• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

Porosia historike e Profesor Idriz Ajetit

November 13, 2021 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Çka mund t’i themi sot Akademik Idriz Ajetit në shekullin e moshës së tij? A mjafton ta kujtojmë veprën e tij jetësore dhe ta nderojmë veprën e tij shkencore? Në të vërtetë a e nderojmë kështu dhe a ia themi të vërtetën shkencore qindvjeçarit që më parë sesa jetën e tij, identifikon dijen albanologjike të këtij shekulli?Le t’i referohemi sadopak kronologjisë së angazhimeve të tij dhe zhvillimeve albanologjike, për të cilat ai dhe brezi i tij punuan shumë, dhe do ta shohim se zhvillimet e fundit në fushë të albanologjisë nuk na japin shumë të drejtë. Brezi ynë nuk mund të krenohet për themelimin e institucioneve të reja albanologjike, as të qendrave të reja albanologjike me karakter ndërkombëtar, as të revistave të reja filologjike dhe albanologjike me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, as të institucioneve universitare, programeve filologjike e albanologjike universitare. Më në fund, as të ndonjë shoqate me karakter unik shkencor në fushë të albanologjisë, ballkanistikës apo dijeve të tjera të kësaj natyre në fushë të filologjisë. Brezi ynë më parë sesa të krenohej, i bie barra të skuqet edhe për faktin se as pas më shumë se dy dekadave të rënies së komunizmit, madje çlirimit të Kosovës, nuk arriti t’i përmbyllë disa nga projektet me karakter gjuhësor kombëtar, të cilat më shumë sukses i ka filluar Profesor Idriz Ajeti dhe brezi i tij në fushë të standardizimit të gjuhës shqipe, në fushë të studimit sistematik të dialektologjisë (të folmeve krahinore të hapësirës shqiptare), në mbledhjen e korpuseve të plota të leksikut të shqipes (Fjalorit gjithëpërfshirës të shqipes së sotme) dhe onomastikës (Fjalorit të mikrotoponimisë së shekullit XX dhe Fjalorit patronimik të shqipes), në fushë të leksikografisë etj. Brezi ynë mezi po arrin t’i mbajë gjallë ato institucione arsimore dhe shkencore, ato konferenca e revista shkencore të cilat i ka themeluar Profesor Ajeti dhe brezi i tij.Brezi ynë ka shumë obligime në fushë të albanologjisë si dije nacionale dhe obligimet e tij nuk do të mund t’i kryejë lehtë dhe shpejt edhe për një kohë të gjatë, edhe sikur organizimi institucional të jetë në kulmin e funksionimit perfekt të tij. Sot shekulli XXI kërkon shkolla, domene, sisteme, metoda dhe koncepte bashkëkohore të qasjes në fushë të albanologjisë, në një kohë që obligimet e dy shekujve të kaluar, për hulumtimin, mbledhjen dhe sistemimin e lëndës së albanologjisë, as kanë filluar në shekullin XIX, kur këtë proces e kanë filluar dijet nacionale të Evropës, as janë realizuar në shekullin XX, kur i kanë realizuar disa prej popujve të rajonit. Për realizimin e obligimeve që para disa dekadave kanë shtruar Profesor Idriz Ajeti dhe brezi i tij, do të kërkohet hapja edhe e disa degëve filologjike në hapësirën universitare shqiptare, ngritja edhe e disa sektorëve të specializuar në institutet shkencore të qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës, Shkodrës, Shkupit, Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit etj.Populli shqiptar është popull historik dhe gjuha shqipe një prej dymbëdhjetë gjuhëve bazë në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane, por populli shqiptar është një prej atyre pak popujve historikë që nuk i ka përmbyllur disa prej projekteve historiko-gjuhësore, historiko-letrare dhe ento-historike me karakter nacional, përfshirë edhe disa prej projekteve (Fjalori etimologjik i shqipes, Fonetika historike e shqipes, Vendi i shqipes në familjen indoevropiane etj.) që bardët e albanologjisë nga radhët e shkencëtarëve evropianë, i kanë filluar dhe realizuar me sukses që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ndërsa i kanë çuar përpara dukshëm edhe brezi i Akademik Idriz Ajetit në gjysmën e dytë të shekullit XX (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Gramatika e shqipes së sotme, Gramatika historike e gjuhës shqipe, Historia e letërsisë shqipe, Historia e popullit shqiptar, Fjalori enciklopedik i popullit shqiptar etj.). Në një kohë që popujt fqinjë botojnë leksikonët dhe enciklopeditë për dijet (gjuhën, folklorin, historinë), qytetet dhe krahinat etnografike, madje personalitetet historike, kulturore e letrare më të rëndësishme, ne ende nuk po arrijmë të nisim një botim të vetëm unik të Enciklopedisë nacionale! Në një kohë që popujt me përmasa më të mëdha historike dhe ndikuese në hapësirën evropiane dhe globale punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës së tyre në mijëvjeçarin e ri nga rreziqet që vijnë nga filozofia e globalizimit, ne merremi me finesa tashmë të tejkaluara të standardit të shqipes dhe, për më tej, krijojmë a mundësojmë trajta të dyfishta gramatikore të saj! Kjo është edhe arsyeja pse hapja e Degës së Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prizrenit, madje organizimi i Konferencës së parë filologjike në nderim të Akademik Idriz Ajetit, paraqet jo vetëm një simbolikë të rastit, po edhe një nderim për veprën gjuhësore të tij në veçanti dhe albanologjinë si dije nacionale në përgjithësi.

Filed Under: Histori Tagged With: Begzad Baliu

FEMIJA në rol SIZIFI

November 13, 2021 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/

Fëmija merr lodrat dhe i fut ne nje qese te madhe nje e nga një. Me kujdes. Kur qesja nuk i nxe te gjitha i risistemon. Disa i ve vertikal.Disa horizontal. I kqyr duke u anuar pak mbraps jo më shume se 10 sekonda. Pastaj fillon e i heq nje e nga nje. Zbraz qesen, Pastaj i fut perseri. I risistemon. Pastaj i nxjerr. Vijon keshtu pa rreshtur disa here. …Ne dhomen e vogel te hotelit zbulon çelesat e llampave. Jane shume. Eksperimenton si fillim. Kush eshte per kete e kush per ate llampe. Pastaj i ndez te gjitha me rradhe. I fik. I ndez. Çdo dite e ben kete pune disa here. Po kjo eshte ndryshe. Pune qejfi. Ndrićon llampa. Fiket llampa. E komandon ai. Zot i drites dhe i erresires. Jetes dhe territ. Komandant. Gjithsesi Sizif. I duhet te perserise.Sizifi shfaqet më “i munduar” në tualet. Jane me dhjetra shishka te vogla plastike me shampo, gel, conditioner. I merr nje e nga nje. I sjell( transporton) ne dhome. I çon prape atje ne lavaman. Pastaj perseri ne dhome. Anasjelltas. Shkon, vjen, shkon. …Femija ben, zhben…ben. Hap, mbyll, hap…Ngjit, zbrit, ngjit, zbrit, zbrit, ngjit. Luan, do thoni ju. Sigurisht. Dhe njeh boten. Eksploron. Mosha. Dhe pa e ditur perserit jeten e ardhme. Pergatitet per rolin e Sizifit. Do te vije dita te ngjise ate gur ne mal çdo dite. T’i rrokulliset poshte ne darke. Që ta ngjise te nesermen perseri.E t’i zbrese serish ne darke. E keshtu me rradhe. Pune-Shtepi-pune-…Ne mos ndryshofte bota qe ka qysh ne kohe te Sizifit qe nuk ndryshon. A që ndryshon veç ne dukje.P.S Mos u beni pesimiste. Megjithe variacionet e shumta dhe emocionet e fuqishme iluzore, kete kane bere e bejne te gjithe Sizifet: presidente, artiste, shkencetare te medhenj e deri te medioker qe mbushin kafet me llafe çdo dite duke marre neper goje tere dynjane.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ylli Pango

GJEOPOLITIKAT ANTISHQIPTARE NË GADISHULLIN BALLKANIK

November 13, 2021 by s p

REXHEP SHAHU/

Në këtë studim shqyrtohen rrethanat gjeopolitike në rajonin e Gadishullit Ballkanik dhe manifestimet e tyre në hapësirën gjeoetnike shqiptare. Ballkani i cilësuar si “fuçi baruti” për një kohë të gjatë, sa i përket kufijve të “vizatuar” me dhunë dhe copëtimeve të njëpasnjëshme, eksperiencat më të hidhura i kanë shqiptarët. Pozita e rëndësishme gjeokomunikative, veçoritë e ndërlikuara etniko-demografike, ambiciet ekspansioniste të disa shteteve në rajon, para së gjithash të Serbisë, dhe ndikimet e fuqive të mëdha, kanë qenë përcaktuesit kryesorë të fatit historik për popujt e Ballkanit e në veçanti për shqiptarët. Historia e vonë dhe e re e rajonit veçohet me zhvillime të vrullshme gjeopolitike, çfarë janë konfliktet dhe luftërat, shpërnguljet e dhunshme dhe spastrimet etnike, zgjerimet territoriale dhe ndryshimet e rivizatimet e hartës politike të rajonit. Nga këto rrethana të ndërlikuara gjeopolitike më së shumti u godit kombi shqiptar në gjithë gjeotrungun e tij. Mirëpo, korrigjimi i padrejtësive historike nuk mund të bëhet pa dhunë, spastrime etnike dhe luftëra të përgjakshme. Kjo u pa në rastin e agresivitetit hegjemonist serb gjatë viteve të 90-ta të shek. XX.Në kuadër të “Shqyrtimeve hyrëse” trajtohen konceptet themelore të gjeografisë politike dhe të gjeopolitikës. Sidomos vihet theksi te ky i fundit, i cili është një nga nocionet më kundërthënëse dhe të kontestuara profesionale-shkencore, që jo rrallëherë madje edhe nga profesionistët nuk përdoret drejtë. Ka të tillë që mendojnë se gjeografia politike dhe gjeopolitika nënkuptojnë thjeshtë të njëjtën gjë, ndërkaq ka të tjerë që thonë se gjeopolitika është “gjeografi politike aplikative” ose “versioni propagandistik i gjeografisë politike”. Përdorimi i nocionit “gjeopolitikë” është në radhë të parë rezultat i “Luftës së Ftohtë” dhe të gjitha proceseve politike që i kanë karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare pas Luftës II Botërore.Në pjesën e parë prezantohen “Projektet hegjemoniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, të cilat ishin në shërbim të realizimit të ambicieve territoriale të Serbisë ndaj fqinjëve të saj dhe në veçanti ndaj truallit gjeoetnik shqiptar. Të udhëhequra nga institucionet më të larta shkencore, kulturore dhe fetare ato ishin bërë pjesë e politikave zyrtare shtetërore. “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844), kolonizimi dhe reforma agrare, projektet gjenocidale në fillim të shek. XX e deri te “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (1986) dëshmojnë për koncepcionin dhe synimet afatgjata të qarqeve politike, akademike, kulturore dhe fetare serbe për zgjerimin territorial të Serbisë, e cila këto ndërmarrje i arsyetonte me nevojën për zgjerimin e “hapësirës jetësore” për popullin serb. Ky koncepcion përputhet me nocionin Lebensraumm – shqip: hapësira jetësore, të cilin e kishte futur në përdorim Friedrich Ratzel (1897), që konsiderohet si themelues i gjeografisë politike. Mirëpo, në rastin e Serbisë ky koncept kishte shërbyer si motiv kryesor për pushtimet territoriale, ngjashëm me ato të Gjermanisë naziste për të siguruar hapësirë më të madhe jetësore dhe resurse natyrore për popullin e vet, andaj nuk mund të trajtohen ndryshe përveç si ndërmarrje hegjemoniste me premisa fashiste.Në këtë pjesë trajtohet çështja e Kosovës si nyja më komplekse neogjeopolitike në Ballkan dhe Evropë. Brenda kësaj teme trajtohet roli me hile i Evropës, e cila në përpjekjet për dominim dhe duke mos e kuptuar realitetin politik nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet në truallin e vet dhe sidomos në Gadishullin Ballkanik. Rezultat i kësaj qasje jokonsekuente është shkatërrimi i Jugosllavisë, i cili përfundon me luftën e Kosovës dhe intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare (1999), kurse përgjatë procesit të shpërbërjes së kësaj krijese gjeopolitike artificiale zhvillohen luftëra, të cilat shkaktojnë humbje të shumta në njerëz, shkatërrime masive materiale, shpërngulje të dhunshme të popullatave, spastrime etnike dhe gjenocid. Segregacioni, krimet, okupimi i Kosovës dhe kërkesat e lëvizjes politike shqiptare, politikat dhe ndërmarrjet serbe për kolonizimin dhe përndjekjen e shqiptarëve, intensifikimi i veprimeve gjenocidale ndaj shqiptarëve, janë disa nga problemet që shtjellohen brenda kësaj pjese përmes të cilave bëhet e qartë çështja komplekse gjeopolitike e Kosovës dhe rrugëtimi i saj i vështirë deri te çlirimi në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.Në pjesën e dytë “Gjeopolitikat ekspansioniste: aspiratat shek- ullore serbe për dalje në det përmes uzurpimit të territoreve shqiptare” bëhet një vështrim kritik dhe analitik-shkencor i projekteve të planifikuara infrastrukturore, çfarë janë rrugët hekurudhore dhe kanalet ujore që shpërfaqin etjet e Serbisë, e cila tenton të mënjanojë hendikepin e të qenit shtet kontinental (land-locked country) dhe të realizojë ëndrrat shekullore për dalje në det. Dalja e Serbisë në portet e Durrësit dhe Shëngjinit përmes hekurudhave, apo edhe projekti i shtrenjtë dhe vështirë i realizueshëm i kanalit ujor Morava-Vardar përmes të cilit Serbia do të siguronte dalje në portin e Selanikut ishin planifikuar të kalojnë nëpër territoret etnike shqiptare.Këto projekte janë punuar dhe nga ekipe të ekspertëve serbë dhe të huaj, por që ideatorë të tyre kanë qenë institucionet më të larta shkencore dhe akademike serbe, me shkencëtarë të njohur të kohës, çfarë ishte J. Cvijiqi (1865-1927), i cili edhe në qarqe evropiane në fillim të shek. XX konsiderohej si një ndër njohësit më të mirë të Gadishullit Ballkanik, të strukturës së tij fizike, shpirtërore dhe shoqërore. Artikulli i tij i vitit 1912 me titull “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik”, i botuar në “Glasnik Srpskog Geografskog Društva” do të shërbejë si pikënisje për përpilimin e disa projekt-ideve në vazhdim për daljen e Serbisë në det, të cilat i arsyeton me domosdoshmërinë për zgjerimin e “hapësirës jetësore” përkundër faktit që argumentet etniko-demografike nuk ishin në anën e tyre, por do të realizoheshin në dëm të shqip- tarëve dhe trungut të tyre gjeoetnik. Në këtë pjesë trajtohen edhe qëndrimet e Ivo Andriqi (1892-1975) dhe veprimtaria e tij në shërbim të politikave hegjemoniste serbe. Ai e hartoi elaboratin special (1939), ku shtjellon idenë e kahmotshme ekspansioniste të Serbisë për dalje në detin Adriatik, madje edhe me hekurudhë, identike me idenë e Cvijiqit të vitit 1912. Andriqi angazhohej për ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë dhe Italisë dhe në këtë kontekst edhe të okupimit të Shqipërisë së Veriut. Midis tjerash, në elaborat theksonte: “Lugina e Drinit dhe Shkodra përbëjnë një tërësi gjeografike me Malin e Zi dhe viset kufitare të Serbisë”.Për shkak të rëndësisë që ka pasur në kohën kur është publikuar, por edhe për aktualitetin gjeopolitik, në këtë botim për herë të parë autorët e sjellin të përkthyer në gjuhën shqipe pun- imin e Cvijiqit me titull “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik”. Gjithashtu brenda kësaj pjese është shtjelluar hollësisht ideja për ndërtimin e kanalit ujor Morava-Vardar, nga paraqitja e saj dhe akterët e përfshirë e deri te riaktualizimi në kohët e fundit, bene- fitet ekonomike, sociale dhe mjedisore, por edhe pasojat afatgjata të kostos së lartë financiare (qindramilionëshe); janë pasqyruar edhe qasjet realiste dhe pragmatike për ndërtimin e kanalit etj.Në pjesën e tretë “Kufijtë e Kosovës me fqinjët” shqyrtohet problematika shumë komplekse e kufirit të Kosovës me vendet fqinje, procesi i demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, instrumentalizimi i shkencës dhe vënia e saj në shërbim të qarqeve politike dhe parapolitike me të vetmin qëllim për t’i shndërruar ato në kauza politike në kuadër të luftës së egër për pushtet. Dhe në fund, për të përmbyllur harkun kohor më shumë se njëshekullor të zhvillimeve të vrullshme gjeopolitike në Ballkan dhe në veçanti në trojet shqiptare, në këtë pjesë flitet për “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi dhe idetë e reja (të vjetra) për shkëmbimin e territoreve dhe popullatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat si projekte dhe ide i takojnë mendësisë së shekullit të kaluar të Serbisë hegjemoniste dhe të gjitha janë në kundërshtim të plotë me realitetin dhe rrezikojnë zhbërjen e shtetit të ri të Kosovës dhe integritetin territorial të tij. Mjerisht, në këto vitet e fundit në këtë lojë të Presidentit të Serbisë, A. Vuçiq, janë implikuar fuqimisht ish-Presidenti i Kosovës, H. Thaçi për t’i ikur drejtësisë ndërkombëtare (Gjykatës së Hagës), dhe Kryeministri i Shqipërisë, E. Rama për ta penguar funksionimin e shtetit të ri të Kosovës dhe cenimin e integritetit territorial të tij. Në këtë angazhim, Thaçi dhe Rama gjithnjë kishin mbështetjen e disa qarqeve të huaja me ndikim politik dhe financiar, por edhe qarqeve të tjera ndërkombëtare antishqiptare!Ky libër studimor është rezultat i punës shumëvjeçare të autorëve. Sa është arritur në përmbushjen e objektivave dhe pritshmërive, mbetet të gjykojë opinioni profesional dhe opinioni i gjerë lexues. Autorët i mirëpresin vërejtjet dhe sugjerimet konstruktive dhe dobiprurëse. Me këtë rast, autorët e falënderojnë botuesin, z. Rexhep Shahu, që pati mirësinë ta publikonte këtë studim, sikundër që e ndjejmë për obligim ta falënderojmë kolegun tonë, dr. Valbon Bytyqin për ndihmën profesionale rreth përpilimit të hartave tematike, redaktimin teknik dhe dizajnin. Në fund, i jemi mirënjohës kompanisë “Bici Commerce” nga Bujanoci, që i mbuloi shpenzimet financiare të shtypit të këtij botimi.Nëntor, 2021

Filed Under: ESSE Tagged With: Rexhep Shahu

Pasojat e elitës së gënjeshtërt

November 13, 2021 by s p

Agim Baçi/

Profesori i filozofisë në Universitetin Notre Dame në SHBA, Gary Gutting, teksa shkruan lidhur me marrëdhëniet mes intelektualëve dhe politikës, sjell në vëmendje edhe disa nga karakteristikat e jetës intelektuale. Ai beson se intelektualizmi duhet të jetojë më së shumti në botën universitare. Sipas Gutting, intelektualët duhet të na tregojnë gjërat, të cilat ne kemi nevojë t’i njohim: si funksionon natyra dhe shoqëria, çfarë ndodhi në të kaluarën tonë, si të analizojmë konceptet, si të vlerësojmë artin dhe letërsinë etj. Ata, sipas profesorit të filozofisë, na bëjnë të mundur komunikimin me mendjet e mëdha të së shkuarës. Ky komunikim apo ky bashkëbisedim mundet të mos na çojë në një burim të përhershëm dijeje, siç mund të mendojnë disa që admirojnë jetën intelektuale, por ai së paku na jep një qëndrim kritik për të vlerësuar kufijtë e hamendësimeve tona kulturore sot.Por, a kanë qenë universitetet shqiptare një burim dijesh dhe frymëzimi dhe a kanë asistuar ata pranë politikës, që vendimet e të zgjedhurve të jenë në favor të publikut dhe të ndërtimit të së ardhmes së këtij vendi?Heshtja e shumë prej profesorëve lidhur me plagjiaturat në punimet shkencore, apo edhe më keq, heshtja lidhur me mungesën e punimeve shkencore në të shkuarën, ku titujt shkencorë janë bërë më së shumti me vendime partish, i kanë hapur rrugën një elite të rreme, e cila, për pasojë, veçse iu është bashkangjitur vendimeve partiake apo orekseve të qeverive.Një pjesë e profesorëve, me tituj të trashëguar që para vitit 1990, me “enverizma e partishmëri”, kanë vijuar të ushqejnë në jetën universitare mentalitetin e së shkuarës, duke krijuar një situatë gjysmake shkencore, që në fakt del se s’ka qenë veçse një kurth i mirëmenduar për të njollosur shumicën e atyre që do të ishin pjesë e trupave akademikë. Duke mbyllur sytë para punimeve mediokre e plot plagjiaturë, trupa e vjetër dhe aspak shkencore e profesorëve ka arritur të sigurojë veç mbijetesën e vet, duke ushqyer një shoqëri të pamoralshme. Për pasojë të këtij bashkëpunimi gati kriminal me vjedhjen e hapur të mendimit, ne sot nuk mund të kemi shpresë se intelektualizmi universitar mund të na ndriçojë në ndonjë shpjegim lidhur me natyrën, besimin, shoqërinë, historinë apo edhe letërsinë.Për sa kohë nuk do të ketë një përpjekje për negocim dhe imponim të jetës intelektuale te përfaqësuesit politikë, ne do të rrezikojmë vetëm zmadhimin e një neverie të politikës dhe qytetarëve ndaj jetës intelektuale. Madje, mund të themi hapur se pasojë e ngjitjes në majat e politikës të personave që nuk kanë asnjë lidhje me jetën intelektuale, është pikërisht elita gënjeshtare, e cila u krijua në këto vite përmes plagjiaturës dhe mediokritetit.Profesor Gutting ka shpjeguar se, SHBA, por edhe shumë vende europiane, prej kohësh kanë gjetur një zgjidhje lidhur me bashkëpunimin mes intelektualëve dhe politikës, duke krijuar komisione ku politikanët vihen në kontakt me zhvillimet dhe shpjegimet shkencore, në dobi të shoqërisë dhe ekonomisë kombëtare. Pra, edhe kur nuk kanë një ta kaluar shkencore, ata vihen në kontakt me zhvillimet shkencore dhe jetën intelektuale, me qëllim që vendimet e tyre të jenë të ndikuara nga ata që paguhen për jetën shkencore.Protesta e studentëve, dhe disa kontribute individuale që kanë nxjerrë këto vite në pah nivelin e përhapur të plagjiaturave në punimet shkencore në Shqipëri, kanë hapur më së paku mundësinë të nisim të shkruajmë të vërtetat e komunikimit intelektual në universitetet tona. Por këto hapa do të ishin krejt pa kuptim nëse nuk vihen themelet për një komunikim të ri të jetës universitare, jo më si një shtojcë e tekave të politikës, por si një imponim i mendimit dhe kontributit për të ardhmen e këtij vendi.Që në veprën e Platonit, “Republika”, kërkohet një kombinim mes njohurive teorike dhe atyre praktike. Por ky kombinim arrihet nëse ka dinjitet nga ata që teorikisht kërkojnë ndryshimin. Për të pasur këtë dinjitet, duhet më së pari të themi të vërtetën për atë që bëmë keq, apo që nuk e bëmë fare. Profesorati, duke heshtur për plagjiaturat e gjithanshme, i ka dhënë shkelmin dinjitetit dhe ka ngritur veç ngrehinën e nihilizmit, pra, edhe servilizmit. Për të shembur këtë marrëdhënie të gënjeshtërt, nevojitet që sa më parë të zbardhim atë që është ndërtuar në mënyrë të gabuar. Kjo do të jetë pa dyshim e vështirë, por jo e pamundur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Baci

EMIGRIMI NGA SHQIPËRIA ME PËRMASA SHQETËSUESE

November 12, 2021 by s p

Nail  Draga/

Të dhënat e publikuara kohë më parë nga EUROSTAT-i për periudhën 2008-2020, dëshmojnë se nga Shqipëria kanë emigruar rreth 700 mijë shqiptarë apo ¼ e popullsisë në vend të cilët kanë ikur për shkak të varfërisë, e cila ka marrë përmasa shqetësuese. Nëse këtij numri i shtojmë edhe rreth 300 mijë shqiptarëve nga Kosova, del se ne botën e jashtme kanë emigruar rreth 1 milion shqiptarë, dukuri  me pasoja shumëdimensionale

Sipas të dhënave nga EUROSTAT-i gjatë vitit 2020, në vendet e BE-së janë dhënë 37.6 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. Nga vendet mikpritëse e para është Italia, me 13.059 leje, e dyta Gjermania me 8.308 leje, pastaj Greqia me 7.768 e ndjekur nga Franca me 1.875 dhe Kroacia me 1.695 leje qendrimi  për herë të parë.

Sipas vitëve numri me i lartë  i lejeve të qendrimit është dhënë  në vitët 2008-2009, me përkatësisht me  97.3 mijë dhe 83.9 mijë, duke qenë vitët rekorde të emigrimit. Pas tyre vitëve fluksi i emigrimit pësoi rënie  duke zbritur në 30 mijë në vitin 2013, por ka ndryshuar në vitët vijuese, duke arritur ne 60.4 mijë në vitin 2019.

Shqipëria e para në regjion

Në krahasim me vendet e tjera të regjionit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian. Të dhënat e publikuara për periudhën 2008-2020, dëshmojnë se janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qendrimi  në një nga shtetet e BE-së. Nëdrsa për  të njëjtën periudhë (2008-2020) kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 426 mijë serbë, 337 mijë boshnjakë, 285 mijë shtetas të Kosovës, 195 mijë nga Maqedonia e Veriut dhe më pak se 20 mijë nga Mali i Zi. Nga të dhënat e tilla del qartë se procesi i emigrimit i ka përfshirë të gjitha vendet e regjionit, por numri i lartë i shtetasve shqiptarë bën përjashtim duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të banorëve në Shqipëri. Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna diferenca në raport me popullsinë e përgjithshme është e lartë. Kështu gati  25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e BE-së, pastaj vjen  Kosova (15.4%), Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).

Çështja e emigrimit përkatësisht të numrit të tyre përmes autorizimeve për lejet e qendrimit   të lëshuara për herë të parë për këto vende nga shtetet e Bashkimit Europian është trajtuar edhe nga institucionet ndërkombëtare. Kështu në një raport nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, del  se Shqipëria ka  numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për periudhën 2010-2020.

Varfëria ekonomike shkak i emigrimit

Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë.

Dhe nuk ka sit ë jetë ndryshe sepse Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore  që ndikon drejrpëdrejtë në nivelin e lartë të procesit të emigrimit.

Sipas Eurostat-it nga numri prej 37.592 shtetasve shqiptarëve që moren leje qendrimi në vendet e BE-së në vitin 2020, 52% e tyre janë deklaruar se e kanë marrë për arsye familjare, 16% për punë, 3% për edukim dhe me pas renditen arsye tjera.

Lejet e qendrimit në Europë

Për qytetarët jashtë BE-së  në vitin 2020 janë dhënë 2.2 milion leje qendrimi, ku nga këto vende dominon Polonia e cila ka dhënë 598 mijë leje apo 26% e tyre. Më pas leje kanë dhënë Gjermania(313.000, ose 14%) dhe Spanja(312.000, ose 14%).

Nga vendet që morën lejet e qendrim në vend të parë Ukraina ku 601.200 qytetarë të sajë  morën lejet për herë të parë, në vitin 2020, duke qenë grupi më i madh nga të gjitha shtetet tjera. Nga këto leje Polonia lëshoi 488.900 leje apo 81% të tyre. Me pas renditën shtetasit e Marokut(123.400 leje, nga të cilat 56% u dhanë në Spanjë) dhe të Indisë(79.270, nga të cilët 14% u dhanë në Gjermani. Duhet theksuar se shtetasit e këtyre vendeve përbënin mbi një të tretën(36%) të të gjitha lejeve të qendrimit të pare të lëshuara në vitin 2020.

Bëhet me dije se në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shtetasit shqiptarë ka rënë me 38%, i ndikuar nga situata e krijuar nga pandemia.

Sipas të dhënave për vitin 2020 në regjion, numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit  e mban Serbia, me 40.8 mijë, më pas Shqipëria (37.6 mijë), Bosna-Hercegovina (35.1 mijë), Kosova (31.6 mijë), Maqedonia e Veriut (16.3 mijë), Mali i Zi (2.7 mijë).

Duhet cekur se numri më i lartë i emigrantëve shqiptarë pas viteve pas viteve 90-ta të shekullit të kaluar janë vendosur kryesisht  në Itali e Greqi, të cilët kanë  dhënë 84% të lejeve të qëndrimit për herë të parë për periudhën 2008-2020. Në këtë aspekt rekordin e mban Italia, me 342.5 mijë leje gjithsej(49% ) dhe  Greqia ka dhënë 247.6 mijë(35%).

Përfundim

Të dhënat e prezantuara për periudhën kohore(2008-2020) nëse i përmbledhim del qartë se nga Shqipëria e Kosova kanë emigruar rreth 1 milion shqiptarë, duke qenë kombi  me emigrim me të theksuar në Europë, fillimisht duke kërkuar azil e më pas duke kërkuar leje qendrimi, që një numër i konsideruar i tyre ia kanë arritur qellimit. 

Deri më tash nuk janë realizuar  hulumtime e publikime në lidhje me emigrimin e shqiptarëve sipas vendbanimeve apo krahinave si në Shqipëri e Kosovë, sepse kemi të bëjmë me dukurinë e shpopullimit te vendbanimeve proces që është me pasoja shumëdimensionale demografike në mjediset përkatëse, çështje e cila duhet të jetë preokupuese për qeveritë e dy shtetëve tona. 

https://i2.wp.com/www.monitor.al/images/2021/10/lejet-e-qendrimit.png?resize=640%2C347&ssl=1Burimi: Eurostat

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT