• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

MBRËMJE E MAGJISHME E FILMIT SHQIPTAR NË VATËR

December 22, 2021 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një natë të magjishme të promovimit të filmit shqiptar në New York. Gazetarë, shkrimtarë, poetë, veprimtarë të shquar në komunitet, mësues, kineastë, studentë u bënë pjesë e një natë të paharruar artistike. Në emër të Vatrës përshëndeti të pranishmit kryetari i Degës së Vatrës Manhattan z.Agustin Mirakaj i cili ndër të tjera tha: “Urimet më të përzëmërta për punën e shkëlqyer. Vatrës duhet ti bashkohet një përfaqësi e re artistësh elitë të fushës së aktrimit. Federata vatra do jetë mbështëse e pakushtëzuar dhe frymëzuese në art dhe kulturë. Vatra do i mbështesë gjithmonë talentet shqiptare. Dega e Vatra Manhattan Branch falenderon regjizorin, grupin e tij të shkëlqyer për punën dhe devotshmerinë në realizimin e filmave të tyre. Filmi është pjesë e jetës, filmi është pasqyra e të shkuarës dhe historia që mund të tregohet ashtu siç është e vërteta. Filmi ngelet promotori i ëndrave të pa treguara e shpesh edhe të pa jetuara. Ju uroj dhe përgëzoj për sukseset tuaja” u shpreh ndër të tjera z.Mirakaj. Tri sekuencat filmike që u shfaqën në Vatër filluan me dokumentarin mbi Persketutimin e femrës shqiptare në regjimin komunist. Ambasadori i artit shqiptar, mjeshtri i nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, z.Bujar Alimani shpalosi për të pranishmit punën e shkëlqyer të kineastëve të rinj shqiptarë, vlerësimet e punëve të tyre artistike dhe mbi të gjitha rolin e artit e filmit në shoqëri, dhe vështirësitë e realizimit, mjeshtritë e karaktereve dhe nevojën që shteti e shoqëria të investojë dhe te zhvillojë artin e kulturën. Dëshmitë rrënqethëse të persekucionit, jeta e mundimshme në internim, lufta e klasave, hakmarrja e sistemit monist mbi gratë dhe fëmijët ishin një pikë reflektimi mbi të gjithë të pranishmit mbi dhunën e torturën e regjimit totalitar mbi shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha nevojën për dekomunistizimin dhe shkëputjen përgjithmonë nga diktatura. Një natë speciale që iu kushtua kineastëve të rinj shqiptarë në New York, Erald Kraja dhe Savina Alimani të cilën shfaqën për publikun dhe komunitetin shqiptar në New York dy filma me metrazh të shkurtër të vlerësuar maksimalisht në Universitet ku ata kanë studiuar. Eraldi dhe Savina janë dy talente shumë premtuese dhe me të ardhme të sigurtë në botën e filmit. Dy studentët shqiptarë të sapodiplomuar në Departamentin e Filmit ne Brooklyn Film College dhe Hunter College në New York, prezantojnë filmat e tyre të diplomës ku në qendër të realizimit artistik janë histori urbane që ndodhin në Metropolin Amerikan, njerëz në kërkim të identitetit dhe konfliktet që burojnë nga botë të ndara dhe mirësia që i superon dhe i zbut këto konflikte në një shoqëri globale. Ky aktivitet u moderua nën pëkujdesjen e veçantë dhe pjesëmarrjen e kineastit të vlerësuar ndërkombëtarisht z.Bujar Alimani dhe producentin të suksessëhm Damian Pervizi. Aktiviteti ngjalli shumë interes tek të gjithë të pranishmit për fuqinë e mesazheve artistike që dha për publikun, kureshtjen te të pranishmit, mjeshtrinë e realizmit dhe mbi të gjitha krenarinë e “markës” shqiptare të prodhimit të filmit.  

Filed Under: Featured

Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar para 32 viteve më shumë se parti…

December 22, 2021 by s p

-E themeluar para 32 viteve, në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë,   Lidhja Demoratike e Kosovës më shumë se parti në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë…/

-“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës… Pavarësia është e padiskutueshme”, deklaronte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova para 16  vitesh, në 23 Dhjetorin 2005, në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës/

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/

-Nga arkivi-6 Gusht 2016: Me Vatranët e SHBA aty ku u themelua LDK…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 22 Dhjetor 2021/ Shënon 32 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës (LDK), e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 16 vitesh Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.


“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.


Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.


Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…

Kur u themelua Lidhja Demoratike e Kosovës ishte koha kur po para 32 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugova u zgjodh President i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 117 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.

Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

NGA ARKIVI-6 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA – ATY KU U THEMELUA LDK…

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

Filed Under: Politike

VATRA PRITI AMBASADORIN E KOSOVËS NË UASHINGTON ILIR DUGOLLI

December 22, 2021 by s p

Dielli

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA priti në takim ambasadorin e Republikës së Kosovës në Uashington z.Ilir Dugolli.Gjatë vizitës në Vatër Diplomati i lartë Z.Dugolli shoqërohej nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Ambasador Frymëzim Isufaj dhe diplomati Bujar Maxhuni, zv shef i Misionit. Në takimin e mirëseardhjes në Vatër, Ambasadori Dugolli u prit nga Kryetari Elmi Berisha, Arkëtari Marjan Cubi, anëtari i kryesisë Besim Malota dhe Editori i Diellit Sokol Paja. Gjatë takimit vëllazëror z.Berisha vlerësoi Ambasadorin Dugolli dhe shtetin e Kosovës për përfaqësimin dinjitoz në diplomaci. “Vatra do të jetë gjithmonë në mbështetjen tuaj në dobi të çështjes kombëtare. Vatra është Federatë jo politike, nuk interferon në politikën e brendshme dhe skenën politike në Tiranë dhe Prishtinë, por ka mision interesin e përgjithëm të kombit tonë. Jam i gëzuar që ju e filloni vizitën e parë në Vatër dhe e vlerësoni Vatrën si institucion kombëtar. Ju garantoj se edhe ju Vatrën do ta keni në çdo mbështetje tuajën” tha ndër të tjera kryetari Berisha. Ambasadori Ilir Dugolli theksoi se: “Vatra është institucion me histori të gjatë dhe shumë produktive. Jam i hapur për të punuar dhe bashkëpunuar, me sugjerime dhe ide konkrete për të çuar përpara punët e përbashkëta në dobi të kombit tonë. Ju shpreh mirënjohje për angazhimin tuaj si Shqiptaro-Amerikanë për dekada me radhë dhe këto punë të mëdha të bëra në të kaluarën, duhet ti bashkojmë dhe vazhdojmë dhe sot. Bashkërendimi dhe ndihma me diasporën këtu na gëzon dhe na shtyn përpara për ti shërbyer kombit tonë dhe misionit për të cilin jemi ngarkuar” tha ndër të tjera Ambasadori Dugolli. Në takim u ra dakord që të forcohet në të ardhmen bashkëpunimi me Vatrës dhe shtetit të Kosovës edhe institucionalisht për të vazhduar përpara në proceset demokratike, shtetformuese dhe euroatlantike.

Filed Under: Featured

PSE LARGOHET “TRURI”?

December 22, 2021 by s p

Erion Muça

Kronikat e fundit lidhur me rritjen e largimit të të rinjve nga Shqipëria pasqyrojnë një realitet të dhimbshëm dhe nje konstatim të saktë. Ndërkohë që arsyet lidhen me pagat e ulëta, arsimimin e dobët, shëndetësinë problematike dhe mungesën e prespektivës. Në parim janë të gjitha arsye që qëndrojnë por nuk janë të vetmet dhe të prezantuara në këtë formë dhe përmbajtje duken të përgjithshme dhe pa përgjegjësi adresimi, identifikim të faktorëve dhe aktorëve fajtor si dhe modelet sesi mund të përmirësohet situata. Ndërkohë kur të gjithë vrapojnë të vetëgjykohen dhe ndjejnë keqardhje për përkeqësimin e gjendjes askush nuk shqetësohet sesi mund të japë kontributin e vet në këtë drejtim. Nuk duhet bërë shumë vetëm të kërkojmë dhe pretendojmë më shumë të drejta, vlerësim dhe pritshmëri page në punë dhe jo të ulim hundën dhe kokën nga nevoja.Nuk duhet të bëjmë asgjë veçse mos pajtohemi me paaftësinë në arsim dhe mospranojmë mosmjaftimin dhe pakënaqësinë mbi cilësinë e arsimit por të kërkojmë me ngulm ndryshimet me anë të revolucionit duke kërkuar reforma të thella që do sjellin shpejt ndryshimin e ku secili prej nesh të jetë jo vetëm nismëtar por dhe protagonist në këtë proces.Nuk duhet të bëjmë shumë vetëm të solidarizohemi me mjekët dhe infermierët për tu bërë bllok dhe përfshirë në protesta të vazhdueshme për ti mbështetur për më shumë stimul dhe kushte ndaj tyre… minimumi duke i shpërblyer me paranë informale sekuestruar nga veprimtaritë e paligjshme dhe korrupsioni.Nuk duhet të bëjmë shumë përveçse të ngremë kryet për të drejtat që shqetësojnë më tepër shoqërinë se ato që bezdisin partinë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të irritohemi ndaj padrejtësive e reagojmë ashpër për të përmirësuar çfarë të mundemi e jo të shikojmë interesin e ngushtë meskin duke shpërfillur hapësirën e përbashkët ku jetojmë e punojmë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse se të pranojmë absurditetin dhe mungesën e modeleve si realitet të pranishëm e të rreshtohemi fort për mos ti pranuar duke i luftuar jo vetëm me imponim alternativash të denja por paralelisht duke qenë armiq të palëkundur të antivlerave, banalitetit dhe imoralitetit.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të mos tolerojmë mungesën e sindikatave dhe pafuqinë e tyre por të orientojmë njerëzit për nga institucionet dhe institucionalizimi duke u përpjekur ti largojmë nga politika dhe dëmet që i ka sjellë ajo.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të kemi vetëm një rrugë për të qenë të suksesshëm atë që bazohet në hapa të merituar, konkurencë të ndershme bazuar në aftësi, njohuri dhe vlera si dhe shanse të barabartë për punësim dhe karrierë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të organizohemi, koordinohemi, dhe nisim një revoltë të fuqishme dhe pandikueshme për të rikthyer atë që mungon në shoqërinë tonë si e vetmja menyrë për të kthyer optimizmin tek njerëzit dhe kthyer vendin në destinacion atraktiv për të jetuar, punuar dhe u promovuar në karrierë.Problematikat e sipërpërmendura kam frikë se na bëjnë të gjithë nga pak shkaktar si nga indiferenca dhe neglizhenca dhe si nga mos të parit dhe ndjerit jashtë pragut të shtëpisë apo interesit personal…Sido që të jetë e vërteta apo arsyet që lidhen me të fakt është që vendi po braktiset e për këtë jemi të gjithë nga pak fajtorë…

Filed Under: Komente

Ku është gabuar?

December 22, 2021 by s p

Dr. Eugent Kllapi

Kur interneti si platformë ku përmblidhen shumë mediume komunikimi arriti në nivelin masiv dhe kur u evidentua që kjo platformë i jep rëndësi dhe ngreh në pah njeriun mediokër u bë gjithashtu zakon popullor të thuhej se këtë e kishte thënë Umberto Eko, një studiues i shkencave të komunikimit të gjuhës. Ky studiues dhe shkencëtar sidomos i semiotikës u bë më popullor tek audienca. Në fakt kjo është thënë shumë herët dhe është vënë theksi tek njeriu siç thotë studiuesi dhe kritiku i mediave, filozofi Giovani Sartori, ‘’Homo Videns’’, ose njeriu sipas tij që ka evoluar drejt shikimit viziv dhe ka humbur aftësinë e leximit, tekstit, sa nga orientimi perceptiv harron logjikën dhe ngre në kult imazhin, sipërfaqësoritetin. Si puna e tij ka një dyzinë studiuesish. Madje paradoksalisht edhe një nga ideatorët e ngritjes se platoformës së internetit thoshte se internet ngre në pah një grumbull budallëqesh që nuk vlejnë fare për realitetin.

Kjo kritikë vazhdon më tej dhe jo vetëm për Internetin si platformë. Është thënë gjithashtu për televizionin si rreziku më imadh për demokracinë dhe që e zhvendos njeriu në banalitet, uniformitet, mediokritet sa e zhyt atë në sensacionalizëm dhe e instrumentalizon politikisht. Kjo në zëra të rëndësishëm si liberale dhe konservatorë, sa radikalë si Noam Chomsky, Karl Poper, Domenique Ëolton, Erich Fromm, Teodor Adorno etj. Gazetat thoshin dikur ishin rrezik për orientimin shoqëror sa e shtrembërojnë realitetin, kinematë janë dogmatike dhe mjete të duhura propagandistike sidomos në sistemet totalitare me nazizmin, fashizmin me efektet që sillte dhe radioja si një cudi dhe shpikje e kohës së dikurshme që ndjell dogmë dhe propagandë shoqërore.

Një fjalë mund të vrasë një popull ashtu sic e para sipas biblës, ajo mund të jetë shkëndijë me barut, apo një lule në saksi. Të tilla në qoftë se ngulmohet mund të arrihet edhe në mesjetë me librin si letrar që i kundërvihet mënyrës absolutiste të të jetuarit në madhështinë e fesë, deri sa mund të shkohet tek lëkura e guri me të metat e tyre mbi procesin e komunikimit. Të tilla forma mediale pervecse informimit kanë ngritur mes tyre njeriun deficient sa në kuptimin injorant.

Sot debati më i rëndësishëm është ai debati popullor në audiencë me emisione si ‘’Për’puthen’’, ‘’Big brother’’ apo forma emisioni që cojnë nga banaliteti, mediokriteti, boshëtia sa të një aspekti degradues të shoqërisë shqiptare. Në fakt ky debat ka qënë i përhershëm në lidhje me vlerat dhe normat për shoqërinë dhe i pashmangshëm është se, sa më tepër ndërveprim mediatik midis palëve, aq më shumë ka debate të tilla. Në avangardën e shekullit të kaluar merr tipare ideologjike të rrymave në shkencë me qasjen liberale në demokraci dhe asaj neomarksiste. Njëra vinte në qendër njeriun sic ishte, grupin masat, sjelljet, vlerat dhe normat që dalin edhe nga masa, tjetra vinte në qendër njeriun esencial, njeriun kritik sa të thellë në përmbajtje dhe dituri, njeriun e iluminuar nga dija si proces ekzistencial.

Kjo midis kulturës klasike ose konservatore dhe kulturës masive, midis njeriun të evoluar nga moderniteti dhe postmoderneti që kishte revolucionarizuar botën, të themi pas vitit 1960 dhe njeriut klasik me dije fondamentale.

Në një shkallë më të ulët luftë midis brezash ose pikëpamjesh, luftë midis vlerave se kë përfaqësojmë, mënyrë të sjelluri, apo evolucion shijesh dhe qëndrimesh në personalitetin e njeriut.

Duke u kthyer në procesin e ndërtimit të një njeriu të ri deficient, sa injorant në kuptimi ne dijeve shikohet se sasia e mendimit që është mbledhur në shekullin e kaluar ka një suficit të prodhimit të pashfrytëzuar sa dhe sasia e prodhimit që nis me revolucionin industrial dhe që kryeson sot e kësaj dite me shoqërinë e konsumit.

Tashmë njeriu në thelb të vetes së tij ka materializmin, patjen, e ka më të lehtë jetën, sipërfaqësoritetin e vlerave i ka më të kapshme, sensacionin si diçka të dëshirueshme e për më tepër priret për nga komforti, rehatia, kënaqja dhe plotësia si njeriu nga promovimi i vetë sistemit të vlerave dhe modeleve shoqërore.

Mendohej se me shoqërinë e konsumit në personalitetin e vet, individualizmin deri në shkallën e personalizmit njeriu do të përmbushej dhe pas kësaj do të kalonte më qartë në qenien e tij, më në përmbajtje, më në thellësi në mendime e ide dhe më në thelb. Lojë midis formës dhe përmbajtjes.

Në fakt sipërfaqësoriteti drejt banalitetit ka një amalgamë të pafundme larmish në cilësi, nga e lehta në mendim deri tek mendimi deficient në shkallën sipërore ku debiliteti lundron në shumësi idiotësisht të një shkallë apo tjetre në kuptim.

Sensacioni, që është një shkallëzim gjendjeje emocionale nga më e larta e normales në mendim deri tek ajo e anormales në sjellje, ripërsëritet nga kënaqja që të ofron ai deri te shfrenimi i qasjeve skizoide.

Jeta moderne mund të na plotësojnë qasjen me veten me gjërat e domosdoshme ekzistenciale në kënaqje por ngaqë njeriu nuk është i kënaqur me kënaqjen ai varion në egoizëm. Nga egoizmi për të qenë ka kaluar në egoizmin për të pasur. Egoizmi për të qenë ka qenë në kushtet e ekzistencës së tij ku në plan të parë ngrihej ideali, kurse tani ai është zhvendosur në plan të dytë dhe njeriu pas kalimit të kushteve bazë të ekzistencës, ushqim, shtëpi, dashuri, rrogë ku del teprica, siguri dhe mbështetje, kalon përsëri në egoizëm materie, të kem sa më shumë shtëpi, sa më tepër dashuri qoftë dhe në shfrenim, të jetoj sa më lumtur në lumturinë sipërore ndryshe nga të tjerët, të kem ushqim më të sofistikuar e rrogë akoma më të lartë se e larta. Kjo sikur rrotullon të fundit në fillim.

Nga dëshira për një shumësi idealesh që donte sigurisht tekstin dhe shkrimin, librin sa gazetat etj, ai tani do të jetë në patje. Nuk e arrin dot këtë, qenia e tij stimulohet nga suksesi dhe fama për të qenë me patje objektesh dhe materialesh, janë ato pa është ai.

I pongopur në të pasur, gjë që e stimulon edhe sistemi, modeli, vlerat e reja në shoqërinë e konsumit, dhe në një shkallë më të lartë sensacioni sa debiliteti qe të ofron përsëri sistemi në shumë lloj formash duke qenë njëri i bindur, komform, njeri mediokër që vlerësohet në kulm, ‘’një dimesional’’ e duke u bombarduar në 24 orë nga llozhdure(mbeturina) kulturore të tipit:

-O sa kohë e bukur është sot!

-Po dita e hënë pse është e hënë!

-Sa Vip që jam me kaq pak muaj!

Po kjo fjala ‘e bukur’ si mund të thuhet në shqip?!

E fjali të tjera si këto që ngrenë në piedestal njerëz mediokër sa karagjozë, banalitet i cili shitet dhe blihet shumë herë më lart se normaliteti. Kjo ngre lart njeriun sensacional sa të interesuar në shfrenim, në materie, në famë pa bërë asgjë, në shfrenimin deri në delir dhe narcizëm të njeriut idiot që ofron ana vizive perfekte e që kjo shihet si normalitet dhe natyrshmëri të bëri individ modern. Nga leverdishmëria dhe dobishmëria në parazitizëm për të qenë njeri, për rehati, për situata ku sistemi përpiqet që ti të jesh gjithçka vetëm e vetëm të konsumosh, të hash, të flesh, të rritesh dhe të rrish i lumturuar në kotësi. Në kotësi ti do të jesh më i lumtur se ai i dikurshmi i lumturuar në atë shkallën më të ulët që vinte si pasojë e mendimit. Atij mendimi vrastar për njeriun sepse të mendosh dhe të studiosh është shumë e vështirë, mund të rrish e të jetosh i kënaqur në sipërfaqësoritetin tënd. Në një lloj forme sipër lumturisë.

Me nismën e njeriut real sa kompetencave fundore të shumëllojshme mënjanohet ai suficiti ideor dhe kuptimor pasi njeriu nuk duhet të ndjejë këtë përgjegjësi të vështirë kur sistemi pjell lehtësi, njeriu thjesht që të arrijë në kotësinë lumturore duhet të punojë, të shtyp tasto, të shtyjë leva, të ngrejë pako dhe të buzëqeshë, të përpiqet të jetë i përshtatshëm dhe i bindur i sistemit. Ai nuk duhet të mendojë dhe të kritikojë, të gjykojë sa të arsyetojë, jo, për këtë ka menduar më parë sistemit i vlerave dhe i modeleve, moda që çon në shabllonizëm e në të qenët njeri në seri e epruveta falë modës, këtë mendon sistemi ideor i vlerave dhe i kulturës. Kjo po na serviret.

Një 5% dalin nga kjo ulli dhe janë kuptimorë e të ndërtuar në ekspertiza të cilët sofistikohen dhe profilizohen për të udhëhequr këtë mendim sipërfaqësor në mendim për pjesën tjetër të cilët sistemi ka menduar që të plotësoje kushte për rehati por të shtrëngojë kushtet për jetesë.

Nqs një sekretare më parë duhet të kishte një shkollë dosido dhe elokuencë sa paraqitje ajo tani duhet të plotësojë 200 kushte, nga shkolla sipërore në 500 lloj trajnimesh e specializimesh pa të vihet në kandar nga burimet njerëzore, e njëjta gjë për një shitëse, për një asistente apo specialiste apo për punëtor, specialist të thjeshtë, shtohen kushtet në përpjestim të zhdrejtë për punë, për të pasur shtëpi, për të pasur martesë, rritje fëmijësh, për mirëqënie për shoqëri e status sa shihet se gara duket e pamundur në dinamikën shfrenuese që të sjell kjo panoramë moderne me jetës e saj. Ajo të eliminon shumë kushte ideore dhe të shton shumë hamallëqe pa mendim vetëm e vetëm për të qenë më pas vetvetja me anë të kotësisë së lumturuar. Ndryshe sistemi i vlerave në qoftë se kundërshton të nxjerr jashtë, të flak dhe të hedh në askund.

Dalëngadalë, sistemi shoqëror, kulturor sa politik e ekonomik, sidomos modeli mediatik të kërkojnë me ngulm që të jesh ky lloj njeriu dhe ai njeriu që do të zbulojë qenien shihet si armik i sistemit, armik i masës. Në këtë sistem ngrihet lart si sukses dhe arritje dhe bëhet Vip sherrxhiu, maskarai, karagjozi, banali, mediokri e njëkohësisht harrohet mendësia, kuptimi përmbajtja. Shoqëria e konsumit nuk do nivel sipër mesatares. Këtë e ndihmon shumë efekti, imazhi, ana vizive, filmi apo sensacioni që ngrenë këto, largimi nga tekstualja dhe futja në një amalgamë të pafundme imagjinate që ka dhe riskun e anormalitetit përveçse produktivitetit. Në këtë kuptim masa i kundërvihet në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme njeriut për të qenë. E njëjta gjë si në komunizëm, feudalizëm. Tribaliteti në forma kodesh të vepruari ndihmon paradoksalisht në forma kundërshtimi të këtij sistemi që pjell vetëm qasje homogjene, forma shablloni të jetës pa nuanca, pa larmi megjithëse promovon larminë.

Paradoksalisht shoqërisë i kërkohet të jetë më e ditur, më e kulturuar sepse kështu e udhëzojnë të parët, arsimi, kultura dhe nga ana tjetër sistemi me shoqërinë e konsumit kërkon njerëz me kompetenca mesatare e deri në debilitet të pafundëm që shikohet si zgjuarsi dhe sukses jete nga intelektualizmi deri në të qenët hamall.

Këtu sistemi futet në paradoks.

Kërkohet njeriu i aftë e normal dhe ngrihen qasje anormaliteti nga narcizmi deri tek deliri, depresioni apo kushtëzime bipolare të sjelljes së njeriut etj. Më në kurth janë vendet nordike që e kanë kaluar ekzistencializmin dhe nuk mundet do të eksplorojnë më tepër në masë shoqërore e sidomos vendet e nivelit të dytë e të tretë të shkallës së demokracisë ku nuk kalohet dot ekzistencializmi për të evoluar në individualizëm a deri në personalizëm.

Rikthemi në fis, ‘Homo Habilis’ e ka fituar modelin kundrejt njeriut të qenies. Atij ‘homo politicus’ apo ‘ homo sociologus’ aq shumë të dëshirueshëm.

Kalohet te mendimi pasi jemi ushqyer si dikur me mamuthë dhe të ngopur se pse yjet ndriçojnë kaq shumë. Sikur të bëhemi më të lumturuar sipër lumturisë a do të mund ta zgjidhim këtë dilemë?

Por kështu bëjnë dhe kafshët, edhe ato të lumturuara janë kur ngopen dhe kënaqen me ushqim, nga dallojnë ato nga Homo Habilisi? Mos vallë nga mendimi dikur kafshëror në formë gjitari?!

Në këtë lloj forme sistemi jonë shoqëror kërkon gjithmonë njerëz sa më debilë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT