• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

REKRUTIMI I DHUNSHËM, MASAKRA E TIVARIT DHE PËRGJEGJËSIA E PARTIZANËVE SHQIPTARË

November 12, 2021 by s p

Rishqyrtime historiografike (5)

Jusuf BUXHOVI

(Rekrutimi i dhunshëm i Shqiptarëve si dhe dërgimi i tyre në frontin e Sremit dhe në frontet e Adriatikut në Trieste – pjesë e skenarit për shfarosjen e Shqiptarëve në përputhje me skenarët e Çubrilloviqit. – Kosova duhej të zbrazej nga të rinjtë shqiptarë që të pamundësohej kryengritja shqiptare kundër ripushtimit serb. – Në fushatën e mobilizimit morën pjesë aktive brigadat partizane nga Shqipëria si dhe ato kosovare. – Në frontin e Sremit gjetën vdekjen mbi dhjetë mijë rekrutë shqiptarë, ndërsa në masakrën e Tivarit mbetën të vrarë mbi 3700 shqiptarë).Nga Jusuf BuxhoviPasi që me qërimin e përgjakshëm të hesapeve me nacionalistët shqiptarë dhe forcat e tjera që mund t’i kundërviheshin aradheve partizane shqiptare dhe jugosllave të futura në Kosovë “për çlirimin e saj nga gjermanët”, ishte përmbushur njëra ndër pikat e rëndësishme të planit jugosllav për ripushtimin e Kosovës, radhën e kishte zbrazja nga djalëria e saj dhe dërgimi i tyre në vijat e frontit antifashist si “vullnetarë” ose të mobilizuar në veri (në frontin e Sremit) dhe në frontin e Adriatikut me çka përmbushej njëri ndër qëllimet kryesore që parashihte Memorandumi më i ri i Çubrilloviqit i pranuar nga komunistët jugosllavë si program shtetëror.Urdhri për mobilizimin e disa mijëra Shqiptarëve për nevojat e Armatës Jugosllave në Serbi, Vojvodinë, Bosnje, Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni dhe dërgimin e tyre në front për të plotësuar radhë të Armatës IV të Jugosllavisë erdhi nga Shtabi Suprem i Armatës së Jugosllavisë dhe e zbatuan shtabet e Divizioneve V e VI të UNÇ të Shqipërisë. Ky do të jetë një kapitull i dhimbshëm dhe tragjik njëherësh, që do t’i paraprijë atij që do të pasojë pas pak – gjakosjes së Kosovës, sepse mobilizimi do të bëhet i dhunshëm dhe me skenar të caktuar për arritjen e dy qëllimeve strategjike nga ana e Jugosllavëve: a) heqja e një pjese të madhe të fuqisë njerëzore të Kosovës, kryesisht të rinjve, që vlerësohej se mund të ishin të rrezikshëm gjatë skenarëve që tashmë përgatiteshin kundër Kosovës dhe b) përgatitjen e terrenit për sjelljen e mëtutjeshme të njësive partizane jugosllave në Kosovë, të cilat do të viheshin në shërbim të spastrimit të saj të plotë nga të gjitha forcat nacionaliste dhe patriotët e tjerë dhe kjo të bëhej me pretekstet e qërimit të hesapeve me “shërbëtorët e okupatorit dhe kundërshtarët e regjimit popullor”.Krahas shumë e shumë dokumenteve që tumirin qëllimet e përmendura më lartë, një letër e Bllagoje Neshkoviqit, Sekretarit të Komitetit Krahinor për Serbi, drejtuar komunistëve të Kosovës, shpjegon më së miri platformën e këtyre veprimeve antishqiptare: “Ju, në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo rast mund të çohen në kryengritje… Populli nuk është me ne… Po e shohim se Shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare…” Si rrethanë tepër e volitshme e këtij veprimi, që duhej shfrytëzuar deri në fund, shfaqej bashkëpunimi me partizanët shqiptarë si dhe prania e tyre në Kosovë, me çka komunistët jugosllavë liroheshin nga “dyshimet”, që tashmë kishin filluar të shfaqeshin edhe midis aleatëve anglo-amerikanë, se rikthimi i tyre në Kosovës mund të shfrytëzohej për qërim hesapesh me popullatën që kishte përkrahur “irredentizmin shqiptar”. Si do të shihet, prania dhe pjesëmarrja e partizanëve shqiptarë në Kosovë, që do të zgjasë rreth një vit, do të shfrytëzohet që planet antishqiptare të komunistëve jugosllavë të kishin “mbulesën” e bashkëpunimit vëllazëror dhe internacionalist shqiptaro-jugosllav, i thadruar gjatë luftës antifashiste. Ndaj, rrethanat që kishte krijuar vendosja e administratës ushtarake (shtypja e përgjakshme e rezistencës kombëtare në Kosovë) si dhe bashkëpunimi shumë i mirë midis partizanëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë në vendosjen e “pushtetit popullor” me anën e këshillave nacionalçlirimtare, vlerësoheshin të përshtatshme për mobilizimin e popullatës për t’u dërguar në frontet e luftës në Veri dhe në Adriatik.Natyrisht, se mobilizimi, që nga propaganda jugosllave dhe ajo e partizanëve shqiptarë u trumbetua “si pjesë e fitores ndaj fashizmit” dhe “deponim në ardhmërinë e barabartë të vëllazërim-bashkimit”, pati njëfarë jehone te një pjesë e vogël e popullatës, e cila shihte interes në këtë ndryshim, veçmas kur fjalët për ardhmërinë e lumtur thuheshin nga komisarët e aradheve partizane, ku me siguri kishte edhe të tillë që u besonin atyre fjalëve dhe mendonin se edhe Shqiptarët e Kosovës duhej të investonin në këtë ndryshim. Por, pjesa më e madhe e kosovarëve nuk i mori për të tilla, për dy arsye të thjeshta: së pari pse nuk u besonin Serbëve, ngaqë ishte e kaluara e hidhur me dy gjenocide të kryera gjatë shekullit të fundit që rrënonte çfarëdo premtimi të tyre dhe, ishte edhe realiteti i ri partizan (burgimet, vrasjet, shpronësimet, internimet) që përkonte me ripushtimin. Sado që ai vinte i veshur me një mashtrim komunist në të cilin merrnin pjesë kryesisht partizanët shqiptarë nga Shqipëria dhe ata të paktët nga Kosova që u ishin bashkuar, ndonëse një pjesë prej tyre kishin filluar t’ua kthenin shpinën, madje edhe armën sepse e kishin kuptuar mashtrimin. Por, edhe në ato rrethana tepër të rënda, nga të dhënat zyrtare jugosllave, shumë prej të cilave nuk janë të plota, ngaqë duhej të fshiheshin përmasat e vërteta të këtij veprimi vrastar, brenda dy muajve të ardhshëm, të shumtën me dhunë, u mobilizuan mbi njëzet mijë të rinj shqiptarë, që u dërguan në frontet e Veriut (Srem) dhe të Adriatikut (Trieste) nëpër Shqipëri për në Mal të Zi, shu-më prej të cilëve nuk do të kthehen kurrë në Kosovë. Skenari për pastrimin e Kosovës nga fuqia e saj njerëzore (kryesisht rinia) filloi menjëherë nga ana e Shtabit Suprem të Jugosllavisë me largimin nga Kosova të forcave nacionalçlirimtare të saj (kryesisht partizanë shqiptarë) por edhe rekrutëve të mobilizuar me dhunë. Në përputhje me këtë strategji Shtabit Operativ të Kosovës iu dha urdhri që disa brigada kosovare të niseshin për në Vojvodinë e në Bosnjën Lindore për t’i plotësuar brigadat e atjeshme për veprimet e fundit luftarake. Largimin i tyre në frontet e veriut, duhej të përcillej me hyrjen në Kosovë të aradheve të tjera partizane të Ushtrisë Jugosllave si dhe forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Ndër këto brigada që duhej të largoheshin nga Kosova ishte Brigada VII e Kosovës, e formuar në Gjakovë më 11 nëntor 1944. Bërthamën e saj e përbënin Batalioni I i përbërë nga luftëtarët të Brigadës I dhe IV të Kosovës. Brigada kishte një efektiv prej 15 mijë luftëtarësh, të gjithë shqiptarë të ndarë në katër batalione. Për drejtimin e kësaj brigade u ngarkuan, komandant Shaban Haxhia, nga Bytyçi i Tropojës, ndërsa komisar Qamil Brovina nga Gjakova. Për të penguar krijimin e formacioneve të mëdha kosovare, ajo nuk u shndërrua në divizion, por u copëtuan dhe u dërgua në frontin e Sremit. Në rrugë për në Srem, Brigada shqiptarë në disa vende u sulmua nga partizanë-çetnikët jugosllavë dhe gati u shfaros. Komandanti i Brigadës Shaban Haxhia rrëfen i trishtuar për rrugën e kalavarit të luftëtarëve të tij si dhe asgjësimin e pjesës më të madhe të tyre në frontet e Sremit. Shaban Haxhia thotë : “Mbasi kishin hyrë brenda kufijve të Serbisë, na ngujuan në trena të mbyllur dhe 48 orë na mbajtën në çelës. Nuk dinim se ku ishim e shka po bahet me në… Na dukej vetja rob lufte… Ashtu mbetëm dy ditë e dy net pa asnjë ushqim. Po na vinte nji vdekje e ngadalshme. Ma në fund, na përplasën në Banatë në duart e oficerëve serbë. Qëllimin e kuptuam, kur na përpiu një tifo dhe na hallakatën nëpër repartet serbe në luftime, Shtabin tonë shqiptarë na e hoqën dhe e kthen në Kosovë…” Rrëfimin trishtues komandant Shaban Haxhia e mbyll me fjalët tronditë-se të një ndërgjegje të vrarë përgjithmonë: “U kthyem pa ushtri në Kosovë. Pyetjet se ku i lamë djemtë tanë, ishin tepër rënduese për ne…” Nëse për tragjedinë e madhe të Brigadës VII kosovare në frontin e Sremit, me rreth 15 dhjetë mijë luftëtarë, të shumtën të mobilizuar dhunshëm, të cilët u shpërndanë nëpër brigadat jugosllave dhe në formacionet “sulmuese” u dërguan në vijat e para të luftës, do të mund të gjendej “ndonjë arsye” se ata ishin “pjesë e frontit të fundit antifashist” kundër ushtrisë gjermane në prag të kapitullimit të saj dhe të fitores ndaj fashizmit, masakra e Tivarit, me mbi tri mijë e shtatëqind viktima, paraqet një krim kundër njerëzimit, i organizuar nga aradhet partizane shqiptare dhe ato të Kosovës. Në këtë krim të rëndë, të projektuar nga V. Çubrilloviqit dhe i programuar nga qeveria jugosllave, në zbatimin e tij drejtpërdrejt morën pjesë edhe partizanët shqiptarë. Kjo shtetin komunist shqiptar e ngarkon me përgjegjësinë e bashkëfajtorit nga fillimi i tij e deri në çastet e kryerjes, pa marrë parasysh ekzekutorin final (njësitë partiza-ne jugosllave) në Tivar të Malit të Zi. Burimet meritore dëshmojnë se ndihmesën më të madhe për rekrutimin e Shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, dhanë komandat e këtyre divizioneve dhe brigadave të ushtrisë shqiptare, që ishin nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme jugosllave. Radiogramet dhe raportet nga Divizioni V dhe VI të UNÇSH-së gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë jo vetëm që vërtetojnë praninë e tyre në këto pjesë gjatë mobilizimit të dhunshëm dhe pjesëmarrjes aktive në të, por vërtetojnë edhe praninë e tyre gjatë fushatës së ashpër të partizanëve jugosllavë, e cila kishte shpërthyer në gjithë vendin pas shuarjes së përgjakshme të Kryengritjes së Drenicës si dhe vënia në shërbim të kësaj fushate në të quajturat operacione spastruese, që vazhduan me të njëjtin intensitet gjatë marsit, prillit dhe majit. Në një raport të komisarit politik të Divizionit V, Ramiz Alia pos të tjerash, jo vetëm që lëvdohet puna e partizanëve jugosllavë në këtë veprim kriminal ndaj atyre që kishin dhënë jetën për t’i rezistuar pushtimit sllavokomunist, por ata quhen “banda reaksionare kundër lëvizjes dhe pushtetit jugosllav”. R. Alia më tutje raporton: “Kjo lëvizje ka qenë e gjanë dhe ka përfshi në gjirin e saj nji pjesë të mirë burrash (afro 7000-8000 burra të armatosur). Lëvizja e këtyre reaksiona-rëve u shua disi nga veprimi i disa brigadave të Kosmetit dhe disa brigadave jugosllave të ardhura për këtë punë. Tashti gjenden akoma grupe të vogla bandash nga 20-30 vetë…” Por, sipas R. Alisë, del se ishte detyrë e divizioneve të ushtrisë shqiptare që të asgjësonin këta krerë “të bandave reaksionare”, nëpërmjet propagandës, forcës së armëve dhe dorëzimit ushtrisë jugosllave: “Paraqitja e divizionit tonë në këto zona ka ngritur moralin e popullit, i cili ka një farë besimi te ne dhe shohim menjëherë se brenda 3-4 ditëve u dorëzuan në Brigadën III tonën afro 30 elementë të arratisur”. Në një raport të Reiz Malilës, zëvendës komisar politik i Divizionit V, të dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UÇ të Shqipërisë, që drejtpërdrejt kalonte në duart e Komandantit Suprem Enver Hoxhës, shihet fare mirë se partizanët shqiptarë, me urdhrin e jugosllavëve, kishin vazhduar punën e partizanëve jugosllavë, pra në “ndjekjen dhe asgjësimin e reaksionarëve kosovarë”. Në këtë detyrë ata ishin direkt nën komandën e Gjeneralshtabit të Armatës Jugosllave, të cilit i dërgoheshin raporte të përditshme rreth veprimeve luftarake në spastrimin e zonave, me ç’rast në radiogramet gjeneralshtabit të APJ-së me mburrje i raportohej se “Brigadat janë duke bërë ndjekje dhe rrethi-me të bandave, gjithnjë me sukses”. ”Në bazë të urdhrit të marrë nga Armata e Pestë Jugosllave, e cila na jep të dhëna për reaksionarët kosovarë, drejtimin e lëvizjes së tyre si dhe drejtimet që duhet të zëmë ne me efektivat e divizionit tonë, me të marrë këtë urdhër, vumë në ndjekje të reaksionarëve kosovarë Brigadën V Sulmuese dhe një batalion të Brigadës III, ku u asgjësuan rreth 68 reaksionarë kosovarë. Në Juglindjen tonë vepronte për këtë mision edhe Divizioni VI”. Krahas “asgjësimit të reaksionarëve”, brigadat shqiptare vazhdonin “spastrimin e terrenit nga përkrahësit e reaksionarëve dhe të familjeve të tyre”, pra të burgosjes “të dyshuarve”, të cilët, bashkë me dezertorët, i dorëzoheshin Shtabit Operativ të Kosmetit, fati i të cilëve dihej: pushkatoheshin ose dërgohe-shin në njësi “plotësuese” partizane në frontin e Sremit, ku gjenin vdekjen e pashmangshme si pararojë për pastrimin e terrenit nga minat. Kontingjenti i parë i dezertorëve dhe të burgosurve që iu dorëzuan partizanëve jugosllavë, bashkë me listën përcjellëse, ku shënohen të dhënat personale për secilin, përmban 190 veta. Kryesisht vullnetarë shqiptarë nga prefekturat e Mitrovicës e Pejës (Skënderaj, Istog, Vuçitërnë, Prekaz, Llaushë, Çikatovë etj.). Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por edhe vullnetarë të bashkuar Divizionit V të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkangjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, nga prefektura e Mitrovicës dhe Pejës, që iu bashkuan vullnetarisht Divizionit V, kur ai ishte në Kosovë. Nga të dhënat përcjellëse del se në radhën e ushtarëve të dorëzuar më së shumti kishte luftëtarë të Shaban Polluzhës. Të tillët përcilleshin edhe me vërejtjen: “Ka qenë me Shaban Polluzhën, i rrezikshëm!”. Me këto shënime plotësuese ata identifikoheshin dhe denoncoheshin dhe u dorëzoheshin ekzekutorëve të tyre. Sipas të dhënave përcjellëse, që u jepeshin partizanëve jugosllavë me rastin e dorëzimit të dorëzuarve te ushtria shqiptare, shihen edhe fëmijë dhe të rinj nga mosha 14 e 15 vjeçar, siç ishin Ajet Syla, Feriz Ramadani, Sinan Selmani, Musa Abdullai dhe Dem Ramadani nga Llausha (14 vjeçar); Deli Zeneli nga Klina, Ibrahim Ademi nga Prekazi, Alush Ademi nga Llausha, Jusuf Ahmeti nga Skënderaj (15 vjeçar) si dhe shumë e shumë 16-18 vjeçar. Pra, numri i madh i të dorëzuarve (si vullnetarë, apo dezertorë), që u binin në dorë partizanëve shqiptarë, dhe ata u dorëzoheshin partizanëve jugosllavë, pasi që të seleksionoheshin ata që kishin marrë pjesë në radhët e “forcave të reaksionit” në Drenicë dhe gjetiu (pushkatoheshin me të shpejtë nga gjyqet ushtarake), të tjerët përfundonin në kontingjentin e përgjithshëm të të mobili-zuarve, që duhej të dërgoheshin në Veri të vendit, ose në pjesën e Adriatikut. Nga të dhënat jugosllave del se nga gjysma e shtatorit deri në gjysmën e marsit, nga Divizionet shqiptare partizanëve jugosllavë u janë dorëzuar mbi dy mijë Shqiptarë, të cilët, sipas një urdhri të Shtabit Operativ të Kosmetit, nr. 64, datë 20 mars 1945, duhej të dërgoheshin në Prizren “ku do të formohen dy eshalonet, që do të vazhdojnë rrugën më tutje, sipas direktivave të dhëna”. Në të vërtetë, të masakruarit në Tivar ishin kryesisht të rinj të mobilizuar me dhunë nga qarqet e Prizrenit, të Ferizajt, Pejës e Mitrovicës, e ku kishte edhe shumë të tjerë që tashmë u ishin dorëzuar brigadave partizane në Drenicë dhe qarkun e Mitrovicës. Shtabi Suprem i UNÇJ kishte ngarkuar Shtabin Operativ të Kosovës që të organizonte dhe të niste të mobilizuarit shqiptarë drejt veri-perën-dimit për të plotësuar repartet e Armatës IV Jugosllave. Rrugëtimi kalonte nga Prizreni në Kukës, Pukë, Shkodër, Tivar, Dubrovnik, Rjekë, Istër. Sipas qarkores së Komandantit të Shtabit Operativ të Kosovës, të datës 20 mars 1945, me nisjen dhe dërgimin e të mobilizuarve nga Prizreni për në bregdetin Adriatik (frontin e Triestes) ishte ngarkuar shtabi i Divizionit 46-të, një njësi e Armatës IV dhe qarkkomanda ushtarake e Prizrenit. Nisja duhej të bëhej në dy kolona (eshalonë). Kolona e parë përbëhej prej rreth 2200 të mobilizuar nga qarkkomanda e Ferizajt dhe 1300 të tjerë na qarkkomanda e Priz-renit. Kjo kolonë ishte paraparë të nisej nga Prizreni më 23 mars. Kolona e dytë ishte paraparë të kishte 900 të mobilizuar nga Peja, 1400 të tjerë nga qarku i Mitrovicës dhe 1500 nga qarku i Prishtinës. Të dhënat burimore jugosllave tregojnë se rrugën për në frontin e Adriatikut (në frontin e Triestes) e morën gjithsej 13.323 rekrutë shqiptarë. Burimet jugosllave, që konfirmojnë nisjen e trembëdhjetë mijë e më shumë rekrutëve shqiptarë për në frontet e Adriatikut (Trieste), megjithatë nuk tregojnë se sa prej tyre arritën në vendin e duhur, ani pse pranohet se gjatë rrugës Prizren-Kukës-Shkodër dhe Mali i Zi, një pjesë e tyre mbetën (të plagosur ose të vrarë në përleshje me përcjellësit), por edhe u vranë në portin e Tivarit “nga një incident që u shkaktua nga rekrutët shqiptarë” ndaj të cilit reaguan me ashpërsi partizanët malazias. Megjithatë, nga vetë raporti i Shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave, mund të nxirret përfundimi se fjala ishte jo për “incident” të papritur, por për një skenar, i cili duhej të fillonte me një provokim, që do të shfrytëzohej pastaj për qërim hesapesh të përmasave tragjike ndaj atyre që ditë më parë në Tivar, Ulqin, Kotorr, Hercegnovi e Vir Pazar dhe gjithandej, nga kreu i lartë ushtarak dhe partiak i Malit të Zi nëpër tubime me komunistët, skojistët dhe qytetarët, u quajtën “banditë shqiptarë” dhe “ballistë” me të cilët duhet qëruar hesapet pamëshirshëm. “Kur ai (shqiptari i arrestuar) po bërtiste me zë të lartë, nga kolona u hodh një bombë mbi të. Bomba shpërtheu, madje u hodh edhe bomba tjetër, gjithashtu nga kolona. Më pas edhe bomba të tjera. Në të njëjtin moment, u hap zjarr nga pushkët dhe armët automatike. U hodhën bomba nga të gjitha anët, gjuhej nga të gjitha anët dhe në ato të shtëna u përfshinë edhe këshilltarët, infermieret, me një fjalë, shtiu çdokush që pati armë. Të shtënat pushuan atëherë kur nga grumbulli më nuk u ngrit njeri dhe kur nuk lëvizi njeri.” Pa hyrë në analizë të thellë të hollësive të tjera që tumirin vlerësimin se fjala është për një skenarë të përgatitur mirë, për një ekzekutim, që duhej të zbatohej nga partizanët malazias, janë edhe dy fakte nga raporti i Shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave të cilat e sforcojnë këtë bindje. Fakti i parë ka të bëjë me bombën, që thuhet se u hodh nga kolona, pra nga rekrutët shqiptarë, dhe fakti i dytë ka të bëjë me të shtënat që pasuan nga armët nga të gjitha anët, në të cilat thuhet se “u përfshinë edhe këshilltarët, infermieret, me një fjalë, shtiu çdokush që pati armë…” “Fakti” i parë, pra bomba në duart e rekrutëve përjashtohet fare të këtë pasur diçka të tillë. Sepse, në bazë të të gjitha informatave nga aradhet përcjellëse jugosllave dhe ato shqiptare, rekrutët shqiptarë nga Prizreni u nisën të çarmatosur fare, dhe se gjatë gjithë rrugës përcjellësit kishin për detyrë të kontrollonin rekrutët se mos kanë armë të fshehura. Atyre nuk iu lanë as brisqe të thjeshtë! Ishte pikërisht çarmatosja si shkas që një pjesë e tyre u bë mosbesues dhe iu dha dezertimit rrugës, që u pagua me kokë, ngaqë përcjellësit (partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë) nga Kukësi e deri në Shkodër kishin urdhër të prerë që ndaj dezertorëve të përdornin të gjitha mjetet, pra edhe armët. Të dhënat tregojnë se ishin dhjetëra raste të tilla të pushkatimeve. Që bomba është hedhur, këtë nuk e mohon kush, po jo nga ata që nuk kishin sosh me vete, gjë që del të jetë hedhur nga anash, me porosi, në mënyrë që ndaj saj të reagohet, ashtu si u reagua: “shtiu çdo kush që pati armë…” Por, kush mund të kishte armë aty pos ushtarakëve dhe partizanëve? Kjo do të thotë se në luftë u përfshinë njësitë e rregullta partizane dhe jo rojet dhe përcjellësit, të cilët edhe po të ndodhte ndonjë incident i asaj natyre, do të reagohej që të neutralizohej “armiku” dhe jo shkrepja frontale e armëve ndaj gjithë kolonës së lodhur dhe të rraskapitur, që mezi priste pak pushim çfarëdo qoftë ai?”Se shkrepja frontale e armeve ndaj kolonës, nuk ishte rastësi, por vepër e pjesëtarëve të Brigadës X malaziase, kjo mund të kuptohet edhe nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës Jugosllave (përcjellëse e brigadës me të mobilizuarit shqiptarë), kur thuhet: “Si rezultat i të shtënave nga të gjitha anët ndaj kolonës 550 rekrutë ranë nga kolona, 150 prej të cilëve të plagosur, të tjerët mbetën të vdekur. Disa u larguan nëpër shtëpitë e afërme ose arritën të ikin. Llogariten rreth 430 të vdekur”. Që Komanda malaziase e Brigadës X ishte autore e krimit, dhe se ajo kërkonte që punën ta çojë deri në fund, tregon edhe fakti se ata paraprakisht morën nga kolona 100 rekrutë të pafajshëm shqiptarë për t’i pushkatuar, si hakmarrje për një ushtar malazias të vrarë (sipas tyre) te kroi. Dëshmitari Ymer Sherifi që i kishte shpëtuar kësaj masakre, i plagosur nën trupat e të vdekurve, tregon se ndaj rekrutëve shqiptarë, krahas armëve, ishin përdorur edhe sëpata, me të cilat u çaheshin kokat. Terrorin ushtarak ndaj Shqiptarëve e dëshmon edhe i shpëtuari Azem Hajdini. Ai tregon se si në ndërtesën e Metropolit të Duhanit, në hyrje të saj qëndronin 10-15 ushtarë malazez të armatosur me shufra hekuri në duar, të cilët qëllonin pamëshirshëm secilin që duhej të kalonte nëpër atë kordon. Nga 1000 veta, mbetën të vdekur dhe të masakruar mbi 150 veta, ndërsa të tjerët u strehuam në atë ndërtesë, në pritje të më të keqes. Në ndërtesën e Metropolit të Duhanit vlerësohet se ishin strehuar 2000-2500 veta, ndërsa jashtë saj, në një rrugicë edhe 1000-1100 veta. A. Hajdini thotë se pasi që ishin rrethuar nga të gjitha anët dhe ishin provokuar me fjalët “idu ballisti” (erdhën ballistët) dhe fyerje të tjera të rënda mbi baza nacionale, kishte filluar breshëria e plumbave nga të gjitha anët nga ana e pushkëve dhe mitralozave të vendosur në çatitë e ndërtesave përreth. Breshëria e plumbave dhe bombave mbi kosovarët e ngujuar në atë ambient, që kishte filluar në orën 12,00 kishte vazhduar deri në orën 13,00 të datës 31 mars të vitit 1945. Ajo ishte një kasaphane e vërtetë. “Rreth ndërtesës, oborrit dhe shkëmbinjve ishin kurdisur me kohë pesë punkte, prej nga shtihej si mbi egërsia, me mitraloza, me murtaja, trombllona, topa dhe armë të tjera zjarri, – rrëfen A. Hajdini. – Përveç armëve të zjarrit, ushtarë dhe qytetarët përdorën edhe armë të ftohta si bajoneta, thika, sëpata, kmesa, sfurqe etj. Nga detonimet, na dridhej toka nën këmbë. Bubullima e armëve shoqërohej me ulërimat e kriminelëve, që shtinin mbi ne, duke na sharë e duke na fyer. Nga çdo anë fluturonin copat e trupave: këmbë, duar dhe gjymtyrë të tjera… Krahas sulmit në oborr me armë të njëjta dhe me intensitet të njëjtë na sulmuan edhe brenda ndërtesës… Kësisoj, brenda dy orësh, nga turma e madhe e dendur e rekrutëve shqiptarë (mbi tre mijë veta që ishin vendosur në oborr dhe në rrugë), asnjë nuk mbeti pa u qëlluar me armë apo pa u plagosur, kështu që kjo ajo hapësirë u shndërrua në një lumë gjaku, që i për-ngjante një kataklizmi të vërtetë”. Dëshmitarët që i shpëtuan kësaj masakre përafërsisht kanë të njëjtin version të përshkrimit të ngjarjes: të shtëna nga të gjitha anët ndaj kolonës që ndodhej në pjesën e Fabrikës së Duhanit. Të shtënat do të vazhdojnë edhe pasi që të mos mbetet kush në këmbë, dhe se të shtënat do të vazhdojnë edhe në pjesët e tjera, në ndjekje të atyre që ia kishin dalë të largohen nga logu i kaluarit drejt rrugicave të ndryshme. Madje, këto ndjekje dhe masakra do të bëhen edhe me anën e mashtrimeve, për gjoja faljen, kur të plagosurit do të ngrihen dhe ndaj tyre serish do të pasojë breshëria e plumbave. Këto krime të papara edhe sot e gjithë ditën përkujtohen dhe dëshmohen nga ata të paktët që i shpëtuan kësaj masakre të tmerrshme. Nga të dhënat zyrtare jugosllave, që do të pranohen më vonë nga një komision hetues, i cili nuk do të marrë në përgjegjësi askënd, del numri prej dyqind e sa të vrarëve në “incidentin” e Tivarit bashkë me disa të tjerë që “tragjikisht” do të gjejnë vdekjen në një depo afër Shibenikut, e cila do të kallej papritmas kur vullnetarët po flinin. Por, të dhënat e njëmendta, nga burime të ndryshme, flasin për më shumë se 3.760 të masakruar vetëm në Tivar, pa llogaritur mbi katërqind të tjerë që gjetën vdekjen “aksidentalisht” në një depo të Shibenikut kur atë do ta marrë flaka. Pa marrë parasysh si dhe sa iu pasqyruan dhe iu pranuan përmasat tragjike këtij krimi të rëndë kundër njerëzimit, që ngarkon njësoj shtetin komunist jugosllav dhe Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës dhe, pa përjashtuar këtu edhe përgjegjësinë e atyre partizanëve shqiptarë nga Kosova që morën pjesë në fushatën e mobilizimit, të cilët assesi nuk mund të lahen me arsyetimin se nuk kanë qenë të informuar rreth asaj çfarë po zihej pa qenë të përfshirë në veprimet përcjellëse të saj (rruga nga Prizreni deri në Tivar), tragjedia e Tivarit krahas epilogut të njohur, kishte edhe prologun e saj, pak a shumë të njohur, të cilit edhe më tutje po i zbulohen përmasat e njëmendta. Ky prolog nisi me mobilizimin e dhunshëm në të gjitha pjesët e Kosovës nga ushtria jugosllave, së cilës në ndihmë i erdhi edhe ajo shqiptare bashkë me partizanët shqiptarë nga Kosova, veçmas pas masakrës së Drenicës, kur ata që i shpëtuan asaj, u detyruan që të përjetojnë një tjetër të kryer me paramendim dhe në përputhje me programet e njohura antishqiptare të Beogradit për shfarosjen e tyre.(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 358-367)

Filed Under: Analiza Tagged With: Juzuf Buxhovi

Intervistë nga Fritz RADOVANI në Radio Shkodra

November 12, 2021 by s p

download

RADIO SHKODRA

Më datën 25 shtator 1992, ora 12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës S.J., prej Presidentit të Republikës 

“Me Medaljën e Artë  PISHTAR  I  DEMOKRACISË”. 

Kjo ishte medalja e parë që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar prej një forumi të naltë të Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i Tij. 

Drejtor’i Radio “Shkodrës” atëherë ishte z. Anton Çefa, ndërsa intervistuesi im ishte z. Albert Kurti. 

Pyetje: Asht ba një peticion nga një grup qytetarësh për dekorimin e të Nderuemit Padër Pjetër Meshkalla. Mëqë në këte grup keni ba pjesë edhe ju, çfarë mund të na thoni ? 

Përgjegje: Peticioni që kemi ba në bashpunim me zotnijtë: Anton Benussi, Kolec Çefa, Refik Bushati dhe Sandër Kaçinari nga Tirana, gjeti përkrahjën e të gjithë nënshkruesve, si në qytetin e Shkodrës, ashtu edhe në Kryeqytet. Na ndihmuen në mënyrë të veçantë: Shoqata e të burgosunve politikë të Shkodrës, si edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit tonë, z. Filip Guraziu. Pranimi për shqyrtim dhe aprovimi i kërkesës sonë nga ana e Presidentit Sali Berisha, tregon se me të vërtetë ka ardhë koha e vendosjës në piedestalin e merituem të demokracisë, së figurës së Pader Pjetër Mëshkallës, Këtij “Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”, që gjithë jetën punoi për Lirinë, Unitetin e Përparimin e Atdheut. 

Pyetje: Ku konsiston vepra atdhetare e Këtij Patrioti? 

Përgjegje: Pader Pjetër Mëshkalla asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik Shqiptar, të salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nder i madh që nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se primare për Té ishte kenja Shqiptar! 

Që në moshë të re, rreth vitëve 1925-30, prej vjershave të para e deri tek artikujt e Tij të randësishëm, në të cilët dallohët “Udhë e gabueme”, Ai lufton fanatizmin. Ai thotë: “Vëllazën me të gjithë, këso dore kemi me provue me fakte, se asht e mundun bashkjetesa ma paqësore dhe ma e frytëshme me besimet tjera.” 

Ai luftoi me gjithë shpirt ndasitë fetare në gjithë Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohë edhe ma mirë figurën e Tij. 

Pyetje: Meqë materiali vlenë per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin tonë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës? 

Përgjegje: Sigurisht që po! 25 vjet ma parë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun thirreshin po në këtë auditor dhe aty u viheshin hekurat. Pikërisht aty, me 29 prill 1967 u arrestue edhe Pader Mëshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë shërbëtorë besnikë të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arsimit tonë kombëtar. 

Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e Pader Mëshkallës mbetet simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë Shqiptare dhe, Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar!  Ju falëmnderës!

•Shenim FR: Botohet pa asnjë ndryshim nga intervista.

Melbourne, 12 Nandor 2021.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani

Kosova shëmbëlltyrë e vlerave Amerikane

November 11, 2021 by s p

-Presidentja Osmani u takua me Nënsekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Victoria Nuland/

11 Nëntor 2021- Gazeta DIELLI/ 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Uashington ka pasur një takim mjaft produktiv me Nënsekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Victoria Nuland. Në takim u riafirmua përkushtimi i vazhdueshëm i dy vendeve për këtë partneritet të fortë, si dhe angazhimi i palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta. Presidentja Osmani tha se Kosova është ndër vendet më demokratike në botë, një burim i vërtetë shprese në rajon dhe më gjerë, si dhe një histori e vërtetë suksesi e politikës së jashtme të SHBA-ve. Ajo tha se Kosova është një shëmbëlltyrë e vlerave Amerikane.

Gjatë takimit, Nënsekretarja Nuland shprehu mirënjohjen e saj të thellë për Presidenten Osmani për rolin instrumental të Kosovës në ofrimin e strehimit të përkohshëm për refugjatët afganë dhe tha se kjo është edhe një shfaqje e përkushtimit të Kosovës ndaj kësaj miqësie dhe partneriteti të gjatë. Nuland theksoi se administrata e re është e përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Kosovë dhe gjithë rajonin, si dhe për mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Osmani tha se Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA-të dhe rikonfirmoi përkushtimin ndaj vlerave që i bashkojnë dy vendet tona fuqishëm. Presidentja Osmani po ashtu theksoi përkushtimin e institucioneve për forcimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e perspektivës ekonomike për popullin e Kosovës, thekson njoftimi i dërguar sot nga Presidenca e Kosovës.

Filed Under: Featured

SOMETHING OLD, SOMETHING NEW

November 11, 2021 by s p

Rafaela Prifti/

A Saturday gathering at the Saint George Cathedral, South Boston, was billed as Life School Networking Meeting, Albanian Mission Driven Entrepreneurship and Fundraising Event. For a few hours, the paths of a group of Albanian- Americans converged at the Chancery’s Office space to share, exchange, appreciate each other’s journeys up to here and look ahead. The common denominator is that they are trainees and trainers, students and teachers at Life School just as they are host of and guests at the event. The other unifying thread is their origin and heritage, their past and present brought them to here and now. Born in Albania or Kosovo, they all chose to call this country, a second homeland. And so it is here where they searched for and invested into ideas and strategies proven to work or not, but nonetheless valuable lessons for all. Elona Lopari was a senior member for business management and marketing for two decades before she decided to launch Life School and offer coaching, training and counseling to hundreds of businesses and individuals around the country. Krenar Komoni, who received a Master Degree in Electrical Engeneering from Tufts University, was asked to be the first employee of an MIT start up before he stumbled upon an idea that led him to start his own company. Their stories exemplify the relentless drive of an inner perseverance bound to lead to advancement for each one while being part of a supporting community of people.

Elona Lopari, the CEO and founder of Life School of New York, joined by more than a dozen coaches, consultants, experts, were hosted by Fan Noli Library and Cultural Center in Boston. The host and event organizer, Neka Doko, is also the library’s archivist, who has joined Life School in February 2021. She says that she was immediately intrigued by the idea of connecting the two entities that dwell in the realm of mind and spirit. Her mentoring with Life School is focused on Spiritual Education and Eco Healing Energies, allowing Neka to be an excellent ambassador of both entities. With regard to the significance of the first networking meeting at Saint George’s, she said that “it was to invite the Life School crew members of Boston and its founder at the oldest Albanian American community and make our bridge between the two institutions officiated as a legit collaboration with mutual interests.”

The Saturday meeting was launched by Michael Gregory, the Lay Chairman of the Saint George’s board and the lay church people, followed by the welcoming speech of his wife, Lauren Toli Gregory, former trustee and now adviser of the Saint George’s board. Leaning on the theme of mutual missions, Elona Lopari who founded Life School in 2019, emphasized that it’s about a positive social impact for the benefit of all. “The event signifies an uber-connection between the history and culture of Albanians, appropriately held at Saint George’s Cathedral. The broader mission of Fan Noli to unite Albanians and support the community echoes the overall mission of Life School that aims to elevate the members of the community personally and professionally. And in turn each one would exact a more powerful impact on society’s well being in order to benefit the future generations,” said the Chief Executive of Life School, an online platform dedicated to self-improvement in all areas including personal careers and relations, business and marketing, health, parenting, education and guidance.

Against the backdrop of antique icons of the Saints, a painting of Albania’s national hero, Skenderbeu, photos and memorabilia of the Church’s founder Fan Noli, the attendees listened to the presentations of the guest speakers relate their experiences of pursuing their mission driven goals.

Krenar Komoni, born in Prishtina, is a Boston-based entrepreneur, who is the CEO and Founder of Tive Inc., a multi-million dollar company that provides in-transit visibility for shipments throughout the globe. In a mini-Ted talk style, Krenar Komoni conveyed how he was at the brink of business bankruptcy a few years ago and facing the odds stacked against his company. In response to that, he posed a question that helps frame the situation differently. The question eponymous with a book title: Who moved my cheese? is considered the ‘bible’ of adapting our mindset to go from complaining to problem-solving. Such an effective image and meaningful talk was the mark of the presentations, in-person and online, of guests invited by the host of the meeting. Loreta Stamo, network specialist with a New York company, participated with a recorded video presentation on her trade’s formula of connecting. Also by way of a recording, Max McKenna, President of One Coalition, introduced himself as an American who has been with the Albanian community of Boston for many years. McKenna owns a web agency. His new non-profit organization, named One Coalition, a project he and his team researched for many years, is dedicated to enhancing education opportunities for young adults in Albania.

As far as network meetings go, Neka Doko hopes that “this will serve as a right step forward for our communities in Boston, New York and other places to help one another.” As the expert of the field, I asked Elona for the takeaway message of the event. “I hope the takeaway for the participants is to find a purpose or the drive that moves them forward in their business or social lives by helping themselves, their families and communities. Stemming from this kind of networking, I do see sustainable and viable connections,” replied she. For Neka, teaching and training spiritual energies at Life School is her true calling and this is the place for her, a place where she feels “all elements are in synergy and harmony.”

At lunch break conversations erupted among the attendees curious to know more about each others interests and life paths while the rays of Saturday sun brushed on the chairs, the large shiny oak desk with a huge TV screen on top, the glass and wood cabinets at the Chancery’s Office.

In the afternoon session, the very Reverend, His Excellency Father Arthur Liolin joined the group. Effortlessly and with ease, his grace mingled and then sat down for the screening of a documentary film produced by Neka Doko to mark his 50 years of dedication and service to the Church.

It all came full circle.

The morning session and the afternoon segment of the meeting complemented one another. In keeping with the legacy of an established community, proud of its roots, the mission in the broader sense “is about enlightenment” as Neka put it.

Like the Church, Life School is not one thing to all people but rather it responds to the needs, experiences, goals and motivations that have been presented to and are present in the person’s life.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Rafaela Prifti

PETREFI…

November 11, 2021 by s p

Gezim Zilja

– Hajde të të qeras se sot jam në formë! Kam sebep.

– Ka ngordhur ndonjë ujk andej nga lagjja apo si? Ti s’të jep gur të vrasësh kokën?! Bjond, syshplarë, faqekuq, veshllapush,  me kokën asimetrike, hundën e shtypur, gojën e vogël,  ku djathtas-posht mungojnë dhëmbi i qenit dhe dhëmballa ngjitur, (i ka kaluar me kohë të 60-at) duke hequr zvarrë sandalet, që nuk i mbërthen kurrë, me kapi miqësisht nga krahu. Koprac deri në thua, sigurisht, që do të më kërkonte diçka.

– Ajde, tani, lëri këto! Do vinë dhe dy të tjerë.- Petrefi është pronar i shkollës private “Pegaso.” Rritur jetim, me një babaqafor pijanec, që e ngordhte në dru, e poshtëronte, duke e sharë dobiç e hajdut, largohej me ditë nga shëpia, nuk shkonte në shkollë  dhe vidhte gjithçka mundte për të shuar urinë. Për herë të parë në jetë mbushi barkun 16 vjeç, kur zuri punë në ofiçinë si nxënës-xhenerik. Rrogën e parë bleu 20 byrekë, doli tinëz në një cep të ofiçinës dhe i përlau në pushimin e drekës. Me ardhjen e demokracisë, punonjësit privatizuan kapanonin e ofiçinës dhe magazinën. Petrefi i dëboi të gjithë: ca me mashtrime se do iu jepte paratë më vonë, ca me gjyqe false, ca me kërcënime dhe i kaloi objektet në pronësi të vet. Dikush ia shtiu në vesh, që t’i përshtaste për shkollë private dhe hopa! Nxorri licencën dhe siguroi diku, diplomën e shkollës së lartë.

-Kam gjetur nja dhjetë kokosha sivjet pa filluar shkolla. Paratë në dorë nga 2 milionë për kokë: 20 milionë sa për bismilah.  Pres dhe nja dhjetë të tjerë, që do të më vinë më vonë… Ndrinte e ngazëllente presidenti i Pegaso-s.

– Po kokosha sikur u thonë atyrë që transportojnë skafistët matanë…?

-Jo, jo! Janë dhe këta kokosha, nuk vijnë në shkollë dhe bëjnë pagesën e plotë për gjithë vitin.

– Po kush firmos dëftesat e tyre, rregjistrat, amzën?

– Mësuesit ore. Kot i mbaj 30 copë, me bukë unë? Me rastin e kovidit ua përgjysmova pagën,- shtoi me mburrje.

– Nuk kundërshtuan, nuk u ndjenë fare ? Më pikoi në shpirt.

– Ku do shkojnë? Një vend pune ka vajtur 7.000 euro. Donin të bënin dhe grevë legenat. Bëni, u thashë, po do ngordhni për bukë. Naaaaa. Si pula të lagura u bënë.  Pastaj më afroi fytyrën, duke u mbllaçitur, nga shpërtheu një duhmë këllire, që më përzjeu stomakun. – Ka dhe që nuk pranojnë. Kam një mësuese të re të pa diplomuar, që i plotëson sipas ligjeve, – më shkeli syrin. Në tavolinë ishte ulur një djal trupmadh, rreth të tridhjetave, që nuk fliste fare dhe as që ndiqte bisedën. Kthente me eks gotën, kapte me gishtat si kthetra copat e mishit, që pasi i gëlltiste, bënte një pa-pa-pa të zgjatur dhe fërkonte mollën e Adamit gjithë kënaqësi.

-Po ky? pyeta Petrefin.  – Është im bir. Aaaaa, e kam pikë të dobët. Ka dëshirë të bëhet kryetar bashkie. Do më ndihmosh një çikë me miqtë e tu. Lekë duan këta të partive. Pse ça janë ata që janë bërë…shpërvoli buzët gjithë yndyrë. – Unë jam biznesmen, kam prona, para’. Mbaj 100 frymë me bukë. Jam dhe familje patriotike. Pse të mos bëhet djali im?

–  Çfarë po thua o njeri?  Ky nuk ka as diplomë ? fola i bezdisur.

– E ndihmoj unë me eksperiencën time. Diplomën e rregullojmë. Do merrni gjë tjetër? Për djalin nuk kursehem unë. 

– Si nuk i theve këmbët po erdhe u ule me këtë sojsëz !? Iu hakërrova gjithë mllef vetes. Ndërkohë Petrefi, po i thoshte kamerierit, duke zgjatur gishtin tregues: Hidhi dhe ato të koshit në qese! Më arriti pas pak, duke u tundur si patokët e Libofshës. Në dorë mbante qesen e mbushur me mbeturina. – Pse të venë dëm? Ua hedh qenve e pulave, që mbaj në tokën e marrë me qera, andej nga pylli…

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT