Nga: Mr.sc. Halil Ahmeti Kryetar i shoqates “Drini Gjakovë-Shkodër”
Është kënaqësi dhe privilegj të shkruaj për një temë të rëndësishme në dobi të interestit kombëtar dhe ndërkombëtar “Korridori Adriatik-Alpe” për të cilin projekt është bërë 20 vite punë e jashtëzakonshme në hartimin dhe lobimin e këtij projekti jetik për 1 milion banorë të Shqipërisë Veriore dhe Verilindore, Kosovës, Malit të Zi dhe rajonit në tërësi në funksion të integrimit të popullsisë lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare. Një vëmendje e veqantë I është kushtuar infrastrukturës lidhëse me qëllim të krijimit të kushteve për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve si një domosdoshmëri për ecjen përpara me ritme të përshpejtuara dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm.
Kontribut të rëndësishëm në drejtim të realizimit të këtij projekti madhor kanë dhënë “Shoqata MESHBUSH Shkodër” me kryetar Z.Filip Guraziu ( ish-kryetari i Bashkisë Shkodër), Z.Karl Kamsi, Z.Eqrem Agaj, Anton Leka Kryetar i Dhomës Tregtisë dhe Industrisë Shkodër, Deputeti i Parlamentit Shqipëtar Z.Azgan Haklaj bashkë me deputetin e Kuvendit të Kosovës Z.Halil Ahmeti, tani Kryetar i Shoqatës Drini- Gjakovë-Shkodër, Kryetari i Dhomës tregtisë dhe industrisë Tropojë Z.Skender Hoxhaj (tani i ndjerë) dhe projektuesi i segmentit të rrugës Qafë Morinë-Fierzë Z.Hasan Ponari (poashtu i ndjerë), për këtë projekt madhor të infrastrukturës rrugore krahas Rrugës së Kombit dhe Autostradës “Ibrahim Rugova” si projekte epokale për lidhjen e dy shteteve Shqiptare dhe të hapësirës gjithëkombëtare me rajonin në tërësi.
Është imperative që kjo lidhje rrugore të shëndrrohet në një korridor të plotë me linjë hekurudhore bashkë me linja të transmetimit të energjisë , të telekomunikacionit etj, për tu bërë gjithëfunksionale në shërbim të integrimit sa më të plotë. Ky korridor i rëndësishëm që lidh Portin e Shëngjinit me Gjakovën përmes Luginës së Drinit do të ishtë një arterie tjetër infrastrukturore komplementare gjithëshqiptare e ëndërruar, e synuar me vite e vite, por edhe pse është folur shumë nga njerëz të gjitha fushave të dijes e gjitha pozicioneve politike apo shtresa shoqërore në Kosovë dhe Shqipëri, kaluan 20 vite dhe ende ka mbetur pa hyrë si prioritet nga dy Qeveritë, Shqiptare dhe e Kosovës, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë cilvile, të popullatës dhe së fundmi edhe peticionet e organizuara nga Shoqata Drini Gjakovë-Shkodër dhe Drini Shkodër-Gjakovë të firmosura nga institucionet e pushteteve qëndrore, lokale dhe qytetarët e gjitha hapësirave shqipëtare, mërgata kudo në botë dhe firmat e deputetëve të dy parlamenteve Kosovë e Shqipëri me 151 nëshkrime, i cili i është dorëzuar kryeministrit të Shqipërisë, Z.Edi Rama, ish-Kryeministrit të Kosovës Z.Isa Mustafa, Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Z.Qemal Minxhozi dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës Z.Albin Kurti.
Mjetet e shkruara dhe elektronike të informimit sidomos në Kosovë i kanë kushtuar vend meritor realizimit të këtij korridori i quajtur “ Korridori Adriatik – Alpe” (Korridor i shpresës) si projekt tejet i rëndësishëm për zhvillimin, riintegrimin komplementar të trevave të shkëputura shqiptare, pjesë e së cilës është edhe rruga e promovuar Ponoshec – Qafë Morinë (ndërtuar në vitin 2005). Mendoj se nuk duhet lejuar që ndërtimi i korridorit Adriatik – Alpe të mbetet edhe më tej si çështje e Dukagjinit dhe të Shqipërisë Veriore e Verilindore apo të ju shërbejë partive politike vetëm si “karrem” propagandistik gjatë fushatave të tyre parazgjedhore. Përkundrazi ndërtimi me urgjencë dhe lëshuarja në qarkullim e kësaj arterie rrugore transballkanike parashtrohet si një detyrë e ngutshme mbarëkombëtare ndaj Qeverisë të Shqipërisë dhe Qeverisë të Kosovës të cilat në bashkëpunim të drejtpërdrejtë duhet të parashtrojnë arsyeshmërinë ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe sidomos Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore si dhe alternativat tjera për të financuar realizimin e këtij projekti integrues zhvillimor.
Disa herë qeveritë, e Kosovës dhe Shqipërisë, kanë përmëndur zhvillimin e zonave të lira ekonomike, posaqërisht në dy anët e kufirit administrativ, por deri më tani asnjë shenjë nuk është dhënë për fillimin e implementimit të tyre. Nga viti 2002 janë mbajtur tre simpoziume kombëtare në Shkodër, Gjakovë dhe Lezhë, është hartuar projekti i studiuar nga ekspertët e gjitha fushave dhe më vonë është bërë studimi fisibilitetit në vitin 2012 nga Qeveria Shqiptare i cili ekziston në ARSh, dhe janë mbajtur qindra takime nga Shoqata Drini në nivele të ndryshme institucionale, qoftë me pushtetin vendor në Shqipëri dhe Kosovë për të ndikuar te dy qeveritë se sa më parë ky projekt me rëndësi të jetësohet. Nuk besoj se ekziston luginë në kontinentin evropian që sot në shekullin 21 të jetë ende izoluar për arsye të mos ndërtimit të një arterieje të domosdoshme rrugore apo hekurudhore, e si pasojë një pjesë e madhe e banorëve e ka braktisur vendin për shkak të gjendjes së gjysmëizolimit dhe të prespektivës për një jetë të dinjitetshme.
Prandaj edhe një herë parashtojmë kërkesë decidive ndaj pushtetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, që bashkarisht të angazhohen seriozisht për realizimin e detyrës programore të projektit Adriatik-Alpe duke siguruar burime të mjeteve të domosdoshme nga institucionet e njohura financiare , ndërkombëtare dhe të formave tjera të financimit për realizimin e këtij projekti me rëndësi madhore mbarëkombëtare e ndërkombëtare.