• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

KAZAKISTANI DHE PRESIDENTI NAZARBAJEV: SI MUND TË ÇOHET N’URÍ NJË POPULL E SI MUND TË KTHEHET NË MILIARDER

February 9, 2022 by s p

Nga FRANCESCO BATTISTINI DHE MILENA GABANELLI

2221 Baker Street. Të apasionuarit mbas librave të verdhë e dijnë se ajo adresë në qëndrën e Londrës është shtëpia e Sherlock Holmes. Pronari i fundit i pallatit quhej Rakhat Alijev: një ish ambassador që ishte martuar me Darigën, bijën e parë të të parit – e për 29 vite I vetmi president I Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev. I rënë në fatkeqësi dhe i ikur n’Evropë, Alijev kishte mbërritur të padiste publikisht se sa i korruptuar ishte regjimi i ish vjehrrit. Në 2014 e arrestuan n’Austri, me padinë se kishte vrarë dy funksionarë kazakë. Tetë muaj më vonë, ndërsa priste gjykimin, e gjetën të varur në qelinë e tij në Vjenë. Pronar bankash e rafinerish, u zbulua se Alijevi ishte mbajtës i muzeut të Sherlock Holmes-it e të gjitha shtëpive të Baker Street që shkojnë nga numëri 215 në 237: vlera 215 milionë dollarë. Por pronësia e paluajtëshme e përgjithshme është prej 450 milion dollarësh. Është vetëm një pikë uji në detin e pafund të arit të klanit Nazarbajev.

Në Kazakistanin e pasur vuajnë nga uria

Në Kazakistan, më 2 janar, shpërtheu një kryengritje kundër shtrenjtimit të jetesës, aq e ashpër sa të bindëte Putinin  të dërgonte ushtrinë në mbështetje të qeverisë mike. Më e pasura e më e shtrira nga republikat sovjetike n’Azinë Qëndrore – me më pak se 20 milionë banorë – është edhe eksportuesi më i madh botëror i uraniumit dhe ka rezervën e dytë më të madhe naftëmbajtëse të botës. Megjithatë e ardhura mesatare familiare e kazakëve nuk arrin as në 600 dollarë mujorë dhe gjysma e gjithë pasurisë kombëtare është në duart e 162 njerëzve. 81 vjeçari baba pronari i Kazakistanit e ka lënë kryesinë tre vite më parë, dhe mbas revoltës popullore, duket se nuk kontrollon më makinën e pushtetit, por klani i tij, nja pesëdhjetë vetë ndërmjet nipash e familiarësh,  zotëron ende gjithshka: 40 miliardë dollarë vetëm në të holla. Sigurisht protestat për shtrenjtimin e gazit të lëngët i paskëshin shkaktuar një humbje prej 3 miliard dollarësh bijës së dytë të Nazarbajevit, Dinara, dhe bashkëshortit të saj Timur Kulibajev: njëri ndër mijë njerëzve më të pasur të botës, pronar i fondit sovran, i të gjithë hidrokarbureve e të një pjese të mirë të bankavet kazake.

Të gjitha bankat e klanit

Bankat, pikërisht. Në Kazakistan, vetëm gjashtë vite më parë ishin nëntë dhe kontrollonin 78 % të tregut: katër janë zhdukur, të tjerat kanë mbaruar në kuletën e klanit. Jysan Bank, njëra ndër më të mëdhatë, është e drejtuar nga dhëndërri i Nazarbajevit, e quhet si bankomati vetiak i tij, megjithëse ka në barkun e saj 44 % të borxheve të skaduara. Është pastaj rasti i Tengri Bank, e themeluar nga çifti më i përfolur i klanit, financieri Timur Kuanyshev dhe bashkëshortja e tij Alfija: i quajnë “të pasurit në të mbathura” që kur u vunë në pranga në Moskë me një milion dollarë të papohuara e të qepura në të brëndëshmet. Timuri dhe Alfija, miq të Princit Andrea, të ftuar të posaçëm në martesën mbretërore të William &Kate, në gusht i kanë shitur kinezëve kuotat e tyre të Tengrit: bash në kohë para se drejtuesit të arrestoheshin për përvehtësim fondesh. Së fundi është Italian Connection: një ish ministër i Nazarbajevit që tani nga Parisi drejton opozitën, Muhtar Abliazov, ka kujtuar rriskun e pabesueshëm bankar që çoi institutin më të madh bankar, Unicredit, të stërpagojë me 2,1 miliard dollarë një bankë (Atf) që i përkiste Bulat Utemuratovit, një ortak i Nazarbajevit. Gjashtë vite më pas, më 2013, vetë Unicredit e ka shitur Atf për 493 milionë një nipi të Nazarbajevit. Një veprim i kushtuar Unicreditit shifrën marramendëse të 1,6 miliard dollarësh që përfundoi në xhepat e diktatorit. Përse banka italiane pranoi të humbiste aq para? N’ata muaj regjimi padiste ENI-n se ishte në vonesë me kontratat e shfrytëzimit të puseve të Kashaganit dhe kërcënonte se do të bënte të paguante një shumë të madhe si dëmshpërblim. Mbas operacionit Atf, mrekullisht, Nazarbajevi hoqi çdo farë trysnie mbi ENI-n.

Përfrikësime e ryshfete

Natyrisht është nafta ajo që parfumos paratë e Nazarbajevit. Ky bir barinjsh të thjeshtë, ish puntor i metalurgjisë së zezë dhe drejtues komunist, qe i fundit udhëheqës i një republike sovjetike që shpalli pavarësinë nga BRSS dhe më i shkathti për të nuhatur volitë. “Vinte në Moskë për të më kërkuar t’i shpjegonja të fshehtat e biznesit” kujton ish ambasadori amerikan Robert Strauss. Më 1993, i zgjedhur president prej pak kohe, Nazarbajevi i ofronte Perëndimit qindra raketa sovjetike me zbritje çmimi. Departamenti amerikan i Dejtësisë ka hetuar shpesh ish presidentin kazak për korrupsion, ndërsa miku i tij bankier, lobist në Washington, u arrestua për 78 milionë ryshfete të përvehtësuara nga shoqëritë e mëdha të naftës. I famshëm ryshfeti i një miliard dollarësh të ofruar nga vetë Nazarbajevi James Baker-it, në mes të një takimi zyrtar me sekretarin e Shtetit amerikan, që të ndihmonte një naftësjellës. Ose propozimi Bushit të ri, tre muaj mbas 11 shtatorit, për të hyrë në luftën kundër terrorizmit  në shkëmbim të një ndihme të vogël për hallet gjyqësore në Shtetet e Bashkuara. Gjatë një ngrënie mëngjezi në Rockfeller Center, Nazarbajevi i kërkoi shoqërive të naftës të derdhnin ovullin për një investim të tijin të paluajtëshëm në New York, në këmbim të kontratave. Një nip i Nursultanit, Aisultan, biri 29 vjeçar rebel i Darigës me probleme të drogës, një ditë iku në Londër dhe zbuloi, ndërmjet gjërave të tjera,  një ryshfet prej 1,5 miliardë të derdhur nga rusët e Gazpromit  gjyshit  të tij mbi një llogari të Singaporit. “Jam delja e zezë, do të më japin një helm e do të më vrasin”, paralajmëroi djali pak muaj para se të vdiste papritmas, e nuk u sqarua kurrë se si.

Këshilltarët: nga Blair tek Schröder

Në tridhjet vite, nga llogaritë e klanit Nazarbajev në Zvicër e në Ishujt e Virgjër kanë dalë para nga pak për të gjithë. Tridhjetë milionë përfunduan në fondacionin e Bill Clintonit, që më 2005 në vizitën e kryeqytetit kazak kishte thurur lëvdata publike. Të tjerë nëntë Tony Blair-it, i thirrur si këshilltar ndërkombëtar i regjimit. Në listën e këshilltarëve politikë  qëndronin edhe Romano Prodi, ish kançelari gjerman Schröder, ai austriak Gusenbauer. Në listën e miqve italianë ishte veçanërisht Silvio Berlusconi. Presidenti Scalfaro i dorëzoi diktatorit urdhërin e Kryqit të Madh. Nga ana tjetër, prej vitesh Italia është partneri i dytë i çështjeve evropiane në Kazakistan. WikiLeacs në 2012 zbulon: ndërmarrjet italiane, për të punuar, janë të detyruar të paguajnë diktatorin.

Nga kështjellat në Zvicër tek Hotel Plaza

Bija Dariga kontrollon mediat dhe partinë e vetme. Së bashku me të birin Nurali, vjehrrin Aisultan, motrat Dinara e Alija, kunetërit Timur e Bolat, mbarështon pasurinë e stërmadhe të paluajtëshme të familjes. Një listë e vështirë për t’u përditësuar: kështjella e Bellerives dhe vila koloniale me tre kate në Anières, buzë liqenit të Gjenevës (të vlerësuara në 190 milionë dollarë); kuota në Hotel Plaza që zotëron Central Park në New York (20 milionë); shtëpitë në Wall Street, në New Jersey e në Florida (30 milionë); pronësitë angleze në Chelsea, në Ascot e në Surrey (165 milionë); (Tropikalja) e Cannes (34 milionë); pastaj çifliku spanjol i Lloret de Mar, hotelet e llixhave në Republikën Çeke, të tjerë 140 milionë të shpërndarë në pronësi që Agjensia Kombëtare britanike e Krimit i përcakton si “të blera me para nga fonde të paligjëshme”.

Mbas javësh mungese, e revolte të mbaruar, Nazarbajevi u shfaq në publik për t’a siguruar atë “se nuk ka luftë për pushtet” e që padroni ishte ende ai. Ndoshta jo, por sigurisht mbetet pronar i gjithshkaje që ka grabitur, ndërsa Kazakistani që le në trashëgim me vështirësi paguan faturën e gazit dhe është në të 113-tin vënd (ndërmjet 180) në klasifikimin e Transparency International të Vëndeve më të korruptuara. Në të 157-tin e atij të lirisë së shtypit. Ka pak të ngjajshëm për ndotjen nga mbeturinat bërthamore dhe substancat helmuese. Kazakët e quajnë bukën, “nan”, një ushqim i shenjtë që simbas zakonit, kur të mbarojë dreka nuk duhet të teprojë asgjë. Drejtuesi i kombit ka qënë më i zoti i të gjithëve për të mos lënë as edhe një thërrime.

“Corriere della Sera”, 26 janar 2022     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Sociale

COVID-19: A PO KALON PANDEMIA NË ENDEMI?

February 9, 2022 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik

Ndërsa po mbyllim vitin e dytë të kësaj pandemie globale, ka disa mënyra për të parë ndikimin që pati Covid-19, si këtu në Shtetet e Bashkuara (SHBA), ashtu edhe globalisht. E para është ajo e një kataklizmi dhe për të cilën ne nuk ishim të përgatitur – e përkeqësuar nga gabimet e politikave, keqinformimi dhe pabarazia globale – që mori jetën e më shumë se 5 milionë njerëzve dhe përmbysi jetesën e miliarda njerëzve në mbarë botën. Por një mënyrë tjetër për ta parë atë, është një histori e pandemisë që fokusohet në arritjet e saj të paprecedentë shkencore: në një kohë rekord, shkencëtarët kaluan nga zbulimi i një virusi të ri në zbërthimin e gjenomit të tij, në zhvillimin e mënyrave të shumta efektive për ta parandaluar dhe trajtuar atë. Kjo mund të jetë përpjekja më e madhe e shëndetit publik në histori. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, më shumë amerikanë vdiqën nga Covid-19 në vitin 2021, vitin kur Presidenti Joe Biden mori detyrën i “armatosur” me vaksina dhe duke premtuar një ‘rivendosje të pandemisë’ nën kontroll, sesa në vitin 2020, kur ish-presidenti, Donald Trump, i cili sipas shumë njerëzve u “ngatërrua” në zgjidhjet e tij për Covid-19, por gjithësesi nen udhëheqjen e tij edhe ai dha shtytjen e tij për zhvillimin e vaksinës. Viti i parë i pandemisë u përcaktua nga fushata për fillimin e “rrafshimit të kurbës” dhe luftimeve mbi masat zbutëse si bllokimet, maskat dhe mbyllja e shkollave, SHBA-ja rezultoi dobët, veçanërisht duke pasur parasysh reputacionin e saj para-pandemisë për të qenë të përgatitur për të. Për më tepër, viti i parë u shënua me përpjekjet për të zbatuar mbikëqyrjen mjekësore dhe për të kultivuar besimin social në shëndetin publik, i nevojshëm për të frenuar përhapjen, ndërsa ne prisnim ndihmën e vaksinave. Viti i dytë i pandemisë, ndonëse i përcaktuar nga përhapja e vaksinave të zhvilluara kryesisht përmes aftesive dhe kapitalit amerikan, ka treguar të jetë më keq për SHBA-në – deri tani – edhe para se Omicron të dilte në skenën botërore, veçanërisht kur krahasohet me ekonomitë e tjera të zhvilluara.

A PO KTHEHET PANDEMIA NË NJË ENDEMI?

Për një epidemiolog, një shpërthim endemik është ai në të cilin normat e përgjithshme janë statike – nuk rriten, nuk bien. Më saktësisht, do të thotë se përqindja e njerëzve që mund të sëmuren balancon ‘numrin bazë të riprodhimit’ të virusit, numrin e individëve që një i infektuar individi do të infektonte, duke supozuar një popullatë në të cilën të gjithë mund të sëmuren. Po, ftohjet e zakonshme janë endemike. Po kështu janë ethet Lassa, malaria dhe poliomieliti. Kështu ishte edhe lija, derisa vaksinat e zhdukën atë. Me fjalë të tjera, një sëmundje mund të jetë endemike dhe e përhapur dhe vdekjeprurëse! Malaria vrau më shumë se 600,000 njerëz në vitin 2020. Dhjetë milionë u sëmurën nga tuberkulozi po atë vit dhe 1.5 milionë vdiqën. Endemike nuk do të thotë që një sëmundje zbutet fare. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz zhvillojnë imunitet ndaj SARS-CoV-2, ose shërohen nga infeksioni, virusi mund të ketë më pak gjasa të shkaktojë sëmundje të rënda. Por më pas mund të evoluojë përsëri. Lajmi i mirë është se kjo bëhet më pak e mundshme sa më shumë që popullata e botës të vaksinohet – sepse sa më pak njerëz të infektohen, aq më pak shanse ka virusi të evoluojë. Edhe në SHBA, ka një numër të madh individësh të pavaksinuar (rreth 35 përqind) dhe është e paqartë se sa do të zgjasë mbrojtja nga përforcuesit. Ndërsa ne të gjithë shpresojmë që koronavirusi do të evoluojë për t’u bërë më i butë dhe që Covid të bëhet endemik – ose më mirë, mjaft i menaxhueshëm për të mos dëmtuar jetën tonë të përditshme. Por këto janë shpresa, jo fakte, dhe përsëritja e këtyre treguesve nuk do t’i bëjë ato të ndodhin më shpejt.

Viruset synojnë të krijojnë sa më shumë kopje të tyre dhe të përhapen sa më gjerë. Edhe pse nuk është gjithmonë në interesin e tyre më të mirë të vrasin bartësit e tyre, përderisa ato transmetohen përpara se të ndodhë kjo, nuk ka rëndësi. Sars-CoV-2 nuk vret njerëz gjatë periudhës kur është më infektues; njerëzit priren të vdesin dy deri në tre javë pasi sëmuren. Me kusht që të mos evoluojë për t’i bërë njerëzit aq të sëmurë sa të mos përzihen ose nuk mund të përzihen me njerëz të tjerë ndërsa janë infektues, virusit nuk i intereson nëse ka disa viktima gjatë rrugës. Ndërsa të dhënat tregojnë se Omicron ka qenë më pak i rëndë se variantet Alfa ose Delta – ndersa të dyja këto variante shkaktuan sëmundje më të rënda sesa lloji origjinal i Wuhan. E rëndësishmja, evolucioni viral nuk është një rrugë njëkahëshe: Omicron nuk ka evoluar nga Delta dhe Delta nuk ka evoluar nga Alpha – është më i rastësishëm dhe i paparashikueshëm se kaq.

Që nga fillimi i saj, pandemia ka qenë e mbushur me slogane, por në javët e fundit, dy janë përsëritur me frekuencë në rritje: “Variantet e virusit do të evoluojnë për të qenë më të buta”dhe “Covid do të jetë ftohja e re e zakonshme dhe do të bëhet endemike”. Ndërsa ka shenja për të dy, asnjëra nuk duhet të merret si e mirëqenë. Pjesa më e madhe e asaj që dihet u mësua nga gripi, i cili shkaktoi dy pandemi me një distancë prej rreth nëntëdhjetë vjetësh, gripin spanjoll të vitit 1918 dhe gripin e derrit të vitit 2009, i cili përfundimisht evoluoi për t’u bërë më pak virulent. Megjithatë, virusi i vitit 1918 mendohet se është bërë më vdekjeprurës përpara se të bëhej më i butë. Ndërsa në përgjithësi, viruset bëhen më të butë, është një gabim të besohet se viruset ose patogjenët bëhen gjithmonë më të butë. Nëse një virus mund të vazhdojë të transmetohet dhe të shkaktojë shumë sëmundje, do të ndodhë. Covid-19 ka marrë një numër të tmerrshëm, por vlerësimet e numrit të mundshëm të vdekjeve, sugjerojnë se vaksinat shmangën një katastrofë. Në të njëjtën kohë, virusi po ndryshon në mënyra që e lejojnë atë të shmangë më mirë vaksinat, siç ka treguar varianti Omicron. Imuniteti nga vaksinat gjithashtu zbehet me kalimin e kohës. Ende shumica dërrmuese e njerëzve të shtruar në spital dhe që vdesin nga Covid-19 tani janë të pavaksinuar. Krahasuar me njerëzit e vaksinuar, të pavaksinuarit kanë 15 herë më shumë gjasa të vdesin nga Covid-19, sipas Qendres për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve  të SHBAs (CDC).

Ndërsa shenjat duket se tregojnë në atë drejtim, ideja që endemiteti është afër fundit duket paksa në kundërshtim me faktin se sapo kemi pasur disa javë rritje eksponenciale, masive, shpërthyese të infeksioneve – me shumë vende të botës vetëm tani duke parë ndikimet e saj – dhe para kësaj, ne ishim ende duke parë rritje eksponenciale të Delta. Transformimi i Covid-it në një sëmundje më të menaxhueshme, pra në një endemi, me të cilën mund të jetojmë në një normalitet të ri, vërtet kërkon më shumë sesa vetëm një fushatë vaksinimi në përmasa kombëtare apo dhe globale. Kjo kërkon një përpjekje dhe për të përmirësuar mbikëqyrjen për variantet e reja që mund të na kansosën në të ardhmen, në veçanti për të trajtuar shpërthimet në vende burim ku ato shfaqen.

Filed Under: Opinion

Integrimi europian, BE dhe SHBA: Shqipëria ka bërë përparime domethënëse

February 8, 2022 by s p

Bashkimi Europian dhe SHBA kanë shprehur mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në një deklaratë të përbashkët, delegacionet e huaja shprehen se Shqipëria ka bërë hapa domethënës. Në deklaratën e përbashkët për shtyp të Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe e Ambasadës së SHBA në Tiranë thuhet: “Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike. Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”- përfundon deklarata e misioneve diplomatike.

Filed Under: Ekonomi

POEZI: Nga Anton Çefa

February 8, 2022 by s p

PRANVERË

Mbi velin e kaltër shtrohen sofra lulesh,

krahët e mëndafshta të puhizave

na dhurojnë aromat

që u shuejnë etjen shpirtnave.

Flladet shërojnë plagët e zogjve

që shkrihen ndër melodi  t’pafund.

Pranverë,

  ti stinë e dritës dhe e melodisë së jetës.

LAMTUMIRA E STINËS NË IKJE

Cegmi shtyn

kah viset e ngrohta të jugut

grinë e heshtun të qiellit.

Nji flauri rosash t’egra

kalon me kuje nalt,

lamtumirë e stinës në ikje.

NË ZEMËR MË NGRINË NJI PLAGË

Ktheva në shtëpi

Si gjethi i zverdhun

Qi era hjedh për dhe.

Ndigjoj trokitjet e nallave të nanës

Në oborrin e shtëpisë së heshtun

Si kumbimet e bekueme

Qi binin mbi fmininë time.

Ajo s’asht ma.

Dhe as qeni nuk asht,

I miri im!

E mbyti malli.

Tani po përtypi

Lehjet e tij të mirëseardhjes

Si kafshata të njelmëta malli.

Vetëm kumbulla, po,

Më përshëndet me nji fëshfërimë të blertë

Qortimi prozhmues.

Në zemër më ngrin nji plagë

Prej bryme e bore

Rishtas e hapun.

Filed Under: Sofra Poetike

KUSHTRIMI I PADËGJUAR I KURDËVE: RINGJALLET ISISI

February 8, 2022 by s p

Nga LORENZO CREMONESI

Mos u gënjeni. Isis është I rrahur por jo i mundur. Nëse nuk na ndihmoni t’a luftojmë, do të rikthehet”. E thonin hapur milicët kurdë para gërmadhave të Baghouz, kështjella e fundit e Kalifatit në Sirinë Verilindore. Ishte marsi i vitit 2019: mbas pesë vitesh të një lufte të pamëshirshme kundër terrorit xhihadist, dhjetra mijë viktimash e një pështjellimi të  fuqishëm të koalicionit të drejtuar nga amerikanët, kurdët e krahinës siriane gjysëm të pavarur, që ata e quajnë Rojawa, na paralajmëronin. Por bashkësia ndërkombëtare I dëgjoi pak, dukej një thirrje e interesuar. Faktet e kohëve të fundit provojnë se kishin arsye për të shitur.

Isis dhe skajshmëria islamike ngrenë kokën, godasin në Niger, në Mali, në Burkina Faso, deri n’Afganistanin taleban, përveç Irakut të ndarë në shiitë e sunitë, në kundërshtim me pakicën e saj kurde, e në vetë Sirinë e plagosur nga kriza ekonomike që i shkakton vështirësi të rënda diktaturës së Bashar Asadit. Zilja e kushtrimit më shqetësues ka qënë sulmi në stil të gjërë që, javën e shkuar, jetimët e Abu Bakr al Bagdatit zhvilluan kundër burgut të Gweiranit, një kompleks i gjërë i rrethuar nga mure të lartë në rrethinat e Hasakeh, ku janë burgosur më shumë se 5.000 të papenduar, ndërmjet tyre lulja e xhihadit ndërkombëtar. Të vdekurit janë më tepër se dyqind, nuk është e qartë se ç’është bërë me 600 fëmijë, bij të “martirëve” islamikë të betejave të Mosulit e të Rakës. Luftimi vazhdoi së paku gjashtë ditë, amerikanët dërguan përforcime. E gjithë bërthama qytetare e Hasakehut mbeti e paralizuar nga shtetrrethimi. Kurdët thonë se kanë fituar, por nuk është e qartë se sa kanë ikur e sa kanë arritur kampin e afërt të Al Holit, ku janë të burgosur pothuaj 60.000 ndërmjet grave dhe bijve të xhihadistëve. Ndërkaq qeveria e Bagdatit lajmëron rritjen e sulmeve të Isisit n’afërsi të Mosulit. Kurdët duhen dëgjuar.

“Corriere della Sera”, 30 janar 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT