Marjana Bulku
Nju Jork
Në mjediset e Producers Club Theater , Manhattan me menaxher vëllezërit Tollja( Ernest & Fredi Tollja) skenografi Andis Gjoni organizoi një mbrēmje përkujtimore në nderim të regjizorit të mirënjohur shqiptar Pirro Mani i cili ndërroi jetë një vit më parë.
Merrnin pjesë në këtë kujtesë nderuese e përkujtimore, aristë dhe aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikanë në Nju Jork, miq dhe adhurues të regjizorit dhe artistit të madh shqiptar Pirro Mani i cili është skalitur në kujtesën e spektatorit shqiptar me rolet e tij ku spikati ai i Sali Protopapës tek filmi “ I teti në bronx”.
Mbrëmjen e hapi iniçuesi dhe organizatori i këtij eventi , zoti Andis Gjoni i cili solli në vëmendjen e të pranishmëve madhështinë dhe thjeshtësinë e regjizorit Pirro Mani, copëza të gjalla nga humori dhe jeta e tij aktive dhe më pas i ftoi pjesmarrësit të ndiqnin një dokumentar të pregatitur enkas për këtë mbrëmje si nderim dhe homazh për artistin e madh që i fali aq shumë artit dhe kinematografisë shqiptare.Dokumentari solli materiale konçize intervistash dhe vlerësimesh që miqtë artistë ia kushtonin Pirro Manit , njeriut që i fali skenës aq shumë role dhe kontribute historike.
“ Kur kthehem në Shqipëri pêrveç të tjerash ndjej edhe boshllëkun e ikjeve të artistëve nga kjo jetë “ – shprehet Mani në një prej daljeve të tij të fundit në Albanian Culture TV (2015)
Është e dhimbshme kur ikin artistët sepse bashkë me ta duket se largohet edhe një copëz e artit , kreativitetit dhe energjisë së bukur që ato mbartin.
Pirro Mani ishte regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 -vjet punoi në Teatrin Kombëtar, lindi në Korçë më 14 Prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për disa vite Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.
Në karrierën e tij numërohen mbi 80 -shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Pirro Mani ishte konsideruar si mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë; “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.
Por siç shprehet Andisi pengu i tij ishte pamundësia për të vënë në skenën amerikane pjesë shqiptare, projekt ky që e le të hapur mundësinë e artistëve të shumtë që jetojnë sot në metropolin e madh amerikan për të shpalosur kryeveprat tona në sallat e boshatisura edhe pse mbi 150 -mijë shqiptarë jetojnë në Nju Jork.
Pas shfaqjes së dokumentarit pati një bashkëbisedim interaktiv mes artistëve dhe pjesmarrësve në këtë event të cilët e ndjejnë se koha për bashkërendime energjish dhe projektesh ka ardhur .
Në fund Zoti Andis Gjoni falenderoi të pranishmit, administratorin e Producer’s Club Theater, Ernest Tollja për sigurimin e mjedisit fizik me urimin se ky mjedis duhet të gjenerojë sistematikisht art dhe vlera të kulturës shqiptare ku monumente si Pirro Mani frymëzojnë dhe edukojnë përjetësisht.