Erion Muça
Kronikat e fundit lidhur me rritjen e largimit të të rinjve nga Shqipëria pasqyrojnë një realitet të dhimbshëm dhe nje konstatim të saktë. Ndërkohë që arsyet lidhen me pagat e ulëta, arsimimin e dobët, shëndetësinë problematike dhe mungesën e prespektivës. Në parim janë të gjitha arsye që qëndrojnë por nuk janë të vetmet dhe të prezantuara në këtë formë dhe përmbajtje duken të përgjithshme dhe pa përgjegjësi adresimi, identifikim të faktorëve dhe aktorëve fajtor si dhe modelet sesi mund të përmirësohet situata. Ndërkohë kur të gjithë vrapojnë të vetëgjykohen dhe ndjejnë keqardhje për përkeqësimin e gjendjes askush nuk shqetësohet sesi mund të japë kontributin e vet në këtë drejtim. Nuk duhet bërë shumë vetëm të kërkojmë dhe pretendojmë më shumë të drejta, vlerësim dhe pritshmëri page në punë dhe jo të ulim hundën dhe kokën nga nevoja.Nuk duhet të bëjmë asgjë veçse mos pajtohemi me paaftësinë në arsim dhe mospranojmë mosmjaftimin dhe pakënaqësinë mbi cilësinë e arsimit por të kërkojmë me ngulm ndryshimet me anë të revolucionit duke kërkuar reforma të thella që do sjellin shpejt ndryshimin e ku secili prej nesh të jetë jo vetëm nismëtar por dhe protagonist në këtë proces.Nuk duhet të bëjmë shumë vetëm të solidarizohemi me mjekët dhe infermierët për tu bërë bllok dhe përfshirë në protesta të vazhdueshme për ti mbështetur për më shumë stimul dhe kushte ndaj tyre… minimumi duke i shpërblyer me paranë informale sekuestruar nga veprimtaritë e paligjshme dhe korrupsioni.Nuk duhet të bëjmë shumë përveçse të ngremë kryet për të drejtat që shqetësojnë më tepër shoqërinë se ato që bezdisin partinë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të irritohemi ndaj padrejtësive e reagojmë ashpër për të përmirësuar çfarë të mundemi e jo të shikojmë interesin e ngushtë meskin duke shpërfillur hapësirën e përbashkët ku jetojmë e punojmë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse se të pranojmë absurditetin dhe mungesën e modeleve si realitet të pranishëm e të rreshtohemi fort për mos ti pranuar duke i luftuar jo vetëm me imponim alternativash të denja por paralelisht duke qenë armiq të palëkundur të antivlerave, banalitetit dhe imoralitetit.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të mos tolerojmë mungesën e sindikatave dhe pafuqinë e tyre por të orientojmë njerëzit për nga institucionet dhe institucionalizimi duke u përpjekur ti largojmë nga politika dhe dëmet që i ka sjellë ajo.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të kemi vetëm një rrugë për të qenë të suksesshëm atë që bazohet në hapa të merituar, konkurencë të ndershme bazuar në aftësi, njohuri dhe vlera si dhe shanse të barabartë për punësim dhe karrierë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të organizohemi, koordinohemi, dhe nisim një revoltë të fuqishme dhe pandikueshme për të rikthyer atë që mungon në shoqërinë tonë si e vetmja menyrë për të kthyer optimizmin tek njerëzit dhe kthyer vendin në destinacion atraktiv për të jetuar, punuar dhe u promovuar në karrierë.Problematikat e sipërpërmendura kam frikë se na bëjnë të gjithë nga pak shkaktar si nga indiferenca dhe neglizhenca dhe si nga mos të parit dhe ndjerit jashtë pragut të shtëpisë apo interesit personal…Sido që të jetë e vërteta apo arsyet që lidhen me të fakt është që vendi po braktiset e për këtë jemi të gjithë nga pak fajtorë…