• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

Koalicion me partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe rindërtimin e sistemit shëndetësor në Kosovë

May 11, 2022 by s p

Ministri i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi në misionin e tij për rindërtimin e një koalicioni të partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen dhe rindërtimin e sistemit shëndetësor të Kosovës bazuar në shtatë shtyllat e identifikuara dhe trembëdhjetë qendrat e ekselencës, ka vizituar Spitalin Ushtarak “Walter Reed” në Bethesda Maryland, te SHBA, i njohur gjithashtu si Spitali i Presidentëve. Përveç kësaj, ministri Latifi, ka vizituar qendrat e simulimit dhe edukimit teknologjik të Spitalit Ushtarak “Walter Reed” dhe Universitetit të Shërbimeve të Uniformuara, që ka një nga qendrat më të avancuara të edukimit mjekësor në botë, Qendrën e Simulimit “Val G. Hemming” dhe një lider botëror në zhvillim dhe aplikim e programeve të simulimit mjekësor. “SimCenter” është pjesë e Universitetit të Shërbimeve të Uniformuara të Shkencave Shëndetësore (USUHS) i vendosur në Forest Glen Annex Silver Spring, Maryland.Nikoqiri i tij ishte Dr. Mark Bowyer, Profesor i Kirurgjisë dhe Shefi i Traumës dhe Kirurgjisë Luftarake në Universitetin e Shërbimeve të Uniformuara të Shkencave Shëndetësore (shkolla mjekësore ushtarake) në Bethesda, MD, qe eshte drejtor i simulimit kirurgjik dhe autoritet i njohur në simulim dhe trajnimi.Të dyja këto institucione janë një nga më të mirat në botë dhe janë shembuj të shkëlqyer të partneritetit potencial dhe shembuj se si mund të duket sistemi shëndetësor i Kosovës në të ardhmen.Po ashtu, ministri Latifi, në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po viziton edhe Universitetin e Arizonës, në Tucson, Arizona.Vlen të theksohet se ministri Latifi, ka marrë pjesë gjithashtu edhe në festimin e projektit “Hope”.Të gjitha këto vizita dhe të tjerat, bëhen për qëllim të bashkëpunimit mes dy vendeve, sa i përket shkëmbimit të eksperiencave, për zhvillimin dhe transformimin e sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Analiza

VETËM NDRIÇIMI I MENDJES E ÇON PËRPARA SHOQËRINË NJERËZORE

May 11, 2022 by s p

Luftrat nuk i sjellin asnjë dobi popujve. Njeriut i mjafton mundimi i përditshëm, ajo që një figurë humaniste me mendje gjeniale si Viktor Hygoi thoshte “Jeta është luftë”. Edhe unë kësaj i përmbahem. Kësisoj tërë jeta ime ka qenë jo një, por disa lufta që nuk ishin të lehta për t’u përballuar. Përtej kësaj lufte njerëzore për të përparuar e mbijetuar, të gjitha luftrat e tjera janë vrastare. Secili të mbajë mendimin që ka për zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore në mënyrë radikale a tjetersoj, ku përfshihen edhe te ashtuquajturat revolucione sociale, por unë kam disa parime e bindje te tjera. Luftat ne mes shteteve bëhen vetëm për pushtime dhe nga babëzia e kastave luftënxitës që kanë uzurpuar pushtete dhe e konsiderojnë popullin e vet si mish për top. Lufta e Dytë Botërore u bë nga Hitleri. Më thoni çfarë zhvillime solli. Gjysma e Europës e vu nën thundrën e muzhikëve të komunizmit. Asnjë përfitim veç tmerre. Lufta është mallëkim, një e keqe që bëhet kur nuk ka zgjidhje tjetër. Brenda shtetit veç kur bëhet për t’u çliruar nga pushtimi i huaj konsiderohet e dobishme. Për më tepër luftat civile brenda një populli janë një mallëkim. Mjer kush i pëson travajat e luftës. Ndërrohen kastat sunduese dhe gjithherë ai që paguan, në luftë me gjak e në paqe me djersë, është populli. Ajo historia që keni mësuar në shkolla ka qenë demagogji e retorikë sofiste, përralla trimërore e jo realitet historik. Shoqëria moderne ka zgjidhur mjaft çështje historike e të mardhënieve shoqërore. E këto janë mekanizmi politik demokratik për ndërrimin e pushtetit. Ne duhet ti përmbahemi këtij mekanizmi dhe ta përsosim atë e jo ta thyejmë. Shteti na duhet, edhe qeverisja, Legjislativi dhe Ekzekutivi, por a punojnë hallkat e tjera të këtij mekanizmi, Drejtësia si dhe Shtypi e fjala e lirë? Çdo dobësi në këto dy te fundit sjell anomali tek dy te parat. Jo më kot Amerika insiston në reformimin e Drejtësisë Shqiptare që ka qenë vatër korrupsioni e jo drejtësie. Pa një drejtësi solide, të fortë e të pa korruptueshme, të pa ndikueshme nuk mund te kete një qeverisje të mirë. Pastaj ka një gjë, populli zgjedh një qeverisje, e nëse kjo nuk funksionon në rregull, të kemi kurajon të themi se edhe populli gabon. Po ama ajo aforizma qendron që populli ka atë qeverisje që meriton. Vetë e ka zgjedhur. Aktivistet politikë duhet te kenë durim sepse jeta e shtetit është më e gjatë se jeta e një njeriu. Kanë katër vjet një legjislaturë, kohë e mjaftueshme të bindin popullin se qeverisja duhet ndërruar. E kjo bëhet me bindje e me zgjedhje e jo me luftë. Ka shumë erëra të verbëra e të marrëzishme që fryjnë e ndjellin zjarr. Unë jam kundër çdo lloj lufte revolucionare apo kundër revolucionare brenda popullit. Kulturimi, dijet, botëkuptimit, shkëmbimi i ideve në kushte lirie individuale e çojnë përpara shoqërinë njerëzore, këto e vetëm këto dhe asnjë mjet tjetër. Çdo lloj radikalizmi që na shfaq si një shoqëri vulgare me shenja primitivizmi bolshevik apo haxhiqamilizmi oriental shqiptar duhet përjashtuar. Ne e kemi lindjen në perëndim. Duhet të bëhemi dishepujt e kulturës dhe dijeve sepse vetëm ndriçimi i mendjes e çon përpara shoqërinë njerëzore. K. P. TraboiniWashington DC, 10 maj 2022

Filed Under: ESSE

ShBA përkrah anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO! 

May 11, 2022 by s p

PRISHTINË, 11 Maj 2022-Gazeta DIELLI/ Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dërgoi këtë komunikatë: 

Edhe një herë ShBA, si ndër partnerët e ngushtë dhe të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset zhvillimore të Republikës së Kosovës, përmes përkrahjes së shprehur haptazi nga zëdhënësi i misionit të ShBA-së në NATO, Jeffrey Adler, rreth iniciativës sonë për t’u bërë anëtar të programit të Partneritetit për Paqe, si hap iniciues drejt anëtarësimit në NATO, po e dëshmon se Kosova konsiderohet partner i besueshëm i ShBA-së. 

Defender Europe ’23, bashkëzbarkimet si misione të përbashkëta, janë rruga jonë drejt qëllimeve tona përfundimtare, anëtarësimin në institucione evropiane dhe euroatlantike. 

Rruga jonë është e pashkëputshme nga aleatët tanë, rrugëtimi ynë është i drejtë ngase ndajmë të njëjtat vlera të demokracisë, paqes dhe stabilitetit për të cilat dhe angazhohemi. 

Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin dhe aleancën tonë e cila shtrihet në shumë fusha, bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në, dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. 

Filed Under: Kronike

SHQIPTARËT: ME ORIGJINË PELLAZGJIKE APO ME ORIGJINË HEBRAIKE? 

May 11, 2022 by s p

Besnik Imeri/

Ngacmimet për këtë shkrim m’u shfaqën para rreth një viti kur më ra në dorë libri “Pellazgët origjina e shqiptarëve”. Nisur nga emërtimi i këtij studimi dhe titujt shkencorë të autores, fillimisht u gëzova, pasi mendova se për herë të parë do të trajtohej në mënyrë të thelluar, bindëse, objektive dhe shkencore origjina e shqiptarëve, duke trajtuar vetëm territoret shqipfolëse, origjinën e të cilëve kishte marrë në trajtim, në këndvështrimin e lashtë të tyre. Por autorja merret më shumë me popuj  të tjerë medhetarë se sa me parardhësit e shqiptarëve të sotëm.

        Librin, nga fillimi në fund, dhe si një hije e lehtë, e përshkon ideja se shqiptarët e jugut, epirotët, e kanë origjinën nga pellazgët; ndërsa shqiptarët e veriut e kanë origjinën nga ilirët. Në fund të librit, në konkluzionet, thuhet: “Shqiptarët në veri janë pasardhës të ilirëve që ishin e njëjta racë me pellazgët”. Pra, shqiptarët e veriut nuk kanë origjinën nga pellazgët, dhe ajo, që zonja thotë në titullin e librit:Pellazgët, origjina e shqiptarëve, nuk është për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për shqiptarët e veriut, por vetëm për ata të jugut. Për ta mbuluar këtë ide të mangët, zonja thotë, që, ilirët janë e njëjta racë me pellazgët. Kështu kreu i parë emërtohet: origjina pellazgjike e shqiptarëve, ndërkohë që në brendi të tij flitet vetëm për pellazgët e Epirit. Kreu i dytë emërtohet: Shqiptarët si pasardhësit e ilirëve, dhe flet vetëm për shqiptarët e veriut.       

          Në qoftëse do të shikonim më hollësisht kretë me rradhë do të vërenim se, në kreun e II, “Shqiptarët si pasardhës të Ilirëve”, ku pritej që  çështjet të fillonin të trajtoheshin qysh nga fundi i mijëvjeçarit të III p.e.s, atëhere kur, pas dyndjeve stepike, filloi ngjizja e etnosit ilir; gjë që e kanë trajtuar të gjithë autorët seriozë; madje në mënyrë të thelluar dhe të saktë shkencore pothuajse të gjithë arkeologët tanë të nderuar. Por nuk ndodh kështu, pasi pas një prekje të përciptë të problemit në prehistori, nga legjendat, hidhet në mesjetë, prek shekullin e VIII të e.s., dhe menjëherë hidhet në shekullin e XI, XIII etj, ku trajton thirrjen e parardhësve të shqiptarëve si ilirë.

        Në kreun e III flitet për pellazgët e Peloponezit, Atikës, Frigjisë, Kretës, trojanëve dhe gjithë Azisë; Italisë, etruskëve; madje duke i quajtur një pjesë të madhe të këtyre popujve, në mënyrën më të padrejtë dhe më të pasaktë shkencore, si popuj ilirë. Por vetëm për pararadhësit tanë pellazgë në trojet shqipfolëse sot, nuk flitet.

        Në kreun e IV flitej gjithashtu në mënyrën më absurde shkencore për një lidhje të shqiptarëve me helenët antikë; bëheshin paralele të çuditshme, të pasakta, antishkencore dhe të rrezikshme midis ligjeve të demokracisë athinase me Kanunin e Lekë Dukagjinit, ndërkohë që sistemet politikë, shoqërorë dhe kronologjikë janë krejt të ndryshëm dhe në të kundërtën e tyre. Nëqoftëse për Kanunin mund të themi me plot gojën se është një legjislacion pellazg, që u rezistoi të gjitha ndryshimeve që pësoi shoqëria europiane nga antikiteti deri në kohët moderne. Zonja e nderuar besoj se duhet ta dijë që Sokratin e dënuan gjykatësit dhe jo pleqësia e fisit apo e fiseve helene, të cilat, ndoshta, kishin qindra vjet që nuk funksionin më. 

        Kreu i V merret vetëm me dyndjen sllave që, sipas autores, shkaktoi shpopullimin dhe zhdukjen e helenëve antikë. Nga të gjitha ato që shtjellohen në këtë kapitull, Nuk e kuptoj se çfarë lidhje mund të ketë ky me origjinën pellazgjike të shqiptarëve?!!! Në kreun VI, në mënyrë të çuditshme, gjuhën shqipe e lidh vetëm me pellazgjishten homerike, sikur në trojet tona nuk ka pasur pellazgë dhe ne shqiptarët e kemi origjinën nga ishujt e Egjeut, Atika, apo nga Lindja e Afërme.

        Por  tek kjo zonjë shfaqet edhe një dukuri: pasqyrimi i deformuar i fakteve historike. Në mjaft raste merren fakte historike dhe përdoren pa vend ose në vendin e gabur, në kohën e gabuar, duke e sjellë një ngjarje që ka ndodhur në një kohe të hershme në një kohë të vonshme, dhe e kundërta; madje, në disa raste e vërteta historike, përdoret në të kundërtën e vet, apo në të anasjelltën e saj. 

        I përmendëm të gjitha këto për të pasur një pamje të vetë librit, por edhe të metodës dhe stilit të autores gjatë trajtimit të çështjeve historike, para se të hidhemi tek problem kyesor i këtij shkrimi: Kur është themeluar tempulli i Dodonës dhe nga kush? Autorja thotë se, sipas studiusit gjerman Ernst von Lasaulx, tempulli i Dodonës “u themelua nga Dodanimi, i biri i Javanit, i biri i Japetit”. Në historinë biblike, Dodanimi ishte i biri i Javanit, të birit të Japetit, të birit të Nohut…Nga kjo rezulton se, pas përmbytjes Noha, Japeti, Javani dhe Dodanimi, kanë jetuar në të njëjtën kohë. Kështu vitet kur kanë ekzistuar këto personazhe të Biblës, me vitet e themelimit të tempullit të Dodonës përputhen. Ajo që është e sigurtë është se, ajo (Dodona) mban pikërisht emrin e stërnipit të Nohut, dhe si e tillë, duket se ka lidhje me të dhe se historia e përmbytjes pellazge, ngjan me atë hebreje…Emri i Dodonës është një provë shumë e fortë, gati e pakontestueshme, që e lidh atë me Nohun dhe mitologjia pellazge është në një linjë me tregimet hebreje…Aleksandri i Madh në Bibël quhet biri i Javanit…Shqiptarët sot janë të linjës Biblike.

       Gjithashtu, kur ajo flet për simbolin e shqiponjës dykrenore të shqiptarëve. Fillimisht pohon se: Shqiponja është një nga simbolet më të vjetra të njerëzimit, dhe është e përhapur në simbolikën dhe ikografinë perandorake, dhe fetare tek sumerët akadët. Pastaj vazhdon: Origjina e shqiponjës dykrenore, mund të gjurmohet qysh në civilizimet dhe mbretëritë antike të Mesopotamisë,… (Paul Joseph Krause, The Mesopotamian origins of Byzantine Symbolism and Early Christian iconography…)…Para përdorimit të saj në periudhën bizantine, shqiponja dykrenore ishte përdorur nga turqit selxhukë dhe të tjerë…Zoti-shqiponjë, është një simbol i shquar ikonografik, i fesë antike në Mesopotami…Grekët dhe persët e shenjtëruan atë në diell…Për grekët antikë, shqiponja ishte emblema e Zeusit.

         Zonja e nderuar, siç e shihni, e merr shqiponjën dykrenore dhe na tregon që e kanë pasur si simbol të gjitha fiset e vjetra aziatike, ua atribuon  fiseve akade, fiset perse, fiseve selxhuke, kuptohet ka haruar fiset osmane. Mos vallë ajo e ka fjalën për hebrenjtë, pasi si nëpër tym na kujtohet nga të dhënat e burimeve shumë të lashta, që origjina e fiseve nomade hebreje kanë qënë zonat midis Tigrit dhe Eufratit në Mesopotami.

        Vetë tematika e librit: Pellazgët, origjina e Shqiptarëve, në mënyrë rigoroze do të kërkonte që simboli ynë kombëtar, shqiponja dykrenore, të trajtohej brenda kuadrit pellazgjik. Dhe me domosdo, duhej ta lidhte me kryeperëndinë pellazge, Zeusin Pellazgjik të Dodonës, të cilin e kanë adhuruar të parët tanë,dhe  i cili ka pasur si atribut kryesor shqiponjën. 

       “Me Dodonën lidheshin dy simbole. I pari ishte shqiponja. Në gërmimet që u bënë në Dodona më 1875 nga Karapanos, në gurin e tempullit të Zeusit u gjet e skalitur një shqiponjë dykrenare, e cila për njerëzit e lashtë përfaqësonte lajmëtarin e Zeusit. Sepse në Iliadë e shohim Zeusin që herë pas here dërgon një shqiponjë si një shenjë hyjnore për luftëtarët pellazgë.”

        Lidhja e jonë si shqiptarë me simbolin e shqiponjës, kuptohet që rrënjët i ka tek Zeusi i Dodonës, ku arkeologët tregojnë edhe për një tempull kushtuar atij dhe Diones. Nuk e di në se zonja e nderuar ka dijeni për këta dy tempuj në Dodonën pranë Janinës, dhe jo në malin e Tomorrit, ku na hedh pa asnjë fakt, asnjë të dhënë, apo gjurmë arkeologjike. Historia, por edhe arkeologjia na kanë treguar se këta dy tempuj në Dodonë, i rindërtoi Pirro i Epirit bashkë me qytetin dhe u dha një shkëlqim dhe lulëzim të jashtëzakonshëm.

        Zeusi Pellazgjik i Dodonës në lashtësi është adhururar, pothuaj në të gjitha trevat e sotme shqipfolëse. Arkeologët tanë të shquar e kanë zbuluar në monumente, tempuj, monedha dhe mbishkrime në gur në Amantie (monedha, basoreliev, tempull i munshëm në akropol), Olympe (monedha, tempull i mundshëm në akropol), Gurëzezë (tempull), Bylis (mbishkrim në gur), Dyrrah (monedha), Lis (monedha), Skodrion (monedha) etj. Nuk e dimë në se zonja e nderuar ka dijeni për këto, apo ajo nuk i njeh zbulimet madhështore arkeologjike që kanë bërë arkeologët e shquar shqiptarë.

        Por ajo nuk ndalet këtu. Ajo krahason kapën e zezë hebreje me plisin e bardhë të malësorëve tanë, me demek, se edhe nga zakonet dhe veshjet, ne shqiptarët jemi të njëjtë me hebrenjtë!

        Në mbyllje të librit na kumton: “Shqiptarët sot janë pasardhësit e drejtëpërdrejtë të popullsisë greke antike, pasi ata janë pasardhës të të njëjtave fise, që kanë banuar Greqinë antike…Në një pjesë të veçantë pamë edhe lidhjet që ekzistojnë midis shqiptarëve dhe grekëve antikë, si nga ana historike, gjuhësore, atropologjike, emërtimet etnike, kanunit dhe rezulton se, shqiptarët janë pasardhës direkt të grekëve antikë…”        

Besnik Imeri

Filed Under: ESSE

Miratohet Ligji mbi krimet e komunizmit ne Florida

May 11, 2022 by s p

Nga Moza Boletini

New York/


Governatori i Shtetit ne Florida, Ron DeSantis, njoftoi me date 9 Maj 2022, se ne te gjitha shkollat e mesme publike te Floridas do te perkujtohet cdo vit “Dita e Viktimave te Komunizmit” me 7 Nentor. Nxenesit do te informohen e edukohen mbi genocidin e persekutimin nen rregjimet komuniste neper bote, perfshi ketu edhe partine komuniste te Kines e Bashkimin Sovietik. Ky ligj u miratua unanimisht kete vit nga Senati dhe Kongresi i Floridas.Governatori DeSantis u shpreh se: “Qytetaret e Florides, sidomos studentet tane, do te mesojne per krimet e komunizmit, per diktatoret neper bote qe kane qene ne krye te regjimeve komuniste dhe per qindra miljona njerez qe kane vuajtur dhe ende vuajne nen peshen e kesaj ideologjie. Organizata e Viktimave te Komunizmit ka vleresuar se regjimet komuniste kane shkaktuar humbjen e rreth 100 miljone jeteve nepermjet persekucioneve politike apo religjioze, nga skamja dhe uria masive, si dhe duke kryer krime te renda ndaj njerezimit gjate shekullit XX. Ne krye te ketyre regjimeve – vijoi DeSantis – qendron partia komuniste e Kines, e cila eshte perllogaritur t’i kete marre jeten 80 miljone shtetasve kineze.Ligji amerikan aprovuar ne Florida kete vit, thote gjithashtu se “Mbi 100 vjet kane kaluar nga Revolucioni Bolshevik ne Rusi si dhe krijimi i qeverise se pare konuniste nga Vladimir Lenin, qe coi me pas ne dekada represioni e dhune nga regjimet komuniste neper bote. Ligji gjithashtu ve ne dukje se qeverite komuniste kane shkelur idealet e lirise, prosperitetit dhe dinjitetit te jetes njerezore dhe kane ngritur ne krye diktatore totalitare si Josef Stalini, Vladimir Lenin, Mao Zedong e Pol Pot. Sipas studiuesve e historianeve, regjimi Mao mund te kete shkaktuar me shume se 80 miljone viktima ne njerez midis viteve 1949 deri ne vdekjen e tij ne 1976.Grupime te te drejtave te njeriut si dhe disidente, thone qe partia komuniste e Kines, qe zyrtarisht eshte ateiste, vazhdon represionin me ligjet e Maos, duke persekutuar grupime njerezish perfshi ketu edhe Falung Gog, Uyghuret e te krishteret.Instruktimi mbi tmerret e komunizmit ne Florida do te nisi ne vitin shkollor 2023 – 2024. Sipas historise, komunizmi u instalua ne qeverine ruse nga bolsheviket pas rrezimit te Carit, qe coi ne krijimin e Bashkimit Sovjetik. Florida ka nje numer te konsiderueshem banoresh, te cilet jane larguar nga shtetet e tyre komuniste, sidomos shtetase te Kubes, te vendosur ne Amerike pas ardhjes se Fidel Kastros ne fuqi ne 1959. Te shumte jane gjithashtu shqiptaret e larguar nga Shqiperia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e trevat e tjera shqiptare, per shkak te persekucionit sllavo-komunist, e jane vendosur ne Florida apo shtetete te ndryshme te Amerikes. Ky projektligj eshte mjaft i rendesishem, pasi femijet dhe brezat e periudhes post-komuniste, do te marrin informacionin e duhur mbi genocidin ne vendet ish-komuniste ku pershihet edhe Shqiperia, qe perjetoi nje nga diktaturat me te egra ne Europe.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT