• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

SFIDAT E G20: DEMOKRACITË NË PROVË, AVANTAZHET E REGJIMEVE

November 7, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

“Corriere della Sera”, 30 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika      

Të shumtë e të koklavitur problemet për një takim të vetëm të nivelit të lartë. Në takimin e G20 që u mbyll sot në Romë, ndërmjet bisedave zyrtare e private, u diskutua për Covid, klimë, energji, por edhe për Afganistanin, Mesdheun, bërthamoren iraniane, Afrikën. 

Përtej deklaratave e ndonjë marrëveshjeje (global minimum tax) ajo që vlen më shumë është të treguarit opinionit publik botëror se disa Vënde, veçanërisht demokracitë perëndimore, janë ende në gjëndje të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, edhe se dasitë mbeten. Shumë më tepër nuk mund të mëtohej. Mjafton të mendohet se presidenti Joe Biden ka mbërritur në Romë me një plan investimesh mbi welfare e kalesën ekologjike mbi të cilët nuk ka ende miratimin e Kongresit. Ose të mendohet se, në të gjitha temat, duke filluar nga klima dhe energjia, janë në lojë kundërshti interesash, edhe t’ashpra. E sa peshon shemëria ndërmjet fuqive të mëdha. 

Takimi është edhe një rast për të përsiatur mbi marrëdhëniet ndërmjet demokracive dhe fuqive autoritare, të mëdha (Kina, Rusia) ose të mmesme që të jenë. Në kohën e Luftës së ftohtë demokracitë perëndimore jetonin në një botë “të thjeshtë”: ne këndej, ata andej. Atëherë perëndimorët, për t’i u kundërvënë BRSS, mund të mbështesnin (dhe e kanë bërë, posi) qeveri autoritare në Amerikën Latine, n’Azi ose n’Afrikë. Ajo mbështetje, në sytë e tyre, ishte e ligjëruar qoftë edhe me keqardhje, nga Realpolitika, ose më mirë nga fakti që duheshin ndërtuar diga për të ndaluar vërshimin e komunizmit sovjetik. Sot bota për perëndimorët është shumë më e ndërlikuar, siç tregojnë marrëdhëniet e vështira e të dyshimta që si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe evropianët mbajnë me fuqitë autoritare, me të cilat duhet të bashkëpunojnë për t’i mbajtur nën fre. Liaisons dangereuses, lidhje të rrezikshme.  

Ndryshimet institucionale, politike e shoqërore tregojnë pikat e forcës por edhe të dobësisë së demokracive kundrejt fuqive autokratike. Demokracitë janë të lidhura nga respektimi i të drejtave të qytetarëve të tyre. Autokracitë duhet të ruhen nga revoltat periodike popullore. Qeveritë e demokracive janë të kushtëzuara nga humori dhe vullneti i zgjedhësve. Regjimet autoritare kanë mjetet për të përpunuar zgjedhjet (kur të jenë nëse do të jenë). Demokracitë shartohen në shoqëri relativisht të hapura, ku ndërmarrjet dhe shoqatat e çdo lloji veprojnë, brënda e jashtë kufijve kombëtarë, duke përsuar vetëm një kontroll të butë qeveritar. Regjimet autokratike ushtrojnë kontrollin politik, së paku në vijë të parimeve, mbi çdo vështrim të jetës ekonomike e sociale të Vëndeve të tyre. Këta ndryshime pasqyrohen në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Demokracitë kanë dy pika të mëdhaja force. Kur një demokraci është në rrezik, kur gjidet në luftë me fuqi autoritare, dhe në rrezik mësymjeje, ajo tregon një aftësi mobilizimi të qytetarëve për mbrojtjen e Vëndit, eprore në krahasim me atë që mund të shfaqin fuqitë autoritare të sipërpërmendura: në provat dramatike qytetarët (e demokracisë) janë të gatshëm të durojnë vetvetiu sakrifica më të mëdha se sa ato që durojnë, për shtrëngesë, shpesh të demoralizuar nënështetësit e autokracive. Pika e dytë e forcës është se shoqëritë e hapura (demokratike dhe perëndimore) kanë treguar aftësi të krijojnë lidhje ndërkombëtare – i ashtuquajturi globalizim – që shoqëritë autokratike nuk do të mundeshin kurrë të prodhonin (edhe nëse mund, shiko Kinën, të shfrytëzonin dobitë). Edhe G20 është bir i Perëndimit e prirjes së tij të hapur dhe përfshirës, përfaqëson një zhvillim të zanafillës G7. Ndoshta nuk është rastësi që dy fuqitë më të mëdha autokratike (Kina e Rusia) kanë marrë pjesë në takimin e Romës vetëm në videokonferencë.

Por janë edhe pikat e dobësisë. Demokracitë, siç thonte një vëzhgues i Tetëqindit, Alexis de Tocqueville, janë më pak të pajisura nga regjimet autoritare për të drejtuar me efektshmëri punët e tyre të jashtëme. Janë përjetësisht në mëdyshje ndërmjet kërkesave të detyruara nga shemëria e fuqisë dhe nyjeve të brëndëshme, nevojës për t’i u përgjigjur trupave zgjedhore të paqëndrueshëm. Autokratët, pa patur nyje të brëndëshme të fuqishme, mund të planifikojnë lëvizjet e tyre të politikës së jashtëme edhe afatmesme. Qeveritë demokratike lëvizin në horizonte kohore të ngushta, të përcaktuara nga kohët e afateve zgjedhore (dhe nga humoret popullore të zbuluar nga hulumtimet). Që këtej vjnë aq pasiguri e mëdyshje. Siç janë treguar nga tërheqja rrënuese amerikane nga Kabuli dhe pa-aftësia më e përgjithëshme e amerikanëve dhe evropianëve, për të përcaktuar vija të qarta veprimi kur duhet të përballojnë sulmshmërinë e regjimeve autoritare. Shkon mëndja tek vështirësitë për të përcaktuar disa lëvizje të despotit turk Erdogan, kryetar i një Vendi anëtar të NATO-s por edhe armik i Perëndimit. Ose si të ruhet aleanca strategjike, qenësore në Lindjen e Mesme me Arabinë Saudite, pa shkaktuar mospranimin e vetë opinioneve publike të tyre, nëse ai që e qeveris do të vendoste të vriste në mënyrë të padëgjuar – madje edhe në vetë Perëndimin – ndonjë tjetër kundërshtar (siç bëri në një konsullatë në Stamboll, viktimë gazetari Xhemal Kashogi). Ose si mund të bëhet front i përbashkët përballë politikës së re të fuqisë kineze që tashmë ushtrohet në shumë mënyra e në shumë tryeza. Qse si mund të ndalohet rish-imperializmi rus. Me që ra fjala: Putin-i e njeh historinë e modeli i tij është cari Pjetër i Madh (i jetuar në kapërcyellin e shekujve XVII e XVIII) me projektet e tij perandorake. Perëndimi e ka fshirë historinë, jeton vetëm me të sotmen e nuk din asgjë.

Në kohët e shkurtëra autokratët janë të favorizuar. Të shihet shpejtësia me të cilën Kina dhe Rusia kanë rritur ndikimin e tyre n’Afrikë. Mbas ndarjes evropiane të Tetëqindit, “përndarja” e ardhëshme e Afrikës do të jetë mes rusëve e kinezëve? Në kohët afat-mesme dhe afat-gjata pikat e forcës të demokracive mund t’i ndihmojnë ato. Veçanërisht mund t’i ndihmojë prirja e tyre për hapje (që megjithatë, për çastin, i nxjerr në pah në ndërhyrje të vazhdueshme e dashakeqe) e për përfshirje. Hapje e përfshirje që tregon edhe G20. Të hamendësohen mund të jetë, simbas dëshirës, frut i një optimizmi të tepruar ose të një realizmi jo krejtësisht të pathemeltë.

“Corriere della Sera”, 30 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

“Banda Kombëtare “Vatra” në penën e akademik Vasil Tole në këndvështrimin historiko-ushtarak

November 7, 2021 by s p

(Nga diskutimi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, të premte 5 nëntor 2021, në promovimin e librit të akademik Vaso Tole “Banda Kombëtare “Vatra”, ku kumtuan: Prof. Dr. Zana Shuteriqi, Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Kapiten Altin Babameto, Kristaq Balli dhe familjarë të Thoma Nasit nëpërmjet videoconferencës).

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi 

Msc Alma Golemi

Libri i akademik Vaso Tole “Banda Kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane”, është një gur i gdhendur me merak, një copëz e historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX-të.

Libri është një dimension i ri kulture, historie dhe identiteti. Një punë cilësore për një formacion të jashtëzakonshëm muzikor, që u themelua dhe u drejtua nga Thoma Nasi më 17.12.1916. Banda që themeloi ishte një dritare e re muzikore e botës shqiptare, e konceptit të edukimit muzikor, e botimeve muzikore, që u pasua me krijimin e Bandës presidenciale, Bandës mbretërore e më tej Bandës së Ushtrisë e 45 orkestra frymore dhe fanfara e deri tek Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura dhe bandat muzikore të bashkive sot. 

Qëllimi i krijimit të saj ishte thellësisht atdhetar e patriot: “për t’i shërbyer çështjes kombëtare me dashuri vëllazërore” dhe nëse do shpërndahej, Banda nuk mund të shpërndahej në Amerikë por vetëm në Shqipëri”. 

“Armët” e tyre ishin veglat muzikore që u blenë nga më të mirat, sepse edhe stërgjyshërit dhe gjyshërit e tyre ashtu i blenin armët për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Sot nuk bëjmë vetëm një promovim libri, por edhe homazh për themeluesin e Bandës Kombëtare “Vatra” Thoma Nasi, për familjen Nasi, muzikantin Albert Thoma Nasi që u rreshtua në ushtrinë amerikane sikurse bënë edhe 3441 shqiptarë të tjerë në Amerikë. Biri i muzikantit të madh Thoma Nasi, Alberti ishte pjesë e denjë e ushtarave amerikanë që erdhi me armatat antifashiste amerikane, por ngeli përjetësisht dëshmor për çlirimin e Europës në Francë. 

Libri është vlerë e spikatur që ndriçon, hedh dritë në kuptimin e jetës muzikore, në një ndër periudhat kur në truallin shqiptar mungonte shteti dhe liria, por kuptimi dhe përmbushja e jetës me dimensionin e mençurisë njerëzore, bëri që Banda “Vatra” të ishte bashkë me vatrën shqiptare, me hallet e kohës. Ajo nuk ishte një bandë muzikore e armatosur me pushkë e fishek, por me aspirata që qarta, me këngët e popullit, me ëndërra e shpresa për lirinë. Stili i thjeshtë dhe referencat e shumta e bëjnë librin solid, të formimit akademik e shkencor, një amanet brezash muzikorë që vjen tek lexuesi nga dora e një ustai akademik për librat.

Latinët shprehen: “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, sikurse arkivat, dokumentet, dijet. Librat kanë mijëra fjalë, zgjojnë ide, ndriçojnë studime dhe kanë destinacion të sigurtë. Intelektualizmi shqiptar i fushës muzokore dhe jo vetëm gjithmonë do të ketë uri dhe dëshirë që të lexojë të vërtetat e fillimshekullit të kaluar si dhe përpjekjet shqiptare në luftë, në diplomaci, në pavarësi, kongrese, luftra kombëtare e lokale, do të flasë e tregojë për bandën “Vatra”, që erdhi në zjarrin e luftës për liri dhe ngeli frymëzuese brezash.

Tingujt e bandës “Vatra”, frymëzuan dhe mobilizuan luftëtarët në beteja, me tingujt e saj ranë 175 dëshmorë dhe 422 të plagosur në llogoret për lirinë e vendit, me tingujt e Vatrës u ringritën dhe gjetën forcë e shpresë deri kur atdheu u bë i lirë dhe i përbashkuar. Historia e botës është para së gjithash histori e luftrave dhe anëtarët e bandës “Vatra”, u rikthyen në Shqipëri si misionarë lirie, të thithnin erën e barotit, të jepnin shpirt frymëzimi në beteja, të merrnin erën e lirisë dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit në Luftën e Vlorës. Prandaj edhe banda Vatra shkonte në front 2-3 herë në ditë për të rritur moralin e luftëtarëve.

Nuk ka betejë të historisë ku janë përdorur instrumentet muzikore dhe mendimi ushtarak të mos e ketë marrë në analizë përdorimin e instrumentave si një prej elementëve të fitores. Me të drejtë autori i referohet Sederholm-it (pjesëtar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet ’20-të): “… një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si Banda “Vatra”, dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që meritonte lirinë e tij”. 1920-ta, në Shqipëri, kishte evenimente madhore: kongresin e Lushnjës dhe tre luftra në Vlorë, Dibër e Koplik. Në këndvështrimin historiko-ushtarak armët, luftëtarët, trimat kishin nevojë për moral të lartë dhe elementë besimi e fuqie, kishin nevojë për vargjet kushtrim e prush luftarak të birit të fshatit Vajzë Ali Asllanit. Vargjet e tij u  muzikuan në Drashovicë pranë shtabit luftarak i luftës, nga shqiptaro-amerikani i madh Thoma Nasi, dirigjenti i Bandës Kombëtare “Vatra”, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në atë luftë.

Njё nga çastet historike të veprimtarisë së “Vatrës” në frontin luftarak, më 1920 ishte kur pas largimit të italianëve, gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora!”. 

Fakt është se kjo këngë pas një shekulli u rijetëzua, përmes ri-harmonizimit, ri-orkestrimit për orkestër simfonike dhe ri-këndimit të saj nga këngëtari Josif Gjipali dhe kompozitori Klodian Qafoku. Tradita luftarake shqiptare e luftrave u pasurua më 1920-tën me ndjenjën e hovin moral, me të cilën Banda “Vatra” dhe “Afërdita” zgjonte hove trimërie në shpirtrat e luftëtarëve shqiptarë, që me tingujt e “Vatrës”, u ndeshën përgjakshëm dhe ranë për atdhe trima që të merrnin gjak në vetull. Ata ranë “ku i zinte balta”, me shpresën për ta parë Atdheun të lirë. Uniformat ushtarake dhe simbolet kuq e zi shkruanin në fakt misionine tyre dhe amanetin e shqiptarëve të Amerikës për mëmëdheun: “Liri a vdekje”, ndërkohë që në ballë ishte flamuri i Skënderbeut.

Autori Vasil Tole, e ka çveshur materialin burimor në libër nga tepërimet e klishetë, nuk i ka vënë librit gjethe dafine, por vërtetësi. Përmes një profesionizmi të spikatur autori ka depërtuar në ngjarjet e para një shekulli dhe përshkruan me realizëm e seriozitet ngjarjet e Vatrës dhe bandës së saj muzikore, rrugëtimin 18 ditor në oqane e dete, pjesëmarrjen në luftë dhe veprimtarinë e pasluftës. “Banda Kombëtare “Vatra”, nuk është vepër kolektive, por një qëmtim plot sqimë e merak sa një institucion, që për nga shtrirja e gjerësia e studimit ka sjellë një aparat shkencor të referueshme edhe nga brezat që do ristudjojnë këtë vepër plot vlera. Emra, fotografi, bibliografi, referenca, kërkime arkivore, pasion, diku i kursyer në fjalë, diku i shtrirë në gjerësi e gjatësi gjeografikisht, por të përcaktuar dhe renditur qartë. 

Me Luftën e Vlorës kishte ardhur “ora e Motit të Madh”, ishin ringjallur shpresat dhe misionarët e shqiptarizmës kishin dalë në plan të parë. Pionierët e artit muzikor nuk ngelën mbrapa në këtë ndërmarrje që i përkiste kombit. Djemtë e kulturës muzikore shqiptare në mungesë të institucioneve e kishin dhënë kontributin e tyre jashtë hapësirës administrative të katër vilajeteve. Jeta dhe muzika, formacionet muzikore, bandat lokale e deri tek bandat muzikore kombëtare kishin lindur dhe rilindur, duke përqafuar modelet perëndimore. Fushën muzikologjike shqiptare me sy nga perëndimi, për instrumenta, formacione e bandave muzikore nën uniformë. Bandat muzikore fillimisht kishin lindur si frymëzuese e inkurajuese të ushtrive për fitore dhe më tej edhe për ngritjen e moralit të luftëtarëve në luftë dhe argëtim. 

“Banda Kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane i akademik Vaso Tole me 427 faqe, 11 kapituj, 209 të dhëna bibliografike, qindra referenca, dokumente arkivore e fotografi është një memorial kujtesë për formacionin muzikor atdhetar të shoqatës “Vatra”, një copëz e miqësisë shqiptaro-amerikane, një trup plot ndjenjë e prush atdhetarie. Ky libër vjen tek lexuesi edhe me një CD, me 11 këngë e himne. 

Banda Kombëtare “Vatra” ishte një copëz Shqipërie në pentagram kur atdheu kishte nevojë, në kohë rreziku. Vlera eqëndron në misionin atdhetar në kohën e duhur kur “Vatra” dhe “vatranët” nuk ishin vetëm me zemër, me ndjenjë, me përkrahje morale për mëmëdheun, por edhe me prezencë fizike me 120 luftëtarë (të stërvitur ushtarakisht në Boston), në betejat për liri e pavarësi sikurse erdhën djemtë shqiptarë të Amerikës në luftën kombëtare të Vlorës, në Dibër, në Koplik dhe kudo ku gjëmonte krisma e pushkëve për liri. Ajo që i madhi Fan Noli thoshte: “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, u konkretizua faktikisht dy herë përgjatë një shekulli më 1920-tën dhe më 1999-tën, kur Nëna Shqipëri këtej e matanë kufirit lëshoi thirrjen-kushtrim, për liri, pavarësi dhe identitet. Federata “Vatra” si rrallë organizime të tjera shqiptare jashtë vendit dërgoi luftëtarë, bandën muzikore “Vatra” dhe mbështetëse financiare për luftën për Pavarësinë e Dytë Shqiptare të 1920-ës.

Rrugëtimi historik i Bandës “Vatra” vjen në detaje Durrës-Tiranë-Shkodër-Tiranë-Elbasan-Berat-Këlcyrë-Gjirokastër-Tepelenë-Përmet-Kolonjë-Korçë (27 maj 1920)-Dardhë – Vlorë, që kulmon me festimet e 3 shtatorit 1920.

Dashurisë për Atdheun nuk ikën kurrë moda, si më 1920-tën ashtu edhe aktualisht pas një shekulli. “Banda Kombëtare “Vatra” u shkrua në histori dhe është prezent në çdo apel kur kombi e thërret. Diaspora shqiptare jashtë trungut mëmë, në çdo situatë dhe pas një shekulli, është e gatshme kur atdheu e kërkon. Vatra dhe vatranët e Amerikës e bënë të mundur dhe shkruan historinë me fjalën atdhetare, me kohën e duhur dhe me rastin fatlum për shqiptarët që me luftë rifituan pavarësisë së dytë të tyre më 1920-tën. 

Libri ka dokumentuar një copëz të historisë, ka ndriçuar me mençuri, një faqe të ndritur të shqiptarizmës të ardhur nga përtej Atlantikut, të shqiptarëve që jo vetëm me pushkë, me penë, me mjete financiare, por edhe me një bandë muzikore që zbriti deri në llogoret e përgjakshme dhe shkroi histori përtej imagjinatës njerëzore.

Urime autorit akademik Vaso Tole, për këtë libër-buqetë me dije, që nuk do mbushë vetëm bibliotekat por edhe boshllëkun real që ekzistonte deri më sot në mjedisin intelektual shqiptar e më gjerë!

-&-

Filed Under: Histori Tagged With: Zaho Golemi

LETRA QE MIT’HAT FRASHERI I DERGOI BOTUESIT TE REVISTES “THE NEW STATESMAN” ME 25 SHKURT 1921

November 6, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Nëntor 2021

Revista “The New Statesman” ka botuar, me 5 mars 1921, në faqen n°641, letrën e atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, i njohur ndryshe me pseudonimin e Lumo Skëndos, në lidhje me njohjen e Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Botuesit të “The New Statesman” :

Zotëri, — Do të jem mirënjohës nëse gjeni hapësirë në faqen (revistën) tuaj për këtë letër, qëllimi i së cilës është të japë një ide të qartë të situatës aktuale në Shqipëri.

Qeveria e sotme e Shqipërisë, e cila në fakt ekziston prej një viti, u formua nga Kongresi i mbajtur në Lushnje, më 25 janar 1920. Në atë datë vendi ishte nën pushtimin e huaj : Shkodra ishte pushtuar nga trupat ndërkombëtare, ndërsa Korça ishte e pushtuar nga francezët dhe drejtohej nga një administratë franko-shqiptare; pjesa tjetër e vendit ishte pushtuar nga italianët dhe Vlora, Tepelena, Gjirokastra pretendoheshin nga ta si pronë e tyre. Në fillim shqiptarët nuk kishin as financa, as ushtri, as xhandarmëri; dhe nuk kishin as mbështetjen e ndonjë fuqie të huaj. Të vetmet pasuri që kishin ishin patriotizmi dhe mençuria e tyre. I gjithë vendi (territori) i vitit 1913 është aktualisht në duart e autoriteteve shqiptare; Shkodra, Korça, Gjirokastra, Tepelena dhe në fund Vlora janë nën udhëheqjen e Qeverisë Kombëtare. Sipas marrëveshjes së Tiranës, 2 gusht 1920, Italia ka tërhequr të gjitha pretendimet e saj ndaj Shqipërisë, duke njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

Përpjekjet madhështore të shqiptarëve për lirinë e tyre gjetën një simpati të madhe në Lidhjen e Kombeve (Gjenevë), dhe Shqipëria, e gjykuar më pas se zotëronte të gjitha kualifikimet e nevojshme, u pranua në Lidhje (17 dhjetor 1920).

Si mirënjohje e punës së deritanishme për këtë popull të vogël pritet që të respektohen kufijtë e vitit 1913, kufij të cilët serbët i kanë shkelur që nga viti 1918 dhe brenda të cilëve gjatë gushtit dhe shtatorit të kaluar kanë shkatërruar 140 fshatra. Grekët gjithashtu kanë shkelur kufijtë në lindje të Korçës.

Për sa i përket njohjes zyrtare të qeverisë shqiptare, hezitimi i Fuqive për këtë çështje është i vështirë për t’u kuptuar, pasi Fuqitë e Mëdha dhe të Vogla e kanë njohur tashmë Shqipërinë në vitin 1913 dhe kanë pasur me të marrëdhënie të rregullta diplomatike nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të akredituar. Tani mbetet vetëm çështja e rifillimit të marrëdhënieve diplomatike që u ndërprenë gjatë luftës së madhe; ne shpresojmë që kjo të bëhet së shpejti. — I juaji, etj.,

Hotel Cecil, Londër

25 shkurt

Lumo SKENDO

Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/letra-qe-mit-hat-frasheri-i-dergoi-botuesit-te-revistes-the-new-statesman-me-25-shkurt-1921-te-vetmet-pasuri-qe-kishin-shqiptaret-ishin-patriotizmi-dhe-mencuria-e-tyre/.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Duhet të jetë shteti…

November 6, 2021 by s p

Nga Majlinda BUSHJA

Gjithkujt i ka ndodhur të shkoj në spital qoftë dhe njëherë të vetme në jetën e tij,  ku shprehja “Shko te privati’’, është kthyer në një rutinë. Po pse te privati për një shërbim shëndetësor më të mirë, apo për mungesë infrastukture, aparaturash të nevojshme dhe kushtesh në spitalet shtetërore?  Sapo përballesh me një problem shëndetësor dhe konsultës te mjeku specialist ndodh jo rrallë të drejtonë në klinikë private, (ku mund të jetë ndoshta e vetja, e ndonjë kolegu, apo atje ku ndërthuren interesa të caktuara). Çuditërisht edhe spitalet private ndodhen shumë pranë atyre shtetërore,  për të mos e lodhur fizikisht pacientin, por vetëm financiarisht, ku realisht shqiptarët shpenzojnë më shumë se vende të tjera të Evropës për shëndetin, pavarsisht se kanë pagat dhe pensionet më të ulta. Këtë gjë e pasqyrojnë edhe statistikat. Sipas EUROSTAT shqiptarët shpenzojnë për shëndetin 34 herë më shumë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, megjithëse Shqipëria është një ndër vendet më të varfëra të saj. Faturën e shpezimeve e rrit blerja e tepërt të ilaçeve, por edhe analiza e shërbime në spitale private tregojnë për mungesën e infrastukturës spitalore, ku mosfunksionimi i aparaturave, apo pjesërisht të tyre, bën që qytetarët të rraskapiten dyerve të spitaleve sa në shtetëror, në atë privat. Po pse duhet të shkojnë qytetarët në një spital privat, për një shërbim që duhet ta garantoj shteti? A nuk mund të jetë një zgjedhje personale vajtja në spitalet private për të marrë një shërbim, ndoshta  më të shpejt apo cilësor, sesa një detyrim. për shkak të mungesave të aparaturave apo mosfunksionimit të tyre. Ndërkohë që, 13,5 % e shqiptarëve nuk kanë mundësi financiare të kryejnë as ekzaminimet mjeksore te specialisti e të blejnë ilaçet, e jo më të shkojnë më tej të bëjnë analiza në spitalet private ku tarifat janë të kripura. A nuk po përjetojnë qytetarët shqiptar një dramë, me sorollatjen sa në një spital në tjetrin dhe detyrimin për ta marrë shërbimin shëndetësor jashtë mundësive të veta financiare. Si gjithçka tjetër edhe ky problem madhor që ka të bëj me shëndetin e popullatës dhe anën fianciare të tyre kalon në një heshje, apo përgjumje të qeverisë, pa llogaritur korrupsionin në shëndetësi ku shëndesia falas është vetëm në letra. Sot kujdesi shëndetësor për qytetarërt shqiptar është i dobët, sepse Shqipëria ka buxhetin më të ulët të shëndetit në Evropë. Të dhënat e Bankës Botërore bëjnë me dije ndër të tjera se vlera totale e shpenzimeve të bëra nga xhepi të qytetarëve është sa 58 % e shpenzimeve totale për shëndetësinë. Gjatë vitit të pandemisë 2020 sipas FSDKSH-së ( Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) dhe bilanceve të kompanive shëndetësore, shqiptarët shpenzuan 92 milionë euro për shpenzime spitalore dhe diagnostikuese private. Ndërkohë, shteti vesh maskës e hipokrizisë para kësaj të vërtete ulëritëse në lidhje me shëndetin dhe financat e qytetarëve shqiptar duke parë se si zhvaten çdo ditë xhepat e tyre. Shteti është për t’i mbrojtur dhe jo për t’i rrënuar e nënshtruar qytetarët e vet, ku sipas EUROSTAT 51% e shqiptarëve rrezikohen nga varfëria dhe përjashtimi social. çka tregon ndër të tjera se kanë pak mundësi për të marrë një shërbim në spitalet private.  Ndërkohë që, në Evropë shërbimi shëndetësor parësor edhe dytësor është falas për qytetarët, ku 90 % paguan shteti dhe 10% qytetarët, në Shqipëri qytetarët shqiptar përballen me një realitet tjetër, dëshpërues, anarshi dhe mungesë vëmendjeje nga ana e shtetit, ku qytetarët paguajnë me miliona lekë për shëndetin e tyre. “Ti nxjerr shaminë e hundëve nga xhepi se je sëmurë, doktori shikon nga duart mos nxjerr para” thoshte me ironi një miku im. Pra, një situatë tejet shqetësuese tashmë që jetojmë në kushtet ku prej 2 vitesh koronavirusi ka mbërthyer mbarë botën e ka rënduar gjendjen edhe në Shqipëri, ku qytetarët po  shpenzojnë më tepër për shëndetin e tyre edhe në spitalet private. Flitet çdo ditë për luftën ndaj korrupsionit, ku ai në shëndetësi është i mirëlulzuar prej vitesh. dhe i gjithë pranuar në heshtje. Ka pak denoncime nga qytetarët, ndaj ka mungesë të zgjidhjes së këtij problemi madhor që ka të bëj me financat dhe shëndetin e tyre. Mosbesimi në zgjidhjen e problemit nga ana e shtetit dhe faktet kanë treguar për kompleksin e zgjidhjes së problemit ku ndërthuren interesa të caktuara dhe rrënjëzimin e korrupsionit në këtë sektor. Mjek të 2-3 punësuar që logjikisht nuk mund të punojnë me orar të zgjatur sepse ulin vigjilencën dhe cilësinë e shërbimit, nuk mundet të kalojnë sa në spital shtetëror, në atë privat sepse nuk shesin patate, por japin receta dhe luajnë drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve. Aq më tepër ku për interesa të tyre orientojnë pacientët të bëjnë analiza në spitale private, ku çmimet janë të larta dhe të papërballueshme prej tyre. Në këto kushte duhet të jetë shteti që t’i japi fund këtij abuzimi  shumëvjeçarë dhe të ndryshojë sjelljen e mjekëve përballë pacientëve, pse jo të kërkoj dhe bërjen e vetingut në mjeksi. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Majlinda Bushja

Pathyeshmëria dhe madhështia e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

November 6, 2021 by s p

 Viron KONA

vironietyde

                               Një përkthim i vyer nga suedishtja në shqip i të mirënjohurit Sokol Demaku.

“Këtu pushon Kastrioti, ai, SKËNDERBEU! Sa i shkathët ishte ai! Sa i drejtë ishte ai!…Çfarë modeli për mbretërit!”

                                                         Zannovich Stephan

Sokol Demaku, poet, shkrimtar dhe përkthyesi i njohur, bir i denj i Drenicës legjendare, një shqiptar i madh në mërgim, rrezident   në qytetin e tekstilit Borås të Suedisë dhe përherë befasues, kësaj here na ka dhënë një gëzim të ri, duke përkthyer nga suedishtja në shqip veprën madhore historike: “I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu – Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, të autorit Zannovich, Stephan, apo Stiepan, botuar në Stockholm të Suedisë nga Anders Zetterberg, 1788. 

Botimi në shqip është realizuar në Shtypshkronjën “Lena Graphic”, Prishtinë, në të dy gjuhët: shqip dhe suedisht. Një histori e padëgjuar deri më sot, shkruar nga të huajt për Kryetrimin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

                                           Luftëtari i madh, 

                që ngriti në piedestal vlerat e lirisë së popujve

Janë shkruar qindra libra për jetën dhe bëmat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, aq sa besoj që, edhe studiuesit e tij më të zellshëm nuk kanë arritur t`i lexojnë dot të gjitha. Kërkohet mbase grup studiuesish dhe historianësh, që duke i lexuar ato libra, të hedhin edhe më shumë dritë mbi jetën dhe bëmat e Heroit tonë Kombëtar, për të cilin, bota, që kur ai ishte në kulmin e madhështisë së tij e deri në ditët e sotme, ka folur e vazhdon të flasë me admirimin, pasi ai ngriti më shumë se kushdo tjetër në piedestal, vlerat e lirisë, shfaqi virtyte të rralla heroizmi, trimërie, dashurie dhe besnikërie për popullin e tij të vogël nga numri, por me përmasa të jashtëzakonshme për nga vlerat e shumfishta humane, për nga virytet e besës, mikpritjes, besnikërisë dhe dashurisë së pa krahasueshme për atdheun.

C:\Users\viron\Desktop\auto_dkkwke1610875897.jpg
C:\Users\viron\Desktop\albania.png

Ne dhe popujt e tjerë përparimtarë ndihemi gjithnjë vlerësues dhe krenarë me kryetrimin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me cilësitë e vyera dhe aftësitë ushtarake unike të tij. Emri dhe vepra madhështore skënderbejane, ka shekuj që qëndron e palëkundur  dhe e madhërishme, jo vetëm në monumentet, bustet e  shtatoret nëpër truallin shqiptar të copëtuar, por edhe në shumë e shumë vende të botës, në sheshe, rrugë, bulevarde, institucione dhe vepra historike, shkencore, kulturore e artistike. Mbi të gjitha, emri dhe vepra e tij është shkrirë  në zemrën e popullit shqiptar, është trashëguar dhe përcjellë në breza, duke u identifikuar përherë me lirinë. Në veprën unike të heroit tonë kombëtar, popujt e Evropës dhe të botës  kanë marrë mësimin e madh e të vyer se, sado i vogël qoftë një popull, kur ai është i bashkuar, kur është i motivuar dhe me një qëllim  të madh të lirisë, s`ka forcë dhe fuqi që ta kthej nga rruga, s`ka fuqi që ta nënshtrojë dhe ta mbaj nën sundim. Këtë mësim të madh historik, kryetrimi ynë legjendar e provoi  dhe e farkëtoi në betejat dhe luftërat e tij gjithnjë fitimtare me fuqinë më të madhe perandorake të kohës. 

Viron Kona: Një rrugëtim magjeps në Veriun e Largët me Sokol Demakun -  Albspirit

     Sokol Demaku, poet, publicist, përkthyes i njohur

                          Vepra më e re për Skënderbeun, 

                             kësaj here erdhi nga Suedia

Është një libër i përkthyer me një shqipe të qartë e të pastër, që plotëson e zgjeron më tej kulturën tonë rreth personalitetit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. 

Si fillim, duhet të themi se, vepra e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht dhe  e botuar në Romë, midis viteve 1508-1510, jo vetëm e bëri Barletin të famshëm, por ajo u bë edhe burim i një literature të gjerë, të shkruar në gjuhë të ndryshme: portugalisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht, serbisht, greqisht, japonisht… Për këtë vepër Barleti u mbështet tek dëshmitë e të tjerëve, dhe nga shumë studiues, Barleti u cilësua edhe burimi kryesor i veprave të tjera kushtuar Historisë së Skënderbeut. Nga ajo vepër, ata morën frymëzimin, por edhe fakte e dokumente, që ndriçonin figurën madhështore të kryetrimit shqiptar.

Duket se, edhe autori i veprës “Skënderbeu”, për të cilën po flasim, e ka këtë frymëzim e mbështetje historike nga vepra bazë e Barletit, por, ai e plotëson kuadrin e  figurës së heroit tonë edhe me të dhëna të tjera të kohës, që vijnë nga dokumente dhe libra të tjerë të shkruar, ashtu dhe nga episode, rrëfime e histori të dëgjuara nga bashkëkohësit, kjo, sepse fama e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ka vazhduar me shekuj dhe me një përhapje të gjerë në të gjithë Evropën, madje edhe në kontinentin amerikan, ashtu dhe në Azi, Australi e në shumë e shumë vende të tjera. Ndërkaq,  libri ka “fytyrën”, mendimin dhe individualitetin krijues të Zannovich Stephan. 

Nëpërmjet përkthimit, Sokol Demaku na e pëcjellë Gjergj Kastriotin ashtu siç e ka përshkruar autori, të madhërishëm, me vlera që i kishte vetëm Ai dhe që ua trashëgonte trimave të tij përmes fjalës së mençur dhe shembullit e veprimit, duke i frymëzuar e nxitur ata drejt qëllimit të madh të mbrojtjes së atdheut, të lirisë dhe të pavarësisë. 

 

            Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Ne ndihemi kureshtarë kur Zannovich Stephan shkruan për familjen Kastrioti, për Gjon Kastriotin dhe përballjen e tij me një nga sulltanët më të fuqishëm të kohës, Muratin e  II, teksa ndjekim me emocion rrëfimin sesi ai la peng djemtë e tij te sulltani… “Gjergj Kastrioti, – shkruan autori: – nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç kur u ekstradua nga Perdandoria turke, ai u bë synet në bazë të ligjeve të Muhamedit… E, ndërsa ai zotëronte të gjitha cilësitë e mendjes dhe të trupit…, Murati tregoi një simpati të veçantë për të, duke i dhënë një edukim mjaft të mirë”. 

Ndihemi krenarë kur lexojmë se ”Gjergji rritej e bëhej më i madh, edhe forca i rritej aq shumë, sa askush në vendet e lindjes nuk kishte një trup më të fortë, krahë më të mbushur dhe guxim më të patrembur, sa Ai. Atij iu vu në dizpozicion një mësues mjeshtër, i cili i mësoi Gjergjit turqisht, arabisht, greqisht, italisht, sllovenisht si dhe gjuhën latine…

Në shkollat më të mira turke ai mësoi të përdorte armët, të kalëronte, si dhe të bënte të gjitha ushtrimet e trupit, që janë të nevojshme për të pasur sukses në shërbimin ushtarak. Ai përfitoi njohuri për veten e tij aq mirë nga ata mësues të aftë, të cilëve iu ishte besuar edukimi i tij. Në të gjithë konkurset publike, ai fitoi të gjitha çmimet konkurruese, por gjithashtu, ai çdo ditë merrte çmime të reja dhe lëvdata nga Murati. Në moshën 18 vjeçare, Sulltan Murati II e emëroi Gjergj Kastriotin komandant të mbi 5.000 kalorësve dhe e dërgoi në Azi….

                     Me atdheun në mendje dhe në zemër

Dhe, kështu, nisin e marrin udhë e shfaqen përpara lexuesit aftësitë e mëdha luftarake, zgjuarësisia, trimëria dhe heroizmi i tij në sytë e Perandorisë së madhe Osmane dhe të vet Sulltan Muratit të II. Autori i “Skënderbeut” të shqipëruar nga Demaku, vë në dukje se, në betejat dhe fushatat që Skënderbeu udhëhiqte kundër kundërshtarëve dhe armiqve të Perandorisë Turke, ai në mënyrë të maskuar sillej butë dhe përpiqej të mos bënte krime në zonat e të krishterëve, ”ai kurseu gjakun e tyre aq sa mundi”. 

Ndërsa Gjergji ekspozonte çdo ditë jetën e tij, Murati ishte informuar se Gjon Kastrioti, regjenti legal i Shqipërisë, kishte vdekur. Murati i pabesë, mosmirënjohës menjëherë sulmoi dhe mori shtetet e tij… Gjergji ishte shumë i pikëlluar….Por ai nuk lejoi që  të vihej re…Sidoqoftë, ai po mendonte për mjete, si dhe për mënyrën për të rikthyer mbretërinë e paraardhësve të tij. Ai kërkonte një mundësi të favorshme: të linte oborrin mbretëror të Muratit, të merrte në zotërim Krujën, kryeqytetin e  shteteve të tij. Rasti erdhi kur Murati II ngriti në këmbë një ushtri prej 80.000 burrash, të cilën e dërgoi në Hungari.” Ndërkaq, urdhëroi Caram beun dhe Kastriotin të shkonin përpara me 25 mijë burra. Huniadi do t`u kundërvihej me 10.000 burra. Kur hungarezët bënë një sulm të shpejt kundër turqve, Kastrioti, menjëherë u tërhoq prapa me trupat e tij dhe pastaj ktheu shpinën duke ikur… 

Gjergji ishte nisur për në Shqipëri…Brenda tetë ditësh arriti në Dibrën e Epërme dhe hyri në Krujë, më 28 nëntor 1443. 

 

                                    Bir i denj i popullit shqiptar

 

Libri na rrëfen sesi Skënderbeu forcoi pushtetin, sesi iu drejtua popullit dhe princave shqiptarë, sesi thërriti Kuvendin e Lezhës, ku princat e zgjodhën Skënderbeun gjeneral për ushtritë e tyre, e pranuan gjithashtu atë edhe për Sovran të Shqipërisë. 

Atëherë Shqipëria ishte e ndarë në principata, ku konkurrenca mes fiseve për të mbrojtur interesat e tyre ishte e dukshme. E pikërisht Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në atë kuvend të 2 marsit 1444, duke formuar “Lidhjen e princave shqiptarë”, ia arriti t`i mbante ata të bashkuar deri në fund të jetës së tij. Nisi kështu ajo udhë e gjatë fitoresh të njëpasnjëshme, që do të tregonin aftësitë legjendare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe taktikat e tij në luftime  mbrojtëse dhe sulmuese, zemrën e  tij të madhe, mençurinë dhe inteligjencën, besimin te bashkëkombësit e tij besnik deri në vdekje, besimin te qëllimi i lartë i misionit të tij çlirimtar dhe, pastaj, ato mësime të vlefshme që mori Evropa dhe bota prej veprimeve dhe atyre dhjetëra betejave të tij të guximshme. Ishte kjo famë, e cila bëri që mendjet më të shquara të kohërave të shprehen për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Kështu, në veprën e tij, Volteri shkruan se ”Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Kostandinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin atë në maj 1453”. Kurse studiuesi gjerman Fallmeyrarer, shkruan se Gjergj Kastrioti paraqet “Udhëheqësin më të përgatitur, më të suksesshëm dhe mjeshtrin më të madh të luftës”.

Ky libër, në përkthimin mjeshtëror të Sokol Demakut, na bënë krenarë ne shqiptarëve për Heroin tonë Kombëtar, na frymëzon dhe na nxit më shumë për  dashurinë ndaj atdheut dhe besimin se, populli shqiptar ka një histori të pasur dhe të jashtëzakonshme, që bota duhet ta njoh më mirë. Për këtë duhet të jemi ne shqiptarët në radhë të parë prezantuesit e kësaj historie, jemi ne që duhet t`i tregojmë botës për heronjtë dhe për dëshmorët tanë, për qëllimet e tyre të larta, duke rrëfyer kështu të vërtetën dhe duke nderuar sakrificat dhe gjakun e tyre të derdhur për lirinë e vendit, por dhe për të mbrojtur Evropën nga egërsia e barbaria turke. Me veprën e tij heroike, Gjergj Kastrioti i dha më shumë shkëlqim historisë sonë, te figura dhe vepra e tij ne shqiptarët shohim portretin tonë, ndjejmë rrjedhjen e gjakut të të parëve tanë ilirë, tek ai janë edhe Bardhyli, Genti, Teuta, Glaukia…,janë heronjtë dhe dëshmorët që kanë vaditur me gjak këtë truall të dashur dhe të shenjtë. 

                   Neveri popullore ndaj shpifësve ordinerë

Edhe në këtë libër të Zannovich, sikurse edhe në shumë vepra të tjera që janë shkruar për Kastriotin, shfaqet madhështia dhe fuqia e  kryeheroit tonë në mbrojtje të Shqipërisë dhe të Evropës nga pushtuesit osmanë. Shkrimtari lartëson me fakte dhe dokumente rolin dhe shembullin unik  dhe vital të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por, njëherazi duket se, në mënyrë të tërthortë, fshikullon ata individë, që u duket vetja “origjinal” dhe vënë në dyshim emrin dhe veprën madhështore të Skënderbeut. Doemos që keni dëgjuar, të nderuar lexues, për vaporët e mëdhenj transoqeanikë, që i bien tejpërtej deteve dhe oqeaneve, që përballojnë dallgë të fuqishme dhe stuhi të lemerishme, duke triumfuar mbi to e duke çarë gjithnjë përpara? E pikërisht, në pjesën fundore të tyre, ngjiten disa tipe midhjesh të zeza, që lundrojnë së bashku me ata vaporë, si të ishin pjesë e tyre. Po, atë tjetrën e keni dëgjuar, më duket e thotë Sigmund Frojdi (1856-1939) se “miza në kokë të kalit, kujton se e tërheq ajo karrocën!”. Kështu, edhe ata njerëz të neveritshëm, të “krahasuar” me midhjet dhe me mizat, duke sulmuar figurën madhështore të Heroit tonë Kombëtar, u duket vetja se mund të jenë edhe ata të lavdishëm dhe madhështorë. Populli ka ndjerë gjithnjë neveri ndaj atyre, që shfaqen nga llumi i zi i kënetave t`ndyra e  vjellin vrerë; ndaj atyre sahanlëpirësve, pehlivanëve, “hardhucave”, që nxjerrin kokat poshtë gurëve e pështyjnë, ndaj atyre “lepujve”, që bëhen trima dhe “kruhen” si luanë. Të gjithë kanë një synim të shpifur: të njollosin gjakun e pastër arbëror, t`ia nxjerrin popullit heroin nga zemra dhe të lëkundin besimin ndaj tij. Ata kritizerë, të huaj apo dhe ndonjë bukëshkalë shqiptar, bëjnë çmos ta nxjerrin Gjergj Kastriotin nga këngët e legjendat, nga librat e dokumentet e shkruara të historisë, duan t`i shuajnë gjurmët  e tij në gurë e kështjella, duan ta rrëzojnë nga kali e ta shkelin me thundra. Duke tentuar gjithmonë  ta paraqesin Heroin tonë të zakonshëm e të rëndomtë,  ata tentojnë ta  zbresin nga piedestali i lartë i lirisë! 

Libri i Zannovich, që kemi në dorë, mund të themi se nënvizon thuajse në çdo faqe të tij se,  Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, bir i denj i kombit arbëror, është njehsuar me kështjellat dhe flamurin, nderohet si prijësi dhe udhëheqësi më  popullorë i kohërave. Emri dhe vepra e tij ndritin në historinë  shekullore shqiptare, evropiane dhe botërore, duke shërbyer gjithnjë si një “Yll polar”, për  popujt që luftojnë për liri…

 

                                 Vepra e Gjergj Kastriotit 

           është e njesuar me popullin, me truallin, me kështjellat…

 

Milan Shuflai, albanologu kroat, që u sakrifikua për Shqipërinë, duke folur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, mes të tjerash ka thënë: ”Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

Vepra madhështore e Skënderbeut, tashmë dihet, ajo edhe sikur të zhduket çdo dokument nga arkivat  e vendeve ballkanike e evropiane, është në zemrat e popullit, në mitet, legjendat, poemat dhe në rapsoditë e tij, në toponimet dhe rrëfimet që trashëgohen nga njëri brez në tjetrin; ajo është në malet, gurët e rëndë dhe kështjellat, grykat, kepat, kishat, luginat, burimet,  fshatrat e krahinat me emrin e tij; ai është në ligje, në emra ditësh të shënuara dhe festa, që mbajnë emrin e tij… Koha kur ai veproi, në fjalorin zyrtar e popullor merr emrin “epoka e Skënderbeut”, kështu dhe armët e tij, mjetet e luftës, vendet ku shkelte dhe ku banonte, ku organizonte mbrojtjen dhe sulmet kundër pushtuesve. Ne sot kemi flamurin me emrin e tij, kemi sheshe, bulevarde, rrugë, tituj nderi, qindra vepra historike, letrare, skulpturore, piktorike, deri dhe vepra muzikore operistike që i janë kushtuar atij, nga artistë shqiptarë dhe të huaj. Kemi qindra toponime me emrin e tij, rrëfenja dhe legjenda pa fund me emrin e tij. Por kanë edhe vendet fqinjë, kanë edhe shtetet e Evropës, që e patën shembull apo u frymëzuan prej tij. Sikurse, për emrin, veprën dhe famën e Gjergj Kastriotit janë shprehur dhe kanë shkruar dhjetëra personalitete të mëdhenj… Vepra e Skënderbeut është kudo e, mbi të gjitha në kujtesën e popullit shqiptar dhe zemrën e tij të madhe… 

Siç shprehet me të drejtë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare: ”Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madh i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt dhe vizion madhështor, rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo nga Perëndimi… Ai… i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës, deri në fund, sa vdiq! Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve…” Dhe, si për ta mbyllur këtë tekst, po përmend fjalët e Papa Kaliksti III, i cili shprehej: ”Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Evropën Kristjane!”

                       Luftëtar i madh, por dhe diplomat i madh

 

Nga ky libër i Zannovich përkthyer nga z. Demaku, del qartazi se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e tregoi veten jo vetëm si një kryeluftëtar të përmasave evropiane dhe botërore, por edhe si një diplomat i mençur, duke vendosur aleanca, marrëdhënie dhe veprime diplomatike në interes të vendit të vetë, gjithnjë duke qenë realist dhe i ndërsjelltë në mbajtjen dhe forcimin e këtyre aleancave, duke i dhënë drejtimin e qartë dhe të duhur vendit të tij, drejt perëndimit, drejt Evropës. Me “Beslidhjen e princave shqiptarë”, më 1444, ai krijoi një përvojë që do të shërbente në shekuj si një mesazh i madh për  bashkimin e popullit shqiptar, por dhe për  popujt që luftojnë për liri, me devizën: “Të bashkuar, s`mund ta na thyej askush”. 

Interesante  ishin aleancat dhe marrëdhëniet diplomatike që ai vendosi me shtetet evropiane, veçanërisht me fqinjët, por edhe më gjerë. Nuk duhet të harrojmë se, Evropa e asaj kohe ndryshonte shumë nga Evropa e sotme, kështu që edhe orientimi diplomatik ishte i ndërlikuar. Kjo, për faktin  se në atë shekull, siç shprehen historianët dhe studiuesit, Evropa përbëhej nga qindra shtete, nga qindra principata dhe mbretëri, që ishin shpesh herë në luftë dhe konkurrencë e konflikte të rënda me njëra-tjetrën. Në ato kushte, shteti i vogël shqiptar, as që i hynte në sy fuqive evropiane, por, me kohë, pas fitoreve të bujshme të Skënderbeut kundër turqve, interesi evropian ndaj Shqipërisë dhe vetë Skënderbeut si një strateg i madh, sa vinte e rritej. Këtë e tregojnë marrëdhëniet e tij diplomatike me Vatikanin dhe letërkëmbimet e shumta, ndërkohë dhe vizitat dhe ndihmat e ndërsjellta. Ai fitoi besimin e Vatikanit dhe të të katër papëve të Selisë së Shenjtë, të cilët  e mbështetën Skënderbeun dhe luftën që ai zhvilloi me Perandorinë Osmane. Kjo mbështetje ishte aq e veçantë sa, në vitin 1457 Papa Calixtus III e shpall Skënderbeun “Kapiten-Gjeneral të Selisë së Shenjtë, duke i dhënë atij edhe titullin “Atlet i Krishtit”…Madje ishte planifikuar që nga Papa Piu II, Gjergj Kastrioti të shpallej në mënyrë solemne mbret i Shqipërisë dhe udhëheqës i koalicionit të gjithë krishterë në mbrojtje të Evropës prej osmanëve…

Aleanca të forta dhe lidhje diplomatike ai mbajti me  Vladislavin e Hungarisë dhe gjeneralin e famshëm Janosh Huniadi, me Venedikun, me Raguzën (Dubrovnikun), me  Mbretërinë e Napolit dhe  me Alfonsin e Ferdinantin. Nga këto marrëdhënie dhe aleanca, Gjergj Kastrioti, krahas mbështetjes morale, pati edhe ndihma të vazhdueshme me ushtarë, me teknikë luftarake, ndihma në të holla.. Por, po aq interesante janë edhe marrëdhëniet që ai krijoi me mbretërit e Milanos, Firencës, Sienës, Burgonjës, por edhe me mbretërit e Francës, Polonisë, Spanjës etj. Sikurse, shprehin mençuri dhe diplomaci letërkëmbimet e Skënderbeut, deri edhe me armiqtë dhe kundërshtarët e tij, si ato me sulltan Muratin II, me të birin e  tij sulltan Mehmetin (Fatihu-Ngadhnjyesi), me mbretër e gjeneralë të fuqishëm të kohës etj. Me diplomacinë e tij, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu çeli edhe shtigje dhe krijoi fusha bashkëpunimi mes shteteve për të zhvilluar marrëdhënie tregtare, duke garantuar qarkullimin e lirë të tregtarëve dhe të mallrave në territoret shqiptare…Ai, si përherë, ishte i mprehtë, inteligjent dhe me aftësi parashikuese për veprimet që do të pasonin, sikurse shfrytëzonte çdo mundësi dobiprurëse, që i shërbente vendit e popullit të tij dhe qëllimit të lartë të lirisë. 

 

                        Davidi dhe Goliati një legjendë.

   Gjergj Kastrioti Skënderbeu një realitet i gjallë shqiptar

 

Libri “Skënderbeu” i Zannovich, i përkthyer nga suedishtja në shqip nga Sokol Demaku, të entuziazmon, sidomos kur përshkruan betejat e pabarbarta në numër ushtarësh mes ushtrisë së Skënderbeut dhe armiqve të tij. Ndonëse shikonte se përballë kishte forca të shumëfishta në numër dhe të armatosura me mjetet më moderne të kohës, Gjergj Kastrioti nuk tërhiqej, nuk frikësohej, ai dinte se ç`bënte, sulmonte në kohën e duhur, në vendin e  duhur dhe duke qëndruar vet trimërisht në ballë të betejës, duke dalë përherë fitimtar. Kjo metodë luftarake e tij, që, me një numër të kufizuar ushtarësh, sulmonte një ushtri gjigande, sigurisht të gjithëve në  botë u kujtonte legjendën e betejës mes Davidit dhe Goliatit, ku, ky i fundit, gjigand nga trupi dhe pamja, fodull, arogant dhe mendjemadh, mendonte se do ta copëtonte me një goditje të vetme Davidin trupvogël. Por, ndodhi krejt e kundërta. Ai u shtri sa gjatë-gjerë, vetëm nga një goditje mjeshtërore e Davidit… Kështu, betejat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, mund të themi se ishin “të ngjashme” me këtë legjendë, veçse këto ishin të vërteta, reale, të dokumentuara dhe me jehonë në të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës së asaj kohe. Parapëlqej të citoj këtu thënien e Aleks Budës, historian, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: ”Veprimtaria e Skënderbeut nuk është “një balon i fryrë”, siç është thënë, por një fakt historik. Këtu s`kemi të bëjmë me operacione banditësh nëpër male, por me një luftë gjigandeske, me përpjestime evropiane, që zgjati më tepër se një çerek shekulli dhe vuri përballë forcave vigane turke, popullin tonë të vogël”. 

Sigurisht që, Gjergji kishte edhe një përparësi, kishte në ushtrinë e tij shqiptarët, arbërit, luftëtarë të dalluar dhe të rrallë për nga heroizmi, guximi dhe trimëria e tyre, por edhe nga aftësitë e mëdha luftarake. Ata preferonin një armatim të lehtë, krah dhe muskuj të fortë, kuaj të shpejtë dhe mjeshtëri në luftimet me shpatë, heshtë e shigjetë, por edhe trup me trup me forcat armike, ndërkohë që ndiqnin shembullin e prijësit të tyre të pathyeshëm e me pamje madhështore, që nuk iu druajt asnjë beteje, asnjë dueli, asnjë dyluftimi. I referohem përsëri Volterit, kur shkruan: “Shqiptarët janë ushtarët më të mirë të atyre anëve. Skënderbeu diti mirë të shfrytëzojë trimërinë e tyre dhe terrenin e ashpër malor të vendit të vet, prandaj me pak trupa ai ndali gjithmonë armata të shumta turke… Shqiptarët janë epirotët e lashtë, të cilët janë aq luftëtarë sa edhe stërgjyshërit e tyre…” Mund të themi se te Gjergj Kastrioti-Skënderbeu përmblidheshin cilësitë më të mira shqiptare, vlerësimet që bëjnë për shqiptarët personalitete të shquara të kohërave. Duke qenë se flasim për veprën “Skënderbeu”, që na vjen nga Suedia, më vijnë ndërmend thënia e albanologut të njohur suedez Johann Thunmann (1746 – 1778), i cili ndër të tjera shkruan: ”Qëllimi im nuk është që të shkruaj një histori të gjatë dhe të plotë. Përpjekjet e mia kanë qenë vetëm për të hedhur dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve, ashtu sikurse shfaqet një numër i madh faktesh dhe dokumentesh të renditura në mënyrë kronologjike të cilat çjerrin errësirën, zhdukin konfuzionin dhe hedhin poshtë ato spekulime të paskrupullta mbi këtë popull, duke u përpjekur që ta bëj të njohur këtë vend përgjatë gjithë historisë së tij si një komb, i cili është ndër banorët më të vjetër të Evropës dhe që kanë ditur të mbijetojnë, me gjithë fluksin e grekëve, romakëve, gotëve, sllavëve, frëngëve, italianëve dhe turqve…” Kurse anglezi i madh Bajroni (1788 – 1824), përfaqësuesi më në zë i romantizmit evropian e botëror, shprehet se “Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.

Është interesante gjithashtu të theksojmë se, kur zhvilloheshin betejat me osmanët dhe fitoret e Skënderbeut vinin radhë njëra pas tjerës, kronikanët e kanë pasur zakon që të ulin numrin e  të vrarëve në ushtrinë e Skënderbeut. Duket se, zvogëlimet apo zmadhimet fiktive të numrit të të vrarëve në luftime, jo gjithmonë të sakta, vijnë edhe nga vepra e Barletit, i cili edhe është kritikuar për këto “zvogëlime”, por, mbi të gjitha, faktet e fitoreve skënderbejane, pavarësisht numrit të të vrarëve, kanë qenë të dokumentuara dhe të pranuara edhe nga vetë kronikanët apo arkivat osmane. Ashtu si Davidi, në historinë epike të tre mijë vjetëve më parë dilte fitimtar mbi Goliatin, ashtu dhe  Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me ushtri shumë herë më të vogla, arrinte të triumfonte mbi ushtritë gjigande të gjeneralëve osmanë të dërguar nga sulltanët e  tyre, ashtu dhe mbi ushtritë që drejtoheshin nga vetë sulltanët, siç ishte rrethimi i parë i Krujës nga Murati II (1450) dhe dy rrethimet e tjera nga biri i tij Mehmeti (1466 dhe 1467). Siç shkruan Fan Noli (1882 – 1965): “Skënderbeu ka mbrojtur me sukses Krujën, kundër tre rrethimeve të Muratit II dhe Mehmetit të II, dy pushtuesve më të tmerrshëm të kohës, që kishin në dorë ushtritë më të forta të botës”. Kurse vet historianët e kohës e pranojnë se, vet Mehmeti II (1432-1481) ka thënë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun: “Kurrë s`ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë.”

Edhe në këtë vepër kushtuar Skënderbeut, që na vjen nga Suedia, mësojmë se Skënderbeu çdo veprim ushtarak, por dhe çdo veprim në përgjithësi, e bënte të menduar mirë dhe të bazuar në informacione të sakta, në fakte e deri në detaje. Ai, me besnikët dhe agjentët e tij të shpërndarë nëpër perandori dhe në zemër të sarajeve sulltanore, njihte gjithë planet ogurzeza, që thurreshin në kuvendet e sulltanit, njihte planet e gjeneralëve osmanë, lëvizjet dhe rrugën që ndiqte ushtria  e stërmadhe shumëkombëshe osmane dhe repartet e saj shumarmëshe drejt Shqipërisë. Por, ai, duke qenë në të njëjta shkolla, nga më të mirat e perandorisë,  me oficerët dhe gjeneralët osmanë, i njihte mirë ata, madje i kishte mundur qëkur ishin ende të rinj, në duele force dhe konkurse mençurie, ai ua dinte edhe trimëritë dhe aftësitë e fuqitë, por u njihte edhe huqet e dobësitë. Ndaj, duke i parë gjithnjë gjërat në kompleks,  duke studiuar tipin dhe llojin e ushtrisë që po e sulmonte, duke nuhatur lëvizjet dhe taktikat e tyre, duke njohur armatimin që ata kishin, ai pikaste pikat e tyre më të dobëta dhe, në rastin e kohën më të përshtatëshme  i sulmonte rrufeshëm dhe i shpartallonte, i detyronte të merrnin arratinë. Kështu e pësuan edhe gjeneralët më të  mëdhenj osmanë, madje edhe në prani të sulltanëve të tyre, por, e pësuan edhe ata që njihnin mirë taktikat dhe strategjitë e Gjergj Kastriotit si: Ballaban Pasha, Hamza Kastrioti e Moisi Golemi.

                                            Portretizimi i karakterit 

               dhe i pamjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Libri ka skena të shkruara mjeshtërisht dhe në mënyrë tërheqëse për lexuesin. Për shembull, kur Mehmeti II, me sygjerim të Ballaban Pashës vendosi ta sulmonin Skënderbeun njëherazi me dy ushtri të ndryshme dhe nga dy drejtime. Skënderbeu, duke nuhatur qëllimin e armikut, veproi guximshëm, duke u rënë atëherë kur ata s`e prisnin dhe i shpartalloi të dyja ushtritë, duke i detyruar të merrnin aratinë. 

Po aq interesante dhe  e padëgjuar  është edhe historia e dy obortarëve, që ndodheshin në oborrin e Skënderbeut, e që, duke qenë tradhtarë, informonin sulltanin për gjithçka ndodhte në kampin shqiptar. Atëherë, sapo e mori vesh këtë tradhti, Skënderbeu i thirri të dy spiunët dhe i pyeti:

-Çfarë dënimi meriton shërbëtori që tradhton zotërinë e tij?

-Duhet t`i pritet koka, – iu përgjigjën ata.

-Epo, kokat tuaja nuk janë të denja për atë nder. Unë di gjithçka. Unë ju fal. Ju jeni shumë të këqinj për t`i shërbyer një zotërie, i cili çdo ditë rrezikon kokën e tij për të ruajtur jetën tuaj. Shkoni te Mehmeti. Nga kjo ditë ai është Sovrani juaj. Ju mund t`i thoni atij: Se Zoti e ruan kokën e Kastriotit dhe se unë së shpejti dua të vijë dhe t`i marrë kokën atij, jo në një mënyrë të pabesë, si bën ai, por në mënyrë mbretërore dhe si një armik fisnik.”.

Libri ka një mbyllje origjinale, ku blerojnë këshilla dhe mendime të arta të Gjergj Kastriotit. Duket se, në këtë rast, autori Zannovich i ka vënë vetes detyrë të na e prezantoj Heroin tonë Kombëtar edhe si një dijetar, si një burrë shteti të mençur, që, siç ka qenë zakoni në kohët e vjetra, i jep të rinjve këshilla nga përvoja e tij. Edhe sikur vetëm ato këshilla të arta të kishte ky libër, do të ishte një vlerë e papërsëritshme, ndërkohë që libri është një pasurim i madh vlerash historike, shkencore, ushtarake e kulturore për bibliotekën dhe arkivin skënderbejan.

Mehmeti II, duke folur për Skënderbeun, u tha gjeneralëve të tij:

“-Unë do ta njoh gjithmonë Kastriotin në fytyrën e tij, por kurrë mbi supet e tij, sepse ai kurrë nuk më ka kthyer shpinën.” 

I veçantë është veprimi i fundit i Gjergjit, i cili kur dëgjoi se një ushtri turke po sulmonte Shqipërinë, ai, kërkoi të vishte uniformën e tij luftarake, ngjeshi armët në brez, i hipi kalit të tij besnik dhe u vërsul si rrufe në betejë. Turqit, që besonin se ai ishte duke vdekur, kur  dalluan përkrenaren e Kastriotit, duke u valëvitur, ia mbathën nga fusha  e betejës për të shpëtuar kokën…

“Ai njeri i madh  nuk ishte i tmerrshëm për askënd tjetër, përveçse për armiqtë e tij. Ai ishte një mik njerëzor, i këndshëm dhe i sigurtë për vartësit e tij. Ai ishte jashtëzakonisht bujar dhe i shpërbleu të gjithë ata që shkëlqyen në shërbimin e tij…I njihte emrat e pothuajse të të gjithë ushtarëve të tij…Gjithmonë i angazhuar në luftë, ai donte të lexonte. Komentet e Cezarit ishte libri i tij i preferuar. Ai dinte në mënyrë të përsosur gjuhën, zakonet dhe artet marciale të turqve. Ai gjithashtu fliste me lehtësi të madhe disa gjuhë evropiane…”

Na duket interesante në këtë vepër edhe portretizimi fizik që i bënë autori figurës së kryeheroit: “Gjergj Kastrioti kishte një ndërtim fizik trupi shumë të fortë. Njeriu mund të shihte kokën e tij  të ngrihej mbi ushtarët e tij. Ai kishte një hundë shqiponje, lëkurë të bardhë të spërkatur me tone trëndafili, ballin e gjerë… Portreti që i ngjan më shumë, ngjan me statujën që kanë në Shqipëri, pastaj është ajo që kanë në Galerinë e Madhe në Toskana. Ai ka një mjekër të plotë, kryqin e Shën Gjonit, të cilin e mbarti me përkushtim dhe çizmet e verdha, që ishin zbukurimet e  tij të zakonshme. 

Në kohën e pushimit, ai  pëlqente ta mbante kokën të zhveshur. Por, në fushëbetejë, ai ishte i kujdesshëm për të veshur një “shami” me shumë pendë struci, për t`u treguar para ushtarëve të tij, se atje ku është koka e tij, atje do të ishte armiku. Thuhet se kishte diçka të pazakontë dhe të veçantë në fuqinë e Kastriotit. Ai dukej se kishte një natyrë tjetër nga njerëzit e zakonshëm. Ai mund të jetonte ditë të tëra pa ngrënë ose pa pirë…”. 

Lexuesi i librit “Skënderbeut”, i shkruar nga Zannovich, me siguri do të ndjejë krenari edhe kur të lexojë fjalitë e fundit përmbyllëse të këtij libri: “Çfarë lumturie, që nderon reputacionin e një njeriu të madh, që pas tre shekujsh dhe më shumë, shikon sedrën e banorit, turkut udhëtar, të krishterit ose hebreut dhe iu shqipton bekimin e të njohurit, të relikeve dhe mbetjeve të tij të famshme; ata ngrihen, suprizohen, mahniten, mrekullohen me mbetjet e varrit të tij dhe thonë: Këtu pushon Kastrioti, ai, SKËNDERBEU! Sa i shkathët ishte ai! Sa i drejtë ishte ai!…Çfarë modeli për mbretërit! Çfarë angazhimi për atë që është pasardhësi i tij dhe shkrimtari i historisë së tij!

Faleminderit Sokol Demaku për përkthimin dinjitoz që na ke sjellë në shqip, për këtë përkushtim dhe atdhetarizëm të spikatur e frymëzues! 

…………………….
Shënim:

Nga kërkimet që ka bërë përkthyesi, z. Sokol Demaku, për të mësuar diçka më shumë rreth autorit të librit: “I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, deri më sot del: Zannovich, Stephan ka lindur në Budva, Shqipëria veneciane, më 18 shkurt 1751 dhe ka vdekur në  Amsterdam, Republika Hollandeze, 25 maj 1786. E kanë quajtur edhe me emrin Hanibal, ishte një shkrimtar i “Letrave Turke”. Ai ka shkruar në italisht, frëngjisht, latinisht, gjermanisht dhe serbisht… Giacomo Casanova e përmend Stefano Zannovich, i cili “bëri një vizitë në Vjenë nën aliat e Princit Castriotto d’Albanie. Nën presionin e autoriteteve, ai u largua në fund të korrikut 1784 “për në Poloni dhe, më vonë për Hollandë (Provincat e Bashkuara). Zannovich ka bërë një punë të madhe dhe me përkushtim rreth Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit kur ishte në Holandë dhe në Gjermani, pasi nxori në dritë librin e tij kushuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Është interesant se si erdhi libri i Zannovich në Suedi, të përkthet nga Anders Zetterberg dhe të botohet në gjuhën suedeze, në vitin 1788, në Stockholm…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Viron Kona

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT