• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

DON  LAZER  SHANTOJA

February 19, 2022 by s p

download

DON LAZER SHANTOJA 

(1892 – 1945)

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Don Lazer Shantoja asht Martiri i Parë i Kishës Katolike Shqiptare që u pushkatue në Tiranë, nga vrastarët terroristë komunistë me 5 Mars 1945. 

Me dashtë me shkrue per figuren e Tij njeriu mendohet nga t’ ja filloj? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës Shqiptare që vdekja mizore prej katilave komunistë, tue la me gjakun e tij tokën Shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë e demokratike. Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. 

Ata qëndrojnë nalt, fort nalt e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshem për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut. Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme.

Ai u pushkatue i çuem zvarrë buzë Lanës (jo nga frika e vdekjës), porse nuk  ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.

Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë mbi nazistët? – Asnjëherë! 

Një dijetar thonte: “Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aqsa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njeriut.” 

Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na dhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, po edhe në shtëpitë e katolikëve, dhe në qelat e priftënve, madje, klerikët edhe i ngulnin ndër hunjë. 

Vepronin ashtu mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se ata ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vëpronin ashtu.

Ardhja e komunistëve në pushtet në vitin 1944 solli fakte të mnershme! Shka do të thonte Bota sot, po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni të bamë nga Sigurimi, kundër atdhetarëve apo dijetarëve dhe klerit katolik Shqiptar?

Shka do të mendonte Bota per rracen Shqiptare kur Don Lazër Shantojën e shef të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës dhe, Nana e Tij tek dera tue u thanë katilëve: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi.., mos e leni kështu djalin!”

Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fundamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë e tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse nuk kanë asnjë pikë gjak shqiptari. 

Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye copë copë edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij.

Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve”(me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”.

Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940 ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven Atè, përkrah penës ma të fortë të Jugut të madhit Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi!

Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.

Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin, që shkruen: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944”.

Prof. Isak Ahmeti shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “Letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.

E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:

Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”.

Njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit.”

Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!

Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një Nanë Shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po! Ky asht komunizmi! Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar.

Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.” Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”. “Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.” 

Nga Don Lazer Shantoja:

                                                      Zani i të vdekunit!

Carlyle e fillon historinë që shkroi mbi Revolucionin e Francës të vitit 1848 me këto fjalë të Montesquieu: “Lum ai popull që ka histori të merzitëshme!”….

Po kjé sé qetësia e monotonia e ndodhjeve historike përbajnë lumninë e një kombi, atëherë Shqiptarët e soçëm do t’ishin me të vërtetë njerëzit ma të mjerë të Botës. Historia e Shqipnisë së lirë asht një kaos luftash, ngatrresash, tradhëtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk e gjen askund shoqen në Botë. 

Sot me hapjen e Kuvendit Kushtetues, Populli Shqiptar çilë një fletë të ré e ngulë një cak të ri që ka me shenue një Epokë në historinë tonë kombëtare. Me Kuvendin Kushtetues na shqiptarët dishrojmë e pretendojmë me e dijtë tek e mbramja se ku jemi! Do të kuvendim me letra të zblueme!

Jemi tepër të lodhun e të mërzitun prej ndodhjeve të viteve që shkuen: Lypim që historinë e kombit tonë ta përshkojë mbas sodi jo mâ era e duhisë, por flladi i një jete ma të stabilizueme e të normalizueme. Me datën e Kuvendit Kushtetues historia shqiptare do të fillojë me u bâ mâ monotone! Do ta dijmë mâ, njëherë, “ubi consistam” t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kërcënime, mos-sigurime të paprashme ekzistenca e jonë nuk mund të mbahët mâ.

Mjaft e kemi pa Shqipninë e mjerë të bâme dyqan për fitim ekskluziv të disa klasave të privilegjueme: Mjaft mâ ndêj livadh kulloset ku rend mbas rendit u lëshuen politikanët e improvizuem; mjaft u duruem porsi lâme eksperimentësh për aventurierë kosmopolitë; mjaft pësoi e bâme skakjerë lojnash diplomatike. Mjaft!

Sot popullit i ka ardhë shpirti në fyt: Sot populli don me dijtë kategorikisht: A ka a s’ka Shqipni?  Të mendojmë se kësaj pyetje qeveritarët tonë të deritashëm nuk i kanë përgjegjë ende! Se ka Shqipni e beson sot, ndoshta, ministri, deputeti, oficeri, nëpunësi: me njëfjalë i frangar-rroguemi; por populli që luftoi, që pagoi, që u dogj, që u vorfnue, që u fik.., nuk mund ta besojë kurrë!

Janë disa vjetë që Shteti ynë i Ri velëzon nëpër udhën e hapët të Lirisë. 

Si lexohët në një ndër vjerrsha ma të bukra e të përmenduna të Henrrik Ibsen, edhe Shqipnia i ka ngja “një anijes që udhëton me një të vdekun mbrendë”. 

Në barkën e Shtetit tonë të randuem ekonomikisht nuk gjejmë sot tjetër përposë një trup të vdekunit. Ky i vdekun asht Populli! 

Qeveritarët tonë deri më sot u  kujtuen me mbajtë Shqipninë e.., mbytne Popullin! 

Por, ky Popull sot flet! Prej gjumit të dekës çon zanin e me shpresë por edhe me guxim e kercënim pyet: A ka Shqipni edhe për mue? 

Po kjé sé Misët e Kuvendit Kushtetues me ligjët që do të bâjnë e me drejtësinë që do të ndjekin nuk kanë me mujtë me ju përgjegjë kësaj pyetje, atëherë ajo Mbledhje nuk ka me kenë tjetër veçse, mbaresa e një farse e fillesa e një tragjedisë!…

Hyu mos e premtoftë!                                                        Y. (Don Lazër Shantoja)

Shenim nga FR: Y. Asht pseudonimi i Don Lazer Shantojës. Ky artikull asht marrë nga gazeta “Ora e Maleve”, ditën e shtunë me 19 Kallnor 1924, nr. 4, fq. 1. D Lazër Shantoja.

Melbourne 18 Fruer 2022.

Filed Under: Histori

KRIZA E UKRAINËS: MBËSHTETJA (E DOBISHME) NATO-s

February 19, 2022 by s p

Nga DANILO TAINO

Ukraina nuk mund të quhet një ushtar në fushën e shahut t’Evropës, e gatëshme të flijohet për një interes të hamendësuar sipëror. Së paku për dy arsye. I pari, të gjithë Kombet kanë të drejtën e patjetërsueshme të mos shohin heqjen me forcë të pjesëve të territoreve të tyre dhe kanë të drejtën të kenë një politikë të jashtëme që vendosin, jo të diktuar prej kërcënimeve t’armatosura të fuqive të tjera. E dyta, të flijohet qoftë edhe një pjesë e sovranitetit të Kievit përballë kërkesave të Putinit, do të ishte një fitore që do të trimëronte udhëheqësin rus në strategjinë e tij të ndarjes s’Evropës e të “rishikimit” të barazpeshave e modeleve të paqes që pasuan shëmbjen e Bashkimit Sovjetik tridhjetë vite më parë. 

Ajo në të cilën synon njeriu i fuqishëm i Kremlinit nuk është aq një llokmë e Ukrainës: është të shpallë në të vërtetë kthimin në sferat e ndikimit që ngrinë Evropën gjatë Luftës së Ftohtë të shekullit të shkuar. Është kthimi në një botë, në të cilën janë disa fuqi, Kombe të mëdha, që mund të detyrojnë me forcë vullnetet e tyre dhe interesat e tyre Vëndeve më të vogla. Nëse ky synim i Moskës do të kishte sukses, e gjithë siguria evropiane, duke filluar nga Lindja e kontinentit por jo vetëm që aty, do të vihej në diskutim. Është diçka të cilën e sheh me interes edhe Kina e Xi Jinping-ut, e cila nuk fsheh synimin për të sjellë nën kontrollin e Pekinit në kohë jo të gjata ishullin e Taivanit dhe studjon si Perëndimi do t’a bllokojë Putinin apo se si do të lëshojë pe për të planifikuar pushtimin e asaj që e quan “provinca kryengritëse”.

Këtu hapet për Evropën një çështje qenësore. Tridhjetë vite pushimesh të historisë, pra që nga luftërat mes fuqive, të filluara me rënien e Murit të Berlinit, janë sot në fundin e tyre. Kjo do të ketë me gjasë pasoja të pallogaritëshme në vitet e ardhme, por sot detyron një vetëdijesim: kriza e Ukrainës tregon në mënyrë të padyshimtë se NATO ka më shumë arsye se kurrë të jetë, që kontinenti ka nevojë për më shumë nivele frikësimi kundrejt dëshirave të Putinit e që e para është solidariteti atllantik: ushtarak por edhe politik, diplomatik e mbi sanksione të rastit. 

Për faktin se NATO kish humbur kuptimin e të qënit mbas mbarimit të Luftës së Ftohtë, flitet prej vitesh, veçanërisht n’Evropë. Donald Trump-i ngurues ndaj aleancave, e përçmonte. Por presidenti francez Emmanuel Macron shkoi edhe më tej dhe më 2019 foli për “vdekje trunore” të Organizatës. Trysnia e Putinit mbi Ukrainën, në të vërtetë ka ngritur plotësisht rolin e NATO-s, si nga nevoja e solidartitetit ndërmjet demokracive si nga pikpamja e frikësimit ushtarak. Jo më pak për të shtyrë Vëndet e lëkundura evropiane për të patur një politikë sigurie. Me ndryshimin që NATO ka një strukturë të gatëshme të mobilizohet në çdo çast: është vija e parë e trysnisë për të kërkuar të ndalojë që sulmi i Kremlinit të ketë sukses e të verë në shahmat sigurinë e Evropës. Dhe është froni i bashkimit të Perëndimit.

Në këto orë diplomacia ka një rol të rëndësishëm. Makroni në tavolinën e Putinit ka kërkuar ndonjë fije shprese, në dukje pa atë sukses që ndoshta as presidenti francez nuk e priste. Ministreja e Jashtëme britanike Liz truss mbajti në Moskë një qëndrim më t’ahpër. Shtetet e Bashkuarajanë vazhdimisht në fushë me nisma diplomatike e kërcënime sanksionesh të fuqishme. Ka mjaft rreziqe në këtë kalim. Njëri është të kërkojë zgjidhje me Kremlinin pa patur një frikësim bindës që t’a mbështesë: n’atë rast Putini me vështirësi do t’a merrte në konsideratë, nuk do të ndalej. Një tjetër është t’i jepej Moskës, në shkëmbim të mos mësymjes s’Ukrainës, atë që presidenti rus dëshiron, për shembull vënien e Kievit nën mbrojtjen e Moskës, të jetë e ndaluar të zgjedhë në mënyrë të pavarur aleancat dhe politikën ndërkombëtare; siç ishte Finlanda gjatë Luftës së Ftohtë. 

Një Ukrainë ushtare me kokë të prerë ose e finlandizuar nuk do t’i jepte fund synimeve të Putinit, perkundrazi; do të krijonte paqëndrueshmëri në Bashkimin Evropian, duke filluar nga Lindja; do t’i jepte energji aleancës edhe se taktike e jo strukturore, ndërmjet regjimeve autoritare të Moskës e Pekinit; do të vinte në krizë besueshmërinë e Perëndimit demokratik. Pa një mbështetje të plotë të evropianëve dhe amerikanëve NATO-s – që është e gjallë, para së gjithash trurësisht – skenari mund të kthehet lehtësisht në realitet.

“Corriere della Sera” 11 shkurt 2022   Përktheu Eugjen Merlika        

Filed Under: Fejton

Partneritet strategjik SHBA-Kosovë

February 19, 2022 by s p

Komunikatë nga Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dërguar Gazetës DIELLI – korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari:

Kryeministri Kurti në takim me Senatoren Ernst: Kosova e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit  me Iowa-n  

MYNIH, 19 Shkurt 2022


Partneriteti strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, ishin tema bosht të takimit, që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati me Senatoren nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.


Në këtë takim, që u zhvillua në margjina të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai falënderoi senatoren Ernst, veçanërisht për përkrahjen dhe ndihmën që ShBA-të dhe shteti i Iowa-s i ka dhënë Kosovës, për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.


Jemi krenarë për bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, tha kryeministri Kurti. Ai shtoi se ishte kënaqësi e madhe që gjeneralmajor Corell nga Garda Kombëtare e Iowa-s ishte në Kosovë për Ditën e Pavarësisë.


Senatorja amerikane konfirmoi mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, përtej partneritetit ushtarak, në të gjitha fushat zhvillimore.


Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë, kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret avancimin e bashkëpunimit me Iowa-n, shkëmbimin e praktikave, veçanërisht në ekonomi, bujqësi, mjedis e energji të ripërtërishtme.  Kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe botë.​

Filed Under: Mergata

14 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet me madhështi në Manhattan

February 19, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Manhattan z.Frymezim Isufaj së bashku me stafin e tij organizuan në Kimberly Hotel ceremoninë e festimit të 14-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Në mjedise komode të hotelit që shkëlqente nga dritat e Manhattanit kryeqyteti i botës i cili nuk fle kurrë dëgjohej zëri i bukur i Kosovës martire.  

Kosova e fitoi Pavarësinë me gjak dhe sakrifica të panumërta, më 17 shkurt të vitit 2008.  Qindra shqiptarë, trupi diplomatik i akredituar në Manhattan, z. Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” ushtarë të UÇK-së si gjeneral Gani Shehu, Qerim Gjocaj që i ka dhënë dorën luftës, Blerim Gjocaj, Shpend Gjocaj etj, Federata Panshqiptare “Vatra” me kryetar z.Elmi Berisha, z.Agim Rexha president nderi i saj, editori i Diellit z.Sokol Paja, Botuesi i gazetës së mirënjohur “Illyria” z.Vehbi Bajrami, Gena Morina Bajrami e shumë të tjerë morën pjesë në këtë ditë të shenjtë të Kosovës.   

Ceremonia u hap me hymnin e Republikës së Kosovës interpretuar nga Banda muzikore drejtuar nga maestro z.Faton Macula.

Ambasadori Isufaj përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i uroi Kosovës përjetësi në Pavarësinë e saj.  Ambasadori Isufaj falënderoi Amerikën e cila me UÇK-në i dhanë Lirinë dhe Pavarësinë Kosovës, falënderoi Diasporën Shqiptaro-Amerikane për përpjekjet e saj të jashtëzakonshme si dhe Z.Mark Gjonaj ish Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut i cili ka merita dhe kontribut të vyer në këto arritje.  Me duartrokitje u mirëprit fjala e diplomatit Amerikan në OKB, Ambasadori Richard Mills i cili shërben si zëvendës përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara.

Ambasadori Mills ka qenë një anëtar karriere i Shërbimit të Jashtëm me gradën Ministër-Këshilltar, së fundmi shërbeu si i ngarkuar me punë i Ambasadës së SHBA-së në Kanada.  Ambasadori Mills falënderoi z.Isufaj për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe i uroi atij dhe nëpërmjet tij gjithë popullit shqiptar për Pavarësinë e Kosovës.

Ambasadori Ferit Hoxha përfaqësues i Republikës së Shqipërisë pranë Misionit te përhershëm në Kombet e Bashkuara i uroi të gjithë pjesëmarrësit për Pavaresinë e Kosovës.  Ambasadori Hoxha foli me krenari për arritjet ndërkohë tha se Kosovën dhe Shqipërinë e presin shumë sfida të tjera përpara.

Shumë emocionuese ishte dhe dhënia e një kopjeje nga origjinali i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhuruar nga znj. Lumi Hadri Divine, nje aktiviste e mirënjohur e Diasporës si dhe e bija e akademikut Ali Hadri, i cili gjithë jetën ia kushtoi Kosovës dhe popullit të tij. 

Pas ceremonisë pjesëmarrësit shijuan ushqimet e shumëllojshme me nga një gotë verë përpara nga Kantina e Verës “Stone Castle”.  Ata u argëtuan nën tingujt e bandës muzikore si dhe nën intepretimin e këngëve nga artistja e njohur Arbërie Hadërgjonaj.

17 shkurti është nje ditë historike për gjithë Kombin shqiptar dhe do të festohet sa të ketë frymë shqiptari mbi dhe. 

Së shpejti TV “Alba Life” do të sjellë kronikën e përgatitur si dhe intervistat me personalitete nga stafi i saj me z. Valbon Gërbeshi, Bujar Sadikaj me producent z.Qemal Zylo për 14 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Gëzuar Kosovë, Gëzuar Shqipëri!

17 Shkurt, 2022

Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet

Kryeministri Kurti takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák

February 19, 2022 by s p

Komunikatë nga Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dërguar Gazetës DIELLI:


Mynih, 19 shkurt 2022Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Mynih takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.Kryeministri e informoi Lajčák, me mbarëvajtjen e reformave të nisura në ekonomi edhe në drejtësi, për prioritetet e Qeverisë për sundimin dhe përpjekjet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, e për të garantuar drejtësi për të gjithë qytetarët.U bisedua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështetë dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel, për dialog parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.Kryeministri theksoi vendosmërinë që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, të ngelen të pacenuara.U bisedua edhe për bashkëpunimin rajonal, ku kryeministri potencoi mbështetjen e fuqishme për procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal. Kryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE, për mbështetjen për vendin tonë, si dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT