• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

AT MATI  PRENNUSHI O.F.M.

March 11, 2022 by s p

At MATI PRENNUSHI O.F.M.PROVINCIAL I FRANçESKANVE  Të SHQIPNISë

(1882 – 1948)

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Asht lé në Shkodër më 2 tetor 1881, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 300 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por, që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, i cili ka vdekë në vitin 1904 dhe asht varrosë në Rrëmaji, ku sot janë vorret e kësaj familje.

Don Matia ishte i njohun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e tij, mbasi pikërisht atë vit kur ai vdiq, ky asht shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanëve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe Ju kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë paraprëgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve Shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm, ishte forcë e madhe, por edhe ishte e vullnetëshme me ndihmue Shqipninë me kuadër të naltë në të gjitha fushat. 

Përgatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë, ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. Edhe At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac t’Austrisë në vitin 1904. 

E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata shqiptarë që, edhe pse ishin ende nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma.

Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë, të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht.

Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në gjimnazin e fretënve dhe mbas një viti shkon në Katund të Kastratit të Koplikut, ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne. Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga viti 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjeje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: – Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot, o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë në qytetin e Shkodres!

Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë, u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër.

Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit e vet tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi  një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi. 

At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria.”

Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, në Deçiq dhe Gerçë. 

Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin e vertetë dhe që, e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia, ndera e besa!

Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje. Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.

Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé sëdyti. 

Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin. 

Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku, që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!” 

E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!

Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e Të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË.

Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!

Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentave historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruen edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me Shqiponjën Dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”

At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin e pushtuem nga turqit barbar. 

Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Gerçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912.

Ky memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. 

Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni nuk kishte që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.

Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit  të gjyqit një anëtar i  trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”, dhe At Matia me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë kurrsesi peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Fishta për té, ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. 

Krajli jo vetëm i fali jetën por, edhe e liroi dhe ja dha me vedi. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert e mija.

Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë ma të madhe. 

Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës Shqiptare si të gjithë Kleri Katolik, po, kryesisht ai Françeskan kundër Regjimit të Zogut. 

Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës.

Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia u dënue me pushkatim. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar e fetar. 

Aty bashkëpunon me At Pjeter Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Luigj Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. 

Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po, prej tyne Ai gjithnjë konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmia asht e At Dioniz Makës. Në Tiranë ai u njoht me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. 

Të gjithë dokumentat arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë, me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun – Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, e veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njoftun ruen respekt të veçantë për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian dhe liberal shumë i kulturuem.

Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesa që ata kishin për té, dhe ky përfiton tue u marrë të holla për ndërtime qelash e Kishash në zonat e Tiranës. Kjo dokumentohët edhe me shpjegimet e shpënzimeve të bame në materialin e ruejtun sot edhe në Arkivin e Shtetit në Tiranë. (shif librin “Françeskanët”). Në vitin 1943 At Matia vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Rregjencë, në vendin e tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi  rruga e ndjekun me At Anton Harapin për aprovimin e emnimit të tij në Regjencë, vazhdoi aq kohë. 

Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj nga burimet e vërteta për këtë çashtje:

Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale.

Po filloj me citue At Konrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje porsa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. 

Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi”. Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së tij Provinçial i Fretenve.

Në fq. 65 (po aty), At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës sonë Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha jonë përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”. 

Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore.

Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At  Matia deklaron: “U bisedue nëse mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej, e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë. (A. M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).

Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhje i asht kërkue mendimi Papës dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e Ai e léjoi në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”.(po aty fq. 57.)

Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Rregjencës.     

Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia ua dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe trathtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vedi. 

Në këtë letër At Matia jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën. Porosia asht e padiskutueshme. 

Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl., dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.

Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante vetë kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit, janë kenë ma të shumtit.

Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë fatkeqsisht, do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj., që shtjellohën shumë ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944. 

Proçesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por proçesët e “mbylluna”, që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne.

Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni se, gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ata antishqiptarë?

At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit, dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arësytue gjithshka e këshillonte atë Vëllau i kuvendit. 

Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndime, i njerëzishëm, bujar dhe gjithnjë i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia, ishte elokuent, të bante për vedi, se ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla dhe vërejtja e tij mirëpritej si prej ATIT.

Me 17 nandor 1946, rreth orës 02.00 të mëngjezit, në një natë me shi, sigurimi i shtetit ndalon makinën tek dera e kuvendit ngjitë me Kishë, e hapin me çelsat e marrun me zori prej kuzhinjerit Martin Tarri, kalojnë nëpër mencë e futen në Kishë nëpër derë të kompanjelit. Shkarkojnë armë e municione në Kishë tek Elteri i Shna Ndout, i Zemrës së Krishtit dhe rreth orës 04.00 e rrëthojnë Kishën me ushtarë të Ndjekjës, tue mos lanë asnjë njeri me u afrue deri në ora 05.00 kur thohej mesha e mëngjezit. Atë kohë rrëthohet kuvendi me të gjithë françeskanët e xhakojt që ishin aty. Ditën bahen vizita nga autoritetët e organizatat e ndryshme për me pa armët e mëshefuna nga “fretnit”. Këte operacion të futjes së armëve në Kishën Françeskane të Gjuhadolit e drejtojnë: Zoi Themeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, që ngordhën me spaletat e Ministrisë së Mbrendshme të ndihmuem nga agjentët: Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku, etj.

At Mati Prennushi asht kenë arrestue me 15 Nandor 1946. Mbas sa muej torturash asht fillimi i vitit 1948, muej Janar kur po zhvillohej gjyqi: 

Në gjyqin e zhvilluem në mencen e Kuvendit Fretenve të kthyem në burg asht pyet i pandehuri Padër Mati Prennushi dhe tha: Akuza nuk është e vërtetë. Jam meshtar qysh në vitin 1904. Ishe famullitar në Kastrat jam qenë 15 vjet rresht, ndihmat nga Austria dhe Italia jepëshin për ndihmën e kultit dhe shkojshin në favor të kuvendit dhe të përsonit. Nuk kam qenë në shërbim të fashizmit as nuk kam punuar për të, dhe nuk kam dijtë kurrgjë. Më 14 qershor 1944 jam emruar Provinçial në vend të Padër Antonit. Kur erdhi Italia sikur na ra rrëfeja dhe kam kja me lot por unë nuk kam ba kurrgja. Meloni dhe Jachomoni kanë ardhë kur jam ba Provinçial, mbasi kam qenë qysh në 1941 në Tiranë me shërbim e më ka takue rasti të takohesha me ta. Subvencion më kanë dhënë po pa kurrnjë konditë. Kam njohur gjeneral Nuçin por mardhënje politike nuk kam pasë. Kol Bibën e kam njohur më parë por nuk kam punuar me te për ardhjen e fashizmit, gjithashtu edhe Ernest Koliqin, por çështje politike nuk kam fjalosur me to. Tek Jakomoni kam shkuar për vizitë në Pallat se na grishte, kam shkuar si superior i kuvendit e i bënim urime për Shqipni. Me Melonin jam njohur por takime nuk kam pasur. Iljaz Agushin, Papa Lilon e të tjerë i kam njohur në Tiranë, megjithatë Papa Lilon e kam njohur dhe më parë, kam pasë shkuarje por mardhënje politike jo. Ai ishte në shërbim të italianëve. 

Unë nuk dij se kush ka punuar nga kleri për okupimin e Shqipnisë. Në kohën e Italisë kemi punuar për të këthyer orthodoksët në katolikë, por unë nuk dij se ka pasë qëllime politike, për këtë ka qenë i ngarkuar Delegati Apostolik, në vende të ndryshme shkonte ai vetë. Padër Karma shkonte për predikime ku kanë qenë katolik. Na kishim përfitim shpirtnor. Në Tiranë kam qenë në 1941, përpara kësaj datë kam qenë në Gomsiqe dhe në Bërdicë. Nuk kam predikuar për të shtuar radhët e fashizmit, në Tiranë kam qëndruar deri në vitin 1944. Nuk më ka ardhë keq për kapitullimin e Italisë. Mbas kapitullimit të Italisë ka hy Gjermania dhe ma vonë kam njohur gjeneralin Vistull në Tiranë, këtu kam njohur Hausdingun, tek i cili kam shkuar 4-5 herë për të shpëtuar njerëz, por nuk kam shkuar për spijunllëqe dhe nuk kam marrë pare nga Gjenerali Vistull. Me majorin gjerman që asht vra e që ka qenë tek Hausdingu jam njohur por mardhënje politike nuk kam pasur me té. Lëvizjen Nacional Çlirimtare e doja se luftonin kundër okupatorit. Komunizmin e kam urryer. Ballë e Legalitet kishte por nuk jam marrë me to. 

Kleri, unë e dij se nuk ka punuar me okupatorin. Padër Anton Harapi ish Regjent Shqiptar dhe njëfarë Shqipnije ishte sa me i thanë Shqipni. Unë nuk dij se shka ka punuar ai me okupatorin dhe as më bie ndër mend, por Padër Antoni është munduar shka ka muejt me ba e ka ba. Me Padër Antonin politikisht nuk kam punuar. Kur u ba Regjent ka ardhë në një mbledhje në Shkodër, në “Rozafat” për mos me hy komunistat në qytet, Unë nuk kam folë, as kam aprovue as disaprovue. 

Aty vetëm Prenkë Cali me disa malësorë të tjerë tha hapët se, ju qytetarët kini vetëm fjalë, dhe nga ne kërkoni gjithnji punën. Ne na kini lanë mbas dore, ne na thirrni kur keni punë me ba. Çfarë vëndimesh u morën aty nuk më kujtohet. Me Padër Antonin nuk kam bërë mbledhje. Nuk dij që kleri të ketë punuar për të organizue forca kundër L.N.Çl., pse unë vetë nuk kam punue. Për armën e gjatë që është gjetur në tavanin e kishës në një birë murit unë nuk di gja fare se kush e ka mëshef, kurse librat që janë gjetur në tavanin e korit të kishës si dhe nën elterin e Shna Ndout, janë futur prej shumë pjestarëve të këtij kuvendi, përposë meje që nuk kam dijtë se janë.

Me Mehdi Frasherin, Lef Nosin, Brahim Biçakun jam njohur dhe kanë ardhë në kuvend, këta ishin Regjenta. Lef Nosi shkoi në Dukagjin e Mehdi Frashëri në Gjermani, kurse Ibrahim Biçaku nuk dij gja. Tek Mato Murati kam shkuar një herë, por ai nuk ka ardhë në kuvend. Nuk asht e vërtetë që i kam çuar informata. Me Javer Rushitin jam njohur ma parë e Nën/Kolonel Garxholen jam njohur si shkodranë. Kur ishte në arrati Kol Ashiku më kërkonte lajme, por nuk i kam çue. Një plakë që kishte djalin me Kol Ashikun më ka ardhë e i kam dhanë 4 napolona letër, mbas çlirimit nuk kam treguar aktivitet kundër Pushtetit. Mbledhje në Kuvend me karakter politik nuk kam bërë. Provokacionet greke i kam quajtur të rrezikshme. Padrejtësitë e Konferencës së Paqës i kam pritur keq. Nuk asht e vërtetë se kam sabotuar votat e dhjetorit 1945, unë nuk kam votuar. Kemi bërë mbledhje në Argjipeshkvi ku ka marrë pjesë Monsinjor Thaçi, Gjini, Volaj, Pal Doda, Fausti, Dajani dhe unë, biseduam për punë të xhakojve nëse duhej të votonin dhe vendosëm të mos votonin, disiplina ynë nuk i lejon. 

Në Seminar ka qenë Padër Gjon Shllaku, Padër Nika, etj., por nuk dij se jepnin edukate fashiste. Tjetër mbledhje nuk kemi bërë. Në Tiranë kam shkue me kontrollue Ipeshkvinë, por mbledhje nuk kemi bërë. 

Në Durrës nuk kam shkue por në Tiranë jemi kenë në qelë ku lypëm takim me Kryetarin e Qeverisë, por nuk na pranoi. Memorandum bamë por nuk e çuam, as që dij në se e ka çuar Don Shtjefën Kurti, por mbi qeverinë nuk dij gja se asht shkrue, por për çështje të shkollave që na u mbyllën asht ba memorandumi. Delegat Apostolik ka qenë Monsinjor Nigris, zëvendës më vonë ka qenë Monsinjor Gjini, por nuk dij se si korespondonin  me Vatikanin, por në kjoftëse nëpërmjet Misjoneve të hueja. Me Loro Kurbinin nuk kam biseduar çështje politike. Më 12 tetor 1945 kam shkuar në Lezhë,  edhe në Troshan, por nuk kam dhënë instruksione  mos me marrë pjesë në qeveri. Për organizatën Demokristjane nuk dij kurrgja. Nuk kemi formuar Komitete e N/Komitete, as kemi bërë mbledhje dhe as që asht përmendur.

I pandehuri Ndoc Sahatçija tha: Ky ka mbajtë fjalim për sabotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, e me kundërshtuar Reformat me krijuar Komitete.

I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Kjo asht nji shpifje, unë nuk dij gja. Dokumentat e municioni që janë gjetë në Kuvend i kam parë kur i kanë gjetë dhe kanë qenë katër pesë pushkë, do gypa me maskë, revolver, pushka automatike, fishekë dhe të tjera, edhe disa bombe të çartuna. Për dokumentat më kanë kallxue, se këto i ka pasë marrë Padër Pal Doda e Padër Çiprian Nika, këto vareshin prej meje, por unë e mora vesht kur ka ndodhë kjo, nuk ma priste mendja se janë ruajtur, i dija të djeguna. Koresponendencë me të arratisur nuk kam pasë dhe nuk i kam konsideruar si ushtri të Demokristjanës të arratisurit. Me Anglo-Amerikan nuk kam pasur lidhje. Në Komitetin e Përbashkët nuk kam qenë antar as kam ftuar njëri për të marrë pjesë. Kur është bërë ngjarja e 9 shtatorit kam ndodhur në Troshan dhe atje e mora vesh. Veprimtarinë time nuk e konsideroj kurrë trathti. Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

(Materiali toskënisht asht shkrue nga sekretari i gjykatës ushtarake.)

Gjykata ushtarake dha Vendimin per Pader Mati Prennushin: “Me vdekje, me pushkatim. Me konfiskim pasunije…”

I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Unë nuk kam pasë dijeni për Parti Demokristjane. Sa për kundra Pushtetit jam krejt i bindur se nuk kam bërë asgjë. E ndiej vetën të pafajshëm. Rroftë Shqipnia e Shqiptarët! Dhe në deksha unë nuk prishë punë. E dij se jam i pafajshëm”.

11 Mars 1948, ora 5 e mengjesit në Zallin e Kirit shenohet fjala e fundit: 

AT Mati Kol PRENNUSHI tha:” Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” Ai vdiq i respektuem dhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim. 

At Mati Prennushi punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë Françeskanët, mbasi në zemër i vlonte LIRIA. 

            Melbourne, 11 Mars 2022.

Filed Under: Mergata

SHTETËSIA MALAZEZE,  JO VETËM ÇËSHTJE  POLITIKE

March 11, 2022 by s p

Nail  Draga

Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi, në ditën kur humbi votëbesimin(4 shkurt) për të lejuar marrjën e shtetësisë malazeze qytetarëve të huaj të cilët kanë qendirm të përhershëm  ma shumë së pesë vite është kontestuar nga opozita dhe shoqëria civile, e cila një vendim të tillë e cilëson me motive politike  për të ndryshuar  strukturës etnike të popullsisë si dhe rritjen e elektoratit votues serb, që do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Se Mali i Zi është mjedis i pakonsoliduar politikisht dëshmon konstatimi se në ditën e votëbesimit të Qeverisë, kryemnistri Zdravko Krivokapiqi, mbajti mbledhjen elektronike të qeverisë, duke marrë vendime më rëndësi për qytetarët me shtetësi të huaj.Fjala është kryesisht për qytetarët me prejardhje nga Serbia, Bosna e Hercegovina e Rusija, të cilët në vite me parë  janë vendosur në këtë vend, duke marrë përmasa të mëdha  pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë(1991) e më pas.

Sipas të dhënave të mëhershme  nga Ministria e Punëve të Brendshme në Mal të Zi jetojnë 63.746 qytetarë të huaj, prej  të cilëve për 30.930 iu është lejuar statusi i të huajit me qendrim të përhershëm sepse me vite jetojnë  në Mal të Zi  dhe potencialisht mund të fitojnë statusin  e shtetësisë, ndërsa 32.816 individë iu lejohet qendrim i përkohshëm në Mal të Zi.

Ndryshimi në  strukturën nacionale

Vendimi i tillë i marrë nga kryeministri Krivokapiq në mbledhjen e Qeverisë në mënyrë urgjnete vlerësohet si i qellimshëm i cili në mënyrë artificiale do të ndikojë në ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në Mal të Zi. Duke marrë parasysh se numri i shtetasve të huaj që presim të marrin shtetësinë malazeze i përket kombësisë serbe, ata gjithashtu do të jenë përcaktues në mbeshtetje të subjektëve politike proserbe.

Në favor të këtij konstatimi shkon edhe e dhëna  nga CEMI, të cilët parashikojnë se në pesë vitet e ardhshme në Mal të Zi do të aplikojnë nga 25.000-28.000 shtetas të huaj  për të fituar shtetësinë malazeze, e me këtë edhe të drejtën në regjistrin zgjedhor. Duke marrë parasysh raportët në mes popujve shumicë në këtë mjedis(malazezëve e serbëve), del qartë se do të ndikojë në strukturën e tyre në kuadër të popullsisë së përgjithshme. 

Politizimi i shtetësisë

Nëse supozojmë hipotetikisht se nga ky numër për dy vite do ta fitonin shtetësinë malazeze rreth 20.000 shtetas të huaj, që janë kryesisht serb, atëherë numri i deputetëve proserb do të rritej për katër deputet. Do të ishte ky numër i mjaftueshëm për të qenë përcaktues në fitorën e shumicës parlamentare, nëse për bazë merret raporti aktual i deputetëve  në mes pozitës e opozitës. Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një mjedis e skenë politike të polarizuar çdo ndryshim numërik ndikon në strukturën e elektoratit votues, përkatësisht   në rezultatin përfundimtar, ku si dëshmi kemi raportin e pozitës dhe opozitës në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, e cila diferencën e kishte të një mandat i deputetit.

Sfidat e qeverisë së re

Në sajë të reagime të shumta del qartë se Qeveria e re e cila do të formohet së shpejti në lidhje me këtë çështje do të jetë para sfidave të mëdha, sepse nga ajo do të kërkohet të anaulojë vendimin e Qeverisë të datës 4 shkurt, sepse është me pasoja në Mal të Zi. Madje ekziston ideja e ngritjës së padisë penale ndaj ish kryeministrit Z.Krivokapiqi, në shkelje të procedurës dhe ligjshmërisë në lidhje mbi këtë çështje. Mbetët të pritet të formohet qeveria e cila është emërtuar si e pakicës si dhe gadishmëria të merret me këto çështje që cilësohen të kontestuara, ku duhet të vendoset me profesionalizëm dhe ligjshmeri. Ndërsa deri sa qeveria e re të formohet nuk ka dilemë se në numër i konsideruar i shtetasve të huaj që i plotësojnë kushtet formale do të marrin shtetësinë malazeze, e cila iu është mohuar vite më radhë nga motive politike.

Kujtojmë me këtë rast se sipas të dhënave   të përgatitur më parë nga CEMI, se në sajë të Ligjit për shtetësinë malazeze, është lejuar pranimi i saj për   rreth 31.000 shtetasve të huaj  për 15 vite që janë rreh 5% e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi, ndërsa sipas Ligjit për të huaj , sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka lejuar  30.052 shtetas me qëndrim të përhershëm dhe   29.042 me qëndrim të përkohshëm.

Shtetësia sipas ligjit e normave ndërkombëtare

Pasi vendimi për marrjen e shtetësisë malazeze është botuar në Fletën zyrtare me 11 shkurt, ndërsa ka hypur në fuqi me 19 shkurt, sipas informacionëve nga  ditët e para me kërkesë për shtetësi janë paraqitur një numër i konsideruar i shtetasve të huaj. Një veprim i tillë nuk paraqet befasi, sepse ata kanë pritur vite me radhë, edhe pse këtu kanë jetuar e punuar, por pa të drejta si qytetarët e tjerë. Ndërsa tash janë kriuar  rrethana tjera duke u barazuar me qytetarët tjerë në Mal të Zi. Nëse në ndërkohë nuk ka ndonjë reagim nga qeveria e re e cila do të formohet së shpejti, marrja e shtetësisë së tyre do të ndikojë në strukturën e  përbërjës  etnike të popullsisë në Mal të Zi, si dhe do të ndryshojë regjistrin zgjedhor në favor të partive politike proserbe. 

Përfundimisht në lidhje me këtë çështje përgjegjësi nuk ka qeveria aktuale apo ajo që do të formohet së shpejti, por e mëparshmja e cila për tridhjetë vite në pushtet nuk është angazhuar për ta zgjidhur këtë çështje sipas ligjit në fuqi dhe normave ndërkombëtare, por e kanë trajtuar sipas interesit të tyre politik.

(Mars  2022)

Filed Under: Emigracion

Nëna pranë foshnjës së vdekur

March 11, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Në Ukrainë gjaku derdhet si lumë,

fëmijë të vdekur prindërit shtrëngojnë,

një botë e tërë dënon këtë dhunë,

ndërsa barbarët s’pyesin, bombardojnë…

Dhe foshnja “fle” në krah të nënës së mekur,

me duar të djegura e vë në gjoksin e saj,

por djali s’çohet i ngrirë ka mbetur,

Më s’mund të shkruaj, shkrihem në vaj…

10 Mars, 2022

New York

Kjo Foto tronditëse tregon Marina Yatsko dhe Fedor duke qarë mbi trupin e pajetë të djalit të tyre 18 muajsh në një repart spitalor në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë nga barbarët rusë.

Filed Under: ESSE

MBËSHTETJA FINANCIARE E SELISË SË SHENJTË PËR SKËNDERBEUN NË VITET 1465-1467 SIPAS BURIMEVE ARKIVORE

March 11, 2022 by s p

Steme origjinale e Gj. K. Skenderbeut nga viti 1467. Origjinali ruhet ne Biblioteca Apostolica Vaticana
Nje vellim me dokumenta origjinale nga ASV
Mandati i Gj. K. Skenderbeut nga viti 1458
ASV – Reg. Lat. vell. 102, 118r

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanien Studies – Budapest

Marrëdhëniet financiare të Skënderbeut me Vatikanin janë pasqyrë e një prej aspekteve më të rëndësishme të personalitetit të tij prej burrë-shteti dhe diplomati. Duke qenë se Selia e Shenjtë në mesjetë ishte pushteti qendror i Evropës dhe ushtronte autoritetin e saj si mbi aspektet fetare të banorëve të Evropës, ashtu edhe mbi të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre, ishte mençuri nga ana e Skënderbeut që të përpiqej të fitonte vëmendjen e Vatikanit, dhe ta përdorte këtë vëmendje për qëllimet e tij. Sigurisht që financat në kuptimin e gjerë të fjalës përbëjnë një ndër treguesit më të mirë të temperaturës së këtyre marrëdhënieve, dhe nuk duhen konsideruar thjesht si shkëmbime monetare të mjaftueshme apo të pamjaftueshme për Skënderbeun.  

Nëse do të përpiqemi që të kuptojmë mirë këto marrëdhënie të Skënderbeut me Vatikanit, duhet t’i marrim në konsideratë ato në të gjitha nivelet dhe në të gjithë plotësinë e tyre, gjë që do të ishte një sipërmarrje shumë e veçantë, por edhe shumë e madhe. Në këtë shkrim bëhet një përpjekje për të cekur disa nga nivelet më të rëndësishme të këtyre marrëdhënieve, kryesisht duke u përqendruar në dokumente arkivore që sot gjenden në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe Arkivin e qytetit të Romës, një pjesë e mirë e të cilave nuk janë botuar asnjëherë

Disa historianë shqiptarë, pa bërë asnjëherë kërkime dhe hulumtime shkencore në ndonjë arkiv të rëndësishme ku ruhen burime dhe dokumente origjinale për marrëdhëniet financiare të Selisë së Shenjtë dhe Gj. K. Skënderbeut, të mbështetur në pohimet e disa historianëve të huaj, si psh. Voigt dhe Fallmerayer pohojnë pa asnjë argument se papët e ndihmuan Skënderbeun vetëm me bekime apostolike dhe me ligjërata panegjirike, zëra këto që gjejnë jehonë të fuqishme edhe sot e kësaj dite jo vetëm në historiografinë e huaj, por për fat të keq edhe atë shqiptare. Një gjë të tillë e hedhin poshtë disa nga autorët që janë marrë me studime dhe kërkime serioze të raporteve financave të Selisë së Shenjtë me prijësit evropianë që luftuan kundër turqve në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe Arkivin e qytetit të Romës si p.sh. Bertoloti, Caro, Cherubini, Gottlob,  Malacarne, Noli,  Pastor, Schneider, etj, të cilët pothuajse njëzëri pohojnë se papët “i ndihmuan Skënderbeut me të holla tingëlluese që arrinin në mijëra dukatë ari të thesarit papal”. “Dhuratave të tyre – shkruan Noli – duhet t’u shtohen edhe fondet e mbledhura nga legatët e papëve si brenda në Shqipëri, ashtu edhe përjashta, veçanërisht në Dalmaci, për kryqëzatën e Skënderbeut.” E në fakt, për këtë kemi shumë dokumente dhe burime arkivore, disa prej të cilave do t’i përmendim më poshtë, për vetëm dy vitet e fundit të jetës së Gj. K. Skënderbeut, përkatësisht nga 19 prill 1465 deri me 1 shtator 1467, pa sjellë rezultatet e viteve të mëhershme, të cilat mendojmë t’i bëjmë publike në të ardhmen. 

Qysh në fillim duhet theksuar që marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë u ndërtuan mbi bazën e një interesi të ndërsjellë, si nga ana e Skënderbeut ashtu edhe nga ana e Selisë së Shenjtë, interesa këto që erdhën duke u forcuar me kalimin e kohës dhe me rritjen e famës së Skënderbeut si strateg në luftën kundër osmanëve. Ishte dështimi i kryqëzatës së Varnës (1443-1444) e mbështetur nga papati dhe e udhëhequr nga Vladislavi III, mbreti polak që në ato kohë ishte bërë edhe mbreti i Hungarisë, nga Janos Hunyadi, figurë kryesore e oborrit mbretëror hungarez që sundonte Transilvaninë dhe Gjergj Brankoviqi që pas pushtimit turk të Serbisë ishte strehuar në Hungari, ai që e bëri papatin që të kthente tërë vëmendjen e tij nga Skënderbeu, i cili me qëndresën e pandërprerë në territoret shqiptare ndezi përsëri shkëndijat e shpresës për papatin dhe pengimin e depërtimit osman në Evropën Perëndimore. 

Megjithatë, që Skënderbeu të fitonte plotësisht besimin e Selisë së Shenjtë iu desh kohë dhe shumë fitore kundër turqve. Atij iu desh jo vetëm që ta çonte ushtrinë e vet nga fitorja në fitore, por edhe të demonstronte që ishte serioz në sipërmarrjet e tij kundër turqve dhe që do të luftonte si një princ i krishterë kundër jobesimtarëve. Papët Eugjen IV (1431-1447) dhe Nikolla V (1447-1455) e afruan mjaft Skënderbeun, por nuk mund të thuhet që ata të vetmen shpresë e kishin tek ai dhe për këtë arsye ta përqendronin të gjithë vëmendjen e tyre për luftën kundër otomanëve te ai. Pjesa më e madhe e vëmendjes së tyre ishte e përqendruar kryesisht te Hungaria dhe Konstantinopoja, që mbanin barrën kryesore të luftës së krishterimit kundër jobesimtarëve, ndërkohë që me papën Kalisti III (1455-1458), sidomos në fund të pontifikatit të tij, vëmendja e papatit ndaj Shqipërisë rritet, për të arritur kulmin me papën Piu II (1458-1464), i cili e konsideronte Skënderbeun si komandant të ushtrisë së krishterë kundër turqve.

Që në fillim të fushatës së tij anti-osmane, Skënderbeu tregon qartë që po kërkonte një orientim perëndimor. Nuk ishte rastësi që përpjekjet e para për bashkim të princërve shqiptarë ndodhën pikërisht në një katedrale të ritit katolik. Fan Noli pohon që nuk ishte rastësi që Kuvendi i Lezhës (2 mars 1444) në të cilin Skënderbeu thirri të gjithë princat shqiptarë dhe ata të vendeve fqinjë u mblodh në një katedrale. Me anë të këtij veprimi Skënderbeu po dëshmonte që kisha katolike, institucionet dhe klerikët e saj, do të ishin ata që do të shërbenin si bazë në misionin e tij kundër turqve. Koha e mëtejshme tregon sesa të vërteta ishin këto plane. Kisha katolike kishte luajtur dhe do të vazhdonte të luante jo vetëm një rol të rëndësishëm në luftën kundër turqve por edhe në realizimin e idesë së bashkimit të princërve fetarë dhe të koalicioneve efektive si pjesë përbërëse të një plani lufte kundër infideles.

Meqenëse marrëdhëniet e Gj. K. Skënderbeut me Selinë e Shenjtë kishin filluar që herët dhe patën një vazhdimësi të pandërprerë gjer në fund të jetës së Skënderbeut, mund të flasim pa frikë edhe për rrugë diplomatike të konsoliduara midis tyre. Përfaqësuesit e Kishës Katolike ishin vazhdimisht të ngarkuar me shërbime ndërmjetësuese midis Vatikanit, fisnikëve shqiptarë dhe fuqive të tjera të Evropës së asaj kohe. Kështu p.sh. më 27 shkurt 1451, ambasadori i Skënderbeut, Gjon Gazuli, e informoi papën Kaliksti V për situatën e vështirë në të cilën ndodhej Skënderbeu. Kjo situatë nuk ishte krijuar vetëm si rrjedhojë e sulmeve të turqve, por edhe për shkak të mungesës së financave për të vazhduar luftën kundër turqve. Për shkak të kësaj situate në të cilën ndodhej Skënderbeu, Gjon Gazuli ishte nisur për në Raguzë (Dubrovnikun e sotëm) ku mundi të merrte ndihmë financiare, vetëm pasi paraqiti atje letrat papnore që kishte marrë nga papa Nikolla V. Në këto letra, papa i kërkonte Republikës së Raguzës që të ndihmonte fuqishëm Skënderbeun. Sigurisht që kjo ndihmë konsistonte në radhë të parë në mbledhjen e fondeve për luftën e Skënderbeut. Zyrtarisht dhe të përhershëm si ambasador i dërguar pranë Selisë së Shenjtë, funksioni i të cilit ishte dorëzimi i letër-kredencialeve të Skënderbeut te papa Piu II, ishte Martin Muzaka, një pinjoll i shquar i familjes Muzaka. Më 29 tetor 1459, pasi ka marrë një relacion nga Martin Muzaka, ambasadori i tij pranë Piut II, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i prezanton kryeipeshkvit Pal Engjëlli të Durrësit e të rajonit ilirik, Biaxhon, prior të Dominikanëve të Kuvendit të Shkodrës, që do të shërbente si orator e nunc apostolik në Shqipëri. 

Kisha katolike e Shqipërisë, dhe sidomos Pal Engjëlli luajtën një rol shumë të rëndësishëm në vitet ’60 të shekullit XV për përkrahjen ekonomike dhe politike të Skënderbeut. Që prej vitit 1465, kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli ishte personi më i rëndësishëm i Skënderbeut në marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë. Ai konsiderohet madje edhe si një ndër princërit klerikë më të rëndësishëm të të gjithë Ballkanit të shekullit XV, sepse ishte në shërbim të planeve kryqtare të papa Piu II, i cili fushatat kundër turqve i ndërmerrte me gjithë energjinë e mundshme. Pal Engjëlli ishte gjithashtu ai që organizonte kishën katolike në trojet shqiptare, duke thirrur jo vetëm mesha dhe takime të përbashkëta të klerikëve shqiptarë por madje edhe kuvende ku merrnin pjesë jo vetëm klerikë por edhe personalitet më të rëndësishme shekullore të rajonit siç ishte kuvendi i Matit i vitit 1462.

Papa Kalisti III, në një breve të tij drejtuar Skënderbeut, na përmend një tjetër personalitet kishtar, i cili funksionoi kryesisht si ambasador për çështjet midis Skënderbeut dhe Sinjorisë së Venedikut: Gjergj Pelinin, abatin e manastirit benediktin të Shën Marisë së Rotecit. Edhe ai ishte i dërguar diplomatik i Skënderbeut në Vatikan, dhe anasjelltas. Papa Kalist III na informon që ai i plotësonte të gjitha dëshirat e Skënderbeut. Duke e lavdëruar në një letër të 19 shkurtit të vitit 1461, papa Piu II thotë për Gjergj Pelinin që krahas devocionit për kishën katolike, ai kishte sakrifikuar jashtëzakonisht shumë edhe për Skënderbeun, sidomos kur e kishte shoqëruar këtë të fundit si përfaqësues papnor në Pulia të Italisë. 

  Përsa i përket zërit diplomatik të Selisë së Shenjtë pranë Skënderbeut, kemi shumë autoritete kishtare. Ndër më të hershmit që daton nga një prill i vitit 1444 është Paganino, ipeshkvi i Ulqinit. Papa Eugjeni IV e konfirmon Paganinon, ipeshkvin e Ulqinit në autoritetin dhe postin e nuncit të Selisë së Shenjtë për Shqipëri e Dalmaci: përkatësisht për trojet shqiptare e më gjerë ku përfshiheshin Tivari, Budva, Ulqini, Shasi, Drishti, Pulti, Shkodra, dhe Sarda. Pas vdekjes së Gjergj Pelinit, i tillë kishte qenë në Shqipëri edhe Giovanni Navarra. Andrea Suma ishte një tjetër ambasador i Skënderbeut dhe përfaqësues i Kurisë papnore pranë Skënderbeut. 

Marrëdhëniet diplomatike të Skënderbeut me Selinë e Shenjtë shfaqen më të frytshme përsa i përket çështjes së bashkimit të krerëve shqiptarë rreth Skënderbeut. Minoriti dhe nunci apostolik, Antonio de Olivetto, ishte porositur prej papës Nikolla V që të fitonte fisnikët vendas për Skënderbeun, me qëllim që ata ta mbështesnin atë në luftën kundër turqve. 

Një rast shumë i spikatur është ai i pajtimit të gjaqeve midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve. Marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve ishin ashpërsuar veçanërisht në vitin 1450, kur rezultuan në luftime të vogla. Në po atë vit, disa anëtarë të familjes së Dukagjinit duket se kanë ndihmuar fushatën osmane, për qëllime materiale siç ishte rritja e pronave të tyre të paluajtshme. Selia e Shenjtë filloi ndërhyrjet për pajtimin e Skënderbeut me Dukagjinasit në vitin 1452. Më 13 gusht 1452, papa Nikolla V, emëron Pal Dushin (Paolo Dussus), ipeshkvin e Drishtit, nunc dhe mediator të paqes midis Gjergj Kastriotit Skanderbeut dhe Palit e Nikollë Dukagjinit. Dhe në të vërtetë paqja u përfundua, edhe pse u arrit dy vjet më vonë, në vitin 1454, gjë që tregon se sa serioze dhe të vështira për pajtim ishin këto kontradikta.

Megjithatë, paqja midis Skënderbeut dhe Dukagjinasve nuk zgjati shumë. Më 10 shkurt të vitit 1459, ishte papa Piu II ai që i drejtohet me një bulë kryeipeshkëve të Durrësit dhe të Tivarit dhe sufraganëve të tyre, në lidhje me kundërshtimet e dukagjinasve, në atë kohë aleatë të turqve “kundër popullsive katolike, kundër Selisë së Shenjtë dhe veçanërisht kundër birit të shquar, burrit fisnik Gjergj Kastrioti i ashtuquajtur Skënderbeg, zot i Shqipërisë.” Papës Piu II iu desh të përdorte autoritetin e tij apostolik për këtë rast: i kërcënoi dukagjinasit me çkishërim, nëse ata do të vazhdonin kundërshtimet e tyre. Përveç kësaj, Pal Engjëlli u tregua një mediator i shkëlqyer kur arriti të shmangte luftën midis të dy palëve shqiptare.

Një tjetër rast për intervenimin apostolik shfaqet në vitet 1463-1464 kur Skënderbeu dhe Dukagjinasit kishin marrë një qëndrim neutral përkundrejt osmanëve. Duke qenë se po bëheshin plane sulmi të të krishterëve kundër turqve nën udhëheqjen e papës Piu II, papa Piu II i donte edhe Skënderbeun dhe Dukagjinasit aktivë në këtë fushatë, dhe ia arriti që t’i tërhiqte ata në anën anti-osmane. 

Në këtë kohë, në të gjithë Ballkanin jugor vepronte edhe Eugen Suma, i cili ishte emëruar nga papa Nikolla V si nunc dhe komisar për këtë rajon. Ai predikonte jo vetëm në Shqipëri por edhe në Bulgari dhe në Rasha (Serbi). Papa Nikolla V e ngriti në postin e ministrit provincial të françeskanëve, dhe së fundi i ngarkoi atij edhe postin e inkuizitorit në luftën kundër herezisë në këto territore. Eugen Suma ishte një ndër predikuesit kryesore në Shqipëri e në Ballkanin jugor për të përkrahur Skënderbeun në luftërat e tij anti-osmane.

Përveç të gjitha këtyre aktiviteteve të klerit katolik në përkrahje të Skënderbeut dhe të luftës së tij anti-osmane që sigurisht mbartnin me vete edhe koston e tyre financiare, por që nuk llogaritet asnjëherë nga pothuajse asnjë studiues, kemi edhe dokumente të tjera të natyrës thjesht financiare që tregojnë për përkrahjen e papatit ndaj Skënderbeut. Para se të merremi me analizën e dokumenteve dhe letrave papnore specifike për këtë qëllim, po paraqesim edhe një pasqyrë të shkurtër të indulgjencave që Selia e Shenjtë i jep Gj. K. Skenderbeut. Më 19 shkurt të vitit 1447, nëpërmjet një bule papa Nikolla V, u jep indulgentia pleniaria të gjithë atyre (individë apo fuqi politike evropiane qofshin ato) që do të ndihmonin Gjergj Kastriotin Skënderbeun me para. Duhet të mbajmë parasysh që indulgjencat luanin një rol shumë të rëndësishëm në jetën e besimtarit të asaj kohe, dhe që ishin një ndër motorët kryesorë që kisha përdorte për të mbledhur para, dhe sasia e mbledhur arrinte shumë të konsiderueshme. Ndihma të tilla të tërthorta ekonomike sot do të ishin të barazvlefshme me fundraising që mbajnë në këmbë shumë organizata dhe institucione bashkëkohore. Sigurisht që ishte dhënia e indulgjencave të plota, sipas së cilës faleshin mëkatet për gjithë jetën dhe që vlente për të gjitha llojet e mëkatet, për të gjithë ata që ndihmonin Skënderbeun me para ishte një ndihmë e konsiderueshme ekonomike për të. Selia e Shenjtë nuk e  kurseu këtë formë të mbledhjes së fondeve për fushatat e Skënderbeut edhe në raste të tjera. Më 15 shtator 1457, papa Kalisti III i plotëson dëshirën Skënderbeut duke lëshuar një indulgjencë për ata që do të bëjnë dhurata për rikonstruktimin e kishës së Shën Nikollës në Lezhë, tempull antik që në atë epokë ishte në rrënim. Pas vdekjes së tij, Skënderbeu varros në këtë kishë. Të tjera indulgjenca iu dhanë edhe në vitin e shenjtë, 1450. Në këtë vit, Gjon Gazuli ishte personaliteti më i rëndësishëm përgjegjës për mbledhjen e financave që Kuria Papnore ia kishte akorduar Skënderbeut. 

Krahas indulgjencave, një peshë të madhe financiare sigurisht që luanin edhe të dhjetat e kishës, që Kisha i vinte në shërbim të fushatave anti-osmane. Këto të dhjeta arrinin përmasa kaq të mëdha saqë shpesh ndaheshin në mes të disa forcave politike që luftonin për të njëjtin qëllim. Kështu, më 17 shtator të vitit 1457, papa Kalisti III i dërgon një breve kardinalit të S. Angelo-s, duke i kërkuar udhëzime për të shpërndarë të dhjetat e mbledhura për kryqëzatat në Dalmaci midis mbretit të Hungarisë, Bosnjës, dhe Skënderbeut. Më anë të kësaj breve papa i shkruan Skenderbeut që abat Pellini i kishte plotësuar të gjitha dëshirat e tij, por i komunikon gjithashtu edhe keqardhjen e tij për vdekjen e ipeshkvit të Krujës, që kishte qenë nunc dhe kolektor pontifik në Shqipëri. Në vend të tij, papa kishte dërguar një komisar të ri në Shqipëri, Giovanni Navarrën për të rikuperuar të gjitha shumat e mbledhura nga ipeshkvi i sipërpërmendur dhe nga kolektorët e subkolektorët e tjerë për kryqëzatën. 

Më 20 shtator të vitit 1457, papa Kalist III i komunikon dogjit të Venedikut, Francesco Foscari, që kishte nisur komisarin e tij, Giovanni Navarrën, dhe çdo shumë parash e mbledhur nga Raguza e në qytete të tjera të Dalmacisë në favor të Selisë së Shenjtë, të ndahej në mënyrë të barabartë midis mbretit të Hungarisë, Bosnies dhe Skënderbeut, gjë që tregon se Shqipëria e vogël, do të merrte po aq financa sa mbretëria e Hungarisë që jo vetëm ishte shumë më e madhe gjeografikisht, dhe më e fortë politikisht por kishte qenë edhe shumë më e konsoliduar në luftën kundër turqve. Përveç kësaj papa i kërkon Dogjit venedikas që Gjovanni Navarra t’i dorëzojë Skënderbeut edhe paratë e mbledhura në Shqipëri, në vendet që juridikisht ishin subjekte të Republikës së Venedikut. 

Më 6 shkurt të vitit 1458, papa Kalisti III i drejton një breve Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në të cilën e informon që kishte marrë nga ai ambasadorë që e kishin informuar për situatën në Shqipëri. Kalisti III e definon Skënderbeut si princ të vërtetë katolik dhe për të lavdëruar pamposhtmërinë e tij në luftë kundër turqve i dhuron atij 6.000 dukatë de camera. Kjo ishte tepër shenjë miqësie dhe besueshmërie, por që sigurisht që nuk ishte një shumë e vogël për t’u quajtur modeste.

Më 8 shkurt 1458, papa Kalist III i drejton një breve mbretit të Aragonës, në të cilën e informon që kishte ndërmend t’i dërgonte edhe ndihma të tjera Skënderbeut, dhe i bën thirrje atij që t’i dërgonte gjithashtu shuma parash zotit të Shqipërisë. 

Përveç se me indulgjenca e forma të tjera si dhe me para të gatshme, Selia e Shenjtë e ndihmonte Skënderbeun edhe me forca ushtarake. Më 9 qershor të vitit 1457, papa Kalist III e siguron Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dominus Albaniae, se do t’i japë menjëherë një flotë të pajisur mirë, dhe i premton që do t’i dërgojë të tjera sa më shpejt që të jetë e mundur. Më 11 shtator të vitit 1457, papa Kalisti III i drejton një breve Skënderbeut, në të cilën e lavdëron atë dhe e quan atleta invitto e propugnatore del nome cristiano. Në të njejtën kohë, ai gjithashtu i shpreh keqardhje për Shqipërinë e kërcënuar nga ushtria e fuqishme turke, dhe e siguron Skënderbeun që do t’i vërë në dispozicion flotën e madhe papnore, të dislokuar në Orient. Kjo sigurisht që mbart me vete një kosto të jashtëzakonshme financiare, edhe pse nuk janë para në dorë.

Marrëdhëniet diplomatike midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë, si dhe përkrahja financiare e papëve për fushatat e Skënderbeut kundër turqve natyrisht që ishte ndërtuar mbi interesa politike dhe kishte qëllime politike në sfond. Kryqëzata kundër turqve ishin shpallur nga të gjithë papët e shekullit XV, por me papa Piun II, i njohur që gjatë kardinalatit të tij si predikues dhe promovues i kryqëzatës dhe që kishte treguar interes për Shqipërinë dhe për Skënderbeun që gjatë asaj kohe, Shqipëria ngrihej në përfytyrimet papnore si një bazë për planet kryqtare dhe Skënderbeu në një udhëheqës të kryqëzatës së planifikuar. Kjo duket qartë në një dokument të prillit të vitit 1463, në të cilin papa Piu II, Republika e Venedikut si dhe aleatët e tjerë i kërkonin Skënderbeut që të nënshkruante një marrëveshje me ta për luftë kundër turqve. Pas fitores së Skënderbeut në vitin 1464, papa Piu II ishte përfundimisht i bindur e i vendosur që Skënderbeu do të ishte udhëheqësi i ushtrisë kryqtare të krishterë kundër turqve “të pabesë”. Megjithatë papa Piu II vdiq në Ankona, kur po fillonte kryqëzatën, dhe bashkë me vdekjen e tij, vdiqën edhe idetë e tij. 

Pas vdekjes së papa Piut, ndryshuan edhe marrëdhëniet financiare ndaj Skënderbeut. Meqenëse ka nga ata që janë të interesuar kryesisht për shifrat monetare që Skënderbeu mori nga Selia papnore gjatë dy viteve të fundit, dhe e përdorin këtë shpesh si argument që papati nuk e ka ndihmuar financiarisht Skënderbeun, këtu po rendisim fondet ku gjenden këto lloj informacionesh puro financiare si dhe shumat e marra në secilën datë: 

Në bazë të dokumentave arkivore nga fondet: 

a) “Registri  pro sancta Cruciata 1465-1472” f. 126, f. 134, f. 140, f. 141, f. 143, f. 148; 

b) “Mandati della Reverenda Camera Apsotolica (1418-1802); 

c) “Registri della serie Camerale I, Depositeria della Crociata. (1460-1462)”

d) “Commissariato delle Soldatesche e Galere, bb. 1-3 e 80-81” 

e) Introitus et Exitus, dok. 447. C. 229A; 

  f) “Depositeria gen. D. Crociata, 1464-75, c. 156” 

Gjergj Kastrioti Skënderbeu për vitet në vijim, kishte marrë këto ndihma nga Selia e Shenjtë: 

më 19 prill 1465, 2.000 dukatë floriri; 

më 7 qershor 1466, 2.050 dukatë floriri; 

më 20 tetor 1466, 200 dukatë floriri; 

më 12 dhjetor 1466, 250 dukatë floriri; 

më 24 dhjetor 1466, 200 dukatë floriri; 

më 15 janar 1467, 250 dukatë floriri; 

më 19 prill 1467, 2.700 dukatë floriri; 

më 1 shtator 1467, 1.500 dukatë floriri.

Pra për dy vjet, përkatësisht nga 19 prill 1465 deri me 1 shtator 1467, Gj. K. Skënderbeu vetëm nga Selia e Shenjte ka marrë shumën prej 9.150 dukatesh floriri si ndihmë financiare në luftë kundër turqve. Është e vërtetë që përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sipas dokumenteve arkivore, ndihma financiare nga Selia e Shenjtë kanë marrë edhe fisnikë të tjerë shqiptarë si p.sh. despoti i Artës, Leonard Tocco, më 12 mars 1465, 1.000 dukatë floriri; më 18 korrik 1466, 1.200 dukatë floriri dhe më 2 prill 1467, 1.000 dukatë floriri, pra gjithsej 3.200 dukatë floriri, mirëpo po t’i krahasosh të gjitha këto me shumat që merrte mbreti hungarez, ka vend për të menduar negativisht për ndihmat financiare të Selisë së Shenjtë ndaj Skënderbeut.

Sigurisht që këto nuk ishin ndonjë shumë e madhe po t’i krahasosh me ato që merrte mbreti hungarez Mathia, i cili pothuajse për periudhë të njëjtë kohore mori nga Selia e Shenjtë këto ndihma financiare për luftën anti-osmane: 

më 23 maj 1465, 575.000 dukatë floriri hungarez; 

më 28 prill 1466, 10.000 dukatë floriri hungarez; 

më 5 tetor 1469, 15.000 dukatë floriri hungarez, 

pra gjithsej 600.000 dukatë floriri hungarez. 

Arsyet për këtë ndryshim të madh financiar në vitet e fundit të jetës së Skënderbeut janë shumëfishe: është tashmë një fakt i njohur që politika e papatit ndryshon sipas pikëpamjeve personale të çdo pape që vjen në krye të Selisë së Shenjtë. Kështu papa Pali II si individ, ndryshe nga papët e tjerë paraardhës nuk është shquar për ndonjë mbështetje të madhe ndaj Skënderbeut. Arsyet janë të ndryshme, si politiko-ekonomiko; ushtarake dhe diplomatike, në veçanti ato individuale të vetë atit të Shenjtë, përkatësisht përcaktimet e tij për luftë, për paqe ose për një variant tjetër të tretë. Është pastaj vetë Skënderbeu që me paraqitjen e tij në Romë në vitin 1467 ka bërë më shumë armiq midis kardinalëve sesa përkrahës, e sigurisht që kjo ndikon shumë në politikat vendimmarrëse sidomos përsa i përket çështjes delikate të financave. Pamja e Skënderbeut, e përshkruar si “një burrë i varfër dhe që i kishte kaluar prej kohës të 60-at” në dokumentet e asaj kohe me siguri që nuk ka qenë shumë shpresëdhënëse për kardinalët, që sipas atyre që kishin dëgjuar prisnin me siguri që të shihnin një kalorës të fuqishëm që do të marshonte para tyre në një mënyrë solemne. Paraqitja e një “plaku” që edhe sikur të ishte i suksesshëm në luftë kundër turqve gjatë jetës së tij, kjo përsëri nuk ishte shumë shpresëdhënëse për të ardhmen e krishterimit pasi dukej qartë që ai nuk do të jetonte gjatë, ka qenë ndoshta një grusht shumë i fortë për palën përkrahëse të kardinalëve. Dhe faktikisht, vdekja e Skënderbeut një vit më vonë, i përligji veprimet e palëve kundërshtuese. Megjithatë, parë realisht, është Selia e Shenjtë ajo që e mbështeti me shumë forcë financiarisht Gj. K. Skënderbeun, ndoshta më shumë se çdo pushtet tjetër i asaj kohe. 

Filed Under: Opinion

MATERIALET FOTOGRAFIKE E DOKUMENTARE TË VATRËS TË MOS PËRFUNDOJNË NË PLEHRA

March 11, 2022 by s p

-Pas një telefonate të z. Petrit Alibej, kryetar i Shoqatës Atdhetare Besa-Besën në Boston- Massachusetts-

Nga Dalip GRECA

Të Mërkurën, 9 Mars 2022, pradite mora një telefonatë shqetësuese nga miku im vatran, kryetar i Shoqatës Besa-Besën në Boston, z. Petrit Alibeaj.

Në thelb të telefonatës ishte shqetësimi i tij se në një zonë të Bostonit ishin parë fotografi historike të Vatrës të hedhura në plehra.

       Ai më tregoi se një amerikan i kishte telefonuar dhe i kishte treguar se afër shtëpisë së tij, pranë shtëpisë të një shqiptaro-amerikani të vjetër që kishte ndërruar jetë, banka kishte nxjerrë në shitje shtëpinë, ndërkohë disa materiale fotografike, përfshirë dhe një fotografi të 2 gushtit të vitit 1931, që kishte në qendër Fan S. Nolin në një piknik të Vatrës në Marlborough, MA(Në fund të fotografisë ishte shënimi: I pari piknik i Vatrës). Marlborough është një qytezë me rreth 41 mijë banorë, që njohu zhvillim të hovshëm industrial në fund të shekullit 19 dhe fillim shekullin 20. Emigrantët shqiptarë ia mësynë kësaj qyteze si shumë të tjerave në MA, pasi fabrikat merrnin punëtorë të pa kualifikuar. 

Aty, katër vjet pas themelimit të Federatës Vatra, u ngrit dhe një nga degët e Vatrës, që i mbështeti fort veprimtaritë e Federatës. 

  Kjo degë është bërë inisiatore për organizimin e piknikut madhështor, ku është ftuar edhe Imzot Fan S. Noli, paçka se në atë kohë ai vazhdonte të ishte në oponencë më Vatrën zyrtare për shkak të opozicionit me qeverinë shqiptare dhe përfaqësuesin e saj në Washington Ministrin Faik Konica, por përkrahësit e tij të shumtë duhet t’ia kenë organizuar këtë piknik madhështor. 

 Në fotografinë e piknikut që përfundoi në plehra numërohen rreth 400 pjesmarrës(në foton që po publikojmë është vetem qendra e fotos), ku shquhet në mes Imzot Noli, bashkëpunëtorë të tij, vatranë me familjet e tyre, madje dhe shumë fëmijë. Fotografia ishte e vendosur brenda një korrnize me xham me përmasa të mëdha-1 metër e  20 cm gjerësi dhe 40 cm lartësi. Fotografia ruan cilësi të lartë.

Fotografia në një vështrim të shpejtë përcjell frymën dhe mesazhe vatarne. Federata”VATRA” e kohës së Nolit dhe më vonë deri në vitet ’80 të shekullit të shkuar funksionte si një familje e stërmadhe, ku përfshiheshin në aktivitete jo vetëm vatranët burra, por edhe gratë, edhe fëmijët. Brezat përcillnin frymën e bashkimit brenda vatrës dhe e trasmetonin tek brezat e ardhshëm këtë frymë.

   Le të kthehemi tek problem I fotografisë që përfundoi në plehra; brezi i vjetër i vatranëve është në zhdukje e sipër. Bijtë, apo nipërit e mbesat e tyre, në pjesën më të madhe, janë konvertuar e asimiluar. Interesi për Vatrën dhe vendin e origjinës vijnë në zbehje. Për 12 vite unë iu drejtova me mesazhe në gazetën Dielli familjeve me origjinë shqiptare, që kush prej tyre ruante relike të prindërve apo gjyshërve, ruante fotografi, libra, fotografi të vjetra, koleksione të gazetës Dielli apo të gazetave të tjera si Kombi, Emigranti, Albania, Revista Adriatic etj., mundësisht të njoftonin Vatrën dhe t’i dorëzonin ato në selinë e saj në 2437 Southern BLVD, Bronx, Nju Jork 10458. Një pjesë u përgjigjën dhe doërzuan materiale të vlefshme, por nuk mendoj se mesazhi ka shkuar tek shumica e familjeve që ruajnë ende materiale dhe dokumente të Vatrës. Rasti në Marlborough, ku një fotografi historike me materiale të tjera përfundoi në plehra, e dëshmon këtë.

  Jo shumë kohë më parë ne mësuam nga nipi i një prej kryetarëve të Vatrës se në familjen e tij ruhej jeleku i Faik Konicës, që nga 15 dhjetori i vitit 1942, kur Faiku ndërroi jetë dhe miqtë e tij të afërt morën sendet e tij. Po sa materiale të tjera mund të ruhen ende nëpër shtëpitë vatrane? Të mos harrojmë se deri në 100 vjetorin e Vatrës ne nuk kishim gjurmë të ekspozuara të Vatrës, por ekspozita që përgatitëm me atë rast na jep mundësi sot të prekim disa nga bëmat e Vatrës, që natyrisht nuk mjaftojnë. Fatmirsisht ende jetojnë bijë të vatranëve që kanë lënë gjurmë në historinë e Vatrës, si i biri i rekordmenit të fushatës së 3 Qershorit 1917, Ali Kuçit, që u kthye në Shqipëri, por tragjikisht humbi jetën në moshë të thyer duke u mbetur në duar hetuesve komunistë!E ndëshkuan pse krahas partizanëve kishte ndihmuar dhe ballistët! Dhe kë ndëshkuan? Burrin që frymëzoi shqiptarët e Amerikës të dorëzonin kursimet e tyre për të Shpëtuar Shqipërinë!Ai e udhëhoqi fushatën duke dhuruar $680.00

   Federata Panshqiptare e Amerikës duhet ta bëjë objekt të punës së saj grumbullimin e materialeve që mbahen nëpër shtëpia që rrezikojnë të përfundojnë në plehra. Duke qenë se baza e Vatrës ka qenv në Massachusetts, aty vepruan me dhjetëra degë të saj, por sot mjerisht nuk ka degë,rithemelimi i një dege të Vatrës në Boston e vendlindjes së Federatës është urgjente për bordin e tanishëm.E kisha filluar punën me një grup vatranësh për themelimin e degës së Bostonit, pro nuk e di pse humbi interesi nga udhëheqësia e Vatrës. Gjithçka ishte gati, u paguan dhe anëtarsitë, por çuditërisht pat tërheqje nga qendra në momentet e fundit. Le të shpresojmë se ajo bërthamë që patëm gati do të ndihmojë për riorganizim.Një degë e Vatrës në vendlindjen e Federatës do të bënte të mundur që Vatra të rikthehej tek rrënjët dhe të siguronte dhe materialet dokumentare e fotografike që janë jetike për mbijetesën e Vatrës.

Që të mos lejojmë hedhjen e dokumentave në plehra mund të përdoret kryetari i Shoqatës Atdhetare Besa-Besën, z. Petrit Alibej. Kushdo që disponon materiale të Vatrës mund t’i telefonojë atij në tel:617-651-7310 dhe ai ndërmjetëson për t’i dërguar tek Vatra ose të telefonohet në selinë e Vatrës.

  Edhe degë të tjera ku vatra ka qenë aktive që në fillimet e Federatës ia vlen që të hulumtojnë në komunitet për të materiale fotografike dhe dokumentare të hershme.

***

PAK HISTORI NGA DEGA E VATRES NE MARLBORO

Dega e Vatrës Marlboro filloi të organizohet të Dielën e 23 Korrikut 1916 dhe mbante numrin dega nr.49. Pleqsia e pare përbëhej nga: Koço Asimaqi-Kryetar, Gaqi N. Dishnica-arkëtar, Ilo V. Qafzezi-sekretar, ndërsa pleq ishin: Dhimiter Kreshpani, Stefan G. Zguro dhe Janaq Stefan.

Në fushatën”Për shpetimin e Shqipërisë” 3 Qershor 1917, dega ishte pjesmarrëse dhe donatore e saj. Vetëm gjatë ditës së parë të fushatës me 3 qershor iu përgjigjën thirrjes së komisionit të fushatës 39 vatranë të kësaj dege. Ja Lista e ditës së parë:

  1. Efthim K.Lreshpani $10
  2. Peter Kerka $10
  3. Vangjel Opari $10
  4. Ilo Treni $ 5
  5. Ndrio Tike $10
  6. Petro Stefani $12
  7. Vangjel Miti $5
  8. Kosta R. Pema $5
  9. Stavro Dh.Bilmezi $5
  10. -Cale Andon $5

11-Sotir Th. Kreshpani $13

  12- Vangjo Shosho $11

13-Jani Botko $5

14-Koço P. Gorjoshani $5 

15-Koli Laska $5

16-Kosma Angelo$10

17-Janaq Stefan $10

18-Agathokli Xhitoni $12

19-Gaqi J. Qafzezi $12

20- Dhori Manol $17

21- Miço Thoma $10

22-Stefan Zguro $10

23-Misto Thoma $10

24-Hari Simo $10

25-Dhimitri L. Kreshpani $10

26-Duli George $10

27-Thanas J.Kreshpani $10

28- Vell Luka $60

29-Loni P Peristere $5

30-Pilo Kosma $10 

31-Nuli Buxhuku $10

32-Ilo Zilexhi $10

33- Vell Hekurani $25

34-Dhimitri Kadiu $5

35-Gaqi K. Deshnica $5

36- Vell K.Furrzhi $20

37-Dhimiter Remetsi $5

38-Mina Lluka $10

39-Anonim $2

Shuma e përgjithshme $419

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT