• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

Pse duhet bërë kujdes me rivendosjen në skenë të veprave të realizmit socialist?

December 5, 2021 by s p

Dr. Hasan Bello/


Për shkak të mungesës së legjislacionit të nevojshëm dhe praktikave më të mira të vendeve ish-komuniste për procesin e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare pas viteve 90-të, ende sot e kësaj dite vazhdojmë të pësojmë tronditje sociale njëra pas tjetrës. Në radhë të parë kjo vjen për mungesë ndershmërie dhe sinqeriteti, të elitës politike dhe intelektuale. Rivënia në skenë e veprave të realizmit socialist kërkon kujdes të madh, sepse ato janë shkruar në funksion të propagandës dhe legjitimojnë në aspektin estetik, terrorin komunist të diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit. Për shembull çfarë ndjesie do të kishin familjarët e të ekzekutuarve padrejtësisht në kënetën e Maliqit, sikur romani “Këneta” të rivihej në skenë? Në fakt, edhe pas viteve 90-të ai është shfaqur me qindra herë, në çdo orë të ditës në kanalet kombëtare, pa “pullë”! Ky roman legjitimon në mënyrë monstruoze sajesat dhe vrasjet e inxhinierëve të pafajshëm nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se ata po sabotonin tharjen e kënetës së Maliqit në bashkëpunim me amerikanët. Nga viti 1959 kur u botua deri në vitet 80-të ky roman ka njohur fatkeqsisht 19 ribotime me tirazh të lartë dhe 4 përkthime në gjuhë të huaj. Kjo nuk është rastësi. Por strategji. Gënjeshtra duke u përsëritur bëhet më e besueshme…E njëjta gjë vlen edhe për komedinë e shkruar nga Besim Levonja, koleg dhe pjesë e mekanizmit letrar-propagandistik, siç ishte Fatmir Gjata.

Filed Under: Politike

Sëmundja e PSORIAZËS, (Psoriasis)

December 5, 2021 by s p

Dr. Zekri Palushi (MD)

Psoriaza është një sëmundje/dermatozë kronike inflamatore e lëkurës, (jo-ngjitëse), që prek mbi 3% të popullsisë së botës. Mund të fillojë në ç’do moshë, përfshi dhe fëmijërine e hershme, por zakonisht kulminon në moshat 15-25, dhe 50-60 vjeçare.

Është një sëmundje auto-imune, ku sistemi imunitar dërgon sinjale te gabuara, e si pasoje qëlizat e lëkurës rriten me një shpejtësi 5-10 herë më të shpejtë, se sa normalisht.

Psoriaza paraqitet në disa forma, si: 

Psoriaza pllakore, (Plaque psoriasis) është forma më e shpeshtë që gjindet në 80-90% të pacienteve. Karakterizohet nga pllaka/luspa të trasha, si të pluhrosura, të ngritura pak mbi nivelin e lëkurës, me pamje të inflamuar, me nuance argjendi, të vendosura në sfondin e një lëkurë të kuqe, që gjinden më shpesh në brryla, gjunjë, pjesën e poshtme të shpinës, dhe lëkurën e kokës, por edhe gjithkund tjetër. Shpesh keto pllaka mund të kruhen, ose të dhëmbin. (fig. 1).

Psoriaza Gutate, (Guttate psoriasis), prekë 8% të psoriatikve, dhe shpesh shfaqet papritmas, në një kohë të ftohët, apo gjatë një infeksioni të rrugëve të frymë-marrjes, dhe pas nje tonsilliti streptokoksik. Gjendet kryesisht në fëmijë, dhe në të rinjët. Karakteristikë të kësaj forme janë copat e vogla luspoze, jo aq të trasha sa ata të psoriazës me pllaka, që duken si pika uji të kuqe. Prekë më së shumti lekurën e krahëve, ekstremiteteve të poshtme, gjoksit, -por mund të prekë edhe fytyrën, veshët, dhe lëkurën e kokës, -por jo në palmat e duarve, apo pjesën e poshtme/plantare, të këmbëve, dhe thonjëve. Kjo formë kruhet më shumë se sa psoriaza me pllaka.  (fig. 2). Psoriaza PUSTULARE, (Pustular psoriasis), është një formë më pak e zakonshme, forma e gjeneralizuar shoqërohet me skuqje (erythematoze) të lëkurës, me puçrra të shumta që duken si të qelbëzuara, mund të duken edhe si luspa deskuamuse, dhe që edhe mund të dhëmbin, apo të kruhen. Prekë më së shumti shuplakat e duarve, pjesen plantare të këmbëve, si dhe gishtat e duarve dhe të këmbëve. Mund të shoqërohet me temperature të lartë, dhe një gjendje toksike të përgjithëshme. Këta pacjent hospitalizohen, -derisa  ky episodë t’ju qetësohet. (fig. 3).

Inverse psoriasis, është një formë që gjindet në palët e lëkurës si psh sqetulla, zonat inguinale, poshtë gjinjëve, zonat gluteale/vithe. Në këtë rast, lëkura duket si plagë e kuqe, e lëmuar, dhe me shkëlqim. (fig. 4).

Psoriaza erytrodermike, (Erythrodermic psoriasis). -është një formë e rrallë, por shumë serioze, që karakterizohet me një skuqje ndriçuese inflamatore të pjesës më të madhe, apo edhe të t’gjithë sipërfaqes lëkurës së trupit. Në këtë rast lëkura ç’vishet, (si lëkura që bjen nga diegia në diellë). Kjo skuqje zakonisht kruhet, ose djeg, -dhe mund të shoqërohet edhe me temperatura të pa-rregullta, që shkojnë poshtë-e-lartë, dhimbje dhe enjtje të kyçeve, dhe rrahje të shpeshta të zemrës.                                                                                              Prandaj këto të sëmurë duhet të shtrohen në spital. (shif fig. 5).

Psoriaza e lëkurës së kokës, (scalp psoriasis),- shifet më shpesh në vajza, -ndoshta për shkak të fenomenit Koebner, që rrezulton nga krehjet e shpeshta të flokëve. Zakonisht shoqërohet me kruarje. (fig. 6, dhe 6a).

Shfaqjet psoriatike PALMO-PLANTARE, -pra gjendet në shuplakat e duarve, dhe shputat e këmbëve. (fig. 7a/7b).

Psoriatic arthritis, -është një tip arthriti që mund të ndodhë tek psoriatikët. Kyçet e gishtave të duarve dhe të këmbëve preken më shpesh. 10-30 % e njerëzit me pustular psoriasis, ose me psoriazë te thonjëve, kanë më më shumë rrisk që të vuajn nga ky lloj arthriti, që shoqërohet me dhimbje dhe ngrirje kyçesh, por nuk shoqërohet me dobësi muskulare.    (fig. 8) 

Traitimi/Mjekimi sistemik i psoriazës: 

Menagjimi i psoriazës ka ndryshue shumë gjatë 10-15 viteve të fundit, -sidomos me ardhjen në skenë të Mjekimit BIOLOGJIK, -me përfaqësues kryesorë (Etanercept, dhe Infliximab). Kjo ka bërë që gati të gjithë pacjentët psoriatic të jenë në gjendje ta kontrollojnë këtë sëmundje, dhe në shumë raste të arrijnë një pastrim të plotë, me shumë pak efekte anësore.

*INFLIXIMAB, (Remicade)-është më efektivi i grupit të bllokuesve TNF (TNF blocker), -jepet në infuzione IV (intra-venoze), në doza 5mg/kg, -kështu që është efektiv edhe në obezët.

*ETANERCEPT, (Enbrel). 

*ADALIMUMAB, (Humira).

*USTEKINUMAB, (stelara), (IL 12 dhe IL23 inhibitor), -ka një efikasitet të madh kur jepet në injeksione sub-cutane,-45mg,- ç’do 3 muaj, për pacjentët nën 100kg. –(Ndërsa për pacjentët mbi 100kg, jepet në dozën 90mg).

*SECUKINUMAB, (Cosentyx)dhe IXEKIZUMAB, (Taltz), (IL 17 inhibitor), -jepen SC (sub-cutan), 1 x në muaj. 

Trajtimi me agjent BIOLOGJIK,– është shumë më i përshtatshëm, -pasi ai ofron një rregjim më të mirë dozimi, kanë një toxicitet më të ulët, dhe kërkesa më të pakta monitorizimi me analiza gjaku.

Këshilla të përgjithëshme praktike trajtimi:

Fillimisht provohet mjekimi sistemik me METHOTREXAT+UVB phototherapy. *METHOTREXATE, -mundë të jetë 60% efektiv. -Jepet në një doze të vetme, (10-30mg), në javë, -nga goja, ose SC.  Nq sky kombinim dështon, -atëhere provohet:

ACITRETIN, (Neotigason, Zetin)-vepron mirë në një numër të vogel pacjentësh, -por mund të shkaktojë disa efekte anësore si, tharje të buzëve, të lëkurës të hundës, si dhe dhimbje koke, dhimbje muskulare, dhe rënje flokësh. ACITRETIN,-(një derivate I vitaminës A), është efektiv në format e rënda dhe kryeneçe të psoriazës, -por s’duhet të përdoret kurrë në grate shtatzana.

Ndërsa CYCLOSPORINE, -vepron shpejt, dhe mund të jetë mjaft efektive, -por edhe mund të japë disa efekte anësore, -si hypertension, dhe ç’rregullime të veshkave, -sidomos kur merret mbi dy vjet. Jepet në ato raste kur duam një kontroll të shpejtë.

APREMILAST,-(phosphodiesterase inhibitor), -mund të jetë një alternative,- në vend të methotrexate, acitretin dhe cyclosporine. Ka një efektivitet si methotrexate, -por s’ka nevojë që t’monitorizohet me analiza gjaku. Efektet e mundëshme anësore janë , provokim vjelljesh/nausea, dhimbje koke, dhe diarrhoea, që mund të qetësohen pas muajt të pare të mjekimit. Kto efekte anësore mund të minimizohen, nëse fillohet me doza të vogela, si psh., me 10mg në ditë, dhe gradualisht shkohet në dozen e zakonëshme 30mg, dy here në ditë. 

CORTICOSTEROIDET oral, -përdoren vetëm në formën ERYTHRODERMIKE të psoriazës, ndërsa format tjera, mund të destabilizohen nga përdorimi i corticosteroidve oral.

Po përmendi edhe JAK kinase inhibitort, që janë të aprovuar për arthritin rheumatoid, por janë duke dhënë rezultate të mira edhe në mjekimin e psoriazës, dhe arthritit psoriatic.

Trajtimi Topikal, – përfshinë: -steroidët, calcipotriol, dhe daivobet (kombinim i calcipotriol/betamethasone dipropionate).

Pregatitjet me TAR mund të jenë ndihmuese, veçanërisht për psoriazën e lëkurës së kokës, –por nga që janë jo fort të përshtatshëm kozmetikisht, -jepen me deshirën e pacjentit. 

Pregatitjet Coal tar,– përdoren direct në lëkurë,-s’kan efekte ansore, dhe veprojnë mirë në kruarjet e lëkurës, dhe pengojnë mbi-shumëzimin e qëlizave të lëkurës.

Edhe pse veprojnë më ngadal, –për fëmijët janë më efektive se sa steroided topical, -dhe me kto, koha e remisioneve është më e gjatë. 

Një kombinim i tar me salicilik acid, -aplikohet zakonisht 2 x në ditë. Koncentrimet gjykohen nga vendi ku do të aplikohen. Psh.,kKoncentrime më të larta bëhen për lëkurën e kokës, -ndëra koncentrime më të ulta përdoren për fytyrën, flexurat, zonat genitale. Po kështu, për psoriazën e kokës duhet të përdoren shampo me bazë tar. 

DITHRANOL, përdoret në qendrat e trajtimit ditorë, por për shkak të njollave që lën, dhe  irritimit, -nuk përdoret aq shumë në shtëpi. -DITHRANOL (anthralin), -0.05%, -si dhe në koncentrime të tjera si: 0.1%, ose 0.25%, ose 0.5%, ose maksimumi 2%, -për të rriturit (por sipas gjykimit mjekësor, edhe në fëmijët). Rrekomandohet më së shumti në trajtimin e pllakave të trasha.Fillohet në koncentrimet më të ulta, duke e shtuar atë, sipas tolerances dhe rrezultateve.

ENSTILAR, -(kombinim i calcipotriene/betamethasone diproprionate), -është një formulim shkumë i daivobet. Kjo formë është më efektive, sepse thithet mire nga lëkura, dhe pëlqehet edhe prej pacjentve. Calcipotriol ointment, 0.005% (vitamin D analogs),-rrekomandohet aplikimi 2 x në ditë, per jo më pak se 6 javë. E mira e calcipotriol është se nuk lenë shenja në teshat e veshjes, dhe s’ka erë,- si pregatitjet me tar.

Një kombinim i calcipotriol me një steroid me strength moderat/mesatar, i aplikuar 2 x në ditë, mud të veprojë mire. Efekti anësor më i zakonshmi mund të jetë një irritim i lëkurës, -veçanërisht kur aplikohet ne fytyrë dhe flexura. 

Calcineurin inhibitors,-Tacrolimus 0.1%, vepron mire në zonat sensitive, si fytyrë, dhe sqetulla. Një efekt anësor mund të jenë një djegi dhe kruarje e lehtë, veçanërisht kur aplikohet ne pllakat e plasura.

STEROIDËT topikal, -veprojnë shpejt, por me ndalimin e mjekimit shifet ri-kthimi i sëmundjes. Megjithatë për një përjudhë të shkurtër  mund të përdoret HYDROCORTISONE 1%, sidomos për pjesët sensitive të lëkurës, -ndërsa në zona të tjera përdoren corticosteroid më potent si BETAMETHASONE DIPROPRIONATE. Rrekomandohet që corticosteroidët të mos përdoren pa u perzie me TAR ose CALCIPOTRIOL, -sepse përdorimi në vehte mund të jape instabilitet. Clobetasol shampo punon mire për qetësimin e kruarjes së lëkurës së kokës.

 PHOTOTHERAPIA,- (me dritë UVB), -mund të veprojë mirë, sidomos në fëmijët me një shpërndarje të madhe. -Megjithatë aspekti praktik i ktij lloj trajtimi që përfshinë atendencën 3 x në javë, për tëpaktën 3 muaj, mund të jetë sfiduese, si për pjesmarrjen në shkollë, ashtu dhe kohën e prindërve. Përveç kësaj, është e zorëshme për femijët e vegjël qe të qëndrojnë disa minuta pa-lëvizur në një kabinet të vogël e të mbyllur, -kështu që përdorimi i kësaj metode rrekomandohet më së shumti tek fëmijët e rritur, dhe adolishëntët. 

Rrezultatet më të mira, nga kjo metodë, konstatohen më së shumti ne Psoriazën guttate, se sa në atë me pllaka të mëdha. 

Një alternativë e mirë do të ishte ekspozimi në diell, -rrezet e të cilit përmbajnë UVA dhe UVB, veçanërisht gjatë stinës së verës. (Por mos harroni se psoriaza mund të përmirësohet nga expozimi në djellë, -por edhe keqësohet nga djegia e diellit).

Siq shifet, shumë ndryshime positive janë duke ndodhur në mjekimin e psoriazës, -dhe rrugë të reja për t’bllokuar inflamacionin e sëmundjes psoriatike janë duke u gjetur vazhdimisht.

 Shumë ilaçe të reja dhe efektive, janë duke ardhur, -si psh.: BIMEKIZUMAB, -që lufton kundra dy proteinave inflamatore, (IL-17 dhe IL-17F), -me një efikacitet deri në 90%. 

  Megjithatë, psoriatikët prap duhet ti kushtojne vemendje stilit të jetës, dhe paksimin e faktorve të rriskut për sëmundjen metabolike, (mbi-peshë/obezë, -apo grumbullimi i dhjamit në bark, kolesterol të lartë, Diabeti I tipit 2, hypërtension.   

Ndërsa faktor që mund të keqësojnë apo precipitojnë psoriazën, mund të jenë:

*infeksionet, sidomos ata që shkaktohen nga Streptococu i grupit A,                                                                                                               *traumat, stresi fizik dhe emocional, djegiet nga dielli, menopauza, disa ilaçe, (NSAIDs, Lithium, beta-bllokuesit, cotraceptivët oral).                                                                                                            *Koha e ftohtë, (psoriaza keqsohet në dimër).

Është e rëndësishme që të shpjegohet natyra gjenetike dhe kronike e psoriazës. Qëllimi i mjekimit është që t’kontrollojë shenjat, por fatkeqësisht, -akoma s’ka një kuro shëruese për psoriazën. Bile siq vihet re, psoriaza krijon edhe një tolerance ndaj mjekimit, -prandaj strategjia më e mire e mjekimit, ngelet përdorimi i kombinimeve të ndryshme me rrotacion.

Përfundoj duke ju uruar me shumë rrespekt dhe përzemërsi të thelle, -të gjithë Shqipëtarve, -kudo që janë, -një festim Krishtlindjesh të mrekullueshme në ngrohtësinë dhe dashurinë e familjeve të tyre, -dhe gjatë këtyre ditëve të shejtnuara, të luten me shpresën që Viti i Ri 2022, -të na sjellë prapë, vlerat e humbura njerëzore, -si dhe liritë dhe demokracinë e vjedhur, gjatë viteve 2020-2021.

Dr. Zekri Palushi (MD)

Filed Under: Sociale

Mesazh promocional me vdekjen

December 5, 2021 by s p

Sokol Paja/

Makineria e propagandës qeveritare nxori për konsumim masiv në publik “një film me metrazh të shkurtër”: Përpëlitjet me vdekjen e pacientëve të pa vaksinuar në Spitalet Covid në Tiranë. Një shfaqje mediatike e shëmtuar deri në neveri, kundër dinjitetit njerëzor, kundër lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kundër parimeve etike të medias, kundër parimeve të punës, sakrificave e përpjekjeve që bëhen çdo ditë në luftën ndaj së keqes. Frikësimi me anë të medias, është akt dobësie i qeverisë dhe strukturave menaxheriale qeveritare. Pamjet janë totalisht të papranueshme dhe të dënueshme. Kur qeveria dorëzohet, atëherë fillon dhe shpërndan panik, frikë, tmerr, paskamë e dramë. Përdorimi i vuajtjeve të pacientëve me COVID për spektakël shtetëror dhe për të frikësuar popullsinë është i turpshëm, një gjetje kaq e shëmtuar sa më s’ka. Spektaklet me format serviren për konsumim në publik atëherë kur s’ka më përmbajtje për të ofruar para publikut. Propaganda me produkte të gatshme për konsumim masiv dhe ndërtimi i një infrastrukture meditatike propagandistike që vihet në funksion të zbatimit të propagandës qeveritare është tipar themelor i funksionimit të diktaturave: një regji qëndrore që prodhon e shpërndan, dhjetëra apo qindra aktorë e faktorë që përsërisin të njëjtin mesazh të fabrikuar, orkestruar dhe shpërndarë nga agjit-propi qeveritar. Përpara se qeveria të përdorë shëndetësinë e spitalet në Shqipëri për spektakle propagandistike duhet si fillim të reformojë sistemit shëndetësor në Shqipëri, tu ufrojë kushte pune, teknologji, mjete mbështetëse dhe stafe të kualifikuara e paga dinjitoze mjekëve në Shqipëri. Qeveria ka një detyrë si emergjencë kombëtare: Të ndalë ikjen e mjekëve dhe intelektualëve nga Shqipëria. Përpara se të “shpëtojë” njerëzit nga vdekja me anë të propagandës qeveritare, qeveria duhet të shpëtojë Shqipërinë nga një tjetër vdekje e tmerrshme: shpopullimi masiv i Shqipërisë. Qeveria duhet të ketë një plan konkret kombëtar për qeverisje të mirë, për rritje të mirëqenies, rritje të sigurisë publike e kombëtare, zhvillim të ekonomisë e tregut të lirë, kthimin e Shqipërisë në një atraksion për vendasit dhe të huajt. Ndalimi i shpopullimit të vendit duhet të jetë kryefjalë e qeverisë, medias e shoqërisë civile në Shqipëri. Çdo spot publicitar qoftë dhe qeveritar që promovon Shqipërinë e bukur, të lulëzuar, të zhvilluar e të begatë, do ishte i mirëpritur ashtu siç nuk është aspak i mirëpritur spoti i fundit propagandistik qeveritar: “Përpëlitjet me vdekjen në Spitalet Covid”. Qeveria duhet jetë dinjitoze në qeverisje dhe të ketë në parim kthimin e dinjitetit Shqipërisë e shqiptarëve me shërbime, zhvillim, politika afatgjata kombëtare, transparencë, gatishmëri, reforma, dhe demokraci.

Filed Under: Opinion

Të vuash harresën tënde

December 5, 2021 by s p

Amarda Ekmeciu Hoti/

Të qeshësh apo të qash me këtë fenomen i cili ka mbërthyer prej gryke shoqërinë sot?!Ti e shet mikun me vlera për një ofertë më të mirë, të cilën t’a ofrojnë po ata njerëz që të mësuan se si ecet mbi lakmi. Njerëz me të cilët ndërton ura interesi e pranon të jesh bashkëpunëtor i tyre – një mjet nënshtrimi duke marrë forma ekzekutimi si një plastelinë.Dëshira për t’i shpëtuar dëshpërimit është kthyer në një burim nga ku derdhet vrullshëm pajtimi yt me shume “elemente qesharak” si mjete për të shpëtuar unin nga “mbytja” e harresës në rutinën e jetësBota e egër e konkurencës, luftrat e ashpra për një dukje me fryrje e hiperbolizma, kanë shkatërruar kështu atë që është më me vlerë për qenien tënde Dashurinë për veten!Dhe veten e duan njerëzit me dinjitet!E pra, ti nuk mund të ndjesh diçka të tillë kur shkel mbi shpirtin e tjetrit,mbi lëndimet e tij, kur pranon të krahasohesh me figura historike e me patriotë të vërtetë, pa ditur se cila është njësia matëse e një shpagimi.Ti nuk ecën përpara duke shitur llogaritë e shfehura për karrigen që ka vlerën e frikës, vlerën e një dështimi. Lavdia që mendon se po të serviret është një pjatë e thatë me shijen qesharake që lejon për veten. Duaj e vlerëso për atë që je o njeri, për atë që bën! Ngopu me veten! Duaj thjeshtësinë e njeriut të mirë!

Filed Under: ESSE

QEVERISJA VENDORE – DËSHTIM I TURPSHËM NE MAQEDONINE E VERIUT

December 5, 2021 by s p

Xhelal Zejneli/

Që nga fillimi i pluralizmit e deri më sot, nëpër bashkitë shqiptare kryetarët ndërrohen njëri pas tjetrit. Kështu, tridhjetë vjet me radhë. Çdo kryetar bashkie ka qenë i kandiduar prej partisë së vet. Çdo kryetar bashkie ka ardhur në pushtet nëpërmjet një fushate parazgjedhore që ka zgjatur deri tridhjetë ditë. Thua ti se zgjidhet kryetari i Amerikës. Çdo pretendent për kryetar bashkie, gjatë fushatave parazgjedhore u ka premtuar qytetarëve çmos. Nga ajo që u kanë premtuar qytetarëve, është realizuar pak, për të mos thënë fare. Madje, ka nihilistë që thonë se sot është më keq se dikur. 

Ku kanë mbërritur qytetarët e bashkive shqiptare, pas tri dekada pluralizmi? Problemet me të cilat ballafaqoheshin qytetarët para shumë viteve, ekzistojnë edhe sot. 

Edhe pas shumë viteve, qytetarët e bashkive të caktuara preokupohen:

– me mungesën e ujit të pijshëm;

– me çështjen e pazgjidhur të hedhurinave;

– me mungesën e infrastrukturës rrugore;

– me degradimin e rrugëve;

– me rrugët plot gropa;

– me vërshimin e ndërtimeve pa leje;

– me mungesën e hapësirave të gjelbra;

– me uzurpim të paligjshëm të hapësirave të gjelbra nga pronarët e restoranteve;

– me uzurpim të trotuareve nga pronarët e tregtizave;

– me uzurpim të trotuareve nga tregtarët e imët; 

– me mungesën e parkingjeve tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore;

– me mungesën e një salle sportive bashkëkohore;

– me mungesën e një biblioteke bashkëkohore;

– me qarkullim rrugor të dendur,

– me bllokim të qarkullimit rrugor;

– me mungesë të rrugëve anësore që do të bënin të mundur qarkullimin rrugor, pa hyrë në qytet;

– me mungesë të baj-paseve rrugore; 

– me ndotje të ajrit;

– me shporta hedhurinash, të degraduara;

– me mungesë klasifikimi të hedhurinave;

– me papastërti në të katër anët e qytetit;

– me rrugë që s’kanë parë netull me sy;

– me rrugë që s’kanë parë ujë me sy, përpos në kohë reshjesh të dendura;

– me mungesë të një qendre për trajtimin human të qenve, të ashtuquajtur endacakë;

– me mosrespektim të rregullave të qarkullimit;

– me mungesë pedonalesh; 

– me mungesë të një plani urbanistik bashkëkohor.

*   *   *

Kryetarët e bashkive i shndërruan bashkitë në ente punësimi dhe në ente sociale. Këtë e kanë bërë për interesa partiakë. Janë punësuar veprimtarë dhe militantë partiakë. Punësime nëpër bashki janë bërë edhe për arsye miqësie. Bashkitë i kanë shndërruar në ente punësimi apo në ente sociale, sidomos ata kryetarë bashkish të cilët kanë pretenduar të zgjidhen për një mandat të dytë apo edhe të tretë. Me fjalë të tjera, bashkitë i kanë shndërruar në ente punësimi dhe ente sociale, për qëllime votash. Nëpërmjet punësimeve nëpër bashki apo nëpër organet bashkiake, këta të ashtuquajtur kryetarë bashkish, i kanë krijuar ushtritë e veta të votuesve. 

Çështje në vete janë listat “e të punësuarve”. Nëpër këto lista, që zyrtarisht kurrë s’janë bërë publike, mund të jenë përfshirë persona me gjendje ekonomike solide. Turp dhe mëkat. Zhvatje e djersës së këtij populli të varfër. 

Mjetet financiare të bashkive duhet të jenë në shërbim të qytetarëve. Mjetet e bashkive duhet të shërbejnë për ndërtimin e infrastrukturës së qytetit dhe jo për t’i “punësuar” bijtë dhe bijat e familjeve me ekonomi solide. Turp dhe mëkat. 

Turp dhe mëkat për kryetarin e bashkisë që ka bërë “punësime” të tilla; turp dhe mëkat për bijtë dhe bijat e prindërve me të ardhura solide; turp dhe mëkat për inteligjencien shqiptare që i ka mbyllur sytë para një funksionimi anarkik të bashkive; turp dhe mëkat për partitë nga radhët e të cilave vijnë këta kryetarë bashkish.  

Në një shtet ligjor dhe në një shoqëri të ngritur punësimet bëhen me konkurs publik dhe në përputhje me nevojat e institucionit. Në asnjë shtet të botës së qytetëruar punësimet nuk bëhen pa konkurs publik dhe në kundërshti me nevojat e institucionit. 

Nëpër bashki të caktuara, për interesa meskinë të kryetarit të bashkisë dhe të partisë nga e cila vjen, “punësimet” janë bërë:

– pa konkurs publik; dhe

– në kundërshti të plotë me nevojat e institucionit bashki apo të organeve bashkiake. 

Me një fjalë, “punësimet” janë bërë pa kurrfarë sistematizimi të mirëfilltë apo me njëfarë sistematizimi fiktiv. Si rrjedhojë: 

– në një zyrë, ku është dashur të punojnë një apo dy vetë, “kanë punuar” tre-katër vetë;

– persona të caktuar, bij dhe bija të etërve dinakë, kanë marrë rroga duke ndenjur në shtëpi.  

Legjenda thotë se nëpër listat e pagave figurojnë edhe persona të cilët kanë punuar edhe nëpër ndërmarrje të tjera. Turp dhe mëkat. Veprime absurde si në veprat e Franc Kafkës, të Zhan-Pol Sartrit, të Alber Kamysë, të Semjuel Beketit.

Pjesë e listave të honorarëve kanë qenë edhe të ashtuquajturit mbartës të proceseve kulturore dhe realizues të të ashtuquajturave projekte. Vite me radhë, këta kulturtregerë trokasin nëpër dyert e bashkive, pa i lënë rahat as sponsorët privatë, për të nxjerrë mjete për veprimtarinë e tyre që ata e cilësojnë si kulturë. S’ka dyshim se veprimtaritë kulturore i duhen një shoqërie, por jo çdo manifestim mund të merret për kulturë. S’është kurrfarë krijuesi artistik ai i cili vihet në shërbim të politikës. Artistët e mëdhenj nuk janë vënë në shërbim të pushtetit as në mesjetë, e ku më në kohën e komunikimit satelitor. Arti i mirëfilltë është kundërshti e pushtetit, e çdo pushteti. Këta kulturtregerë dhe realizues “të projekteve”, trokitjen nëpër dyert e bashkive – dhe të sponsorëve – e kanë shndërruar në mënyrë jetese.

Në lista pagash bijë dhe bija etërish dinakë, në një kohë kur punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Publike s’i kanë marrë rrogat në mënyrë të rregullt. Qytet i palarë dhe i papastruar, në një kohë kur në Ndërmarrjen Komunale Publike ka tepricë të punësuarish. 

Ç’qeverisje vendore janë këto kjo kur një përqindje e madhe e qytetarëve nuk i shlyejnë detyrimet komunale?! 

Në asnjë vend ku zbatohet ligji dhe ku çon peshë vetëdija qytetare, kryebashkiaku nuk  e nis meremetimin e rrugëve apo të rrugicave, tre muaj para fillimit të fushatës zgjedhore. Domethënë, qëllimi është t’i fitoj votat dhe jo të kryej punë.      

Bashkitë dhe qeverisësit e tyre, vërtet shumë punë i kanë lënë pa i bërë, por ka edhe do punë që i kanë bërë, madje me përkushtim dhe vigjilencë të madhe. E kanë bërë politizimin dhe partizimin e skajshëm të të gjitha poreve të shoqërisë. Sidomos të arsimit. Të arsimit fillor dhe atij të mesëm. Shërbëtor shkolle katundi s’ke mundur të punësohesh, pa të punësuar kryebashkiaku, domethënë partia. Kryetarët e bashkive janë kujdesur që në pozita drejtuese të caktojnë kryesisht persona të dëgjueshëm, që i dirigjojnë dhe që i urdhërojnë më lehtë. Të tillët që kanë qenë të etshëm për pushtet. Të tillët i kontrollon më lehtë, shumë lehtë. 

Mirëpo, ish-prefektët harrojnë se lakmitarët e pushtetit, sapo vjen në pushtet një forcë e re, sakaq ia kthejnë shpinën komunarit humbës. Tani kthehen e bëhen me pushtetarin e ri. Për t’iu përshtatur rrethanave të reja, këta kameleonë që s’kanë kurrfarë parimi, thonë: “Ishte koha për ndryshime”.                        

Bashki të caktuara janë shndërruar kësisoj në prona private të kryetarëve të bashkive. Kryetarë të caktuar kanë menduar se bashkitë janë mall babe të tyre. 

Para veprimeve të sipërthëna – surrealiste, shumë pak kanë reaguar, për të mos thënë hiç, edhe anëtarët e të ashtuquajturve këshilla bashkiakë. Pjesë e këtij dance macabre s’ka sesi të mos jenë edhe të ashtuquajturat kabinete të kryetarëve të bashkive. 

Nëpër shumë bashki, me dekada është punuar në mënyrë jotransparente. Pushteti vendor është qeverisur dhe është administruar në mënyrë tinëzare dhe tinëzake. Ashtu qeverisin dhe ashtu administrojnë shpirtrat meskinë. Ashtu qeverisin dhe ashtu administrojnë tinëzarët dhe tinëzakët. Tinëzarë dhe tinëzakë të veshur me petkun e engjëllit, thua ti se mizën s’e shkelin. Tinëzarë dhe tinëzakë që hiqen intelektualë të mëdhenj. Intelektualë të mëdhenj pa asnjë provë intelektualizmi, pa asnjë vepër intelektuale. Mashtrues të sofistikuar që njeriu i rëndomtë s’mund t’u bjerrë në fije. Intelektualë me shpirt tregtari, në mos dhe tyxhari. Madje këta njerëz rregullisht i sheh nëpër mediume dhe ceremoni rasti, me poza si në veprat e Anton Pavlloviç Çehovit. 

Tridhjetë vjet pushtet vendor dhe qeverisje vendore, pa kurrfarë llogaridhënieje para qytetarëve. Tridhjetë vjet pushtet vendor, pa kurrfarë përgjegjësie. As përgjegjësi ligjore, as përgjegjësi morale. Shkojnë e vijnë kryetarët e bashkive, pa i dhënë pasqyrë, raport apo përgjegjësi kryebashkiakut të ri. Konstatohet – formalisht – njëfarë borxhi dhe aq. Përse është shkaktuar gjithë ai borxh, askush s’ka pyetur. Ku kanë shkuar mjetet e qytetarëve, të taksapaguesve, askush s’e di. Dhe askush nuk pyet. Kështu veprohet në provincë, në të gjitha provincat. Në provincat e provincialëve. Mos vallë një pjesë e mjeteve kanë përfunduar nëpër xhepat e dikujt? As për këtë s’ka pyetur kush. Nëpër provinca dhe ndër provincialë, pyetje të tilla s’bëhen dot. 

Perandorët e Romës kanë ndjekur politikën panem et circenses (bread and circuses). Domethënë, jepi popullit bukë e argëtim dhe qeverise atë si të duash. Është doktrinë staliniste: Për ta qeverisur më lehtë popullin, duhet ta mbash në varfëri. Dhe në varësi. Sill këngëtarë nga trojet shqiptare, argëtoje masën dhe qeverise si të duash. Ndërkaq, për bibliotekën që pret vite pa u ndërtuar, askush s’të pyet.  

Por, partitë politike shqiptare dhe prefektët e tyre, të dikurshëm, të djeshëm dhe të sotëm duhet ta dinë se në shekullin XXI dhe në kohën e komunikimit elektronik, qeverisjet me plot padrejtësi dhe abuzime, nuk e kanë gjatë. Një ditë u vjen fundi. Fundi i turpshëm.

*    *   *

Për të sunduar sa më gjatë, prefektët janë kujdesur t’i blejnë edhe mediumet. Ka shumë forma për t’i neutralizuar mediumet. Një prej formave është t’i paguash. T’i paguash në mënyra të ndryshme. Në provincë ka mediume që shiten për dy lekë. Jepi dy lekë një shkretani që i thotë vetes redaktor apo kryeredaktor dhe ai ta nxjerrë fotografinë në gro plan. Në çastin kur prefektura ia redukton mjetet, ky farë mediumi i kasabasë fillon ta shajë shtetin.

*   *   *

Lidhur me dështimet evidente të pushtetit vendor në këta tridhjetë vjet të tranzicionit nuk ka reaguar fare as inteligjencia. Para ligësisë tridhjetëvjeçare, për interesa meskinë, i kanë mbyllur sytë  edhe njerëzit me tituj akademikë. Për ngecjen e hapësirave shqiptare nuk e ka ngritur zërin e protestës as rinia studentore. Prapambetja e komunave me shumicë shqiptare nuk është vetëm çështje rrugësh, hedhurinash dhe qensh endacakë. Kjo është çështje me përmasë politike, thellësisht politike. 

Përballë qeverisjes vendore jotransparente kemi një mungesë të plotë të mendimit kritik, të kritikës politike dhe të kritikës sociale. Një inteligjencie që nuk reagon ndaj prapambetjes së frikshme të hapësirave shqiptare, noton në vorbullën e oportunizmit, të konformizmit dhe të poltronizmit. 

Të merresh sot me po ato probleme me të cilat je marrë para tri dekadave, do të thotë se koha e këtij populli qenkësh rikthyer në fillimin e saj, mu si në romanet e Gabriel Garsia Markezit. Nuk duhet lejuar që qyteti universitar të shndërrohet në qytezë, në kasaba, në pallankë apo në varosh. Nuk duhet lejuar që në hapësirat shqiptare të shfaqen skena si në veprat e Çarls Dikensit, të Balzakut, të Viktor Hygoit apo të Dostojevskit – të shekullit XIX.

Xhelal Zejneli           

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT