• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

DY VITE SHKËLQIM PËR ANSAMBLIN NACIONAL NË KRYE ME SHKODRAN TOLAJN

November 13, 2021 by s p

Emin Azemi/

Siç thoshte Tony Robbins se “njerëzit e suksesshëm nuk janë me fat por ata janë të aftë të bëjnë dicka ndryshe nga të tjerët” , Shkodran Tolaj me modestinë dhe përkushtimin e tij, me ide dhe kreativitet origjinal dhe të pakopjueshëm duke marrë përsipër edhe udhëheqjen menaxheriale edhe artistike ka arritur të jetë model sukses

Plot 2 vite me shkëlqimin e Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV dhe sukseset e drejtorit Shkodran Tolaj i cili shquhet si tenor dhe një artist i rrallë i përmasave kombëtare që ka marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë jo të lehtë të  udhëheqjes së këtij institucioni me rëndësi jetike për shqiptarët në RMV. Figura e tij prej drejtuesi lidhet me shprehjen e famshme “Durimi, puna dhe shpresa” janë tre elemente që përbëjnë formulën e suksesit dhe si duket këto më së miri gërshetohen tek ai. Është ndër të rrallët që mos themi i vetmi drejtues i cili për dy vite nuk ka munguar asnjë ditë të vetme në punë,nuk ka marrë asnjë ditë pushimi dhe nuk ka lënë asnjë obligim për të nesërmen edhe në kohën më të rëndë të pandemisë globale. Mishërimi i tij me këtë institucion ka bërë që Ansambli të ngritet shpejtësi institucion dhe ky proces i sendërtimit institucional është më i vështiri po vetëdija se ky institucion duhet të rritet cdo ditë artistikisht sepse institucionet e vonuara të shqiptarëve duhet të arrijnë të ecin në hap me të tjerët ka sjellur dinamikë të punës që për shumkë mund të jetë e paimagjinueshme.

Siç thoshte Tony Robbins se “njerëzit e suksesshëm nuk janë me fat por ata janë të aftë të bëjnë dicka ndryshe nga të tjerët” , Shkodran Tolaj me modestinë dhe përkushtimin e tij, me ide dhe kreativitet origjinal dhe të pakopjueshëm duke marrë përsipër edhe udhëheqjen menaxheriale edhe artistike ka arritur të jetë model suksesi. Si artist i përmasave mbarëkombëtare, i rritur në Evropë ku diciplina është mbi të gjitha ka bërë që ky institucion të frymojë me një klimë të hapur dhe vizione të qarta jashtë kufizimeve lokale. Kjo dëshmohet me një numër të madh të realizimeve artistike që do përmendim. Në fillim të mandatit nëntor 2019 ishte pjesë e realizimit të  koncerteve në Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Kërcovë, Strugë (16-24 nëntor) të cilat koncerte tashmë kanë kaluar në tradicionale dhe mbahen cdo nëntor.

Shkodran Tolaj duke u nxitur nga një shkollë e mirëfilltë e klasikëve të cilët institucionet i ngritën mbi bazën e vlerave të së kaluarës ka arritur që të arkivojë dhe rikthejë me koncerte premierë: 1.Musa Piperkun nga Dibra dhe tërë krijimtarinë e tij të suksesshme të viteve 70-80 –koncert premierë me 22 gusht 2020 mbajtur në sallën e tv 21 Shkup dhe transmetuar në të gjitha rrjetet e këtij televizioni ,2.Trio Zajazin nga Kërcova- dhe këngët më të bukura të këtij grupi legjendar folklorik –koncert premierë 10 tetor 2020, mbajtur në sallën e tv 21 Shkup dhe transmetuar në të gjitha rrejtet e këtij televizioni, 3. Lorenc Antonin nga Shkupi- kompozitorin e parë nga Maqedonia dhe  veprat premierike si “Skenderbeu ngadhnjimtar”, “Malësorja” e e shumë të tjera- koncert premierë dhënë në sallën e Armatës në Shkup me 1 nëntor 2020 transmetuar ne Televizionin e Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe” 4. Shaban dhe Enver Stafaj nga Gostivari të cilët krijuan kulturën qytetare muzikore në RMV- koncert premierë i mbajtur me 08.10.2021 në Filharmoninë e Maqedonisë, transmetuar në Televizionin e Maqedonisë, program në gjuhën shqipe.

Koncerte të sukseshme dedikuar festave kombëtare e që kanë bërë bujë të jashtëzakonshme janë :1. Koncerti i Pavarësisë së Kosovës dhe udhëtimi i parë i Ansamblit në Kosovë më 17 shkurt 2020- u transmetua në të gjitha rrjetet e Televizionit 21, 2. Koncerti i28 nëntorit 2020 në Shtëpinë e Armatës dhe Sheshin Skenderbeu transmetuar në Televizionin e Maqedonisë dhe Televizionin 21 në të gjitha rrjetet, 3.Koncerti i 60 vjetorit të këngëtarit të muzikës epike Ilir Shaqiri që u mbajt me 17 shkurt 2021 për Pavarësinë së Kosovës në Filharmoninë e Maqedonisë- I transmetuar direkt në televizionin e Maqedonisë, program në gjuhën shqipe dhe në Radiotelevizionin shqiptar.

Të tilla koncerte kanë vënë bazamentet e identifikimit të Ansamblit Nacional dhe tashmë kanë krijuar një arkivë të pasur të këngëve dhe programeve të cilat janë të xhiruara dhe konsiderohen si pasuria më e madhe institucionale.  Koncertet tradicionale vjetore që u mbajtën nëKërcovë (16 tetor 2020) Gostivar (12 dhjetor 2020) Kumanovë (16 dhjetor 2020), Tetovë (18 dhjetor 2020), ishin evenimete që publiku i priti me dashamirësi posaqërisht pas një periudhe pandemike dhe nevojës së madhe për art e kulurë ndonëse Ansambli ka rezultuar të jetë  i pari institucion me programe online duke punuar edhe në kohën më të rëndë të mbylljes globale për të sjellur dhjetëra realizime artistike kurajuese për jetën dhe senzibilizuese për gjendjen në të cilën kalonte njerëzimi. Në atë kohë posaqërisht kishte sukses projekti “Triumfi I jetës” realizuar nga këngëtarët dhe orkestra e ansamblit. Paralelisht me sukseset brenda vendit ansambli numëron këto festivale ndërkombëtare : 1. pjesëmarrje në Mal të Zi me 8 mars 2020, 2.Pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar nëEmiratet Arabe 18-25mars20213.Pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar në Veliko Tarnovo, 25-31 korrik 2021  4.Pjesëmarrje në festival ndërkombëtar në Spanjë, 2-12 gusht 2021.

Sa i përkest sektorit të valleve aty është bërë një konsolidim i jashtëzakonshëm dhe kjo falë emrave të koreografëve që kanë punuar. Instalimi i shkollës së vallëzimit shqiptar të Sadik Batkut punuar me profesorin Artan Ibershimi konsiderohet si hapi më i duhur në ngritjen profesionale të vallëtarëve. Falë një pune të jashtëzakonshme sivjet u arrit të realizohet një valle tejet e rëndë teknikisht vënë në skenë nga Robert Nuha “Vallja e paqes” e cila e paraqiti ansamblin në dimension tjetër, bashkëkohor dhe kombëtar. Një punë e tillë e Nuhës bashkë me kompozitorin Valton Beqiri kanë bërë që artistët tanë të sjellin dinamizmin, energjinë, plastikën dhe gjithcka që i duhet një vallëtari profesionist. Kjo valle u vu në skenë në koncertin për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit me 08.08.2021 në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup. Shumë shpejtë do të jepet  premiera e valles me motive nga Reka që do të paraqesë një fillim gjurmimi të rrënjëve shqiptare, inskenuar nga koreografi Dilaver Kryeziu dhe vallja e Prespës me kostumet origjinale dhe elementet tejet specifike qëështë punuar nga koreografi Genc Kastrati. Nga vallet e sukseshme të repertorit janë  Vallja e Kërcovës, vallja e parë e menduar koreografikisht dhe profesionalisht që i dedikohet kësaj zone fare të paprekur dhe  shëndërrimi i suitës orkestrale “Malësorja”të Lorenc Antonit në koreografi të Artan Ibershimie cila edhe është xhiruar edhe si videoprojekt. Së shpejti adhuruesit e muzikës së mirëflltë kombëtare do të kenë në duar3 AudioCD, 1. Cd të Trio Zajazit, 2. Cd të Lorenc Antonit dhe Musa Piperkut dhe 3. Cd me program të autorëve të ndryshëm. Më këto regjistrime të bëra në studion më profesionale në Maqedoni e më gjerë dhe prodhimin e CD-ve do të arkivohet plotësisht programi artistik dy vjecar edhe në aspektin audio-material përvec atij video që e posedojnë mediat dhe ansambli në arkivën e vet.

Pra për dy vite falë një pune kolosale janë realizuar plot 4 koncerte tematike dedikuar personaliteteve të shquara nga Maqedonia, 3 audio Cd që kanë përmbledhur tërë programin dy vjecar, 6 koncerte premierë për shënimin e datave të rëndësishme kombëtare e shtetërore, 5 valle premierë,  9 koncerte tradicionale në qytete, 5 pjesëmarrje  jashtë shtetit dhe 1 cmim të parë në festival ndërkombëtar.

Gjithsejt plot 32 projekte të suksesshme të cilat duan përkushtim të jashtëzakonshem pa përmendur punën kolosale në ngritjen e institucionit në pikëpamje administrative duke vendosur rend në stafin artistik e administrative me krijim të normativave dhe rregulloreve të punës dhe realizim të punësimeve të reja në sektorin e administratës dhe artistëve Për punën e bërë ansambli ka marrë dy cmime brenda dhe jashtë vendit 1. Cmimi “The best of the best” në spektaklin “Grand prix” që organizoi Televizioni 21 me 27 shjetor 2020- çmim ky për Shkodran Tolaj që vlerësohet si drejtori më i suksesshëm nga të gjithë drejtorët e  institucioneve kulturore në RMV për vitin 2020 2. Çmimi i parë për Ansamblin shqiptar nga juria profesionale në festivalin ndërkombëtar në Veliko Tarnovo ku morën maksimum të pikëve për prezantimin artistik (311 pikë), 31 korrik 2021. Më e rëndësishmja është që drejtori Tolaj me mbështetje të institucioneve përkatëse ka arritur të sigurojë adresë dhe hapësirë për administratën e Ansamblit dhe tashmë ky institucion ka “tapi” dhe adresë të përhershme që është një hap drejt realizimit të ëndrrës për posedimin e hapësirave vetanake edhe për stafin artistik. Shkodran Tolaj udhëhiqet nga motoja “ngritja institucionale dhe Ansambli janë mision kombëtar i shenjtë dhe përkushtimi ndaj një detyre të tillë është përgjegjësi dhe krenari njëkohësisht”. Kjo qasje padiskutim ka sjellur dy vite shkëlqim për Ansamblin Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV . Prezantimet e radhës të cilat vecse janë pregatitur janë premiera “Nëntori i Alfabetit” që do të shfaqet me rastin e 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit me 22 nëntor në Manastir  dhe premiera “Nëntori i flamurit” që do do të shfaqet me rastin e 109 vjetorit të shtetit shqiptar në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup.

Filed Under: Politike Tagged With: Emin Azemi

PROF. AS. DR. VESEL HOXHA I THOTË JO SKAVICËS

November 13, 2021 by s p

Gjithmonë jam udhëhequr nga parimi se një gjë që nuk e do populli, është vështirë të bëhet. Dhe është më mirë të mos bëhet. 

Një digë e vetme e madhe,  për mua, është një katastrofë e pa riparueshme në jetë të jetëve. “Qeveria, Vjosën po e ruan, ndërsa Dibrën (Drinin) po e rruan”, ishte komenti që bëra para disa ditësh tek një portal që lavdëronte “Vjosën e Egër” dhe e konsideronte fitore mosndërtmin e H/C-ve në të. 

Me llogari të përafërta mendoj se kushton disa herë më tepër pasuria që dëmtohet se vlera e ndërtimit të H/C-it. Për dëmet e tjera që shkaktohen në fushat e arkeologjisë, historisë, mjedisit, sigurisë kombëtare etj. etj, nuk po ndalem pasi ato i kanë trajtuar në detaje kolegët e nderuar.


Vesel Hoxha është një ndër shkencëtarët autoritar në fushën e gjeologjisë, njohës i mirë i nëntokës dhe mbitokës së Dibrës ku lindi dhe kaloi tërë jetën e tij profesionale, maleve dhe fushave të saj.
Këtyre ditëve kur zjenë protesta e intelektualëve dibranë dhe e banorëve që me ndërtimin e HEC të Skavicës humbin gjithçka mendova ti kërkoj pozicionin e tij intelektual e shkencor.
Korrekt si gjithnjë ai më dërgoi mendimin e tij pro dhe kundër Skavicës, mendim që e vlen ta lexojnë  ata që kanë vendosur që Dibra të mbytet për të shpëtuar nga përmbytja Shkodra e hurdha e saj të hapet e të mbyllet sipas një riti monoton që garanton ecuri në kaskadë dhe mbrojtje të Shkodrës.
Po përcjell përgjigjen e tij…

 Abdurahim Ashiku

 *   *   *

Përshëndetje i respektuar z. Abdurahim Ashiku!
Së pari, ndjesë për vonesën.
Sa më kërkuat, po ju përgjigjem më poshtë:
Siç edhe mund ta dini, unë jam në përfundim të librit tim shkencor, “Gjeologjia dhe Mineralet e Dibrës”, ku brenda librit ka dhe një kapitull të gjatë për “Rrezikun Gjeologjik të Dibrës”, rrezik i cili lidhet, edhe me problematikën e ndërtimit të kësaj vepre, që është bërë këto kohë tema e ditës për dibranët.

*     *    *

Ju e dini tashmë se unë jam shprehur publikisht në shtyp rreth ndërtimit ose jo të H/C të Skavicës, të cilin ne e quajmë H/C i Tejdrines, për një arsye të thjeshtë. Vendi ku ne propozonim digën nuk ndodhet aty ku janë bërë studime gati 50 vjeçare në kohën e monizmit, pra në Skavicë, por 2 km më poshtë sipas rrjedhjes së lumit, në Tejdrine, aty ku Përroi i Tushes takohet me lumin e Drinit të Zi, dhe jo me digë që sjellë kuotë përmbytëse 443 m mbi nivelin e detit, por me digë që sjellë një liqen, pasqyra e të cilit do ishte 367 m mbi nivelin e detit. Kjo për shumë arsye, pasi diga në Skavicë duhet të ndërtohet në formacione karbonatike dhe rreshpore të cilat, sipas nesh, kanë probleme jo të vogla tektonike dhe të Karstit, si përcaktuese të sigurisë së digës. Për këtë digë të vogël, që nuk do përmbyste as Fushë Alien, kemi bërë një studim bashkë me një koleg timin, profesor i shquar i Gjeologjisë Shqiptare, në lidhje me sigurinë tektonike të pellgut ujëmbajtës të rajonit të rezervuarit dhe të digës së Tejdrines (Skavicës).  

Studimi është kryer me kërkesën e një firme të huaj, e cila na kërkoj sigurinë e pellgut ujëmbajtës të liqenit të ardhshëm me kuotë më të lartë së 367 m të pasqyrës së liqenit të ardhshëm, apo të “Hurdhës së Skavicës” siç Ju e keni emërtuar, konkretisht për kuotën 380 m mbi nivelin e detit, gjë që ne nuk e pranuam, dhe këtu u ndërprenë marrëdhëniet me firmën në fjalë. 

Unë jam i ndërgjegjshëm se edhe për kuotën 367 m (digë me 67 m lartësi) kemi patur mjaft kundërshtarë, duke filluar me ju z. Ashiku, vëllain tim Munir Hoxha, profesorin e mirënjohur Adem Bunguri dhe, sa e sa të tjerë. Këto kundërshtime i kam konsideruar normale dhe si një debat frutdhënës në dobi të gjetjes së më të mirës dhe, më të dobishmes. Gjithmonë jam udhëhequr nga parimi se një gjë që nuk e do populli, është vështirë të bëhet. Dhe është më mirë të mos bëhet.

Midis të tjerave, unë kam shkruar se herët apo vonë, Skavica me një digë të madhe, ka për të dal në rendin e ditës për tu ndërtuar nga qeveritë Shqiptare, në bashkëpunim me firma të huaja apo vendase, ndaj e mendoja variantin me disa diga të vogla (dy ose tre), për të cilat ju jeni në dijeni, si kundërvënie të studimeve “efiçente”, që ngulmojnë në ndërtimin e një dige të vetme e të madhe, që për mua, është një katastrofë e pa riparueshme në jetë të jetëve. “Qeveria, Vjosën po e ruan, ndërsa Dibrën (Drinin) po e rruan”, ishte komenti që bëra para disa ditësh tek një portal që lavdëronte “Vjosën e Egër” dhe e konsideronte fitore mosndërtmin e H/C-ve në të. 

A ka specialist që e garantojnë një digë me kuotë mbi 367 m? Këtë nuk e di, por di se gjatë 50 viteve janë bërë shumë studime komplekse gjeologjike për Skavicën, si shtetërore ashtu dhe nga kompani private vendase dhe të huaja. Në mendje të ndryshme, ka mendime të ndryshme rreth problemeve të mprehta të trajtimit gjeologo-tektonik të rajonit në fjalë, i cili kërkon studime mjaft të detajuara dhe me mjaft përgjegjësi. Unë mendoj se e njoh gjeologjinë e rajonit në fjalë, ndaj jam habitur shumë, kur e kam dëgjuar kuotën 443 m mbi nivelin e detit (kuptohet të pasqyrës së liqenit të ardhshëm), tek ligjëronte aso kohe drejtori Bened Beci, me një gëzim që i lexohej në fytyrë, pa folur këtu për shokimin që pësova kur kam dëgjuar në një studio televizive, disa vite më parë, për kuotën 485 m, nga goja e një specialisti të moshuar me emrin Luigj Pjetri, i cili fliste me pasion aq të madh, a thua se H/C-i do të ndërtohej në trojet e veta dhe do të përmbyste vetëm tokat e veta! Dua të theksoj kushtin që vendosëm për kuotën që ne propozuam. Nëse nuk janë dakord banorët e pellgut që përmbyten të mos ndërtohet hidrocentrali, plus të kërkohej edhe dakordësia e banorëve në buzë të liqenit të ardhshëm, të cilëve do ju ndryshoj mënyra e jetesës nga ndryshimet e gjithanshme që shkakton vepra në fjalë, edhe nëse studimet mjedisore do ti jepnin dritën jeshile. Dua të nënvizoj faktin që sot në botë digat e larta nuk janë të rekomandueshme.

*            *              *

Tani të futemi në temë. Gjeologjia është një shkencë dinamike. Gjërat nuk mund të thuhen një herë e përgjithmonë. Pellgu i kuotës 443 m, nuk përmban pasuri minerale metalore të zbuluara, por nuk përjashtohet se studimet në të ardhmen do të zbulojnë gjëra që sot na duken si të pa mundura. Në nivelin e sotëm të njohjes në pellgun që synohet të përmbytet me ndërtimin e digës 143 m të lartë, duke e konsideruar kuotën e lumit në vendin e ndërtimit rrotull shifrës 300 m mbi nivelin e detit, dhe pasqyrën e liqenit të ardhshëm 443 m, mund të flitet për shenja të dokumentuara të mineralizimeve të Vanadit në formimet e vjetra paleozoike të cilat përhapen gjerësisht në rajonin që po flasim. Po ashtu nuk mungojnë dhe mendimet për mundësinë e takimit të mineralizimeve silikato-okside të hekurit në rajonin e Muhurrit, në thellësi mbi 100 m. Nga mineralizimet jo metalore bëhet fjalë për disa vendburime të Argjilave apo objekte Gëlqerorësh të Mermerizuar por që, nuk janë në shfrytëzim. Sigurisht në rajonin në fjalë ka edhe studime që flasin dhe për mundësitë e Naftë e Gazmbajtjes në strukturat gjeologjike në thellësi mbi 2500 m. Për mineralizime të tjera nuk e shikoj të arsyeshme të zgjatem. 

Tani kam dhe një koment të fundit. Ata që kanë shpallur ndërtimin e Skavicës a i kanë bërë llogaritë me “hanxhiun apo pa hanxhiun”? Për kuotën që ato propozojnë me shumë pompozitet, 443 m mbi nivelin e detit të pasqyrës së liqenit të ardhshëm, a kanë bërë ndonjë studim, veç atyre shkencore për sigurinë dhe aftësinë mbajtëse të pellgut dhe digës në lartësinë e propozuar?

Bie fjala, a kanë bërë studime të detajuara se sa tokë arë përmbytet, sa livadhe, sa kullota, sa pemëtore, sa pyje, sa shtëpi e bahçe, sa varre, sa shkolla e qendra administrative, sa bagëti, sa biznese, sa km rrugë, sa ura, sa linja të tensionit të ulët dhe të lartë, etj. etj. Sa rrugë të reja duhen bërë, sa ura dhe linja tensioni për tu përshtatur me realitetin e ri, ku do të zhvendoset popullata, etj. etj. Thembra e Akilit janë çmimet, sidomos për trojet dhe tokat bujqësore. Me llogari të përafërta mendoj se kushton disa herë më tepër pasuria që dëmtohet se vlera e ndërtimit të H/C-it. Për dëmet e tjera që shkaktohen në fushat e arkeologjisë, historisë, mjedisit, sigurisë kombëtare etj. etj, nuk po ndalem pasi ato i kanë trajtuar në detaje kolegët e nderuar.

Dua ta mbyllë përgjigjen time, i nderuar z. Ashiku, duke ju falënderuar për rolin që po luani si një katalizator për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e popullatës, në atë që besoni dhe mendoni se është më e mira për Dibrën dhe dibranët, në lidhje me H/C-in në fjalë. Edhe pse unë kam shkruar për ndërtimin e H/C-ve të vegjël (në pajtueshmëri e marrëveshje të plotë me pronarët e trojeve dhe studimet shkencore, ku në variantet e paraqitura nuk përmbyten as 8 % e tokës bujqësore dhe shumë pak shtëpi banimi), vlerësoj angazhimin tuaj fisnik, si dhe të prof. Bungurit e shumë të tjerëve, duke mos qenë kundërshtar i mendimeve më të avancuara se ato të miat, të cilat mund të shohin të ardhmen e Dibrës, më larg e më mirë se sa unë.

Prof. asoc. dr. Vesel HOXHA 

Tiranë, më 12 nëntor 2021

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Vesel Hoxha

Tahsin Jonuzi dhe libri “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnisë në kohët e vjetra”

November 13, 2021 by s p

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 Kjo ese botohet sot, më 11.11.2021 në Ditën e Lirisë de nderimit të të rënëve dhe viktimave të Luftës së Klasave

  Homazh nderimi për të parin studiues shqiptar në fushën e topografisë në antikitet, Dr. në filozofi, Tahsin Jonuzi, një vlerë kombëtare e mohuar…

       Përurimin e këtij disertacioni shkencor, punuar dhe paraqitur pranë katedrës akademike të Univ. “Leopoldina Franciske”, në Innsbruck të Austrisë, 85 vite më parë, nga filozofi vlonjat Tahsin Musa Jonuzi, do ta quaja një homazh jo vetëm mirënjohjeje dhe vlerësimi për autorin, por kujtesë nderimi për gjithë ata shqiptarë që përfunduan në kampet nazizte të shfarosjes, Mathauzen apo Aushvic. Sot libri “Topografia dhe rrjeti rrugor i Shqipnis në kohët e vjetra” shërben si rilindje e një familjeje fisnike, e cila rrugën e vështirë të biznesit me Venecian e ka filluar me tregtarin e mirënjohur Musa Jonuzi, tejet i njohur pasi lexohej nga qytetarët sa herë shijonin kafenë, si në gëzime dhe në hidhërime. Gojarti popull thotë: “Bëmë o baba, të të ngjaj!”,ose“Fisniku, nëse nuk bën djalën, do të thotë fjalën!” Gjenealogjikisht në këtë rast është e vërtetë. I biri Musait, Tahsini, jo vetëm la dy trashëgimtarë djem, Mentori dhe Nestori, por ka lënë edhe fjalën, ku ka shprehur mendimin e tij filozofik. Tahsini ishte martuar me të bijën e Ibrahim Avdullaut, drejtues i klubit ‘Labëria’ dhe kryetar i Bashkisë Vlorë, pas shpalljes së Pavarësisë.

       Në gjurmët e babait ecën edhe djemtë, veçanërisht Nestori, një piktor tejet i talentuar, i cili në 50 vitet e fundit, është përfaqësuesi më i denjë i fisnikërisë në artet figurative, sot “Piktor i Popullit”. 

       E nderuar familja Jonuzi, miq e të ftuar, pse vallë është mohuar dhe anashkaluar ky shqiptar i vlerave intelektuale, ky studiues që çeli rrugën e topografisë shqiptare?! 

       Bota nuk i ka heronjtë, por i krijon, kurse ne i kemi dhe i varrosim duke i mbuluar me pluhurin e harresës. Si shembull mohimi po sjell në këtë podium vlerash Dr. e shkencave filozofike, Tahsin Jonuzi, një intelektual i shquar, lauruar në Innsburck të Austrisë, ku ka mbrojtur doktoraturën në filozofi, i harruar me paramendim nga tre regjime (Zogu, diktatura komuniste dhe nga qeveritë e 30 viteve tranzicioni të tejzgjatur). Akademikët tanë të diplomuar në Austri, nuk kishin dëgjuar për këtë shqiptar mendjendritur, pasi ishte i pari shqiptar që hulumtoi për truallin arbëror? I vetmi që ka ngjallur interes për botimin e një pjese të dorëshkrimit shkencor ka qenë Prof.Çabej por diktatura e ndaloi botimin e tij, se Tahsini ishte “armik” i klasës në fuqi. Po kështu edhe i biri, Nestori, mjaft i talentuar, pas diplomimit, e emëruan si bojaxhi në NTAN. 

      Shpikja e madhe e komunizmit, Lufta e Klasave, më e egra që ka njohur bota që i trajtoi si tradhëtar dhe antikombëtar gjithë fisnikët dhe intelektualët me kulturë perëndimore. Diktatura komuniste pasi vrau, burgosoi dhe internoi ajkën e shqiptarëve, e varfëroi kombin duke zhdukur palcën dhe trurin e kombit (fisnikërinë me inteligjencën).  

       Tahsini me 1265 shqiptarë, u intrenuan në kampet e përqëndrimit në Gjermani. Pas mbytjes me gaz në krematoiume, 800 nga këta shqiptarë pa një varr, partia -shtet solli në atdhe vetëm kutitë me baltë gjermane, i varrosi dhe i quajti dëshmorë të atdheut. Kurse 465 fisnikë shqiptarë, të arsimuar në perëndim, në një moshë me Tahsin Jonuzin, si, Skënder Vrana, Gani Beqir Bejkosala, Musa Qemali me të birin Sezaiun etj, të arsimuar në Universitetet Perëndimore u quajtën viktima të luftës.  Pse? A nuk patën të njëjtin fund tragjik?! Lufta brenda llojit është më e keqe.  Edhe pushtuesit, në kohë paqeje, erdhën dhe i morën eshtrat e ushtarëve të rënë dhe i rivarrosën me nderimet e duhura, kurse pushteti komunist shmë atdhetarëve u mohoi të drejtën e një varri në tokën mëmë, si pa atdhe.

     Le të ndalemi te risitë e librit të Tahsin Jonuzit. Studimi i autorit bën fjalë për shpërndarjen e rrjetit rrugor, qendrave të banuara, rrjetit ujor tejet të pasur të këtij kombi të lashtë. Tahsini ishte 25 vjeç, kur mbrojti doktoraturën, solli një risi në fushën e hartografi-topografisë. Ai njihet si studiuesi i parë shkencor që u mor me topografi. Ndoshta nën ndikimin e kulturës gjermane dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit që Shqipëri të ngelej vetëm bregdeti perëndimor, autori është përqëndruar në hartën e Shqipërisë londineze.

     Lind pyetaja: Pse kjo temë u trajtua si temë filozofike dhe u aprovua nga katedra e filozofisë?       

      1-Rrugët ose rrjetin urbanistik të vendit tonë në antikitetit që paraqet autori janë rrugët e jetës që lidhin epokat e mëdha historike që fillojnë me epokën e hershme të gurit (paleolitin), vazhdojnë me neolitin, mesjetën deri në kohën e re. 

   2- Pozicionimi, shpërndarja, emërtimet e vendbanimeve të lashta, që sot kanë vlerën e faktve toponimike vlejnë si dëshmi e vazhdimësisë së jetës. 

    3-Sipas pozitës gjeografike të maleve, kodrave, fushave, lumenjve, liqeneve apo kënetave, epokave të njohjes për herë të parë nga albanologët, si, (arkeologë, mbishkrime, paleontologë), autori ka bërë jo vetëm lidhjen mes epokave, por dhe krahinave gjeografike si dhe fiseve pellazgo-iliro-arbëre. 

   4- Ka hulumtuar mjaft autorë të huaj që nga antikiteti deri në ditët që ai jetoi.  Përmes perifrazimeve të studiuesve si, Pauzania, Ptolemeu, Skylaksi, Polibi, Çezari, Hahni, Karl Patch, Straboni, Ciceroni, Plini Plaku, Apiani, Jireçek, Thallozi, Stefan Bizantini, Ana Komnena, Livius, Ipen, Prashniker, Leake (Leik) etj, sjellë për lexuesin një pamje panoramike të Shqipërisë antike.  

    5-Ka shumë për të folur rreth librit, por vlera kryesore e tij qëndron se është i pari studiues topografik në vendin tonë që paraqitet me një punim shkencor serioz.

   6- I një rëndësie të veçantë, është qëndrimi pozitiv ndaj autoktonisë së shqiptarëve në Gad.Ilirik.  Dr. i shkencave, Tahsini Jonuzi pohon se ndërtuesit e parë që hodhën themelet e qendrave urbane në lashtësi ishin ilirët. Ai hedh poshtë gënjeshtrat dhe mashtrimet e shumë pseudohistorianëve se kolonitë greke apo korinthase, si Butrinti, Oriku, Apollonia dhe Dyrrahu, gjasma bazën fillestare të arkitekturës ndërtimore e paskan kulturë helene. Mbi kulturën ilire që gjetën në gad. Ilirik, fiset Semite (pushtuesit afro-aziatikë) që pa asnjë bazë gjeneze morën emrin helenë apo grekë ngritën kulturën e tyre. Madhështinë e grekëve e ngriti Roma me mashtime dhe farsitet. Për supremacinë e ilirëve në portet e Mesdheut, Paul Emili dogji 71 qytete ilire, mori 150 000 robër dhe miliona iktheu nlë skllevër. Këto isjhin raprezaljet e para të shkombëtarizimit të pellazgo ilirëve, paraardhësve të shqiptarëve autoktonë…   

 Dy fjalë për bashkëpunëtorët e botimit: Librit do t’i rritej më shumë vlera:

   *Nëse bashkë me përkthimin do të ishte dorëshkrimi origjinal në gjermanisht.  

   *Fjalët e autorit në fletëpalosjen e ballinës së parë kanë më shumë vlerë, ndaj duhet të vendoseshin si hyrje në studim, pasi aty është cekur pozita gjeografike, periudhat historike, pushtimet e njëpasnjëshme.

   *Duhet të përfshiheshin trojet etnike dhe qytetet antike me vazhdimësi jete, si Kanina. Autori e zë në gojë Thronionin, por pa e sqaruar se cila qendër urbane ishte, kur Pauzania flet gjerësisht për Thronionin, emri i lashtë i Kaninës që merret nga historiografia, si model i vazhdimësisë së jetës qysh nga mijëvjeçari II pr.Kr. Në rrugën e vjetër nën Kaninë që nuk përmendet aty, sot është ndërtuar Baypassi.

   *Autori sipas Carlo Bo, shpreson të zhvillohet një shkencë ambicioze dhe e ndërgjegjshme shqiptare, misioni i denjë e tërheqës i së cilës të jetë qartësimi i situatës së vendbanimeve, kur vendi hyri për herë të parë në rrugën e historisë.

Pikërisht këto kritere kanë shumë vlerë në një studim ndaj duhet redaktori teknik, si njohës i fushës së topografi-hartografisë. 

Filed Under: LETERSI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin e Paqes në Paris

November 13, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Është detyra jonë si liderë të avokojmë për më shumë barazi e drejtësi/

PARIS, 12 Nëntor 2021–Gazeta DIELLI/ Gjatë qëndrimit në Paris të Francës, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti ka zhvilluar takime me Presidentin e Republikës së Francës, z. Emmanuel Macron dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, z. Josep Borrell.    

Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Forumit të Paqes, ku ishin të pranishëm aktorët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, ndër ta edhe Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj.Kamala Harris, kryeministri Kurti iu drejtua të pranishmëve me një mesazh.

“Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi progresistë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj, duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën”, tha ndër të tjera Kryeministri i Republikës së Kosovës.

Për të katërtin vit radhazi, Forumi i Paqes në Paris mbledh aktorët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, krerët e shteteve dhe qeverive dhe drejtues të organizatave dhe të kompanive të mëdha shumëkombëshe, si dhe disa aktorë të shoqërisë civile.

Edicioni hibrid që mbahet nga 11 deri më 13 nëntor, u organizua për të avancuar zgjidhje konkrete ndaj sfidave të mëdha të paraqitura nga pandemia COVID-19 dhe për të përmirësuar qeverisjen globale.


Mesazhi i plotë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

I dashuri President Emmanuel Macron,

Të nderuar udhëheqës të shteteve, qeverive dhe organizatave ndërkombëtare,

Zonja dhe zotërinj,

Faleminderit për këtë mundësi.

Po jetojmë në kohë të ndryshueshme. Historia ka ecur më shpejtë në këto dy dekadat e fundit sesa në dy shekujt e kaluar. Udhëtimet e shpejta, komercializmi dhe informimi kanë hequr barrierat, kanë shtuar mundësitë dhe kanë nxjerrë miliarda nga varfëria.

Megjithatë, ato kanë sjellë edhe rreziqe të reja, si ndryshimet klimatike dhe kanë thelluar hendekun e pabarazisë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Po ashtu, ne tani jemi më të ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe pandemive, që zhvillohen dhe përhapen më lehtë se kurrë.

Mënyra se si rritemi është në kundërshtim me vlerat tona morale dhe me planetin.

Krejt çka na duhet është rritje në harmoni me natyrën dhe që në qendër ka paqen, barazinë dhe prosperitetin për të gjithë.


Kjo kërkon ndryshim të mënyrës se si bëjmë biznes – ndryshim të qasjes sonë dhe të mënyrës se si jetojmë.


Por, përderisa njerëzit mendojnë që është në rregull të fluturosh me avion privat, përderisa 25.000 njerëz vdesin çdo ditë nga uria dhe më shumë se gjysmë miliardi jetojnë në varfëri ekstreme – ky vizion duket i paarritshëm.

Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi progresistë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj, duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën.Të parafrazoj një thënie të Martin Luther King Jr: “Pabarazia kudo është kërcënim i barazisë çdokund”.

Filed Under: Uncategorized

Gisht në plagë

November 13, 2021 by s p

Kumari, të varur të pakallur  

Ese nga Rafael Floqi/

I madhi Konica thoshte,” Interesi për para është një karakteristikë e shqiptarit, i cili është gati të futet në aventurat më të rrezikshme, mjaft që të nxjerrë ndonjë përfitim. E kishin zakon të tregonin një anekdotë në kohën e Perandorisë së vjetër turke: “E pyetën shqiptarin një herë “a do të shkosh në xhehnem (ferr)?” dhe ai u përgjigj “Sa është rroga atje?” 

Lojërat e fatit janë përhapur mjaft në komunitetin tonë, shumë prej nesh kemi ndonjë të afërm, apo të njohur, që është aq shumë i dhënë pas tyre, sa bixhozi i është shndërruar në një sëmundje me pasoja, jo vetëm për jetën e tij, por edhe për familjet e tyre dhe për mbarë komunitetin. Me këtë mbi tituj po fillojmë një grup esesh që synon të luftojnë mangesitë në jetën sociale të diasporës sonë.

I madhi Konica thoshte,” Interesi për para është një karakteristikë e shqiptarit, i cili është gati të futet në aventurat më të rrezikshme, mjaft që të nxjerrë ndonjë përfitim. E kishin zakon të tregonin një anekdotë në kohën e Perandorisë së vjetër turke: “E pyetën shqiptarin një herë “a do të shkosh në xhehnem (ferr)?” dhe ai u përgjigj “Sa është rroga atje?” 

Po pse kazinotë dhe lotaritë janë të këqija dhe janë pothuajse saktësisht të njëjta me drogën, sepse ato kanë po aq, ose një efekt edhe më shumë varësie tek njerëzit. Ka një ndryshim se i droguari merr drogë dhe në thelb është i pavetëdijshëm, në një kuptim mendor, por lojtarët e fatit dhe njerëzit që luajnë bixhoz janë ende të vetëdijshëm për atë se çfarë po bëjnë. 

Kjo gjendje mund të jetë edhe më keqe, sepse të varurit nga bixhozi dëmton qëllimisht njerëzit e dashur të tyre dhe dëmton të ardhmen e tyre, pa “ikur” nga kjo botë si të thuash. 

Ka dy lloj atraksionesh që tërheqin viktimat drejt bixhozit. 

Kazinotë turistike që janë krijuar dhe funksionojnë posaçërisht për t’u kujdesur për njerëzit më të pasur, të klasës së lartë dhe kanë standarde që mund t’ua lejojë. Këto objekte të lojërave të fatit, nuk kanë një ndikim të madh në shoqërinë e përgjithshme, sepse lejohen të hyjnë vetëm njerëzit që mund të përballojnë humbjen e shumave të parave. 

Lloji tjetër i kazinosë, që tërheq pjesën më të varfër dhe të shkretë të popullsisë, ka një ndikim shumë më të madh. Kazinotë që kujdesen për pjesën më të varfër të popullsisë përdorin makinat e lojërave elektronike, të cilat nxisin një lojtar të verë baste me shuma të vogla, aq shpejt sa ata mund t’i lëvizin gishtat e tyre, të fluturojnë duke përdorur shumë butona dhe drita. Pas një nate në lojëra elektronike, aty ku shumë shuma të vogla parash lihen me një ritëm të shpejtë, njerëzit në përgjithësi që nuk kanë shumë para, ndihen në fakt jo si të humbur, sepse nuk vunë “bast aq sa për të humbur shumë para”. Por tek ata dëmi i vërtetë nuk është në sasinë e parave që ata shpenzuan, por është se njerëzit kthehen përsëri dhe përsëri, me një strategji që lojtarët e lojërave të fatit e quajnë “një lojë deri në zhdukje”. 

Në një nga këto lokale, gjysmë-ilegale këtu në Michigan, “një  kafe shqiptare  pa emër”,  që në orën 7 të mëngjesit do të shohësh të njëjtat fytyra , dikush me rrobat e punës dhe me njolla boje, nga kuptohet që është bojaxhi, që shtyp vazhdimisht butonin e kuq, para një makinete të tillë, vazhdimisht pa e parë. Çdo shtypje butoni kushton 5 dollarë. Ai qysh nga mëngjesi luajti 400 dollarë dhe u nis pastaj për në punë, fitoi dicka, por do të kthehët prapë nesër. M’u desh te shkoja tek ajo kripto kafene, pasi po prisja të regulloja gomat e makinës në një oficinë aty pranë. Kur hyra më panë me një vështrim po ku cdo këtu. Tre veta prapa lojtarit të zellshëm  po ndjekin me tifozllëk lojën në tre makineta të vjetra. Më vonë kafexhiu që servir kafe ekpres, merr një çelës hap makinën dhe mbledh paratë. Në atë lokal pa shenjë asnjë emër a reklamë nga ana e rrugës, ka vetëm një deriçkë me xham të errët nga pas ku parkojnë kafepirësit e mëngjesit dhe bixhozxhinjtë në kërkim të fatit që s’vjen. Si kjo kafene mund të jetë kudo në çdo shtet ku ka grumbullim shqiptarësh, dhe dikush mund ta gjejë veten edhe në këtë shkrim.  

Lotaritë dhe kazinotë, makinetat ( kompjuterët), interneti janë të gjitha mënyra si për të marrë para nga njerëzit, duke i bërë ata të shpenzojnë paratë e tyre vullnetarisht. Për shkak të mënyrës se si kazinotë dhe lotaritë janë në gjendje të krijojnë varësi, për këdo që mund të joshin, dhe ato kanë një ndikim shkatërrues tek njerëzit. 

Një pjesë e lokaleve apo kafeneve shqiptare që, jo për çudi, frekuentohen vetëm nga burrat, sa një herë një mik amerikan, më tha pse shkon atje, ai është një lokal për gay, janë shndërruar në kazino ilegale me disa kompjuterë në një kthinë të fshehur, jo vetëm, pse aty pihet duhan e shitet alkool, por ushtrohet ilegalisht edhe bixhozi, edhe pse shpesh mbyllen, kur nuk tolerohen nga organet e rendit. Është fakt në qytetin e Sterling Heights në Michigan shumë nga këto njësi janë mbyllur, por mbeten të hapura në disa qytete të tjera si Warren, Clawson dhe Shelby Township.

Shpesh organet e rendit shpesh mësyjnë dhe i gjobitin këto lokale, por edhe mbyllin nga një sy. Pronari i një kafeneje shqiptare që ishte dënuar me 200 mijë dollarë për ushtrim bixhozi ilegal, poker apo makinetash, më  thoshte njëherë se do t’i vinte “ kompjuterët prapë” dhe se ato paratë e gjobës i nxirrte për një javë.     

Ndërsa një mik punonjës policie me tregonte, se kur ndërhynin në rastet e kafeneve, shkak bëheshin njoftimet e ndryshme që njoftonin policinë, telefonatat, sidomos, nga gratë që i shihnin që burrat e tyre t’i linin të gjithë të ardhurat e familjes aty.

Po përmend, p.sh. A.C është një djalë punëtor, por duke luajtur vazhdimisht me kompjuterë në kthinën e fshehur të një “ kafene-je”: shqiptare është bërë aq i varur, sa të gjithë të ardhurat, që fiton nga puna e tij ditore  në painting, si bojaxhi, gjatë ditës, i luan pas orës të punës, në kompjuterë, deri sa t’i mbarohen paratë dhe pastaj i merr borxh para banakierit, dhe  luan përsëri deri sa të mbyllet lokali.

-Nuk mund ta lë, më shprehej ai, është më e fortë se unë.

Kumarxhinjtë e sëmurë do të kthehen herë pas here dhe do të vënë baste shuma relativisht të vogla derisa paratë e tyre të zhduken në mënyrë efektive. Kjo strategji do t’i mbante lojtarët problematikë të kthehen prapë për të shpenzuar, shuma të cilat përbëjnë mbi gjysmën e parave të fituara nga kazinoja. Njerëzit e tjerë që vijnë “për argëtim” shpenzojnë më pak, dhe kazinotë e dinë këtë, kështu që ata krijojnë një atmosferë që i përshtatet të varurve.  Shpesh ato krijojnë dhe japin dhoma hoteli për të shpenzuar, të japin karta VIP, që të lejon të jetosh si princ gjersa t’i humbësh paratë e tua. Dhe fatkeqësi është se në kazinotë në Detroit sheh shpesh edhe familje të tëra. 

Shumë prej këtyre lojtarëve e dinë defektin e tyre, por nuk mund ta mundin tërheqjen nga loja. Njeri syresh, që ka një status VIP, në një nga kazinotë në Grek Town në Detroit më tregonte. Se një herë kishte arritur të fitonte 36, 000 dollarë, dhe nuk kishte fjetur gjithë natën, i kishte luajtur përsëri, por jo vetëm që i humbi të gjitha paratë e fituara , por humbi dhe 10.000 të tjera, pa kthim.

-Desha të hidhesha nga ura, më tha ai. Po pse s’u hodhe?, e pyeta. Unë jam i sëmurë, po jo aq budalla.

Megjithëse sot janë bërë të  zakonshme që lojërat e fatit, dikur ishin të paligjshme. Sot, dyzet e tetë shtete amerikane i lejojnë kazinotë dhe objekte të tjera të lojërave të fatit, sepse Kongresi i ka lejuar legjislaturat shtetërore që t’i bëjnë ato të ligjshme. Të njëjtët ligjvënës që po bëjnë presion për më shumë kazino, të cilat janë një taksë mbi njerëzit, por në një farë mënyre, gjithashtu po luftojnë ashpër kundër çdo rritjeje të taksave për to. Kazinotë janë një “taksë” për njerëzit që i vizitojnë, sepse u marrin disa para individëve dhe ua japin një pjesë qeverisë që përdoret për financimin e shkollave. 

Megjithatë të njëjtët njerëz që humbasin paratë gjithashtu thonë se nuk po tatohen sepse tatimet janë vullnetare. Tridhjetë vjet më parë, Nevada ishte i vetmi shtet që lejonte lojërat e fatit të çdo lloji, por sot nëntëmbëdhjetë kanë drejtuar komercialist kazino në qytetet me popullsi të madhe, dhe dyzet e tre lejojnë lloje të tjera të lojërave të fatit, të tilla si bastet në anën tjetër. Ato gjithashtu janë shfaqur në shtetet që ende nuk i lejojnë duke shfrytëzuar boshllëqet në ligje. 

Një bashkatdhetar me tregonte se të varurit nga loja jo vetëm që kërkojnë të luajnë vetë po kërkojnë të bëjnë dhe të tjerët shok në lojë. “Unë isha vetëm 19 vjeç, atëherë thotë ai dhe nuk lejohesha të luaja. Ata kishin zbuluar, që në veri të Miçiganit , “Up north”  lejohej të luaje mbi 18 vjeç dhe jo mbi 21 vjeç. Dhe shkuam tregon ai. Ata filluan lojën dhe ora po shkonte rreth 4 mëngjesit. “Unë i thirra 3 herë por ata nuk shkëputeshin, u thirra se unë nesër me duhej të shkoja në punë. Kështu që ata gjoja erdhën për mua, mbetën aty, gjersa gdhiu, edhe pse ishin tre orë larg ”.

Efektet negative të lojërave të fatit janë hulumtuar nga studiues dhe ata që bëjnë punë për dekada, megjithatë ka pasur një mungesë befasuese të kërkimeve të kryera mbi aspektet pozitive të ndikimeve të lojërave të fatit në shoqërinë moderne. Arsyeja pas një varfërie të tillë mund të jetë se nuk ka aspekte pozitive në lojërat e fatit dhe se kjo çon në një mori problemesh që kanë kuptime negative të shkruara kudo. Nga ana tjetër, mund të jetë që studiuesit thjesht nuk kanë marrë kohë ose nuk kanë bërë përpjekje për të përcaktuar aspektet pozitive kryesisht sepse është kaq e lehtë të shihet negative mbi pozitive. Kjo mungesë përpjekjesh nga ana e studiuesit mund të jetë, gjithashtu, se ata nuk dëshirojnë të shihen personalisht duke lavdëruar një veprim që shumë të tjerë e konsiderojnë të dënueshëm.

Dependenca shpesh dhe ndryshon formë, një person që ishte bllokuar për të shkuar në kazino fitoi një dependencë të re, me lotarinë  “gërvisht e fito” blinte nje top për 500 dollarë dhe vazhdonte t’i gërvishte të gjitha, ndërsa një tjetër më pohoi. Se ishte i ndërgjegjshëm për faktin ,që ishte bërë i ndërvarur dhe kishte shkruar emrin në listën e zezë në të gjitha kazinotë në Detroit. Po a luan më aty?, e pyeta. Jo, më tha po shkoj në Winsdor në Kanada. Tani e kam siklet për shkak të karantinës nga kovidi.  

Ndonjëherë kjo sëmundje qe ka bërë dhe biznesmenë të suksesshëm si agjentë real estate e të tjerë biznese, disa prej tyre dikur kishin biznese të fuqishme që reklamonin në TV, e fitonin çmime profesionale, që të humbasin qetësinë pasurinë, familjen të divorcohen, të humbasin shtëpinë dhe reputacionin. Një shembull sa i dhimbshmen dhe aq për të venë mend ishte një lajm paradokohe në Shelby Township, kur prokurorët federalë akuzuan një biznesmen të pasurive të patundshme për mashtrim të investitorëve me vlerë 19 milionë dollarë në një firmë piramidale, para që ai pat shpenzuar, duke luajtur në lotarinë e Miçiganit.

Sipas të dhënave të gjykatës federale. Viktor Gjonaj, 43 vjeç, themeluesi i “Title Plus Title Services”, u akuzua për mashtrim dhe u akuzua për orkestrimin e një skeme shumëvjeçare piramidale për të marrë para nga investitorët në mënyrë që ai të mund të blinte deri në 1 milion dollarë në bileta lotarie Daily 3 dhe Daily 4 çdo javë.  Kumari i detyrueshëm, i quajtur edhe çrregullimi i lojërave të fatit, është dëshira e pakontrollueshme për të vazhduar lojërat e fatit, pavarësisht nga dëmi që merr në jetën tuaj. Kumari do të thotë që ju jeni të gatshëm të rrezikoni diçka që vlerësoni me shpresën për të marrë diçka me vlerë edhe më të madhe. Kumari mund të stimulojë sistemin e shpërblimit të trurit ashtu si droga ose alkooli, duke çuar në varësi. 

Gjithashtu, sa më shumë që personi humbet para, aq më shumë ka të ngjarë që ata të shqetësohen emocionalisht dhe potencialisht të bëhen të dhunshëm, veçanërisht kur janë nën ndikimin e alkoolit dhe drogës. Nuk dihet mirë se çfarë e bën dikë të luajë në lojëra në mënyrë të detyrueshme. Ashtu si shumë probleme, bixhozi i detyruar mund të rezultojë nga një kombinim i faktorëve biologjikë, gjenetikë dhe mjedisorë ai prek të gjitha moshat edhe gjinitë, por më shumë burrat. Por edhe gratë madje familje të tera mund të shohësh në Kazinotë në Greek Town në Detroit.

Ndërsa krimi i organizuar dhe bixhozi shkojnë dorë për dore, po ashtu edhe krimi i organizuar dhe droga, kjo është arsyeja pse bixhozi dhe droga janë fenomene devijante sociologjike të lidhura ngushtë, fenomen që shoqëria ta kundërshtojë me vendosmëri.

Nëse keni një problem me lojërat e fatit të detyrueshëm, mund të ndiqni vazhdimisht bastet që çojnë në humbje, të fshihni sjelljen tuaj, të pakësoni kursimet, të grumbulloni borxhe, apo edhe të përdorni vjedhje ose mashtrim për të mbështetur varësinë tuaj. Edhe pse nuk ka asnjë mënyrë të provuar për të parandaluar një problem të lojërave të fatit, programet edukative që synojnë individë dhe grupe në rrezik të shtuar mund të jenë të dobishme.

Nëse keni faktorë rreziku për lojërat e fatit të detyrueshëm, merrni parasysh shmangien e lojërave të fatit në çdo formë, njerëzit që luajnë bixhoz dhe vendet ku ndodh bixhozi. Merrni trajtim në shenjën më të hershme të një problemi për të parandaluar përkeqësimin e tërheqjes ndaj lojërave të fatit

Kumari i detyrueshëm është një gjendje serioze që mund të shkatërrojë jetën. Megjithëse trajtimi i lojërave të fatit të detyrueshëm mund të jetë sfidues, shumë njerëz që luftojnë me lojërat e fatit të detyrueshëm kanë gjetur ndihmë përmes trajtimit profesional në shoqatat e ndryshme në familje apo dhe në institucionet fetare. 

Linja e Ndihmës për Problemet në Miçigan është një linjë ndihme pa pagesë, konfidenciale, një-në-një që mund t’ju japë ndihmën dhe mbështetjen që ju nevojitet për të kapërcyer një varësi nga lojërat e fatit. Këshilltarët e trajnuar dhe me përvojë janë në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. 

Këto mund të ndihmojnë, megjithatë një thënie që të gjithë ne e pranojmë si të mirëqenë është se, “Të luash lotarinë është marrëzi, derisa kur nuk fiton më shumë sesa ke shpenzuar për bileta lotarie; dhe mençuri, kur fiton jack potin”. Merreni si të doni…

Filed Under: ESSE Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT