy rrugë, ende në zgjerim e në ndërtim që përcjellin në të dy krahët dy rradhë makinash. E ngushtë ura tek shtrydh morinë e makinave që vijnë e ikin drejt Veriut. E ndërtuar që në vitin 1963, pas shirave tepër të rrëmbyera të dhjetorit 1962, shira rryma e të cilëve e bëri aq kryeneç lumin sa ta rrëmbejë si një fije kashte urën e drunjtë, pas pasarelës së përkohëshme që na lidhëte ne studentët e bujqësorit me kryeqytetin, do të ndërtohej e betontë, e fortë. Ashtu është edhe sot. Por ajo do zgjeruar, don që të hidhen këmbë të reja mbi shtratin e lumit…E don koha, e don zhvillimi…

Ura e Matit, apo e shënuar në kujtesën e popullit si Ura e Zogut, është e heshtur, është si një urë muze, si një relike e kohës së largët. Mbi të, megjithëse nga larg, nga Greqia ku punoj e jetoj, pata parë një kronikë televizive ku me figurë e zë flitej për rikonstruksionin e saj. Sot nuk pashë ndonjë makinë të kalojë mbi të. Blloqet e betontë e kufizonin hyrjen nëpër të…

E përmenda sepse ura më kujtoi një kohë të shkuar, vitet pesëdhjetë, gushtin e vitit 1954 kur mbi të kalova natën, udhëtimet e më vonëshme ditën. Asokohe, me autobuzin e linjës niseshim nga Tirana në orën 7 të mëngjesit për t’i rënë rreth e qark nga Vora, nëpër një rrugë të paasfaltuar e për të arritur në Rrubik në mesditë. Atje, në një gjelltore që shihte Fanin, nxirrnim nga trastat bukën e marrë me triskë ose të bërë në shtëpi dhe merrnim ndonjë gjellë. Në Peshkopi arrinim vonë, shumë vonë, pas 13 -15 orë rrugë.

Kjo rrugë do të mbyllej aty nga viti 1957, do t’a përpinte liqeni i Ulzës…

Nuk hymë në Urën e Zogut, morëm djathtas me pamjen në të majtë të deltës që formohet kur bashkohet Mati me Fanin, me luginën e Fanit në njerin krah e atë të Matit në krahun tjetër. Në këtë pamje nuk ka se si syri të të mos ndalet në kurrizin e një rruge, mbi shinat që dikur kaloi treni, shina tek tuk të shqyera e të rrëmbyera. Kjo pamje do të na humbiste nga sytë kur merr krahun drejt Rrubikut e Rrëshenit për të na u shfaqur në Burrel e në luginën e lumit që të çon në Klos. Kurrize të shqyera, shina  që në vend të trenave e lokomotivave mbajnë tenda rrushi, ura të betonta diku të plota e diku vetëm në këmbët e betonta, stacione treni me ndonjë kolonë betoni të lartë si dëshmi e një dëshire të parealizuar…

Lugina e Matit është ndër luginat më të bukura të vendit. Në atë luginë ka diçka epike e heroike, nga e kaluara e largët kur Sënderbeu kalonte këtej ushtrinë e vet në pusitë që i zinte armikut. Nga e kaluara e afërt kur njerëzit, varur me litar, çanin me qysqi shëmbin e gëdhendnin  atë që do të hynte në historinë e jetës sonë si një monument i jashtzakonshëm trimërie e burrërie, atë që do të quhej  ( që quhet edhe sot ) Rruga e Dritës. 

Në Shkopet pimë një kafe në një lokal ku syu nuk ka se si të mos të ndalet tek një tabelë ku shkruhet në formë harku “ Hidrocentrali i Shkopetit -1963 “. E kam vizituar atë hidrocentral në shkëmb menjëherë pas ndërtimit. E kam vizituar edhe hidrocentralin e Ulzës, menjëherë pas  ndërtimit, në vitin 1957. Detyra e gazetarit më ka përcjellë në mjediset e brendëshme të të dy hidrocentraleve në fund vitet ’70. Hidrocentrali i Ulzës, ndërtimi i tij, ka një histori që nuk ka se si mos të jetë një nga monumentet më madhështore të historisë sonë të pasluftës. Në një stadium të lojrave me dorë në Athinë, një burrë i moçëm nga jugu i Shqipërisë ma pat përcjellë mendjen menjëherë në Ulzë. Jo në Ulzën e sotme me Liqenin e bukur që pikturon me hollësi retë në kaltërsinë e qiellit, por me Ulzën e viteve ’50- të me vullnetarët nga e gjithë Shqipëria, me Ulzën që pas hekurudhave, bëri hapa të fortë në zgjimin e gruas dhe vajzës shqiptare, në luftën kundër analfabetizmit dhe në frymën shoqërore, në Ulzën që lidhi dashuritë e mëdha midis të rinjëve e të rejave, dashuri që thyen zakonet e egra të kohës. Në një shtëpi tiranase një përmetar që në ato vite kishte punuar në Peshkopi me rininë, më tregon se si punonin asokohe për të zgjuar brezin e ri nga errësira e së kaluarës, si punonin për t’i përcjellë të rinjtë dhe të rejat që nuk kishin kaluar kufijt e fshatit, në hidrocentral…Një faqe, nga më të lavdishmet e historisë sonë të re që çuditrisht është fshirë nga media jonë, është fshirë nga politika jonë pas tabusë se ajo kohë dhe ato veprime, ato hidrocentrale dhe ato tubime- shkollë ishin të regjimit komunist e të Enver Hoxhës. Ato tubime, ato hidrocentrale, që nga ai i vitit 1951 që i dha, siç thotë kënga, “Ujë e Dritë Tiranës” e deri tek ai i Vaut të Dejes, Fierza e Komani, ato tunele të hidrocentraleve që nga ai i Selitës ku emri i Sabri Shinit hyri në legjendën e kohës si “luani i tunelev” e deri tek ai i Fierzës e Komanit, ishin dhe janë djersë dhe gjak i një populli të tërë, ishin dhe janë emancipim i gjërë dhe i thellë i një brezi sakrificash teje të mëdha. Dhe në qoftëse ky brez, këta njerëz, të nxitur nga një idealizëm i lartë ngritën në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale ( të Tiranës, Ulzës e Shkopetit ) a nuk meritojnë një mirënjohje të thellë kombëtare? A nuk meritojnë një lapidar të madh diku në luginën e Matit apo gjetkë ? Dhe në qoftëse ata njerëz, të nxitur nga ideali i kohës, bënë në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale, pse brezi i sotëm, politikanët e sotëm, në pesëmbëdhjet vjet nuk ndërtuan asnjë hidrocentral, madje edhe një hidrocentral të lënë përgjysëm si ai i Banjës e lanë në harresë, e abandonuan dhe e shaktërruan ?…Dhe marrin dritë nga djersa dhe gjaku i brezit të shkuar ?…

…Me Burrelin më lidhin shumë kujtime të moshës së rinisë dhe të kohës kur punoja si gazetar i ATSH-së. Sot, tek përballem me të diçka më gëzon dhe më shqetëson. Bulevardi kryesor i tij ëshë çarë nga kanale të shumtë. Po rikonstruktohet. Po zgjerohet e po transformohet, po bëhet më i bukur se ka qenë. Kjo më gëzon. Po ajo që më hidhron janë gardhet dhe gardhiqet e tij, produkt i një mentaliteti të ngushtë për pronën. Burreli, për t’a kaluar atë, ka pasë një unazë, ose më mirë me thënë dy gjysëm unaza. Njera shkonte djathtas për të dalë tek rruga e Qafë-Shtamës dhe muzeu historik, e tjetra shkonte majtas për të zbritur pjerrësinë e fortë e për t’u takuar poshtë me gjysmën tjetër të unazës. Nëpër të parën shonin e vinin makinat e rënda të ngarkuara me mineral kromi e me metal ferrokromi. Në të dytën shkonin e vinin skodat me rimorkio që merrnin kromin e Bulqizës, Batrës, Cërrujës. Të dy këto gjysëm unaza të Burrelit nuk jetojnë më. Ato janë coptuar si të ishin prej kashte nga pronaret e trojeve… Dhe ne… detyrohemi të kalojmë rrugicave të tij, mes pallateve e pazareve për të dalë në qosh të tij, përballë burgut të njohur të tij, nën një lloj “burgimi” rrugor.

Lugina nga Zenishti në Klos është shumë e bukur. Mati ujë kristal, herë zhytet e herë del kanioneve të thella të gjelbruara. Misri, nën ujin jetëdhënës të një kanali në funksion harbon duke mbajtë nën krahë kallinj të mëdhenj që varin mustaqet e gjata deri poshtë. E re në këtë luginë janë lokalet e shërbimit, njeri më i bukur se tjetri, ngritur në burime ujrash, në tunele gjelbrimi. Në këto lokale, po të gërmosh pak nën cipë, do të gjesh djersën e emigrantëve, të djemëve të Matit që rrahën Greqinë, Italinë, Gjermaninë, botën. Matjanët nuk kanë qenë shquar për shërbime të ushqimit social. Ky konstatim imi, i jetuar në shumë vite udhëtimi e pune, sot ka ndryshuar, është bërë tjetër. Djemtë e Matit, bashkë me paratë dhe investimet, sollën në vendlidje edhe përvojën e tyre në shërbimet e ushqimit social nga vendet  ku punuan e jetuan…

Në Klos, kur merr kthesën e i ngjitesh të përpjetës për në Qafë të Buallit vështrimin m’a qepin me gajtanë, pashë më pashë, dy pamje. 

Njera lidhet me një luginë që shkëputet nga ajo e Matit dhe merr djathtas. Andej ka kaluar në histori ajo që në gjuhën e popullit quhet “Rruga e Dibrës” e në gjuhën e historianëve quhet “Rruga e Arbërit”. Historitë e kësaj rruge i kam dëgjuar që në fëmini, asokohe kur babai me një kalë misër apo groshë, udhëtonte drejt Tiranës duke bërë tre ditë vajtje e tre ditë ardhje rrugë më këmbë. E prisnim me gëzim por edhe me frikë atë javë të lodhëshme udhëtimi. Me gëzim e prisnim se do të merrnim ndonjë rrobë të re, ndonjë karamele, portokall apo ullinj që me bukën e misërt shkonin shumë. Me frikë e prisnim se Shkalla e Tujanit, nga tregimet e shumëta ishte shkalla e frikës, shkalla ku kuajt, në atë tërkuzë ecjeje nëpër shkëmb, rrëshqisnin e nuk i gjëndej nami e nishan kafshës dhe mallit. Kësaj rruge, të transformuar disi në kohë, thuhet se do të kalojë rruga e re drejt Dibrës e më tej drejt Gostivarit e Tetovës. Madje, në fushatën elektorale, pamë nga Athina kryeministrin të presë shiritin e fillimit të punimeve.. Kur të bëhet (kurdo që të bëhet ) Tirana me Peshkopinë nuk do të jetë më larg se Tirana me Fierin.

Nga lartësia ku po ngjitem, në vështrim pa i ulur sytë, ushëtoj me mendje në një tjetër rrugë, rrugë që thonë se është rrahur nga makinat në fund të viteve 40-të. Në atë rrugë, shtruar me një kalldrëm të trashë, kam udhëtuar në tetor të vitit 1964 në shoqëri të një publicisti të madh, të një diplomati të dëgjuar, të Javer Malos. “Gazi”, me 15 – 20 kilometra në orë, na ngjiti në bjeshkët e Shëngjergjit, një bukuri e rrallë e maleve tona të Shqipërisë së Mesme, pamjen madhështore të të cilës e ruaj ende në kujtesë. Nuk e di pse kësaj rruge nuk ia kam dëgjuar zërin, nuk e di pse kjo bukuri e maleve tona mbahet ende fshehur nga syri i udhëtarit vendas dhe të huaj. Asaj kohe mund të justifikohej me sekretet ushtarake e strategjike. Sot nuk ka asnjë arsye që ajo rrugë, ato vende të heshtin…

Kur ngjitesh në Klos Katund, Patini që zhytet mes gjelbrimit t’i ngjit sytë si me zamkë. Të ngjit edhe veshët nëpërmjet një kënge me çifteli, një kënge të re epike, këngë që flet për një djalë të fisit të Pisleve, Flamurin, një djalë për të cilin një regjisor grek ka krijuar një film të tërë, filmin ‘ Omiros ‘ – Pengu. Një emigrant që është edhe në këngë, edhe në film…

Duke u ngjitur më lart vështrimi më ndalet te dy traverbankët dhe tek fabrika e pasurimit të kromit e Klosit. Traverbankët synonin nivelin e pestë të minierës së kromit të Bulqizës. Nëpër to do të kalonte lumi i kromit shqiptar. Do të kalonte edhe lumi i ujërave të nëntokës së Bulqizës që do të vinte nën ujë pjesën kodrinore e malore të luginës së Matit. Fabrika e pasurimit të kromit do të lidhej me hekurudhën. Traverbankët e shohin luginën si dy sy të verbër. Fabrika, në shkatërrimin e saj hesht.

Kështu hesht edhe Rampa e Qafës së Buallit në ballin e së cilës sa e sa herë kam zbritur dhe kam fotografuar njerëzit në punë. Ajo synonte nivelin e pestë në zbritje e ngjitje me kamionë…

Bulqiza është po ajo. Me fabrikën e pasurimit në qetësi, me minierën mbi krye që nuk nxjerr  më shumë krom se sa nxirrej një herë e një kohë në një muaj, me qytetin që duket se mbijeton nga tregëtia e rrugës dhe kafenetë e shumëta, me qytetin e ri dhe atë të vjetër në mes të të cilëve është ringjallur këneta e dikurshme, një “liqen”  zgjerohet ditë për ditë e vit për vit…

Kur hyn në luginën e Zallit të Bulqizës ndjen  bukurinë që sjellin livadhet e Zerqanit. Kur del prej saj e hynë mes për mes Shupenzës, përshtypje të bën gjelbrimi i misrit dhe i jonxhës, ngarkesa e pemëve, shfrytëzimi deri në madhësinë e pëllëmbës së dorës i tokës. Përshtypje të bëjnë ndërtimet e bukura me çati të tipit alpin, lokalet e ngritura e në veçanti një lokal që zgjatet mbi ujrat e Drinit, pak poshtë ku ai takon ujërat e Zallit, ujëra që vijnë nga Bulqiza,  Ostreni e Okshtuni.

Maqellara është  këthyer në një qytet të vërtetë. Këtë përshtypje nuk t’a krijojnë vetëm ndërtesat e bukura në qendër dhe në fshatrat për rreth por edhe gjallëria e jetës, gjallëria që sjellin duart punëtore të maqellarasve, të emigrantëve që prej vitesh rrahin rrugët e largëta të Evropës..

Qenokut, në majë të të cilit ndahen të Dy Dibrat, ajo e poshtmja me Nëntë Malet dhe e Sipërmja me Dibrën e Madhe m’atanë, prerë mizorisht nga Evropa e 1913-s, i ka mbetur diçka nga e kaluara, I kanë mbetur disa blloqe me kumbulla ( që këtë vit nuk kanë prodhuar fare), i kanë mbetur edhe arrat që pas plakjes së kumbullave do të përbëjnë një pyll të tërë. Kështu e patëm menduar në vitin 1966 me Xhavit Hysën kur piketonim dhe mbillnim bllokun frutor të Qenokut, bllok asokohe me 53 mijë rrënjë pemë. Në një pjesë të tij, atje ku në dorë e morën “të zotët e zabelit” këtë ide të madhe të Xhavit Hysës, njeriut që meriton një lapidar të madh për ndihmesën teknike e shkencore në krijimin e blloqeve të mëdhenj frutorë në Dibër e sheh të gjallë…

Kthesa e Llasenit të sjell në pëllëmbë të dorës Peshkopinë. E ndarë mes për mes nga përroi i llixhave, e prerë në dy pamje që të japin qytetin në dy kohë, atëhere kur nga një fshat i zakonshëm  u kthye ( nga prerja drastike që iu bë qytetit të Dibrës ) në kryeqendër të krahinës dhe pamjes sot.  Peshkopia duket si një gonxhe që matet të çelë. Nga e bukura e pesëmbëdhjet vjeteve të shkuara ka mbetur shetitorja e saj  ku blinjtë përqafohen njeri me tjetrin në tërë gjatësinë, ku njerëzit, të pa shqetësuar nga makinat, shetisin mbrëmjeve dhe mëngjeseve, ku duart e kujdesëshme mëngjeseve e mbrëmjeve lajnë, si të lajnë shtëpinë e tyre, tërë gjatësinë e rrugës. Nga e kaluara, nga ajo që jam rritur e jam gëzuar si fëmijë, nga lulishtet e shumëta që shoqëronin tërë rrugët e qytetit, nga lulishtet e Agush Selishtës, njeriut biografia fioristike e të cilit fillon nga Pallati i Pionierëve në Tiranë, lulishtja pas monumentit të Skënderbeut e Parku Rinia, pothuajse asgjë nuk ka mbetur, pothuajse të gjitha janë shëndrruar në beton e pllaka të ngjyrave të ndryshme…

Në perëndim të ditës, atëhere kur dielli pushon paksa mbi Runjë, mora rrugën drejt Zdojanit, fshatit tim ku linda dhe kalova fëmijërinë për t’u çmallur me gurët e drurët, me vendet dhe njerëzit, me pamjen me Drinin tërkuza e ujtë e të cilit më sjell shumë kujtime e ngjarje…

Abdurahim Ashiku

Tiranë – Peshkopi 13 gusht 2005.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

Shqipëri-Kosovë, në Elbasan u nënshkruan 13 marrëveshje

November 26, 2021 by s p

-U mbajt mbledhja e shtatë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë/
ELBASAN, 26 Nëntor 2021-Gazeta DIELLI/


Bashkëpunimi mes dy qeverive tona, do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Elbasan.
Kryeministri tha se kjo mbledhje e dy qeverive dhe marrëveshjet e nënshkruara, janë në horizontin e integrimeve në Bashkimin Evropian, i cili është fati ynë. Ndërsa marrëveshje si këto sot, do të na mundësojnë që vizionet dhe programet e të dy qeverive, t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete në mënyrë që ato të jenë efektive dhe frytdhënëse, theksoi ai.
Gjatë ditës së sotme, në forumin e biznesit Shqipëri – Kosovë, do të diskutohet për veprime konkrete edhe me përfaqësues të kompanive prodhuese dhe eksportuese shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova.
Në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, u nënshkruan 13 marrëveshje:
1. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.
2. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm.
4. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.
5. Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës)–Krushevë (Dragash) midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
6. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.
7. Marrëveshje për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
8. Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës
9. Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.
10. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.
11. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës.
12. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara.
13. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë:
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama, i dashuri Edi,Të nderuar ministra të kabinetit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Ne shqiptarët jemi njerëz optimistë, edhe kur dita nuk është me diell e bie shi, themi do të jetë me bereqet.Më lejoni që fillimisht të përkujtoj që sot janë mbushur dy vjet nga tërmeti i tmerrshëm që e pat goditur Shqipërinë dhe familjarët e të afërmit e 51 të vdekurve sigurisht që në mënyrë të posaçme kanë pikëllim e mallëngjim sot. Ne bashkëndjejmë me ta duke pohuar që dhembja e tyre është edhe dhembja e jonë.Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët e të dy qeverive, por është mbledhja e parë e imja në të cilën marr pjesë si Kryeministër i Republikës së Kosovës.Unë vitin e kaluar isha kryeministër 4 muaj, në këtë javë, në këtë vit janë bërë tetë muaj kështu që jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri, jo vetëm si kryeministër, besoj sikurse edhe për shumë qytetarë tjerë të Kosovës, kam një ndjesi të veçantë e cila edhe nuk përshkruhet lehtë, e as nuk shpjegohet kollaj.Këngëtari ynë i mirënjohur Nikollë Nikprelaj thoshte se jemi si një lis me dy degë. Pra me pak fjalë jemi një, paçka se me dy dialekte të cilët sa shkon e po njësohen falë ndërveprimit në shumë fusha, falë muzikës, artit, sportit etj
Tani çfarëdo që po them po analizohet e studiohet mirë se ku desha të dalë e çfarë mesazhi po dërgoj, por edhe sikur mos të them asgjë prapë njëlloj do të ishte sepse do të thoshin se edhe ky është mesazh.Ajo që ndjej, sidomos në Kosovë e cila e kaloi shekullin e fundit duke e valuar flamurin kombëtar, është se ka një lloj ndrydhje të dëshirave dhe ndjenjave kur flitet për Shqipërinë.Një lloj i represionit të shkaktuar nga trauma e ndërrimit të befasishëm të simboleve që ka rezultuar me një lloj tronditjeje kolektive. Pra, befas e gjithë shoqëria në Kosovë përjetoi një zëvendësim për të cilën nuk u pyet e nuk u lejua të debatohet.Kjo është dhe do të mbetet një temë e dhimbshme e që e bënë edhe më të dhimbshme faktin që nuk është politikisht korrekte të diskutohet për të, pra një kërkesë për të ndrydhë një dëshirë e një mendim.

– Tash të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi.
– Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri po aq edhe shkurtpamësi.
– Të thuash se angazhohesh për bashkimin kombëtar do të shquanin për nacionalist.
– E të thuash se do bashkohemi në Bashkimin Evropian të shquajnë për diplomat.
Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë.E si diplomatë jemi të vetëdijshëm dhe të qartë, se mbledhja e dy qeverive tona është në horizontin e integrimeve. Sa më i mirë-projektuar dhe i mirë-ndërtuar horizonti i marrëdhënieve tona, aq më i mundshëm është integrimi në Bashkimin Evropian i cili është fati ynë.Integrimi ynë, mes shteteve tona është edhe strategjik, por edhe më tepër qëllimor. Progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet, siç e tha edhe kryeministri Rama, me cilësi në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike, aq edhe historike.E si patriotë duhet t’i forcojmë të dy shtetet tona. Sepse patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar; të luftosh për lirinë e mediave dhe lirinë e mendimit; të luftosh për gjyqësor të pavarur e për ekonomi gjithpërfshirëse me drejtësi sociale. E vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre.Bashkëpunimin me njëri tjetrin nuk e kemi dëshirë e zgjedhje por obligim e detyrë, siç e kemi përgjegjësi lartësimin e mbrojtjen e njëri-tjetrit kudo e ndaj kujtdo.Sa më të përafruar e më të njësuar që jemi në qëndrime rreth të vërtetës tonë, aq më të fortë e të fuqishëm do të bëhemi, sepse jemi më shumë sesa dy shtete, por të shpërqendruar. Duhet të gjejmë thirrjen tonë të përbashkët.Sa më të integruar që bëhemi aq më e mirë do të bëhet jeta e qytetarëve tanë, aq më të bindur do të jenë për të ndërtuar jetët e tyre këtu dhe çdo e mirë e njërit shtet mund të përcillet te tjetri dhe anasjelltas. Çdo krijimtari shoqërore në njërën anë mund të përcillet dhe të gjej më tepër fuqi në anën tjetër.Njerëzit tanë duhet të lëvizin e të punojnë, duhet t’ju lehtësohet qarkullimi e qëndrimi; duan të prodhojnë prandaj edhe duhet t’ju zgjerohet mundësia e biznesit dhe e tregtisë. Kjo punë ka nisur të ecë, por tash duhet të vrapojmë, si në shpejtësi edhe në cilësi.Së bashku mund të prodhojmë më mirë e të fitojmë më shumë. Nuk ka humbje më të madhe se projektimi në qëndrimin brenda të ndërgjegjes së vogël, dhe nuk ka përhumbje më të madhe se shpërndarja nëpër linja të paqëndrueshme veprimi. Qartësia dhe orientimi i përbashkët na udhëzon vetë për lëvizjet më të duhura e më të mbara.Ne e kuptojmë se linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është cilësi dhe shpejtësi në qarkullim njerëzish dhe mallrash, është ekologji dhe fuqi e tokës në det, është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve. Lidhja hekurudhore është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike e cila e rrit dhe forcon shqiptarët por edhe ndihmon rajonin, sepse ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen.Marrëveshjet që kemi përpara do të lehtësojnë edhe më tej procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit.Po hapim pikën e re kufitare në Krushevë të Dragashit e në Shishtavec të Kukësit për të lehtësuar qarkullimin e për të zhvilluar e lidhur komunitetet tona.Po mbështesim bashkëpunimin kulturor në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, por edhe në krijiimin një kalendari të përbashkët kulturor vjetor sepse, siç thoshte Fishta, ‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’ e shumë festa tona janë të përbashkëta.Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë me ndihmë të ndërsjellë juridike, në fushën e doganës duke lehtësuar kalimin e duke zvogëluar kohën e pritjes si dhe po lehtësojmë njohjen reciproke të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore me marrëveshje tjera të cilat na afrojnë e forcojnë më shumë.
E për t’u siguruar se marrëveshjet do të zbatohen tashmë kemi edhe një koordinator të përbashkët, për çka falënderoj qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrin Rama për dakordim dhe mbështetjen e ofruar.
Le të përshpejtojmë hapat e veprimit, të rrisim cilësinë e zbatimit që të shpejtojmë integrimin mes vendeve tona e në Bashkimin Evropian.
Ju faleminderit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari

HEKURUDHA E ËNDËRRES SHQIPËRI-KOSOVË

November 26, 2021 by s p


-Sot në Elbasan është nënshkruar Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë/


-Me tren udhëtohej nga Shqipëria në Kosovë para me shumë se 23 vitesh në reportazhin futuristik “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar pikërisht në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha/


Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARIPRISHTINË, 26 Nëntor 2021/


Memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë për hekurudhën Durrës-Prishtinë është një nga marrëveshjet e nënshkruara sot në Elbasan në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në komunikatën e dërguar bëhet e ditur se është nënshkruar “Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë”. Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës mbajtën mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan sot në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë…
E me tren udhëtohej nga Shqipëria në Kosovë para me shumë se 23 vitesh në reportazhin futuristik “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Kështu fillonte reportazhi: Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”…Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra, që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.
Ky ishte reportazh i para më shumë se 2 dekadave: KUFIRI I ËNDRRËS(Reportazhi i Ardhmërisë – III)Behlul JASHARINjë qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.Zbriti vetëm për pak sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81… ’97…Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe lumin Moravë”…Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)
RAPORTIM I 3 SHKURTIT 2015: NË RELACIONET KOSOVË-SHQIPËRI NË TË ARDHMEN DO UDHËTOHET EDHE ME TRENPara më shumë se gjashtë vitsh, në raportimin që bëja nga Prishtina për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë (ATSH) në 3 Shkurt 2015 me deklaratat nga dy qeveritë (më deklaronin për ATSH atëherë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë Edmond Haxhinasto) paralajmëroja se, në relacionet Kosovë-Shqipëri në të ardhmen do udhëtohet edhe me tren, sipas projekteve të qeverive të dy shteteve, të clat do takoheshin së dyti në mars në Tiranë pas mbledhjes së parë të përbashkët historike në 11 janar 2014, në Prizren…
KOSOVË-SHQIPËRI, E ARDHMJA ME TREN NGA PRISHTINA
PRISHTINË, 3 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.-Në relacionet Kosovë-Shqipëri në të ardhmen do udhëtohet edhe me tren, sipas projekteve të qeverive të dy shteteve, të clat do takohen së dyti në mars në Tiranë pas mbledhjes së parë të përbashkët historike para një viti, në 11 janar 2014, në Prizren.“Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë”, ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke folur për bashkëpunimet mes dy vendeve në prezantimin e programit qeverisës me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re në Kuvendin kosovar, të zgjedhjeve 2014.“Bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri do t’i japim prioritet maksimal”, ka theksuar kryeministri Mustafa në konferencën e parë për shtyp si kryeministër i qeverisë së re kosovare, duke theksuar axhendën evropiane të përbashkët të dy shteteve, i pyetur nga ATSH.“Hekurudha Shqipëri-Kosovë do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë me infrastrukturë evropiane, me të njëjtin standard”, ka theksuar ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i pyetur nga ATSH, gjatë vizitës në Prishtinë javën e kaluar.“Ne menjëherë do fillojmë nga një studim parafizibiliteti për të parë mundësinë e realizimit sa më të shpejtë të kësaj hekurudhe, por sigurisht ne do të shikojmë edhe në mënyrë strategjike, duhet të shikojmë edhe rrjetin rajonal, sepse ne jemi pjesë e një rajoni. Dhe, hekurudha besoj se do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë, pasi rajoni jonë është i tillë që duhet të integrohet sa më shumë mes vete dhe sa më shumë me Evropën”, tha ministri Haxhinasto.Ministri shqiptar Haxhinasto ka deklaruar kështu pas takimit me ministrin kosovar të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ndërsa është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.Më pas, ministri kosovar i Infrastrukturës, Zharku ka deklaruar për median se për hekurudhën Kosovë-Shqipëri në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive në mars të këtij viti do të arrihet marrëveshja për fillimin e studimit të parafizibilitetit.Ai ka paralëjmëruar se, për ndërtimin e hekurudhës, pjesa e Shqipërisë 108 kilometra, ndërsa e Kosovës 17, do të aplikohet për fonde në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor.Me realizimin e projektit të hekurudhës, në relacionet Kosovë-Shqipëri do të mund të udhëtohet me tren edhe nga Prishtina. Nga kryeqyteti kosovar aktualisht mund të udhëtohet me tren në dy linja, drejt Maqedonisë-Shkupit dhe për në Pejë, me nisje në mëngjes siç ishin edhe sot. Trenat kalojnë nëpër Fushë-Kosovë, qytet kryesor i hekurudhave kosovare, prej nga mund të udhëtohet edhe në realcione të tjera.Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri viti 2014 ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve me 19,312 % dhe të automjeteve me 21,883 %, krahasuar me vitin 2013, bënte të ditur në fillim të 2015-tës Policia kosovare ekskluzivisht për ATSH-në.Në tre vendkalimet, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë në vitin 2014 kishte 4 262 588 hyrje-dalje të personave, 689 940 më shumë se në vitin 2013, kur kishte 3 572 648 hyrje -dalje.Në këto tre porta kufitare në 2014 kishte 1 623 882 hyrje-dalje të automjeteve, 291 553 më shumë se në vitin 2013 kur kishte 1 332 329 hyrje-dalje./a.g/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT