• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

NEVER FORGET- MOS HARRO KURRË

June 6, 2022 by s p

NGA MA. AGIM ALIÇKAJ

Promovim i librit “Mos Harro” Kurrë në Oslo, Norvegji, me porosi të rëndësishme nga ky tubim madhështor

– Përulemi vetëm përpara luftëtarëve të lirisë.

– Prof Dr. Nusret Pllana, shembull i përkushtimit kombëtar dhe sakrificës, e thotë me modesti se libri i madh për gjenocidin serb nuk është i imi, as libri i xhepit “Never Forget” nuk është i imi dhe i Agimit. Janë të shkruar me gjakun e më shumë se 1400 fëmijëve të masakruar dhe të gjitha viktimave të gjenocidit shekullor serb.

– Krimet e luftës ndaj civilëve nuk mund të harrohen as të falen nga askush. Kriminelët serb duhet të dënohen. Të gjithë armiqët e kombit tonë duhet të luftohen, jo të përkëdhelën.

– Nuk ka më lëshime ndaj fashistëve serb dhe as përulje ndaj përfaqësusesve të  padrejtë ndërkombëtarë. Pikë! Ata politikanë që nënshtrohen dhe korruptohen nuk kanë ardhmëri në Kosovë.

– Përkëdhelja e vazhdueshme e shtetit shovenist pro-rus serb nga disa përfaqësues ndërkombëtarë është bërë e turpshme dhe paraqet poshtërim të civilizimit.

– Ata që trumbetojnë se Serbisë duhet t’i bëhen lëshime shtesë dhe t’i falen krimet, janë hajvanët më të mëdhenj të shekullit XXI.

– Shteteve gjenocidale të Rusisë dhe Serbisë u duhen thyer dhëmbët njëherë e përgjithmonë. Nuk ka rrugë tjetër.

– “Ballkani i hapur” është manipulim ballkanik, përpjekje për mashtrim të tjerëve dhe i vetvetes. E ka për qëllim vetëm avancimin dhe imponimin e hegjemonizmit ruso-serb në Evropën Juglindore.

– Bashkëpuntori i Millosheviqit, shovinisti serb Vuçiq mund ta bëjë Kosovën pjesë të Serbisë, siç thotë populli “kur të bëjë shelgu rrush”. Punë e madhe nëse nuk na njeh Serbia, ajo shtet i sëmur nga urrejtja për fqinjët dhe deshira e saj për të dominuar në Ballkan.

– Fondi i sigurisë nuk është fond i një qeverie, është fond i ekzistencës kombëtare shqiptare dhe duhet të përkrahet nga të gjithë shqiptarët, kudo në botë. 

– Vlerësim dhe falënderim i përhershëm për ndihmën e NATO-s të udhëhequr nga Amerika për të ndaluar gjenocidin serb. Lidhjet me Amerikën duhet të forcohen dhe shtohen.

– Krenar me vëllazërit e mij Skënderin, Naimin, Esatin dhe Samiun në Oslo, me Bedriun në Kosovë, kunatat me vlera të larta familjare, nipat dhe mbesat me arritjet e tyre në të gjitha fushat. Me përkrahjen e tyre me dekada për aktivitete kombëtare në Amerikë, përmes Ligës Shqiptaro Amerikane të udhëhequr nga ish-kongresmeni Joseph DioGuardi dhe Znj. Shirley Cloyes DioGuardi, posaqërisht të Naimit, i cili ishte anëtarë i Bordit të Ligës nga viti 1990 deri pas çlirimit të Kosovës.

– Bashkatëdhetarët tanë të gatshëm për ta ndihmuar edhe më shumë Kosovën dhe të gjitha Trojet Tona.

– Falënderim nga zemra për organizatorët dhe pjesëmarrësit e shumtë në këtë takim.

         Përpjekjet për drejtësi dhe afirmim të kombit të ndritur shqiptar me vlera të larta civilizuese, vazhdojnë pa u ndalur.

Filed Under: Interviste Tagged With: Agim Alickaj

Mbrëmje përkujtimore me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Artistit të Popullit Pirro Mani

June 6, 2022 by s p

Marjana Bulku

Nju Jork

Në mjediset e Producers Club Theater , Manhattan me menaxher vëllezërit Tollja( Ernest & Fredi Tollja) skenografi Andis Gjoni organizoi një mbrēmje përkujtimore në nderim të regjizorit të mirënjohur shqiptar Pirro Mani i cili ndërroi jetë një vit më parë.

Merrnin pjesë në këtë kujtesë nderuese e përkujtimore, aristë dhe aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikanë në Nju Jork, miq dhe adhurues të regjizorit dhe artistit të madh shqiptar Pirro Mani i cili është skalitur në kujtesën e spektatorit shqiptar me rolet e tij ku spikati ai i Sali Protopapës tek filmi “ I teti në bronx”.

Mbrëmjen e hapi iniçuesi dhe organizatori i këtij eventi , zoti Andis Gjoni i cili solli në vëmendjen e të pranishmëve madhështinë dhe thjeshtësinë e regjizorit Pirro Mani, copëza të gjalla nga humori dhe jeta e tij aktive dhe më pas i ftoi pjesmarrësit të ndiqnin një dokumentar të pregatitur enkas për këtë mbrëmje si nderim dhe homazh për artistin e madh që i fali aq shumë artit dhe kinematografisë shqiptare.Dokumentari solli materiale konçize intervistash dhe vlerësimesh që miqtë artistë ia kushtonin Pirro Manit , njeriut që i fali skenës aq shumë role dhe kontribute historike.

“ Kur kthehem në Shqipëri pêrveç të tjerash ndjej edhe boshllëkun e ikjeve të artistëve nga kjo jetë “ – shprehet Mani në një prej daljeve të tij të fundit në Albanian Culture TV (2015)

Është e dhimbshme kur ikin artistët sepse bashkë me ta duket se largohet edhe një copëz e artit , kreativitetit dhe energjisë së bukur që ato mbartin.

Pirro Mani ishte regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 -vjet punoi në Teatrin Kombëtar, lindi në Korçë më 14 Prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.

Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për disa vite Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.

Në karrierën e tij numërohen mbi 80 -shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Pirro Mani ishte konsideruar si mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë; “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.

Por siç shprehet Andisi pengu i tij ishte pamundësia për të vënë në skenën amerikane pjesë shqiptare, projekt ky që e le të hapur mundësinë e artistëve të shumtë që jetojnë sot në metropolin e madh amerikan për të shpalosur kryeveprat tona në sallat e boshatisura edhe pse mbi 150 -mijë shqiptarë jetojnë në Nju Jork.

Pas shfaqjes së dokumentarit pati një bashkëbisedim interaktiv mes artistëve dhe pjesmarrësve në këtë event të cilët e ndjejnë se koha për bashkërendime energjish dhe projektesh ka ardhur .

Në fund Zoti Andis Gjoni falenderoi të pranishmit, administratorin e Producer’s Club Theater, Ernest Tollja për sigurimin e mjedisit fizik me urimin se ky mjedis duhet të gjenerojë sistematikisht art dhe vlera të kulturës shqiptare ku monumente si Pirro Mani frymëzojnë dhe edukojnë përjetësisht.

Filed Under: Kulture Tagged With: Marjana Bulku

Bujqësia shqiptare e harruar

June 6, 2022 by s p

Prof.Ass.Dr.Gjok Vuksani 

Univeriteti Bujqesor i Tiranes/

Shqiptaret kane nje lidhje te vecante me token, te pakrahasuar me asnje kombesi tjeter .Toka , fshati , shtepija e te pareve jane emocione te pashlyeshme tonat qe ne i marrim gjithmone me vete kudo qe shkojme  , kudo ku jetojme ne cdo vend te botes.

Rralle mund te gjesh nje shqiptar qe nuk ka mbjelle nje fidan, qe nuk ka vjele nje frut, qe nuk ka bere nje pune te rendomte ne bujqesi, gje e cila eshte shum me e rralle per francezet, amerikanet apo gjermanet.

Kjo lidhet edhe me faktin qe deri ne vitin 1990 rreth 75% e shqiptareve kane jetuar ne zonat rurale te Shqiperise dhe aktualisht rreth gjysma e tyre jetojne po aty.

Ne Shiperi ka rreth 700 mije ha toke bujqesore, nga te cilat 85 % jane privatizuar dhe 15 % vazhdojne te jene prone shtetrore.

Por gjendja e bujqesise dhe fermerve ka ardhur duke u perkeqsuar vit pas viti .Une guxoj te them se nje nga faktoret kryesor te  prapambetjes  se zonave rurale ,eshte nenvlersimi nga qeveria vecanerisht keto vitet e fundit.

Te krijohet bindja qe “QEVERITARET”e kane harruar bujqesine dhe fermerin, ata merren nga mengjesi deri ne darke me gjithcka tjeter si  ndeshjet e futbollit ,ngjyrat e autobuzeve …por jo me bujqesine dhe fermeret qe kontribuojne  me rreth 20% ne  GDP shqiptare.

Ky nenvlersim i bujqesise deklamohet qartesisht  kur veren  drejtuesit e dikasterit te bujqesise qe parakalojne  njeri pas tjetrit nder vite, pa pasur  asnje fije lidhje me fshatin.

Sot e ke te  veshtire te gjesh ne krye te  nje institucioni qendror apo rajonal te bujqesise  nje drejtues agronom , veteriner apo zooteknik,pasi shumica  jane katapultuar nga jurisprudenca , bankat apo shkencat sociale .

Pikerisht per kete arsye  eshte praktikisht  e pamundur te presesh  politika te qarta per zhvillimin e bujqesise, profesionalizem, ekspertize  dhe aftesi per transferimin e teknologjive te reja tek fermeri.

Situata behet edhe me dramatike  nga mbeshtetja  qesharake  qe qeveria jone jep per bujqesine ,ku vetem 3 euro / hektar shkon direkt tek fermeri, ndersa 42 euro/hektar shkon tek institucionet qe kane si detyre monitorimin e saj , ne diference  nga vendet e rajonit ku shumica e fondeve shkon tek direkt tek fermeri ( Grafiku i meposhtem sipas FAO).

(Ref. Revista Monitor, 2022)

Fqinji yne  Maqedonine e Veriut  alokon 143 euro/ha mbeshtetje shtetrore direkt tek fermeri dhe 45 euro/hektar tek institucionet mbeshtetes. 

Gjate vitit 2018 vendet e rajonit si Kosoava , Maqedonia , Mali i Zi kane dhene mbeshtetje direkte te fermeri 53 euro /hektar ndersa vendi jone jep vetem 3 euro per hektar ose  18 here me pak .

Argumentat jane te shumte por pa dashur te merzisim lexuesin  po permendim edhe nje : Bilanci tregtar ne bujqesi eshte teper negativ  ne raportin import-eksport 3:1, ose e shprehur  ne vlere monetare kemi   nje total importesh prej 900 milion euro/vit, kundrejt afersisht 300 milion euro/vit eksporte.

Kjo harrese e qellimshme e bujqesise ka bere qe nga zonat rurale te emigrojne  ne Europe dhe USA nje numer i  madh shqiptaresh.

Sot fshatra te tera  ne zonat malore te  Pukes,Kolonjes,madje edhe ne zonat bujqesore me te zhvilluara si Korca , Shkodra dhe Lezha  jane braktisur nga rinia, aty mund te gjesh vec te moshuar qe mezi capinet neper rruget e vetmuara.

Duket sikur “tablone” po e pikturoj me ngjyra te erreta por kjo eshte e verteta e hidhur e bujqesise se vendit tim dhe e vendit tuaj.

Por cfare duhet te behet qe te ndryshoje kjo gjendje katastrofike e bujqesise??

Se pari mendoj se duhet te rritet mbeshteja direkte per bujqesine e krahasushme te pakten me vendet e rajonit Kosoven, Maqedonine dhe Malin e Zi.

Shqiptaret nuk mund ta punojne token me naften 250 leke/liter (2.3$) kjo eshte pikerisht arsyeja qe vitet e fundit ne disa zona te vendit ka filluar rishtas punimi me kafshe i tokes, teknologji qe kishte 75 vite qe nuk aplikohej me ne vendin tone.

Eshte urgjente te subvecinohet nga shteti per uljen e kostove te prodhimit ne bujqesi me qellim qe te kultivohet toka dhe cmimet e produkteve bujqesore  te jene konkuruse, te pakten ne tregun rajonal.

Nje mase tjeter e domosdoshme eshte lehtesimi i barres fiskale ne bujqesi.Vetem vitet e fundit jane bere dy nderhyrje fiskale nga qeveria  konkretisht: eshte rritur me 10% taksa doganore e inputeve bujqesore si dhe eshte hequr vlera prej 6% e rimbursimit te TVSH se produkteve bujqesore, te cilat kane ndikuar ne rritjen e cmimeve te inputeve dhe produkteve bujqesore.

Pra qeveria ne vend qe te mundesonte lehtesimin e barres fiskale ne kushtet e krizes globale te ushqimit, ka vepruar ne kah te kundert duke e perkeqesuar ate.

Duhet qe bujqesia te mos lihet ne meshire te tekave te natyres , prandaj mendoj se eshte domosdoshmeri  subvensionimi nga shteti i skemave te sigurimeve te prones ne bujqesi nga permbytjet, zjarret dhe semundjet ne blegtori deri 50 % te primit te  sigurimit 

Nje problematike tjeter qe duhet te afrontohet nga qeveria  eshte numri mjaft i reduktuar i studenteve qe studjojne ne deget me rendesi te vacate per ekonomine shqiptare si Agronomi , Veterinari apo Inxhinier Pyjesh.

Shqiperia ka nevoje edhe per juriste e ekonomiste,  por nje vend bujqesor si Shqiperia  nuk mund te zhvillohet pa agronome dhe inxhinjer pyjesh  ku rreth 18 % te siperfaqes e zene kullotat dhe 37 % pyjet.

Prandaj duhet te mbeshteten me bursa studimi studentet qe studjone ne fushat e bujqesie ne menyre qe te pergatiten specialiste te afte per zhvillimin rural dhe transferimin e teknologjive te reja  tek fermeret .

Sic shihet hallet e bujqesise jane te medha dhe sygjerimet mund te jene te shtumta por shpresoj qe te fillohet me dashamiresine e politikberesve per bujqesine dhe fermeret.

Te shpresojme se shqiptaret e diaspores kur te vijne ne vendin e tyre te shijojne produktet aautoktone te vendit tone  djathin e Gjirokasteres  apo qershine e Dibres , domaten “zemer kau” dhe jo feten greke apo domaten italiane.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: GJOK VUKSANI

Festivali i parë i shkollave Shqipe “Alba Life” New York dhe mbyllja me plot sukses e vitit akademik 2021-2022

June 6, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

E ftuar speciale Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington DC znj.Floreta Faber.  

Nderuan me pjesëmarrjen Ministrja e Shtetit për rininë dhe fëmijët në Republikën e Shqipërisë, zonja Bora Muzhaqi dhe z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”.

Gjuha jonë, gjuhë hyjnore,

Flet me zemrat si me Zotin,

Oh ç’bekime dhurojnë gjyshërit,

Nga gëzimi derdhin lotin…

Amfiteatri i Qendrës “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj gumëzhinte plot e përplot nga zërat gazmorë të nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online.  Ishte një e shtunë e bukur plot diell që të lëbyrte sytë, një e shtunë ku ushtuan në skenë këngët dhe vallet e mrekullueshme shqiptare.  Çfarë magjie sollën në skenë do të më thoshte nje gjyshe rreth të 80-ve!  Ne nipërit dhe mbesat tona i sjellim me dëshirën më të madhe për të mësuar shqip vazhdoi gjyshja.  

Dhe dita e shtunë ishte magji, ishte bota e pasur dhe e çiltër e fëmijëve që u ngjitën në skenë plot confidencë për të shfaqur festivalin e bukur.  Ata vallëzonin plot harmoni dhe në ritëm të muzikës popullore që ia shtonin dhe më shumë elegancën dhe hijeshinë amfiteatrit.  

Nxënësit me kostumet shumëngjyrëshe dhe ngjyrat e Flamurit  kuq e zi sillnin dhe më shumë emocion tek të pranishmit që i duartrokisnin plot ëndje dhe emocion artistët e ardhshëm të Diasporës. 

Gjatë vitit akademik Shkolla Shqipe “Alba Life” me përvojë 15 vjeçare ka krijuar traditën kulturore të festojë me koncerte si: Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar, Festat e Fundvitit, Pavarësinë e Kosovës, Ditën e Shenjtë të Mësuesit, Koncert për mbylljen e vitit akademik shkollor, pjesëmarres në Festivalin e Shkollave Shqipe dhe për herë të parë organizoi Festivalin e të gjitha shkollave shqipe “Alba Life”.  Festivali u moderua nga dy nxënës të talentuar bashkëpunëtore të TV “Alba Life” si Arelt Xhaferri dhe Kendra Duli.  Ekspresiviteti i tyre në të shprehur e bënte dhe më të bukur komunikimin me publikun.  

E ftuar speciale në këtë festival ishte Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington DC zonja Floreta Faber 

Zonja Faber përshëndeti të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit për punën e shkëlqyer që po bëjnë për të mësuar Gjuhën Shqipe pranë Shkollave “Alba Life”.  Ambasadore Faber me një karrierë të gjatë në diplomaci inkurajoi fort që të mos i harrojnë rrënjët e të parëve ndaj duhet ta shfrytëzojnë mundësinë që iu është dhënë për të mësuar dhe folur shqip.    

K. Zylo bashkëthemeluese e shkollave shqipe “Alba Life” në emër të bordit dhe gjithë mësuesëve vlerësoi Ambasadoren Faber me Çmimin e Mirënjohjes si një personalitet i lartë i diplomacisë shqiptare dhe për kontributinn e saj të vyer për Shkollat Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.  

Ambasasore Faber ka qenë e pranishme para tri vjetësh në hapjen e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx dhe iu ka shpërndarë nxënësve librat e Abetares.

Dhenia e çmimit u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.

Festivali i parë dhe dhënia e çertifikatave 

Fjala e hapjes u bë nga Dr.Valbona Zylo Watkins e cila përshëndeti në emër të Bordit si drejtuese e procesit mësimor.  Ajo është profesore në Staten Island College dhe në Montclair Academy në New Jersey e cila ka dhënë një kontribut të vyer për mbarëvajtjen e mësimit të Gjuhës Shqipe në New York.  Programi filloi me këngën: Ty Flamur të duam shumë, kënduar nga kori i shkollave nën drejtimin e artistes së shquar Dëshira Ahmeti Kërliu.  

Valltarët e shkollës Shqipe Alba Life në Bronx shfaqën vallen kuq e zi dhe “Vallja e Tropojës” intepretuar nga nxënësit e Bronxit, përgatitur nga mësuese Majlinda Tafaj.  Shtoj se kjo shkollë është hapur para tri vjetësh dhe është plot sukses. Në këtë shkollë japin mësim gjithashtu plot përkushtim mësueset Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Krasniqi Veselaj dhe Alda Hoxhaj,   

Në këtë festival nderoi me pjesëmarrjen e saj ministrja e Shtetit për rininë dhe fëmijët, zonja Bora Muzhaqi.  Në përshëndetjen e saj zonja Buzhaqi tha se sot kam marrë shumë emocione si asnjëherë tjetër dhe u ndjeva tejet krenare, kur dëgjova këta nxënës që intepretonin mrekullisht këngët dhe vallet shqiptare.    

Në këtë aktivitet madhështor ishte Z.Mark Gjonaj i cili si përherë të befason me pjesëmarrjen e tij në aktivitete dhe prania e tij veçse frymëzon brezat për të punuar më shumë për Diasporën dhe Kombin.  Ai ka mirënjohjen e pakufishme të nxënësve, bordit dhe prindërve

Përshëndetën festivalin kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, z. Mhill Velaj, si dhe z. Shaban Lajci artisti i mirënjohur i Diasporës dhe Atdheut.

Në skenë performuan nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island e cila është shkolla e parë që u krijua në këtë ishull të bukur.  Ata interpretuan vallen: “Mor Bubrrec” përgatitur nga mësuese Elona Shkreta, Anxhela Alushaj dhe Ariana Topallaj.

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn interpretuan: “Valle Kosovare” dhe “Vallja e Bariut- Rrënjët tona” përgatitur nga mësueset Gela Bulku dhe Ariana Topallaj. Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë i shkon prindit Lindita Ndregjoni për përgatitjen e kostumeve plot hijeshi dhe profesionalizëm. 

Shkolla e Quensit  performoi: “Tring zilja, tring zilja”, “Sa do doja një qenush” këngë për fëmijë, përgatitur nga mësuese Eriola Shahaj nën drejtimin e artistit të njohur Dionis Delia. 

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island përgatitur nga mësuese Entela Muda interpretuan “Vallja e Tiranës”.

Kori i Shkollave Shqipe intepretoi himnin e Shkollës Shqipe Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë kompozuar mjeshtërisht nga profesori i pianos Petrika Melo drejtuar nga artistja e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu.

Programi u mbyll me këngën popullore aq të njohur: “Xhamadani Vija Vija” kënduar nga kori nën drejtimin e artistes së mirënjohur dhe vitale Valbona Peraj.

Me çmimin e mirënjohjes u vlerësua zonja Vera Mjeku si një personalitet i shquar i Diasporës Shqiptaro Amerikane dhe mike e madhe e shkollave shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.

Pas këtij programi madhështor Dr.Valbona Zylo Watkins bashkë me Ambasadoren Faber dhe ministren Muzhaqi nën kujdesin e të gjitha mësueseve të klasave të cilat kanë bërë një punë të mrekullueshme për mësimin e Gjuhës Shqipe iu ndanë çertifikatat të gjithë nxënësve për vitin akademik shkollor 2021-2022.

Gjithë festivali u filmua dhe fotografua nga bashkëpunetorët e TV “Alba Life” si: gazetari Valon Gerbeshi, Bujar Sadikaj dhe Elton Xhaferri.  

Dreka festive dhe çmimet nga Alba Life

Natyrisht pas një dite shumë të ngarkuar shumica e pjesëmarrësve drekuan së bashku në restorantin “La Botte” në Westchester të organizuar nga bordi i shkollës me kontributin e secilit si drekë festive.

Në këtë drekë festive u krye ceremonia e dhënies së çmimeve të mirënjohjes si Arta Xhaferri koordinatore pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx me motivacionin: 

si Koordinatore për kontributin e saj të vyer dhe me profesionalizëm pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx.

Mësuese Entela Muda Çmimin e Mirënjohjes për kontributin e saj si një mësuese e përkushtuar me profesionalizëm pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island.

U vlerëuan me plot dashuri dhe respekt nxënësit e dalluar të Shkollës Shqipe “Alba Life” si:

Blenda Ekuran Shehu, Kelvin Adil Rustani, Lediana Agim Hasanaj, Dion Odise Salillari 

Ariana Daci.  Ata janë krenari e Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe do të jenë frymëzues për gjeneratat e ardhshme.

Dreka e organizuar kaloi në një atmosferë shumë festive dhe të pranishmit u argëtuan nën tingujt e DJ drejtuar mjeshtërisht nga z.Bujar Sadikaj. 

4 Qershor, 2022

Qendra “Illyria” Bronx, NY

Filed Under: Politike Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Franz Kafka ky Brumbull Sui Generis

June 6, 2022 by s p

Dr. Iris Halili

Pjesa e dytë…

Rrugëdalja, lirija dhe arsyeja

Njё nivel i dytë leximi, do ta bënte çdo receptues të mendonte se problemi i lirisë ndoshta ёshtё ndër ato probleme, që shqetëson Kafka-ёn në këtë tekst. Por pasi ke lexuar një pjesë të mirë të veprës së shkrimtarit, bindesh se ky është, nё tёrёsi, njё ndër problemet më shqetësuese për të. Sidomos tek Një relacion akademik, Kafka sikur kёrkon t’u japë mёsime njerëzve se ç’është liria dhe përse ata nuk ndihen të lirë. 

Ka një lidhje të afërt midis Metamorfozës dhe Një relacioni akademik. Tekstet flasin për një shndërrim, por, nёse në rastin e parë kemi një njeri të kthyer në kafshё, në rastin e dytë, kafsha është kthyer në njeri. Autori na pёrshkruan me hollёsi çfarë këto dy qenie ndiejnë, dhe ç’fitojnë e humbasin njëherësh nga këto metamorfoza. Kështu, lexim pas leximi, duket sikur përgjigjet e errëta që shfaqen te Metamorfoza, i zgjidh Një relacion akademik. Te kjo copёz e fundit, duket sikur pёrfundimet lihen të hapura dhe të shtjelluara si në një leksion. Problemet janë ato filozofike të ekzistencës. A jemi të lirë? Pse nuk jemi të lirë?

Majmuni i dikurshëm dhe njeriu i tanishëm, shpjegon se pikërisht në çastin e shndërrimit të madh: “Për herë të parë në jetën time gjendesha pa rrugёdalje.. Deri në atë kohë kisha pasë shumë rrugëdalje dhe papritmas nuk më mbetej asnjë. Isha bllokuar. Sikur të më kishin gozhduar, liria ime për veprim do të ishte shkurtuar. Po pse?” 

Le të themi si fillim se Kafka, jo rastësisht, merr shndërrimin e një majmuni në njeri. Kjo të kujton edhe vetë procesin biologjik, sipas të cilit mendohet të jetë kryer zhvillimi njerëzor. Filozofia është e qartë, mesazhi gjithashtu. Njeriu dikur ka qenë i lirë, pikërisht, atëherë kur ishte në qelizat e një majmuni, kthimi i tij i plotë e bëri atë pa liri. “Po pse?” pyet Kafka me zërin e ish majmunit (që simbolizon njerëzimin). Më pas kemi përpjekjet për të gjetur arsyet e kësaj mungese lirie të racës njerëzore. Ish majmuni, konstaton se ai me t’u shndërruar nё njeri, është gjendur pa rrugëdalje. Ai kupton se njerëzit i gënjen liria e tyre. Në fakt, ata e dëshirojnë pa masë atë “Mbasi liria rreshtohet në vargun e ndjenjave të madhërishme, edhe zhgёnjimi i lidhur me të, mbetet i madhërishëm”.

Vihet re se ish majmuni, bën përcaktime të qarta, si i kanë hije një njeriu që mban brenda vetes gjithë fatin e gjenetikës njerëzore. Përfundimisht, ai kupton se robёria e tij, buron nga vetë ajo, që njerëzimi e njeh si krenarinë më të madhe: arsyen. 

Shohim se si relacioni akademik fillon të rrëfejë torturën e të qenurit njeri, torturë që çon në ofshamat: “Me siguri jam i lodhur: ky është fati im”.

Përsëri pesimizmi kafkian mundohet të gjejë rrugëdaljet njerëzore të kushtëzuara nga vetë fati – njeri: “Ju siguroj se mësohet kur je i detyruar: mësohet kur kërkon një rrugëdalje: mësohet me tërë forcën e trupit”. 

Këtu e gjen Kafka vazhdimin e ekzistencës njerëzore, këtu e gjen vazhdimёsinë, sepse këtu edhe majmuni i shndërruar në njeri, gjeti lumturinë.

Dija njerëzore, filloi të prodhojë vetë ekzistencën e saj. Arsyeja që na bën të mos jemi të lirë, filloi të merrej si e kundërta, si burim i aspiratave njerëzore, si hapёsirë ku njeriu mat vetveten dhe shikon sa i fuqishëm është. Gjithçka u vu në shërbim të njerëzimit. Ndërsa ai mbeti përjetësisht “i dënuar me liri”, siç thotё edhe ekzistencialisti Jean-Paul Sartre.

Kështu një majmun kthehet në njeri. Ai provon për herë të parë një jetë pa rrugёdalje dhe i palirë. Më pas kupton se kjo robёri e ka burimin te arsyeja. Atëherë na lind pyetja: Gregori Samsa, njeriu i kthyer në kafshë, përse nuk gëzoi lirinë shtazore, por në të kundërt iu kufizua dhe ajo pak liri që njerëzimi stimulon? Relacioni akademik na sygjeron t’i kthejmë sytë nga arsyeja e Samsës, ndërsa vetë teksti Metamorfoza na tregon se Gregori jo vetëm që nuk e humbi arsyen, por kthimi në kafshë, e bëri atё edhe më të përgjegjshëm. Pikërisht se Gregori na shfaqet një kafshë me arsye, ai nuk mundi t’i shmangej lirisë njerëzore. Tё humbёsh edhe grahmёn e fundit të lirisё, do të thotë të dish të përshtatesh, të durosh e të lumturohesh sipas kufijve që ti, njeriu, ia ke përcaktuar vetes.

Analizimi i tё dyja teksteve kafkiane, të çon në idenë se përgjegjës për fatin e tij është vetë njeriu, që ndёr shekuj e epoka tё ndryshme, përsosi arsyen dhe diturinë, duke humbur kështu lirinë. Morali është pjellë e njerëzimit për ta torturuar vetë atë.

Një tjetër lexim që mund t’i bёjmё Metamorfozёs, është sa dhe si na e jep teksti kthimin e Gregorit në kandërr. A e ka zgjedhur ai vetë një gjë të tillë, apo gjendet i shndërruar nё kafshё, papritmas? Përgjigja e kësaj pyetjeje ka rëndësi për aq kohë sa të na çojё tek përgjigjet e tipit: Nëse Gregori ka zgjedhur kthimin në kafshë me dëshirë, atëherё pёrfundimet që jep Njё relacion akademik, vlejnë edhe për Metamorfozën. Në qoftë se Gregori rastësisht e ka gjetur veten në pozicionet e kafshës, atëherё, parёsor mbetet pёrfudimi që nxorëm gjatë nivelit të parë të leximit. Këtu duhet të shtojmë se, sido të jetë përfundimi, të gjitha anlizat e bëra për Një relacion akademik vlejnë edhe për tekstin Metamorfoza. Çështja luhet vetëm për nga radha e rëndësisë në tekst. 

Duke iu rikthyer tekstit Metamorfoza, shikojmë se një mëngjes, Gregori ëstë zgjuar kandërr. Vetë teksti nuk të jep shpjegime nëse ka dashur apo jo ai një gjë të tillë. Në qoftë se do të supozojmë se nuk e ka dashur, atëherё mbetemi sёrish tek arsyetimi se megjithёse i kthyer në kafshë, njeriu ështё dënuar me arsye, dhe rrjedhimisht me liri. Por gjithsesi, ky konkluzion është derivati i asaj çka ne lexojmë. Po nёse marrim rastin kur Gregori e dëshiron shndërrimin? Kuptohet edhe këtu duhet t’i shmangemi maksimalisht, elementeve jashtёtekstuale. E gjitha çfarë teksti thotë, është se Gregori është zgjuar nga gjumi i shndërruar, dhe pse, hap pas hapi, fillon të ketë bezdi nga kafsha brenda vetes. Pyesim se përse ky shndërrim ndodh pas gjumit, gjë që lë shteg të flitet edhe për gjendjen e ëndrrёs si një proces të pavetëdijes, apo për një sapongritje nga gjumi, ku përgjithёsisht, njeriu ende ёndёrron me sy hapur, apo fantazon me sy mbyllur. Në qoftë se do ta çonim më tej arsyetimin, mund të pyesnim: A nuk pёrpunohen në ëndrrat e në fantazitë tona dëshirat më ambicioze? A nuk mbetet liria më e dëshirueshmja prej dëshirave?

Në fakt, teksti nuk jep asnjë shpjegim dhe hapet vetvetiu, duke na vendosur jo më nё pozicionet e një receptuesi bashkëpunёtor, por tё një receptuesi rikrijues.

Përfundimisht, të dyja tekstet flasin me një gjuhë. Molla, që Samzës i mbetet në fyt, vjen edhe njëherësh me arketipin qё mban brenda vetes: gjeni njerëzor ka fatin e vet të përcaktuar, fat që ia përcjell brezave, fatin e një mёkatari që vuan dënimin e përjetshëm të Evës dhe Adamit: “Molla, tё cilёn askush nuk guxoi ta nxirrte nga shpina e Gregorit, mbeti e ngulur nё mish si njё kujtim i dukshёm i ngjarjes dhe plagosja e rёndё, nga e cila lёngoi mbi njё muaj, siç duket e bindi edhe tё atin se i biri, me gjithё formёn e tashme tё hidhur e tё neveritshme, prapёsёprapё, mbetej anёtar i familjes…”.

Simbolet dhe Arketipet

Bota simbolike në tekstet kafkiane, përbën një fjalor më vete. Simbole universale, simbole që kthehen të tilla nga procedimet e fantazisë së shfrenuar kafkiane, simbole arketipe, të gjitha këto janë alfabeti i gjuhës kafkiane. Pa deshifrimin e tyre, nuk do të mund të kuptojmё tekstet, pa përcaktimin e tyre, nuk do të mund të fillojmë të njohim Kafka-ën.

Me simbolet ai ndërton filozofinë, jep mesazhet, profetizon, krijon universalen.

Vetë personazhet kafkiane, më shumë janë dhe mbeten simbole, se sa thjesht personazhe. Ndodh, që për të njёjtin mesazh, Kafka të përdorë një galeri simbolesh, që të gjitha së bashku i lidh enigma kafkiane.

Një kandërr tek Metamorfoza dhe një kafshë  gjysmë qengj dhe gjysme mace tek Shartimi, mbeten simbole të kafshës që kemi brenda vetes, që na ndjek në çdo hap, që e përsosim duke e kufizuar çdo ditë, që e ndrydhim për ta shfaqur më shumë:

Shkruan, pyet a pёrgjigjet, s’dihet. Thotё vetёm kaq: “Ajo mace me shpirt qingji kishte dëshira njerëzore?” 

Në tekstin letrar Shpata, Kafka krijon një arketip nën emrin e vetë titullit. Ky simbol i kalon kufijtë e një simbolike të thjeshtë, për vetë tekstin që ka marrë përsipër ta ndërtojë dhe zbulojë njëkohësisht.

Eshtë përsëri mëngjes. Kafka-ës i pëlqen ky vakt, të cilin e përdor, pothuaj gjithmonë, në letërsinë qё bёn. Personazhi që flet në vetën e parë, sikur të ishte një “unë”, është në gjumë.

Shokët e zgjojnë dhe, befas, shikojnë se në qafë diçka nuk shkonte. “Një shpatë të madhe dhe të vjetër kalorësie, me një dorezë në trajtë kryqi, ishte ngulur me tërë tehun në shpinën time”. 

Analiza, gjithsesi të çon në përcaktimin e gjendjes së papërcaktuar të gjumit, ëndrrës  apo fantazisë. Teksti na thotë se “unë” nuk e ndjen peshën e shpatës, janë vetëm shokët që e shohin një gjë të tillë. Nuk ka as gjak, bile nuk ka as dhembje. Gjendja e pacaktuar i afrohet një pavetëdijeje, ku siç dimë, rrinë të pavetëdijshme dëshirat. Kjo të çon në deshifrimin e parë, sipas të cilit,  shpata është  një shënues, që rend të shënojë gjendjet tona instiktive, për të cilat ne jemi të pavullnetshëm. Ne nuk i ndjejmë ato brenda nesh, sikurse nuk ndjejmë edhe një shpatë, që një mëngjes na varet në qafë. Vetëm kur ato veprojnë, ne bindemi për ekzistencën e tyre.

Por shënuesi, shpata, nuk ngelet vetëm tek  një i shënuar. Polisemia rritet nё çdo rresht. Tani na ndihmon një tjetër shënues: kalorësit. Ai në fillim duket sikur vjen vetëm për të na ngatërruar dhe për të na larguar nga arketipi që mban shpata, duke na kufizuar tek një i shënuar i tipit, fisnikëri. Në fakt kalorësit vjen si një shënues që i referohet kohëve të mëparshme, për të na shënuar, gjithashtu, se shënuesi shpata është element i trashëgueshëm. Pikërisht, kjo veti trashëgimie kthehet në një të shënuar të dytë që rrit përsëri poliseminë. “Kush  i lejon kalorësit e lashtё të enden në ёndrrat tona duke vringëlluar shpatat e tyre dhe të përshkojnë me to njerëzit që flenë të qetë?” 

Këto rreshta flasin qartë për një përforcim të shpatës si një arketip, që mban brenda vetes të pandërgjegjshmet kolektive, të trashëguara në breza. Se ç’janë këto të pandërgjegjshme, le të kujtojmë faktin se çdo njeri është i dënuar me vdekje, se çdo njeri është i palirë, falë arsyes së tij, se çdo njeri është i përcaktuar edhe nga një botë instiktive, e cila hetë pas here mbizotёron veprimet tona. Të gjitha këto ne i kemi brenda vetes, të gjitha këto ne i trashëgojmë në breza. Vjen një moment dhe ato janë pjesë e ekzistencës sonë, aq sa dhe nuk i shohim më si çudi. Kjo polisemi deshifrimi i jep shënuesit shpata një varg të shënuarish, që i bashkon një fjalë e vetme: gjenetika njerëzore e trashëgueshme.

Krijimi i universales

Të diskutosh për tekstet kafkiane, mbetet, gjithsesi një punë ë vështirё. Kjo edhe për faktin, se, herë pas here, ato i ke të vështira t’i klasifikosh si nënlloje. Kështu, një tekst letrar, si Një mjek fshati edhe mund ta quash tregim, por e ka pothuaj të pamundur të konsiderosh të tillë tekstet: Në galeri, Një faqe e vjetër, Para ligjit, Mesazhi perandorak, Halli i kryefamiljarit, Hiq dorë etj, etj. Ato paraqiten thjesht si fragmente dhe diskutimi për to do të vlente njësoj si për çështjen: A mund të klasifikohet fragmenti si një nënlloj në fiction? Sigurisht, këtu nuk është vendi të bëhen këto analiza dhe mund të gjendet kompromisi i shfrytëzuar më parë. Kështu, për ato nënlloje të fiction-it për të cilat e kemi të vështirë të bëjmë përcaktime, le t’i quajmë thjesht fiction.

Nga ana tjetër, të analizosh tekstet kafkiane, pa kujtuar këtu atë qё Kafka vetë s’e harron kurrë, do të qe një gabim i madh. Kështu, personazhet e Kafkës janë të gjitha shumёdimensionale. Ato veprojnë në disa rrafshe, si në atё moral, ashtu edhe në atë filozofik. Zgjedhja dhe drama e ekzistencës, në fund të fundit, përcakton edhe fatin e moralit, qe mbetet gjithmonë pasojë. Ndërthurrja e këtyre dy lidhjeve e bën Kafkën njerëzor. Ai, në çdo rast, mundohet të largojë distancën midis personazhit dhe receptuesit. Këtë e realizon herë duke mos i emëruar këta të fundit,  herë duke u shfaqur me personazhe të tilla si Jozef. K (ku iniciali K. ka lidhje “të rastësishme” me vetë mbiemrin e autorit) dhe herë duke i vendosur në vetën e parë. Në pjesën më të shumtë të rasteve, situatat e mësipërme ndërthuren. Kështu, tekstet e Kafka-ёs nisin pak a shumë: “Ishim vendosur në një oaz…” (Çakenj dhe arabë); “Isha i ngrirë dhe i ftohtë..” (Ura); “Bashkë me dy shokë kishim vendosur që të dielën të bënim një shëtitje” (Shpata); “Sipërmarrja, që kam ngritur, rëndon tërësisht mbi shpinën time” (Fqinji) etj, etj.

Kuptohet që është elementi i vetës së parë, që krijon njё komunikim tё brendshёm midis autorit, zërit që flet e që ndërton personazhin dhe  receptuesit hipotetik. Nga ana tjetër, mungesa e emërtimit të personazheve apo e vendosjes së tyre me iniciale, na bën ta gjejmë veten shumë herë pranë tyre. Ato mbeten në vazhdimësi një “unë”, që identifikohet me receptuesin po “unë”. Ka shumë elemente të tjera brenda tekstit, që sjellin një afëri të personazhit me receptuesin e momentit. Kështu, tek tekstet kafkiane që po studiojmë, në pjesën më dërrmuese të rasteve, vihet re një ngarkesë e qartë e kohës kur zhvillohet ngjarja, e vendit ku zhvillohet, e etnisë që ka personazhi, bile në shumë raste edhe e gjinisё të tij. Kjo, sigurisht, shton komunikimin e brendshёm. Identifikimi i receptuesit me personazhin vjen sipas logjikës: personazhi apo zëri i tekstit X = me receptuesin e kohës, vendit, etnisë, gjinisё Y. Kjo analizë na bind se ky identifikim ka qenë, afërsisht i tillë më 1926-ën, 1936-ёn, 1986-ёn, 1999-ёn dhe të çon tek ideja se do të jetë sipas kësaj skeme edhe më 2026-ёn.

Gjithë kjo zhveshje e personazhit dhe e kohë-vendit, vihet në shërbim të universales. Kafka, në këtë mënyrë, i krijon vetes mundësinë që në kohëra të ndryshme të flasë me një zë dhe të plotësojë, kështu, një ndër kriteret kryesore të universales në letërsi.

Këtë universale, teksteve të Kafkës ia shton edhe përdorimi i arketipeve, si simbole universale. Polisemia, që mbajnë brenda  vetës simbolet kafkiane, jep deshifrime të shumta dhe të ndryshme, në kohë të ndryshme.

Përfundimisht, le të shtojmë se krijimi i universales në letërsi nuk lindi me Kafka-ёn. Shkrimtarët e të gjitha kohërave e kanë krijuar atë. Në shekuj ka ndryshuar vetëm pёrqasja. Skema qё vazhdon tё na udhёheq, ёshtё njё sferё e rrumbullakёt qё merr tё tatёpjetёn lehtё. Ndryshon më shumë mёnyra se si flasim, sesa ajo për ç’ka flasim. I bindemi letёrsisё si njё tabele tё njohur tashmё. Letёrsia ёshtё si jeta, na merr prej dore e na shpie gjetiu.

Filed Under: Opinion Tagged With: Iris Halili

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT