• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

ALBANIAN CATHOLIC BULLETIN BULETINI KATOLIK SHQIPTAR (1993 – VOL. XIV, fq. 231)

November 16, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI: 

Fritz Radovani: Prof. Gjon Sinishta

Prof. Gjon SINISHTA dhe Fritz RADOVANI (1994)       

Prof. Gjon SINISHTA shkruen:

Radovani, Fritz: At Pjetër Mëshkalla, S.J. 

Shtypshkroja “At Gjergj Fishta”, Tiranë 1993. 

Me sa dij, ky asht libri i parë kushtue jetës e veprës së nji kleriku katolik që botohët në Shqipni mbas përmbysjes së komunizmit. Me shkrue për At Pjetër Mëshkallën, e në të vërtetë për secilin meshtar katolik të mbytun mizorisht nga plumbat ose torturat, puna e detyrueshme në kampët e vdekjes ose helmimi prej dorës së komunistave, do të duheshin volume të tana. Fritz Radovani, autor i këtij punimi të shkurtë, por të ndieshëm e plot inspirim human e fetar, e ka vu rruazën e parë në kollanën e artë t’atyne fatosave që ranë flijë për Fé e Atdhé. Tjerë autorë si Fritzi të marrin tash shembull e të vazhdojnë me ia shtue këto rruaza kollanës me shkrime e vepra të tjera për martirët tonë. 

Libri At Pjetër Mëshkalla S.J., ndahet në tri pjesë. 

Në pjesën e parë auktori përmbledhtas e me një gjuhë të thjeshtë e të afërme me lexuesin, si i thjeshtë e i afërm ka qenë vetë At Mëshkalla, paraqet jetën e tij si atdhetar, meshtar e jezuit me bindjet e tij të forta filozofike, fetare e humane. Radovani përshkruen këtu argumentat e të vërtetat të shqiptueme në rasa të ndryshme prej meshtarit jezuit, që janë ba tashma si legjendë e thesar shpirtnuer jo vetëm për katolikët, por për tanë shqiptarët e ndershëm e liridashës. Qé disa shembuj nga libri: 

Prej melodise së lehtë të zanit të tij ruhen prap këta tinguj… “Vëllazën me të gjithë, pa dallim feje!” Asht Ati i madh, Ati i të gjithëve, muslimanë e të krishtenë, me fé e pa fé, që hapte krahët e u thontë… “Eni, eni djelmët e mij, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!” dhe, së bashku me të gjithë, vazhdonte vuejtjën e mjerimin e pakufi, gjithmonë si Féja e pat mësue, tue pritë delen e humbun… E kur tirani me sy të ngërthyem si mordja, na dukej n’ate skëterrë, e plot lakmi shihte rininë shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte si t’ishte i huej që kombin po i shklet; i Madhi Meshkalla, veç brofte në kambë e zani, si prej vorrit naltohej deri në qiell: “Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”…. 

Kur britën me djegë Ungjillin – një za u dëgjue – inkuizicion…! E Ati u tha: “Digjeni po deshët, se as ju nuk keni për t’ia dalë, si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë, por Fénë e Krishtit nuk kanë mujtë me e zhdukë!” Mizorët terbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë u thotë: “Unë në Zotin besoj e do të fitoj… Ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal, ju shoshojnë keni me hangër, e aty asht fundi  juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”. 

Kjo pjesë e librit përshkruen episode të tjera të fuqishme nga jeta e këtij martiri në pritje me u shpallë shpejt Shejt. 

Episode me randësi e tronditëse, që sjell libri i Radovanit, asht ajo e mbledhjës së përgjithëshme të arsimtarëve me 1967, në Institutin e Naltë Pedagogjik të Shkodrës, gjatë fushatës së turpëshme të “Revolucionit Kultural”. 

“Unë jam katolik e besoj në Zotin!”, ishte deklarata e Mëshkallës, “…Se po të shprehin lirisht mendimet e tyne (njerëzit), ky pushtet nuk ka për të zgjate shumë!”, kjo deklaratë i tërboi pjesmarrësit e shumë prej tyne bërtitën “Pusho, fashist reakcjonar!”. Ndër ata që folën dhe e shanë Mëshkallën me përkushtim e zell partiak, ishte edhe Jup Kastrati, që sot mban ligjerata i ftuem nga diaspora e New Yorkut!!!

Pjesa e dytë e librit përmban poezi e shkrime me tema të ndryshme shkrue prej At Pjetër Mëshkallës. Qé nji poezi të cilën auktori e ka shkrue gjatë burgimit të tij në Burrel, e asht në temën e Shën Augustinit: 

                                         JETË  E  RÉ

                             Në zemrën time lindi jeta

                         ……………………………………. 

BB(Burgu i Burrelit)1954  (Shif tek Pjesa e II-të, faqe 32.)

Pjesa e fundit e librit të Fritz Radovanit për At Meshkallën, riprodhon shkrime zyrtare nga “Bashkimi” e fletore të tjera komuniste kundër këtij tribuni të pamposhtun për fé, liri e drejtësi. Poashtu, botohen disa intervista, sidhe një biografi e shkurtë e martirit. 

Në fund njoftohet për dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipnisë, Dr. Sali Berisha, me të cilin: 

 At Pjetër Mëshkalla S.J. dekorohet me Medaljën e Artë “PISHTAR  I  DEMOKRACISË”. 

Libri i Fritz Radovanit asht për t’u lexue nga çdo shqiptar që mban për zemër parimet e shejta të Atdheut, Fesë e Lirisë. 

                                                                          Palokë PLAKU

                                            (Pseudonimi i Prof. Gjon Sinishtës) 

           I dashtun Fritz! 

Palokë Plaku, Lul’ash Dajçi, sidhe Agim Kosova janë pseudonime të mija. Të falëmnderës për materialin “11 Mars 1948”, të cilin do ta botoj në numur XV (viti 1994), që do të jetë i fundit nga shkaku i sëmundjës së randë që kam. 

Tue t’urue shëndet e çdo të mirë shpirtnore e trupore:

                                                                              Të përqafoj,

                                                                    Gjon Sinishta (firma) 

Shënim FR: Vuna artikullin dhe letrën e të Ndjerit Prof. Gjon Sinishta, në shenjë mirënjohje dhe respekti të përjetëshem, për vlerësimin që i ka ba punës seme modeste. 

Ky asht i vetmi artikull që u botue për librin tem mbrenda e jashtë Shqipnisë! 

                                                                   Me nderim të veçantë,

      Melbourne 2004.                                                            Autori  

Shenim FR: Botohet e plotë pa asnjë ndryshim nga origjinali. 

Melbourne, 16 Nandor 2021.

Filed Under: Histori

Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve në “Ditët e Alfabetit”

November 16, 2021 by s p

Shkup, 15 nëntor 2021 – “Letërsia arbëreshe në rrjedhë të shekujve” ishte tema e ditës së sotme të manifestimit tradicional kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh, me ç’rast referuan studiues të njohur të letërsisë shqiptare. Në fjalën e hapjes, udhëheqësi i Departamentit të Letërsisë Shqipe në ITShKSh, Emin Azemi, tha se arbëreshët i mbajti gjallë letërsia, qoftë ajo gojore apo e shkruar, kurse figurat historike, siç ishte ajo e Skënderbeut, për arbëreshët e Italisë përveç që nënkuptonin atdheun e të parëve, ato ishin edhe bërthama tematike e fabulare e krijimeve të tyre artistike. Kultura arbëreshe në përgjithësi dhe letërsia në veçanti për botën shqiptare paraqet kalendarin më të ndritshëm kulturologjik e emancipues. Letërsia artistike dhe gazetaria fillin e ka tek arbëreshët me poemën Këngët e Milasoas të De Radës dhe me të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, gjithashtu e De Radës,  në të cilën ai  shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, u shpreh Azemi. Më tutje, studiuesi i njohur Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kalabrisë, foli në temën “Rreth letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, Hamit Xhaferi nga Universiteti i Evropës Juglindore iu qas temës “Mbi disa veçanti të letërsisë arbëreshe”, Kamber Kamberi nga Universiteti i Gjakovës foli në temën: “Mbi krijimtarinë e Françesk Anton Santorit”. Studiuesi nga Universiteti i Shkupit Zeqirja Neziri referoi në temën: “Gjella e Shën Mërís Virgjër” (1762) e Jul Varibobës, Labinot Berisha në temën: “Neumenia” e Anton Santorit, tragjedia e parë në gjuhën shqipe (botimi i Prishtinës)”, dhe Arben Veselaj paraqiti kumtesën “De Rada, një pamje johistoriciste”. Studiuesi Arben Fetoshi pati një qasje të zgjeruar rreth librit “Triptikon arbëresh” të autorit Arben Veselaj.

Dhe krejt në fund, këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, solli emocione të veçanta me interpretimin e këngës më të re nga repertori i tij me titull “Baladë për Zef Kakocën”, që i kushtohet kantautorit dhe artistit të madh arbëresh Zef Kakoca, i cili kohë më parë iku në amshim.      

Në “Ditët e Alfabetit -2021” në vijim do të ketë aktivitete të njëpasnjëshme deri më 22 nëntor, me ç’rast nga studiues të ndryshëm do të shtjellohen temat: “Gjuha arbëreshe, dëshmia kryesore e mbijetimit”, “Françesko Altimari studiues i gjuhës dhe i letërsisë arbëreshe”, “Matteo Mandala studiues i letërsisë dhe i filologjisë arbëreshe”, “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Muzika arbëreshe”, etj. 

Filed Under: Politike

Disidenti i Çdo Stine – Kasëm Trebeshina

November 16, 2021 by s p

Naum Prifti/

Në Shqipëri diktatura  vigjilonte mbi të gjitha sferat e krijimit artistik. Shprehjet e lirisë së mendimit ndëshkoheshin qysh në embrion gjë që solli gjallimin e një disidencë te heshtur, personale ose në rrethe të ngushta. 

I vetmi shkrimtar i deklaruar disident ishte Kasëm Trebeshina. Për katër dekada, ai mbrojti pa kompromis pikëpamjet e tij dhe shkruajti me pasion gjithçka që mendonte se e vlente të hidhej në letër. Kasëmi besonte pa fije hezitimi se një ditë diktatura do të shembej dhe veprat do të shihnin dritën e botimit, qoftë edhe pas vdekjes së tij. Binomi i jetës së tij të gjatë e prodhimtare janë burgimet e gjata dhe krijimet disidente. 

Gjatë kohës së luftës Kasëm Trebeshina u radhit në rreshtat e Lëvizjes dhe falë trimërisë së tij arriti detyrën e komandantit të batalionit, në moshë shumë të re. Pas lufte shkoi të kryente studimet në Bashkimin Sovjetik, por sapo mësoi gjuhën ruse, e braktisi fakultetin.

Kasëmi jo vetëm e kuptoi shpejt greminën ku po rrokullisej Shqipëria por edhe ngriti zërin që ta dëgjonte ideatori i gremisjes. Me guxim prej të krisuri, i dërgoi një promemorie Enver Hoxhës në tetor të vitit 1953, ku e paralajmëronte të hiqte dorë nga rruga e Luigjit të XIV.  Me një fjali të vetme, Trebeshina e lakuriqësonte sistemin: “Një parti që merr urdhëra të prera dhe të padiskutueshme nga lart nuk është më parti, por një repart gazerme”.  Promemoria kritikonte politikën e partisë dhe kultin e individit, si edhe demaskonte realizmin socialist si metodë kufizuese. Realizmi socialist, sipas tij, ishte binjakëzim me idetë e absolutizmit francez, si teori edhe si praktikë. Ai nuk i kursente kritikat kundër metodës së himnizuar nga pushteti dhe pohonte se realizmi socialist garantonte shtrembërime të përbindshme, e ndërkohë jepte edhe skemën tipike të subjekteve letrare. “Një inxhinier i mirë, një i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… Një fshatar i mirë, një i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet” shprehej Kasemi. Me kthjelltësi mendimi dhe argumentimi, ai fshikullonte partinë dhe kultin e individit me frazën “Është pranuar nga të gjithë se sado i mençëm dhe i zoti që të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i di të gjitha”. Dhe “Në përfundim të këtij procesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak,” ishte parashikimi largpamës i tij. 

Reagimi i Enver Hoxhës qe i ashpër dhe i menjëhershëm. Kasëm Trebeshina, profesor Mark Ndoja, Sektretar i LIdhjes së Shkrimtarëve dhe Mehmet Myftiu, u përjashtuan nga partia si heretikë, me akuzën se nuk pranonin udhëheqjen e partisë në letërsi e art, dhe se iu kundërvunë vijës së saj. Ata u shkarkuan nga postet dhe detyrat që kishin në Lidhjen e Shkrimtarëve, dhe me urdhër nga lart, sigurimi i arrestoi dhe hetuesia ia dorëzoi gjyqit. Kasëm Trebeshina dhe profesor Mark Ndoja u dënuan me burgim, ndërsa Mehmet Myftiu, si letrar i ri, me internim. Ky ishte burgimi i parë që u pasua me burgosje të tjera të Kasemit, shpesh me akuza të kota. Disa herë ai shpalli grevë urie në burg si protestë për dënimet e padrejta duke shkuar deri në buzë të varrit.

Në vitet ’80, Kasëm Trebeshina, i dërgoi udhëheqjes, disa ditë para zgjedhjeve për deputet të Kuvendit Popullor një letër në të cilën  ai deklaronte se zgjedhjet ishin farsë e pështirë politike, se rezultati 99.99 për qind ishte paracaktuar. Ai shkruante se nuk ia vlente të shkonte në qendrën e votimit formalisht, se demokracia ishte përdhosur dhe vota e qytetareve s’kishte asnjë vlerë. Kjo ishte sfidë e hapur kundër udhëheqjes dogmatike shqiptare, kur ajo pretendonte për unitet të çeliktë, ndërkohë që dënonte me qindra shtetas për mendimet e tyre. A do ta gëlltiste udhëheqja deklaratën e tij si përçarje e një të luajturi apo do ta ndëshkonte me egërsi sipas një praktike të konsoliduar?

Egërsia fitoi. Kasëmi u dënua përsëri me burgim. Lajmin ma kumtoi Llambi Blidoja, një nga konfidentët e paktë të Kasëm Trebeshinës, te i cili ai shkonte për vizitë edhe në shtëpi. Ai i kishte besuar Llambit disa nga dorëshkrimet e tij disidente, midis të cilëve edhe romanin “Kënga Shqiptare”.  Atë vepër Llambi ma dha ta lexoja në mirëbesim. Boshtin e romanit e përbënin ngjarjet tronditëse të të ashtuquajturit “fraksion i Vlorës” në kontekstin e kontradiktave të brendshme të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, në formën e intrigave, krimeve dhe vrasjeve prapa shpine. Romani thellësisht realist përfshinte një tabllo të gjerë të shoqërisë, qytetare dhe fshatare, të rinj e të moshuar, studentë, feudalë, oficerë, politikanë, etj. 

Një ditë para së dielës së votimeve, Kasëm Trebeshinën e arrestoi sigurimi, duke i konfiskuar të gjitha dosjet e dorëshkrimeve të tij, kryesisht drama e komedi, për të vërtetuar akuzat kundër tij. Kujtoj këtu se drama e tij “Kruja e Rrethuar” e kishte ngritur në radhën e shkrimtarëve të njohur. 

Lidhja Përdoret si Vegël e Akuzës ndaj Disidentit 

Për t’i dhënë ekspertizës ligjore peshë dhe seriozitet, hetuesia angazhoi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Gati tridhjetë drama e komedi te Kasemit iu dorëzuan Dalan Shapllos, që t’ua shpërndante shkrimtarëve, duke u kërkuar relacione me shkrim rreth përmbajtjes se tyre. Dalanit i premtuan se shkrimtarët nuk do të thërriteshin si dëshmitarë të akuzës në gjyq, por më vonë doli se e mashtruan. Organet ngulmuan se rregullat procedurale kërkonin që relatuesit të depononin vetë para trupit gjykues. Mbaj mend se Dalani protestoi për mashtrimin, por nuk ia vuri veshin askush.

Midis dramaturgëve që Dalan Shaplloja ngarkoi për të shqyrtuar veprat, isha edhe unë. Më erdhi disi e papritur, sepse unë nuk isha nga njerëzit e afërm apo të besuar të Lidhjes. Ai më dorëzoi pesë vepra të Kasëm Trebeshinës, pa përzgjedhje, ato që i zunë duart nga togu i dorëshkrimeve sipër tryezës së tij. Më vuri në dijeni se duhet t’i lexoja e të shkruaja një relacion rreth përmbajtjes së tyre.

Nga  njëra anë më erdhi mirë që do të lexoja pesë vepra disidente, nga ana tjetër nuk doja kurrsesi ta rëndoja Kasëm Trebeshinën me akuza ideopolitike. E dija se ai ende shkruante edhe pse nuk kishte asnjë shpresë për botim. Për mua, kjo ishte vërtet e jashtëzakonshme, mbasi ne të tjerët zakonisht i shpinim veprat për botim pa u tharë mirë boja. Të shkruaje kur e dije mirëfilli se krijimet s’kishin për ta parë dritën e botimit, ishte ndoshta marrëzi, apo ndoshta heroizëm. Duhej vullnet dhe forcë e brendshme të hidhje në letër dhe ‘dokumentoje’ ndjenja dhe mendime disidente, të cilat mund të ktheheshin në prova të fajësisë në duart e regjimit.  E admiroja për guximin e tij. Sa herë takohesha me dhëndrrin e tij, Faruk Zarshati, të cilin e kisha njohur nëpërmjet piktorit dhe mikut tim, Llambi Blido, e pyesja për Kasëmin. Ai, me ndrojte më thoshte se Kasëmi vazhdonte të shkruante. 

“Histori e Atyre Që s‘janë Më”

I lexova faqet e daktilografuara me një frymë, ku subjektet dhe idetë kishin vërtetësi dhe nuk vuanin nga atrofizimi që kishte sjellë në Shqiperi dhunimi i artit dhe i letërsisë nga politika. Njëra prej tyre “Histori e Atyre Që s‘janë Më” ishte akuzë e fortë kundër njerëzve të sigurimit, të zvetënuar moralisht. Duke menduar se dramat do të asgjësoheshin prej Sigurimit, me erdhi keq që të humbte në hirin e zjarrit një vepër e tillë me vlera. Duhej shpëtuar, por si e në ç’mënyrë? Më duhej të ngutesha se veprat duheshin dorëzuar në Lidhjen e Shkrimtareve tok me relacionin, pas tre-katër ditësh. Më shkrepi në mend ideja ta fotografoja dramën faqe për faqe, ashtu sikurse kisha parë në filmat e spiunazhit. Mirëpo s’kisha as aparat të përshtatshëm, as film. Megjithatë i entuziazmuar nga ideja shkova te Llambi duke shpresuar se mund ta fotografonim me ndihmën e Burhan Camit, mik e shok i besuar, metodist te Pallati Mësuesi. Llambi shfaqi rezerva për sugjerimin tim, duke thënë se filmi duhej larë dhe se fotografi që do ta stamponte mund të dyshonte pse ishin fotografuar ato faqe dhe argumentet e tij e fundosën shpresën time për ta shpëtuar veprën. Mirëpo Llambi sugjeroi një rrugë më praktike. Ai tha se ishte gati t’i kopjonte me dorë 45-46 faqet e daktilografuara. Vërejta se do t’i duhej shumë kohë, por ai tha se do ta raciononte kopjimin me vajzën dhe djalin e tij. Ky ishte akt i mbarsur me rreziqe si për ta edhe për mua, që e kisha vënë dramën në duart e tyre. Llambi e kopjoi dhe ma ktheu veprën që ta dorëzoja në afatin e caktuar. Mendimi se kisha shpëtuar nga asgjesimi një vepër disidente me vlerë më jepte një kënaqi shpirterore të pastër dhe të mirëfilltë.

Përgatita relacionin sa më butë që munda, me argumentin se dramat e komeditë e Kasëm Trebeshinës ishin frut i një fantazie krijuese madje çoroditëse, se meqë aty nuk kishte asgjë realiste, atëhere nuk kishte aludime kundër sistemit. Si shembull merrja komedinë “7 Kilometra Larg Parajsës”, nga e cila nuk mund të përftohej ndonjë ide e saktë në paraqitje. Ia thashë këto mendime edhe Dalanit, por ai më tha se në disa vepra të tjera aludimi ndihej qartë. Përmendi një dramë me emra personazhesh Anvar dhe Mahmud, aludim për Enverin dhe Mehmetin, pavarësisht se veprimi vendosej në shkretëtirën e Egjyptit. Unë iu shmaga paraqitjes në gjyq, me anë të një justifikim të besueshëm. Më pas më thanë se atje u lexua relacioni im. Ky rast më ka bërë të besoj se ne jemi të lidhur në mënyrë të pashmangshme me njëri-tjetrin sado të përdredhura të jenë rrugët e fatit. Disa vite pas rrëzimint të diktaturës, Kasëmi i tha Llambit; “Vetëm Naum Prifti pati kurajon të më mbronte në gjyq”.  Keto fjalë m’i tha edhe mua, kur u takuam rastësisht pranë Medresesë. Më falënderoi për dramën e kopjuar, pasi atë variant nuk e posedonte. Drama “Historia e Atyre që S’janë Më” u shfaq me sukses në Paris në vitet 1994-1995. Mendova se kisha zgjedhur një vepër me vlera për stigmatizimin e diktaturës. 

Demokracia shqiptare apo sistemi që u quajt kështu pas rënies së komunizmit në Shqipëri nuk do gjente figurë më të denjë disidence se Kasëm Trebeshina. Por tashmë u bë e modës të kishe qenë disident, prandaj atij ia morën dhe ia zbehen edhe atë që ishte identiteti i tij. Sado të thotë Kadareja se në Shqipëri nuk kishte disidencë të hapur dhe sado që t’ia mbajnë ison idhëtarët e shumtë, me cfarëdo lloj përdredhje të realiteteve të arsyetohet ai sot për trajtimin elitist të tij, Kasëm Trebeshina jo vetëm ishte disident atëherë kur Kadareja nuk ishte, por ai është edhe sot kur Kadareja ende nuk bëhet dot disident as i këtij sistemi. 

Një pjesë e veprave të tij u botuan, dhe midis tyre edhe romani “Kënga Shqiptare”.  Ambicjet, anësitë dhe intrigat e më të vegjëlve në talent dhe karakter, si edhe të atyre që pohojnë pa turp se nuk ka pasur disidencë në Shqipëri (sepse ata vetë nuk ishin të tillë) u bënë arsyetuesë të shpërfilljes dhe lënies mënjanë të veprave dhe të autorit Kasëm Trebeshina. Ai lindi në Berat, Shqipëri, në 8 gusht 1925 – ndërroi jetë në  Ankara, Turqi, në 6 nëntor, 2017.  Këto janë vetëm data biografike të cilat vlejnë për përvjetorë lindje a vdekje dhe shkrime përkujtimore si ky. 

Në jetë si edhe në vdekje, i papenguar nga asgjë tokësore, ai mbetet shkrimtari, poeti, dramaturgu, publicisti dhe disidenti vetëmohues, Kasëm Trebeshina. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

Projekti “Korridori Adriatik-Alpe” projekt komplementar, integrues, zhvillimor, mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar

November 16, 2021 by s p

Nga: Mr.sc. Halil Ahmeti Kryetar i shoqates “Drini Gjakovë-Shkodër”

Është kënaqësi dhe privilegj të shkruaj për një temë të rëndësishme në dobi të interestit kombëtar dhe ndërkombëtar “Korridori Adriatik-Alpe” për të cilin projekt është bërë 20 vite punë e jashtëzakonshme në hartimin dhe lobimin e këtij projekti jetik për 1 milion banorë të Shqipërisë Veriore dhe Verilindore, Kosovës, Malit të Zi dhe rajonit në tërësi në funksion të integrimit të popullsisë lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare. Një vëmendje e veqantë I është kushtuar infrastrukturës lidhëse me qëllim të krijimit të kushteve për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve si një domosdoshmëri për ecjen përpara me ritme të përshpejtuara dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm. 

Kontribut të rëndësishëm në drejtim të realizimit të këtij projekti madhor kanë dhënë “Shoqata MESHBUSH Shkodër” me kryetar Z.Filip Guraziu ( ish-kryetari i Bashkisë Shkodër), Z.Karl Kamsi, Z.Eqrem Agaj, Anton Leka Kryetar i Dhomës Tregtisë dhe Industrisë Shkodër, Deputeti i Parlamentit Shqipëtar Z.Azgan Haklaj bashkë me deputetin e Kuvendit të Kosovës Z.Halil Ahmeti, tani Kryetar i Shoqatës Drini- Gjakovë-Shkodër, Kryetari i Dhomës tregtisë dhe industrisë Tropojë Z.Skender Hoxhaj (tani i ndjerë) dhe projektuesi i segmentit të rrugës Qafë Morinë-Fierzë Z.Hasan Ponari (poashtu i ndjerë),  për këtë projekt madhor të infrastrukturës rrugore krahas Rrugës së Kombit dhe Autostradës “Ibrahim Rugova” si projekte epokale për lidhjen e dy shteteve Shqiptare dhe të hapësirës gjithëkombëtare me rajonin në tërësi.

Është imperative që kjo lidhje rrugore të shëndrrohet në një korridor të plotë me linjë hekurudhore bashkë me linja të transmetimit të energjisë , të telekomunikacionit etj, për tu bërë gjithëfunksionale në shërbim të integrimit sa më të plotë. Ky korridor i rëndësishëm që lidh Portin e Shëngjinit me Gjakovën përmes Luginës së Drinit do të ishtë një arterie tjetër infrastrukturore komplementare gjithëshqiptare e ëndërruar, e synuar me vite e vite, por edhe pse është folur shumë nga njerëz të gjitha fushave të dijes e gjitha pozicioneve politike apo shtresa shoqërore në Kosovë dhe Shqipëri, kaluan 20 vite dhe ende ka mbetur pa hyrë si prioritet nga dy Qeveritë, Shqiptare dhe e Kosovës, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë cilvile, të popullatës dhe së fundmi edhe peticionet e organizuara nga Shoqata Drini Gjakovë-Shkodër dhe Drini Shkodër-Gjakovë të firmosura nga institucionet e pushteteve qëndrore, lokale dhe qytetarët e gjitha hapësirave shqipëtare, mërgata kudo në botë dhe firmat e deputetëve të dy parlamenteve Kosovë e Shqipëri me 151 nëshkrime, i cili i është dorëzuar kryeministrit të Shqipërisë, Z.Edi Rama, ish-Kryeministrit të Kosovës Z.Isa Mustafa, Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Z.Qemal Minxhozi dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës Z.Albin Kurti.

Mjetet e shkruara dhe elektronike të informimit sidomos në Kosovë i kanë kushtuar vend meritor realizimit të këtij korridori i quajtur “ Korridori Adriatik – Alpe” (Korridor i shpresës) si projekt tejet i rëndësishëm për zhvillimin, riintegrimin komplementar të trevave të shkëputura shqiptare, pjesë e së cilës është edhe rruga e promovuar Ponoshec – Qafë Morinë (ndërtuar në vitin 2005). Mendoj se nuk duhet lejuar që ndërtimi i korridorit Adriatik – Alpe të mbetet edhe më tej si çështje e Dukagjinit dhe të Shqipërisë Veriore e Verilindore apo të ju shërbejë partive politike vetëm si “karrem” propagandistik gjatë fushatave të tyre parazgjedhore. Përkundrazi ndërtimi me urgjencë dhe lëshuarja në qarkullim e kësaj arterie rrugore transballkanike parashtrohet si një detyrë e ngutshme mbarëkombëtare ndaj Qeverisë të Shqipërisë dhe Qeverisë të Kosovës të cilat në bashkëpunim të drejtpërdrejtë duhet të parashtrojnë arsyeshmërinë ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe sidomos Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore si dhe alternativat tjera për të financuar realizimin e këtij projekti integrues zhvillimor.

Disa herë qeveritë, e Kosovës dhe Shqipërisë, kanë përmëndur zhvillimin e zonave të lira ekonomike, posaqërisht në dy anët e kufirit administrativ, por deri më tani asnjë shenjë nuk është dhënë për fillimin e implementimit të tyre. Nga viti 2002 janë mbajtur tre simpoziume kombëtare në Shkodër, Gjakovë dhe Lezhë, është hartuar projekti i studiuar nga ekspertët e gjitha fushave  dhe më vonë është bërë studimi  fisibilitetit në vitin 2012 nga Qeveria Shqiptare i cili ekziston në ARSh, dhe janë mbajtur qindra takime nga Shoqata Drini në nivele të ndryshme institucionale, qoftë me pushtetin vendor në Shqipëri dhe Kosovë për të ndikuar te dy qeveritë se sa më parë ky projekt me rëndësi të jetësohet. Nuk besoj se ekziston luginë në kontinentin evropian që sot në shekullin 21 të jetë ende izoluar për arsye të mos ndërtimit të një arterieje të domosdoshme rrugore apo hekurudhore, e si pasojë një pjesë e madhe e banorëve e ka braktisur vendin për shkak të gjendjes së gjysmëizolimit dhe të prespektivës për një jetë të dinjitetshme. 

Prandaj edhe një herë parashtojmë kërkesë decidive ndaj pushtetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, që bashkarisht të angazhohen seriozisht për realizimin e detyrës programore të projektit Adriatik-Alpe duke siguruar burime të mjeteve të domosdoshme nga institucionet e njohura financiare , ndërkombëtare dhe të formave tjera të financimit për realizimin e këtij projekti me rëndësi madhore mbarëkombëtare e ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Halil Ahmeti

NUK MUND TË KETË ARDHMËRI ME SHIKIM NË RETROVIZORËT E HISTORISË

November 16, 2021 by s p

Nga prof.dr. Skender ASANI

Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.

Marrëdhëniet në mes të popujve në Ballkan gjithmonë kanë qenë të ngarkuara me tensione dhe raporte të pasqaruara etnike si pasojë qasjes së gabuar të elitave politike për t’i tejkaluar ato probleme. Ka kohë që flitet për një paqe të përgjithshme në Ballkan, mirëpo si duket oligarkive politike iu konvenon status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska,  kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë sl Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë si një aleat që do të mund ta nxirrte nga ngërçi i marrëdhënieve të tensionuara me Bullgarinë. 

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik i cili do t’i largonte mjegullat e historisë nga tryeza e negociatave. Nuk ka zgjidhje të mosmarrëveshjeve me formula historike të shek. 19, për arsye se tani jetojmë në një realitet të ri, politik, social e ekonomik. 

Kjo vlen edhe për kontestin në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të shmangen nga hijet e së kaluarës dhe t’i mbështeten plotësisht procesit eurointegrues të BE, që parasëgjithash kërkon fqinjësi të mirë dhe besim reciprok në mes të palëve.

 Shtetet e rajonit tani kanë arritur t’i përshtaten një harte të re gjeopolitike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sot kemi komplet një realitet të ri. Maqedonia është e pavarur, Kosova gjithashtu, ndërkohë që Bullgaria e Serbia duhet ta pranojnë dhe respektojnë këtë realitet. Por edhe elitat politike në Prishtinë dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste të problemeve. 

Nuk mund të ecet përpara duke e mbajtur shikimin në retrovizorin e historisë sepse aksidentet në rrugëtim janë të pashmangshme. Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.

Shkup, 15 nëntor, 2021

(Autori është drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup)  

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Asani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT