• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

Lamtumirë Agron Isufi

February 3, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Ai i dha familjes së tij në Amerikë dhuratën më të bukur, ate të Lirise dhe mundësisë…

Këto ditë u nga nga jeta papritur nga një goditje në zemër në moshën 67 vjeçare, Agron Isufi me banim në Staten Island, lindur, më 31 Maj 1954, Kavajë.  Ishte një lajm shumë i dhimbshëm për familjen e tij të madhe dhe për gjithë shoqërinë që e njihnin prej vitesh. Nuk do t’i harrojmë bashkë me Qemalin lotët e fëmijëve, të vëllait Kujtimit, të afërmëve si dhe të motrës së tij Olimbise më të voglës në funeral home e cila na tha: “Ishte më i madhi i fëmijëve dhe na ka mbështetur shumë, i madhi vuan tërë jetën”.  

Të lesh Atdheun, familjen është goditja më e rëndë shpirtërore që mund të pësojë njeriu përmendte shpesh Agroni në bisedat tona të here pas hershme në mjediset e kolegjit BramsonORT në Brooklyn ku dhe u njohëm dhe prej atëhere vazhdoi me plot pasterti miqësia jonë me Agronin dhe familjen e tij.  Ai merrte pjesë gjithmone në aktivitetet që organizonim në kolegj dhe ndihej krenar. Agroni kishte ardhur vetëm në Amerikë pikërisht në ditën e rënies të kullave binjake, më 11 shtator 2001. Këte fakt e përmendte shpesh dhe thoshte sikur i sollëm me vehte dhimbjet, traumat këtu në këtë vend të bekuar.  Ai erdhi pas nje kohe të gjatë sakrificash nëpër Europë për 9 muaj rresht, dhe i është dashur të flerë jashtë në të ftohtë dhe në acar. E bija e tij Shpresa tregoi se një dië dimri babi me shokum e vet dhe djalin e tij Eltonin kanë qenë në Francë dhe i ka zënë një ngricë dimri jashtë, ata nuk kishin ku të flenin përveçse në rrugë.  I ftohti i madh nuk linte as çakmakun të ndizej, dhe djali i shokut të babit, Eltoni ishte gati duke ngrirë. Babi mori një kosh plehrash ku gjeti disa letra dhe veç brenda në kosh mundi të ndizte një zjarr që u ngrohën dhe për fat nuk vdiqen nga acari i dimrit atë natë.

Heroin tonë thonë vajzat nuk e ndalën acaret të vinte në Amerikë.  Ëndrra e tij e gjatë vazhdoi për të sjellë me përpjekje e luftë bashkëshorten e tij Medaijen dhe të pesë fëmijët.

Bashkimi me familjen ishte dita më e lumtur e Agronit.  Fati e bëri të mundohej përsëri, pasi bashkëshortja e tij Medaija vetëm në moshën 45 vjeçe u nga nga jeta duke lëne pas një tufë fëmijësh të vegjël si Eliona, Oltiana, Erjoni, Shpresa, dhe Vullneti.  Sa të vegjel ishin në atë kohe, ndërsa në ditën e përcjelljes së të Atit të tyre i shikoja të rritur.

Në eulogjinë përcjellëse e bija e tij Oltiana tha se: “Maturia e tij dhe dëshira për të bërë mirë ishin rritur shumë më herët se nga vetë ai. Duke qenë se Babi ishte fëmija i parë ai i vuri shpatullat punës, atje në Mokërr të Senishtës në Pogradec.  Që rreth moshës 12 vjeçare dhe më parë, në mënyrë që të lehtësonte barrën e rëndë të vuajtjeve që sistemi komunist kishte hedhur mbi familjen e tij. Ai tregonte se si shkonte në mal për të marrë dru jo njëherë por disa herë në ditë, si e kalonte ditën vetëm me një copë bukë të thatë me sheqer, që dhe atë e kishin me kursim, si nuk kishin as një shishe për te mbushur ujë dhe si shuante etjen me ujë shiu nëper lugje gurësh. Edhe pse këto histori mbanin shumë mundim Babi ndjehej krenar me vetëveten që i kishte kaluar ato sfida, sepse sakrifica e tij kishte ndihmuar që motrat dhe vëllezërit të kishin një jetë sadopak më të lehtë se ai. 

Ai shpesh herë na kujtonte se arsyeja e vetme pse e la vendlindjen e tij ishte vetëm për te ardhmen tonë, për të na dhënë mundësinë për të ecur përpara dhe për te arritur shumë ëndrra që atij veë ja kishte bërë të ndaluara deri me persekutim të familjarëve të tij sistemi komunist. 

Rruga e Babit drejt Amerikës ishte me shumë sfida, ai udhëtoi për gati nje vit nëpër shumë shtete si Spanje, Venezuele, dhe Francë për të arritur qëllimin e tij. Gjatë kësaj periudhe ai tregonte se shumë herë kishte fjetur neper stole ne rruge me nje cope kartoni si batanije, se shumë here nuk e dinte se ku do përfundonte, dhe se po aq shumë herë e vendoste se nuk do të kthehej kurrë mbrapsht dhe se do ti jepte familjes se tij dhuraten me të bukur, ate të Lirise dhe mundësisë! Babi gjithmonë i kujtonte me shumë respekt ata-ato që e kishin ndimuar përgjatë kësaj rruge dhe thoshte se në jetë ka me të vërtetë njerëz të mirë! 

Fjala baba ka qenë dhe do të jetë imazhi me të cilin do të jemi përjetë krenar. Fjala baba për ne ishte dhe fjala nënë, pas humbjes së nënës tonë të dashur Medaije. Fjala baba për ne ka qenë emri që kemi adhuruar dhe dora që na ka mbajtur të bashkuar. Ne ngelemi gjithmonë të përulur përpara emrit të babait tonë Agron Isufi, për dashurinë e fortë dhe të pafund që na fali. 

Babai ynë Agron Isufi sot po largohet vetëm me trupin e tij. Ai do të jetojë në zemrat tona dhe të fëmijëve tanë përjetë si një baba me zemër të madhe, dhe me një përkushtim të papërshkruar. Duke e falënderuar të madhin Zot që ishim fëmiëjt e një njeriu aq të nderuar, i lutemi atij që shpirti i babait tonë të dashur të prehet në paqe dhe të jetë bashkuar me nënën tonë. 

Agron Isufi iku nga kjo botë duke përmbushur ëndrrën e tij për të pesë fëmijët që i edukoi, i rriti me sakrifica dhe i integroi me kulturë në Amerikë, vend që i dha Lirinë dhe mundësinë për gjeneratat e ardhshme.

Dritë të pastë shpirti Agron Isufi!

Lamtumirë! 

2 Shkurt, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: LETERSI

Mos e shit Portin e Durrësit zoti kryeministër!

February 3, 2022 by s p

 

Gezim Zilja/

Ç’janë këto fletë e zarfa derë më derë o Edvin Beu, alias kryeministri ynë? Po pyet popullit tonë të telendisur e varfëruar, për punëra të qeverisë, kur ky pret të mjel dhinë a delen të ushqejë fëmijët? Je bër si Fidel Kastrua qëmoti Edvin Bej me ato fjalimet “korr e mos lidh.” Tetë vjet në timon na ktheve te përsheshi me dhallë sa trahanaja na duket luks. Nuk e patëm kështu kur more bejllëkun. Tani do mendjen e fukarasë me demek do qeverisësh me popullin, që është ca sylesh me thënë të drejtën, po jo aq sa mendon ti. Me qënë se jemi te “këshillimi popullor” bej efendi, pse nuk u këshillove për Portin e Durrësit, që po ua jep falas Alabbar-ëve dhe  Emaar-ëve? Ka plot ekspertë në Shqipëri, që i dinë këto punë dhe u dhimbset Shqipëria, po ti je bërë jo bej e kryebej por edhe inxhinier, arkitekt, historian, albanolog, urbanist, ambientalist, doktor, profesor, romancier, infermier, financier, portier e refer. Me një fjalë e ke kthyer qeverinë në kotec pulash, ku këndon zotrote, si kaposhi i Përrallës së Plakës, që pillte vetëm flori. Ju po projektoni shndërrimin e Portit të Durrësit në një lloj Dubai të Evropës dhe ndërtimin e portit të mallrave në Porto Romano. Zhurma e demagogjia bëhet për kullat në portin e Durrësit, në qindra hektarë tokë të dhënë falas. Gjithë të tjerat janë në ajër ose në kokat e sëmura të qeverisë o Beu ynë sepse: 

1. Qeveria para së të japë leje për të shpërbërë Portin e Durrësit, duhet të marrë mendim nga agjencitë e specializuara: Kapiteneria e Portit, Agjencia Portuale Durrës, Universiteti dhe Akademia e Detit, përfaqësitë studimore, që merren me ndërtimin e porteve, përfaqësuesit e Bashkisë, Prefekturës, Komunitetit të Durrësit,  grupet e interesit në tërësi etj. Ky është ligj kushtetues. Pas kësaj mund të vazhdohet puna e qeverisë për dhënie lejeje, që Porti i Durrësit të kthehet në Dubai, e të ndërtohet  një tjetër mallrash në Porto Romano. Një rast i tillë po ndodh në Kroaci, ku porti ekzistues po kthehet në port turistik. Në Rijeka, Kompania vëndase ACI-Gitone në bashkëpunim me kompaninë gjermane LÜRSEN po përfundojnë dokumentacionin për ndërtimin e marinës në porto Baros në Rijeka dhe porti i konteinerëve po ndërtohet në Jug të portit ekzistues, në një thellësi uji prej 30m. Ky vendim është shoqëruar me konsultime publike me grupet e interesit, operatorët portualë, stivadorët, agjensitë detare dhe spedicionere, pilotët dhe shërbimet ndihmëse, si dhe me botën akademike. Në ndërtimin e portit turistik të Rijekës nuk janë planifikuar ndërtime banesash dhe kullash si në Durrës. Kostua e parashikuar e ndërtimit do të jetë 54,5 milion USD dhe do të jetë një koncension 30 vjeçar. Këto të dhëna mund t’i gjejë kushdo në internet.

2. Përse porti i jahteve dhe kullat o Beu ynë nuk ndërtohen në Porto Romano, duke  e kthyer atë copë tokë në  Dubain durrsak?  Nëse Alabbari ktheu shkretëtirën, ku piqet kulaçi në diell, në një  parajsë, çfarë e pengon atë, që një vend mesdhetar dhe të bekuar si Porto Romano, ta kthejë  në parajsë!? Përse ai kërkon me çdo kusht Portin e Durrësit, e ky pas tre mijë vjetësh të ngrejë leckat në krah e t’ia mbathë 6,5 km larg, në Porto Romano? 

3. Pse nuk bëhet me tender ky investim gjigand por i jepet të parit, që ofron projektin, preventin dhe paratë? Kjo është shkelje e ligjit shqiptar për tenderat. Le të bëjmë një llogari. Sipërfaqja e truallit të portit 80ha e llogaritur me 2000 ero/m2, sipas vlerës së tregut, arrin 1.6 deri në 1.8 miliard euro. Gjatësia e kalatës së portit është 2.200 metra dhe vlera e tij si port, së bashku me investimet e kryera aty, llogaritet rreth 1.3 miliardë euro. Porto Romano sipas projektit kushton 500 milionë euro dhe është investim i qeverisë shqiptare. Arabët do të investojnë 2 miliardë euro, pothuaj aq sa ia dhuron qeveria me truallin falas. Për të ndërtuar portin e ri shqiptarët do të shpenzojnë. (1.8+1,3 +0,5) = 3.6 miliardë euro. Shkurt edhe një idjot e kupton se çfarë po ndodh.  Përgjigju bej efendi se populli është i zemëruar dhe do të dijë se ç’bëhet me pronat e tij. 

4. Portet nuk ndërtohen me kërkesën e sheikëve dhe palaçove të qeverisë që shkojnë në Dubai e sillen si zorraxhinjë te Nustreti, por nga kërkesat e tregut, leverdia ekonomike dhe pozita gjeografike. Zhvillimet e sotme në transport dhe në logjistikë kushtëzojnë ndërtimin e anijeve, rrjedhimisht dhe të porteve. Tendenca e ndërtimit të porteve është të presë anijet e dhjetëvjeçarëve të fundit përfshirë dhe kontejnerët. Në Selanik ka një port modern, që është në gjendje të presë edhe anijet e kontejnerëve të tonazheve të mëdha. Në Rijeka po ndërtohet porti i kontejnerëv me një thellësi tridhjetë metra. Thellësia maximale e Portit të Durrësit është 11.5m kurse në Porto Romano për arsye gjeografike dhe teknike nuk mund të kalohet thellësia 7.5 metra dhe gjatësia e kalatave nuk mund të kalojë 200m. Ekspertët thonë se në Porto Romano nuk mund të ndërtohet dot një deep port ( Port i thellë) ku të ankorohen anijet kontejnere të tonazheve të larta. Atëherë si do të bëhet “ Porti më i madh në Ballkan dhe një shëmbull në Mesdhe mbi transportin modern detar në Porto Romano” sipas cicërimave të ministres Balluku?! Pyetja që shtrojnë specialistët është: nëse ka një deep port në Selanik, po ndërtohet një deep port në Rijeka, i aftë për të pritur anijet e gjeneratës së fundit të konteinerëve, atehere kujt do t’i shërbente ky port me thellësi 7.5 metra? Si ta quajmë këtë: padituri, babëzi apo tradhëti kombëtare? Veç kësaj një port nuk mund të imagjinohet pa lidhje me autostradë dhe hekurudhë të paktën me vendet e rajonit?! Kur do t’i bësh, e me çfarë parash të gjitha këto o beu ynë? Nëse  plani i qeverisë vihet në zbatim asnjë anije kontejnerësh e dhjetëvjeçarëve të fundit nuk mund të ankorohet në Porto Romano. Biznesmenëve tanë dhe vëllezërve kosovarë do t’u duhet të shkojnë në Selanik apo Rijeka dhe  atëherë asgjë nuk mund të korrigjohet. Për aq kohë, thonë ekspertët, ( jo gomerët) që Shqipëria nuk është në gjendje të ketë një Deep Port, Porti i Durresit mbetet e vetmja mundësi, që mos të pengohet lëvizja e panderprerë e mallrave. Dështimi i projekteve të tilla e çon në falimentim një shtet të vogël e me arkat bosh si Shqipëria. 

PS. Sipas burimeve të sigurta “Emaar Group” dhe qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe janë tërhequr nga ndërtimi i Portit Turistik të Durrësit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka pranuar zyrtarisht se as kompania e njohur dhe as Emiratet nuk janë pjesë e projektit. Në vend të “Emaar Group”, në portin e Durrësit, Mohamed Alabbar ka sjellë një tjetër kompani të tij, të regjistruar në ishujt Cayman, si kompani offshore. Më hollësisht për këtë aferë do të shkruajmë herën tjetër. 

.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gezim Zilja

ANTIKUSHTETUTSHMËRIA E SHKATËRRIMIT TË PRONËS PRIVATE NË SHQIPËRI PREJ VETË SHTETIT

February 3, 2022 by s p

Editorial nga SOKOL PAJA/

Çështja e pronës private në Shqipëri dhe pronës në tërësi është një ndër problemet më madhore me të cilat është përballur qytetari, shteti, shoqëria dhe ekonomia shqiptare që pas shembjes së komunizmit. Pamjet e tmerrshme të dhunës policore ndaj qytetarëve që mbronin pronën nga shëmbja prej fadromave të shtetit, pushtuan median në Tiranë dhe hapsirën mbarë shqipfolëse. Pleq, plaka, gra shtatzëna, fëmijë, gra e burra tërhiqen zvarrë prej shtetit në mes të ftohtit të janarit. Mundi i qyetarëve ndër dekada shembet me goditjen brutale të një fadrome shtetërore. Nënë Liza Marku teksa u filmua kur policia e tërhiqte zvarrë tek “5 Maji”, në dëshminë e saj në Komisionin Parlamentar të Ligjeve tregoi barbarinë dhe makabritetin e ndërhyrjes shtetërore mbi pronën private të banorëve te “5 Maji” në Tiranë. Liza Marku nxori para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të shtetit përbindësh në Shqipëri. Investimi, mundi e djersa e secilës familje shqiptare nuk mund të shkatërrohet me një të rënë të lapsit, por duhet të mbrohet, konvertohet dhe shpërblehet me vlerën reale të tregut e për çdo transformim duhet të drejtësi ashtu si çdo familje e nderuar shqiptare e meriton. Shembjet selektive, hakmarrjet me anë të shtetit, devijimet e projekteve me anë të korrupsionit, dhuna, presioni, tërheqja zvarrrë, paniku, frika, tensioni nuk duhet të jenë mënyra qeveritare të zgjidhjes së halleve të qytetarëve, por dialogu, dëgjesa publike dhe prirja për zgjidhjen më të mirë të mundshme në dobi të interesit qytetar dhe ligjit, jo shtetit korruptiv  dhe oligarkëve të pallateve. Në emër të zhvillimit urban dhe rural, pas çdo pojekti shkatërrimesh të pronës private prej shtetit në Shqipëri, fshihet mafja e tenderave, mafja e betonit, përqindjet e oligarkëve etj. Çdo transformim për projektet zhvëllimore të qytetit duhet përkrahur kur këto projekte vijnë për të mirën e qytetarëve dhe të komunitetit, por kur nuk ka transparencë në marrëdhënien shtet-qytetar-plan-projekte zhvillimesh, përzier kjo me arrogancën dhe dhunën shtetërore, janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Nëse i referohemi ligjit, shkatërrimet e pronës si në rastin e “5 Majit” janë të kundraligjshme pasi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si ligji themeltar i shtetit shqiptar në Nenin 11 pika 1 thuhet: “Sistemi  ekonomik i Republikës së Shqipërisë  bazohet  në  pronën  private  e  publike,  si dhe  në  ekonominë  e  tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike”. Neni 11 në pikën 2 thuhet: “Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj”. Neni 37 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në pikën 1 thuhet: “ Paprekshmëria  e  banesës është e  garantuar”. Neni 41 i Kushtetutës në pikën 1 thuhet: “E drejta e pronës private është e  garantuar”. Neni 42 i Kushtetutës në pikën 1 thuhet: “ Liria,  prona  dhe  të  drejtat  e  njohura  me  Kushtetutë  dhe  me  ligj  nuk  mund  të  cenohen pa  një proces të rregullt ligjor”. Trajtimi mizerabël i qytetarëve prej institucioneve shtetërore duke filluar nga Bashkia e Tiranës e institucionet zinxhir, janë në kapje flagrante të paligjshmërisë. Jo më kot Ambasadorja Amerikane në Shqipëri Yuri Kim duke ditur kaosin me pronat në Shqipëri, i pat kërkuar drejtorit të Agjencisë Kadastrale Lame gjatë takimit më 8 Qershor 2021, ligje dhe rregullore të qarta, procese transparente dhe gjykata të pastra që të tërheqin investime më të mëdha dhe do të hapin mundësi më të mëdha ekonomike për më shumë njerëz dhe investitorë të huaj. Sjellja arrogante dhe brutale e shtetit ndaj qytetarëve shqiptarë ka rritur numrin e padive të pronësisë në Gjykatën e Strasburgut duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të madh ekonomik. Kryeqyteti i shqipërisë Tirana është kthyer në një metropol supër e shtrenjtë dhe e pa aksesueshme për njerëzit normal të qytetit. Tirana, një qytet i ndërtuar në mënyrë të shëmtuar dhe të tmerrshme nga pikëpamja arkitekturore, urbanistike dhe infrastrukturore. Qeveria e zhytur dhe e kapur në korrupsionin e Inceneratorëve pasi që kontrollon mediat, opozitën e përçarë, shoqërinë civile, opinionin publik të kamufluar me propagandë qeverisëse, favorizon çdo akt të dhunshëm shtetëror dhe e zvogëlon pasojën dhe ndikimin e reagimin në sytë e publikut. Gjuha urryese, fyese e denigruese e kryetarit të Bashkisë Veliaj duke i quajtur qytetarët e tij si zaptues e shpellarë, përbëjnë një akt të paprecedentë në historinë e qeverisjes vendore, një akt jo njerëzor dhe jo human, mizori e rracizëm ndaj qyetarëve të tij. Tirana e zhytur në trafik, smog dhe helme, është shëndërruar në një qytet që të vret, pa ajër, pa hapsira rekreative, pa oksigjen. Në çdo cep të kryeqytetit shqiptar shfaqet tmerrshëm fytyra e pangopësisë, grykësisë dhe makutërisë së këtij sistemi oligarkik dhe korruptiv me prapavijë shtetërore. Përgjimet e tmerrshme të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj në tentativë për të zaptuar Federatën Shqiptare të Futbollit tregon kapjen e shtetit prej kryetarit të Bashkisë teksa në përgjime flet se Bashkiaku Veliaj ka në dorë SPAK-un, policinë, prokurorinë etj. Ndërsimin e institucioneve të Pavarura Ligjzbatuese Kushtetuese ndaj kundërshtarëve nuk e bën askush tjetër vetëm ai që e ka kapur shtetin kokë e këmbë. Beteja e Veliajt kundër FSHF në të vërtetë është betejë për fushat e sportit që ti kthejnë pallate korruptive për miqtë e tyre oligarkë. Fotografimi i Ministres Elisa Spiropali me biznesmenin Salillari që merr tenderat kryesore shtetërore tregon edhe një herë kapjen korruptive të shtetit prej oligarkëve të qeverisë. Shteti i së drejtës dhe shteti ligjor nuk mund të ngrihet mbi padrejtësitë që u bëhen qytetarëve të pambrojtur prej “fadromës” dhe arrogancës së shtetit që shkatërron të drejtën kushtetuese të pronësisë individuale. Akti i shëmtuar, i tmerrshëm, përbuzës dhe i neveritshëm i dhunës bashkiake, shtetërorë dhe policore mbi banorët e “5 Majit” duhet të ngrejë në protesta masive të gjithë qytetarët e Tiranës të cilët kërcënohen prej fadromave të Bashkiakut Veliaj ku në emër të zhvillimit, këto shkatërrime mbajnë erë korrupsion dhe oligarki që kap shtetin prej fyti çdo ditë e më fort, çdo ditë e më shumë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Sokol Paja

RIVALITETI POLITIK PËRBALL DY PERSONALITETE TË NJË GJAKU, ISMAIL QEMAL VLORA DHE SYRJA BEJ VLORA, SIPAS DOKUMENTEVE AUSTRO-HUNGAREZE

February 3, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku

Ndryshimet e legjislacionit te vitit 1908 hapen një proces te gjate dhe reformues ne Stamboll qe përfshinte dhe elitën politike shqiptare. Pas shpalljes se Kushtetutës se vitit 1908, me një vendim të Këshillit të Posaçëm pranë Portës së Lartë, shpallet edhe amnisti e përgjithshme perandorake. Të gjithë ata që ishin të dënuar për veprimtari politike me burgosje për arsye politike apo te dënuar ne mungese pasi autoritetet nuk kishin arritur ti kapnin për shkak se gjendeshin ne arrati, si ne rastin e Ismail Qemalit kishin te drejte te rikthehen ne atdhe. Një nder ta, qe përfitonte dhe i linte e drejta për t’u rikthyer ne Shqipëri dhe për t’u angazhuar drejtpërdrejt me politike aktive ne vend ishte edhe Ismail Qemal Vlora. Deri ne shpalljen e këtij vendimi perandorak, ai e kishte te ndaluar te rikthehej ne viset shqiptare apo kudo tjetër brenda Perandorisë Osmane. Nëpërmjet faljes, dispozite ligjore qe ju jepte të drejtën që t’i riktheheshin të gjitha të drejtat civile dhe administrative dhe  përfituan edhe shqiptarët e larguar politikisht në emigrim. Disa krerë te zonës, si bejlerë dhe agallarë të Vlorës i drejtuan një telegram Ismail Qemalit, ku i kërkonin të rikthehej në vendlindje. Padyshim qe edhe Ismail Qemali e mirëpriti dhe dëshira e tij ishte e madhe për t’u rikthyer ne Shqipëri. Kjo mbështetje dhe interes i shfaqur haptazi ne sanxhakun e Vlore-Berat dhe ne te gjitha viset e tjera shqiptare, ngjalli një fare xhelozie dhe rivaliteti te hapur midis Syrja bej Vlorës. Po ashtu shqiptaret nuk mbështesnin as vëllain e Syrjait, Ferid Pasha, i cili deri ne gusht te vitit 1908 mbajti postin e larte ne hierarkinë e Perandorisë, Vezirit të Madh.

Krerët shqiptarë ishin të ndarë, disa synonin që nëpërmjet bashkëpunimit politik me xhonturqit të arrinin të fitonin të drejtat e mohuara ndër shekuj, dhe të tjerë që vepronin individualisht pa bashkëpunuar me Turqit e rinj.

Një kandidature e forte dhe qe mund te ishte nje opozitar i forte i xhonturqve, ishte kandidatura e Ismail Qemalit qe shfaqte rivalitet në elitën politike shqiptare dhe në radhët e Komitetit xhonturk. Ne dokumentin e vjeneze zyrtare, diplomati austro-hungarez në Vlorë, Kraus shprehej për eproret e tij, se, tri ditë para se të kthehej në Vlorë Ismail Qemali, ishte kthyer edhe Syrja bej Vlora për qëllime politike. Në relacion thuhej se kthimi i tij në vendlindje ishte që të vinte kandidaturën për deputet kundra kushëririt Ismail Qemal Vlora. Kraus pohonte se i rezultonte që S. Vlora po mbillte një frymë ndasie dhe kjo po jepte efekte të shpejta. Në vazhdim të opinionit rreth kushërinjve Vlora, ai shprehej se Syrjai do të bënte agjitacion kundër Ismail Qemalit në Stamboll dhe të ishte koherent me qarqet qeverisëse, ndërsa Eqremi do t’a mbante atë korrent në vazhdimësinë e ngjarjeve. Syrja bej Vlora shihej me sy të mirë nga ata, i cili gëzonte dhe mbështetjen e Portës së Lartë për shkak të postit shtetëror që mbante dhe falë marrëdhënieve familjare që i jepej si vëllai i ish Vezirit të Madh, Ferid Pasha. Këtë e pohonte dhe konsulli rus nga Janina, në letrën e  dërguar ambasadorit rus në Stamboll, ku shprehej, xhonturqit bënin përpjekje për të penguar zgjedhjen e Ismail Qemalit për deputet, në mënyrë që të favorizonin Syrja bej Vlorën pasi e shikonin më pranë politikës së tyre, Syrjain sesa Ismail Qemalin. Po ashtu, Isamil Qemali nuk konsiderohej si një përkrahës i madh i politikes Austro-Hungareze.

Po ashtu, në njoftimin e datës 30 shtator 1908 Vlonë, pohohet se Syrja bej Vlora nxitoi për të përshpejtuar situatën për të dalë deputet. Ai përdori mjetin e ndezjes së antagonizmit fetar që ndër shqiptarët gjithnjë bënte efekt, i cili me gjithë skemat e vëllazërimit midis muhamedanëve dhe ortodoksëve të këtushëm (Vlorës) pas përtëritjes së kushtetutës, ekziston akoma ma gjatë në të dy anët. Në opinionin e tij, diplomati shprehej se Syrjai do të bënte agjitacion anti-Ismail Qemalit në Stamboll, ndërsa Eqremi do t’a mbante atë korrent në vazhdimësinë e ngjarjeve.[1]

Syrjai konsiderohej si kandidat i mundshëm për te dale deputet ne vitit 1908 edhe fale  mundësisë që i jepej si vëllai ish (Vezirit te Madh), Ferid pasha si dhe në sajë të marrëdhënieve me pallatin mbretëror qe i kishte koherent me qarqet qeverisëse.[2] Syrjai dhe vëllezërit e tij, deri para pak kohësh konsideroheshin si mbështetës të zjarrtë të regjimit të vjetër, gjë që merrej për keq nga bashkëkombësit e tyre. Por nuk duhet harruar se qëndrimi kundër Pallatit mbretërorë dhe qeverisë së Stambollit, do të kishte pasoja jo vetëm në humbjen e posteve drejtuese të larta që ata mbanin dhe të mirë paguara nga Stambolli por edhe eksilimin e konfiskimin ose së pakut lanjen pas dore të çifligjeve të tyre të gjëra në sanxhakun e Beratit, ndoshta edhe gjëra të tjera më të dëmshme.

Diplomati austriak, shprehej se, Syrjau Beu ishte një mbrojtës i vendosur i unitetit dhe integritetit të Shqipërisë. Ndonëse Syrjai nuk u shpreh se e dëshironte fundin e Perandorisë por ai ishte shprehur para diplomatit austriak se “ në qoftë se ditët e Turqisë janë të numëruara, ai dëshironte që vetëm Austro-Hungaria të merrte në dorë fatet e Shqipërisë, pasi vetëm qeveria e saj do t’u siguronte shqiptarëve integritetin e tyre, kombëtarë dhe fetar”.[3]

Ndërsa, ne popull kandidatura e Syrja bej Vlora* konsiderohej e dobët përballë kushëririt te tij, I. Qemali. Ky i fundit gëzonte respekt nga bejlerët, cifligët dhe mbarë populli i zonës.  Sipas dokumentit, Vj 18-6-617, Vlonë, më 17 shtator 1908, NO. 42,diplomati Klaus pohonte se,arritja e Syrja beut në Vlorë për të vendosur kandidaturën nuk u prit me ndonjë mbështetje të gjërë, jo më shumë se 10 veta thuhet në dokument. Nëpërmjet të biri të tij, Eqrem beu u kishte dërguar letra të gjithë agallarëve të qytetit ku lindi dhe atyre në Kaninë, mytesarifit të Beratit, Azis pashë Vrionit  dhe mitropolitit ortodoks që  ta përkrahnin kandidaturën e tij, por letra nuk u prit fort mirë.[4]Ndërsa Ismail Qemali u prit nga 39 notabilet (paria e zonës) e Vlorës të cilët nuk e takuan aspak Syrja bej Vlorën. Ne këto rrethana te vaktë mbështetëse ne popull, dashur e padashur, ishte i detyruar të hiqte dorë nga sigurimi i një mandati për deputet nga në vendlindja ose te pranonte humbjen qe pritej te ishte e thelle përballë kushëririt te tij, Ismail Qemali. Por Syrjaja edhe pse beri te gjithë fushatën përgatitore për te dalë kandidat ne zgjedhjet parlamentare te vitit 1908, u tregua i zgjuar dhe hoqi dorë me nder ne momentin e fundit dhe hapi lajmin se ai do të reflektonte për mandatin në rast se I. Qemali nuk do ta pranonte mandatin e tij.[5]  Referuar dokumentit, Vj 18-6-616, Vlonë, më 16 shtator 1908, NO. 41,Diplomati Austro-Hungarez përshkruante fushatën politike dhe strukturat organizative ne Kazanë e Vlorës, te cilat ishin te ndarë në 9 rrethe zgjedhjesh dhe popullata kishte shfaqur interes për pjesëmarrje ne zgjedhje. Kandidaturat e mundshme që përfliteshin ishin Ismail Qemal bej Vlora, Syreja bej Vlora dhe Ymer pashë Vrioni[6] por me i mbështeturi dhe qe gëzonte reputacion ne zone ishte Ismail Qemali. Zgjedhjet u zhvilluan në data të ndryshme gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1908. Një pjesë e mirë e shqiptarëve mbështeste programin elektoral të partisë ”Bashkim e Përparim” me kandidatët xhonturq. Rolin kryesorë në zgjedhjet e vitit 1908 e patën xhonturqit dhe për këtë arsye kryesisht u zgjodhën deputetë kandidatë të listës ”Bashkim e Përparim”, apo ata kandidat të mbështetur nga xhonturqit si dhe ndonjë subjekt politik që gëzonte reputacion në popull. Krahas fitores së thellë të listave xhonturke, u bë e mundur që të hynin në parlament përfaqësues me kombësi të ndryshme, përfshirë shumë deputetë nga katër vilajetet, Kosovë, Shkodër, Manastir e Janinë[7], kryesisht ishin bejlerë, hoxhallarë dhe njerëz me influence te madhe ne zone. Ajo qe evidentohet ne dokumente është se vetëm një pakice e vogël e përfaqësuesve nga krahinat shqiptare, nga ku mund te veçoj deputetet si, Ismail Qemali*, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj…, përfaqësonin forcat patriotike shqiptare[8], të cilët shfaqen hapur kundërshtitë ndaj politikës xhonturke dhe u rreshtuan në krahun e opozitës parlamentare dhe mbronin interesat kombëtare.


[1]Vj. 18-6-619, NO 48/res, Vlonë, më 30 shtator 1908, f. 51.

[2]Vj. 18-6-619, NO 48/res, Vlonë, më 30 shtator 1908, f. 52.

[3]Vj. 18-6-619, NO 48/res, Vlonë, më 30 shtator 1908, f. 53.

*Syrja bej Vlora, Ish Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve Indirekte në Stamboll,kishte tre vëllezër me pozita të larta në Stamboll dhe me marrëdhënie të mira me Pallatin Mbretëror,  nga të cilët njëri vëlla Ferid Pasha ishte ish Vezir i Madh, Neshat pasha, Nemik beu.

[4]Vj. 18-6-617, NO 42, Vlonë, më 17 shtator 1908, f. 46

[5]Vj. 18-6-617, NO 42, Vlonë, më 17 shtator 1908, f. 47.

[6]Vj. 18-6-616, NO 41, Vlonë, më 16 shtator 1908, f. 44.

[7]Historia e Perandorisë Osmane…, f. 552-553.  

* Në zgjedhjet parlamentare të 1908 në sanxhakun Berat-Vlorë dolën këto rezultate: Ismail Qemali Vlora (57 vota), Azis pashë Vlora (52 vota), Ymer pashë Vrioni (33 vota), Nushat be Vrioni (3 vota), Hajredin afeni Cakrani (3 vota). Dy të parët u zgjodhën deputet. Për më tepër shih: AIH, Vj, 18-6-625, nr. 76, f. 67-69. Vlonë, më 24/11/ 1908.   

[8] Historia e Shqipërisë…, Vëllimi II, f. 426-427. Po ashtu në Historia e Popullit Shqiptar…, f. 397.

Filed Under: Politike Tagged With: Paulin Marku

ENGJËLLORËT (ÉJLLORET) E DRISHTIT NË BURIME, DORËSHKRIME, DOKUMENTA DHE STEMA ARKIOVRE

February 3, 2022 by s p

Portreti i Pal Engjellit nga viti 1468
Dokument per emrin e Pal Engjellit kryeipeshkev i Durresit – ASV fondi Registri Laterani, vëll. 559- f

Familja e Engjëllorëve ishte një ndër ato familje fisnike shqiptare, e cila, menjëherë sapo u vendos në Itali, kërkoi të rivendoste statusin e saj prej familjeje fisnike duke rikonfirmuar të gjitha privilegjet që kishte në Shqipëri.- Privilegjet janë lëshuar dhe rikonformuar rishtas, duke u bërë të vlefshme nga papa Piu V, sikurse edhe paraardhësit e tij papët: Kaliksti III, Piu II, Siksti IV, Inocenti VIII, Pauli III, Juli III, dhe papa Piu IV, në vitin 1567, në emër dhe për llogari të Andreas Angelus.- Papa Piu V përmes një Bule, e cila përmbledh disa diploma të tjera, lëshuar nga monarkë e princër, që nga perandori Leone deri te Michaeli, i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit dhe Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë, si dhe me perandorët e Konstandinopojës.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Arkivi Sekret i Vatikanit është një ndër arkivat më të pasura në botë për historinë mesjetare shqiptare. Studimi dhe hulumtimi shkencor aty, të ofron mundësi për të nxjerr në dritë të dhëna të reja, me vlera të paçmuara duke plotësuar mozaikun e boshllëqeve për ngjarje, data, personalitete, vende etj. 

Në kuadër të burimeve historike vend të rëndësishëm zënë dorëshkrimet e pabotuara, veçanërisht ato të cilat janë të ndërlidhura me njëra tjetrën qoftë duke pasur një autor të përbashkët, duke trajtuar një ngjarje ose personalitet të kohës, krijimi i të cilave është bërë në kushte e rrethana specifike. Është e njohur tashmë se për dorëshkrime të tilla ka rezerva ose duke shkuar deri në skajshmëri, në mohimin e tyre si falsifikate dhe burime të pavlera, për një kategori specialistësh, studiuesish dhe historianësh, ndërsa në anën tjetër, ato mbrohen me këmbëngulje se janë burime me vlera të mëdha historike dhe si të tilla pasurojnë historinë kombëtare shqiptare. Të shumtën e rasteve ato mohon nga ata të cilët nuk i kanë pasur kurrë ato në dorë si origjinale, por, kanë “dëgjuar” apo “lexuar” nga të tjerë se autenticiteti i tyre vihet në dyshim. 

Kërkimet shkencore janë shumë interesante për studiues, veçanërisht për mesjetën, sepse të papriturat dhe sfidat janë shumë befasuese. Jo rrallë ka ndodhur që të shpenzohen orë, ditë e muaj të tërë, pa pasur ndonjë rezultat konkret, për një temë a personalitet të caktuar. Një gjë e tillë, nuk ndodh kur fillon të bësh kërkime ose hulumtime shkencore me për disa nga familjet fisnike shqiptare, të cilat ishin mjaft të fuqishme dhe kishin ndikim në zhvillimet e përgjithshme politike, kulturore, ekonomike, ushtarake… etj, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe më gjerë. Për familjen e Kastriotëve, tashmë është e njohur se ata përmenden për herë të parë në vitin 1368, në një diplomë – origjinali i së cilës ruhet në Dubrovnik dhe janë shkruar shumë studime, libra, artikuj, etj. Familje tjetër me shumë interes për historiografinë në përgjithësi dhe mesjetën shqiptare në veçanti, është ajo e Engjëllorëve të Drishtit. Burime të shkruara, dorëshkrime, dokumente dhe libra pak të njohur ose fare të panjohur, ruhen në shumë arkiva e biblioteka të ndryshme të Italisë, Kroacisë, Spanjës, Austrisë, Francës, Rusisë, Shkodrës, [te disa pinjollë të kësaj familje, si psh. Kamsi], etj. për këtë familje fisnike shqiptare. Deri me sot, nuk është bërë një punë sistematike, hulumtuese-studiuese, identifikuese për gjithçka ruhet për këtë familje. Është folur e shkruar shumë për disa nga dorëshkrimet e njohura të familjes Engjëllore nga Drishti, të cilat ruhen në biblioteka shtetërore dhe private. Një pjesë fare e vogël e tyre janë botuar, ndërsa pjesa më e madhe vetëm janë zbuluar dhe ende nuk janë botuar, presin studime dhe analiza të gjithanshme kritike të specialistëve nga fushat përkatëse për të bërë një vlerësim sa më real dhe të preciz si për të dhënat që ofrojnë ato ashtu edhe për saktësinë e trajtimit të tyre, origjinalitetin, autenticitetin dhe vlefshmërinë historike. Dorëshkrimet e pabotuara që na janë ruajtur nga familja fisnike Engjëllori prej Drishtit, kanë si elemente të përbashkëta, [katër prej tyre, ato nga Vatikani (dy dorëshkrime), Firenca dhe Venediku] faktin se janë shkruar nga  e njëjta dorë në fund të shekullit XV ose fillim të shekullit XVI. Ka shumë gjëra që duhen sqaruar, parë me sy kritik, rivlerësuar, ballafaquar me burime dhe dokumente të tjera, të drejtëpërdrejta apo të tërthorta, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qëndrueshme dhe të vlershme, qoftë për familjen, qoftë për pjesëtarët e kësaj familje, të cilët kishin ndikime të jashtëzakonshme në shumë zhvillime të kohës në shekujt XIV-XVII. Pothuasje të gjitha dorëshkrimet [ato që janë më shumë se disa faqe] të cilat sot ruhen në origjinal dhe janë shkruar nga pjesëtarë të kësaj familje të madhe ose për këtë familje, mendojmë ne, duhen botuar. Botimi i tyre është me shumë vlera dhe interes, sepse aty ka të dhëna të shumta nga fusha të ndryshme, për të cilat njohuritë tona janë të pamjaftueshme për kohën kur ato u krijuan apo për kohën kur ato flasin. Për shkak të peshës së tyre, nuk do të flasim në këtë shkrim për librat e botuar që kanë për autorë disa nga anëtarët e familjes Engjëllori, nuk do flasim as për ato libra, botimin e të cilëve e kanë mundësuar ata si mecenë, por do të fokusohemi në disa nga këto dorëshkrime vlera historike e të cilave është e paçmueshme, si psh. dorëshkrimi i Laurenzianës së Firencës, atao të Vatikanit dhe Venedikut, dorëshkrime këto që siç thamë i lidh e njëjta dorë që i ka shkruar. 

Njëri ndër figurat më të shquara të kësaj familje është Pal Engjëlli, kryeipeshkëv u Durrësit dhe njeri shumë i afërt i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, personalitet shumë i besuar i Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shën Markut.

Për rininë, shkollimin dhe fillimet e para të shërbimit, shugurimin, jetën baritore, etj, të Pal Engjëllit kemi shumë pak të dhëna të sakta. Pali ishte nga familja e famshme dhe e vjetër e Engjëllorëve, që sunduan për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe ishin zotërues jo vetëm të Drishtit por edhe të Tivarit, Ulqinit. Durrësit dhe qyteteve të tjera. Nuk është për t’u çuditur që shumë nga fisi i Engjëllorëve u shpërngulën në vende të ndryshme për të gjetur një jetë më të mirë, po kështu edhe Pali ynë me një pjesë të familjes së tij u shpërngulën në zotërimin venedikas, në qytetin e Trevizos. E dhëna e parë e dokumentuar vjen nga qyteti i Trevizos në Itali, ku Pali, ishte rektor i famullisë së Shën Augustinit. Pas shërbimeve disa-vjeçare në këtë famulli, ai emërohet ipeshkëv i Shasit, më 16. XI. 1440 për të shërbyer në këtë ipeshkëvi deri më 18. VII. 1446, [C. Eubel. Hierarchia Catholica…, vëll. II, f. 243; D. Farlato. Illyrici Sacri…, vëll. VII. f. 292; B. Gams. Series episcoporum …, f. 406]. Duke shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim pranë popullit nga i cili kishte origjinën, sipas dokumenteve origjinale që ruhen në Archivio Segreto Vaticano, papa Eugeni IV, në vitin e pesëmbëdhjetë të pontifikatit të tij, ditën e mërkurë, me datë 22 dhjetor e konfirmoi Palin si ipeshkëv në Drishtit, gjë që mund të lexohet në tabulat e provisioneve romane, vëllimi 22, f. 13 si dhe vëll. 75, f. 12; më 22. X. 1445 i cili shërbeu në këtë ipeshkëvi, që ishte njëherësh edhe qyteti i lindjes së tij deri më 23. IX. 1457. Aty është shkruar gabimisht viti 1446, në vend të vitit 1445. Në të vërtetë viti i pesëmbëdhjetë i potnifikatit të Eugenit IV, fillon më 12 mars të vitit 1445 dhe përfundon në të njëjtën datë të marsit të vitit 1446. Data 22 dhjetor 1445, është po ditë e mërkurë, kështu që periudha e ipeshkvit të Drishtit, në vitin e pesëmbëdhjetë të pontifikatit të papës Eugeni IV, është në vitin 1445. Në vitin pasues më 24 gusht 1446, ai paguan detyrimin e zakonshëm, për taksën e kishës së Drishtit, Obl. Cam. Ap. vëll. 70, f. 164; [Obligationes Camere Apostolice. /Detyrimi ndaj Dhomës Apostolike/.] Obl. S. C. vëll. 71, 39. [Obligationes Sacre Congregationis. /Detyrimi ndaj Kongregatës së Shenjtë/; C. Eubel, Hierarchia Catholica…, vëll. II. f. 145; D. Farlati. Illyricum Sacrum…, vëll. VII, f. 240-243; B. Gams. Series Episcoporum …, f. 406, shënon si datë të vdekjes së Pal Dushit 22. XII. 1455, por në mes të emrit e mbiemrit në kllapa shënon “Angelus” përkatësisht: Paulus (Angelus) Dusius]; C. Eubel. Hierarchia…, f. 145, ref. nr. 1, shkruan: “Qui 11 Mart. 1454 promovetur in aepiscopatum. Craynen., ita tamen ut retineat eccl. Drivasten.” Ndërsa D. Farlati, vëll. VII, f. 242, shkruan se Paulus Dussius ishte ipeshkv i: “Crainensem dicti Episcopi Dumnenses et Macarenses” duke iu referuar vëllimit IV, të “Illyricum Sacrum.” Në këtë vëllim, në f. 91-183, nuk hasim asnjëherë emrin e Paulus Dussius. Në fakt, kjo ngatërresë si duket nuk është vetëm këtu, por mund të ketë ndodhur me rastin shënimit të emrit të Pal Engjëllit, në Archivio Segreto Vaticano, fondin Obligationes et Solutiones, vëll. 72; f. 86r, ku ruhet një dokument origjinal në të cilin shkruhet se Pali, ipeshkvi i Drishtit është emëruar ipeshkëv i Trogirit në Kroaci, pra jo i Krajës. Nëse kjo është e saktë, atëherë ngatërresa vjen prej këtu. Si duket as Farlati e as Eubel, nuk e kanë pasur në dorë këtë dokument. Dokumenti për të cilin flasim është: “Die Lune V Idus Marcii, [11 mars 1454] sanctissimus dominus noster in consistorio secreto, ad relacionem domini cardinalis Sancte Crucis, absolvit reverendum patrem Paulum, episcopum Drivastensem, a vinculo, quo ecclesie Drivastensi, cui tunc preerat, tenebatur, illumque transtulit ad ecclesiam Traguriensem, per obitum domini Sabe, ultimi Traguriensis archiepiscopi, extra Romanam curiam deffuncti, vacantem, et nichillominus ecclesiam Drivastensem predictam, ut premitttitur, vacantem, eidem domino Paulo quoad vixerit regendam et gubernandam commendavit.” Ne mendojmë se Eubeli, Gamsi, Farlati dhe historianë e studiues të tjerë gabojnë kur shënojnë se Pal Dushi dhe Pal Engjëlli, janë dy personalitete të ndryshme. Studimet dhe kërkimet shkencore më të reja, hedhin poshtë pohimet se kemi dy ipeshkëv të ndryshëm në të njëjtën kohë.

Ndërsa át Zef Pllumi shkruan: “Pal Engjël (Dushi) lindi nga familja e Engjëllorëve. Tue pa ardhjen e okupacionit turk ndër kufij të Shqipnisë, një pjesë e familjes së Engjëllorëve, princa të Drishtit, u shpërngulën në Itali. Kështu edhe Pali kërkoi vend të sigurtë në Treviso, që bante pjesë në tokat e Republikës së Venedikut, pranë komunitetit Agostinjan, dhe aty iu dha në shërbim një famulli. Gjithashtu, nipi i tij Dhimitri, i biri i Andresë, vllaut të Palit, kje famullitar i kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në fshatin e Brianës të krahinës së Trevisit. Papa Eugeni IV, e caktoi Palin si Ipeshkëv të Shasit (Svaci) në vitin 1440, mbas pesë vjetësh po Papa Eugeni i dha atij selinë ipeshkvnore të Drishtit, vendlindjes së tij. Asht për t’u çuditë se në kohën e luftës ndërmjet Skanderbeut dhe Republikës Veneciane, për çashte e Principatës të Vaut të Dejës, Pali sillej nëpër Itali dhe ndihmonte Lodovikun, Patriarken e Akuilesë si zëvëndës i përgjithshëm i tij. Në vitin 1450 e gjejmë pranë Skanderbeut dhe në vitin 1452 me një dekret të Papës Nikola V emnohet si ndërmjetës për me vu paqen mes Gjergj Kastriotit dhe princave Nikollë e Pal Dukagjini, me të cilët shtëpia e Engjëllorëve kishte lidhni familjare. Pajtimi mes tyne u banë në selinë e Arqipeshkvit të [f. 123] Durrësit, në një kuvend të të gjithë princave të Arbënisë, në prani të metropolitit të Tivarit. Në vitin 1455 emnohet Arqipeshkëv i Krajnës (i Krainës) në Dalmaci tue mbajtë edhe titullin Ipeshkëv i Drishtit. Së shpejti atje i bahen shumë akuza pranë Papës, nji ndër të cilat se ai preferonte autoritetet e kishës ortodokse. Papa dërgoi Ipeshkvin e Sapës dhe të Pultit për shqyrtimin e akuzave, por nuk u vërtetue gja e keqe, sepse kur vdes Pali, ndër dokumentat e Romës për enkrologjinë emrohet për kujtimin e mirë të tij. (…) Në historinë kishtare të Shqipnisë kemi edhe nji tjetër të dhanë të çuditshme që na e përforcon ndodhjen e grupeve shqiptare nalt mbi Raguzë, ndërmejt saj, Splitit e Zarës, pra shi ku gjenden Klladusha, Jutbina e Krajna (krahinë që përmenden në Rapsoditë  Legjendare). Në vitin 1455 Imzot Pal Engjëlli, Ipeshkëv i Drishtit, emisari ma i randësishëm i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastiot Skanderbeut, emnohet arqipeshkëv i Krajnas. Vetë historiani, që e sjell këtë fakt, Farlati, mbetet i çuditun sepse mendonte për Krajën afër Shkodrës, e cila po aty ngjitun kishte Arqipeshkvinë e Tivarit, Primati i Shqipnisë dhe i Serbis, si dhe dy dioqeza të tjera, [f. 116] Ulqinin e Shasin. Megjithkëtë përkufizimet e nxjerruna nga dokumentat e Vatikanit e përcaktonin Arqipeshkvinë e Krajnës të kufizueme me Raguzën, Splitin e Zarën, atje ku ndodhej dioqeza. Pra asht e kjartë se Imzot Pal Engjëlli, një ndër njerzit ma të shquem të asaj kohe, ish transferue te shqiptarët që banojshin jashtë territorit shqiptar si arqipeshkëv i tyne dhe me detyrën  e Internuncit Apostolik, tue mbajtë titullin arqipeshkëv i Krajës dhe ipeshkëv i Drishtit.”

Gjatë hulumtimeve shkencore në njërin nga fondet më të pasura të ASV, i cili u krijua gjatë kohës së pontifikatit të papës Bonifacij IX-të, [1389-1404], dhe ndarjes së madhe të kishës perëndimore në Romë, fillon krijimi i fondit të ri të regjistrave kancelarik, i ashtuquajturi: Regjistri Laterani, të cilët një kohë të gjatë janë ruajtur në pallatin e Lateranit nga ku e kanë marrë edhe emrin. Fondi ka gjithsej 2467 vëllime dhe përfundon në vitin 1897, në kohën e pontifikatit të papës Luani XIII-të [1878-1903]. Përmbajtja e tyre kryesisht është administrata kishtare dhe nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimet dhe ngjarjet politke të kohës. Janë vazhdim i traditës Litterae communes e shënuar në Regjistri Avinjonesi, me këtë tematikë: de fructibus percipiendis; de dignitatibus; de tabellionatus officio; de prebendis vacantibus; de indulgentiis et gratiis diversis, de prebendis et dignitatibus vacaturis, de beneficiis vacantibus; de regularibus; de litteris cardinalium; de provisionibus praelatorum; de exhibitis; de iubileo; de defectu natalium; de altaribus portatilibus; de locis interdictis; de confessionalibus; de litteris ante diem; de plenaria remissione; de diversis formis; de cappellanatu honoris; de curia; de conservatoribus. Pjesa më e madhe e vëllimeve të fondit Regjistri Laterani kanë humbur përgjithmonë gjatë bartjes së arkivit Papnor nga Vatikani për Paris me urdhërin e Napoleonit nga viti 1810; si dhe pas konkordatit të Vjenës nga viti 1815 me rastin e rikthimit të tyre në Arkivin e Vatikanit. Për humbjet që ka pësuar ky fond, më së miri mund të vërehet nga regestat që kishte bërë, gjatë drejtimit të ASV [1751-1772], kardinali Giussepe Garampi.  “Schedario Carampi” faza e parë e projektit të papërfunduar: Orbis christianus, sot është me një vlerë të madhe dhe objekt studimi i çdo studiuesi që merret me këtë fond. Garampi dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë shfrytëzuar me themel dhe saktësi këtë fond; që për fat të keq, vetëm regestat e tyre, sot ne mund të shfrytëzojmë si burime të dorës së parë, ngase origjinalet janë zhdukur gjatë aventurës së Parisit. E veçanta e këtij fondi për historinë tonë kombëtare është se aty gjejmë shtrirjen kryeipeshkvive, ipeshkvive, dioqezave, famullive, kishave; pastaj emërimet, shkarkimet, disa nga relacionet, etj. etj, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme.

Nga ASV, botojmë gjithashtu edhe një stemë të Engjëllorëve dhe një të Kastriotëve. Natyrisht, që nuk dëshirojmë të bëjmë një klasifikim, duke pohuar se dorëshkrimet dhe dokumentet e tjera janë më pak të rëndësishme, përkundrazi, ato janë me shumë vlera dhe numri i tyre është shumë më i madh se sa mendohej apo është shkruar në shtyp deri tani. 

Familjet fisnike shqiptare në mesjetë, ashtu si edhe familjet e tjera europiane kishin jo vetëm tituj të lartë fisnikërie, por gëzonin edhe privilegje të caktuara, të cilat herë pas herë i konfirmonin dhe i rikonfirmonin sipas nevojës me diploma përkatëse të lëshuara nga autoritetet më të larta të kohës siç ishin perandorët bizantinë dhe më vonë papati, përkatësisht Selia e Shenjtë. E tillë është një diplomë [bulë] solemne për familjen e Engjëllorëve, përkatësisht për Ndre Engjëllin, lëshuar nga papa Piu V [1566-1572]. 

Diploma e lëshuar nga papa Piu V në vitin 1567 përmbledh në vetvete disa diploma që janë lëshuar nga perandorët dhe princët që nga perandori Leone deri tek Michaeli. Arsyeja se përse ato gjenden të gjitha në të njëjtin vend, është njohja që u bën atyre papa Piu V, dhe në bazë të kësaj njohjeje bëhet edhe konfirmimi i tyre dhe i privilegjeve që ato përshkruajnë. Dokumenti i parë i përmendur në këtë bulë është lëshuar më 25 prill 1293 nga Androniku II Paleolog, perandor i Konstantinopojës. I konsideruar si një instrument publik i së Drejtës Kanonike papa Piu V i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit, Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë si dhe me perandorët e Konstantinopojës. 

Lëshuar dhe rikonformuar rishtas ato janë bërë të vlefshme nga papa Piu V, [1566-1572], në vitin 1567, sikurse edhe nga paraardhësit e tij, përkatësisht papët Kaliksti III, [1455-1458], Piu II, [1458-1464], Pali II, [1464-1471], Siksti IV, [1471-1484], Inocenti VIII, [1484-1492], Pali III, [1534-1549], Juli III, [1550-1555], dhe papa Piu IV, [1559-1565], në emër dhe për llogari të Andreas Angelus [Ndre Engjëllit], nga Vincentium de Hippolitis Pistoriensem ac Gasparem de Mercado Romanum Jures.

Bula në fjalë ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe daton nga viti 1567, dhe në të ndodhen edhe dy stema të mirëmbajtura, që në tërësinë e tyre paraqesin elemente heraldike të familjeve fisnike shqiptare. 

Heraldika si shkencë që merret me studimin dhe prejardhjen e simboleve dhe elementeve të ndryshme, origjina e të cilave është e shumëllojshme, në Shqipëri i gjen fillimet e saj që në fund të shekullit XII, për të vazhduar deri në ditët e sotme, si pjesë përbërëse e heraldikës evropiane me të gjitha zhvillimet, ndryshimet dhe arritjet e saj. Stemat më të hershme i gjejmë në fillimet e Principatës së Arbërit, e më pas në një vazhdimësi të pandërprerë pothuajse në të gjitha dinastitë dhe familjet patronomike shqiptare mesjetare si: Albani, Araniti, Balsha, Beçikemi, Bogdani, Dukagjini, Dushmani, Engjëllorët, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Kastrioti, Komneni, Maneshi, Matranga, Muzaka, Shpata, Skura, Spani, Topia, Zaharia etj, për të mos vazhduar me familjet e tjera shqiptare nga shekujt në vijim, përkatësisht deri në fundin e shek. XIX apo fillimin e shek. XX.

Diploma është e shkruar në pergamenë dhe është zbukuruar me flori. Në të tre anët, pa pjesën e poshtme ku është përthyerja dhe ka qenë vula e papës Piu V, e cila për fat të keq ka humbur, dokumenti ka një bordurë të zbukuruar me gjerësi që varion anash 5.6 cm dhe lart 6.3 cm. Zbukurimet janë kryesisht me motive floreale. Në të dy anët e bordurës fillojnë me nga një figurë që i ngjan kupës (simbol i kalistit) nga ku dalin lule që ngjiten lart dhe kanë fruta prej ari. Lart kurorëzohen me nga një kokë engjëlli, sipër të cilëve qëndrojnë tre stema. Dy stemat anësore të vendosura sipër dy kokave të engjëjve, respektivisht ajo në të djathtë dhe në të majtë, janë stema të familjeve fisnike shqiptare që kishin lidhje gjaku me Engjëlloret, ndërsa ajo e mesit është stema e Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm).

Ngjyra dominuese e dekorimeve është e kuqja. Lart, motivet duket sikur dalin nga dy figura engjëjsh që janë në dy meset e bordurës kur ajo ndahet në mes. Engjëjt janë në këmbë dhe në të dy duart mbajnë dy si shpata me maja të ngulura në tokë, por që tek doreza shpërthejnë egërsisht në degë dhe lule që kanë fryte më të mëdha se ato anash dhe që janë të lara me flori. Dimensionet e diplomës janë 51.5 x 72.2 cm.

Stema e parë e cila ndodhet në anën e majtë të diplomës, është në formë të rrumbullakët dhe ka dimensione 7.5 x 7.5 cm. Stemat e vendosura në trupin e shqiponjës janë katër të ndara në dy shqyte sipër të cilave është kurora mbretërore. Secila nga stemat ndahen në disa kuadrate të cilat kanë simbolet e tyre, përkatësisht paraqesin stemat e familjeve fisnike shqiptare të Topiajve, Muzakajve, Arianitëve, dhe Balshajve. Të gjitha elementet heraldike që ndodhen në këto stema janë të njohura dhe paraqesin traditën dhe lidhjet e ndryshme në mes të këtyre familjeve me familjen Engjëllore, të gërshetuara përmes një simbolike interesante dhe shumë përmbajtësore.

Ndërsa stema tjetër e cila ka dimensione 7.5 x 7.5 cm, dhe është në anën e djathtë të diplomës, gjithashtu është e vendosur në një reth, por me më shumë elemente dekorative të zakonshme për kohën kur u krijua stema. Brenda rrethit janë të vendosura dy stema të ndara në katër fusha identike në të cilat dominon stema e Kastrioteve dhe ajo e Topiasve. Stema e Kastrioteve është një shqiponjë dykrerëshe me krahë të ngritur lart dhe sfond të verdhë, e cila është e njëjtë me stemat e tjera të Gjergj Kastriotit Skenderbeut të njohura nga dorëshkrime të tjera, qoftë nga Arkivi Sekret i Vatikanit, Biblioteka Apostolike e Vatikanit apo edhe nga bibliotekat e Venedikut. 

Në fund të tekstit, në anën e majtë të diplomës, është shenja dhe firma dalluese e noterit. Poshtë është një yll në formë freskoreje me tetë cepa të vijëzuar nga qendra. Mbi yll gjendet një kryq dhe poshtë yllit në dy anët janë inicialet e noterit R. B. Poshtë tyre vjen një shirit i hapur, por me anët pak të kthyera nga brenda, brenda të cilit shkruhet “o[mn]ia morte cadunt.”

DOKUMENTI I TRANSKRIPTUAR NË GJUHËN LATINE NGA:

ASV fondi: Registri Laterani, vëll. 559, f. 31r-v.

19 mars 1459

Papa Pius etc. Dilecto filio Paulo electo Duracensis salutem etc. Suscipti cura regiminis cor nostrum continua pulsat instancia et solicitudinis debitum ad quod universis orbis ecclesiis nos apostolice servitutis necessitas obligat earum singulis prout nobis ex alto conceditur consulamus in eo potissime ut illarum regimina que propriis sunt destinati pastoribus personis talibus committanter per quarum solertiam circumspectam et solertem circumspectionem ecclesie ipse in spiritualibus et temporalibus valeant adangeri. Dudum siquidem bone memorie Stephano episcopo Duracensis regimini Duracensis ecclesie presidente. Nos cupientes eidem ecclesie cum eam vacare contingeret per operationis nostre ministerum utilem et ydoneam presidere personam provisionem eiusdem ecclesie ordinationi et dispositiam nostre ea vice duximus specialiter reservanda detrimentis ex tunc irritum et inane si secus super hiis per quoscumque quamvis auctoritate fratris vel ignoranter contingeret attemptari. Postmodum vero prefata ecclesia per obitum eiusdem Stephani archiepiscopi qui extram Romanam Curiam diem clausit extremum pastoris solatio destituta. Nos vacatione huiusmodi fidedignis relatibus intellecta ad provisionem eiusdem ecclesie celerem et felicem de qua nullus preter nos hac vir intromittere potuit neque potest reservatione et decreto obsistentibus supradictis. Ne ipsa ecclesia prolixe vacationis expondendur incommodis paternis et solicitis studiis intendentes post deliberationem quam de preficiendo eidem ecclesie utilem et etiam fructuosam cum fratribus nostris habuimus diligentem Demum ad te ipsius ecclesie archidiaconum Baccalarum in decretis orditum nostrum in sacerdotio et etate legitima constitutum cui de literarum sacramentia vite munditia honestate morum spiritualium providentia et temporalium circumspectione aliisque virtutum mentis apud nos fidedigna testimonia perhibentur. Direximus oculom nostre mentis quibus omnibus debita pensatis meditatione de persona tua nobis et eisdem fratribus ob dictorum tuorum exigentiam meritorum accepta eidem Duracensis ecclesie de eorumdem fratrum consilio auctoritate apostolica providemus. Cumque illi preficimus in archiepiscopum et pastorem curam et administrationem ipsius ecclesie tibi in spiritualibus et temporalibus plenarem committendo in illo qui dat gratias et largitur premia confidentes quod ducigente domino actus tuorum eadem ecclesia per tue circumspectionem industriam ac studium fructuosum sub tuo felici regimine dextera dominum tibi assistente propitia salubriter et prospere dirigatur ac grata in eiusem spiritualibus et temporlaibus suscipiet incrementa Iugum igitur dominum tuis impositum humeris prompta devotione suscipiens curam et administrationem predictas sic exercitere studeas solicite fideliter et prudenter quod ecclesia ipsa gubernatori provido et fructuoso administratori gaudeat se commissam Cumque praeter eterne retributionis premium benevolentie nostre gratiam exinde uberius consiqui merearis. 

Datum Senis anno incarnatione dominice millesimoquadringesimo quinquagesimonono quatrodecimo Kal. Aprilis anno secundo.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT