• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

NJË AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË SI DIPLOMATI MAL BERISHA

March 19, 2022 by s p

Nga Dalip GRECA*/

Libri që promovojmë sot në Vatër”Ambasador i Pushtetit të Butë” i diplomatit par exellent Mal Berisha mendoj se i kalon kufijtë e një ditari me shënimet dhe mbresat e një diplomati, ai është më shumë se kaq, është një libër për dashurinë dhe devocionin ndaj Kombit, është një libër për diplomacinë dhe miqësinë, për historinë, humanizmin, mbi të gjitha siç ka titullin është një libër për Diplomacinë kulturore ose Pushtetin e butë, një libër që të mëson se si t’i duash njerëzit dhe vendin tënd me përkushtim dhe si t’i kapërcesh situatat e vështira pa u kthyer kurrë mbrapsht.

Libri është voluminoz me më shumë se 500 faqe, i organizuar në gjashtë kapituj-nga Kreu parë tek gjashti, shkruar me një stil original që e dallon autorin se është vetja, një stil rrëfimtar, emocional, përmes të cilit ambasadori Berisha e mbanë lexuesin të mbërthyer pas ngjarjeve, shumë prej të cilave të japin tronditje të fortë emocionale, ku shfaqet diplomati dhe njeriu.

Ai që rrëfen, pra ambasadori, është jo vetëm diplomati, por mbi të gjitha njeriu, që ashtu si lexuesi ka shpirt që ndjen; shpirt që dhemb, dhe jo vetëm si prind për djemtë e tij, kur ndodhen të vetmuar para oqeanit të frikshëm të jetës, të mërguar në moshë fare të re, duke jetuar e u shkolluar larg prindërve, por edhe kur shkon nga kjo jetë i biri i një miku, siç është rasti i Atjonit të Visar dhe Eda Zhitit-ai vajton; apo kur humb jetën një pacient që kurohet në Stamboll, qoftë ai dhe i panjohur…Rrëfen një shpirt që ndjen edhe kur bën një punë të mirë për kombin, edhe kur zgjidh një çështje të komplikuar diplomatike, edhe kur merr një porosi urgjente, që të jep tension siç ishte rasti i marrjes së vizës për Presidentin Berisha në Konsullatën e Indisë në Stamboll, ndërkohë që pasaporta duhej marrë nga Tirana e duhej kthyer po në Tiranë me të njëjtin avion, kur kalkulimet kohore janë të limituara, krahas kohës së fluturimit vajtje-ardhje të avionit, i lejojnë vetëm një orë brenda dy fluturimeve;- të udhëtimit të pasaportës Tiranë-Stamboll-kthim, dhe nisjes së presidentit Berisha drejt Kalkutës, ku do të merrte pjesë në ceremonite mortore, homazheve,varrimin, meshen për Nënë Terezën.Ndërsa ndjek dinamikën e veprimeve, nuk i shpëton ankthimit të rrëfimit.

  Në libër ndesh dhe probleme madhore, çaste kritike për shtetin shqiptar, siç është rasti i vitit ’97, kur fqinji ynë Jugor kërcënon integritetin e kufijëve të Shqipërisë,-ky pretendues dhe lakmues i hershëm i  trojeve jugore të Shqipërisë tenton ta shfrytëzojë situatën e krijuar në vitin e mbrapshtë, tenton të fusë trupat ushtarake dhe ta bënte fakt të kryer marrjen e “Vorio Epirit”. Shqipëria ndihet e kërcënuar- Zbritja me helikopter e zevendësministrit të Punëve të Jashtme, Kranis Idiotis në Kalanë e Gjirokastrës, prej nga iu bëri thirrje të ashtuquajturve ‘Grupeve të Shpëtimit Kombëtar’, që të mblidheshin dhe ta përmbysnin pushtetin e ligjshëm shqiptar dhe të vendosnin administratën greke në vend të tij-ishte një ngjarje e paprecedent, që e shqetësojë shumë diplomacinë e re shqiptare të shtetit demokratik. Dhe Konsulli Mal Berisha, që fati i dha mundësinë të ishte në vendin e duhur në kohën e duhur, ishte një nga tre diplomatët që vunë në lëvizje shtetin turk për të ndaluar të keqen.

      Përmes librit lexuesi mëson se çfarë u luajt pas perdes, si dolën 12 pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke në mbrojtje të integritetit të Shqipërisë. Së bashku me mikun e tij Enver Tali, konsullin e Kosovës, një mik dhe personazh i dashur për ambasador Mal Berishën, si dhe me Ambasadorin Shqiptar në Ankara, Skënder Shkupi, arritën të takonin numrin 2 të partisë qeverisëse, krahu i djathtë i zv/kryeministres dhe Ministre e Punëve të Jashtme në qeverinë e Erbakanit,-Tansu Çiller. Ai i dëgjoi me vëmendje diplomatët shqiptarë, dhe pas kësaj bisede,lindi deklarata që përmbante 12 Pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke, që e shpëtuan Jugun e Shqipërisë. 

    Pas bisedës Konsullit Mal Berisha iu dorëzua Letra e shtabit të Ushtrisë Turke, që u përkthye aty për aty dhe u dërgua në Tiranë dhe media ia përcolli atë publikut të gjerë.

Edhe shtypi turk menjëherë përcolli lajmin. Citoj:“Tre diplomatë shqiptarë të akredituar në Turqi patën një takim shumë të rëndësishëm me personalitete të larta turke.Ata i paraqitën palës turke shqetësimin e madh për rrezikun që i kanosej vendit të tyre. Disa orë më vonë, diplomatët u njohën me një dokument prej 12 pikash nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke lidhur me aksionin, që do të ndërmerrej në Lindje të Greqisë në rast të një agresioni të kësaj të fundit ndaj Shqipërisë. Kjo bëri që planet greke të mbeteshin vetëm në lojën e fjalëve të qeveritarëve dhe në mendjet e sëmura të organizatave Vorio – Epiriote”. 

Po ashtu diplomacia shqiptare në Turqi ishte shtysë për takimi e 18 shoqatave shqiptaro – turke me Presidentin Turk Süleyman Demirel.

Cilat ishin pasojat pozitive?

-Më datën 29 Mars 1997, pas një takimi urgjent me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneralin Ismail Haki Karadaĝi, zv/ kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Turqisë,Tansu Çiller, deklaroi përsëri para shtypit dhe medias turke: “Turqia është e vendosur të ruajë integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëtimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri është i palejueshëm dhe do të ishte turp për Evropën, ndaj nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”. -(Marrë nga e përditshmja turke “Turkish Daily News”, 30 Mars 1997). 

Shërbimi dhe veprimtarite diplomatike në Konsullatën e Stambollit zënë 133 faqe të këtij libri, dhe përpos këtyre që përshkrova, në mendje të mbeten rrëfimet për Enver Tali- Marathonomaku i Lirisë, -Përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim, që në  Dhjetor 1995, I ndihmuar edhe nga diplomacia jonë në Turqi, hapi përfaqësinë Republikës së Kosovës në Stamboll.Libri na njeh me veprimtaritë e shumta që u kryen përmes këtij institucioni gjysëm legal.

Me interes lexohen rrëfimet-SA FÉ USHTROJNË SHQIPTARËT? -Takimi i Feve Monoteiste në Stamboll-(Vjeshtë 1993)-Si u kapërcye tendenca për t’i përçarë shqiptarët, duke e përcaktuar bektashizmin si fe të katërt, por diplomacia shqiptare në mirëkuptim me krerët fetar, arriti që ta shmangë “kurthin, që i kishin ngritur Shqipërisë, e cila e ka vlerë të trashëguar harmoninë fetare.

 Me kurreshtje lexohet edhe vizita e Presidentit Sali Berisha në Turqi dhe organizimi i takimit të pa parashikuar me Presidentin Izraelit Ezer Weisman- siç lexohen dy vizitat në Turqi te ish kongresistit republikan amerikan në vitet 1994 dhe 1995, President të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi, takimet me Yasemin Dobra Manço, mike e Shqipërisë,Parandalimi i Bosnjës në Kosovë etj.

   Me interes janë përpjekjet e Konsullit Mal Berisha në kërkim të gjurmëve të Nolit në vendlindjen e tij, Ibrik Tepe-Trakë, së bashku me professor John Freely, takimi me gazetarin Emin Sahatçiu; lobimi për çështjen shqiptare, veçanërisht për Kosovën e okupuar nga serbët etj.

  Që në ditët e para të shërbimit diplomatik Konsulli Mal Berisha, duke pasur pranë një kryekonsull model, të kulturuar, intelektual klasi si z. Orhan Zarshati, nis aplikimin e filozofisë të pushtetit të butë, aq i domosdoshëm për shtete e kombe të vegjël. Veprimtaritë kulturore, ekspozitat, koncertet e artistëve me emër në Stamboll dhe Tiranë, nisi të japë frytet e e diplomacisë aktive.

        ***

E përsëris ambasadori Mal Berisha rrëfen bukur. Kur rrëfimi vjen nga shpirti ka sinqeritet, ai të bën për vete, të emocionon, ta drithëron qenien.Kur tregon fate tragjike të pacientëve shqiptarë që kuroheshin në Stamboll nga veshkat me ndërmjetësinë e Konsullatës shqiptare, falë një marrëveshje xhentelmenësh të arritur nga Ministritë e Shëndetësisë të dy vendeve, ku zbatuse e marrëveshjes ishte Konsullata  Shqiptare, e cila duhej të përkujdesej për të sëmurët, për strehimin e tyre, për gjetje sponsorësh, por edhe për anën njerëzore. Lexuesi mbetet në ankth për fatin e secilit pacienti, kur sheh se si konsulli bashkë me familjen bëhen jo vetëm strehë e parë e pacientëve, para se të shtroheshin në spital, por ata kryenin edhe rolin e familjarëve të munguar për pacientët duke bërë sakrifica për t’iu ndodhur atyre pranë, kohë e pa kohë, natën dhe ditën, madje duke respektuar traditen shqiptare, duke u derguar dhurata simbolike.Ky sherbim mbartete edhe rreziqe per personelin e Konsullates dhe familjaret e tyre. Shumë prej të sëmurëve me veshka që vinin nga Shqipëria mbartnin dhe infeksione që përbënin rrezik për familjarët e diplomatëve të Konsullatës, por ata i trajtonin sikur t’i kishin familjarë të tyre. Mendoj se ky akt dhe të tjerë, tregojnë fisnikëri, më shumë se sa humanizëm. Dhe ishin jo pak që morën ndihmë në Stamboll, por 156 pacientë dhe pasi i shtronin për kurim, nuk harronin që t’i vizitonin në spital e të përkujdeseshin për ata.Përshkrimi i rasteve targjike, kur pacientët nuk arrinin në spital, pasi shkonin ne graden e fundit e si pasoje humbnin jetën në udhëtim,dhe duheshin kthyer në Shqipëri trupat e tyre, apo rasti i 13 vjeçarit Hasandoçi, që nuk i funksionin të dyja veshkat,- nga që nuk u gjet një dhurues veshke, pranoi e ëma të bënte dhurimin e veshkës së saj, por fatkeqsisht organizmi i 13 vjeçarit nuk u përshtat me veshkën e nënës dhe pas 2 muajësh ndërroi jetë në Shqipëri. Familja e konsullit pikëllohet sikur ta kishte njeriun e familjes.Por jo më pak dhimbje e përkujdesje mbart dhe rasti i Afërdita D, që ndërroi jetë në spital. Gjatë këtij rrëfimi shprehet jo vetëm dhimbja e familjes së konsullit Mal Berisha, por dhe humanizmi i saj për t’u përkujdesur për të birin e pacientes së vdekur, ku Donika, bashkshortja fisnike e ambasadorit, luan rolin e nënës për ta qetësur të birin e se ndjeres,i cili kalon në krizë momenti che perplaset me personelin e spitalit, duke e konsideruar fajtor.Familja  e merr djalin në shtëpinë e vet dhe përkujdeset për kthimin e trupit pa jetë me shpenzimet e tyre. 

       ….Takimi dhe rrëfimi për Kadri Roshin, mikun e tre presidentëve: Dr. Berishës, Dr, Rugovës dhe presidentit Demirel, dhe zonjën e Tij Drita, që u operua nga zemra në Stamboll, përbëjnë një nga rrëfimet e bukur, emocionues te ketij libri. Kadri Roshi ishte një mik i hershëm edhe i Konsullit Mal Berisha. Telefonata e artistit të madh Kadri Roshi një natë të vonshme nga nhe spital ne pjesen aziatike te Stambollit, mbart dramën e tij, që konsulli përpiqet t’ia lehtësojë, por sjell në libër dhe kujtime nga koha e shkuar….

         Në përshkrimet e tij ambassador Berisha aplikon me mjeshtëri kthimin pas në kohë gjatë tregimit të ngjarjeve. Retrospektiva, sjellja në kujtesë e njohjes me Kadri Roshin, vënia në skenë e dramës “Tokë e ndezur” të Fahri Balliut me trupën amatore kosovare në Borizanë, është përshkruar mjeshtrisht dhe përcjell emocione të forta.Ashtu siç dëneste publiku që ndiqte trupën amatore gjatë shfaqjes të luajtur ne pallati e kultures se Laçit gjate Olimpiades Kombetare te amatoreve, vene ne skene nga amatorët e Borizanës nën regjinë e të madhit Kadri Roshi, mendoj se po ashtu dëneset dhe lexuesi kur lexon rrëfimin e ambasador Mal Berishës. Ishin Kohe te nxehta per Kosoven.

         Mendoj se libri” Ambasador i Pushtetit të Butë” mbart vlera të shumfishta: diplomatike, historike, Kombëtare, sociale  dhe letrare. Autori rrëfen bukur, përdor fjali të shkurtra me sintaksë të thjeshtë,njeh mjaft mire morfoogjine, dhe ka gjuhe te paster.Ai të tërheq në rrëfimin e tij, nderton situata te ngarkuara emocionalisht, të shuan dhe kurreshtjen gjatë përshkrimit të objekteve, siç është rasti për Konsullatën e Vjetër të kohës së diktaturës në Stamboll, ku përshkruan “dhomën e Partisë” dhe “dhomën e Sigurimit”, që ngjanë me vendet e fshehta të sekteve fetare….etj.

      Me sa kam vënë re edhe në librat e tjerë të autorit ai është shumë pasionat dhe hulumtus dhe investigues për detajet historike të ngjarjeve që përshkruan, kur herë pas here kthehet pas dhe gjurmon historinë. Psh tek përshkruan “pritjen me rastin e Festës së 28 nëntorit 1992 në Hotel Mercury, ai sjell fakte historike se aty pranë ishte dhe Hoteli “Perla Palas”, nga ku ishte nisur për misionin e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit Ismail bej Qemali dhe se po në të njëjtin hotel, ka bujtur edhe mbreti Zog gjatë udhëtimit të tij mërgimtar dhe se në librin e njerëzve të shquar, të cilët kishin qëndruar në atë hotel, figuronte edhe emri i Tij, përkrah emrit të Mata Harrit.Po ashtu kur shërbente ambasador në Londër, ai kthehet pas në kohë dhe ndjek gjurmët e mqëve anglezë të kombit tonë.

Ambasador Mal Berisha, siç shprehet shkrimtari, gazetari, dhe diplomati Besnik Mustafaj, ish Minisitër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe ish ambasador në Francë, i takon atij brezi diplomatësh shqiptarë, të cilët hynë në shërbimin e jashtëm të Republikës sonë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fill pas kthesës së madhe, që mori historia e Shqipërisë. Si i tillë, ambasador M. Berisha përshkruan në libër ndryshimin e madh mes diplomacisë së diktaturës komuniste dhe Diplomacisë së re. Diplomacia komuniste kishte si parim izolimin, ku porosia(sipas konsullit paraardhës) ishte e prerë: “Nëse do t’ua jepni dorën konsujve amerikanë, anglezë e izraelitë, më mirë kthehuni vetë në Shqipëri dhe jepni llogari, për tradhti ndaj atdheut!”, ndërsa shërbimi i ri që përfaqësonte diplomati Berisha dhe personeli i ri,kishte për moto hapjen e Shqipërisë ndaj botës!

 Rrëfimet e Stambollit mbyllen me “Telefonata e fundit” dhe “lamtumira”.E para na shpalos përmasat e një legjende shqiptare, ku nje letër e ish editorit të gazetës Illyria Vehbi Bajrami, për të gjetur gjurmët e një familje shqiptare, të shpërndarë mes Amerikës dhe Turqisë, edhe pse asimilimi ka bërë punën e vet, madje kanë pësuar ndryshime dhe elementët thelbsor të identifikimit, Konsulli, edhe pse ishte në fundin e shërbimit, i gjenë gjurmët e pjeseve te ndara dhe e bashkon virtualisht familjen e ndarë mes kontinenteve.E sa shërbime të tilla kreu konsulli Mal Berisha, përveçse bëri shërbime të çmuara per shtetin shqiptar? Kreu me devocion detyrimin njerëzor, shpirtror dhe diplomatike ndaj Kosovës së okupuar? Lexojeni librin dhe do të gjeni atje gjurmët e një pune të jashtzakonshme kombëtare.

  Në të gjashtë kapitujt e librit gjenë gjurmët e punës të diplomatit të pushtetit të butë.Edhe kur ia hoqën pasaportën diplomatike ata që erdhën në pushtet pas revolucionit të ’97-tës, ai nuk u dorëzua. Me shpenzimet e veta e çvendosi veprimtarinë në Amerikën e Lirisë dhe Demokracisë. Ku më mirë se sa në Amerikë, ku merren vendimet e Botës, mund të ndihmohej Kosova për ta çliruar nga pushtuesi serb?

 Përmes librit njihemi me punën titanike të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit të saj Joseph DioGuardi dhe bashkëshortes Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte për Ballkanin;njihemi me lobimin e fuqishëm të çështjes shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës.

Ambasador Mal Berisha e lartëson veprën e ish kongresistit republikan Joe DioGuardi, duke i dhënë meritat që i takojnë, por dhe duke përshkruar me detaje lobimin, ku dhe vetë ambassador Mal Berisha ishte pjesë vullnetare e Ligës.

Autori shkruan: -Me krijimin e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joseph DioGuardi doli si lobist shumë i fuqishëm dhe efektiv, njësoj siç ishte “Vatra” më parë, e cila i doli zot Shqipërisë me parullën noliane“Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”

– Vetë ambasadori Mal Berisha u vu në dispozicion të Ligës. 

– Edhe pse ishte pa Pasaportë diplomatike diplomati Mal Berisha nuk kurseu asgjë për t’u vënë në shërbim të çështjes së Kosovës-në libër do të gjeni shënimet për darkën për Kosovën me kongresmenë, si Benjamin Gilman, takimet në Këshillin e Marrdhënieve me Jashtë në Kongres -Me Senatorin Robert Dole, ish Sekretarin e Shtetit,Henry Kissinger etj…

– Emocionuse janë tregimet për ardhjen e shqiptarëve të Kosovës në bazën ushtarake në Fort Dix ku zbritën rreth 6 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës, rërfimet janë prekse, sureale, ta ndalin zemrën. Do të mjaftonte vetëm rrëfimi i dhimbshëm”Përqafimi-Shehrija jetime, dhe të ndjesh në qenien tënde si lexues tragjedinë dhe dramën e shqiptarëve të Kosovës. Intervista nga oficeri i emigracionit qe i beri Sherijes ne prani te Mal Berishes, ta ndal friment, dhimbje, dhimbje…,.

Një rol të rëndësishëm luajti ambasadori Mal Berisha në informimin e opinionit publik amerikan në 11 emisione televizive, ku përballoi edhe debate me serbët.

Në libër zë vend dhe kumtesa për Vatrën në 90 Vjetorin e Diellit- Roli i “Vatrës” dhe i “Diellit” në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, e përshkruar nga katër autorë të huaj -Edewin Zhak, Dr.Harris Silajxhiç me librin “Shqipëria dhe shqiptarët në Arkivat e Washingtonit”, Dr. Charles Telford Erickson, mik i shquar i “Vatrës  si dhe Edith Pierpont Stickney, me librin“Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet evropiane ndërkombëtare nga viti 1912 deri më 1923”, botuar më 1925 –

-Vend të rëdësishëm zë në libër edhe Konferenca e Rambujesë dhe kontributi i Presidentit të Ligës Qytetare Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Ai ishte një nga oponentë e fortë kundër tekstit të Marrveshjes, që realisht e linte Kosovën nën autonominë Serbe.Shqiptarët duhet t’u jenë mirënjohës serbëve që nuk e nënshkruan marrëveshjen që e linte Kosovën me një lloj autonomie nën Serbi.

         Autori sjell detaje edhe përkontributi e LQSHA-së nëpërmjet librit historik “Shpëtimi në Shqipëri”(botunar ne 10 mije kopje ne gjuhen angleze due 2 mije kopje ne gjuhen shqipe-perkthyer nga Mal Berisha) dhe ndikimi që pati tek Lobi Hebraik në SHBA dhe në botë. Do të mjaftonte detaji qe sjell autori me një nga kontributorët e Ligës, z. Agim Aliçkaj, i cili me librin në dorë, ulet në gjunj përpara ish sekretarit të shtetit Amerikan Kissinger,nje filgure elitare e politikes boterore me ndikim te jashtzakonshem, i cili e kundërshtonte në fillim bombardimin e Serbisë, por më pas ndryshoi mendim dhe deklaroi në CNN International natën e 24 marsit 1999“Duhet shpëtuar populli shqiptar i Kosovës nga shfarosja, por edhe nderi i SHBA-së.Tani nuk ka kthim pas”. …

Nga viti 2000 deri në vitin 2009 diplomati Berisha kontribuoi drejtërsëdrejti në Kosovë duke punuar në Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, duke dhene nje contribute me shume vlera. 

Në vitin 2009 ai do të rifillojë missionen zyrtar diplomatik në Minisitrinë e Jashtme, duke dhënë kontribut të veçantë në diplomacinë rajonale. Ai do te ishte i pranishem edhe ne Gjykaten Nderkombetare te Hages, kur u dha vendimi per te drejten e Shpallje se Pavaresise se Kosoves.

Nga Qershori 2009, loboi për Kosovën në Lindjen e Mesme, si Siri, Liban, etj.

‘Diplomacia kulturore”- “Pushteti i butë” qe buron nga filozofia e Joseph Nye mendoj se është realizuar më së miri gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe, fillimisht si i ngarkuar me Punë Aditerim -2012-2013, më pas ambassador në Londër, ku shkëlqejnë: Vendosja në Londër e Bustit të heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbe,një aventurë e guximshme, që ka në themel të realizimit vetë ambasadorin me miqtë që e mbështetën, edhe pse 8 mijë Euro të shpenzuara per kete qellim nga kursimet e buxhetit familjar, ende nuk janë dhënë nga Ministria e Kulturës dhe shteti shqiptar!

Së dyti-“Notes on Albania” në tre edicione , ku u provua Shqipëria Kulturore me VIP-at neper Bote, dhe anglezët në vend të kronikave të zeza për shqiptarët që mbizotronin median angleze, panë anën tjetër të medaljes, shqiptarët e famshëm dhe anglezët e amerikanet-miq të Shqipërisë.

Sinqerish, unë nuk njoh ambasador tjetër ne keta 30 vjet demokraci që të ketë bërë aq shumë për kombin tonë se ç’bëri ambasadori Mal Berisha gjatë karrierës së tij të ndërprë nga pushteti partiak, edhe kur nuk kishte post diplomatik, por në mënyrë të veçantë gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe. Ai ishte promotor i promovimeve kulturore, historike, si përparësi e pushtetit të butë: Ambasdor Berisha jo vetëm kreu detyrat që i diktonte posti i ambasadorit, por pati kohë të afronte pranë ambasadës Shoqatën Anglo – Shqiptare (AAA) në Londër, të ndiqte gjurmët e familjes angleze Herbert – mike e shqiptarëve dhe të mikut të çmuar që bëri aq shumë për Shqipërinë “Charles Telford Erickson, amerikani qe i kushtoi jetën Shqipërisë”, të ndiqte gjurmët e Edith Durham, të ndiqte shqipërimin Nolian të Shekspirit, të sillte në Londër artistët e shquar shqiptar, të vendoste bustin e Skënderbeut në Londër dhe në zonën arbëreshe të Molises -Itali,të gjurmonte historinë e Skënderbeut tek autorët anglezë  etj etj…

Në fund e falenderoj ambasadorin Mal Berisha për kënaqësinë që na dhe me këtë libër me rëndësi të veçantë për historinë e diplomacisë shqiptare.Le të presim se së shpejti do të promovojmë edhe librin e ri qe ambasadori e paralajmëron në këtë libër, siç ka promovuar Vatra edhe librat e tjerë të tij. Faleminderit ambasador Mal Berisha, anetar Nderi i Vatres shqiptare!

*Mbajtur gjatë promovimit të librit në Vatër me 15 Mars 2022.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasador. Pushteti i Bute, dalip greca, Mal Berisha

HISTORIA E ILIRISË NGA ANTIKITETI DERI NË SHEKULLIN E XVIII NË KORPUSIN NËNTË VËLLIMËSH ILLYRICUM SACRUM

March 18, 2022 by s p

Duke i dhuruar kompletin e pare te Illyricum Sacrum presidentit te Kosoves dr. Ibrahim Rugova
Kollana Illyricum Sacrum ne nete vellime
Me kollanen Iliricum Sacrum

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest/

Korpusi Illyricum Sacrum është vepra më e plotë dokumentare e shkruar ndonjëherë për historinë e territoreve të Ilirisë së dikurshme të Justinianit. Themi kështu jo vetëm, sepse përfshin dokumente nga një periudhë e gjatë kohore, përkatësisht që nga antikiteti deri në shekullin e tetëmbëdhjetë, dokumente këto që u referohen të gjitha territoreve që quheshin Iliri në kohën e Justinianit, por edhe për shkak të shumëllojshmërisë së çështjeve që trajtohen në këto dokumente. Në këto dokumente gjenden të dhëna jo vetëm për vendndodhjen, historinë dhe kulturën e qyteteve dhe të qendrave të ndryshme të qytetëruara, ekzistuese apo të zhdukura me kalimin e kohës, por edhe për personalitete të ndryshme që janë pak apo aspak të njohura gjetiu. Është e vërtetë që këto personalitete vijnë kryesisht nga jeta dhe hierarkia kishëtare, por ato përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së inteligjencës së popullsisë gjatë periudhës kohore prej antikitetit e mesjetës, dhe dokumentat që ndriçojnë këto personalitete na ndihmojnë për të parë në një dritë më të plotë jetën, aktivitetin dhe mentalitetin e individit në periudhat përkatëse, zhvillimet shoqërore, ekonomike, politke, tregtare, ushtarake, kultuore dhe shpirtërore të popujve që jetuan në këto treva. 

Illyricum Sacrum, i cili erdhi në dritë si rezultat i punës së gjatë e gjithëpërfshirëse, prej 125 vjetësh, të tre studiuesve, që i përkisnin tri gjeneratave të ndryshme, dhe ndihmësve e kolegëve të tyre: at Filip Riçeputit (1667-1742), at Daniel Farlatit (1690-1773) dhe at Jakob Koletit (1734-1827), është quajtur me të drejtë edhe enciclopedi ilirike, për shkak të materialit të gjërë që përfshin. Vepra e botuar, korpusi në nëntë vëllime, është vetëm maja e ajsbergut të punës së bërë nga këta studiues. Përpara se të tregojmë me pak fjalë përmbajtjen e këtyre vëllimeve të botuara dhe rëndësinë që kanë ato sidomos për historiografinë e popullit shqiptar, po përpiqemi të paraqesim përpjekjet e mëdha e të mundimshme që u desh të bënin autorët e këtij korpusi për t’i dhënë formë e shtyllë kurrizore materialit të shumtë burimor, të mbledhur për të shkruar historinë e Ilirisë. Vlera kryesore e këtij korpusi qëndron pikërisht në mbledhjen dhe paraqitjen e një materjali të jashtëzakonshëm burimor për historinë e Ilirisë. 

Ai që ka meritën kryesore për mbledhjen e materjalit është At Riçeputi, i cili ishte edhe ideatori i këtij projekti. At Riçeputi e filloi punën e tij për mbledhjen e dokumenteve në lidhje me veprën e planifikuar rreth vitit 1694. “Punishten” e tij e vendosi në Padovë, ku edhe ishte dërguar me shërbim nga kreu i Urdhërit të Jezuitëve, dhe porositur që të shkruante historinë kishtare të Ilirisë. 

Padova, qendra ku do të shkruhej kryevepra Illyricum Sacrum, ishte një qytet me tradita të lashtë në kulturë dhe arsim, me biblioteka dhe arkiva të pasura me intelektualë në zë, e lidhur mirë me qytetet e tjera të rëndësishme si me Venedikun, Mantovën, Milanon, Gjenovën, Bolonjën, madje edhe me Romën, që shquheshin për pasuri arkivore e dokumentare. Në këtë qytet, Riçeputi iu përkushtua tërësisht studimit, hulumtimit, mbledhjes dhe sistemimit të lëndës burimore për veprën e tij, duke bërë edhe studime krahasuese të popujve evropianë që kishin pasur lidhje me ilirët dhe Ilirinë. Përveç burimeve e literaturës at Riçeputi konsultoi edhe shumë kolegë, historianë në zë, për çështjet për të cilat hamendësohej. 

Përpjekjet dhe hamendjet më të mëdha të at Riçeputit ishin në lidhje me organizimin e materjalit jashtëzakonisht të shumtë që kishte arritur të mbledhë. Për këtë na flasin qartë prospektet që ai shkroi, me qëllimin jo vetëm të prezantimit të punës së tij, por edhe të organizimit për botim të materialit që dispononte. Ndërrimi i përmbajtjes së këtyre prospekteve tregon që at Riçeputi as që kishte menduar më parë se do të përballej me një sasi të tillë materiali burimor në lidhje me Ilirinë “e harruar” nga autorët e korpuseve të mëdha burimore të kohës. Përpunimi dhe botimi i materialit të mbledhur i kapërcente mundësitë fizike të një jete njeriu, gjë që at Riçeputi nuk dëshironte ta pranonte. Nëpërmjet prospekteve të tij, shikojmë që ai u përpoq të bënte një kompromis të sasisë së materialit të mbledhur dhe ditëve të jetës së tij, në mënyrë që të nxirrte në dritën e botimit diçka nga ëndra e tij. 

Në prospektin e parë të shkruar prej at Riçeputit në vitin 1718, e të botuar në vitin 1720, me titullin “Prospekt i Illirisë së Shenjtë, historinë e të cilës e merr përsipër për ta përshkruar dhe për ta dërguar në shtyp at Filip Riçeputi i Shoqërisë së Priftërinjve Jezuitë”   (Prospectus Illyrici Sacri, cujus Historiam describendam typisque mandandam suscipit. P. Philippus Riceputi Societatis Jesu Sacerdos), shohim që at Riçeputi kishte ndërmend të shkruante vetëm një histori fetare të Ilirisë. Sipas këtij prospekti, vepra do të ndahej në katër pjesë të mëdha: Pjesa e parë do të titullohej “Veprat e priftërinjve të lartë të Ilirëve” (Acta Illyricorum Antistitum); pjesa e dytë “Përmbledhje e koncileve të shenjta dhe të legatave apostolike që kanë lidhje me Kishën Ilirike” (Collectio Sacrorum Conciliorum, et Legationum Apostolicarum, ad Illyricam Ecclesia Spectantium); pjesa e tretë “Rreth jetës dhe zakoneve të shenjtorëve që ndriçuan Kishën Ilirike” (De vita, et moribus Sanctorum hominum, qui Ecclesiam Illyricam Illustrarunt) dhe pjesa e fundit do të titullohej “Monasticizmi i Ilirisë ose historia e murgjve dhe e gjërave fetare të Ilirëve” (Monasticum Illyricum, seu Historia Monacorum, et Sanctimonialium Illyricarum).

Pjesa e parë do të ndahej në dy nënpjesë: njëra do të përfshinte dokumente kronologjike për Ilirinë perëndimore, dhe tjetra për Ilirinë Lindore. Në njërën nënpjesë do të kishte dhjetë libra: libri i parë do të paraqiste katalogun kronologjik të papëve të Romës si dhe territorin në të cilin secili nga këto papë kishte influencë. Ndërkohë që libri i dytë do të kishte si objekt studimi Patriarkanën e Konstantinopojës, libri i tretë do të kishte ipeshkvët e Selanikut. I katërti do t’i mblidhte argumentat rreth kishës metropolitane të Ohrit, ose të Justiniana Prima dhe sufraganive të saj, dhe i pesti ato rreth kishës metropolitane të Shkodrës, autoritetin e të cilës më vonë e mori Tivari. Në librin e gjashtë do të flitej për kishën metropolite të Sardicës dhe të sufraganive të saj, dhe në librin e shtatë do të flitej për kishën metropolitane të Durrësit me sufraganitë e saj “Albano, Alexio, Amantia, Acroceraunia, Apollinia, Aulona, Vullido, Benda, Croia, Echynio, Lychnido, seu nova Arcida, Musacia, Polycheriopoli, Scampis, Scaepio, et Lisia që tani janë zhdukur ose kanë rënë në harresë” – thotë at Riçeputi në prospektin e tij. Në librin e tetë do të flitej për kishën metropolite të Shkupit, në të nëntën do të ndriçoheshin gjërat që kishin të bënin me kishën greke dhe në të dhjetin do të hidhej përsëri dritë mbi marrëdhëniet e papëve të Romës dhe patriarkanës së Konstantinopojës, për të treguar më me qartësi zonat e influencës së secilit pushtet. 

Në nënpjesën tjetër do të kishte po dhjetë libra. Pasi të flitej për marrëdhëniet laike e fetare të autoriteteve lokale dhe kishtare në librin e parë, në librin e dytë do të flitej për kishën metropolitane të Salonës, që pushoi së ekzistuari në shekullin e shtatë nga dyndjet e avarëve, dhe të gotëve dhe kaloi në Splitin e sotëm. Në librin e tretë, kisha e Raguzës (Dubrovnikut të sotëm) do të studiohej në thellësi dhe në librin e katërt ajo e Zarës; secila me sufraganitë e veta. Në librin e gjashtë do të trajtohet historia e kishës metropolitane të Sriemit. Në librat në vazhdim do të trajtohen historitë e kishave që nuk ishin drejtpërdrejtë në territoret e Ilirisë, por që kanë sufragane të varura në territoret e Ilirisë, si p.sh. Aquileja, Bari, Estergomi, Coloça, Peçi i Hungarisë etj.

Edhe pjesa e dytë do të ndahej në dy nënpjesë, ashtu si e para. Në nënpjesën e parë do të flitej për historinë e koncileve gjeneralë (ekumenikë), nacionalë, provincialë, dhe dioqezanë që i përkisnin Ilirisë, ndërkohë që në nënpjesën e dytë do të flitej për legatat apostolike që dërgoheshin ndër ilirët, pra ata që vinin nga jashtë dhe që kishin të bënin me çështjet e Ilirisë. Përveç akteve të koncileve dhe dekrevete të tyre, në këtë pjesë do të gjenin vend edhe studimet togografike, historike, e kronologjike të ngjarjeve të mëdha që kishin lidhje me Ilirinë. 

Në pjesën e tretë do të flitej për martirologinë, dhe kryesisht për jetët dhe veprat e martirëve të Ilirisë, dhe në pjesën e katërt do të trajtohej historia e murgjve ilirë, të cilët do të studioheshin në bazë të urdhërave të cilëve u përkisnin si p.sh. Urdhërit të Shën Bazilit, të Shën Hilarionis, Shën Jeronimit, Shën Benediktit, Shën Romualdit, Shën Gregorit, të Shën Agustinit, të Shën Dominikut, Shën Françeskut, të Shoqërisë së Jezuitëve dhe Urdhërit të Kalorësve e të tjerë. Historia e secilit manastir, apo e secilit murg do të trajtohej më vete dhe në të do të gjendej gjithçka që kishte lidhje me zërin në fjalë. 

Për një vepër kaq ambicioze, sigurisht që at Riçeputit nuk i mjaftonin dokumentat e shumta që kishte mbledhur, kështu që së bashku me grupin e tij të bashkëpunëtorëve, ndër të cilët ishte edhe Pacifik Bica, rifilloi punën për mbledhjen e dokumenteve të tjera. Në vitin 1722, si ndihmës i parë i at Riçeputit u emërua at Daniel Farlati, i cili do të njihet si emri kryesor i lidhur me botimin e korpusit Illyricum Sacrum. Materiali i shtuar nga kjo valë e dytë kërkimesh do të katalogizohej në më shumë se njëqind katalogje të ndryshme dhe do të indeksohej në tetë vëllime me indeksa. E gjithë kjo lëndë e mbledhur deri në vitin 1721, që do të krijonte të ashtuquajturën “Bibliotheca manuscripta Illyricana”, ishte jashtëzakonisht e madhe. Ajo përfshinte treqind e pesëdhjetë e nëntë vëllime me dorëshkrime. Në të gjendeshin bula papnore, diploma të ndryshme, privilegje, fletëdhurata, dorëshkrime sinodesh e koncilesh që nga shekulli i VI-të e deri në shekullin e XVII-të, gjenealogji, stema, ditarë të ndryshëm udhëpërshkrimesh, biografi të shumta të personaliteteve nga më të ndryshmet, legjenda, deftesa, letërkëmbime, kontrata, akte noteriale, relacione dhe dokumente të tjera të cilat i kishin marrë si dhuratë, i kishin huazuar ose i kishin kopjuar fjalë për fjalë nga origjinalet. Përveç këtyre kishte dorëshkrime të mëdha, si tërësi të veçanta, kodikë, por edhe libra të ndryshëm, libra të rrallë si dhe 268 tituj të botuar, pra gjithsej, 627 zëra.

Në vitin 1739 at Riçeputi shkruan një prospekt të dytë, por që nuk botohet. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin e Jezuitëve, në Romë, në 20 faqe in folio. Në këtë prospekt, at Riçeputi na paraqitet me një projekt pothuajse krejt të ndryshuar nga ai i njëzet vjetëve më parë. Sipas këtij prospekti, at Riçeputi dëshironte të inkorporonte të gjitha dokumentat e shumta që kishte gjetur, dhe siç do të shohim plani i tij nuk ishte më të shkruante vetëm një histori kishtare të Ilirisë, por një histori më të gjerë e më të plotë se kjo, pra edhe një hisotri të përgjithëshme. 

Sipas këtij prospekti, at Riçeputi do ta ndante veprën e tij në dy pjesë kryesore që do të ishin Illyricum Sacrum dhe Illyricum Profanum, ku këtë të fundit do ta ndante në pagane dhe të krishterë, për të zgjeruar kështu më shumë kohën në të cilën shtrihej studimi, dhe për t’ju përgjigjur më mirë problemeve etnike. Pesë vëllimet e para do të përbënin atë që ai e quante Izagogë dhe që përbënte pjesët që vijojnë:

  1. Parathënie e përgjithshme. 1. Rreth mbledhjes së burimeve dhe atyre që janë mbledhur. 2. Mënyra dhe logjika e hartimit të tekstit dhe 3. Këshilla të autorit. 
  2. Iliria e Madhe në kohën e copëtimit dhe në kohën e bashkimit, si në temat e vjetra dhe në të rejat e gjera nga Retia, Norikum, Panonia, Dacia, Carpatet, Moesia, Pontum Traka, Dardania,Creta, Qipro, Greqia e Maqedonia, Thesalia e Epiri bashkë me Dalmacinë, dhe deri në Ligurinë antike, dhe të gjitha territoret që sot janë Gjeneva, Flaminia, Umbria, Emilia, Venecia e Istria me shpjegime të veçanta gjeografike, kronologjike, onomastike dhe historike. 
  3. Shqyrtime parathënëse (Prolegomena) gjeografike, kronologjike, onomastike, biblike, kritike: sa e hapur do të jetë historia profane e Ilirisë, kur do të ndahet në pagane dhe e krishterë dhe civile, në lidhje me çfarë vendesh, kohërash, emrash do të diskutohet në të vërtetë etj. 
  4. Në dymbëdhjetë vëllime do të ndahen të gjitha veprat në Ilirinë pagane, të krishterë dhe civile, hierarkia e krishterë, ndarja e kishave të krishtera, synodet cenobite, pontifikët dhe hagjiografia. 
  5. Ndarje paraprake ideale sipas koncepteve si p.sh. papët: de Sanctis Hermete, Tito, territoret: Dalmacia, Synodi: rreth concileve dalmatase; nga cenobitica: rreth vendeve të murgjve benediktinë në Dalmaci, nga hagjiografia: Shën Pjetër Urseoli i mbretërisë së Dalmacisë etj. 

Të pesëmbëdhjetë vëllimet që do të vijonin, do të quheshin “Histori e përgjithshme e Ilirisë së Shenjtë dhe Profane” nga at Riçeputi.

Ky prospekt i dytë nuk do të ishte varianti përfundimtar për të organizuar materialin burimor që disponte at Riçeputi me bashkëpunëtorët e tij. Në vitin 1742, at Riçeputi e shkruan prospektin e tretë, sipas të cilit Illyricum Sacrum do të përbëhej prej nëntëmbëdhjetë vëllimesh dhe shtatë tabelash gjeografike. Titujt e vëllimeve që po përgatiste dhe disa nga ata që ishin përgatitur, janë si më poshtë:

  1. Dy vëllime Isagogjike të miratuar nga eprori që gjendej në Romë ishin për t’u sjellë sa më shpejt që të ishte e mundur në Venedik dhe për t’iu dorëzuar shtypshkronjës. 
  2. Dy vëllime të Ilirisë profane para Krishtit, të përgatitur e që gjenden në Venedik tek eprori. 
  3. Dy vëllime të tjerë të Ilirisë profane të përgatitur si parathënie e që gjenden në muzeun e Padovës. 
  4. Katër tabela gjeografike shumë të mëdha që shërbejnë për dy vëllimet e para të Illirisë profane janë në Romë, pranë autorit. 
  5. Tre tabela të tjera të ngjashme për dy vëllimet e tjera të të njejtit Ilirik profan. 
  6. Nga një vëllim: historik, kritik, e gjeografik me komente për katër tabelat e Ilirikut Profan, punë e at Compagno, vëllim ky që gjendej në duart e tij në Padovë. 
  7. Katër vëllime hagjiografikë të titulluar Sanctualium, përmbajnë komentarë dhe autorët e çdo shpallje të çdo shenjtori të Martirologjisë Ilirike sipas normës së Baronit, dhe së fundi të Bollandistëve në veprën e tyre Acta Sanctorum gjenden në Padovë. 
  8. Një vëllim hierarkik me të gjitha ndryshimet e emrave, të titujve të dinjiteteve, të kufijve të ndjekur nga periudha kohore e apostujve deri në ditët kur jetonin autorët, i përgatitur si më lart. Gjendet në Padovë. 
  9. Katër vëllime pontifikale me lëvdata, dhe jetët e ipeshkëve të çdo kishe. 
  10. Dy vëllime dinodiale të koncileve dhe letra apostolike. 
  11. Një vëllim monastik me historinë e manastireve dhe të murgjëve të të gjithë urdhërave, i përgatitur vetëm si indeks. Materiali për të ishte i shpërndarë aty këtu nëpër muze. 

Të gjitha këto vëllime me dokumente do të përgatiteshin e dorëzoheshin përfundimisht në shtypshkronjë (me gjithë miratimet e censorëve) në tetë vitet e ardhëshme. 

Siç shihet, pra, përfundimisht at Riçeputi kishte vendosur që të shkruante një histori jo vetëm kishtare por edhe laike të Ilirisë, histori kjo që do të mbështetej plotësisht në dokumente. Dokumentet e mbledhura e lejonin që të merrte një guxim të tillë, jo vetëm sepse ato ishin mëse të mjaftueshme si sasi, por edhe të shumëllojshme dhe pothuajse të plota me informacione në të gjitha fushat që ai donte të trajtonte.

Në formën që është sot, vepra Illyricum Sacrum është shumë larg ideve të at Riçeputit, kryesisht sepse shumë burime kanë mbetur të papërfshira. At Daniel Farlati, pasardhësi i at Riçeputit në vijimin e projektit (kishte njëzet vjet punë në projekt kur at Riçeputi vdiq), u tregua pragmatist në vlerësimin e mundësive fizike që kishte dhe përzgjedhjes së materialit të pashterueshëm që ishte mbledhur.  

At Daniel Farlati i jep shprehimisht shkaqet dhe qëllimet shkencore të ndërrimit të konceptit fillestar të veprës “Histori e Ilirisë” që kishte projektuar at Filip Riçeputi. Përveç sasisë së papërballueshme të materjalit, ai mendon që të përdorë më shumë metoda kritike, për të ekonomizuar më mirë hapësirën, kohën dhe informacionet. Përveç Historisë kishtare të Ilirisë, Farlati kishte planifikuar që ndaras të shkruante edhe Historinë e Ilirisë si dhe disa tema të tjera. 

Pas ndryshimit të konceptit të Riçeputit, at Farlati ndryshoi edhe hapësirën gjeografike të territoreve për të cilat do të shkruante në veprën e tij. Duke qenë se Iliria, gjatë periudhave të ndryshme historike shtrihej në hapësira të ndryshme, herë më të gjëra e herë më të ngushta,  dhe meqenëse ai nuk donte të merrej me të gjitha këto ndryshime, siç donte të bënte at Riçeputi, vendosi që të merrej si kufij territorialë të studimit të tij, kufijt gjeografikë të Ilirisë në kohën e perandorit Justinian. Nga ky reduktim i hapësirës gjeografike, mbetën pa u përfshirë një pjesë e mirë e territoreve ku shtrihej Iliria e lashtë. 

At Farlati arriti të shihte të botuar vetëm katër vëllime nga Illyricum Sacrum. Ashtu si at Riçeputin, koha nuk e lejoi që të shihte të shfrytëzuara në historinë e dëshiruar materjalet që ishin mbledhur. Veprën e tij e vazhdoi at Jakob Koleti, i cili e çoi deri në fund projektin e reduktuar të Farlatit, megjithëse nuk ishte shumë i kënaqur nga cilësia e punës së shumtë. Këtë e tregojnë korrigjimet dhe shtesat që ai bëri për pesë vëllimet e para të llyricum Sacrum dhe që u botuan në vëllimin e nëntë nga Frane Buliq. 

Çfarë përmban Illyricum Sacrum që na është servirur nga at Daniele Farlati dhe pasardhësit e tij?

Vëllimi i parë i Illyricum Sacrum trajton historinë e Ilirisë që nga antikiteti deri në shekullin e IV-të. Duke dëshiruar që të bënte një paraqitje sa më të saktë të historisë së Ilirisë, at Farlati i jep shpjegimet e nevojshme në vëllimin e parë në “Prolegomena”, ku e ndan këtë histori në tre kapituj: “Prolegomenon Illyrico,” “Prolegomenon de Dalmatia,” dhe “De Illyrica et Dalmatica ecclesia, tum de Salona et ecclesia Salonitana”. Dy kapitujt e parë trajtojnë historinë laike të Ilirisë dhe të Dalmacisë; ndërsa në kapitullin e tretë, at Farlati e ndan në dy nënkapituj: në njërin trajton kohën apostolike dhe fillimet e krishterimit në Iliri dhe në Dalmaci, dhe në tjetrin trajton historikun e qytetit të Salonës, metropolisë. Këtu ai boton edhe katalogje të ndryshme të sufraganive të kësaj ipeshkvie.

Vëllimi i dytë i Illyricum Sacrum vazhdon me trajtimin e historisë kishtare të Salonës deri në shkatërrimin e qytetit, por edhe edhe me historinë e Ilirisë dhe të Dalmacisë, nga shekulli i IV-të deri në fillim të shekullit të VII-të. Një vend të veçantë në këtë vëllim zënë figura e perandorit Dioklecian të lindur në Salonë si dhe aktet e martirëve. Shqyrtimi dhe analiza e letrave të papës Gregori i Madh nga fundi i shekullit të VI-të hedhin dritë mbi gjendjen e Gadishullit Illirik në kohën e dyndjes së sllavëve në Ballkan. Vëllimi ka një shtojcë me faqosje të veçantë, e cila mund të ishte edhe studim i pavarur. Në të paraqiten mbishkrimet në objektet e ndryshme të mermerit, të cilat ishin të shpërndara në një hapësirë të gjerë territoriale. Këto mbishkrime janë të ilustruara me shënime të shkurtëra nga at Francesco Zaccaria.

Vëllimi i tretë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të Splitit, dhe përqëndrohet veçanërisht te popullsia e Dalmacisë dhe e Kroacisë. Pas sulmeve avaro-sllave dhe shkatërrimit të Salonës, selia kishtare bartet nga Salona në Split, duke e ngritur Splitin në rangun e kryeipeshkvisë së tërë Dalmacisë dhe Kroacisë. Kjo është edhe periudha kur populli kroat pranon krishtërimin dhe krijon shtetin e tij të pavarur. Duke trajtuar historinë e kryeipeshkëvisë së Splitit, në vija të trasha, at Farlati paraqet edhe historinë mesjetare të Dalmacisë dhe të Kroacisë.

Vëllimi i katërt i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të kishave sufragane të metropolisë së Splitit, disa nga të cilat kishin vepruar për një kohë të shkurtër. Në këtë vëllim, në mënyrë të veçantë janë trajtuar ipeshkvitë: Belgradensis et Scadronensis, Bosnensis, Corbaviensis, Modrusensis, Seniensis et Ottociensis, Dumnensis, Macarensis sive Macarchensis, Nonensis, Phariensis, Tinniensis, Traguriensis ex quo Sibenicensis. Disa nga klerikët e këtyre kishave sufragane ishin katolikë shqiptarë, të cilët gjatë mesjetës zinin postet e rëndësishme eklesiastike në pothuajse gjithë Dalmacinë. 

Vëllimi i pestë ishte përgatitur ekskluzivisht nga at Daniele Farlati, por nuk u botua për sa kohë ai ishte gjallë. U botua më vonë, me emrin e tij, nga Jacopo Coleti. Në këtë vëllim trajtohet historiku i kishës metropolitane të Zarës dhe sufraganisë së Zagrebit. Në hyrje të këtij vëllimi, Jacopo Coleti, ka shkuar një studim biografik për jetën dhe veprën e at Daniele Farlatit.

Vëllimi i gjashtë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të kryeipeshkvisë së Raguzës dhe sufraganive të saj: Rhizniensis dhe Kotorrit. Në mënyrë të veçantë është paraqitur historia e Epidaurit, i cili u rrënua në shekullin e VII-të, dhe banorët e të cilit u vendosën në Raguzë (Dubrovnikun e sotëm). Gjatë mesjetës, qyteti i Raguzës u zhvillua në një komunë të lirë, ndërsa në shekullin e XV-të quhet Republikë. Në këtë vëllim gjenden shumë pjesë që trajtojnë figura të shquara intelektualësh, prelatësh dhe klerikësh shqiptarë, të cilët jetuan, bënë karrierë kishtare dhe vdiqën në Raguzë. 

Vëllimi i shtatë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të Shqipërisë dhe të Epirit. Në të paraqitet historia kishtare e kryeipeshkvisë së Dioklesë më vonë e Tivarit, dhe e ipeshkvive të Arbërisë, Balecit, Budvës, Danjës, Drishtit, Ulqinit, Polatit, Shurdhahut, Sardës, Shasit, Shkodrës, si dhe të kryeipeshkvisë së Durrësit, dhe të ipeshkvive të Lezhës, Amantias, Apolonisë, Vlorës, Bendës, Prizrenit, Stefaniakës, Kunavisë, Krujës, Skampës. Ky vëllim është i pajisur edhe me një apendiks të metropolisë së Durrësit, dhe në të gjenden edhe ipeshkvitë e Akrokeraunisë, Pulkeriopolit, kryeipeshkvia e Krajinës, etj. Në këtë vëllim gjejmë edhe letërkëmbimin e Skenderbeut, si dhe tekstin komplet në latinisht të Kuvendit të Arbërit, etj.

Vëllimi i tetë i Illyricum Sacrum trajton historinë kishtare të Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe disa viseve të tjera të Ballkanit, duke paraqitur historinë e këtyre kryeipeshkvisë së Shkupit dhe të sufraganive të saj, Nishit, Staliensis, Ulpianës, Sapës, të patriarkanës së Pejës, të kryeipeshkvisë së Sardikës e të Sofias, dhe të shufraganëve të Pautaliotës dhe Remesianës, kryeipeshkvisë së Marçianopolit, dhe shufraganëve të Nikopolit, Varnës, Belgradensis, Semandriensis, Bidiensis, të ipeshkvisë së Lynit dhe kryeipeshkvisë së Ohrit, apo të Justiniana Prima, të Prizrenit të Zagorisë, Tërnovës, etj. Në kuadër të vëllimit të tetë, botohet edhe “Martyrologium Illyricum,” që ishte botuar edhe më herët si studim më vete nga Jacob Coleti në Venedik.

Vëllimi i nëntë, ose i ashtuquajturi, “Accessiones et Correctiones all’Illyricum Sacrum del P. D. Farlati di P. G. Coleti” u botua nga don Frane Buliqi. Në të gjenden shtesat dhe korrigjimet e bëra nga at Jacob KColeti për pesë vëllimet e para të Illyricum Sacrum, dorëshkrimi origjinal i të cilave ruhet në Bibliotekën Marciana të Venedikut.

Për të përmbledhur mund të thuhet se në këtë korpus, trajtohet  historia e ungjillizimit të ilirëve, në periudhën apostolike në hapësirat e gjera të Ilirikut, përhapja e krishtërimit, themelimi dhe shtrirja e kishave, kuvendeve, manastireve dhe katedraleve, ndarja administrative-kishtare, hierarkia katolike e provincave kishtare dhe e qendrave ipeshkvnore e kryeipeshkvnore, përfaqësimi i tyre që prej koncileve më të hershme e deri te ai Arbërit në vitin 1703, etj.

Rëndësia e korpusit Illyricum Sacrum

Kur përdori metodën e tij të ekonomizimit të hapësirës dhe kohës, at Farlati, formatori kryesor i veprës së botuar Illyricum Sacrum, hasi në pengesën që disa tërësi apo vëllime ishin të lidhura mes veti në atë mënyrë sa ishte e pa mundur të shkruheshin ndaras, si p.sh. historia e shenjtorëve, ipeshkëve, regulltarëve, koncileve etj., sepse ndryshe gjërat do të përsëriteshin. Për këtë shkak ai vendosi që brenda historisë e ipeshkvive të shkruante edhe historinë e ipeshkëve të tyre, për të nxjerrë në kompleks gjithë historinë e Ilirisë. Kështu p.sh. kur shkruan historinë e një ipeshkvie, ai jep edhe historinë e të gjithë ipeshkëve të saj një e nga një, pavarësisht se shumë prej tyre mund të ishin emëruar në atë post duke ardhur nga vende të tjera. Kështu p.sh. në vëllimin e shtatë ku ipeshkvitë janë kryesisht nga territoret shqiptare, brenda historive të ipeshkvive kemi historitë e ipeshkëve që janë të ardhur nga Italia, Hungaria, Dalmacia, etj. gjë që parë nga këndvështrimi nacional, historitë e se si u edukuan dhe u formuan ata u interesojnë më shumë vendeve në fjalë. Po kështu ipeshkvët me origjinë shqiptare pak gjenden në vëllimin e shtatë, pasi në këtë vëllim gjenden vetëm ata që janë emëruar ipeshkvë në këto territore. Shumica e ipeshkëve me origjinë shqiptare emëroheshin në vende të tjera, kryesisht në Dalmaci, por edhe në Hungari, në Itali apo gjetkë. Për të bërë një histori të plotë të jetës fetare të territoreve shqiptare, duhen ndjekur jetët dhe aktivitetet e klerikëve shqiptarë të emëruar në vende të tjera, sepse në ipeshkvitë ku ata ishin emëruar jepet historia e tyre personale. Këtë gjë korpusi Illyricum Sacrum e mundëson në kompleksitetin e vet. 

Vëllimet janë të ndërthurura kaq mirë me njërit-tjetrin saqë është e pamundur që të ndjekësh historinë e jetës fetare të një ipeshkvie pa konsultuar vëllimet e tjera, ku flitet për intelektualët fetarë që janë larguar nga kjo ipeshkvi. Mënyra se si janë formuar ata, dhe jeta që ata kanë bërë në këtë ipeshkvi, para se të emëroheshin diku tjetër, gjendet pikërisht në ipeshkvinë ku ata janë emëruar. Për ta ilustruar po sjellim rastin e Dominik Topisë. 

Dominik Topia ishte vërtetë nga familja e Topiasve, pra nga kryeipeshkvia e Durrësit, por në vëllimin e shtatë nën këtë kryeipeshkvi nuk gjen pothuajse asgjë për këtë figurë. Gjithë historia e tij është shkruar në vëllimin e pestë të Illyricum Sacrum (f. 97), sepse ai ishte kryipeshkvi i Zarës, dhe historia e kësaj kryeipeshkvie gjendet në këtë vëllim. Për këtë figurë ka edhe në faqen 333 të këtij vëllimi, sepse ka qenë ipeshkv i Korçulës, si dhe në faqen 135 të vëllimit nr. gjashtë, sepse pretendonte selinë e ipeshkvit në ipeshkvinë e Raguzës. Ishte edhe ipeshkv i Bosnjës, kështu që historia e tij duhet kërkuar edhe gjetkë. 

Historia fetare e shqiptare ka mbetur e paplotë deri më sot edhe për shkak të shpërndarjes së figurave të saj kishtare nëpër vëllime të ndryshme të këtij korpusi, që nuk ka qenë kurrë i tëri (me të gjithë vëllimet) në duart e studiuesve shqiptarë. Kjo gjë ua ka bërë të vështirë historianëve punën për gjetjen dhe paraqitjen e jetëve dhe aktiviteteve të tyre. Megjithatë, rëndësia e këtij korpusi qëndron kryesisht edhe në vetë vështirësinë për ta përdorur atë: është i ndërthurur shumë mirë.

Korpusi Illyricum Sacrum duket i paplotë dhe i papërsosur kur e krahason me gjithë materjalin e pabotuar që është mbledhur dhe që akoma ruhet në biblioteka e arkiva të ndryshme të Italisë, Dalmacisë, Hungarisë, Austrisë, Francës, e më gjerë. Megjithatë në kuadër të veprave të botuara, Illyricum Sacrum është vepra më e plotë burimore e shkruar ndonjëherë për historinë e Ilirisë. Vlera e saj nuk është kapërcyer akoma, megjithë arritjet e historiografisë në ditët tona. Nëse një ditë do të mund të inkorporoheshin në këtë korpus edhe të gjitha dokumentet e mbledhura nga autorët e këtij projekti ambicioz, pa dyshim që nuk do të kishte më asnjë arsye për historianët për t’u ankuar për mungesë burimesh në lidhje me historinë e Ilirisë jo vetëm kishtare, por edhe në atë laike e në tërësinë e vet.

Filed Under: Histori

SHOQATA SHQIPTARO AMERIKANE E MJEKSISË ZHVILLON ME 27 MARS PANAIR SHËNDETI

March 18, 2022 by s p

Dr. Nora Gashi/

Shoqata Shqiptaro Amerikane e Mjeksisë njofton se të Dielën, 27 Mars, do të zhvillojë një Panair Shëndeti në zonën e New York City. Panairi është falas dhe është i hapur për këdo që do të vijë. Ne do të kemi mjekë të licencuar si dhe studentë të mjekësisë të cilët do të kryejnë kontrolle themelore shëndetësore dhe dentare. Praktikuesit mjekësorë flasin anglisht dhe shqip dhe ata do të jenë të lumtur të përgjigjen çdo pyetje që dikush mund të ketë. Ne inkurajojmë të gjithë ata që munden të marrin pjesë, si dhe kërkojmë që të ftojnë të gjithë ata që mund të përfitojnë nga kjo plus anëtar të familjes që ju mund të mendoni se mund të përfitojë nga ky panair. Më afër panairit, do të japim më shumë informacione. Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar që të marrë pjesë. Do të jetë një ekperiencë e paharrueshme për të gjithë ata që do të marrin pjesë.

Filed Under: Sociale

TE  KËSHTJELLA E VUKSAN LEKËS…

March 18, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

photo 1
photo 3

PAK HISTORI PËR VUKSANLEKAJT…

Fshati  i Vuksanlekajve  si qëndër e banuar , qytetare  , Ilire e “romake” është shumë e hershme , ndaj per këtë  histori para rreth 150 viteve studiuesi  dhe misionari i  madh At Domeniko Pazi ndër të tjera do të shkruante  se  në Vuksanlekaj do të ketë ekzistuar një qytet që ende i shihen shenjat e kolonave , gur varri latin, vegla të cilat gjenden jo shumë thellë  nga fshataret, nderkohë që punojnë token me shatë dhe parmendë. 1.  Në Vuksanlekaj  janë identifikuar edhe  mbishkrime  Ilire si: CRINNE   TISSA  e tj…2.  Ndersa dy arkeologë të njohur austriak (K.Prashniker dhe A.Shober) në kohen e luftës Parë Botërore (1914-1918) pasi do të eksplorinin (në mënyrë siperfaqësore) këtë vendbanim ata do të shkruanin: “…Nga dy mbishkrime romake të pershkruara për herë të parë tek Theodot Ippen,CIL III 14600, 14602, nuk gjetëm asnjë në vendin e tyre të dikurshme, mbasi shtëpia e Prekë Maçit , ku gjendeshin ato, është shkatërruar tërsisht. Ndersa CIL III 14602 duket se ka humbur , mbishkrimi CIL III 14600 është murosur në kishen shumë të prishur , në daljen jugore të fshatit…. Fragmentet e arkitekturës të njohur nga Franc Nopça…nuk mund të gjendëshin më , ndeërsa guri milor , i parë këtu nga ai , gjendet përsëri në këmbë, në permasa 1.90 m lartësi dhe 0.80 m gjërësi, i vendosur në xoklaturë  të latuar shpejt , në daljen veriore të Vuksanlekajt. Një i dytë gjendet i rrëzuar  në veriperendim të të parit, në një largësi që i pergjigjet saktë një romake…Në Vuksanlekaj duhet supozuar një vendbanim i madh i vendosur pranë rrugës romake , çka e dëshmojnë jo vetëm monumentet e publikuara  nga Ipen dhe Nopça , por edhe fragmentet e tjegullave të shperndara  në livadhet dhe tokat bujqësore, sidomos në afersi të kishës së sipërpermendur, si dhe ngritjet e terrenit, që dëshmojnë për mure të fshehura nën dhè. Identifikimi i këtij vendbanimi antik me stacionin rrugor Bersumnum apo Birziminium … do të ishte shumë afër të vertetës, nëse Cina  do të identifikohej gjithashtu me Marshejn. Largësitë e dhëna tek itineraret prej 16 dhe 18 mile romake do të përputheshin  shumë mirë  me rrugen Marshej-Vuksanlekaj,  dhe më shumë me rrugen e gjatë  që i sillet  liqenit të Hotit (rreth 23 km) sesa me atë të shkurtren që kalon nëpër Kosan (rreth 20 km).3.  Megjithë historinë e lashtë fshati i sotem Vuksanlekaj e ka marrë  emrin nga prijesi i Fisit Camaj, Vuksan  Leka  kur  kanë  zbritur nga Traboini vëllezërit e njohur  Camaj , si  edhe vëllazëri të tjera nga  fshatrat e Traboinit…4.  

KËSHTJELLA : 

Kushdo që kalon nëpër  fshatin e Vuksanlekajve dhe  kerkon të vizitojë apo “sodisin” një monument me vlera të dukshme e të veçanta , qytetrimi, mbrojtje e qendrese , në keto troje shqiptare , e para që të terheq është  KËSHTJELLA (FAMILJARE) E  VUKSAN  LEKËS , e vetmja e ketij lloji në Malesi e më gjërë.. Kjo Kështjellë  mendohet se ka një moshë rreth 230 vjeçare. Mosha e keshtjelles të Vuksan  Lekës llogaritet në bazë të zbritjes në ketë vend nga  i pari i ketij katundi Vuksan  Leka , per të cilin studiuesi , një albanolog dhe konsull i pergjithshem i Austro-Hungarisë në Shkodër  , mbi një shekull më parë do të  shkruante  se djaloshi nga fisi i Hotit Vuksani i një farë Leke ka jetuar  para pesë brezave , pra afersisht  në vitin 1788 .5.  Tashma  emrin , toponimin  apo më sakt homonimin  katundi ose fshati i Vuksanlekajve e ka marrë nga i pari që zbriti dhe themeloi ketë vendbanim ,Vuksan  Leka… Kështjella i ka sherbyer familjes së madhe të Vuksan Lekes (dhe trashigimtarëve të tij ) të mbroheshin ndër mote  nga armiqt e tyre të mundëshem (turq e shkije). Kështjella për familjen  e Vuksan Lekes e trashigimtaret e tij  që jetonin në fushë të gjallë “zevendësonte” aleatet natyrorë , si malet e shkembinjë që i kishin perherë banorët etjerë hotjan që banonin në zonen malore … Sot nga kjo kështjellë ruhen mjaft mirë muriet e larta rrethuese dhe dy kulla ballore… Trashigimia e kesaj kështjella na jep mundesinë të percaktojmë saktë , formen  dhe madhësinë .  Forma e kështjellës është  katërkëndëshe , me permasat : gjatësia 30 m, gjërësia 30 m dhe lartësia e murit rrethues 4 m . Ndërsa në anën ballore (lindore), në dy ekstremet e kështjelles  ka dy kulla të  larta nga  6 metra secila.. Muriet janë prej guri të latuar (skalitur) me mjaftë mjeshtri dhe janë murie të “njoma” (me llaç gelqereje…). Në tërë gjatësinë dhe lartesinë  e murit rrethues dhe në dy kullat  dallohen qartë dhjetra frëngji , nga ku në rastë nevoje luftohej (qitej pushkë) kundër armiqeve që e sulmonin apo rrethonin kështjellen… Duke parë numrin  e madh të frëngjive , në krahasim me mashkujt  apo njerëzit që mund të  kishte , per ë qitur pushkë një shtepi sado e madhe , të shkon mendje te një taktikë e hershme e luftes të të parëve tanë , të cilet qitnin pushkë herë në një frengji herë në një tjeter , me qellim që armikut ti duken  shumë luftetarë të pozicionuar  në të gjitha frëngjitë… Per  këtë trashigimi  monumentale të kështjellës (familjare) të Vuksan Lekës sot kujdesen pasardhesit e kësaj familje , të cilet edhe e kanë  “forcuar” me lëngë çimentoje dhe me një mjeshtri të admirueshme , që i ruan edhe orgjinalitetin… Kjo  keshtjellë (familjare) ka terhequr jo vetem shqiptaret autokton që jetojnë në trojet e tyre nën shtetin e Malit Zi , por edhe specialist dhe autoritete  malazeze , ku nga  trashigimtarë  (që vinë në brezin shtatë –tetë ) të Vuksan Lekës), kemi mësuar se para disa kohësh kishin ardhur nga  Cetina  dy specialist monumentesh (inxhinier) , të cilet e vlersonin kështjellen e Vuksan  Lekës si monument kulture duke  premtuar  edhe ndihmë financiare per mirmbajtjen e saj…6. 

Referencat:

1.Fulvio Kordinjano ,Shqiperia permes vepres dhe shkrimeve të At Domeniko Pazit V-I-,fq.97.  

2.Preloc  Margilaj , ILIRET  FLASIN  SHQIP ,   SHQIPTARET  FLASIN  ILIRISHT,fq.172.  

3.Kamilo Prashniker, Arnold Shober, Kerkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, fq.94-95 ,Tiranë 2003..

4.Zef Kalaj ,Levizja  mekanike e popullsisë të Malesisë Madhe  1948-1998 ,fq.216-219.  

5.Franc  Nopça , Fiset e Malesisë së Shqiperisë veriore  dhe e drejta zakonore e tyre ,fq.196 ,botim i qendres  të studimeve albanologjike , institute  i  historisë).  

6.Të dhënat per kështjellen janë marrë nga unë autori (N.B.), kur e kam vizituar me 10 nëntor 2013…

Filed Under: ESSE

Poezi me fytyrë Hëne dhe bukuri Zanash

March 18, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Rreth librit: “Arti i fjalës” me autorin nga Kosova Idriz Çelaj/

Arti është palca e jetës, dritëzat që të drejtojne dhe të sjellin ndriçimin në ninëzat e syrit.  Udhëtoj nëpër poezitë e poetit Idriz Celaj, prek fijëzat e metaforave i shijoj poetikisht dhe ndalem diku, ngec tek një fytyrë Hëne, mahnitem nga bukuria e saj…  

BIJË!/ Çdo ditë lutjet i përqafoj/ Para portretit tënd/ Jam i pafuqishëm/ Lotët me tradhëtojnë/ Bota ç’më duket e acartë/ Fjala ma s’ka fuqi/ Pse kam mbetë pa ty BIJË/ Veç zërin ma dërgo përmes zanave/ Fytyrën lëre tek Hëna.  Janë vargje tejet të dhimbshme të Atit Poet për bijën e ikur ne amëshim.  Ato mbartin ngarkesa të dukshme dhe të padukshme emocionale.  Dashuria e butëz si petalet e trëndafilit aromatizojnë livadhet e Rugovës dhe duket sikur shuajnë etjen me bukurinë e Heroinës (Rinës) së babit Poet.  Kjo poezi është si një simfoni dhimbjeje dëgjohet vajtueshëm nëpër New York dhe kapërcen vetëtimthi gjer në Arbanë të Pejës në Kosovë aty ku i ka rënë koka të atit të saj poet.  

Janë shumë poetë që kanë humbur fëmijët e tyre dhe nëpërmjet poezisë kanë gjetur ngushëllimin në forma të ndryshme me përsosmëri artistike.  Do të kujtoj këtu poetin kombëtar Ali Podrimja i cili për humbjen e birit të tij Lum Lumi shkruajti: Unë nuk luaj vendit/ Muret lëvizin sendet vogëlushi im/ Vjeshtë e keqe mori/ Re e zezë shtëpinë tonë mbështolli…

Poeti Çelaj nëpërmjet lirikave me plot muzikalitet spikat këndshëm me figuracionin e tij estetik në libër. Në disa prej tyre bëhesh natyrshëm pjesë e pandashme e përkushtimeve të heroizmit të Kosovës të tij si poet nëpër demonstrata. Eshtë fat që ngjarjet e mëdha kanë penat që shkruajnë brenda tyre.  Para Agamemnonit kanë jetuar shumë trima, shumë heronj, mirëpo të gjithë iu lanë harresës, sepse nuk kishin një “Poet të Shenjtë”, thotë Horaci.

Poeti është luftëtar dhe ëndërrues i Lirisë, endet si flutur për ta prekur atë ylber me ngjyra.  Në poezinë: “Çfarë të fala natyrë”, fq 11 në librin “Arti i fjalës” botuar nga Meshari ndërmjet të tjerash lexoj: Sa e çuditshme duket jeta ime/ të mbërrij edhe deri tek Dielli/ E ndjej se pas reve ka Diell/ Unë aty dua ta takoj Lirinë.   

Poeti luftëtar e di mirë se Liria si ç’ thotë Martin Luther King Jr. nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi, ajo duhet kërkuar nga të shtypurit. 

E kush nuk ka dëgjuar për luftën e Kosovës, për bijtë e saj që ranë për Lirinë!  Sa familje u lanë në gjak për Atdheun, për Kosovën!  Një prej tyre ishte Avokati Bajram Kelmendi së bashku me dy bijtë e tij që u vranë, më 1999.  Dhe ja si shkruan në poezinë “Fuqia brenda vetes” fq.18  

Dhe pa humbur hodhe sytë përtej ferrit/ Don të zgjasësh duart drejt Lirisë/ Por diçka pengon në këtë jetë/ E vazhdon t’i pëshpërisësh vetes, mbijeto!…

Autori ka si kryetemë Lirinë, Lirinë që Kosova martire e vuajti tmerrësisht me shekuj ndaj dhe shkruan: Sa here luftova për Lirinë/ Kësaj toke i kam dhënë/ Emrin e shenjtë/ Nëpër shekuj i kryqëzova shpatat/ Ikja nga demonët nuk ishte e imja/ Luftëtaren e jetës kishin takuar/ Në mua kishin pa Diellin. 

Si lexuese më duket sikur në çdo varg shoh zemrën e luftëtarëve, të djelmoshave trima që dhanë jetën në lulen e rinisë, dhanë jetën në luftë me genocidin serb udhëhequr nga Hitleri i Ballkanit sllobodan milloshevic. 

Shpesh në poezite tij gjej Zef Seremben: poetin arbëresh me shpirt të trazuar, të dhimbjes të së bukurës…në mjaltin e evlogisë (fjalëve të ëmbla) për vendlindjen e tij si në vargjet: 

…Arbëria matanë detit, na kujton/ Se ne të huaj jemi te ky dhe! Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron/ Që ne turku na la pa Mëmëdhe…

Natyrisht poeti e ka përjetuar dhimbshëm dhe plot brenga Luftën e Kosovës për Pavarësi, në epikën heroike të saj ka vend qëndresa e tij si student i demonstratave kundër serbëve.  

Çfarë madhështie shfaqet para syve të mi duke imagjinuar një student të përdorte çarçafët e krevatëve për të shkruar parrullat kundër pushtuesve, barbarëve.  Ata derdhën gjakun si trima, jo lotin si thotë Mitrush Kuteli “Se loti është robëri, gjaku Liri!”.

Pena e poetit është e kujdesshme, ka elegancën e vargut shpesh plot muzikalitet që heronjtë i vesh me mantelin e hekurt të një luftëtari me pushkë e jatagan.  

Lirikat e poetit Çelaj sjellin një gjetje të bukur metaforash, ndërsa arti është simbolika e bukur dhe e perceptimeve poetike.   Autori krijon dhe mediton për pritjet, harresat, mallin që djeg për vatanin.  Poezitë për dashurinë i sjellë sikur thurr nje gërshetë vajzërie sidomos në poezinë “Shikimet” aty ku fillon dhe ndizet llava e dashurisë, fq 50.  Në thellësi u përplasën shikimet/ Tej zemrës u ndez një shkëndijë/ Për një moment sytë u ulën/ u ngritën sërish si flakë përvëluese…  Një ndjenjë që lindi/ Kur dy sytë u takuan/ Për herë të parë/ Dhe nuk u larguam kurrë më…

Autori është përjetuesi më i denjë i tokës dardane, ndonëse personazhet përfundojne me dhimbje, plagë që përcëllojnë trupin.  Harta poetike ka copëza të gjakosura, shoh pikat e gjakut që më çmendin dhe sërish bëhem Shotë dhe i lexoj sidomos tek poezia “Dy mijë copa”.  

Dy mijë vjet/ e ndava/ në dy mijë copa/ zemrën/ Fotografi e krisur/mbeta/ dhe Kujtime/ të thyera/  Një natë të tërë/ ëndërrova/ Bukurinë/ e mbretëreshës sime/  Nuk më lejuan/ Zotnat/ Bashkë me jetën/ të zhdukem.  Është një pozi shumë e arrirë artistikisht është koncentrat poetik që të kujton poetin kombëtar Ali Podrimja me pozinë e famshme: “Epika” ku shkruan: Me shekuj kam shitur gjakun/e rritur jam me gjakun e shitur/ Me shekuj kam hëngër me veten/ e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…/ Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!

Poezi tejet e ndjerë është vargu për babain e tij Bak Zhuka.  Poeti qëndron në ëndërr, sjellë kujtimet dhe vrapon si pelegrini duke e rikujtuar përmallshëm të atin.  Ja disa vargje në poezinë: “Befasisht” fq 9.  Nga një ëndërr e gjatë/ Befasisht zgjohem/ Të ëndërroj dhe pak/ ndoshta do të ishte më mirë… Dhe ngritëm lart/ të shikoj të vërtetën…

Vargu për nënën frymon, merr jetë është dashuri hyjnore bir dhe nënë.  Në poezinë “Ndjej frymën e ajrit” poeti shkruan: Freskinë e ajrit ndjej/ Mbi fytyrën tënde/ Dhe aromën e luleve/ Që të bën me m’u dashuru me botën… 

Nëna është gjithësia, jeta në vazhdim, lule aromatizuese e shtëpisë dhe lë gjurmë të florinjta në udhën e fëmijëve për të ecur pa u ndalur.

Poeti Çelaj me vargjet dëshirore sjellë poezinë “Këngë Deti u bëfsha” fq 52 dhe shkruan: Sa e gjatë pritja që më mbyti/ Mëkatar më bën kjo ditë e re/ Lirinë e detit e kam rujtë/ Sa herë kanë dalë bajlozët e detit/ .  Kjo poezi e ndjerë si valëzat e bardha të detit që përkëdhelin ajrin apo ndonjë pendë të mëndafshtë zogu të ujit, të kujton poetin Nazim Hikmet, themeluesi i lirikës moderne turke i cili shkruan: 

Deti më i bukur/ është ai në të cilin akoma askush nuk ka shkuar/ Ditët tona më të mira/ Janë ato që ende nuk i kemi përjetuar.

Autori nuk do të jetë pengu i urrejtjes që shpesh qëndron si plagë malinjë në trup dhe mendje të drobitura.  Ai shprehet se s’kemi arsye të urrejmë, e bukura dhe mirësia si melhem, si mjaltë e mbyt urrejtjen e shëron plagën e keqe.  E hidhura në poezinë e tij fq 47 shkruan poeti nuk është e përjetshme, sepse kudo mbytet nga kujtimet e bukura/ Të urrejmë nuk kemi arsye/ Jeta është më e çmuar se çdo gjë.

Kjo gjuhë tingëlluese është gjuhë e Perëndisë, është gjuhë e dashurisë së zjarrtë që shpesh bëhet vullkan dhe së fundi mediton në realitetin e librit poetik.

Poezitë ndjekin rregullisht metrikën tradicionale, ose herë herë dhe vargun e bardhë, ndaj dhe ato marrin vëmendjen e lexuesit për të ndjerë më nga afër traditën shumë vjeçare të poezisë shqipe.  

Poeti me fantazinë e kthjellët dhe me metafora të arrira bukur sjellë si me magji kohën e baladave popullore aq te çmuar për popullin shqiptar.  

Autori e damkos genocidin dhe terrorin si një njollë të zezë në ballin e diktatorëve.  Vargjet e tij ndërtojnë një lirizëm epik, janë sintezë e ndërlidhur me figurat e shumta dhe të arrira si eksklamacioni, apostrofa, alegoria, antiteza, simboli, ironia, paralelizmi figurative etj.  

Për shkrimtarët e Diasporës duhet një vëmendje më e posaçme nga institucionet kulturure dhe akademitë pasi mjerisht vazhdojmë të mbetemi gjaku i shprishur që me arbëreshët që ikën pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe ndoshta shumë libra të botuara do të pluhurosen nga koha që shpesh tregohet e pamëshirshme.  Por janë poetët, shkrimtarët që me veprat e tyre ecin në natën me Hënë në vendet ku i hodhi fati dhe arrijnë magjishëm në Atdheun e tyre të largët, sepse e gjejnë rrugën nga rrezet e shndritshme hënore që u ndrin në faqet e bardha të letrës ku derdhin gjithe mallin e tyre.  Si shkrimtare emigrante me origjine nga Jugu me te njejtin fat si të Idrizit nga Kosova shpresoj shumë se një ditë do të kthehemi në trojet tona arbërore si Hebrenjtë në Izraelin e tyre të cilët në psalmin 137 tek Dhiata e Vjetër kanë shkruajtur: “Në të harrofsha ty, o Jerusalem, m’u lidhtë gjuha pas qiellzës”… 

Patjetër që do të kthehemi, por gjer atëhere të pakten të kthehen veprat e shkrimtarëve në trojet tona arbërore e bashkë me to dhe ËNGJËJT me fytyrë Hëne dhe bukuri Zanash.  

17 Mars, 2022

New York

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT