• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

Gjeneralmajor Bashkim Jashari Komandant i ri i FSK – Ushtrisë së Kosovës

November 30, 2021 by s p


Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari


PRISHTINË, 30 Nëntor 2021/ Presidenca e Republikës së Kosovës në një komunikatë të dërguar sot bën të ditur: Presidentja Osmani emëron gjeneralmajor Bashkim Jasharin, komandant të ri të FSK-së. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës.Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Komunikatë ka dërguar edhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës:
Në Ministrinë e Mbrojtjes bëhet pranim dorëzimi i detyrës së Komandantit të FSK-së nga gjeneral Rama dhe gjeneral Jashari. Pas ceremonisë në Presidencën e Kosovës, sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Armend Mehaj, priti në zyrën e tij gjeneral Rrahman Ramën, pas dorëheqjes së tij nga detyra e komandantit të FSK-së, dhe gjeneralmajor, Bashkim Jasharin, në cilësi të komandantit të ri të FSK-së, të sapo emëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.Me këtë rast, ministri Mehaj falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e lartë për kontributin e madh të gjeneral Ramës, të dhënë gjatë UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së, në pozitat e tij udhëheqëse.Më pas, ai uroi gjeneral Jasharin për detyrën e re, duke shprehur edhe nderin dhe privilegjin e madh të tij të bashkëpunojë me njërin nga bashkëluftëtarët dhe nipin e komandantëve legjendarë Adem dhe Hamzë Jashari.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bashkim Jashari

DJALLI KOMUNIST NUK MUND TË BASHKJETOJË ME SHENJËTORËT, Z. KRYEMINISTER

November 30, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli 

A person in a suit

Description automatically generated with low confidence Të shtunën që kaloi Shqipëria dhe Vatikani shënuan 30-vjetorin e marrëdhënieve midis tyre duke kulminuar me një vizitë të shtunën në Vatikan të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe familjes së tij, tre muaj më vonë sepse siç duket kështu i konvenonte agjendës së Kryeministrit Rama. Në të vërtetë, data 7 shtator 2021, përkon 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, të cilat u vendosën më 7 shtator 1991.  Dua të them prej fillimit se si shqiptar i larguar nga vendlindja prej më shumë se gjysëm shekulli, por edhe si katolik nuk mund as nuk dua të fshehi kënaqësinë dhe entuziazmin tim kur një kryeministër ose një president – qoftë nga Shqipëria ose Kosova – bëjnë vizita zyrtare dhe jo-zyrtare në Vatikan.

Me kënaqësi dhe entuziazëm e ndoqa edhe vizitën e ditës së shtunë me 27 nëntor, 2021, të Kryeministrit Rama në Vatikan.  Por vura re një frymë hipokrizie që m’a prishi pak atë entuziazëm dhe kënaqësinë fillestare për vizitën e të parit të qeverisë shqiptare në Kryeqendrën e Kishës Katolike.  E lexova edhe fjalimin e Kryeministrit Rama. Nuk dëshiroj ta kritikoj, por disa gjëra janë aq dukëshme për të cilat duhej të fliste, por që nuk foli Z. Rama, duke zgjedhur t’i anashkalonte. 30-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan (megjithëse tre muaj më vonë) ishte një rast i bukur që KM shqiptar të fliste, si për shembëll për martirizimin e Kishës Katolike shqiptare nga regjimi i Enver Hoxhës. Nuk foli. Nuk e di se pse nuk foli për këtë subjekt. Por dihet se Shqipëria, si asnjë vend tjetër ish-komunist në Evropë edhe sot e kësaj dite refuzon që, zyrtarisht, të distancohet nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si dhe nga krimet e tija monstroze, sidomos kundër përfaqsuesve të Kishës Katolike Shqiptare dhe të feve të tjera kryesore të shqiptarëve, pa përjashtuar edhe përfaqësuesit më të denjë të ajkës së Kombit shqiptar të asaj periudhe të errët të historisë shqiptare.  

“E dimë se si kjo marrëdhënie u nderëpre prej shumë vitesh në mënyrë brutale për shkak të një regjimi që mbi të gjitha e mbi të gjithë i bëri të keqen më ekstreme katolikëve dhe atyre që ndiqnin këtë fe”, tha KM shqiptar në pritjen e organizuar nga e Ngarkuara me Punë e Shqipërisë në Ambasadën shqiptare në Vatikan.  “Prej shumë vitesh”, u shpreh Kryeministri shqiptar ai “regjim” ka “ndërprerë” marrëdhëniet midis dy vendeve. Jo, jo Z. Kryeministër, kemi të bëjmë me një gjysëm shekulli e më tepër krimesh zyrtare, vuajtjesh e persekutimesh, vrasjesh e internimesh. Dhimbjet vazhdojnë edhe sot në radhët e familjeve të atyre martirëve, pasi varret e të afërmëve të tyre, as sot nuk dihet se ku janë dhe nuk kanë mundesi as një tufë lule ta çojnë tek varri, në kujtim të të dashurve të tyre, sepse qeveria shqiptare ka refuzuar, vazhdimisht dhe me papërgjegjësinë më të madhe të merret vet me zubulimin e varreve të viktimave të komunizmit, ndërkohë që refuzon madje edhe bashkpunimin me organizata ndërkombëtare të cilat kanë ofruar ndihmën e tyre financiare dhe profesionale për këtë qëllim. 

Të gjithë ne e dijmë siç e di edhe kryeministri shqiptar se të gjitha viktimat e komunizmit në radhët e klerit katolik shqiptar u vranë dhe u ekzekutuan nga regjimi komunist, të akuzuar, ndër të tjera, si “agjentë të Vatikanit”. Unë nuk di si ta quaj, hipokrizi apo mungesë sinqeriteti, që vetëm me disa fjalë të përgjithëshme, Z. Rama iu referua krimeve të “një regjimi”. Cilit regjim? Zogist, fashist, komunist?  Kam venë re se zyrtarët shqiptarë kur s’kanë hall pa e përmendur komunizmin, i referohen atij si ish-regjimi, monizmi, e ku ta di unë, por frazën “regjim komunist”, pëpiqen ta anashkalojnë. Duket sikur në mendjen e tyre, duke mos e përmendur regjimin komunist me emër, përpiqen të mbrojnë reputacionin e komunizmit të baballarëve të tyre. Por, për derisa Shqipëria zyrtare nuk përballet, seriozisht, si gjitha bota tjetër ish-komuniste, me të kaluarën e saj enveristo-staliniste, e sidomos me krimet e regjimit komunist shqiptar ndaj popullit të vet, askush nuk u beson fjalëve që Kryeministri Rama, me aq “përvujtëri”, tha në Vatikan të shtunën që kaloi.

Ndër të tjera, Z. Kryeministër, përmendi Papa Gjon Palin II, njërin prej protagonistëve të shembjes së komunizmit 30-vjetë më parë, e të cilit, z. Rama me të drejtë iu referua si, “mik i çmuar i Shqipërisë”.  Gjon Pali II nuk do të ishte aspak dakort me heshtjen e Shqipërisë zyrtare dhe të ambasadorëve perëndimdorë në Tiranë ndaj krimeve të komunizmit në atë vend, sidomos ndaj dështimit 30-vjeçar të Tiranës zyrtare për tu përballur me të kaluarën komuniste dhe për të dënuar krimet e komunizmit.  Me një të kaluar të tmershme, që vet Papa Gjon Pali II, i cili i njihte mirë krimet e komunizmit edhe në vendin e tij, Poloninë e tij të dashur, e përshkroi kështu, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, me 25 prill, 1993.  “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, u tha ai shqiptarëve dhe shqiptoi thirrjen për kujtesën e përhershme: “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, ka thenë me atë rast Papa Gjon Pali II, duke shtuar: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhëshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.  Frank Shkreli: Qëndro, Shqipëri! | Gazeta Telegraf

Disa prej viktimave të komunizmit të martirizuar nga regjimi i Enver Hoxhës janë shpallur të “lumtë” nga Vatikani, një shkallë më afër shënjtërimit, sipas rrregullave kishtare. Ashtuqë, e pranon ose jo KM i Shqipërisë, krimet e komunizmit kundër Kishës Katolike Shqiptare dhe klerit të saj dhe të feve të tjera, Vatikani e di shumë mirë se çfarë ka pësuar katolicizmi shqiptar dhe të gjitha fetë e tjera të shqiptarëve nga regjimi i Enver Hoxhës.  

Vura re se Kryeministri Rama dekoroi në Vatikan Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin, me rastin, siç tha ai, të “30-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, të 150-vjetorit të lindjes së françeskanit të madh shqiptar, at Gjergj Fishta dhe të 300-vjetorit të lindjes së Klementit XI Albani…”, Papës me origjinë shqiptare.  Nuk mund të mos bejë pyetjen Z. Kryeministër, se çfarë bëri këtë vit, zyrtarisht, Shqipëria, për të kujtuar këtë 150-vjetor të At Gjergj Fishtës? Në rregull që e përmendët emrin e Fishtës në Vatikan. Por është Shqipëria ajo që ka nevojë — më shumë se Vatikani — ta kujtojë dhe ta respektojë At Gjergj Fishtën. 

Z. Kryeministër, ju dhe si bashkvëllzerit/motrat e juaja në Partinë që ju udhëhiqni, keni folur vetëm gjatë këtij viti, më pozitivisht për komunizmin – që Fishtën e kishte shpallur “tradhëtar dhe i shitur”, ndër të tjera epitete — si një sistem që ishte në anën e duhur të historisë dhe të tjerë kanë folur për të “mirat” e komunizmit në përgjithësi. Sa herë u përmend në Tiranë, zyrtarisht, figura dhe kontributet At Gjergj Fishtës në këtë 150-vjetor të lindjes së tij? Pse nuk u propozua gjatë këtij 150-vjetori të lindjes së Poetit Kombëtar, që epitet e komunizmit kundër Gjergj Fishtës të hiqen zyrtarisht me akt ligjor? Pastrojeni baltën që ka hedhur komunizmi mbi At Gjergj Fishtën dhe të tjerë si ai. Përmendja nga ju e Fishtës në Vatikan është hipokrizi, Z. Kryeministër, kur marrim parasysh se si trajtohet At Gjergj Fishta nga Tirana zyrtare, sot e 30-vjet nga shembja e komunizmit zyrtar. 

parlament-deputet enver hoxha

“Enver Hoxha – Shqiponja mbi Flamur”. Sipas disa portaleve, kjo foto botuar dje nga një ligjvenës socialist, — anëtar i Komisionit të Sigurisë të parlamentit shqiptar (Ditën e pavarësisë, 2021) Nuk ka nevojë të komentohet – Ky është parlamenti i dalë nga “zgjedhjet” e “lira” e 25 prillit – kjo është Shqipëria që doni – Ta gëzoni, së bashku me ndërkombtarët që ju mbështesin në këtë rrugë të mbrapsht!

Edhe një gjë tjerë që më ra në sy ndërsa ndoqa vizitën e Z. Rama në Vatikan. Në fjalimin e tij ai falënderoi përfaqsuesit e Vatikanit në Shqipëri të cilët nuk kanë munguar për asnjë periudhë gjatë këtyre 30 viteve. Ai përmendi edhe tre ambasadorët e parë shqiptarë në Vatikan, por Kryeministri shqiptar nuk tha asgjë për faktin se Shqipëria ç’prej vitit 2013 nuk ka ambassador fuqi-plotë në Vatikan.   Frank Shkreli: Në 30-vjetorin e mardhënieve Shqipëri-Vatikan, karrigia e ambasadorit fuqiplot të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë është ende bosh, që prej 8 vitesh | Gazeta Telegraf – 

Askush nuk jep ndonjë shpjegim se pse po ndodhë kjo mungesë e përfaqësisë së Shqipërisë në nivel ambasadori në Vatikan.  Por diçka është këtu që nuk shkon, sepse shtatorin që kaloi, në emër të Kishës Katolike të Shqipërisë, për këtë çeshtje  u shpreh Imzot Gjergj Meta, Sekretar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkëv i Rrëshenit, me një deklaratë për Radio Vatikanin me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve Tiranë-Vatikan: “Sigurisht se duhet thënë se mungesa e një ambasadori të Shqipërisë në Vatikan qysh prej vitit 2013 nuk është një gjë që na bën fort nder ne si shtet, duke qenë se Vatikani, vazhdimisht, ka sjellë ambasadorë në Shqipëri dhe ne prej disa vitesh pra nuk kemi ambasador në (Vatikan). Jam i sigurt se po të kërkohet dhe po të kihet vullneti i mirë, mendoj se mund të gjëndet një zgjidhje e kënaqëshme për të dy shtetet, por që është edhe përfaqësuese e denjë për shtetin tonë, një zgjidhje e kënaqshme për të gjithë ne”, ka theksuar përfaqësuesi i lartë i Kishës Katolike Shqiptare. 

Në këtë 30-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan – tre muaj më vonë nga data aktuale — nga vizita e Kryeministrit shqiptar në Vatikan – të cilën fillimisht e mirëprita, por që fatkeqësisht, më në fund u zhgënjeva. U habita pak nga zhurma propagandistike e kësaj vizite, sepse vizitat e liderëve botërorë në Vatikan, për nga natyra, janë zakonisht të përmbajtura, jo të bujshme, sa që edhe vet media përmbahet. 

Jo më pak se një ditë pas takimit të kryeministrit Rama me Papa Françeskun në Vatikan, në Ditën e Shënjtë të Pavarësisë së Shqipërisë, na paraqitet djalli i komunizmit shqiptar, krenar pranë Flamurit Kombëtar shpërndar në rrjetët sociale nga një deputet i partisë Socialiste të KM Rama.  

Kur do të distancohet Shqipëria njëherë e mirë nga djalli komunist dhe tu bashkohet vlerave të shënjtorëve, viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës?! 

Frank Shkreli
May be an image of 3 people, people sitting and indoor

All images

           Me Shënjtorin?                                          A po me djallin?

                    Këta të dy nuk e tolerojnë njërin tjetrin, Z. Kryeministër!                                     

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

BIDENI I ÇARMATOSUR PËRBALLË INFLAKSIONIT

November 30, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika/


Punë, punë, punë: duke qëndruar në mendimin që në dhjetëvjeçarët e fundit ka zotëruar politikën amerikane – krijimi i vëndeve të punës – Joe Biden duhej t’ishte në një fuçi hekuri. Infarkti ekonomik i pandemisë jo vetëm nuk ka zhytur Shtetet e Bashkuara në rënie ekonomike, por po e shpie, me gjithë frenimin veror për variantin Delta, drejt një fuqizimi të fortë me papunësinë e ulur në 4,6 përqind. Simbas analistëve të Goldman Sachs, një bankë e njohur e Wall Street-it, të papunët do të vazhdojnë të ulen duke arritur në gjysmën e vitit tjetër në 3,7 përqind e në fund të 2022 në 3,5: në fakt punësim i plotë. Ndërkaq partia e presidentit po shkon drejt një humbjeje kumbuese në votimet e mid term në vjeshtën e ardhëshme, jo vetëm për manevrat republikane mbi kolegjet e rregullat zgjedhore e për aftësnë e së djathtës për të fituar vota mbi “luftërat kulturore”, por sepse inflaksioni ka zëvendësuar punësimin si shqetësimin kryesor të amerikanëve. Rritja e çmimeve – e parashikuar por e nënëçmuar si dukuri e butë dhe e përkohëshme nga Thesari dhe Federal Reserve – është kthyer në një shkëmb që mbyll rrugën e kryesisë Biden. Vetë Goldman Sachs në fakt parashikon që flama e çmimeve (+6,2% në tetor) do të vazhdojë gjatë gjithë dimrit. Gjëndja do të fillojë të përmirësohet vetëm në mes të 2022: me gjasë shumë vonë për të shpërndarë pakënaqësitë e amerikanëve që do të votojnë në nëndor. Biden-i, gjithmonë e më pak popullor në hulumtimet, është i vetëdijshëm: në ndryshim nga ekonomistët e tij të rinj, ka jetuar në kohë të një inflaksioni të lartë dhe e din se gjindja sheh tek qeveria përgjegjësin e asaj takse të fshehtë. Ai thotë se duhet kuptuar dobësia e qytetarëve që shohin të dyfishohet çmimi i karburantit e shpenzojnë shumë më tepër për harxhin e përditshëm. Biden-i e din por është i çarmatosur. Duhet të mbrohet nga padia se ushqen inflaksionin me ndihmat (të dhëna në të njëjtën masë nga ai dhe nga Trump-i gjatë pandemisë) e nuk ka pushtet mbi fajdet industriale, të tregtisë e të punës që shkaktojnë ngritjen e çmimeve. E kur i kërkon OPEK-ut të prodhojë më shumë përqeshet me ligësi: “Bëj vetë: nxirr më shumë naftë nga SHBA”. Por të rihapen puset e mbyllura gjatë lockdown-it nuk është një veprim i lehtë. E po t’a nxiste do të përgënjeshtronte zotimet e tij për dekarbonizimin.
“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Bamirësia heroike e shkodranit Hasan Hoti për familjen izraelite

November 30, 2021 by s p

Pertefe Leka/

Fotografia e ruajtur nga Rashela, dokumenti që i ribashkoi pas 50-të viteve Z.Shalon Adixhes me banim në Haifa ka thënë: ”Sa të jem gjallë do ta kujtoj dhe do t’ia lë amanet edhe pasardhësve, mikëpritjen dhe Besën e popullit shqiptar. Jam strehuar disa kohë në Shkodër, më vonë kam punuar si druvar në “Pyjet e Mamurrsit”. Të gjithë e dinin se ne na kërkojnë nazistët por nuk u gjend një shqiptar të na kallxojë, a të na spiunojë”. Nuk ishte e thjeshtë që pas një periudhe 50 vjeçare të rilidhësh zemrat e atyre që u miqësuan në vatrat e ngrohta shqiptare, gjatë periudhës së Hollokaustit. Për t’i përjetësuar këto lidhje, në Tiranë ishte  ngritur “Shoqata Shqipëri -Izrael” e cila korrespondonte me të njejtën shoqatë të formuar në Izrael. Koha e gjatë e ndarjes ishte  e lidhur me kohën e shtypjes komuniste në Shqipëri, që ndikoi duke lënë stres në kujtesën e njerëzve. Kështu pas shumë përpjekjesh edhe familjet shkodrane i gjetën njerëzit, që kishin strehuar në një kohë, kur edhe ata nga Izraeli ishin vënë në levizje për të kërkuar shpëtimtarët  e tyre. Këto lidhje po e  plotësojnë përditë librin “The Jews of Albania” ku do të ravijëzohet edhe kontributi i familjeve shkodrane në këte sakrificë për dashurinë njerëzore. Për këte hedh dritë një letër e shkruar nga kryetari i degës së Shkodrës për Shoqatën “Shqipëri -Izrael” Z. Vehbi Hoti. Me rastin e dhënies së dekoratës që i ishte akorduar babait tij, Hasan Hoti, në fjalën e mbajtur ai theksoi: ”50 vjet më parë, ne strehuam dhe i ndihmuam izraelitët, jo me mendimin se këta të fundit do t’na e shpërblejnë një ditë, por sepse ndihma jonë ishte një pjesë e pandarë e traditës së mirëfilltë shqiptare. 

Takimi ishte organizuar në Tiranë me 9 Maj 1995, me rastin e 50-Vjetorit të fitorës mbi nazismin. Në këte mbledhje solemne, këshilltarja e Ambasadës Izraelite në Romë, Miriam Ziv, dorëzoi dekoratat me titullin më të lartë për qytetarët e huaj, akorduar nga Izraeli për familjet shqiptare: Bahrije Boriçi, Hasan Hoti, Nora Imami, Zyra Kasapi. Ky vlerësim për fisnikët, kalonte nepër filtrat e verifikimit që ata të merrnin satisfaksionin moral për veprën e lartë që ata kishin bërë në rrethana të vështira. Ja si e paraqet me shumë modesti Zoti V. Hoti këte ndihmesë të familjes tij: “Në ditët e tmerrshme të luftës, kur nazizmi gjerman po bënte kërdinë mbi popujt dhe veçanërisht mbi izraelitët, vjen nga Prishtina në Shkodër,familja e Asher Asheroviq Kutjel  me katër vajzat e tij,  të shoqëruar nga Abdullah Podgorica. Njëra nga  vajzat e Asherit (në Shkodër e thërrisnim Ashim), Rashelen e strehuan në shtëpinë tonë dhe të gjithë ne e thërrisnim Shpresa .Vajzën më të madhe, Bukicën e dërguan në familjen e Dr. Bahri Koplikut. Prindërit me vajzën më të vogël, 14-15 vjeçare i strehuan në Krebe, fshat afër Shkodrës. Vajzën, me emrin Jafica e çuan në familjen e Hamdi Beg Bushatit,  e thërrisnin Nexhmije. Kjo ndarje e vajzave në disa familje, që numerikisht ishin familje të mëdha, u siguronte në të vërtetë jetën e tyre, por rrezikonte shumë jetë njerëzish, në se ata do të zbuloheshin. E pra kjo sakrificë ishte pjesë e nderit të shqiptarit, ishte forcë e karakterit të tij, që mbronte dashurinë njerëzore pa dallim religjioni, race, apo etniteti. Ndër të tjera Zoti Hoti shkruante se, kur ata kishin strehuar Rashelen, oborri i shtëpisë tyre ishte i mbushur me automjete gjermane dhe oficerë të lartë, të cilët kishin me vete dhe shumë ushtarë italian të zënë rob. Në këto rrethana, babai  vendosi  t’i largonte vajzat, motrën dhe Rashelen, të cilat i dërgoi te halla që jetonte vetëm, pasi kishte martuar dy vajzat e saj. Shtëpia,  ku ata u trehuan nuk ishte shumë larg nga shtëpia e Hasan Hotit, por kishte pozicion më të mirë për të siguruar fshehtësinë. Zoti Vehbi mban mend një moment, kur Rashela kërkoi të vizitonte motrën e vet në shtëpinë e Hamdi Beg Bushatit. Rashela kur delte jashtë shtëpisë, vishte çarçaf( veshje që përdornin gratë  myslimane). Gjatë rrugës dalloi hipur mbi kalë oficerin gjerman që i kishte bastisur shtëpinë në Prishtinë. Ajo me një frikë të madhe kishte shtangur në vend dhe nuk mundi të arrinte në destinacion. Si në ekran i kaluan në mendje torturat e SS-it, që i kishte  detyruar ato të kallxonin, ku e kishin floririn. Ditët kalonin dhe Rashela ambjentohej në familjen e re.Ajo gatuante lloj lloj bukësh, bënte punë dore, qepte me mjeshtëri pantofla me shoje të trasha që i përdornin për të fshehur paratë. Ajo komunikonte me njerëzit, pasi njihte gjuhë të huaja. Ky adaptim i shpejtë i mysafirëve u krijonte mundësinë atyre që të lidheshin shpirtërisht dhe të jetonin si në një familje. Pas këtyre lidhjeve të ngrohta, dita e ndarjes që pritej në çdo çast, nuk ishte e lehtë për të dy palët. 9 Maji i 1945 në Shkodër u shoqërua me të shtëna pushkësh dhe me thirrjet, kapitulloi Gjermania. Njerëzit ishin mpirë nga lufta dhe nuk e dinin akoma se çfarë po i priste nga diktatura e re. Kështu gëzonin për ditën e fitores mbi nazizmin. Kjo fitore gjallëroi të gjithë ata që ishin strehuar gjatë luftës për të vazhduar rrugën deri në destinacion.Të grumbulluar të gjithë në oborrin e gjimnazit u përcollën nga familjarët, ku ata ishin strehuar dhe morën udhën drejt Maqedonisë. Ndarjet qenë shumë emocionuese, sepse strehimi i tyre në Shkodër nga bukëdhënësit e qytetit të lashtë, i kishin  afruar  shumë shpirtërisht. Mirënjohja dhe admirimi i izraelitëve ndaj shpëtimtarëve, ishte pa kufi, prandaj përqafimet e fundit u shoqëruan me lot në sy dhe me dashuri në zemër nga të dyja palët. Koha e gjatë e izolimit Komunist i errësoi shpresat e komunikimit: Fjala e urtë popullore se mali me malin nuk takohen, por njerëzit  takohen një ditë, u bë realitet vetëm me fitoren e demokracisë në Shqipëri. Rashela, nënë dhe gjyshe, fill pas ngjarjeve të përmbysjes së komunizmit, dergoi mesazhe të përzemërta familjes së Hasan Hotit, veçanërisht vajzave të shtëpisë, me të cilat ishin si motra, mikesha e shoqe të ngushta, që ruanin kujtimet e ditëve, kur ishin të rrezikuara. Si e realizoi kontaktin, Zonja e moshuar?! Fotografitë ishin dokumenti më identifikues për të bërë rilidhjen me familjen në kërkim. Foton  e dergoi Rashela tek Z. Refik Veseli,( kryetari i shoqatës Shqipëri -Izrael, shqiptari i parë që vendosi flamurin kuq e zi në Jadvashen, pasi kishte strehuar e shpëtuar 7 izraelit, në familjen e tij në Krujë). Interesimi  i saj  ishte në Shkodër, për emrin e kryefamiljarit  “Hasan “, pasi kishte harruar mbiemrin (Hoti). Për të realizuar kërkesën e Zonjës Izraelite, u ngarkua mësuesi A.Parruca , i cili me fotografinë në dorë duhet të gjente në Shkodër familjen e kërkuar prej saj. Së pari Z.Agim Parruca njofton Radio- Shkodrën dhe gazetën lokale “Shkodra”. Duke publikuar  kërkesën e Zonjës  në fjalë, ai  vinte në dukje  fisnikërinë e familjeve shkodrane, mikpritjen e përzemërt, ”Bukë e Krypë e Zemër “, zakonin  e Beses, virtyte të të gjithë shqiptarëve. ( shenim:  Shkodranët  që shpëtuan njerëzit e pafajshëm nga gjenocidi më i egër në historinë botërore, nuk i shpëtuan  dot gjenocidit komunist, ishte qyteti më i përsekutuar  në kohën e diktaturës. Në së  ata strehonin, njerëzit e pafajshëm të familjeve të tyre, të cilët mendonin ndryshe nga komunistët, i pushkatonin së bashku me të strehuarit. Po, edhe në ate terror, shkodranët  qëndruan, ata e vazhduan traditën, pranuan të flijohen, për të dashurit e tyre, luftëtarë  të lirisë). Nepërmjet gazetës, u realizua lidhja  me Zonjën Izraelite, Rashelen, e cila  edhe pse e moshuar, e hapi kutinë e memorjes dhe çfarë kishte ruajtur në zemër, për të shprehur mirënjohjen, admirimin, respektin dhe dashurinë për ate familje të fisme, humane dhe mbi të gjitha të Besës.

Filed Under: Histori Tagged With: Pertefe Leka

FEDERATA PAN-SHQIPTARE VATRA E AMERIKËS FESTOI 109-VJET SHQIPËRI

November 30, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person in a suit

Description automatically generated with low confidenceTë gjithë ata që i ndjellin zi organizatës më të vjetër shqiptaro-amerikane, duke thënë se “Vatra ka mbaruar”, “s’ka më ndonjë rol për të luajtur”, “misioni i saj ka marrë fund”, e tjera dashakeqësi të tilla, duhej të ishte i pranishëm në darkën e organizuar nga kjo federatë historike e komunitetit shqiptaro-amerikan, mbrëmjen e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor, 2021. 

Qëllimi i këtij komenti të shkurtër nuk është që të shkruaj një kronikë të mbrëmjes – sepse jam i sigurt se gazeta Dielli, organ i Vatrës, por edhe gazetarë të tjerë që ishin të pranishëm në darkë, do të pasqyrojnë me korrespeondencat e tyre, në hollësi, fjalimet dhe zhvillimet e mbrëmjes festive në sallën Eastwood Manor të lagjes Bronx. 

Vatra e vitit 2021, drejtohet nga Kryetari i ri, Z. Elmi Berisha, një biznesman i njohur dhe aktivist i dalluar dhe i pa lodhur i komunitetit shqiqptaro-amerikan dhe ish-përfaqësues i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Shtetet e Bashkuara.  Z. Berisha është zgjedhur gati dy vjetë më parë Kryetar i vatrës, me një Kryesi, Bord dhe antarësi të re.  Edhe gazeta Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, gazeta më e vjetër shqiptare që botohet gjithnjë, ka një Editor të ri, gazetarin energjik, Z. Sokol Paja. 

Si pjesëtar i vjetër dhe pjesëmarrës në shumë aktivitete të komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë viteve, vura re mbrëmë se megjithë sfidat me të cilat është përballur në vitet e fundit, Vatra, është me një udhëheqje të re dhe efektive, me një antarësi gjithënjë në rritje, me përfaqsues të një brezi të ri shqiptaro-amerikanësh të ardhur në këtë vend 10-30 vitet e fundit, sidomos me anëtarë të rinjë edhe për nga mosha dhe mirë të edukuar — përfshir në universitetet amerikane – në krahasim me brezat e mëparshëm të shqiptarëve në Amerikë.  Edhe pjesëmarrja prej lartë nga 500 veta në darkën që shtroi mbrëmë Vatra për të shënuar 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e pasqyroi këtë fakt, se diçka duket se po ndryshon, për më mirë, me Vatrën, përfaqsuesën dhe votrën më të vjetër rreth të cilës janë mbledhur shqiptaro-amerikanët, në kohë festash, por edhe për të qarë hallet dhe për të ofruar ndihmë në kohë krizash, me të cilat janë përballur shqiptarët këtu dhe në atdhe, ç’prej themelimit të saj në Boston në vitin 1912.  

Ishte një pjesëmarrje që, në të vërtetë, i tregonte një vërejtësi se megjithë sfidat gjatë historisë së saj, Vatra e Nolit dhe e Konicës, nuk i lëshon armët, Vatra nuk dorëzohet, as përball sfidave të mbrendshme as të jashtëme.  Sepse ky komunitet, brez pas brezi, i gjenë njerzit e duhur në kohën e duhur, jo vetëm për ta mbajtur gjallë Vatrën, por për t’a udhëhequr Vatrën e vjetër në një mision të ri historik, në shërbim të Shqipërisë, Kosovës dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi. 

Pjesëmarrja mbrëmë ishte nga shqiptaro-amerikanë, shumica të ardhur 2-3 dekadat e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica, siç thashë, gjithashtu në moshë të re dhe nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim. Denjësisht u përfaqësuan nga të parët e tyre edhe tri komunitetet tona fetare këtu në Nju Jork, të ulur së bashku në tavolinën e nderit, duke venë në dukje edhe para disa mysafirëve amerikanë harmoninë tonë fetare. Eh, sikurë politikanët shqiptarë do të tregonin të njëjtën harmoni, të pakën për një ditë që u përket të gjithëve, siç është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!

Të pranishëm ishin gjithshtu edhe diplomatët shqiptarë, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova. Ishte, veçanërisht, kënaqësi të shihje përfaqsuesit e Misionit të Shqipërisë në OKB, të cilët — ndryshe nga diplomatët e Kosovës që kanë marrë pjesë, pa dallim, në pothuaj çdo aktivitet të komunitetit gjatë viteve — diplomatët e Shqipërisë kanë munguar, fatkeqësisht, për vite të tëra, në darkat dhe takimet e organizuara nga Vatra. E vërteta është se për diplomatët e Shqipërisë kishim pritur për një gjysëm shekulli, gjatë luftës së ftohët, të na bashkoheshin në raste të tilla.  Për arsye që dihen, diplomatët e Tiranës i mungonin komunitetit për pothuaj një gjysëm shekulli.  Mbrëmë ata u pritën vëllazërisht dhe miqësisht nga krerët e Vatrës dhe nga komuniteti në festën e përbashkët për të gjithë shqiptarët, pa dallim — në Festën e Madhe të pavarësisë së Shqipërisë, të Ditës së Flamurit të 28 Nentorit, 1912.

Kështuqë, kjo darkë tregoi se sa të jenë shqiptarët të bashkuar, ashtu siç ishin mbrëmë në atë takim përkujtimor të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm Shqipëria dhe Kosova do rrojnë e do të përparojnë, por edhe Vatra do të vazhdojë të rrojë dhe të veprojë në interes të Kombit, e drejtuar nga një brez i ri shqiptaro-amerikanësh, ashtu siç ka bërë ç’prej fillim shekullit të kaluar. Me siguri se për derisa të ketë Shqipëri, Kosovë dhe shqiptarë, do të ekzistojë edhe Vatra e Fan Nolit dhe e Faik Konicës. 

Misioni i saj për mbrojtjen e interesave kombëtare në Amerikë dhe në trojet shqiptare, jo vetëm që nuk është shuar, por duket se për Vatrën po shtohet edhe interesimi dhe mbështetja nga shqiptaro-amerikanët e ardhur këtu, vitet e fundit.  Se, Federata Vatra, si organizata më e vjetër dhe më historike në këtë vend, por që ka luajtur edhe një rol kyç e vendimtar gjatë historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve po merr një hov të ri, shtyrë nga një brez i ri shqiptaro-amerikanësh, i cili me ndërgjegjësi morale e kombëtare — me Vatrën dhe në emër të Vatrës — do të vazhdojnë të punojnë për më të mirën e mundur për Atdheun e të parëve tonë shumë të vaujtur. Kryetari Elmi Berisha tha se Vatra po mobilizohet dhe u premtoi të pranishmëve se Vatra nën drejtimin e tij do ndërtojë ura të reja lidhëse me institucionet amerikane në Washington dhe gjetkë. 

Tani, detyrimisht dhe përgjegjësisht, i takon këtij brezi të ri të shqiptarëve që, së bashku, të mbrojë dhe të realizojë objektivin kryesor dhe mbarë-kombëtare, sot për sot, duke vepruar dhe duke punuar me, guxim dhe pa kursim, për një Shqipëri dhe Kosovë vërtetë demokratike, sa më shpejt dhe pa vonesë, si anëtare të plota, me detyrime, përfitime dhe përgjegjësi, në organizmat euro-atlantike ushtarako-politiko-

ekonomike, duke mos harruar, njëkohësisht, as Çamërinë dhe as të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në trojet e tyre arbërore. 

Frank Shkreli

*Foto janë marrë nga gazeta Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra!

May be an image of 15 people and people standing

                                              Disa prej pjesëmarrësve në darkën e Vatrës

May be an image of 6 people, people standing and indoor

Në tavolinën e nderit — Diplomatët shqiptarë – të Shqipërisë dhe të Kosovës – pjesëmarrës në darkën e shtruar nga Vatra me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.  Shpresojmë që kjo foto të jet një testament bashkimi e bashkpunimi midis diplomatëve të Shqipërisë dhe të Kosovës me Vatrën dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan këtu në Nju Jork por edhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara –pasi të dy palët kanë nevojë për njëra tjetrën.

May be an image of 3 people and people standing

    Anëtari i Këshillit të Nju Jorkut, Z. Mark Gjonaj, Kryetari i Vatrës, Z. Elmi   Berisha dhe Nën-Kryetari i Vatrës, Dr Pashko Camaj

May be an image of 10 people and people standing
May be an image of 1 person

    Editori i ri i gazetës Dielli, Z. Sokol Paja drejtoi ceremoninë e darkës

May be an image of 1 person, standing and indoor

                        Pamje nga darka e Vatrës, 28 Nentor, 2021

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT