• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

VATRA PROMOVON NESËR LIBRAT: “DËSHMI E TRISHTË E NJË SHENJTORI” DHE “LARG ATDHEUT”

April 19, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të promovojë nesër ditën e Mërkurë më 20 Prill 2022 në orën 6.30 PM në Selinë Qëndrore dy libra: “Dëshmi e trishtë e një Shenjtori” – monografi kushtuar baba Bektash Aliaj figurë e lartë e besimit Bektashi dhe “Larg Atdheut” – një dorëshkrim të lënë pa botuar nga ish Editori i Diellit Xhevat Kallajxhi. Do të referojnë në këtë promovim: Dervish Eliton Pashaj, Tonin Mirakaj, Idriz Lamaj dhe Dalip Greca.
Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të marrë pjesë.

Filed Under: Sofra Poetike

Kryeministri Kurti në Ditën e Dëshmorëve: Asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë

April 19, 2022 by s p


Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, asamblistë të Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues tjerë të këtij subjekti bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë dhe te shtatorja e heroit Zahir Pajazi.

Pas homazheve te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë ai tha se kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet edhe të shqiptarëve si komb. “Si Qeveri e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke iu falënderuar gjakut të derdhur për liri i cili nuk shlyhet kurrë ashtu sikurse edhe që emri i këtyre dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndërkaq, pasi vendosi lule të freskëta te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në sheshin që mban emrin e tij, ai u shpreh se si komandat i zonës operative të Llapit, me aksionet e tij çlirimtare, Zahir Pajaziti e dha kushtrimin e lirisë shumë herët, para se të fillonte lufta çlirimtare dhe në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin dhe zgjeroi radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt qershorit të vitit 1999 kur edhe u realizua çlirimi i vendit.

“Këtyre që kontribuuan e u sakrifikuan ju kemi borxh që të ardhmen ta bëjmë shumë më të mirë e më të ndritshme se sa që e kemi të tashmen e se sa që e kishim të shkuarën” tha në fund, kryeministri Kurti.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi heroit të popullit Zahir Pajaziti!



Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas homazheve te varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë:

Te flamuri kombëtar shqiptar i cili qëndron para varrezave të dëshmorëve të kombit këtu në Prishtinë, sot vendosëm lule të freskëta, meqenëse veçanërisht në Ditën e Dëshmorëve ne i kujtomë e i përkujtojmë këta njerëz të vendit tonë, të kryeqytetit, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e popullit dhe për çlirimin e vendit. Kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë, e kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjen përpara të Kosovës si shtet edhe të shqiptarëve si komb. Si Qeveri e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë se prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke iu falënderuar gjakut të derdhur për liri, i cili nuk shlyhet kurrë, ashtu sikurse edhe që emri i këtyre dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë.

Lavdi të gjithë atyre!


Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti:

Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe me deputetë të Kuvendit të Republikës, me asamblistë të Komunës së Prishtinës, me koordinatorin e Grupit tonë Punues në Qendrën e Prishtinës së Lëvizjes sonë, Arben Vitia dhe me kolegë e bashkëpunëtorë vendosëm lule të freskëta këtu te përmendorja e komandantit Zahir Pajaziti, hero i popullit sot por për jetë e mot udhërrëfyes për çdo qeveri dhe për të gjitha institucionet e shtetit tonë dhe për çdo qytetarë të republikës e për mbarë kombin shqiptarë.

Prishtina si kryeqytet është gjatë luftës çlirimtare vendi në kuadër të zonës operative të Llapit e ku kishim për komandant Zahir Pajazitin, i cili me aksionet e tij çlirimtare e dha kushtrimin e lirisë shumë herët, para se të fillonte lufta çlirimtare dhe në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin dhe zgjeroi radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt qershorit të viti 1999 kur edhe u realizua çlirimi i vendit. Bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, këta ishin luftëtarë të paepur të cilët nuk kursyen asgjë por goditnin forcat armike pushtuese serbe gjithandej Kosovës, e në veçanti kontribuuan shumë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të marr hovin dhe të shndërrohet në ushtri të vërtetë e cila u bë bartëse e çlirimit të vendit tonë, bashkë edhe me ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave policore, ushtarake dhe paramilitare të Jugosllavisë e të Serbisë së Millosheviqit.

Ne që e mbajmë mend dhe e kemi jetuar atë kohë, por edhe ata që rriten sot, që të gjithë duhet ta dinë mirë se prej nga vijnë në mënyrë që të jemi të sigurt për rrugën tonë përpara si në aspektin e shtetndërtimit demokratik, të mobilizimit e aktivizimit qytetarë gjithashtu edhe të zhvillimit socio-ekonomik. Këtyre që kontribuuan e u sakrifikuan ju kemi borxh që të ardhmen ta bëjmë shumë më të mirë e më të ndritshme se sa që e kemi të tashmen e se sa që e kishim të shkuarën.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi heroit të popullit Zahir Pajaziti!

Filed Under: Komente

DON ALEKSANDER SIRDANI DHE DON PJETER ÇUNI

April 19, 2022 by s p

DAS
D P C

DON A. SIRDANI       DON P. ÇUNI

 (1887-1948)                    (1914 – 1948)

“Lufta që racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues.”

 Don Kolec Prennushi(1935)

Pergatiti: Fritz RADOVANI:

Komunizmi asht një e keqe e madhe që duhët zhgulë me rranjë dhe duhët mos me hezitue askush për me e shkatrrue përfundimisht, me luftë të vazhdueshme kulturore dhe të përhershme. 

Asht sistemi ma përbindësh që mbështetët në një dhunë të pamëshirshme dhe propagandë fund e maje vetëm mashtrim dhe rrena. 

Sigurimi i Shtetit komunist nuk asht tjetër veç, një sadizëm i përhapun në çdo skaj dhe i institucionalizuem në të gjitha metastazat e tij. 

Praktika e punës së qeveritarëve dhe e institucioneve të krimit asht zhdukja e dokumentacionit. Dosjet, hetuesitë, zhdukjet e njerëzve, vrasjet dhe trajtimi i kufomave të viktimave shpeshherë në tortura ose mbas torturës, gjithmonë në msheftësi, pa proçese legale dhe pa asnjë përgjegjësi të njohun dhe të pranueme nga organët shtetnore, të gjitha kanë për qëllim shkatrrimin përfundimtar të njeriut dhe të shoqnisë, si nga ana fizike, morale, ashtu edhe psikologjike, shpirtnore e kulturore.

Terrorizmi në Shqipni gjithmonë në ata 47 vjet asht mohue, asht errësue ose asht nënvleftësue, aqsa populli kishte humbë çdo shpnesë se njëditë mund të shpëtojë. Gjyqet e mëshefta janë rruga e çmobilizimit në masë mbasi mija njerëz me të njajtat vlera dhe me trimni të pashoqe, janë torturue e masakrue tue përfundue viktima të terrorit komunist. 

Kundër popullit Shqiptar asht  përdorë TERRORI si mënyrë qeverisje, tue e kthye atë në një plaçkë të friksueme ose në një turmë të bindun, mbasi përpjekja e Sigurimit të Shtëtit ka kenë gjithmonë mobilizimi i shumë vetëve në strukturat e tij vrastare. Ai i ka detyrue ata me u identifikue  me spijunllëkun, në mënyrë që jeta e tyne të ishte në një ankth i vazhdueshëm. 

Kontrolli i lëvizjeve të çdo individi, vrojtimi i të gjitha hallkave të jetës nga agjentët, monopolizimi i organizatave, i mjeteve të komunikimit, si dhe shfrytëzimi i shumicës nga pakica e privilegjueme për shërbimet shtypse, dhunuese e shtërnguese, sjellin si pasojë tek njerëzit që në mënyrë të vetëdijshme me pranue dhunimin e të drejtave njerëzore si një dishka e paevitueshme, aqsa njerëzit, që nuk janë të arrestuem ose ma keq, ata që dalin nga burgjet, kthimin e lirisë arrijnë me e konsiderue si një “dhuratë”. 

Po, ka prap edhe ma keq, para lirimit me e detyrue viktimën me nënshkrue edhe deklaratë “bashkëpunimi” me sigurimin dhe, me ia dijtë për “nderë” se po shkon me ba punën e tyne si agjent, tue u konsiderue gjoja “i lirë”. 

Sigurimi i Shtetit ka pikësynue gjithmonë që në popull të mbizotnojë frika e pasiguria e përhershme, tue kenë i “kudogjindun”.

Zhdukjet e pashpjegueshme, hetimet e stërzgjatuna, pyetjet dhe firmosjët e proçes-vërbaleve me dhunë e dajak, terrorizmi i fshehtë dhe shnjerëzor, proçesët gjyqësore poshtnuese, dëshira me vdekë për me “shpëtue” pa marrë parasyshë pasojat, intërnimet e familjarëve, papunsi, dëbumjet, divorcet, dhunimet etj., që përmblidhen në “luftën e kllasave”, kanë ba mbretnimin e mjerueshëm të psikologjisë së popullit nga shteti terrorist.

Asht aksiomë: Çdo shtet në Botë i drejtuem nga komunistët përfundon në shtet diktatorial terrorist. Prova ma e sakta asht Shqipnia e Kastriotit.

Kush nuk pajtohet me gjendjën, ose vetëm mendon me e ndryshue atë, asht atypëraty “armik i popullit”, edhe pa krye asnjë akt për atë qëllim.

Automatikisht atdhetarët, intelektualët e ndershëm dhe kleri janë në formulën e “armikut të popullit”. Të gjithë këta mendojnë kundër kësaj vegle “vigane” që quhet komunizëm, mbasi zbulojnë qëllimin amoral të tij që asht i mbuluem me lëvoren e pranueshme morale “barazi për të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje”, tue i rrokollisë miljona njerëz në këtë humnerë, e provueme sot ma shumë se kurr në Botë: Utopi.

A mund të pranonte Ever Hoxha me shokë, thanjën e Don Lazër Shantojës, që shkruente shumë vite maparë (në vitin 1924): “Qeveria ka krye plotësisht programin e sajë, atëherë, kur trathtarët e popullit të mos munden me qeshë ma kurr mbi kurrizin e popullit”?

Komunistët mendonin me përdhosë Elterin e Atdheut tonë, me veprat ma makabre të Shekullit XX dhe, asht e vështirë me e mendue e besue njerëzit  këtë skenë, të ndodhun me dy klerikë dijetarë dhe Shqiptarë të Nderuem!

E kurr ma e vështirë me e besue nuk asht sesa sot.

DON ALEKSANDËR SIRDANI DHE DON PJETËR ÇUNI

74 vjet ma parë sigurimi i shtetit komunist po kryente një nga krimet ma të shëmtueme dhe të pandigjueme deri atëherë të diktaturës barbare dhe antinjerzore komuniste: Sigurisht me aprovimin e tiranit Ever Hoxha do të mbyteshin për së gjalli në një gropë ujnash të zeza, në Koplik, ku zhvillohej edhe atje si në krahinat tjera të Veriut hetuesia e meshtarëve, dy Martirë të Kishës Katolike: Dom Aleksandër Sirdani (1887-1948) dhe Dom Pjeter Çuni (1914-1948). Të dy figura të njohuna jo vetem si Klerikë Katolikë, po edhe si dijetarë të persosun në fushat e Tyne të dijes e të kulturës.

Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjës 1887. Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Atje mblodhi një thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejtë u konsiderue si një ndër njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë që mori në Insbruk, forcoi edhe mashumë idealin e tij si atdhetar. Njihte mirë frymën demokratike prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër revistat ma në za të kohës. Ishte vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky klerik françeskan dijetar.

Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët ma të ngushtë të Don Nikoll Gazullit dhe At Donat Kurtit, dy personalitete të njohuna. 

Kishte edhe prirje poetike. Vlenë me u theksue se në shpirtin e tij depërtuen thellë njohjet e ngjarjëve historike të kreshnikëve të Veriut, gja që sollën në letrat e kulturës Shqiptare një përsonalitet të kompletuem.

Origjina dhe njohjet e zakonëve të Malësisë e lidhen me popullin nëpërmjet atij virtyti që malësorët, e kërkonin edhe në portretin e Atij priftit që u predikonte e, që ai virtyt thirrej trimni.

Nësa ndër rrugët e Shkodrës, shëtitej mbi një gomar prifti romancier             80 vjeçarë Don Ndoc Nikaj, një ndër thëmeluesit e Shoqnisë “Bashkimi” (1899) dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në vitin 1946, në Koplik, fanatikët komunistë kërkonin me fye figurën e dijetarit Don Aleksandër Sirdani  mbi një kenje tjetër, edhe ky prift i rrëthuem nga gomarët e Ever Hoxhës, që mendonin se po përdhosin  meshtarin e përvujtë! Sekretar i Frontit demokratik në Koplik ishte Ago Dino, ndërsa prokuror Ali Paçrami. Mbahën mend si terroristë që i kryesonin: Xhemal Selimi, Asllan Lici dhe Faik Nuti etj. Në muejin korrik të vitit 1948 Don Aleksandri, u arrestue dhe u mbajt në hetuesinë famkeqe të Koplikut, ku e torturoi katili Xhemal Selimi me shokë, të gjithë të njoftun si kriminelë katila të pashoq.

Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër më 9 gusht 1914. 

Në moshën 7 vjeç Ai ishte në Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku shkon në Romë me vazhdue studimet e nalta teologjike. Përfundoi studimet në Propaganda Fide, në vitin 1940 dhe atje, u shugurue meshtar.

Asht shugurue bashkë me 100 xhakojë të tjerë nga disa vende të ndryshme të botës nga vetë Papa Piu XII-të. 

Mbas shugurimit atje në muejn prill, nga qershori vjen në Shqipni dhe ditën e Sh’Palit e Sh’Pjetrit (pra, ditën e emnit të Tij) më 29 qershor, thotë Meshën e parë në Katedralën e vendlindjes, me prezencën e Imz. Gaspër Thaçit, të Imz. Gjergj Volaj, si dhe të gjithë klerit katolik.

Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin e dajës së tij, për né që e kemi njohtë Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky meshtar i rritun dhe i pergatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht ndër klerikët ma të pastër me qëndrimin e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje. Gjithmonë i papërkulun kundrejt armiqëve të Kishës Katolike Shqiptare.

Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të priftit të devoçëm, daja shihte tek nipi edhe virtytin e vet që e ka karakterizue gjithë jetën, trimin e mendshëm dhe të vendosun. Këtë e ka provue jeta  dhe burgosja e të dyve mbas 1944.

Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll. Aty, si të gjithë klerikët merrët me studimet e zakonëve të krahinës. Boton artikuj në revistën “Kumbona e së Diellës”, me siglën R.I. (Pjetër Çuni), ku spikatë vullneti dhe saktësia në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht edhe shkaku i njohjes me shkencëtarin e asaj fushë Don Aleksandër Sirdanin, me të cilin edhe martirizohet. Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e Koplikut, vritët tradhëtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor 1946, vetëm për një deklaratë gojore të bame në favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër vëndimit të gjyqit për pushkatimin e tyne. Vrasja e kryeme atëherë u vesh me motive plaçkitjeje, motive që në të vërtetë edhe qëndronin mbasi plaçkitja dhe hajnia ishin gjithnjë të pranishme në vrasjët dhe arrestimet e komunistëve. Këtë e vërteton vetë fakti i humbjes së pothuej të gjitha studimeve dhe të veprave shkencore, letrare dhe artistike të intelektualëve që janë vra, arrestue ose kontrollue shtëpitë e tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Dy Klerikve Sirdani e Çuni. 

Me siguri ata janë mbrenda ndonjë titulli të dhanun ma vonë nga Ademia apo Universiteti i Tiranës, po fakti asht se plaçkitësit  mohuan autorët e vërtetë. Brezat e ardhshëm nuk do ta besojnë ndoshta këtë ngjarje, por unë po e shkruej i nxitun nga Konica, që thotë:  “Popujt që nuk nderojnë kujtimet e shkuara, janë të dënuar me vdekje”.

SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?

Mbas vrasjës Don Luigjit në vendin e tij u emnue Don Pjetri, i cili ato ditë thonte: “Dukët se Krishti ka vendosë që unë të jem ndër të fundit!” 

Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë për në Shkodër ndalohët në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut. 

Aty, siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit të Mbrendshëm gjenë Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J., që masakrohen bashkë me shumë malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, thonte ai. Nuk dinte sëpse, por jepej një urdhën: “Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!” Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue, mbasi nuk i kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me Ata.

Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo!

Njëditë kishin shkue herët në Seksion torturuesit barbar. Xhemali po i priste në zyrë. Mbas një bisede të shkurtë të tre bashkë kanë dalë e kanë dhanë urdhën me shkue tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për fat ky nuk e kishte pasë atë rrezik me zbatue atë urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë. 

I kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore. 

I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Xhemali ka hy në zyrë, ndërsa Asllani i ka urdhnue policët me shkue tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinjë dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej por me mend nuk mund të gjindej shka duen me ba xhullinjtë. 

I sollën edhe cfurqit. Ka dalë i pari  topall në topall Asllani e asht drejtue nga priftnit e lidhun tue u thanë: “Ecni, more klysh të Papës, se tash do t’ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni çue bukë ndër male?” Nuk ka pritë përgjegje por asht drejtue nga një gropë gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte  gjithmonë e hapun. Ka urdhnue me i afrue priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahëj presion me tregue.., por, papritmas Asllani i ka vue duert në gjoks Don Pjetrit, ndersa katili tjeter ka kapë përkrahut Don Aleksandrin, tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta veç, kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e kanë ra mbrendë në gropën e zezë. Kur priftnit kanë marrë me u çue, xhelatët i kanë shty me cfurk për me i zhytë mbrenda, tue u thanë: 

“Hee… flisni, ku e keni Krishtin tuej… flisni.., kështu do të jenë fundi i  priftënve. A  po e shihni kund Krishtin tuej, hee pisa pisash?”

Don Aleksandrit që ishte zhytë ma parë sidukët i ishte marrë fryma dhe nuk po i shihej  fëtyra, ndërsa Don Pjetri, ka muejtë me nxjerrë kokën edhe njëherë, ashtu i nximë si të ishte i lymë me zyft prej pisllëkut, ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë dhe ka thirrë: 

“RRNOFTË KRISHTI… TEK AI PO SHKOJ!”

Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme të dy veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të Tyne. 

Mbas pak minutash Priftnit u mbytën… Ata mendonin se bashkë me trupat e pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne baritore.

Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta pësojë si Ata, ngjarja  e dy priftënve mori dheun. Dihej martirizimi por, diheshin edhe katilët. Fëtyrat e këtyne kriminelëve kanë mbetë njësoj si atë ditë kur janë fotografue si “çlirimtarë”, më 29 nandor 1944, tue parakalue në Fushën e Çelës së qytetit të Shkodrës.

Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha. 

Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare komuniste, por krimet atje nuk janë kenë kurrë në përmasat tona. Historia thonë “disa” se, do të flasë njëditë!

Po, kur? – Atë nuk e di! Dij vetem se Dy Klerikët Don Aleksander Sirdani dhe Don Pjeter Çuni, edhe pse humbën jeten në pisllek nga komunistët, Ata mbetën Zamak të bardhë dhe të Perjetshëm të Flamurit të Kastriotit.

Provat dhe saktësia e fakteve të ngjarjeve në Trojet e Gjergj Kastriotit dhe të Nanë Terezës, tregojnë një qendrim të papelqyeshem t’ Europës ndaj nesh. 

Asnjëherë nuk duhet të harroni se të gjitha këta krime janë ba fatkeqësisht me djelmë e vajza Nanash, që me gjylpanen e vet qendisne në pelhuren e kuqe dhe të gjakosun nder Shekuj: Shqipen Dykrenare të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe të Nanë Terezes së Pavdekshme. 

Melbourne, 19 Prill 2022.                           

Filed Under: Kronike

Ç’DO TË THOTË TË JESH ATDHETAR

April 19, 2022 by s p

Nga Enver Memishaj/

NJË VËSHTRIM I SHPEJTË MBI VEPRIMTARINË ATDHETARE TË DEPUTETIT TË VLORËS BUJAR LESKAJ

 C:\Users\User\Documents\275664127_382149907245104_3840627530031038392_n.jpgC:\Users\User\Documents\275663768_382149593911802_5299212593098926732_n.jpg

Zotria i nderuar Ali Ahmeti dhe dr. Bujar Leskaj duke folur për rëndësinë atdhetare të ngritjes së Muzeut Historik “Kosova”, në Vlorë.

Çdo njeri ikën nga bota e të gjallëve duke lënë pas gjurmët e tij në këtë tokë dhe duhet lënë pas gjurmë që mbeten e jo nga ato gjurmë që zhduken me kalimin e njeriut në amëshim. Njeriu me vlera në shoqëri duhet të jetojë me parimin se çfarë gjurmësh do të lerë pas vetes, çfarë veprash, se në botën e përtejme na përcjellin e na kujtojnë veprat që lëmë pas.

Ka shumë personalitete, që  falë shpirtit tyre atdhetarë, inteligjincës dhe punës dallohen nga studime e botime në fushat e dijes, apo krijimtarisë, por nuk kemi parë deputetët ose ata që quhen baballarët e kombit, apo qeveritarët e viteve të demokracisë që të kenë lënë gjurmë për të nesërmen. Por përkundrazi, shumë prej tyre janë përfolur për qëndrim refraktar ndaj kundërshtarëve politik ose që dallohen për sharje e shpifje deri për skandale dhe vjedhje, apo shpërdorim detyre. Thuhet se çdo popull ka qeverinë që meriton, pra  a kemi ne shqiptarët qeveritarë dhe deputetë që meritojmë?

Ose cili qeveritar apo deputetë ka lënë gjurmë për të cilat duhet të krenohet? Zor se kësaj pyetje do ti përgjigjshim menjëherë, por do të rrinim gjate duke u menduar. 

Unë do të sjell një shembull domethënës deputetin e Vlorës zotin Bujar Leskaj i cili gjatë karierës tij si qeveritar dhe si deputet ka lënë pas gjurmë të pa shlyera që do t’i qëndrojnë kohës dhe do të merren si shembull se si duhet të jetë ose më mirë se si duhet të jesh shërbestar i popullit tënd, siç thoshte Mid’hat Frashëri. 

E ata që duan të merren me vështrime kritike le të sjellin një shembull tjetër si Bujar Leskaj, e sado që të mundohen nuk do gjejnë një qeveritar, apo deputet që të krahasohet me të. Me shërbimet e shquara që ky burrë nga Vlora i ka sjellë vendit të tij e ka ngritur vetën mbi shokët e radhës së tij. 

E tani me që unë jam ekonomist dhe e mat punën me sasi dhe cilësi le  të bëjmë  një vështrim të shpejtë mbi veprimtarinë atdhetare të këtij deputeti.

Bujar Leskaj pas vitit ‘90 nuk u nxitua të anëtarsohej në parti politike, por në vitin 1997 kur Partia Demokratike për arsye që dihen u godit rëndë dhe pothuajse u bë inekzistente, Bujar Leskajt i thirri zëri ndërgjegjes atdhetare se kjo parti duhej shpëtuar si pasuri e vlerë kombëtare. Prandaj kur të tjerët po largoheshin,ai ju bashkangjit kësaj partie me hovin e moshës me energjinë por mbi të gjitha me bindje se në këtë moment ai po bënte një xhest atdhetar, po ndihmonte për të shpëtuar një pasuri e vlerë të popullit të tij. 

Pati shumë si ky burrë, por edhe falë besimit dhe ergjisë së pa shtershme të doktor Berishës ajo parti shpëtoi nga shpërbërja dhe në vitin 2005 do të merrte drejtimin e vendit.

Populli i Vlorës nuk ia harroi këtë xhest atdhetarie Bujar Leskajt. Në vitin 2005 e zgjodhi deputet me sistemin mazhoritar dhe me një diferencë të madhe nga kundërshari tij politik i Partisë Socialiste. 

Gjatë fushatës së zgjedhjeve Bujar Leskaj, kanidati për deputet i PD-së, shfaqi një paraqitje që deri atëhere nuk ishte parë në botën shqiptare. Ndërsa kanidatët e tjerë shanin njeri tjetrin çka tregonte nivelin kulturor të shoqërisë sonë, Bujar Leskaj u shpërndante libra të rinjëve vlonjatë ku kandidonte. Kjo shfaqje prej intelektuali e profesori, por mbi të gjitha e një qytetari me vizion europian e afroi me rininë vlonjate, rini e cila ia shpërbleu me vota. Ky tha një plak vlonjat është një atdhetar i mirë, për të cilin ka nevojë Shqipëria. 

Këtij njeriu, i rrihte zemra për Vlorën që e kishte lindur e rritur. Ai do të shfaqte një dashuri të pakufishme për vendlindjen, gjatë udhës së jetës e karierës së tij. Ai e ndiente se biblioteka e qytetit ishte varfëruar pasi shumë libra e materiale të tjera të shkruara me vlerë banditët e ’97 –tës i kishin djegur. Kështu që Bujari kërkoi e vajti kudo deri sa e fuqizoi bibliotekën e Vlorës me shumë libra me vlerë, duke shëruar nje plagë të pranverës së përgjakur të vitit 1997.

Në këtë drejtim ai do të bënte shumë, kështu është rasti i paisjes me kompjutera i shkollës së mesme të Kotës, qendra e komunës me të njejtin emër, etj.

Në vitin 2005, falë kontributit të tij e vlerave kulturore do të emërohej ministër i kulturës. Në këtë detyre ai do të financonte librat që pasqyronin dhunën dhe terrorin e diktaturës komuniste, ndërsa si individ me paratë e xhepit ai do të sponsorizonte librat e shumë studjuesve, veçanërisht atyre vlonjat, me tema atdhetarie, duke i bashkangjitur emrin e tij veprave atdhetare, që pasqyronin këto libra. 

Jashtë vëmëndjes së tij nuk do të mbeteshin as grupet folklorike të Vlorës. Si ministër kulture ai ka të drejtë të krenohet se me firmën e tij kënga polifonike u pranua nga bota e qytetëruar si trashëgimi me vlerë e njerëzimit. Këtë veprimtari atdhetare ai do ta vazhdonte duke bashkëpunuar, nxitur e vlerësuar e grupet folklorike të Vlorës, me poetët, rapsodët dhe këngëtarët dhe shpesh duke i sponsorizuar këto grupe si nga fondet shtetërore ashtu edhe nga pasuria e tij.

Dashuria për vendlindjen nuk ka kufi, ajo shfaqet në shumë fusha e shumë drejtime. Kështu ai do të botojë librin e vlerësuar “Deputetët e Vlorës 1912 – 2009”, dhe më pas ai do te botonte librin studimor “ Muzat e Qëndresës”, ku do të përmbledhe artikuj studimor e kritik për veprat e botuar nga të persekutuarit politikë, duke pasqyruar në këa artikuj mendimet dhe idetë e tij atdhetare. 

Bujar Leskaj do të jetë aktiv edhe në shtypin e ditës. Artikujt e tij kanë një cilësi të lartë intelektuale, pasi trajton tema të halleve dhe problemeve të shoqërisë sonë. Larg reteorikës dhe llafeve të tepërta, artikujt e tij dallohen nga shifrat dhe faktet dhe here herë nga dokumenti, por mbi të gjitha ai argumenton me komptencën e një profesori edhe rrugë zgjidhjet e problemit që trajton. Artikujt e tij kritikojnë qeverinë, por duke dhënë edhe zgjidhjen për problemin që trajton, çka do të thotë se këtij qytetari i rreh zemra me popullin e tij. 

Në botën e kulturës dhe librave Bujar Leskaj dallon mbi shokët e sërës së tij, pasi është edhe edukator i brezit të ri, rinisë universitare ku shërben si pedagog (2000 – 2010). Edhe në këtë aktivitet, pra në fushën e ekonomisë, ai do të botojë për studentët libra të fushës. 

Ndryshe nga të gjithë njerëzit e radhës së tij deputetë e ministra, por jo vetëm ndryshe por mbi ata ai do të dallojë sepse do të merret e do të realizojë vepra të një rëndësie të madhe që mbeten për jetë të vlerësuara e të pa shlyera. 

Me inisiativën dhe me kontributin e tij si nëpunës i lartë i shtetit edhe si finanacues ai do të ideoi ngritjen e shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë. Ai kapërxeu vështirësitë dhe do të arri që ta ngrejë bustin e Ismail Qemal Vlorës, babait te kombit tonë, në qendër të Prishtinës, kështu që athdetari Bujar Leskaj do t’i bashkangjit emrin e tij atdhetarit të madhe, përjetësisht të madh e të nderuar Ismail Qemal Vlorës. Dhe kjo vepër atdhetare e tij nuk do të kalonte pa u vlerësuar nga  Presidenti Ashim Thaçi i cili do ta dekoronte Bujar Leskajn me një dekoratë të lartë të Kosovës. 

Le të ndalemi pak më gjatë në detyrën e lartë të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që Bujar Leskaj kreu gjatë viteve 2011 – 2020, sepse në këtë detyre, në fakt para se të ketë vepruar si Kryetar i KLSH-së, ai ka vepruar si patriot dhe shtetar. 

Kryetarin Leskaj duhet ta shkëpusim nga e përgjithshmja, pra nga cikli i rotacioneve të kryetarëve sepse ai, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk do të bëjë pjesë tek grupi i ish-kryetarëve, por do të mbetet si kryetari i themelimit të KLSH-së moderne, ose një Kryetar emeritus i KLSH-së. 

Arkitektura e re menaxheriale dhe audituese e KLSH-së ka një dokument kyç, verba volant, scripta manent thotë latini, pra ligjin e ri 154/2014 të funksionimit dhe organizimit të KLSH-së. Me të drejtë, ky ligj mund të pagëzohet si Ligji “Leskaj” , sepse është hartuar dhe miratuar falë kompetencës profesionale, përkushtimit dhe vendosmërisë së dr. Bujar Leskajt. Me lëtë ligj u zhbë termi kontroll, u gdhend fjala auditim dhe u vendos fjalori dhe metodologjia euro-atlantike e auditimit, përfshirë auditimin e performancës që Perëndimi e realizonte qysh në fund të viteve ’70.

Bujar Leskaj ka vepruar në njëfarë mënyre edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, si një përfaqësues dinjitoz i interesave kombëtare. Pra është dr. Bujar Leskaj, e jo një Ministër i Jashtëm apo ndonjë zyrtar tjetër, që është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Polonisë, z.Andrzej Duda me titullin “Kryqi kalorësiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”.

Dr. Bujar Leskaj është themeluesi i KLSH-së moderne, pasi ai arriti që të bënte reformë edhe me ikjen e tij, më saktë duke mos pranuar të kandidonte për një mandat të dytë. Ai na paraqitet edhe si një shembull dinjitoz i shtetarit që nuk kapet me thonj e me dhëmbë pas karriges së pushtetit si shumica e politikanëve tanë, por pasi i shërben vendit të tij ai, largohet për t’u lenë vend të rinjëve që vijnë me ide të reja, dhe kjo sjellje ka në brendinë e vet shpirtin atdhetar të atij që e bën. (Shih gazetën “Sot”, Tiranë, dt. 26.1.2019, f. 15)

Shpirti atdhetar i tij, adhurimi ndaj figurave historike që bënë kombin shqiptar dhe vlerësimi akteve atdhetare të këtyre personaliteteve do ta shtynte Bujar Leskajn në vepra të tjera atdhetarie, ose në gjurmë që mbeten përjetësisht mbi tokë. 

Në vitin 2010, ai do të ideonte dhe do të ngrinte Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlorë” dhe në krye të këtij instituti do të ishte vetë ai. Çdo vit Bujar Leskaj do të organizonte studjues e profesora të historisë për t’i bërë jehone veprës madhore atdhetare të Ismail Qemalit në çdo përvjetor të lindjes dhe vdekjes së tij. 

Dihet se në vitin 1908 Ismail Qemali bëri një udhëtim historik nga Vlora në Vranisht, por veç disa kujtimeve të zbehta të pleqëve nuk kishte qoftë edhe një pllakë përkujtimore për këtë udhëtim historik. Kjo mungesë vlerësimi e kësaj ngjarje e shqetësonte atdhetarin Bujar Leskaj  dhe ai vendosi ta përjetësoi veprën dhe udhëtimin e Ismail Qemalit duke ngritur bustin e tij në Kotë, qendër e komunës me të njejëtin emër, ndanë rrugës nacionale që Ismail Qemali heroi Kombëtar i Shqiptarëve t’i flasë Vlorës e fshtarësisë, të vazhdoi t’i flasë Labërisë dhe Shqipërisë.

Në kët vazhdë te veprave dhe veprimtarisë atdhetare nuk mund të mbetej jashtë vëmëndjes së tij edhe fshati origjinës së tij Drashovica. Te ura në Drashovicë qëllon topi Italisë… Kështu ka mbetur kjo urë në histori, ura e luftrve për liri dhe po në dalje të kësaj ure në hyrje te fshatit Bujar Leskaj do të ngrinte bustin e Ismail Qemal Vlorës, e atij burrit shqiptar që bëri Shqipërinë thotë Bujar Leskaj.  

Në këtë mënyrë Bujar Leskaj do të bashkonte emrin e tij të nderuar me emrat e patritëve të këtij fshati, që patën lënë emër jo vetëm në historinë e fshatit, por më gjerë, duke dhenë edhe shembullin se në çdo kohë atdheu ka nevojë për shërbestarë të tij dhe ata gjenden e lindin prej traditave dhe rrethaneve historike, kështu Bujar Leskaj mbetet shembulli i atdhetarit dhe shërbestarit ndaj atdheut dhe interesave kombëtare, ndaj edukmit atdhetar. 

Për të gjitha këto merita Presidenti i republikës, Shkëlqesia e tij Bujar Nishani do ta vlerësonte dr. Bujar Leskaj me dekoratën e  lartë  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”  dekoratë që u jepet qytetarëve shqiptarë për ndihmesë të qenësishme ose akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin e përparimin e Republikës së Shqipërisë. Ky urdhër është i artë.

Vepra më e fundit atdhetare e dr. Bujar Leskajt.

Më 12 mars të këtij viti dr. Bujar Leskaj në krye të Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” do të përmëndej e do të flitej për një vepër tjetër atdhetarie që do t’i shërbejë shoqërisë dhe si një hap më tej për bashkimin e trojeve shqiptare: Ngritjen e Muzeut Kosova në rrugën historike Justin Godart, në Vlorë. 

Në ceremoninë e fillimit të punimeve për ngritjen e këtij muzeu historik, që do pasqyrojë historinë e Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, kishin ardhur personalitete të shquara nga vendi nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në praninë e disa dhjetëra qytetarëve vlonjatë, intelektualëve, personaliteteve të fushave të ndryshme, historisë, publicistikës, vëllezërve nga Kosova e Maqedonmia e Veriut, nuk kishte rast më të mirë për të evokuar nëpërmjet kujtimeve të protagonistëve demonstratat studentore në Kosovë, Lëvizjen Kombëtare të Çlirimit të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në veprimtari nderuan me pjesëmarrjen e tyre lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kryetari i BDI, njëri ndër themeluesit dhe udhëheqës politik i UÇK, zoti Ali Ahmeti, kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondi.

Të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi; zoti Naim Zhitia,vëllai i heroit të Kosovës dhe Nder i Kombit, Afrim Zhitia, babai i dëshmorit Labinot Krasniqi. Kryetar i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, vëlla i heroit të Kosovës dhe Nder i Kombit, Fehmi Lladrovci, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, organizator i demonstratave të vitit 1981 dhe drejtues i shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës Hydajet Hyseni. Ismet Sulejmanin, ish- epror i lartë i UÇK.

Vëllezërit kosovarë dhe nga Maqedonia e Veriut, vlerësuan lart këtë inisiativë dhe vepër të dr. Bujar Leskaj, si një vepër atdhetarie, që do të afrojë e bashkojë shqiptarët dhe do ngrejë më lartë frymën e vëllazërisë dhe atdhetarisë. Ata  vunë kurora me lule mbi varrin e Ismail Qemal Vlorës.

                                              *      *       *

Në përfundim të këtij shikimi të shpejtë të veprimtarisë atdhetare të dr.Leskajt do të bënim pyetjen: Çdo të thotë të jesh atdhetar në kohën e sotme? Deputeti Bujar Leskaj i përgjigjet kësaj pyetje me vepra dhe veprimtarinë e tij. Shembulli tij na tregon se në çdo kohë edhe në ditët tona njeriu mund të bëjë vepra atdhearie, pra mund të lerë gjurmë të pa shlyera, popullit dhe vendit të tij.  

C:\Users\User\Documents\275669115_382150213911740_3865398619220996599_n (1).jpg

Zotrija i nderuar Ali Ahmeti zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi dhe personalitete të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vendosin kurora mbi varrin e Ismail Qemal Vlorës

Filed Under: Emigracion

NË BELEGUN ME AUTOKRACINË NUK MJAFTON VETËM NJË FLAKË

April 19, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Nëse Putini së bashku me aleatin e tij Xi Jinping, të jetë ulur me mënyrën kineze, në zallin e një lumi, duke pritur që të kalojë kufoma e  armikut të tij? Ndoshta Putini mendon se koha punon për të, dhe vë bast për dasitë e ardhëshme të Perëndimit. Të njëjtin bast do të mund të vinin edhe kinezët. Mësyemja e Ukrainës papritmas e ka bashkuar kampin perëndimor. Udhëheqja amerikane, mjaft e mpirë për shkak të përfundimit rrënues e të palavdishëm të luftës në Afghanistan, është shfaqur përnjëherësh e fuqizuar, e aftë të rigjallërojë NATO-n e të mbajë të bashkuar aleatët. Bashkimi evropian, nga ana e tij, duket në gjëndje të mbajë nën kontroll dasitë e tij tradicionale. Veç asaj, edhe se nuk është e lehtë të kuptohen të gjithë ndërlikimet, kthesa gjermane – riarmatimi I Gjermanisë  si kundërveprim ndaj imperializmit rus – është e paracaktuar të ngulitet thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në përgjithësi, kundërveprimi I thekur i opinioneve publike kundrejt ndërprerjes dramatike të paqës së gjatë evropiane, që ka përhapur kudo pasiguri dhe ndiesi rreziku, për më tepër admirimi I më të shumtëve për qëndresën Ukraine, I kanë dhënë deri tani qeverive energjinë e nevojshme për të kundërshtuar imperializmin rus. Por e gjithë kjo a mund të vazhdojë gjatë? Putini nuk  ka arritur t’a përfundojë në kohë të shkurtëra luftën dhe ka ribashkuar Perëndimin, është e vërtetë. Por ideja e tij ( të cilën e ka së bashku me drejtuesit kinezë), simbas së cilës një Perëndim në rënie nuk është në gjëndje të durojë gjatë tensionin, nuk është në gjëndje të përballojë gjatë belegun me sukses, mund të mos jetë e pathemeltë. Së paku, do të ishte e pamatur të pohohej që sot se Putini “Ka humbur”   

Të përfytyrojmë që lufta n’Ukrainë, siç është e mundëshme, të zvarritet gjatë. Pasojat johenike të sanksioneve mbi nivelin e jetesës së evropianëve perëndimorë, të bashkuara  me lodhjen e të mësuarit me skenat e luftës mund të plasaritë atë miratim të madh që deri tashti ka mbështetur frontin kundër-Putin dhe e ka mbajtur të bashkuar. Dhe është një fakt qënë demokracitë politika kundërvepron rrufeshëm ndaj ndryshimeve të humorit të publikut. Ndryshime në politikat e brëndëshme të disa Vëndeve-kyçe, do të mund të ndikonin për keq mbi aftësinë e botës perëndimore për të mbetur e bashkëngjitur, kusht i domosdoshëm për të kundërshtuar Putinin. Të mbajmë parasysh se çfarë mund të ngjiste në Francë, në Shtetet e Bashkuara dhe n’Itali.

Në Francëjemi në prag të zgjedhjeve presidenciore, në mbarim të një fushate në të cilën Marine le Pen ka rifituar shumë miratime. Mund të ketë një miratim të fuqishëm në herën e parë dhe t’arrinte me një pozitë fuqie në të dytën. Aq më tëpër se lufta po dobëson ledhet e vjetra ndërmjet së djathtës e së majtës. Mbi Le Pen-in mund të mblidhen në herën e dytë, edhe shumë putinianë të së majtës skajore. Një fitore e Le pen-it mund të trondiste nga themelet Bashkimin evropian dhe aleancën perëndimore. Një dhuratë e madhe pëe Putinin.

Pastaj është Amerika, vëndi drejtues i Peëndimit. Popullariteti i Biden-it është shumë i ulët. Simbas hulumtimeve, në zgjedhjet e meskohës të nëndorit, demokratët mund t ë humbasin kontrollin e të dy Dhomave. Një president i dobësuar kështu do të bëhej më pak i besueshëm edhe në fushën ndërkombëtare. Aftësia e tij për të drejtuar me energji ballin aleat do të rrezikohej. 

Së fundi Italia, i zakonëshmi rast i veçantë, për fuqinë të përfaqësuar mirë në bisedat televizive, të partisë filo-ruse ose sido qoftë kundër-perëndimore. Një fuqi për të cilën është i vetëdijshëm Kremlini, siç tregon tërbimi i tij gojor i veçantë kundër Italisë. Zakonisht luftërat krijojnë dasira mbi të cilat ndërtohen aleancat pasuese të qeverisë. Por në gjëndjen ekzistuese është e vështirë të hamendësohet që kjo të jetë e mundëshme tek ne. Qeveria Draghi mbahet  mbi një shumicë gjithënjë e më të ndarë  (lufta e pasojat e saj  janë një burim i rëndësishëm dasije). Ndoshta do të jetë qeveria e fundit italiane krejtësisht e sigurisht filo-atllantike. Është e vërtetë që dy partitë më të forta, simbas hulumtimeve Pd dhe Vëllezërit e Italisë, janë rrjeshtuar me Aleancën atllantike. Është një fakt, sidoqoftë që disa aleatë të mundshëm e (të rëndësishëm) të tyre nuk  kanë bërë – është më e pakta që mund të thuhet – zgjedhje po aq të qarta. E duhet të kujtojmë se secila nga dy partitë e sipërpërmendura më të fortatt – na thonë hulumtuesit – do të mblidhte votë më pak apo më shumë, rreth njëzet përqind të votave. Mbas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, si të fitojë e djathta, si të fitojë e majta, koalicioni qeverisës do të ketë në “barkun” e tij shumë politikanë me ide shumë të ndryshme nga sa është e nevojshme për të bërë për sigurinë italiane dhe evropiane. Me vështirësinë pasuese të mbajtjes drejt të timonit në ujra kaqë të trazuara.

Sido që të përfundojë lufta në Ukrainë, mundimi që i kërkohet Perëndimit për të përballuar belegun e autokracisë ruse (e ndoshta nesër edhe atë ta asaj kineze) do të jetë një zotim i një kohe të gjatë. Nuk mund të jetë vetëm një flakë. Është një rrahje mendimesh e herëshme ndërmjet atyre që i konsiderojnë demokracitë në gjëndje të pavolitëshme kur duhet të përballen me autokracitë dhe atyre që mendojnë se demokracitë, të përbëra me dasi e pra të dobëta në dukje, janë në gjëndje, gjatë krizave, të arrijnë të zbulojnë rezerva, morale e materiale, e të mobilizojnë forca me një iintensitet të tillë që autokracitë nuk arrijnë. Siç ndodh shpesh, historia e shkuar nuk lejon të përcaktohet njëherë e përgjithmonë se kush ka të drejtë e kush jo.

Paqja e gjatë që pasoi Evropën mbas fundit të luftës së Dytë botërore i ka bërë shumë të harrojnë se mënyra e tyre e jetesës, të drejtat që zotërojnë, liria që gëzojnë, nuk janë frut i rastit ose i një “përparimi” moral e qytetar të përgjithshëm , pak a shumë të pashmangëshëm. Janë pasojë e raprtit të forcave e të barazpeshave ndërkombëtare që deri tani kanë qënë në dobi të demokracive. Nëse do të ndryshonin këto barazpesha, së bashku me paqën, do të rrezikoheshin edhe mënyrat e jetesës, të drejtat e liritë. Vetëm nëse shumë do t’a kujtojnë ose do t’a kuptojnë këtë atëherë Putini do t’a humbë bastin e tij.

“Corriere della Sera”, 8 prill 2022    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT