• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

DOKTORI I MREKULLIVE

September 22, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka

Një ditë e zakonshme me një mjek të jashtëzakonshëm.

Le të përmendim dhe të ndriçojmë shembujt më të mirë nga jeta jonë, heronjtë e vërtetë dhe të devotshëm, në vend të kriminelëve që mbushin çdo ditë kronikat e zeza.

   Kur ndjehesh mirë me shëndet është normale që të mos kujtohesh për shërbimin e mjekut, ama është krejtësisht e kundërta që, kur nuk ndihesh mirë, të kujtohesh për të.

   Të tilla raste i hasim shpesh. Kështu më ndodhi edhe mua pak ditë më parë dhe ky rast për të cilin do të shkruaj më poshtë, më nxiti që ta sjell në vëmëndje të lexuesit me anë të këtij shkrimi. Në fakt nuk është hera e parë që shkruaj për mjekët e mrekullueshëm të qytetit të Shkodrës, ashtu siç nuk është hera e parë që shkruhet për Dr.Besnik Mustafaj. 

   Më herët kam shkruar për mjeken e paharruar Zyliha Kraja, por edhe për ata që sot janë në detyrën e tyre humanitare: Dr.Ardian Dajti, Dr. Luan Bajri, Dr.Lindita Dibra, si dhe për një mjek të mrekullueshëm që jeton dhe punon në Amerikë, për Dr. Bari Ceka, i cili është mik i të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje.

   Kësaj here mora përsipër të shkruaj për Dr.Besnik Mustafaj, ortoped në Spitalin Rajonal në Shkodër, me të cilin kam patur njohje shoqërore, por edhe eksperienca personale, vlerësimet e të cilave i kam gjetur edhe në opinionin e bashkëqytetarëve të mi, si një mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.  

   Të gjithëve iu uroj suksese në misionin e tyre humanitar, duke përfshirë në këtë shkrim edhe të mrekullueshmin Dr.Besnik Mustafaj, që nuk ndreq e drejton vetëm kocka, por edhe shpirtra, fjalët e të cilit janë pasqyrë e betimit që ka bërë si mjek.

   Dr.Besnik Mustafaj është ortoped në spitalin rajonal të Shkodrës, me të cilin kam pasur rastin të njihem personalisht, ku vlerësimet e mia personale kanë qenë në unison me opinionin e bashkëqytetarëve të mi dhe po të ishte momenti për t’i dhuruar këtij mjeku një çertefikatë vlerësimi, motivacioni do të ishte: Mirënjohje të jashtëzakonshme për punën dhe përkushtimin e tij ndaj pacientit.

   Ishte një ditë e dielë e këtij gushti dhe një ditë e zakonshme pushimi për mjekun tonë të nderuar Besnik Mustafaraj dhe duke qenë një ditë vere, ashtu si gjithë qytetarët edhe ai kishte planifikuar ta kalonte një ditë pushimi diku në bregdet me familjen e tij. Unë pikërisht këtë të diel kisha lënë takim me një mik të afërt, i cili kishte ardhur nga Amerika për të kaluar pushimet në vendlindjen e tij, në Krajë.

   Ishe dita e fundit e pushimeve që kishte planifikuar miku im nga Kraja Mirsad Kovaçi, i cili të nesërmen do të udhëtonte për Amerikë dhe pikërisht këtë të diel në mëngjes më telefonoi, duke më treguar se kishte një problem urgjent shëndetësor, të cilin, sipas miqve të tij mund t’ia zgjidhte një mjek shumë i njohur e shëmë i mirë në Shkodër.

   Bëhej fjalë për mjekun e mrekullueshëm ortoped Dr. Besnik Mustafaj. Me një lloj krenarie të lindur nga respekti ndaj këtij mjeku i them që e njoh shumë mirë dhe i flas për të me një vlerësim të jashtëzakonshëm.

   Unë kontaktova me doktorin dhe pasi ai u njoh me këtë problem shëndetësor të mikut tim Mirsad Kovaçi, më befasoi me fjalët e tij: “Ju pres në spital në orën 12:00”. Unë e dija shumë mirë se ai e kishte ditë pushimi.

   “Rruga vade s’ka” thotë një shprehje popullore shkodrane. Ne nuk arritëm të shkonim në orar në spital, për shkak të trafikut të madh në doganën e Muriqanit, por Dr. Besniku, ashtu siç e ka emrin i kishte qëndruar besnik fjalës së dhënë. Ai na priti me durim, por edhe me mirëkuptim, sepse ishte në dijeni të situatës në kufi.

   Dy fjalë përshëndetje i lanë vendin vizitës mjeksore që Dr. Besniku i bëri mikut tim nga Kraja me aq përkushtim e profesionalizëm, ku pas këshillave që mjeku e ndjen detyrë t’i japë, i dha edhe receten e nevojshme të mjekimit.

   Ky takim mjek-pacient pësoi një “thyerje” të vogël. Miku im Mirsad Kovaçi tentoi disa herë ta paguante këtë vizitë, duke e lidhur me shumë gjëra që kanë të bëjnë me profesionin e mjekut, duke e lidhur atë me pritjen e gjatë, me privimin e një dite pushimi, por duke harruar se Dr. Besniku ishte aty sepse e ndjente për detyrë, jo si përfaqësues i emrit të tij, por si përfaqësues i profesionit të tij. “Sot ju patët nevojë për mua, na u drejtua ai, nesër mund të kem unë nevojë për ju”.

   Unë e kisha provuar këtë situatë dhe gjithmonë isha ndjerë mirë në marrëdhëniet me këtë mik doktor, por u ndjeva shumë më mirë kur pash buzëqeshjen mirënjohëse të Mirsadit, që ishte shprehja më e bukur e falenderimit.

   “Ky doktor mor Zan, të shëron dhe pa ilaçe”, – më tha Mirsadi tek po largoheshim nga spitali dhe vazhdonte të përsëriste fjalët e Dr. Besnikut që sot nuk erdha në spital me krye vizitë mjeksore, por erdha vetëm për ju, pasi mora vesh, se nesër do të udhëtosh për Amerikë.

   Ne u larguam nga spitali me një respekt të veçantë për këtë mjek relativisht të pjekur në moshë, por edhe në profesion, por njëkohësisht të bindur se këta djem e vajza janë bijtë tanë, të cilët si në çdo sferë të jetës do të zevendësojnë brezat e mrekullueshëm që kanë lënë gjurmë dhe emër në këtë mision kaq njerëzor.

   Faleminderit Dr. Besniku, Doktori i mrekullive.

   Ramazan Çeka

   Shtator 2022

Filed Under: Analiza Tagged With: Ramazan Ceka

BELEGU (I VËSHTIRË) I PERËNDIMIT NDAJ REGJIMEVE

September 22, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

Gjithshka faj i Perëndimit, gjithmonë e gjithsesi. Për çfarëdo gjëje që të bisedohet. Vdekja e Mihail Gorbaçovit i ka dhënë rastin specialistëve  të vetëfshikullimit për të na shpjeguar se Perëndimi e braktisi dhe qe ajo braktisje e pabesë dhe cinike që shkaktoi mungesën e tij të suksesit politik, paaftësinë e tij për të modernizuar Bashkimin Sovjetik të atëhershëm, duke na dhuruar Vladimir Putinin. I gjithi është faji i ynë. Është një ide që bëhet palë me një tjetër – e mbështesin shpesh të njëjtit njerëz – simbas të cilëve, mësyemja e Ukrainës do t’ishte pasoja e zgjerimit të NATO-s në Lindje. Gjithmonë faji i ynë. Putini është një i keq, sigurisht, por në fakt e kemi krijuar neve. Të këqijtë e vërtetë, përgjegjës për të gjitha fatkeqësitë, jemi ne. Le të mbahet parasysh rasti i Afganistanit. Një titull shumë i përdorur nga disa gazeta është ky: “talebanët shtypin përsëri gratë”, i ndjekur nga e pamunguara “në mospërfilljen e Perëndimit”. Shpesh tituj të tillë lexohen në gazeta që ishin kritike të ndërhyrjes amerikane e të tjerëve Vënde perëndimore n’Afganistan. Në thelb Perëndimi është fajtor edhe kur ndërhyn ushtarakisht kundër talebanëve edhe kur pushon t’a bëjë. Në Perëndimin e sharë liria e fjalës është e shënjtë dhe kanë të drejtë të qarkullojnë edhe ide të marra. Por është një e drejtë për t’i vulosur si të tilla.

Të kthehemi tek Gorbaçovi. Ai ra mbasi i kishte dhënë fund Luftë së ftohtë, jo për fajin e Perëndimit, por sepse u gjënd para përballimit të tre problemeve të pazgjidhëshme. Dy të karakterit të përgjithshëm dhe një tjetër i posaçëm për Rusinë. Problemi i parë ishte se perandoritë mund të mbahen së bashku me shtrëngimin dhe frikën që ato përhapin tek nënshtetasit. Nëse perandori vendos (siç vendosi lëvdueshëm Gorbaçovi) të mos përdorte më detyrimin, pushoi frika dhe perandoria u shpërbë. Problemi i dytë i pazgjithshëm ishte se ndërsa ishte e lehtë – mjaft të jepej urdhëri – të shtetëzoheshin tërësisht mjetet e prodhimit, të mëkëmbej një ekonomi shtetërore, ekonomia e tregut nuk mund të krijohet në të njëjtën mënyrë: ekonomitë e tregut ngrihen ngadalë, “nga poshtë”, me mundimet e të shumëve që i kushtohen krijimit të ndërmarrjeve. Askush nuk e di se në çfarë mënyre tjetër mund të lindet. Për këtë, me fundin e ekonomisë shtetërore në Rusi lindi, jo ekonomia e tregut por ekonomia e grabitjes  prej oligarkëve (siç e ka kujtuar Sergio Romano në Corriere të 4 shtatorit). Problemi i tretë i pazgjidhshëm që gjeti përballë Gorbaçovi, kishte të bënte me historinë dhe traditën ruse. Rusia, me përjashtim të një sprove të shkurtër e mjaft të brishtë kushtetuese mbas vitit 1906, ka njohur në historinë e saj vetëm tiraninë, vetëm despotë, (ndonjëherë të ndritshëm, më së shumti mizorë). Zakonet e Rusisë, besimet e përhapura në shoqëri, janë damkosur në zjarr nga shekuj e shekuj tiranie. E të qezaro-papizmit: Patriarku i Moskës që bekon  luftën e Putinit është vetëm i fundit i një sëre kryetarësh të Kishës ortodokse ruse, të poshtëruar në këmbët e carit të rradhës.

Duke i dhënë fund Luftës së ftohtë, Gorbaçovi  dhe grupi i tij kanë përfaqësuar një risi absolute në historinë ruse: për shekuj e shekuj para tij – por me Putinin zakonet e vjetra janë rivendosur – qeveritarët rusë kanë ligjëruar pushtetin e tyre despotik brënda, përtej thirrjes së mitit të Romës së Tretë, të Rusisë shembëlltyrë të krishterimit ortodoks (të zëvendësuar nga komunizmi mbas revolucionit të Tetorit) edhe e mbi të gjitha duke thirrur popullin rus të mblidhej kundër armikut të jashtëm, kundër fuqive armike, qëllimi i të cilëve ishte sigurisht shkatërrimi i Rusisë. Gorbaçovit i takon merita e madhe historike e ndërprejes s’asaj tradite. Por u pa si përfundoi.

Siç ka pohuar shkrimtari rus Mihail Shishkin, për luftën në vazhdim: “Bota e lirë do të duhej të kuptonte se nuk po lufton kundër një diktatori të marrë, por kundër një sistemi pushteti të pavarur, agresiv dhe të vetëripërtërishëm. Struktura e lashtë shoqërore e autokracisë ruse është ruajtur në magazinën e historisë dhe përcjellë në shekuj. Dhe ja e gatëshme të ndryshojë qime për t’u dukur me të tjera paraqitje: si perandoria e romanovëve dhe Bashkimi Sovjetik komunist i Stalinit, e së fundi “demokracia e kontrolluar”e Putinit. (Corriere della Sera, 4 shtator).

Gabimi i rëndë i kryer nga Perëndimi në marrëdhëniet me Rusinë ka qëndruar (e thënë pas pilafit) në të besuarit që, e integruar në tregun botëror, ajo do të kishte humbur cenet e saj historike, që ndërvartësia e interesave dhe tregëtisë e shpërngulja e teknologjive që do t’a kishin favorizuar, do t’a kishin zbutur, do t’i kishin shuar prirjen e saj të lashtë perandorake. Nuk u mbajt parasysh se ajo që vlen për Vëndet, qeveritarët e të cilëve kërkojnë të ruajnë pushtetin duke ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe grumbullimin e shpërndarjen e pasurisë, nuk mund të vlejë për një Vënd të zotëruar nga një sistem grabitjesh i armatosur deri në dhëmbë, i painteresuar – siç ka qënë pothuaj gjithmonë pushteti në Rusi – për mirëqënien e popullit të tij.

Vetëfshikullimi i Perëndimit, prirja për të paditur shoqëritë tona për gjithshka shkon keq në botë, ka shumë shkaqe e sheh të zotuar aq njerëz të ndryshëm. Të mendohet për shëmbull fshirja e kulturës, sulmi kulturës perëndimore – “të bardhë” e pra kolonialiste – nga ana e pakicave fanatike (bashkëpuntorë edhe shumë profesorë) në shumë Universitete perëndimorë. Sulmet Perëndimit nga ana e intelektualëve ose të hamendësuarve të tillë, gjithsesi është një sëmundje e lashtë. Siç shkruajti shumë vite më parë ekonomisti Joseph Schumpeter, ndërmjet veçorive të qytetërimit perëndimor është dhe ajo e rritjes së një numëri të lartë të intelektualëve të cilët i kushtohen më shpirt e me trup një misioni: të mallkojnë qytetërimin perëndimor. Gjithmonë bujarë me vetveten, shumë prej tyre e quajnë atë “shpirt qortues”. 

Idetë qarkulluese mbi fajet e hamendësuara të Perëndimit  kundrejt Rusisë nuk janë vetëm të marra, janë edhe të rrezikshme. Sepse, nëse janë shumë të përhapura, ndihmojnë çarmatimin moral përpara belegëve të pushteteve autoritare. Në këtë rrethanë nuk mund t’a lejojmë.

“Corriere della Sera”, 6 shtator 2022     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Shoqëria Civile dhe Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë për Avokat Populli,propozojnë Besim Ndregjonin

September 22, 2022 by s p

Shoqëria Civile dhe Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë kanë dalë me një kandidat të përbashkët për Avokatin e Popullit, Besim Ndregjonin.

Me anë të një kërkese, Shoqëria Civile dhe Unioni i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë kanë bërë një thirrje për deputetët e Kuvendit.

Ata u kërkojnë deputetëve të votojnë Ndregjonin, pasi pretendojnë se Avokati i Popullit u takon antikomunistëve mbas 30 vitesh dhe jo miqve të Lulzim Bashës e të përkëdhelurve të diktaturës.

Deputetë të opozitës në qoftë se u ka ngel ndërgjegje kombëtare i thoni “jo” pazareve të Enkelejd Alibeut e të Taulant Ballës”, deklarojnë të përndjekurit politikë. 

Ish-të përndjekurit politikë, thirrje deputetëve/ Votoni

Zoti Ndregjoni i përket atij brezi të vuajtur të Shqipërisë së diktaturës së proletariatit, ku vlerat e njeriut ishin të papërfillshme dhe ku konstituohej nga Kushtetuta diktatoriale: Diktatura e pakicës mbi shumicën. Zoti Ndregjoni vjen nga një familje fisnike shqiptare e cila ka përballuar tre diktatura në Shqipëri, diktaturën fashiste, me 7 prill 1939 babai i tij Imer Ndregjoni luftoi kundra pushtuesit fashist, në vitin 1944 u përndoq nga nazizmi se shpëtoi një familje hebrenjsh të Emunael Rubenit prej 7 vetash duke treguar humanizmin shqiptar, si luftëtar nacionalist u shqua për qëndresën ndaj diktaturës komuniste, ku diktatura e dënoi me 17 vite burg politike, si bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve.

Diktatura komuniste i pushkatoi tre pjesëtarë të familjes në moshën 18-vjeçare nipin Xhevitin, xhajën Xhetanin në moshën 24-vjeçare, dhe në moshën 75-vjeçar gjyshi Llani vritet në përpjekje me forcat e Kriminelit Shefqet Peçi.

Nga torturat çnjerëzore në hetuesi, vdiqën në tortura dy pjesëtare të familjes, kushëririn Halilin, dhe daja i babës Lam Bici. I dënoi me 7 vite burg politike dajën e tij Bajram Totrakun.

Nga torturat çnjerëzore në hetuesi në vitin 1981 humb vet dijen, burri i hallës Destan Manuka të cilin e dërguan në spitalin psikiatrik në Elbasan. Ky është bilanci tragjik që kjo familje pësoi nga diktatura komuniste.

Zoti Ndregjoni i mbijetoi diktaturës dhe pse ajo e kishte etiketuar armik të regjimit, duke i mohuar të Drejtat dhe Liritë në të gjitha fushat e jetës, falë vullnetit dhe kurajës së tij me një qëndrese e stoicizëm të admirueshëm.

Ka organizuar tre konventa kombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit, dhe është iniciatori dhe kontribuues në realizimin e Rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit në bazë të Rezolutës së A.P.K. Europës në vitin 2006, në Parlamentin shqiptar.

Misionar i ngritjes “Parcelës Kombëtare të Kujtesës. në Tiranë, kushtuar mbi 6000 burrave dhe grave që i ka pushkatuar diktatura duke ju ka zhdukur kufomat, dhe ata sot nuk kanë një varr. Ku ka marrë mbështetjen e personaliteteve shqiptare si të Kardinalit shqiptar Ernest Troshani, Deputetes të Parlamentit europian Arba Kokalari, shkrimtarit të shquar Ismail Kadaresë, ikonës, shkrimtarit ish i burgosuri politikë studiuesit Prof. Sami Repishtit, shkrimtares së shquar fituese e disa çmimeve ndërkombëtare Luljeta Lleshanaku, si dhe Tre drejtues të komuniteteve fetare në vendin tonë atij Katolik, Mysliman, Ortodoks, dhe Bektashinj, si dhe qindrave intelektualëve të fushave të ndryshme, të artit e kulturës.

Zotërinj Deputet!

Kemi tre dekada që në institucionet Kushtetuese nuk lejohen dhe promovohen kapacitetet antikomuniste që vijnë nga shtresa e të përndjekurve politikë.

Gjatë 30 viteve janë promovuar dhe kanë drejtuar këto institucione individë që i kanë shërbyer diktaturës, ose kanë lidhje politike me regjimin e diktatorit Enver Hoxha, dhe të votuar nga PD&PS. Sot fatkeqësisht të gjitha institucionet kushtetuese drejtohen nga të privilegjuarit e diktaturës. Kërkojmë, dhe presim mbështetjen dhe ndihmën tuaj morale politike dhe njerëzore, për kandidaturën tone. Dhe kjo falë votës tuaj 30-vjeçare që keni mbështet të priviligjuarit e diktaturës.

Ing. Ardian Vasil Kati ish-i Internuar Politikë prej 15 vitesh me babanë në Burg Politikë prej 17 vitesh si Përfaqësues i Shoqërisë Civile ju apelon juve Zotërinj e Zonja Deputetë, si Z/Kryetar i Kuvendit : Mbështetni dhe votoni kandidaturën e personalitetit, me përmasa kombëtare, Aktivistit të shquara të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, pinjollin e një familje fisnike që përballoi tre diktatura dhe ka drejtuar institucione të rëndësishme si Shef Kabineti në Komitetin Kombëtar të Përndjekurve Politikë 1992-1994. Ka drejtuar Institutin e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë 1998- 2003 si Drejtor i Institutit. Ku u shqua për ndershmërinë dhe profesionalizmin e lartë në drejtim të tyre.

Demir Pojani ish-i Burgosur Politikë për 25 vitesh, në emër të Burgosurve Politikë dhe si pjesëmarrës i revoltës së Spaçit ju bën thirrje Zotërinj Deputet, shembeni këtë mur politik tridhjetëvjeçar që është ndërtuar me heshtje ndaj të përndjekurve politike se i shërbeni paqes dhe jo urrejtjes. Mbështetni kandidaturën e të Përndjekurit Politikë i cili ka kontribute të çmuara në mbrojtje të kësaj shtrese. Që ky institucion që mbron të Drejtat dhe Liritë e Njeriut mos të drejtohet nga ushtar të politikës, por të ketë drejtues një personalitet nga klasa e të Përndjekurve Politike që ka senbilizimi moral dhe i mbron me fanatizëm këto të drejta, se i ka provuar në familjen e tij të gjitha llojet e krimit komunist dhe dhunimin e të Drejtave dhe Lirive.

Votoni përfaqësuesin e të mbijetuarve të diktaturës, Zotin Besim Ndregjoni!

Lavdie Nela ish-e Burgosure Politike, bashkëshorte e poetit të varur në litar martiri Havzi Nela apelon: Zonja Deputete, në emër të grave ish-të Burgosura Politike, dhe të mbetur pa fëmijë, mbroni dhe votoni kandidaturën që mbështetet nga Shoqëria Civile dhe të gjithë të Përndjekurit Politikë, Dr.Besim Ndregjonin i cili ka një kontribut në vlerësimin e figurave të Përndjekurve Politikë, falë kontributit të tij Havzi Nela u nderua Nderi i Kombit, e përjetësohet vepra e tij atdhetare. Si dhe qindra intelektual që janë pushkatuar e sot nuk kanë një varr.

Fatbardha Mulleti – Saraçi e Internuar politike në Kampin e Tepelenës për 30 vite, studiuese e krimeve të Komunizmit ju apelon: Zonja Deputete, ke shansin dhe privilegjin të kontriuoni që në drejtimin e Avokatit të Popullit të zgjidhet Aktivisti i shquar, një kontribuues i palodhur në publicistikën e krimeve të komunizmit. Të përndjekur politikë që kanë statuse janë me mijëra, por me kontribute ndaj të Përndjekurve Politikë si Besim Ndregjoni nuk ka. Prandaj në emër të nënave dhe motrave që u dergjen kampeve të internimit ju apeloj votoni Kandidaturën tonë.

Adem Allçi i Burgosur Politik prej 30 vitesh në burgun e Burrelit: Zotri Deputet, thyej akullin e politikës 30 vjeçare dhe bëhu promotor i zhvillimit që mbas 30 vitesh të Përndjekurit Politikë të drejtojnë një institucion kushtetues. U jeni borxhlinj kësaj shtrese që gjatë 31 viteve pluralizëm përçuam paqen dhe jo hakmarrjen. I gjithë komuniteti i të Përndjekurve Politikë, presin me padurim që të ktheni mbas tre dekadash në krye të institucionit kushtetues të Avokatit Popullit përfaqësuesin tonë të mbështetur dhe nga shoqëria civile Besim Ndregjoni.

Ti demokratizojmë institucionet , jo të i politizojmë siç ka ndodhur gjatë këtij tranzicioni.

Zotërinj Deputet! Jeni mandatuar nga vota e të Burgosurve Politikë, e të Përndjekurve politikë, e ish-pronarëve, e ish-nacionalistëve që u shkrinë për kombin, keni 31 vite që nuk votoni asnjë përfaqësues të tyre, thirrni ndërgjegjes tuaj kombëtare dhe votoni përfaqësuesin e këtyre familjeve që gjatë këtij tranzicioni Stalinist njohën vetëm përçmimin dhe përbuzjen.

Mos u bëni një luftë klasash të dytë me vendime politike si Partia Komuniste.

Kundërshtari politik i Zotit Ndregjoni, ish-Kryeministri socialistë Pandeli Majko në Komisionin e Ligjeve në seancën dëgjimore me 15 korrik, ju bëri thirrje Opozitës parlamentare, mbështeteni kandidaturën e Zotit Ndregjoni që vjen nga shtresa e të Përndjekurve Politikë, se e meriton.

Ishte një thirrje njerëzore e një kundërshtari, por dhe reflektim për kandidaturat që nuk i përkasin spektrit politik.

Le të shërbejë pas 31 vitesh vendimi i juaj e të gjithë deputetëve që janë mandatuar falë dhe votës së elektoratit të djathtë që shumicën e përbëjnë të përndjekurit politik dhe pronarët.

Ua keni borxh të përndjekurve politikë që keni 31 vite që u merrni votën, dhe votoni të përkëdhelurit e diktaturës.

Le të shembet muri politikë i urrejtjes dhe harresës i politikës ndaj të Përndjekurve Politikë, dhe ne të Përndjekurit Politikë, të jemi qytetar me shanse të barabarta në Shqipëri.

Presim nga Ju si Deputet të Kuvendit, t’i bashkoheni thirrjes tone njerëzore dhe të jeni mbështetës ligjorë me votë ndaj kandidaturës tonë.

Kanë kaluar tre dekada dhe Ju, ju bie barra të bëheni bashkëluftëtar me ne, të dënoni marrëveshjet politike që bëhen në interesa personale, narciste, partiake, klienteliste për miq dhe shokë dhe aspak institucionale.

Mos ndiqni rrugën e poshtërimit që ka ndjek Ish-Kryetari i Juaj Lulzim Basha që dhe tani në Hije punon kundra të Përndjekurve Politik për të dërguar në postin e Avokatit të Popullit mikun e tij Ledio Braho siç dërgoi miken e tije Erinda Ballancën, para 5 vitesh, apo aktualisht miq të drejtuesve aktual në Parlament e sotëm, apo marrëveshjet politike të “Përndjekurit Alibej me fatosin e Enverit Taulantin.

Mbas tridhjetë viteve le të bëhet Pozita dhe Opozita mbështetëse e një kandidatura antikomuniste, se nuk i shërben një individi, por ndërtimit të shtetit të së drejtës që ka 31 vite që nuk po e ndërtojmë. Është koha të promovoni antikomunistët në drejtim të institucioneve dhe jo të përkëdhelurit e diktaturës siç po veproni dhe tani për Avokatin e Popullit.

Së bashku me thirrjen tonë ju dorëzojmë dhe Genocidin Komunistë mbi familjen Ndregjoni

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Ndregjoni

PRESIDENTI BILL CLINTON – ZGJËRIMI I NATO-s ISHTE “GJËJA E DUHUR NË KOHËN E DUHUR” 

September 22, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Të dielën që kaloi, Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton i dha një intervistë gazetarit dhe analistit Fareed Zakaria në programin e tij, “GPS”, transmetuar nga rrjeti televiziv CNN. 

Gjatë intervistës, që preku disa çeshtje të politikës së mbrendshme dhe të jashtme, Ish-Presidenti Clinton u pyet nga gazetari veteran i CNN mbi një numër çeshtjesh me të cilat përballet Amerika dhe bota, përfshir agresionin e pa provokuar të Ukrainës nga Rusia. 

 I pyetur nga gazetari Zakaria nëse zgjërimi i NATO-s në kohën kur ai ishte president, mund të ketë shkaktar i invadimit të Ukrainës nga Rusia.  Presidenti Clinton u përgjigj shkurt: “Je i gabuar”, i tha. Z. Clinton atij, duke shtuar se zgjërimi i NATO-s nuk ka asgjë të bejë me invadimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia. “Mendoj se bemë gjënë e duhur, në kohën e duhur”, me vendimin që kemi marrë për antarësimin e ish-vendeve komuniste në NATO.

Presidenti Clinton i solli në kujtesë gazetarit se vet Putini e ka thenë shpesh, se “shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte një tragjedi e madhe”, sipas tij. Ish-Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se me zgjërimin e NATO-s me vendet ish-komuniste, as Shtetet e Bashkuara as NATO nuk kishin për qëllim të kërcënonin Rusinë. Por, nga ana tjetër, ish-presidenti Clinton tha se vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qëndrore, ishin në të drejtën e tyre ndërsa kërkonin të jetonin në liri dhe siguri, pas shumë dekadash të dominimit të komunizmit sovjetik.

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton në intervistë me gazetarin Fareed Zakaria në programin e tij “GPS” të rrjetit televiziv CNN të dielën që kaloi

Ish-Presidenti amerikan zbuloi, në intervistën e tij në CNN të dielën se në atë kohë, ai i kishte ofruar Rusisë, “Jo vetëm një partneritet të veçantë me NATO-n, por edhe mundësinë e një antarësimi eventual në Aleancën ushtarake perëndimore, me argumentin se problemet më të mëdha të sigurisë, në të ardhmen, mendohej se do të do ishin aktorët jo shtetërorë, ose shtetet autoritare që do u shisnin grupeve terroriste armë kimike, biologjike dhe bërthamore”, dhe se përball një rreziku të tillë, do duhej të ishim të gjithë të bashkuar, u shpreh Z. Clinton në CNN — t’u ketë thenë në atë kohë autoriteteve të Rusisë.

Presidenti Clinton u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara pasi kishte fituar garën elektorale kundër kandidatit republikan Xhorxh H. Bush i vjetër në zgjedhjet e vitit 1992. Ishte shembur Muri i Berlinit, ndërkohë që ranë regjimet diktatoriale komuniste anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore dhe pasi ishte shpërbër edhe Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991.

Fillimisht, në mandatin e dytë të Presidentit Clinton, tre shtete ish-komuniste, anëtare të Paktit të Varshavës, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia u bënë anëtare të NATO-s në vitin 1999. Vala e dytë e zgjërimit më të madh të NATO-s ndodhi në vitin 2004, kur Nato-s iu bashkuan Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Estonia, Letonia dhe Lituania, nëdërsa, në vitin 2009, Shqipëria dhe Kroacia i bashkohen gjithashtu NATO-s gjatë presidencës së Xhorxh W Bush-it të ri.

Gjatë intervistës, Presidenti Clinton, reagoi pak me zemërim ndaj insinuatës së gazetarit Zakaria se disa analistë mendojnë se mund të ishte faji i tij për agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës – pasi ishte ai që filloi zgjërimin e Nato-s me vendet ish-komuniste, sepse dihet se një prej justifikimeve të Putinit për agresionin e paprovokuar të Ukrainës, ai donte që të parandalojë antarësimin e Ukraniës në NATO. “Po si mund t’u thuash Polakëve se ata duhet të jetojnë përgjithmonë me frikën se Rusia do i pushtojë prap? Ose t’i thuash Hungarisë ose vendeve të tjera, si vendeve Baltike, një gjë të tillë. Me të vërtetë, pas të gjitha vuajtjeve që kanë pësuar nga (diktatura komuniste sovjetike). A kanë dashur këto vende të ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik?”, pyeti pak si me sarkazëm, ish-Presidenti Clinton.

“Unë besoj se kemi bërë atë që duhej të bëhej në atë kohë. Dhe po të mos kishim zgjëruar NATO-n (me vendet e ish-komuniste të paktit të Varshavës), kriza e sotme e Ukrainës, ka mundësi të kishte ndodhur shumë më heret”, u shpreh Presidenti Clinton me gazetarin dhe analistin e CNN-it, Fareed Zakaria.

Zgjërimi i NATO-s ç’prej shembjes së Murit të Berlinit e deri më sot është shikuar dhe konsiderohet edhe sot si një objektiv për të krijimin e një Evrope demokratike, të bashkuar, në paqë dhe të pa ndarë. Secili shtet, anëtar i NATO-s sjellë diçka të veçantë drejtë këtij objektivi të përbashkët.  Presidenti Bill Clinton kishte të drejtë, atëherë dhe sot, sa i përket zgjërimit të Nato-s — me kërkesën e tyre –të  vendeve ish-komuniste në Aleancën e Atlantikut Verior, gjatë tre dekadave të fundit. Agresioni i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës po tregon se një Aleancë e fortë e NATO-s është sot më e nevojshme se kurrë më parë. Mbështetja për antarësimin në NATO është venë re edhe në vende që, historikisht, kanë qenë neutrale ushtarakisht, si Finlanda e Suedia. Edhe Republika e Kosovës po kërkon një rrugë të shpejt drejt antarësimit në NATO.  

Presidenti Bill Clinton me të drejtë tha në intervistën me CNN se nuk është zgjërimi i Nato-s drejt lindjes shkaku i agresionit tp paprovokuar rus në Ukrainë. Por është imperializmi rus ai që nxit agresionin e Rusisë kundër Ukrainës! Në të vërtetë, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, të martën edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e cilësoi agresionin rus në Ukrainë si një, “një kthim në imperializëm”.  Njëkohësisht, Presidenti i Francës kritikoi qendrimin e atyre vendeve që thonë se janë “neutrale” ndaj agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, duke thënë se ata janë në një rrugë të gabuar dhe se, “Ata po bëjnë një gabim historik”. Ndërkohë,  ata që po heshtin sot në lidhje me këtë agresion të paprovokuar rus në Ukrainë, udhëheqsi francez, Emmanuel Macron i akuzoi si,  “pjesësmarrës dhe bashkfajtorë në kauzën e imperializmit të ri” — në fjalimin që mbajti në tubimin vjetor të Asamblesë së Përgjithëshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Frank Shkreli

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare – Shqipëria ka qenë ndër vendet e para ish-komuniste – në mos e para – që ka kërkuar antarësimin e saj në NATO.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi, kryeministri i parë post-komunist i atij vendi i qeverisë së dalë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, në takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton në Shtëpinë e Bardhë, Prill, 1993.  (Autori në të djathtë të fotos)

Qysh atëherë, Shqipëria kishte treguar interesim që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO.  Presidenti Bill Clinton kishte ftuar udhëheqës shtetesh e qeverish nga Evropa Lindore/Qendrore për të marrë pjesë në hapjen e Muzeut të Hollokaustit në Washington, Prill, 1993.  Shqipëria përfaqësohej nga Kryeministri i saj, Aleksandër Meksi, i cili pati një takim me Presidentin Clinton e që pas pak — takimit iu bashkua edhe Zevendës Presidenti Al Gore.  Ndër vendet që përfaqësohehin në atë tubim të organizuar nga Shtëpia e Bardhë ishin Shqipëria, Portugalia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia, Moldova dhe natyrisht edhe Izraeli, pasi kremtohej hapja e Muzeut të Hollokaustit në Washington.

                         ———————————————————

President Emmanuel Macron of France addresses the general debate of the General Assembly’s seventy-seventh session.

Në fjalimin e tij të marten para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Francës Emmanuel Macron e dënoi agresionin rus në Ukrainë si,“një kthim në imperializëm” — UN Photo/Cia Pak

path to peace

Filed Under: Analiza

Prezantim i ITShKSh-së në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdale

September 22, 2022 by s p

Nju Xhersi, 21 shtator 2022 – Dita e dytë e manifestimit “Java Kulturore Shqiptare në SHBA” vazhdoi të mërkurën me prezantimin e punës shkencore të ITShKSh-së në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdale të Nju Xhersit, mbase më e madhja në mesin e komunitetit shqiptar në SHBA. 

Ekipi nga Shkupi u mirëprit nga kryetari i kësaj qendre, Astrit Zhaku dhe bordi udhëheqës, me të cilët u njoftuan me multifunksionalitetin e qendrës, e cila është themeluar që nga viti 1977.

“Një prej hallkave që do të lidhë fushëveprimin e këtij komuniteti me ITSHKSH –në do të jetë Departamenti i Mërgatës i cili së shpejti do të zyrtarizohet. Prandaj tash e tutje bashkëpunimi në mes mërgatës dhe ITShKSh-së do të vendoset në kuadër të një bashkëpunimi institucional, ku nuk do të mungojnë idetë dhe projektet me interes të përbashkët”, tha drejtori i Institutit, Skender Asani. Ai njoftoi të pranishmit me shtrirjen e segmenteve të punës hulumtuese e shkencore të ITShKSh-së në terren, sidomos me qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore, njëra nga të cilat do të funksionojë edhe në Strugë, e cila do të mbulojë Pellgun e Ohrit dhe do të mbaj emrin e rilindësit të kësaj treve, Dervish Hima. Domosdoja e themelimit të kësaj qendre në Strugë lidhet me nevojën e hulumtimit në tërë Pellgun e Ohrit, si në aspektin e kontinuitetit të pandërprerë gjeografik të hapësirës shqiptare, po ashtu edhe në aspektin e pasurisë materiale e shpirtërore nga kjo trevë, ku gjithsesi bëjnë pjesë edhe figurat e lavdishme historike si dhe shumë ngjarje që ishin pjesë e zhvillimeve të përgjithshme me karakter gjithëkombëtar, u shpreh Asani.

Të pranishmit i përshëndeti edhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit, Izmit Nura, i cili i informoi bashkatdhetarët lidhur me aktivitetet që po ndërmarrin bashkë me Ministrinë e Diasporës së Maqedonisë së Veriut, për lidhjen më të ngushtë të mërgatës me vendlindjen.

Më tej para të pranishmëve u paraqitën me fjalë rasti kryetari i Këshillit të Institutit, Sevdail Demiri, sekretari shkencor Sefer Tahiri dhe studiuesi Zeqirija Ibrahimi – kryeredaktor i revistës “Studime albanologjike”.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Nju Xhersit, kryesisht me origjinë nga rajoni i Strugës, kërkuan nga përfaqësuesit e Institutit që në të ardhmen të jenë përçues të zërave nga diaspora që kërkojnë më shumë arsimim, kulturë e dije në gjuhën shqipe.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT