• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Gjellë qensh…

April 8, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Pardje shqiptarët panë maskaradën e rradhës në një intervistë të lodhshme, me ironira e pasaktësira, ku bisedat përsëriteshin e ripërsëriteshin, madje duke u marrë dhe me të vdekurit, që gjallojnë dhe të gjallët e vdekur që jetojnë, duke e kthyer gjithçka në gallatë bulevardi. Ishte një teatër i kryeministrit me Blendi Fevziun, e llojit korr e mos lidh se kështu i do mushka drutë, apo një mungesë serioziteti e gazetarit? Sipas gjykimit tim këto intervista të llojit korr e mos lidh, ku bëhen njëqind pyetje e merren njëmijë përgjigje, që nuk kanë lidhje me pyetjet, nuk japin asnjë informacion për të vërtetën, e ngatërrojnë dëgjuesin, që ky të dëgjojë gjithçka, të hutohet e të mos marrë vesh asgjë. Fevziu ka patur rastin të intervistojë disa herë drejtues të këtyre tridhjetë viteve si Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, dhe Edi Ramën. Të gjithë këta janë pjellë e sistemit dhe edukimit komunist (përfshi edhe vet Fevziun) e një demagogjie të pafre, që përpiqen të të mbushin mendjen që je i ngopur kur ke ditë pa ngrënë, që të të thonë se je i lumtur kur ti njeh vetëm mjerimin, kur të japin të hash sapun e të thonë që është djathë, që të varrosin historinë e trashëgiminë kulturore e të thonë që ky është modernizim se e ka bërë arkitekti më i madh në botë, etj, etj. Të gjithë pa përjashtim përfshirë dhe  miushët e miushet ministra e ministresha që i imitojnë, janë delirantë, mendjemëdhenjë, gënjeshtarë, hakmarrës deri në marrëzi e që për marrjen e mbajtjen e pushtetit  nuk njohin normë e kufi njerëzor. Në rastin e një interviste të tillë, gazetari duhet të njihet thellësisht me ngjarjet, faktet, kohën, teknologjinë dhe të gërmojë seriozisht mbi çështjet që do të diskutohen. Sepse nuk është e lehtë të intervistosh demagogë të tillë. Gazetari profesionist dhe atdhetar drejton me mençuri pyetje, rendit fakte shifra, që i bëjnë ata të rrëfehen, duke iu zbuluar fytyrën e vërtetë, i bën të duken qesharakë dhe hipokritë me gënjeshtrat e tyre. Por kjo nuk ndodhi. Dukej sikur Fevziu kishte ardhur drejtpërdrejt nga një lojë bilardoje me pak sete, nga palestra apo pas një gjumi të lehtë, nga një drekë me  verë të zgjedhur. Sepse nuk mund të bëhen pyetje thelbësore, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të ardhmen e Shqipërisë e korrupsionin e frikshëm, pa pasur haber për to si: lejimi i kanabisit, inceneratorët, çvendosja e Portit të Durrësit, ndërtimi i Porto Romanos dhe katër porteve të tjera dy në Vlorë dhe nga një në Sarandë e në Shëngjin, ( mirë ishte të pyetej edhe për Rrugën e Arbrit që është një katastrofë) për transformimin e Sheshit të Flamurit, për nivelin e jetesës etj. etj. Që të shtrosh probleme të tilla duhet të jesh ekspert ekonomie, jurist i klasit të parë, ekspert detar, inxhinier ndërtimi, hidroenergjitik, elektrik, historian, arkitekt, ekspert i trashëgimisë kulturore madje pilot e tankist. Të ngresh probleme e të bësh pyetje të tilla duhet të kesh me vete një grup ekspertësh ose të konsultohesh ditë e javë të tëra me ta. Kjo është e pakta që duhet bërë por meqënëse edhe KM-ja vet as që merr vesh nga këto punë, ia futin të dy kotekot muhabetit. Po marr shkurt tre probleme të ngritura në atë intervistë. Në rastin e Portit të Durrësit dhe ndërtimit të riut në Porto Romano, investime e ndërrmarje të tilla me projekte azmatikë, një shtet të dobët si Shqipëria e falimentojnë dhe e kthejnë në koloni të sipërmarrësve të huaj. Vetëm ajo që falin shqiptarët, duke bërë këtë transfertë portesh është 3,6 miliard dollarë, kundrejt investimit të supozuar prej dy milliard dollarësh të arabëve. Po Fevziu dhe një pyetje të saktë që bëri se me çfarë parash do të ndërtohet Porto Romano u ngatërrua e harroi të merrte përgjigje. Porto Romano do bëhet me paratë e shqiptarëve dhe sipas llogaritjeve të specialistëve duhen  e pakta 600 deri 800 milionë dollarë amerikanë. Për Sheshin e Flamurit, filmi i paraqitur nga KM-ja me pyje e gjelbërim ku mungonin papagajtë e  flamengot, ishte një prodhim 3D i shplarë, larg së vërtetës. Ishte shtuar një qylym i kuq poshtë terminalit, që lidh përmendorën me varrezat e dëshmorëve, medemek do të paraqiste gjakun e dëshmorëve. Kjo e tejkalon çdo gjë normale. Po e zemë se nuk është terminal  autobuzash por stacion autobuzi si tha KM-ja i nderuar. Po aty do të kalojnë autobuzët e do të shkelin me këmbë qytetarët gjakun e dëshmorëve?! Po me kakërdhitë e deleve, kecave e dhive që bien fshatarët me vete për t’i shitur kur zbresin te stacioni, çdo të bëhet? Sheshi ndoshta ka pasur nevojë për ndonjë rregullim. Sikur  KM-ja të ishte konsultuar me urbanistët, arkitektët, ambientalistët e historianët e mrekullueshëm vlonjatë, aty do të kishte dalë diçka shumë e mirë. Tani na del inxhinieri më i mirë në botë dhe kryeministri, duke mbulur kokën e madhe me duar deklaron: “ edhe unë nuk marr vesh por belgu Xavier, tha që të mos prishet se pallati i Sulos…” Po pse për vjeljen e gorricave po flitej aty? Sa për kanabisin problemi në këtë shtet rrupallhane nuk do të jetë me njerëzit por me delet, dhitë, lopët, gomerët, kuajt e pelat se bar e jonxhë nuk ka për tu mbjellë më në Shqipëri.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

KUJTESË ME SHKAS-7 PRILLI DHE ABAS KUPI, PENGU I TË BIRIT, FATBARDH KUPIT

April 8, 2022 by s p

Nga Dalip Greca*

Fatbardh Kupi, i vetmi djalë i Abaz Kupit,që mbeti në Shqipëri, nuk pati fat që t’i hidhte një dorë dhe’ të atit. Aktin e te atit atë 7 prill ’39, e perjetoi me krenari. Por sa here troket 7 prilli,brenda vetes ndjen dhimbjen që i shkakton pengu që nuk arriti t’i thoshte atit: ”Babë nuk ligshtohem, nuk pendohem për vuajtjet gjatë 45 viteve nëpër burgjt komuniste e kampet e internimit. Gjithçka e kemi bërë me vetëdije se ia vlente të vuaje për një babë –hero.”-Do të doja t’i thosha edhe një gjë tjetër: Baba, e mbajta besën që ju dhashë kur u ndamë….***Fatbardhin, djalin e Abaz Kupit, që mbeti në duart e komunistëve së bashku me nënën dhe motrat, e takova kohë më parë. E kishim lënë takimin tek restoranti “Dani’s House of Pizza”që ndodhet në Kew Gardens në Queens. Kishim zgjedhur enkas, mjedisin ku kishte kaluar kohën më të shumtë të fundjetës së tij, heroi i qëndresës së 7 prillit, babai i Fatbardhit, Abaz Kupi.Në takim, ishte dhe një i tretë: Ndrec Gjergji, i cili ka qenë shpesh nën shoqërinë e Abaz Kupit. Fatbardhi ishte ulur pikërisht në tavolinën e dytë, tek dritarja, me vështrimin nga rruga dhe dukej i përhumbur tek sodiste peisazhin. Me vështrim të tretur tutje në hapësirë, e gjeta tek hyra pas një vonese në trafik.– Ja këtu qëndronte Abaz Aga. Vinte në mëngjes në orën 9, pinte kafen, shkëmbente lajmet e reja përmes bisedave me bashkëpunëtorët, aty nga ora 10, dilte shëtitje në parkun e afërt të zonës dhe kthehej rreth orës një të drekës, – sjell në kujtesë kohën e largët, Ndrec Gjergji….Fatbardhi, ka një ndriçim në sytë e lagur nga lotët, ndërsa në diktofonin tim ruhet tingulli i përvajshëm i atij rrëfimi plot mall për të atin. Kështu ia kam parë atij përherë sytë, të lagur nga lotët dhe të ndriçuar nga një shkëlqim i veçantë, ku përzihen krenaria dhe dhimbja e pengut. I ndodh kjo sa herë bie fjala për të atin e tij, Abazin. Më kujtohet një moment kur legalisti veteran, Enver Shaska(ndjese paste), solli një kujtim nga Abaz Kupi në kohën e ikjes nga Shqipëria, Bardhit i ndriçonin sytë nga kënaqësia që dëgjonte mire për të atin.Kur i them se do të shkruaj diçka për vuajtjet e Fatbardhit në burgjet dhe kampet e internimit, ai shqipton një ”Joooo” të zgjatur. Nuk është e para herë që ia bëj këtë propozim, por ai sërish kundërshton prerazi:-Të lutem, mos e bëj më këtë kërkesë, jam tepër i vogël para atit tim. Gjatë të gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e të qenit bir i atij, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti pushtuesit fashistë me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së tim eti. Shkruaj për atë, se ma lehtëson dhimbjen dhe mallin.I bindem vendimit te tij. Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan kundër gjermanëveNë tavolinë, para duarve, Bardhi mban librin e britanikut Peter Kemp ”No Colour or Crest”. Ndjehet i lumtur që britanikët kanë arritur ta japin madhështinë e atit të tij, në kundërshtim me historiografinë komuniste, që i mohoi heroit jo vetëm kontributin në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, por edhe qëndresën e 7 prillit.Bardhi shfleton dhe ndalet diku në faqen 142 të librit të Peter Kemp, ku britaniku shpreh habinë se si Enver Hoxha, edhe pse nuk ishte i pranishëm në luftimet e gjermanëve gjatë sulmit mbi Krujë, i mohonte Abaz Kupit mbajtjen e peshës së luftës në këtë betejë. Për Peter Kemp Abaz Kupi luftoi si luan për të shpëtuar Krujën e tij të dashur, ndërkohë, shkruan ai, nuk vepruan kështu as partizanët e Haxhi Lleshit, as formacioni italian, që pasi ishte dorëzuar e bashkuar me forcat shqiptare, kishte vendosur të luftonte kundër gjermanëve. Britaniku përdor tamam fjalën “luan” për të përshkruar mënyrën e luftimit të Abaz Kupit në atë betejë. Gjermanët u përpoqën që ta thyenin me artileri, Abaz Kupin, kryembrojtësin e Krujës, por ai qëndroi dhe i udhëhoqi trimat e tij, si hero. Peter Kemp dëshmon nga fronti i luftës. Ai sjell edhe detajin tjetër, atë që gjatë bombardimeve, humbi jetën kunata e Abaz Kupit. Dhe si mund të mos luftonte Abaz Kupi kundër gjermanëve, ku luftonte brenda në shtëpinë e tij? Mbronte jetën e familjes së tij, të atdheut të tij? Ishte në interes të komunistëve për të mos ia njohur pjesëmarrjen në betejë kundër gjermanëve heroit të 7 prillit sepse Enver Hoxha kërkonte t’i radhiste të gjithë nacionalistët në anën e pushtuesve, që t’ia faturonte vetes atributet e çlironjësit dhe tortën e pushtetit nuk pranonte ta ndante me të tjerët. Ishte po ai Enver Hoxha, që në buletinet e “Zërit të Popullit”, shkruante me entuziazëm, se Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush nuk mund të nënshtrojë Shqipërinë me heronj të tillë. Mirëpo më pas, kur Mukja tregoi se kush ishin nacionalistët dhe kush internacionalistët, Abaz Kupi u shpall armik nga komunistët dhe ia mohuan luftën. Abaz Kupi, shtyllë e luftësAbaz Kupit nuk mund t’i mohohen meritat e luftës. Komunistët u përpoqën që ta rrëzonin mitin e tij në Shqipëri por nuk mundën, demokratët duhet të bëjnë më shumë për ta lartësuar figurën e këtij heroi, që i vuri gjoksin armikut. Abaz Kupi nuk është nga ata heronj që ngjiten sot e rrëzohen nesër. Ai me aktin e vet ka fituar përjetësinë. E kishte rrëmbyer pushkën që kur ishte 15 vjeç. Ndërsa në momentin e 6 prillit 1939, kur mori urdhërin, për t’i dalë ballpërballë sulmit të hordhive fashiste në Durrës, ai u fut në historinë e Shqipërisë me të dyja këmbët. Përballë dhjetëramijëra fashistëve ai kishte nën komandë vetëm 500 xhandarë me uniformë të rregullt dhe 500 vullnetarë, që s’ishin gjë tjetër veçse ithtarë të tij. Me këta një mijë luftëtarë e organizoi mbrojtjen e Durrësit, ai që mbretërorët e thërrasin, Gjenerali Abaz Kupi, ndërsa anglezët, heroi shqiptar. Kështu e cilëson David Smiley, kështu e përshkruan edhe Julian Emery tek Sons of the Eagle”, po kështu edhe Peter Kemp në librin e tij”No colour or Crest”. Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës, Ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte, që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu”Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëhere dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqëndrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i patur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Duhet thënë se gjatë kësaj kohe, artileria jonë goditi rëndë dy nga anijet e armikut, ku ushtarët e tij ishin të grumbulluar aty ngushtë, me ç’rast armiku humbi aty shumë të vrarë. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam patur shumë raste bashkëpunimi”. Abaz Kupi nuk do t’i rreshte përpjekjet e tij për të organizuar qëndresën antifashiste. Heroizmi i tij nuk përfundon në Durrës. Në vitin 1941 së bashku me kolonelin anglez Hill, Gani Kryeziun dhe Abaz Kupi dhe çeta e tij, rihynë nga Jugosllavia në Shqipëri për të vazhduar luftën. Drejtimi ishte për në Shkodër. Pas përpjekjesh në Tropojë arritën që të mbërrijnë deri në Bogë. Kapitullimi i Jugosllavisë bëri që të ktheheshin mbrapsht dhe të qëndronin në malet e Gjakovës. Koloneli Hill preferoi të qëndronte me Gani Kryeziun, ndërsa Abaz Kupi u fut në thellësi të Shqipërisë për të organizuar rezistencën kundër fashistëve. Abaz Kupi u bë tmerr për milicinë fashiste, e cila angazhoi më shumë se 2 mijë forca për ta kapur atë. Numri i luftëtarëve që e pasonin Abaz Kupin shtohej çdo ditë.Ai ishte një ndër faktorët kryesorë të luftës, ishte një ndër shtyllat që mbante rezistencën. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel. Rrethimi ishte një darë e shtërnguar fort, që nuk e lëshonte armikun, të cilit iu nis për ndihmë nga Tirana një tjetër regjiment i armatosur rëndë. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili u ngujua shumë kohë në malet e Matit.Fashistët lanë në këtë rrethim shumë të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarëve lanë pas shumë të vrarë e të plagosur.Një tjetër betejë kanë zhvilluar forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Vërtetë që pat të vrarë e të plagosur nga radhët e tij, por armiku pas beteje publikoi në buletinin e luftës 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën shumë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit.Kur kronikat e betejave të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë, aleatët çojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën. Lufta zgjati tre ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë mbërritën përforcime të shumta naziste, dhe Abaz Kupi i tërhoqi forcat në lartësitë e maleve.Më pas në shtabin e tij mbërrijnë gjenerali Davies bashkë me kolonelin Nikols. Pas bashkëbisedimit vendosin që të rifillojnë luftimet guerrilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Gjenerali Davies dhe majori Nikols do të shoqëroheshin nga Abaz Kupi në këtë axhendë. Fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua sepse gjenerali kishte rënë në përpjekje dhe qe zënë rob, ndërsa Nikolsit i kishin ngrirë këmbët. Abaz Kupi çoi në ndihmë të Nikols një skuadër trimash dhe arriti ta tërhiqte nga malet e Matit. E vendosi në shtëpinë e një miku të tij dhe u mor vetë me mikun anglez, duke i siguruar të gjitha kushtet dhe gjetjen e kirurgut për operacionin e këmbës, por mjerisht Nikols nuk e përballoi dot, ai vdiq dhe u varros pranë shtëpisë të një miku të Abaz Kupit. Në vijim të ngjarjeve të luftës në shtabin e Abaz Kupit mbërriti një tjetër anglez, koloneli Bill Maclin. Në bashkëpunim me të Abaz Kupi vendosi të merrte përsipër luftën guerrilje në një front të gjërë nga Kosova në Pogradec.Në dispozicion të kolonelit Maclin, Abaz Kupi vuri një çetë të madhe me 300 luftëtarë, duke vënë në krye të tyre një kolonel të sprovuar dhe të birin, Petrit Kupi. Gjithçka përballohej financiarisht nga vetë Abaz Kupi. Kjo çetë, e ndihmuar edhe nga oficerët anglezë ka kryer shumë akte sabotazhi për të paralizuar pushtuesin. Një aksion të bujshëm përbën hedhja në erë e urës së Gjoljes dhe shumë aksione kundër gjermanëve gjatë bregut të Detit, ku u sulmuan kolonat gjermane, u dogjën makina dhe u vranë gjermanë. Abaz Kupi nuk i mori premtimet që i dhanë aleatët dhe e përballojë luftën me financat e veta, madje siç shkruan Julian Amery, ai mbajti dhe misionin anglez. Abaz Kupi priti zbarkimin e aleatëve, por më kot, zbarkimi nuk u krye siç premtohej. Në këto kushte, në marrëveshje me kolonelin Maclin, majorat Amery dhe Smiley, ai vendosi që t’i shpërndante forcat e veta dhe të largohej nga Shqipëria. Me vete mori dy djemtë, Petritin dhe Rrustemin, ndërsa më të voglin, Fatbardhin e lë për të pasur në kujdes familjen e mbetur.Besa dhe pengu i të birit, BardhitFatbardhit i kujtohet si tani takim i fundit me të atin, i cili e kishte thirrur dhe i kishte përcjellë vendimin, që sapo kishte marrë:- “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur, po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë… Qetë-qetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura:”- Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nëshkruante aty një deklaratë bese se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat.Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djaloshi 17 vjeçar ia kthen:– “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”.Ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit.Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol.Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi:”Nuk largohem nga familja pa më lajmëruar baba”….Poshtë firma.Kur erdhi në Amerikë, pasi shkoi dhe qau gjatë mbi varrin e babës, Bardhi pyeti nëse dinte ndokush gjë për atë letrën që baba mbante në portofol, por mjerisht nuk ia gjeti gjurmët. Kjo e kishte ligështuar Bardhin. Ajo copëz letër e mbajti lidhur shpirtërisht me atin e vet gjatë kohëve të vëshitira në qelitë e ftohta, në galeritë e vdekjes, apo gjatë vuatjeve të pafundme nëpër kampet e internimit. Kur e provokonin për të atinKur Abaz Kupi kishte marrë rrugën e largimit nga atdheu dhe kapërcimin e detit Adriatik, fati i Bardhit ishte parashkruar për vuajtje.Por le ta ndjekim fatin e tij. Për pak kohë Fatbardhi që ende nuk i kishte mbushë 18 vjeç, përfundon në radhët e partizanëve. Historia ndodhi kështu:Abaz Kupi ishte bërë vëllam me babën e Gjin Markut. Familjen e Gjin Markut e ka mbajtë Abaz Kupi për shumë kohë. Madje ai e ka çuar Gjin Markun në shkollë dhe i ka dhënë përkrahje. Pasi kishte ikur Abaz Kupi, Gjin Marku në krye të Divizionit të gjashtë partizan mbërriti në Shkodër. Shkoi dhe takoi nënën e Bardhit dhe i kërkoi që ta merrte të birin me vete. I tha nënës:- Bardhin po e marr me vete se nuk i dihet se ç’ndodh me të. Është djal i ri. Kam frikë se po e lashë këtu me ty, atë ose do ta vrasin ose do ta burgosin. Dhe Bardhi hyri në rreshtat e divizionit duke pasur mbështetjen e mikut të familjes, komandantit të divizionit.Kujton se provokimeve dhe ngacmimeve, që i vinin, u përgjigjej sy më sy. Kur oficerët madhor i thonin se Kadri Hoxha do ta kap dhe do ta vrasë babën tënd ose do ta sjell të lidhur këtu duarlidhur, ai qëndronte gjakftohtë. Por kur provokimet shtoheshin me pyetje të tilla: Po ti çdo të bësh kur ta vrasim babën?Ai u përgjigjej me guximin e një adoleshenti- Po vratë babën tim, unë o Enverin, o Koçi Xoxen do t’i vras!Duket si kokëkrisje…Ishte reagimi i një 18 vjeçari, i rritur nën legjendat e trimërisë të të atit.Nuk i ndoqi gjatë gjurmët e partizanëve. Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjeksor për paaftësi shëndetsore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun.Pa firmën e tyre s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij.Lufta i përzjeu njerëzit. …Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, komandanti Shefqet Peçi e provokon për babain duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe… debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi duke i bërtitur fort:Hajt ik në shtëpi tani!– Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte gjaknxehtë dhe gjaksor, e kujton atë incident të kohës së largët Bardhi. 9 qershor 1945- arrestohet si armik i popullitFatbardh Kupi është një ndër ata që i kanë bërë qëndresë diktaturës. Ai provoi qelitë e hetuesisë dhe burgjet në një moshë të re. U burgos dy herë, dhe u internua për 30 vjet, por nuk u thye. Nëse ndokush do t’më kishte detyruar të nënshkruaja për bashkëpunim, sot nuk do të isha gjallë, as unë, por as ai që do të kishte arritë t’ma merrte firmën,thotë Bardhi tek më sheh në sy me vështrim krejt të kthjellët.Fatbardhi e provoi internimin që në kohën e pushtimit fashist, pas rezistencës së Abaz Kupit. Fillimisht në Kalanë e Porto Palermos në Himarë, më pas në Itali. Diktatura komuniste nuk mund t’i ofronte një jetë të qetë, përkundrazi e futi nëpër dhëmbzat e diktaturës. Ai qëndroi dhe e sfidoi atë.Po si erdhi arrestimi i parë?Kishte rënë Gjermania, Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhë fundi. Filluan festimet edhe në Krujë si në të gjithë Shqipërinë. Bardhi kishte të gjithë arsenalin e armatimeve në shtëpi, ende s’kishte filluar aksioni i çarmatimit të popullsisë. Ai kujton se si zbrazeshin armët dhe hidheshin bomba sa i gjithë qyteti tronditej nga shëprthimet. Mirëpo gjashtë bomba nuk plasën dhe përbënin rrezik për banorët. Ushtarët filluan t’i gjuanin për t’i plasur. Nuk po plasnin dot nga që nuk arrinin t’i godisnin në shenjë. I thotë një krutani që kishte pranë, a ma jep pushkën? Ai ia jep dhe Bardhi merr shenjë. Në çdo gjuajtje plaste një bombë. I plasi të gjashta.Ai që i dha pushkën thirri fort- S’do mend mor vlla, është me xhins kjo punë. Shtëpi pushke Kupi! Lisi nën lis mbin!Kjo dikënd xhelozoi e spunoi dhe në këto rrethana erdhi arrestimi i parë i Bardhit. Ishte 9 qershor 1945, kur përfundoi në qelitë e torturave.Prokurori në aktakuzë e akuzoi se kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit.E dënoi Petrit Hakani. Nënën dhe motrat i internuan në kampin e Tepelenës, i cili njihet mirë për kushtet çnjerëzore, sa ndryshe thirrej si kampi i vdekjes. Vdekja rrëmbeu shumë jetë të pafajshme në atë kamp shfarosës. Bardhi i përballoi me stoicizëm vuajtjet e burgut. Pasi kreu dënimin e internuan në Porto Palermo, një tjetër ferr i diktaturës. Pas 6 muajësh kthehet edhe ai në kampin famkeq të Tepelenës, ku qëndroi një vit.Kur e pyes se çfarë i ka mbetur në kujtesë nga Tepelena, përmes trishtimit shqipton vetëm një fjali:”Kur merrnim tasin me supë pastronim krimbat edhe pastaj e hanim atë që mbetej.”Në kujtesë sjell rastin, kur një nënë këmbëngulte që të qëndronte në kamp një ditë të ftohtë dimri, të mos shkonte në punë, se kishte vajzën të sëmurë, por polici e tërhoqi zvarrë dhe e detyroi që të shkonte në punë. Të shkretës i mbeti koka pas. Kur u kthye vajzën e gjeti të vdekur.Pas Tepelenës Bardhin e internuan në Çorovodë, Skrapar, në një kamp me tela me gjemba dhe atje. Aty punuan si skllevër.Kalvari s’ka të mbaruar. Kudo ku ndërtohej, çonin “bijtë e armiqëve”. Më pas e dërgojnë në fabrikën e tullave në Tiranë.Pas heqjes së kampeve me tela i dërguan në kampet fushore të Myzeqesë. Në fillim në Pluk. Pas kësaj e internuan në një kamp brenda burgut në Radostinë, ku e mbajtën deri në vitin 1958, më pas erdhi internimi tjetër në Kuç. Kur u hap sektoi i ri internimit në Gradishtë e internuan atje familjen.Më vonë internuan atje dhe Bardhin.Për herë të dytë u arrestua me 1981.Arrestimi erdhi pa asnjë shkak.U akuzua pse ishte shprehur se Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqëve të Shqipërisë. Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai kujton gjyqin e montuar. Dëshmitarët fallso, të cilët kur ai doli nga burgu të penduar qanin dhe i kërkonin ndjesë. Si prove ishte bashkëngjitur edhe një ekspertizë për hartimin e shkruar prej tij teksa vazhdonte gjimnazin natën.Gjyqi ishte një farsë. Si tani i kujtohet, kur njëri prej dëshmitarëve, G V, i tha se poshtërsia më e madhe në jetën e tij ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar.U dënua me 10 vjet burg. Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj. Me kujtimet për të atin-Takimi me Patër Anton Arapin në burgEdhe në çastet më të vështira të jetës Fatbardh Kupi është ushqyer nga madhështia e veprës së atit të tij. Kujton nga burgimi i parë: “Kur isha në burg më thërret Patër Anton Harapi. Eja ti djali i BAZIT… luajmë një lojë shah bashkë! Në fakt ai luante shkëlqyeshëm, shahun, por edhe unë e kisha qejf.Ngrihem dhe shkoj në qelinë e tij dhe bëj gati gurët e shahut. Kur ishin vendosur gurët dhe loja ishte gati për të filluar, Patër Anton Harapi, më thotë:Nuk të kam thirrë për të luajtur shah vërtetë, por të thirra që të them se ke pasë një babë trim e të mençur. Përpiqu t’i ngjash!” Kujdes, ruaje veten.Atëherë Bardhi, e pyet:-e keni njohur babain tim?Ai i qe përgjigjur:” Si jo! E kam takuar. Para se ta takoja për të parën herë, mendova se po takoja thjesht një kaçak, nga ata luftëtarët, që thjeshtë hedhin një pushkë në krah dhe dijnë të luftojnë dhe aq. Por, pas takimit, u ndjeva shumë i gëzuar se kisha takuar një njeri mendjehollë, të mençur, me zgjuarsi natyrale. Që kur e nxirrte fjalën e mendonte gjatë, por nuk i binte në tokë!”Këtë bisedë Bardh Kupi e ruante si një hajmali brenda shpirtit të vet, edhe kur e torturonin apo e provokonin, dhe ajo i jepte kurajo. Ndjehej krenar që një euridit si Patër Anton Harapi ishte ndarë me mendimet më të mira nga takimi me atin e tij. Pas shembjes së komunizmit, studiuesi Uran Butka, i kishte thënë Bardhit se të njëjtin mendim Pater Harapi ia kishte shfaqë në një letër edhe Lef Nosit. Bardhi sërish u ndje mirë sepse këtë opinion të Patër Antonin e kishte nga dy burime.Ish shokët e burgut, Lek Mirakaj dhe Esat Çoku e portretizojnë Bardhin të pathyeshëm në vuajtjet e diktaturës.– Ai ruajti emrin e mirë të babës së vet. Vetëm një karakter i fortë mbetej i pathyeshëm para torturësve të pashpirtë,-thotë Lek Mirakaj.– Bardhi është njeri fisnik. Në burg ka qenë shpesh në rrezik. E kanë provokuar jo pak herë, por ai nuk ka rënë në kurth. Ka pasë provokatorë, që i propozonin të arratiseshin nga burgu, por Bardhi heshtëte, madje as nuk shkonte që t’i denonconte. Me intuitë e kuptonte se ishin të futur dhe nëse ai i hynte asaj aventure, plumbat e prisnin.***I ndjeri Bardh Kupi ndërroi jetë me 23 Shkurt 2016 në North Shore Hospital – Long Island, NY dhe u përcoll me nderime nga komuniteti shqiptar me 27 Shkurt në varrezën, ku pushon edhe Ati , Heroi i 7 prillit, në Kew Gardens Road Kew Gardens Queens, New York.( Nga libri: “Armiqtë” që donin Kombin).

Filed Under: Interviste

Kaloi në përjetësi historiani i shquar, studiuesi, hulumtuesi e njeriu i mirë, Sherif Delvina

April 8, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

Me vdekjen e tij bota akademike shqiptare humbi një personalitet të jashtëzakonshëm, një studiues me integritet të lartë, një historian që iu përmbajt palëkundshmërisht së vërtetës. Shoqëria humbi një njeri me cilësi të vyera humane. Çamëria një luftëtar të çështjes së saj. Shqipëria humbi një mbrojtës i figurave të harruara kombëtare dhe me kontribute të paçmuar, por që ishin nënvlerësuar nga diktatura dhe harresa e qëllimshme e luftës së klasave.Pinjoll i familjes Delvina, historiani dhe studiuesi Sherif Delvina një jetë të tërë studioi, duke kërkuar, hulumtuar, qëmtuar dhe shkruar. Sherif Delvina la pas një pasuri të çmueshme autoriale, një trashëgimi të pamohueshme dhe të pacënueshme duke mos kërkuar dukjen boshe, as duke mos u munduar për të. Publikut i foli përmes punës së tij studimore për Çamërinë, Kosovën, Epirin, etj. Lexuesve u foli me tragjeditë që shkroi.Në veprën që ka lënë pas si trashëgimi e vyer ai trajtoi një radhë të gjatë të temave kombëtare. Në të shkruar vepra e tij ishte gjithashtu e shumëllojshme dhe mbresëlënëse, nga studimi historik te tragjedia.Sherif Delvina koncentron thënien se “Patriotët nuk vdesin dhe misionarët e së vërtetës janë në themelet e një kombi.”

Filed Under: Kronike

Thellim i bashkëpunimit Kosovë-SHBA…

April 8, 2022 by s p

-Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier, është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe thellimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë/

PRISHTINË, 7 Prill 2022-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim të rregullt Ambasadorin Amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier.

Njoftimi i dërguar nga Presidenca thekson se, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe thellimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë.

Presidentja Osmani diskutoi me Ambasadorin Hovenier realizimin e projekteve zhvillimore në fushën e energjetikës në Kosovë me mbështetje nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Me tej, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier biseduan edhe për axhendën e takimeve ndërkombëtare të Presidentes në vende të ndryshme të botës.

Filed Under: Mergata

Shërbimet e Shtetësisë dhe Emigracionit te SHBA-s (USCIS) vene ne zbatim një qasje të bazuar në rrezikun, për intervistat me Rezidentet e Përhershëm me Kusht*

April 8, 2022 by s p

Permanent Resident Green card  of United states of America on flag of USA.

Av. Hasan Metuku/

7 Prill, 2022

UASHINGTON-SHBA Shërbimet e Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS) njoftuan dje një përditësim të politikave për të miratuar një qasje të bazuar në rrezikun, kur heqin dorë nga intervistat për banorët e përhershëm me kusht (CPR) të cilët kanë paraqitur një peticion për të hequr kushtet për statusin e tyre të rezidentit të përhershëm.

Duke hyrë në fuqi menjëherë, kriteret e reja do t’i udhëzojnë oficerët e Shërbimit te Shtetësisë dhe Emigracionit se kur duhet të heqin dorë nga intervistat për Rezidentet e Perherhershem me Kusht (CPR-të) që kanë paraqitur një Peticion për të hequr kushtet e qëndrimit (Formular I-751) . Ky përditësim zëvendëson udhëzimet e mëparshme të agjencisë që kërkonin që të gjithë Rezidentet e Perherhershem me Kusht (CPR-të) t’i nënshtroheshin një interviste nëse merrnin statusin Rezident i Perherhershem me Kusht (CPR) nëpërmjet procesit konsullor.

“Zbatimi i një qasjeje strategjike të bazuar në rrezik për procesin e intervistës se Rezidentit e Perherhershem me Kusht (CPR) do të rrisë efikasitetin që përmirëson kohën e përpunimit, do të lejojë një përdorim më të mirë të burimeve të personelit të agjencisë dhe do të ndihmojë në reduktimin e ngarkesës së çështjeve në pritje duke ruajtur ende procedurat për identifikimin e mashtrimeve dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare. ”, tha drejtoresha e Shërbimit te Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS)  Ur M. Jaddou. “Ky përditësim është në përputhje me prioritetet e agjencisë për të thyer barrierat në sistemin e emigracionit, për të eliminuar barrën e panevojshme për ata që kërkojnë përfitime dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive reagimeve të palëve të interesuara dhe shqetësimeve publike.”

Politika e mëparshme që kërkonte intervista të detyrueshme per Rezidentet e Perhershem me Kusht (CPR) nuk rezultoi të ishte një përdorim efikas i burimeve të personelit të USCIS. Sipas këtij përditësimi të politikës, USCIS mund të heqë dorë nga kërkesa e intervistës nëse oficeri i agjencisë përcakton se ka prova të mjaftueshme për lidhje me mirëbesimin te martesës, kërkesa për paraqitjen e përbashkët është e pranueshme për një heqje dorë (nëse është e aplikueshme), dhe kur nuk ka shenja mashtrimi ose keqinterpretimi në dokumentet mbështetëse, apo nuk ka fakte apo çështje komplekse për t’u zgjidhur, si dhe nuk ka histori kriminale që do te bënte most e hiqej hiqej kushti per Lejen e Qendrimit.

Një joshtetas që merr statusin e rezidentit të përhershëm bazuar në një martesë që ka filluar më pak se dy vjet përpara marrjes së këtij statusi, merr statusin e rezidentit të përhershëm me kusht për dy vjet. Për të hequr kushtet për statusin e rezidentit të përhershëm, (CPR-të) e bazuara në familje, në përgjithësi duhet të paraqesin një Formular I-751 brenda periudhës 90-ditore përpara dy vjetorit kur e marrjes se statusit e Rezidentit te Perherhershem me Kusht (CPR).

Buletini i Përmbledhur i Përditshëm i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-s.

Shenim*: Rezidente te Përhershëm me Kusht jane ato jo shtetas  qe fitojne Leje te Perhereshme qendrimi me kusht, nepermjet marteses me qytetare amerikan. Për të hequr kushtet për statusin e rezidentit të përhershëm, (CPR-të) e bazuara në familje, në përgjithësi duhet të paraqesin një Formular I-751 brenda periudhës 90-ditore përpara dy vjetorit kur e marrjes se statusit.

Metuku Law P.C.

39 Broadway, Suite 1450

New York, NY 10006

Tel: 212-480-4242

Email: Hhm@metukulaw.com

Website: www.metukulaw.com

Filed Under: Emigracion Tagged With: hasan metuku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT