• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Bajroni në kulturën shqiptare

April 21, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/


Filozofi dhe esseisti i njohur anglez Francis Bacon (1561-1626) në esenë e tij mbi “Udhëtimet” shkruan se udhëtimi , për moshat e reja është pjesë e edukimit, në moshat e vjetra është pjesë e eksperiencës.[1] Që prej asaj kohe udhëtimi i njohur ndryshe dhe me emrin Grand Tour ishte kthyer në një mjet e përvojë edukuese për të rinjtë e aristorkracisë angleze. Mirëpo në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të Perandorisë Otomane u bënë të modës.Ky ndryshim erdhi si rezultat i arsyeve ushtarake, politike dhe kulturore.[2] Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. Lord Byron si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Një eksperiencë tjetër shumë e rëndësishme e Grand Tour-it ishte mbajtja e rregullt e korrospodencës me miqtë në atdhe , ku atyre u përshkruhej dhe u jepeshin detaje të shumta kulturore, gjeografike, etnografike për viset që vizitonin.Francis Bacon në esenë e tij “Udhëtimet”që në shekullin e XVI këshillonte se është një gjë e e çuditshme, që në lundrimet në det, ku nuk ka asgjë për t’u parë, për veç se qielli dhe deti, njerëzit duhet të shkruajnë ditarë; ndërsa gjatë udhëtimeve tokësore, ku ka aq shumë gjëra për t’u vërejtur, në shumicën e rasteve ata i anashkalojnë; sikur mundësia ishte provues për t’u regjistruar, se sa të vëzhguarit. Për këtë arsye, lejoni ditarët të futen në përdorim. Gjërat për të parë dhe vëzhguar janë: oborret e princave, sidomos kur ata japin audienca për ambasadorët; gjykatat e drejtësisë, ndërkohë që ata ulen dhe dëgjojnë shkaqet; po kështu këshilli papal; kishat dhe manastiret, me monumentet të cilat janë aty me ekzistencën e tyre; muret dhe fortifikimet e qyteteve dhe qytezat, dhe kështu qiejt dhe portet; antikitetet dhe rrënojat; bibliotekat; kolegjet, polemikat dhe leksionet, kudo që janë; transporti dhe flotat detare; shtëpitë dhe kopshtet e shtetit dhe të kënaqësisë pranë qyteteve të mëdha; armaturat; arsenalet; depot; shkëmbimet; bursat; magazinat; ushtrimet e kalërimit, skermë, trajnimi i ushtarëve, e të tjera si; komedi, duke qenë gjëja më e mundshme për t’u bërë nga njerëzit; thesaret, bizhuteritë dhe veshjet; mobilje dhe gjëra të rralla; dhe, për të përfunduar, çdo gjë që është e paharrueshme në vendet ku ata shkojnë.[3]Kjo ese shumë e njohur në Anglinë e Romantizmit, ku udhetimi i Grand Tour-it kishte marrë dhe një hov më të madh për shkak të përmirisimit të mjeteve të komunikacionit, sigurisht që duhej të ishte e njohur për Lord Byron pasi në udhëtimet e tij shikojmë një përputhje midis këshillave të Backon dhe vendeve që viziton si dhe mbajtjes së ditarit dhe korrospodencës. Kështu, kur Lord Byron vizitoi Pashallëkun e Janinës në tetor 1809, ai filloi të mbante ditar dhe i shkroi një letër së ëmës ku fliste për Shqipërinë.Mahnitja romantike e anglezit 21-vjeçar në tokën e shqiptarëve , bëri që në letra e tij të konsiderohet si një sinops i dy kantove të para të “Child Haroldit” që do ti niste në Janinë dhe do ti përfundonte në 1812. Në letër , ai ka shprehur magjepsjen romantike pas Pashait të Janinës, arsyet pse erdhi në Shqipëri,si dhe aventurat e befasitë që hasi te shqiptarët. Letra e Bajronit dërguar së ëmës nga Preveza shtë një dëshmi e ndijimeve që ai pati rreth shqiptarëve dhe që më vonë ai i hodhi mjeshtërisht në lëtër, në formën e vargjeve në poemën e tij të famshme Shtegtimet e Child Harold. Në letrën e tij dhe vargjet e poemës Child Harold ndihen gjurmët e krijimit të heroit të tij bajronian por edhe të lirisë si koncept vetjak dhe universal. Romantizmi, rryma letrare që përqafoi Bajroni, ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore,vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Lord Byron ishte një dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore dhe ndryshimet e shpejta sociale të ardhura si rezultat i urbanizmit të shpejtë dhe zhvillimit kaotik dhe të shfrenuar si pasojë e këtij industrializmi dhe urbanizimi. Heronjtë Bajronianë jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të delizionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbinin në kotësi. Për botën shqiptare kanë një rëndësi të veçantë pasi për herë të parë fillojë të përmendet dhe të ketë jehonë sërish pas 300 vjetësh shurllërie emri Shqipëri dhe shqiptar.Letra e Bajronit dërguar së ëmës, zonjës Katerina Gordon Bajron.Zonjës Katerina Gordon Bajron Prevezë, 12 nëntor 1809Nëna ime e dashur, ka ca kohë që ndodhem në Turqi: ky qytet është në bregdet, por kam udhëtuar thellë në principatën e Shqipërisë për të vizituar Pashanë. Lashë Maltën në luftanijen “Spider” më 21 shtator dhe brenda tetë ditësh arrita në Prevezë. Së këtejmi kam udhëtuar nja 150 milje gjer në Tepelenë, në pallatin veror të Naltësisë së tij, ku qëndrova tri ditë. Emri i Pashait është Ali dhe e mbajnë për burrë me zotësi të rralla: është sundimtar i gjithë Ilirisë së moçme, i Epirit dhe i një pjese të Maqedonisë. I biri, Veli Pasha, për të cilin më kanë dhënë letra, qeveris Morenë dhe ka ndikim të madh në Egjipt. Me një fjalë është një nga burrat më të fuqishëm në Perandorinë Otomane. Kur arrita në Janinë, në kryeqytetin e tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh nëpër male, të një vendi me bukurira nga më piktoresket, mora vesh se Ali Pasha gjendej me ushtrinë e tij në Iliri, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën në kalanë e Beratit. I kishin thënë se një anglez nga derë e madhe ndodhej në principatën e tij, dhe i kishte dhënë urdhër komandantit në Janinë të më bënte konak e të më pajiste me të gjitha të mirat gratis; dhe ndonëse më kanë lejuar t’u jap peshqeshe robërve, nuk më kanë lejuar të paguaj asgjë send për harxhet e tjera. Hipur në kuaj të vezirit, dola për shëtitje dhe pashë pallatet e tij e të nipërve; janë pallate madhështore, por të stolisura së tepërmi në ar e në mëndafshe. Pastaj kalova nëpër male përmes Zicës, një fshat me manastir ortodoks, (ku fjeta në të kthyer), në më të bukurin vend që kam pare (përveç Cintrës në Portugali). Të nëntën ditë arrita në Tepelenë. Na u zgjat shumë udhëtimi prej shirave e rrëpirave që prisnin udhën. Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë kur po perëndonte dielli. Më solli në mend(me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Brankseme në këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisura me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sërmët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arapë në galeri të madhe, të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar përposht, dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e mujezinët që thërrasin izanë nga minaretë e xhamive – të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji. Më përcollën në një konak shumë të këndshëm dhe sekretari i vezirit erdhi të më përshëndesë, në mënyrë allaturka. Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj. Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomane të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht më shërben për këtë rast. E para pyetje që më bëri është se përse jam larguar prej atdheut në një moshë kaq të re? (Turqit s’kanë ide për udhëtimet e për qejf). Pastaj tha se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte treguar se qeshë nga derë e madhe. Më porositi t’i dërgoj nderimet e tij nënës sime, dhe ja tek po t’i dërgoj në emër të Ali Pashës. Më tha se qe i bindur se isha prej oxhaku se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë- shumë i kënaqur nga pamja dhe paraqitja ime. Më tha ta kisha si baba sa të qëndroja në Turqi dhe se ai më quante si birin e tij. Dhe me të vërtetë më trajtoi si një foshnjë, më dërgonte bajame e sherbet, pemë e ëmbëlsira nga njëzet herë në ditë. M’u lut ta vizitoja dendur edhe natën kur kishte nge. Pastaj si pimë kafe e duhan u tërhoqa nga vizita e parë. E pashë edhe tri herë të tjera. Është për t’u çuditur se si turqit që s’kanë tituj trashëgimi dhe ka vetëm pak familje të mëdha përveç sulltanit, i japin kaq shumë rëndësi fisit. Sepse pashë që më nderonte më shumë për fisin se për titullin tim… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Mua me të vërtetë m’u bë baba, më ormisi me letra, më dha njerëz të më ruajnë dhe çdo lehtësirë. Bisedimet e tjera midis nesh qenë lufta dhe udhëtimet, politika dhe Anglia. Thirri ushtarin shqiptar që më shoqëronte dhe i tha të më mbronte me çdo kusht. Quhet Vasil dhe si gjithë shqiptarët është trim, kryekëput i ndershëm e besnik. Po ata janë mizorë, ndonëse jo të pabesë, dhe kanë shumë mangësi, por asnjë poshtërsi. Ndoshta janë raca më e bukur në botë nga tiparet dhe gratë e tyre dendur janë të bukura, por i kanë në vend të skllaveve. I rrahin, me një fjalë i përdorin si kafshë samari. Ato lërojnë e çajnë tokën, ato mbjellin. I kam parë të ngarkuara me dru dhe tek ndreqin rrugët e prishura. Burrat janë të gjithë ushtarë dhe lufta e gjahu janë zanati i vetëm. Gratë merren me punë, por kjo nuk duhet t’i lodhë shumë në një klimë aq të këndshme. Dje, më 11 nëntor, bëra banjo në det. Sot është kaq nxehtë sa po të shkruaj në odë me hije, në shtëpi të konsullit anglez, me tri dyer të hapura fare, pa zjarr. As zjarrishte s’ka në odë, veç për të gatuar. Nesër nisem me një rojë pesëdhjetë trimash për në Patrë të Moresë dhe pastaj për në Athinë, ku do të kaloj dimrin. Dy ditë më parë desh u mbyta në një luftanije turke, nga budallallëku i kapedanit, ndonëse shtrëngata s’qe dhe aq e rreptë.. Kapedani ia dha të qarit dhe u ul në gjunjë dhe na tha t’i faleshim perëndisë, velat u grisën, katarti dridhej, era frynte, po afrohej nata, dhe s’na mbetej t’ia mbanim për në Korfuz që është në dorë të francezëve ose të fundoseshim siç tha Fleçeri në mënyrë patetike: në “varr prej uji”. Unë bëra çmos ta ngushëlloja, por duket se s’ja mbushja dot kokën, u mbështolla me brucën shqiptare (një shark i madh) dhe u shtriva shesh për të pritur mynxyrën. Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s’kish dobi. Për fat të mirë era rreshti dhe vetëm na ngau drejt bregdetit të Sulit, ku dolëm në sterë. Me ndihmën e vendasve vazhduam udhën për në Prevezë. Kështu, këtej e tutje nuk do t’u zë besë naftëve turq, megjithëse Pashai pati udhëzuar galeotë të tij të më shpinin në Patra. Prandaj do të shkoj në Misolongji nga stereja dhe do të kapërcej vetëm një gji deti të vogël në Patra. E sa e sa ngjarje mund të të tregoja që do të të zbavisnin, por më grumbullohen në tru dhe as jam i zoti t’i radhit në kokë, as t’i shkruaj dot në kartë, veçse në mënyrë të menjëhershme. I dua shumë shqiptarët. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë. Porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre. Përbëjnë trupat më të mirë të ushtrisë turke. Në udhë e sipër banova një herë dy ditë rresht, dhe prapë tri ditë në një barakë në Sallahorë dhe s’kam parë ushtarë kaq të lirë në paragjykimet fetare, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës dhe kam pare plot ushtarë spanjollë, francezë, siçilianë dhe anglezë. Kurrë nuk më humbi gjë dhe më ftonin gjithmonë të shtrohesha në sofrën e tyre. S’kam një javë që një kryeplak shqiptar (çdo fshat ka kryeplakun e tij), pasi na ndihmoi të dilnim prej luftanijes turke në rrezik, si na ushqeu e na mbajti në shtëpi, mua dhe ata që na shoqëronin: Fleçerin, një grek dhe dy athinjotë, një prift grek dhe shokun tim Mr. Holbhousin, në asnjë mënyrë s’deshi ta pranonte shpërblimin tim, por vetëm kërkoi një shkresë që më priti mirë dhe kur ju luta të pranonte pak zekina mu përgjigj: “Dua të më duash, jo të më paguash”. Këto qenë fjalët e tija. Çudi se sa pak shkon paraja në këtë vend. Kur u ndodha në kryeqytet, me urdhër të vezirit nuk më lanë të paguaj asgjë. Ndonëse gjithnjë pata gjashtëmbëdhjetë kuaj dhe gjashtë-shtatë veta pas, harxhet s’kanë qenë as gjysma e atyre të tri javëve në Maltë, sidoqë Sir A. Balli, guvernatori, më dha një shtëpi pa qira dhe pata vetëm një shërbëtor. Biri yt i dashur Bajron P.S. Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea. U njoha me Hysen Beun dhe Mahmud Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës në Janinë. Janë krejt ndryshe nga çunakët tanë, kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zes, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullt. Janë krijesat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremonira të Oborrit. Përshëndetja turke është një përkulje e lehtë e kryes, me dorën e djathtë në zemër, të afërmit puthen sa here piqen. Mahmudi është dhjetë vjeç dhe shpreson të më shohë prapë, u bëmë miq pa kuptuar njëri-tjetrin, si gjithë bota ndonëse për shkaqe të ndryshme. Më kanë dhënë një letër për të atin në More, për të cilin kam letër dhe prej Ali Pashës.[4] Miti shqiptar rreth Bajronit.Vepra e Bajronit dhe në veçanti “Child Harold”-i do të vinte te shqiptarët jo në gjallje të poetit , por në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Bajroni është një nga udhëtarët më të hershëm angleze që vizituan Shqipërinë. Pas botimit të veprave të Bajronit numri i udhëtarëve, me apo pa misione të caktuara, si dhe i autorëve që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët u shtua shumë,veçanërisht ai i udhëtarëve anglezë.[5]Ky aspekt i njohjes së veprës së Bajronit do të kushtëzonte dhe studimin dhe propagandimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre. Njohja e Bajronit në Shqipëri kaloi disa etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga gjysma e shekullit të XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Faza e tretë mund të quajmë fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX, kur Bajroni vërshon në Shqipëri me tërë vrullin e vlerave të veta si mik i shqiptarëve dhe i lirisë, si poet e luftëtar hero”[6] Si fazë të katërt mund të quajmë mesin e viteve 50 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona kur përkthimet profesionale të veprës së tij dhe studimet e mirëfillta shkencore marrin jetë.Secila nga këto etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi.[7]Ai e shkroi poemën e vet “Odise’ me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit.[8] Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi,i cili do të përkthente Këngën e parë të poemës “Child Harold” të Bajronit në shqip më 1843.[9]Edhe periudha e dytë vazhdon të përmbajë këtë karakteristikë, ndonëse në të fillon të mbizotërojë aspekti ilustrues i veprës së Bajronit për të nxjerrë në pah cilësitë dhe virtytet e shqiptarëve. Është shumë i rëndësishëm të nënvizohet ky fakt, pasi në një farë mënyre formon dhe tendencën e studimeve bajroniane në mendimin intelektual shqiptar të mëvonshëm. Kështu p.sh shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën e tepër të veçantë që flet Bajroni tek “Child Haroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon aty.[10]Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti Anastas Kullurioti nga mërgata e Arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884 se Bajroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë.[11]Periudha e tretë e cila përkon dhe me periudhën më kulmante të zgjimit nacionalist shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë këtë tendencë. Është koha kur krijohet miti shqiptar i Bajronit. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes shtetformuese tek shqiptarët. “Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”.[12] Ndaj në dallim nga veprat e tjera të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Bajronit pati një impakt më të madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.Të kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të “enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolioner-i në faqet e gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht “Le voyage de Lord Byron en Albanie” . Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë[13].Vitet 20’ përkojnë me përpjekjet e shqiptarëve për të stabilizuar pavarësinë dhe për të rikonfirmuar shtetin e tyre. Në këtë sens bajronistët shqiptarë do ta rimarrin nga epoka e mëparshme mitin e Bajronit dhe nëpërmjet studimeve më profesionale dhe të hollësishme do kontribuojnë jo vetëm në propagandimin dhe studimin e veprës së poetit të madh por dhe në farkëtimin e mitit të tij. Kësaj tendence nuk do t’i shmangej as Zef Harapi, bajronisti i parë i mirëfilltë shqiptar, i cili do të shkruante se do të dëshironte të realizonte përkthimin e veprës jo vetëm për ti shtuar diçka literaturës sonë “por pse kemi në atë vepër vjersha qi flasin dhe lëvdojnë karakterin e shqyptarit të sot njëqind vjetve”[14]Konferenca e parë studimore për Bajronin organizohet nga studiuesi i njohur Stavro Skëndi më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës “Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës së Bajronit. Intelektuali i shquar shqiptar Stavro Skëndi, mund të konsiderohet si “Bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”.[15]Periudha e katërt i përket viteve 50 të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e veprave të Bajronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të mirëfillta shkencore rreth Bajronit dhe veprës së tij. Përkthimi i parë i plotë i ‘Child Harold” do të realizohet nga Profesor Skënder Luarasi i cili fillimisht me përkthimin e letrës së Bajronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me botimin e përkthimit të “Child Haroldit”-it më 1956, do të rikthejë në mënyrën më elegante dhe profesionale Bajronin në tokën ku ai gjeti frymëzim.Impakti dhe influenca e Bajronit nuk do të kufizohej vetëm në Shqipëri por do të ishte i madh dhe në popullatën shqiptare në Kosovë. Aty vepra e Bajronit do të gjente talentin dhe përkushtimin e Dr Abdullah Karjagdiut, i cili përmes disa shkrimeve të botuara në gazetën ‘Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Bajronit në hapësirat shqiptare. Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të përmendim “Bajronizmi në poezinë arbëreshe”, “Bajroni dhe Shqiptarët”, “Mbi shqiptarët e Bajronit”, “Legjenda e Bajronit” dhe fejtonin “Tragjedia e Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së Prishtinës.Në vitin 1987, i cili do të shënojë një vit të rëndësishëm për studimet bajroniane në Shqipëri botohet monografia e parë për Bajronin nga Prof. Dr Afrim Karagjozi. Libri ishte fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe pasioni të pashtershëm. Do të ishte ky pasion që do të bënte të mundur që menjëherë pas lejimit të krijimit të shoqatave kulturore në 1991, një nga të parat shoqata që do të themeloheshin do të ishte Shoqata Shqiptare e Bajronit. Kjo shoqatë do të kthehej në një promotor të të gjithave aktiviteteve rreth figurës së poetit të madh si dhe studimeve të kontaktit të tij me shqiptarët.Ripërkthimi i Child Haroldit nga Napolon Tasi si dhe përkthimi i “Gjaurit”, për herë të parë në shqip si dhe një përmbledhje me vjersha të zgjedhura të Bajronit tregon se vepra e poetit vazhdon të intrigojë intelektualët dhe lexuesit shqiptarë. Miti i Bajronit i krijuar diku aty rreth fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX vazhdon të jetë i freskët dhe të vazhdojë të lëshojë sytha.Bibliografi Libra:1- Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:20022- Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and Neë York:19903- Jup Kastrati” Jeronim De Rada”( Jeta dhe vepra), Tiranë,1979Internet:1- Essays of Francis Bacon, Of Travelling në: http://www.authorama.com/essays-of-francis-bacon-19.html[1] Essays of Francis Bacon, Of Travelling në: http://xn--cdaaa.authorama.com/essays-of-francis-bacon-19…[2] Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and Neë York:1990,faqe 1[3] Essays of Francis Bacon, Of Travelling në: http://xn--cdaaa.authorama.com/essays-of-francis-bacon-19…[4] Përkthyer nga Skënder Luarasi. Citohet sipas librit të Profesor Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar për Bajronin”[5] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 23[6] Po aty, faqe 14[7] Jup Kastrati” Jeronim De Rada”( Jeta dhe vepra), Tiranë,1979,faqe 25[8] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 19[9] Po aty, faqe 15[10] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 16[11] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 17[12] Po aty, faqe 13[13] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 34,36[14] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 47[15] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Tiranë.Plejadë:2002,faqe 53

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dorian Koci

SHOQATA “SKENDERBEJ” NDEROI DALIP GRECËN, EDITORIN E DIELLIT(2009-2021) PËR KONTRIBUT TË SHQUAR NË MEDIA

April 21, 2022 by s p

Më 20 Prill 2022, në selinë e Vatrës, në fund të promovimeve të librave “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” – monografi për baba Bektash Aliaj, me autor Dervish Eliton Pashaj dhe librit “Larg Atdheut” të Xhevat Kallajxhiu, z. Mark Qehaja në emër të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc i shoqëruar dhe nga anëtarë të shoqatës, i dorëzoi Mirënjohjen Dalip Grecës me motivacionin: “Për kontributin e përkushtimin e lartë ndaj Kombit në fushën e gazetarisë”.Në fjalën e tij falenderuese për të pranishmit në Vatër z. Mark Qehaja u shpreh: “Te nderuar vatrane! Mes emrave te medhenj e dinjitare qe ka Bota shqiptare e gazetarise dhe publicistikes Dalip Greca eshte pa dyshim nje nder penat e shquara intelektuale te kohes.Dielli mbishekullore I shqipetareve mergimtare te Amerikes, Kandili Kombetare i ndezur nga 15 shkurti i vitit 1909 ne keto dhjete vitet e fundit u mbajt i ndezur nga editori Dalip Greca. Gazetarin profesionist, publicistin bashkekohore, redaktorin e kryeredaktorin e perkushtuar atdhetare e patriot. Shkrimet e Dalipit per nje shoqeri te lire dhe te emancipuar, per nje shtet te drejte e te begate, per nje komb vital e te bashkuar ishin si prelude i gazetarise sone kombetare. Federata PAN Shqiptare VATRA e rilindesve mendjendritur Fan Noli e Faik Konica ka edhe kontributin e spikatur te Z. Dalip Greca. Shoqata shqiptaro Amerikane Skenderbej ka patur nderin te kete nje Njeri te shkelqyer shok e mik te vyer te bashkepunoje e te ndaje me te  punen e kontributet tona. I Dashur Dalip! Ne kete takim te sotem ne Federaten PAN Shqiptare VATRA ne emer te shoqates Shqiptare Amerikane Skenderbej nderojme kontributin e perkushtimin tuaj te larte ndaj kombit me kete pllake MIRENJOHJE. Duke ju uruar shendet e lumturi ne familje. Shoqata Shqiptare Amerikane Skenderbej. Kryetari MARK QEHAJA” u lexua në letrën e vlerësimit ndaj Editorit të Diellit 2009-2021, Dalip Greca.

24 PRILL 2022 DO FESTOHET DITA E LIRISË SHQIPTARE NË “KENSICO DAM PLAZA” NË ËESTCHESTER

24 Prill 2022 ora 1 PM do të organizohet “Dita e Lirisë Shqiptare” në një ndër parqet më të bukura të Neë York-ut, në Kensico Dam Plaza- në Ëestchester. Veprimtaria e organizuar nga Shoqëria Kulturore-Artistike Kelmendi, Familja Mrnacaj dhe Counti Ekzecutive Ëestchester si “Dita e Lirisë Shqiptare”, është një aktivitet patriotik, social, kulturor e përkujtimor, që i kushtohet, simbolit të demostrateve antikomuniste Nik Mrnacaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë dhe Flamurin shqiptar, sjellë në këtë datë përkujtimore jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe të liderëve politik. Kjo ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për persekutimin që ushtronte shteti komunist shqiptar ndaj familjeve nacionaliste shqiptare.

Edhe pse familja Mrnacaj ishte e arratisur nga Shqipëria, pjesa e mbetur në Shqipëri, u burgos e u internua. Tipik ishte rastii Nikollë Mrnacaj, i cili u burgos dy herë, ndërsa familja u internua dhe vuajti për vite të tëra kampeve të internimit. I riu nacionalist, antikomunisti Nick Mrnaçaj, i biri i Marash dhe Mri Mrnaçaj, ishte në krye të demonstratave të shqiptarëve të Amerikës, që kërkonin të sensibilizonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mungesën e të drejtave dhe të lirive njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe rrisnin përpjekjet për t’i hequr maskën udhëheqësve komuniste që tentonin të mashtronin perendimin, me anë të Misionit diplomatik në Neë York. Nik Mrnacaj humbi jetën pasi kthehej nga demonstrata antikomuniste e organizuar në Detroit me 22 Janar 1990.

Shkurt Kronika: Hymnet Kombëtare i ka kënduar Mikela Nonaj. Lutjen fetare e ka përcjellë Djakon Marash Shkreli. Vperimtarinë e ka nderuar dhe famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj. Kanë përshëndetur: Presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi, County Egzekutive z. George Latimer, kandidati për major në Mt. Vernon, z. Ernest Davis, Kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës  Dritan Mishto, Deputeti demokrat i Kuvendit të Shqipërisë (që ka dorëzuar mandatin) Endri Hasa dhe në emër të familjes Mrnacaj,ka falenderuar folësit, pjesmarrësit, Mikel Mrnacaj, i biri i Nik Mrnacaj…

Këtë veprimtari përkujtimore dhe nderuse e mbështeti edhe Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, ku përvec kryetarit të saj z. Dritan Mishto, morën pjesë nënkryetari Agim Rexhaj, anëtarët e kryesisë Zef Balaj, Marjan Cubi me zonjën, editori me zonjën, Pashk Maksuti, Mihill Velaj(njëkohësisht kryetar i Shqoatës së Shkrimtarëve shqiptar-amerikanë), Gjergj Ivanaj e të tjerë. Vatra, pas takimit që pati në selinë e saj me deputetin Endri Hasa, e ftoi atë, që të bëhej pjesë e veprimtarisë përkujtimore kushtuar Nik mrnacaj, ku ai u prit me duartrokitje.

Në fund të veprimtarisë, familja Mrnacaj ftoi pjesmarrësit që të ngrinin Flamurin kuq e zi në shtizën e parkut, përkrah flamurit amerikan, ku do të qëndroi për një javë. Familaj Mrnacaj ksihet sjellë për pjesmarrësit, ushqime dhe pije. (Të plotë shkrimin do ta lexoni në Diellin e Printuar)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

SALIKIMI I FUNDIT…

April 21, 2022 by s p

Në vend të një lamtumire për Zef Balaj.

Sokol Paja

New York më 20 Prill 2022 – Shqiptarët e Amerikës, miq, familjarë, patriotë, vatranë, autoritete e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit Zef Balajt i cili u shua shumë shpejt duke lënë pas shumë kujtime, vepra të mira, dhimbje e trishtim tek të gjithë ata që e njohën e bashkëpunuan me të. Një bekim i fundit kur trupi i viganit Zef Balaj u fut për herë të fundit në kishën Zoja e Shkodrës, mbi trupin e vdekshëm e shpirtin e pavdekshëm të tij, Dom Pjetër Popaj bekoi trupin e Zef Balës para rrugës pa kthim për jetën në amshim. Në libri liturgjik të “Dijes” u shkëput një lexim për pleqërinë dhe mençurinë, përsosmërinë, shpirtin e bardhë e të pastër, ashtu siç Zef Balaj jetoi jetën e tij tokësore. Në Psalmin fetar: Zoti është Bariu im asgjë nuk më mungon, Dom Pjetri famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës, kujtoi se çdokush që beson në Zot është i shpëtuar dhe do ta gëzojë jetën e  përtejme teksa citoi edhe Ungjillin e Shenjtë të Gjonit: “Unë jam ringjallja dhe jeta, kush beson në mua nuk do të vdesë kurrë”. Zef Balaj vendosi të ikë prej nesh në javën e shenjtë të Pashkëve, iku në javën e ringjalljes së Krishtit si për ta treguar se pas vdekjes triumfon një tjetër jetë, dhe se vdekja është veçse një rrugëkalim qiellor. Ungjilli sipas Gjonit citoi Dom Pjetri “Unë Jam Udha e vërteta dhe jeta” i përngjasojnë jetës së shenjtë e të mirë që ka pasur Zef Balaj si familjar e besimtar i devotshëm. Në fjalën ngushëlluese Dom Pjetri u shpreh se familja e nderuar Balaj pati 3 vdekje të rënda në një vit dhe u lut qe Zoti ta forcoje kete familje. Zoti na ka krijuar me jetu jo me vdekë, jeta tokësore nuk është e përgjithmonshme, jeta tokësore një shteg për kalimin në jetën e pasosur. Zef Balaj beri vepra të mira dhe kishte veç mirësi njerëzore. Zefi ishte fisnik e nuk ankohej kurrë. Zefi ishte bujar e shpirtmirë, kontribuoi për Kishat në USA e Shqipëri e Kosovë. Zefi ishte i dashtun i qeshur e fjalë mirë. Zefi ishte i fortë dhe i sigurtë për jetën tjetër, përfundoi fjalën e tij Famullitari Dom Pjetër Popaj. Drane Balaj mbesa e Zefit falenderoi në emër të familjes të gjithë ata që i mbështetën në këtë moment të vështirë dhe përshkroi jetën e Zef Balajt dhe të familjes që nga arratisja nga diktatura komuniste dhe ndërtimi i jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shprehu e tregoi mbështetjen që Zefi u kishte dhënë familjes nipërve e mbesave e mbi të gjitha mësimet e jetës e fjalët e shtrenjta. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj në fjalën e lamtumirës tha se familja Balaj është ndër më të nderuarat në bashkësinë shqiptaro-amerikane, emri dhe veprimtaria e tij do jetë frymëzim dhe krenari për të gjithë si familjar, veprimtar, patriot, vatran e njeri i përkushtuar i çështjes kombëtare. Fotoreporteri Dritan Haxhia lexoi telegramin e ngushëllimit dërguar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në të cilën shkruhet se Zef Balaj ishte veprimtarit të devotshëm, patriotit të përkushtuar, me kontribut të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre. Miku i Zef Balës në Ligën Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi në fjalën e lamtumirës u shpreh së Zef Balaj ndërtoi identitetin e shqiptarëve në Amerikë dhe frymëzoi lirinë e shqiptarëve me arratisjen nga diktatura. Dalip Greca mes lotësh, në rrëfimin e jetës së tij të përditshme me Zef Balën u shpreh: “Zefi u bë pjesë e përditshme e jetës sonë. Do jetë në shpirtrat tanë përjetë. Zefi ishte një shenjt i padukshëm. Ringjalli gazetën Dielli dhe kontribuoi përherë për Vatrën” kujtoi z.Greca. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha me dhimbje e pikëllim u shpreh në fjalën e lamtumirës: “Sot u shprehi mirënjohje familjes e të afërmve, dashuri e krenari për Zef Balën, për vëllanë tonë, për kontributin e tij, veprat e mira, shpirtin e zemrën e tij të bardhë”. Kryetari Berisha në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA e vlerësoi Zef Balën me titullin SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”. Pas salikimeve të fundit të arkëmortit, trupi i shkatërrueshëm i jetës së pashkatërrueshme të Zef Balës u nis me respekt e dhimbje drejtë banesës së përjetshme. Pas fjalës përmbyllëse të procesit të lamtumirës Dom Pjetër Popaj kujtoi ngjalljen me shpresën e jetës së pasosur dhe lutjen e pranimit në mbretërinë e Zotit të Zef Balës. Në varrezat familjare “Gate of  Heaven” ku u përcoll në paqen e amshuar, miku i ngushtë e Zef Balës Dritan Mishto në emër të familjes Balaj i pikëlluar u shpreh: “Mirënjohje e falenderim mijëra shqiptarëve që janë bashkuar dhimbjes së familjes. Ikja jote o Zef Balaj na lë shkretëtirë në shpirtrat tanë. Flm Zef se ti na ke mësuar si duhet të jetë një bashkëshort, baba, mik, shok, ti na mësove si të jesh njeri. Ti ike me kokën lart e me faqen e bardhë në një kohë që nuk është e lehtë. Nuk do ketë lamtumirë por mirupafshim në botën e përtejme, me po kaq mall sa po ndahemi sot me ty o Zef” u shpreh Mishto. Mëhill Velaj lexoi me trishtim dy telegrame ngushëllimi për familjen e Zef Balës nga Imzot Dodë Gjergji dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj. Djali  i Zef Balajt Davidi falenderoi të pranishmit e pjesëmarrësit në dhimbjen e familjes, mbi arkëmortin e atit të tij e mbylli me fjalët: “Do të dua përjetë Babë. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne. S’do të harroj kurrë, pusho në paqe Bab”. Në drekën e shtruar në “Tesoro d’Italia” për shpirtin e Zef  Balaj, teksa një foto fisnike e Zefit në sallë që zbuste dhimbjen e të gjithë të pranishmëve, pas uratëve e qiririt të ndezur për shpirtin e pashuar, miku i ngushtë i Zefit Asllan Bushati recitoi një elegji përkujtimi “Lot për Zef Balën”, elegji që shënoi fundin e drekës dhe lamtumirën tokësore të Zef Balës me familjen e miqtë e tij. I përjetshëm kujtimi, veprat e mira, dhe gjithçka që Zef Balaj i dha Vatrës, Ligës e Komunitetit shqiptar në Amerikë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Zef Balaj

ELEGJI:  LOT PËR ZEF BALËN

April 21, 2022 by s p

ASLLAN  BUSHATI

NY, 20 Prill 2022/

Qanë Mziu i Pukës largët

Qanë për birin në New York

Qanë për zemrën e Zef Balës

Që pushoi së rrahuri sot.

Qajnë njujorksit me rrethina

E fisi Balajve me miqësi

Qajnë Vatra, Kisha e Liga

Brezi vjetër dhe brezi i ri

Qajnë shqiptarët e Amerikës

E me mijra në Kosovë

Gjithë ata që e kanë njohur

Në Shqipëri e diasporë.

Në zakon të vjetër qysh motmoti

Kur nis rruga për amshim

Gratë qajnë me pika loti

Burrat heshtin në meditim

Kështu dhe ne po bajmë me ty

O bamirësi Zef Gjon Balaj

U prehësh në paqe e përjetësi

Se veprat tuaja qenë të rralla.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: asllan Bushati

PRESIDENTI ? A DONI ME JUA FALË…

April 21, 2022 by s p

Frano Kulli/

C:\Users\Vitore\AppData\Local\Temp\Rar$DRa0.322\Frano_color_2.jpg

Një dalldi e madhe e ka pushtuar njerëzinë shqiptare të rrjeteve sociale, sidomos, qyshsekur është përmendur zgjedhja e presidentit të ri të Republikës. Njerëzinë aspirante, sigurisht; ata që e dinë veten të zot si askush tjetër për t’u ulë në atë karrige të rëndë, se njerëzia shqiptare në shumicë, e neveritur deri në fyt me presidentët e krejt shpurën e udhëheqësisë së këtushme, ose “ka therë pelën” e ka ikë nga sytë këmbët, ose rri e vegjeton këtu ushqyer me remitancat që sjellin këta të parët.Zhytur në pezm e mosbesim të thellë, fort.Të ikurit janë ata më të duhurit për këtë vend, janë përgjithsisht ajo fasho moshe nga 20-40, që për cilindo vend janë vitaliteti, janë ata që që mund ta prosperojnë një vend. Aq më tepër Shqipërinë tonë të vogël. Të ikurit i kanë shtyrë me përdhunë të ikin. Ngapak e përditë ka ngjarë kjo. Sigurisht edhe kërkesa e vetë atyre për një jetë më të mirë i josh drejt ikjes. Por për më tepër, shumë më tepër se kaq, duke u venitur atyre shpresën se jeta mund të jetohet normale edhe këtu. E kjo ka ngjarë sistematikisht, sa duket si një vetëdashje e kobshme. Këtë e kanë bërë sistematikisht këta prijësat pra, e sidomos këta të dekadës së fundit. E, megjithatë, ato që janë këtu, të gatshëm si gjithherë, prej këtu në katundin tonë “kjanë hallet e inglizit”, siç do të thoshte Fishta. E ngasin e vrapojnë kush me  dalë i pari i katundit. I pari për çfarë ? Për me sundue pra. Se për me qeverisë, për me udhëheqë administrimin e mirë të jetës sonë publike, e cila iu besohet e iu është lënë në dorë atyre, ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara…Këtë se kemi parë deri tash.

Kështu pra , këto ditë, vijnë e shkojnë propozime nëpërmjet komunikimit publik të gjithkujt. Dhe, në turma fjala zë vend menjëherë, zë vend edhe atëherë kur ajo është aspak e njëmendtë ose krejt e rrejshme. Por që e kanë marrë përnjëmend e po shfaqen shumë seriozë ca njerëz të elitës, kjo sjell habi. Gjeneralë e specialistë gjithnduerësh, historiane pasionante e dijetarë gjithësojësh janë dhënë me mish e me shpirt për këtë punën e presidentit…

Kush ka jetuar kohën e largët të fletë rrufeve do ti sillet nëpër mend gara e ethëshme e njerëzisë për t’u paraqitë me shkrim nëpër ato copa letrash varur nëpër mure të vrungnueme kudo, në ndërmarrjet punuese shtetnore, në shkolla, në kooperativa e gjithkund, me mendimin  a qortimin e vet. “Cilido mund të shkruajë për punët dhe për njerëzit”- kishte thënë udhëheqësi. Dhe ky quhej zëri i masës, që vetë partia, nën shembullin e revolucionit kulturor kinez të fundviteve ’60 të shekullit të shkuar, e kishte shpërndarë si direktivën e saj. Dhe ky quhej revolucionarizimi i jetës së vendit, që presupozonte demokratizimin e saj ???Ani pse bash këtu e mbas, jeta u militarizua edhe më. E, njerëzia fatkeqe, bile në shumicë, me “trutë e gomarit” që i kishte vënë diktatura e merrte si të njimendtë kërkesën e partisë, për ta lëshuar zërin nëpër ato copa letrash proklamata. Dhe, njeriu i mjerë (e jo një e dy)  besonte. Po, po edhe besonte se me të vërtetë zëri i tij, i përzjerë me zërin e masës, do të dëgjohej! Zëri i masës (turmës pra) sigurisht, se individi, njëshi ishte “zero e fyl” siç e kish shkruar Majakovkski, poeti i shquar komunist sovjetik. 

Sindromi i besimit të gënjeshtrës së madhe, kishte nisur më herët, kishte nisë atëherë kur turmat entuzjaste , i ndillnin si bagëtitë në tufë për të ndjekur mizanskenat e gjyqeve popullore kundër aristokracisë së vendit, dijetarëve të studiuar në Europë, doktorë e inxhinierë a priftërinjëve mendjendritur, predikatorë të besimit  e atdhedashës. Dhe turmat thërrisnin si të marrë: “kriminelët në litar”. Gënjeshtra e madhe ua kishte pushtuar trurin dhe shpirtin turmave. Për njëmijë e një arsye. Për forcën e dhunës, pikësëpari. Por do që disave prej tyre u hyri në qejf kjo punë, e medjé (madje) u dhanë e hynë në një garë që kush të dukej më i devotshëm në sytë e prijësisë. Sikundërse u mpreh e doli në pah edhe deliri i të dukurit, deliri i prijësve, që lidhej me devocionin e përkushtimin ndaj udhëheqësisë. Sindrom që zgjati përgjatë gjithë kohës së rregjimit e që e shformoi dinjitetin e njeriut. E dhimbshme kjo sa s’bëhet, por e pranuar në kushtet e atëherëshme…Sindromi i besimit të gënjeshtrës së madhe ishte kthyer sa në presion (shtypje) aq edhe në pasion…

Por, që reminishencat e pranimit si të vërtetë të gënjeshtrës së madhe të vijojnë edhe sot kur ka më se tridhjetë vjet që rregjimi ka rënë ? E sindromi të shfaqet njësoj si atëherë?! Mirë, udhëheqësia është kjo që është, papërgjegjëshmëria e saj në administrimin e punëve të mbarshtrimit të jetesës së njerëzve ka shkuar larg, shumë larg. Nevoja për koperturën propagandistike të punëve të pabëra e ka bërë atë të na servirë edhe të ashtuquajturin “Këshillimi Kombëtar”, që është motamo zëri i masave të gjysmë shekulli më parë. Por që kjo të besohet edhe ndër njerëz që në shoqëri janë radhitur në gjindjen elitë të këtij vendi ? E papranueshme. Kjo tregon se mekanizmin e rendit të demokracisë, të cilin kemi nisur ta bëjmë tash tridhjetë vjet e kemi mbërthyer me burma kauçuku (plastike)…

Besimi me naivitet në “vijën e masave”, megjith shëmtinë e vet po shfaqet këto ditë kur flitet për zgjedhjen e presidentit të republikës. E kur u pyetën ndonjëherë masat për presidentët ? A s’jemi këtu prej gati tri dekadash, gjasme demokraci, që presidentin, gjithherë e ka nxjerrë nga mënga… kryeministri ? Vetëm njëherë ka dalë nga mënga e një tjetër Njëshi. Njëherë, kur të mëdhenjtë e përtej katundit tonë e lanë nën mëngën e liderit të opozitës. Dhe lideri i atëhershëm i opozitës antikomuniste…skualifikoi Pjeter Arbnorin. 

Filed Under: Komente Tagged With: Frano Kulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT