DON LAZER SHANTOJA
(1892 – 1945)
Pergatiti Fritz RADOVANI:
Don Lazer Shantoja asht Martiri i Parë i Kishës Katolike Shqiptare që u pushkatue në Tiranë, nga vrastarët terroristë komunistë me 5 Mars 1945.
Me dashtë me shkrue per figuren e Tij njeriu mendohet nga t’ ja filloj? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës Shqiptare që vdekja mizore prej katilave komunistë, tue la me gjakun e tij tokën Shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë e demokratike. Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë.
Ata qëndrojnë nalt, fort nalt e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshem për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut. Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme.
Ai u pushkatue i çuem zvarrë buzë Lanës (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.
Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë mbi nazistët? – Asnjëherë!
Një dijetar thonte: “Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aqsa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njeriut.”
Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na dhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, po edhe në shtëpitë e katolikëve, dhe në qelat e priftënve, madje, klerikët edhe i ngulnin ndër hunjë.
Vepronin ashtu mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se ata ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vëpronin ashtu.
Ardhja e komunistëve në pushtet në vitin 1944 solli fakte të mnershme! Shka do të thonte Bota sot, po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni të bamë nga Sigurimi, kundër atdhetarëve apo dijetarëve dhe klerit katolik Shqiptar?
Shka do të mendonte Bota per rracen Shqiptare kur Don Lazër Shantojën e shef të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës dhe, Nana e Tij tek dera tue u thanë katilëve: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi.., mos e leni kështu djalin!”
Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fundamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë e tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse nuk kanë asnjë pikë gjak shqiptari.
Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye copë copë edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij.
Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve”(me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”.
Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940 ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven Atè, përkrah penës ma të fortë të Jugut të madhit Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi!
Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.
Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin, që shkruen: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944”.
Prof. Isak Ahmeti shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “Letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.
E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:
Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”.
Njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit.”
Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!
Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një Nanë Shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po! Ky asht komunizmi! Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar.
Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.” Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”. “Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.”
Nga Don Lazer Shantoja:
Zani i të vdekunit!
Carlyle e fillon historinë që shkroi mbi Revolucionin e Francës të vitit 1848 me këto fjalë të Montesquieu: “Lum ai popull që ka histori të merzitëshme!”….
Po kjé sé qetësia e monotonia e ndodhjeve historike përbajnë lumninë e një kombi, atëherë Shqiptarët e soçëm do t’ishin me të vërtetë njerëzit ma të mjerë të Botës. Historia e Shqipnisë së lirë asht një kaos luftash, ngatrresash, tradhëtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk e gjen askund shoqen në Botë.
Sot me hapjen e Kuvendit Kushtetues, Populli Shqiptar çilë një fletë të ré e ngulë një cak të ri që ka me shenue një Epokë në historinë tonë kombëtare. Me Kuvendin Kushtetues na shqiptarët dishrojmë e pretendojmë me e dijtë tek e mbramja se ku jemi! Do të kuvendim me letra të zblueme!
Jemi tepër të lodhun e të mërzitun prej ndodhjeve të viteve që shkuen: Lypim që historinë e kombit tonë ta përshkojë mbas sodi jo mâ era e duhisë, por flladi i një jete ma të stabilizueme e të normalizueme. Me datën e Kuvendit Kushtetues historia shqiptare do të fillojë me u bâ mâ monotone! Do ta dijmë mâ, njëherë, “ubi consistam” t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kërcënime, mos-sigurime të paprashme ekzistenca e jonë nuk mund të mbahët mâ.
Mjaft e kemi pa Shqipninë e mjerë të bâme dyqan për fitim ekskluziv të disa klasave të privilegjueme: Mjaft mâ ndêj livadh kulloset ku rend mbas rendit u lëshuen politikanët e improvizuem; mjaft u duruem porsi lâme eksperimentësh për aventurierë kosmopolitë; mjaft pësoi e bâme skakjerë lojnash diplomatike. Mjaft!
Sot popullit i ka ardhë shpirti në fyt: Sot populli don me dijtë kategorikisht: A ka a s’ka Shqipni? Të mendojmë se kësaj pyetje qeveritarët tonë të deritashëm nuk i kanë përgjegjë ende! Se ka Shqipni e beson sot, ndoshta, ministri, deputeti, oficeri, nëpunësi: me njëfjalë i frangar-rroguemi; por populli që luftoi, që pagoi, që u dogj, që u vorfnue, që u fik.., nuk mund ta besojë kurrë!
Janë disa vjetë që Shteti ynë i Ri velëzon nëpër udhën e hapët të Lirisë.
Si lexohët në një ndër vjerrsha ma të bukra e të përmenduna të Henrrik Ibsen, edhe Shqipnia i ka ngja “një anijes që udhëton me një të vdekun mbrendë”.
Në barkën e Shtetit tonë të randuem ekonomikisht nuk gjejmë sot tjetër përposë një trup të vdekunit. Ky i vdekun asht Populli!
Qeveritarët tonë deri më sot u kujtuen me mbajtë Shqipninë e.., mbytne Popullin!
Por, ky Popull sot flet! Prej gjumit të dekës çon zanin e me shpresë por edhe me guxim e kercënim pyet: A ka Shqipni edhe për mue?
Po kjé sé Misët e Kuvendit Kushtetues me ligjët që do të bâjnë e me drejtësinë që do të ndjekin nuk kanë me mujtë me ju përgjegjë kësaj pyetje, atëherë ajo Mbledhje nuk ka me kenë tjetër veçse, mbaresa e një farse e fillesa e një tragjedisë!…
Hyu mos e premtoftë! Y. (Don Lazër Shantoja)
Shenim nga FR: Y. Asht pseudonimi i Don Lazer Shantojës. Ky artikull asht marrë nga gazeta “Ora e Maleve”, ditën e shtunë me 19 Kallnor 1924, nr. 4, fq. 1. D Lazër Shantoja.
Melbourne 18 Fruer 2022.