• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

NJË TAKIM MBRESËLËNËS

November 3, 2021 by s p

Në prag të 20 vjetorit të formimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.

LAVER NIKU

 Ka kohë që në mjediset tona shoqërore e miqësore diskutohet për një jetësim të përditshëm të mirënjohjes, falenderimit në marrëdhëniet me njeri-tjetrin, të grupeve dhe shoqatës ndaj individit apo edhe në të kundërtën. Jo thjesht për formë, por si një mjet i nevojshëm shpirtëror, qytetar, që nuk ka munguar kurrë në traditën shqiptare, por që në ditët tona, e lëmë me shumë të merret me mend, të nënkuptohet. Tradita shqiptare e ka aq të pasur dhe të fuqishme shprehjen e mirënjohjes sa e ka kthyer në fe. Në shënjë mirënjohjeje lidheshin miqësi brezash, formoheshin krushqira, formoheshin vëllazërira etj. Bile i kalonte edhe kornizat fetare dhe i krishteri u bënte vëlla me myslimanin, apo martonin fëmijët me njëri-tjetrin. Dhe ishin kaq të forta këto lidhje sa shkonin deri në kufijtë e legjendave.

   Kjo traditë ka një forcë rrezatuese të fuqishme dhe vjen në ditët tona e bukur dhe frymëzuese. Kjo traditë ishte edhe një nga objektivat e punës së Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, që në themelimin e saj. Prindërit emigrantë e sollën në kontinentin e largët, në Amerikë, për t’ua lënë trashëgim fëmijëve, me forcën e vet, me bukurinë e vet: “Made in Albania”.

      Një shënjë mirënjohjeje dhe falenderimi ishte dhe takimi i organizuar fundjavën që kaloi nga zoti Bujar Gjoka, kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, me të gjithë ish kryetarët e Shoqatës ndër vite Prof. Dr. George Ziu, z. Llazar Vero, z. Petrit Zanaj, Dr. Sadik Elshani e z. Tajar Domi si dhe sekretarin e kësaj shoqate përgjatë dy dhjetë-vjeçarëve, zoti Vlashi Fili. Takimi u zhvilluar në Restorantin “La Voglia”, me adresë; 216 West Street Rd, Warminster, PA 18974 në pronë të dy bashkatdhetareve të rinj shqiptar. Pranë restorantit, ishim në kohën e duhur, por aty na priste Prof. Dr.George, që kishte mbërritur pak minuta para nesh. Ai jeton dhe punon në Quakertown, U përshëndetëm, ashtu, pak zhurmshëm, siç e kemi zakon ne shqiptarët, me temperament mesdhetar. Zumë vend në një tavolinë të rezervuar për këtë rast: në fillim George, pastaj Llazari, Vlashi, Tajari, Petriti, Sadiku e Bujari. Pyetjet e zakonshme në fillim, për shëndetin, familjet dhe punën. Pastaj, si pa dashje, zunë vend kujtimet.

 Llazar Vero tregonte se si ishin njohur me Dr. George Ziun. Ishte pranvera e vitit 1998. Shumica e emigrantëve ishin të sapoardhur nga Shqipëria. Dhe ishin këta që kishin marrë nismën për organizimin e një demonstrate në përkrahje të luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë për liri dhe pavarësi nga pushtuesit serbë. Me ne u bashkuan edhe një grup i Shoqatës Humanitariane Shqiptare -Amerikane “Nënë Tereza”, që mblidhte ndihma për popullin e Kosovës. Gjatë manifestimit nga Quakertown, Pennsylvania na bashkohet edhe një grup tjetër bashkatdhetarësh me flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Grupin e printe një burrë i ri, rreth të dyzetave, i fuqishëm, gjithë etusiazëm, që me flamur në dorë i printe grupit të vet. Ky ishte Dr. George Ziu, i lindur dhe i rritur në Amerikë, si edhe i jati tij,që rrënjët i kishin në Beratin e bukur dhe dashurinë për atdheun e të parëve të pashuar. Demonstruesit u mblodhën para sheshit të Bashkisë së Filadelfias, ku krahas bashkatdhetarëve të tjerë foli edhe Dr. George Ziu. 

– Ky ishte takimi i parë me ju George, apo jo? – e pyeti Llazari, për ta futur në bisedë doktorin tonë.

– Po, – u përgjigj ai në shqip,

– Dhe ishte shumë bukur! E paharruar ajo ditë! 

Në mbarim të kësaj veprimtarie së bashku me z.Viktor Furxhi e z. Sotiraq Pema biseduam me Dr. George, këmbyem edhe numrat e telefonave, për të mos i shkëputur lidhjet. Dhe koha e solli që të takoheshim përsëri me atë, në përpjekjet tona për formimin e shoqatës që kemi sot. Ai u tregua përsëri i gatshëm. Dhe na ndihmoi shumë me përvojën e tij, me kulturën e tij. Kur u njoh shoqata nga shteti i Pensilvanisë, ai ishte ideatori i stemës së shoqatës, që e kemi edhe sot. Në zgjedhjet e para në shoqatë ai u zgjodh njëzeri kryetar i parë i saj.

Kryetari i shoqatës Dr. George Ziu, punoi pa u kursyer për forcimin dhe rritjen e shoqatës. Por puna e tij në një klinikë në Nju Xhersi dhe dhe udhëtimi për me shumë se një orë për Quakertown, ku kishte familjen, e pengonte për të qënë me shumë pranë shoqatës dhe problemeve të saj. Në zgjedhjet e dyta të shoqatës ai, mes emocionit kërkoi të largohet nga kjo detyrë, por jo nga jeta e shoqatës. Kur u hap shkolla shqipe në mars të vitit 2004, ai solli vajzën e tij, të mësonte gjuhën e gjyshërve të saj, gjuhën shqipe. Edhe në mbrëmjet e flamurit nuk mungonte. Kështu ndër vite. Kjo ka bërë që ai të mos jetë i panjohur edhe për të gjithë kryetarët e tjerë të shoqatës ndër vite, për Petritin, Sadikun,Tajarin dhe Bujarin.

 Profesor Dr. George Ziu, atdhedashurinë dhe Shqipërinë e ka në zemër. Një nga shokët e tavolinës e pyeti se si kishte mundësi, që ai, si brezi i tretë i familjes që jetonte në Amerikë, të ruante të pashuar këtë atdhedashuri për vendin e të parëve të tij. Të gjithë ne në tavolinë e dinim se ai ka bërë kërkesën presidentit të Shqipërisë t’i jap shtetësinë shqiptare, krahas asaj amerikane. Shoqata jonë i ka dhënë mbështetjen e saj për realizimin e kësaj dëshire të madhe të tij.

  -Kur isha i ri, – tregoi Dr George, – një zonjë në kishën shqiptare me pyeti se çfarë isha unë. – Shqiptar. – iu përgjigja i sigurtë. – Ajo me rrahu shpatullat dhe u largua duke qeshur.

Koha po ikte si pa e kuptur pasi të gjithë ishim të mbërthyer me bisedat, kujtimet e bukura, emocionet dhe vështirësitë që kemi patur në punën vulnetare në drejtim të shoqatës në këto 20 vite të jetës së saj. 

Në këtë takim u diskutua dhe për përgatitjet që duhen bërë për festimin e 20 vjetorit të shoqatës. 

Më pas, zoti Bujar Gjoka ngrihet në këmbë dhe i dorëzon Dr, Gerge Zeo (Ziu) Çertifikatën “Nderi i Komunitetit” dhënë nga Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia me motivacionin “Për trashëgiminë atdhetare të pashuar në mendjen dhe zemrën e tij, si pjesëmarrës dhe organizator në veprimtaritë atdhetare e kulturore të komunitetit shqiptar në Filadelfia dhe më gjërë, për ndihmesën e tij të çmuar në organizimin, themelimin dhe si kryetar i parë i Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes“ në Filadelfia, 20 vite më parë. 

Doktori shumë i emocionuar falenderon për nderimin që i bëri kjo shoqatë. Të gjithë së bashku të ngritur me gota e verës në duar i urojmë atij shëndet dhe mbarësi për vete dhe familjen e tij të madhe. Kjo çertifikatë ishte e shoqëruar edhe me medalionin e shoqatës, që i shtoi emocionet e tij. 

Të gjithë e falenderuam për ndihmesën e dhënë në hapat e para të shoqatës tonë. E falenderoi Vlashi, Petriti, Sadiku,Tajari e Llazari. Doktor George mezi i mbante emocionet dhe vetëm falenderonte në shqip dhe anglisht. Janë emocione krejtë të veçanta që nuk mund t’i gjesh kudo. Zemra dhe mendja sikur ndizen, sikur punojnë ndryshe, më fuqishëm dhe më të rinuara. Janë rezultate të një pune dhe sakrifice të papaguar, por që buron nga shpirti. 

LAVER NIKU

01 Nëntor 2021

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, Laver Niku

DITA NDËRKOMBËTARE PËR T’I DHËNË FUND MOSNDËSHKIMIT PËR KRIMET KUNDËR GAZETARËVE

November 3, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image2 Nëntori, 2021 shënon Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve kundër Gazetarëve, është një ditë që shënohet çdo vit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, (OKB-së), nga qeveritë anëtare të OKB-së dhe nga organizata jo qeveritare, mbrojtëse të lirisë së shtypit dhe të drejtave të gazetarëve, anë e mbanë botës. Është një ditë që bota i kushton vëmendje krimeve të dhunëshme kundër gazetarëve dhe përfaqsuesve të medias si dhe lirisë së shtypit, në përgjithësi.  Shkeljet e lirisë së fjalës dhe mosndëshkimi për krimet kundër gazetarëve, anë e mbanë botës, vazhdon të rritet nga viti në vit, sepse qeveritë e ndryshme kanë dështuar të hetojnë krimet kundër gazetarëve. Me këtë rast, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe një numër qeverish anë e mbanë botës e shënojnë këtë ditë me veprimtari të ndryshme dhe me deklarata, ku shprehin mbështetjen e tyre për lirinë e fjalës dhe shtypit të lirë në vendet e tyre dhe në botë. Ashtu ndodhi edhe sivjet.

Bazuar në statistikat e agjencisë ndërkombëtare, UNESCO e cila ndër të tjera, merret edhe me mbrojtjen e gazetarëve dhe të punëtorve të medias në përgjithësi, vetëm vitin e kaluar, janë vrarë 62 gazetarë, vetëm e vetëm, se pse kryenin detyrën e tyre. Gjithnjë sipas UNESCO-s, nga viti 2006-2020, mbi 1,200 profesionistë të gazetarisë kanë humbur jetën në, duke bërë detyrën e tyre si gazetarë. Në 80 për qind e rasteve, vrarësit e gazetarëve i kanë shpëtuar ndëshkimit. Si rrjedhim, për arsye të statistikave si këto thuhet se — në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, 2021 — është vendosur që t’i kushtohet një vëmendje më e madhe rolit të prokurorëve, për të sjellur para drejtësisë vrasësit e gazetarëve por edhe për të ndjekur penalisht personat që kërcnojnë me dhunë gazetarët, për arsye të profesionit të tyre.

Në mesazhin e tij, duke shënuar këtë ditë ndërkombëtare në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së fjalës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Z. Antonio Guterres vuri në dukje se shumë gazetarë/e janë vrarë ndërsa raportonin nga zona konfliktesh, ndërsa numri i gazetarëve të vrarë jashtë zonave të konfliteve, është rritur vitet e fundit, gjithashtu.  “Unë u bëjë thirrje shteteve anëtare (të OKB-ës) si dhe komunitetit ndërkombëtar të jenë solidarë me gazetarët anë e mbanë botës sot dhe, çdo ditë tjetër dhe të demonstrojnë, njëkohësisht, vullnetin politik për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht krimet kundër gazetarëve dhe puntorëve të tjerë të medias, me kompetencat dhe me fuqinë më të madhe të ligjit”, është shprehur me këtë rast, udhëheqsi i organizatës botërore (OKB-ës), Z. Guterres.  Kjo ditë kujton që të gjithë dhe jo vetëm qeveritë dhe organizatat e ndryshme mbrojtëse të gazetarëve, duhet të kundërshtojnë dhe të luftojnë kërcënimet me dhunë dhe krimet kundër gazetarëve – si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur lirinë e fjalës, për të gjithë, thuhet në deklaratën e organizatës botërore në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve.” 

“Kur kërcënohet e drejta dhe mundësia për të pasur informacionin, krijimi i një atmosfere të tillë, dërgon një mesazh shqetësues që, njëherazi, minon demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, ka nënvijuar udhëheqsi i OKB-së, Z. Antonio Guterres, me këtë rast, duke shtuar se, “Në shumë vende të botës, thjesht, hetimi i korrupsionit, trafikimit, shkeljeve të drejtave të njeriut, ose edhe çeshtjeve të mjedisit, venë në rrezik jetën e gazetarëve”.  Sipas Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-ës, “Krimet kundër gazetarëve kanë një ndikim të madh në mbarë shoqërinë, sepse ato bëjnë të pamundur që njerëzit të ndërmarrin vendime, bazuar në informacione të sakta.”  Z. Guterres i kujtoi botës se femrat gazetare, veçanërsiht, përballen me rreziqe të mëdha në punën e tyre të përditëshme.

Këtë ditë e kujtuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepërmjet një deklarate të Zëdhënsit të (DASH), Z. Ned Price —The International Day to End Impunity for Crimes against Journalist – United States Department of State 

 “Shtypi i lirë dhe i pavarur mban përgjegjës udhëheqsit, mbron të drejtat e qytetarëve dhe siguron që komunitetet tona të jenë të mirëinformuara. Në shumë vende, gazetarët përballen me kërcënime, me dhunë dhe burgosje për punën e tyre gazetareske.  Shtetet e Bashkuara dënojnë kërcënimet, bezdisjet dhe dhunën që ve në shënjestër gazetarët dhe puntorë të tjerë të medias.  Gjithnjë e më tepër këto kërcënime bëhen nga qeveri që shtrijnë influencën e tyre përtej kufijve, përfshirë përgjimet digjitale të komunikimeve dhe vendndodhjes së gazetarëve, me qëllim për të kufizuar mundësitë e gazetarëve për të raportuar korrupsionin në qeveri dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Asnjë pjesëtar i medias nuk duhet të kërcënohet, të bezdiset, të sulmohet fizikisht ose të arrestohet, thjesht, se bejnë punën e tyre si gazetarë”, thuhet në deklaratën e Zëdhënsit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zëdhënsi i DASH përmendi me këtë rast, deklaratën e Presidentit Biden të para do kohe, me të cilën lavdëroi Komitetin Nobel, për nderimin që u bëri gazetarëve Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitri Muratov nga Rusia, duke iu akorduar atyre Çmimin Nobel për Paqë. “Nevoja jonë për lajme dhe raportime të sakta, bazuar në fakte si dhe nevoja për një diskurs të hapur dhe publik, por edhe përgjegjshëmëria, nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, shprehet zëdhënsi i diplomacisë amerikane, në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, të shpallur nga OKB-ja. Sot më shumë se kurrë, tha zyrtari i lartë i diplomacisë amerikane, duhet të kundërshtojmë ashpër përdorimin, në rritje e sipër, të sulmeve fzike, nagcmimeve “online” kallximeve në gjyq, si mjete frikësimi si dhe presionet për rregullimin dhe centralizimin e kontrollit të medias me anë ligjesh – që përdoren anë e mbanë botës për t’i mbyllur gojën gazetarëve dhe medias në përgjithësi, tha Z. Ned Price.

Zëdhënsi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Z. Ned Price, në përmbyllje të deklaratës me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, u zotua në emër të administratës që ai përfaqëson se, “ne ritheksojmë vendosmërinë tonë për të promovuar një shtyp të lirë e të hapur, larg kufizimeve të padrejta, duke mbajtur përgjegjës të gjithë ata që sulmojnë lirinë e medias. Ne kujtojmë, gjithashtu ata gazetarë dhe profesionistë të tjerë të gazetarisë, të cilët janë vrarë gjatë kryerjes së detyrës. Departamenti Amerikan i Shtetit zotohet se do të çojë përpara përpjekjet për promovimin e fjalës së lirë në vendin tonë dhe në botë, ndërkohë që u bëjmë thirrje qeverive të tjera të mbajnë përgjegjës të gjithë ata aktorë që venë në shënjestër gazetarët, me qëllim për t’i bezdisur, për t’i frikësuar dhe për t’i dhunuar”, ka përfunduar zëdhënsi i DASH, Z. Ned Price, deklaratën e tij mbi angazhimin e qeverisë amerikane në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe në mbështetjte të gazetarëve dhe të profesionit të tyre, anë e mbanë botës, në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, (2 nentor 2021).

Ndërsa, Drejtoresha e Përgjithëshme e UNESCO-s, Z-nja Audrey Azoulay në mesazhin e saj me këtë rast u shpreh se, “Shtetet kanë përgjegjësinë të mbrojnë gazetarët dhe të sigurojnë që ata që kërcënojnë dhe që kryejnë krime kundër gazetarëve, të dënohen. Sidomos, gjykatësit dhe prokurorët, tha ajo, kanë rolin kryesor në promovimin e zhvillimit të proceseve penale ashtuqë ata që kryejnë krime kundër gazetarëve, të mos i ikin drejtësisë, të pa ndëshkuar. “Vetëm duke lejuar të flitet e verveta, ne do mundemi të çojmë përpara dhe të sigurojmë paqën, drejtësinë dhe zhvillimin e vazhdueshëm për shoqëritë tona”, tha Drejtoresha e UNESCO-s, Z-nja Audrey Azoulay.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore kanë një traditë të gjatë të lirisë së  shtypit dhe të fjalës së lirë.  Me shembjen e Murit të Berlinit, këtij grupi i janë shtuar një numër vendesh ish-komuniste – tani anëtare të Bashkimit Evropian dhe Aleancës Nato – ku mund të thuhet se liria e fjalës dhe e medias në përgjithësi, zbatohet, respektohet dhe mbrohet me ligj.  Vende këto të cilat konsiderohen si vende “plotësisht të lira” nga vlersimet e organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.

Ka të tjera vende, si Shqipëria dhe Kosova të cilat nga të njëjtat orgnaizata konsideorhen si “pjesërisht të lira”.  Arsyeja për këtë klasifikim si pjesërisht të lira është fakti se organizatat që merren me të drejtat e njeriut, nuk konsiderojnë se këto dy shtete të shqiptarëve janë të lira plotësisht, pjesërisht, edhe për mënyrën se si Shqipëria dhe Kosova trajtojnë gazetarët dhe të drejtën e lirisë së fjalës në përgjithësi në vendet e tyre. 

Dihet se një prej kushteve në procesin e zgjërimit të Bashkimit Evropian (BE) është edhe liria e medias, si një tregues i gatishmërisë së një vendi për tu antarësuar në (BE). Liria e medias dhe liria e fjalës janë të paprekshme ashtu siç përcaktohen në Kartën e të Drejtave themelore të BE-ës dhe në Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut për të mos thenë asgjë për Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara – dokumenti kryesor që shërben si një udhëzim për liri dhe barazi – në mbrojtje të drejtave të çdo individi, kudo dhe pa dallim – përfshirë lirinë e fjalës dhe të medias.  Veç një Zot e di se si dhe pse nuk u hynë në kokë ky mesazh udhëheqësve shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, se liria e fjalës dhe liria e medias janë baza themeltare të një shteti të lirë e demokratik. 

Frank Shkreli

A person in a suit

Description automatically generated with medium confidence
A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

                      Antonio Guterres (OKB)                    Ned Price (DASH)

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

                                                  Audrey Azoulay (UNESCO)

UNESCO poster

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

EMIGRACIONI POLITIK SHQIPTAR NË SHBA PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE DHE RAPORTET E TIJ ME EMIGRACIONIN E VJETËR

November 3, 2021 by s p

Prof. dr. Hamit Kaba

Instituti i Historisë/Akademia e Studimeve Albanologjike

Tiranë, 3 nëntor 2021

  1. Mbërritja e emigracionit politik shqiptar në SHBA

            Historia e emigracionit politik shqiptar nuk fillon me periudhën e pasluftës së Dytë Botërore. Kjo ishte valë e dytë. Vala e parë e emigracionit politik shqiptar duhet kërkuar në periudhën pas dështimit të Lëvizjes së Qershorit të udhëhequr nga Noli. “Në dhjetor 1924, ka theksuar Ali Këlcyra, pothuajse 1200 intelektualë nacionalistë shqiptarë shkuan në mërgim, për të protestuar përpara botës kundër ardhjes në pushtet të Zogut, i mbështetur nga shtetet fqinje e në mënyrë të veçantë nga Jugosllavia”.[2]  

Vala apo faza e dytë e tij fillon në mbarim të LDB dhe vazhdon deri në rënien e regjimit komunist në vitin 1991. Të ikurve do t’u shtoheshin të tjerë shqiptarë të arratisur nga vendi i tyre për shkak të ndjekjeve, persekutimeve e dënimeve, pakënaqësisë së krijuar nga  ndryshimi i sistemit dhe reformat radikale të qeverisë komuniste. Është e vështirë të japësh një numër të saktë të arratisurve nga Shqipëria pas LDB, por ata janë me mijëra. Pas ndarjes shqiptaro jugosllave të vitit 1948, 5000-8000 shqiptarë të tjerë u larguan nga Shqipëria në drejtim të Jugosllavisë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë në vitin 1975 do ta llogariste numrin e emigracionit politik në rreth 10000 -12000 persona.[3]

Numri i emigrantëve politikë shqiptarë në SHBA në vitet 1945-1954 ishte i kufizuar. Për arsye të afrisë tokësore me Shqipërinë, lehtësirave për tu larguar nga Shqipëria dhe situatës ndërkombëtare të atyre viteve të larguarit shkuan kryesisht në vendet fqinje, si Italia, Greqia, Turqia e Jugosllavia pas vitit 1948. Shumica e tyre u vendos në kampet e refugjatëve në Itali, nën kujdesin e UNRRA-s, Kombeve të Bashkuara, autoriteteve vendase dhe shërbimeve të inteligjencës anglo-amerikane. Rehabilitimi i tyre u krye relativisht shpejtë. Periudha e viteve 1944-1948 mund të konsiderohet si faza e organizimit të emigracionit politik shqiptar. Krijimi i Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ në gusht 1949 e deri në mbarim të operacioneve anglo-amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri në vitet 1953-54, shënon fazën e dytë dhe më intensive të tij. Vitet 1944-1954, në biografinë e emigracionit politik shqiptar janë më të rëndësishmet. Si padashje, ai u gjend në syrin e ciklonit të zhvillimeve dhe konfrontimeve të mëdha ndërkombëtare ndërmjet dy kampeve armiqësorë,  nga njëra anë Demokracitë Perëndimore, ndërsa nga ana tjetër të Bllokut të Vendeve Komuniste. Emigracioni politik shqiptar u bë pjesë e lojës së madhe të shahut politik të mëdhenjve. Shumë shqiptarë të arratisur u përfshinë në operacionin Rollback, të planifikuar e realizuar nga autoritetet britanike e amerikane në vitet 1949-1953-54. Përfundimi pa sukses i këtij operacioni i veniti shpresat e të larguarve për t’u kthyer në Shqipëri. Shpresat u lëkundën, por nuk u shuan. Pas kësaj fillon një fazë tjetër, më e qetë, më monotone për emigracionin politik shqiptar, ku forcës ia zunë vendin propaganda dhe fjalët.

Në vitet 1944-1948 në SHBA u fut një kontingjent i pakët shqiptarësh të arratisur. Zyra Amerikane e Emigracionit e cilësonte këtë kontingjent ‘si ish-bashkëpunëtorë të fashizmit, të futur kontrabandë kinse nga CIA dhe nga Departamenti i Shtetit’. [4] Pas krijimit të ‘Komitetit Shqipëria e Lirë’ dhe zhvendosjes së qendrës së tij nga Parisi në New York, kufijtë e SHBA u hapën më tepër për emigracionin politik shqiptar. Krahas krerëve të tij u futën edhe një numër tjetër shqiptarësh të arratisur në këtë vend. Në vitin 1949 mbërriti nga Egjipti në Amerikë ish-imami i Vlorës Vehbi Ismaili, i cili krijoi të parën Shoqatë të Myslimanëve Shqiptarë në SHBA.[5]

Duke filluar me vitin 1948 e në vazhdim qeveria amerikane nxori disa akte ligjore që favorizonin futjen e disa kategorive personash, duke përfshirë edhe emigrantët politikë në këtë vend. Ndër ta do të përmendnim ligjin për Personat e Shpërngulur të vitit 1948, Akti i Ndihmës për Refugjatët i vitit 1953, Akti për Personat e Shpërngulur i vitit 1957, Akti i korrikut të vitit 1970 etj.[6] Akti më favorizues dhe nxitës për emigrantët politikë evropianë dhe shqiptarë mbetet ai i vitit 1960, i cili lejoi hyrjen pa kufizim të refugjatëve politikë nga Evropa Lindore e Qendrore. Shifra ekzakte për emigrantët politikë të futur në territorin amerikan është e vështirë të gjendet, sepse ata figurojnë të regjistruar së bashku me bashkatdhetarët e tyre të ardhur nga Kosova dhe territoret e tjera të ish-Jugosllavisë.

  • Veçori dhe ngjashmëri ndërmjet  emigracionit të vjetër dhe emigracionit të ri

Pa u ndalur në historinë e shkëlqyer të emigracionit shqiptar në SHBA me ‘Vatrën’ e deri diku organizatën ‘Shqipëria e Lirë’ të periudhës së para LDB, të cilat kanë shërbyer si ura lidhëse ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë dhe si mbrojtëse të çështjes kombëtare, unë do të përqendrohem tek dallimet dhe tiparet e përbashkëta të tyre. Studiuesi i njohur me origjinë shqiptare në Departamentin e Shtetit (DSH), Stephen Peters, ka vënë në dukje disa tipare të emigracionit politik shqiptar në SHBA, dhe ndikimin e tij në bashkësinë shqiptare të  komunitetit të  vjetër. “Me pak përjashtime, përmend ai, përbërja e emigracionit të vjetër shqiptar ishte me bazë fshatare dhe me stok bujku, ndërsa ardhja e tyre në Amerikë kishte shkaqe të padiskutueshme ekonomike” [7]. Por edhe origjina e  elitës së  shqiptarëve të Amerikës, përmend Peters,  me emra të tillë, si: Sotir Peci, Noli, Konica, Dako, motrat Qirjazi, Kostandin Çekrezi, Anastas Pandele, Vasil Marku e Kristo Thanas, përveç Faik Konicës, ishte pothuajse e njëjtë me atë të popullit të thjeshtë. Ata ndikuan tek shqiptarët e thjeshtë të Amerikës, duke i iluminuar e edukuar ata me shpirtin e patriotizmit, me  ndjenjën e identitetit kombëtar dhe punës në interes të  atdheut.

Por gjendja e emigrantëve të vjetër ndryshoi në mënyrë radikale pas mbërritjes së emigrantëve të rinj. Të ardhurit ishin nacionalistë shqiptarë të larguar pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, e të akuzuar prej tij si ish kolaboracionist e kriminelë të luftës. Kontingjenti fillestar i të ardhurve do të shtohej e pasurohej nga koha në kohë, me të tjerë persona, të larguar nga Shqipëria për shkak të represionit komunist. Refugjatët politikë dalloheshin nga emigrantët e para luftës nga pikëpamja e arsimimit dhe profesionalizmit. Të parët në përgjithësi vinin nga fshati dhe ishin analfabetë. Ata punonin në punë të zakonshme në sektorin e shërbimeve e në prodhim në fabrika e uzina. Fëmijët e tyre rrallë studionin në universitete dhe në degët e ndryshme të dijes. Në këtë kuptim ata ndjeheshin inferiorë ndaj kontingjentit të ardhur pas Luftës.  Pjesëtarët e emigracioni politik të pasluftës ishin arsimuar e përgatitur në shkollat kombëtare shqiptare, ndërsa shumica e tyre ishte specializuar e trajnuar në universitetet evropiane.

Të vjetrit, sikurse edhe refugjatët politikë kishin pikëpamje të ndryshme politike, por sidoqoftë tek të dy palët mbizotëronin interesat kombëtare. Kontingjenti i të ardhurve  i përkiste një spektri të gjerë politik, por mungonte krahu i majtë ekstrem. Brenda tij kishte elementë të majtë me pikëpamje socialdemokrate. Në një studim të Ministrisë së Jashtme të Italisë të vitit 1954, Abaz Ermenji e Vasil Andoni – dy figurat drejtuese të Ballit Agrar, konsideroheshin si ‘nacionalistë-komunistë. [8] Ndryshe nga të vjetrit, të ardhurit kishin patur pozita të rëndësishme në sistemin legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, parlamentar dhe në biznesin privat në Shqipëri.  Disa të tjerë, ndonëse nuk ishin marrë me politikë, kishin qenë të spikatur në fushat e tyre. Mund të thuhet pa droje se shqiptarët që mbërritën në Amerikë pas LDB kanë ndikuar në rritjen e vlerave intelektuale e profesionale të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ky tipar është vënë re në fusha të tilla si mjekësia, arsimi, letërsia etj. Figura si Stavro Skëndi, Isuf Luzaj etj., jepnin mësim në universitetet më të mira amerikane.  

Një tjetër dallim i rëndësishëm ndërmjet emigracionit të vjetër dhe të ri të pasluftës ishte edhe aspekti gjeografik. Përpara vitit 1944 pjesa më e madhe e shqiptarëve të Amerikës kishin ardhur nga Shqipëria Jugore, ndërsa shumica e të ardhurve të rinj, i përkisnin Shqipërisë Veriore e Qendrore. ‘Mjaftë prej tyre, përmend, Stephen Peters, ishin nga Malësia e Madhe, me tharm të fort e të qëndrueshëm malësori-trashëgimtarë të vërtetë të Skënderbeut. Me ardhjen e këtyre gegëve të fortë, vijon ai, komuniteti shqiptaro-amerikan u bë më përfaqësues dhe më i balancuar se ç’kishte qenë më parë.[9] Të ardhurit i forcuan e pasuruan më tej cilësitë e mira të komunitetit shqiptar në botën e re, të njohur si njerëz punëtorë, të papërfshirë në veprime të paligjshme e kriminale.

Por refugjatët politikë ndikuan edhe në një aspekt tjetër mbi komunitetin shqiptar. Me luftën e tyre politike ata ndikuan gradualisht jo pak në largimin e një lloj afeksioni ndaj qeverisë komuniste në Shqipëri. Ky fenomen vihet re sidomos tek ‘Vatra’ dhe  figurat drejtuese të saj si Qerim Panariti, por edhe Noli etj. ‘Vatra’ pas vitit 1958 e humbi simpatinë e qeverisë komuniste.

Pjesë e emigracionit politik të ardhur nga Shqipëria, ishin edhe një numër jo i vogël  minoritarësh shqiptarë, të cilët hynë në SHBA më herët se të tjerët. Një pjesë e konsiderueshme e tyre gjetën ngushëllim tek Federata Amerikane Panepirote. Ata u solidarizuan me drejtuesit e kësaj organizate në kërkim të territoreve të Shqipërisë Jugore, të njohura nga Greqia me termin ‘Vorio Epir’. Emigracioni politik shqiptar në Amerikë nuk u bashkua me këto teza. Ai mbeti deri në fund kundërshtar i regjimit komunist në Shqipëri, por nuk u bë preh e politikave të fqinjëve të Shqipërisë. Në vitin 1960, kur festohej 15 vjetori i OKB-së në New York shkoi edhe kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Shkuarja e tij u prit me protesta nga emigracioni politik shqiptar dhe nga Federata Amerikane Panepirote, por nga pozita të ndryshme. Të parët e akuzonin për politikën represive dhe izoluese të Shqipërisë, të dytët kërkonin bashkimin e territoreve të Jugut me Greqinë. Emigrantët politikë shqiptarë u ndeshën me Panepirotët. Si rezultat, policia e New York-ut mori masa dhe caktoi orare të ndryshme për të demonstruar kundër delegacionit shqiptar në KB.

 Mund të shtrohet pyetja a ka pasur flirtime me kërkesat antishqiptare të fqinjëve të Shqipërisë dhe e kanë ushtruar ata presione mbi emigracionin shqiptar që gjendej në vendet e tyre? Sigurisht që ka pasur, por ato nuk kanë përbërë asnjëherë prirjen e emigracionit politik shqiptar, pavarësisht nga akuzat e qeverisë komuniste. Veçanërisht  i ekspozuar ka qenë emigracioni shqiptar i larguar nga Shqipëria pas ndarjes së Shqipërisë me Jugosllavinë në vitin 1948. Qeveria jugosllave hapi kufijtë dhe 5000 deri në 8000 refugjatë politikë shqiptarë sipas burimeve italiane u larguan ilegalisht në drejtim të Jugosllavisë. Të drejtuar e instruktuar nga Dushan Mugosha rreth 250-300 ishin mbledhur në Prizren dhe kishin zgjedhur Këshillin Ekzekutiv të Komitetit të Prizrenit.[10] CIA ishte kishte dijeni të plotë të aktivitetit të tyre, por ajo pothuajse e abandoni këtë forcë, për shkak të dyshimit se ata mund të përdoreshin nga Tito jo vetëm për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, por edhe për të copëtuar Shqipërinë.

  • Mosmarrëveshjet në gjirin e emigracionit të vjetër e të ri në SHBA

Komuniteti i vjetër shqiptar ishte përfaqësuar kryesisht përmes dy shoqatave të njohura: ‘Vatrës’ dhe ‘Shqipërisë së Lirë’, të krijuar nga Kostandin Çekrezi në dhjetor 1941. Pas largimit të Çekrezit nga drejtimi në maj 1945, SHL u afrua gjithnjë e më shumë me qeverinë e Tiranës. Këtë konstante me pak përjashtime ajo e ruajti deri në vitet 70-80. Ndërsa ‘Vatra’ evoluoi gradualisht, duke u larguar nga afeksioni për qeverinë komuniste, duke i hapur rrugën pranimit në të emigrantëve politikë në gjirin e saj. Përfshirja në  gjirin e ‘Vatrës’ të këtij kontingjenti erdhi pas dy modifikimeve që iu bënë statutit të saj në shtator 1958: Së pari, ‘Vatra’ nuk duhet të kishte marrëdhënie me ato shtete me të cilat SHBA nuk kishin marrëdhënie diplomatike, d.m.th nuk duhet të kishte lidhje me Shqipërinë. Së dyti, në shtator 1958 Kuvendi i ‘Vatrës’ ndryshoi statutin e saj, duke miratuar një klauzolë, sipas së cilës në të mund të pranoheshin ‘të gjithë bijtë e racës shqiptare’.[11] Liberalizimi i statutit përmes këtij neni krijonte mundësinë që në të hynin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Pavarësisht nga ky ndryshim, përfshirja e elementëve të arratisur nga Shqipëria në degët e Vatrës e ca më pak në drejtimin e saj ishte një proces i vështirë, për shkak të kundërshtimit të disa prej anëtarëve të vjetër të ‘Vatrës’, propagandës së qeverisë komuniste dhe Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara. Ndryshimet e bëra u pritën keq nga qeveria shqiptare e cila pas kësaj kohe e konsideroi ‘Vatrën’ dhe drejtuesve të saj, si Qerim Panariti [editor i gazetës ‘Dielli’ dhe sekretar i saj] si njerëz në shërbim të reaksionit dhe DSH. Të pakënaqur ishin edhe me Nolin. Për të ndryshuar situatën u punua fort që në zgjedhjet e ardhshme të ‘Vatrës’ të mbështetej kandidatura e  Peter Prifti.

Nga njohja e deritanishme e dokumentacionit mund të themi se marrëdhëniet e ‘Vatrës’ me emigracionin politik në SHBA nuk u përmirësuan aq sa shpresohej. Dera u çel përgjysmë. Në aktivitetet përkujtimore kushtuar  ‘Vatrës’,  gazetës ‘Dielli’, apo përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë disa nga intelektualët më të shquar, që i përkisnin emigracionit politik. Në seminarin ndërkombëtar të nëntorit të vitit 1969 kushtuar ‘Vatrës’ kumtuan edhe disa personalitete të shquara të kulturës shqiptare, përfaqësues të emigracionit emigracioni politik në Amerikë dhe jashtë saj, si: Martin Camaj, Zef Valentini, Namik Resuli, Ernest Koliqi, Hasan Dosti, Ragip Frashëri [djali i Mehdi Frashërit], Stephen Peters, etj. [12] Në kumtesën e tij me titull: “Fan Noli, përlëvdues epiko-lyrik i burrnis shqiptare”, Ernest Koliqi do të shprehej: “Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Noli ka mujtë me ba, nuk i a zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi më 1909 i fletores ‘Dielli’, praeludium i themelimit të Shoqatës pan-shqiptare ‘Vatra’ në Boston, më 1912 në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve më 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës orthodokse autoqefale shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, vazhdon më tej Koliqi, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë”.[13]

Shenjat e afrimit ndërmjet emigracionit të vjetër e të ri në SHBA ishin vënë re në fillim të viteve 60. Në 50 vjetorin e shoqërisë ‘Vatra’, të kremtuar në Boston në vitin 1962, Ali Këlcyrën, një nga krerët me emër e disi ekzotik të Ballit Kombëtar e kishin ulur në tavolinën kryesore, pranë Fan Nolit. Të dy ishin personalitete të njohura dhe personazhe me stazh të gjatë si emigrantë. Bashkëpunëtorë në Lëvizjen e Qershorit dhe pas mbarimit të luftës jo më miq si dikur.  Pjesëmarrësit në atë kremtim, ndiqnin me sy e kureshtje bisedën e gjallë të Nolit me Këlcyrën. Noli duke e ndjerë kërshërinë e tyre u ngrit dhe foli para të gjithëve, ashtu siç ai dinte të fliste, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme: “Në Greqinë e vjetër, u tha Noli të pranishmëve, lufta bëhej me armë, por edhe me fjalë-logos. Një luftë e tillë u zhvillua mes oratorit më të shquar, Demostenit dhe një tjetër oratori të shquar-Eskinit. Puna ishte, vazhdoi më tej Noli, nëse duhej t’i binin Filipit të Maqedonisë apo jo. Demosteni donte luftë, kurse Eskini ishte kundër. Luftën me logos e fitoi Demosteni dhe Eskinin e syrgjynosën në një ishull të Persisë. Në atë ishull Eskini hapi një shkollë oratorie. Një ditë u lexoi dishepujve të tij fjalimin që kishte mbajtur kundër tezës së Demostenit. Ata u habitën aq shumë saqë i thanë: Po ti u mbajte këtë fjalim athinasve dhe ata të syrgjynosën? Dhe Eskini u përgjigj: Ah, ta dëgjonit atë makaranë tjetër se ç’u tha e do ta kuptonit arsyen. Këtë mesele, e përfundoi Noli fjalën e tij, i tregova mikut tim këtu pranë  [Ali Këlcyrës], pasi ai më tregoi ç’kishte bërë e ç’kishte folur në Shqipëri”.[14]  


[1] Kjo kumtesë është mbajtur në Konferencën mbi emigracionin politik në Shqipëri, të organizuar nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve dhe Instituti i Historisë më 26 shkurt 2020.

[2] The National Archives (më tej: TNA), FO 371/48106, Intervistë e Ali Këlcyrës, Bari, February 7, 1945.

[3] Historia e Popullit Shqiptar, Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë Vëllimi IV, Tiranë: Toena, 2009, f. 270.

[4] Sarah L. Olson, “U.S. Immigration of People of Albanian Nationality 1913-1983”, Immigration Seminar, December 2, 1985, në: Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), Viti 1985, Dosja 1155.

[5] AMPJ, Viti 1959, Dosja 522, “Mbi Kolloninë Shqiptare në SHB të Amerikës”. Relacion i përgatitur nga Reis Malile-Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, 22.1.1959, f. 33.

[6] Sarah L. Olson, “U.S. Immigration of People of Albanian Nationality 1913-1983”, Immigration Seminar, December 2, 1985, në: Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), Viti 1985, Dosja 1155.

[7] Stephen Peters, ‘Characteristics, contributions and responsibilities of Albanian-Americans,. In: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: November 1969, p.96.

[8]

[9] Stephen Peters, ‘Characteristics , contributions and responsibilities of Albanian-Americans,. In: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: November 1969, p.97.

[10] NARA,Roll 1, File 767.867, Internal Affairs of Albania 1955-1959, ‘The Albanian Qeuestion Today’, Rome, Jyly, 6, 1954, p.10.

[11] AMPJ, Viti 1959, Dosja 522, “Mbi Koloninë Shqiptare në SHB të Amerikës”. Relacion i përgatitur nga Reis Malile-Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, 22.1.1959, f. 10.

[12] Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: 28-29-30 November, 1969, pp 284.

[13] Ernest Koliqi, “Fan Noli, përlëvdues epiko-lirik i burrnis shqiptare”, në: Internatinal Seminar of Pan-Albanian Federation “VATRA”, New York: 28-29-30 November, 1969, p. 165.

[14] Ilda Qato, Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1954, Lushnjë: janar 2012, f. 3.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. dr. Hamit Kaba

BALLISTȄT E MYZEQESȄ 1943, VIKTIMA APO MARTIRȄ?

November 2, 2021 by s p

Sadik Bejko/


Mȅ 21 tetor 1943 partizanȅt e Mehmet Shehut vranȅ 67 ballistȅ nȅ fshatin Golem tȅ Lushnjes. Thuhet se gjithsej ishin 3000 ballistȅ (jo pak) qȅ vepronin nȅ zonȅn e Myzeqesȅ. Thuhet se kȅta qȅ i kapi rob Mehmet Shehu, ishin 200. Pastaj disa nga kȅta burra qȅ u kapȅn rob,shqiptarȅ qȅ nuk zbrazȅn asnjȅ pushkȅ kundȅr Mehmet Shehut, u ҫarmatosȅn, u zhveshȅn lakuriq, u seleksionuan sipas asaj qȅ ishin apo nuk ishin synetllinj, dhe te gjithe synetllinjte, siç donte Dushani, … u pushkatuan pa gjyq. Nuk u lejuan familjarȅt qȅ t’i varrosin. U lanȅ nȅ mȅshirȅ tȅ dheut e tȅ natȅs, tȅ zhavalitjes si mish i kalbur nȅ gojȅn e nȅ dhembȅt e egȅrsirave. Thone se kȅtȅ shkollȅ tȅ shnjerȅzisȅ, te gjakut, tȅ terrorizmit M. Shehu e pat mȅsuar nȅ Spanjȅ ku tȅ dhjathtȅt e tȅ majtȅt e kishin masakruar kafshȅrisht njȅri- tjetrin. Dhe njȅ poet si F. G. Lorka thonȅ se u pȅrҫudnua nga tȅ djathtȅt, falangistet, dhe vdiq i vrarȅ e i dhunuar perturp me njȅ hu tȅ ngulur nȅ fund tȅ shpinȅs.Dushan Mugosha, alias Sali Murati, jugosllavi qȅ Enver Hoxha si komisar i ushtrisȅ NCl i kish dhȅnȅ tȅ dejtȅ tȅ merrte vendime nȅ shtabin e Brigadȅs sȅ parȅ sulmuese, ky komunist internacionalisti sllav, herȅ –herȅ kur pushkatonin shqiptarȅ armiq, merrte thikȅn dhe demostronte dhunimin, pȅrҫudnimin e kufomave, manifestonte ‘virtytet’ e tij nȅ prerjen e gjenitaleve, tȅ veshȅve e tȅ gjymtyrȅve tȅ shqiptarȅve. Këtë shfaqje, makabritet, trimi yne Mehmet e bȅnte sehir…eh, mbase dhe kȅnaqej.Tani pas kaq vitesh disa analistȅ shqiptarȅ, disa politikanȅ shqiptarȅ, disa historianȅ, shkrimtarȅ, njerȅz tȅ nivelit akademik, dituror po na japin mendime mbi kȅta tȅ therur, tȅ lakuriqur, tȅ djegur nga plumbat, tȅ shqyer nga bishat, tȅ mbetur pȅrjetȅsisht pa njȅ varr. Mȅ ngjajnȅ si ca kokȅmisha, kokȅbosha e kokȅtula tȅ rȅndomtȅ. Kush ua jep tȅ drejtȅn tȅ gjykojnȅ apriori? Kȅta burra tȅ sȅ sotmes , politikanȅ, historianȅ, shkrimtarȅ, poetȅ tȅ viteve 2016, me njȅ arsim jo tȅ keq, jo pa pȅrvojȅ jetȅsore dhe politike, jo pa njȅ njohje tȅ natyrȅs shkrimore tȅ asaj qȅ quhet njerȅzore, jo pa njȅ njohje juridike tȅ asaj qȅ ȅshtȅ e drejtȅ natyrore dhe njerȅzore… pra, kȅta burra jo tȅ paditur, i japin vetes tȅ drejtȅn tȅ na thonȅ ҫfarȅ ȅshtȅ e moralshme e ҫfarȅ nuk na qenka e moralshme politikisht , njerȅzisht nȅ vitin 1943, i japin vetes tȅ drejtȅn se si duhet tȅ sillej e sesi duhet tȅ mendonte e tȅ vepronte ai fshatari i Myzeqesȅ nȅ vitin 1943.Ata kanȅ tȅ drejtȅ qȅ tȅ na thonȅ se si duhet tȅ silleshin ballistȅt … madje t’i gjykojnȅ e t’i rivrasin si Mehmet Shehu, po vallȅ a i pyesin, a ua marrin dorȅn, ai pȅrfillin nȅ mȅnyrȅn se si sillen e sesi veprojnȅ fȅmijtȅ a familjarȅt e tyre tani nȅ vitin 2016? Me siguri, nuk ua varin shumȅ torbȅn. As fëmijët e tyre.Medet pȅr kȅta analistȅ, politikanȅ mȅndjemȅdhenj qȅ pȅlqejnȅ e vetȅpȅlqehen nga mendja e vet.Disa thonȅ se M. Shehu ishte burrȅ shteti, tjetri ia kthen se ai ishte i ҫmendur. Me tȅ vȅrtet? Mehmet Shehu ishte njȅ burrȅshtetas i profilit tȅ vet. Njȅ komunist terrorist. Jo njȅ i ҫmendur. Ai dhe nȅ rastin e masakrȅs sȅ “hedhjes sȅ bombȅs nȅ ambasadȅn sovjetike” vret pa gjyq, vret si terrorist komunist. Koministi terrorin e pȅrdor si mjet tȅ pushtetit. Jugoslavȅt Ali e Sali i mȅsuan komunistȅt shqiptarȅ se eliminimi nȅ radhȅt e komunistȅve e forcon partinȅ, se terrorizmi ȅshtȅ nȅ metodikȅn e tȅ vepruarit komunist. Njȅ pjesȅ e popullit duhet tȅ skartohet qȅ tȅ vihet nȅ udhȅn e revolucionit e tmerruar pjesa tjetȅr e popullatȅs. Pjesa e pagȅdhendur, mjerane, mendjemadhe, kokȅmishe e mendimit tonȅ politik i fyen dhe tani mbas 70 vjetȅsh ata fshatarȅt e Myzeqesȅ tȅ vitit 1943.Ka njȅ varg nȅ folklor: “ Sa shumȅ po vritemi/ s’ka kush me dek”. Njȅ poet, Vorea Ujko, thotȅ: “Ju lutem, ma mbroni vdekjen”. Vdekja ȅshtȅ e respektueshme, ȅshtȅ pjesȅ e jetȅs. Mbyll ciklin. Vrasja ȅshtȅ e fȅlliqur. Dhunon natyrȅn, ndȅrpret ciklin natyror. Nȅ Ungjill thuhet: Kalliri duhet tȅ vdesȅ qȅ tȅ lidhȅ shumȅ frute. Vdekja ȅshtȅ e frutshme. Vrasja ȅshtȅ e dhunshme. Ata qȅ i vranȅ, pra, komunistȅt, partizanȅt ishin kriminelȅ. Edhe sot, kushdo qȅ vret pa gjyq, ȅshtȅ kriminel. Dȅnimi me vdekje nuk ȅshtȅ mȅ normȅ juridike. Ballistȅt, si gjithȅ tȅ djathtȅt nȅ arealin ballkanik, ishin pjesȅ e pejsazhit politik tȅ kohȅs. Dhe ishin antifashiste deri ne tetor tȅ vitit 1943.Po pse u vranȅ? Kȅtu kokȅtrashȅt tanȅ bȅhen bashkȅ. Ata ishin tȅ pa shkollȅ, na thonȅ. Sikur partizanȅt nuk ishin 90 pȅrqind analfabetȅ. Ata nuk kishin ideale a ndȅrgjegje jete, ndȅrgjegje politike. Sikur partizanȅt na ishin tȅ ndriҫuar nga zjarret e kȅngȅt legjendare partizane, sikur na ishin tȅ yshtur, tȅ urtȅsuar profetikisht nga politika e komunistȅve idhujtarȅ. Ata myzeqarȅt na ishin ballistȅ, vetȅm ballistȅ, ca fshatarȅ dhe aq… E kjo politikisht pȅr kundȅrshtarȅt ȅshtȅ si tȅ ishin mȅ pak se njerȅz. Se po tȅ ishin partizanȅ(sic! ) do tȅ na ishin pak mȅ shume sesa njerȅz. Kȅto janȅ pȅrralla Mund tȅ ishe partizan, e mund tȅ ishe njȅ plehurinȅ, njȅ shȅmti njerȅzore si qe komandanti i pȅrgjakur Mehmet.Ata ballistȅt e Myzeqesȅ vdiqȅn me dinjitet. Nuk u bȅnȅ partizanȅ, kur i ftoi që tȅ bȅhen tȅ tillë shoku Mehmet. Ata kishin shkabȅn nȅ ballȅ, shoku Mehmet kishte yllin me drapȅr e ҫekan. Edhe flamuri i Brigadȅs sȅ Parȅ ishte me ngjyrat e flamurit jugosllav. E keni nȅ Arkiv. Pse nuk na thonȅ sot veteranȅt e Brigadȅs legjendare se ҫ’flamur kishin? Nuk kishin nȅ ballȅ njȅ flamur sllav?Ata fshatarȅ tȅ Myzeqesȅ qȅ i braktisi komandati i tyre Isa Manastiri, thanȅ qȅ “derr banem e komunist nuk banem”. Vetȅm njȅri ta ketȅ thȅnȅ kȅtȅ frazȅ, na flet se aty u ndeshȅn jo njerȅzit, por simbolet, u ndesh ylli, drapȅrҫekani qȅ Mehmet Shehut i lexohet nȅ ballȅ me shkabȅn e nacionalistȅve .Myzeqarȅt vdiqȅn, i shqyen ҫakenjtȅ e ujqit e pyjeve, por nuk e ndȅrruan shkabȅn me yllin internacionalist.A janȅ ata martirȅ? Me kȅtȅ titull i dekoroi Presidenti. Unȅ them ata janȅ martirȅ. Njeriu qȅ vdes pȅr atȅ gjȅ qȅ e beson dhe e vlerȅson mȅ shumȅ se jetȅn e tij, ȅshtȅ martir. Mȅ pesȅ nȅntor 2016 Papa Franҫesku nȅ Shkodȅr shpalli 38 martirȅ tȅ fesȅ katolike. Ata u shpallën martirȅ se vdiqȅn si besnikȅ tȅ besimit tȅ tyre, tȅ besimit nȅ Krishtin.Kushdo qȅ vdes, jep jetȅn pȅr njȅ gjȅ qȅ e beson si tȅ shenjtȅ, qoftȅ fetar a qoftȅ laik, ȅshtȅ martir. Politikanȅt tanȅ do tȅ marrin pjesȅ nȅ lumnimin e martirȅve ne Shkodȅr. Shumȅ mirȅ. Do tȅ ishte nȅ nderin e tyre sikur tȅ merrnin pjesȅ dhe nȅ njȅ memorial tȅ tȅ pushkatuarve mȅ 21 prill 1943. Le ta ngrejȅ politika shqiptare atȅ memorial. Nuk ka punȅ ta ngrejȅ memorialin e Myzeqarȅve shȅnjtȅria e tij Papa Franҫesku. Pak shenjtȅrim qoftȅ dhe i vonuar, nuk i bȅn keq askujt.

Filed Under: Politike Tagged With: Sadik Bejko

Ta mposhtësh ikjen….

November 2, 2021 by s p

Aleksander Çipa/


Sa herë në ditët që shkoj shmangem të bëhem pjesë e pohimeve për ikje nga ky vend! Nuk e bëj se jam peng i diçkaje. Kam në ikje për shkollim dhe për ” rregullim” të përkohshëm gjendjeje( siç thuhet rëndom) dy djemtë e mi. Por kam shumë e shumë më tepër tërheqje të çeliktë për atë çka lidhet me krijuesit, vendin dhe sidomos gjurmët e jetës së të parëve të mi. Kjo kohë, duket se për shkak të llumit si aktualitet i së sotmes, po na e sfumon apo eklipson raportin publik me trashëgiminë dhe qenësinë tonë. Na imponon një axhendë ditore të mizershme; me sherre, përbaltje, pakënaqësi, frustrime dhe sidomos kotësi që po na konsumojnë jetën kotësisht. Kësi kotësish janë një turp i lehtësisht pranueshëm. Sa keq! Koha ndër ne është vlera e përçmuar e një shoqërie. Kjo është fatkeqësi, por e trajtojmë si të huaj, të tjetërkujt… Na merr pa e peshuar dhe vlerësuar kohën vetiake dhe kalimin tonë ndër mosha. Na merr të pakthyeshmen dhe njëkalimshen jetë. Na tërheq nëpër ditë apo orë të ardhme pendesash të pavlefshme. Na bën të moçëm, ndërsa nuk kemi konsumuar natyrshëm rininë apo maturitetin tonë. Jemi fajtorë më së shumti, për shkak të vetes, por më pandreqmërisht, për shkak të rrethanave.Atdheu ynë për shkak të shoqërisë që mbajmë në gjendje anarkike dhe amorfe strukturimi, mbetet i pabërë. Për këtë arsye ne jemi nën ftesën e madhe drobitëse dhe falimentuese të ikjes prej tij, brez pas brezi. Unë e refuzoj këtë ftesë dhe do bëj çmos të dua rikthimet njerëzore të së sotmes, por më shumë, të së nesërmes që lidhen dhe duan njerëzinë e kombit tim në dheun tonë.

Filed Under: Komente Tagged With: aleksander Cipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT